2016-09-03

Cikël Poetik nga Irsa Ruçi


 


Irsa Ruçi është shkrimtare, fjalimshkruese dhe pedagoge nga Tirana. .Lindi në Tiranë(1990).Ka botuar dy libra:

1.Trokas mbi ajër (poezi dhe ese, 2008) dhe
2. Pështjellim (poezi, 2010). 

Gjatë vitit 2016 ka botuar ne mbi 80 revista dhe antologji kombëtare dhe ndërkombëtare qindra punime letrare dhe shkencore. Mes shumë çmimeve të fituara, ajo mbane dhe Çmimin e Parë, në konkursin Antologji 2007.
Poetja Irsa Ruçi  për herë të parë prezentohet më poezitë e saja në Kosovë, nëpërmes Agjencionit "Floripress". 



Leksione dhënë studentëve të mi...

Leksioni’ parë që u jap përherë studentëve të mi 

është ngjallja e dyshimit në dijen 
të cilën pretendoj se u transmetoj. 

Askush s’mund të jetë i gjithpushtetshëm 

dhe asgjë e përjetshme,
të gjithë jemi nxënës të përulur vitesh mbartur mbi supe,
në jetë mbetemi gjurm’ e hapave që hedhim...

Më tepër se t’ më recitojnë çka unë u dërdëllis 

më entuziazmon gjetja e argumenteve prej tyre 
për të sjellë të tjera këndvështrime, frymë mendimi jashtë kornizash, 
se vetëm mendjet e lira s’mund të manipulohen 
kokëboshët nevojiten për të bërë hije mbi tokë!

Një student s’duhet të jetë asnjëherë i qetë 

duhet ta gërryejë pambarim kureshtja 
duhet të shohë përtej... madje, edhe përtej kohës
duhet ta kthejë rebelimin në zë kumbues auditoreve;
ndryshe, do i zërë gjumi mbi bankat 
ku kanë gdhendur kopjet 
për t’u zgjuar pas ca vitesh me kartonin në duar
duke i bërë fresk vetes, ndërsa degdisen rrugëve...

Leksioni’ fundit që u jap përherë studentëve të mi:

Të jenë cinikë 
gjer në at’ pikë
sa t’ua kenë frikën
kushdo që mbi ta hedh baltë;
krenarë dhe cinikë 
teksa përpiqen të marrin atë që meritojnë;
të zgjuar dhe cinikë 
për të ardhmen që ata kanë në duar ta ndërtojnë;
cinikë dhe revolucionarë 
paksa të shkarë 
Don Kishotë që luftojnë me libra, me fjalë...
të sigurt në bindjen 
se brenda auditoreve rritet një komb...!



 


Idiotë që shkruajnë dy rreshta 

të lidhura me rimë dhe pa kuptim;
e mendja i gënjen, ju merr erë
fluturojnë mbi re, me idenë që s’do vdesin ndonjëherë…

“Klube shkrimtarësh”… Ha ha ha ha 

më vjen të qesh e të qaj kur mendoj
ç’ mund të diskutohet në këto lloj “klubesh”;
me siguri merren me “muzat”
që pjerdhin në poçe, 
si laraskat në mendjet delirante
tek presin pavdekësinë 
dhe dehen mes rimash mediokre.

E ndjej që kam shkalluar nëpër fjalë, 

por mos më merrni për të marrë!
Veç më revolton kur dëgjoj se ka njerëz
që mezi lidhin dy fjalë bashkë
dhe “fryhen” nga ideja se kanë titullin poet:
më vjen ta shpall veten “shenjt”…!

Ju lutem, ma frenoni fantazinë 

nëse më zë dalldisja, 
mos më lini të zhytem në këtë llum krijimtarie!
Madje, ju ndaloj të më quani poete, 
mos ma thoni atë fjalë
sa të jem gjallë!
Pas vdekjes mund t’ më ngushëlloni për një çast:
“t’i rrojnë vargjet që la pas”…

Le të dehem në ndonjë klub poetësh atëherë, 

ta pi dhe unë krenarinë fodulle të vargjeve të mia njëherë.



Në pritje të dritës…

Do të qëndroj derisa pilivesat

t'i thërrasin mendjes se me kohën s'luhet
pa u pasqyruar ende në ujërat e paqtë; 
megjithëse orët pas perëndimit nuk janë
fshehtësi nate,
por e panjohura e dritës
në përhumbje...

Pastaj do qëndroj edhe pak për veten

gjersa t'i shkruaj gjithë vargjet që dua
para largimit të pilivesave.

Do i ketë çelur lulet qershia

qyshsa të përfundoj të fundit poezi
shkruar pavetëdije
shkruar në mungesë
ndërsa prisja ditën e lindjes së pilivesave!

Do qëndroj gjer atëherë kur

të kem mbytur të fundit lot trishtimi
në pellgun e ndërgjegjes sonë të ndotur...



Vetja – vetes:

Mes ëndrrash ngatërruar gjumit të k’saj nate 

të njoha si padashje
shfaqur pafajshmërisht: pa maskën e përditshmërisë!

Nisa të t’përgjoj 

tinëzisht
me mëshirën prej tjetri
që është aq e pamëshirshme 
si luftë hienash 
stisur djallëzisht veç për vëmendje…

Ishe kaq e bukur në mungesë të njerëzve 

e lirë, e pamposhtur, pothuajse personazh huazuar përrallash,
ishe ti, pa krijesën që mban mbi supe 
sa herë bota kthehet në përbuzje, 
shfaqur me madhështinë e thjeshtësisë 
së poetit 
që veten e sakrifikon gjersa shkrihet mes vargjesh
për të dhuruar dritë mbi tokën e ftohtë.

Por, nata e shoi kandilin; e shikimi m’u verbua 

gjer n’mosnjohje, koha ma vodhi të vërtetën
tej ndërgjegjes…

Njeriu është gjithnjë i brishtë përballë vetes 

se vetëm vetes i rëndon përbrenda e keqja…




Një vend brenda zemrave

Mësova se diku ekziston një vend

ku fjalët presin urtësisht radhën, si rruazat që shkohen nëpër pè
një vend i cili nxë veç zemrat e mëdha
që dashurinë e jetojnë si engjëjt parajsën...

Aty stinët nuk kanë frikë të vijnë natyrshëm

dhe ajri përcillet si frymë, gjallon përjetësinë
nëpër rreshta gazetash ka vetëm poezi
e lufta është një mendim i largët...

E dua një vend ku njerëzit vdesin për idealet

dhe jetojnë gojëdhënave në brezat e pastajmë
ndërsa vitet të jenë sfidë me veten, jo me kohën
njeriu larg perfeksionit, por që di të falë!

Lotët të peshojnë mbi sy kudo me t' njëjtën dhembje

të njëjtën dritë të shpërndajnë në gjithësi
kam nevojë të besoj se ekzistojnë ende qeniet humane
drejtuar kah virtyti...

Lërmëni të shpresoj se diku ekziston një vend

ku njeriu ka dëshirë të sillet si NJERI...
Dhe kjo le t' më jetë një ëndërr e pakthimtë!


Pritja e fatit

Ti e dije se pranvera është buzëqeshja shpirtit

ardhur porsi dritë brenda syve t' dielltë
për t'i ngrohur ëndrrat me mallin e kohës...

Ndërsa fjalët janë puhiza që shkund gjethet prej pemëve

ligjërojnë me heshtjen, të kujtojnë
siç kujtohet lumturia kur përmendet emri yt:
në një tjetër gjuhë, shkruar mbi alfabetin e ndjenjave
në përgjim të vargjeve që porsi valë deti përplasen në brigje zemre
e mbyten nëpër ditë!

Mendimet janë si stinët, vijnë me pritjen përdore

pasi udhëtojnë verbtazi n' trenin e përjetësisë
ndalen në stacione shpresash.

Por ti e dije se pranverën e sjell veç dashuria

ashtu siç e lindin diellin sytë...


 

E ku ta dija unë?

E ku ta dija unë 

se dashurinë që ti e krijoje mes ëndrrash
e kishin fole zogjtë në qiejt e pambarimtë?

Pranverën e sillje me shikim, me frymë i çelje pemët

fjalët e tua qenë heshtje prej burri
ndërsa lutjet për jetën shpërthenin si vullkan në zemër
prej nga ndjenjat përcilleshin si këngët
në atë rit engjëjsh ku ligjërimet mbaheshin me shikime.

Dashurinë e ruaje si mëngjeset dritën, me diellin e shpirtit m'i ngrohje vargjet

rimat i ktheje në furtunë, metaforat ndërtonin dialogje;
si shikimet në sy tradhtuar prej lotëve
tradhtohen poetët ngatërruar mes strofave!

Zemra e mashkullit matet me brishtësinë e fëmijës

dobësia e tij, frymëzim në ngjizje i femrës
ndërsa forcën e gjen brenda vetes
thellë tij, kur bashkon në një të gjitha dashuritë: 
biri i një nëne
vëllai i një motre
bashkëshorti i një gruaje
babai i një vajze
gjyshi i një mbese
... dhe jeta që nga e para ripërtërihet sërish...

E ku ta dija unë

se dashuria jote ish' hyjnizim perëndish?


 

Një burrë!

Meshkujt asnjëherë nuk kanë për ta kuptuar plotësisht

sa të dobët ndihen përballë dashurisë
sesi krenaria e forcës së tyre tradhtohet në at' shikim fëmije
dhe rrugën e zemrës e humbasin aq lehtë
në dëlirësi mendimesh, mes përsiatjesh të vetëdijshme
porsi vocërrakët që gënjeshtrat i fshehin me buzëqeshje.


Femrat përherë do t' mendojnë se kanë një shqisë më tepër

të ndjejnë se drita që buron prej gjoksit burrëror
është fjala e tij e pathënë,
është heshtje shkëmb
që e thyen frymëmarrja e trazuar emocionesh. 
Në ligjërimin mes vetes shfaqet mungesa, ashtu si shikimi
brenda një pasqyre ku mungon vetja
dhe pamja është shpirti
mbytur në oqeanin e delireve që pushton qenien.


Ata i djegin dëshirat porsi cigaret, me madhështinë e thjeshtësisë

dhe të ardhmen e kërkojnë nëpër tym
të pafjalë, sokaqeve përhumbur në vetmi
se dashurinë mashkulli e dhuron si frymë...


Dhe femra fut shejtanin në shishe për atë dashuri

që pastaj të njohë veç engjëllin strehuar në shpirt të tij...


 
 Rilindje

Merrmani këtë buzëqeshje të heshtur
që i këndon lumturisë
si zogjtë pranverës;
shtegtojeni pa mëshirë
në brigje shpresash të humbura
dhe gjejani dritën dritës
përmes vallëzimit t ëfluturave
lozonjare,

por kthemani sërish
sërish kthemëni:
se e qeshura është si dielli
lind për jetën...

 

Gjurmë vetë mentalitetit shqiptar

Fshati matanë gjarpëruar prej rrugicash nën hije 

fsheh të vërteta të pathëna,

mbrujtur tek mentaliteti i përpunuar nëpër breza 

si brum’i ardhur rishtaz, 

dhe gratë që përgatisin byrekun 

për të ushqyer burrat e kthyer të uritur nga dashnoret;
të shkretat nuk hapin gojë, bëjnë vec thashetheme të pafajshme
për vajzat e mëhallës që porriten shëmtuar në shthurje.


Ndaj ato i nisin të bijat nuse shtatë male kapluar

se fjala e ka jehonën të shkurtër, e harresën të aty për atyshme
dhe kurvat e një nate më parë ndërsa qëndisin pajën e tyre
u bien ur shenjtoreje, janë kaq të bukura kurve shinëndrrat; 
sa e shkuara ua ka zili kujtimet.


Por në fsha tkoha ecën si breshka, në udhëtimin e paqtë me veten, 

e pëshpërimat pas krahësh, 
… ah, janë udhëtim pengjesh 
të mbetura pa thënë që prej rinisë. 
Se vasha vetëreja u kanë hije flirtet, ndërsa rreken të marrin vëmendjen 
e mashkullit 
që pasionin do ia kthejënë dëshirë 
e dëshirën në premtim 
(por sot, veç budallaçkat besojnë) 
ndaj rrugica vetë fshatit ndihet tek gërhet
e pazgjuar pleqëria 
që mbrëmjeve thurin lutjet për të rinjtë 
mbetur larg vatrave të ngrohta si dikur fëmijë
zgjuar dehshëm mëngjeseve të mëkatshme 
larg, shumë larg frymës që fryn n’pragun e lindjes.


Se në metropolet e mëdha vajza tnuk lexojnë “Ema Bovarinë” 

as nuk gjunjëzohen si Heloiza heroike 
para letrave të rrejshme të dashurisë,
e asnjë prej meshkujve nuk më katon si një Abelard 
(i përvëluar prej ndjesive) 
gjer në grahmën e të fundit fat.


Por, nënat nuk i dinë këto kur në pajë 

u vendosin lotët, larë me mall 
për t’i përcjellë shtatë male kapluar
larg vendit ku me shkuj ti reklamojnë dashnoret
si triumfe të merituara 
dhe gratë hollojnë petë e ruajnë nderin e shtëpisë…




Përgatiti:Flori Bruqi

*********




 © Irsa Ruçi





Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...