2016-09-05

Marin Mema “dridhi” Maqedoninë me ”Shkupi, një histori Ilire”


Marin Mema “dridhi” Maqedoninë me ”Shkupi, një histori Ilire” (Video)

Gazetari i Top Channel dhe autori i emisioneve “Shqipëria tjetër”, ka tronditur Maqedoninë me emisionin e tij të radhës: ”Shkupi, një histori Ilire”, njofton Telegrafi Maqedoni.

Në emision e tij Mema tregon se si ndahet Shkupi, sipas përkatësisë etnike dhe sipas investimeve, në pjesën shqiptare dhe në pjesë maqedonase.

Investimi dhe falsifikimi i historisë e bën dallimin në mes Shkupit shqiptar dhe Shkupit maqedonas.

”Shkupi, një histori Ilire” nxjerr disa sekuenca nga emisioni të filmuara me kamerë amatore, ku Mema dhe ekipi i tij kontrollohen nga Policia dhe nga njësiti special “Alfa” ku bën pjesë edhe një shqiptar i cili një herë i thotë se është kontroll rutinor policie dhe pastaj i marrin në stacionin policor në qendër.

Më herët, Mema për Telegrafi Maqedoni ka thënë se “ka shumë të vërteta që ky emision do të zbulojë”.

“Janë të vërteta ulëritëse që janë mbuluar me harresë. Çfarë fsheh Shkupi i vërtetë? Çfarë fshihet nën kala, nën monumente, në të gjitha objektet arkeologjike. Kë frikësoi dhe shqetësoi kaq shumë ky dokumentar derisa grupi i Top Channel u ndalua për disa orë në komisariatin e Shkupit? ‎Si kontrrolli ‘rutinë’ u transformua në një ndalim disa orësh. Çfarë ndodhi në të vërtetë? Gjithçka do ta tregojë dokumentari i së shtunës në ora 20 e 10. Shkupi, një histori Ilire” u shpreh Mema.

Marin Mema : “Ujku” shqiptar që sundoi Moldavinë

“Ujku” shqiptar që sundoi për 19 vjet Moldavinë – kjo është historia e tij!

Për prejardhjen e familjes Koçi ka disa teza. Njëra prej tyre i identifikon paraardhësit me rrënjë nga Shqipëria Jugore, të emigruar në fshatin Arbanas në Bullgari, ku ende jeton një komunitet shqiptar. Një tjetër i vendos, pas mbërritjes në Bullgari, në një zonë pranë qytetit Razgrad.

Duke qenë se studimet e mirëfillta për këtë figurë mungojnë, edhe vendi i origjinës së saktë të familjes është i vështirë të thuhet.

Elementi që bashkon të gjithë studiuesit dhe historianët është fakti se rrënjët e tij ishin qartësisht shqiptare, kjo edhe sepse ai identifikohej me origjinën e tij.

Vasili lindi në vitin 1595, duke qenë një nga 8 fëmijët e Nikollë Koçit. Ky i fundit u vendos në territoret rumune pas një kryengritjeje të dështuar, me ndihmën e një prej princërve të kohës, Radu Mihneas. Pas vdekjes së të atit, familja u vendos në Moldavi, ku nisi rrugëtimin ”ujku” shqiptar.

Vasili pati pozicione të larta gjatë viteve 1626 – 1629 dhe 1633, kur në sundim të Moldavisë ishte Miron Barnovchi.

Në 1634-n, si kundërpërgjigje e fisnikëve vendas ndaj forcimit të konkurrentëve grekë dhe levantinë, ai u zgjodh princ i Moldavisë.

Ky vendim ishte rezultat i vendosmërisë dhe forcës që ai tregoi në revoltën ndaj princit Alexandru Ilias dhe njerëzve të tij.

Vasil Koçi u mbështet mjaft edhe nga një sundimtar tjetër, Matei Basarab, princ i Vllahisë, si dhe pashai turk i Silistrës, Mehmet Abza.

Hipja në fron e sundimtarit shqiptar konsiderohej si një sukses jo thjesht ushtarak, por edhe për vetë reformat modernizuese që ai ndërmori, ashtu si edhe investimet që ruhen ende sot.

Vasil Lupu njihet si sundimtari i parë që kodifikoi ligjet në Moldavi.

Ky dokument i veçantë u quajt Romanesca de Invitatura ose kodi i Vasil Luput dhe i dha prioritet jo thjesht anës juridike, por edhe elementeve të tjera, siç ishte gjuha rumune.

Kjo reformë shënoi kalimin nga ligjet e pashkruara e të bazuara më së shumti në zakonet e kohës tek ato zyrtare, të hartuara dhe publikuara sipas një stili romano – bizantin.

Jo më kot filozofi dhe historiani Dimitrie Cantemir, që jetoi gjatë viteve 1673 – 1723, e konsideronte periudhën e sundimit të Vasil Koçit si atë të rizgjimit dhe rikthimit në dritë nga errësira e barbarive që shtriheshin në vend. Vasili ishte një drejtues i aftë jo thjesht në politikën e brendshme, por edhe në rrafshin diplomatik. Ai mbajti marrëdhënie me të gjitha superfuqitë përreth, duke forcuar lidhjet me Vjenën, Varshavën, Moskën etj. Pozita e tij u bë kaq e rëndësishme sa shpesh ai ndërhyri për të forcuar rolin dhe pushtetin e tij edhe në konflikte, siç është ai në Krime, në vitet 1635 – 1637 apo në krizën turko – ruse për qytetin e Azovit, në vitet 1637 – 1642.

Princi themeloi, në vitin 1640, shkollën e parë, që njihet si Akademia Vasiliane, duke u dhënë mundësi në këtë mënyrë të rinjve vendas të mësonin aty pa u dashur të largoheshin drejt Polonisë, siç kishte ndodhur deri në atë kohë për pinjollët e familjeve të mëdha. Biblioteka e Universitetit të Lashit ishte gjithashtu vepër e tij, ndërsa shtypshkronja e parë ishte një tjetër investim që u ngrit me mbështetjen e fortë të sundimtarit dhe që shënoi nisjen e një tjetër epoke për publicistikën vendase.

Ai ndërtoi mjaft objekte kulti, ndër të cilat edhe kishën e “Tre Hierarkëve”, një monument i mbrojtur nga UNESCO. Në fakt, princi Vasil u shndërrua në një mbrojtës të ortodoksisë jo vetëm në territoret e tij, por edhe shumë më gjerë. Shuma të mëdha parash iu dhanë, me urdhrin e tij, Patriarkanës së Kostandinopojës dhe Jerusalemit, ashtu si manastirit të malit Athos në Greqi. Më se 30 kisha dhe manastire në Moldavi u ngritën prej tij, ndërkohë që bamirësi të tjera bëri edhe në Poloni, Bullgari etj.

Paralelisht me investimet, Vasil Koçi kërkoi të forconte pushtetin duke u përpjekur të përfshinte nën sundim zotërime të reja. Nëse me princin e Transilvanisë, Gheorghe Rakoczi I, mbajti marrëdhënie mjaft të mira të bazuara mbi dy traktate të nënshkruara në vitet 1638 dhe 1646, me një ish-aleatin e dikurshëm, princin e Vllahisë, Matei Basarab, që e mbështeti për të hipur në fron, gjërat shkuan ndryshe.

Etja për territore bëri që Vasil Koçi t’i shpallte luftë rivalit të tij. Për këtë qëllim, ai lidhi edhe krushqi me ushtarakun e lartë të kozakëve, Bohdan Chmelnyckij, i njohur ndryshe si Bogdani i Zi.

Princi shqiptar i dha vajzën e tij, Ruksandrën, djalit të Bohdanit.

Pozicionet kyçe nën sundimin e tij i mbanin jo thjesht njerëzit më besnikë, por mbi të gjitha të afërmit.

Mjafton të përmendet fakti se 10 nga 17 guvernatorë ishin familjarë të sundimtarit tregues i kujdesit që Vasil Koçi tregonte për të mos forcuar njerëz të jashtëm që mund t’i cenonin pushtetin, por ishte pikërisht kjo etje për rritje të pushtetit që e rrëzoi.

I forcuar edhe me koalicionin e ri pas martesës së të bijës, Vasili mendoi se do ta kishte më të lehtë të shkatërronte princin e Vllahisë. Plot tri herë ushtritë u përplasën në 1639-n, në Ojogeni e më pas në Nenisori, e në fund në 1653-shin në Finta. Në të tria rastet, ushtritë e sundimtarit shqiptar u mposhtën. Beteja e fundit rezultoi më fatalja.

Pas kësaj beteje nisi një rebelim i menjëhershëm i fisnikëve moldavë, të cilët 19 vjet më parë e kishin mbështetur.

“Ujku” nuk mundi këtë herë të qetësonte gjërat me dredhitë e tij dhe përfundoi i zëvendësuar në fron nga princi Gheorge Stefan.

Vasili u largua drejt Stambollit, ku jetoi në ekzil për vite të tëra. Ka të dhëna se 5 vite ai i kaloi në një nga burgjet e perandorisë, i arrestuar nga autoritetet osmane.

Ndonëse nuk rreshti për asnjë moment në përpjekjet e tij për rikthimin në pushtet, kjo nuk ndodhi më kurrë.

E megjithatë, Vasili arriti të shihte nga larg, në vitin 1559, hipjen në fron të djalit të tij, Stefan Lupu.

Në vitin 1661, sundimtari i dikurshëm, që kaq shumë ndihmoi në zhvillimin e principatës së drejtuar prej tij, vdiq në ekzil në Stamboll, ndërsa vetëm pak kohë më pas djali i tij ra nga froni.

Stefani, mesa duket, nuk kishte trashëguar aftësitë e të atit për të qëndruar gjatë në pushtet përmes aleancave të ndryshme, duke e mbajtur atë vetëm dy vjet.

Trupi i sundimtarit shqiptar që udhëhoqi Moldavinë për 19 vite sot prehet në katedralen e “Tre Hierarkëve” në Lashi.

Vasil Lupu ishte i pari i një pushteti shqiptar, që më pas vijoi edhe me dinastinë e famshme të familjes Gjika, që drejtuan për breza Vllahinë e Moldavinë apo edhe familjet Duka, Shucu, Balsha etj.

Shqipëria e vitit 1980: E vetme kundër botës

“Të realizojmë të gjitha detyrat dhe të shkatërrojmë bllokadën”, dikton një tabelë në qytetin shqiptar të Shkodrës, por izolimi i Shqipërisë nga bota është rezultat i politikës së brendshme. Pa aleatë dhe e rrethuar nga kombe që kanë pasur synime historike ndaj tokës së saj, Shqipëria është e mobilizuar që të ecë e vetme nën diktaturën e rreptë të Enver Hoxhës i cili ka mbajtur pushtetin për 36 vjet. Simbolet e kazmës dhe pushkës dominojnë skenat publike. Një marksist-leninist dogmatik, Hoxha prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, të cilin e konsideron “revizionist”, në 1961, dhe i prishi lidhjet me Republikën Popullore të Kinës dy vjet më parë. Rruga e vetëmjaftueshmërisë është shpesh një rrugë e vështirë. Automobilat privatë janë të ndaluar, kështu që shqiptarët udhëtojnë me biçikleta. Vizitat nga gazetarët janë të rralla. Vitin e kaluar, Mehmet Biber, një fotograf turk që jetonte në Stamboll në atë kohë, mori një vizë vetëm disa muaj, pasi gazetari Sami Kohen, një tjetër rezident i Stambollit, kishte vizituar vendin. Nga bisedat me z. Kohen dhe nga përvojat e tij, z. Biber solli të parin raport të plotë nga Shqipëria që shfaqet në një revistë amerikane pas shumë vjetësh.

Shqipëria e vitit 1980: E vetme kundër botës

Aeroplani fluturoi në jug nga Jugosllavia mbi Adriatikun me ngjyrë kobalti, u kthye 90 gradë dhe u drejtua nga toka drejt Shqipërisë.

Në antikitet, legjionet e Romës duke zbritur Rrugën Apiane për në Brindizi në takën e Italisë dhe duke kaluar Ngushticën e Otrantos mbërritën këtu dhe marshuan në lindje në rrugëkalimin e madh ushtarak për në Selanik dhe Kostandinopojë. Gotët dhe Normanët i pushtuan. Perandoritë Bizantine, Bullgare, Serbe dhe Venedikase i “ndihmuan”. Pas kësaj, Turqit Otomanë udhëhoqën për pothuajse pesë shekuj dhe e bënë Shqipërinë të vetmin vend me shumicë myslimane në Eeropë. Më pas erdhën ushtritë e Musolinit dhe Hitlerit.

Sot asnjë autostradë ndërkombëtare nuk kalon nëpër Shqipëri. 300 kilometrat (185 milje) e saj të hekurudhës nuk kalojnë asnjë kufi. Asnjë aeroplan i huaj nuk lejohet të kalojë në hapësirën e saj ajrore. Fluturimet komerciale, si fluturimi ynë gjysmak i përdyjavshëm nga Beogradi, ku duhet të kalonin nga drejtimi i detit dhe vetëm gjatë orëve të ditës.

Pashë përreth kabinës njëzetëshen e bashkudhëtarëve: një grua e moshuar, një diplomat, një profesor austriak i gjuhës shqipe (e lidhur pak me gjuhët e tjera evropiane) dhe biznesmenë që vinin të blinin minerale ose të shisnin makineri.

Si u përshtatesha unë udhëzimeve për vizitorët të vendosur nga diktatori i Shqipërisë, kryetari i Partisë Komuniste, Enver Hoxha?

Ai e kishte shpallur vendin e tij “të mbyllur ndaj armiqve, spiunëve, hipive dhe huliganëve, por të hapur ndaj miqve (marksistë ose jo-marksistë), revolucionarëve dhe demokratëve progresivë, ndaj turistëve të sinqertë… të cilët nuk ndërhyjnë në çështjet tona.”

Më me vend ishte komenti i një agjenti udhëtimesh: “Vetëm të çmendurit, diplomatët dhe gazetarët shkojnë në Shqipëri”!

Unë isha një gazetar turk dhe kisha pritur pothuajse një vit që të më miratohej kërkesa për vizë.

Ne kaluam mbi plazh dhe rrafshinën bregdetare afër Durrësit dhe pamë, përtej kodrave me tarraca, një vijë të dhëmbëzuar majash të mjegulluara që përshkonte horizontin si një elektro-kardiogramë gjigante.

Pyesja veten se çfarë do të gjeja në këtë komb të vogël prej 2.7 milionë njerëzish, në madhësinë e Marilandit, me më pak banorë, dhe po aq pak të njohur sa Tibeti.

Me mijëvjeçarë pasardhësit e fiseve antike, të njohur si Ilirë, janë kapur fort pas tokës më të ashpër në Ballkan (që përkthehet ‘male’ në turqisht). Midis majave që ngrihen deri në 2764 metra (9068 këmbë), ata ndoqën një kod nderi klanor të rreptë që shfarosi familje të tëra nëpërmjet gjakmarrjeve që zgjasnin me breza.

Sot kjo Tokë e Shqiponjave është krejtësisht e kolektivizuar. E fundit fortesë e stalinizmit, ky është vendi komunist më dogmatik i Evropës, i shtrënguar në darën e një lideri që e ka kthyer kombin më të prapambetur të kontinentit nga hiri i Luftës së Dytë Botërore në një shtysë drejt modernizimit, nga plugu te traktori, nga zejtaria dhe kandili te fabrikat dhe dinamoja.

Këtu do të gjeja një eksperiment social të pazakontë: një gjeneratë të tërë që rritet e kyçur në një laborator socialist të veçuar, duke sfiduar botën, e vetizoluar, e pa ndotur nga Lindja ose Perëndimi. Pavetëdijshëm fërkova mjekrën time, dhe u tremba nga perceptimi i beftë se mund ta humbisja!

Shqipëria ua ndalon hyrjen meshkujve me flokë të gjata ose mjekra, dhe femrave me funde të shkurtra, pantallona të gjera, dhe shfaqjeve të tjera të dekadencës borgjeze. Ka me bollëk histori të vizitorëve fatkeq, të cilët dërgohen te berberi i aeroportit për t’u qethur.

Por, ushtari që më takoi te dera e aeroplanit ishte më i përqendruar te pasaporta ime sesa te mjekra ime, dhe unë zbrita në diellin e pasdites të një dite shtatori në një nga aeroportet më të vogla dhe më të përgjumura të Evropës, që i bënin hije palma dhe portokalle plot me fruta.

Kopi Kyçyky më përshëndeti në turqisht. Një anëtar i komitetit mikpritës të Ministrisë së Jashtme, ai i sillte çdo mëngjes planin e ditës përkthyesit tim. Tani më solli ekspres, formalitetet e përshpejtuara dhe më shoqëroi në një Fiat polak për xhiron 30-minutëshe për në Tiranë – kryeqytetin. Përgjatë rrugës, brigada fshatarësh pushuan së punuari në fusha. Por, hasëm pak trafik në rrugë e polic trafiku pa trafik

Jeta në Tiranë vërtitet rreth sheshit Skënderbej, me monumentin e tij të heroit të shekullit të XV-të që luftoi kundër Perandorisë Osmane. Pallati modern i Kulturës sheh nga ai, ashtu si dhe disa ndërtesa mbretërore të Mbretit Zog, i cili sundoi në fundin e viteve 1920 dhe 1930. Një nga ato tani shërben për zyrat e revistës satirike Hosteni; një tjetër, ndërtesa e vjetër e Parlamentit, është kthyer në një teatër fëmijësh.

Për një kilometër nga sheshi Skënderbej në sheshin e Universitetit, shtrihet Bulevardi i Dëshmorëve të Kombit, rrethuar nga statuja gjigante të Leninit dhe Stalinit, shtabi i përgjithshëm i Partisë Komuniste, ministritë kryesore, dhe stadiumi i futbollit. Paradite herët sheshi duket i braktisur: një makinë zyrtare, një automjet ushtarak, një autobus, disa biçikleta, disa gra të moshuara që enden rrugës. Prapëseprapë, në qendër të sheshit qëndronte një polic i cili drejtonte në mënyrë solemne trafikun.

Shqipëria nuk i lejon makinat private dhe kryeqyteti i saj ka vetëm 20 taksi, të gjitha pronë shtetërore. Shumica ishin të rreshtuara afër sheshit. Shqiptarët rrallë i përdorin.

Ndaluam para Hotel Dajtit, ndërtuar nga italianët në fillim të 1940 kur rruga quhej Viale Savoia. Është një nga dy hotelet e Tiranës për të huajt dhe vendasit nuk mund të akomodohen në të.

Dhoma ime me ballkon ishte e dekoruar me një qilim të bukur. Poshtë në dyqanin e dhuratave, një qilim i tillë shitet për 20 dollarë metri katror në monedhë të huaj. Kontrollova dhomën e televizorit – vetëm programet vendase mund të transmetoheshin. Studiova publikimet e shtypit të shpërndara në një tavolinë në hollin e madh dhe ndala para një ekspozite publikimesh: revista Shqipëria e Re; Zëri i Popullit, gazeta e partisë; dhe një pjesë të të përditshmeve shqiptare, të gjitha të ngjashme në përmbajtje. Botime të librave të Enver Hoxhës të disponueshme në disa gjuhë – por asnjë gazetë, revistë apo libër i huaj. Ishte sikur bota e jashtme të mos ekzistonte.

Duke dalë nga hoteli në muzg, u ktheva në sheshin Skënderbej. Çfarë ndryshimi! Dukej sikur gjysma e 200 mijë banorëve të Tiranës ishin mbledhur aty pas pune. Disa shëtisnin në shëtitoret përgjatë Bulevardit Stalin, të tjerë bisedonin në grupe të vogla ose mblidheshin rreth kioskave për të blerë cigare shqiptare, pije freskuese dhe gazeta. Të rinj e të reja flirtonin. Prindërit derdheshin për në Pallatin e Kulturës për një koncert, shfaqje ose ekspozitë, ndërkohë që studentët dyndeshin në Bibliotekën Kombëtare. Dhe, në mes të kaosit të autobusëve, biçikletave dhe kalimtarëve të sheshit, polici mbikëqyrte rreptësisht trafikun me bilbilin e tij.

Për rreth dy orë zemra e Tiranës pulsonte nga jeta, pastaj ra sërish në heshtje. Edhe polici i trafikut kishte shkuar në shtëpi.

Mëngjesin tjetër, Bashkim Babani, përkthyesi im, një burrë i hollë në mes të të tridhjetave, më çoi në Pallatin e Kulturës. Shqiptarët janë krenarë për këtë ndërtesë, e nisur nga rusët dhe e lënë e papërfunduar kur ata u larguan nga Shqipëria në 1961, si rezultat i një ndarjeje ideologjike. Ai tha: “Revizionistët dhe imperialistët sovjetikë ndërprenë gjithë ndihmat ndaj nesh dhe na vendosën një bllokadë ekonomike, duke menduar se së shpejti do të shkatërroheshim. Por, ne mobilizuam forcat tona dhe e përfunduam këtë ndërtesë. Sot qëndron si simbol i triumfit tonë”!

Pas ndarjes me “tradhtarët e grupit të Hrushovit”, Hoxha u kthye nga kundërshtari i Bashkimit Sovjetik, Mao Ce Dunin e Kinës. Shqipëria u bë mikja më e afërt e Kinës, përkrahësja e saj në Kombet e Bashkuara, dhe mori ndërmjet një dhe dy bilioën dollarë ndihmë ekonomike dhe ushtarake. Kjo zgjati deri më 1978, kur rivendosja e marrëdhënieve miqësore të Kinës me Shtetet e Bashkuara “imperialiste”, dhe Jugosllavinë “revizioniste”, solli prishjen e “miqësisë së përjetshme”. Duke pretenduar se arrinte të nuhaste “pabesinë… e atyre që të vrasin natën e të qajnë ditën” në ‘buzëqeshjet hipokrite’ të ndjekësve të Maos, Shqipëria tanimë mbeti kalaja e vetme e “Marksizëm-Leninizmit të vërtetë”.

Nga Tirana deri në fshatin më të vogël, në rrugë, mbi ndërtesa, në fabrika, shkolla dhe ferma, slogane shpallnin përgjigjen. Një parullë në sheshin Skënderbej shkruante: “Pa asnjë ndihmë dhe pa asnjë kredi nga jashtë, të mbështetemi tërësisht në forcat tona”! Mbi bashkinë e vjetër: “Të thyejmë bllokadën dhe rrethimin e imperializmit dhe revizionizmit”!. Sipër zyrës së Kryeministrit: “Rroftë pushteti popullor”. Një klasë e gjuhëve të huaja studion sloganin e Hoxhës në dërrasë të zezë, në anglisht: “Të ndërtojmë socializmin me kazmën në njërën dorë dhe në tjetrën pushkën”.

Duke sfiduar botën – duke e parë veten kundër Kinës gjigante dhe e kërcënuar nga BRSS dhe satelitët e saj të bllokut lindor; e frikësuar dhe dyshuese ndaj Jugosllavisë dhe Greqisë fqinje dhe Perëndimit – Shqipëria lilipute do t’ia dalë vetëm duke mobilizuar prodhimin. Fabrikat shpesh punojnë tri turne që t’i përdorin makineritë 24 orë në ditë. Pashë traktorë që punonin fushat me fenerë dhe pastaj të shkonin me kamionë gjatë natës në një tjetër kooperativë për plugimin e mëngjesit. Si pjesë e këtij ‘revolucioni teknik’, disa inxhinierë, teknikë dhe punëtorë i shtojnë disa orë punë ditës së tyre tetorëshe.
“A paguheni për orët ekstra”?

Pyetja iu bë një punëtori në një fabrikë të Tiranës ku prodhohen pjesë rezervë për kamionë dhe traktorë.

“Jo, ne nuk e kërkojmë një gjë të tillë. Ne bëjmë punë vullnetare, sepse besojmë se kjo punë është rruga për të çarë bllokadën. Ky shpirt revolucionar do të na udhëheqë drejt fitores”!

Mark Toma doli në pension tre vjet më parë në moshën 60-vjeçare. Por, tani është kthyer në të njëjtën fabrikë.

“Jemi të bashkuar nën këtë qëllim, të kontribuojmë që ta bëjmë ekonominë tonë vetë-sufiçiente. Unë jam ende i fortë. Unë nuk mund të rri duarkryq kur i gjithë kombi lufton. Unë tashmë e marr pensionin tim”!

Nëpunës civilë, studentë, edhe zyrtarë partie dhe diplomatë bënin të paktën një muaj punë në vit në fabrika ose ferma.

Nuk e lanë të shihte nënën Drane e motrën Age, as në shtratin e vdekjes: Historia tronditëse e Shqipërisë, me të Shëjtën -Nënën Tereze

E lindur në një familje shqiptare në Shkup, Nënë Tereza pati një histori të dhimbshme me Shqipërinë. Një histori mohimi dhe refuzimi, që e tronditi thellë, por që ajo e kaloi me shpirtin e madh që e karakterizonte. Më poshtë mund të lexoni pjesë nga libri “Enver Hoxha”, për historinë e saj me diktatorin Enver Hoxha dhe Shqipërinë komuniste.

Nuk e lanë të shihte nënën Drane e motrën Age, as në shtratin e vdekjes: Historia tronditëse e Shqipërisë, me Nënën Tereze

Enver Hoxha kërkoi që raportimi i bisedës konfidenciale të Ministrit të Jashtëm francez me ambasadorin shqiptar në Paris Javer Malo të dërgohej menjëherë në zyrën e tij një ditë të vitit 1968. Shefi i diplomacisë shqiptare i kishte bërë edhe një notë shoqëruese, në të cilën sqarohej se problemi për të cilin kryediplomati francez Maurice Couve de Murville i drejtohej ishte një problem me të cilin ambasadat shqiptare po përballeshin shpesh në dy vitet e fundit.

Ai e kishte zanafillën disa vjet më parë, kur Ambasada shqiptare në Romë kishte marrë një letër nga një murgeshë katolike me qendër në Kalkutë të Indisë, e quajtur Nënë Tereza. Themeluese e urdhrit që mbante emrin e saj, shumë e njohur në Evropë, ajo kishte kërkuar t’i jepej leje nënës së saj gati 80-vjeçare që të vinte në Romë për kurim. Nënë Tereza sqaronte se qe larguar nga Shqipëria në vitin 1928 dhe se nëna Drane dhe motra Age jetonin në Shqipëri. Ajo nuk e kishte parë nënën asnjëherë që nga ikja 30 e ca vjet më parë. Kjo ishte edhe mundësia e fundit që ajo të kujdesej për të, ta shihte e t’i puthte duart përpara se të ikte nga kjo jetë. Letra qe nënshkruar edhe nga i vëllai, Lazër Bojaxhiu, që jetonte në Palermo të Italisë, një ish-kapiten artilerie i mbretit Zog i ikur që gjatë Luftës së Dytë Botërore.

E lindur në një familje shqiptare të Shkupit, Gonxhe Bojaxhiu ishte transferuar bashkë me familjen në Shqipëri pas kalimit të Shkupit në Mbretërinë e re Serbo-Kroato-Sllovene. Ajo vetë kishte zgjedhur rrugën e Zotit. Qe dorëzuar murgeshë me emrin Motër Tereza dhe, pas një qëndrimi në Irlandë, ishte vendosur në Kalkuta të Indisë. I vëllai, Lazër Bojaxhiu, pas vendosjes së komunizmit në Shqipëri, qe larguar drejt Italisë dhe ishte vendosur në Palermo ku jetonte i martuar prej vitesh.

Babai i Bojaxhinjve vdiq herët, por nëna Drane dhe motra Age vijuan të jetojnë në Shqipëri në kushte relativisht të vështira. Sa më shumë Nënë Tereza bëhej e njohur, aq më shumë ato e fshihnin afërsinë me të. Përpiqeshin të mos e përmendnin duke pasur frikë nga ndëshkimi i shtetit komunist që nuk e toleronte fenë.

Në vitin 1959 nënë Tereza dhe vëllai Lazër u takuan në Romë. Takimi i tyre pas 31 vitesh ngërthente një peng: faktin që të dy bashkë kishin vite pa parë motrën dhe nënën që jetonin në Shqipëri. Prej më se dhjetë vjetësh Nënë Tereza nuk kishte pasur ndonjë letër prej tyre. Më së fundi ajo mori vesh se ato jetonin në Tiranë, porse u lejohej të shkruanin vetëm një herë në muaj, edhe pse të gjitha letrat kalonin në duart e një censure shtetërore që kontrollonte edhe hollësitë më të vogla.

Biografë të shumtë të Nënë Terezës shkruajnë se ajo kishte dëshirë të zjarrtë të vizitonte Shqipërinë, madje për këtë fliste shpesh me miq të ngushtë. Por, Shqipëria, në mënyrë të përsëritur ishte një tokë e ndaluar për të.

Në mes të viteve ’60 nëna Drane u rëndua dhe të dyja bashkë, nënë e motër, i kërkuan Lazrit që t’iu dërgonte disa barna që nuk gjendeshin në Shqipëri. Lazri mendoi se ardhja e nënës për një muaj në Itali ishte zgjidhja më e mirë. Ajo mund të vizitohej në një spital italian dhe ata, vëlla e motër, do të shihnin për herë të fundit në jetë nënën që i kish rritur me mjaft vështirësi. Të dy bashkë i nisën një kërkesë Ambasadës shqiptare në Romë, por për shumë kohë nuk morën përgjigje. Të njëjtin fat pati një letër e dytë dhe një kërkesë e bërë nga drejtori politik i Ministrisë së Jashtme italiane me shtyrjen e Vatikanit. Menjëherë pas kësaj, ambasadori shqiptar e thirri atë në një takim dhe i komunikoi se gruaja plakë nuk mund të largohej nga Shqipëria, sepse niveli i spitaleve ishte shumë i mirë dhe se vajza dhe djali i saj që jetonin jashtë duhej ta kishin marrë parasysh mallin që kur u larguan nga Shqipëria dhe e braktisën nënën e tyre.

Me sa duket, rasti i Nënë Terezës i bërë publik në media preku edhe shumë vetë. Në harkun e dy viteve pothuajse gjithë vendet që kishin marrëdhënie të mira me Shqipërinë i kërkonin Ministrisë së saj të Punëve të Jashtme të bënte diçka: për plakën kërkohej vetëm një leje 30-ditore dhe kjo mund të jepej. Në mungesë të përgjigjes pozitive, Nënë Tereza tentoi atë që dukej më e vështira: kërkoi leje hyrjeje në Shqipëri për vetëm një javë, siç dëshmon një biografi i saj:

“Aty kah fillimi i viteve ’70, kohë kur Nënë Tereza mësoi për sëmundjen e nënës së saj, ajo i dendësoi përpjekjet për t’iu dhënë mundësia që të vizitonte vendin e saj. Shkoi të takonte atasheun e Ambasadës shqiptare në Romë me shpresë që të paktën do të lejohej të vizitonte Shqipërinë. ‘Kur Nënë Tereza po dilte prej ambasade’, shkruan Dom Lush Gjergji në librin ‘Nënë Tereza Jonë’, ‘ për herë të parë në jetë e pashë t’i shkonin lot nëpër faqe. U ndal, drejtoi sytë kah qielli dhe tha: ‘O Zot, unë e kuptoj dhe e pranoj këtë vuajtje për vedi, por shumë e vështirë ta pranoj dhe kuptoj për nënën, loken time, e cila në pleqëri të shtyeme nuk dëshiron asgjë tjetër përpos të na shohë edhe një herë’”.

Kishte qenë ky objekti i bisedës konfidenciale që ministri i Jashtëm francez kishte bërë me Ambasadorin shqiptar në Paris, duke iu lutur që këtë bisedë t’ia përcillte, në formën e një kërkese, drejtpërdrejt Enver Hoxhës. Por, biseda e ministrit të Jashtëm Francez kishte edhe disa detaje më shumë. Ajo i drejtohej privatisht Hoxhës dhe shënonte se për këtë çështje kishte shprehur interesim presidenti De Gol, si dhe ish-Zonja e Parë e SHBA-ve, Zhaklinë Kenedi. Ata i luteshin Hoxhës që, në emër të humanizmit, të ndërhynte vetë për ta dhënë lejen speciale.

Hoxha duhet të jetë ndjerë keq. Pak orë më vonë ai thirri ministrin e Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, i kërkoi më shumë të dhëna për një murgeshë të quajtur Nënë Tereza dhe sqaroi se, me gjasë, ajo ishte një agjente e rrezikshme. Ndër të tjera i kërkoi informacion për plakën dhe të bijën që jetonin në Shqipëri, si dhe gjithë njerëzit që hynin e dilnin te to.

Pas dështimit për vizë në ambasadë, Nënë Tereza nuk rreshti përpjekjet për të nxjerrë të ëmën dhe të motrën nga Shqipëria. Ajo iu drejtua për ndihmë disa prej personaliteteve më të mëdha të Globit, por pa sukses. Kur pa se ëndrra e saj për t’i takuar po shuhej, Nënë Tereza i shkruante të ëmës dhe të motrës: “Nuk mund të bëj gjë tjetër, vetëm se të lutem për ju”.

Më14 korrik 1972 Nënë Tereza mori një telegram, në të cilin i vëllai Lazër Bojaxhiu i shkruante: “Lutu për loken, që ndërroi jetë më 12 korrik”.

Siç dëshmon shtypi, Drane Bojaxhiu vdiq me dhimbje në zemër që nuk arriti të shihte përsëri të birin e mbetur në Itali dhe të bijën misionare në Indi. Pas vitit 1990 janë botuar studime, ku shënohet një fakt prekës: “Drania bijës së vet, që nuk e shihte prej dyzet e pesë vjetësh, fotografinë e fundit ia dërgoi me këtë nënshkrim: Gonxhe, të puth nanëlokja”.

Agia, motra e tyre e mbetur vetëm, vdiq një vit pas vdekjes së të ëmës, më 1973. Në një intervistë të vitit 1979, pasi Nënën Tereza fitoi çmimin Nobel, Lazër Bojaxhi u shpreh: “Motra e vogël, e përulur, ajo e cila u pati ardhur në ndihmë miliona të braktisurve, ajo që u ka dhënë dashuri dhe solidaritet aq njerëzve të dëshpëruar, u ndalua t’i qëndronte mbi krye të shtratit të vdekjes nënës së vet. Dhe ajo grua e gjorë vdiq e dëshpëruar, duke shtrënguar në kraharor një fotografi të njomur me lot”.

Lazër Bojaxhiu vdiq në vitin 1981, ndërsa Nënë Tereza arriti të hyjë në Shqipëri në vitin1990, pesë vjet pas vdekjes së Hoxhës dhe pak muaj përpara se regjimi komunist të rrëzohej nga demonstratat e studentëve. E rrethuar nga roja të policisë sekrete, ajo mbërriti në shtëpinë ku kishin banuar e ëma dhe e motra për të mbajtur në dorë të vetmet kujtime të tyre: një radio “Siemens” të kohës së Luftës dhe një mulli për të bluar kafen turke. Murgesha vendosi një tufë me lule në varret e nënës dhe të motrës si shenjë triumfi ndaj atij regjimi që e ndaloi t’i shihte ato në gjallje.

Pse Enver Hoxha i mbajti peng mijëra inxhinierë italianë?

“Do të ktheheni në Itali sapo të vijnë specialistë nga Bashkimi Sovjetik apo vende të tjera të Evropës”. Mjaftoi kjo fjali e thënë nga Qeveria e Enver Hoxhës, pas çlirimit të vendit, për të mbajtur peng teknikët italianë edhe disa vite të tjera radhazi, në Shqipëri.

Pse Enveri mbajti peng mijëra inxhinierë italianë?

E dalë nga lufta, me ekonomi të shkatërruar, vendi i vogël në juglindje të Evropës nuk kishte asnjë mundësi për rimëkëmbje. Mungonin mjetet, teknologjia, specialistët, mungonte pothuaj gjithçka. Me ndihmën e madhe që dha UNRRA (United Nations Relief and Rehabilitation Administration), organizata më e madhe e ndihmave në të gjithë botën, Shqipëria filloi të ndryshonte pak nga pak pamjen.

Ndihmat kryesisht konsistonin në makineri dhe mjete të tjera prodhimi, të cilat ishin të domosdoshme për këtë situatë paslufte.

Në librin e historianit Hamit Kaba, “UNRRA në Shqipëri në vitet 1944-1947”, mes dokumenteve të shumta të shfletuara nga autori, gjenden edhe të dhëna për riatdhesimet e të huajve në Shqipëri.

MARRËVESHJA

Në fillim të vitit 1945, sipas dokumenteve shqiptare të asaj kohe, në Shqipëri kishte rreth 25 mijë ushtarakë e civilë italianë të cilët prisnin të riatdhesoheshin në vendin e tyre. Rikthimi i tyre në shtëpi nuk mund të bëhej gjatë vitit 1944, pasi Italia veriore ndodhej ende nën pushtimin e gjermanëve, si dhe deklaratat e Qeverisë Shqiptare bënin të qartë se nuk do të lejoheshin të riatdhesoheshin specialistët e mekanikët italianë.

Ka qenë ky vit kur Gino Piccini, kryetar i Misionit Ushtarak në Shqipëri, i shkruante Enver Hoxhës: “Për arsye njerëzore është i domosdoshëm riatdhesimi i këtyre elementëve të paaftë për rindërtimin shqiptar. Në rast se ky riatdhesim do të vendoset, lus Qeverinë Shqiptare të interesohet pranë aleatëve, me qëllim që të vihen në dispozicion mjetet e nevojshme të transportit, që përsa rezulton nuk mungojnë”.

Në marrëveshjen e nënshkruar mes Qeverisë Shqiptare dhe UNRRA-s, më 1 gusht 1945, neni 2 i saj titullohej “Administrimi i Shërbimeve”, gjë që lidhej me shërbimet për kujdesin, mbajtjen dhe riatdhesimin e personave të shpërngulur.

Menjëherë pas kësaj marrëveshjeje, kryetari i misionit të UNRRA-s në Shqipëri, Dayrell Oakley-Hill, u interesua pranë Qeverisë për riatdhesimin e robërve të luftës. Në të njëjtën kohë, Qeveria italiane, duke u siguruar për mbështetjen e aleatëve, filloi të interesohej pranë Qeverisë shqiptare për riatdhesimin e tyre.

ENVERI NDALON SPECIALISTËT

Më 10 mars 1945 një delegacion italian, i kryesuar nga ndihmëssekretari i Ministrisë së Luftës, Mario di Palermo, zhvilloi një bisedë me Qeverinë Shqiptare, ku u nënshkrua një marrëveshje për riatdhesimet e firmosura nga vetë Enver Hoxha. Gjatë këtij takimi pati mosmarrëveshje të cilat kryesisht lidheshin me riatdhesimin e punëtorëve dhe specialistëve italianë. Qeveria shqiptare, siç ishte shprehur hapur, ishte kundër riatdhesimit të këtij grupi njerëzish që i nevojiteshin për të vënë në jetë disa sektorë jetikë të vendit. Lidhur me këtë Mario Di Palermo i propozoi Enver Hoxhës sjelljen në Shqipëri të një grupi tjetër specialistësh për të zëvendësuar grupin e lartpërmendur, propozim ky që u hodh poshtë nga Enver Hoxha.

Më 19 prill të vitit 1945, Qeveria shqiptare u kërkoi ministrive të saj, si dhe komisariatit të Kuçovës, listat e plota të specialistëve italianë. Kjo kërkesë iu përcoll dhe komiteteve ekzekutive të prefekturave, duke theksuar se “çështja ka karakter të ngutshëm”. Nga të dhënat që iu dërguan qeverisë në prill-maj 1945, rezulton se në Shqipëri gjendeshin mijëra specialistë e ushtarakë italianë, pjesa më e madhe e të cilëve ishin punësuar në ndërmarrjet italiane, “Simoncini”, “Staccioli”, “Feltrinelli”, si dhe në kantierin vajguror të Kuçovës. Hartuesit e këtyre listave i bënin të qartë qeverisë se ata nuk shihnin mundësinë e zëvendësimit të tyre.

SHPËRBLIM PËR FAMILJARËT

Transporti i italianëve për në vendin e tyre bëhej me anijet e UNRRA-s dhe Misionit Civil Britanik, të cilat ishin të vetmet mjete që përshkonin Adriatikun. Qeveria Shqiptare gjatë këtyre viteve bashkëpunoi për riatdhesimin e civilëve, ushtarakëve, madje edhe priftërinjve italianë, por jo për teknikët e specialistët të cilët i nevojiteshin. Për një muaj, nga data 4 maj deri në 5 korrik të ’45, u riatdhesuan 16500-17000 ushtarakë italianë.

Në vitin 1948 në Shqipëri kishte ende specialistë italianë që punonin për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe dhënien e eksperiencës shqiptarëve. Ka qenë ky vit që Qeveria shqiptare i lejoi këta të fundit të dërgonin pranë shtëpive të tyre rrogat që merrnin në Shqipëri.

Edhe gjatë këtij viti specialistët italianë luteshin pranë Qeverisë për riatdhesimin e tyre, pasi gjendeshin në Shqipëri që prej gjashtë vjetësh, por nga këta të fundit merrnin përgjigjen e njohur: nëse mund të zëvendësoheni me specialistë vendas, mund t’ju riatdhesojmë. Kështu mbajti peng Enver Hoxha specialistët italianë të cilët u riatdhesuan vetëm atëherë kur në Shqipëri mbërritën specialistë nga Bashkimi Sovjetik dhe u përgatitën specialistë shqiptarë të aftë për të drejtuar. /Rezarta Delisula/Telegrafi/

____________________________________________

RIATDHESIMI I HEBRENJVE PËR NË PALESTINË

Në Shqipëri, hebrenjtë kanë qenë të ndarë në dy grupe. Në të parin bënin pjesë ata që ishin prej shekujsh banorë të vendit dhe ishin integruar shumë në jetën shqiptare, ndërsa në grupin e dytë bënin pjesë ata që kishin ardhur në prag dhe pas pushtimit gjerman (madje tetë hebrenj kanë dhënë jetën për çlirimin e vendit). Në vitin 1935 në Shqipëri kishte 151 hebrenj, ndërsa më 1943 numri i tyre arriti në 860-870 vetë. Pas pushtimit të vendit nga Italia, hebrenjtë e ardhur vitet e fundit u internuan në Kavajë, Berat, Lushnje… Më 28 shtator 1945 nga Shqipëria, mes misionit të UNRRA-s u bë riatdhesimi i 41 hebrenjve, nga të cilët 31 kishin banuar në Tiranë, ndërsa 11 në Durrës. Për riatdhesimin e hebrenjve, Qeveria shqiptare nuk nxori probleme të tilla si me specialistët italianë. Deri në mars të vitit 1946 në Shqipëri kishin mbetur edhe 170 hebrenj, ndër të cilët vetëm 40 kërkuan riatdhesimin për në vendin e tyre. Hebrenjtë e Shqipërisë shkonin në Palestinë për t’u riatdhesuar dhe jo në vendet nga ata ishin shpërngulur. Kjo zgjedhje e hebrenjve lidhet me faktin pasi aty ishte menduar të krijohej shteti i ardhshëm çifut, ndërsa Italia shërbente si stacion transit për kalimin e tyre në Palestinë.

ENVERI UA HEQ SHTETËSINË SHQIPTARO-AMERIKANËVE

Pas përfundimit të luftës, në Shqipëri kishte një numër jo të vogël qytetarësh me shtetësi të dyfishtë, shumicën e të cilëve e përbënin ata me nënshtetësi amerikane. Qeveria shqiptare nuk lejoi kthimin e tyre për në SHBA, duke iu mohuar shtetësinë e tyre. Në një sqarim të Këshillit të Ministrave, më datë 2 tetor 1946, drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme shkruhej: “Këta persona që kërkojnë të regjistrohen me nënshtetësi amerikane janë shqiptarë të cilët kanë marrë nënshtetësinë amerikane në bazë të traktatit të natyralizimit që ekzistonte midis Shqipërisë e SHBA-ve”. Meqë të gjitha traktatet dypalëshe të parapushtimit ishin shfuqizuar, Ministria e Brendshme u urdhërua të mos merrte parasysh asnjë dokument të paraqitur prej nënshtetasve amerikane. Tentativat për riatdhesimin e shqiptarëve që kishin edhe shtetësi amerikane dukeshin gjithnjë e më larg, e kjo u përforcua më shumë me tërheqjen e Misionit Civil Amerikan nga Shqipëria, e cila shënoi prishjen përfundimtare të marrëveshjes mes dy shteteve. Po kështu edhe ligji i miratuar nga Kuvendi Popullor “Për shtetësinë shqiptare” ua hoqi çdo mundësi shqiptaro-amerikanëve për t’u kthyer në SHBA. Kështu, sipas nenit 26 të ligjit, thuhej: Të gjithë personat që kanë marrë pjesë ne zgjedhjet e 2 tetorit ’45 konsiderohen shtetas shqiptarë, pa të drejta pretendimi shtetësie”.

Kur Enver Hoxha donte të themelonte një Kishë Katolike “kombëtare shqiptare”

Me të marrë pushtetin në dorë, në mars të vitit 1946, udhëheqësi politik Enver Hoxha u kërkoi dy prelatëve ndarjen nga Roma. Refuzimi vjen nga Imzot Gasper Thaçi, Arqipeshkv i Metropolitit të Shkodrës dhe Imzot Vinçens Prenushit, Arqipeshkv i Durrësit. Si pasojë e këtij refuzimi, Imzot Gasper Thaçi vdiq në 2 maj 1946, në arrest shtëpie, ndërsa imzot Vinçens Prenushi u dënua me 20 vjet heqje lirie, dhe vdiq në burgun e Durrësit më 1949

Kur Enver Hoxha donte të themelonte një Kishë Katolike “kombëtare shqiptare”

Me të marrë pushtetin në dorë, në mars të vitit 1946 udhëheqësi politik Enver Hoxha u kërkoi dy prelatëve ndarjen nga Roma. Refuzimi historik i Imzot Gasper Thaçit, Arqipeshkv i Metropolitit të Shkodrës dhe Imzot Vinçens Prenushit, Arqipeshkv i Durrësit. Si pasojë e këtij refuzimi, Imzot Gasper Thaçi vdiq në 2 maj 1946, në arrest shtëpie, ndërsa imzot Vinçens Prenushi u dënua me 20 vjet heqje lirie, dhe vdiq në burgun e Durrësit më 1949. Historia e persekutimit të klerit, e dhënë në librin “Procesi i asgjësimit të fesë në komunizëm” me autor Azem Qazimin, si botim i kolanës së studimit të krimeve të komunizmit nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, fokusin përligjjen e persekutimit nga diktatura. E pasur me dokumente origjinale, dhe literaturë të bollshme, libri i Qazimit dokumenton kronikën e persekutimit të klerit në Shqipëri.

Duke njohur qëndrimin antibolshevik të të gjitha feve, e në veçanti të katolicizmit, përpara e gjatë Luftës së Dytë Botërore, Partia Komuniste Shqiptare nuk e pati të vështirë të formulonte akuzën për flirt me fashizmin dhe përligjjen e pushtimit të vendit. Po sa e mbështetur ishte kjo akuzë?

Qazimi shkruan se, “qysh në fillim të pushtimit, italianët flisnin për një “celulë antifashiste” të krijuar në mesin e françeskanëve shqiptarë, të cilën ata e shpërndanë nëpërmjet arrestimeve, pezullimit të ndihmave ekonomike, dhe transferimeve të detyrueshme. Sipas autoriteteve italiane, të gjitha shkollat e drejtuara prej françeskanëve dhe motrave stigmatine, si dhe shoqatat e ndryshme të krijuara prej tyre, shfaqnin “ndjenja patriotizmi të ekzagjeruar dhe antipatie dhe urrejtje ndaj Italisë”. “Ndjenja të ngjashme ushqeheshin dhe brenda komuniteteve të tjera fetare shqiptare”… Më poshtë botojmë momentin kur Enveri u propozon dy prelatëve ndarjen nga Roma, dhe pasojat që patën priftërinjtë nga refuzimi…

***

Kisha Katolike e Shqipërisë

Me gjithë deklaratat në favor të lirisë së besimit, sapo partizanët u futën në Shkodër, ata, me pretekstin e kërkimit të “kriminelëve” dhe të “reaksionarëve”, filluan operacionet ushtarake: “Qyteti qysh në mëngjes asht i bllokuem plotësisht- shkruan At Luigji Rosa S.J. në ditarin e tij më 13 dhjetor 1944.- Askush, për kurrfarë arsyeje nuk mundet me dalë prej shtëpiave: roje t’armatosuna kontrollojnë të gjitha rrugët. Nis nji kontroll shumë i imtë i të gjitha banesave: kërkohen gjermane, fashista, armë, municione që mund të jenë të mshehuna” (shënime të Atit Luigi Rosa)

Duke qenë të ndërgjegjshëm për rrezikun që mund të paraqiste aktiviteti mediatik i katolikëve për komunizmin e vendosur në Shqipëri nga jugosllavët, në dhjetor 1944 u mbyllën të gjitha revistat dhe gazetat fetare e kulturore të botuara nga katolikët, si “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Zani i shna Ndout”, “Lajmëtari i Zemrës së Krishtit”, “Zgjimi i djelmnisë” “Bijat e Zojës”, “Kumbona e së Diellës” etj., Madje, njerëzit që i kishin në shtëpitë e tyre, shpesh u detyruan t’i fshihnin apo t’i digjnin, nga frika e kontrolleve të befasishme të Sigurimit.

Ato ditë, një grup prej 7-8 vetësh, të shoqëruar nga Kolë Jakova, iu drejtuan Kuvendit Franceskan të Gjuhadolit, dhe dërguan urdhëresa për mbylljen e shtypshkronjës dhe të gjitha shoqatave fetare françeskane. Ndër të tjera, ata u futën edhe në Muzeun e At Shtjefën Gjeçovit, ku Kolë Jakova kërkoi një unazë të artë antike, me gjasë e shekullit I, që njihej si “unaza e gjeçovit” të cilën e mori përkundrejt një ‘letër-vërtetimi” (At Zef Pllumi, Op, cit, I, f,22-2; Markus Ë.E. Peters, Op.cit., 3.5, f.152) Në gjysmën e dytë të atij muaji u arrestuan meshtarët e parë katolikë: Dom Lazer Shantoja që akuzohej për kolaboracionizëm me pushtuesin, Dom Mikel Koliqi, famullitar i Shkodrës, fajtor vetëm se ishte vëlla i Ernest Koliqit, si dhe dy fretër françeskanë. Viti 1945 u duk sikur do të sillte një afrim të shtetit komunist me Kishën Katolike.

Më 2 janar, Enver Hoxha thirri në audiencë Delegatin Apostolik, Imzot Leone G.B. Nigris: “ Audienca nuk zgjati më shumë se një orë,- shkruan “bashkimi”, – dhe u zhvilluan biseda të përzemërta” (gazeta bashkimi , 4 janar 1945,f.1) Por në fund të atij muaji, Mehmet Shehu shkoi në Shkodër dhe mori në dorë komandën e qytetit. Dhe kur kryeipeshkvi, Imzot Gasper Thaçi, refuzoi ta priste, rifilloi terrori. Më 28 janar ai mbajti një fjalim, ku stigmatizonte reaksionin, e sidomos atë të disa eksponentëve katolikë. Po atë mbrëmje u shpall një bllokim i ri dhe shumë i rreptë, bllokim që do të vijonte për një javë, i shoqëruar me kontrolle e bastisje të vazhdueshme (shënime të At Luigi Rosa)

Më 2 shkurt, jezuitët e Shkodrës përjetuan kontrollin e gjashtëmbëdhjetë dhe më shkatërrimtarin. Rreth 700/800 ushtarë të armatosur mbyllën me pozicione mitralozësh të gjitha daljet e “Lagjes së jezuitëve”, rrethuan shtëpinë e tyre dhe për gjashtë orë me radhë s’lanë gjë pa përmbysur. Klerikët, bashkë me nxënësit e shërbyesit, i mbyllën në sallën e mensës së xhakonëve, shkallmuan dyshemetë dhe tavanet, shkatërruan bibliotekën (me rreth 40.000 vëllime) dhe muzeun, shqyen qindra libra e dorëshkrime dhe dogjën katalogët. Madje, me pretekstin e kontrollit, dhunuan dhe varret në Kishën e Jezuitëve (shënime të Atit Luigi Rosa)

I njëjti fat e priste edhe Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit. Një mëngjes ai u gdhi i rrethuar nga partizanët. I gjithë personeli u mblodh në dhomat e pritjes dhe, teksa atyre u bëhej kontrolli vetjak, partizanë të tjerë vërshuan nëpër korridore e dhoma. Dhe për 4-5 orë kthyen gjithçka përmbys. Sekuestruan të gjitha makinat e shkrimit, çiklostilat, radiot, dylbitë, aparatet fotografikë. Nga fondet e Muzeut të At Shtjefën Gjeçovit morën të gjitha armët antike, të punuara në argjend, e ndër to, edhe armën e gdhendur dhe të zbukuaruar nga vetë Gjeçovi (At Zef Pllymi, Op.cit)

Pas kontrolleve të dështuara, Sigurimi i Shtetit përhapi fjalë se në shkollat e mbajtura prej klerit katolik e, sidomos në ato të jezuitëve, bëhej propagandë fashiste dhe se nxënësit nxiteshit për të sabotuar qeverinë (shënime të Atit Luigi Rosa)

Për këtë arsye, në vitin shkollor 1945, në liceun e françeskanëve dhe në shkollën e jezuitëve, regjimi imponoi formimin e një celule të rinisë. Vinte ndonjë propagandist dhe, në prani të një profesori, zhvillonte propagandë materializmi ndër fëmijë (Imzot Zef Simoni,Persekutimi i Kishës Katolike në Shqipni nga 1944-1990, f.370).

Po në shkurt 1945, Sigurimi i Shtetit u përpoq të arrestonte Delegatin Apostolik Imzot Nigrisin, i cili një muaj më vonë u largua për në Romë me një aeroplan të misionit francez. Dhe kur më 25 maj u kthye në Shqipëri, pas shtatë orësh në aeroportin e Tiranës, u dëbua si persona non grata. Në vend të tij u emërua si zëvendës-delegat apostolic, Ipeshkvi i Abacisë Nullius, Imzot Frano Gjini .

Gjatë kësaj, Enver Hoxha kishte bërë përpjekje për themelimin e një kishe katolike “kombëtare”, gjë kjo e padëgjuar më parë në historinë e Kishës

Për këtë arsye, në mars ai thirri Imzot Gasper Thaçin, Arqipeshkëve Metropolit i Shkodrës, dhe Primat i Kishës Katolike Shqiptare, dhe Imzot Vincens Prenushin, Arqipeshkv i Durrësit, për t’u kërkuar ndarjen nga Roma. Por të dy prelatet refuzuan me guxim. Si pasojë e këtij refuzimi, Imzot Gasper Thaçi, vdiq më 2 maj të vitit 1946 në arrest shtëpie, kurse imzot Vinçens Prenushi u dënua me 20 vjet heqje lirie dhe vdiq në burgun e Durrësit më 1949.

***

Organizata “Bashkimi shqiptar” dhe mbyllja e shkollave të klerit katolik

Në fund të nëntorit 1945, në Seminarin Papnor të Shkodrës u zbulua organizata nacionaliste “Bashkimi shqiptar”, e cila kishte shpërndare disa trakte, ku bëhej thirrje që të mos u jepeshin votat komunistëve. Dhe kur disa anëtarë të saj u zunë duke i shpërndarë në lagjet “Arra e madhe”, “Gurazez” etj., filluan arrestimet. Më 27 nëntor u arrestuan Gjovalin Zezaj dhe Luigj Kçira. Dhjetë ditë më vonë, në mbrëmjen e 7 dhjetorit, themeluesi dhe drejtuesi i organizatës, xhakoni Mark Çuni, në vitin e tretë të Teologjisë; në dy ditët në vazhdim u arrestuan seminaristët Gjon Shllaku, Ernest Dema etj., kurse tre javë më vonë, më 31 dhjetor etërit Giovanni Fausti, nënprovincial i Shoqërisë “Jezus”, dhe Daniel Dajani, rektor i Kolegjit e i Seminarit, si eprorë të tyre. Në këtë grup bashkuan edhe intelektualin e shquar, drejtorin e mbramë të “Hyllit të Dritës”, Atë Gjon Shllakun, të akuzuar si themelues të një organizate të paqenë demokristiane.

Pas arrestimeve, Zoi Themeli, kryetari i degës së punëve të brendshme të Shkodrës, njoftoi Gjykatën ushtarake të qytetit: “Më datën 27.11.1945 ky seksion nëpërmes elementëve të vet ka zbuluar një organizatë me tendenca fashiste me emrin “Bashkimi shqiptar”, e cila ishte e organizueme në seminarin papnuer, pranë jezuitëve dhe e drejtuar prej elementëve udhëheqës të klerit”

Gjithçka u zhvillua me shpejtësi të madhe. Fill pas arrestimeve filluan hetimet. Më 10 dhjetor 1945 u morën në hetim Mark Çuni, më 16 janar 1946 Atë Fuasti dhe më 20 janar Atë Dajani. Katër ditë më vonë, mbërriti në Shkodër Aranit Çela dhe brenda një dite plotësoi procesverbalet hetimore të të gjithë të pandehurve (Pjetër Pepa, cit.)

Qysh më 2 janar 1946, në radio dhe në shtyp shpërtheu një fushatë e egër kundër klerit katolik. Deri dhe në “Orën gazmore” të së dielës bëhej shaka me Vatikanin e jezuitët. Në manifestimet e ndryshme, të organizuara posaçërisht për këtë qëllim, dëgjoheshin thirrjet: “Tradhtarëve plumbin ballit”. Madje, konferenca kundër etërve u zhvilluan deri dhe vetë shkollat e mbajtura prej klerit. Më 7 shtator, Eprorit të jezuitëve i erdhi urdhri prej Prefekturës që të pezullonte mësimet në Seminar, “ku asht thur komploti”, deri në një urdhër të ri. Gjyqi ndaj 39 të pandehurve të kësaj çështjeje filloi më 31 janar të vitit 1946 në sallën e kinema “Rozafatit” në prani të një publiku të zgjedhur, shumica komunistë dhe anëtarë partie. Në akt akuzën e tij, prokurori Arianit Çela, i akuzoi se: “Kanë punuar për t’i përgatitur fushë të favorshme fashizmit Italian. Me okupimin e vendit kanë punuar për legalizimin e okupacionit dhe për fashistizimin e vendit e të popullit, kanë ndihmuar organizatat tradhtare të krijuara nga armiku dhe qeveria kuislinge, kanë sabotuar rezistencën e popullit, duke kryer akte terrorizmi etj etj. Më 22 shkurt, Gjykata e Qarkut, të Shkodrës urdhëroi dënimin me vdekje, me pushkatim, të shtatë të arrestuarve: Mark Çunit, Atë Faustit, Atë Dajanit, Atë Gjon Shllakut, Qerim Sadik Myftarit, Gjelosh Lulash Bajraktarit dhe Frano Mirakajt. Më 2 mars mbërriti miratimi për ekzekutimin e tyre, firmosur nga vetë Enver Hoxha, dhe dy ditë më vonë, më 4 mars 1946, ata u ekzekutuan në varrezën e Rrmajit në Shkodër. Të nesërmen e pushkatimit, jezuitët organizuan një ceremoni përkujtimore. Po, me ta marrë vesh, policia e ndërpreu ceremoninë, shpërndau pjesëmarrësit dhe mbajti nën kontroll në shtëpinë e tyre të gjithë klerikët. Po atë ditë, në Kishën e Françeskanëve u tha një meshë përshpirtjeje për Atë Gjon Shllakun dhe të pushkatuarit e tjerë.

Atë ditë mbërriti dhe urdhri për mbylljen e shkollave të klerit katolik, përfshi dhe Seminarin e Kolegjën Françeskane dhe Institutin e Jezuitëve. Në Kuvendin e Françeskanëve mbërriti komisioni zbatues për shpërndarjen e Kuvendit, por Atë Mati Prendushi kundërshtoi, sepse një gjë e tillë nuk përfshihej në urdhëresën shtetërore. Qendresa e tij dha frute, sepse Kuvendi nuk u shpërnda. Megjithatë, u mbyllën Seminari e Kuvendi i Jezuitëve, Kolegja Françeskane, Kolegja Saveriane, Liceu Illyricum, Motrat Stigmatine e shkollat e tyre dhe Motrat Servite me shkollën e fëmijëve.

Përveç kësaj, u ndalua e gjithë veprimtaria e këtyre institucioneve nëpër qytetet dhe fshatrat e tjera të Shqipërisë, si në Tiranë, Durrës, Elbasan, e Korçë. Godinat dhe pasuritë u shtetëzuan, kurse personeli u shpërnda. Kisha e jezuitëve do të kthehej në teatër kukullash, kurse ajo e motrave stigmatine, që u përshtat për nevojat e “Klubit të Rinisë”, do të përdorej më vonë si sallë për gjyqet kundër meshtarëve.

Barsoletë e shkodranëve e vitit 1987, për Enver Hoxhën

Dikur pranë reparteve ushtarake vepronte Sigurimi i Ushtrisë. Ky shërbim që varej nga Drejtoria e Parë e Sigurimit të Shtetit kishte synim të parandalonte “veprimtarinë armiqësore” në radhët e ushtarakëve. Në të vërtetë, punëtori operativ, në mungesë të kësaj veprimtarie mblidhte lloj-lloj bisedash që bëheshin në reparte ushtarake, qofshin edhe barsoleta. Një e tillë është kjo e vitit 1987.

Barsoletë e shkodranëve e vitit 1987, për Enver Hoxhën

Në dokumentin që ka zbardhur raportin, emri Enver Hoxha, sipas rregullit të kohës zëvendësohej me fjalët “udhëheqësi kryesor i partisë” ose “themeluesi i partisë”.

Punonjësi i uzinës elektronike në Tiranë, në qershor 1987, sipas bashkëpunëtorit kishte rrëfyer këtë barsoletë: “Do të të tregoj një gjë të bukur për bustet. Kur vdiq Enver Hoxha u vendos që të ngrinin buste për nder të tij. një bust do të ngrihej në Korçë, një në Vlorë, një në Gjirokastër dhe një në Shkodër. Për këtë skulptorët filluan të merrnin mendimin e njerëzve. Kur pyetën korçarët ata i thanë se Enverin e duam të duket i pashëm dhe i ri. Gjirokastritet e deshën të zgjuar, të fortë e të qeshur. Vlonjatet e donin trim dhe të ashpër. Kurse kur pyetën shkodranët si e donin, ata u përgjigjën: “Bëjeni si të doni, vetëm të gjallë mos e bëni më”. /Kastriot Dervishi/

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...