2016-10-08

Kronika e zymtë demografike në Serbi


Lejlekët, nuk sjellin “bebe” në Serbi!

Image result for sevdail hyseni

NGA: SEVDAIL HYSENI



Shteti i Serbisë, po përballet, seriozisht, me një fenomen shqetësues të plakjes së popullsisë. “Murtaja e bardhë”, ka prekur substancën kombëtare, të këtij shteti shumëkombësh, i cili në të ardhmen edhe më shumë mund të ketë pasoja rreth rritjes së numrit të vdekjeve, karshi atyre të lindjeve. Të dhënat statistikore, flasin se Serbia në shkallë republike, është e rrezikuar nga rritja negative e popullsisë, veçmas pjesa jugore dhe lindore e saj.

Tashmë, në Serbi, flasin shkoqur për alarmin e quajtur “mortalitet”: regjistrimi i fundit i popullsisë, më 2011, statistikat, studimet demografike, vlerësimet e Drejtorisë së Departamentit për Demografi, Qendra për Hulumtime Demografike, raportet e agjencive ndërkombëtare, mediet etj.

Sipas Zyrës së Statistikave në Serbi, vitin e kaluar, kanë lindur më pak se 65 mijë foshnje a kanë vdekur mbi 100 mijë njerëz. Mosha mesatare e popullsisë është 42.2 vjet, ndërsa në disa fshatra madje edhe mbi 50 vjet.

Harta demografike e Serbisë ka vijëzuar me ngjyrë të zezë mbi 1500 vendbanime, në të cilat “lejleku” nuk ka sjellë asnjë “bebe”!

Nëpër këto vendbanime serbe, po mbretëron një heshtje ogurzezë. Ka vite, që nuk dëgjohet vallja e dasmave dhe vaji i foshnjave.

Në spitalin gjinekologjik të Vranjës, në jug të Serbisë, më shumë lindin nënat shqiptare nga Bujanoci dhe Presheva se sa ato serbe.

Po kështu ngjet edhe me pakicat e tjera në Serbi si boshnjakët e romët, ku nataliteti te ta është shumëfish më i madh se sa i qytetarëve të përkatësive të tjera kombëtare.

Statistikat tmerruese

Serbia, sipas regjistrimit të vitit 2011, ka 7.186.862 banorë, prej tyre 5.988.093 serbë, të tjerët janë: hungarezë, boshnjakë, shqiptarë, romë etj.

Statistikat trishtuese të zvogëlimit të popullsisë, kanë ngritur në alarm edhe institucionet më të larta të shtetit serb.

Politika e rrezikuar popullative, po bëhet, gjithnjë, temë bosht i seancave parlamentare.

Njeriu i parë i shtetit, Aleksandër Vuçiq, në organin më të lart legjislativ të vendit, në Parlament, ka kërkuar formulën e gjetjes së zgjidhjes për zhdukjen e popullsisë, duke kapur kokën me duar: “Nuk kam zgjidhje”, “nuk kam fuqi”, “më ndihmoni si Zotin ju lus”, “shteti këtë nuk mund ta zgjidh”!

Për të stimuluar lindjet, Serbia e Vuçiqit, ka shtuar masat e reja planifikuese për prindërit me shumë fëmijë, të cilët do të marrin shtesat fëmijërore me një kosto më të lartë. Po ashtu disa komuna të jugut të Serbisë, si Tërgovishta, e cila gjendet shumë afër Komunës së Bujanocit, ka motivuar Shoqatën e Beqarëve për shtimin e martesave dhe lindjen e foshnjave, me fonde enkas për këso rastesh.

Martesat me ndërmjetësim

Serbia po plaket. Shumica e fshatrave në jug-lindje të vendit, janë boshatisur fare, ose kanë mbetur me pak banorë, kryesisht pleq. Ata e kanë një hall, të cilën nuk ngurrojnë edhe ta shprehin: “Kemi frikë se kur të vdesim, s’ka kush të na varros!”.

Rinia ikën nga provincat dhe koncentrohet në qendra të mëdha si Beogradi, Nishi e Smedereva.

Prandaj, “fondet shëndetësore dhe sociale do të jenë në kolaps, sepse pothuajse dy herë më shumë do të ketë të vjetër (pleq) se të rinj të cilët punojnë dhe krijojnë”.

Beqarët e zonave ku më shumë ka prekur “murtaja e bardhë”, kanë formuar shoqatën e tyre dhe mundohen disi ta tejkalojnë këtë “epidemi” demografike.

Për t’u dalë në ndihmë këtyre beqarëve të moshuar, po gjenden edhe disa ndërmjetësues (msit) shqiptarë nga Lugina e Preshevës, të cilët po krijojnë me interes lidhje martesore shqiptaro-serbe.

Nuset shqiptare nga Tirana e rrethina e Shkodrës, po pajtohen të martohen me burra serbo-malazez.

Gazetat shkruajnë se Dhurata Mali nga Tirana, është martuar me Branislav Tashiqin nga Lopardinca, fshat afër Bujanocit.

“Jam shumë e lumtur që jam martuar në Lopardincë afër Bujanocit dhe nuk jam zhgënjyer fare. Fakt është që nuk flasim gjuhën e njëjtë, por flasim gjuhën e dashurisë, e cila na mundëson që të jemi dakord me njëri-tjetrin”, flet Dhurata Mali, për Al-Jazeera, e cila tash ka ndërruar edhe emrin, Dunja (shqip “Ftua”).

Të njëjtat burime, flasin se në Komunën e Bujanocit, janë më shumë se 15 martesa të tilla, por shumica nuk dëshirojnë të flasin për medie, ngase kështu i sugjerojnë ndërmjetësuesit, të cilët marrin dhurata të majme nga ky biznes.

Klubet e natës

Kjo dukuri martesore, nuk ndodh mes shqiptarëve dhe serbëve në jug-lindje të Serbisë dhe Luginës së Preshevës, që nga shembja e komunizmit, kur bëheshin martesa të kombinuara, qoftë të aranzhuara, qoftë me pëlqim.

Kanë ndodhur martesat e të rinjve për letra në perëndim, apo për ndonjë interes tjetër, por nuk mbahet mend që ndonjë shqiptarkë nga Lugina të jetë martuar me ndonjë serb fqinj.

Ndonëse flitet se disa afaristë shqiptarë nga Lugina e Preshevës, kanë dashnoret e tyre serbe, jo vetëm në Vranjë e Nish, por edhe më thellë, në Beograd, të cilat i shpërblejnë me banesa dhe makina luksoze.

Hapja e klubeve të natës në Bujanoc, Preshevë e Vranjë, ka krijuar lidhje të reja mes të rinjve. Nëpër këto klube, vijnë vasha të reja nga Beogradi, Tirana, Prishtina etj, për ta ushtruar zanatin e vjetër të prostitucionit, e disa prej tyre edhe përfundojnë në martesa mes qiftesh.

Emigrantët si shpëtim

Republika e Serbisë, nuk shëmbëllen me disa nga shtetet perëndimore, që ia kalojnë për nga rritja negative e popullsisë, të cilat, disi, kanë arritur të gjejnë ndonjë zgjidhje në këtë drejtim.

Shtetet e forta ekonomikisht si: Gjermania, Austria, Finlanda etj, një nga formulat e tejkalimit drastik të zvogëlimit të popullsisë, preferojnë përtëritjen me emigrantë të vendeve të ndryshme, të cilët dëshirojnë të jetojnë dhe të integrohen në shoqëritë e atyre vendeve.

Serbia, si e tillë çfarë është, nuk mund t’i ndjek hapat e shteteve të lart-theksuara, për shumë arsye. Thënë troç, ky shtet ballafaqohet me një krizë të thellë politike dhe ekonomike.

Ngërçi politik dhe kolapsi ekonomik e kanë sjellë Serbisë, në zgribc të humnerës. Ajo, aktualisht, nuk është në gjendje si duhet t’i mbajë gjallë qytetarët rezidentë të saj e lëre të ofroj strehë qëndrimi për emigrantët e vendeve të tjera.

Shumica e qytetarëve, janë të zhgënjyer dhe pa shpresa për një perspektivë evropiane në të ardhmen. Fukarallëku i ka ngulfatur shtresat e ndryshme të qytetarëve, të cilët, për ditë, përballen me një varfëri të papërballueshme.

Papunësia ekstreme, varfëria e skajshme, emigrimet në heshtje, politika “qorre” e qeveritarëve, presionet e ndërkombëtarëve etj, e kanë bërë Serbinë, një vend jo me ambient të favorshëm për zhvillim dhe përparim njerëzor.

Kjo fotografi e errët e Serbisë, pa një imazh të mirë e me perspektivë për qytetarët e saj, vjen si rezultat i luftërave të shpeshta me republikat fqinje, të cilat dikur ishin nën çandrën e një ish Jugosllavie titiste, pastaj sanksionet e shteteve perëndimore, për politikën fashizoide të një regjimi, i cili po jep llogari pranë Tribunalit të Hagës, për krime lufte.

Të gjitha këto dukuri, të cilat kanë lënë “vijë e vragë”, në mendjet dhe shpirtat e atyre, që në njëfarë mënyre kanë qenë pjesë të trazirave tragjike, e që nuk po munden t’i i krijojnë vetes rehati e komoditet.

Nuk kalon ditë, apo natë, të mos dëgjosh lajme nëpër ekranet e TV-ve, e të mos lexosh nëpër gazeta, për raste të shpeshta tragjike, të vetëvrasjeve, gjakosjeve, zënkave, sherreve banale, që jo rrallë përfundojnë me vrasje e afera të ndryshme kriminale.

Duke i pasur parasysh rrethanat nëpër të cilat po kalon pushteti i Vuçiqit, nëse nuk ndryshohen ato, në favor të politikave afirmative të vendit, pak pritet që “lejlekët” të sjellin “bebe”, në Serbi!

(Autori është gazetar e publicist nga Lugina e Preshevës, kryetar i Bashkësisë Kulturore Shqiptare “Perspektiva”).

Thaçi dekoron shkrimtarin Dritëro Agollin e nuk dekoron ata që kontribuan më shumë për Kosovën

drit

Ambasada e Kosovës në Shqipëri, me anë të një njoftimi për media tregon se nesër, presidenti Hashim Thaçi do ta dekorojë shkrimtarin e njohur shqiptar Dritëro Agolli.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë vizitës zyrtare në Tiranë, më 3 tetor 2016 , në ora 14:10, do të vizitojë familjen e shkrimtarit Dritëro Agolli dhe me këtë rast do ta dekorojë shkrimtarin shqiptar për kontributin e tij në letërsinë shqipe, si dhe për angazhimin në shërbim të kauzës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kosovës në Tiranë.

Sipas këtij njoftimi, Thaçi po ashtu do të dekorojë edhe personalitet tjera shqiptare nga fusha e kulturës dhe shkencës për rolin e tyre të veçantë në shërbim të lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Presidenti  i Kosovës ka harruar pa dekoruar eruditët shqiptar  :Prof.DrEshref Ymerin, Akademik Prof.Dr.Skënder Kodra ,Prof. Rasim Bebo,Prof.Dr.Vedat Shehu,Shkrimtarët Rexhep Shahu , Vasil Tabaku,Izet Durakun, Zef Pergegajn , Hyqmet Haskon, këngëtarin Arif Vladi etj.e shumë studiues të tjerë që kanë  bërë më shumë se sa Dritëro Agolli, në sensibilizimin  kombëtar dhe ndërkombëtar të  Kosovës!

Deklaratat dhe mendimet më të famshme të Ibrahim Rugovës para se të bëhej politikan


Ibrahim-Rugova-735x400



Mbi pavarësinë kombëtare («Bota e re», Prishtinë, 28 nëntor 1968)

«Mirë që u mashtruan të gjithë. Mirë që kujtuan se nuk kemi asgjë, se kuçedra e Anadollit na gëlltiti ç’patëm. Po ajo mori shumëçka, gati na zhbiu, por s’mund të na marrë atë më të vlefshmen, më madhështoren – fuqinë, trimërinë që i çoi në këmbë prore shpirtrat tanë të djegur për tokën e stërgjyshërve. S’u harrua porosia e stërgjyshërve. E shpurëm më tej dhe do ta shpiem gjersa të gjallërojmë mbi këtë tokë të dashur».

Mbi poetët dembelë («Rilindja», 9 shtator 1978)

«Në përgjithësi, shumë poetë te ne punojnë pak në shkrimet e tyre dhe, si duket, e lexojnë vetëm poezinë tonë, madje regjistrin inspirativ dhe poetik e kanë mjaft të ngushtë si dhe element kryesor – gjuhën. Duhet të lëshohen, me vetëdije, në aventura krijuese, e të mos rrudhen para çështjeve reale artistike, pra t’ia çelin vetes frymën».

Për Pjetër Bogdanin («Rilindja», 11 shtator 1982)

«Pjetër Bogdani u lind më 1630 në Guri i Hasit, rrethina e Prizrenit. Doktoroi në Teologji dhe në Filozofi në Romë. Ishte ipeshkëv i Shkodrës dhe arqipeshkëv i Shkupit. Veprën Cuneus Prophetarum (Çeta e profetëve) e shkroi më 1675, e botoi më 1685 në Padovë te një i njohur i tij, sepse Vatikani i urdhëroi ta përkthejë në italisht për arsye censurimi dhe arsye të tjera. Kështu vepra u botua në dy shtylla: italisht dhe shqip në format të madh, që përfshin rreth 450 faqe. Bogdani rridhte nga një familje e njohur shqiptare e viteve 1300, siç e dëshmon në veprën e vet. (…) Kështu Bogdanin e kemi nxjerrë si racionalist, panteist e humanist, sepse nuk ka mbetur në rrafsh të predikatorit, po është ngritur në rrafsh të filozofit e të mendimtarit, do të thotë se çështjet e ndryshme i ka vështruar në formë më të çliruar brenda ideve të veta. (…) Kështu, nuk e kemi ditur se Bogdani ka folur për çështje të teorisë letrare, për probleme fundamentale filozofike, të filozofisë së historisë, se ishte përkthyes i parë i Virgjilit, Juvenalit etj., të cilat çështje i kemi kërkuar dhe vendosur vetëm në letërsinë dhe kulturën e Rilindjes, disa shekuj më vonë. Traditën filozofike e shkencore e kemi të zhvilluar te humanistët tanë në latinisht në shekullin XV-XVI te Maruli, Biçikemi, Barleti apo Lenik Tomeu, që e përkthen dhe komenton Aristotelin në latinisht e çmohej nga Erozmo Roterdami, po Bogdani në vazhdën e traditës së Buzukut, Budit e Bardhit, të gjitha këto i bën në shqip, që janë të një rëndësie tjetër të drejtpërdrejtë. (…) …do të ishte mirë që në ardhmen të mbante emrin e tij ndonjë institucion arsimor apo kulturor, të bëhej ndonjë pllakë përkujtimi, apo bust, sepse është i vetmi shkrimtari yni i vjetër që na ka lënë portretin e vet».

Kundër fushatave antishqiptare të Beogradit (Diskutim në Kongresin e Shkrimtarëve të Jugosllavisë në Novi Sad, 10-20 prill 1985)

«Ka vepra të atilla, të cilat nuk do t’i quaja letërsi, po që duke i fyer kombet e kombësitë, e në rend të parë shqiptarët, krijojnë njëfarë opinioni publik. (…) Si mund ta përjetoj lirinë unë, si intelektual shqiptar, në kohën kur nga forcat e ndryshme me pikëpamje dogmatike për çështjen nacionale, më imponohet asimilimi apo dysia. Dhe si mund ta përjetojë lirinë, kur sot, tashmë që 3-4 vjet nga publicistika e verbër dhe pseudoshkenca e pseudoletërsia kërkohet të zhduket historia ime kombëtare, realiteti historik dhe realiteti shoqëror, me pretekst të cungimit: hiq këtë e hiq atë, madje edhe në pikëpamje kushtetuese».

Mësimi historik («Bota e re», 25 maj 1987)

«Mësim historik është ky: se pushteti i mirë i dëgjon intelektualët e vërtetë, të cilët udhëhiqen nga ideja universale e progresit njerëzor. Te ne në Kosovë, ku një kohë të gjatë intelektuali është konsideruar, bashkë me kombësinë, si ‹agjent› i shtetit amë, prej të cilit koncept u liruam pak në vitet 1966-1981, roli i tij ishte i reduktuar, vetëm sa për ekzistencë. Në kohë të fundit sërish po shfaqen tendenca nga qarqet reaksionare e shoviniste janë Kosovës që intelektuali shqiptar të etiketohet si element ‹antishtetëror›, duke ia mohuar legjitimitetin kombëtar e kulturor dhe të drejtën e mendimit, në emër të një ‹rrezikimi› dhe të një ‹kozmopolitizmi etatist›, të një ortodoksizmi dhe bizantinizmi primitivist mesjetar të pashembullt në botën bashkëkohore».

Mbi strategjinë e përpunuar antishqiptare (Diskutim në bisedat mes shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë në Beograd, që u mbajtën më 26 dhe 27 prill 1988 në Beograd)

«Fatkeqësisht, sot nocioni për Kosovën në Jugosllavi, e sidomos në Serbi, po vdes dita ditës. Kjo do të thotë se për Kosovën nuk ka më kuptim njerëzor, ndaj ka rënë në shkallën më të ulët të mundshme. (…) Nëse vetëm pak më kujdesshëm e shohim këtë sistem të etiketave, do të kuptojmë se kemi të bëjmë me një çështje krejtësisht të njëjtë, me një strategji antishqiptare, të cilës tash shtatë vjet po i prin një pjesë e shtypit të Beogradit, pastaj një pjesë e institucioneve kulturore e shkencore dhe asociacione të tjera. (…) Thënë më qartë, e tërë kjo strategji e ka fillin të strategjinë e përpunuar antishqiptare nga ana e borgjezisë serbe nga fundi i shekullit të kaluar dhe nga fillimi i këtij shekulli, e cila si e tillë për të gjithë ne është e mirënjohur. (…) Kjo do të thotë se këtu kemi të bëjmë me ngjalljen e logjikës udbashe të viteve ’50 dhe ’60 ndaj shqiptarëve. (…) Ajo strategji ka për qëllim që shqiptarët t’i bëjë të gjunjëzohen përpara masave të reja, që elementi shqiptar të zvogëlohet, të bëhet i ‹durueshëm› dhe simbolik».

«Kokën mund të ma ndërrojnë, por mendimin kurrë» («Veçer» Maribor, 22 prill 1989)

«Njerëzit nuk dëshirojnë të vdesin pa lidhje. Edhe ne jemi njerëz. (…) Nuk mund të merrem me letërsi kur shoh se nëpër rrugë vdesin njerëzit e mi. (…) Nëse vazhdon kjo politikë e ashpër, represive, e ardhmja do të jetë e rëndë, e tmerrshme, e zezë. Si për shqiptarë ashtu dhe për serbë».

«Është rrezik kur cilido religjion fillon të bëhet politikë» (Telex, Lubjanë, 25 maj 1989)

«Në Kosovë nuk ekziston vetëm represioni shtetëror (burgjet, izolimet, dënimet etj.), por edhe ai politik (Partia, LSPP), ku për t’i leqitur disa njerëz keqpërdor edhe Kanunin e Lekë Dukagjinit. (…) Është rrezik i madh kur cilido religjion fillon të bëhet politikë. Propaganda e shtypit serb përdor metoda të vjetruara dhe fatkeqësisht shërbehet me cakun e moçëm. Dikur u shkonte kungulli mbi ujë, sepse ne shqiptarët nuk kemi pasur ndonjë shtyp me ndikim apo diplomaci. Mirëpo sot, në kohën e informatikës, diçka e tillë nuk pi ujë më».

«Identiteti nacional serb si konservë e mbyllur» (Mladina, Lubjanë, 7 korrik 1989)

«Shqiptarët nuk i bashkon vetëm feja apo ideologjia. Qysh në shekullin e nëntëmbëdhjetë, në kohën e Rilindjes kombëtare, gjuha, kultura dhe tradita ishin elemente lidhëse kombëtare, kurse feja nuk ishte forca absolute e bashkimit. (…) Mendoj se serbët identitetin nacional e konsiderojnë si një konservë të mbyllur dhe çdo ndryshim atyre u shkakton panik. Edhe më tej mendojnë se ne jemi i njëjti popull rural që ishim në vitet 1945, me 90 për qind të analfabetëve. Kjo qysh moti nuk është e vërtetë. Sipas tyre shqiptar i ndershëm është shqiptari i cili nuk di asgjë, as për vete as për të tjerët. (…) Shqiptari i ndershëm është analfabet, i pakualifikuar, punëtor apo fshatar pa tokë, pastrues, e para së gjithash, servil dhe i dëgjueshëm. Nëse rastësisht di të shkruajë dhe të lexojë, ndershmëria e tij pra mbetet me të, aq sa e shan popullin e vet».

Më 1912 Kosovën e çliruam vetë («Start», Zagreb, 5 gusht 1989)

«Nuk e kam zakon të merrem me ata njerëz që merren me mua dhe me punën time. (…) Ne nuk jemi një grup i vogël, as nuk jemi emigrantë të ardhur. Ne jemi autoktonë në Jugosllavi. Ne jemi më tepër se dy milionë. Ne shqiptarët jemi një komb i ri, por kemi potencialin tonë – punëtorë, fshatarë, kemi krijuar edhe intelegjencën tonë. Shqiptarët dëshirojnë të funksionojnë si shoqëri, ashtu si gjithë popujt në Jugosllavi. Megjithatë, politika e tanishme serbe dëshiron që të mbetemi një etnikum i mbyllur, në një kuptim më tepër fisnor. (…) Falja e gjaqeve, nga ana tjetër, është një gjë e mirë, sepse kjo plagë jona na ka mbetur nga e kaluara. Kanuni i Lekë Dukagjinit, që ka funksionuar më parë, nuk mund të ekzistojë në botën bashkëkohore. Ky është një relikt që bart mjaft të këqija. (…) Shqiptarja, megjithatë, po emancipohet. Kemi gra që janë specialiste shumë të mira dhe me arsim të lartë. Në brezat e pasluftës pothuajse nuk ka analfabete. Ato janë një potencial që ende presin fatin e tyre, po ky fat duhet t’u ofrohet. Kohët e fundit, për shkak të papunësisë së madhe midis grave, disa edhe kanë hequr dorë nga shkollimi i mëtejshëm. (…) Në vitin 1912 Kosovën e çliruan vetë shqiptarët dhe atëherë erdhi ushtria e rregullt serbe dhe vendosi pushtetin. Për ne ato, megjithatë, kanë qenë luftëra pushtuese. (…) Vetëm një shembull: pak kohë më parë në Institutin Albanologjik zhvilluam një konferencë me rastin e 200-vjetorit të Revolucionit francez. Në gazetën ‹Rilindja› u botua lajmi për zhvillimin e konferencës, por nuk përmendej asnjë emër. Në të folën kolegu Qosja, unë dhe disa të tjerë, po kështu intelektualë të kritikuar e të etiketuar. Emri im në ‹Rilindje› mund të gjendet vetëm në kontekstin e sulmeve dhe sharjeve kundër meje. (…) Tani organet e Beogradit flasin për udhëtimet e mia nëpër botë, ndërsa unë vitet e fundit, për fat të keq, nuk kam qenë askund. Rroga ime nuk mbulon as shpenzimet për të shkuar deri në Paris».

«E di se më ndjekin, më përgjojnë…» («Slobodna Dalmacija», Split, 8 tetor 1989)

«Në gazetat e këtushme artikujt e mi nuk botohen më. Vepron një censurë e fshehtë. E di se më ndjekin, më përgjojnë telefonin dhe bëjnë çdo gjë. E kam vështirë të lëviz nëpër Prishtinë. Disa shqiptarë çuditen si jam ende këtu. Te ne ka ardhur një kohë saqë nuk mund të bësh madje asnjë bisedë të zakonshme për jetën, sepse njerëzit ngurrojnë. Tashmë është gjallëruar tamam psikoza e logjikës policore. Kjo më hidhëron, pasi të gjithë këtë, si i ri, e kam provuar para Plenumit të Brioneve».

Çmimi Nobel,shkrimtari Ismail Kadare në 5 më të preferuarit

Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare është shpallur edhe këtë vit kandidat për çmimin Nobel në Letërsi.

Çmimi Nobel, Kadare në 5 më të preferuarit

Ndërsa deri më 10 tetor 2016  janë shpallur datat dhe një pjesë e çmimeve Nobel në fushat e tjera, Akademia Suedeze njofton shkurt se Çmimi Nobel për Letërsi do të jetë më vonë.

Ndërkohë faqet e specializuara britanike të basteve e kanë radhitur shkrimtarin shqiptar në mesin e 5 më të preferuarve për vitin 2016.

Janë po këto lista që një vit më parë kishin radhitur në vendin e katërt fituesen e Nobelit 2015, Svetlana Alexievich, deri në atë kohë një emër jo shumë i njohur botërisht.

Në krye të listës ashtu si dhe vitin e kaluar është shkrimtari japonez, Haruki Murakami. Ai ndiqet në këtë listë nga Adonis, poeti sirian, që jeton Paris.

Në vendin e tretë vjen Ngugi Wa Thongo dhe i katërti është Philip Roth, edhe ky një kandidat që prej vitesh është në krye të listës Ladbrokes. I pesti renditet Ismail Kadare, i cili një vit më parë renditej i 7-ti.

Nuk dihet se kur akademia suedeze do ta shpallë datën e ndarjes së Çmimit Nobel në Letërsi, ndërkohë shpresat për Kadarenë po shtohen, sepse nga viti në vit vjen duke u ngushtuar edhe fusha e rivalitetit.

Ismail Kadare deri më sot është nderuar me disa nga çmimet më prestigjioze në botë për letërsinë si Man Booker Prize e më gjerë. Pavarësisht kësaj liste në mediat botërore komentet se kush do ta fitojë Nobelin sillen rreth tre kandidatëve, Haruki Murakami, Adonis dhe Ismail Kadare.

26 pseudonimet e Gjergj Fishtës

Numri i ri i revistës letrare Saras, i kushtohet pseudonimeve në letërsi.

26 pseudonimet e Gjergj Fishtës

Të ndërtosh një identitet të ri, të krijosh një personazh tjetër që mund të dali lehtë prej teje, e të jetë më i guximshëm se ty…Kritikët e studiuesit e letërsisë vazhdojnë ta shohin përdorimin e “pen name” ose “pseudonimeve” në letërsi, si një nga çështjet më interesante për studim. Vetëm pak ditë më parë New York Times i kushtonte një artikull shkrimtares italiane Elena Ferrante, që ende nuk ka dalë para lexuesve me fytyrë dhe pse fama e saj tashmë ka depërtuar me sukses dhe në perëndim.

Shkrimi kërkonte të zbulonte identitetin e Ferrantes, që sipas kërkimeve të gazetarit Claudio Gatti mund të ishte përkthyesja që jeton në Romë Anita Raja. Duke hulumtuar kalimet financiare të të ardhurave të librave të Ferrantes, si dhe ngjashmërinë mes historive të treguara në librat e saj dhe jetës së Rajës, gazetari Gatti ishte i bindur, se tashmë lexuesi mund të ketë identitetin e vërtetë të shkrimtares që i ka rrëmbyer prej kohësh zemrat e tyre. Në historinë e letërsisë është e pafundme lista e shkrimtarëve që kanë zgjedhur të shkojnë tek lexuesi nën një emër tjetër.

Në shekullin e 17-18, pjesa më e madhe e shkrimtareve femra zgjidhnin të shkruanin librat e tyre të parë me emra burrash, të sigurta se vetëm kështu nuk do të mund të paragjykoheshin e pranoheshin në shoqëri. Por dhe sot në shekullin e XXI, ku shumë të drejta të lirisë së njeriut janë fituar, dhe kur kritikat ndaj politikave nuk kushtojnë aq shumë sa një shekull më parë, duket se pseudonimet vijojnë të jenë si një ide shpesh romantike të cilët shumë shkrimtarë e zgjedhin për tu përfaqësuar. Ane Rice një nga shkrimtaret best seller sot, për vite me radhë botoi libra erotikë me emrin as Anne Rampling. Agata Kristi eksperimentet e saj letrare pas sagës me dedektivë i botoi nën emrin e Mary Westmacott. Stephen King do të shkruante për vite me radhë nën emrin Richard Bachman.

Revista Letrare Saras, në numrin e saj të 18-të, zgjedh si temë pikërisht pseudonimet në letërsi, duke i parë në kontekstin jo vetëm historik, por dhe të dominimit që kanë pasur identitetet e zgjedhura në veprat e shkrimtarëve. Saras bën një udhëtim në letërsinë shqipe për të zbuluar se pseudonimet kanë qenë një element i përdorur hershëm në letrat shqipe.

Nuk është vetëm Migjeni (emri i vërtetë Millosh Gjergj Nikolla) apo Lasgushi (Llazar Gusho), Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko) që zgjodhën të shkonin tek lexuesi përmes një identiteti tjetër letrar. Faik Konica ka pasur 29 pseudonime, Gjergj Fishta 26. Që nga Naum Veqilharxhi, Jeronim De Rada, Zef Serembe, Naim Frashëri, Sami Frashëri, Ndre Mjeda, Çajupi, , Asdreni, Petro Marko, Sterio Spasse, Esat Mekuli, Ramiz Kelmendi, Rexhep Qosja, Anton Pashku , etj kanë botuar libra me pseudonim.

Në shekullin e XXI , me ndryshimin e kontureve politike e kulturore, pseudonimet shfaqen gjithnjë e më rrallë. Diskutimit për pseudonimet në letërsi i janë bashkuar në Saras emra të njohur si Ardian Vehbiu që ka provuar shpesh të shkruajë me pseudonim. Vehbiu ndan me lexuesit histori të krijimit të emrave të tij letrarë, një prej të cilëve shumë i njohur është dhe dhe Mark Gjerazi. Artan Gjyzel Hasani I njohur me pseudonimin Wisper, vjen me shkrimin “Të mbrohesh nga vetja”.

Maklena Nika sjell “Maskat në letërsinë greke”, ndërsa Virion Graci një studim mbi veprën e Fatos Kongolit. Arb Elo, krijues dhe kritik I letërsisë që ka vendosur të mos e bëjë ende të ditur identitetin e tij të vërtetë, sjell një këndvështrim interesant në këtë numër. Posaçërisht për Saras, shkrimtarja italiane Melania Mazzucco, autoren e romanit “Vita”, fitues të çmimit “Strega” të përkthyer në 30 gjuhë të botës vjen me një intervistë dhënë përkthyeses së saj në gjuhën shqipe Mimoza Hysa.

Nuk mungojnë në këtë numër dhe proza dhe poezia e zgjedhur, siç është tregimi i Haruki Murakamit nën përkthimin e Elvana Zaimit. Shkëlqim Çela sjell një version të ri të përkthimit të poemës së njohur të Majakovskit “Re me pantallona”, pas përkthimit të njohur të Ismail Kadaresë. Përkthimi i Çelës botohet për herë të parë në Saras, çka tregon dhe një tërheqje që vazhdon të ketë ndaj vargjeve të poetit të njohur rus, dhe se Majakovski është një figurë e dashur dhe tashmë në shekullin e XXI.

Shkencëtari japonez Yoshinori Ohsumi u nderua me çmimin Nobel të mjekësisë për punën e tij në autofagj

Shkencëtari japonez Yoshinori Ohsumi u nderua me çmimin Nobel të mjekësisë për punën e tij në autofagji, shkenca e cila merret me studimin e procesit të degradimit të qelizave dhe riciklimit të elementëve të tyre përbërës.
ohsumi_1475529609-2285943

“Zbulimet e tij i hapën rrugën kuptimit të rëndësisë themelore të autofagjisë në shumë procese fiziologjike, si përshtatja e trupit ndaj urisë ose reagimi i tij ndaj infeksioneve,” tha përmes një deklarate Asambleja e Çmimit Nobel, në Institutin Karolinska të Suedisë për dhënien e çmimit me vlerë 930 mijë dollarë.

71 vjeçari Ohsumi është profesor në Institutin Teknologjik të Tokios.

“Autofagjia ka qenë e njohur për më shumë se 50 vjet”, tha Instituti Karolinska, “por rëndësia e saj themelore në fiziologji dhe mjekësi u bë e njohur vetëm pas studimeve të rëndësishme të Yoshinori Ohsumit në vitet 1990”.

“Falë zotit Ohsumi dhe të tjerëve që ndoqën hapat e tij, ne tani e dimë se autofagjia kontrollon funksionet e rëndësishme fiziologjike, ku komponentët qelizorë duhet të degradohen dhe të riciklohen”, thuhet në deklaratën e Institutit Karolinska, njofton VoA.

Çmimi për fiziologji ose mjekësi është i pari nga çmimet Nobel që jepen çdo vit.

Çmimet për fizikë, kimi, paqe, ekonomi dhe letërsi do të shpallen këtë javë dhe në javën e ardhshme.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...