2017-04-16

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani: Data e zgjedhjeve është dekretuar, politika të gjejë zgjidhje

Nishani: Data e zgjedhjeve është dekretuar, politika të gjejë zgjidhje
Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani komenton krizën politike në vend, ku opozita ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit 2017.

Ai thotë se, “Jam optimist se politikanët do të orientohen me ndihmën e Zotit dhe me respekt për njëri -tjetrin të gjejnë zgjidhjen e duhur me më pak pasoja”.

Lidhur me mundësinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve dhe pretendimeve të opozitës, duke folur sot nga Gjirokastra, Nishani tha se data është vendosur.

Ai deklaroi se, “Presidenti e ka dekretuar datën e zgjedhjeve. Të shpresojmë se do të gjendet zgjidhja e ngërçit dhe kjo ditë do ta ndihmojë politikën.

Lulzim Basha tregon braktisjen e Edvin Kristaq Ramës nga faktori ndërkombëtar: Është bërë subjekt i barcaletave në Bruksel dhe Uashington

Basha tregon braktisjen e Ramës nga faktori ndërkombëtar: Është bërë subjekt i barcaletave në Bruksel dhe Uashington

Kreu i PD-së Lulzim Basha i është përgjigjur sulmeve të Edi Ramës ndaj politikanëve të huaj që mbështesin kauzën e zgjedhjeve të lira. Duke iu referuar rastit më të fundit me senatorin Italian Aldo Di Biagio dhe sulmeve ndaj tij të kryeministrit, Lulzim Basha dha një mesazh.

“Mbrëmë ky lëshoi traktin e radhës kundër senatorit të nderuar italian. Edi Rama është braktisur nga faktori ndërkombëtar dhe është bërë subjekt i barcaletave në qarqet diplomatike dhe politike nga Brukseli në Uashington.

I dëshpëruar nga ky realitet shkruan trakte natën kundër miqve ndërkombëtarë të Shqipërisë, ia çon fletushkave të tij që ta botojnë herët në mëngjes dhe pastaj pasdite boton në Facebook këtë që paska botuar fletushka e tij që në fakt është trakt i Edi Ramës që ka shkruar vetë natën.”

Basha e quan këtë lëvizje si vazhdimësi të antagonizmit të tij ndaj mbështetësve që vijnë nga Europa drejt Sheshit të Lirisë.

“E mbani mend apo jo si iu vërsul Presidentit Donald Trump duke e quajtur në CNN, turpi i civilizimit? E mbani mend si iu vërsul, krahut të djathtë të kancelares Merkel, Gunther Kriuchbaum, e quajti deputet skutash. Ky që nuk ka lënë të burgosur për narkotrafik dhe përdhunim pa bërë deputet dhe kryetar bashkie, i thotëKriuchbaum, deputet skutash. Dje sulmoi senatorin e nderuar di Biagio. Një njeri që ka luftuar jo vetëm me fjalë, por edhe më armë për lirinë e shqiptarëve dhe lirinë e popujve të Ballkanit.”

Një paralelizëm e hoqi mes miqve të kryeministrit dhe atyre të kauzës së qytetarëve për zgjedhjet ë lira e të ndershme.

“Aldo di Biagio është luftëtar me armë për lirinë e Kroacisë dhe ka shërbyer nën komandën e një gjenerali shqiptar në luftën për pavarësinë e Kroacisë, i cili quhet gjeneral Agim Çeku. Aldo di Biagio ka qenë me mision ushtarak, krahë për krahë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prej vitit 1998 e deri në çlirimin e Kosovës. Pra, ka ndihmuar jo me konferenca shtypi, por si pakkush, luftën çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë Si e ka ai që ha dreka e darka dy herë në javë me Ramën? Vuçiç dhe Daçiç. E çfarë kanë qenë këta kur luftonte di Biagio për pavarësinë e Kosovës?

Njëri ka qenë, zëdhënësi i Millosheviçit, tjetri ka qenë Ministri i Informacionit i kasapit të Ballkanit Slobodan Milosheviç. Me këta ulet e ha drekë e darkëçdo javë. Ndërsa çlirimtarët, italo-kroatin që ka luftuar për pavarësinë e Kroacisë, që ka luftuar me armë për pavarësinë e Kosovës, vjen dhe e baltos këtu. Çfarë t’i themi këtij, a mund t’i themi patriot?”

Lulzim Basha tha se kryeministri Edi Rama e ka katandisur vendin të parin për drogën dhe pastrimin e parave port ë fundit për rritje ekonomike, çmimin e lartë të naftës, fuqinë blerëse të qytetarëve dhe të fundit për shifrat e punësimit në vend.

Opozita kosovare mbetet kundër, analistët kërkojnë unitet politik,vizita e ndërkombëtarëve nuk kryejnë punë


Image


"Vetë kushti i Demarkacionit në këmbim të liberalizimit të vizave, paraqet formën më të vrazhdë të presionit politik të ndërkombëtarëve ndaj politikanëve të korruptuar kosovarë, praktikë kjo e paprecedent në vendet e rajonit", tha Florim Zeqa

Pavarësisht mesazheve të fuqishme dhe në formë ultimatumi që erdhën së fundi nga diplomatët ndërkombëtarë për politikën e Kosovës, për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, pozita dhe opozita akoma vazhdojnë të jenë larg një konsensusi për t'i dhënë zgjidhje këtij problemi, i cili gati tash dy vjet po e mban peng jetën institucionale në vend dhe perspektivën evropiane të Kosovës.

Deputeti Zafir Berisha, nga Nisma për Kosovën, tha se nuk ka ndryshim në qëndrimet e këtij subjekti politik, derisa përgjegjësia u takon atyre, që, sipas opozitës, e kanë firmosur këtë marrëveshje të dëmshme. "Qëndrimi ynë vazhdon të jetë po ai që ka qenë edhe deri më tani, ata që kanë firmosur marrëveshje, e cila cenon territorin e Kosovës herët apo vonë do të përgjigjen jo vetëm para votuesit, por edhe para ligjit", tha Berisha.

Nga vota kundër versionit të tanishëm të Demarkacionit, sipas deputetes Teuta Haxhiu, nuk do të lëkunden as deputetët e AAK-së. "Jemi për ta përfunduar Demarkacionin me Malin e Zi, ngase me këtë do të duhej t'i hapim rrugë demarkacionit edhe me Serbinë, mirëpo asnjëherë në versionin, të cilin e kanë sjellë tani të nënshkruar Hashim Thaçi, tani si president i vendit dhe Isa Mustafa, kryeministër i Kosovës.

Jemi për ta ratifikuar një marrëveshje për Demarkacionin me Malin e Zi, por jo në këtë version, dhe ne për këtë i kemi dhënë me kohë edhe arsyet e tona", the deputetja Teuta Haxhiu .

Image

Integriteti territorial, prioritet

Analistët politikë konsiderojnë se veç- mas pas mesazheve të fuqishme të miqve ndërkombëtarë, që i sollën gjatë kësaj jave, pozita dhe opozita duhet të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje të daljes nga kjo situatë.

Analisti politik, Florim Zeqa, konsideron se pavarësisht mesazheve të fuqishme dhe presioneve ndërkombëtare, versioni i tanishëm i Demarkacionit me Malin e Zi nuk do të duhej të guxonte të kalojë në Parlamentin e Kosovës, madje pavarësisht konsekuencave, që mund të pësojnë partitë politike në zgjedhjet e ardhshme, për shkak të mbajtjes peng të perspektivës evropiane, mbrojtja e integritetit territorial të vendit duhet të jetë prioritet i pushtetit dhe opozitës pa dallim.

 Ai thotë se zgjidhja për kalimin e marrëveshjes duhet të jetë konsensuale, që të rishikohet ky version, ndaj të cilit ka edhe vërejtje të ekspertëve të fushës, që konstatojnë se Kosova humb territor nga versioni i tanishëm i marrëveshjes.

 "Vetë kushti i Demarkacionit, në këmbim të liberalizimit të vizave, paraqet formën më të vrazhdë të presionit politik të ndërkombëtarëve ndaj politikanëve të korruptuar kosovarë, praktikë kjo e paprecedent në vendet e rajonit.

 Andaj, politikanët kosovarë duhet vetë ta gjejnë formulën e zgjidhjes së problemeve të hapura me fqinjët, në këtë rast të Demarkacionit me Malin e Zi dhe të Asociacionit të komunave serbe.

Kjo është e mundur të arrihet përmes unitetit të subjekteve politike në raport me dy temat e sipërpërmendura, të cilat ekskluzivisht nuk janë kompetencë e veçantë e pushtetit apo opozitës, por janë tema nacionale, që përcaktojnë të ardhmen e shtetit dhe perspektiven evropiane të Kosovës", potencoi Zeqa.

Kalkulimet politike na lënë në izolim

Sipas analistit Hidajet Ahmeti, me këtë situatë të krijuar, Kosova po rrezikon seriozisht të ardhmen e saj euro-atlantike, pikërisht nga kjo klasë politike, pozitë e opozitë, shkaku i inateve dhe kalkulimeve të tyre.

Ai thotë se përgjegjësia i takon megjithatë koalicionit të madh politik së bashku me opozitën, pavarë- sisht që opozita nuk e ka për obligim t'i bëhet vartëse pozitës për t'ia riparuar çarjet që ka brendapë brenda si koalicion, ndër më të fuqishmit në numra që ka pasur Kosova deri më tani.

 "Të stagnosh vendin për tri vite me dy tema, të cilat nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me mirëqenien qytetare dhe zhvillimin ekonomik është jo e logjikshme, jo e natyrshme, por as veprim politik i kalkulueshëm për të gjitha subjektet politike.

 Të mbyllësh qytetarët brenda kufijve ballkanikë të disa shteteve është vrasje e drejtpërdrejtë e frymës së lirisë së lëvizjes, bashkëpunimit e ndërveprimit reciprok, ekonomik, politik, social e kulturor dhe njëkohësisht është logjikë e bllokimit dhe izolimit", u shpreh ai.

"Nuk dua të paragjykoj versionin përfundimtar të Demarkacionit, por Qeveria e Kosovës ka pasur mundësinë ta përfundojë këtë proces shumë të rëndë- sishëm për vendin, por edhe opozita ish dashur të tregohet më konstruktive karshi këtij procesi, i cili është paraqitur si kusht në raportin pozitiv të Komisionit Evropian për liberalizim vizash", tha Hidajet Ahmeti.

Ai ka shtuar se nga gjithë kjo rrëmujë politike e institucionale, mbetet në dorën e Qeverisë për të gjetur alternativë për përfundimin e procesit të demarkimit, por jo kosto e liberalizimit të vizave të paguhet me territorin e Republikës së Kosovës, pasi që Kosova nuk ka tokë për të falur....

2017-04-15

Marash Ivanaj, nën vëzhgimin e Sigurimit, ja raportet sekrete

Dosja hetimore e 1947/ Çfarë raportonin punonjësit e Sigurimit për gjithë lëvizjet e ish-ministrit të Zogut nga dita e mbërritjes së tij në Tiranë me 1 tetor 1945 e deri në arrestimin e tij në maj 1947….

Mirash Ivanaj, ish-ministri i Arsimit e më pas këshilltar i lartë i mbretit Zog pas shumë vitesh në arrati, kthehet në atdhe me 1 tetor 1945.

Pushtetin e kishin marrë komunistët dhe ai, si njeri i afërt i mbretit, nuk mund të rehabilitohej lehtë. Përkundrazi ai ishte vënë në vëzhgimin e njerëzve të Sigurimit që në orët e para sapo vuri këmbë në Tiranë.

Raporti i parë që rezulton në materialet e Sigurimit i përket pikërisht ditës së parë të mbërritjes së tij në Tiranë. Madje shënohet edhe ora. Mirash Ivanaj kishte mbërritur në Tiranë i ardhur nga Jugosllavia pikërisht në orën 12 në mesditë. Të gjithë lëvizjet e tij, takimet e hapura dhe ato të fshehta ishin regjistruar ditë pas dite nga punonjësit e Sigurimit të Shtetit.

Raportet e shumta grupuar sipas tematikës ose njerëve të përfshirë ishin analizuar në zyrat e hetuesisë menjëherë pas arrestimti të tij. Këto raporta (disa prej të cilave përsëriten) ruhen në dosjen hetimore të Mirash Ivanajt. Një pjesë prej tyre i sjellim më poshtë, duke krijuar tablonë reale të përgjimit të këtij intelektuali në përiudhën para arrestimit të tij.

1 Tetor 45

Drejtoris Mbrojtjes Popullit
K ë t u

Sot ora 12 arrijti në Tiranë prej Jugosllavije, ish Ministri i Arsimit Mirash Ivanaj, i cili zuri vend në Hotel Kontinental.
Në hotel e vizituan Gjergj Kokoshi dhe Nikolla Ivanaj, djali i Xhajës së Mirashit, shkrimtar me banim në Tiranë.
Ora 6 Mirash Ivanaj i shoqëruar prej Gjergj Kokoshit dhe prej Nikolla Ivanajt shkuan në Komitetin e N/Prefekturës për të takuar Ali Bakiun. Dihet se Ali Bakiu ka nji admirim të math për Ivananë dhe nji miqësi të madhe. Pasi nuk e gjetën atje u drejtuan për në qendrën e Prefekturës ku Ali Bakiu merte pjesë në nji mbledhje, prej ku e nxuar dhe u takuan në portën e hyrjes së godinës. Atje u fjalosnë më këmbë mjaft minuta dhe nji shok i joni na thotë se kish digjuar fjalët “Për Statutin Themeltar”.
Është në vëzhgim tepër konspirativ.

SEKSIONI MBROJTJES POPULLIT

SHEF’I SEKSIONIT

(Stefo Grabocka)

(firma)

RAPORT MBI VËZHGIMET QË I JANË BËRË MIRASH IVANAJT

Mirash Ivanaj është parë të shkojë në Kontinental, me gjithse ka tre ditë që është larguar së këtejmi. Ky provizorisht ka hyrë në një shtëpi, deri sa të lirohet shtëpija e tijë ku ka vënë ustallarë për ta riparuar e bojatisur. Miqtë që rrinë fort me të janë Ali Bakiu e Sali Tagani nga Tirana. Shtëpija që rrin është e Sali Taganit në rrugën e Dibrës. Me datën 8 k.m. ka qenë ne Saliu, këtej ishte thirrur për drekë tek Rauf Fico, ku ka ndenjur deri në orën 2 pas dreke.

Prej këtej shkoi prapë në shtëpinë e Sali Taganit. Prej shtëpisë së Rauf Ficos nuk u pa të delte njeri tjetër veçse u pa që ta shoqëronte deri në shtëpi një djalë po i asajë shtëpije, gjat kësaj dite nuk ka dalë prej këtu.

Me 9 k.m. doli nga shtëpija në orën 9 dhe u drejtua për në Pazar, rrugës u takua me Mustafa Demnerin, bizedoi me të 15 minuta dhe u ndanë. Kur zbriti në Pazar shkoi nga Tirana e Re deri në shtëpin e të vëllait të vetë por as aty nuk ndenji, erdhi në Pazar hëngri bukë dhe shkoi drejt në shtëpi të Saliut. Gjat rrugës për të sallutuar salluton shumë, bën lëvizje në shumë rrugë por nuk ndalohet në ndonjë vend.

Më 10 k.m. mbasi doli nga shtëpija në orën 10.45 u drejtua për te Noteri Publik më rrugën Ish Mbretnore, ku bizedoi me të quajturin Jonuz Tafaj për 15 minuta, prej këtu shkoi në Bankën e Shtetit, aty nuk bëri as gjë, veçse shikoj rreth e përqark Bankës dhe doli hëngri bukë dhe u drejtua për nga shtëpija; në Pazar u takua me Selman Stërmasin, me të cilin u shoqërua deri në shtëpi, nga ku nuk doli më.

VF.LP.

Tiranë më 4.10.945


RAPORT MBI LËVIZJET E MIRASH IVANAJT


Me datën 3 k.m. në orën 9.30 Mirash Ivanaj doli nga Hoteli dhe u drejtua për në rrugën 28 Nëndor, në atë kohë (në rrugë) i erdhi një letër nga Kryeministrija, prurë nga një shërbëtor. Mbasi e këndoi vazhdoi rrugën tue parë vitrinat e dyqaneve. Tue kalue rrugën 28 Nëndor vazhdoi rrugën e Dibrës dhe doli në Bulevard.

Në orën 10 po në Bulevard u takua me të birin e Afiz Ali Korçës, i cili ka qenë në burg dhe tashti është liruar. Në orën 10.10 hyri te Ministri Arësimit dhe doli nga Ministrija në orën 10.30. Prej këtu kaloi prapë në rrugën 28 Nëndor dhe u fut te Ali Kaçeli, bizedoi pak me Alinë dhe shkoi pranë Sahatit ne Filip Ujka (mekanik). Bizedoi aty 30 minuta. Prej këtu shkoi në Hotel nga ku nuk doli më; me gjith se është pritur deri vonë.

ËSHTË NË SURVEJIM.

SHEF I SEKSIONIT TË II-të

(Dhosi Progri)

(firma)

Vdekje Fashizmit Liri Popullit

Tiranë më 7.X.945

Rreth lëvizjeve të Mirash Ivanajt

Më datën 4 të k.m. ësht parë tue shtitur në Rr. e Dibrës bashkë me Sali Taganin n’ora 10 e 30 para dite, Saliu ësht Tiranas dhe më parë ka qen si arkëtar në Bashkin e këtushme. Mbasi u ndan Mirashi u drejtua për në bujtinën që rri.
Po më datën e sipërme Mirashi ësht takuar në Bulevard të math me Muhamet Hoxhën ish drejtor i Shkollës teknike të këtushme, ky nuk ka pas qëndrim të mirë ndaj Lëvizjes tonë. Mbasi shtiti pakë me Mirashin u ndan dhe Mirashi më vonë shkonë përsëri në hotelin ku qëndron. Muhameti mbasi u nda prej Mirashit takohet me Gjergj Kokoshin dhe mbasi biseduan tue shtitur u ndan me drejtime të ndryshme. Në hotel ku banon Mirashi (Kontinental) shikohet që të ven shum burra dhe gra që takohen me të, populli flet mirë për të.

Shefi Seksionit të II-të

(Dhosi Progri)

(firma)

V.F.L.P. Tiranë më 8.10.945

R A P O R T MBI LËVIZJET E MIRASH IVANAJT

Me datën 4 k.m. në orën 8.15 shkoi në Kontinental i quajturi Ramazan Kaçeli, i cili u takua me Mirashin, mbasi ndenjën pak duallën të dy së bashku tue bizedue në disa shëtit pazarit, në orën 8.5 u ulën në Kafe Savoja ku ndenjën 10 minuta, prej këtu u drejtuan në dyqanin e Kaçelit, këtu Mirashi nuk qëndroi por shkoi drejt në Bibliotekë, kurse Ramazan Kaçeli ngeli në dyqan. Prej Biblioteke doli jashtë në orën 10 ku u takua me Sali Taganin, shëtiti me të deri në orën 11.30. Mbasi u nda prej tijë shkoi drejt në Hotel. Ka dalë në orën 5 mbas dite duke shkuar drejtë në Ministrinë e Kulturës, ku qëndroi gati 20 minuta. Prej Ministrije shkoi drejt në Bulevardin ish Musolini. Në rrugë takoi me Nikolla Ivananë, u shoqëruan deri ne kisha katolike, aty u kthye prapa dhe shkoi në Hotel, nga ku doli me një herë, bëri disa shëtitje vetëm pa u takuar me as njeri dhe shkoi prapë në Hotel (ishte ora 8) dhe nuk doli më.

Me datën 5 k.m. në orën 7.30 erdhi Ali Bakiu dhe kanë bizeduar gjyzëm ore dhe iku në orën 8. Pastaj ardhi Muhamet Hoxha, ish Drejtor i Shkollës Teknike i cili me Mirashin që atëhere kish një miqësi, me këtë bizedoi më se gjysëm ore. Prej kësaj ore e deri në 12.15 nuk erdhi njeri. Në orën 12.15 erdhi Gjergj Kokoshi dhe u takua me të. Ky hyri në dhomë të Mirashit dhe pasi bizedoi 15 minuta u largua. Ka pasur takime dhe me Sali Taganin të cilit i shkoi dhe në shtëpi, është shoqëruar me Musa Petrelën të birin e Shaqir Petrelës.

Me datën 6 k.m. është takuar në rrugë rastësisht me Gjergj Kokoshin, por u ndanë për një herësh. Po në këtë datë Gjergji është takuar me Llazar Treskën dhe me Prof. Loni Kriston. Po në këtë datë Mirash Ivanaj ka qenë i thirrur te Sali Tagani për drekë (në shtëpi) ku kanë ndenjur deri në orën 11.30. U muarr vesh se ishte thirrur dhe Gjergj Kokoshi, por nuk u pa që të hynte e të delte gjë. Po me këtë datë Ali Bakiu kërkoi me telefon Mirashin, i cili nuk ishte aty, kështu Ali Bakiu erdhi ta takonte personalisht por përsëri nuk e gjeti në dhomë.

Shtojmë se këta elementa që takohen me Gjergj Kokoshin, janë parë shumë herë tue ndenjur në zyrën e Ing. Xegës, si Ing. Llazar Treska, Prof. Loni Kristo e Niko Konda.

JANË NË VËZHGIM.

SHEF I SEKSIONIT TË II-të

(Dhosi Progri)

(firma)

Tiranë me 19 Nëndor 1945
Nga Seks.M.P.Tiranë

Me datën 7 të k.m. Mirash Ivanaj ka dalë nga shtëpija e tijë në orën 10.30 shkoj në zyrat e ujsjellsit pas SEM-pit të këtushëm, aty u takua me përgjegjsin që është një inxhiner Rus, qëndrimi i të cilit thuhet se nuk ka qenë i mirë. Ingjineri në fjalë ndodhet prej kohe në Shqipëri i ikur nga Rusija që në kohën e revolucionit. Mirashi si iku prej këtej para Bankës së Shtetit u takua me nji grua të pa njohur, e cila i dha nji letër që ky e këndojë. Prej këtej shkojë në shtëpin e Sali Taganit, ku qëndrojë për një orë, prej këtu shkojë në dyqanin e Hem Kellezit Nr.28 Nënduer ku ndenji gjysëm ore e shkoj në shtëpin e vet.

Nga Seks.II-të

10.X.45: Nuk dimë deri ku asht e sinqertë një informatë simbas së cilës rrethet që e pritën të parët Mirash Ivananë, këtu në Tiranë, tash së fundi kanë filluar ta sulmojnë, duke thënë se aji nuk interesohet, nuk do ta prishi me Qeverinë se ka shpresë që të marrë prapë shtëpin që i kishin konfiskuar italianët në Tiranë të Re. Nga ana tjetër thanë se pas Ivanajt presin të vinë dhe Qemal Butka, Dalip Zavalani, Avdyl Zalo Geçoja, e ahere të shofim për formimin e ndonjë grupi për zgjedhjet. Për këta që presin thonë se janë Antifashistë të njohur dhe se Pushteti i jonë nuk ka se ç’të thotë. Reaksioni ka shpresë se edhe prej radhëve tona do të ketë mjaft që do të dalin hapur në favor të tyre. Po të besojmë fjalët që u nxuarr nga një bizedim me dentistin Hasan ___ero, duhet të marrim parasysh se reaksioni zgjedhjet i pret me me’avititet’ që do të thotë me shumë etje e pa durim. Një gjë ësht e vërtet: Duken lëvizje të qarta dhe të shpeshta të reaksionarve të njohur dhe parrullat e tyre i lidhin me gjendjen e sotme, me mos njohjen e qeverrisë, dhe me politikën që duhet të bëjë vendi për tu bërë qejfin englezëve.

900. – Nga survejimi që i ashtë bërë prej datës 12-16/II/1947 janë konstatuar këto lëvizje:
Gjatë ditës nuk ka bërë lëvizje ose takime me elementa të dyshimtë. Ky si del nga shtëpija shkon drejtë në shkollë, dhe si del këndej ban nji shëtitje në Pazar dhe përsëri këthehet në shtëpi. Prej shum kohe që ka qenë në survejim nuk ashtë parë të takohet me ndonji njeri jashtë, dhe as që saluton ato që njeh, për pa qenë salutue prej tyre më parë.

Me datë 16/II/1947 dolli prej shtëpije dhe shkoj drejtë në shtëpinë e Sali Taganit rruga Vll. Huta Nr. 119, në këtë shtëpi shkonte dhe disa kohë më parë, mbassi ka nji miqësi të vjetër me këtë. Këtu ka ndenjur deri në ora 12.30 dhe së bashku me Salin dollën prej shtëpisë ku mbassi banë disa shëtitje deri në Pazar, u nda nga Saliu, dhe u drejtua për nga shtëpija.

Nga sa kemi konstatuar gjatë gjithë kohës që e kemi në survejim ky ruhet shumë nga takimet me elementat e dyshimtë jashtë, kurse në shtëpi nga informatat që kemi pasur herë pas here janë bërë lëvizje, por këto shumë konspirative dhe me sa kuptojmë të pregatitura.
Survejimi mbas tashit do të bëhet vetëm përsa i përket shtëpisë, mbassi në lëvizje jashtë nuk po del gjë gjatë gjithë kohës që ka qenë në survejim.

Ku po shkon kjo Shqipëri e mbetur pa asnjë rregull dhe pa institucione?

Nga Riza Hoxha

Nuk ka të ndalur largimi i shqiptarëve. Aq sa duket se asnjë shqiptar nuk ka dëshirë të mbetet në këtë vend që po kthehet në një vend ku perspektiva për të nesërmen është e pakapshme për shumicën e shqiptarëve. Të gjithëve u është mbushur mendja se kjo Shqipëri pa asnjë lloj rregulli, pa ligje të zbatueshme dhe pa institucione efikase, duket se është kthyer në një vend që i frymëzon të rinjtë vetëm për t’u larguar. Duke mos kthyer më kokën pas. Është një e vërtetë që e dimë tashmë të gjithë. Po të gjithë heshtim, bile e nxisim të vazhdojë me të njëjtin ritëm kjo shpërngulje. Sa një ditë jo shumë të largët do të shohim një vend në breg të Adriatikut, krejt të shkretë. Ku vetëm disa oligarkë famëzinj do t’ia japin me qera ndonjë miliarderi nga përtej oqeanit. Dhe disa politikanë që për të kaluar ditën do të grinden se cili ka arritur të mbushë me shumë xhepat me miliona.


Ndaj ne shqiptarët tashmë pyesim: Ku po shkon kjo Shqipëria jonë e mbetur pa asnjë rregull dhe pa institucione të vërteta? Kështu si po vijnë punët në këtë Shqipërinë tonë, nuk është e largët dita e braktisjes së plotë të këtij vendi. Sepse tashmë e shohim si është shndërruar. Me një pushtet krejtësisht familjar, me një klasë politike plaçkitëse, me një Drejtësi të përbërë në shumicë me plazhistë të Durrësit që janë kthyer në milionerë në vetëm pak vite. Një vend me vrasës me dhe pa pagesë që dalin në rrugë dhe vrasin këdo që u shkon mendja, apo për kë i kanë urdhëruar kundrejt milionave të përfituara. Si askund tjetër, shteti ynë në të shumtën e rasteve nuk i njeh dhe nuk i di se cilët janë.

Në këtë gjendje të turbullt ku është zhytur Shqipëria, politikanët tanë çuditërisht vetëm qeshin e bërtasin për fitoret e arritura kur janë në pushtet dhe vetëm mallkojnë për nivelin e varfërisë kur janë në opozitë, aq sa tashmë palo politikanët tanë e kanë kthyer Shqipërinë në një aset fitimprurës të vetëm një dore maskarenjsh kur janë në pushtet. Këta politikanët tanë që kanë vetëm një mision: ta shkatërrojnë Shqipërinë asnjëherë nuk na tregojnë se çfarë kanë mbjellë ata ndër vite. Sepse populli thotë: çfarë do mbjellësh, do të korrësh! Kjo klasë politike tashmë e ka kuptuar se çfarë ka mbjellë gjatë 27 viteve. Po ta tregojë vetë i duhet të këtë një çikë moral. Po ajo nuk pjerdh e nuk do t’ia dijë për moral! Atë ve ka humbur prej vitesh.

Janë këto arsyet që shqiptarët që kërkonin “Shqipërinë si gjithë Evropa”, tashmë të mbytur nga hallet, nga varfëria janë krejtësisht të tromaksur sa nuk dinë si t’i hedhin hapat drejt së nesërmes. Një e nesërme krejt e zymtë për shqiptarët.

Që të arrijnë një të nesërme të ndriçuar, shqiptarët duhet të zbardhin shumë probleme të mjegullta që i kanë lënë në errësirë dhe i kanë bërë shqiptarët të gjejnë zgjidhjen duke iu drejtuar emigracionit. Për këtë kërkohet një Vetting në radhë të parë për klasën politike dhe jo vetëm për plazhistët e Durrësit. Pasi të dyja palët janë fajtorët e vetëm për gjendjen katastrofale ku është zhytur Shqipëria. Fjalët e shumta se, mund të ndryshojë diçka duke shpallur republikën e re, janë më shumë fjalë për të mbuluar vargun e të këqijave që e kanë mbuluar këtë vend gjatë 27 viteve.

Kjo klasë politike një herë duhet të ndërgjegjësohet se nuk duhet të heshtë më për të kaluarën e afërt. Pastaj të kërkojë votën. Kështu, PS duhet të na tregojë pse ngriti pushtetin familjar sa çuditi gjithë dynjanë. PD të na tregojë se pse heshti dhe fjeti këto 3 vjet e gjysmë pa çelur një herë gojën për çfarë po bënte pushteti i familjes?! Çudia është se vetëm tani, kur zgjedhjet janë në prag, na kërkon votën dhe këmbëngul për zgjedhje të lira e të ndershme. Që këtu nuk po tregohet e sinqertë. Votimet në Shqipëri sa herë do të kujtohen për pandershmërinë me të cilën kanë kaluar gjatë këtij çerekshekulli. Dhe për këtë PD ka jo pak merita. Po ashtu tani kërkon votën, ndërsa nuk na thotë asgjë për këto 27 vite që kaluam si i thonë fjalës “me brekë nëpër këmbë”. Ajo dhe PS duhet të flasin për dështimin e kësaj Republike. Jo vetëm të na thonë se do ta zëvendësojmë me Republikën e Re. Të paktën të na flasin për masakrën shtetërore që në mënyrën më të paturpshme nuk u ndëshkua asnjë për të. Gërdecin shqiptarët nuk do ta harrojnë ndonjëherë sado vite të kalojnë. Sepse është krim i pastër shtetëror. Këtë e ka bërë edhe çadra e ngritur prej dy muajsh në qendër të Tiranës; t’i ngjajë një arme që po i shërben vetasgjësimit të kësaj klase politike.

Në situatën që ne jemi, asnjë diplomaci siç kanë ardhur punët nuk mund të zgjidhë krizën që ka përfshirë politikën e çuditshme shqiptare. Një politikë që sot vetëm kapërdihet me të vetmin synim: të mbrojë vetveten, pasi e ka të qartë se meriton vetëm burgun. Puna ka arritur sa, edhe kryetarë partish mallkojnë diplomacinë amerikane e evropiane si të implikuar në përpjekjet për vënien në zbatim të reformës së Drejtësisë dhe të Vettingut. Si për t’i treguar gjithë botës së klasa politike shqiptare ka kapur majat për pafytyrësinë e saj. Tashmë, Shqipëria ka mbetur në ngërç. Aq sa tashmë nëse dikush do të ndërhynte, për zgjidhjen e këtij ngërçi do të mbetej në vorbullën e të sharave e do të hidhej në zjarr nga të gjitha palët që janë të interesuara vetëm për mbrojtjen e vetvetes.

Ç’po ndodh në këtë situatë, ku disa shqiptarë flenë në çadër në mes të Tiranës, disa i tremben ç’mund t’u zbulojë vettingu, ndaj po bëjnë çmos që ai të mos vijë ndonjë ditë në Shqipëri, disa shikojnë të mbushin xhepat në këtë fillim fushate elektorale. Janë vetëm disa të tilla. Ndërsa shumica e shqiptarëve që kanë humbur çdo lloj perspektive në këtë vend pyesin njëri tjetrin: “A dimë ne të vetëqeverisemi apo jo ? Deri tani kemi treguar se e kemi të vështirë të vetëqeverisemi vetëm dhe pa ndërhyrjen ndërkombëtare. Bile edhe ata i kemi lodhur shumë. Ndërsa ne dimë mjaft mirë vetëm për të sharë njëri-tjetrin. Për këtë jemi të vetmit”. Tashmë për një gjë jemi të sigurt: Jemi vetë fajtorë të vetvetes. Ndaj dhe kemi vënë në krye të sofrës sonë Pandëshkueshmërinë, si asnjë vend tjetër në këtë botë. Ndërsa vuajtjet vetëm po na rriten në vazhdimësi. Këtë e meritojmë ne. Sepse mbajmë në krye të vendit lloj-lloj plaçkaxhinjsh.


Zbardhet dëshmia e panjohur, kush e vrau Isa Boletinin




Zbardhet dëshmia e panjohur që hedh dritë mbi një ngjarje rrethuar me mister. Si ra heroi i madh, Isa Boletini?

Nga Besnik Dizdari

Kisha kohë që e kërkoja atë libër. Ndoshta disa vite. Dhe kjo, thjesht me shpresë për të gjurmuar edhe më tepër për rënien e heroit të madh, Isa Boletini. Aq më tepër që më mbërrinte disi zbehtë e dhëna se Isa Boletinin e kishte vrarë babai i Milovan Gilas-it. Të ishte e mundur?…

Ndoshta çelësi mund të ishte vërtet libri i Milovan Gilas-it, “Toka pa drejtësi”. Më dukej e çuditshme, madje pak si prej fabule që familja e Milovan Gjilas-it të qe përfshirë në rënien e Isa Boletinit. Drejtë me thënë, nuk e besoja fort. Ndërkaq, ka vite që e ndjek veprën tanësore të Milovan Gilas-it.

Kjo, sepse figura e tij, përveçse e lidhur me gazetarinë e historinë, është e shumanshme ngado që ta marrësh. Komunist qysh në vitet ’20, bashkërithemelues i Partisë Komuniste të Jugosllavisë, partizan i orëve të para, pjesë e katërshes së famshme byroiste Tito – Kardel – Gilas – Rankovic, zëvendëskryeministër i Jugosllavisë komuniste, shkrimtar, gazetar, botues i “Borbës”, bashkëpunëtor krejt i afërt i Titos. E mandej? Mandej disident, kundërkonformist ndaj vetë Partisë së tij, autor i librave dhe shkrimeve që vetvetiu rrëzojnë shoqërinë komuniste, qoftë edhe atë jugosllave, e kësisoj i shndërruar në kundërtitist. Gjëra që pak a shumë dihen këto, qoftë edhe prej disa përkthimeve të dy-tre librave të tij të njohur në shqip.

Dhe mbi të gjitha i papërkulshëm. I burgosur i paraluftës prej Mbretërisë Jugosllave, i burgosur dy herë prej Partisë së tij të Jugosllavisë Komuniste, Hero i Popujve të Jugosllavisë, titull i hequr mbas kthesës së tij, Sergio Romano, një studiues, politolog e gazetar i madh, e ka përcaktuar kështu Milovan Gilas-in: “Një nga intelektualët më të ndritshëm të Europës Qendrore-Lindore dhe natyrisht më heretiku i komunistëve europianë në vitet e luftës së ftohtë”.Librat dhe shkrimet e Gilas-it, dihet, kanë pasur dhe kanë një jehonë mbarëbotërore. Është një marathonë e tanë, tash kundërkomuniste e kundërstaliniste e tij. E nis më 1957-n, me librin e famshëm “Klasa e re. Kritikë e komunizmit të sotëm” (“Nova Klasa. Kritika savremenov komunizma”, Londër 1957). Nuk do të ndalin librat e tij, rreth 20, duke tronditur sa s’ka ku shkon më edhe lidershipin e Josip Broz Titos. Mandej mbërrin deri dhe te studimet letrare, romanet e histori mirë- filli. Libri i tij i dytë, është ky që ka të bëjë me temën tonë: “Toka pa drejtësi” (“Zemlja bez pravde”).

Më 1956 ai e dërgon librin në shtëpinë botuese “Srpska Knjizevna Zadruga” të Beogradit. Dëshiron që librin ta mbështesë nobelisti Ivo Andric. Por Andric refuzon ta lexojë duke i thënë pa u tronditur aspak:
“Kjo për mua do të krijonte telashe, përderisa jam një anëtar i Partisë”! Edhe pse ky është libri i vetëm i Gilas-it që thuajse s’ka asgjë kundër regjimit titist e shoqërisë komuniste! E ai arrin ta botojë në Nju Jork më 1958, madje duke qenë në burg. Në italisht libri botohet më 1959-n. Për çudi ka mbetur krejt në heshtje. Ky është ekzemplari që kam unë në zotërim. Them pa mëdyshje se ky është libri më i ndryshëm prej gjithë të tjerëve që do të vinin më mbas në rritje spektakolare të rëndësisë së tyre.

Kam shumicën e tyre dhe në to ka kaq shumë Shqipëri, saqë deri më sot, në botime të ndryshme disi fragmentare, te ne është e njohur vetëm nja 30 për qind e kësaj “Shqipërie” të tyre. Ia vlen që një herë tjetër t’i kthehem deri në shterim. Nuk ma merrte mendja se do ta gjeja librin “Toka pa drejtë- si” (“Zemlja bez pravde”). Dhe mû kur i kisha humbur shpresat, papritmas “zbuloj” një bukinist në Romë, i cili oborrin dhe një dhomë të vogël, ndoshta të shtëpisë së tij, i kishte shndërruar pra, në librari të librave të vjetër në një dekor që të dukej se vinte nga Italia e shekullit XIX…

Ai kishte vetëm një kopje të këtij libri të 57 vjetëve më parë. Për çudi një kopje të mirëmbajtur, krejt e re, ndonëse disi fletët e zverdhura, por i pahapur, deri aty sa që faqet e tij nuk ishin prerë, ashtu siç dilnin librat dikur. E preka plot gëzim dhe m’u kujtua një thënie kuptimplote e Varlam Tikhonovich Shalamov-it (1907-1982), shkrimtar e poet i shquar rus, përveç të tjerave një bibliofil i madh, i cili i ka vuajtur të gjitha: prej gulagut stalinian e deri te ndalimi i veprës së tij. Thotë Shalamovi: “Nuk ka gjë më të ëmbël se sa kur të bjen në dorë një libër ende i palexuar”. Këtë ndjesi pata dhe unë teksa kisha në dorë “Toka pa drejtë- si” (“Zemlja bez pravde”) të Milovan Gilas-it.
Është një libër i mrekullueshëm, që i kushtohet fëmijërisë dhe rinisë së parë të Gilas-it.

Por në të vërtetë, më e rralla e këtij libri qëndron sidomos në përshkrimin e jashtëzakonshëm që ai i bën Malit të Zi të periudhës midis dy luftërave. Zakone, histori, luftëra, krime, zhvillime e moszhvillime, atdhetari e trimëri, madje edhe antropologji e etni, kanune e hakmarrje. Gilas nuk është i mëshirshëm, por them se është tejet realist për ato çka di, ndonëse herë-herë pasioni për të shkruar e bën të bjerë paksa edhe në subjektivizëm. Sidomos kur është fjala për babën e tij. E kuptueshme kjo për këdo.

Ka jo pak Shqipëri ky libër i Milovan Gilas-it (1911-1995) origjinar i Podbishes të Malit të Zi, fshat që ndodhet vetëm nja 150 kilometra larg Shkodrës. Ose më mirë të thuash, libri ka jo pak marrëdhënie shqiptaro-malazeze. Jemi shpinë më shpinë, dhe them se nuk ka gjë më me vlerë që ta shohësh historinë e vendit tënd duke pasë përpara edhe historinë e fqinjit tënd, qoftë ai i mirë apo “i keq”. Mbërrita kështu te fragmenti përshkrues i rënies së Boletinit tonë, për herë të parë nën gjykimin e një malazezi të famshëm pra.

Natyrisht, nuk prita se aty do të gjeja elozhe dhe as ditirambe, qoftë edhe prej një Gilas-i. Ajo që u vërtetua pa mëdyshje ishte kjo befasi: se babai i Milovan Gilas-it, Nikola Gilas, është njeriu apo ushtaraku që drejtoi aksionin e vrasjes së Isa Boletinit. Gilas-i nuk e pranon se babai i tij ka vrarë Boletinin. Por Gilas-i pranon se babai i tij e ka ngritur pushkën për ta qëlluar Boletinin.

Pa pasur kohë megjithatë ta shkrepë, sepse plumbi i një ushtari të Nikola Gilas-it kryen punë më shpejt. Dhe babës së Gilas-it nuk i mbetet gjë tjetër, veçse ta lejë pa e shkrepur pushkën e tij. Atëherë? Atëherë them se nuk ka rëndësi nëse Boletini ynë u vra prej plumbit të Nikola Gilas-it apo të një ushtari të komanduar prej tij. Dhe do apo s’do Milovan Gilasi, i ati i tij, në njëfarë mënyre, është edhe ai vrasës i Isa Boletinit. Ajo çka shkruan Gilas-i në tregimin e këtij episodi do ta gjeni fjalë për fjalë shkëputur prej librit të tij, e botuar në shqip për herë parë këtu në “Panorama”.

Dhe po t’i bënim një kritikë letrare këtij përshkrimi, që në të shumtën i bën nder aktit heroik të Isa Boletinit, them se kemi të bëjmë me një stil të nivelit të lartë, çka dihet që Gilas-i e ka pasur zotëruar si pakkush. Është një përshkrim rrëqethës dhe për ne rëndësi ka se përmes tregimit të birit të “vrasësit”, ne gjejmë një afirmim madhështor për heroizmin e Isa Boletinit. Sigurisht, nuk është aspak e vërtetë ajo që shkruan Gilas-i se: “Heroi i shquar shqiptar Isoja i Boletinëve, zgjodhi pikërisht këtë çast të një rrënimi të përgjithshëm, të dëshprimit dhe të kaosit, për të sulmuar Podgoricën”. As që e kishte ndër mend Boletini një veprim të tillë.

Nuk do të zgjatem në këtë, sepse mjafton të merrni në dorë librin e çmueshëm “Kujtime” të Tafil Boletinit, i pranishëm në Podgoricë në ditën e rënies së axhës së tij Isa, për të kuptuar pavërtetësinë e këtij synimi, gjoja të kaçakëve shqiptarë që “dunë me na djegë e me na plaçkitë Podgoricën”. Rrénë e madhe kjo, që, për fat të keq, del edhe nga penda e bukur e një Milovan Gilas-i. “Këtë propagandë e kishte përhapë qeveria, se gjoja shqiptarët rreth kufinit, të shtytun nga Austria, do të na djegin qytetin”, siç e thotë paragjykimin e malazezëve Tafil Boletini.

Mbrapaskenat e eliminimit të heroi tonë duken qartë që zbrisnin nga vija beogradase, ndoshta edhe e një Pashiçi, duke shfrytëzuar paqëndrueshmërinë e Podgoricës së atyre ditëve. Të tjerat janë një dinakëri e rrallë, një absurd që do të mbërrijë deri edhe te vizita për ngushëllime e gjeneralit Radomir Veshoviç, që dihet, ishte frymëzuesi i vetë aksioneve të Nikola Gilas-it, babës së Milovanit, siç del qartë edhe nga ajo çka përshkruan ky i fundit në librin e tij. Shkruan Tafil Boletini: “Oficeri komandues me za të naltë urdhnon: “Predajte oruzhje”! (“Dorëzoni armët!”). Axha Isa: “Jo besa kurr s’ia kam dorëzue mbretit, as kralit”. E logjika ta do se ky oficer komandues nuk mund të jetë
tjetër përveçse Nikola, babai i Milovan Gilas-it. Është ndërkaq, vërtet interesante që si në një “contrappunto” i episodit të rënies heroike të Boletinit, Gilas-i paraprin me përshkrimin e një krimi të shëmtuar të malazezëve ndaj një bashkëkombasi të tyre të pafajshëm, për më tepër i verbër.

Dhe pikërisht nga kjo “antropologji” kriminale, nëse mund të përcaktonim kështu, Gilas-i shkon menjëherë te përshkrimi i rrallë i heroizmit të Boletinit tonë, duke e ngritur figurën e tij deri në lartësinë e një heroi, teksa e mbyll me përcaktimin sublim thuajse të një romantike: “Kur të vjen koha për të vdekur, do të ishte bukur të bije si Isa Boletini”. A mbaron këtu kjo histori? Them se jo. E pra, cili është fati i Nikola Gilas-it, babës së Milovan Gilas-it?

Edhe në përgjigje të kësaj pyetjeje shkojmë te logjika e palëkundshme se historia shkruhet, por dhe rishkruhet, ngaqë gjithmonë dalin fakte të reja. (Përfitoj nga rasti i këtushëm për të vlerësuar, natyrisht për mendimin tim, dy libra të kohëve të fundit: “Për Gjermaninë” të Bashkim Zenelit dhe sidomos “Pranvera e rrejshme e ’56-s” të Ana Lalajt, çka them se me seriozitetin e tyre, me shpalosjen e shtjellimin e plot fakteve të panjohura e dokumentacionin, janë një provë e bukur e rëndësisë së rishkrimit të historisë edhe në Shqipërinë tejet të njëanshme në këtë kah. Po aq mund të them edhe për ribotimin e librit të Uran Butkës për “Luftën civile në Shqipëri”.

E do të guxoja të shtyhesha edhe më tej në vite: askush nuk mund ta injorojë qoftë dhe librin tejet të diskutueshëm të Tahir Kolgjinit për Esat Pashën). Dhe shihni tash se sa thjesht mund të gabohet. Edhe në faqe serioze të internetit të sotëm ku përshkruhet gjatë biografia e Milovan Gilas-it, do të gjesh këtë informacion të rremë, tek shkruhet fjalë për fjalë: “Milovan Gilas-i ka mbetur jetim nga babai qysh i vogël”…

Çka assesi nuk është e vërtetë. Mirë interneti, që siç thotë një studiues aq shpesh është i pasigurt, po një historian si Vladimir Dedijeri?… Dihet ndërkaq, se midis Milovan Gilas-it dhe historianit të Partisë Komuniste të Jugosllavisë, të mirënjohurit Vladimir Dedijer, autori i librit “Marrëdhëniet Jugosllavo – Shqiptare (1939-1948) përgatitur nga Dr. Sofokli Meksi – që ec e gjeje po deshe – sa ka miqësira, bashkëpunim e pësime të përafërta, po aq ka prishje e moskuptime. Ka shkruar fjalë për fjalë Dedijer-i: “…Është fjala se çka ka ndodhur në Kosovë më 1914-n, me përzanien jashtë saj të serbëve dhe malazezëve dhe të një serie krimesh.

Midis të tjerëve një natë u vra edhe babai i Milovan Gilas-it, Nikola Gilas.” Kundërpërgjigjet Milovan Gilas-i, tek shkruan edhe ai fjalë për fjalë në mbrojtje të faktit të vërtetë dhe të dobësisë së natyrshme për babën e tij: “Babai im është vrarë prej shqiptarëve, por jo për hakmarrje pronarësh, por prej fashistëve më 1943- shin, sepse ishte një plak i respektuar malazez, babë i bijve të tij komunistë. Dhe jo në ‘një natë’, por ditën për diell”. Një historian i shquar si Dedijer e prapëson vrasjen e Nikola Gilas-it 30 vjet mbrapa, më 1914-n.

Mes shkulmave të ngrohtësisë së një shpirti humanist!



Vështrim eseistik per veprën letrare “Diademë letrare” të autorit Flori Bruqi




nga Prof.Dr. Eshref Ymeri

“Një kirurg i mirë e di se kur thika e tij është duke prekur nervin. Edhe një kritik i mirë e ndien po ashtu lëvizjen e penës së vet”.

Bernard Shou



Me librin e ri “Diademë letrare”, autori Flori Bruqi, i mirënjohur për krijimtarinë e tij të begatë në shumë fusha të dijes, vë në dorën e lexuesve një tjetër vepër interesante, në të cilën pasqyrohen ngjarje të vrragshme në jetën e kombit shqiptar, probleme të gjuhës shqipe, përsiatje në fushën e kritikës letrare, vlerësime mjaft të gjetura për veprimtarinë krijuese të autorëve të ndryshëm, nisur gjithmonë nga objektiviteti shkencor që është produkt i formimit të tij të admirueshëm intelektual.



Ai bën interpretime dhe shpreh këndvështrime për vepra letrare nga pikëpamja e aktualitetit, duke i lidhur ato me problemet e mprehta të jetës shoqërore dhe shpirtërore të popullit shqiptar dhe duke nxjerrë në pah tërthorazi edhe bindjet e veta si kritik, të mbështetura mbi një truall të shëndoshë kombëtar.

Tek po e lexoja me kureshti çdo faqe të këtij libri mjaft tërheqës, më erdhi ndër mend një shprehje e bukur e Oskar Uajldit (Oscar Fingal O’Flahertie Wills Wilde – 1854-1900), filozof, estet, shkrimtar dhe poet anglez me origjinë irlandeze, njëri nga dramaturgët më të njohur të periudhës së vonë viktoriane, i cili thoshte:
“Kritika kërkon më shumë kulturë sesa krijimtaria”.

Dhe me të vërtetë: vlerësimi kritik i krijimtarisë artistike kërkon formim të gjerë kulturor, i cili përfaqëson në vetvete një “fletëhyrje”, një “lejekalim” për çdo vepër letrare, që kjo të çajë drejt zemrës së lexuesve.

Prandaj Flori Bruqi, me formimin e tij, si një intelektual erudit, nxjerr në pah dhe konfirmon parimet krijuese që përvijohen në veprat e shumë autorëve në botën e letrave shqipe, ushtron ndikim të ndjeshëm mbi procesin letrar, si edhe mbi kristalizimin e drejtpërdrejtë të vetëdijes shoqërore.

Vlerësimet e tij herë-herë mbartin një karakter publicistik, duke u pleksur me gazetarinë, si edhe një natyrë të mprehtë nga sfera politikës së ditës. Por ato, në të njëjtën kohë, janë të lidhura ngushtë edhe me shkenca të pranëndodhura (fqinjësore), si historia, gjuhësia dhe politologjia.

Shumë interesante janë përsiatjet e autorit për letërsinë dhe për psikologjinë. Aty ai ndalet në figurën e Frojdit, i cili njeriun e vë në qendër të psikanalizës. Në qendër të doktrinës psikanalistike frojdiane për njeriun, qëndron fakti se njeriu përfaqëson në vetvete një sistem energjetik.

Sipas Frojdit, njeriu, në këmbënguljen e tij të padiskutueshme për kënaqësi, hyn në konflikt me shoqërinë dhe me qytetërimin. Njerëzit, sipas tij, veprojnë në përputhje me parimin e kënaqësisë, me pikësynimin për t’i përmbushur dëshirat e veta pa kurrfarë kufizimi.

Duke ballafaquar Frojdin me Marksin në vlerësimin e individit, autori ndalet në atë që mund të quhet antropologjia filozofike e Marksit. Të mirën dhe të keqen në natyrën e njeriut, dashurinë apo egoizmin, në dallim nga Frojdi, Marksi e shpjegon jo me vetë natyrën në fjalë, jo me ndonjë sistem energjetik, por me rrethanat shoqërore. Këtë ai e shpjegon me faktin se njeriu apo individët i krijojnë vetë rrethanat shoqërore në ecurinë e zëvendësimit të breznive.

Mjaft interes ngjallin ballafaqimet që bën autori për gjuhën shqipe dhe sidomos për lashtësinë e saj, duke sjellë brenda thurimës së lëndës pikëpamjet e mjaft shkencëtarëve të shquar të albanologjisë, nga hapësirat evropiane dhe nga trojet amtare.

Atë e dëshpëron fakti që historianët, përgjithësisht, i trajtojnë kulturat që kanë krijuar popuj të ndryshëm të periudhave parahistorike apo historike, por kur është fjala për etni konkrete, ata ose flasin pak ose heshtin fare për popujt që i kanë krijuar qytetërimet përkatëse.

Duhet pranuar se historianët e huaj kanë heshtur qëllimisht për etninë shqiptare se lashtësia e saj ka ngjallur xhelozinë e tyre, veçanërisht lashtësia e gjuhës shqipe.

Fakti që Plini Plaku (Gaius Plinius Secundus (23-79 e.r.), nartyralist i shquar romak, në veprën me titull “Naturalis Historiae” (Historia e Natyrës), në vëllimin VII, shkruan : “Ilirët (arbërit) kanë krijuar të parin alfabet dhe romakët shkrimin e tyre e morën nga ilirët”, fakti që, pas Plini Prakut, historiani i lashtë romak Apiani (Аппиано́с Александре́ус – 95-170), me prejardhje greke dhe që ka shkruar në greqishten e vjetër, autor i veprës “Historia e Romës”, ka përsëritur të njëjtën gjë, fakti që profesori hungarez Imre Toth, specialist i sllavistikës, në librin e vet kushtuar Kirilit dhe Metodit, dy krijuesve të alfabetit të sllavishtes së vjetër, thotë se, ndër burimet që ata shfrytëzuan për krijimin e alfabetit në fjalë, ishte edhe shkrimi i vjetër shqip, janë dëshmi të pastra se gjuha shqipe qëndron në themelin e të gjitha gjuhëve evropiane. Madje Engelsi, për Apianin, në veprën “Ludvig Fojerbahu dhe fundit i filozofisë klasike gjermane”, shkruan:
“Nga historianët e lashtë, të cilët kanë përshkruar luftën që është zhvilluar në gjirin e Republikës Romake, vetëm Apiani është ai që na flet qartë dhe shkoqur…”.

Një hapësirë boll të mjaftueshme në librin në fjalë autori ia ka kushtuar shkrimtarit racist serb Dobrica Qosiç, filozofisë së urrejtjes të të cilit ndaj kombit shqiptar ai ia ka çjerrë maskën me vet fjalët e këtij shovinisti të regjur, sipas të cilit, në raport me etninë shqiptare, populli serb na qenka, demek, populli më demokratik, më i civilizuar dhe më i arsimuar i Ballkanit!

Me ditarin e vet me titull “Koha e gjarpërinjve”, të cilin e pati shkruar në periudhën 21 mars 1999 – 1 janar 2000, Dobrica Qosiç, në qëndrimin racist ndaj etnisë shqiptare, zë kryet e vendit, përkrah kryeministrit serb të vitit 1913 Vladan Gjorgjeviç, shkrimtarit Ivo Andriç, akademikut Çubrilloviç, kryepeshkopit Pavle që prehet në аtë botë dhe kryepeshkopit të tanishëm Irinej, si edhe të shumë …viçëve të tjerë antishqiptarë.

Por Flori Bruqi, me elegancën intelektuale që e karakterizon, është sqimatar në leksikun që përdor për të nxjerrë në pah mllefet e Qosiçit kundër popullit shqiptar të Kosovës, mllefe këto që, në të vërtetë, zbulojnë antivlerat e tij intelektuale. “Ekranizimi” që Flori i bën në këtë vepër racizmit të Qosiçit, më kujton një letër shumë interesante që shkrimtari i shquar francez Romen Rolan (1866-1944), laureat i Çmimit Nobel në vitin 1915 për veprën me titull “Për idealizmin e lartë të veprave letrare, për simpatinë dhe për dashurinë për të vërtetën”, ia dërgonte një kolegu të tij gjerman në vitin 1914, edhe ky laureat i Çmimit Nobel për vitin 1912. Shkak për atë letër ishte bërë sulmi i trupave gjermane kundër Belgjikës.

Letra në fjalë i drejtohej dramaturgut të njohur Gerhart Hauptman (1862-1946) më 29 gusht 1914 dhe qe botuar më 2 shtator 1914 në “Journal de Geneve”. Në të ai shkruante:

“Lufta është fryt i dobësisë së popujve dhe i budallallëkut të tyre… Unë… e pashë se si trupat tuaja po shkelin neutralitetin e Belgjikës fisnike. Ky është një veprim i pandershëm që ngjall përbuzje në çdo vetëdije të ndershme dhe është pjesë e traditës politike të mbretërve tuaj prusianë”.

Pra, Flori Bruqi, në analizën e kthjellët që i bën racizmit të Dobrica Qosiçit, hedh dritë mbi një traditë tashmë të konsoliduar gjatë një periudhe mbinjëshekullore të një racizmi mbarëkombëtar serb, të cilin vargani i mbretërve, njerëzit e letrave, bota akademike dhe politika e ushqyer prej tyre, ia kanë kultivuar mbarë kombit serb në çdo pore të tij.

Kësisoj Flori Bruqi, me një qetësi “patriciane”, e zhvlerëson tërësisht deklaratën butaforike të Qosiçit për popullin serb, si më “demokratiku”, më “i civilizuari” dhe më i “arsimuari” i gadishullit tonë!

Me taktin e një kritiku gjakftohtë, Flori i lë të kuptojë lexuesit se kombi serb dhe mbarë intelektualët që e përfaqësojnë, pa qenë nevoja të hyjë në mendësinë e kampeve politike që nuk ia vlen të hetohet, vuajnë nga një sëmundje mbarëkombëtare, siç është mungesa e së vërtetës, e cila, që në zanafillë të zbritjes së tribuve sllave drejt Ballkanit, u përzu dhunshëm për gjetiu, meqenëse vendin e saj e zunë mitet dhe legjendat që u sajuan pa pasur kurrfarë trualli konkret.

Dhe subvensionimi për krijimin e tyre nuk ka njohur kurrfarë kufijsh. Madje ky subvensionim, që para nje shekulli, arriti deri aty, saqë kryeministri Vladan Gjorgjeviçi, në vitin 1913, botoi librin me titull “Shqipëria dhe Fuqitë e Mëdha”, në të cilin shqiptarët i paraqit si njerëz me bisht që i kujtuakeshin pararendësit gjysmë të egër të lashtësisë. Pikërisht ky libër, i mbushur me mite dhe me shpifje serbe, u qe servirur në tryezë përfaqësuesve të gjashtë Fuqive të Mëdha në Konferencën famëkeqe të Londrës të vitit 1913 që kishin mprehur thikat për copëtimin e trojeve etnike shqiptare.

Me analizën e vet intelektuale, Flori Bruqi argumenton tërthorazi se e vërteta mbetet një e mërguar e përjetshme e Serbisë, sepse mitologjia dhe shpifografia janë shndërruar për të në “shpendë grabitqarë” që nuk e lënë t’u afrohet absolutisht hapësirave serbe.

Madje kulti i mitologjisë dhe i shpifografisë serbe ka arritur deri në atë pikë, saqë kohët e fundit edhe Kardinali Wallter Kasper, për të përditshmen katolike Kathpress, deklaroi se Vatikani nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës se Kosova na qenka “djepi” i kishës ortodokse serbe! Kjo deklaratë e këtij përfaqësuesi të lartë të Vatikanit të bën të hamendësosh se ai ose është një klerik me formim të mangët intelektual, ose ka marrë përsipër rolin e tellallit të Serbisë.

Sepse siç dihet tashmë, politeizmi ilir filloi t’ia lëshonte vendin me kohë krishterimit, i cili, që me Ediktin e Milanos, në vitin 313, u shpall fe zyrtare, institucionale, shtetërore. Për më tepër, kisha katolike shqiptare në Dardani është përhapur që në shekullin e parë pas Krishtit, ndërkohë që sllavët zbritën në gadishullin tonë në shek. VII.

Kur cek problemin e së vërtetës, Dekarti thotë:

“Pë të gjetur të vërtetën, gjithsekush duhet që, të paktën, një herë në jetën e tij, të çlirohet nga paragjykimet e grumbulluara me kohë dhe ta ndërtojë krejtësisht nga fillimi sitemin e bindjeve të veta”.

Me sa duket, kjo thënie e artë nuk gjen kurrfarë trualli në hapësirat serbe.

Në librin e vet Flori Bruqi është ndalur posaçërisht në krijimtarinë e mjaft autorëve shqiptarë, në veprat e të cilëve, në njërën ose tjetrën mënyrë, gjen pasqyrim çështja kombëtare shqiptare, një çështje që vazhdon të përcjellë rënkatën e një shekulli të tërë për një padrejtësi të rëndë që i është bërë etnisë shqiptare, në pritje për të gjetur zgjidhjen e vet përfundimtare.

Në analizat e tij del në pah Flori kritik dhe Flori artist, krijues. Por në rastin konkret, forca gjykuese, forca analizuese merr sipërinë mbi forcën krijuese. Çështjet me rëndësi jetësore, jeta me të fshehtat e saj, plagët e saj të hapura janë më afër organizimit mbresëlënës të botës së kritikut që mbështetet mbi truallin e shëndetshëm të organizimit krijues të artistit.

Në analizat e Florit që burojnë nga honet një shpirti të ngrohtë mes shkulmash dashamirësie për kolegët e tij krijues, qoftë caqet e një kritike thjesht estetike që përmblidhen në kërkesën për një interpretim dhe takt poetik, qoftë caqet e kritikës historike, vijnë e përcaktohen nga ndjenja e fuqishme e atdhedashurisë.

Në vlerësimet e tij kritike kapen lehtë zërat e gjallë të jetës shqiptare në një përthyerje artistike, zbulohen të fshehtat e mëdha të shpirtit shqiptar dhe të organizimit të tij të brendshëm.

Në këtë mënyrë, në analizat kritike të Florit, vetë jeta shqiptare përvijohet para lexuesit si një përndritje hyjnore. Në penën e Florit, arti dhe kritika përbëjnë një tërësi organike në të kuptuarit e ideales.

Me këtë vepër, Flori ka ngritur një panteon amfiteatror në nderim të shumë figurave të nderuara të letrave shqipe, mes të cilave nuk mund të rri pa përmendur disidentin e shquar, poetin martir Havzi Nela, gurrës poetike të të cilit ia mbylli grykën litari i kriminelëve komunistë, pikërisht atëherë kur sistemi i tyre ishte në grahmat e fundit.


******

Eshref Ymeri ka lindur nё fshatin Mesaplik të Vlorës mё 25 dhjetor 1938. Pasi mbaroi arsimin fillor nё Mesaplik, vazhdoi shtatё vjeçaren nё fshatin Ramicё dhe në vitin 1959 mbaroi Gjimnazin "Ali Demi" tё Vlorёs me rezultatin shkёlqyeshёm. Nga ky rezultat i përpjekjeve të para për t’u pajisur me dije dhe kulturë, iu dha e drejta pёr tё studjuar nё Leningrad të B. S. pёr gjuhёn ruse. Kur u prishёn marёdhёniet me B.S, nё qershor tё vitit 1961 ai u kthye në Shqipëri dhe vazhdoi Universitetin e Tiranёs pёr gjuhё letёrsi ruse nё fakultetin "Histori Filiologji", të cilin e mbaroi me rezultate të larta nё vitin 1966 dhe u emrua pedagog nё katedrёn e gjuhёs dhe letёrsisё ruse. Mё vonё e caktuan shef të redaksisё sё botimeve nё gjuhё tё huaja deri nё vitin 1990. Gjatё kёsaj periudhe ai drejtoi redaksinё pёr pёrkthime nё gjuhё tё huaja për veprat e Enver Hoxhёs. Mё 1992 filloi sërish punёn si pedagog pёr gjuhёn dhe letёrsinё ruse, deri mё 31 gusht 2003, kur doli nё pesion.

Botime
Fjalor frazeologjik rusisht shqip : 25 160 shprehje frazeologjike - 2015
Përkthimi, një histori pasioni - 2015