Nga Riza Hoxha
Nuk ka të ndalur largimi i shqiptarëve. Aq sa duket se asnjë shqiptar nuk ka dëshirë të mbetet në këtë vend që po kthehet në një vend ku perspektiva për të nesërmen është e pakapshme për shumicën e shqiptarëve. Të gjithëve u është mbushur mendja se kjo Shqipëri pa asnjë lloj rregulli, pa ligje të zbatueshme dhe pa institucione efikase, duket se është kthyer në një vend që i frymëzon të rinjtë vetëm për t’u larguar. Duke mos kthyer më kokën pas. Është një e vërtetë që e dimë tashmë të gjithë. Po të gjithë heshtim, bile e nxisim të vazhdojë me të njëjtin ritëm kjo shpërngulje. Sa një ditë jo shumë të largët do të shohim një vend në breg të Adriatikut, krejt të shkretë. Ku vetëm disa oligarkë famëzinj do t’ia japin me qera ndonjë miliarderi nga përtej oqeanit. Dhe disa politikanë që për të kaluar ditën do të grinden se cili ka arritur të mbushë me shumë xhepat me miliona.
Në këtë gjendje të turbullt ku është zhytur Shqipëria, politikanët tanë çuditërisht vetëm qeshin e bërtasin për fitoret e arritura kur janë në pushtet dhe vetëm mallkojnë për nivelin e varfërisë kur janë në opozitë, aq sa tashmë palo politikanët tanë e kanë kthyer Shqipërinë në një aset fitimprurës të vetëm një dore maskarenjsh kur janë në pushtet. Këta politikanët tanë që kanë vetëm një mision: ta shkatërrojnë Shqipërinë asnjëherë nuk na tregojnë se çfarë kanë mbjellë ata ndër vite. Sepse populli thotë: çfarë do mbjellësh, do të korrësh! Kjo klasë politike tashmë e ka kuptuar se çfarë ka mbjellë gjatë 27 viteve. Po ta tregojë vetë i duhet të këtë një çikë moral. Po ajo nuk pjerdh e nuk do t’ia dijë për moral! Atë ve ka humbur prej vitesh.
Janë këto arsyet që shqiptarët që kërkonin “Shqipërinë si gjithë Evropa”, tashmë të mbytur nga hallet, nga varfëria janë krejtësisht të tromaksur sa nuk dinë si t’i hedhin hapat drejt së nesërmes. Një e nesërme krejt e zymtë për shqiptarët.
Që të arrijnë një të nesërme të ndriçuar, shqiptarët duhet të zbardhin shumë probleme të mjegullta që i kanë lënë në errësirë dhe i kanë bërë shqiptarët të gjejnë zgjidhjen duke iu drejtuar emigracionit. Për këtë kërkohet një Vetting në radhë të parë për klasën politike dhe jo vetëm për plazhistët e Durrësit. Pasi të dyja palët janë fajtorët e vetëm për gjendjen katastrofale ku është zhytur Shqipëria. Fjalët e shumta se, mund të ndryshojë diçka duke shpallur republikën e re, janë më shumë fjalë për të mbuluar vargun e të këqijave që e kanë mbuluar këtë vend gjatë 27 viteve.
Kjo klasë politike një herë duhet të ndërgjegjësohet se nuk duhet të heshtë më për të kaluarën e afërt. Pastaj të kërkojë votën. Kështu, PS duhet të na tregojë pse ngriti pushtetin familjar sa çuditi gjithë dynjanë. PD të na tregojë se pse heshti dhe fjeti këto 3 vjet e gjysmë pa çelur një herë gojën për çfarë po bënte pushteti i familjes?! Çudia është se vetëm tani, kur zgjedhjet janë në prag, na kërkon votën dhe këmbëngul për zgjedhje të lira e të ndershme. Që këtu nuk po tregohet e sinqertë. Votimet në Shqipëri sa herë do të kujtohen për pandershmërinë me të cilën kanë kaluar gjatë këtij çerekshekulli. Dhe për këtë PD ka jo pak merita. Po ashtu tani kërkon votën, ndërsa nuk na thotë asgjë për këto 27 vite që kaluam si i thonë fjalës “me brekë nëpër këmbë”. Ajo dhe PS duhet të flasin për dështimin e kësaj Republike. Jo vetëm të na thonë se do ta zëvendësojmë me Republikën e Re. Të paktën të na flasin për masakrën shtetërore që në mënyrën më të paturpshme nuk u ndëshkua asnjë për të. Gërdecin shqiptarët nuk do ta harrojnë ndonjëherë sado vite të kalojnë. Sepse është krim i pastër shtetëror. Këtë e ka bërë edhe çadra e ngritur prej dy muajsh në qendër të Tiranës; t’i ngjajë një arme që po i shërben vetasgjësimit të kësaj klase politike.
Në situatën që ne jemi, asnjë diplomaci siç kanë ardhur punët nuk mund të zgjidhë krizën që ka përfshirë politikën e çuditshme shqiptare. Një politikë që sot vetëm kapërdihet me të vetmin synim: të mbrojë vetveten, pasi e ka të qartë se meriton vetëm burgun. Puna ka arritur sa, edhe kryetarë partish mallkojnë diplomacinë amerikane e evropiane si të implikuar në përpjekjet për vënien në zbatim të reformës së Drejtësisë dhe të Vettingut. Si për t’i treguar gjithë botës së klasa politike shqiptare ka kapur majat për pafytyrësinë e saj. Tashmë, Shqipëria ka mbetur në ngërç. Aq sa tashmë nëse dikush do të ndërhynte, për zgjidhjen e këtij ngërçi do të mbetej në vorbullën e të sharave e do të hidhej në zjarr nga të gjitha palët që janë të interesuara vetëm për mbrojtjen e vetvetes.
Ç’po ndodh në këtë situatë, ku disa shqiptarë flenë në çadër në mes të Tiranës, disa i tremben ç’mund t’u zbulojë vettingu, ndaj po bëjnë çmos që ai të mos vijë ndonjë ditë në Shqipëri, disa shikojnë të mbushin xhepat në këtë fillim fushate elektorale. Janë vetëm disa të tilla. Ndërsa shumica e shqiptarëve që kanë humbur çdo lloj perspektive në këtë vend pyesin njëri tjetrin: “A dimë ne të vetëqeverisemi apo jo ? Deri tani kemi treguar se e kemi të vështirë të vetëqeverisemi vetëm dhe pa ndërhyrjen ndërkombëtare. Bile edhe ata i kemi lodhur shumë. Ndërsa ne dimë mjaft mirë vetëm për të sharë njëri-tjetrin. Për këtë jemi të vetmit”. Tashmë për një gjë jemi të sigurt: Jemi vetë fajtorë të vetvetes. Ndaj dhe kemi vënë në krye të sofrës sonë Pandëshkueshmërinë, si asnjë vend tjetër në këtë botë. Ndërsa vuajtjet vetëm po na rriten në vazhdimësi. Këtë e meritojmë ne. Sepse mbajmë në krye të vendit lloj-lloj plaçkaxhinjsh.