2017-04-12

Parathënia e vëllimit poetik ” Më pritni te baladat e gurit” të autorit Adem Zaplluzha


ligor-shyti
Nga: Ligor Shyti

Në vend të parathënies
Ja ku na vjen përsëri nga oaza e tij e pakufishme, kalorësi Adem Zaplluzha, me një cikël të ri poezish lirike që të depërtojnë në shpirt e të mbesin në mendje. Çdokujt që i bie në dorë ky vëllim poetik dhe do të shohë që në faqet e para të librit se parathënia e tij është shkruar nga një shkrimtar nga Jugu, për një poet shumëdimensional nga Prishtina, do t’i shkonte në mend historia e afërt dhe e largët. Do t’i shkonte ndërmend Lidhja e Prizrenit dhe vëllezërit Frashëri. Do t’i shkonte ndërmend ajo fije e dukshme dhe e pakëputshme shpirtërore që ekziston midis artereve të kombit tonë, midis Prishtinës dhe Përmetit.
Çdo lidhje ka një histori dhe çdo histori ka një çast të bukur që starton dhe s’ndalet kurrë. Edhe miqësia ime me poetin e mirënjohur Adem Zaplluzha, ka lindur aty, buzë Vjosës, kur një vit më parë poeti ishte protagonist i konkursit mbarëkombëtar “Në gjurmët Naimiane”. U mrekullova atëherë kur mësova se në arsenalin e madh të krijimtarisë së poetit janë regjistruar 140 vëllime me poezi dhe krijimtari letrare të gjinive të ndryshme. Pa e lexuar ende krijimtarinë e tij mendova se ai do të ishte, ose “i marrë”, që punonte ditë e natë për të nxjerrë çdo muaj nga një vepër letrare, ose do të jetë një gjeni që zoti i ka dhuruar mendjen e artë dhe talenti i tij nuk njeh kohë dhe kufij. U përpoqa të përmbahem e të prisja të lexoja disa nga veprat e tij, të cilat m’i dhuroi në takimin tonë të 25 majit 2015.
Nuk kaloi shumë kohë dhe veprat e tij letrare do të më shoqëronin ngado që shkoja. Në bibliotekën time, në tavolinën e punës, në makinën time me të cilën udhëtoj shpesh, është e pamundur të mos gjesh një vepër poetike të mikut dhe poetit tashmë të mirënjohur, Adem Zaplluzha. Pak kohë më parë se të më shkruante se kishte dëshirë të më kishte në librin e tij nëpërmjet parathënies së librit të tij më të ri “Më pritni te baladat e gurit”, ai më shprehte se koha po e impononte të ndërpriste punën krijuese dhe të rrinte i qetë në përditshmërinë e tij. E dëgjova me vëmendje dhe po mendoja nëse mund të ndodhte kjo me një poet kaq të talentuar, kaq punëtor, kaq prodhimtar sa është poeti ynë.
adem
Adem Zaplluzha
Duke pasur lejen e autorit për redaktimin dhe shkrimin e parathënies për këtë libër, mora kurajon dhe e pyeta mikun tim, nëse ishte i sigurt se do ta bënte këtë hap, për t’u shkëputur nga krijimtaria, por shumë shpejt do ta merrja përgjigjen që dëshiroja. Zoti Adem Zaplluzha është nga ata krijues legjendarë që preferojnë të vdesin në fushën e betejës. Makina e tij krijuese punon në perfeksion dhe penda e mendja e tij do të vazhdojnë të prodhojnë perla për letërsinë shqipe.
Ky poet, që frytet e pemës së tij nuk ja rrezikojnë asnjëherë kapriçot e stinëve, është poeti që të përditshmen e kthen në art dhe artin e përditëson me kohën që jeton ai dhe bashkëkohësit e tij. Përtej artit të tij të bukur dhe talentit që e karakterizon, është më së pari njeri dhe atdhedashës. Në krijimtarinë e tij, qysh prej fillimit dhe deri në fund, e karakterizon atdhedashuria. Bota rrotullohet rreth diellit kosovar, rreth diellit kombëtar, atij dielli që për shumë kohë u përpoqën të na e zënë të huajt, por nuk ja dolën:
“Më janë verbuar sytë, o njerëz,
Ma sillni këtu diellin e vjedhur të Kosovës!”
Pa dashur të bie në “kurthin” e njohur të poetëve, për të hyrë në labirintet e analizës së veprës letrare, gjë të cilën do ta bëjë lexuesi i veprave të z. Zaplluzha dhe kritika e mirëfilltë, më duhet të shpreh opinionin tim se lexuesi, në këtë vepër letrare, do të gjejë një mishërim të vlerave artistike-letrare si në planin estetik, ashtu edhe në planin shpirtëror. Një vepër e mirëfilltë letrare, nuk mund të kuptohet dhe të quhet e tillë, nëse ajo nuk i plotëson shijet estetike të lexuesit. Ajo, në tërësinë e saj ka për mision çlodhjen e lexuesit, argëtimin, meditimin, por jo vetëm. Në këtë vëllim poetik lexuesi do të gjejë vetveten. Do të gjejë detaje jetësorë të njeriut të thjeshtë, të ngritura në art. Do të gjejë koncepte të mirëfillta shkencore dhe intelektuale:
“Kur zbardhet mali,
E bora peshon si guri në shpirt,
Ne atëherë këndojmë
Pastoralen e gjashtë të Bethovenit.”
Në të lexuesi do të gjejë elemente të natyrës, gërshetuar me historinë e saj dhe të njerëzve që i dhanë frymë kësaj historie:
“Mos u befaso, moj nënë, mos!
Mes këtyre drurëve të egër,
Kaluan ushtarë dezertorë
Dhe murgjit të dehur me veladon të zi…”
Gjithmonë kam qenë dhe mbetem i mendimit se letërsia duhet të shkëputet nga emocionet e politikës, por asnjëherë nuk kam reshtur dhe nuk do të resht së thënë se poeti duhet të punojë për ndërgjegjësimin e njerëzve në misionin e vet të atdhedashurisë. Të duash atdheun nuk është mëkat, përkundrazi, është vlerë e lartë. Ashtu siç italianët punojnë pa u lodhur për ngritjen lart të emrit të Italisë dhe italianëve, ashtu si francezët punojnë dhe s’lënë rast pa shkruar për Francën dhe emrin e saj, ashtu bën edhe poeti ynë në krijimtarinë e tij. Dielli ynë është Kombi shqiptar dhe poeti na e bën shumë të qartë në krijimtarinë e tij.

16443593_1361704453882000_1021832198_n
Më pritni te baladat e gurit
Në këndvështrimin e autorit mund të dallohet qartë qëndrimi i tij kritik ndaj deformimeve njerëzore, ndaj deformimeve të kohës, deformimeve të demokracisë që kanë për protagonistë njerëzit, ata, që për një çast, për disa kohë, kanë në dorë fatin e njerëzimit, fatin tonë, fatin e brezave. Revolta, ironia, kurajua me të cilën autori shkruan dhe nxjerr në pah këto deformime, ia ngritin lartë vlerat e tij si krijues, si qytetar dhe atdhetar:
“Më duket se dje ishim statuja
Njerëz prej dylli e çeliku
Nëpër shëtitore fotografonim
Autoportretin e ngjarjeve të luftë”
Poeti i këndon dashurisë dhe shpresës. Si qenie e ndjeshme njerëzore, ai nuk mund të jetë ndryshe, veçse një këndonjës i ndjenjës më të bukur njerëzore, dashurisë dhe shpresës për të ardhmen. Nuk mund të bëjë përjashtim nga kjo kategori filozofike dhe estetike, një poet që në arsenalin e tij poetik ka ngjyra nga më të ndryshmet jetësore, me përjashtim të urrejtjes. Poeti ynë ushqen dashurinë njerëzore, ashtu si zogu të vegjlit e tij në folenë e vet:
“Nuk di a thua, vallë të kujtohet,
Kur të premtova se një ditë
Ne do t’i përngjajmë kësaj peme?!
Luleve të saj kur çelin
Dhe i mbyllin sytë e kaltër të detit…”
ose:
“Jam shumë i sigurt
Se bota do të dukej e shëmtuar pa dashuri.
Pa njerëz ëndërrimtarë,
Do të dukej si një balon fluturues,
Pa jetë dhe gjallëri në brendinë e saj.”
Përtej figuracionit të dendur dhe gjetjeve artistike të veçanta, në poezinë e Adem Zaplluzhës, lexuesi do të gjejë mjetin më të mirë të argëtimit. Gjatë leximit të kësaj vepre letrare, koha ecën pa u kuptuar, shpirti relaksohet dhe ëndrrat fillojnë të zgjohen. Duke i uruar suksese autorit në krijimtari dhe njëkohësisht shëndet e lumturi në familjen e tij, do t’i këshilloja me kënaqësi lexuesit që ta kenë në bibliotekën e tyre dhe ta lexojnë këtë vëllim poetik pa dallim moshe.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...