2017-04-12

(Parathënia e vëllimit poetik ” Jehu i zërave” të autorit Adem Zaplluzha.

Jehu i zërave si jehu i  shpirtit
(Parathënia e vëllimit poetik ” Jehu i zërave”  të autorit Adem Zaplluzha.)               


12472765_1176155002424598_1927825194759916715_n
Nga: Drita Lushi, Poete, Prozatore


“Jehu i Zërave” e sjell përsëri në vëmendjen e lexuesit dhe në kënaqësinë time të leximit autorin Adem Zaplluzha,poezitë e të cilit më tërheqin gjithnjë drejt tyre, si për spontanitetin, për të papriturën e fjalës, për mendimin poetik, si në gjetje,trajtim,dhe në strukturë, vazhdimisht me kënaqësi dhe ëndje.
Ky libër, përbëhet nga tre cikle, që duket se kanë emërtim të veçantë, por në tërësi janë pjesë e një trupi poetik ku autori Zaplluzha na përshfaqet i plotë duke i qëndruar besnik stilit të tij të të shkruarit ku herë ngre krye fantazia, herë abstraksioni, herë jeta dhe fjala e thjeshtë e kuptueshme, të gjitha të ndërlidhura në art e më shumë ndihet shpirti i tij shumë i ndjeshëm dhe talenti poetik.
Ademi rrugëton çdo ditë me poezinë, por jo si një udhëtar i rastësishëm, ai udhëton në shtigjet poetike poetikisht, dhe madje i drejton rrugën asaj duke e udhëhequr në vende e imagjinata, duke na përshkruar tablo, ku lexuesi ndalet dhe gjen të gjitha gjendjet: trishtimin, gëzimin, lotin, dashurinë, mallin, dashurinë për Atdheun, për njerëzit, për tokën, për çdo gjë.
Ai dhe kur shkruan trishtueshëm, i vesh nota poetike kësaj gjendje dhe të fut në përjetime e ndjesi ashtu siç ndjen vetë.
Poezia e tij është një shtrat modernizmi,një stil tipik origjinal ku dhe nëse nuk lexon emrin “Zaplluzha” dallon menjëherë poezinë origjinale të tij.
Cikli parë i librit  “Sonte nuk ka vdekje”është një shportë me ndjesi të bukura, që autori, poezi pas poezie e mbush të plotë tablonë e shpirtit te tij të ndjeshëm e pikërisht nga kjo vjen tisi i trishtimit poetik,sjellë në art përmes vargut të tij, që ndalesh shpesh ta lexosh së dyti:

“Pata kohë të mbërri
Deri te ëndrra e një druri,
që flinte ditën”

-Shprehet Ai, në mënyre metaforike, që të ngjall “zili” për mendimin dhe  shprehjen.
“vetëm flutura e kaltër mund të vijë tek unë”
vazhdon ai tek poezia “Mos pritni të kthehem” duke i dhënë një ngjyrë të kaltër dhe trishtimit.


adem
Adem Zaplluzha

“Qyteti im në 6 mars 2015”- është një poezi pikturë ku në çdo varg shohim një ngjyrë dhe na përshfaqet një tablo e Qytetit të poetit në atë datë. Ndihen nota trishtimi shpesh, por ato kalohen, sepse nga trishtimet, lindin pikërisht vargjet dhe poezitë më të bukura që u mbeten viteve, si në strofën e mëposhtme;

Këtu qajnë edhe drurët
Aleja e gjunjëzuar
I fshinë lotët e ngrira të kujtesës
Me vite të tëra
Në Kosovë
Si kërthi dënes malli i pragjeve

Mendimi i tij filozofik, ecën krahas atij poetik, dhe është sintezë e një jete plot me vite e jetuar dhe me vëmendje dhe sy kritik ndaj fenomeneve të ndryshme njerëzore:

Nuk mund t’i bëjë njeriu
As nuk mund të lind
E as s’mund të vdes brenda ditës”

Ai e  ka epiqendrën e vet të jetës Atdheun, për të cilin shkruan pa reshtur vargje, dhe kjo,është një dashuri pa kushte dhe e ndërsjellët;

“Ato ditë
Atdheu më dukej si një zebër e plagosur
E trishtuar mes njerëzve
Nëpër ballkone të vetmuara
Asnjë flamur lufte
As flamujt e bardhë nuk valonin çative”-

Apo në poezinë tjetër,“Për të mbërritur deri në atdhe” ai vazhdon

“Udhëtuam më shumë se njëqind vjet
Dhe ende s’jam i sigurt
Se kur do të mbërrimë përfundimisht”

Në poezinë,” Duket si një njeri tjetër”ai shkruan si në një pasqyrë vetveten parë në mënyre poetike dhe kritike pa iu trembur realitetit po të kemi parasysh faktin që përballja me veten është nga më të vështirat;

“Më se shtatëdhjetë vjet
N’ dhomën time të gjumit
Në murin përballë raftit të librave
Nga një pasqyre e errësuar
Për çdo ditë
Një njeri më bënë me dorë”

Ne poezinë,“Ishte më i bukur atdheu ynë”ai jep mes vargjeve dashurinë e veçantë të poetëve me Atdheun, si një lidhje, që vetëm ata e kuptojnë dhe përjetojnë ndryshe nga njerëzit e zakonshëm.

“Atdheu për ne ishte nocioni i bukës
I ajrit dhe i dashurisë
Por mjerisht
Kurrë nuk na lënë cerberët
Të dashurojmë ashtu siç dinë
Vetëm poetët të dashurojnë marrëzisht”
E ç’vlen më shumë se një mësim që nxirret qofte nga një poezi, strofë apo varg se kjo e vërtetë, që poeti na e sjell bukur dhe dhimbshëm përmes vargjeve, si në poezinë “Për të jetuar jetën”

“Thonë se për të jetuar njeriu
Duhet vrarë vdekjen
Unë them të kundërtën
Për të mos vdekur nën qemerët e një ure
Duhet mëkuar jetën”

S’di pse ndala tek poezia, “Për të qenë i lumtur”, ndoshta se këtë kërkojnë dhe duan më së shumti njerëzit, çdo ditë, muaj, vit dhe gjithë jetën e tyre, e ndoshta dua ta sjell plotësisht para se lexuesi të vijë në faqen përkatëse për ta lexuar;
Mund të mësosh, meditosh, reflektosh, guxosh, provosh për të qenë i lumtur, duke lexuar jo vetëm poezinë por edhe urtinë e një poeti;

Nuk na duhet aq shumë mund
Dhe sakrificë
Që t’i mbyllim sytë
E t’i sajojmë imazhet më të bukura të botës

Aq pak na duhet që të jemi të lumtur
Sa që kur e arrimë lumturin
Ne të gjithë gëzohemi
Si zogjtë e trembur nëpër shtyllat elektrike

Më besoni lumturia i përngjan
Mollës në degët e kujtesës
Dhe gjethit të kaltër
Në sytë e gështenjta të vashës

Për të qenë i lumtur
Të duhet të shndërrohesh në pemë
Kurse pema në një vashë sybajame
Shih se si duket lumturia në degë


13706079_1170074689711645_659627642_n

Në poezitë, “KËPUCËT E SHQYERA TË LULIT” ,ME SHAMINË E ZEZË TË NËNËS, “MË MJAFTON VETËM FJALA E JOTE”, “GJITHMONË VJESHTË NË FSHATIN TONË”- ndihet një ton intim i poetit, njerëzor, i brishte në shpirt, ku fjala të prek në shpirt dhe vetëdije, ku loti të vjen në sy pa të pyetur dhe sheh tablo dhe jetë ne çdo varg!
Poezia e Ademit, është sa spontane aq edhe e thellë, sa simbolike por thotë aq shumë, sa metaforike aq dhe e lexueshme dhe e thjeshtë, larg moralizimeve kallpe por që të mëson natyrshëm përmes vargjeve të tij.
Tematika e “Jehu i zërave” është e shumëngjyrshme, që nga familja, vetja, Atdheu, njëkohësisht aty gjen të gjitha gjendjet njerëzore, në të gjitha dimensionet: trishtime, gëzime, dhimbje, lumturi, meditime dashuri, etj etj.
Me varg të lirë, ajo i jep mundësinë autorit të shprehë më mirë një gamë të gjerë ndjenjash dhe ndjesish të mëdha, që vlojnë në shpirtin e Tij, e mendoj se po të ish me rimë, do kufizohej në gjetjen e fjalëve derisa ti shkonin njëra tjetrës në rimim.
Poezia e Tij, ruan ritmin e brendshëm, dhe lexohet këndshëm me muzikalitet dhe kuptueshmërinë e duhur.
Them, se me gjithë këto libra,që përmbajnë gjithë botën e pasur shpirtërore të Ademit, me gjithë këto poezi,”Jehu i Zërave” libri i 132-të me radhë zë vendin e vet të veçante duke dhënë një pjesë të shqetësimeve dhe gëzimeve,përpëlitjeve dhe shpërthimeve poetike të autorit, në këtë pranverë, të vitit 2015.

Drita Lushi,  , Shqipëri.
Poete, prozatore.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...