Mimozë Lakna
Ish Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hafir Hoxha, me anë të një shkrimi më të gjatë, ka numëruar arsyet e reagimit të tij ndaj deputetit të LDK-së Ismet Beqiri.
Për Hafir Hoxhë, Kosharja është një vend i shenjt dhe shënon ditën më të dhimbshme në jetën e tij. Andaj, deklarata e Deputetit Ismet Beqiri, thotë se e ka mllefosur, pikërisht për shkak të rëndësisë që ka Beteja e Koshares dhe dëshmorët e rënë në këtë betejë. Gazeta ka provuar të marr një qëndrim nga deputeti Ismet Beqiri në lidhje me këtë, mirëpo ai nuk e ka hapur telefonin.
Më poshtë mund ta lexoni reagimin e poltë të z. Hafir Hoxha:
“Ja pse reagova ndaj Ismet Beqirit
Kosharja është objekti i parë i ish ushtrisë okupuese Serbe që është marrë nga ofanzivat / sulmet ushtarake të UÇK-së. Edhe unë personalisht si ushtarak profesionist kam zënë rob ushtarë dhe i kam çliruar 6 karakollë kufitare të ish APJ -së në Slloveni në qershor dhe korrik të vitit 1991. Si eprorë i Ushtrisë Sllovene atë kohë që më 29 qershor të vitit 1991 me kompaninë time kam braktisur armatën okupuese dhe kam marrë funksione komanduese në Ushtrinë Sllovene. Beteja e Koshares është përgatitë dhe është udhëheqë nga ushtarakët profesionistë. Aty më 9 prill ra dëshmorë kolegu dhe miku imë heroi, Agim Ramadani me të cilin kemi ardhur nga Zvicra në radhët e UÇK -së ne mars të 1998. Aty kanë rënë 112 luftëtarë të lirisë, nga ta shumë kolegë dhe ushtar të mi që më së paku 3 muaj jam kujdes për ta, i kam përgatitë dhe stërvitë.
Për mua ai vend është i shenjtë. Ajo ditë është dita më e dhimbshme në jetën time. Ne kemi jetuar dhe vepruar me ata heronj çlirimtarë. Ne e dimë edhe pse kanë rënë ata në altarin e lirisë. Ne e dimë cili është amaneti i tyre dhe ne kemi dhimbje dhe pikëllim për ta.
Kur i dimë dhe i kemi përjetuar këto gjëra, neve nuk mundet të na buzëqesh fytyra atë ditë. Kur e dimë se si i kemi punët si vend dhe komb 18 vite pas rënies së tyre, nuk kemi fuqi të qeshim por ndihemi të dobët, të pikëlluar të lodhur e të rraskapitur më gjendjen sociale, kulturore, politike, sigurie morale, shëndetësore në të cilën gjendet Kosova dhe qytetarët e saj.
Atë ditë në këmbë, më traktorë, me vetura të vjetra, nënat , fëmijët, motrat, vëllezërit e dëshmorëve vinë me një copë djathë e një copë bukë të mbështjellur me një gazetë, ulur në një karton pran varreve të dëshmorëve. Ne shokët dhe bashkëluftëtarët e tyre i dimë pak a shumë dhimbjet e tyre dhe mundohemi të i ndajmë ato dhimbje bashkë me ta. Nuk kemi mundësi t`u ndihmojmë asgjë pos t`i respektojmë. E pikërisht atë ditë ata politikanë, ata individ që 18 vite me radhë janë në funksione politike, janë përgjegjës për gjendjen e vështirë dhe të keqe në popull dhe vend në të gjitha sferat e jetës. Ata që kanë përfituar tepër personalisht, familjarisht dhe me klanet e tyre vinë me autimjete të siguruara nga gjaku i dëshmorëve, nga invalidët e luftës, nga djersa e qytetarëve dhe diaspora. Vinë me xhipa luksozë, shtynë në llogom , i stërpikin më baltë qytetarët e tyre, që më votat e tyre janë në ato funksione dhe e kanë arritur atë pasuri. I shtyjnë i stërpikun me baltë nënat e dëshmorëve, fëmijët jetim të tyre, bashkëluftëtarët dhe familjarët e tyre. Vinë duke qeshur, duke bërë shaka dhe “zgërdhihen”, në ofendime që i bëjnë këtyre njerëzve dhe mbajnë fjalime politike në atë vend dhe pas takimit shkojnë e ulen në restorante dhe ngopën me dreka të shtrenjta. Për mua është e pa kuptueshme, jo njerëzore, jo humane dhe është çmenduri. Andaj, më shtynë që ti them në fytyrë atyre njerëzve të turpërohen dhe mos ta ndotin atë vend dhe atë ditë me prezencën e tyre”.