2017-04-12

Vëllimi poetik “Pikëllimi i rrënjëve” i Adem Zaplluzhës, metaforë e vijimësisë së të shkuarës në të tashmen.



nikolle-loka
Nga: Nikollë Loka
Kur merr dhe lexon vëllimin poetik “Pikëllimet e rrënjëve” të poetit Adem Zaplluzha dhe mediton mbi të, teksa sheh mjeshtërinë e lartë artistike, lëmimin e vargut, lidhjen organike ndërmjet poezive në një libër të arrirë, me të drejtë kujton se autori ka jetuar gjatë me veprën e tij. Po nuk është ashtu, Ademi ka arritur në veprën e 150 letrare dhe vetëm gjatë vitit 2015 kishte botuar 14 vëllime poetike dhe kwtw vit disa libra tw tjerw nw poezi dhe prozw. Kur e mendon sasinë e lartë të prodhimtarisë së tij, kujton edhe pamundësinë e autorit që të japë vepra cilësore. Por, teksa Zaplluzha rend pas sasisë, ka pretendime të larta për cilësinë. Këtë e pashë, jo pa habi në vëllimin poetik që keni në dorë. Atëherë m’u krijua ideja që kemi të bëjmë me një krijues përtej të zakonshmes, një fenomen letrar, për të cilin kritika e specializuar e ka thënë dhe do ta thotë fjalën e vet.
Kur lexon vëllimin poetik “Pikëllimet e rrënjëve” të poetit Adem Zaplluzha kalon në një zbulim të pavetëdijshëm të vetes dhe ndërsa udhëton nëpër labirinthe realitetesh jetësore, e ndjen simbolikën e pikëllimit të rrënjëve. Fjala në poezinë e Zaplluzhës është urë lidhëse në kohë; identitet, thelb dhe asht, kod përbashkues vlerash të shpërndara e të zvetnuara nga koha. Fjala nuk vdes, ajo e zhbën kohën dhe simbolikisht lëviz, duke komunikuar me të shkuarën dhe të ardhmen.
Në poezinë e Zaplluzhës shprehen raportet me kohën, ku e shkuara vjen në një formë tjetër në të tashmen, duke lënë po ato gjurmë të së kaluarës që i mbajmë ende të ndezura në shqisat tona. Na duket se jetojmë në një të tashme,  që pak na bën ta ndihemi se po jetojmë tani. Në poezinë e Zaplluzhës qënia kërkon të shkojë në thelbin e vet, ndërkohë që forca shkatërruese të jashtme nuk vijnë për ta ndryshuar gjendjen, por për ta ruajtur atë.
Poeti është mjeshtër në teknikat poetike, shprehje e përvojës së gjatë krijuese. Përdorimi i metaforës në poezi është një nga aspektet më të rëndësishme të stilit poetik. Në poezinë e Zaplluzhës, metaforat e zgjedhura me shije të lartë artistike shërbejnë për të shprehur emocionet sipërore, ndjenja e përziera, marrëdhëniet e ndërlikuara, që kërkojnë të dalin përtej shprehjeve të përditshmërisë. Metafora e Zaplluzhës  shprehet në shumëkuptimësi e në disa nivele në poezitë e tij, duke bërë që vëllimi poetic, nga njëra poezi në tjetrën, të ketë vijueshmëri perceptimesh, emocionesh e mendimesh, të lidhura rreth idesë kryesore, atij, pra “pikëllimit të rrënjëve”. Kemi një të tashme të zhytur në rrënjë: lejlekë që enden, vjeshtë gri, shi vrastar, përrua i çmendur, lehje drurësh, kuaj të verbër, xhama të palarë të kujtesës, etj. Përsëritja e metaforave nga njëra poezi në tjetrën i jep vëllimit poetic thellësi dhe kompleksitetit të brendshëm. Metafora në poezinë e Zaplluzhës i ofron lexuesit mënyrat freskëta e shqyrtimit të ideve dhe këndvështrim original dhe befasues të botës. Në këtë vëllim idetë kombinohen në mënyrë të veçantë dhe të rastësishme, ndërsa teknikat letrare janë përdorur si mjet i shprehjes së një kuptimi artistik nëpërmjet gjuhës.
16900186_10210609634988336_593012558_n
Pikëllimet e rrënjëve
Shiu, i cili u ngjante fjalëve të grisura/ rri si një buf/ mbi çatinë e shembur të kujtesës/ Deri sa hëna e çmendur/ në një gjysëmrrethi magjik/ vallëzonte me meteorët endacakë//.
Simbolika në letërsi është një lëvizje komplekse që qëllimisht zgjeron fuqinë ndjellëse të fjalëve për të shprehur ndjenjat dhe gjendjet e mendjes që shtrihen përtej vetëdijes së përditshme, duke projektuar ndjenjat e brendshme në botën e jashtme. Në poezinë e Zaplluzhës shiu nuk vjen për të gjallëruar, por për të asgjësuar dhe prishur gjendjen. Poezia ndërtohet mbi aksin kohor të raporteve të njeriut me kohën; e shkuara identitare me të tashmen, që shkon paradoksalisht në të shkuarën, sepse e tashmja me shi, rrebesh, shpëlarje të kujtesës, nuk na çon kah ardhmëria.
Në poezinë “Trokasim në dritaret e drynave të dylltë”, poeti i vendos dry të hekurt kohës. Ajo që e hap këtë derë dylli është fjala. Këtu fjala nuk vdes, ajo e zhbën kohën dhe vjen si dëshmi e saj. “As pëshpëritje nuk ka; kur vdesin fjalët nuk ndizet qiriu” shprehet poeti.
Dritarja në poezinë e Zaplluzhës simbolizon fluturimin. Ja si vjen ajo në vargjet e një poezie: Kur i humbim fjalët/ ose mbesim si koçan i mykur në bahçe/ dalim nga kujtesa dhe trokasim/në të gjithë portat e hapura/ trokasim në dritaret e drynave të dylltë//.
adem
Adem Zaplluzha
Poeti nuk dëshiron të hyjë rrëshqanthi nga toka në bujtinën e vet, por nga dritarja, andej nga hyn drita dhe jeta. Ai shprehet se “nuk na e kanë mbyllur derën, por dritaret kanë dryna të dylltë”. Dera nuk merr përmasa drite, ajo është vendosur afër tokës dhe nuk është e përzgjedhura e poetit. Ndryshe dritarja, ajo flet shumë që nga emërtimi dhe funksioni simbolik i saj, si e vetmja portë, ky hyn ardhmëria. Simbolika e dritares rimerret në poezinë tjetër “Të thashë mos i mbyll dritaret”. Kjo poezi është një thirrje e kujtesës. Ajo na kujton se koha e mbështjell kujtesën me harresë. Poeti kërkon që të mos e mbyllim dritaren e kohës, se pot ë ndodhë kjo, do të bjerrim thelbin identitar e në atë gjendje, natyrshëm vjen thirrja:
Të thashë mos i mbyll dritaret/ nëse i dëgjon të trokiturat/ Hape mendjen/ bëri sytë katër si kokrrat e ullirit/ Te pragu do pres si baba dimri/ Është koha për t’i kyçur dritat e bredhit//.

Imazhet poetike e bëjnë poezinë e Zaplluzhës interesante. Poeti është mjeshtër i përdorimit  të detajeve ndijore, i një shtrese kuptimësore më të thellë të simbolikës së poezive të tij.

Do të dal sot në dritë/ do qëndroj ulur te pragu i dhimbjes/ aty ku zënë fill mëkatet/ Me një gazetë të vjetër në dorë/ do i përzë mizat e bezdisshme//.

Poezia e Zapplluzhës është shprehje e gjendjes dhe nuk merr përsipër transformimin e saj. Poeti është fatalist. “Fara e keqe po mbin”, – shprehet ai, dhe në atë realitet poetik nuk mund të marrë frymë, i dhemb truri, ndjenjat i janë dobësuar, i grimcohen thonjtë, shkurt po vuan.
Poeti e ruan vuajtjen për vete, i bindur se është një vuajtje kolektive, ndaj të cilës kombi si organizëm i gjallë duhet të veprojë si një organizëm i gjallë përmes sistemit imunitar të vetëmbrojtjes.
Poeti Zaplluzha reflekton mbi forcën e të keqes, duke e parë të tashmen jo si “ruajtëse e vlerave”, por si “mbjellëse të farës së keqe”.  Mbijetesën shqiptare poeti e përcjell në kohë, gjithmonë me plagë të pambyllura, kur sapo zë të shërohen të vjetrat, lindin plagë të reja, si pjesë e fatalitetit tone ende në udhëkryq.
Autori e përdor me mjeshtëri simbolikën e lisit dhe të rrapit që vetvetiu lidhen me simbolikën e rrënjë që mundësojnë qëndrimin në këmbë.
Në ciklin e dytë “Përveç kollitjes së drynave” kemi një reflektim mbi fatin e njeriut që e ndjek nga pas atë. Këtu dhimbja nuk kthehet në forcë, e keqja nuk zhduket, fataliteti nuk shndërrohet në sfidë, por ngelet si gjendje dhe pamundësi.  Kollitja e drynave është nje metaforë e pamundësisë së hapjes së dyerve, se kur “kolliten drynat” dera  nuk mund të hapet më kurrë.
Ky cikël poetik shpreh një të tashme të zhbërë, me fatin tragjik që e përcjell, si një pamundësi për kapërcimin e gjendjes. Vetë titulli i ciklit jep përpjekjen për t’i ikur fatit. Në poezinë “Përveç kollitjes së drynave” autori ndër të tjera shprehet:
Nëpër rrugët e kalldrëmta të lashtësisë së harruar/ bredhin turtujt e vjeshtës/ asnjë zog tjetër nuk banon këtu//. Me qindra vjet trokita në portat e mbyllura/ asgjë nuk pashë, as dëgjova/ përveç kollitjes së drynave//.

Cikli i tretë i vëllimit poetik “Kur mbërrijmë në fund të rrugës” pasqyron të tashmen, e cila nuk është vetëm një përsëritje e ciklit fatalist të njeriut dhe popullit fatkeq, që për shkak të rrethanave historike jeton më shumë në të shkuarën se në të ardhmen.

Një ditë si makthi zgjohet/ me buzëqeshjen e shfrenuar/ kurse ditën tjetër/ nuk i hapet asnjë portë në jetë//.

Në tërësi, vëllimi poetik “Pikëllimet e rrënjëve”, me të tri ciklet e tij, shpreh përpjekjet e suksesshme të autorit për të na zbuluar atë që nuk mund ta kapin shqisat e njeriut të zakonshëm.  Në ciklin e parë kemi reflektim mbi kohën; në të dytin fatalitetin historic, në të tretin përpjekjet që mbeten pezull, se nuk japin atë që duhet.
Poezia e libri “Pikëllimet e rrënjëve” shpreh  një reflektim kolektiv, të shprehur me një gjuhë metaforike dhe simbolike, që janë përdorur me mjeshtëri. Poeti kapërcen ndjesinë e përshtatjes, duke kaluar në një kohë tjetër, si një reflektim personal mbi fatin e vet.Ai është në kërkim të arsyes dhe kuptimit kundër moskuptimit, keqkuptimit dhe asgjësë. Është një botë shqetësimesh njerëzore identitare që në periudha pushtimesh, çekuilibresh shoqërore, apo dhe të integrimeve globale përbëjnë shqetësime për popujt e vegjël që janë në përppjekje për t’u imunizuar, mbrojtur dhe integruar, pa bjerrjen e thelbit të vet.
Poezia e poetit Adem Zaplluzha buron së brendëshmi nga shpirti i poetit si një monolog, dialog dhe thirrje qytetare. Zaplluzha është mjeshtër i fjalës, poet original i përjetimeve të holla, krijues i vargut të gdhendur dhe figurave të zgjedhura. Të gjitha poezitë e këtij vëllimi qëndrojnë bashkë për të deshifruar njëra tjetrën, si pjesë  reflektimesh të bashkuara rreth shqetësimit njerëzor. Poeti Adem Zaplluzha është në kërkim të domethënies ekzistenciale, që e shpreh me vargje, për në na kujtuar se fjala është çelësi për të ndriçuar horizontet trunore dhe labirintet shpirtërore të individëve.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...