Si fotoja e Alanit 3-vjeçar pa jetë në breg të detit, një tjetër shkrepje e rrallë arrin të bëhet një hit trishtimi nga lufta në Siri. Është kjo fotoja e një burri pak para se të japë shpirt. Në shikim të parë, imazhi duket si një skulpturë greke e ndonjë figure antike ose e ndonjë portreti mjeshtëror pikture në vaj. Por në të vërtetë është fotoja e një burri të quajtur Obeid al-Kaaka Jay, vdekur në Raka të Sirisë. Ai ndërroi jetë pikërisht menjëherë pas shkrepjes së kësaj fotoje, e cila përcjell simbolikisht dhe realisht tmerret që po përjeton populli sirian.
2017-09-10
Turp për OKB-në : : Para se të jepte shpirt burri tregon horrorin e përjetuar
Si fotoja e Alanit 3-vjeçar pa jetë në breg të detit, një tjetër shkrepje e rrallë arrin të bëhet një hit trishtimi nga lufta në Siri. Është kjo fotoja e një burri pak para se të japë shpirt. Në shikim të parë, imazhi duket si një skulpturë greke e ndonjë figure antike ose e ndonjë portreti mjeshtëror pikture në vaj. Por në të vërtetë është fotoja e një burri të quajtur Obeid al-Kaaka Jay, vdekur në Raka të Sirisë. Ai ndërroi jetë pikërisht menjëherë pas shkrepjes së kësaj fotoje, e cila përcjell simbolikisht dhe realisht tmerret që po përjeton populli sirian.
BE bashkëfajtore në abuzimet me emigrantët, kampet janë kthyer në industri të vuajtjeve…
Mijëra emigrantë të dëshpëruar për të mbërritur në Evropë, po mbahen në kampe në mbarë Libinë. Kushtet janë disi më të mira në kampet e menaxhuara nga organizata e OKB-së për emigracionin, IOM.
Por, organizata “Mjekët pa Kufij” thotë se milicitë e armatosura në Libi po i mbajnë emigrantët në kushtet të tmerrshme, ku u nënshtrohen torturave, përdhunimeve, urisë dhe vrasjeve.
“Këto kampe do t’i emërtoja si një industri e vuajtjeve njerëzore”, thotë Dr. Joanne Liu, e organizatës “Mjekët pa Kufi”, raporton VOA.
Emigrantët që kapen në det të hapur nga roja bregdetare libiane me mbështetjen e Bashkimit Evropian, dërgohen mbrapsht dhe mbahen të ndaluar në një sistem që “Mjekët pa Kufij” e përshkruajnë si një biznes pengmarrjeje, torturash dhe grabitjesh. Organizata akuzon Evropën si bashkëfajtore.
“A ndjehen mirë që njerëzit të kapen dhe të kthehen mbrapsht aty ku do të përdhunohen, torturohen dhe skllavërohen? A ndjehen mirë që po ndihmojnë kriminelët dhe trafikantët?”, pyet dr. Liu.
Komisioni Evropian e mohon keqtrajtimin e emigrantëve në Libi dhe Italia udhëheq operacionet e atjeshme. Kryeministri italian premtoi të enjten se do të kërkojë përmirësimin e kushteve në kampe.
“Megjithatë, nuk mund të sabotojmë përkushtimin tonë për të luftuar trafikantët dhe sjelljen e emigrantëve drejt vendeve tona”, deklaroi Kryeministri Gentilioni.
Bashkimi Evropian nuk po mundet të balancojë presionin publik për t’i dhënë fund krizës së emigrantëve.
“Këtu qëndron problemi dhe paradoksi, pasi autoritetet evropiane duhet të bëjnë diçka për të ulur emigracionin. Dhe mënyra e vetme është duke arritur marrëveshje me palët e ndryshme të përfshira në trafikimin e njerëzve. Çmimi që duhet paguar është shkelja e të drejtave të njeriut dhe pranimi i një niveli dhune dhe abuzimesh”, thotë analisti Riçardo Fabiani, i “Grupit Eurasia”.
Mënyra e re e mafias shqiptare për të trafikuar emigrantë në Angli
Mafia shqiptare ka hapur një rrugë të re për të trafikuar emigrantë në Britaninë e Madhe nëpërmjet një porti spanjoll, sipas një investigimi të Sunday People të gazetës Daily Mirror.
Trafikantët që kërkojnë deri në 2.500 paund për person po trafikojnë me sukses me anije që nisen nga Bilbao, të dëshpëruarit që kërkojnë një jetë të re – përfshirë refugjatët nga Ballkani, Iraku, Afganistani dhe Siria.
Policia në qytetin verior të Spanjës po përballen me rritjen e emigrantëve gjatë tre muajve të fundit.
Në dy vjet ka pasur një rritje dhjetëfish të njerëzve të kapur duke u përpjekur për të hyrë në kamionë ose kontenierë në port.
Por sipas ligjit spanjoll ata po kryejnë vetëm një shkelje administrative – kështu që policia vetëm mund t’u marrë gjeneralitetet dhe i liron.
Qindra të tjerë të strehuar nëpër kampe, që janë në pritje për të shfrytëzuar mundësinë, nuk mund të kapen – pasi kanë viza turistike.
Investigimi i Mirror zbuloi se pas dorëzimit të një pagese të madhe tek bosët e mafias, emigrantëve u jepet një elefon dhe 700 paund për ndërmjetësit që do t’i çojnë në Britani.
Të ngacmuar nga premtimi i vendeve të punës në lavazhet e makinave apo në ndërtim në Londër, ata nuk janë në dijeni se do të përfundojnë në mëshirën e drejtuesve të bandave.
Duke arritur në Bilbao, investiguesit tanë gjetën më shumë se 100 njerëz në çadra dhe nën urat autostradave, në perimetrin e portit.
Ismaili, 29 vjeç, një saldator nga Peshkopia në veri-lindje të Shqipërisë, ndan një tendë me dy persona të tjerë, përfshirë edhe nipin e tij.
Ai thotë: “Doja të shkoja legalisht në Angli, por është e pamundur. Tani më duhet të shkoj ilegalisht.
“Unë e di se ka njerëz që mund t’i paguaj, por nuk kam para. Duhet të përpiqem të shkoj atje falas duke hyrë vetë fshehurazi”.
Në vitin 2015, policia bëri 119 ndalesa të emigrantëve që po përpiqeshin të depërtonin në portin e Bilbaos. Në vitin 2016, kjo shifër u rrit në 380. Këtë vit, ka arritur një rekord prej 1,200 vetësh.
Ata që u kapën përfshinin 60 irakianë, 45 afganë dhe 25 pakistanezë. Por pjesa më e madhe – 950 prej tyre – ishin nga Shqipëria.
Në një kamp të improvizuar, 300 metra në perëndim të portit të Bilbaos, gjetëm disa burra shqiptarë, kryesisht adoleshentë dhe 20 -vjeçarë.
Disa thanë se po iknin nga ish-vendi komunist, pasi vuanin persekutim mbi përkatësinë etnike, seksualitetin apo fenë e tyre.
Por me papunësinë e lartë të të rinjve, shumë të tjerë janë emigrantë ekonomikë. Mbretëria e Bashkuar, me 20,000 shqiptarë që jetojnë ligjërisht këtu, është destinacioni i tyre më popullor.
Dy kampe në kodrat rreth portit të Bilbaos u shkatërruan nga policia një javë më parë dhe siguria është rritur.
Gardhet janë shtuar, kamerat e sigurisë janë rritur dhe janë punësuar roje private që patrullojnë. Por kjo nuk i ka penguar trafikantët apo “klientët” e tyre të dëshpëruar.
Pasi hyjnë në port, ata rrezikojnë të dëmtohen rëndë, madje edhe vdekjen në përpjekjet e tyre për të filluar një jetë të re këtu. Shumë njerëz hidhen mbi kamionët në lëvizje kur i afrohen portës, ose përplasen në rimorkiot e parkuara, duke shpresuar që të fshehen midis ngarkesave të tyre.
Të tjerët ndihmohen të futen në kontejnerë të mbyllur të anijeve, duke rrezikuar mbytjen ndërsa presin që ato të hapen përsëri në destinacionin e tyre. Disa hidhen në tragete, teksa largohen nga porti.
Ismail thotë: “Unë kam qenë këtu një muaj. Kur mbërrita këtu, kishte më shumë. Disa kanë hequr dorë dhe kanë shkuar në Itali, disa kanë arritur të hyjnë në Angli.
“Unë i njoh njerëzit që e bëjnë këtë, ata janë në Londër duke punuar si ndërtues dhe duke bërë çdo punë shtesë që munden.”
Ai thotë në një anglishte të çalë se ai dhe nipi i tij kishin fluturuar nga Shqipëria në Paris, blenë një çadër dhe morën një autobus prej 12 orësh në Bilbao, duke paguar 70 euro secili.
Ismail shpreson të fitojë para të mjaftueshme në Britani për të mbështetur prindërit e tij të moshuar dhe familjen në Shqipëri.
Ai thotë: “Nuk ka punë në vendin tim. Është shumë e vështirë – politikanët nuk e dinë se çfarë po bëjnë. Do të doja të punoja si saldator në Londër, por do të bëj çdo punë që mund të gjej. Thjesht më duhet të shkoj atje.”
Një tjetër shqiptar rreth të 20-ave, i cili nuk pranoi të jepte emrin e tij, tha se kishte punuar një vit në Gjermani dhe tani ishte drejtuar për në Angli. Ai është kapur tri herë në kamionë. Ai tha: “Duhen kohë. Policia mund të na kapë shumicën e kohës, por jo çdo herë. Shpresojmë se herën tjetër ata nuk do të më gjejnë.
“Kam miq në jug të Londrës dhe kur të arrij atje do të jetoj me ta. Ata thonë se ka shumë punë, shumë para për t’u bërë. “
Brittany Ferries ka tre linja pasagjerësh në javë nga Bilbao në Portsmouth dhe dy anije mallrash për në Poole.
Deri më tani, ka mbajtur 1,765 emigrantë në bord. Prej tyre, 66 u kapën nga Forca Kufitare e Mbretërisë së Bashkuar pasi arritën këtu (Angli).
Drejtori i asociuar i firmës Roberto Castilla tha: “Vendorët janë të shqetësuar se çfarë mund të ndodhë më pas. Trafikantët punojnë në grupe për të hutuar rojet.
“Siguria bën një punë të mirë, por porti është 11 km në madhësi, kështu që është e vështirë. Emigrantët qëndrojnë në majë të kodrave, kështu që ata kanë një pamje të plotë të të gjithë portit”.
Ai tha se problemi është përkeqësuar në mënyrë dramatike që nga viti 2012. “Në atë kohë ne ishim në shënjestër deri në 300 në vit. Tani mund të jetë 300 në muaj. “
Agjencia Kombëtare e Krimit ka shprehur shqetësimin për bandat e dhunshme shqiptare që kontrollojnë trafikun e qenieve njerëzore dhe kokainës.
Esteban Izquierdo i policisë spanjolle tha se numrat janë rritur që kur kampet e emigrantëve në Calais (Francë) u mbyllën.
Ai tha: “Deri tani numri më i madh është nga Shqipëria, meshkuj dhe të rinj. Ne bëjmë gjithçka që mundemi “.
Akademikët i shkruajnë Edi Ramës: Mos e mbyllni Akademinë
Disa Anëtarë Nderi të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i kanë dërguar një letër Kryeministrit Edi Rama, ku shprehin shqetësimin për akademinë.
Letra e plotë:
Shkëlqesia Juaj Zoti Kryeministër
Ne, nënshkruesit e kësaj letre publike, në cilësinë e anëtarëve të nderit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Ju drejtohemi me këtë apel të sinqertë, me qëllim që Ju të mos vijoni drejt shpërbërjes së institucionit në të cilin e kemi për krenari të jemi pjesë. Për më tepër Ju ftojmë të bëheni promotor i hapjes së një faze të re të dialogut me botën akademike, duke vazhduar në qëllimin përfundimtar të propozimit të një reforme të mundshme dhe rigoroze të sektorit delikat të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
Edhe ne, nënshkruesit, ndajmë bindjen se pjesa më e madhe e kohës që ishte në dispozicion për të ndërmarrë një proces radikal reformues të Akademisë ka kaluar jo në mënyrë efikase, dhe se sot, ndoshta, është më se e nevojshme dhe e përshtatshme transformimii saj në një qendër kërkimore moderne dhe konkurruese ekselente.
Për shkak të ndjenjës së përgjegjësisë individuale dhe kolektive, ne mendojmë se lëvizja drejt eliminimit të institucionit do të çojë në një pikë pa kthim, që mund të dëmtojë të ardhmen e kërkimit shkencor në Shqipëri. Kjo është ajo që ne themi, pa ushqyer supozimin se disponojmë zgjidhje përfundimtare dhe efektive, dhe pa pretenduar të zëvendësojmë pritshmëritë legjitime të programit të ri qeveritar që do të bëni. Por, ndonjëherë kurajoja për të qendruar dhe për të diskutuar mund të rezultojë më përmbushëse e ndoshta edhe më e dobishme, duke evituar të biem në gabime të pariparueshme si ato kur në të njëjtën kohë bashkë me ujërat e pista hedhim edhe foshnjen. Akademia e Shkencave, si institucionet e tjera publike shqiptare, ka përjetuar tranzicionin e gjatë dhe të pafund nga diktatura në demokraci, që ka tronditur shoqërinë shqiptare. Ju vetë e keni bërë të vetëdijshme atë, kur keni theksuar nevojën për të ngritur strukturat publike shqiptare, në radhë të parë universitetet, në një regjim normaliteti.
Formula Juaj “të bëjmë shtet” ishte më e pranuara, sa më të dukshme ishin mosfunksionimet burokratike, padrejtësitë sociale, format korruptive, që, në kompleksitetin e tyre, rrënojnë shoqërinë shqiptare dhe fshikullojnë qytetarët në jetën e tyre të përditshme. Në vitet kur shqiptarëve u mohohej e drejta për t’u ndjerë “qytetarë europianë” shumë nga ne kanë qenë mbështetës aktivë të kërkesave të paraqitura në universitetet tona nga studentët e vendit Tuaj, të cilët, të dekurajuar nga kushtet e universiteteve shqiptare, synonin të studionin jashtë vendit. Ata ishin të rinj që linin shuma të konsiderueshme si “peng” për t’iu përmbajtur standardeve që i përulnin dhe i poshtëronin. Megjithatë, u arrit që shumë prej tyre të diplomohen, disa të vazhdojnë trajnimet e tyre shkencore jashtë shtetit dhe në disa raste edhe të rekrutohen në universitetet tona. Gjithë kjo ndodhi në sintoni dhe me mbështetjen e plotë të kolegëve tanë të shquar nga universitetet publike shqiptare dhe Akademia e Shkencave. Ka qenë një periudhë e gjatë tranzicioni që ende nuk ka mbaruar, por që, edhe falë ndërhyrjes Tuaj të vendosur reformuese prej disa vitesh, është karakterizuar nga një ndryshim i rëndësishëm i trendit.
Ne e gjejmë në universitetet, të cilat, ndërsa ende ankohen për hendekun me standardet evropiane (por ne i sigurojmë ata se kjo nuk është “primati” negativ ekskluziv i Shqipërisë). Megjithatë nuk mund të thuhet se janë në të njëjtin nivel me anarkinë e njëzet viteve të kaluara, ndërkohë që ka një burim optimizmi në rrugën e ndërmarrë nga universitetet shqiptare për të rindërtuar besimin tek familjet dhe studentët, duke iu bashkuar përpjekjeve të sinqerta të stafit akademik për realizimin e trajnimeve shkencore gjithnjë e më konkurruese.
Ne nuk e fshehim se xhepat e mëdhenj të rezistencës pasive pengojnë një përfundim të mirë të procesit reformues, por ky argument është fitimprurës vetëm për ata që nuk kanë kulturë qeveritare dhe i dorëzohen populizmit të zakonshëm: “sa më keq të shkojë, aq më mirë”. Sigurisht nuk është kjo tema më e përshtatshme për të trajtuar çështjen që në këto ditë ka shpërthyer në mënyrë mediale duke supozuar trajtat e një improvizimi dhe jo të një serie dramatike të vështirësisë institucionale që lëngonte prej kohësh dhe që akoma nuk ka gjetur zgjidhjet e duhura. Akademia e Shkencave ka vuajtur kërcënime politike, duke pësuar censurë të pashembullt, që, sipas nesh, përfshihet dhe ajo në faktorët që e kanë zvogëluar dhe sjellë në gjendjen komatike që ajo ndodhet sot.
Duke i prerë qendrat nevralgjike jetike, institutet historikë, të cilët përbënin motorin e vërtetë propulsiv të kërkimit shkencor gjatë periudhës komuniste, Akademia u katandis në një strukturë të thjeshtë honorifike me burime njerëzore të kufizuara e me pak stimuj, shpesh e akuzuar se ishte në “opozitë” dhe disa herë “bashkëudhëtare” e qeverive të ndryshme; duke iu nënshtruar akuzave dhe shpifjeve më të rënda , pa patur asnjë zë, të brendshëm ose të jashtëm, që të ngrihet për të kujtuar se kjo është e njëjta Akademi e Shkencave, që në periudhën më obskurantiste të historisë së Shqipërisë kishte përfaqësuar, në të mirë dhe të keq, një pikë referimi dinjitoze dhe të respektuar për albanologjinë ndërkombëtare, për të cilin asnjë studiues i huaj – ne të parët – nuk ia mohoi kurrë rolin e bashkëbiseduesit të privilegjuar. Ajo që ka ndodhur në më shumë se dy dekada ka qenë një sulm serioz ndaj lirisë së shkencës dhe së drejtës së shenjtë të kërkimit shkencor për t’u organizuar në përputhje me procedurat dhe standardet e miratuara në çdo pjesë të botës demokratike. Tentativat e sabotimit të funksionit primar, të diskreditimit të profilit profesional, të pikturimit si të një karikaturë e së shkuarës, të braktisjes në fatin e vet dhe madje deri në frikësimin e atyre që guxojnë të propozojnë përpjekje të ndrojtura për ta përshtatur atë me nivele më të pranueshme; për më tepër këtyre u janë shtuar forma të pashpjegueshme të imobilitetit, strategji konfuze që kurrë nuk u konsoliduan në projekte të vërteta dhe reale, teorema të tymosura të asimiluara nga leximi i nxituar i statuteve të të tjerëve që konsideroheshin si të përshtatshme për Shqipërinë, siç ishin ato të Anglisë, Francës ose Italisë, vende plotësisht ndryshe dhe që me të drejtë mburren me eksperienca të konsoliduara në këtë sektor. E gjitha kjo ndodhi pa hapur një diskutim të sinqertë edhe të zgjatur në kohë, për situatën aktuale dhe për shkaqet që e sollën atë, mbi hipotezën e një reforme të mundshme të përshtatshme për potencialin e një vendi në zhvillim si Shqipëria, dhe për të përmbushur njëkohësisht pritshmëritë për një specializim të lartë të gjeneratave të reja dhe për një vleftësim të avancuar të mallrave dhe burimeve ekonomike, mjedisore, kulturore dhe industriale të vendit. Me një fjalë, një projekt të vërtetë dhe të përshtatshëm i cili shikonte të ardhmen e Akademisë pa iu nënshtruar domosdoshmërisht polemikave të paqarta dhe debatit të kryer këto ditë nga filozofët e rinj me qëndrim gjakftohtë, nga të cilat Shqipëria duket se ka mrekullisht me shumicë pas rrëzimit të regjimit të vjetër.
Zoti Kryeministër,
Nuk Ju fshehim se eliminimi përfundimtar i Akademisë së Shkencave nga tabloja institucionale e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor trondit ndërgjegjet tona për një arsye tjetër që mendojmë se është e nevojshme të ngrejmë: ajo krijon një mundësi shumë më të dëmshme nga sa mund të jetë në vetvete tentativa e shkrirjes, që është ajo e ndërtimit të strukturave alternative në varësi tërësore nga politika, nga stinët dhe humori i saj. Në botën e sotme shumë të globalizuar, është më e nevojshme të sigurohet autonomia e kërkimit shkencor, duke e bërë atë gjithnjë e më të lirë nga kushtëzimi i jashtëm i interesave të politikës, përfshirë dhe ato të industrisë. Në asnjë vend të botës nuk përndiqet shërbimi i shkencës, me përjashtim të vendeve nën diktaturë. Autonomia në mjediset e shkencës dhe promovimi shkencor është në fakt një nevojë thelbësore për të matur jo vetëm shkallën e demokratizimit të brendshëm të një vendi, por edhe për për të studiuar aftësinë e tyre për të identifikuar dhe zhvilluar, në një autonomi të përsosur dhe të vetëdijshme, bashkëpunime të frytshme dhe të qëndrueshme me institucionet ndërkombëtare akademike dhe universitare në bazë të interesave të përbashkëta kërkimore. Ndërhyrjet e jashtme mund të jenë shkak i ndryshimit të procedurave normale të protokollit dhe shpesh ndikojnë në bashkëndarjen e projekteve me interes reciprok të dyanshëm të partnerëve, për shkak të faktit se gjuhët e shkencës dhe politikës shpesh nuk takohen dhe nuk ndajnë të njëjtën gramatikë bazë. Duke ripërsëritur këtë parim universal, ne ripërtërijmë gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në çdo diskutim me kolegët tanë akademikë shqiptarë për të filluar stinën e re të rilindjes së Akademisë së Shkencave. Ne jemi plotësisht të bindur se aty ekziston potenciali, burimet dhe vullneti për të ringjallur fatet e institucionit prestigjioz që për vite me radhë i ka dhënë shkëlqim dhe orientim albanologjisë. Akademia nuk u ndërtua as nga godina dhe as nga pagat, por nga burrat bujarë, intelektualët e apasionuar, studiues eruditë me vlera të respektuar nga kolegët e tyre në botë, si Aleks Buda, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Ylli Popa, Kristo Frashëri, Jorgo Bulo, Stefanaq Pollo, Dhimitër Shuteriqi, Selaudin Betekshi, Petrit Gaçe, Petraq Pilika dhe eksponentët e tjerë të shumtë të brezit të parë të akademikëve, që ditën të disenjojnë një rol dhe një funksion për Akademinë “e tyre”, duke u ofruar brezave të ardhshëm me angazhimin e tyre një model të jetës dhe të shkencës, me respekt për kolegët dhe me pasion për kërkimin. Ndjekësve të tyre u takon detyrimi, pikërisht në këtë moment të vështirë dhe të papërsëritshëm që të imitojnë shembullin e tyre bujar.
Juve, Zoti Kryeministër, ju takon detyra të nisni “Rilindjen” e Akademisë, kolegëve tanë u takon ajo e realizimit, edhe me kontributin tonë të pa interes nëse do të na kërkohet.
Për sa më sipër, mbetemi në dispozicion kur dhe nëse Juve e shihni të nevojshme t’Ju takojmë personalisht për të ofruar bashkëpunimin tonë.
Ju falenderojmë për vëmendjen Tuaj.
ALIU Ali Anëtar nderi Kosovë
ALTIMARI Francesco Anëtar nderi Itali
DJUROVIĆ Momir Anëtar nderi Mal i Zi
ISMAJLI Rexhep Anëtar nderi Kosovë
J. D. DRENTH Pieter Anëtar nderi Hollandë
JOCHALAS Titos Anëtar nderi Greqi
MANDALÀ Matteo Anëtar nderi Itali
PIERONI Andrea Anëtar nderi Itali
QOSJA Rexhep Anëtar nderi Kosovë
Nuk duhet të ndërtohen xhamitë, por duhet të ruhen
Prof.Dr.Sci. Ilir Muharremi
Burimet historike, rrjedhimisht edhe historianët e sotëm, kanë disa ndryshime kronologjike për vitet e para të pushtimeve osmane në Ballkan. Në vitet 1347, 1349 dhe 1352 trupat e sulltan Orhanit zbarkuan në Ballkan për të luftuar përkrah vjehrrit të sulltanit kundër serbëve, bullgarëve dhe kundërshtarëve të brendshëm politikë të Johanit VI. Në këto rrethana në vitin 1352 osmanët krijuan zotërimin e parë të tyre në Evropë, duke marrë kështjellën Cimpes pranë qytetit të Galipolit dhe, pas dy vjetësh (1354), pushtuan edhe këtë qytet bashkë me rajonin e Dardaneleve e më gjerë. I biri i Orhanit, sulltan Murati I (1362-1389), vuri nën pushtetin e tij rajone të tëra të Ballkanit. 628 vjet Shqiptarët dhe Ballkani vuan nga presioni fetar Turk, pothuajse i ka hyrë në thelb kjo, dhe mendojnë që çdo lindje e re është myslimane. Bëhen kërkesa të ndryshme për lejimin e hapësirave publike për ndërtimin e xhamive të reja, kjo sikurse nuk ju mjafton 628 vjet pushtim fetar, integrim i një feje që nuk ishte shqiptare dhe as nuk do të jetë ndonjëherë, ta ruajmë me fanatizëm të madh.
Çfarë i thuhet kësaj? Popull që nuk i di dhe nuk hulumton për rrënjët origjinale të tija. Duhet të respektohet kërkesa e banorëve të lagjes Dardania për ndalimin e procesit të dhënies së lejes për ndërtimin e këtij objekti fetar. Këtë peticion fillimisht e kanë nënshkruar 140 persona, shpresoj të ketë edhe më shumë në mesin e këtyre njerëzve. Arsyeja e ndalimit të ndërtimit të xhamisë është mospërputhja dhe mos harmonia me objektet e zonës. Bashkësia Islame e ka quajtur të kotë këtë peticion dhe ka thënë se është votuar nga qytetarët për ndërtim, kurse Komuna e Prishtinës ende nuk ka dhënë ndonjë përgjigje rreth kësaj. Si duket Bashkësia Islame nuk po i respekton kriteret e konkursit, ashtu siç me shekuj Turqia nuk i ka respektuar, vetëm se këtu bëhet luftë ndërmjet shqiptarëve dhe shqiptarëve të islamizuar. “Ne të poshtë shënuarit, kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të procesit të ndërtimit të objektit me destinacion fetar në lagjen Dardania në Prishtinë. Objekti me destinacion fetar nuk është në harmoni me objektet e zonës në tërësi dhe sipas destinimit të caktuar të bllokut që është e përcaktuar në planin rregullativ. Objekti poashtu nuk është në përputhje me kriteret e konkursit të publikuara për kompanitë arkitektonike që kanë aplikuar për ndërtimin e këtij projekti. Sipas Planit Rregullues të Lagjes Dardania, të miratuar në vitin 2009, që përcakton rregullat për ndërtim dhe zhvillim të lagjes dhe parcelës ku është planifikuar objekti fetar, një projekt i ndërtuar aty duhet të jetë “në harmoni me objektet e zonës në tërësi dhe sipas destinimit të caktuar të bllokut”, sipas përshkrimit për Kushtet e Veçanta të Bllokut 8c, faqe 164 të planit (bashkangjitur me këtë letër).” Shkruan në peticion e banorëve. Sipas tyre, në faqen 53 të dokumentit thuhet se objekti fetar duhet të jetë i integruar në ambientin dhe kontekstin urban të lagjes. Kurse objekti i Xhamisë ka stil arkitektonik tërësisht në kundërshtim me kontekstin dhe ambientin përreth lagjes për shkak se ka arkitekturë të shek XV dhe XVI, përderisa objektet përreth i takojnë stilit modernist të kohës së sotme.
Vërejtja tjetër që i bëhet kësaj xhamie është se qe kopje e një ndërtese tjetër të një shtetit tjetër. “Kërkojmë nga Bashkësia Islame e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Institucionet Qendrore që këto procese ti bëjnë në përputhje me planin rregullues të lagjes, me transparencë të plotë karshi qytetarëve dhe në përputhje me kriteret e paracaktuara të konkursit”, është kërkesa e banorëve. Ata nuk janë kundër ndërtimit të xhamisë në këtë parcelë të Prishtinës, por për një proces ligjor, gjithëpërfshirës dhe profesional, sepse flitet që Prishtina është në fazë të përmirësimit të infrastrukturës së saj, respektimit të ligjeve, harmonizimit të planeve dhe rregullave. Kryetari i Prishtinës duhet të dëgjoj banorët e lagjes për përsëritjen e procesit të përzgjedhjes se projektit final fitues nën respektim të kritereve. “Liria e besimit dhe praktikimit të fesë në vendin tonë është e drejtë e patjetërsueshme që na takojnë të gjithëve, njësoj qysh ligjet e Kosovës dhe ambienti urban i qytetit na takojnë të gjithëve njësoj. Andaj, duke mbështetur lirinë e besimit dhe asociimit, kërkojmë ndërtimin e objekteve dhe ndërtesave në përputhje me rregullat urbanistike dhe ligje të kryeqytetit dhe shtetit tonë.”, përfundojnë kërkesën banorët.
Secili ka liri të besimit personale, por nuk ka të drejtë të shtyj, propagandoj, rritë historinë e tjetrit në vendin e tij autoktonë. Sepse, atëherë nuk bëhet fjalë për një popull origjinal. As ndërtimi i kishave e as i xhamive nuk është i nevojshëm në vendin tonë. Më e nevojshme është punësimi i njerëzve, luftimi i krimit, respektimi i ligjit, arsimimi… Por, në një vend të varfër, shumë lehtë mund të ndërtosh objekte fetare me arkitekturë mesjetare. Ndoshta kjo bëhet për ruajtje të votës, sepse është lejuar edhe përdorimi i shamisë pas moshës 16 vjeçare, dhe një numër i konsiderueshëm i myslimanëve u ka dhënë votën. Mesiguri janë edhe banorë të lagjes ata që kërkojnë ndalimin, por mund të jenë edhe aktivistët politikë, sepse dihet që në Kosovë mund të luash lehtë lojëra politike. Çfarë fitohet nga kjo? Zvarritje. Më mirë është të ndalohet ndërtimi i objekteve fetare, qofshin katolike, budiste, myslimane. Nuk kemi nevojë për religjion, por për hap drejt njohjes.
A duhet të ndërtohen xhamitë në tokat shqiptare?
Dokumentet dëshmojnë se, qysh kur nisën sulmet për pushtimin e tokave shqiptare, osmanët i kushtuan vëmendje shtresës së fisnikëve. Krahas prirjes për mënjanimin e përfaqësuesve të pabindur të kësaj shtrese, aty ku qëndresa ishte e dobët, në rajonet ku vendosja e pushtetit osman ishte e vështirë, pushtuesit u përpoqën të përdornin elementë nga radhët e fisnikërisë shqiptare për të neutralizuar pakënaqësinë dhe qëndresën e tyre. Për këtë ata përdorën marrëdhëniet e vasalitetit dhe i detyronin fisnikët shqiptarë të dërgonin bijtë e tyre të vegjël si pengje në oborrin e sulltanit, si iç-ogllanë (pazhë). Këtu ata konvertoheshin në fenë islame dhe edukoheshin me frymën e besnikërisë ndaj sulltanit. Pas një dekade, kur mendohej se ishin formuar si osmanlinj të vërtetë, ata pajiseshin me timare të mëdha dhe ofiqe të larta, sipas aftësive që tregonin. Nëpër institucionin e iç-ogllanit kaluan i biri i Gjon Kastriotit, Skënderbeu, i biri i Teodor Muzakës, Jakup Beu, i biri i Gjon Zenebishit, Hamza Beu etj.
Çdo fe privon me mashtrim pothuajse nga qytetërimi antik, dhe vazhdon të zhvatë qysh edhe në kohën e sotme popujt të ndryshëm, qofshin të krishterë, myslimanë, budist…. Krishterët plaçkitnin Lindjen sepse ishte e pasur dhe Kryqëzatat ishin piratëri e lartë dhe asgjë më shumë. Ndërmjet krejt religjioneve nuk ka vend për zgjedhje, vendimi është dhënë që më parë, asnjë individ nuk është i lirë, vetëm se në kohën e sotme përdoren për përfitime, ndoshta kjo gjithnjë ka qenë e saktë, dëshmohet me futjen e islamit në trevat shqiptare. A mund ta kuptoni se çfarë ishte epoka e Rilindjes shqiptare? Shndërrimi i vlerave myslimane, përpjekja, e ndërmarrë me gjithë mjetet, me gjithë instinktet, me gjithë gjenitë, që të çonte drejt fitores vlerat e kundërta. Atëherë, përse u dashka ende të jemi zagarë, apo të dëgjueshëm, aspak të lirë, të trashëgojmë diçka që nuk është e jona. Mund ta lëmë ashtu siç ka qenë dhe është, por jo ta ndërtojmë të re, në një tokë e cila nuk e kupton e as nuk e pranon.
Populli jonë, heziton të debaton rreth religjionit, xhamive, integrimin e saj të saktë tek popullata shekuj më parë, të bërit politikë me fenë… Pse ndodhi kjo, përse vazhdon të ndodh? Individi si individ është fajtor, pastaj sistemi, por e para bart fajin sepse religjionin e integruan në pjesën historike shqiptare, pastaj vërshuan sllavët, të cilët poashtu qenë të vërshuar nga Turqia, por në Kosovë pati ndikim të keq. Edhe Shqipëria përhapi komunizmin, e përhapi në Kosovë, ngaqë pjesa historike na lidh ngushtë, andaj ndodhi pretendimi i shndërrimit të komunizmit absolut.
Pse Kosova në shkallën më të lartë pranoj islamizimin? Popullsia e Kosovës ishte e pushtuar nga islamikët, pothuajse më së shumti, qe edhe e përjashtuar nga kulturat shqiptare, trajtohej si zorrë qore, pastaj Kosova u lëndua edhe më shumë nga luftërat që i bëheshin me qëllim të shkombëtarizimit. Turku filloj t’i shpërngulte shqiptarët në Turqi. Këtu ndodhi një rrëmujë, asimilim, harrimi i gjuhës, integrimi qind për qind në islamizëm, derisa pjesa e tjetër shkombëtarizohet. Shumë shpejt shqiptarët e Kosovës u konvertuan në Turq, ose u bënë Turq, ngaqë ju premtoheshin favore marramendëse. Jugosllavët e mbështetin shndërrimin e shqiptarëve në Turq dhe largimin e tyre.
Çfarë pasoja solli turqizmi në Kosovë?
Identiteti fetar po zhvillon betejë të ashpër me identitetin kombëtar, sepse feja po vendoset në radhë të parë tek ne. Ky popull i brishtë me syze shikon Turqinë dhe Islamin. E kaluara aspak nuk ishte e harmonishme, kurse sot është tejet e harmonishme. Shqiptarët ishin kundër fesë islame në Kosovë, kurse Turqit e proklamonin. E çuditshme është se si shqiptarët e Kosovës ndjenjë afërsi me identitetin turk, as sot nuk e kam të qartë. Ndonëse, sot është e mundur, por në të shkruarën qe e pamundur dhe Turkut ju dashtë shekuj investimit për integrim të fesë. E keqja është se Shqiptarët e Kosovës më shumë po shkojnë kah Lindja sesa Perëndimi, ndonëse duhet kuptuar një popull të brishtë. Kosova krahas me Shqipërinë është më e luhatshme nëse bëhet fjalë për perëndimin. Kosova ka problem fetar dhe historik, paragjykime të së shkuarës, kulturë, politikë e gabuar, madje edhe identitet.
Si në të shkuarën edhe sot në Kosovë, një numër i madh i njerëzve agjërojnë përfshirë disa kolegë të mijë “shkencëtarë”. Studentët në ditën e Bajramit iknin të gjithë nga fakulteti. Pothuajse në çdo fjali këta njerëz përmendin Allahun, inshalla…. Andaj, shumica i kanë emrat arabë dhe vështirë mbijetonin me katolikët, ose në mesin e këtyre myslimanëve nëse ishte ndonjë katolik, menjëherë para emrit të tij e veçonin si katolik. Nuk kishte tolerancë fetare, ose rriteshin dhe vazhdojnë të rriten me urrejtje ndaj feve tjera. Njohë disa katolik në Kosovë të cilët i quanin si laraman, qenë të obliguar ta braktisnin vendin për të ikur në Perëndim. Kosova gjithmonë ishte e zhytur në djepin Turk dhe Shqipëria vonë ndërhyri ndaj një gjëje të rrezikshme, këtë e bëri me arsimim me qëllim të ngushtimit të fanatizmit analfabet fetar.
Literatura e Rilindjes-Kombëtare fillon të depërton në Kosovë, fatkeqësisht me idetë Enveriste. Zoti, feja nuk vlejnë për njeriun dhe kombin, më pas ndalohen. Këtë e donte Kosova, por edhe fenë nuk e përjashtonte. Ka ngrënë bukë me dy lugë, thuhet në gjuhën e popullit. Përmes literaturës vinte feja, kosovarët pranonin vetëm atë për të cilën mendonin se qe më e përshtatshme për ta, mohimin e Zotit nuk e pranuan, ndjenin indiferencën e tij, që nga një anë, është fshehje.
Gjithmonë serbët krijonin hapësira për stimulimin e fesë, këtë e bënin në dëm të identiteti kombëtar shqiptar, kurse shqiptarët jo intelektualë nuk e kuptonin, andaj serbëve ju konvenonte analfabetizmi i cili i kushtoj shtrenjtë Kosovës. Kosovarët nuk harmonizoheshin mirë me Shqiptarët dhe serbët përdornin fenë për dëmtimin e kombit shqiptar. “Pasi bëri prej tyre muhamedanë, turq, islamikë dhe nxiti shpërnguljen e tyre, radha ishte të hidhte në lojë kartën e fundit: fundamentalizmin islamik, për të cilin bota ende nuk kishte dëgjuar tamam, por Europa tashmë kishte krijuar një ndjeshmëri, qoftë edhe si preventivë të largët”, shkruan Mehmet Kraja. Tashmë Kosovarët identifikoheshin me minare, xhamia, hoxhallarë, vend tipik mysliman, dhe mediat botërore edhe sot popullin tonë e identifikon me ferexhe dhe minare. Shumë shpejt në botë shfaqej se të drejtat kombëtare ngatërrohen me ato fetare, të qenit mysliman. A ishte kjo propagandë e trilluar? Natyrisht, sepse pas 1999 në Kosovë u zhduk analfabetizmi dhe intelektualët mbanin anën e shkencës, derisa mediokrit vazhdojnë ta propagandojnë fenë. Por, kosovarët në masë të madhe janë mysliman, dhe një numër prej tyre i praktikon këto rite, kurse në kombëtarizim shtiren ekstremistë, dhe botërorët nuk e shohin këtë kështu. Më shumë na identifikojnë si mysliman, sepse feja është fut në trashëgimi. Andaj, edhe sot nëse debatohet për fenë kudo në botë, Kosovarët nuk janë të përgatitur për këtë temë, gjithmonë krijojnë bisht për këtë. Gjithmonë do të jetojn në keqkuptime për fenë.
Ndërtimi i Katedrales në qendër të Prishtinës, tenton të tregon se Kosovarët bëjnë refuzim të manifestimeve fetare myslimane, dhe nuk e përkrahin shumicën myslimane, ndonëse edhe historikisht nuk kanë asgjë të përbashkët. Kjo ndikoj nga propaganda serbe dhe bota krijoj keqkuptim, andaj katedralja u përdorë si zgjidhje për të ju kthyer imazhi i pastër Kosovës, dhe mbështetja ndaj BE-së. Feja këtu pak u politizua.
Krahas me Boshnjakët, të cilët fenë e bënë si pjesë të identitetit, Kosovarët u thirren në historinë e Ilirëve. Ndonëse, arsyeja ishte se serbët Kosovarët i identifikonin si fundamentalistë fetarë, kurse Kosovarët fillonin ta ndërpritnin ose ngadalësonin ndikimin fetarë, dhe e shihnin si dëm dhe rrezikues. Nuk kishte vetëm Kosova pamje orientale, të gjitha vendet e pushtuara nga Turqia si: Greqia, Bullgaria, Serbia, Maqedonia, Shqipëria, një pjesë e Bosnjës, por shumë shpejt këto vende u deorientalizuan ose morën kahe kah Perëndimi. Arsyeja pse Shqiptarët e Kosovës më shumë anuan kah feja ishte se ju ndërprenë të gjitha lidhjet me Shqipërinë ngaqë ishte pjesë e Jugosllavisë, u ndalua vetëdija kombëtare, komunikimi. Të vetmen që mund ta donin qe feja. Murtajë e vërtetë…
“Heroinat”, plagjiat apo vepër origjinale?
Kritika nëse i bëhet një vepre nuk i bëhet menjëherë, duhet të kalojnë ca vite. “Heroinat”, u kritikua që në fillim, por nuk u detajua kritika. Nuk u saktësua a është plagjiat në tërësi? Në ditën e inaugurimit të veprës kam reaguar në Facebook në lidhje me këtë. Në tekst mund të lexoni detajet e veprës plagjiat.
Prof.Dr.sci.Ilir Muharremi
Fjalori i gjuhës shqipe kuptimin e plagjiaturës e përkufizon si paraqitjen e një vepre nga dikush tjetër të përvetësuar si të veten: vjedhje letrare, muzikore, artistike, duke marrë pa treguar burimin. E dyta, kur dikush paraqet veprën e huaj me emër të vetin, ose kur dikush huazon ndonjë tekst ose pjesë nga teksti e nuk e bënë të qartë burimin (kjo identifikohet si plagjiaturë e pjesshme), tjetra, kur dikush e përkthen ndonjë shkrim dhe nuk e bënë të qartë burimin, pra e paraqet si të tijin, apo kur dikush huazon pjesë të ndonjë teksti të huaj, prapë nuk e tregon burimin, ose tregon tekstin por burimin e parafrazimit nuk e tregon dhe e fundit kur dikush e paraqet një vepër te veten apo të ndonjë pjese të saj në provime apo ngjarje të ndryshme, identifikohet si vetë-plagjiaturë.
Në çdo vend të botës plagjiatura ndiqet me ligj, kurse te ne, ajo ndodhet në qendër të qytetit konkretisht përballë obeliskut më të madh në kryeqytet NewBorn. Bëhet fjalë për memorialin “Heroinat” të inauguruar më 12 qershor të 2015-tës. Edhe në media u diskutua se a është plagjiaturë apo vepër origjinale nga artisti Ilir Blakçori. Si qëndron puna? A mund të cilësohet si vepër plagjiaturë, atëherë ne po bëjmë një përshkrim të dy veprave dhe vet lexuesi le ta përkufizojë:
Memoriali “Heroinat” rrëfen për sakrificën e femrave që luftuan me armë në dorë dhe ranë dëshmore, veçanërisht grave të dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në luftë nuk rranë vetëm heronjtë kemi edhe 20 mijë heroina të dhunuara. Memoriali “Heroinat” është vendosur në një këndë të fshehur krahasuar me memorialit tjera në kryeqytet. Memoriali u inaugurua me rastin e shënimit të ditës së çlirimit të Kosovës. Vepra u krijua me 20 mijë shufra të hekurit. Në sipërfaqen e kësaj skulpture, shufrat marrin trajtën e medaljoneve. Vepra duket si impozante, në fytyrën e saj vërejmë butësinë e natyrës femërore. Koncepti i saj është i dyfishtë sipas realizuesit Blakçori: gjatë ditës nën efektet e dritës natyrale, medaljonet reflektojnë dritë e hije mbi imazhin e portretit. Nëse afrohemi vërejmë portrete individuale të medaljoneve, që identifikojnë nënat, bijat, motra që humbën në luftën e fundit.
Interesante është se vepra jo veç që u frymëzua nga një vepër tjetër, por është e njëjtë sikurse ajo e artistit Asif Khan, ‘MegaFaces’ 2014. Pjesa e kokës “Heroinat” dhe “MegaFaces” (i njëjti realizim i këtij monumenti ishte i vendosur edhe në Lojërat Olimpike 2014, që janë mbajtur në Sochi të Rusisë), janë të njëjta, me vështrim të njëjtë, vetëm se pjesa e flokëve te “MegaFaces” i mungon, këtë nuk e përdorë artisti te “Heroinat”. Pjesa e ballit, syve, hundës, gojës, vështrimit, copëzat e medaljoneve (të ngjashme) në fytyrë, shikimi, tërë mimika, janë identike. “Heroinat”, është fytyrë gruaje, kurse “Megafaces” duken si fytyra të fëmijëve, vetëm biografia e personazhit ndryshon derisa pjesa e idesë dhe realizmit mbetet mu e njëjta. Në stil, anatomi dhe koncept janë të njëjta. Këto vepra ngjajnë si dy pika uji. Nuk kopjohet vetëm ana vizuale, kopjohet edhe koncepti autentik i veprës “MegaFaces”. Kjo vepër tashmë e kopjuar ka lëvizje emocionale, por unë si qytetar i thjeshtë më shumë do pëlqeja murale të shkëmbit me simbole historike të heroinave në vend të një vepre të kopjuar.
“MegaFaces” përbëhet nga 11 mijë aktivizues, që shfaqin fytyra të ndryshme me anë të kinetikes nga jashtë. Poashtu edhe këto fytyra janë identike sikurse të “Heroniave” të minimizuara. Nga distanca, nëse i vështrojmë të dy veprat afër, dallimet janë vetëm në pjesën e flokëve sipër. Kjo nuk mjafton për tu distancuar tërësisht nga vepra, dhe ta quajmë si krijim origjinal.
Atëherë, çfarë mund t’i thuajmë kësaj? Pjesa hyrëse e tekstit e dëshmon si referencë origjinalitetin e këtij memoriali në kryeqytet. Mos të harrojmë se vepra “Heroinat’, kap shumën prej 120 mijë eurosh. Artisti e fitoj konkursin pasi dy herë radhazi u anulua për shkak mospjesëmarrjes së artistëve. Iniciatorja e projektit Alma Lama kishte thënë se ky memorial duhej të ishte bërë i pari në Kosovë. Po, mirëpo ana artistike estetike duhej të ishte origjinale, ndonëse edhe unike. Gratë e rëna në luftë të gjithë i kanë prekur, dhe meritojnë të jenë në një vepër origjinale. Lama vet ka pohuar: “Gjatë miratimit të buxhetit për vitin 2013, pra në dhjetor të 2012 unë kam përgatitur një amendament ku është përshkruar ideja e memorialit si dhe shuma e nevojshme për ta realizuar këtë projekt. Ideja dhe koncepti i një memoriali që nderon kontributin e grave gjatë luftës është përkrahur nga të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe u miratua njëzëri.” Mirëpo, a e kanë parë skicën ose buceten e memorialit dhe kërkimin se mos vallë është plagjiat, pasi do vendoset në qendër të qytetit? Normalisht që jo, vetëm i kanë ngritur duart pa qenë të informuar. Dakord jam me idenë e memorialit si propozim ta gëzon kryeqyteti sakrificën dhe madhështinë e gruas, por jo me realizmin e tij.
Memoriali ashtu si është tash ka të veçantë portretin, është shumë i kohës, dhe nuk paraqet ndonjë grua me armë në dorë me përmasa të trupit të rritura siç jemi mësuar shabllon t’i shohim në skulpturat komuniste të Shqipërisë, ose me emocion folklorik – patetikë, kjo vlen të veçohet këtu, por nuk mjafton vetëm kjo. Pasi që gratë e meritojnë një vend të rëndësishëm në luftën e fundit, e meritojnë edhe një memorial origjinal nga duart e artistëve.
Çuditem pse nuk kanë reaguar heroinat dhe ideatorët e këtij projekti, por vetëm me duartrokitje e zbuluan kopjen e tillë. Ndoshta nuk kishin njohuri për një vepër identike që ekziston dikund në botë. Tjetra, anëtarët e komisionit vlerësues dhanë pëlqimin e kësaj figure dhe e zgjodhën, prapë se prapë arti është si treg, ku artisti ofron mallin pa ndërgjegje, blerësit e konsumojnë, atëherë artisti fiton. Por, arti i vërtetë madhështor rrjedh nga sinqeriteti i autorit, dhe veprat e mëdha kishin ndikime e pak prej tyre qenë plagjiaturë.
Projekti u financua nga taksapaguesit e Kosovës dhe Kuvendi vendosi miratimin e tij. Kjo vepër vetëm emrin e ka origjinal “Heroinat” ngaqë balancohet me heronjtë dhe të tilla qenë ato gra që dhanë jetën për vendin e tyre. Picasso me kotë nuk thotë: “Artistët e këqij kopjojnë, ndërsa gjenitë vjedhin”, e kjo vepër i takon të parës në këtë thënie.
Skënderbeu, më i lartë se kali
SHKRUAN: PROF.DR. SCI.ILIR MUHARREMI
Duhet të sqarohemi që në fillim se ky nuk është shkrim historik apo ndonjë teori e thatë që tenton të njollosë historinë, por një vështrim, analizë rreth monumentit të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut në Prishtinë, tek i cili çdo ditë gjejë diçka tërheqëse interesante. Pse heroi në atë monument është më i madh se kali, kur dihet që kali është më i madh se njeriu, në përmasat trupore. A paraqitet Skënderbeu si figurë legjendare? A duhet të jetë tokësor në raport me kalin? A është proporcionalisht i punuar gabim nga skulptori? A rriten qëllimisht përmasat apo përzihet ana mitike me atë reale të njeriut? Mitit është mit dhe në vete nuk ruan ndonjë saktësi shkencore, kurse kalimi i Skënderbeut në figurën reale ashtu siç ishte kjo është më e rëndësishme. Këtë e bëri profesori Oliver Jens Schmitt në librin e tij. Në libër Skënderbeu zbret nga lartësitë legjendare, bëhet personazh tokësor.
NJË DETAJ QË NUK ËSHTË VËREJTUR
Kurse skulptura e Skënderbeut në Prishtinë, e punuar nga J. Paco, në material bronz, si duket më shumë ka të bëjë me pjesën legjendare të tij se skulpturës realiste me përmasa të sakta. Nëse bëjmë një matje të thjeshtë përmes njësive matëse të barabarta, lartësinë e kalit edhe lartësinë e trupit të Skënderbeut. Kuajt maten duke filluar nga pjesa ku qafa e tyre bashkohet me kurrizin, deri te patkonjtë, kurse njeriun nga pjesa e sipërme e kokës gjerë te gishtërinjtë e këmbës, vërejmë më të plotë dhe më të madh figurën e Skënderbeut sesa atë të kalit. Ana artistike proporcionale nuk është e saktë, me përmasa reale. Pyetja që më vjen është se si ka mundësi udhëheqësit e asaj kohe të viti 2001 të mos vënë re një detaj të tillë, që në fakt nxjerr më të lartë Skënderbeun se kalin? Kuajt më të lartë të njohur deri më sot janë nga 210 cm, ndërsa ata të vegjël që quhen Poni 145-148 cm. Nëse kali i tij që 1.73 më i lartë siç mendohej, ka mundësi që Skënderbeu të jetë më i shkurtë, por jo shumë më i lartë se kali në imazhin e shtatores, ndonëse kjo na pëlqen të gjithëve ta parafytyrojmë. E vërteta është se njeriut nuk mund të jetë më i lartë se kali.
GJATËSIA E HEROIT KOMBËTAR
Monumenti i Skënderbeut në Prishtinë është kopje e atij në Krujë, i ulur në kalë, derisa kali ngrit këmbën e djathtë, po ashtu edhe Skënderbeu me dorën e djathtë mban shpatën, kokën e ka të kthyer kah armiku ngaqë përballet me një ushtri shumë më të madhe. Ndodhet i pafrikësuar në betejë. Përveçqë i jepet rëndësi figurës së Skënderbeut, duhet t'i jepet edhe figurës së kalit, sepse kali përdoret si simbol që ka shoqëruar heroin. Barleti e thekson se kali qe i një race të zgjedhur dhe pas vdekjes së Skënderbeut nuk pranoi t'i hipte tjetër njëri, andaj dhe ngordhi. Prej kohës rrjedh një dokument në qarqet e historianëve që flet jo saktë për gjatësinë e Skënderbeut. Në letër, Skënderbeu i drejtohej Venedikut me fjalët: "Në lidhje me rrobat, që siç na është premtuar do të na jepen dy herë në vit, ju lutem të më dërgoni rroba të përshtatshme për trupin tim, ashtu siç u janë dhënë edhe zotërinjve të tjerë, sepse thonë që mund të më mjaftojnë 16 krahë (rroba) për dy palë veshje. Mirëpo zotërinj, llogarisni pak me kujdes se sa krahë më duhen për dy palë veshje e aq jepmëni". Çka del nga kjo se për Venedikun, 8 krahë rroba (stof) mjaftonin për të mbuluar një trup me shtat mesatar. Përflitet se gjatësia mesatare e trupit të tij qe prej 1.75 m. Nëse Skënderbeut nuk i mjaftonin 8 krahë rroba, kjo do të thotë se ai ka qenë më i gjatë se 1.75 metra. Atëherë, nëse ai ka kërkuar qoftë edhe vetëm një krah më shumë rroba, rezulton që ai ka qenë goxha shtatlartë, sepse nëse për një trup 1.75 m, mjaftonin 8 krahë rroba, atëherë me 9 krahë rroba mund të mbulohet një trup prej 1.98 m. Në tekst shkruan se "Kjo do të thotë që Skënderbeu, duhet të ketë qenë rreth 2 metra i gjatë. Ndërkaq në anën tjetër, për të pasur një ide se si mund të jetë dukur veshja e Skënderbeut, mjafton të përmendet fakti që 1 krah venedikas ishte 0.58 m, rrjedhimisht, i bie që trupi i Princit arbëror, mbulohej me veshje të bëra nga 10.44 metra stof (0.58 x 9 = 5.22; 5.22 x 2 = 10.44)."E tëra kjo mbetet ende e pasaktë, por saktësia më e mirë është se njeriu asnjëherë s'mund të jetë më i lartë se një kalë, përjashtuar Ponin.
PËRSE MITITZOHET SKËNDERBEU DHE NË REALITET RRITEN PËRMASAT E TIJ FIZIKE?
Miti i përket një kohe të caktuar, historia shkruan për mitet greke, por edhe sot janë tërheqëse, por një figurë historike të mitizohet, andaj edhe te artistët ndikon kjo, sepse sistemi dikton edhe realizmin e skulpturës rasti konkret i Skënderbeut me kalin. Skënderbeun e mitizuan në shek. XIX dhe në XX. Të parët qenë arbëreshët, më vonë diaspora dhe shtetet e tjera. Cili qe miti i vlerave të tij? Luftoi për atdheun e jo për interesa meskine. Vetë ai bëhet legjendë me këtë thënien e famshme: "Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta midis jush!", në radhe të parë qe prijës kombëtar që bashkoi shqiptarët nën flamurin kombëtar dhe i udhëhoqi kundër pushtuesve turq. Koha e tij qe triumfuese e ngjarjeve dhe betejave, nuk kishte thyerje, por trimëri shqiptare kundër barbarisë turke. Kjo nuk pati jetë të gjatë, për shkak vdekjes së Skënderbeut dhe pushtimit të më vonshëm turk. Esenca nuk qëndronte te miti, legjenda, rritja e anës fizike, por të parimi etnik, i cili qëndronte në një kohë kur dallimet fetare, krishterë/mysliman qenë më primare. Andaj, Skënderbeun unë e shoh njerëzor tepër njerëzor, sikurse Napoleonin apo ndonjë Gladiator të kohës. Historia e Skënderbeut qe e një prijësi mesjetar, sundim vetjak ndaj pushtuesve e jo motive kombëtare, sepse në atë kohë nuk kishin shumë kuptim. Vetë pasuesit e tij qenë me përkatësi të ndryshme etnike. Sundimi i tij qe mbi njerëz e jo mbi hapësira. Hapësira ku përplasej Skënderbeu qenë shumë elastike, as nuk zgjeroheshin e as nuk ngushtoheshin, ishte vetëm rezultat i përleshjeve. Gjithmonë historia e Shqipërisë është shkruar pa kontekst, ngaqë aty shqiptarët gjithmonë janë faktori kryesor dhe qendra e zhvillimeve. Arti duhet të tregojë të vërtetën e njeriut në aspektin estetik/artistik, të jetë çdo gjë proporcionalisht në vendin e duhur, përjashtuar historinë. Problemi tjetër që duhet të ngritët është pse gjithmonë Skënderbeu mendohet në kalë, kur ai qe edhe strateg i mirë, mendimtar, intelektual, nuk ishte vetëm luftëtar siç e përshkruan historia shqiptare apo siç e punojnë skulptorët shqiptarë. Ndoshta një ditë do ta zbresim nga kali ta punojmë me ndonjë libër ose duke biseduar.
Subscribe to:
Posts (Atom)
Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë
Search inside image Akademik Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...