2017-12-17

Letër nga Tirana

Nga ARDIT MUÇA:

LSI DHE ILIR META

Në shqipëri skena politike është e komplikuar. është një mazhorancë rreth 80% që votojnë partitë e mëdhaja, (Partinë Demokratike dhe Partinë Socialiste), pjesa tjetër votojnë ose partitë e vogla ose abstenojnë ose janë të pavendosur. Nga ky 80%, 60% janë të partisë socialiste dhe vetëm 40% janë të partisë demokratike. Partia demokratike ka nevojë për votat e LSI dhe të partive të tjera të vogla për të arritur të konkurojë me partinë socialiste. Dhe përsëri Partia Socialiste është në avantazh. Kjo u pa dhe në zgjedhjet lokale të 2011 ku bashkimi i partisë demokratike dhe të partisë Lëvizja Socialiste për Integrim e coi rezultatin në barazim. Në zgjedhjet e 2017 Partia Socialiste mori më shumë se gjysmën e deputetëve të parlamentit duke dalë forcë e vetme qeverisëse, kjo indirekt solli kalimin e LSI në opozitë. Tani, unë në këtë shkrim dua të analizoj LSI-në si fenomen politik. Në Shqipëri ka pasur shumë tentativa për të krijuar parti të reja politike dhe shumica kanë qenë të vogla. Mund të kujtojmë këtu Aleancën Demokratike, Partinë Social Demokrate, Partinë Republikane, Lëvizjen Socialiste për Intergrim dhe Frymën e Re Demokratike. Nga këto të gjitha janë zhdukur ose janë në limitet e ekzistencës përveç Lëvizjes Socialiste për Integrim që tashmë është bërë faktor decisiv në skenën politike shqiptare. Lëvizja Socialiste për Integrim u themelua në 2004 dhe në fillim për shkak të efektit të dushkut LSI mori vetëm 5 deputetë në zgjedhjet e vitit 2005, më pas jo vetëm u braktis nga Partia Socialiste por dhe u sulmua hapur nga Partia Socialiste ku thuhej se vota për LSI është votë për Partinë Demokratike dhe me qëllim eleminimin politik të LSI u bë ndryshimi i kodit zgjedhor ku u kalua në një sistem proporcional rajonal. Në zgjedhjet e 2009 Lëvizja Socialiste për Integrim mori vetëm 4 deputetë, por ishte faktor kyç në mbajtjen në pushtet të qeverisë së Partisë Demokratike dhe të Sali Berishës, më pas në zgjedhjet e vitit 2013 Lëvizja Socialiste për Integrim kaloi në koalicion me Partinë Socialiste dhe falë parave dhe pushtetit që i dha Partia Demokratike, LSI 4 fishoi numrin e deputetëve dhe dyfishoi numrin e votave. Kjo është diçka që nuk kuptohet kollaj nga njerëzit dhe si arriti Lëvizja Socialiste për Integrim të dyfishojë votat në një periudhë 4 vjecare. është evidente që për të arritur në këtë rezultat janë derdhur shumë para. Për shembull në qarkun e Gjirokastrës Lëvizja Socialiste për Integrim në vitin 2009 mori vetëm 1500 vota dhe në 2013 12000 vota. Si shpjegohet kjo rritje galopante e votave në një periudhë kaq të shkurtër. Një shpjegim është dhe kandidati kryesues i listës së deputetëve të LSI për Gjirokastrën, pasi këtë listë e kryesoi Vangjel Tavo, ish Deputet i PS. Rritje galopante të votave LSI ka pasur dhe në shumë qarqe të tjera si në Dibër, Shkodër apo Lezhë. Në qeverinë e pas 2013 LSI mori 5 portofole ministrore dhe në zgjedhjet lokale të 2015 fitoi 9 bashki të Shqipërisë. Kjo coi në një rezultat të mirë të LSI-së dhe në zgjedhjet e 2017 ku mori 20 deputetë. Fitorja e 74 mandateve nga ana e Partisë Socialiste solli kalimin në opozitë të Lëvizjes Socialste për Integrim, por sikundër peshë mund të permendet zgjedhja e Ilir Metës në krye të presidencës. Cila do të jetë e ardhmja e LSI? A do të ketë ajo të njëjtën peshë që ka patur dhe në zgjedhjet e ardhshme? Unë parashikoj një tkurrje të numrit të votave për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Deri në çfarë pike do të arrijë kjo tkurrje mbetet për tu parë në ditët në vijim. Tani në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim është zgjedhur Monika Kryemadhi dhe kjo lëvizje gjithashtu do të ketë ndikimin e saj në numrin e votave që merr Lëvizja Socialiste për Integrim. Bashkimi i votave të LSI dhe të PD pritet të sjellë një konkurim dinjitoz përballë Partisë Socialiste, por pritet të shihet a do të arrijnë këto të dyja në një mazhorancë qeverisëse, por pikëpyetja më e madhe është se a do të ketë një koalicion zyrtar mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike?

2017-12-15

Gjuha standarde shqipe, dialektet dhe letërsia

Shefkije Islamaj.jpg


Shefkije Islamaj lindi më 25.10.1953 në fshatin Likovc të Skënderajt. Shkollën fillore e kreu në vendlindje më 1968, ndërsa shkollën Normale në Mitrovicë më 1972. Më 1977 mbaroi Fakultetin Filozofik - Dega Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë, ndërsa në vitin vijues 1978 u regjistrua në studimet pasuniversitare të këtij fakulteti. Magjistroi me temën “Sinonimet në gjuhën shqipe” më 1982. Në vitin 1999 mbrojti me sukses edhe tezën e disertacionit “Veçoritë leksiko-semantike dhe stilistike të gjuhës së veprës letrare të Jakov Xoxës” me të cilën mori gradën ‘doktor i shkencave filologjike’.

Dr. Shefkije Islamaj gjatë studimeve ka punuar në arsim, një kohë në shkollën fillore “Liria” në Isniq, pak kohë në Qendrën e Shkollimit të Mesëm “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Ka punuar si ligjëruese e lëndës Kulturë gjuhe në Fakultetin e Arteve Dramatike gjatë viteve 2001-2004.

Fill pas përfundimit të studimeve, në vitin 1977 filloi punën në Institutin Albanologjik të Prishtinës, në Degën e Gjuhës, në Sektorin e Leksikografisë, në fillim si asistente, më vonë si hulumtuese e pavarur, bashkëpunëtore shkencore, bashkëpunëtore e lartë shkencore, ndërsa në vitin 2002 është zgjedhur këshilltare shkencore.

 Sot punon në Institutin Albanologjik dhe ka titullin këshilltare shkencore. Jeton në Prishtinë.

(Floripress)



Fotografia e Shefkije Islamaj



Prof. Dr. Shefkije Islamaj


Çdo gjuhë standarde, pa marrë parasysh sa është e gjatë historia e saj, në fillimin e saj është një dialekt a një e folme e caktuar. Krijimi i normës gjuhësore letrare nis nga strukturat e një dialekti. Por, që nga ai moment i krijimit të saj si gjuhë standarde, fillon ndarja e rrugëve të tyre, të dialekteve dhe të gjuhës standarde – që nga ai moment ato nisin të ndjekin zhvillime të veçanta.

 Struktura gramatikore e gjuhës standarde është e një dialekti të caktuar dhe e një kohe të caktuar, më saktë është strukturë gramatikore e kohës kur u krijua norma e asaj gjuhe. Natyrisht, si dhe sa do ta ndjekë gjuha standarde fjalën e gjallë, si dhe sa do të përthithë brenda vetes veçoritë që janë fryt i zhvillimit gjuhësor të saj nga koha kur është normuar e deri në kohën kur përdoret, varet prej parimeve mbi të cilat nis norma e asaj gjuhe standarde.

Vështruar nga aspekti historik, normat standardo-gjuhësore kanë bazën e tyre territoriale, sociale dhe funksionale. Edhe në procesin e formimit të normës gjuhësore të shqipes ka qenë e domosdoshme mbështetja në një dialekt të një territori. Studiuesit shqiptarë të standardizimit të gjuhës shqipe e të kodifikimit të normës së saj ndër ta më të njohurit Xhuvani, Çabej, Domi, Demiraj, Kostallari e të tjerë, kanë shquar dhe shquajnë posaçërisht rolin e madh që ka pasur në këtë përcaktim territorial gjuhësor tradita shkrimore, më saktë korpusi letrar i krijuar në këtë dialekt – në toskërishten, përgjatë më shumë se një shekulli. Natyrisht edhe roli i faktorëve jashtëgjuhësorë ka qenë i ndjeshëm. Pse pikërisht toskërishtja?

Nuk është diçka e re, por është diçka që është thënë dhe dëshmuar shkencërisht nga studiuesit më të ditur të shqipes se toskërishtja ishte dialekt më i përpunuar, më i standardizuar dhe më i njësuar sesa gegërishtja, në të vërtetë siç thotë studiuesja Kristina Jorgaqi toskërishtja letrare “u shfaq si një variant përfaqësues i të folmeve toske, d.m.th. e unifikuar e homogjene në raport me gegërishten e fragmentarizuar e të ndarë në të folme të shumta; si një variant më i hapur e më dinamik, që kish përfshirë tashmë në gjirin e saj edhe elemente të gegërishtes; si një variant me strukturë më të thjeshtë fonetike e gramatikore etj.”[1], si i tillë me gjasa më të mëdha për t’u vendosur si bazë e gjuhës standarde.

Në procesin e formimit të normës gjuhësore standarde të çdo gjuhe më së shpeshti është theksuar rëndësia e madhe dhe roli që ka pasur letërsia artistike, pra korpusi letrar, në përcaktimin e bazës letrare të gjuhës. Ndikim të madh në identifikimin a në përcaktimin e normës standardo-gjuhësore të gjuhës shqipe, posaçërisht kanë pasur shkrimtarët e mëdhenj, veprat e të cilëve janë konsideruar burim bazë, gjedhe ku janë mbështetur fort edhe gjuhëtarët shqiptarë. Ka mjaft shembuj jashtë nesh që provojnë se kur një varietet ka pasur histori të pasur letrare, histori që e kanë shënuar autorët e mëdhenj, atëherë kjo është bërë një arsye e fortë që pikërisht ai varietet të bëhet standard. Gjuha e shkruar dhe letërsia e jo gjuha e folur shënojnë fillimet e standardizimit të gjuhëve.

Me kohë, natyrshëm ndryshoi rrethi i bartësve të zhvillimit të normës gjuhësore të standardit – ai zhvendoset edhe në tekste profesionale, në tekste shkencore e teknike, në tekste publicistike e informative, kurse tekstet artistike si burime bazë gjatë kodifikimit dhe studimit të normës gjuhësore humbin rolin e madh që kanë pasur në proceset standardizuese nëpër kohë.

Historia e gjuhës sonë standarde nuk është e gjatë, kap më pak se gjysmë shekulli, por mjaftueshëm që të sjellim përfundimin se ajo që u tha më lart përligj edhe rrugën e zhvillimit të saj. Pra, historia e gjuhës standarde shqipe është relativisht e shkurtër, kurse proceset standardizuese të gjuhës shqipe kanë moshë shumë më të madhe dhe kanë një histori të pasur përpjekjesh të zelltarëve të mëdhenj të gjuhës shqipe, më shumë se një shekull. Në gjuhën standarde shqipe krahas trajtave drejtshkrimore e gramatikore të normuara në Kongresin e Drejtshkrimit (1972) janë përfshirë edhe elemente të shumta e të rëndësishme të gegërishtes, të cilat janë futur edhe në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe. Elemente të gegërishtes do të vazhdojnë të përfshihen pareshtur në fjalorët e gjuhës, jo vetëm në ata të gjuhës standarde, po edhe në fjalorët e gjuhës shqipe në përgjithësi, që do të hartohen e që po na mungojnë sot.

Si gegërishtja ashtu edhe toskërishtja para normimit të gjuhës standarde kanë njohur zhvillime të dukshme të shprehjes gjuhësore, zhvillime që karakterizojnë përgjithësisht çdo dialekt kudo tjetër, para normimit të gjuhëve standarde, prandaj mund të flitet për traditën letrare gege, për traditën letrare toske, por edhe për traditën letrare arbëreshe, edhe pse kjo e fundit pa status të përcaktuar qartë dialektor. Këto tradita të pasura shkrimore janë pasuri e përbashkët, shumë e çmueshme, e kulturës shqiptare në përgjithësi.

Pavarësisht dallimeve midis gjuhës standarde dhe dialekteve, midis këtyre dy realizimeve gjuhësore, ekzistojnë edhe më tej shumë veçori të përbashkëta gjuhësore. Ndikimet e ndërsjella midis tyre janë shumë të dukshme dhe shumë të gjalla në të gjitha rrafshet gjuhësore. Gjuha standarde pareshtur pranon nga dialektet, nga të folmet, jo vetëm pasuri leksikore dhe elemente prozodike, por edhe elemente të tjera karakteristike vetëm për të folmet a ligjërimet e ndryshme shoqërore-gjuhësore. Këto ndikime mund t’i quajmë pasurim i saj, në të vërtetë pasurim e larmi e shpre¬hjes gjuhësore. [2]

Në kohën tonë dialektet vazhdojnë të kenë ende fushë të gjerë përdorimi. Në gjithë arealin gjeografik të shqipes, ku më shumë e ku më pak, mund të vërejmë se ata që flasin në gjuhën standarde shpesh e ngjyrosin, qëllimshëm a paqëllimshëm, shprehjen e tyre gjuhësore me veçori ligjërimore lokale. Kështu format letrare fitojnë shënjues lokalë ligjërimorë dhe anasjelltas. Dhe kjo është e kuptueshme për shumë arsye, për të cilat nuk është vendi këtu të flasim.

Dialektet

Për dallim nga gjuha standarde, idiomat organike, dialektet, nëndialektet e të folmet, zhvillohen brenda një bashkësie konkrete dhe në kultura konkrete etnike për të plotësuar nevojat komunikuese dhe shprehëse. Si dialektet, nëndialektet, të folmet lokale, ashtu edhe gjuha standarde kanë "inventar të përcaktuar qartë të substancës së vet dhe kanë strukturë, po ashtu, të përcaktuar qartë.”[3]

Dialektet e gjuhës shqipe kanë mundësitë e tyre shprehëse, që shfaqen në të gjitha rrafshet gjuhësore dhe këto mundësi janë të pasosura, sepse gjuha nuk është ajo që njohim, siç do të thoshte Sapiri, po ajo që mund të bëhet. Në raport me gjuhën standarde ato kanë edhe kufijtë e tyre, që shprehen sidomos në fushën e komunikimit.

Dialektet i vijnë në ndihmë standardit në çdo rast, prandaj thuhet aq shpesh se ato janë gurrë e pashtershme për pasurimin e gjuhës së përbashkët. Mundësitë shprehëse dialektore të shqipes, pos në ligjërimin e folur, aktualizohen sidomos në letërsi e publicistikë. Ato vazhdojnë të mbeten të rëndësishme për letërsinë dhe publicistikën edhe sot pas dyzet e sa vjetësh nga koha kur u kodifikua norma gjuhësore e shqipes. E kuptueshme, letërsia dhe publicistika janë fusha krijuese që nuk përjashtojnë asnjë shtresë gjuhësore për arsye të natyrës dhe prejardhjes së tyre, prandaj as prurjet që vijnë nga burimet gjuhësore që kanë përcaktuesin gjuhësor terri-torial – nga dialektet e të folmet.

Me të drejtë gjuhëtarët bëjnë përdallimin midis dialekteve, nëndialekteve, të folmeve dhe varianteve letrare që dëshmohen me traditë shkrimi siç janë gegërishtja letrare dhe toskërishtja letrare, më konkretisht elbasanishtja, shkodranishtja, arbërishtja dhe kosovarishtja – kjo e fundit me traditë dukshëm më modeste në krahasim me variantet e tjera të përmendura, që përbëjnë trashëgiminë tonë kulturore. Variantet letrare nuk janë dialekte edhe pse ndërtohen mbi dialektet, ato janë variante shkrimi të kultivuara, të përpunuara, të zhvilluara përmes llojeve e zhanreve të ndryshme letrare. Për dallim nga variantet letrare, dialektet kanë bazë ligjërimin e folur. Lëvrimi i këtyre varianteve letrare sot është i rrudhur shumë, dhe kjo nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh vetëm ndër shqiptarët. Gjuha standarde gjithkund dhe çdo herë tkurr a zvogëlon hapësirën e varianteve gjuhësore letrare.
Sot në hapësirën shqiptare shkruhet në gjuhën standarde dhe në dialekte: arbërishten e gegërishten veriore.

Në gjuhën standarde shqipe është zhvilluar dhe po zhvillohet një letërsi shumë e pasur në gjithë arealin shqipfolës, po përkthehet një letërsi shumë e pasur botërore, dhe jo vetëm letërsi po edhe literaturë e të gjitha fushave të jetës e të mendimit njerëzor. Përvijohet shpesh mendimi se me këto procese po humbin dialektet që do të thotë po humb larmia gjuhësore, por unë mendoj se me këto procese larmitë gjuhësore shqipe po bashkohen e po e pasurojnë gjuhën e përbashkët, gjuhën standarde, dhe kjo e fundit po bëhet faktori më bashkues jo vetëm në rrafshin gjuhësor dhe letrar, pra në letërsi, por edhe në rrafshin simbolik kombëtar.

Në historinë tonë letrare shqipe shkrimtarët e mëdhenj si De Rada, Naimi, Fishta, krahas shkrimtarëve të tjerët të shquar, kanë krijuar korpusin e çmueshëm të letërsisë shqipe, duke dëshmuar kështu sidomos mundësitë gjuhësore, shprehëse e estetike të tre krahëve të shqipes: të gegërishtes, të toskërishtes dhe të arbërishtes, duke dëshmuar kështu mundësitë krijuese të shqipes në fazat e ndryshme të zhvillimit të saj dhe në areale të ndryshme gjeografike të gjuhës shqipe. Shkrimtarët që krijuan në një kohë kur shqipja përfaqësonte një zhvillim modest gjuhësor, që ishte në pajtim me zhvillimet e përgjithshme, me zhvillimet historike-shoqërore, pra edhe kulturore shqiptare, arritën, falë talentit të tyre dhe aftësisë njohëse, përvojës letrare e jetësore, të kapërcejnë kufizimet e ndryshme, sidomos gjuhësore, dhe të na sjellin vlera që edhe sot e gjithë ditën të çmohen si të tilla. Jo dialektet, jo gegërishtja a toskërishtja, në këtë mes edhe arbërishtja, s’i kanë bërë veprat e tyre të frymëzuara, të njohura, të çmuara dhe jetëgjata, por i kanë bërë vlerat artistike, krahas vlerave gjuhësore, gjuhës së pasur artistike, mesazheve, tematikave e përbërësve të tjerë që përbëjnë një vepër të mirëfilltë letrare, duke e pasuruar tipologjinë e poezisë dhe të prozës shqipe në përgjithësi.

Raportet gjuhë standarde – dialekt

Për marrëdhëniet e gjuhës standarde shqipe me dy dialektet e saj gegërishten dhe toskërishten, mund të flitet nga shumë aspekte. Mund të flitet në rend të parë për bashkëmarrëdhëniet dhe ndërndikimet.

Ndikimin e madh të gjuhës standarde mbi dialektet, përkatësisht mbi të folmet lokale, duhet ta lidhim me ndikimin që vjen nga arsimimi, mjetet e informimit publik, nga prestigji i gjuhës standarde në hapësira të caktuara të përshtrirjes dhe të përdorimit të saj. Mund të flitet, po kështu, edhe për ndikimin e këtyre të fundit jo vetëm në tërheqjen e deridikushme të dialekteve po sidomos në “shfytyrimin” e tyre.

 Gjuha standarde ndikon në idiomat organike gjithsesi më shumë se idiomat organike në gjuhën standarde dhe kjo është e vetëkuptueshme. Duhet ta pranojmë se një situatë mjaft e ndërlikuar na paraqitet sidomos në mjediset ku gjuha standarde ende nuk ka krijuar dëshirueshëm vendin e vet, përkatësisht ku zotërimi i gjuhës standarde mbetet ende një ideal dhe ku e folmja vendore tashmë nën trysninë e medieve të sipërpërmendura, ka marrë veçori të të folmeve dukshëm të përziera.

Në këto mjedise ende nuk e gjejmë standardin gjuhësor për të cilin kemi përfytyrimin dhe të cilin duhet ta mësojmë në shkolla, nga mësuesit e nga librat, standardin që duhet ta dëgjojmë nga folësit e mjeteve pamore të informimit ose standardin që duhet ta dëgjojmë nga personalitetet e njohura shoqërore.

Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se ka mjaft probleme, që lidhen jo vetëm me zbatimin e normës gjuhësore, me njohjen e normës drejtshkrimore, të normës leksikore, sidomos me çështjen e përdorimit të madh të fjalëve të huaja, me normën shqiptimore, me rregullsinë sintaksore, por edhe me normën stilistike. Në këtë situatë si gjuha standarde ashtu edhe dialektet, përkatësisht të folmet, bëjnë përpjekje të ruajnë veçoritë e tyre, të ruajnë qëndrueshmërinë e tyre, ekzistencë e tyre, në të vërtetë të mbijetojnë.

Dialekti dhe letërsia

Të dyja dialektet e shqipes, gegërishtja dhe toskërishtja, dhe të gjitha idiomat e tyre, janë thesar i popullit shqiptar, pasuri e tij kulturore ashtu siç është pasuri edhe letërsia, që krijohet a që mund të krijohet në idiomat e tyre. Nuk ka pengesë pastërtie a, ta quajmë, purizmi, që do të mund të ndalonte depërtimin a ndikimin e ndërsjellë dialekt – gjuhë standarde dhe anasjelltas. Dialektet, ashtu si edhe gjuha e letërsisë, janë hapësira të lirisë gjuhësore, hapësira, t’i quajmë kushtimisht, të “manipulimeve” gjuhësore, të lojës kuptimore e simbolike, hapësira të rrënimit të të gjitha normave gjuhësore, hapësira të ndërtekstualitetit dhe hapësira ndërgjuhësore.

E thamë më lart se në historinë e gjuhës shqipe janë pikërisht shkrimtarët ata që kanë bërë përpjekje më të mëdha dhe që kanë derdhur mund pareshtur për të ndërtuar një gjuhë të pranueshme dhe të kuptueshme për të gjithë shqiptarët, një gjuhë në të cilën do të përdornin talentin e tyre letrar-artistik, një gjuhë artistike që do të kuptohej e përjetohej kuptimisht e estetikisht prej të gjithë shqiptarëve kudo gjendeshin ata. Dhe këtë e dëshmon mirë historia jonë kulturore përgjatë gjysmës së dytë të shekullit 19 dhe në vijim gjatë gjithë shekullit 20.

 Idenë e bashkimit gjuhësor e letrar të shqiptarëve e nis Kristoforidhi, jo vetëm simbolikisht, po edhe përmbajtjesisht me "Gjahun e malësorëve" [4], tregim ky që shënon fillimin e prozës artistike të shqipes, dhe vazhdon me ngulmimin në këtë rrugë të autorëve të tjerë të rëndësishëm të Rilindjes sonë e më pas në shekullin 20: De Rada, Naimi, Samiu, Çajupi, Mjeda, Konica, Noli, Asdreni, Ndoc Nikaj, Fishta e autorë të tjerë, për një gjuhë të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Dëshmitë për këtë janë të pakundërshtueshme, janë dëshmi që nuk rrëzohen.

Shkrimtarët janë a quhen të mëdhenj pse kanë krijuar vepra të mëdha letrare, vepra që kanë kapërcyer kufij lokalë, regjionalë, kombëtarë e kontinentalë, falë talentit të tyre, pra jo pse kanë shkruar në dialekt, në jostandard ose në standard.

Procesi krijues është i kushtëzuar nga përbërës subjektivë dhe objektivë. Vepra artistike është rezultat i aftësive të lindura dhe të fituara të shkrimtarit: i aftësisë së vrojtimit, i analizës dhe i sintezës; është rezultat i aftësisë për formësimin artistik të përjetimeve dhe të përvojës; rezultat i ndjeshmërisë së tij për vlerat artistike, për të bukurën, për artin, rezultat i invencionit, i imagjinatës, i ndjenjës dhe i mendimit. Domethënë, veprat e mëdha letrare nuk janë të tilla, pra të mëdha, pse shkruhen në standard a pse shkruhen në dialekt.

Mund të thuhet madje se shfrytëzimi skajshëm parimor dhe korrekt i gjuhës standarde shumë vepra do të mund t’i varfëronte si krijime gjuhësore e artistike. As përdorimi i dialektit, as gjallësia e tij, nuk ia sigurojnë jetën artistike një vepre letrare, pra as të shkruarit në standard e as të shkruarit në dialekt nuk ia sigurojnë madhështinë e as vlerën artistike një vepre letrare. Vetëm lidhja e veçantë e gjuhës, pra edhe e dialektit, me artin, lidhja e gjuhës me tematikën e me përbërës të tjerë të saj, me ndërtimin e veprës, në rastet më të mira, mund të thonë realizim i madh. Nuk dihet saktësisht në ç’masë sot shkruhet nga shkrimtarët e rinj në variantet letrare dialektore.

Ndoshta dihet pak më mirë për krijimtarinë që zhvillohet në arbërishten, pak a shumë edhe në gegërishten veriore dhe atë verilindore e fare pak për krijimet në toskërishten dhe nuk e di nëse këto krijime përfshihen në antologjitë e pakta që hartohen sot për mbarë poezinë shqipe. Shkurt, shkrimtarët janë të lirë të zgjedhin çka do të shkruajnë e si do të shkruajnë.

Letërsia në cilindo dialekt a idiomë është shprehje autentike e botës a e mikrobotës që i përket atij areali gjeografik, sepse, dihet, dialektet, nëndialektet dhe të folmet, janë rrjedhoja të ndarjeve e të largesës gjeografike të folësve të një bashkësie gjuhësore.

 Çdo idiomë gjuhësore, është një gjë e ditur kjo, sado e vogël qoftë, përmban në vete një botë të veçantë me të cilën mbahet ajo, me të të cilën riprodhon kujtesën e vet, trashëgiminë e vet gojore, letërsinë e vet, prandaj thuhet se bota krijon gjuhën dhe gjuha krijon botën.

Humbja e cilësdo idiomë, thonë sot sociolinguistët, do të thotë zvogëlim i larmisë kulturore, varfërim i saj. Nëse bota do të varfërohej me zhdukjen e çfarëdo specie të saj të gjallë, edhe më shumë do të varfërohej me humbjen e cilësdo idiomë sepse me humbjen e saj zhduket edhe ajo botë, edhe ajo jetë që ka ekzistuar me të natyrisht sipas mënyrës së saj.

Mund të thuhet, prandaj, se për një bashkësi gjuhësore ka rëndësi të madhe si gjuha standarde ashtu edhe dialektet.

Letërsia dialektore në raport me letërsinë e krijuar në gjuhën standarde përjetohet sot, jo rrallë, si letërsi krahinore a regjionale, si letërsi e vendlindjes e mbrujtur me ndjenja që lidhen me gjendje të caktuara nga e kaluara, me gjuhën e vendlindjes, me kujtimet.

Pavarësisht pse “dialektore”, ajo është pjesë e rëndësishme e pasurisë sonë letrare, është pjesë e korpusit të letërsisë kombëtare.

E kuptueshme. Gjuha standarde nuk do të thotë se duhet ta ketë të drejtën e papërjashtueshme edhe në letërsi sikur në gjuhën e administratës shtetërore, në gjuhën e shkollës e në librat shkollorë e shkencorë, në gjuhën e mjeteve publike.

Është diçka tjetër nëse autorëve që shkruajnë në dialekt, kjo letërsi do t’u sigurojë a jo lexueshmërinë e synuar a të dëshiruar në gjithë hapësirën kombëtare, sepse letërsia dialektore kufizon në hapësirë dhe në kohë.

Është zgjedhja e autorëve nëse duan të lexohen vetëm prej bashkëidiomësve a bashkëdialektësve të tyre apo prej të gjithë bashkëkombësve të tyre dhe nëse duan a s’duan të lexohen edhe në kohën që do të vijë. Çdo shkrimtar sikundër edhe çdo njeri ka dritaren e vet nga e shikon botën. Sa më e madhe të jetë kjo dritare shikimi është më i kthjellët, më dritëgjerë e më dritëgjatë.

Por, siç janë të vetëdijshëm se me përdorimin e dialektit e sigurojnë vlerën artistike të veprave të tyre letrare njësoj siç sigurohet me përdorimin e gjuhës standarde, shkrimtarët duhet të jenë të jenë të vetëdijshëm se gjuha dialektore e kufizon, e zvogëlon në kohë jetën dhe e rrudh në hapësirë përshtrirjen e veprave letrare.

Në këtë kontekst po shpreh mendimin tim se rruga më e mirë që duhet të ndiqet nga shkrimtarët dialektorë sot është kjo: nëse ai vendos të shkruajë në idiomën e vet të kufizuar është e dëshirueshme që lëndën e idiomës amtare ta bashkojë me atë të gjuhës standarde dhe kështu ta kultivojë e ta pasurojë amën e vet gjuhësore. Një letërsi e krijuar kështu them se ngjesh e pasuron raportin gjuhë standarde – dialekt dhe anasjelltas, dhe kjo do të thotë se pasuron gjuhën shqipe, e, rrjedhimisht, edhe vetë gjuhën standarde dhe vetë dialektet. Kështu shkrimtari përdor ligjërimin e tij jo si e përcakton standardi, po si e përcakton sistemi e kjo do të thotë shmangiet e tij nga norma nuk janë shkelje e normës.

 Studiuesit e stilit pajtohen se stili funksional letrar-artistik i takon sistemit e jo standardit. Shkrimtari kështu, me ligjërimin e tij, me rrëfimin e dialogët e çlirët të veprës së tij, jo vetëm ruan e gjallëron ndërtimet dhe format të cilat në gjuhën standarde dhe në stilet e saj funksionale janë çdo herë e më të rralla ose me përdorime të kufizuara, siç janë ndërtimet me paskajore, me pjesore, me urdhërore, me habitore e të tjera, si forma individualizuese dhe stilistike në gjuhën e tij, por kështu ndihmon ripërtëritjen e standardit. Ai jo vetëm ruan traditën gjuhësore, por rigjallëron e sjell të reja në rrafshin leksikor, morfologjik e sintaksor.

Ta sjellim në kujtesë punën e madhe në këtë drejtim të shkrimtarëve Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Mitrush Kuteli, Jakov Xoxa, Dhimitër Shuteriqi, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Rexhep Qosja e shumë të tjerë. Shkrimtari edhe duke shmangur trajtat letrare në funksion individualizimi mund të jetë në shërbim të standardit, sepse shmangie nga standardi në një krijim artistik nuk do të thotë papërgjegjshmëri ndaj normës së gjuhës dhe ndaj standardit por përmbushje e përbërësve krijues të një vepre letrare artistike.

Shkrimtari është i lirë të zgjedhë se në ç’gjuhë do të shkruajë, do të shkruajë në standard a në jostandard, do të shkruajë në dialekt a të folme lokale, por në këtë liri të veten zgjedhja për të shkruar në gjuhën standarde i jep shumë përparësi. Dhe kur vepron kështu, ai i zgjeron kufijtë e lirisë, jo vetëm të krijimtarisë së tij artistike, po edhe të krijimtarisë gjuhësore, edhe asaj dialektore, e në të njëjtën kohë kur zgjedh të shkruajë në gjuhën standarde ai i drejtohet lexuesve në çdo cep të atdheut shpirtëror të shqiptarëve.

Para çdo shkrimtari qëndron detyra e domosdoshme: njohja e normës së gjuhës së sotme standarde, njohja e gjuhës në të cilën sot shkruajnë shkrimtarët tanë më të mirë, kurse kjo detyrë arrihet në rend të parë me leximin e veprave të shkrimtarëve të mirë dhe me përkujdesjen sistematike të shprehjes vetjake gjuhësore.

Stilistika dhe letërsia dialektore

Stilistika që merr në shqyrtim letërsinë që krijohet sot në dialektet, letërsinë që pak a shumë mbështetet në traditën shkrimore gege, toske, arbëreshe, si variante letrare, që kanë historinë e tyre të gjatë në kulturën shqiptare, pra stilistika ta quajmë kushtimisht dialektore, ka status skajor, për të mos thënë se nuk ka një stilistikë të tillë në gjuhësinë shqiptare. Kjo që u tha nuk ka të bëjë dhe nuk mund të thuhet për studimet që u janë bërë veprave të traditës sonë dialektore, të cilat sot lexohen, rilexohen e vlerësohen nga studiuesit letrarë, gjuhësorë dhe stilistikë. Në këto studime stilisti e gjuhëtari nisen nga teoria e receptimit për të vështruar pozicionet e ndryshme të pranimit të mesazheve të kushtëzuara nga shtresëzimi i idiomës në qarkun sinkronik dhe diakronik. Në këto vështrime çështjet e stilistikës, sidomos të stilistikës së tekstit, si dhe të stilistikës së idiomave organike, zënë vend të përfillshëm.

 Në këtë kontekst po përmend një studim[5] të tillë, tërësor, për stilistikën gjuhësore të veprës së një autori të madh të traditës, të Gjergj Fishtës, në të cilin, pos të tjerash, është trajtuar numër i madh temash e çështjesh për gjuhën dhe stilin e tij, vështruar edhe në përballjen dialekt – gjuhë standarde, në të gjitha rrafshet gjuhësore, që është realizuar para pak vjetësh. Po përmend posaçërisht vështrimet për leksikun dialektor, me theks të veçantë për, ta themi, gegizmat e tij, për poetizimet me ngjyresa tipike gege, në përgjithësi, për shprehësinë dialektore dhe leksikore, frazeologjike dhe sintaksore, madje edhe për ato të konsideruara si klishe, shumë nga të cilat janë karakteristike për gjuhën popullore e për mbarë shqipen, pra jo vetëm për idiolektin e Fishtës e për idiomat veriore gege.

Në këto vitet e fundit nuk mungojnë as studime që marrin në vështrim stilistik, autorë që kanë shkruar e përfunduar veprën e tyre në dialekt siç janë Martin Camaj, Sami Repishti etj., duke spikatur veçanërisht stilistikën dialektore të tyre.

Kur flasim për gjuhën e letërsisë, pra edhe për letërsinë dialektore, duhet të kemi parasysh gjithmonë stilistikën funksionale. Stili funksional letrar-artistik, në raport me stilet e tjera funksionale, mund të konsiderohet mbistil sepse shfrytëzon ose mund të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që ka ose që lejon sistemi gjuhësor; ai nuk formësohet brenda sistemit si një nënsistem i saj po, thënë simbolikisht, shumëfunksionalitetin e gjuhës e paraqet si funksion të vetin. Mendoj se është e drejtë të thuhet se askund më mirë se në veprën letrare nuk ruhet, nuk zhvillohet e nuk krijohet gjuha, pra edhe gjuha standarde. Nga vepra letrare përmes gjuhës marrim, mësojmë dhe përvetësojmë kujtesën, kur na mungon ajo, dhe, natyrisht fuqinë krijuese të saj.

Përfundim

Gjuha standarde shqipe u krijua mbi gjuhën e Naimit, Çajupit, Konicës, Nolit, Kutelit, Poradecit, Xoxës, Shuteriqit, Kokonës, Bulkës, Andrea Varfit, e shumë të tjerëve, por brenda saj janë përfshirë elemente të shumta të dialektit gegë: pasuri leksikore e frazeologjike, pasuri dhe larmi ndërtimesh sintaksore, elemente morfologjike dhe gjedhe fjalëformuese. Këtë e dëshmojnë mirë Fjalorët e gjuhës së sotme shqipe.

Dhe kjo përfshirje nga dialekti nuk e ka kufizuar aspak standardin. Hyrja e elementeve gjuhësore, e pasurisë leksikore, frazeologjike, sintaksore, më në fund edhe morfologjike nga të folmet dialektore në gjuhën standarde do të vazhdojë edhe më tej sepse ajo është e hapur ndaj prurjeve nga burimet e saj dhe e gatshme për risimtari të brendshme dhe të jashtme. Përfshirja a hyrja e këtyre prurjeve në gjuhën standarde u takon përdoruesve e lëvruesve të gjuhës, e ndër ta shumë të rëndësishëm konsiderohen shkrimtarët. Fjalorët e ardhshëm, që do të hartohen bashkërisht Tiranë – Prishtinë, do ta dëshmojnë më së miri këtë.

Pasurimin e gjuhës standarde dhe të letërsisë shqipe pa ndarjet krahinore po e bëjnë e po e zhvillojnë edhe sot posaçërisht shkrimtarët e mirë, shkrimtarët që po arrijnë t’i lëvizin kufijtë e normësisë standardo-gjuhësore duke zgjeruar edhe kufijtë e lirisë poetike. Zhvillim e pasurim i gjuhës nuk do të thotë vetëm të krijosh fjalë të reja a të gjallërosh fjalë dialektore a të vjetruara, por do të thotë t’u krijosh e t’u zbulosh vlera te reja atyre fjalëve, të krijosh e të zbulosh kuptime e përmbajtje të reja, të përbëra dhe të shumëfishta, pra do të thotë të pasurosh paraqitjet, dukuritë, konceptet, botëkuptimet që na rrethojnë, duke zbuluar raporte të reja ndërmjet tyre, duke i veshur ato me fjalë e lidhje fjalësh dhe duke i jetësuar në lidhje të reja e të panjohura gjuhësore, gjithnjë duke pasur parasysh thënien e njohur të Sapirit se “Gjuhë ideale është ajo që me më pak mjete arrin rezultatet më të mira”, që do të thotë saktësi, qartësi, pasuri, pastërti.

Kritikëve të mirë të letërsisë u bie detyrë që të dinë të përdallojnë veprat e mira letrare nga veprat e dobëta, pavarësisht nëse janë shkruar në gjuhën standarde apo në dialekte a idioma të ngushta lokale.

[1] Kristina Jorgaqi, Përsëri mbi shqipen standarde, “Shekulli” 32, 4..2.2006, f. 18.

[2] Shih më gjerësisht për këto ndikime të ndërsjella gjuhë standarde – dialekte: Shefkije Islamaj, "Ndërndikime apo: a mund t’i caktohen kufij hapësinorë gjuhës?", “Epoka e re”, 13-14 prill 2016, Prishtinë, f.15.

[3] Dalibor Brozoviq, "Standardni jezici", “Matica hrvatska”, Zagreb, 1970, f. 12.

[4] Studiuesi Xhevat Lloshi e thotë me të drejtë: “Kristoforidhi nuk ishte vetëm lëvrues i shqipes, por edhe bartës i një konceptimi të drejtë për të. Ai i njihte fare mirë dialektet e të folmet dhe i përpunoi trajtat e tyre për t’i çuar drejt njësimit, duke i paraprirë procesit që do të zhvillohej gjatë një shekulli më pas.”, në veprën e tij Kristoforidhi përmes dokumentimit, “Bota shqiptare”, Tiranë, 2005, f. 152.

[5] Shefkije Islamaj, "Gjergj Fishta – gjuha dhe stili" I, II, Instituti Albanologjik, Prishtinë 2012.

(Marrë nga  gazeta "Dita")

Mjeshtër i paparë kryeministri shqiptar Edi Rama !




Përmbytja e madhe e këtyre ditëve duket sikur i intereson kryeministrit Rama, pavarësisht faturës financiare, e cila do jetë e kripur. Çdokush mund të thoshte se kjo është alogjike, pa sens. Por kushdo njeh mirë Edi Ramën e kupton se ai në të tilla raste, fatkeqe, ngrihet lart. I zënë këto muaj në qark nga çështja Habilaj-Tahiri, i zvogluar në miqësitë e dikurshme politike, i gjendur zap nga PD-LSI, i paqartë dhe në frikë se çfarë dosjesh të tjera kanë ndërkombëtarët për drogën dhe korrupsionin qeveritar, kryeministri u turr fushave plot ujë për të ringritur figurën e tij, e cila pas daljes së ish-ministrit Tahiri në dosjen e drogës, duhet pranuar se ka pikët e tij në kuotat më të ulëta politike. Ndaj Edi Rama, si kurrëherë, nxitoi edhe në mesnatë të takonte në FushëKrujë një pjesë të komunitetit egjiptian, u fal me to, toku dorën, u buzëqeshi me siklet, por si një aktor brilant politik. Te Xhelal Mziu, kryebashkiaku i Kamzës, shkoi nga halli për të dhënë imazhin e një lideri popullor, ku i gjendet në hall çdo njeriu, qoftë ky edhe Mziu, të cilin nga mllefi dhe inati politik, me zor ia jep dorën në seminare zyrtare.

I veshur me çizme, të cilat nuk i ka mbathur kurrë në jetën e tij 51 vjeçare, pa çadër, ndonëse shiu e bëri qull, ndonëse kishte plot shoqërues rrotull me çadër, por si mjeshtër e si regjizor politik përfekt, lëvizte mes currilave të shiut. Natyrisht sa ka hypur në makinë ka sharë se ç’mu desh mua të vija mes të natës apo në shiun e rrëmbyer, por tani që është në kuota të ulëta politike, i duhet të krijojë imazhin e një njeriu të merakosur popullor.

Mjeshtër i paparë!

Dhe duhet pranuar se e luan bukur! Ia çoi Zoti në derë punën e ish-ministrit të brendshëm (natyrisht vetja), pasi përndryshe do të ishte një udhëheqës popullor autoritar e arrogant sa do t’ia kishin zili edhe Enver Hoxha e Sali Berisha. Tashmë është i goditur në njerën brinjë prej ish-ministrit Tahiri, pavarësisht se dy ambasadorë po mundohen t’ia mjekojnë “plagën”, por sipas Spartak Ngjelës i cili mbetet një parashikues i saktë politik, kryeministri po shkon drejt rrënimit prej hapjes së një dosje korruptive në muajin shkurt nga një shërbim perendimor.

Kryeministri e shijoi këtë shi e përmbytje në mënyrën e tij si propogandë, gjoja si njeri popullor e i kudondodhur, dhe vrapoi e nuk fjeti një natë në shtëpi, por pyeste ministren e mbrojtjes Olta Xhaçka se ku ka ndonjë pellg uji që ta vizitojë, sepse duhet ta shikonte populli “në krye të detyrës”. Imazhi i skandalit Tahiri duhej kuruar me përmbytjen.

Gjithsesi duhet pranuar se Edi Rama, nëse flitet për facebook dhe oratori në media e parlament, e mposht opozitën. E ka dhunti të lindur dhe të kultivuar, ndonëse me nuanca agresive. Opozita në këtë moment kombëtar të përmbytjes po vepron mirë, krahë për krah qeverisë. Më pas duhet të flasë, por jo vetëm të flasë. Të veprojë në rrugë e me popull. Deri tani edhe ajo ka premtime se do bëjë namin, por nuk kemi parë gjë akoma.

Ndaj këto ditë kryeministri po ndjek situatën në terren, te populli. Mirë bën se ia kërkon detyra kushtetuese, por thelbi mbetet te halli se duhet të rikuperojë imazh në publik. Realisht po kuron imazh, ndonëse pritet të shikojmë dosjet në janar-shkurt, të cilat, tregojnë burimet, se janë bomba pa mbarim. Edhe për opozitën.

Edi Rama nuk fle gjumë, shkon kudo ku ka ujë dhe bën mirë. Ujë është më mirë se zjarri, pasi nëse di not, mund t’ia dalësh. Në zjarr nuk shpëton dot. Zjarri fillon në fillimvit, para Samitit të BE në Bullgari.


Ç’është ky nxitim për t’i marrë të gjitha pushtetet?





Edi Rama ndër vitet 1994-1997, kur shkruante në gazetën “Koha Jone”, thoshte se shqetsohej nga nxitimi dhe turravrapi i Presidentit Berisha për ti marrë të gjitha pushtetet në një dorë. Artikujt dhe intervistat e Ramës, sidomos në vitin 1996, vit kur Berisha u bë më i dhunshëm, pasi futi në fushën politike edhe SHIK-un e Gazidedes dhe Visho Ajazit, paralajmëronin se pushteti do binte dhunshëm e potershëm. Dhe ashtu ndodhi në vitin e mbrapshtë 1996; PD-ja në pushtet vodhi zgjedhjet me 26 maj 1996, pasi kishte marrë gjithë pushtetet me radhë në pak vite. Dhe shkoi me vrap drejt vitit 1997, vit të cilin e dijmë se ç’tragjedi solli.


Natyrishta, atëkohë, kishte edhe rrethana të tjera gjeostrategjike, që i dhanë një dorë me shumë rrëzimit të pushtetit, por duhet të mos harrojmë se pushteti presidencial në ato vite kishte fuqi edhe ekzekutive, ndonëse kishte qeveri. Pra drejtësinë e kishte nën kontroll, pushtetin presidencial po, ekzekutivin po, parlamentar po se po. Berisha nuk kishte pushtetin e medias së shkruar, pushtet i cili i doli përballë, dhe e rrëzoi Saliun.

Në ato vite, mes gjithë të këqijave, kishte një të mirë; pushteti ishte autoritar, i dhunshëm, por jo i komanduar apo bashkëpunues me bandat dhe krimin e organizuar.

Edi Rama shkroi duke e goditur këtë mënyrë abuzimi me pushtetin. Ndaj lexohej në “Koha Jone”, asokohe, bile edhe kur nuk kishte më gazeta në pikat e gazetashitësve, shkrimet e tij si dhe disa autorëve të tjerë bliheshin të fotokopjuar nga lexuesit.

Po sot në vitin 2017?

Edi Rama është kryeministër. Ndryshe nga viti 1996, kur kryeministri nuk kishte fuqi të madhe, tashmë Presidenti nuk ka shumë kompetenca, kurse kryeministri është i gjithëpushtetshëm. Më saktë fuqiplotë. Dhe si për dreq, Edi Rama është njeriu që e zotëron pushtetin, për të cilin shkruante dikur kundër Berishës.

Sot Edi Rama ka një mazhorancë parlamentare të blinduar me 78 deputetë, ka median nën kontroll, ka biznesin me të cilin bashkëqeveris, ka qeverinë; mori SHISH, po merr Prokurorin e Përgjithshëm, po fut në kontroll gjykatat me Vettingun me marifet përfekt ndërkombëtar. Po merr edhe KQZ. I ka mbetur vetëm Presidenti që nuk e dikton dot. Por Kryetari i Shtetit me kompetencat që ia përlau pazari Rama-Berisha në mars 2008, me shumë është një Autoritet Moral e Kombëtar. Pushtetet ku firmoset, ku del lumë paraja e ku luten e falen e njerëzit e biznesit dhe ambasadorët, i ka Edi Rama. Pushtetin ku krimi përzihet me politikën e lartë e ka prapë Edi Rama.

Interesante do të ishte se si do të shkruante Edi i dikurshëm, intelektual dhe kurajoz, për Ramën e sotëm plot pushtet e arrogancë.( Nikoll Lesi).


****
 Dosja sekrete “Z” turbullon Qeverinë e Edi Ramës


-Dosja “Z” rri e pret se kur do ta nxjerr Basha. Nëse nuk del në publik atëhere pazari është bërë në mesnatë, si me 18 maj. Dosja “Z” pret dritën e diellit!


Pas akuzave politike, lufta mes opozitës dhe mazhorancës kaluar në një nivel më të ashpër. Tashmë beteja po zhvillohet me dosje skandalesh, shantazhe politike dhe me përmendjen e prangave dhe qelive të burgut. Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha paralajmëroi dje një tjetër dosje që do të publikohet shumë shpejt nga opozita. Në një takim me deputetët e PD-së që janë pjesë e komisioneve të Sigurisë Kombëtare dhe të Ligjeve, Basha tha se shumë shpejt një tjetër skandal do të publikohet për qeverinë. Në komunikimin me mediat Basha ishte i kujdesshëm që të mos jepte detaje se cili politikan është në qendër të skandalit të ri. Ajo që la të kuptohet është se provat apo faktet për këtë dosje të re kanë ardhur nga partnerët ndërkombëtarë. Sipas demokratëve emri i ri që këtë herë del i implikuar nga radhët e mazhorancës nuk ka të bëjë as me dosjen “Habilaj” dhe as me kryebashkiakun e qytetit të Durrësit. Lista e mëkatarëve në radhët e mazhorancës është e gjatë dhe mes ministrave të “Ramës” kanë nisur pyetjet: “Kush e ka radhën”.

Është dosja “Z”. Kështu quhet në emërtimin e dorëzuar nga partnerët ndërkombetarë. Skandale dhe korrupsion ka brenda dosjes. Mazhorancës do ti duhet të vihet edhe njëherë në siklet të madh pas publikimit të kësaj dosje. Fill pas dosjes Tahiri-Habilaj dalja e dosjes “Z” do sjellë fortunë në PS.

Dje ish-kryeministri Sali Berisha, me anë të burimeve të “qytetarit” dixhital foli për video komprometuese për disa ministra të kabinetit “Rama”. Këto video, sipas burimit të Sali Berishës, janë realizuar në hotelin “Santa Quaranta”, pronë e Klement Balilit që dje u sekuestrua nga Policia e Shtetit. Diversioni i Berishës ishte i qartë, pas bllokimit të pasurive Klement Balili, njeriu që kërkohet nga drejtësia e disa shteteve mund të hakmerret duke publikuar materialet komprometuese për politikanët që e lanë në baltë. Flitet se materialet kanë mbërritur në Tiranë.

Publikimi i videove pritet të bëhet publike, në momentin që do vendosë Lulzim Basha. Burime pranë kreut të PD-së tregojnë se janë kopjuar videot dhe shpërndarë në tre vende në mënyrë që të mos zhduken, nëse tentohet nga personazhet e skandalit që të vidhen apo të merren më mënyra të ndryshme.

Dosja “Z” ndodhet te Lulzim Basha. Por ndërkohë që opozita po numëron përditë skandalet që dëmtojnë mazhorancës, Partia Socialiste këto ditë nuk ka humbur kohë. Rrjeti i gazetarisë investigative BIRN, në kulmin e skandaleve për drogën, publikoi disa dokumente për financimin e kompanive lobuese të PD në SHBA. Sipas dokumenteve demokratët kanë paguar rreth 800 mijë dollarë për takime në SHBA dhe lobime gjatë protestave në çadër dhe zgjedhjeve. Prej dy ditësh, zyrtarë të lartë të PS akuzuan prokurorinë se nuk po heton për këtë skandal. Mbrëmjen e djeshme, Prokuroria e Tiranës nisi procesin e verifikimit. Ndërsa deputetët e PS kërkuan që gjithë familja e Lulzim Bashës të merrej nën hetim për çështjen e parave që janë paguar për kompanitë amerikane.

Dosjet që pretendon PD dhe akuzat që PS-ja bëri para prokurorisë për Bashën duken ngjarje që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Ajo që i bashkon është lufta mes opozitës dhe mazhorancës që tani është kthyer në një arenë shantazhesh dhe kërcënimesh. Për çdo dosje që publikon opozita, mazhoranca ka gati përgjigjen. Nëse Basha kërkon arrestimin e Saimir Tahirit, Taulant Balla kërkon hetimin e çështjesh CEZ dhe arrestimin e Berishës, Bodes etj. Nëse PD lajmëron së një tjetër skandal do të plasë në publik, deputetët e opozitës bllokojnë ekranet duke paralajmëruar se me prokurorin e ri do të hapen disa dosje që nuk janë hetuar siç duhet gjatë viteve të fundit për PD.

Pra presion. Oferta e PS ndaj PD: Mos boto dosjen “Z” që të mos hetojmë edhe ne për ju!

Që nga shpërthimi dosjes “Habilaj” dhe me pas “Tahiri” skena politike është kthyer në një arenë presionesh dhe kërcënimesh të hapura dhe të fshehura. Bashkë me partitë, mediat janë përfshirë në operacione informimi dhe dezinformi, ku skandalet e vërteta fshihen pas miniskandaleve për të krijuar konfuzion dhe paqartësi. Kjo bën që shpesh herë të harrohen ngjarjet reale. Të paktën 2 prej të akuzuarve si kapo të trafikut nga policia e Italisë, Greqisë dhe SHBA, Klement Balili dhe Florian Habilaj ende nuk janë arrestuar. Ndërkohë gjithë shefat e komisariatit të Vlorës janë arratisur. Arratisja e ish-drejtuesve të policisë konfirmon akuzat e opozitës ndaj qeverisë.

Dosja “Z” rri e pret se kur do ta nxjerr Basha. Nëse nuk del në publik atëhere pazari është bërë në mesnatë, si me 18 maj.

Dosja “Z” pret dritën e diellit!

S.P.

Fabian Zhilla dhe Besford Lamallari: Ja familjet mafioze në Shqipëri


Një studim serioz me autor Fabian Zhillën dhe Besford Lamallarin (sot zv.ministër i Brendshëm), bën një radiografi të hollësishme të të gjithë krimit të organizuar në Shqipëri që nga viti 1991 e deri më sot.

“Evolimi i Strukturave të organizuara kriminale në Shqipëri”, titullohet libri ku duket se është bazuar edhe deklarata e fortë e Donald Lu pak kohë më parë, sipas të cilës Shqipëria sundohet nga 4 klane mafioze dhe 20 familje kriminale.


Kush janë ata? Kush fshihet pas tyre dhe në cilat biznese i gjenerojnë paratë e 40 familjet shqiptare? Të gjitha këto mund ti lexoni nga Fabian Zhilla dhe Besford Lamallari, ky i fundit sot është pikërisht aty ku luftohet mafia, në ministrinë e brendshme.

Mësohet se përveç dosjeve, fakteve, përgjimeve të tyre, FBI dhe strukturat e antikrimit italian e gjerman, po bazohen edhe në informacionet e librit, për të filluar operacionin e madh të ndëshkimit.

Më poshtë po japim renditjen dhe zbërthimin e organizatave më të mëdha mafioze shqiptare, siç janë paraqitur në libër:



Tiranë

Në qytetin e Tiranës aktualisht dyshohet se veprojnë të paktën 3 organizata kriminale shumë të fuqishme dhe të strukturuara. Ato kanë një shtrirje kohore të hershme të veprimtarisë kriminale dhe kanë arritur ti rezistojnë kohës për shkak të sofistikimit dhe lidhjeve të tyre me biznesin dhe segmentet e korruptuara të shtetit. Përflitet që njëra prej këtyre organizatave, e cila është edhe më e fuqishmja, të ketë një strukturë hierarkike mjaft të sofistikuar.

Mendohet që fillimet e kësaj organizate të jenë që në vitin 1992. Në fillimet e veprimtarisë së saj, kjo organizatë karakterizohej nga dhuna, format e maskimit, puna në grup dhe mungesa e një hierarkie të qartë. Mendohet se kjo organizatë, në dallim nga organizatat e tjera kriminale, të ketë pasur edhe motive politike për formimin e saj. Ndër karakteristikat e aksioneve të kësaj organizate në fillimet e veta (1992) ka qenë përdorimi i simboleve të institucioneve zyrtare që merren me mbrojtjen e rendit, si Policia e Shtetit dhe Forcat e Armatosura.

Nga ana tjetër, kryerja e vjedhjeve, grabitjeve, vrasjeve apo dhe shpërthimeve, në ndryshim nga organizatat e tjera të kohës, kryheshin gjatë ditës. Kupola e kësaj organizate dyshohet të jetë e bazuar në lidhje gjaku (vëllezër, kushërinj dhe rreth shoqëror të ngushtë) dhe të ketë lidhje me ish-funksionarë të lartë të regjimit komunist.

Mendohet se organizata i ka trashëguar lidhjet dhe aftësitë organizative prej tyre. Mendohet që në këtë organizatë të ketë përfaqësues edhe të grupeve të tjera kriminale, duke e kthyer këtë organizatë në një lloj kupole të organizatave të tjera më të vogla, të cilat kryesisht veprojnë në segmentin Tiranë-Durrës.

Kjo organizatë mendohet se është pjesë e rrjeteve ndërkombëtare të krimit dhe të ketë lidhje me Mafien italiane (Sacra Corona Unita), atë rumune dhe izraelite. Nëpërmjet këtyre lidhjeve organizata dyshohet se i pastron paratë e saj në Shqipëri nëpërmjet kazinove, pikave të bastit si dhe investimeve në karburante dhe ndërtim. Paçka se mendohet që në fillimet e veta (1993-2003) kjo organizatë ka qenë shumë e dhunshme, aktualisht dyshohet që të jetë sofistikuar duke mos u ekspozuar në konflikte apo vrasje ordinere.

Mendohet që organizata të jetë e fokusuar në pastrimin e parave të mafies ndërkombëtare dhe aseteve të politikanëve të korruptuar në Shqipëri. Aludohet gjithashtu që kjo organizatë të jetë përpjekur për ta kthyer Shqipërinë në një vend prodhimi të kokainës duke krijuar lidhje të forta me kartelet e drogës në Amerikën Latine (Venezuelë dhe Ekuador), duke formuar cikle të mbyllura trafiku (të kontrolluar prej saj nga origjina deri në shpërndarje). Dyshohet gjithashtu që organizata të ketë investuar në turizëm, kryesisht në qytetin e Vlorës. Përflitet se kjo organizatë ka investuar edhe në media.

Mendohet se organizata ka lidhje të forta me të afërm të politikanëve brenda të gjithë kampeve politike. Megjithëse nuk ka një qendër apo territor veprimi, organizata dyshohet të ketë “selinë” kryesore në Shqipëri në qytetin e Tiranës. Siç do të shprehej një i intervistuar, “kjo tipologji organizate është kudo dhe askund, dhe nisur nga cikli i ecurisë është edhe më e frikshmja”.

Një organizatë tjetër kriminale dyshohet se është mjaft aktive dhe se fshihet mbas shumë krimeve të bujshme në qytetet e Tiranës dhe Durrësit në vitet e fundit. Në ndryshim nga organizata e mësipërme, kjo organizatë është më e dhunshme, më pak e sofistikuar, por jo më pak e rrezikshme. Struktura organizative e grupimit kriminal bazohet në lidhje shoqërore dhe drejtohet nga një kupolë prej tre apo katër personash me precedentë penalë të njohur. Kjo organizatë i ka fillimet e saj në trafikun ndërkombëtar të heroinës në Itali dhe ka filluar të konsolidohet pas vitit 2005.

Përbërja e kësaj organizate është e larmishme, me individë kryesisht nga rrethet e Tiranës, Durrësit dhe Fierit dhe është e përbërë nga mosha të reja (20-40 vjeç). Përflitet që struktura drejtuese është e përbërë nga katër anëtarë, ku secili ka një rol në një drejtim të caktuar (vrasjet, investimet, rekrutimet dhe trafiku i drogës).

Organizata përdor një komunikim shumë të sofistikuar duke përdorur gjuhë të koduar. Organizata kriminale përdor ndërmjetës si dhe korrierë për të komunikuar me të tretët. Ky grupim kriminal përpiqet të rekrutojë segmente brenda Policisë së Shtetit për të pasur informacion por edhe për ekspertizën e tyre, gjë e cila e ndihmon të neutralizojë aksionet e policisë. Për të eliminuar kundërshtarët përdoren “qitësit” e organizatës ose “vrasës” me pagesë. Kjo organizatë mendohet të ketë krijuar një aleancë të fortë me një ndër grupet kriminale që ka filluar të aktivizohet së fundmi në qytetin e Durrësit.

Mendohet që numëri i anëtarëve të kësaj organizate të shkoj mbi 30-të. Kjo organizatë është gjithashtu “polikriminale” dhe vepron kryesisht në trekëndëshin Tiranë – Durrës – Fushë-Krujë. Dyshohet se organizata është e përfshirë në trafiqet e narkotikëve, gjobëvënie, mbledhje gjobash (loan sharking), zgjidhje konfliktesh, dhe së fundi në nxjerrjen apo regjistrimin e pronave të patundshme.

Kjo organizatë dyshohet se ka lidhje të forta me grupe kriminale në të gjithë vendin dhe është shumë fluide. Është kryesisht e fokusuar në trafikun e drogave të rënda dhe është pjesë e rrjeteve ndërkombëtarë të trafikut të narkotikëve në Itali dhe Hollandë.

Megjithëse është e vështirë të përcaktosh një territor kontrolli të kësaj organizatë për shkak të fleksibilitetit që e karakterizon, kjo organizatë dyshohet se ka ndikim në “Rr. e Kavajës”; “Ish Parkun e Autobuzave”, dhe “Kombinat”. Përflitet se kjo organizatë për shkak të lidhjeve të forta me persona me pushtet politik sot është një ndër organizatat kriminale më aktive në aksin Tiranë-Durrës. Kjo organizatë aktualisht është nën monitorim të vazhdueshëm nga agjencitë ligjzbatuese.

Një tjetër organizatë kriminale me shumë influencë është konkurrentja e organizatës më sipër. Këto dy organizata kanë qenë në konflikt të përhershëm me njëra tjetrën për kontrolle territori dhe hakmarrje që nga viti 1999. Përplasjet e tyre kanë qenë mjaft të forta sidomos mbas vitit 2011, ku vrasjet nga të dyja palët ishin gati të përmuajshme.

Kjo organizatë është e bazuar kryesisht jashtë qytetit të Tiranës, ka investime brenda qytetit dhe ka një lloj ndikimi në veriun e kryeqytetit. Mendohet që influenca dhe kontrolli më i fortë i saj është në bizneset në krahun e djathtë të autostradës Tiranë-Durrës deri pranë aeroportit të Rinasit. Dyshohet që organizata drejtohet nga një familje, kreu i së cilës ka vuajtur një dënim me burg dhe që ka arritur ta drejtojë organizatën edhe gjatë vuajtjes së dënimit.

Kjo organizatë mbështetet në lidhje gjaku dhe krahinore por gjithashtu dyshohet se ka lidhje edhe me eksponentë të hershëm të botës së krimit në Tiranë të cilët janë ende aktivë. Me daljen e drejtuesit të organizatës nga burgu në vitin 2012 organizata mendohet të ketë intensifikuar veprimtarinë e saj. Përflitet që kjo organizatë ka investuar kryesisht në fushën e mineraleve. Kjo organizatë ka një sistem shumë të mirë mbrojtjeje dhe survejimi dhe mendohet se aktualisht është më e tërhequr dhe e fokusuar në goditjen ndaj bandave kundërshtare. Kjo organizatë ka një numër të konsiderueshëm anëtarësh që mendohet të jetë afërsisht rreth 27 persona.



Shkodër

Është e nevojshme që fillimisht të sqarojmë kuptimin e organizatave kriminale të cilat mbështeten në lidhje të ngushta familjare (“Familje”), karakteristikë kjo e grupeve kriminale të zonës veriore të vendit. Me “familje” të përfshira në krimin e organizuar do të kuptojmë ato grupime kriminale të cilat strukturën drejtuese organizative të tyre e mbështesin në lidhjet familjare sipas hierarkisë së familjes, duke filluar nga kryefamiljari (babai ose vëllai i madh), e ndjekur më pas nga vëllezërit më të vegjël,kushërinjtë dhe duke zbritur tek rrethi shoqëror që kryesisht mbështetet tek komshinjtë.

Mendohet që në qytetin e Shkodrës të veprojnë të paktën 4 “familje” të mëdha të cilat janë përfshirë në aktivitete kriminale. Këto “familje” hamendësohet ti kenë rezistuar kohës për shkak të lidhjeve të forta familjare, agresivitetit dhe lidhjeve me politikën. Fillimet e tyre nisin të duken që në fundvitet 80-të, kur në Shkodër, si në shumë qytete të mëdha të vendit, filluan të krijoheshin grupe të rinjsh të dhunshëm në lagje të caktuara të qytetit të cilët njiheshin si të “fortët e lagjes“, si: “Grupi i Rusit” “Xhabijes” ose “Kirasti”.

Ndër këto grupe kishte edhe djem të cilët ju përkisnin “familjeve” që dyshohet se dominojnë sot krimin në qytetin e Shkodrës. Anëtarë të këtyre familjeve njiheshin për pjesëmarrjen në veprimtari kriminale para dhe gjatë periudhës së komunizmit. Pra kishin një histori të përfshirjes së familjarëve në veprimtari kriminale edhe në të shkuarën.

Këto grupime kriminale janë kryesisht të mbështetura në lidhje familjare dhe kontrollojnë zona të caktuara. Fuqizimi i tyre filloi me kontrabandën e karburanteve e cila lulëzoi në rrethin e Shkodrës pas thyerjes së embargos së Kombeve të Bashkuara vendosur ndaj ish-Jugosllavisë në maj të vitit 1992, si dhe konfliktet e armatosura në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë. Më pas këto “familje” u angazhuan në trafikun e qenieve njerëzore dhe atë të narkotikëve.

Këto veprimtari kriminale ju mundësuan të krijojnë lidhje edhe me rrjetet ndërkombëtare kriminale. Gradualisht këto familje u fuqizuan financiarisht duke u integruar në veprimtari tregtare të rëndësishme në qytetin e Shkodrës dhe më gjerë. Një tjetër faktor fuqizues është edhe lidhjet që disa nga këto familje vendosën me “familje “mafioze italiane në jug të Italisë, por edhe pranisë së kësaj të fundit në Malin e Zi. Ky shtet njihet edhe si një ndër portet kryesore të kontrabandës së duhanit në Ballkan e dirigjuar nga Sacra Corona Unita.

Deri në vitin 2012 Mali i Zi konsiderohej nga media ndërkombëtare si një “shtet mafioz”. Familjet e mësipërme në qytetin e Shkodrës mendohet të kenë konsoliduar pozitat e tyre në qytet dhe rrethina nëpërmjet dhunës dhe shantazheve, por dhe gjobëvënies ndaj bizneseve. Kjo e fundit ka qënë fenomen shqetësues në Shkodër edhe pas vitit 2005.

Struktura e organizimit të këtyre “familjeve” hamendësohet se i ngjan një “biznesi familjar”, ku organizata kriminale vepron në emër dhe përfitim të familjes ose klanit familjar. Zakonisht drejtuesi i organizatës është kryefamiljari, i cili, pas vdekjes së tij, zëvendësohet nga vëllai më i madh. Siç u përmend më sipër, hierarkia më pas zbret në varësi të afërsisë së gjakut me drejtuesin e organizatës dhe kjo përcakton dhe rëndësinë dhe rolet.

Kështu në rang më të ulët vijnë kushërinjtë e parë, të dytët e me radhë. Në organizatë përfshihen edhe individë të cilët kanë lidhje shoqërore me anëtarët kryesorë të organizatës si dhe djemtë e lagjes ku organizata ka qendrën e saj. Këto “familje” kontrollojnë territore të caktuara dhe kanë linjat e tyre të trafiqeve. Në përgjithësi këto “familje” janë të kujdesshme për të mos ndërhyrë në territoret e njëra-tjetrës pasi një gjë e tillë aludohet t’i ketë kushtuar mbi 20 të vrarë dy prej familjeve në konflikt në periudhën 1999-2013. Pas vrasjes së Edmir Koçisë në vitin 2012 hamendësohet se ka një ristrukturim tjetër të kontrollit të qytetit nga këto familje.

Koçia konsiderohej deri në vitin 2012 si një ndër individët më të rrezikshëm dhe drejtues i organizatës më me influencë në qytet. Ai dyshohej për një sërë vrasjesh, ku ndër to dhe për vrasjen e Çim Cafit.

Një vit më pas eliminohet edhe Gjon Gjeka, i cili gjithashtu dyshohet të jetë ekzekutuar nga e njëjta dorë dhe porositës, për shkak të stilit fare të ngjashëm të vrasjes. Pas këtyre vrasjeve mendohet që “familjet” dominuese në qytet të kenë vendosur një situatë paqeje.

Sot këto “familje” kanë të ndara qartë territoret e tyre, ku kryesisht ndodhen biznese apo veprimtari ekonomike të cilat janë nën mbrojtjen e tyre. Secila nga këto familje ka karakteristikat e veta. Një “familje” mendohet të jetë më afër politikës dhe të ketë ndikim të fortë në pushtetin vendor në çështjet që lidhen me lejet e ndërtimit apo dhe punësimet në institucionet zyrtare. Por, gjithashtu, kjo familje hamendësohet të jetë e përfshirë edhe në trafikun e drogave të forta (heroinë dhe kokainë).

Një “familje” tjetër përflitet se ka ndikim dhe kontroll në një zonë që fillon që nga qendra e qytetit, drejt Dobraçit, deri në rrethinat dhe një pjesë të Dukagjinit. Kjo “familje” dyshohet se kontrollon drogat e lehta (kanabis) dhe është e përfshirë në rrjetet ndërkombëtare të narkotikëve kryesisht në Belgjikë, Hollandë dhe Suedi.

Gjithashtu aludohet se kjo “familje” jep para me fajde në tregun e zi, dhe se është përfshirë në trafik klandestinësh për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.86 Kjo “familje” dyshohet të ketë lidhje edhe me një ndër organizatat kriminale të rrethit të Tiranës që u trajtua më sipër dhe e cila vepron kryesisht në Tiranë – Durrës dhe Fushë-Krujë.

Së fundmi përflitet se kjo familje është angazhuar në të ashtuquajturën “mbledhje borxhesh” (biznese të ndryshme, në pamundësi për të mbledhur borxhet, ju paguajnë një tarifë organizatave kriminale të cilat në këmbim ju marrin borxhin debitorëve), e ngjashme kjo me “pizzo” e mafies Italiane, kryesisht asaj Siciliane. Mendohet se kjo “familje” është familja më e zgjeruar në numër dhe në lidhje gjaku në krahasim me të tre “familjet” e tjera.

Një familje tjetër e cila ndan territorin e kontrollit në qytet me “familjen” më sipër, ka ndikim të konsiderueshëm dhe mendohet se ka influencë në një territor që fillon nga qendra e qytetit dhe më pas vijon në lagjet e njohura si ajo e Xhabijes dhe Zdrales.

Përflitet se një ndër veprimtaritë e saj kryesore është siguria që ju ofron bizneseve në zonën që kontrollon kundrejt një pagese mujore. Kjo “familje” kryesisht është e kujdesshme dhe e sofistikuar, nuk ekspozohet në krime ordinere dhe është më e vogël në numër se familjet e tjera. Dyshohet gjithashtu se ka lidhje me një organizatë shumë aktive në rrethin e Tiranës që u trajtua më sipër.

Një familje tjetër, e cila nuk ka influencën e të parave, dyshohet se ka influencë në zonën e Kirasit dhe mendohet se ka kryesisht lidhje të forta me organizatat kriminale në Kosovë. Numri i anëtarëve të kësaj organizate mendohet të jetë i konsiderueshëm dhe përgjithësisht përbëhet nga persona me lidhje gjaku dhe shoqërore të lagjes ku drejtuesit e organizatës banojnë. Mendohet se krerët e kësaj “familjeje” trafikojnë lëndë narkotike dhe janë të angazhuar në trafikun e prostitucionit në Suedi dhe Danimarkë.

Në përgjithësi, grupet kriminale të rrethit të Shkodrës janë “poli-kriminale” dhe përdorin gjerësisht zonën e Velipojës, portin e Shëngjinit dhe portet e Malit të Zi për trafikun e narkotikëve. Ky trafik bëhet kryesisht me kontenierë ose anije peshkimi të cilët e çojnë “mallin” në det të hapur i cili më pas tërhiqet nga grupet e tjera kriminale që veprojnë në BE.

Organizatat kriminale në rrethin e Shkodrës kanë rritur gjithashtu veprimtarinë e tyre edhe në trafikun e armëve, të cilat i transportojnë ato nga Mali i Zi, nëpërmjet lidhjeve të tyre në Malësi të Madhe. Armët, së bashku me narkotikët, dyshohet se transportohen për në BE nëpërmjet skafeve të cilat nisen nga grykëderdhja e Bunës ose lugina e Vilunit në Velipojë.

Pas goditjes që ju bë “kanabisit” në fshatin e Lazaratit hamendësohet se një ndër “hambarët” më të mëdhenj të rritjes së tij në mënyrë të përqendruar do të zhvendoset në zonën e Dukagjinit, kryesisht në Pult, Shal dhe Shosh. Dhe kjo tendencë e prodhimit të kanabisit ka rrezik të sjellë zhvillime të reja të organizatave kriminale në rrethin e Shkodrës.

Përflitet që të ardhurat që do të sjellë çmimi tashmë i rritur i kanabisit në tregun ndërkombëtar do t’iu mundësojë këtyre organizatave jo vetëm rritje të ndjeshme të fuqisë ekonomike por edhe akses të konsiderueshëm në mafian ndërkombëtare. Duke pasur parasysh edhe pozicionin strategjik të qytetit të Shkodrës, fuqinë relativisht të dobët goditëse të shtetit si dhe ekuilibrat kulturorë dhe fetarë, “Kryeqendra e Veriut” rrezikon të kthehet në një ndër “polet” kryesore të organizatave kriminale më të rrezikshme në vend në vitet e ardhshme.



Durrës

Qyteti i Durrësit është dhe qyteti ku veprimtaria kriminale është mjaft e larmishme për shkak edhe të aksesit që ofron në tregun ndërkombëtar porti i Durrësit, i cili është porti më i madh në vend. Gjithashtu, në këtë qytet kryqëzohen rrjetet kriminale të cilat janë të shpërndara në të gjithë vendin. Në qytetin e Durrësit mendohet që të kenë investime shumë grupe kriminale të cilët vijnë nga i gjithë vendi. Ky qytet shërben deri diku edhe si pikë takimi apo edhe strehimi për shumë prej tyre.

Për këtë arsye është e vështirë të përcaktosh cilat janë organizatat kriminale “autoktone” që veprojnë në këtë qytet. Karakteristikë është që grupet që merren me trafikun e narkotikëve në Durrës janë në numër të vogël anëtarësh dhe kryesisht trafikojnë narkotikë për në Itali. Vihet re që kohëve të fundit ka pasur përplasje midis këtyre grupeve për prishje pazaresh.

Nga ana tjetër, grupe shumë të rrezikshme kriminale përflitet të jenë aktivë në zonat përreth qytetit. Këto grupe janë të strukturuara dhe të mbështetura në lidhje familjare dhe shoqërore. Kanë territore të përcaktuara qartë, të cilat i kontrollojnë, dhe kanë lidhje me organizatat e fuqishme kriminale që veprojnë kryesisht në Tiranë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan dhe Krujë.

Mendohet që në Durrës aktualisht të jetë ri-aktivizuar një organizatë kriminale e cila drejtohet nga individë me precedentë të mëparshëm penalë. Kjo organizatë përflitet të ketë formuar një bashkëpunim me një ndër organizatat më të rrezikshme që veprojnë në rrethin e Tiranës, përshkruar më sipër. Kjo organizatë kriminale dyshohet se është aktivizuar më së shumti në mbledhjen e borxheve të bizneseve dhe në pronat e patundshme.

Hamendësohet gjithashtu se në qytetin e Durrësit prej kohësh vepron një “familje” e njohur në botën e krimit dhe me ndikim jo vetëm në veprimtari tregtare por dhe në veprimtari sociale.



Vlorë

Ky qytet mbetet një ndër qytetet më problematike në lidhje me veprimtaritë e grupeve kriminale. Edhe në Vlorë, ashtu si dhe në Durrës, ka një prani jo vetëm të organizatave kriminale të qytetit dhe fshatrave përreth, por edhe investime të organizatave të tjera, ku kryesisht dominojnë organizatat kriminale të qytetit të Fierit, Beratit, Tepelenës dhe ato të Tiranës. Ky konstatim u cilësua edhe nga Prokurori i Përgjithshëm në analizën vjetore të Prokurorisë së Apelit në Vlorë në vitin 2016.

Krimi i organizuar në Vlorë është i fokusuar kryesisht në trafikun e narkotikëve dhe pastrimit të parave, me investime kryesisht në fushën e turizmit.

Karakteristikë e grupeve kriminalë të qytetit të Vlorës është se, në dallim nga grupet të cilat ishin aktive në vitet 1992-99 (Zani Çaushi, Kakami, Gaxhai etj), nuk ka më grupe që veprojnë në territore të ndara. Vlora, sikurse dhe Durrësi apo dhe qytete të tjera portuale, shërben kryesisht si zonë tranziti e trafikimit të narkotikëve për në BE.

Megjithatë, përveç trafikimit të narkotikëve, zonat përreth qytetit, sidomos ato në Lumin e Vlorës, kanë shërbyer edhe për kultivimin e kanabisit dhe për transportimin e tij, qoftë edhe me avionë të vegjël sportivë.

Sipas ekspertëve të intervistuar, “ndarja e zonave të kultivimit bëhet sipas përkatësisë gjeografike dhe origjinës së drejtuesve të grupeve.”

Vihet re që vrasjet në qytetin e Vlorës janë të shumta dhe këto vrasje në përgjithësi nuk janë për çështje territori, por për zonat e influencës në rrjetet ndërkombëtarë të narkotikëve dhe armëve në vendet e BE, kryesisht në Spanjë dhe Itali. Vlora mbetet një ndër qytetet më problematike në lidhje me krimin e organizuar.

Një prokuror i intervistuar në lidhje me pikat më të nxehta të krimit të organizuar në vend do të nënvizonte se “Unë nuk mund të le pa përmendur Vlorën edhe nga konstatimet në fakt, edhe nga çështjet që janë provuar ose nga goditjet që janë bërë.”

Për një kohë të gjatë përflitet që Vlora ka qënë qytet i “preferuar” i Mafies Italiane dhe mendohet që kjo mafie të ketë investuar në këtë qytet kryesisht në fushën e kulinarisë dhe kazinove. Në vitin 2010 në këtë qytet është arrestuar Albino Prudentino, një ndër drejtuesit e Sacra Corona Unita, dhe vetëm një vit më vonë, arrestohet dhe Giussepe Simonelli, një ndër drejtuesit e “Ndraghetas” italiane.



Fier

Organizatat kriminale që veprojnë në qytetin e Fierit, sipas shumicës së të intervistuarve, mendohen të jenë ndër organizatat më të sofistikuara dhe më të qëndrueshmë në të gjithë historinë e tranzicionit politik në Shqipëri. Edhe pse në vitin 2005 pati një ndërhyrje shumë të suksesshme të goditjes së organizatave kriminale në të gjithë vendin, të ashtuquajturat “grupet e Fierit” nuk u prekën thuajse fare.

Mendohet se grupet kriminale në Fier, në ndryshim nga qytetet e tjera, bazohen jo vetëm në lidhje gjaku dhe shoqërore, por mbi të gjitha në lidhje komunitare (çam, kosovarë). Kjo ka sjellë një farë ndarje territori të këtyre organizatave kriminale, të cilat kontrollin e tyre e kanë aty ku është vendosur edhe komuniteti i tyre.

Sipas ekspertëve, janë të paktën katër organizata me influencë në këtë qytet të ndara sipas lagjeve.

1) Grupi i “Kosovarëve” i cili vepron tek “Ura e Sheqit“;
2) Grupi i “Çamëve” i cili vepron pranë gjimnazit kryesor të qytetit;
3) Grupi i “lebërve” që vepron në periferi dhe në zonën e Levanit dhe
4) Grupi i “fierakëve” që ka ndikim në zonën qëndrore të qytetit por dhe në Patos.

Mendohet se disa nga arsyet kryesore që i bëjnë këto organizata rezistente dhe të fuqishme janë lidhja komunitare, e cila ju shërben si mbrojtje, pozicioni strategjik i qytetit të Fierit, lidhjet e forta me politikën dhe përfshirja në trafikun e narkotikëve dhe prostitucionit që në fillimet e demokracisë si dhe investimi i parave të pista në biznese të ligjshme.

Siç nënvizon edhe një nga prokurorët e intervistuar, “nëse deri në vitin 2000 krimi i organizuar në Fier përdorte format bazike të pastrimit të parave, pra kalimin e pronave në emër të familjarëve, ata sot po investojnë direkt në biznese të regjistruara dhe të deklaruara”.

Mendohet se në qytetin e Fierit të jenë hapur laboratorët e parë të heroinës dhe kanabisit në vend. Nga ana tjetër aludohet që organizatat kriminale të këtij qyteti të kenë pasur shumë ndikim edhe në organizatat që vepronin në qytetin e Vlorës. Madje shkohet deri aty sa dyshohet se truri i rrjeteve kriminale të cilat veprojnë në jug të jetë në qytetin e Fierit. Grupet e Fierit kanë një bashkëpunim të mirë me grupet e Beratit, Lushjës dhe Vlorës. Sot përflitet që ka të paktën dy organizata shumë të fuqishme në këtë qytet që arrijnë të kenë ndikime edhe në emërime në administratën publike dhe Policinë e Shtetit.

Madje aludohet se një ndër drejtuesit e kësaj organizate ka pasur konflikte të hapura me një ndër deputetët më të njohur në jug në lidhje me kontrollin e Albpetrolit.

Kohëve të fundit eksponentë të lartë të krimit të organizuar me precedentë kriminalë dhe të njohur si drejtues organizatash kriminale në vendet e BE (Greqi, Itali, Belgjikë dhe Spanjë), dyshohet se kanë investuar në këtë qytet të ardhurat e tyre kriminale dhe mendohet se po zgjerojnë ndjeshëm influencën e tyre edhe pranë partive politike, sidomos atyre të vogla.



Berat

Qyteti i Beratit mendohet të jetë një qytet ku krimi i organizuar ka investuar për një kohë të gjatë dhe vazhdon të jetë aktiv. Organizatat kriminale në këtë qytet janë kryesisht vendore, të mbështetura në lidhje të forta familjare dhe shoqërore. Përflitet se në këtë qytet kanë influencë të paktën 3 “familje” me precedentë të fortë kriminalë.

Një ndër familjet më me influencë në këtë qytet dyshohet që e ka qendrën në të ashtuquajturën “Zona e 6-katëshit”. Kjo familje mendohet se është marrë që në fillimet e tranzicionit me shfrytëzim prostitucioni kryesisht në Itali dhe Hollandë dhe ka investuar kryesisht në linjat e transportit urban, në veprimtari me karakter argëtues dhe në pasuri të tjera të patundshme.

Përflitet se ka lidhje të ngushta me funksionarë të lartë në pushtetin vendor dhe e përdor këtë ndikim për të përfituar tendera nga fondet publike. Kjo familje funksionon si një shoqëri tregtare, ku anëtarët e saj janë të punësuar në role drejtuese në bizneset që zotëron familja. Një organizatë tjetër me ndikim në Berat mendohet të ketë lidhje të forta me politikën.

Përflitet që krerët e kësaj “familjeje” kanë precedentë penalë në trafikun e narkotikëve, kryesisht në Belgjikë. Mendohet që anëtarë të kësaj “familjeje” të kenë pasur lidhje edhe me bandën e njohur të drejtuar nga Altin Dardha. Ndikimi i kësaj “familjeje” përflitet të jetë i konsiderueshëm në pronat e patundshme, hoteleri-turizëm dhe hipoteka. Hamendësohet se kjo “familje” është e sofistikuar dhe përpiqet të shmangë përplasjet për çështje ordinere, për shkak se ka dhe interesa qëtë përfshihet edhe në politikë. Dyshohet se zonën e influencës e ka kryesisht në qendrën e qytetit dhe në zonat përreth.

Një familje tjetër me influencë dhe me precedentë penalë të shumtë në qytet dyshohet se është një organizatë, drejtuesit e së cilës janë marrë me trafik heroine dhe prostitucioni në Itali. Edhe kjo “familje” është përpjekur të krijojë lidhje të forta me partitë politike. Kjo “familje” përflitet të ketë investime të shumëllojshme në hoteleri dhe lojrat e fatit.

Njihen si një organizatë e dhunshme dhe, në dallim nga “familjet” e tjera, kanë precedentë të shumtë penalë brenda dhe jashtë vendit. Zona ku kanë më shumë influencë përflitet të jetë përreth lagjes “Murat Çelebiu”. Në qytetin e Beratit përflitet të ketë dhe pjesëtarë të rrjeteve ndërkombëtare të kokainës, të cilët kanë krijuar lidhje të qëndrueshme në Venezuelë. Mendohet se Berati mund të jetë një destinacion tjetër i rrjeteve të mbyllura të trafikut të kokainës me tranzit Shqipërinë për në BE në të ardhmen.

Karakteristikë e “familjeve” me precedentë të shumtë penalë në këtë qytet është se ato shmangin përplasjet ndërmjet tyre dhe përpiqen të shmagin gjithashtu konfliktet e panevojshme, duke ofruar siguri për anëtarët e familjes dhe të njohurit. Përflitet gjithashtu se shumë prej pjestarëve të këtyre “familjeve” kanë qenë mjaft aktivë në zgjedhjet vendore të vitit 2013. Lidhjet e tyre me politikën mendohetse kapërcejnë pushtetin vendor dhe kjo ju ka shërbyer për të shmangur edhe ekstradimet e kërkuara nga INTERPOLI.



Elbasan

Vrasjet e shkurtit të vitit 2016 treguan se qyteti i Elbasanit vazhdon të mbetet një pikë e nxehtë ku veprimtaria e krimit të organizuar vazhdon të jetë e pranishme edhe pas shkatërrimit të dy bandave famëkeqe të “Mandelës” dhe “Tan Kateshit”. Përplasja tashme prej 10 vitesh midis familjeve “Çapja” dhe “Mema” shfaq natyrën dhe karakteristikat e krimit të organizuar në këtë qytet.

Janë të paktën 9 të vrarë që prej vitit 2005 kur hakmarrja midis familjeve nisi të krijonte viktima. Duhet cilësuar se është e vështirë të kuptohet nëse kjo përplasje midis këtyre “familjeve” ishte për prishje trafiqesh droge apo për hakmarrje, pasi të dhënat e mbledhura nga ekspertët e intervistuar, nënvizojnë faktin se organizatat kriminale që veprojnë në këtë qytet përpiqen të jenë në harmoni me njëra tjetrën, një karakteristikë kjo edhe për qytetin e Beratit. Një tjetër veçori e këtyre grupeve është se kanë marrëdhënie qytetare me komunitetin dhe përpiqën t’iu ofrojnë ndihmë apo bëjnë ndere.

Sikurse edhe në qytetet e tjera të vogla, edhe në Elbasan grupet e organizuara mbështeten në lidhje familjare dhe shoqërore. Kryesisht grupet e konsoliduara janë ato të drogës. Elbasani njihet si një ndër qytetet kyçe të magazinimit dhe trafikimit të heroinës e cila vjen nga linja Turqi – Maqedoni.

Megjithatë ka pasur përpjekje që linjat e heroinës të përdoreshin edhe për trafikun e kokainës nga rrjete kriminale të cilat e kanë qendrën dhe veprojnë në Tiranë. Në janar të vitit 2015 në fshatin Xibrakë u kap një ndër laboratorët më të mëdhenj të kokainës në rajon, ku u arrestuan rreth 8 persona, ndër ta dhe dy “kimistë” kolumbianë dhe u sekuestruan rreth 19.5 kg kokainë e pastër.

Ndërkohë në Elbasan kanë vepruar edhe rrjete të tjera kriminale, kryesisht në trafikun e armëve dhe veprave të artit, që kishin lidhje edhe me grupe të tjera në Fier, Vlorë dhe Shkodër, por të cilat nuk kanë qëndrueshmërinë e grupeve të drogës dhe janë goditur në një kohë të shpejtë.

Sipas ekspertëve, ajo që i ka bërë më të rezistueshëm grupet kriminale të trafikimit të narkotikëve në Elbasan është se janë të sofistikuar, nuk janë konfliktualë, nuk kanë konflikte për çështje territoresh. Kjo pasi narkotikët i tregtojnë në vendet e BE (Belgjikë, Hollandë, Britani e Madhe, Itali, Gjermani, Zvicër). Elbasani përdoret si vend tranzit por edhe si pikë tregtimi për konsum të brendshëm. Një trend i rrezikshëm që po vërehet në këtë qytet është se format organizative të grupeve kriminale në qytet po imitohen nga grupe të rinjsh në zonat rurale përreth. Duke pasur parasysh situatën ekonomike dhe edukimin në rrethina, rrezikohet që të kemi zhvendosje të organizatave kriminale hierarkike në zonat rurale.

“Kanabisin nuk e mbolli ministria e bujqësisë, por kupola e qeverisë”*

Nga Edmond Panariti.

Ka dy herë që thirret në interpelancë Ministri i Bujqësisë, një gjë komplet e pazakontë, në një hark kohor dy javor, dy herë interpelanca për ministrin e Bujqësisë, i cili për hir të së vërtetës akoma nuk ka njohur objektivat e punës së tij, dhe nuk ka se si ti njoh me dy-tre muaj. Dhe kush është arsyeja përse kërkohet kjo interpelancë? Sot na i sqaruat. Ju në fakt kërkoni që nëpërmjet interpelancës së stisur me Ministrin e Bujqësisë të na involvoni dhe të na përfshini ne, në gjoja, në lidhje me trafikantët e drogës, për të shpërndarë pjesë nga llumi ku jeni zhytur, nga llumi i trafikut që përditë e më shumë po ju tërheq poshtë si një gropë thithëse. Ku përditë e më shumë po dalin fakte kompromentuese për funksionarë të lartë dhe për të gjithë strukturën e piramidës shtetërore të involvuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në këtë trafik droge. Tashmë po mundoheni të krijoni vektorë, të krijoni rrugica, që të na përfshini dhe ne, në një diçka që ju e dini fare mirë që ne nuk kemi të bëjmë fare. Absolutisht fare. Dhe për tju rikthyer çështjes në fjalë, dëshiroj të ndaj me opinionin publik se si filloi kjo histori.


Kjo histori, të nderuar qytetarë, ka filluar me një vendim qeverie, vendim të këshillit të ministrave, sipas të cilit një tokë e cila ishte në administrimin e një shkolle të mesme bujqësore, në varësi të Ministrisë së Arsimit, i hiqet, arsyet i di qeveria, dhe i vihet në dispozicion Ministrisë së Bujqësisë për ta administruar, e cila nuk është operator ekonomik. Dhe sigurisht do të hap procedurat e dhënies me qera që investitorë të interesuar të marrin pjesë në garë dhe sipas të gjithë kritereve ligjore dhe procedurave të parashikuara nga ligji, ti nënshtrohen garës dhe të shpallet një fitues. Dhe sigurisht që u shpall një fitues, dhe unë nuk jam këtu as për të bërë segregim, as aparteid, as për të parë biografinë, as ndarje klasore, për të paragjykuar apo gjykuar se kush është fituesi. Megjithatë kjo është çështje proceduriale, unë jam i hapur. Dosjet janë aty, meqënëse i shpallet dhe si objektiv. Merrni dosjet nën sqetull dhe që nesër shkojmë në Prokurori ti nënshtrohemi një procesi të qartë transparence të të gjithë procedurave që ka zbatuar Ministria e Bujqësisë, duke filluar që nga zanafilla, që nga VKM-ja, që këtë tokë e kaloi nga administrimi i Ministrisë së Arsimit, tokë si pjesë e pronësisë së një shkolle, dhe ja vuri në dispozicion Ministrisë së Bujqësisë. E cila çfarë do bënte? Do fillonte procedurat, procedurat e shfrytëzimit të kësaj toke, e cila ka qenë një tokë djerrë, tokë e braktisur, tokë e cila nuk u nda me 7501-shin, dhe duhet të dini që është krijuar një ide gati utopike sikur tokat që ka në administrim shteti shqiptar, Ministria e Bujqësisë, janë tokat më produktive.

Rrini me këmbë në tokë. Ato toka kanë qenë toka të refuzuara. Toka të cilat kur u ndanë me ligjin 7501 fermerët nuk pranuan ti marrin në dorëzim, sepse ishin toka pa infrastrukturë vaditëse, ishin toka të kripura, ishin toka të degraduara dhe ashtu mbetën. Dhe sigurisht ato toka kush do ti shfrytëzojë? Natyrisht me gjithë dëshirën tonë për t’ia u dhënë fermerëve të varfër, nuk kanë mundësi. Se u tha këtu që janë përjashtuar bujqit e varfër nga procesi i marrjes pjesë në garat për marrjen me qera.

Ju si kryeminstër, bujqve të varfër iu hoqe 10 milionë euro nga fondi i subvencioneve të viteve të kaluara dhe i privove atyre nga mundësia për të kultivuar në parcelën e tyre dhe dashke ti që ata të marrin pjesë në procedurën e marrjes më qera të tokave bujqësore, të cilat edhe sikur t’jua falësh nuk i marrin se nuk kanë as mjete financiare, as mundësi për ti vënë në shfrytëzim. Dhe ato do ti shfrytëzojnë normalisht sipërmarrës bujqësor që i kanë ato mundësi dhe që janë pjesë e një gare të ndershme dhe ju sfidoj që të provoni që kjo garë nuk është e ndershme. Sepse para se të vini ju kanë ardhur organe të tjera. Ka ardhur auditi i Ministrisë, ka ardhur Kontrolli i Lartë i Shtetit, megjithatë aty janë dokumentat. Dhe unë nuk kam asnjë lloj kompleksi dhe asnjë lloj fobie për tu përballur në qoftë se ju doni ti hyni kësaj historie, biles çudi si nuk e keni filluar deri tani se ne kemi qenë në qeveri. Pritët tani sepse pikërisht është momenti për ta hapur, për ta shfokusuar vëmendjen nga bataku i drogës dhe i trafikut dhe për të involvuar natyrisht edhe persona, institucione, dikastere, të cilat me thënë të drejtën nuk kanë të bëjnë me procesin e kanabizimit të bujqësisë. Bujqësia u kanabizua jo nga Ministria e Bujqësisë. Ju e dini shumë mirë kush janë aktorët dhe faktorët e kanabizimit. Doni të na përfshini dhe ne, e keni gabim pavarësisht nga dëshira juaj është e pamundur. Procedurat janë aty, proceset, ligjet janë aty. Organet investigative janë aty, nuk i takon deputetëve të parlamentit të nxjerrin dokumentat, kontratat këtu. Derën e prokurorisë e keni aty. Nuk është parlamenti vendi ku do të bëhen hetimet dhe investigimet. Ju e dini fare mirë këtë, por e përdorni si kauzë politike. Por në doni të jeni serioz shkoni në derën e prokurorisë hapni një proces dhe shkoni deri në fund.

*Pjesë nga diskutimi i ish-ministrit në parlament

Parashikimi; tensione dhe dhunë në Ballkan gjatë vitit 2018


Tensionet e shtuara dhe dhuna e mundshme janë parashikuar për Ballkanin në vitin 2018, ndaj populli në rajon duhet të gjejë kurajon dhe të kërkojë zgjidhje vetë, pastaj t’i kërkojë ndihmë Uashingtonit dhe Brukselit.


Nga Daniel Serwer


Ballkanasit janë habitur që Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë, CFR, një organizatë e njohur në SHBA, që ndodhet shumë pranë Shtëpisë së Bardhë, e ka renditur Ballkanin mes prioriteteve të saj për parandalimin e konfliktit për vitin 2018.

CFR paralajmëroi specifikisht “përshkallëzimin e tensioneve apo dhunës ekstremiste në Ballkan – Shqipëri, Bosnje, Kroaci, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi – që do të rezultojnë në paqëndrueshmëri politike dhe përleshje të armatosura” dhe vlerësoi se ka gjasa të moderuara të ndodhë, por ndikimin në interesat amerikane të ulëta.

Ky vlerësim i “nivelit III” ka shkaktuar një interesim të madh, megjithëse është veçse një njohje e Uashingtonit me atë që njerëzit në Ballkan e kanë hasur prej vitesh: recesioni ekonomik dhe trazirat sociale po rriten, anëtarësimi në BE po rezulton shumë i largët për të bindur politikanët e Ballkanit që të marrin rreziqet që lidhen me reformimin dhe Rusia është duke bërë çmos për të bllokuar progresin drejt NATO dhe BE.

Nuk ka nevojë për topth kristali për të sugjeruar se ka rrezik përplasjesh të armatosura dhe ekstremizmi të dhunshëm në një rajon që ka parë tashmë sulm mbi parlamentin maqedonas, paraushtarakë që kalojnë kufirin nga Kosova, kërcënime për referendum të pavarur në Republikën Srpska në shkelje të marrëveshjeve të paqes Dejton dhe rekrutim të ekstremistëve fetarë dhe etnik për të luftuar në Siri dhe Ukrainë.

Amerika ia kaloi lidershipin në Ballkan Europës më shumë se 10 vjet më parë. Europa është çapitur që atëherë.

Çështja është nëse Shtetet e Bashkuara do të kthehen në një rol lidershipi duke u përpjekur të zgjidhin çështjet që po bllokojnë vendet e Ballkanit nga anëtarësimi në BE dhe NATO.

Emri i Maqedonisë, kushtetuta e Bosnje-Hercegovinës, mungesa e anëtarësimit në OKB të Kosovës dhe ndërhyrja e Rusisë në politikën ballkanike janë çështje që mund të zgjidhen më lehtë me angazhimin e Uashingtonit se sa pa të. Pse nuk ndërhyn SHBA-ja?

Përgjigja fle në dy nivelet e prioriteteve të parandalimit që qëndrojnë mbi Ballkanin në renditjen CFR.

Amerikanët janë të zënë me armët bërthamore dhe raketat e Koresë së Veriut, ndërhyrjen ruse në Europën Lindore, kërcënimet kibernetike, Iranin, Detin e Kinës Jugore dhe terrorizmin në vend, për të mos përmendur krimin e organizuar në Meksikë, separatistët në Ukrainë, ambiciet e pavarësisë së Kurdistanit, konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës, dhe disa problemeve të tjera të mundshme me ndikim më të madh në interesat amerikane sesa Ballkani.

Edhe po të sugjeroja që SHBA të caktojë një të dërguar të posaçëm për Ballkanin ose të delegojë përgjegjësi specifike te Zv.Presidenti Mike Pence, nuk jam i bindur se kjo do të ndodhë. Çfarë atëherë?

Njerëzit në Ballkan duhet të marrin kontrollin në duart e tyre dhe të kërkojnë zgjidhje të negociuara, në bashkëpunim me miqtë e tyre europianë dhe amerikanë.

Pse Greqia do të vazhdojë fushatën kundër emrit të Maqedonisë nëse kjo pengon Maqedoninë që të jetë ashtu si Greqia aleat në NATO dhe një anëtare e Bashkimit Europian?

Pse Serbia do të vazhdojë qëndrimin e saj kundër anëtarësimit në OKB të Kosovës, duke e ditur se kurrë nuk do të mund ta qeverisë ish-krahinën e saj dhe do të duhet të normalizojë plotësisht marrëdhëniet me të përpara se Beogradi të hyjë në BE?

Pse shtetasit e Republikës Srpska vazhdojnë të premtojnë një referendum që nuk mund të sjellë njohje ndërkombëtare si një shtet i pavarur dhe do t’i shërbejë vetëm interesave të elitës politike rusofile të korruptuar?

Për mua, përgjigjet janë të qarta, por këto pyetje duket se nuk bëhen kurrë. Është koha gjithashtu që BE-ja të luajë një rol më të fortë. Brukseli është mësuar të heqë dorë: sapo të keni zbatuar ligjet e unionit, do të marrim në konsideratë t’ju anëtarësojmë.Kjo po rezulton e pamjaftueshme. Procesi duhet të lehtësohet.

NATO gjithashtu mund të jetë më energjike në përpjekje për të zgjidhur çështjet që kanë ndaluar Maqedoninë, Kosovën dhe Bosnjën për të mos hyrë në aleancë.

Problemet që e futën Ballkanin në listën e prioriteteve të parandalimit këtë vit nuk janë të pazgjidhshme. Por kërkojmë pak kurajo politike dhe dorë diplomatike për t’u zgjidhur. Vullneti duhet të vijë jo vetëm nga Uashingtoni dhe Brukseli, por edhe nga brenda Ballkanit.

Kur shtetasit e tij të kërkojnë gjëra të bëra më mirë, rreziku i destabilitetit politik dhe përplasjeve të armatosura do të bjerë. Është më mirë të jesh jashtë listës së CFR se i përfshirë në të.

Anton Çehov, mjeku që u bë gjeni i novelës



Tek ai në detaje gjendet pikërisht antidoti i djallit. Për Çehovin, bota është në kuptimin strikt dhe hiperbolik të fjalës "një vend i jashtëzakonshëm". Çehovi e dashuronte atë, natyrën njerëzore dhe trupin human.

Nga Albert Vataj


Historia e letërsisë, e cila rreket të kacavirret me tekstshkrimin përnga kreshta më e lartë e kumtit estetik, si forma më depërtuese e shprehisë, ruan në memorin e vet ngadhnjime të paepura korifejsh, të cilët duke ardhur nga dimesione të tjera dëshiruese dhe dijetuese, u përfshinë prej artit të krjimit letrar si prej një magjie. Ata nuk e mohuan askurrë profesionin, për të cilin kishin thurur kaq shumë ëndrra dhe derdhur kaq shumë djersë, por bashkëngjiten gjymtyrët e saj këtij pasioni me shtatin dhe shpirti e ngulmeve mëtuese. A ishte Çehovi një prej tyre. Po. Është magjia e tij që na deh ende shpirtrat e epur pas sendërgjimeve emocionale e penës majëmprehtë.

"Mjekësia është gruaja ime, ndërsa letërsia dashnorja", është kjo maksimë e dalë që vjen si tharm në magjën e Anton Çehov, rusit që konsiderohet si novelisti më i madh dhe më i shquar, jo vetëm në vendlindje, por përbotërisht dhe gjithkohësisht. Ai vlerësohet me 165 pikë nga kritikët e sotëm, sipas një sondazhi të paradokohshëm të "Times". Anton Pavlloviç Çehov lindi 155- vite më parë, më 29 janar të vitit 1860. Ai që do të diplomohej për mjekësi, do të ngulitej thellë në memorien e gjeneratave dhe do të rrëmbente meritueshëm vlerësimin e një prej 10 novelistëve më të mirë të të gjitha kohërave.

Në përvjetorin e 155 të ardhjes në jetë të këtij gjigandi të letrave, ne përulemi me mirënjohje për aktin e tij të krijimit, sublimja e së cilës e mban atë jo vetëm si dramaturgun më të madh të shekullit të XIX-të dhe i fillimit të atij të XX, por edhe si shkrimtari më i suksesshëm i tregimeve të shkurtra, autori gjenial, vëzhguesi skrupuloz, mendjehapuri dhe komunikuesi ëmbëlak. Që nga koha e vdekjes së Çehovit, që daton më 15 korrik i vitit 1905, reputacioni i tij ka rrapëllitur nëpër terrene të çaprazta e mbijetuar stuhishë të ndryshme. Spariherë mbi të do të rëndonte një alogjizëm që do ta përndiqte gjatë, sipas së cilës, ai ishte një "tregtar i mërzitshëm", dramat dhe pjesët teatrale të të cilit kanë një fund të paralajmëruar, një cekje e shpërfaqshme në shpirtin e artdashësit. Nga të tjerë ai është konsideruar si shkrimtari i "komedive", lëndë të cilën ai e përdorë si ingredient të ngjizjes së realitetit me të cilin domosdo përleshej edhe përmes groteskut. Cingërima e keqkuptimeve ceku deri aty sa mbi këtë vullnetmirë dhe rrëmihës të gjithçkasë dhe trajtues buzëhollë, rëndoi heretiku, sepse në vitin 1890 ai në "veshjen" e mjekut kreu një udhëtim në zonën e Sakhalinit, në fund të të cilit grumbulloi një material të mjaftueshëm për shumë pjesë dhe tregime, të cilat e pasuruan galerinë e tij krijuese.

Sipas një libri të vitit 1997, bazuar në letrat e lëshuara nga arkivi rus, dramaturgu ishte, ndër të tjera, edhe një frekuentues i shtëpive publike. Shumë syresh e morën kallpë këtë informacion, të prirur nga trajtimi i Çehovit, këtij gjeniu të rrëfimtarisë, vetëm si një mashkull me hove epshore. Ai në këtë frekuentim të prostitutave, këtyre "infermiere të ndjenjave", kurtizane të përdala, përjashtoi pjesmarrjen fizike. Ai ishte me ta, mes tyre, për të biseduar, për ti pyetur dhe për ti dëgjuar me shumë vëmëndje. A ndikojnë informacione të tilla në mënyrën sesi ne e vlerësojmë artin e tij? Kjo e vërtetë ashiqare e ndez më me shpuzë admirimin për të dhe talentin e tij. Tek ai dashuria për të zbuluar botën shkonte paralel me dëshirën për t'i ikur, për t'iu shmangur asaj, duke e trajtuar artin, si mjet, gjëndje apo vullnet që duhet të priret të qartësojë problemet, jo domosdoshmërish të japë kurën për to. Megjithëse mjek, Çehovi shërimin e plagëve shoqërore i'a la kohës dhe botkuptimit, ndjenjës së ndërgjegjësimit nëpërmjet mjeteve shprehëse estetike.

Anton Çehov, ishte nipi i një bujkrobi, që arriti të blinte lirinë e tij dhe biri i një shitësi ushqimesh. Gjatë javës ishte babai i pamëshirshëm, që i kamxhikonte fëmijët rast e pa rast dhe të dielën shndërrohej në një qenie të përvuajtur dhe mëshirëplotë, kur i duhej të kryente rolin e një koristi kishe. Me një dorë fjalë, kjo ishte fëmijëria e kaluar e Çehovit. Dhe një një baba i tillë la gjurmë të dukshme dhe plazmoi thellë në brendinë e vet gjithë veprat e gjeniut.

Ai e ndan jetën në dy periudha të mëdha: periudha gjatë dhe pas goditjeve me kamxhik. Ndër të parat gjëra që ai shkroi në rininë e tij ishte një listë objektivash që do të kishte dashur ta ndiqte, nëse Zoti do t'i kishte falur dhuntitë e një artisti. Ja çfarë shkruan dramaturgu i madh: "Ndër gjërat më të shenjta janë trupi njerëzor, shëndeti, inteligjenca, talenti, dashuria dhe liria nga dhuna, nga gënjeshtrat. Ky është programi që do të doja të ndiqja nëse do të isha një artist i madh". Çehovi e njihte mirë dhunën dhe gënjeshtrën e donte të kishte të bënte sa më pak me to. Ai ishte shumë i përgjegjshëm si njeri dhe kur i ati dështoi në biznesin e tij dhe e çoi familjen në Moskë, Çehovi bëri ç'ishte e mundur për t'i ndihmuar ata financiarisht e ndërkohë arriti që të mbaronte shkollën, mori një diplomë në Mjekësi, shkruante pa reshtur skeçe dhe tregime të shkurtra për të pasur mundësi më të shumta financiare.

Çehovi çmohej si një vëzhgues i jashtëzakonshëm, një kureshti e ngarkuar me yshtje të zellshme dhe ngulmi për të qëmtuar gjithçka në realitetin e dukshëm dhe të brendashkruar të qenies njerëzore. Ky pasion e kishte armatosur atë me aftësinë për të penetruar në skutat më të errta të thellësisë së brendamishit të fateve të njerëzve. Si një rus ai vërshoi nën lëkurën e atyre që do të ishin personazhet dhe karakteret e korpust të tij krijues, individëve të ndryshëm e të bëhej njësh për pak kohë me veset, dëshirat, ëndrrat e makthet e tyre. Ai vuri re se njerëzit nuk e kishin shumë të zhvilluar aftësinë e të dëgjuarit të njëri-tjetrit. Në tregimet e tij të shkurtra, për të cilat ishte një mjeshtër i madh, vihen re këto nuanca e ngjyrime, por në pjesët dramatike ato bëhen më të dukshme dhe të prekshme. Sepse, në teatër personazhet shfaqen me të gjithë dimensionet e tyre. Të shumtë janë ata që e krahasojnë Çehovin me Shekspirin, madje që i konsiderojnë të dy njëherazi të mëdhenj e monumentalë për atë që kanë shkruar e thënë për jetët, karakterin e natyrën njerëzore. Shumë regjisorë po përpiqen ndërkohë që të sjellin një version modern të veprave të Çehovit, siç kanë bërë disa regjisorë me dramat dhe komeditë e Shekspirit. Ka disa që janë të mendimit se një gjë e tillë nuk do të kishte sukses, edhe pse Çehovi është i gjithkohshëm dhe vepra e tij do të jetojë për sa kohë do të jetojnë edhe njerëzit. Gjithsesi në Londër disa regjisorë po përpiqen që të eksplorojnë në këtë drejtim. Një iniciativë është ajo e "modernizimit" të "Pulëbardhës" dhe "Kopshtit të qershive". Me këto realizime synohet edhe restaurimi i vilës së Jaltës. Ajo nuk është një vilë e zakonshme, por një shtëpi që fsheh disa të vërteta për shkrimtarin dhe dramaturgun e madje, nëse shkon aty, ajo të shfaqet shumë mikpritëse fillimisht. Është e pajisur me dy ballkone. Në këtë shtëpi Çehovi qëndroi me motrën që iu përkushtua me një dashuri të veçantë të vëllait, por ndaj të cilës ai jo gjithmonë u tregua i hapur dhe i drejtë. Madje nuk i tha as për planet që kishte për t'u martuar me aktoren Olga Knipper. Distanca e madhe nga Moska ndikoi edhe në mënyrën e të shkruarit të Çehovit, por ai pati mundësinë që të kishte një nga aparatet e parë telefonikë në të gjithë zonën me të cilin komunikonte me kryeqytetin. Ai merrte vazhdimisht telefonata nga Teatri i Artit që e mbante të përditësuar me suksesin e shfaqjeve të dramave të tij më të fundit. Një proverb thotë se "djalli qëndron në detaje", por Çehov e përgënjeshtron këtë thënie.

Tek ai në detaje gjendet pikërisht antidoti i djallit. Për Çehovin, bota është në kuptimin strikt dhe hiperbolik të fjalës "një vend i jashtëzakonshëm". Çehovi e dashuronte atë, natyrën njerëzore dhe trupin human. Ai thoshte shpesh se ishte i martuar me mjekësinë dhe sa për letërsinë ajo ishte e dashura e tij e përjetshme. Çehovi vlerësonte se pikërisht përmes trupit të vdekshëm dhe shumë vulnerabël mund të përjetohen gëzimet e rikrijimit. A besonte Çehovi te progresi? Përmes përkushtimit të tij ndaj masave fshatare dhe vajtjes te të burgosurit e kolonisë së Sakhalinit, ai ka bërë shumë më tepër se disa idealistë për ta shndërruar botën në një vend më të mirë, por ai ishte aq i mençur sa për ta kuptuar dallimin mes dëshirës për të bërë mirë dhe rrezikut që mund t'u kanoset njerëzve të tillë nëse nuk arrijnë që të gjejnë një balancë mes dhënies dhe marrjes.

Dihet se pasi përfundoi "Kopshti i qershive", Çehov ngjizi idenë për një tjetër dramë, por që fatkeqësisht nuk pati mundësinë ta jetësonte, vdekja i kishte zënë pusi. Nga ato pak shkrime që kanë mbetur bëhet fjalë për një dramë me pritshmëritë e një suksesi të garantuar. Gjithsesi kjo mrekulli e mbetur në tentativë nuk kishte gjasë t'ia zbehte shkëlqimin e këtij gjenialiteti. Më së miri për këtë dëshmon vlerësimi, të cilin e ushqen me energji dhe ëndje lexuesi i të gjitha kohëve. Anton Çehov do të mbetet përherë pjesë e dëshirimit të lexuesit dhe detyresës së brezave për ta nderuar me përkorje këtë gjeni rus të letrave.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...