2017-12-21

Letër nga New York-u

Janari - Muaji i Isa Boletinit!

Nga Mimoza Dajçi
New York
Dhjetor 2017

Edhe pak ditë në kalendar hyn muaji janar 2018. Mendja më shkoi ta njoh si Muaji i Isa Boletinit. Pikërisht më 15 Janar të vitit 1864 erdhi në jetë Heroi i Kombit tonë Isa Boletini, por edhe plumbi armikut në këtë muaj i mori edhe jetën më 23 Janar 1916. Çfarë tregon se shkjau dhe pushtuesit osmanë nuk e mirëpritën ardhjen e tij në jetë. E ndien si duket se çfarë humbje do të gjenin prej tij. Isa Boletini lindi në fshatin Boletin të Shalës së Bajgorës. Ai rrjedh nga një familje e njohur për patriotizëm si në Mitrovicë ashtu edhe në tërë Vilajetin e Kosovës. Isa është një nga luftëtarët e paepur të periudhës së Pavarësisë, legjendë e çdo momenti historik për shqiptarët. 
Historia e jetës dhe veprës se Isa Boletinit është historia e një patrioti legjendar që me sakrificat e tij hodhi një gur të madh në themelet e shtetit të pavarur shqiptar. Ishte pikërisht qëndrimi patriotik i tij dhe mijëra burrave të tjerë që mundësuan mbijetesën e popullit shqiptar.  
Isa Boletini ky bir i thjeshtë e i dashur i popullit të Mitrovicës heroike, i pasur, por i varfër deri në vdekje, pasi gjithë pasurinë e vuri në shërbim të vatanit e luftës për paqe e liri. Pa dashur të përfitoj tituj e ofiqe nga veziri i Turqisë kthehet pranë Kullës, familjes e njerëzve të tij për të vazhduar amanetin e të parëve të tij të atit Ademit e vëllait të madh Ahmetit, të cilët u vranë që tokat shqiptare të jenë të lira e të pauzurpuara nga turqit, shkjau apo  pushtuesit e tjerë.
Isa Boletini ishte besnik i Ismail Qemalit, i cili vetëm një ditë pas shpalljes së pavarësisë hyn triumfator në qyetin e Vlorës bashkë me trimat e tij të armatosur kosovarë. Më shumë se forca e tyre vlente gjesti dhe mbi të gjitha fjala e përhapur se Ismail Qemalin e ruante Isa Boletini dhe luftëtarët e tij. Kaq mjaftoi që edhe ata shqiptar gjakprishur që ishin kundër Pavarësisë, të mos guxonin të sulmonin Plakun  e Vlorës. Isa i kishte dhënë besën se jeta e tij dhe luftëtarëve që ai drejtonte do ishin për Shqipërinë e lirë dhe në fakt ai nuk e shkeli kurrë besën e dhënë. Isa Boletini nuk dorëzohej e nuk përkulej para askujt, prandaj që në moshën 54 vjeçare fitoi të drejtën të quhej "Bacë" titull që nuk fitohej lehtë ato kohë.  
Një guxim madhor e historik e shtyu trimin e Kosovës martire për të ndërrmarë udhëtimin kalorsiak drejt firmosjes së Pavarësisë së Shqipërisë më 1912 në Vlorë. Pavarësisht rreziqeve të rrugës, dimrit të egër e armikut të pabesë, 100 trimat e tij, djem, nipa, e luftëtarë të lirisë nuk e lanë vetëm, sëbashku u nisën drejt Vlorës heroike të Isamil Qemalit. Dhe ashtu me respekt e dashamirësi u prit nga Plaku i urtë e populli i Vlorës, ku u përul plot respekt para Flamurit të Kuq me Shkabën Dy Krenare. Gëzim e brohorima për ditën e madhe - Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë! Kudo oshëtiu  Sheshi e Vlora mbarë nga ky sihariq vendimtar për të ardhmen e vendit. 
Bacë Isa si një figurë embelemë historike me kapacitete botërore është bërë i njohur përveç të tjerave edhe për ngjarjen në Londër. 1913, kohën kur Delegacioni Shqiptar do të takonte Ministrin e Jashtëm të Mbretërisë Eduard Grejin. Në hyrje roja i kërkoi me xhentilesë të dorëzonte revolverin. Isa u bind e ja dha pa fjalë. Pasi përfunduan bisedimet Ministri Anglez Greji i thotë me shaka: "Nesër gazetat do të shkruajnë se, atë që nuk e bëri  dot ushtria e pamat osmane e bëra unë. Isa Boletini u çarmatos vetëm në Londër". 
Por përgjigja e Isa Boletinit ishte e menjëhershme: "Jo besa Lord, as në Londër jo". Dhe nxorri një tjetër revolver që e mbante fshehur në brezin e mesit. 
  Shumë ngjarje, sakrifica e mundime do të kapërcente Isa me trimat e tij në kohë e periudha të ndryshme. Vital e i papërkulur del portreti i tij fisnik para çdo kujt qofshin edhe njerëz të pushtetshëm botëror të kohës. Mbi Isa Boletinin serbët përpiqeshin të hidhnin baltë herë pas here, madje për të ngjallur panik në rradhët e luftëtarëve dhjetëditëshin e dytë të muajit nëntor 1912, përhapën lajmin se ai ishte vrarë. Thuhej se gjenerali serb Zhivkoviç e kishte urdhëruar të udhëhiqte sulmin ndaj ushtrisë turke, por Isai i kishte thënë se në vijën e parë duhej të qëndronin serbët e jo shqiptarët. Dhe në sherr e sipër Zhivkoviçi e kishte vrarë duke e akuzuar për tradhëtarë. Në të vërtetë Isa ishte gjallë e po udhëtonte me trimat e tij drejt Vlorës.  
Sipas ngjarjeve të treguara nga nipi i tij Tafil Boletini, i pranishëm në çdo ngjarje dhe udhëtim të axhës Isë, na ka treguar se Isa u vra tradhëtisht nga konsulli frances dhe frocat sllavomalazeze sëbashku me shtatë nga njerëzit e tij në Podgoricë, mbi Urën e Moracës, më 23 janar 1916. Ndërkohë që edhe Konsullata anlgeze e ftoi për ndihmë, por ai si njeri i besës, pranoi ftesën që i afroi i pari konsulli frances, që në fakt ishte ai vrastari i parë dhe i vërtetë, e për këtë akt qeveria francese duhet të kërkojë falje.
Për Isa Boletinin kane shkruar shumë shkrimtarë të huaj austriakë, rusë, francezë, anglezë, gazetarja amerikane Bertha Spencer. Shtypi amerikan i kohës ka shkruar artikullin me titull: "Isa Boletini, heroi që duhet të njihni". Për Legjendën Isa Boletini kujtime dhe shënime nga më të famshmet ka lenë dipllomai anglez Aubrey Herbert, i cili ka patur rast ta takojë Isën dy herë në jetën e tij në vitet 1912 dhe 1913. 
Sot në Mitrovicë "Kulla e Isë Boletinit" njihet e mirëmbahet si Muze Kombëtar dhe është nën kujdesin personal të nipit të tij Gazmend Boletini, i cili kryen një punë vërtetë të shkëlqyer në këtë drejtim e gjej rastin si autore e këtij shkrimi që në emrin e tij e në emër të Familjes Boletini, të falenderoj publikisht biznesmenët e patriotët e njohur te çështjes kombëtare Harry Bajraktari dhe Rrustem Gecaj, të cilët i kanë dhuruar këtij Muzeu një shumë të konsiderueshme në dollarë. 

***

Dikush më pyeti mua sot: Mimoza pse harxhon kam shumë kohë nga vetja, e gjithë këtë sakrificë që bën për kombin si në Shqipëri ashtu edhe në Amerikë ku sot jeton. Pse e bën për para, për tu dukur apo se e ndjen? 

Me ju tregu të drejtën me preku kjo pyetje sa dashamirëse aq edhe tinzare. Dhe përgjigja ime ishte kjo: Unë nuk paguhem për atë çfarë sakrifikoj për kombin tim Shqipërinë, Kosovën, Amerikën e mbarë popujt në botë. Unë nuk jam e pasur, por kur edhe grante i janë afrur organizatës "Hope & Peace" që unë drejtoj, u kam thënë mikeve të mija se: Mirë do të jetë që ato fonde ti kalojnë të sëmurëve me kancer dhe institucioneve kërkimore që studjojnë këte sëmundje. Për mua Geni mbetet Gen, dhe unë nuk dal dot nga gjaku i të parëve të mi". 

2017-12-20

Cikël poetik nga Sejdi Bajram Berisha

Sejdi (Bajram) BERISHA u lind me 10 qershor 1947. Që në shkollën fillore, fillon të shkruajë poezi, të cilat, së pari i botohen në gazetën “Flaka e Vëllazërimit” të Shkupit e pastaj, në “Pionieri” dhe në “Rilindja për fëmijë”. Nga këtu zë fill edhe zhvillimi i talentit të tij edhe si shkrimtar edhe si gazetar.
Si nxënës i gjimnazit të Pejës bashkëpunon me gazetën student...ore “Bota e Re”, kurse që nga viti 1970 bëhet bashkëpunëtor mjaft produktiv i gazetës “Flaka e Vëllazërimit”.

Në vitin 1972, punësohet në Radiotelevizionin e Prishtinës, respektivisht, në Radio-Prishtina si korrespondent nga Peja, prej nga raporton dhe informon opinionin e gjerë për ngjarjet dhe aktivitetet e gjithëmbarshme nga ky rajon: Peja, Deçani, Klina dhe nga Istogu. Në këtë detyrë, ai ishte gjithnjë deri në korrik të vitit 1990, kur policia serbe me dhunë i dëbon nga vendet e tyre të punës të gjithë punëtorët shqiptarë të RTP-së(Radiotelevizionit të Prishtinës).

Sejdi BERISHA, gjatë punës në Radio-Prishtina ka arritur titullin e Redaktorit të Kategorisë së Parë dhe, përpos që ka përcjellë zhvillimet dhe ngjarjet në territorin e Pejës dhe në tri komunat tjera të cekura më lartë, kohë pas kohe ka raportuar edhe nga ngjarjet dhe tubimet më të rëndësishme anë e kënd ish Jugosllavisë.

 Ka qenë edhe reporter në manifestimet kulturore, siç ishte Festivali i Teatrove të Jugosllavisë, Festivali Republikan i Teatrove të Kosovës, Serbisë dhe të Vojvodinës dhe Festivali i Teatrove Amatore të Kosovës, të cilat për çdo vit mbaheshin në Trebinje të Bosnjës dhe Hercegovinës, në Kulla të Vojvodinës dhe në Ferizaj të Kosovës.

 Për punë cilësore dhe profesionale, disa herë është shpërblyer dhe ka marrë mirënjohje. Në ndërkohë, pesë vite ka qenë edhe gazetar-korrespondent i Televizionit të Prishtinës, kurse pas vitit 1980, edhe gazetar i “Rilindjes”.

Ky krijues, publicist dhe kronist, në nëntor të vitit 1982 nxori numrin e parë të gazetës “Peja” dhe ishte themelues i Radio-Pejës (1981). Në vitin 1982 ishte edhe drejtor i këtij institucioni me rëndësi të veçantë informative dhe shoqërore, por duke mos u pajtuar me koncepcionet e udhëheqjes së atëhershme të Kuvendit Komunal të Pejës, nën patronazhin e të cilit ishte edhe Radio-Peja, e që një koncepcion i tillë nuk lejonte hapësirë për punë kreative, cilësore dhe profesionale, tërhiqet nga kjo detyrë dhe sërish kalon me punë në Radio-Prishtina.

Sejdi BERISHA është njëri prej punëtorëve më të mirëfilltë të kulturës në Pejë dhe më gjerë. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Lidhjes së Gazetarëve të Kosovës.


Deri me tash ka botuar këto vepra:

1.-Kombinati i lëkurë-këpucëve në Pejë
(monografi, 1984)
2.- Tronditje (poezi, 19991)
3.- Çmendia në rreth (prozë, 1993)
4.- Feniksi (poezi, 1993)
5.- Simfoni pritjeje (poezi, 1995)
6.- Zejtarët e Pejës (monografi, 1995)
7.- Gabim stinësh (poezi, 1996)
8.- Në cep koha (poezi, 1997)
9.- Vrasësi i gjumit (roman, 1999)
10.- Heraldika (poezi, 2000)
11.- Lumturia e dhembjes (eseistikë, 2002)
12.- Freskia e pluhurit (poezi, 2002)
13.- Piramida e ironisë (eseistikë, 2004)
14.- Plagë në pikturë (poezi, 2005)
15.- Fjala e gjakut (tri poema kushtuar Prekazit, Gllogjanit dhe Koshares-2006)
16.- Shpërputhje kohe (ese, shkrime kritiko-letrare,vështrime jete, 2006)
17.- Kaq shumë vetmi (poezi të zgjedhura-2007)
18.- Dashuro një minutë (poezi dashurie-2007)
19.- Homazhe tek mendja (eseje-2008)
20.-E bukura e rrugëtimit (këndvështrime letrare-2008)
21.-Fjalë e pathënë (poezi - 2009)
22.-Zejtarët e Pejës (monografi-Botimi i Dytë - 2010)
23.-Kërkoj dhembjen time (poezi - 2011)
24.-Mallkimi i heshtjes (Shkrime refleksive-2011)
25.-Teatri i Pejës (monografi-2012)
26.-Vargje të këputura (poezi-2012)
27.- Përtej shkrimit (Shkrime të plasura, baladë shkrimesh, kujtime, mendime, vlerësime dhe biseda për njeriun, dhe të tjerët për mua) - 2013

Etj.

Në valët e Radio-Prishtinës i janë emetuar radio-dramat:

28.- Valsi i kuq (1976) (Kjo dramë është
përgatitur dhe shfaqur edhe në Teatrin
Popullor të Pejës-premiera është shfaqur
me 20.03.1976).
29.- Vdekja e bardhë (1985)
20.- Misteria (1987)
31.- Obelisku pa adresë (2005)

Kjo monodramë është përgatitur dhe shfaqur nga Trupa teatrore e Teatrit të Klinës më 27 prill 2007 në kuadër të Ditës së të pagjeturve dhe të 40-vjetorit të punës së aktorit, Ismet Krasniqi.

Ndërsa, në prill të vitit 2013, është përgatitur dhe shfaqur në Teatrin “Istref Begolli” të qytetit të Pejës.

Sejdi BERISHA jeton dhe vepron në Pejë. Që nga viti 2002 ka qenë anëtar i Bordit të Teatrit Profesionist “Istref Begolli” të Pejës, po ashtu, ka qenë edhe anëtar i Këshillit Artistik të Galerisë së Arteve të Qytetit në Pejë dhe për një kohë të shkurtër edhe Kryetar i Bordit të Qendrës për Mirëqenien e Gruas (QMG-së) në Pejë.

Në Manifestimin kulturor “Kultura pejane ndër vite”, që u organizua më 24 nëntor 2011-30 nëntor 2011, u nderua me Çmimin “Krijues i dalluar”.

Ndërsa, në Poetekën Mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi” që u mbajt në Tiranë me 26 gusht 2012, u nderua me Çmimin e Dytë për poezinë më të mirë.


Është fitues edhe i shumë çmimeve të tjera letrare dhe publicistike e kulturore në Kosovë dhe Shqipëri.





NJË PASQYRË...!



Tri herë jam hedhur nga qielli

Dhe drejt në tokën time kam rënë



Tri herë jam fundosur në dete

Dhe rënë kam në thellësitë

E fshehtësive të atdheut



Tri herë jam djegur në flakë

Dhe shndërruar jam

Në hirin e vatanit



Sa herë që jam gëzuar

Pragun e derës së shtëpisë

Puthur e kam



Tri herë rrast jam hidhëruar

Dhe shumë vuajtje

Më kanë kapërthyer



Sa herë nënën e kam uruar

Që ndoshta kur nuk duhej

Më solli në jetë



E heroizmin e babait

Gjithnjë me qëndresë e kam praruar



Ç’është kjo

Asgjë

Pos reliev i jetës sime

Dhe një pikëpyetje e atdheut



E unë rri

Duke qeshur e duke qarë

Duke i shprushur

Dhe duke i ledhatuar shekujt

Këta hilexhinjë të historisë...


NDOSHTA NË JUG...



(Brenda “hidhërimit” të Sarandës)



1.

Atje diku në fund të Sarandës

Aty ku deti ka aromë toke

Aty ku ka ngrohtësi dielli

Atje buzë detit

Me pak valë dhembjeje

Mu buzë dallgëve të serta

E gjeta një shishe të vjetër

Të përlarë shekujsh

Të mbyllur me tapë

Që marinarët

Kushedi

Në luftëra të pakuptimta

Në det e kishin hedhur

Ndoshta atje diku

Në veri të tokës

Ndoshta në oqeanet e mëdha

Ndoshta edhe në jug të globit

Në jug të atdheut



2.

E mora atë shishe

I lakmoja madhështisë së saj

Edhe errësirës në te

Që i ishte shtresuar ndër mote

Edhe misterit që e mbante brenda

Të fshehur e të ndrydhur

Ia hoqa tapën

Nga shishja doli një zë

Jemi eshtra njerëzish

Tha duke fluturuar si zog në qiell

Nuk di se nga jemi

E shikova shishen

Si mallin e njeriut pa atdhe

Si lotin në syrin e vashës

Si hartën e moçme

Të historisë pa data



3.

Sërish ai zë

Si dihamë u kthye

Qëndronte pranë grykës së shishes

Ngujohu brenda i thash

Furishëm hyri në gastare

Duke m’i spërkatur sytë

Ndoshta me kripën e detit



4.

Tash

Shishes ia vura tapën

E hodha në det

Edhe më tutje

Kështu le ta shëtisë botën

Sa shumë më kishin kapluar djersët

Për shishen-varr

Dhe për një letër aty brenda saj

Çfarë nuk ishte shkruar

Në letrën e vjetër ngjyrë dylli



5.

Shishja

Kështu prapë vazhdoi rrugëtimin e saj

Unë sërish ktheva

Tek vargu im

Tek Trirema e Poezisë Joniane

Ku në të gjitha gjuhët këndohet...


ETJEN PËR TA SHUAR...

Ik nga unë
O, varg i këngës
Mos më ngacmo
Me thërrmitë e jetës
Se mjaftë më ke vjelë
Si qershizat në qershor
Edhe si mollët lalçe në fund të verës
Mjaftë më ke përmalluar
Me gjethin e verdhë
Edhe me beharin në pranverë

Të lutëm
Ik nga unë
Se jam lodhur me zërin tënd
Me frymën dhe me flakën e stinëve
Që peshë e qojnë zjarrin tim...

Të lutëm
Ik nga unë...

Më premto
Se do të ikësh
E, ku do shkosh
Që dot s’mundem pa Ty

Po, ik more rob i shpirtit tim
E unë lak i përthurur në Ty
Ik shko kah të duash
Shëtit nëpër kohëra
Shko në dreq të mallkuar...

Nuk gjeta fjalë as lutje
Për t’i dhënë përgjigje tjetër vargut tim
Prapë i thash
Rri, rri këtu me mua
E së bashku edhe më tutje të udhëtojmë
Të shkojmë tek një lapidar
Që, nuk është më...
Apo është duke shëtitur
Në tokën plotë ngjyrë të kuqe
Të bisedojmë atje me njëri-tjetrin
Unë për çmendinë e gjakut tim
E Ti për ndrydhjen e zërit tënd
Dhe bashkërisht
Të këndojmë apo ta vajtojmë
Zemërimin dhe etjen në rrugëtim

Sa mirë, o vargu im
Kështu sërish jemi bashkë
Si dy miq dhe armiq
Duke kalëruar tokën
Si mushkën me barrë të betejave

Ah, moj kënga ime
Po ç’më bëre Ti...
Dhe...
Nëse ndonjëherë vendos
Me frymën tënde të më ngrohësh
Të lutëm
Më mbështjell me ngjyrën e bardhë
Por, sipër mos harro
Më stolis me ngjyrën bojëgjake
Se ajo është e njeriut dhe e tokës sime



SHI I VAKTË MBI FYTYRËN E BRONZTË

Provoj të them diçka
Edhe të flasë
Edhe të përshëndes
Bronza vetëm më shikon
Përtej meje hedh mendimin
Ku ta zë unë atë
Ta sjell pranë bustit
E, ti them
Ja, mendimi im
Fol

Sytë e bustit vetëm më shikojnë
Kush e di se çfarë thonë
S’kam çfarë të bëj
Ja, lotët e mi
Vëri në sytë e tu

Fytyrën e bustit
E rrihte shi i vaktë
Por që mua më përvëlonte...



HOQA SHQIPONJEN NGA FLAMURI...*

(Ty, tokë e dhembjes dhe e krenarisë, tapitë po të forcohen...)

1.
Shikoja flamurin si valonte
Mendueshëm në erë
Flladi i puthitej për trup
Gjithnjë kështu
Derisa nga pëlhura e kuqe
Hoqa shqiponjën
Fluturo e lirë kah të duash
I thashë
Ajo mori krahë
Dhe u zhduk shkrepave

2.
Ngjyrën e kuqe
Nga pëlhurë e flamurit e nxora
Shko dhe gjeje qarkullimin e gjakut
I thashë
Iku si mos të kishte qenë
Kush e di se kah
Shprushte gjakun e njeriut

3.
Një ditë
Sërish shikoja flamurin si valonte
Në te
Ishte kthyer shqiponja
Edhe ngjyra e gjakut
Këtu e kemi vendin-thanë
Dhe s’lëvizim dot
Jemi shekujt duke i përcjellë

4.
Thashë
Po sa shumë janë të lidhura
Shqiponja me ngjyrën e kuqe
Atëherë
Kush mund të bëjë mëkat
Nëse përpiqet t’i ndajë këto dy madhështi
Të mbështjella me libra krenarie
Me dhembje e lumturi në gji

5.
Pëlhura
Ngjyra e kuqe dhe shqiponja
Sa herë janë copëtuar
Sa herë janë djegur
Sa herë janë futur në gji
Sa herë e kanë mbështjellë trupin e njeriut
Sa herë janë bërë grimë-grimë
Dhe sërish janë të lidhura bashkë
Çfarë dashurie është kjo
Që nuk peshohet me barrën e shekujve
As dot nuk e ndryshkin kohërat

*(Kjo poezi është shpërblyer me Çmimin e Dytë në Poetekën gjithëkombëtare, e cila është mbajtur në vitin 2012 në Tiranë.


BISEDË FLAMURI ME BABAIN TIM...

(Në 100-vjetorin e ngritjes së Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë)

O, burrë dheu...
Ngrihu nga varri
Bashkë të nisemi për në Vlorë
Se gjithherë shkrumb e ke pasur
Flamurin kuq e zi
Ndërsa madhështi hapësire
Shqiponjën lartë Bjeshkëve të Nemuna

Kësaj radhe
Të kënaqemi me ngritjen e flamurit
Ti, pushoi eshtrat
Që kurrë nuk të kalben
Dhe, sërish do kthehemi në Dukagjin
Ti, prehu aty ku eshtrat zgjuar rrinë
E, unë
Do forcohem me qëndresën e sate zemër
Do shuaj mallin me ëndrrën tënde

O, burrë dheu...
E di
Edhe sot ke etje
Edhe në shpirt edhe në sy
S’kam çfarë të të bëj
Sepse edhe tani
I tillë je më madhështor

O, burrë dheu...
Ngrihu nga varri
Se dua të të përqafoj
Për përrallat që m’i ke rrëfyer
Për ëndrrat që m’i ke fshehur...



TI, TOKË E GJAKUT DHE E LOTIT...

(Sot në Pejë u kthyen në bronz bijtë e saj, Sali Gjuka dhe Bedri Pejani,
të cilët ishin nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë në Vlorë në vitin 1912)

Mos u zemëro
O, dheu i kësaj toke
Pse shumë herë
Je vendosur e zhvendosur
Mbi varret e njerëzve që vetë i rrite
Së paku sot gëzohu
Se do eshtra
Sërish po të kthehen në gjirin tënd
Është pak
Apo, shumë vonë...
Por, edhe kështu është krenari
Se, tani tapitë po të forcohen
Ti, tokë e gjakut dhe e lotit
Ti, tokë e dhembjes dhe e krenarisë
Të erdhën bijtë
Isë Boletini në Shkodër
Në Isniq e në Mitrovicë
Sali Gjuka e Bedri Pejani
Në Pejën e Haxhi Zekës
Të gjithë sot të erdhën në bronz
Dhe, sot
Të gjithë eshtrat në tokën arbërore
Sikur në këmbë janë ngritur
Shikojnë,...
Edhe ata festojnë
Por me frikën dhe etjen
Për përqafimin me njëri-tjetrin

Mos u zemëro
O, dheu i kësaj toke
Sepse,...
Janë këta eshtra që nuk harrojnë
Janë eshtra që flasin e nuk mashtrohen
Por prehjen e qetë e duan
Ne, duke bashkuar mendjen dhe zemrën
Kështu toka do të jetë më e pëlleshme
Me histori në dorë

Sa rrugëtim i dhembshëm deri këtu
Por
Mos u zemëro
O, dheu i kësaj toke...
Kemi edhe shumë rrugë për të bërë
Vitet dhe shekujt
Me vete janë duke bartur
Një fener të vjetër drite...

(Pejë, 21 nëntor 2012)



PLAGËT, MOS M’I LËNDONI...

I kam do rrugë të vjetra
Mos m'i dëmtoni

I kam do gëzime
Mos m'i shëmtoni...

I kam do kallëzime
Mos m'i pluhuroni

I kam do plagë
Mos m'i lëndoni

I kam do dhembje
Mos m'i trazoni

I kam do hidhërime
Mos m'i rëndoni

I kam do këngë
Mos m'i shtrembëroni

E kam një etje
Të etur më leni

I kam do kujtime
E acari mbi letër
S'më lë ta shkruaj
Vetëm edhe një varg

Në vend të vargut
Lë të jetë Toka ime...
Ndoshta takohemi diku
Në përqafimin e kombit
Në lumturimin e atdheut...



SOT, HERËT NË MËNGJES...

Në mëngjes
Herët në mëngjes
Posa hapa sytë
Nga gjumi mashtrues
Pranë meje qëndronte një dritë
Vetëm buzëqeshte me sytë e mi
Nuk e perceptova mirë
Ku iku aq përftueshëm
Atëherë
Unë shkrova vetëm një varg:
Drita, sa etje e shkrumb i madh për njeriun...
Varg i shfrenuar, a
Po po
E pranoj
Se ditët dhe netët vijnë e shkojnë
Dhembjes së trenave u ngjajnë
Kur ikin binarëve pa mbarim...



ÇDO DITË NDRYSHE...

Tastet e pianos mos i rëndo shumë
Sepse
Në secilën syresh
Në secilën notë muzikore
Në secilin tingull
Nga një pjesë të shpirtit
Të shpërndarë e kam
Nuk e di pse
Ndoshta këngën duke e kërkuar
Apo çelësin e pentagramit që nuk ekziston

Po
Ç’është kështu me mua
Për çdo ditë
Jeta ndryshe më tingëllon



VETËM LAPSIN SA TA SHOH

Në këtë fundviti...
Edhe një grimë dritë dua
Vetëm lapsin sa ta shoh
Se në letër shkruaj
Edhe kur bën terr

Edhe një këngë e dua...
Atë këngën arbëreshe:
O, e bukura more...
Por edhe atë këngën tjetër
Për vazon e thyer...

Ma dhuroni
Edhe një jehonë malesh
Unë
S’kam gjë tjetër
Vetëm se një varg t’ua dhuroj:
Lumturinë gjithmonë bëjeni vetë



S’JAM HOMERI, POR KËNDONI ME MUA...!

Çfarë do bësh me lotët e mi
Do t’i dërgosh në parajsë
Apo atje diku thellë në ferr

Me vetveten çfarë do bësh
Po, me rrëfimin tim
...
Atë dërgoje tek kroi i kujtimit
Atje
Trete dhe braktise ëndrrën
Kurrë më mos të kthehet

Kurse ne
Po, po
Të rrimë së bashku
Njëri-tjetrin duke e kërkuar
Deri në ag
Gjer në fund të shekujve
Apo deri në gjumë...
Sa më pëlqen
Shtegtar i lumturisë të jam

Po tash...
Unë, çfarë do bëj me vetveten
Më këtë kohë kaq të shkurtër
Sërish vetëm të qaj e të këndoj, a?

Ejani pas meje
Sikur pas Homerit...



MBI VARR TË NËNËS

(Kujtimi për nënën)

Pak behar pati kësaj pranvere
Por të gjitha lulet i mblodha
Mbi Ty i hodha
Dhe si për inat
Natyra ndërroi pamjen
Edhe gjethet zverdhuan
Diçka e tmerrshme si mortaja
Prej sot
Tamam jam i vetmuar qyqekall
Oj, nëna ime
Mbi Ty solla tërë frymëmarrjen e stinëve
Të tërë motmoteve të mia
Edhe hënën
Këtu të bëjë dritë
Ashtu siç di ajo kur është vetmi
Kërkoj Feniksin
Por heshtja ngulfatë
Veniten lulet
Gjelbërimi bëhet shkrumb
Hej, Zot
Edhe hëna bile
Nuk bën një grimë dritë
E këto fusha livadhe
Thua se i kanë kapërdirë shtëpitë përreth
Prej sot
Tamam jam kalorës i vonë
Që vrapon pas fluturave të bardha
Që kurrë nuk u ngop me lojëra fëmijërore

Oj nëna ime
Kur ta kthej shpinën e nisem
Hapa tunxh më bëhen
Këmbët dot s’më qojnë drejtë shtëpisë
Heu tokë po ç’kam humbur
Tash
Atje në shtëpi
S’ka kush më thotë:
Ah, biri im
Edhe çatia po gëzohet ku vjen Ti

E tash
Në këtë pranverë
Nuk ka lule as gjelbërim
Në shtëpinë e amshuar pushon nëna
Sa shumë vaj e përmallim
S’ka pajtim
Një jetë-histori gati shekullore
Tani mbëlton dheun e kësaj toke
Në këtë vend
Përherë dritën e kam ëndërruar

Mbi varr të nënës
Vajtoj e vajtova
Histori e gjatë
Athua ku është e ku do jetë
Ëndrra që më iku
Feniksi m’i fshinë lotët
M’i letoi qepallat

Heu, more Zot
Kudo që prek tokën
Shoh Nënën time
Jetë e ndrydhur
Por Feniks



KUR VJEN QERSHORI

Kur vjen qershori
Këndo dy herë
Qershori kur vjen
Kujtoje vetëm datën dhjetë
Por dy herë
Sepse dy herë jam lindur unë
Dy herë ke ardhur Ti

Kur vjen qershori
Vajto dy herë
Për takimin tonë të vonuar
Sa kemi udhëtuar së bashku
E nuk e kemi ditur
Apo kemi heshtur
Sa mëkat
Kur vjen qershori
Dy herë festo
Vetëm për një ditëlindje
Nëpër të cilën
Shtegtojnë dy shpirtra binjakë

Qershori kur vjen
Vetëm dy puthje janë në një
Dhe atë në ditën e dhjetë
Ndoshta në këtë datë
Edhe mund të vdiset
Por vetëm njëherë

Kur vjen qershori
Festo dy herë
Dy herë vajto
Në të njëjtën ditë
Për takimin tonë
Për rrugëtimin binjak

Dy shpirtra në një
Kjo është e vërtetë
Edhe nëse ndonjëherë
Zihen në mes veti
Për ta sforcuar
Amshimin e dashurisë
Kjo ka ndodhur
Vetëm njëherë në botë
Dhe atë me dhjetë qershor

Nëse vjen qershori
Atëherë
Tërë bota le të dashurojë
Dy herë në të njëjtën ditë

Qershori nëse vjen...

KAH PO SHKOJNË KËTA NJERËZ APO PYETJA ZEMËRPLASËSE E VAJZËS SIME...!


Sejdi Berisha: Pyetja zemërplasëse e vajzës sime!




ESE I “VONUAR” PËR DHEMBJEN APO LUMTURINË

KAH PO SHKOJNË KËTA NJERËZ APO PYETJA ZEMËRPLASËSE E VAJZËS SIME...!

Historia është e pamëshirshme, sepse, ajo tregon, tmerron, fsheh, gënjen, thotë saktë e pasaktë, dhe me të gjitha këto veti e veçori lë gjurmë, që njeriun e qon peshë me të kaluarën nëpër shekuj e periudha, e të cilat rrugëtime, disa popujve u kanë sjellë dhe ua sjellin tragjeditë me sindromën e përsëritjes por në forma e mënyra të ndryshme.

Njëherë më pat pyetur me zemërim ime bijë: babë, njeriu i ynë a është i lindur dhe i gjykuar historikisht për t’i bartur, por edhe vetë për t’i shkaktuar të gjitha këto vuajte me te cilat janë ngarkuar edhe shekujt, me të gjitha këto padrejtësi, shpifje, veprime e tradhti, apo, çfarë na ka gjetur kështu?!...

Kjo pyetje e vajzës sime, që posa ma shtroi, më dolën para etapa e etapa historike, kohëra, vite, decenie e shekuj, nëpër të cilët jemi të kapërthurur sikur, siç thonë, si zorrët e barkut nëpër këmbë! Dhe, besoni, sot e kësaj dite nuk ia kam gjetur përgjigjën kësaj pyetjeje zemër plasëse të vajzës sime. Çfarëdo përgjigje që do t’i jepja, , nuk do të ishte e saktë, nuk do të ishte as rrenë, por as e vërtetë. Dhe, kështu pyetja e vajzës, jo vetëm se ngeli pa përgjigje, por, sikur u shndërrua në histori të hidhur, e cila dot nuk mund të shkruhet dhe as të shpjegohet...

_______________

Sa herë që bisedojmë për historinë, për fatin e kombit dhe për situatat edhe të sotme, menjëherë më kujtohet pyetja e vajzës, por edhe “mëkati” im që nuk e gjeja përgjigjen për këtë “sindromë”, që ma kishte shtruar ajo. Por, kështu e ka rrugëtimi i njerëzimit, më falni, i njeriut tonë, i kombit tonë, të cilit, sikur formulën e fatit dhe të lumturisë ia ka vjedhur apo fshehur dikush, e ajo, sikur gjendet edhe përbrenda mendjes dhe karakterit tonë...!

Është kështu, sepse, sikur ta analizosh çdo periudhë kohore e historike, ajo “trajtohet” dhe karakterizohet me heroizma, me burrëri, dhe padyshim edhe me atdhedashuri. Por, asnjë periudhë nuk na ikën pa e “spërkatur” vetveten me ligësitë dhe me “afinitetin” për ta nënçmuar njëri-tjetrin, për ta përdhosur njëri-tjetrin dhe pa ia mëveshur rrugëtimit tonë shumë “atribute” të cilat neveritin me intriga, rrena, trillime e përçmime, e që, gjithnjë, por edhe sot, e lëkundin dhembjen e tokës, e çartin dhe e bëjnë droçka gjakun e derdhur, të cilin toka e ruan nëpër damarët e vetë, por edhe ushqehet me te, e aty ka dhembje e krenari që shoqërohen gjithnjë bashkë!...

Nuk di se çfarë më shtyri ta shkruaj këtë ese të vockël dhembjeje. Por, këtë, nëse doni analizojeni Ju vetë, dhe do ta shihni vetë se çfarë do të dalë...!

Për këtë shkrim më intrigoi shumë një ngjarje tash e njëzetë e gjashtë vite më parë në truallin e atdheut tim, i cili edhe sot e kësaj dite është aq i etur për drejtësi, për liri të plotë, për mendimin e dëlirtë, për dritën me të cilën ngrohet vetë, për lumturi dhe për këngën që ta këndojë pa u trembur.



Ikja për ta gjetur ëndrrën e lumturisë

Nga të gjitha këto llahtari dhe tragjedi të ngjarjeve të vitit 1991, mijëra e mijëra njerëz ia kishin mësyrë anijeve, dukeshin si krimbat kur kalbet trupi i njeriut,... Çdo gjë zhvillohej si në kataklizmat e papara kurrë ndonjëherë. Mendoja, po kah ia kanë mësyrë këta njerëz... Sigurisht për ta kapë fatin e tyre, për gjetur ëndrrën dhe lumturinë e humbur...

E tërë kjo skenë, pa asnjë fjalë komentimi, kishin nxjerrë në shesh qelbin e jetës dhe të rrugëtimit të kombit, edhe pse në shtet të vetë, edhe pse në tokë, në atdhe e vendlindje të tij!

Këtë ese dhembjeje apo lumturie, nuk si është më e drejtë për ta “pagëzuar”, e që tanimë po e ilustroj me disa nga shumë foto të atyre momenteve të trishtueshme, të cilat vetë janë fjalë, vetë janë tekst, vetë janë pasqyrë, vetë janë shëmti, që kanë lënë e mbesin damkë, plagë e pashëruar. Plagë e cila përgjithmonë provokon mendjen dhe arsyen e njeriut, dhe nxjerrë pyetjet e gjeneratave të reja, me siguri edhe atyre që do vijnë, të cilat nuk do të mund ta marrin por as ta gjejnë përgjigjen e saktë dhe as të sinqerte jo se jo!

Sepse, të rinjtë edhe sot, në heshtje por me plot indinjatë ikin duke i “tkurrur” ëndrrat dhe perspektivën e tyre në një çantë mërgimi, të mbushur më shumë me lot, me mall por edhe me zemërimin, sepse, kthimi i shpinës vendlindjes dhe atdheut, është ai mallkimi dhe pesha më e rëndë që njeriut përgjithmonë i lë plagë e këngë kurrë të pa kënduara, që padyshim i ngjajnë ngjyrave të ylberit i cili dot nuk kapërcehet...! Dhe, kështu, ndoshta gjeneratat do ta mallkojnë tokën e njeriun, gjë e cila kthen tek pyetja pa përgjigje e vajzës sime, që e theksova në fillim.



Kthimi i shpinës vendlindjes dhe atdheut, ky mallkim dhe plagë që kurrë nuk shërohet

Kah kishte shkuar, kah ka shkuar, kah po shkon njeriu i ynë, të cilin toka dhe qielli e duan dhe e përkëdhelin aq shumë kurse ai digjet i tëri për zjarrin e atdheut....!

E kam pas shkruar një poezi jo fortë moti, nuk e di, por vetë dolën dhe u shkapërderdhen vargjet si prushi që të bën zharavë, “Kah po shkojnë këta djem të ri...”!

Po, pse kështu edhe sot, ore Zot, edhe pse, njeriu duhet të jetë i lirë, të jetojë i lirë, të udhëtojë e shëtisë lirshëm. Por,... dheun dhe tokën e vetë kurrë për ta mos harruar as kurrë për ta mos braktisur. Këtë veti e kanë të gjithë njerëzit e botës, e gjithë njerëzia...! E, jo që të shkrihen, të tretën, të ndrydhen e shtrydhen rrugëve të botës, kurse vendlindja e tyre sikur qanë e mallkon që po braktiset dhe në vend të gjallërisë, heshtja dhe qetësia e pakuptimtë e kaplojnë bjeshkën dhe majat mbi të cilat fluturojnë me krenari shqiponjat, fushat e pllajat, shpirtin e nënave që jetën kalojnë me mallin për fëmijët, duke kullotur një lopë për bishti, duke i lëshuar gjithnjë perdet në dritaret e dhomave ku mbretëron vetëm heshtja e kaplojnë rrjetë merimangash, por në shumë sosh, në dyert e tyre rri ngjitur edhe nga një flamur me shqiponjë, që ngjyra ua është zbehur, por qortimi u është shtuar...!



Nuk është as tubim, as protestë, por ikje...!

Pse kështu?! Kah po shkojnë këta njerëz... Pyetja e vajzës sime ngelet si tren i mbushur me hidhërim e pa asnjë përgjigje, binarët e të cilit dot nuk bashkohen...!

Nuk e di a është pra ky ese i “vonuar a është i dhembjes apo i lumturisë. Sido që të jetë, edhe Ju mendoni dhe nëse doni e vëni gishtin në tëmth, si detyrim mendimi...

Sejdi Berisha: Lotët e babait përcëlluan faqet e mia




FRAGMENT NGA LIBRI AUTOBIOGRAFIK NË DORËSHKRIM, “NJERIU “PA” VENDLINDJE OSE MADHËSHTIA E JETËS” I SHKRIMTARIT DHE PUBLICISTIT, SEJDI BERISHA

Sejdi BERISHA:

Nuk di pse po ngutëm, pse po nxitoj, që sa më shpejtë t’ua dhuroj këtë libër. Por, kujtoj e besoj se do të kënaqemi duke rrugëtuar së bashku nëpër jetën time, besoj, edhe tuajën... Dhe se, ka kohë e vite që vras mendjen se si t’i qasem shkrimit të kësaj vepre. I thash vetvetes, se këtë vepër nuk do ta shkruaj me qëllim e synim për ta hapur Kutinë e Pandorës, por për ta hapur defterin e kujtimeve që do t’i ngjajë një kutie tjetër, e cila përbrenda, si thesar do të ketë etje shpirti, mendjeje, arsyeje dhe historie me peshën dhe mesazhin e njerëzores e të lumturisë, e që do t’i ngjajë një lapidari të praruar e të shtrënguar fortë me amanetin dhe me peshës e fjalës së ëmbël e cila do ngelet edhe këngë e kënduar por edhe këngë e pa kënduar, që do t’i shërbejë njeriut, nga e cila do marrin diçka gjeneratat që vijnë e do vijnë, për çiltërsinë e shpirtit dhe të mendjes.

Ndoshta, këtij synimi do t’ia arrij deri diku, dhe këtë thesar, nëse mund të quhet kështu, do t’ia dhuroj lumturisë dhe të së ardhmes për jetë pa brenga por të begatuar me madhështinë që quhet jetë apo rrugëtim, si të doni...

Këtu, do të takoheni me rrugëtimin jetësor, me sinqeritetin dhe dëlirësinë shpirtërore. Këtu, do të hasni në shumë gjëra dhe do të komunikoni me rrëfimin tim të sinqertë dhe të saktë, aq sa kam ditur për jetën dhe fatin tim dhe të familjes, por, edhe të kombit dhe të atdheut, gjë të cilën jam përpjekur ta përjetësoj pas asnjë ngarkesë të çfarëdo lloji qoftë. Me siguri, edhe Ju do të debatoni me vetveten, dhe besoj se do nxirrni komente si provokim shpirtëror për ta kërkuar e gjetur atë formulën e shenjtë që fati i njeriut të jetë vetëm liria, dashuria dhe lumturia e tij.

Do jemi së bashku me ngjarje, me rrëfime, me dhembje, gëzim e hare, me krenari e madhështi, do shoqërohemi me lot edhe me rënie e ngritje, që, gjithsesi janë mësues dhe edukatorë që çdo gjë e shndërrojnë në ushqim shpirti por edhe në përgjegjësi për qëndresë e dritëjete...

________________

LOTËT E BABAIT QË PËRCËLLUAN FAQET E MIA DHE TË PLAKUT TIM MADHËSHTOR, SI U PËRJASHTOVA NGA GJIMNAZI DHE SI E FSHEHA KËTË “TRAGJEDI”...!

...Një ditë prej ditësh, në një “lojë” me shokun e bankës, Xh. M., duke vrapuar shkallëve për në katin e parë të ndërtesës së gjimnazit, morëm “n’thua” në bustin e një prej figurave politike të ish Jugosllavisë. Dhe,... ndodhi më e keçja: busti u bë copë e grimë. Ishte kjo ngjarje që ndodhi “pa dashje”. Pas kësaj, sikur i tërë gjimnazi u trondit, dhe, normalisht, pasoi përjashtimi im dhe i shokut të bankës nga procesi mësimor!

Isha maturant, dhe më së shumti më dhembte zemra e shpirti, kur për këtë ngjarje do ta merrte vesh babai. Por, pasi na kumtuan përjashtimin përmes librit të shpalljeve dhe njoftimeve klasë për klasë, sikur e zgjodha problemin me babanë: për çdo mëngjes dilja nga shtëpia si gjithnjë kur shkoja për mësim në gjimnaz. E bëja këtë, për ta mos kuptuar babai këtë, sepse, më kishte djalë hasreti, dhe më kishte thënë se do ta hiqte nga goja edhe kafshatën e bukës vetëm e vetëm që të shkollohesha dhe të mos vuaja si ai që ishte punëtor krahu por bujk i përkryer.

Pas disa ditësh që isha përjashtuar, i kishte “shkuar” haberi se unë isha përjashtuar nga gjimnazi. Por, babai im, si gjithnjë që ishte shumë i kujdesshëm dhe ruhej që të mos ma lëndonte as karakterin, as zemrën, as shpirtin dhe as rritën time në lulen e rinisë! Kështu, atëbotë ishte ditë e hënë, ditë vjeshte e vitit 1968, dhe, si çdo ditë, dola nga shtëpia kinse po shkoja në shkollë. Kur arrita tek Shatërvani”, ose, atëherë tek pompa e benzinës “Jugopetrol”, pa ndonjë qëllim, veç hajt, ktheva kokën pas dhe kur e pashë babanë që më vinte pas, më përcillte se a më të vërtetë shkoja në shkollë, apo ishte vërtetë ajo që kishte dëgjuar: isha përjashtuar nga shkolla?!

M’u bë se i tërë qyteti së bashku me Bjeshkët e Nemuna më ranë mbi mua dhe ma ndrydhen e shtrydhen çdo qelizë gjaku e trupi. Në atë moment sikur m’u kujtua e tërë jeta e babait tim, djersa e tij, qëndresa por edhe vuajtjet, që atë, por edhe neve na bënë të fortë. Këtë rast, vetëm shpirti im e ka brenda të mbyllur si momentin më të rëndë, si momentin më të dhembshëm, por që brenda tij sikur ndriçonte diçka e lumtur dhe hyjnore.

Dhe, aty për aty, pa kontroll, pa marrë parasysh se kishim dallim të madh në moshë dhe që e doja shumë dhe pamasë, iu kam “vërsulur”: çfarë je zgjuar kaq herët,... Ku je duke shkuar...?!

Babai, nuk reagoi fare, por duke i buzëqeshur pleqëria e tij, më tha:

-Pashë të Madhin Zot, biri im, a je duke shkuar në shkollë apo të kanë përjashtuar?!!- dhe, përnjëherë iu kanë mbushur sytë me lot, kurse, edhe njëherë gjithçka dhe e tërë bota u rrënua mbi mua, ndërsa, lotët e babait i përcëlluan faqet e mia dhe të plakut tim madhështor...

Në atë mëngjes, te Shatërvani, ia shtrëngova duart dhe e përqafova duke i thënë:

-Për të Madhin Zot, më kanë përjashtuar nga gjimnazi, por, po ta jap besën se do të diplomoj përnjëherë më shokët e klasës...!

Nuk e kisha idenë se si dhe çfarë do të ndodhë në të ardhmen, por vetëm m’u dha t’i them dhe t’i premtoj ashtu. Shpirti ashtu ma diktoi t’i them plakut tim, themelit të jetës dhe të lumturisë sime.

U buzëqesh, dhe në ato faqe plot rrudha, m’u bë se pashë amanetin tim për fatbardhësinë e jetës dhe për kryerjen e obligimit ndaj zemrës, shpirtit dhe madhështisë së tij që e kishte edhe në mua.

Edhe njëherë e përqafova duke i thënë që të mos merakoset. Më shikoi gjatë pa ma thënë asnjë fjalë dhe u kthye për në shtëpi. Ndërsa, unë vazhdova rrugën për në qendër të qytetit, sepse, nuk kisha ku të shkoja diku tjetër. Lotët më tradhtonin, siç e kanë shprehi gjithherë, e edhe tash!

Prej asaj dite, pasi kuptova se babai veç e kishte marrë vesh se isha përjashtuar nga shkolla, më nuk dilja në mëngjes nga shtëpia kinse të shkoja në shkollë. Por, tash më doli një tjetër problem. Sikur ngulfatesha derisa përfundonte mësimi në gjimnaz, sepse, isha mësuar ta kaloja ditën në mësim së bashku me shokë. Kisha mendjen se si ta mbaroja gjimnazi ashtu siç i kisha premtuar babait, sepse, nga gjimnazi më kishin përjashtuar pa të drejtë regjistrimi edhe një vitë tjetër. Kjo, me siguri ishte një metodë perfide, që pas një viti, praktikisht të rinjtë ftoheshin nga mësimi dhe kështu ngelnin pa u shkolluar, që ishte edhe synim i pushtetit serb.

Megjithatë, provova ta vazhdoja shkollimin në gjimnazin “Hajdar Dushi” të Gjakovës, dhe, edhe përkundër ndalesave ligjore, drejtori i atëhershëm i këtij gjimnazi, që për fat të keq emri i tij më ka ikur nga mendja, me gjithë rreziqet ma mundësoi vazhdimin e shkollimit. Por, pas një jave, këtij drejtori iu falënderova dhe e njoftova se nuk isha në gjendje t’i vijoja mësimet për shkak të kushteve të vështira sociale; sepse, duhej të udhëtoja për çdo ditë nga Peja në Gjakovë dhe e anasjelltas. Kurrë nuk e harroj mirësjelljen e këtij drejtori, i cili, kur ia tregova shkakun dhe arsyen, u përmallua, bile edhe iu përvodhën lotët. Më tha: më vjen keq, në aspektin material nuk mund të të ndihmojë...!

Më tha edhe këtë: mendo edhe pak dhe mos i tërhiq dokumentet! Por, isha i prerë, të cilës gjë i “kontribuonte” edhe rebelimi im shpirtëror.

I tërhoqa dokumentet. Edhe njëherë u përshëndeta me drejtorin, i cili më përqafoi si fëmijën e vetë.

U ktheva në Pejë, dhe tash kishte ngelur vetëm një shpresë; që ta lusja sekretarin e gjimnazit të Pejës, z. Xh. Gj., që disi të ma mundësonte që vitin e katërt ta kryeja privatisht, edhe pse, sipas vendimit të kësaj shkolle nuk kisha të drejtë.

Një ditë prej ditësh, ktheva në Gjimnazin “11 Maji” në Pejë, edhe pse tani, dorën në zemër, edhe shokët dhe shoqet frikoheshin apo edhe nuk kishin dëshirë të takoheshin me mua. Bile, edhe disa nga profesorët bëheshin sikur kurrë nuk më kishin parë edhe as sikur kurrë nuk kisha qenë nxënës i tyre dhe as ata profesorë të mi!

Hyra në zyrën e sekretarit të shkollës, dhe kur më pa, më duket se nuk i erdhi fare mirë pse kisha kthyer tek ai. Andaj, pak si i befasuar, më pyeti:

-Hë, çfarë ka të re?!...

I rrëfeva për tërë atë problemin tim dhe e luta se nëse ka ndonjë mundësi të ma mundësojë që privatisht t’i kryeja provimet e vitit të katërt të gjimnazit.

Në fillim, desh i doli flaka.

-Nuk bën! E din se edhe një vit nuk ke të drejtë shkollimi në këtë gjimnaz?!...

Por, preras i thash:

-E di. Por, nëse mund të bësh diçka në këtë drejtim, kurrë në jetë nuk do ta harroj! Për asgjë tjetër nuk do të lutesha dhe as nuk do të të përkulesha, por për këtë, po...! Sepse, i kam premtuar plakut tim se përnjëherë me shokët e mi do ta mbaroj gjimnazin.

Për disa minuta më shikoi, më dukej se sikur të tërin më maste, sikur ma shprushte mendjen e synimin. Pas një kohe, më tha:

-Nuk mund të të premtoj asgjë, por eja edhe njëherë nesër...!

Shumë u gëzova dhe m’u shtua shpresa se do të ndodhte diçka mirë.

U ktheva në shtëpi plot shpresa, por asgjë nuk i bisedoja plakut. Të nesërmen, edhe me gëzim, edhe me shpresë, që më ishin të mbërthyera në frikë, ktheva në gjimnaz te sekretari. Nuk më shikoi fare dhe sikur nuk ma vente në fare zuzë. Nuk bëzaja as unë, dhe deri sa i rregulloi disa letra mbi tavolinën e punës e pasi u ul, as tash më shikoi, mu sikurse dje, dhe më tha:

-Nuk kam çfarë të të bëj... Nuk kam kurrfarë mundësie, prandaj më vjen keq...!

Tash, m’u bë se m’u mbyllen të gjitha rrugët dhe dyert. Nuk di si më erdhi, dhe ia drodha:

-Sikur të ishit Ju si unë, e unë në vendin Tuaj, do të bëja çdo gjë dhe do t’i hapja rrugët e shpresës dhe të ardhmërisë, edhe sikur të më kushtonte shumë një gjë e tillë...

Nuk më ecnin këmbët për të dalë nga zyra e tij. Por, çfarë ndodhi. Nuk e kisha të qartë se si iu ndërrua mendja, dhe më tha:

-Prit!... Sjelli nesër dokumentet për gjysmën e lëndëve-provimeve!

U dridha. Tash, nuk di si u shlirova, dhe i thash:

-Jo gjysmën, por të gjitha lëndët-provimet...

-Si?!!... A je në vete...!

-Unë, nesër do t’i paraqes të gjitha provimet...

-Shiko, pra. Për këtë, askujt asnjë fjalë, dhe kur t’i sjellësh dokumentet, hynë atëherë kur nuk të sheh askush...

Ashtu edhe ndodhi. Kur erdhi koha e provimeve, asnjë prej profesorëve nuk bëri pyetje se pse e si për çështjen time.

Të gjitha provimet i kalova për mrekulli. Dorën në zemër, disa profesorë edhe e kishin në konsideratë edhe çështjen e rastin tim, për çfarë edhe atëherë por edhe tash u jam mirënjohës dhe u falënderohem.

Tash, i erdhi radha e temës së diplomës. Kishin ikur të gjitha temat nga lista e ngjitur në mur nga lënda e gjuhës dhe letërsisë shqiptare, në ç’drejtim unë jetësisht isha i interesuar, sepse, edhe kisha afinitet të jashtëzakonshëm nga kjo fushë.

E, për temën e diplomës kisha problem. Sepse, arsyetimi ishte se i tërë viti i katërt i gjimnazit dhe diplomimi, të jepeshin - të kryheshin përnjëherë privatisht, nuk kishte kuptim që të përfundonte kështu. Megjithatë, edhe ky problem u zgjidh. Por, nga gjuha dhe letërsia shqiptare kishte ngelur vetëm një temë, të cilën nuk kishte pasur guxim ta merrte askush. Ishte tema “Fati i femrës dhe i nënës në letërsinë shqiptare”.

Me të vërtetë ishte temë e gjerë por edhe kërkonte leximin e shumë veprave. Për atë, për te edhe nuk ishte për caktuar askush. Vërtetë ishte temë e rëndë, por shumë interesante dhe joshëse, që linte përshtypjen e diçkaje si nismë për një studim të mirë dhe të rrallë në letërsinë kombëtare. Më provokonte dhe më grishte me të vërtetë fati i nënave, i motrave, i vajzave dhe i gruas shqiptare.

U përcaktova për te, dhe se një muaj e kam “humbur” duke e përgatitur këtë temë, sepse, libra dhe vepra kushtuar femrës sonë kisha lexuar bukur shumë, për të mos thënë edhe më shumë se që e kërkonte tema, dhe, isha shumë i lumtur, sepse, për mua tema kishte rëndësi të dyfishtë; një, sepse, diplomoja në të njëjtën kohë me shokët e klasës, ashtu siç i kisha premtuar edhe babait tim. Dhe dy. Sepse, ishte një temë për mua monumentale, një temë e prekshme, aktuale, mbase ndoshta edhe shumë e veçantë.

Për ta pagatitur temën, gjatë tërë kohës, për çdo ditë kam kthyer në Patrikanën e Pejës, dhe aty përbri Dudit Plak, atëherë 200-vjeçar, e pranë ujit që kalon përmjedis oborrit të Patrikanës. Aty, që nga mëngjesi e deri vonë lexoja, studioja dhe kënaqesha por edhe u frymëzoja për shumëçka duke punuar në temën e diplomës së maturës. Kisha material të bollshëm, bile bile, edhe më shumë se që ndoshta do të kërkonin profesorët dhe komisioni gjegjës.

Një muaj, që nga mëngjesi çdo ditë qëndroja në oborrin e Patrikanës, të këtij kulti historik të tokës shqiptare, dhe askush asnjëherë nuk më ka pyetur se përse isha aty aq i rregullt. Nuk më ka pyetur askush as nga personeli i Patrikanës por edhe as nga ndokush jashtë. Bile, përshëndetja ime e mëngjesit sikur e kënaqte personelin e këtij tempulli me histori të veçantë, me histori interesante, të drejtë, të shtrembëruar, mbase edhe jo të saktë...!

Në këtë Patrikanë, si nxënës i gjimnazit kisha punuar edhe në cilësinë e punëtorit fizik për ndërtimin e Kambanarit, për çfarë kishte financuar Dimitrije Funduc, një gjakon që atëherë kishte shkuar për të jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky njeri, e kishte financuar ndërtimin e këtij objekti, dhe prej themelit e deri në kulm të këtij kambanari, derdha edhe djersën time, për njëzetë e pesë dinarë të atëhershëm në ditë. Kuptohet, kjo ishte kënaqësi imja, sepse, edhe unë, përveç babait, e fitoja një “grimë” bukë për familje. Por, për këtë do të flasë më vonë.

Dhe, mori fund përgatitja e temës së diplomës. Gjatë mbrojtjes së temës, në komision ishin pesë profesorë, më shumë se zakonisht se deri atëherë! Më sa më kujtohet mua, në komision ishin: prof. Xh. B. (Kryetar komisioni), prof. S. B.(anëtar komisioni), prof. S. Gj.(profesor i gjuhës serbokroate-anëtar komisioni), prof. Ismet...(profesor i artit figurativ-anëtar komisioni) dhe një tjetër profesor, i cili ishte sa për formalitet, sa për ta kënaqur numrin e anëtarëve të komisionit.

Më pyeten se a isha përgatitur për ta mbrojtur temën. Po, u thash. Dhe vazhdova: unë sot përgjigjem vetëm për notën pesë, ose për notën e dobët-njësh!

Edhe pse nuk ishte i mirë nga ana ime ky “kushtëzim”, unë këtë ua thash me gjithë mend. Po ashtu, u thashë se brenda temës mund të pyesnin gjithçka dhe çfarë të donin, ndërsa, jashtë temës nuk do të përgjigjem!

Pas kësaj, kryetari i komisionit ndërroi në fytyrë, por nuk foli. Më pyetën për gjithçka e për çdo gjë. Por, pa modesti po them se isha shumë i përgatitur. Dikur, nuk patën se çfarë të pyesnin gjë tjetër, por, kryetari i komisionit më pyeti: cili personazh tek letërsia serbe mund të krahasohet me Hajrijen e romanit “Malësorja” e Nazmi Rrahmanit?!...

I thash se kjo pyetje që ma kishte drejtuar ishte jashtë temës, por megjithatë, po të përgjigjem: është Sofka te romani “Gjaku i papastër” i Bora Stankoviqit. Atëherë, profesori i gjuhës serbokroate, S. Gj., tha: “Pse po e mundoni djalin, a nuk po e shihni se temën e ka përgatitur për mrekulli!

Pastaj, sikur të gjithë anëtarët tjerë të komisionit që ishin shqiptarë u shliruan, kushedi nga ndonjë ankth i mundshëm. Dhe vetë, S. GJ. tha: unë e vlerësoj me notën pesë! Atëherë “krisën” pesat edhe nga anëtarët tjerë të komisionit, dhe diplomova në Gjimnazin “11 Maji” në Pejë, me rezultat të shkëlqyeshëm përnjëherë me shokët e klasës me të cilët, para përjashtimit tim, e kishim vijuar mësimin e rregullt. Bile, unë diplomova dy-tri ditë më përpara.

Pas këtij akti, mëzi prisja të shkoja në shtëpi dhe ta gëzoja babanë duke ia komunikuar se kisha diplomuar ashtu siç ia kisha dhënë fjalën.

Ashtu, pjesë të shpirtit dhe shok siç e kam pasur por e kam edhe tani edhe pse nuk është në këtë jetë, iu afrova dhe i thash:

-Babë, zgjate dorën!

Ma zgjati dhe ia shtrëngova e ia shtrëngova tej mase. E putha në të dy faqet, atëherë ia komunikova premtimin të cilin në atë moment nuk e kishte në mendje:

-Babë, unë sot diplomova!...

-Si...?! –ngeli pa tekst, por në vend të fjalëve e shoqëruan lotët, prapë të dyfishtë; lotët e tij që kishin aromën e peshën e moshës dhe të kohërave, dhe lotët e mi, që ishin si larje e borxhit ndaj babait, nënës dhe motrës Sofije.

Ishte një gëzim i përzier, i bërë “katralëmsh”, që sikur tani ndezi dritën e rrugës sime por edhe të familjes, e cila familje e tëra më bëhej se më ishte përkushtuar mua dhe vetëm mua...!

Sejdi BERISHA: RRUGËTIMI JETËSOR SI PESHË DHE MESAZH SHUMËDIMENSIONAL...!





Sejdi Berisha: Mesazh shumëdimensional



(Naxhie Berbati Kastrati: “SEMAFORËVE”, poezi dhe tregime të shkurtra - 2017)

Poezia dhe krijimtaria poetike janë vetë zjarrmia e shpirtit, e cila reflekton jetën dhe rrugëtimin e njeriut, dhe si e tillë e ka peshën dhe mesazhin shumëdimensional pothuaj se tek të gjithë krijuesit, pa marrë parasysh nivelin esteto-letrar. Andaj, në këtë rast, duke pasur parasysh se autorja e respekton dhe e çmon rrugëtimin e vetë jetësor dhe të familjes së saj, por edhe begatinë e veçantë të madhështisë së atdheut, pa marrë parasysh shtypjet, vuajtjet dhe përplasjet, ajo dot nuk ikën nga kjo e vërtetë, të cilën e konsideron edhe të shenjtë, kështu, këndimi poetik prej kohe në kohë, përmes vargut gjithnjë e më shumë forcohet dhe merr absoluten e përjetësisë. Për këtë arsye, edhe titulli i librit “Semaforëve”, i cili është i radhitur dhe mirë i inkorporuar në pesë njësi ciklike(“Toka”, “Dielli”, “Qielli”, “Lumenjtë” dhe “Zjarri”), edhe pse në fillim duket si diçka e thjeshtë, përkundrazi, ligjërimi poetik fuqishëm reflekton historinë dhe filozofinë e jetës, të cilat, shpeshherë sikur u ngjajnë gjeometrisë deskriptive, kur këndet shtrihen dhe pozicionohen në rrafshe të ndryshme, herë herë edhe pa drejtëza dhe as pa “rregulla” shkencore. Kjo, ngase edhe jeta, në shumë raste i përjashton rregullat e veta, duke i sforcuar ato me forma edhe më të fuqishme, që e bëjnë edhe më joshës këndimin e thjeshtë poetik, por me plot zjarrmi. Dhe, e tërë kjo e dikton dhe e sforcon fenomenin e jetës, e cila përfton si nëpër semaforë, të cilëve ndonjëherë u mbërdhezen ngjyrat, e ndonjëherë, normalisht se u zbehen por edhe u ndalen bojat-dritat. E atëherë, kjo është edhe sprovë e madhe për t’i kaluar rrugët pa gabuar dhe pa u lënduar, pothuaj se në të gjitha rrafshet...

Ndijimi poetik si hartë historike, ose rrugëtimi nëpër krenarinë dhe dhembjet e atdheut dhe të kombit

Këtë atmosferë të këndimit poetik të Naxhie Berbati Kastrati, e hasim që në fillim të librit. Gjegjësisht, në ciklin “Toka”, që ndijimin e saj të thekshëm e shpreh dhe e derdhë në vargje kushtuar prindërve dhe familjes së vetë, respektivisht, në këtë cikël, mendja, arsyeja dhe pesha intelektuale e saj, shprehin dhe shtrojnë me plot respekt përkushtimin për figurat historike, për heronj e njerëz të kauzës kombëtare, që janë pjesë e pandarë e historikut, e ëndrrave, e rrëfimeve dhe e periudhave kohore kombëtare, si poezia “Atdheu im”: “Gaca e gaca Prush në tangar/Herë hi herë zjarr/Herë pluhur mbi valë”, ose tek poezia”: “Vjosë e Drin”: “Sa plagë ka mëmëdheu/U desh të lindin Prometetë/Për të dhënë zjarr e flakë/...Sa ka prush mëmëdheu/U desh të lindin Odisetë/...Të zëmë fillin e pasosur”. Ndërkaq, në poezinë “Krujë”, autorja vë në spikamë ndijimin e saj si hartë historie, ose si rrugëtim nëpër krenarinë dhe dhembjet e atdheut dhe të kombit: “...Aq afër ishe me qiellin/Bardhësia e kështjellës tënde/Rrezonte edhe retë/Rrezonte toskë e gegë”!

N. B. Kastrati, e cila me përkushtim ligjëron edhe vlerat dhe begatinë e gjuhës dhe të letërsisë shqiptare, por edhe të asaj botërore gjeneratave të reja në shkollat e mesme, sikur gjithnjë është e kujdesshme që vargu dhe poezia të janë edhe ndijim e shfryrje jo vetëm shpirtërore, por edhe mesazh, mbase edhe metaforë, përmes të cilës lexuesve u ofron shumë tema dhe shumë kallëzime, që, nëse analizohen veç e veç, ndoshta edhe secila do të mund të shndërrohej hiq më pak se në roman shpirti, i cili provokon për analiza, trajtesa të mëvetësishme dhe për lërimin e ngrohtë jo vetëm letrar.

Ndoshta, edhe e tërë kjo, e joshë lexuesin për të bërë komente e vlerësime më të thella, mu për atë se në të shumtën e rasteve, autorja na sjell komoditet duke u prezantuar edhe me poezi më të gjata.

Vargu dhe poezia, nganjëherë, autoren e tërheqin zvarrë, e ndoshta, shpesh edhe pa dëshirën e saj, për t’i nxjerrë jashtë vetes ato përjetimet, të cilat përbrenda shpirtit palosen dhe zënë vend si faqet e librit, të cilat, nëse “zemërohen”, ato dalin të “revoltuara” dhe të pa qëndisura nga poetja, e që, kujtoj se kjo është edhe më e fuqishme dhe krejt origjinale, të cilat, lexuesin e bëjnë pjesë të vetën, dhe, po ashtu e përjeton edhe në mënyrën e vetë.

Ndoshta, në kohën e sotme, forma e tillë është më e preferuar dhe padyshim më e kërkuar për shkak të “sovranitetit” meditativ dhe analizues. Këtë frymë e hasim në shumë poezi, e veçmas tek poezia: “Prishtinë”, ku mes tjerash ligjërohet: (“Ec/Gjurmëve të lashta/Hapëroj/Gërmadhave ilire”. Ndërsa, tek poezia: “Dil nga futa”(“Të shqiti ylli meteor/E le/Nuk i re shpatë territ/Nuk zaptove qiejt”! Kurse, tek poezia “Abeja” kushtuar luftëtarit trimit e heroit të rrallë, Bekim Berishës, ajo ligjëron: (“Ç’shpirt kishte djali yt nënë/Kur përleshej me katallanë/Me sytë kokërr n’gjak/Kur po ngufaste hienat n’fyt.../Heu, Nënë e Abejës… /Ç’djalë bëre/Mirë që nuk ia zbulove flatrat”!...

Ligjërimin e ngjashëm e hasim edhe në shumë poezi të tjera, si: “Shotë moj(kushtuar Shotë Galicës), “Bacës Adem”, “Dil, shihe Adrianin” etj.

Por, edhe tek shumë vargje e poezi të tjera, N. B. Kastrati, edhe pse, ndonjëherë, siç kemi theksuar edhe më lartë, poezia e gjatë mund të ndikojë që të “rrëshqasë” edhe në binarë të tjerë të rrugëtimit dhe të këndimit poetik duke u përpëlitur semaforëve të jetës, përkundrazi, ajo ligjëron prajshëm dhe rrjedhshëm, gjë e cila, pikërisht për këtë arsye shndërrohet në zjarrmi malli e etje shpirti! Andaj, në këtë jetën e trembjeve dhe të dinamikës së “vrapimit” të njeriut, ndoshta, brenda librit “Semaforëve”, poetja do të dëshironte, mbase, ndoshta edhe e kërkon këndimin poetik “ekspres” për të ecur tutje “semaforëve” të kërkimeve dhe përjetimeve poetike, shpirtërore dhe më gjerë.

Shpërfaqja e respektit, e dashurisë dhe e konsideratës ndaj njeriut si veçanti krijuese

Ndërsa, shpërfaqja e respektit, e dashurisë dhe e konsideratës ndaj njeriut, e në veçanti edhe ndaj familjes, edhe këto janë cilësi të vargut të autores, e cila shëtitë gjithandej viteve dhe biografisë së vetë dhe jo vetëm kaq, janë karakteristikat e saj vargëzuese, si bie fjala te poezia:”Po kthehesh Nënë-loke”: “Ti po vjen nënë-loke/Nuk po të zë kurbeti i zi/Të ka marrë malli/Për njerëzit/Je verbuar për shtëpi”.

Duke mos hyr në detale dhe në analiza më të gjëra të vargjeve një nga një, që pothuaj se pa e bërë një punë të tillë, flasin e thonë shumë vetë titujt e njësive ciklike “Toka”, “Dielli”, “Qielli”, “Lumenjtë” dhe “Zjarri”. Kjo, sepse, autorja gjithnjë vë në spikamë përjetimin por edhe intelektin krijues, që vargu të jetë fuqi intelekti, fuqi shpirti, ose si gur, i cili fortë zë vend në murin e jetës dhe nuk lëvizë dot!

Shumë poezi kushtuar nënës dhe jo vetëm nënës(Cikli i Tretë), sikur janë simbol i madhështisë hyjnore, siç është dhembja e malli, që padyshim reflektojnë përjetime të rralla të rrapëllimave të jetës dhe etjeve, të cilat së bashku tregojnë pangopësinë e dashurisë ndaj njeriut dhe tërë asaj që e bën jetën. Pikërisht për këtë, përmes vargut krijohen përplasje ndjenjash që forcojnë mesazhin dhe i japin atij peshën e veçantë, dhe si i tillë, këndimi poetik bëhet i kërkuar, i ngrohtë dhe joshës edhe për lexuesin...

Pikërisht nga kjo, imponohet përshtypja se autorja përbrenda vetvetes e çmon, e kërkon dhe e nuhatë peshën e lotit dhe të dhembjes si mesazh të veçantë, për çfarë përpiqet që edhe t’i prezantojë ndryshe nga e rëndomta. Pra, ajo, lexuesit vargun ia ofron edhe si ndijim shpirti, si formë të fuqishme të rrugëtimit jetësor, e cila e detyron shpërthimin edhe atëherë kur ndoshta krijuesja duket se është e arsyeshme kur ka parasysh bagazhin jetësor, atë të lumturisë, të etjes, të arritshmes, e që, kjo e fundit është shumë e fuqishme dhe e veçanta e këndimit poetik në këtë libër. Këto “lëvizje” e vibrime shpirti i hasim kudo, e të themi, sidomos edhe te cikli i dytë “Dielli”.

Se vetë jeta i “kushtëzon” semaforët dhe e kundërta, të gjitha poezitë, vargjet dhe tregimet e shkurtra brenda librit “Semaforëve”, reflektojnë meditimin dhe shprehjen e thellë krijuese dhe filozofike, që përcjellën gjatë gjithë vargëzimit, gjë e cila dëshmon edhe për respektimin dhe sendërtimin e kodit etik të vargut dhe poezisë.

S’ke si kalon pa e theksuar, ndoshta edhe përherë, rrugëtimin semaforëve, dhe pa e vënë në spikamë, nëse është nevoja edhe shumë herë ndijimin poetik të autores në raport me familjen dhe me fëmijët. Në këtë aspekt, shquhen shumë poezi, si: ”Ku janë këpucëzat që ishin dje”, “Suksesi i im i madh je Ti vetë”, “Xhexha”, “Lori” e kështu me radhë.

Është karakteristikë të theksohet se librin e bënë me më peshë edhe kujdesi dhe zgjuarsia e N. B. Kastratit, që shprehjet të janë të nivelit dhe të radhitura me një gjuhë intelektuale e mjeshtërore letrare, gjë e cila, jo vetëm se e ruan dëlirësinë e gjuhës dhe të përdorimit me vend të fjalës dhe shprehjes, por ato, në të njëjtën kohë edhe gërshetojnë “fanatizmin” mbase edhe nevojën që gjuha amtare ta gëzojë gjithnjë e më shumë, mbase edhe përgjithmonë respektin, peshën dhe pastërtinë e saj, e cila, me siguri se është nevojë imediate edhe sot e kësaj dite. Këtë synim, autorja sikur dëshiron që ta begatojë edhe me ndonjë shprehje të thjeshtë apo edhe vargun ta thurë në gegërisht. Ani. Sepse, kjo reflekton kujdesin ndaj artistikes edhe brenda organizmit të gjuhës dhe të letërsisë amtare, pasi që, N. B. Kastrati, ngase, tani e sa decenie është mësuese me përkushtim të veçantë e gjuhës dhe e letërsisë shqiptare, për çfarë dëshmojnë edhe shumë forma e ligjërime të tjera që ajo i realizon gjatë procesit mësimor dhe punës së saj përgjithësisht.

Në fund. Libri “Semaforëve” i Naxhie Berbati Kastrati, është vepra e dytë e saj, dhe padyshim se me cilësinë e saj begaton vlerat krijuese letrare.

Nga Sejdi BERISHA: SHPËRPUTHJA E KOHËS QË TRAZON DHE DHEMB…!


 Një vit nga vdekja e Zyhdi Belegut


Në vend të përkujtimit

Një vit nga vdekja e redaktorit dhe gazetarit të Radiotelevizionit të Kosovës dhe të RTP-së, Zyhdi Belegut



(Ose, në këtë “pikturë” jete ishe i pikatur edhe Ti, miku im)

-Po, pse ike ore burrë kështu, sepse, i kemi pasur edhe disa llafe t’i vulosim së bashku, e tash, ajo pjesë e fletëve të librit mbesin të bardha, mbesin dhembje, trishtim, zhgënjim… Mbesin etje e mall për shumëçka, o miku im.

– I nderuari mik dhe koleg, këto fjalë që po i shkruaj e po ma rëndojnë shpirtin, dua të them, se sa tubimet më delikate dhe historike i kemi përcjellë, prej nga kemi raportuar, dhe kurrë nuk e kemi zhgënjyer popullin, kurrë nuk e kemi rrënuar rrugëtimin e tij.

– Ti, Zyhdi Belegu, ishe dhe mbetesh pjesë e historisë së gazetarisë pejane, asaj të Kosovës dhe të gazetarisë kombëtare.

______________

Dita e mërkurë, 07 dhjetori 2016, ishte dita që më trembi, dita që mbeti stacioni i fundit i rrugëtimit me mikun dhe kolegun, redaktorin dhe gazetarin shumëvjeçar, Zyhdi Belegun. Dhe, çfarë të them. Lajmi për ikjen e tij më pllakosi edhe për humbjen e një kolegut dhe të një miku që në profesionin e gazetarisë kishim kaluar së bashku mbi dyzetë vite, që kjo është një histori e tërë në të cilën ka gëzime, hidhërime, përplasje, kënaqësi dhe ditë, muaj mbase edhe vite që gjumin e bënim me trembje, dihet se pse! Me gjithë dhembjen, ky ishte një moment që para meje solli shumë kujtime, shumë gjëra që e “stolisin” njeriun dhe shoqërinë tonë.

I nderuari mik Zyhdi, e kam të vështirë se si ta fokusoj këtë përkujtim për ty, sepse, nuk besoja dhe as nuk dua të besoj se Ti më nuk je në mesin tonë, nuk je në Pejën që aq shumë e deshe. Por, kishte kohë që diçka më frikësonte, sepse, në fytyrën tënde e vëreja tmerrin dhe padrejtësinë e jetës, e vëreja se diçka ta shkrinte trupin, e ti, asnjëherë nuk e pranoje se diç në Ty është duke shprushur dhe për ta harxhuar atë grimë, që tash po e di se të kishte mbetur aq pak!…

Jeta dhe rrugëtimi jetësor është interesant, sepse, nganjëherë çdo gjë të duket se është e mirë, e lumtur dhe me të arritura të mira. Por, jo. Jo, sepse, shpërputhja e kohës trazon dhe dhemb, e pastaj, shumë rrugë të ngushtohen e t’i ngushtojnë. Në këtë lloj “pikture” të jetës ishe i pikatur edhe Ti, miku im!

Ishte kohë kur edhe përmes gazetarisë duhej ruajtur rrugëtimin, fatin kombit dhe të atdheut, për ta mos e lënduar dhe as për ta mos e “hidhëruar”!

Dhe, kur flas kështu, para meje, në mendjen time, në kujtimet e mia, më vërsulen të gjitha ato ngjarje e ato rrjedha kohore, dhe e tërë ajo punë që e kishim bërë kur ishte më së vështiri të ishe gazetar, të ishe njeri që duhet ta informosh popullin për të gjitha rrjedhat, por gjithnjë duke e ruajtur optimizmin dhe shpresat e njeriut. Kështu, ishte kjo periudha e punës sonë në atë pjesën e asaj kohe të historisë së vendit, kur çdo gjë lëvizej e trandej, përplasej e merrte zjarrmi të formave ndër më të ndryshmet.

Dua të them, miku dhe kolegu im, Zyhdi, se që në fillim të viteve të 70-ta të shekullit kaluar ia nisëm dhe, pa modesti e them, arritëm shumë, më shumë së gjithkush në Radiotelevizionin e Prishtinës. Ti, në redaksi në Prishtinë e unë si gazetar-korrespondent në Pejë.

Më kujtohet, edhe Ty të është kujtuar, se ishim të lumtur që filluam ta ushtrojmë një detyrë shumë të rëndë, delikate, me rreziqe por edhe njerëzore dhe të shenjtë.

Tash, pse të mos e përmend, se ishe ndër gazetarët dhe redaktorët e rrallë të Radio-Prishtinës, që kishe aq elan, që kishe aq forcë, dashuri e përkushtim për ta informuar opinionin me kohë dhe në mënyrë të saktë për të gjitha rrjedhat shoqërore. Dhe, aty, në Radio-Prishtinë, arrite në profesion dhe krijove e bëre shumë miq e shokë. Po të ishe edhe tani në këtë jetë, edhe Ti do ta kishe ditur se për çfarë po e them këtë! Bile, shumë gazetarë i aftësove se si bëhet lajmi, se si bëhet gazetaria pa ndikime, pa tension dhe pa qëllime rrënimi. E dinë të gjithë këta, dhe besoj se ndoshta disa të kujtojnë e nuk të harrojnë. Kishe edhe shumë kolegë por edhe shokë, që gjithnjë i mbaje nën sqetulla, si pula zogjtë e vetë. Edhe ata e dinë, por nuk e dinë…!

I nderuari mik dhe koleg, këto fjalë që po i shkruaj e po ma rëndojnë shpirtin, dua të them, se sa tubimet më delikate mbase historike i kemi përcjellë, prej nga kemi raportuar dhe kurrë nuk e kemi zhgënjyer popullin, kurrë nuk e kemi rrënuar rrugëtimin e tij. Në trazimet dhe demonstratat e vitit 1981, në kohërat kur na u helmuan nxënësit nëpër shkolla dhe populli gjithandej, në kohën e heqjes së autonomisë së Kosovës, në demonstratat dhe trazirat kur rrehej, vritej, ndrydhej, shtypej kombi ynë në Kosovë duke mos zgjedhur moshë as gjini, pleq e të rinj, në kohën kur na u mohua e drejta e shkollimit (e kur linden si feniks shtëpitë-shkolla), kur na u mohua e drejta e punës dhe e shërimit, ne, miku dhe kolegu im, Zyhdi, ishim në të gjitha këto fronte, dhe frikën nuk e njihnim as si kuptim dhe as si presion.

Prandaj, nuk i theksova të gjitha këto pa qëllim. Sepse, athua, të gjitha këto ngjarje, nuk e forcuan dhe afirmuan personalitetin tonë edhe si gazetarë por edhe si njerëz të kauzës kombëtare. Me siguri se po, dhe po! Kjo është krenari, kjo është madhështi, për atë kush e di…!

Ndërkaq, edhe në ato kushte gjetëm metoda dhe vende të tjera se ku t’i plasonim lajmet për tërë atë që zhvillohej dhe ndodhte gjithandej Kosovës. Ishte Radio-Zagrebi, TVSH, Radio-Kukësi, Radio-Tirana etj. Kurse, lufta në Kosovë ishte kaptinë në vete.

Pra, Zyhdi Belegu, edhe pas luftës, nuk u ndalem, nuk pushuam. Punuam në shumë mjete të informimit, të cilat disa “linden” e disa të tjera vazhduan punën, edhe pse në forma të tjera, për ta ndihmuar dhe trimëruar popullin, tani për rindërtimin e vendit të bërë shkrumb e hi, ta rrënuar e të plaçkitur.

Më kujtohet, kur unë dhe ti, por edhe disa kolegë që të tjerë nga Peja kishim ngelur pa punë. Unë fillova të marrë një grim “rrogë” në RTV-21, kurse ti ishe ende pa punë në dorë. Në Radiotelevizionin e Kosovës, në Radio-Kosova(dikur Radio-Prishtina), me ftuan që të filloja nga puna, por u dakorduam unë e ti, që ti të fillosh punën aty si korrespondent nga Peja. Ashtu edhe ndodhi, dhe deri në fund punove me sukses edhe në këtë institucion informativ. Më kujtohet, kontributi yt edhe në “Kosova sot”, në “Koha Ditore”, në KTV etj.

I tërë ky shkarkim imi shpirtëror më rëndon dhe më therë edhe për shumëçka, edhe për qytetin tënd dhe timin…

Në Pejë, ishe koleg dhe bashkëpunëtor i pashembullt. Ishe i dashur dhe i afërm, ishe komunikativ… Dhe, i tërë ky shkarkim imi shpirtëror, më dhemb edhe për shumëçka, sepse, në qytetin tënd, edhe timin, në Pejë, u angazhove që informimi nga kjo pjesë e Rrafshit të Dukagjinit të jetë sa më profesional, me kohë dhe shumëdimensional e gjithëpërfshirës.

Para sa kohe, ishe edhe Kryetar i Shoqatës së Gazetarëve në Pejë, por nuk të lanë! E ke ditur ti shumë mirë se kush…, por…

I di, por edhe më kujtohen edhe “turbulencat” e jetës tënde, që të kanë ngarkuar me dhembje e me peshë shpirti, e që të cilat, mençur, mirë dhe kujdesshëm gjithnjë i përballove dhe i tejkalove…

Ditën e mërkurë të 07 dhjetorit 2016, kumtoi lajmi se Zyhdi Belegu kishte ndërruar jetë. Nuk doja të besoja, edhe pse, kishte kohë që fytyra e tij kishte pamje të lamtumirës, por asnjëherë nuk jepej. Dhe, nuk dita se çfarë të bëja, por ashtu, e shkrova një grimë tekst me peshën e zemrës dhe të shpirtit. Nuk dija se çfarë të shkruaja dhe as çfarë të them. Më kapluan shumë kujtime, që, sikur ma çmendnin arsyen, sikur ma rrënonin çdo gjë të rrugëtimit jetësor.

Ja, se çfarë shkrova atë ditë, që ndoshta disa fjali janë përsëritur edhe në këtë shkrim:

I dashuri mik dhe koleg, Zyhdi Belegu, erdhi momenti që për Ty t’i shkruaj fjalët tunxh, e që këtë kurrë nuk e kam menduar por as nuk do ta pranoj…

Ike shpejtë, por, i di mundimet dhe përplasjet tuaja në realizimin e detyrës prej gazetarit, të njeriut që u përpoq që në mënyrën më të mirë të mundshme ta informojë popullin për ngjarjet që e përshkonin rrugën dhe historinë e kombit dhe të Kosovës.

I dashuri, Zyhdi, ishe një koleg dhe bashkëpunëtor i shkëlqyeshëm dhe shumë njerëzor e human. Shpeshherë kemi biseduar dhe debatuar për fatin e kombit dhe të atdheut, por edhe për profesionin e gazetarisë.

Në Pejë, ishe një gazetar-korrespodent i rrallë që nuk kishte shans të të kalojë ndonjë ngjarje pa e mbuluar…

I dashuri koleg, Zyhdi, Ti do të ngelësh një figurë e paharruar në fushën e gazetarisë kosovare dhe jo vetëm kosovare. Jam i vetëdijshëm dhe më dhemb se edhe pas luftës u përpoqën që punën tuaj profesionale ta pengojnë ata që gazetarinë e dinë vetëm si kuptim e jo si profesion, bile, as kurrë nuk kanë për ta ditur peshën e shenjtë të gazetarisë. Por, Ti qëndrove stoik deri në fund…

Andaj, i dashur koleg, Zyhdi, sot ti fizikisht më nuk do të je në mesin tonë, por jeta dhe vepra jote do të janë pjesë e ndritshme e gazetarisë kosovare dhe kombëtare.

I lehtë të qoftë dheu i Kosovës, dheu i Pejës, që aq shumë i deshe…
Në shtëpinë tënde të përjetshme pusho i qetë, sepse, përherë do të mbetesh pjesë e kujtimeve dhe e historikut të gazetarisë por edhe e historikut të Pejës.

I nderuari Zyhdi, kurrsesi dhe kurrë nuk mund të të them

LAMTUMIRË…!
Kaq, se gjërat tjerat më janë ngujuar dhe po më përcëllojnë në zemrën dhe shpirtin tim…

Sejdi BERISHA (E mërkurë, 07 dhjetor 2016).

Iku Zyhdiu! Po, pse ike ore burrë kështu, sepse, i kemi pasur edhe disa llafe t’i vulosim së bashku, e tash, ajo pjesë e fletëve të librit mbesin të bardha, mbesin dhembje, trishtim, zhgënjim… Mbesin etje e mall për shumëçka, o miku im.

Iku redaktori, gazetari dhe veterani i gazetarisë pejane me tërë atë bagazh, më tërë atë histori të pa kallëzuar gazetarie. Dhe, ani, çfarë tash?! A është dhembje, a është përgjegjësi apo çfarë është kjo,… Le të komentohet dhe vlerësohet, por ai u varros pa një mbledhje komemorative, pa një fjalë lamtumire dhe falënderimi për punën e tij! Ani, se, kështu e ka jeta. Ndoshta, kështu e ka edhe Peja…! Kështu kishte ndodhur para sa vitesh, edhe kur nga jeta dhe nga ne u nda gazetari pejanë, Refik Serça, i cili ishte gazetar i Radiotelevizionit të Prishtinës e më vonë edhe i gazetës “Bota Sot” dhe i mjeteve të tjera të informimit.

Megjithatë, Ti, Zyhdi Belegu, ishe dhe mbetesh pjesë e historisë së gazetarisë pejane, asaj të Kosovës dhe të gazetarisë kombëtare.

I nderuari mik dhe koleg, Zyhdi Belegu, të premtoj se mbi varrin tënd do ta hedh një tufë lulesh të freskëta, edhe pse e di se kjo nuk mjafton, por do të thotë ndoshta diçka për respektin që kam pasur dhe që kam për Ty…

Lamtumirë miku im. Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës,… edhe i Pejës!

Kujtimi im për ty do të jetë i përjetshëm.

Shkrimtarit Hasan Hasanit, me rastin e botimit të kompletit të veprave

Skënder Hoxha: Prekje gjithëpërfshirëse


PREKJE GJITHËPËRFSHIRËSE E VEPRËS SË HASAN HASANIT

(DINË HALILAJ: MUZA E KROJEVE TË BARDHA -Shtigjeve krijuese pesëdhjetëvjeçare të Hasan Hasanit), botoi Faik Konica, Prishtinë, 2017.)

(Shkrimtarit Hasan Hasanit, me rastin e botimit të kompletit të veprave)

Nga Mr. SKËNDER R. HOXHA
Më rastin e botimit të kompletit të veprave të shkrimtarit Hasan Hasani, i cili padyshim është njëri ndër krijuesit më të frytshëm në letërsinë shqipe, i cili talentin e tij krijues e ka provuar pothuaj në të gjitha gjinitë dhe llojet letrare, shkrimtari Dinë Halilaj botoi librin e tij me titull “Muza e krojeve të bardha”.

Në këtë libër, autori Halilaj, në mënyrë kronologjike paraqet vështrime e analiza letrare, për të gjitha veprat e shkrimtarit dushkajas Hasan Hasani. Që në fillim autori na bën me dije se cilat ishin shtysat, motivet, rrethanat, inspirimet, etj., në një anë, po edhe dilemat në anën tjetër, që t’i qaset kësaj pune e cila duhej të përthekonte veprimtari vëllimore e të larmishme me nismën e saj nga një kohë relativisht e largët. Pikërisht nga këto pedatje, kur autori merr guximin të shkruajë për këtë shkrimtar, poet e prozator, kritik e publicist, studiues e leksikograf, lind shkrimi i autorit “Si lindi ky libër”, kapitulli i parë, me të cilin edhe niset libri i Dinë Halilajt “Muza e Krojeve te Bardha”.

Vetë titulli i këtij libri lidhet me titullin e përmbledhjes së parë poetike të Hasan Hasanit “Krojet e Bardha”, të cilën e pat botuar kur kishte vetëm 20 vjet. Gurgullima e këtyre krojeve ishte bërë inspirim për Hasan Hasanin dhe kjo e përcolli poetin gjatë gjithë jetës së tij.

Libri ”Muza e Krojeve të Bardha” i Dinë Halilajt ka një plan të caktuar strukturor me lëndën e sistemuar në nëntë nënndarje apo kapituj në të cilët kapërthehet e tërë krijimtaria letrare e Hasan Hasanit.

Në kapitullin e dytë “Shtresime poetike gjysmëshekullore” autori Halilaj ka paraqitr 25 përmbledhjet me poezi për të rritur të Hasanit, sipas një rendi kronologjik të botimit të tyre, duke na bërë me dije se përmbledhjen e parë shkrimtari e botoi në vitin 1967 dhe për 50 vjet të krijimtarisë së tij letrare (1967-2017) botoi 70 vepra, llojesh dhe gjinish të ndryshme, kryesisht nga letërsia,pa e lënë anash publicistikën dhe leksikografinë.
“Ai, me mjeshtri, në veprën e tij skaliti përsonazhë, që do të mbahen mend gjatë nga lexuesit. Gjatë kësaj periudhe letrare autori botoi: 25 përmbledhje me poezi për të rritur,me 27841 vargje, 5 përmbledhje me tregime, poashtu për të rritur, 7 romane për të rritur, 12 përmbledhje për fëmijë, me 9150 vargje,8 libra me kritikë letrare,1 monografi, 6 libra me shkrime publicistike dhe 4 libra-fjalorë leksikografikë”, shkruan Halilaj, duke dhënë kështu në mënyrë të kristaltë dhe të detajuar veprimtarinë komplekse të Hasanit, e cila në tërësinë e saj është e dominuar me motive e tema nga Dushkaja, nga vendi ku është lindur dhe rritur autori i tyre, e që ka mbetur i lidhur ngusht me njerëzit e saj.

Gjithashtu, Halilaj vë në spikamë edhe ndërmarrjen më të re tëe shkrimtarit Hasan Hasani i cili veprat e veta i mblodhi në kompletin prej 15 vëllimeve. Pothuaj të gjitha krijimet në një vend. Kështuqë lexuesit dhe adhuruesit e veprës së tij tani e kanë lehtë t’i gjejnë dhe t’i lexojnë të gjitha shkrimet letrare, publicistike dhe leksikografike të autorit, duke mos i përfshirë disa vepra që janë më voluminoze.

Në nëndarjen e tretë të këtij libri me titull “Fati i dushkajasve në vorbullën e rrëfimit” bëhet fjalë për prozën tregimtare të H. Hasanit, përkatësisht për pesë përmbledhjet e tij me tregime, ku janë të përfshira edhe novelat, pa lënë anash të sqarojë se në këtë gjini letrare janë katër përmbledhje me tregime e novela, si dhe një monodramë, ku thotë se “autori është treguar mjeshtër i vërtetë i monodramas, gjë që e kishte treguar në monondramën” Muzgu i hyjneshës”,1996.

Në nënndarjen e katërt, “Shtrirjet epike në fushën e romanit”, autori Halilaj, përveç dy nëntitujve rutinë që ka përdorur në të gjitha nënndarjet e këtij libri: Në vend të hyrjes (në fillim të kapitullit) dhe Në vend të përfundimit (në fund të tij), ka bërë nga një vështrim publicistik për të tetë romanet e Hasan Hasanit, që sjellin të dhëna interesante për lexuesit.

Në libër është vijëzuar mirë edhe veprimtaria e Hasan Hasanit prej 12 veprash për fëmijë, që i gjejmë në nëndarjen e pestë “Udhëtim poetik nëpër vargjet për fëmijë”. Edhe në këtë kapitull, autori i librit Dinë Halilaj, ka bërë një shëtitje letrare nëpër këto vepra të H. Hasanit.

Ndërkaq, në nënndarjet apo kapitujt vijues: Kritika protoniste në letërsi (8 librat me kritikë letrare); Publicistika në shërbim të kulturës dhe kombit ( 9 librat publicistikë të Hasanit); Kontribut për leksikologjinë (4 vepra të këtij zhanri); dhe në fund, shkrimi përmbledhës “Muza e krojeve të bardha”, që është edhe si rekapitulim i tërë asaj që është thënë në kapitijt e mëparshëm, në këtë libër ofrojnë lëndë të begatshme e shteruese për veprimtarinë e shkrimtarit dushkajas Hasan Hasani dhe janë rezultat i një pune me përkushtim të autorit Dinë Halilaj.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...