2018-10-17

“The Brave”, filmi për Lazaratin në të gjitha kinematë në Shqipëri dhe Kosovë


“Pse në filmat e huaj duhet të na portretizojnë gjithmonë sikur jemi të këqijtë”? Kjo është një frazë që thuhet nga një anëtar i skuadrës speciale të Reneas që në 10 minutat e para të filmit.

Është filmi “The Brave”, një prodhim i standarteve të Hollivudit, që ka sjellë në ekranet e kinemave të Tiranës historitë shqiptare të drogës, krimit, prostitucionit dhe luftës së forcave RENEA. I frymëzuar nga ngjarjet e Lazaratit, filmi tregon luftën e një skuadre prej 4 policësh të RENEAS për t’i dhënë fund mbretërimit të një bosi të drogës në fshatrat e Shqipërisë së Jugut.

Filmi është një realizim i fuqishëm, plot me skena aksion, shpërthime armësh të kalibrave të ndryshëm, intrigë policeske por dhe bërthama romance. Në film luajnë aktorë të njohur Hollivudi si Armand Assante (që ka luajtur dhe te filmi “Gotti”) e Louis Mandylor (i njohur nga “My Big Greek Fat Wedding” – Martesa Ime Greke), por dhe aktorët më të famshëm rusë, Ravshana Kurkova e Yuriu Kutsenko. Në film nuk mungojnë edhe aktorët shqiptarë, Bes Kallaku, Vin Bejleri e Mensur Safqiu, të tre me role të realizuara bukur e që do të mbahen mend gjatë. Në role më të vogla luajnë dhe Salsano Rrapi e Kleofina Pnishi.

Filmi i regjisorit amerikan William Kaufman pati premierën të enjten në kinema Millenium. I pyetur për realizimin e filmit, regjisori Kaufman u shpreh që “Shqipëria është një vend i mrekullueshëm e me njerëz të mrekullueshëm. Njerëz ët këqinj ka gjithandej, por askush nuk flet për heronjtë shqiptarë.

Duhej vetëm që dikush jo vetëm ta kuptonte këtë, por ta shndërronte në film.

Filmi po shfaqet në të tëra kinematë e Tiranës dhe Prishtinës.

Fjalë të urta shqipe nga Ismet Tahiraj




Autor Ismet TAHIRAJ

1.Pa grua është thark I derrrave

2.Etjen e shuan edhe me shikim

3.Duarthatë je , po te jesh gojëambël

4.Gjithmonë spuini s’te lë te lahet fytyra

5.Buka për t’u pjekur do tridhëjetë grade ,fjala do te piqet ne njëqind grade

6.Toka e lyp punëtorin për t’I dhënë bereçetin

7.Drurit te shtrembër mjeshtri I jep pamje plotë lezet

8. Edhe kulumbrija e ka lezetin e vet

9. Mos bë m temanera edhe ku nuk duhet

10.Varrin ta ndrisin veprat e mira

11.Ti tregoi udhën ,udhëtari e ka busullën

12.Edhe malet te qesin n’fushë

13.Prej hardallit ,del batalli

14.Fabrika nuk prodhon trimëri

15. Pastëroi veshët se I ke mbushur me lesh

16.Mos I thuaj babe secilit qe e takon

17.Dhëmbë për dhëmbë por jo ne aheng

18.Leje rrenën nëse do me gjetë vegzën

19.Samuni I ftohet se I nxehti s’blehet pa groshë

20.Ha e pi tek ti, e kambë t I rrotullohen kurvës komshijë

21.Qehrën si bananja kur ngeli te jorgani

22.Deti nuk sherret e ti humbesh

23.Ti ike ,qiriun pse e fike

24.Jam I ngalashëm por I pa ndalshëm

25.Portat lije çel ,por mos rri symbyllur

26.Gjithmonë me mirësi ,truqet kanë epërsi

27.Nëse nuk do te zhdepin ,mos vesh lëkurë dhelpre

28.Fjala vesh me vesh e ndezë një shesh

29.Edhe fjetja do urti e jo gjurdulli

30.Gjithnjë kos nuk del psheshi majosh

31.Bukurinë as mos e shajë as mos e lavdo

32.Fati përcaktohet lulzon ose egërsohet

33. Edhe mjalta e ka helmin

34.Iki pabesisë , e jo dëshmisë

35.Ndonjëherë edhe puthja te vretë

36.Njerëzi te vëjnë ne kandar

37.Teshën e vjetër ruaje për ndonjë nevojë

38.Secila punë s’piqet raki apo venë

39.Fjalët e prindëve t’I hapin shtigjet e jetës

40.Para agimit ose pas agimit bekoje Ditën

41.Dera e mbyllur herdokurdo hapet

42. Harroi hesapet e vjetra mos u ngarko me te reja

43.Mbas shpine mos levizë me gishta se I thonë tradhëti

44.Edhe çanaku duhet te lahet

45.Gjuhën leje gjuhë , jo brisk me rrue

46.Mos I qeth kryet po qethi mendet

47.Pa libra shtëpia është e vdekur

48.Me mrrola nuk shkohet ne dasem

49.Edhe pas shtëpisë kërma kuterbon

50.Mos kërko leje aty ku është pa lutje


Ismet Tahiraj lindi më 1956 në Klinë të Epërme të Skënderajt. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Mitrovicë, ndërsa shkollën e lartë për gazetari në Beograd. Shkruan poezi për fëmijë dhe te rritur, satira etj. që nga shkolla e mesme. Krijimet letrare i ka botuar nëpër gazeta e revista të ndryshme Është bashkëpunëtor i disa emisioneve të radiove në vend dhe jashtë. Është fitues i disa shpërblimeve letrare. Punimet letrare i janë botuar në disa antologji.

Ka botuar këto vepra:

1. ERË E VENDLINDES, SHB “Pena”, Prishtinë, 1995

2. TUNDIMI, SHB “Fahri Azliu”, Kastriot, 2011

3. NË DRITË QIRIRI, SHB “Arif Shala” Prishtinë – Kanada, 2014

4. TRËNDAFILI YT, SHB “Arif Shala”, Prishtinë – Kanada, 2015

5. KUR BIE SHI, SHB “Buzuku”, Prishtinë, 2016

6. UUUEE KRISTALI, SHB “Arif Shala“, Prishtinë – Kanada

7. SYTË E BUZËQESHJES, SHB “Arif Shala”, Prishtinë – Kanada

Jeton në vendlindje.

Veteranët e Pavarësisë. A mos ne kemi harruar që jemi bijtë e një race të tillë fisnike!


Nga Veli HAKLAJ

Në vitet 2005 – 2006, duke konsultuar dokumente arkivore në Arkivin Qendror të Shtetit, për projekte që i kam përfunduar ose i kam në proces, u njoha me një nga dosjet e fondit arkivor për kremtimin e 25 – vjetorit të pavarësisë. Informacionet me shumë interes për ngjarje historike dhe personalitete me kontribute të shquara në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare më nxitën që, në vitet 2013 – 2014, t’u rikthehem dosjeve të administruara në këtë fond. Mirëkuptimi dhe mbështetja e drejtuesve kryesorë të AQSh dhe punonjësve të linjave të shërbimit për studiuesit më mundësuan që të konsultoj, sipas procedurave, një pjesë të konsiderueshme të dokumenteve të këtij fondi. Kjo punë disa vjeçare po finalizohet me botimin e librit Veteranët e pavarësisë.


Libri është i strukturuar në dy pjesë. Në pjesën e parë janë trajtuar programi dhe organizimi i veprimtarive dhe manifestimeve madhështore, të shumta dhe të gjithanshme për festimin e 25 – vjetorit të pavarësisë, në Shqipëri dhe në qendrat ku banonin shqiptarët jashtë atdheut. Vend kryesor në këtë pjesë zë veprimtaria e komisioneve qeveritare për Kremtimin e 25 – Vjetorit të Vetëqeverimit, pasqyruar në kreun e parë dhe të dytë. Në kreun e tretë jepet një listë përmbledhëse e veteranëve të pavarësisë. Evidentimi i tyre u bë nga komisione të krijuara në çdo prefekturë, nënprefekturë, komunë. Kurse në kreun e pestë lexuesi do të njihet me pjesëmarrësit në kremtimet e 25 – vjetorit të vetëqeverimit, përkatësisht listën e përfaqësuesve zyrtarë të qarqeve, listën e oficerëve të Trupit të Kreshnikëve, listën e djemve dhe vajzave, listën e përfaqësuesve të shoqërisë “Gruaja shqiptare”, grupin e grave me kostume dhe grupet për këngë dhe valle.

Në pjesën e dytë të librit, nëpërmjet dokumenteve arkivore, lexuesi do të njihet me ngjarje dhe fakte të shumta për lëvizjet kombëtare të shqiptarëve jo vetëm në trojet shqiptare, por dhe në Turqi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Egjipt, Rumani, Bullgari, Greqi.

Një hapësirë të rëndësishme në pjesën e dytë të librit zënë të dhënat dhe profilet për 800 veteranë të pavarësisë së Shqipërisë, të cilët vullnetarisht dhe aktivisht, dhe jo pasivisht ose nga zori, morën pjesë në lëvizjet e ndyshme që rezultuan në shpalljen, themelimin dhe përmbajtjen e indipendencës së Shqipërisë, që pësuan dhe u varfëruan për këtë arsye.

Nëpërmjet shpalosjes së dokumenteve arkivore për veteranët e pavarësisë lexuesi do të njihet me:

veteranin që, megjithëse i këputur e i dërmuar nga torturat, me fytyrë të çjerrë e të përgjakosur, kur u pyet prej kryetarit të çetave rebele, Musa Qazimit, në ishte osmanlli ose shqiptar, iu përgjigj me guxim e me gjakftohtësi duke i thënë: “Me ç’gjuhë po më flet? Jam shqiptar, sikurse je edhe ti!”;

veteranin nga Berati që iu përgjigj krenarisht autoriteteve greke në Janinë, duke u thënë: “Jam shqiptar dhe Janina është vend i Shqipërisë”;

pashain matjan që, kur arabët e Tripolit iu lutën që ta proklamonin si Mbret t’atij vendi dhe të shkëputeshin nga Turqia, u përgjigj duke thënë se “kam detyra mâ të rânda kundrejt kësaj që më propozoni”, duke nënkuptuar angazhimin për lirinë e Shqipërisë;

veteranin, në varrimin e të cilit në Fayoum, Egjipt, midis ligjëratës, kryetari i komunitetit grek të atij qyteti tha: “Nderojmë kujtimin e një burri, një idealisti, që kurdoherë i kemi patur zilinë, për patriotizmën e tij të kulluar”;

veteranin që, pasi hapi teqen në Bulqizë, “bâni lidhje me 72 teqet mâ të para të Shqipnisë për të bashkëpunue për punët kombëtare”;

veteranin nga Elbasani, që duke bisedue në kohë të tiranisë turke me patriotë të tjerë, ka pas thënë: “Kur të vijë koha që duhet me u bâ lutje për lejen e këndimit të gjuhës shqipe, unë këtë lutje do ta shkruaj me gjakun tim”;

veteranin që pak ditë pas Lidhjes së Prizrenit vuri në portën e teqes së Backës (Skrapar) gurin e gdhendur me shqiponjë dy krenore duke u thënë popullsisë së atij rrethi se “ky Zog një ditë do të jetë flamuri i Shqipërisë”;

veteranin nga Durësi, dyqani i të cilit, Ambëltore “ATDHEU”, ishte çerdhe e mbledhjes së patriotëve durrsakë;

veteranin që, “ndonëse i mveshun me petkun e fetarizmës, i përbuzun nga Kisha e Sinodhi i at’hershëm, tue lânë mënjanë interesat vetjake, pati luftuar krah për krah me idealistët shqiptarë t’asaj kohe”;

veteranin nga Kruja, që “I ri shkoj në pistak të burrnis/Shembull të mirë i la njerëzis”;

veteranin që, i shtyrë nga dëshira e elbasanasve për me u këndue në kishë këndime e urata shqip, iu përvesh punës së përkthimit të librave të kishës ortodokse, tue shpikë vetë një alfabet të posaçëm;

veteranin gjirokastrit që do shkruante: “O zot, ti e di/kë dua më parë,/lart e në lavdi të shoh shqiptarë,/pa shpirtin të dhuroj”;

veteranin, “një nga nxënësit mâ të parë, mâ besnik, dishepullin e vërtetë të Hoxhë Tahsinit për përhapjen e idesë e të ndjenjave kombëtare në Çamëri”;

veteranët e fisit të Gashit që për mëse 15 ditë organizuan qëndresën kundër hordhive të Perandorisë Osmane të drejtuara nga gjenerali famëkeq Shefqet Turgut Pasha;

veteranin nga Këlcyra, lule të idesë kombëtare, që u vra në komplotin e organizuar nga valiu i Janinës dhe dhespoti i Konicës;

veteranin nga Tepelena, të cilit Eqerem Bej Vlora do t’i shkruante “kam shpresë se je i Zoti, punon për Atdhe, provat janë të gjalla”;

veteranin nga Zerqani që, sado që ishte graduar dhe dekoruar prej Sulltanit, “tue mos marrë parasysh aspak këto privilegje, u dha me mish e me shpirt mbas çështjes sonë kombëtare, n’ato kohë që dikush e kishte për turp e dikush për frikë me e quajtun vedin shqiptar”;

veteranin, nga mëmëdhetarët më të mëdhenj të çështjes shqiptare, që me përpjekjet e tij themeloi të parin Komitet në Korçë dhe teqeja e tij ishte qendra e çetës së Çerçiz Topullit;

veteranin e Dukagjinit që në vitin 1908, bashkë me Dervish Himën, shkon nëpër Male të Kosovës e bashkohet me Mulosmanajt e Krasniqes e më vonë me Bajram Currin për të përgatitë popullin për kryengritje kundër Turqisë;

veteranin që, në vitin 1886, kur këshilltarët e Shkollës Shqipe të Korçës po vinin ngushtë e vërdallë se nuk gjendej dot një shtëpi me qira për shkollën shqipe, sepse grama shqipe konsiderohej si gjuhë e mallkuar, ai telegrafoi në Korçë nga Bukureshti fjalët historike: “Zbrazni shtëpinë time, e cila le të mbetet e falur për gjithë jetën për gjuhën shqipe!”;

veteranin nga Korça, që,për trimërinë e treguar në luftën e rreptë të Kaçanikut kundër turqve, bajraktarët e Grudës dhe të Hotit së bashku me kosovarët e mbiquajtën Bajraktar Toskë;

veteraninqë formoj shkollën e parë të rregullt shqiptare në Kajro, i cili la amanetin: Mbi dhe ku do jem mbuluar/Dua një kryq fare të zi/Edhe mbi të të jetë shkruar:/“Rrojti dhe vdiq për Shqipëri.”;

veteranët që gazetat e tyre i shpërndanin me shënimin “Kudo me para, në Shqipëri badiava!”;

kryetrimin e veteranëvet të gjuhës shqipe e të Rilindjes sonë Kombëtare, që themeloi në Rumani të parën shoqëri të mësimit shqip, duke e stolisur me “të parin Flamur Kombëtar” me shkabë dy krenore, të qëndisur me ar, që themeloi të parën mësonjëtore shqipe, në Rumani, dhe që është themeluesi i të parës shkollë shqipe kombëtare, si dhe i pari burrë shqiptar që pat gatuar e thurur të parin plan ushtarak për një kryengritje të madhe shqiptare për liri;

veteranin nga Mirdita, që Austria, “mbasi në asnjë mënyrë nuk mujti me e shti në dorë as me i shpëtue dâmeve të tij, u detyrua t’u shtrohet të gjitha konditave të tij, sado të rânda, mjaft që të binte në godi me të”;

veteranin nga Kurveleshi që “në lulen e moshës me një angazhim të dalluem hyri në marrëveshje me organizatën e Korfuzit të kryesueme prej Namik Delvinës dhe Hiqmet Delvinës dhe mori iniciativën për përgatitjen e një revolucioni të përgjithshëm në Shqipnin e Jugut kundër Turqisë”;

veteranin që themeloi gazetën “Korça”, në të cilën nuk la rast pa përdorur për t’u zgjuar bashkëatdhetarëve të tij ndjenjën kombëtare, për t’i zgjuar nga gjumi i rëndë që i kish pllakosur;

vëllezërit veteranë, “hoteli i të cilëve në Manastir ishte qendra e gjithë lëvizjeve kombëtare për tërë Shqipërinë dhe një Teqe për të gjithë shqiptarët”;

veteranin e Hotit që, pas ngjarjeve e episodeve që ndrisin shpirtin e tij të pastër e fuqinë e pashoqe të moralit të tij, kur u djeg e pjek, e mbeti rrugëve me familje, pa gjâ mbas shpirtit, komandanti i Shkodrës, asokohe Hasan Riza Pasha, e grish të shkojë tek shtëpia, e siguron për shkâ t’i kërkojë dhe i jep dyqind napolona, pse e dinte se pas tij do të kthente e tân Malcija, por ai si fatosat e motit i kthen paret dhe i gjegjet: “Paret mbaj për vete se jam shqiptar e veten se shes për aq, as për tânë thesarin e Mbretit të Stambollës!”;

veteranin që si bektashi i përsosur dhe i pajisur me një intelegjencë të rrallë nuk pranoi ndryshim elementësh fetarë dhe predikoi “Doktrinën” e tij si mjet vllazërimi të përgjithshëm, si qetësi shpirti dhe, mbi të gjitha, dashuri për atdheun;

veteranin nga Korça, që u bë burim i nacionalizmës shqiptare dhe ngaherë vinte kundra interesave të tij vetjake për çështjen kombëtare, me gëzim, ku dhe vetë shumë herë thoshte: “U vë zjarrin të gjithave, sikur të më thonë tani që u lirua Shqipëria!”;

veteranin që shkriu tërë pasurinë e tij, duke ndjellur të rinjtë në idenë kombëtare dhe duke mbledhur krej folklorin e popullit shqiptar;

“dervishin pushkatar” shpirti i të cilit fluturoi në sferat e larta, ku mbluhen shpirtrat e atyre që i mohuan të gjitha për shpëtimin e Atdheut;

veteranët nga Ulqini, “dashtunija atdhetare e të cilëve bëri të mundur që të bisedohet gjithnjë gjuha shqipe që nga djepi e deri në varr, jashtë e brenda tokës së Ulqinit”;

veteranin, udhëheqës shpirtëror të lëvizjeve 1910-1912, që nuk pranoi të hollat që i afruan autoritetet greke për të hequr dorë nga çështja kombëtare shqiptare dhe të pushonte botimin e gazetës “Kombi”;

veteranin për të cilin Hilmi pasha kish deklaruar se “po ta kish në dorë, shtatë herë e kish varur”;

veteranin që, më 1911, kur Venizellosi i propozoi një ujdi për t’i dhënë sa para të dojë, rroga jetike për të dhe për gjithë kryetarët e lëvizjes, armë, municione, veshje dhe çka tjetër nevojitet për kryengritësit shqiptarë, me një kusht të vetëm: “të mos vepronin nga Vlora e tatëpjetë”, ai i përbuzi me dinjitet këto oferta të turpshme dhe u përgjigj se misioni i Komitetit Shqiptar (Korfuz) është të zgjojë të gjithë shqiptarët në jetën kombëtare, gjerë dhe shqiptarët e Atikës, të katundeve pranë Athinës;

veteranin e doktoruar për Teologji në Romë, që formoi çetat e para në Mirditë, duke i drejtue kundër Turqisë, me qëllim zhvillimin e idesë kombëtare dhe në muajin prill të vitit 1913, në katedralen e ndodhun në shkrepin e Nënshatit, ngriti flamurin kombëtar në mes të një shumice të madhe populli;

veteranin nga Himara që politikish ishte nga të parët në Vlorë që filloi të kultivoj ndjenjat kombëtare dhe “mbasi bâni shumë përpjekje dhe shifte se këto nuk jepnin ato fryte që dëshironte, pruri konviksionin e plotë se pa ndonjë kryengritje të përgjithshme ideali kombëtar nuk mund të triumfonte, dhe kështu shkaktoj formimin e të parit Komitet që u bâ në Vlorë, për Mbrojtjen e Atdheut”;

veteranin nga Kurveleshi që tërë jetën punoi me moton “Kombin e mban dhe difton komb një atdhe homogjen, një histori e kthjellët, një besim i bashkët e një gjuhë e livrueme”;

veteranët e Pukës, të cilët, më 8 dhjetor 1912, pasi ngritën Flamurin e Shqipërisë, kërkesës së komandantit serb për t’u bashkuar me serbët për ta qitë turkun jashtë, iu përgjigjën: “Nâ as nuk jena turq, as nuk jena serb, por jena kenë, jemi e do të jena Shqyptarë. Nâ e dijmë se Shqypnija ka dalë me veti me sundue shqyptari vendin e vet. Sot kena bajrakun tonë, për atë do të luftojmë e do të vdesim.”;

veteranin që do u drejtohej shqiptarëve në formë amaneti:

“Hidhni tej të ligën, se sjell varfëri,

Hidhni tej mërin’ dhe çdo fatkeqësi,

Lidhuni vëllezër, ej ndë dashuri,

Më shpejt të ndriçojmë t’mjerën Shqipëri.”

*

* *

Por, përveç qindra veteranëve që kujtohen në këtë libër, ka dhe shumë veteranë që nuk i shkruan kurrë kujtimet e tyre. Këta janë, malësorë e fshatarë, njerëz të popullit që iu përgjigjen menjëherë kushtrimit për liri, rrokën armët, lanë parmendat e arat shkret’, u larguan nga vatrat e robëruara, lanë familjet në mjerim e zi dhe shpejtuan të japin jetën për çlirimin e vatanit nga shkelësi shekullor. Ata, apo familjarët e tyre, nuk kërkuan të drejta e privilegje, shpërblime e rroga për vehte ose martirët e tyne që u kalben kockat shpellave legjendare. Jo. Ata e quanin të natyrshme dhe detyrë luftën për Liri t’Atdheut. Ata u sakrifikuan për një të ardhme më të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

A mos ne kemi harruar që jemi bijtë e një race të tillë fisnike!

Aktualiteti që po përjetojnë sot shqiptarët në shtetet e tyre Shqipëri dhe Kosovë, në trojet e tyre në Serbi, Malin e Zi, Maqedoni dhe Greqi, në diasporë, kudo që janë, shpreh qartë arritjet e shumëfishta, por dhe probleme të mprehta, ëndrra dhe të drejta të parealizuara.

Zoti ua ndriçoftë mendjen shqiptarëve dhe i udhëheqtë në rrugën e lirisë, bashkimit, demokracisë, prosperitetit dhe begatisë! Personalitetet që do na drejtojnë në këtë rrugë janë në mesin tonë. T’u japim besim dhe t’i pasojmë në misionin e tyre hyjnor.

Koha ka ardhë!

Sot është ditëlindja jote babi!


Nga Dr Brunilda Zllami, Tiranë

“Askush nuk i ka dy jetë”, thotë shpesh gjyshja ime. Dhe askush nuk i ka vërtet. Jeta na kalon shpejt para syve si një lumë i trazuar, që herë turbullohet e rallë kthjellohet. Kur festojmë ditëlindjet gëzohemi e trishtohemi për vitet që lamë pas, për ëndrrat që s’realizuam, për dështimet e goditjet, për rrëzimet e frustrimet. Por marrim frymë thellë dhe themi se kush ka jetë ka kohë dhe shpresë.
Sot është ditëlindja jote babi!


Nuk i numëroj më vitet që do kishe tani, sepse nuk mundem. Ti nuk i kishe qejf ditëlindjet, as festat, as klishetë. Ty të pëlqente e natyrshmja, spontanja, ajo që lindte nga shpirti. Si unë! Kishim shumë të përbashkëta ne të dy. Nuk e di nëse kjo ishte e trashëguar, apo ngaqë të adhuroja. Ti ishe busulla ime, standarti im i artë i gjithçkaje. Çfarëdo që të bëja, nëse ti nuk ishe i kënaqur nuk arrija te gëzohesha plotësisht, sepse ti nuk ishe thjesht i ditur, por i urtë. Nuk kam njohur ende një njeri si ty dhe e them gjithnjë se ke ardhur nga një tjetër kohë thjesht për të na dhënë idenë e dikujt jashtë të zakonshmes.
Më kujtohet kur isha studente dhe mundohesha të të bëja ndonjë dhuratë për ditëlindje. Dhurata të lira, studenti, thoja unë. Tani që kam mundësi të bëj diçka më shumë, ti nuk je më.
Rende pa pushim me bluzën e bardhë që shënjoi jetën tënde. Edhe sot kur më prezantohem pacientët më tregojnë për fëmijët që ke shëruar. A nuk e meritoje që për gjithë ato jetë që ke shpëtuar të kishe pak vite më shumë jetë edhe per vete, edhe per ne? A është e drejtë që ike aq i ri? A është e drejtë që nuk të kemi më pranë?
Shpesh dua të flas me ty si dikur, të të tregoj për vete, për punën, për librat. Të shikoj sytë e tu që shkëlqejnë dhe flasin pa fjalë. Më mungon! Sot, nesër, çdo ditë…
Sot ke ditëlindjen dhe nuk do mërzitem. Askush nuk jeton dy jetë, siç thotë gjyshja, por ti ke mundur të jetosh në shumë jetë. Jeton në kujtimet tona që s’ i merr as vdekja, në jetët që ke shpëtuar, në dashurinë e mijëra njerëzve që ke takuar në jetë.
I shkurtër ishte rrugëtimi yt në këtë botë, por ajo që le pas është historia e një njeriu të mirë, një mjeku të jashtëzakonshëm, një prindi të mrekullueshëm. Ashtu si një lule e rrallë që çel vetëm një herë, erdhe në këtë botë për të na mahnitur, për të na dhuruar ngjyra e emocione që as vdekja nuk i shuan.
Sot ti ke ditëlindjen, por vitet do jenë vetëm numra. Thinjat e flokëve të tu të buta i shoh shpesh në bisedat tona të pamundura, lëkurën e faqeve të tua e përkëdhel kur jam e mërzitur, aromën tënde kur të përqafoja nuk e kam harruar dhe sytë e tu…E di që më shikojnë ende nga diku.
Mos u mërzit kur të lutem për ndonjë gjë që të më ndihmosh, sepse ti je ende busulla ime, je dhe mbetesh standarti im i artë. Ti je babi im!
Ti sot ke ditëlindjen dhe unë s’të uroj dot…

Shkrimtati Fatos Arapi ose poeti i madh i Shqipërisë që nuk vdes kurrë



Nga Ndriçim KULLA – Tiranë

Në mëngjesin e datës 11 tetor një lajm i hidhur tronditi krejt qënien time.Fatos Arapi, njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave ,ose një prej poetëve më madhështorë të letërsisë modern shqipe të shek xx –të, u largua nga kjo jetë duke u dhënë lamtumirën e fundit botës aktuale shqiptare.Në këtë moment dhimbjeje për mua është e vështirë të shkruaj sic duhet për të.Sot kur vëndin tonë e ka pushtuar banaliteti i pasurimit me cdo mjet a kusht ,kur ethet e parave u japing njerëzve më shumë vuajtje se ethet e dhimbjeve të sëmundjeve ,kontributi i Fatos Arapit mund të duket si i një jashtëtokësori ,që nuk i thot asgjë brezave të sotëm që duan vec dëfrim material.Mirpo unë jam i bindur se pushteti i injorancës është i përkohshëm ,dhe atëherë një shoqëri e re shqiptare e ndricuar nga një arsimim cilësorë dhe edukim do ketë tjetër ndjeshmëri njerëzore për poetët dhe intelektualët.


Në historinë e kulturës shqiptare, shek XX-të është epoka më e ndritur e saj , ku një ndër kryeveprat e saj më e spikatur është edhe Letërsia Moderne shqipe .Fatos Arapi ka meritën e përjetshme se është një nga promotorët e saj më të larmishëm me poezitë brilante dhe romanet e vecantë .Unë e ndjej tashmë se poezia shqipe ndjehet e mpirë nga ikja e këtij poeti të madh.Me kalimin e ditëve dhe muajve me suguri që do ta ndjejmë mungesën e tij,por do përpiqemi që ta kompesojmë mungesën fizike dhe mospraninë e tij , duke rilexuar poezit më të bukura që Fatosi na ka lënë,duke i shijuar dhe admiruar ato perla të krijuara prej tij që të bëjnë të kujtosh gjithmon caste magjike.,të cilat shpalosin për lexuesin tonë të gjysmës së dytë të shek XX-të një Bot të re kur fjala shqipe erdhi si një zonjë në sallonin e vjetër të poezisë..Së bashku me kolegët e tij Ismail Kadare dhe Drotëro Agolli,Fatos Arapi ka kontributin thelbësor ,që ndonëse ne jetonim në natën e zezë të komunizmit, patëm privilegjin si komb që të ndricoheshim qartësisht nga një art estetik letrarë.Jam i bindur që fjalët në këto caste nuk shprehen kaq lehtë për pikëllimin.Fatos Arapi lindi, jetoi dhe shkroi në një periudhtë të trazuar të Shqipërisë.Të tillë e pati edhe jetën me plot trazira , që e trazuan edhe atë vet.
Por më bukur se askush ai kredon e vet shprehur në poezinë “Himni i jetës”
“Si kotelet i merr nëna/ I con nga një ditë në tjetër
Mes përleshjeve njerëzore/Ashtu ti rrëmbeje jetën.
Ashtu si këto vargje ,edhe Fatos Arapi jetën e tij e rrëmbeu mes përleshjeve njerëzore.Me siguri shpirti i tij do shkoj të prehet në qiellin e të parëve të tij në gjirin më të bukur të Mesdheut , në Gjirin e Vlorës,qytetit që e lindi të cilën e donta aq shumët.



Please follow and like us:

Shqipëria, bukuria sekrete e kontinentit europian

Ne bëhemi më të guximshëm! Këtë vit, udhëtimi ynë zhvendoset drejt Shqipërisë. Po, po, drejt vendit të shqiptarëve.
Kështu e nis artikullin media e njohur bavareze nordbayern.de.
I dyti artikull brenda javës, pas një reportazhi të një tjetër media gjermane, “Die Welt”. Shkrimi nis me një titull të fortë, ku gazetarët e fushës së turizmit pohojnë se Shqipëria, është padyshim bukuria sekrete e kontinentit europian.
“Me të gjithë egërsinë, pasurinë e saj kulturore pjesë të Trashëgimive Botërore, bregdetin e mahnitshëm, alpet e thepisura dhe qytetet me arkitekturë greke, osmane dhe veneciane. Shqipëria është aventura e fundit e Europës. Bukuria sekrete e kontinentit europian”- thuhet në artikull.
Në industrinë e turizmit, vendi konsiderohet kryesisht si vend me turistë të brendshëm, por media bavareze thekson se kjo nuk do të jetë e tillë për shumë gjatë.
“Duam të tregohemi të sinqertë. Natyrisht, ne nuk do të kishim ardhur në Shqipëri, nëse fati nuk do të na kishte futur në një libër udhërrëfyes që duket se është shpikur për ne.”- shkruajnë NordBayern.
Jörg Dauscher, gazetari dhe publicisti i “Die Welt”, ka lindur në Weißenburgen dhe ka studiuar në Universitetin e Tiranës gjatë kohës kur punonte në Institutin Goethe në Shqipëri. Mes të tjerash ai ka shkruar edhe dy libra mbi Shqipërinë, ku shqiptarët i përshkruan mikpritës dhe dashamirës.
Dauscher flet me keqardhje për Shqipërinë për aq pak sa njihet, gjithashtu plot humor dhe dashuri për njerëzit atje. Flet rreth bukurisë befasuese të zonave të shkreta të fundit të Europës. Por edhe për përzemërsinë e popullit, për festat e shumta të fshatit ose për festat tradicionale të mbrëmjes së vendasve nëpër qytete të vjetra.
Së bashku me të punon edhe miku shqiptar Mendu Zavalani, të cilët kanë përpiluar një udhëtim për grupe deri në njëzet veta, të cilët do vizitojnë tokën shqiptare nga veriu në jug: Luginën e Valbonës, rivierën shqiptare, Beratin, Gjirokastrën, bunkerët e Enver Hoxhës dhe shumë objekte tjera historike. Interesim për këtë udhëtim shfaqin tepër gjermanë, por jo vetëm.

Rritja e nivelit të detit rrezikon vendet e UNESCO-s.

Afërsisht 50 vende të njohura kulturore dhe historike në të gjithë botën janë në rrezik shkatërrimi për shkak të rritjes së nivelit të detit.    
Sipas shkencëtarëve shumë prej vendeve historike dhe kulturore që ndodhen në Mesdhe, rrezikojnë të shkatërrohen për shkak të rritjes së nivelit të detit brenda shekullit të ardhshëm. Rritja e nivelit të detit po kërcënon në mënyrë të frikshme Venecian, gjirin e Amalfit, qytetin e Qipros Paphos si dhe Piazza del Duomo. Vendet të cilat mbrohen nga UNESCO për shkak se quhen zona me rëndësi historike dhe kulturore, gjenden shumë pranë zonave bregdetare dhe në këtë mënyrë rrezikojnë përmbytje të rënda dhe gjithashtu erozion.
Mesdheu është shtëpia e shumë prej vendeve historike për shkak të rëndësisë historike të porteve që popullojnë zonën. Një ekip kërkuesish mblodhën të dhëna dhe gjithashtu bënë përllogaritje për të arritur në ërfundime konkrete se si do të ndikojë rritja e nivelit të detit në këto vende historike. Sipas rezultateve nga 49 vende të cilat gjenden në Mesdhe, vetëm 2 prej tyre janë imune nga gjithë ky ndryshim që pritet të ndodhë deri në vitin 2100. Sipas kërkuesve, me rritjen e nivelit të detit këto vende gradualisht do të ekspozohen nga dukuri të tilla si erozioni dhe përmbytjet.
Piazza del Duomo, është i vetmi vend që është vetëm në rrezik përmbytjesh.Vendet e tjera janë në rrezik të erozionit bregdetar pasi hulumtimi zbuloi se gati 90 përqind të vendeve do të vuanin nga kjo dukuri deri në fund të shekullit. Dr Reimann tha:”Rezultatet tona ofrojnë një vlerësim të parë mbi vendet ku nevoja për ndërhyrje është më urgjente dhe mund të ndihmojë politikëbërësit në drejtimin e hulumtimeve në shkallë vendi për të hartuar strategji të përshtatshme adaptimi për secilin vend të Trashëgimisë Botërore”.
“Një kombinim i strategjive për ngritjen e vetëdijes dhe masave të mbrojtjes duket të jenë strategjitë më të përshtatshme të përshtatjes, por gjithashtu duhet të merret parasysh edhe zhvendosja, veçanërisht kur rreziku është shumë i lartë”. Çështja është e përbërë nga modele që parashikojnë se kushtet do të përkeqësohen në mënyrë progresive.
Deri në vitin 2100, rreziku i përmbytjes mund të rritet me 50 për qind dhe rreziku i erozionit me 13 për qind në të gjithë rajonin. Gjetjet lehtë mund të riprodhohen dhe aplikohen në rajone të tjera ku një numër i madh i vendeve të trashëgimisë botërore sidomos zonave pranë bregdetit mund të rrezikohen seriozisht për shkak të ngritjes së nivelit të detit, për shembull Azia Juglindore.
Please follow an

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...