Vështrim letrar, biografik dhe estetik
SHKRIMTARI DHE VENDLINDJA
Lagja “Palorto” e Gjirokastrës shtrihet në anën e sipërme, veri-perëndimore të qytetit, në një si pllakë të pjerrët gjigande, ndryshe nga lagjet e tjera, të cilat qëndrojnë kryesisht në terrene të thyera, mbi brigje shkëmbore a kodra shtufi.
Një ditë janari, data 28, viti 1936, në lagjen “Palorto” në Gjirokastër lindi një fëmijë, të cilit i vunë emrin Ismail, që ishte emri i gjyshit, i njohur e i dëgjuar pse ishte i pashëm dhe vishej me shije, me kalcunje, një lloj çorapesh të bukura.
Ajo ditë e ftohtë, me mjegullën që mbështillej si brez shallvaresh rreth kalasë, ishte ditë gëzimi për familjen e nëpunësit të thjeshtë Halit. Nuk dimë a doli nga retë ndonjë tufë rrezesh, por besojmë se gjithsesi ajo ishte një ditë fatlume.
Kishte lindur shkrimtari i ardhshëm, personaliteti i shquar i letrave shqipe, që i dha famë qytetit dhe atij emri, nje krenari e letërsisë dhe kulturës shqiptare.
Atë ditë jeta vazhdonte me ritmin e saj monoton. Dëgjohej çukitja e çekiçit të gurgdhendësit, çokitja e teneqepunuesve dhe këpucarëve, damedumja e çekanit në kudhrën e Qato ezmerit, çizmja e xhandarit dhe trokitja e patkonjve të mushkave e kuajve mbi kalldrëm. Si përditë shegerti i kafexhiut i shpinte kafen në tabaka avokatit me tre rrathë te gusha dhe grosistit me barkun sa një bucelë.
Ishte ditë e mërkurë dhe “usta Vasili, që e kishim fqinj dhe që na riparonte pullazin e pjesës perëndimore të shtëpisë, porsa e kishte lënë punën për të ngrënë drekë, dhe, ndërsa zbriste nga shkalla e kishte uruar babanë: me një djalë!” (“Ftesë në studio”, Tiranë, 1989, f. 314). [(Sipas Thanas Dinos, familja e Usta Vasilit ka ardhur në Gjirokastër, nga Pirsojani i Konicës. Kurse në vitin 2007 në rrënojat e shtëpisë u gjet një pllakë guri, ku është shkruar turqisht: viti 1677. Në të ishin shkruar greqisht emrat e tre ndërtuesve: Mihal, Kolë dhe Kristo.]).
Atë ditë çatia ishte e hapur sikur donte që shtëpia të vendoste lidhje me qiellin, kurse mjeshtri “ishte duke vendosur pllakat e gurta, krejt si një mburojë, në kohën që unë vija në jetë” (Ismail Kadare, “Ftesë në studio”, f. 314).
HISTORIKU I SHTËPISË SË SHKRIMTARIT
Shkrimtari e përshkruajti hollësisht dhe me besnikëri shtëpinë e tij të lindjes, sidomos anën veriore të saj dhe anën jugore, që ishte e rrëzuar:
“Ishin ca mure mbi një urë që shërbente si kalim për në lagjen e të krishterëve, pastaj vinte një pjesë e braktisur ngaqë s’qe sigurt për të jetuar, pastaj pjesa ku banonte një tjetër Kadare dhe së fundi ana jonë”. (“Ftesë në studio”, f. 316). “Isha i bindur se ajo qe pjesa më e përsosur e krejt ngrehinës jo vetëm se ishte më larg rrezikut, dhe jo aq për dhomat plot dritë të katit të tretë, sesa për pjesën nëntokësore të saj. Ajo ishte me të vërtetë krenaria ime, tmerri dhe gëzimi im” (Ismail Kadare “Ftesë në studio”, f. 316).
Shkrimtari në vazhdim flet për dy kube që lidheshin me njera-tjetrën dhe që shtresoheshin në ndërgjegjen e tij si “zonja e madhe” dhe “zonja e vogël”. Kurse kurora e pjesës nëntokësore ishte sterra e madhe e ujit, me errësirën e mistershme të saj. Megjithëse e zhytur në errësirë dhe më poshtë se gjithë pjesët e tjera të shtëpisë, kjo depo uji, thotë shkrimtari, jepte e merrte me qiellin më shumë se gjithçka tjetër, duke i krijuar idenë se bota përbëhej nga tri zona, me tre kate si dhe shtëpia. Nga kjo shtëpi shkrimtari perceptoi që herët përmasat e qytetit dhe të botës, të ekzistencës njerëzore në tërësi.
“Im atë ishte i gjatë, i drejtë, fliste pak dhe përgjithësisht rrinte i zymtë…Kishte punuar disa vjet në Afrikën Veriore dhe ishte ndoshta kjo arsyeja që më kishte thënë disa herë se viset më të bukura në botë duhej të ishin viset skandinave. Nuk kishte qenë kurrë atje, por i lodhur siç duket nga zhegu i shkretëtirës, nuk ëndërronte veç vise të ftohta. Kishte qenë ndoshta kjo, arsyeja që pas kthimit nga Afrika kishte pranuar të punonte disa vite me radhë si ftues gjyqi në Alpet e Shqipërisë Veriore”. (Ismail Kadare, “Ftesë në studio”, f. 314- 315).
NJË UDHËRRËFYES PËR BRENDA QΥTETIT
Qyteti shtrihet midis lumit “Drino” dhe Malit të Gjerë. Nga lartësia dyqint e ca metra mbi nivelin e detit, prej fushës ai ngjitet në gjashtëqint e më shumë metra, në kufirin e dëborës, me një kurorë të gjelbër në kresë, në kurrizet shkëmbore e përgjatë përrenjve.
Klima është kontinentale, po ashtu temperamenti i banorëve, megjithë ndryshimet që ka sjellë ngrohja globale. Gjirokastra ndikoi në temperamentin e shkrimtarit edhe me thëllimet e dimrit, vjeshtën plot lagështi, pranverën me pemët e lulëzuara që varen mbi përrenj e rrëpira, verën me etjen e gurit të ndezur nga vapa.
Nata që pllakoste nuk sillte vetëm romantikën e yjeve, por edhe frikën e hijeve, të lanetit a lugatit që fshihej diku përrenjve, guvave e gërmadhave, ndoshta edhe në qilarin e shtëpisë, frikëës së cilës i bashkoheshin përshtypjet nga leximet për piratët me një sy, rrëmbyesit e fëmijve (osmanllinj, arixhinj etj.).
Νë vitin 1962, në skenarin e filmit dokumentar për Gjirokastrën, ai e quajti qytetin “një simfoni e gurtë”, ku “secila prej shtëpive është një kështjellë e vërtetë” dhe se njeriu e mposhti gurin dhe e detyroi t’i bindej. Arkitekturën e cilësoi “e çuditshme” dhe banorët “shumë fantazistë”.
“…Ky ishte ndoshta qyteti më i pjerrët në botë…Me siguri, ky ishte i vetmi vend në botë, ku njeriu, po të rrëzohej në anë të udhës, në vend që të binte në hendek, mund të binte mbi çatinë e një shtëpie të lartë…Ky ishte një qytet me të vërtetë i çuditshëm. Ti mund të ecje në rrugë dhe, po të doje, mund të zgjatje pak krahun dhe ta vije kapelen tënde mbi majën e një minareje”.
Kështu u shpreh shkrimtari i ri në Moskë, kur e pyetën të thoshte diçka të veçantë për vendlindjen. Në vazhdim e pasuroi me përshkrime e pamje të tjera mbresëlënëse:
“Ky ishte një qytet i çuditshëm, që dukej sikur kishte dalë në luginë papritur një natë dimri si një qenie parahistorike dhe, duke u kacavjerrë me mundime, i ishte qepur faqes së malit. Gjithçka në këtë qytet ishte e vjetër dhe e gurtë, duke nisur nga rrugët dhe krojet e gjer te pullazet e shtëpive të tij të mëdha, shekullore, që ishin mbuluar me pllaka guri ngjyrë hiri, të ngjashme me ca luspa gjigande”.
Ky përshkrim lindi novelën “Qyteti i Jugut”, botimi 1967 a diçka më përpara dhe kjo u zhvillua e dha më pas romanin “Kronikë në gur”, 1968.
Që në rreshtat e para të romanit lexuesi pret të hyjë sa më shpejt në këtë qytet të jashtëzakonshëm.
Pikënisja, embrioni i romanit kishte qenë një tregim i vogël: “Aeroplani i madh”. Por përpara aeroplanit kushtimi i parë qytetit të lindjes kishte qenë kështjella.
“Kam lindur dhe jam rritur në një qytet shqiptar, të vogël, mesjetar, të mbuluar nga një kështjellë e madhe, sa të frikshme, aq edhe madhështore. Të gjitha regjimet e kanë shfrytëzuar atë kështjellë si burg dhe regjimi komunist nuk bëri përjashtim…Si fëmijë jam rritur nën hijen e kësaj kështjelle”. (I: Kadare, Fjala me rastin e marrje së Çmimit Ndërkombëtar: Man Booker Internacional), 2005, Edinburg, Skoci).
Shkrimtari e provoi që fëmijë mbi vete peshën e kështjellës mesjetare dhe shijen e hidhur të burgimit, e këtë përvojë e rrëfen edhe në tregimin e tij “Koha e parasë”. Por më pas i këndoi Gjirokastrës:
Kur fryn fllad e kur fryn erë,
Rrëzës së Malit të Gjerë,
Zbrardh me kryetë përpjetë
Gjirokastra gjer tek retë.
Plot me ujra, përrenj e shtigje,
Rri ajo mbi pesë brigje
Edhe ngjan me një shqiponjë
Q’ është gati të fluturojë.
(Ismail Kadare, “Princesha Argjiro”, botimi 1958, f. 3).
Kështjella u muarr me tradhti, pasi kallzoi hyrjen e fshehtë dikush që e lakmonte fshehurazi princeshën. Në mos gaboj, personazhi i zi, oficer i saj, quhej Dizdar, që në turqisht do të thotë roje i kështjellës.
Kështu i këndoi princeshës shkrimtari i ri në librin e tij të tretë.
Figura e princeshës ishte dhe mbeti një emblemë e Gjirokastrës. Pas saj, Çerçiz Topulli.
Poemën me tone përlavdëruese e pasoi skenari i një filmi dokumentar për Gjirokastrën më 1962, disi pllakatesk. Por edhe më pas nuk kanë munguar përpjekjet e gjirokastritëve për të rifituar lirinë. Në vitin 1833 djalëria e qytetit ndërmori një sulm kundër kështjellës, të cilën e pushtoi dhe e çliroi, por jeta e saj si një ishull lirie në detin e robërisë zgjati pak.
A mund të ishte objekt krenarie një kështjellë ku ishte garnizoni ushtarak i pushtuesit dhe ku për disa shekuj me radhë, siç mësojmë në muzeun brenda saj, kishin selinë 21 pashallarë, që ishin edhe komandantë të garnizonit e sundimtarë fuqiplotë të qytetit? Doemos, rëndoi shumë dhe për një kohë të gjatë hija dhe trashëgimia e sundimit të tyre mbi qytet e më gjerë.
Fill pas poemës legjendarizuese, I. Kadare, në vitin 1959, shkroi romanin “Qyteti pa reklama”, që u botua pjesërisht në gazetën “Zëri i Rinisë”, me titullin “Ditë kafenesh”, me të cilin ndriçoi anën e mbrapme të medaljes. “Ditë kafenesh” varianti i shkurtuar i romanit, u ndalua, dhe vepra u botua e plotë gjysëm shekulli më pas. Ky roman, libri i parë i tij, kishte një këndvështrim kritik të realitetit shoqëror, por: “Qyteti pa reklama” ishte si një antimodel: “një vepër e pikëllueshme, e zymtë, pesimiste. Personazhet janë të trishtuar, janë të thyer moralisht…”. (“Gazeta shqiptare”, 28 janar 2015, f. 18).
Në poemën “Anketë” (1979), që është një variant i poemës së hershme “Ëndërrimet”, heroi lirik e vendos veten në rolin e hanxhiut që pret e përcjell bujtës të njohur e të panjohur, të afërt e të largët dhe një nate me stuhi një luftëtar të plagosur. Hija e hanit që ishte nën çatinë e shtëpisë prindërore, ku bujtnin me të vërtetë lloj-lloj udhëtarë të largët, lanë gjurmë në ndërgjegjen dhe kujtimet e tij.
Mjediset provinciale, sado interesante dhe zbavitëse, nuk e kënaqnin. Ngushtësia e rrugëve e rrugicave e bënte më të gjerë dëshirën për hapësirë e frymëmarrje. Dhe poeti i ri kërkonte frymëmarrje, hapësirë, problematikë të re, mundësisht me frymë afirmuese, ku ishin vlerat, përtej fasadës dhe entuziazmit kalimtar. Shkrimtari duhej të mendonte e fliste për brezin e vet, barrën e rëndë, të madhe, temë që e trajtoi me vizione të gjera deri edhe emfazë, tek poema “Shënime për brezin tim”. Por proza e tij mbeti gjithsesi kritike, një test i ashpër i realitetit, dhe pothuajse pa hero klasik letrar. Me novelën “Qyteti i jugut” dhe me romanin “Κronikë në gur” autori e ndryshoi rrënjësisht mënyrën e evokimit të historisë, konceptimin tërësor ideoartistik, duke paraqitur një Gjirokastër dhe një atdhe thuajse tjetër, dramatik e problematik.
Libra kushtuar vendlindjeve, qyteteve ku lindën e u rritën, kanë shkruar mjaft autorë. Ngjarje dhe gjendje të ngjashme kanë jetuar e përjetuar plot shkrimtarë të huaj, por I. Kadare i riprodhon ato me ndjeshmëri tronditëse e vizualitet spektakolar.
Këndvështrimi origjinal dhe informacioni estetik i romanit na ka tërhequr posaçërisht, duke bërë t’i rikthehemi herë pas here.
Pas vështrimeve të letrare të Migjenit dhe Ernest Koliqit për vendlindjen e vet, Shkodrën veriore, I. Kadareja, tashmë prej mjedisit provincial jugor, solli një spektër shumëngjyrësh, me vizione, mjedise e tipa gati të panjohur më parë.
Vepra e I. Kadaresë ndihmon për të njohur emocionalisht e figurativisht Gjirokastrën, që herë gjendej në qendër e herë në skajet e historisë shqiptare.
Emrin e Gjirokastrës prehistorike e përmend Homeri 28 shekuj më parë, kurse Aristoteli, afro 25 shekuj më parë, shkruante se mishi i deleve i qytetit është më i miri dhe se delet lindin dy qengja në vit.
Kronikani turk Evliya Çelebia pohon se themelet e qytetit i hodhi Filkosi, maqedonas, bir mbreti i kohës së Aleksandrit të Maqedonisë.
Përtej pozitës gjeografike strategjike, ishte nevoja e këmbimeve bujqësore e blektorale dhe, në shërbim të tregut – zejtaria, ajo që përcaktoi zhvillimin e qytetit dhe rëndësinë e tij.
Dëshmitë e lashta thonë se bërthama e qytetit lindi midis shek. 4 e 6 -të pas Krishtit, me kështjellën. Por studjuesi Nelson Çabej, në një nga numrat e revistës “Shkenca dhe jeta”, ka hedhur idenë se kështjella ngrihet mbi rrënojat e epokës ilire dhe është disa shekuj më e lashtë). Nuk dihet nëse kalaja ishte nëna apo bija e qytetit, u shpreh që herët shkrimtari gjirokastrit. Qyteti lindi pas rënies së Adrianopojës. Më e dëgjuar se Gjirokastra atëherë ishte Antigoneja, në kodrat jugore të Lunxhërisë, të cilën e ndërtoi Pirrua i Epirit si dhuratë për gruan e tij Antigona. Kisha e Shën Kollit në Labovë quhet edhe e Posejdonit…
Thuhet se brenda në kështjellën e Gjirokastrës kishte 200 shtëpi dhe kjo merret si argument se qyteti lindi nga dalja jashtë saj e banesave. Në fakt, shtëpitë ishin kazerma për forcat ushtarake. Qyteti, bërthama e tij ka ekzistuar më përpara kështjellës, ka patur mure e pastaj u ngrit kështjella, që populli i thotë kala. Jashtë kështjellës, në një lagje të veçantë, rrinin martallozët, mirëmbajtësit e saj.
Nën muret e kalasë së qytetit, në vitet 1450 u ndal Gjergj Kastrioti Skënderbeu, i cili synoi një aleancë me popullin grek kundër pushtuesit e armikut të përbashkët.
Gjirokastra u pushtua nga otomanët në vitin 1430, (të tjerë thonë më 1417). Ata erdhën nga jugu dhe qyteti u bë plasdarm për shtrirjen e pushtimit drejt veriut të vendit. Tok me pushtimin, otomanët instaluan një administratë dhe burokraci të rëndë dhe, si të thuash, të kompletuar, së cilës i shërbyen nëpunës me dije e zell nga kombësi të ndryshme. Kjo administratë i dha tonin jetës së qytetit disa shekuj me radhë.
Kur poeti dhe lordi anglez Xhorxh Bajroni udhëtonte drejt Tepelenës, Gjirokastra ishte e pushtuar nga turqit otomanë, ndaj poeti romantik anglez kaloi vetëm rrëzë malit e krahinës së Lunxhërisë. Gjirokastrën e pa vetëm së largu. Kurse në Tepelenë e priti vetë Ali Pasha.
Në vitin 1811 Ali Pashë Tepelena e goditi me artileri Gjirokastrën, por nuk mundi ta pushtojë. Goditi Gjirokastrën, ku dikur ishte bërë dasëm e madhe: Aliu ishte martuar me vajzën e sundimtarit të Delvinës, e cila vdiq e re. Kur u bë e tij, Aliu vendosi në kala 85 topa, një fuqi zjarri e pashoqe për kohën. Për të ndërtuar pjesën shtesë të kalasë, Aliu prishi Urat e Mëdha të ujësjellësit ndërtuar nga venecianët, një kryevepër arkitektonike, afro dhjetë km., që i ngjitej malit, nga e cila sot kanë mbetur vetëm disa fosile. Po ashtu, më pas me gurët e ujësjellësit u ndërtua burgu i tmerrshëm i Gjirokastrës, (kurse me gurët e kështjellës – burg të Bastijës në Paris u ndërtua ura ndanë sheshit ‘Le Concordëe’). Burgu i Gjirokastrës u ndërtua sipas projektit të një arkitekti italian, për të cilin thonë se u çmend kur pa sa i tmerrshëm doli burgu.
Majori Haki Kuçi, në periudhën kur ishte kryetar Bashkie Bajo Topulli, shembi bedenat si dantellë guri të kalasë, me mëtimin se binin gurët e vrisnin kalimtarët.
Kronikani Evliya Çelebia vuri re se “banorët e Gjirokastrës kanë përgjithësisht një fizionomi të zymtë e të vrenjtur dhe kurrë nuk i sheh duke kuvenduar me njeri – tjetrin apo duke qeshur”, (Evlyia Çelebia, “Shqipëria 350 vjet më parë”, Botimet Horizonti, 2003, f.34). “Shumica e banorëve të Gjirokastrës janë dashuruesit e hanedanit, të Ehli Bejtit…Thonë se të gjithë këndojnë persisht, se fshehurazi shajnë Muavijen e haptazi mallkojnë Jezitin, por unë nuk i kam dëgjuar. Janë shumë alkoolistë e dëfrimtarë, pinë verë e rejhani, një pije shumë e fortë, të cilën e përgatisin vetë e me të cilën dehen”, (po aty, f. 35). “Në ditë festash fetare, muhamedane apo të krishtera, gjirokastritët kanë zakon që “të veshur krejt me ar, pasi pinë mirë e mirë dhe e mbushin kokën me verë të kuqe, dashurues e dashunorë – ashikë e dylberë – kapen qafë për qafe dhe heqin e kërcejnë valle. Ky është një ves i keq i mohuesve të zotit, por gjirokastritët nuk e kanë për turp”, (po aty, f.35). Por “këtu nuk ekziston kurvëria e pederastia, sepse Gjirokastra është një vend burrërie. Vetëm një herë në vit gratë vizitojnë prindërit e tyre dhe nuk shëtisin fare gjetkë. Ato janë shumë të ndershme dhe mund të krahasohen me zonjën e shenjtë Rabije Adivije”, (po aty, f. 36).
Po sipas këtij kronikani, në një shtyllë të Xhamisë së Pajazitit në qytet ishte ky mbishkrim:
“Në Luftën e Kandjes kanë rënë dëshmorë 700 zotërinj e 7.000 shërbëtorë. Shtëpitë e zotërinjve janë mbyllur. Me të vërtetë në këtë qytet shumë shtëpi fisnike janë të shkreta dhe zonjat fisnike janë martuar me shërbëtorët e vet”, (libri i cituar, f. 29-30).Kronisti turk vëren se banorët gjirokastritë të asaj kohe “kanë veshje të çuditshme por shumë të pastra”.
Sipas shkrimtarit I. Kadare, gjirokastritët “mbanin ata zhgunet e vjetra, dekoratat i vinin herë-herë, kishin zakone zotërinjsh. Gjirokastra ishte jo otomane, por bizantino-otomane, ishin të përziera të dy botët. Dihej ndikimi i fortë i Bizantit që gjithashtu ka ndikuar në perandorinë otomane, por sidomos ishte zona tipike bizantine afër Greqisë. Në këto shtëpi kishte një përzierje të çuditshme, një lloj zotnillëku otoman përzier me një farë më të vjetër, më universale, kishte njerëz të çuditshëm, maniakë të çuditshëm”.
Kronikani E. Çelebi flet kryesisht për mjediset që i ishin të afërta për të. Edhe shkrimtari dha nëpër libra dhe intervista Gjirokastrën që njohu, mjediset ku u rrit dhe u formua. Në raste të tjera ai ka dhënë një tablo më të plotë e “më të drejtë”. Në Gjirokastër lanë gjurmë Justiniani, Komnenët, Zenebishët, Gjin Bue Shpata, helenët, hebrejtë, otomanët; të gjitha pushtimet dhe regjimet.
Ortodoksia ishte një besim të cilit i takonte pjesa më e madhe e banorëve të Jugut. Në Gjirokastër shprehjet e liturgjisë fetare si “Qirie -’lejson” dhe “Hristos-anesti” (“Mëshirona, Zot!”dhe “Krishti u ngjall”) i përdornin edhe ata që nuk ua dinin mirë kuptimin. Secila palë respektonte tjetrën, ortodoksët uronin në festat e tyre muhamedanët e bektashinjtë dhe anasjelltas.
Megjithë fanatizmin që solli kanuni i pushtuesit otoman, feja, siç pohon shkrimtari, nuk luajti rol të veçantë në jetën e popullit shqiptar. Gjirokastra nuk pësoi fatin e Elbasanit, kur pushtuesi, sipas dëshmisë së Evlyia Çelebisë, vrau e zhduku gjithë popullsinë e krishterë të qytetit. (Kolera përpara dy-tre shekujsh zhduku krejt lagjen e krishterë që ndodhej jashtë mureve të kalasë së Tepelenës). Një pjesë e madhe e popullsisë së Gjirokastrës u konvertua në fenë zyrtare, kurse pjesa tjetër, në disa lagje të qytetit e sidomos në krahinat përballë, mbeti e krishterë, tok me ndërtesat e kultit.
(Në krahinën e Zagorisë praktikohej dyemërsia: një emër për konsum jashtë shtëpise, kurse emri tradicional mbahej brenda familjes).
Bashkë-ekzintenca midis besimeve dhe kulturave të ndryshme ishte kthyer në traditë dhe edukatë tek shumica e banorëve të qytetit, por edhe të krahinave anasjelltas.
Në Gjirokastër shekullin e kaluar ekzistonte fryma anadollake, prirja drejt Lindjes, por nisi të spikaste edhe prirja drejt Perëndimit. Prirja drejt Lindjes ishte e imponuar nga pushtimi i gjatë otoman, administrata turke dhe interesat e kastave të privilegjuara e kompradore vendase.
Gjirokastra kishte disa xhami dhe dy teqe, tyrbe në kala e jashtë saj, emblema në arabisht e turqisht në qemeret e portave, (“alfabeti turk-kope me akrepë”, shkroi poeti përpara tridhjetë vitesh në poemën “Shqipëria dhe tri Romat”), në interieret e shtëpive e sarajeve kishte plot arabeska në tavane, piktura në mure e sixhade me xhami, veshje aziatike, deve me beduinë, etj, që krijonin një atmosferë ekzotike, por edhe të huaj për mjedisin gjirokastrit.
Shkrimtari e shikon historinë si dramë shumaktshe, me përpjekje mbinjerëzore për mbijetesë, për ndërgjegjësim të kombit, duke ecur kështu në traditën e Rilindësve, por duke theksuar, krahas pushtuesve të huaj, reaksionin e brendshëm, rolin e kastave të privilegjuara, që zakonisht vinin në kundërshtim me aspiratat, ndërgjegjen dhe luftrat për liri, pavarësi dhe përparim: “Treqint kryengritje/ në katërqint vjet”.
Nga historiku i Gjirokastrës po përmend disa pjesë.
Nga Gjirokastra ishte valiu i Bejrutit, Halil pashë Alizoti.
Në El Maan, afër Damaskut, ishte kajmekam një gjirokastrit. Fejzi bej Alizoti, gjirokastrit, sekretar i mëkëmbësit të Sulltanit të Stambollit, në Tripoli, dhe deputet në parlamentin turk.
Për zellin fanatik me të cilin shërbenin mjaft kuadro të tillë dëshmon Eqerem bej Vlora, kur përmend Fehmi Efendiun, nga Gjirokastra, i cili, fshehtas edhe nga komandanti i kështjellës, vret me dorën e vet të syrgjynosurit Mithat Pasha dhe Damat Pasha, pasi i akuzon si komplotistë, dhe kokat e tyre i dërgon të kriposura në Stamboll.
Gjirokastra kishte lidhje administrative dhe kulturore me Janinën, kryeqendër vilajeti, ku vali ishte edhe gjirokastriti Veli Çuberi.
Në Janinë u shkolluan dhe kryen një pjesë të veprimtarisë së tyre kulturore dhe politike vëllezërit Frashëri. Grigor Gjirokastriti, Vangjel Meksi dhe Apostol Meksi ishin figura të shquara që u përpoqën të hedhin themelet e gjuhës së shkruar shqipe.
Fedon Meksi e quan Apostolin (lindur në Labovë më 1825) studjues të parë të folklorit shqiptar nga shqiptarët.
Përballë Gjirokastrës, kur ajo ishte ende nën mjegullën e mesjetës otomane, në Qestorat të Lunxhërisë u ngrit madhështore shkolla Normale e bamirësit të madh Kristaq Zografo, një far drite në male, siç është cilësuar nga Kristaq Mandi në librin me të njëjtin titull, e cila nga vitet 1865 deri në vitin 1891 mbajti në gjirin e vet qindra djem e vajza nga shumë krahina e fshatra dhe nxori 400 arsimtarë të diplomuar, që dinin edhe gjuhë të huaja. Ky nuk nguroi të hapë shkolla dhe seminare ortodokse edhe në zemër të perandorisë otomane të kohës.
Lunxhëria nxorri bamirësin tjetër të madh, Vangjel Zhapa, i cili në vitin 1869 ringalli traditën e Lojrave Olimpike helene në Athinë dhe ndërtoi e financoi në Shqipërinë e Jugut rreth 120 shkolla.
VËSHTRIM TJETËR NËPËR HISTORI
Gjirokastra është qendra e disa ngjarjeve historike si Kuvendi i Labërisë i vitit 1847 për krijimin e Mbretërisë Greko – Shqiptare, nga i cili iu drejtua qeverisë greke një letër nënshkruar nga 44 krerë, ndër të cilët pesë ortodoksë, (shiko kujtimet e Eqrem Bej Vlorës) në kuadrin e së cilës kërkohej një status i veçantë për Shqipërinë.
Në Komitetin Shqiptar të Stambollit, 1876 -1877, bënte pjesë edhe Mihal Harito.
Ahmet Shefki (Kallajxhiu) ishte një nismëtar dhe themelues i “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqipe”.
Mehmet Vasjari Gjirokastra ishte anëtar i Komitetit Shqiptar të Janinës në vitin 1877. Po këtu dhe në po këtë vit nga Abdyl Frashëri, Mehmet Vrioni dhe greku Mavromatis u hodh ideja që Tirana të ishte kryeqytet i ardhshëm i Shqipërisë së pavarur…).
Në vitin 1878 Muntas Pasha u shkarkua nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, sepse nuk arriti rezultatin e dëshiruar në bisedimet me autoritetet greke për vendosjen e kufive jugorë të Shqipërisë. Greqia mori kazanë e Artës.
Në vitin 1878 në teqenë bektashiane të Gjirokastrës u mblodhën përfaqësues shqiptarë nga Berati, Janina, Vlora, Korça, Përmeti, Tepelena, Gjirokastra, Parga, Arta, Preveza, Margëllëçi dhe Ajdonati, (shiko përsëri kujtimet e Eqrem Bej Vlorës, f. 169).
Më 25 korrik 1880 në Gjirokastër, me nismën e Abdyl bej Frashërit, mblidhet një kuvend i gjerë, të cilin kënga popullore e përjetësoi me vargjet:
Kurvelesh e Gegëri
ç’ u mblodhë në Ergjëri.
Për këtë ngjarje nën Qafën e Pazarit ishte deri vonë një pllakë përkujtimore në murin e ndërtesës ku thuhet se u mbajt.
Në vitin 1881, midis krerëve shqiptarë të ftuar nga Valiu i Janinës, ishte edhe gjirokastriti Mustafa Efendiu, i cili u burgos tre vjet në Çanakala.
Në Kongresin e Manastirit, për alfabetin e gjuhës shqipe, merrnin pjesë vëllezërit Bajo e Çerçiz Topulli dhe Reuf bej Gjirokastra, (ndoshta, Fico).
Gjejmë një varg figurash me mbiemrin Gjirokastra, por disa herë pa mbiemrin konkret të familjes që i takonin. Rebeli Shemo Hajduti u mbiquajt Shemo Gjirokastriti dhe për të bën jehonë kënga popullore:
Moj Gjirokastra me vulë,
ç’ e bëre Shemo hajdunë?
Lidhur në Janinë e shpunë,
dizetedi topa shtunë…
Grigor Argjirokastriti, peshkop i gadishullit të Eubesë, në vitet 1824, 1827, përktheu në gjuhën shqipe, me alfabet të vetin, “Dhjatën e vjetër”. Libri u shtyp në Voskopojë. Në vitin 1827 u shtypën në Korfuz katër Ungjijtë prej greqishtes me përkthimin shqip përkundrejt. Kjo punë u krye nga një grup përkthyesish nën mbikqyrjen e Grigor Argjirokastritit, ku thonë se kryesori ishte Vangjel Meksi. Në këtë përkthim u përdorën 24 shkronjat greke si dhe 9 shkronja të posaçme. Ky përkthim u prit mirë, ndaj neë vitin 1885 u botua së dyti në Athinë. Po ashtu edhe disa trajtesa të tij për shenjtorët Qiril, Metod, Klement, për stinët e vitit etj.
Anastas Gudha nga Lunxhëria, për diturinë e madhe u quajt “Plutarku i ri”. Po ashtu përmendet edhe Vasil Gudha. Këto i gjejmë në librin e Prof. Dr. Andrea Gudhës, Botimet Nerajda, Tiranë.
Apostol Meksi, nga Labova e Lunxhërisë, studjues i traditave dhe i folklorit, ishte shoqërues e ndihmës për studimet e albanologjisë i konsullit austriak J. Hahn në Janinë.
Figurë e njohur ishte peshkopi Neofit Kekezi, nga Gjirokastra. Po ashtu një mitropolit i Beratit, nga Gjirokastra, me mbiemrin Jaho.
Gjirokastra ishte një qytet ku takoheshin disa kultura, fetare dhe pak laike, fliteshin e shkruheshin mjaft gjuhë të huaja, lindore e perëndimore. Kishte juristë, mjekë, klerikë, pedagogë studjuar e diplomuar jashtë shtetit.
Kënga gjirokastrite përlavdëron:
O Gjirokastra me vulë,
me mënde e para shumë!
Por shkrimtari i bie ndesh kësaj, kur pohon se Gjirokastra ishte “një qytet allasoj, gjysmë i mençur, gjysmë i marrë” dhe se “nuk ishte e lehtë të bëje para”, (tregimi autobiografik “Koha e parasë”).
Familjet e pasura përpiqeshin t’i bënin fëmijët me shkollë e diplomë. Gratë gjirokastrite për të kursyer, bënin disa lloje gjellësh “me gënjeshtra”, qifqi e qahi me beharna e që dukeshin sikur kishin dhe mish, dhe ashtu bënin kursim që të mund të dërgonin fëmijët për studime. Edhe në periudhën diktatoriale djemtë e vajzat gjirokastrite ishin të parët në shkolla e universitete, arsimtarë dhe nëpunës administrate, madje edhe me poste në qeveri.
Gjirokastra, krahasuar me mjaft qytete të tjera, kishte superprodhim intelektual. Në një botim zyrtar përpara Luftës së Dytë Botërοre, përmendet shifra 450, që ishin gjithë intelektualët e vendit, dhe 250 prej tyre ishin gjirokastritë. Kishte patur shumë nëpunës të administratës otomane, në qytete e nëpër perandori, kadilerë, ushtarakë, administratorë, dhe mjekë. Nga Gjirokastra kishin dalë mjaft punonjës me poste në administratën otomane, valinj, guvernatorë, ministra. Krejt i veçantë është rasti i Petro Papadhopullit, që fitoi nga Sulltani titullin Pasha, por edhe krijoi bankën e parë në Gjirokastër. Ai dhe një zonë e vogël banimi afër kalasë, nga ana lindore, morën emër-mbiemrin “hermafrodit” Pasha Kaurri.
Sidomos pas shkëputjes nga perandoria otomane, në Gjirokastrër nisi të fryjë era e Perëndimit, që u mundësua nga alfabeti latin, hapja e shkollave në gjuhën shqipe, vajtja për studime e djemve gjirokastritë në disa shtete të Europës, si Franca, Italia, Austria, hapja e Liceut Francez në qytet, ndikimi i idealeve iluministe dhe demokratike. Prirja drejt Perëndimit spikaste edhe në shprehjen adhuruese “Këtë e ka bërë frëngu”, deri edhe ndaj modës allafrënga, hyrja e automobilëve të parë, e gramafomnit, e gazetave dhe revistave vendase e të huaja, e kartëpostaleve me jashtë shtetit, lidhjet e ndryshme kulturore dhe ekonomike sidomos me Italinë, që ndërmori vepra si centrali ekektrik dhe ujësjellësi i qytetit.
Gjirokastra e dikurshme bënte tregti me Janinën, Hamburgun, Amerikën dhe Australinë. Djathi gjirokastrit i firmës “Delja” shkonte edhe në Amerikë. Por, për ironi të historisë, pas vitit 1944, Shqipëria dhe Gjirokastra ia kaluan përsëri Lindjes, kësaj here komuniste, një aksident tjetër historik gati fatal, pasojat e të cilit po i vuajmë edhe sot.
***
“Qyteti prej guri, ky mal i një qyteti fsheh në vetvete thjesht arsyen e stërlashtë mitike të ekzistencës. Ai është qenia më e madhërishme dhe e fuqishme që mbron dhe ndëshkon”. Në të personazhi fëmijë “e zotëron si lojë këmbimin e realitetit me mitin, përzierjen e legjendës me faktet. Në zbrazëtitë mes fëmijës dhe realitetit futet ironia dhe në këtë hapësirë të vogël mbetet mjaft vend për poezi, që është karakteristike për këtë libër. Libri “Kronikë në gur’ është një deklaratë dashurie e Ismail Kadaresë për qytetin e vet dhe është njëherazi një nga portretet më madhështore letrare të një qyteti”. (Tages Anzeiger, 5 tetor 1988. Libri “Kadare në gjuhët e botës”, f. 409 – 410. Αutori: B. Kuçuku. Botimet Onufri, 2005). Edhe më tej: “Më mirë se një reportazh, ky libër ju jep çelësat e Shqipërisë”, (F. Martinez dhe C. Olivier, po aty, f. 245). Romani ‘Κronikë në gur’ është “njëherazi edhe një libër magjie e magjepsjesh, edhe një kronikë e përndjekjes dhe e qëndresës”, (Feuilletion, 27.1.1996, nr. 23). “Kronikë në gur” është një deklaratë dashurie e Ismail Kadaresë për qytetin e vet, deklaron i huaji i largët. Por, mos ndoshta kjo duhet marrë me rezervë, jo si e vërtetë bindëse? Është e lehtë ta thuash, por qyteti i gurtë i shkaktoi edhe vuajtje dhe vazhdon ta brengosë e problematizojë, aq sa mund të themi se jo rrallë shpirtërisht anon nga mosdashurimi.
Mosdashurimi nuk ështe doemos edhe urrejtje dhe armiqësi, as kundrejt një njeriu as kundrejt një qyteti. Kjo binte në sy edhe më qarte në të kaluarën, kur jeta materiale dhe shpirtërore ishte e kufizuar dhe bestytnitë ishin pjesë e së përditshmes. Shtojmë se klima e qytetit ishte kontinetale, me verë të nxehtë e të thatë, me rreshjet e shumta gjatë vjeshtës dhe mjegullat e stinës së tretë që ngjiteshin nga lumi, me dimra të ftohtë kallkan, ngricat në kalldrëme e stalagmitet në strehët e shtëpive.
E pikërisht në vitet e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare (LANÇ), 1943 deri 1945, kanë bërë dimra të egër, gërmadhat e shtëpive nxirrnin ende tym. Mungonte drita, vajguri, kripa, buka ishte me racion, bukë misri, mungonin barnat në spital, deri dhe tekstet shkollore. Të gjitha këto lanë gjurmë në botën e brendshme të një fëmije që nuk ishte ulur ende në bankat e shkollës ose i braktiste ato, për të hyrë në strehimin me të afërt kundërajror.
Zhurma e frikshme e rrëzimit të një muri a shtëpie një nate me shi, shkaktonte vetvetiu frikën e pandehmën se ashtu mund të shembej edhe shtëpia e fqinjit apo jotja, madje, sipas naivitetit fëminor, i gjithë qyteti. Pasiguria shoqëronte edhe të rriturit dhe ky është mesazhi që dëshiron e synon të përcjellë autori. Vetëm se jashtmi kështjella apo shtëpitë – kulla ishin të forta dhe aleate të banorëve.
Mënyra ekspresioniste që ka përdorur autori në paraqitjen e jetës dhe në përshkrimin e natyrës ështeë në shërbim të idesë se e keqja ka forcë të jashtëzakonshm, mbinjerëzore, e cila e shpie individin në caqet e tjetërsimit psikologjik dhe deformimit moral.
Ndaj në kronikat letrare të autorit e gjejmë aq rrallë gëzimin ose fjalën “gëzim”.
Historia e qytetit lidhej me fatet historike të Jugut shqiptar, të vendit, madje të gjithë rajonit ballkanik. Nëpër luginë kishin fryrë erërat tekanjoze e të dhunshme të historisë, me drejtime të ndryshme ose të kundërta. Gjysmën e parë të shekulli të kaluar Gjirokastra ishte bërë rrugë kalimi për ushtritë e huaja dhe fushë beteje. Qyteti kishte pësuar jo pak prej tyre dhe priste pushtuesin e radhës. “Ndonjë natë tjetër qëllonte që në xhade të kalonin kamionë nga veriu në jugë, siç duket për në frontin italo – grek. Babai numëronte dritat e kamionëve ushtarakë dhe mua më zinte gjumi nën shifrat monotone njëqint e njëzet e dy, njëqint e njëzet e tre, njëqint e njëzet e katër”. (Ismail Kadare, “Qytetit i Jugut”, f. 53).
Teatri i luftës ishte teatri i parë dhe më tronditësi që njohu autori, kur “në qiell/ më shumë aeroplanë se sa zogj fluturonin…”.
– “Kur ia mbërriti lufta, ajo e vërteta në Gjirokastër?
– Shumë shpejt, më 1940 kur Italia e sulmoi Greqinë. Italianët kalonin andej. Nga qyteti mund të shiheshin të gjitha manovrat ushtarake në luginë. Iknin italianët, tërhiqeshin e përparonin grekët, pastaj grekët tërhiqeshin dhe kështu ishte si në kinema.
Spektakël i luftës.
Një spektakël i madh. Qyteti kalonte dorë më dorë, një herë i kalonte ushtrisë italiane e radhën tjetër asaj greke. Italianët bombardoheshin nga anglezët, grekët nga gjermanët apo nga italianët e me ta bombardohej edhe qyteti. Një skenar që ndërronte shumë herë. Lufta ajrore ishte si një spektakël i vazhdueshëm”.
Edhe një pjesë nga intervista që Kadare i dha Blendi Fevziut në Tv. “Klan”, dhjetor 2007:
“Ka qenë me të vërtetë teatri i luftimeve. Vetë vendosja e shtëpive, si një llozhë, dhe prej Gjirokastrës mund te shikoje një pjesë të luftës dhe ka një sekret lufta, kur e sheh me sy është më pak e tmerrshme se kur e përjeton në bodrum. Unë e kam përjetuar në Vietnam kur kam qenë, në kulmin e bombardimeve, ishte më mirë të ishe përjashta, që t’ i shikoje me sy dhe dukeshin të vegjël dhe gati-gati e kontrolloje me sy rrezikun, më mirë se sa të ishe në bodrum. Gjatë luftës Italo – Greke, mbi mal e në luginë zhvilloheshin beteja ajrore. Aeroporti ushtarak përtej lumit “ishte mbushur plot me aeroplanë italianë, gjuajtës ose kaçiatorë, siç i quanin, dhe bombardues. Unë dija çdo gjë që ndodhte në aeroport, çdo mëngjes numëroja aeroplanët dhe i ndiqja me sy kur ngriheshin dhe uleshin”. (Ismail Kadare, “Qyteti i Jugut”, 1967, f. 54).
Gjatë pushtimit qyteti pësoi dëme në njerëz e në ndërtesa banimi. Informimet se forcat ushtarake greke fshiheshin në banesat e qytetarëve, gjë që nuk ishte e vërtetë, bënte që italianët të mos i kursenin gjylet e bombat që hidhnin mbi qytet. Kurse gjermanët, kryesisht oficerë, pasi e ndëshkuan me bombardim qytetin për llogari të pritës së partizanëve të njësitit guerril, u strehuan nëpër shtëpitë e qytetarëve, veprim ky që ishte mjet frikësimi, por edhe masë vetëmbrojtje nga goditje të tjera të mundshme.
Përballë aeroplanit të drunjtë të Dino Çiços vendoset avioni i madh bombardues në aeroportin e qytetit. (Ismail Kadare, “Kronikë në gur”, radiodrama “Aeroporti” etj.). Indinjatën e popullit dhe të individit e shpreh në mënyrë të pashlyeshme personazhi kadarean i plakut Avdo me orvajtjen për të rrëzuar avionin vdekjembjellës, me kundërajrorin e vjetër të kështjellës. Dhe një tjetër top a mitraloz kundërajror, po nga ato bedena, thotë autori në romanin e parë “Qyteti pa reklama”, 1959, shtinte herë pas here në ajër kundër avionëve të huaj që shkelnin hapësirën ajrore në jug të vendit, ose edhe pa shkak real…Këto të shtëna ngjallnin kujtime rrëqethëse dhe u kujtonin banorëve se kërcënimi i një lufte tjetër nuk ishte larg.
Përveç bombardimeve, syri qiklopik i projektorit që kontrollonte natën lagjet dhe kalanë, kërcitja e çizmeve të patrullave ushtarake nëpër kalldrëme e rrugica, atmosfera e terrorit të bardhë dhe terrorit të kuq, e plotësojnë por edhe rëndojnë më tepër teatrin e luftës dhe psikozën e keqe që shkakton ajo.
Brenda një shekulli – katër ushtri të huaja, që vendosnin regjimin e vet dhe ligje të ashpra. Dhe regjimi i monarkut Zog e regjimi komunist – përvoja gjithashtu të paharrueshme.
Lufta dhe pasojat e saj kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërgjegjen e shkrimtarit. Në moshën tetë vjeç, kujton autori, pa me sytë e tij pushkatimin e parë. Ajo skenë diku në rrugë apo afër shtëpisë, ishte e teatrit të vërtetë, tragjik, të jetës. Kjo shpjegon përse psikoza e ankthit është aq e pranishme në shumicën e librave të tij. Ankthi dhe ndjenja e pasigurisë ngjyrosin atmosferën e shumicës së krijimeve të tij. Shpesh shkrimtari jep skena rrëqethëse dhe bisturia e tij operon artistikisht e sigurt, por në thellësi qëndron përvoja e fëmijërisë së plagosur.
Regjisori i famshëm amerikan Spilberg ka pohuar se është rritur me histori lufte. Studjuesit theksojnë për të se ai e ka “fëmijëruar” kinemanë me sinqeritetin e tij. Kadareja këtë punë e nisi përpara gjysëm shekulli dhe jo me histori të dëgjuara a të lexuara lufte, por të jetuara e dëshmuara nga ai vetë. (Me këtë rast, dua të besoj se shkrimtari shqiptar, me vizionin për botën dhe kameran e tij dinamike, do të mund të ishte bërë gjithaq një regjisor i shquar i kinematografisë).
Atmosfera e pushtimit, e bombardimeve, e errësimit të detyruar natën, e evakuimit të qytetit, ikja me foshnje në duar, përvoja e pësimeve të befta ose të paralajmëruara tragjike; përgjithësisht, prishja e normalitetit dhe rutinës së jetës së përditshme, jepen me vërtetësi, përmes përvojave nga fëmijëria e autorit.
Nga dritarja-ekran e shtëpisë ai pa të marshonin ushtritë e huaja dhe, një ditë të vitit 1945, pa karvanin e refugjatëve çamë të dëbuar, fakt që ai ia përmendi edhe zv. ministres së Punëve të Jashtme të Greqisë, Virgjinia Cudheru, e cila shfaqte mosbesim për atë ngjarje e dëshmi.
Shtëpinë ku lindi dhe ku u rrit, shtëpinë prindërore dhe stërgjyshore, gjirokastriti e quan shtëpia e jetës. Sado larg të shkojë e sado banesa të ndërrojë, shtëpia e jetës mbetet një: ajo ku njeriu u lind dhe kaloi me familjen të mira e të këqia, trashëgimi e pazëvendësueshme. Por vjen një ditë që shtëpia e jetës bëhet “e pabanueshme”:
Njëqind e shtatëdhjetë e tri kube, të vogla e të mëdha, u shkretuan brenda katër ditëve.
Si për të vërtetuar fjalët e inxhinerit, bombardimet e anglezëve u dendësuan papritur. Gjatë katër ditëve u vranë dyzet e nëntë veta. Në bashki vazhdonte mbledhja për të vendosur nëse do të hapej kështjella për popullin apo jo. Ditën e tretë të mbledhjes, banorët e lagjes “Dunavat i Poshtëm”, pa pritur vendimin e Bashkisë, shpërthyen portën perëndimore dhe u futën në kështjellë. Po atë ditë u hap me forcë porta lindore nga banorët e tregut të vjetër.
“…Porta trokiti përsëri.
– Shpejt, tha babai – po na presin.
– Pse e lini gjyshen? – pyeta me ankim.
– Nuk do vetë të vijë, – tha babai, – gjithë natën u përpoqa t’i mbush mendjen, por ajo s’do. Të them për herë të fundit, – iu drejtua gjyshes, – eja.
S’e lë unë shtëpinë vetëm, – tha gjyshja me një zë fare të qetë. – Këtu kam jetuar, këtu dua të vdes.
Porta trokiti përsëri.
– Të veni me shëndet, – tha gjyshja dhe na puthi të gjithë me radhë”.
(Ismail Kadare, “Kronikë në gur”, Botimet Onufri, 2000, f. 191 – 192).
Një stoicizëm klasik, dashuri tragjike për gjirmën dhe për vendlindjen.
Një herë, siç dëshmon Agim Mero, gjatë bombardimeve gjylja ra pikërisht në strehimin ku banorët shkuan duke menduar se ishte më i sigurt…Këtë shkrimtari e nënvizoi që herët me vrasjen gjatë bombardimit të vajzës së Aqif Kashahut, pas shijimit të puthjes në vendstrehimin e errët. Në një rast tjetër mësojmë se kubeja gjigande e një shtëpie, ku u strehuan rreth 150 vetë, nuk pësoi gjë kur një gjyle e shkatërroi çatinë e shtëpisë.
Romani “Kronikë në gur” (1968) u bë gur i çmuar në gjerdanin e veprave letrare që autori i kushtoi vendlindjes, shumë thonë – kryevepra e tij. Në të, përmes optikës e psikologjisë fëminore, pasqyrohen dramat historike dhe konfliktet e mprehta sociale. Një fëmijëri e përjetuar me ankth dhe me.intensitet. Ndoshta këtë përshtypje e jep subjekti i ngjeshur letrar, me skenat e mëdha e të vogla që këmbehen me shpejtësi, informacioni jetësor i pasur i tij.
Image result for kronike ne gur
E papërsëritshmja fëmijëri në një qytet unikal. Një përjetim vetiak intim dhe dëshmi historike njëherësh. Të jetuara e përjetuara kur shkrimtari ishte fëmijë dhe të shkruara e rivlerësuara afro një çerek shekulli më pas.
Në subjektin e romanit bashkëjetojnë dhe këmbehen çështjet jetike dhe meskinitetet, gjëmimi i topave dhe thashethemet, gjërat e dashura me të padëshiruarat, pësimet që çojnë në zhgënjime të rënda. Amullia dhe “mosjeta” prishen nga të papriturat, që përgjojnë dhe bëjnë atentate. Ngjan se të papriturat i dalin përpara autorit pa i kërkuar. Paradokset bëhen rregull i pashkruar i ekzistencës. Më tepër se të dhënave historike, shkrimtari i beson përvojës së vet jetësore, përjetimeve dhe intuitës. Subjektivizmi intim përforcon realizmin e tij impresionist. Ngjan se autori nuk niset të bëjë art, por thjesht të riprodhojë atë që pa, përjetoi dhe i mbeti në ndërgjegje e kujtesë. E pikërisht përmes këtij dëshmimi gjasme asnjanës dëshmohet arti.
Studjuesit kanë vënë në dukje se ky roman ka edhe vlera të mirëfillta etnografike, me pasqyrimin e mjediseve karakteristike, të zakoneve gjithsesi patriarkale, nga ritet e dasmës deri tek gjakmarrja, një status-quo që progresi i vështirë synon ta thyejë. Optika dhe përjetimi i tyre prej fëmijës është kritik dhe protestues.
Në shkrimin “Gjirokastra në të gjitha stinët”, viti 1982, shkrimtari thotë: “Gjirokastritët nuk janë shquar as për gjak të butë apo për kompromise. Në kohën e LANÇ pozicionet e ndryshme ideologjike qëlloi që i ndanë si vetëtima mes për mes këto shtëpi të larta, duke i vënë përballë njëria-tjetritës, në dy anët e barrikadës, disa herë me armë në duar birin kundër babait, motrën kundër vëllait. Thuhej se Gjirokastra ishte djepi komunist i kohës. Madje, sikur të fitonin ballistët, atje do të ishin po aq të fuqishëm sa komunistët, sikur të ishte lobi gjerman ose italian, ekzistonin të gjitha mundësitë”.
Por Gjirokastra, që nuk e mbështeti revolucionin fanolist, u lidh fort me Luftën Çlirimtare dhe në vazhdim u shty drejt së Majtës, me pasojë që edhe në dhjetëvjeçarët e fundit e Djathta të mos fitojë asnjë herë në zgjedhjet paralamentare, bashkiake dhe në formacionet e qeverisjes lokale. Gjirokastra i ruajti lapidarët, përkujtoi pothuajse pa munguar ngjarjet e LANÇ për çlirim dhe dekoroi një varg kuadrosh të nomenklaturës puniste.
***
Ngjarjet por edhe toponimet e Gjirokastrës mbartin kujtime dhe domethënie që treten në mjegullën e kohës. Nga ana lindore e kalasë gjendej Pasha Kauri. Diku ishte Sheshi i Bajraktarit. Në lagjen Teqe ishte Kroi i Shahut. Në lagjen Pazari i Vjetër ishte Pusi i Zonjës, afër Qafës së Pazarit gjendej Kroi i Prëmtos, (vepër e një të pasuri e bamirësi nga Tranoshista e Lunxhërisë). Në zemër të lagjes Meçite ishin Shtatë Kronjëret. Afër spitalit të sotëm ishte Pusi i Beut. Afër Teqesë së Zallit ishte Sheshi i Zinxhirave. Një lagje e tërë quhej Mexhide (monedhe turke, por dhe emër njeriu në spanjisht: Meçita) e një lagje tjetër – Gjobek. Një lagje u quajt “Varrosh” (si një varr i madh) ose që varet tatëpjetë. Pati dhe emërtime të rëndomta si: Hani i Stavros.
Në lagjen Dunavat ishin Urat e Mëdha, që shtriheshin deri tek burimi në mal, rreth dhjetë kilometra larg. Mbi Lagjen Teqe ishin kodra dhe shkëmbi i Kucullës dhe më sipër Vreshtat e Dunavatit, me kopshte dhe livadhe të familjeve të ndryshme. (Vreshat e Manalatit, si dhe ornamentet në kodrat përfund qytetit dëshmojnë se gjirokastritët e kanë njohur prodhimin e verës, se dikur pinin edhe verë e jo vetëm uthull, i cili prodhohej edhe prej manave).
Toponimet lindën ngaqë ndodhi diçka që la gjurmë, ose ashtu e pagëzoi dikush rastësisht, atëherë kur emërtimi i rrugëve dhe vendeve nuk bëhej me dekret a ceremoni.
Ka shpjegime të ndryshme përse rruga përfund së cilës kishte shtëpinë shkrimtari i ardhshëm u pagëzua dhe quhet edhe sot “Sokaku i të Marrëve”, temë së cilës do t’i rikthehemi.
Një rrugicë më e ngushtë, diagonale, nga ana e shtëpisë së Xhaxhinjve, që ngjante si degëzim i Sokakut, nxirrte më shkurt te rrugica që çonte drejt shkollës së mesme, Gjimnazit të qytetit. Ngushtica në fjalë nuk ka tabelë dhe nuk mundëm t’ia mësojmë emrin. Mbahet mend vetëm se në atë rrugë “banonin dy vajza me flokë të kuqe”.
Në pezulet e shtëpive gjirokastrite qëndronin plaka që kundërshtonin emrin e Sokakut. Ato ishin kujtesa, filozofia shekullore, syri vigjëlues e hetues i provincës. Dhe nga ajo rrugicë e ai pellg dolën njerëz që i dhanë emër qytetit.
Shtëpia e shkrimtarit ishte në fund të Sokakut, kurse ajo e E.Hoxhës ishte në krye. Një rrugë dhe dy emra që lanë gjurmë të pashlyeshme në histori, në fusha të ndryshme, me kahje të ndryshme deri të kundërta.
Mbiemri ishte baza e njohjes për familjet gjirokastrite, thotë autori, dhe familjet e vjetra nuk u kushtonin rëndësi familjeve të reja. Ai e konsideron familjen e vet nga më të vjetrat e qytetit, ndërsa familjen e Hoxhate e quan relativisht të re.
***
Në nëntor 2008 Ismail Kadareja thotë: “Deri në moshën 17 vjeç e gjysmë, kur kam mbaruar gjimnazin, kam jetuar në qytetin tim të lindjes. Natyrisht është një qytet allasoj, gjysmë i mençur, gjysmë i marrë dhe ndoshta kam përfituar nga kjo. Pastaj kam qenë student në Tiranë…dhe në Moskë”. Largimi shpejt nga Gjirokastra bëri që ta fokusojë përherë e më mirë atë, të kërkojë dhe të gjejë anë të reja. Shkëputja përfundimisht nga qyteti i gurtë ishte shpëtimtare.
Siç kujton Helena Kadare, Ismaili e urrente tmerrësisht provincializmin. Me mbarimin e shkollës së lartë, ai kundërshtoi kthimin në Gjirokastër. Kërkoi dhe fitoi një bursë pasuniversitare për të shkuar në Bashkimin Sovjetik, dhe shkoi në Moskë, në Institutin “Gorki”, për afro dy vite. Romani “Qyteti pa reklama” është nje variant i fatit që poeti i ri do të të mund të kishte pasur po të ishte bërë realitet kthimi “prapa”.
Pra, personazhi – sozi i romanit na thotë se edhe shkrimtari i ri mund të hidhte hapa prapa në një mjedis të ngushtë dhe aspak dashamir, ku, megjithatë, edhe vetë njeriu që proteston ka përgjegjësi për sjelljen dhe bëmat e veta.
“Gjirokastra, natyrisht, ishte qyteti i shkrimeve të para dhe jo të pakta. Por, ndërsa ajo vetë kishte nxitur vepra të rëndësishme, gjithçka që kishte shkruar atje, e quante të pavlefshme. Dhe këtë e thoshte me gjakftohtësi”. (Helena Kadare, “Kohë e pamjaftueshme”, Botimet Onufri, 2011, f.550). Dhe vepra letrare e I. Kadaresë, e shkruar shumica larg saj, u bë një një legjendë dhe mitologji e re për vendlindjen e më gjerë. Vepra e tij me themele në qytetin emblematik u bë me kohë emblematike.
***
Dukuria Kadare nuk lindi rastësisht nga mjedisi kulturor e psikologjik gjirokastrit. Përtej faktit se është një individualitet njerëzor, vazhdues i një peme konkrete gjenealogjike, produkt i mikromjedisit familjar, ai është edhe rezultante kulturore dhe shpirtërore e mjedisit gjirokastrit. (Autori pohoi se nuk është produkt gjirokastrit, por kjo është relative dhe pjesërisht e vërtetë). Sepse a nuk u formua atje edhe përmes edukatës që i diktoi mjedisi i gjerë apo i ngushtë? Dhe, përtej prirjes ndaj dukurive anormale e komike në brendinë e krijimtarisë, a nuk deklaroi ai se Gjirokastra është nga qytetet e rralla në Ballkan, që prodhon qytetarë? Këtu është vendi të citojmë gjuhëtarin Emil Lafe kur flet për Prof. Eqerem Çabejn dhe vlerësimin e këtij për gjirokastritin: “…Eqerem Çabej kishte mall dhe dashuri të veçantë për Gjirokastrën…Herë pas here kishte dëshirë të vinte në dukje qytetarinë e gjirokastritëve, seriozitetin, përmbajtjen, mirësjelljen, dinjitetin vetjak dhe familjar, ndjenjën e jetës shoqërore, dëshirën për të nxënë, aftësinë për t’i bërë ballë jetës”.
Është e vështirë ta vlerësosh mirë dhe ta kuptosh thellë Ismail Kadarenë jashtë këtij konteksti. Megjithë ngjyrën gri, të hirtë dhe zymtësinë e qytetit, shkrimtari ka vërejtur një dritë të brendshme, dritën e qytetërimit (Shprehje e Ismail Kadaresë gjatë vizitës së fundit në Gjirokastër).
Gjirokastra kishte një dekor natyror me peisazhin e aksidentuar rëndë, ku shtëpitë ngjajnë se i ngjiten malit dhe kurrizit të kohës. Ato i përshtaten terrenit, me një ritëm arkitektonik kapriçioz e përsëri harmonik, me ansamble që thyejnë njëtrajtshmërinë dhe zbutin vertikalitetin. Gjithashtu, sipas arkitetit Agron Doraci, brenda ngurtësisë së ndërtesave janë krijuar hapësira që e thyejnë atë, kurbatura, dritare, harqe, strehët me trarë të gjatë mbështetës, kombinime të gurit me drurin, ornamente të ndryshme, një plastikë arkitetonike me vlera të plota estetike. Dhe natyrisht, blerimi, lulet, që synojnë ta zbutin ashpërsinë e gurit e murit masiv gri.
Në formulimin zyrtar të UNESCO-s për motivacionin e marrjes në mbrojtje si përmendore e kulturës botërore, thuhet se shtëpitë e fortifikuara gjirokastrite përbëjnë një tipologji të jashtëzakonshme të ndërtimit, që ilustron mënyrën e jetesës në Shqipëri në periudhën historike midis shekullit 14 dhe shekullit 19. Shtëpia e Kadareve ka elemente të tipit kullë, por më tepër të banesës qytetare. Ajo ka patur gjithsej pesë oxhakë me zbukurime e skalitje, ku më i bukuri ishte ai i dhomës së miqve.
Më 1 tetor 2005 në një ceremoni festive, zv. drejtori i UNESCO-s, Mounir Bouchanachi, duke patur në krah Presidentin Alfred Moisiu, tha: “Ky qytet historik, pagëzuar nga shkrimtari i madh Kadare si qyteti “i gurtë”, ofron në veçanti fytyrën e pejsazhit oval të ndërthurur në mënyrë befasuese me pejsazhin shkëmbor e malor që e rrethon”. (“Gjirokastër. Ringritja e madhe 2004 – 2006”).
Kurse ambasadori i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Ettore Sekui, është shprehur: “Gjirokastra është magjepsëse. Ajo më mrekulloi pothuajse përnjëherë, qysh në hapat e para që bëra në rrugët e saj të kalldrëmta. Prandaj, për mua është një kënaqësi personale të kem mundësinë të shpreh admirimin tim për këtë qytet dhe të bëj thirrje për një ruajtje të plotë të tij”, “Trashëgimia kulturore është dëshmia dhe shprehja e krijimit njerëzor përballë sfidave fizike dhe konceptuale. Në këtë kontekst, trashëgimia kulturore e Europës dhe këmbëngulja e fortë e europianëve për ta ruajtur atë janë padyshim një burim i vërtetë krenarie dhe gëzimi. Edhe në Gjirokastër është kënaqësi të shikosh gjeninë me të cilën njerëzit përballen me këto sfida”. (Revista Art & Trashëgimi, nr.2, nëntor 2011).
Romanit të njohur në shqip me titullin “Kështjella” (1970), autori në botimin frëngjisht ia ndryshoi së fundi në “Rrethimi”. Rrethimet dhe pësimet ishin vetë historia e kështjellave, midis të cilave edhe asaj të Gjirokastres, gjë qeë duhet të ketë ndikuar edhe për këtë titull, që nuk dihet a është përfundimtari.
“Qyteti duroi rrethimet e pushtimet, urinë dhe etjen e madhe, regjimet politike, klimën e hidhur, dhe mbeti ashtu, kryeneç e i paepur, me vetëdijen e themeleve rrënjuar në tabanin shkëmbor, me një lloj fodullëku të fshehtë apo të hapur, që sfidonte kohërat, pushtetet, fatkeqësitë e rënda dhe sikur thoshte “Ja ku jam përsëri”!
Një qytet- sfidë në shumë drejtime.
Të ngjashme me ulje – ngritjet e historisë, ulje – ngritjet udhëve që ngjiteshin e zbrisnin përpjetë. Kush eci në ato rrugë, vështirë të pengohej e të rrëzohej në udhët e drejta. Po ta shikoje nga lart, rrugicat ngjanin si cirkovolucionet e një truri gjigant, grupet e lagjet – si qendra nervore plot degëzime. Në këto rrugë duhet të dije të ecje, ndryshe ato ktheheshin në qorrsokakë ose rrëzoheshe në përrua.
Shtëpia e shkrimtarit ishte anës rrugës që lidhte qytetin me Labërinë, ishte si të thuash një rrugë kryesore. Shtëpia ishte ngrehinë e madhe dhe kati përdhes i saj dikur kishte qenë han. Rruga poshtë shtëpisë shpinte në rrugën kryesore, me kalldrëm kurriz peshku, që përshkonte vertikalisht lagjen “Varosh”. Shtëpia e Kadarenjve ishte në vijën ndarëse të lagjes “Palorto” me lagjen “Varosh”, të cilat dalloheshin edhe nga përkatësia fetare e shumicës së banorëve të tyre: muhamedanë dhe të krishterë.
Pra, ishte edhe pikëtakimi midis tyre. Në një intervistë të vitit 2007 shkrimtari thekson se: “Shumica e gjirokastritëve të qytetit tim janë bektashinj, që është një sekt mysliman. Edhe myslimanët në Gjirokastër janë jopraktikisht praktikantë, shumica më e madhe. Por shumica janë bektashinj, që nuk janë fare, pra që s’ kanë direkt lidhje. Pra, kanë një lidhje që janë në universin mysliman. …Vizioni im për botën niset nga kultura dhe kjo gjë lidhet me atë kulturë, që kjo fe do të ishte më e afërt jo si fe, por si formacion kulturor dhe ideja ime ka qenë gjithmonë që, shqiptari mysliman, katolik dhe ortodoks, për mua janë në radhë të parë shqiptarë, pastaj janë pjesëtarë të feve që përmenda”.
Por, siç pohojnë të moshuarit, prifti i kishës dhe hoxha i xhamisë takoheshin e pinin ndonjë gotë raki a verë te Cile Muka, mjeshtri dhe servirësi i qofteve me shije dhe rakisë së zgjedhur, në lokalin pranë Rrapit të Gjuetarëve, tek Kane Lula në Qafë të Pazarit i famshëm për kukurecin, apo tek Abdyl Hoxha, që mbante raki të mirë, të paholluar.
Në kolegjin ortodoks të qytetit, i fillimit të shekullit të kaluar, shkonin e merrnin arsim dhe edukatë shtëpiake edhe vajza nga familje muhamedane. Me kënaqësi mësuesja Urani Rumbo tregon se si nga mesi i viteve 1930 ajo uli në të njëjtën bankë vajzën myslimane me vajzën e krishterë. Dhe sot jo vetëm një banor gjirokastrit i një feje tjetër shpie fëmijën e vet në kopshtin e Kishës Autoqefale të Shqipërisë, në ndërtesën e ish – Poliklinikës së vjetër apo te shkolla e kishës Katolike në qytet.
Deri në peridudhën e mbretërimit të A. Zogut, që një i krishterë nga “Varoshi”, të hapte një tregtizë në Pazar, duhej të mbante feste të kuqe, si turqit. Por mund të themi se, megjithë paragjykimet apo ndonjë sjellje përbuzëse, secili i falej perëndisë sipas besimit e mënyrës së vet, institucionet fetare funksiononin normalisht, madje, midis palëve të ndryshme bëheshin edhe urime e vizita të ndërsjellta në raste festash fetare.
Shahin Kadareja më ka thënë dikur se te kisha e “Varoshit”, në kopshtin dhe oborrin me kaçube jargavani të saj, fëmijët e “Palortosë” dhe “Varoshit” loznin bashkë, pa dallim, e po ashtu hynin edhe në kishë. Kjo klimë e bën Gjirokastrën një dëshmi të bashkëjetesës tolerante ndërfetare në rrafsh kombëtar.
Vite më pas, tek poezia “Në kishë”, është studenti që interesohet për Ungjillin, nëse “i Nolit është përkthimi apo i Kristoforidhit”. Kurse në romanin e tij të parë (1959) takojmë dy personazhe që shkojnë në kishën e qytetit të gjejnë dorëshkrime të vjetra në gjuhën shqipe a me çdo alfabet që të ishin shkruar. Dy personazhet e “Qyteti pa reklama”, adhur nga qendra, e dëmtuan kishën e vjetër duke u sjellë barbarisht me vlerat e saj të brendshme).
***
Shkolla e parë ku hyri shkrimtari, quhej “Drita” dhe ishte afër shtëpisë, atje ku sot është biblioteka e qytetit, në kufi të lagjes “Palorto” dhe “Varosh”. Disa prej mësuesve të shkollës fillore ishin: Thoma Papapano, Fotaq Kekezi, Kasjani Kutra dhe Azis Hoxha.
Shkolla “Drita” ishte nga ana a poshtme e shtëpisë së shkrimtarit, matanë Përroit të Ficos, kurse shkolla e mesme, Gjimnazi i qytetit, që u quajt Lice, ishte nga ana e sipërme, në lagjen “Palorto”. Për të shkuar atje kalohej edhe nga “Sokaku i të Marrëve”. Kalimi nëpër këtë rrugë ishte si një lloj provimi i përditshëm, si një kusht për të shkuar drejt një bote normale, që, siç e dëshmon shkrimtari, nuk ishte më pak e marrë. Gjithsesi, vajtja në shkollë jepte mundësi që njeriu të bëhej i arësier (me arësim, pra, edhe me arësye, logjikë…).
Gjirokastra gjysëm anadollake e gjysëm kozmopolite. “Palortoja” ,- lagja me familje me nivel jo të rëndomtë ekonomik dhe kulturor, pra aristokrate, krahasuar me lagjet e tjera. Në vitin 1938 lagja “Palorto”, e para në historinë e qytetit, mori dritë elektrike, nga një sipërmarrje italiane. Shkrimtari i ardhshëm ishte me fat, sepse nuk do të lexonte në dritën e bishtukut apo llampës me vajguri.
Kjo lagje kishte një nivel arsimor dhe ekonomik relativisht më të lartë se lagjet e tjera. Vetëm në “pellgun” ku lindi shkrimtari i shquar kanë dalë një duzinë emrash e firmash në fushën e kulturës, arsimit dhe shkencës.
“Kishte raste që Gjirokastrës i dukej vetja më e mençur se Shqipëria” (Ismail Kadare, “Darka e gabuar”, f. 2008, f. 14).
Në intervistën dhënë në Gjirokastër, në takimin tek Hotel “Çajupi”, të nëntorit 2007, shkrimtari thotë:
“Ky qytet është dalluar për njëfarë rezerve, për një farë rezervimi të shfaqjeve të emocionit. E kam shkruar edhe në librat e mi, që Gjirokastra dhe gjirokastritët e mbanin veten për më të mençurit e Shqipërisë dhe besonin se ishin ashtu. Kështu që kishin një pikëpamje të tyre për botën. Madje, një herë, kur kemi diskutuar, kam shkruar që ato gratë e vjetra, duke pirë kafenë, përdornin dylbitë, shikonin peizazhin dhe kjo quhej kafe me dylbi dhe njëherë u komentua kështu: Këto janë gra me pikëpamje. Po, po, kjo gjë ishte e rrallë në Shqipëri për kohën, bëhet fjalë për gratë që kishin qenë vajza, ose gra të vjetra në kohën e Perandorisë Osmane. Gratë me pikëpamje nuk ishin kaq të shpeshta në perandori”.
Nga ato dritare të katit të sipërm e me ato dylbi vështroi sa herë jashtë edhe gjyshja e tij. Ndoshta i morën në duar edhe dy djemtë e mitur e kureshtarë. Atëherë pjesa përfund lagjes “Varosh” dhe e Gjirokastrës ishte pa ndërtesa. Dukeshin qiparisat dhe Teqeja e Kodrës së Shtufit, kodrat e Shën-Triadhës, mali monumetal i Lunxhërisë. Ndërsa në fushë ca mullarë të vetmuar “ngjanin që larg si Donkishotë”. Dukej ndonjë karvan kuajsh e mushkash nga Lunxhëria, apo gomarësh nga Dropulli, kurse fshtarët e Kardhiqit kalonin edhe nga Granica. Por natyrisht, tmerri ishin ushtritë e huaja dhe mjetet e motorizuar që e bënin xhaden të rënkonte, tokën të dridhej dhe qytetin të bëhej më gri nga ç’ishte.
Gjyshja ishte një grua autoritare, ca shpotitëse, por me një dinjitet të padiskutueshëm. Ndoshta me dylbi në sy i ngjante vetja si usharaku me grada, që vrojton fushën e luftimeve. Një ditë, thotë autori, i mori në dorë dhe nëna e tij, nuse e re, që kujtoi se do të shikonte Janinën! (90 km. larg, përtej grykave dhe maleve, mjegullave e reve). Hija e dhe pesha e autoritetit të vjehrrës e mbajtën disi në tutelë nusen që kur hyri në shtëpi. Ajo grua-vjehrrë, ende e re në moshë, mori vendimin e çuditshëm të mos e kapërcente më pragun e shtëpisë. Përse ajo grua e privoi veten nga kjo e drejtë si zonjë shtëpie dhe si njeri, kur edhe fanatizmi ishte kufizim i madh? Përse i mbajti mëri qytetit dhe botëjashtës? Ishte çështje proteste, sedre, dinjiteti apo trill i rastit? Atë praktikë vetizolimi e përjashtimi nga bota jashtë e praktikonin edhe gra të tjera, pa e quajtur privim ose fyerje. Mos ndoshta ishte një lloj vetëburgosje diktuar edhe nga fakti se ajo shtëpi e të tjera të ngjashme kishin edhe burg familjar?
“Ajo që dihej ishte se kjo mosdalje ishte në vetvete një lloj statusi, si të thuash ngritje rangu, një pjesë e një mondaniteti”, thotë shkrimtari në librin e tij më të ri. Pas mosdaljes horizonti për atë grua u ngushtua dhe mëkot u përpoq ta përplotësojë me ane të dylbive. Ishte një rrezatim nga ky qytet, kishte dhënë shumë juristë dhe ata, sigurisht, kur ktheheshin sillnin udhëtarë tipikë nga ata që sillnin lajme, histori dhe ndihesh kjo prurje. Nga një anë ishte superprovincial dhe nga një anë nuk ishte aspak provincial, kishte diçka qendrore, i kishte të dyja. Ishte një qytet i mbyllur, por nga ana tjeter kishte diçka të brendshme dhe të habitshme, që merrte e jepte me botën”.
Këtë e dëshmojnë edhe libraria “Dante Aligeri” e Alizot Emirit, “Mesagjeria” e familjes Kokalari dhe shtypshkronja “Gutemberg”, që botonte mjaft libra, midis të cilave disa kryevepra letrare botërore, duke përcjellë mesazhe për provincën e për gjithë Shqipërinë.
Librari i ditur dhe inteligjent gjirokastrit Alizot Emiri ka pohuar për atë kohë: “Kur Tirana ishte baltë e kuqe, Gjirokastra ishte djepi i kulturës”, (libri “Alizot Emiri”, Botimet Albin, 2011).
Gjirokastra e pas Pavarësisë jepte e merrte edhe me botën kulturore europiane. Një plejadë intelektualësh mbledhur rreth gazetës “Demokratia” (1925-1939) përfaqësonte ndërgjegjen kritike të qytetit dhe prirjen drejt qytetërimit bashkëkohor europian, duke dalë neë pararojë të progresit. (Οdise Kote, “Demokratia” – Shkollë e gazetarisë shqiptare”, 2013).
Në faqet e kësaj gazete me botues e drejtor Xhevat Kallajxhiun e redaktor përgjegjës Jorgji Meksin, botoheshin krijime letrare të firmave të njohura të kohës soe të rinj: Lasgush Poradeci, Gjergj Fishta e më të rinj, si: Branko Merxhani, Sterjo Spasse, Petro Marko, Dhimitër S. Shuteriqi, por edhe mendime kritike letrare dhe kritike artistike. (Xhevat Kallajxhiu më pas u largua në SHBA, ku, si antikomunist, drejtoi për afro dy dekada emisionin e “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqipe).
Krahas filozofëve dhe shkrimtarëve të antikitetit si: Pitagora, Aristoteli, Demosteni, Plutarku, Seneka, Taciti, Eskili, Sofokliu, Euripidi etj., publikoheshin filozofë të kohës së re si: Niçe, Shopenhauer, O. Kont, Hajdereger, Mirebeau, Segur, Franklin, etj. dhe krijime ose pjesë veprash të Shilerit, Voltaire, Byron, Goethe, Shakespeare, La Fontaine, Montesquieu, Lamartin, Balzak, Tolstoi, Monti, Mazini.
(Për hir të së vërtetës, duhet thënë se edhe pse populli dhe veçanërisht intelektualët Jorgji Meksi e Thoma Papapano e pritën me dashuri dhe entuziazëm Theofan S. Nolin, Gjirokastritë tradicionalë e më gjerë nuk e mbështetën revolucionin demokratik-borgjez që ai frymëzoi e drejtoi për një periudhë të shkurtër).
Në Gjirokastër ishte libraria “Dante Aligeri”, ku, me sa duhet, shkrimtari i ardhshëm takoi shkrimtarin gjenial italian.
Gjirokastra kishte një varg përkthyesish të vetët, që përkthenin vepra, kryesisht në prozë, nga gjuha frënge, italiane, por edhe angleze. Nga kujtimet më të fundit të shkrimtarit, mësojmë se gazetën lokale “Demokratia” e kalonte nëpër duar edhe babai i tij, Haliti.
Spikasnin mendimet për problematikën shoqërore, për kulturën dhe qeverisjen e vendit, duke patur orientim dhe ambicje nivelet evuropiane. Flitej për frymën mëmëdhetare – nacionaliste, për respektimin e personalitetit të gruas dhe të drejtave të punonjësve, bëheshin kritika të adresuara për qeveritarët dhe ata qe nuk kuptonin ose që pengonin progresin.
Gazeta “Demokratia” mblodhi dhe dëshmoi një elitë intelektuale dhe krijoi jo pa vështirësi lexuesin dhe publikun e vet. Në një nga shkrimet e Branko Merxhanit flitej për “Diellin e intelektit” dhe kjo gazetë ishte pikërisht gjurma e saj. Ndaj nuk mund të themi se në Gjirokastrën e Paraçlirimit sundonte injoranca dhe konservatorizmi.
Gjirokastra e viteve 1920-1930 kishte publicistë të njohur si, Branko Merxhani, Xhevat Kallajxhi, Jorgji Meksi, etj., që jo vetëm botonin një gazetë me nivel të lartë, por edhe piketonin e tregonin drejtimet ku duhej të ecte shoqëria shqiptare, me objektiv kryesor afrimin me Perëndimin europjian dhe inkuadrimin në të. Edhe programi i neoshqiptarizmës i Brankos frymëzonte progresin, me kulturimin e popullit si mjetin e kushtin kryesor. Mbaheshin si firma letrare të kohës edhe mësuesja përparimtare Urani Rumbo, Ramiz Harxhi, me krijimtari modeste, etj.
Por ekzistenca e vatrave si, disa shkolla, klube kulturore, librari e organe përparimtare shtypi, një elite intelektuale pararojë, nuk mund të bëjnë të paqenë gjendjen e përgjithshme të pakënaqshme të vendit e edhe të zonës. Sipas statistikave të botimit të Mbretërisë Shqiptare, të vitit 1928, në Gjirokastër ishin të përhapura sëmundje si, tuberkulozi, me 135 vetë, që zbritën në 44, sifilisi: me 175 vetë; me sëmundje të ndryshme – 1442 dhe.e pabesueshme, por e vërtetë: Gjirokastra, sipas statistikave zyrtare mbretërore të vitit 1928, kishte 842 malarikë, ndërkohë që Lushnja pranë kënetave kishte vetëm 337 vetë!
Por le të rikthehemi tek objekti i këtij vështrimi.
Gjirokastra ku lindi shkrimtari i ardhshëm ishte një qytet me zhvillim arsimor, por edhe me një jetë kulturore. Kishte shtëpi botuese e librari, bibliotekë, disa gazeta, ndonjë shfaqje teatrale, disa firma letrare e gazetarie. Kjo ishte një bazë për të rinjtë që donin të ecnin përpara dhe, sadoqë I.Kadareja i ri nuk e njohu ose e njohu pak këtë trashëgimi, ajo ndikoi në formimin kulturor dhe orientimin e tij në jetë.
Gjirokastra e dikurshme kishte disa firma e pena, por nuk kishte mjedis që të inkurajonte talentet, madje, mendësia tradicionale ndaj letrarëve ishte mosaprovuese.
Pas viteve ’20 të shekullit të kaluar në qytet nisi të frynte tjetër erë, mendësitë po ndryshonin, shkolla u bë trolli ku hidhnin rrënjë talente dhe njerëz me më shumë njohuri e dituri.
Gjimnazi i Gjirokastrës u ngrit e u hap në vitin 1923, për të përmbushur aspiratat dhe nevojat e qytetit e më gjerë për arsimim në gjuhën shqipe. Drejtor i Liceut u caktua francezi Viktor Kutan, kurse nëndrejtor u ngarkua mësuesi gjirokastrit Hysni Babamento. U dëgjua se për ndërtimin e ngrehinës dha disa mijëra franga ari Myfit Bej Libohova, por dhanë mjaft edhe banorët e Lunxhërisë e të qytetit. Për ndërtimin e saj, siç thotë në librin e vet “Për Gjirokastrën dhe gjirokastritët”, Bajo Topulli i Riu, ka punuar firma e familjes gjiroksatrite Selfate. Më pas shkolla e shkatërruar nga Lufta Italo-Greke u rindërtua në vitin 1941 prej italianëve. Edhe sot ngrehina ruan stilin ndërtimor italian, me pamje dhe fasadë monumentale.
Drejtor i dytë i gjimnazit u bë profesori Safet Butka, nacionalisti me kulturë gjermane. Pas çlirimit, gjimnazit pa emër iu dha emri i dëshmorit komunist nga Kurveleshi, Asim Zeneli. Historia e kësaj shkolle njohu ndikimet politike të jashtme e të brendshme. Por emri i dëshmorit që mori më pas nuk u ndryshua deri më sot.
Në rininë e parë të shkrimtarit, kufiri me Greqinë bashkëkohore ishte mbyllur, por ekzistonte ura me Greqinë e lashtë të qytetërimit. Në Ggjimnazin e qytetit i riu merrte dozën e parë nga qytetërimi i lashtë grek: Homeri, Eskili, Euripidi, Sofokliu, Aristofani, Tirteu, Safoja, Anakreonti,“shekulli i artë” i Perikliut etj., por edhe njohuri për bëmat heroike të Herakliut, për betejat e Maratonës dhe Termopileve. Mësohej edhe urtësia e Ezopit.
Sipas modelit të liceut francez dhe programit të tij shkollor, në gjimnaz studjoheshin Kornei dhe Rasini, Volteri, Molieri, La Fonteni, Hygoi, idetë dhe parrullat e Revolucionit Frëng e të Komunës së Parisit: Dantoni, Marati dhe Robespieri, Bomarsheja dhe Eugen Potje.
Pas Çlirimit gjimnazi u prir nga modeli arsimor sovjetik, gjë që e dëshmon edhe zhvillimi si lëndë më vete i letërsisë ruso-sovjetike (Pushkini, Lermontovi, Turgenjevi, Tolstoi, Çehovi, Gorki, Majakovski, N. Ostrovski, A. Fadejevi), për lavdinë shkencore të Lomonosovit, jepeshin njohuri mbi gjeometrinë e Lobaçevskit, teorinë dhe praktikën e Timirjazevit e të Miçurinit, reflekset e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara të Pavllovit, raketën e Ciolklovskit, radion e Popovit, kuajt e egër të Perzhevalskit, delen ‘Merinos’ e cigaja ardhur nga Dagestani malor, kalin Zhabatinski apo lopën qumështore Komstromskaja…(Më përpara kryet e vendit i zinin dijetarë dhe shkencëtarë europianë, midis të cilëve, Njutoni dhe Lavuazje, Evarist Galua e Faradei, Markoni, Edisoni e sa të tjerë, francezë, rusë, amerikanë).
(Shumë emra burrash të shquar, mendjendritur, mund të dëgjoje në mësim, kurse tek zbrisje shkallët mund të dëgjoje të flitej për Mero Lamçen a Shemo Hajdutin).
Të rinjtë e asaj kohe kishin në dorë pak botime të reja, por kishin edhe një bagazh me libra nga e kaluara, letërsi “borgjeze” e të verdhë, që nga aventurat e Allen Pikertonit, historia e Kontit të Montekristos, “Ura e psherëtimave”, e Michel Zevonosë, një nga leximet e para në fëmijërinë e autorit. (Vepra e parë letrare shqipe që i ra në dorë ishte novela “Lulja e kujtimit” e Foqion Postolit).
Në sepetet e vjetra gjente edhe ndonjë libër a dorëshkrim arabisht a turqisht nga të babazotit, por ato ishin një letërsi memece, pa harruar krahasimin e shkrimtarit, që alfabetet e huaja, për shkak të bishtave të shkronjave, i quajti “kope me akrepë”…).
Biblioteka, një ndërtesë e vjetër në qendër të qytetit, tek Zigai, ofronte një rast për më tepër liri, sepse në Gjirokastër ishte pothuaj e ndaluar të dilte fëmija, sidomos vajza, pa leje nga shtëpia.
Afër Prefekturës ishte “Klubi i Gjuetarëve”, ku, nën degët e rrapit, uleshin shumë muhabetçinj dhe pak gjahtarë të vërtetë. Atje, në vitrinë, ishte edhe një peshk fluturues i balsamosur. Në atë klub plot tym shkonte edhe babai i shkrimtarit, për një filxhan kafe apo një gotëzë raki. Atje, kujton më pas autori, babai mësoi për kritikën ndaj librit të parë të tij me vjersha, që u bë shkas për shprehjen e hidhur të dikujt: “Vate dhe puna e djalit tënd” (Ismail Kadare, vjersha “Babai”). Kjo vjershë e shkruar në vitin 1957 dhe e botuar atëherë, u qortua, por autori e përmblodhi disa vite më pas në përmbledhjen e tij të re.
Pamja e pazarit: “Mbi tezgat, koshat, torbat, shamitë e hapura ishte një botë e gjelbër që te ne nuk ekzistonte. Lakra, barishte, qepë, buzëqeshje livadhesh, qumësht, vesë mëngjesi, djathë, majdanoz. Midis tyre tringëllimi i pareve: Pyetja për çmimin. Përgjigja. Pyetja sa? Sa? Sa? Sa? Murmurima. Mallkime. “Mos i hëngërshi!”, “I bëfsh paret ilaçe!”, (romani “Kronikë në gur”).
Afër xhamisë, tek Pazari, ishin “Kasapët”, vendi ku shitej mishi i bagëtive. Atje edhe fëmijët mund të shikonin se si mbi një shesh prej çimentoje pranë një rrapi thereshin bagëti, viça, dele e qengja, skena që përshkruhen në tregimin “Kasaphana”, skena ngjethëse sidomos për fëmijët, për të kaluar pastaj tek kasaphana e Luftës së Dytë Botërore:
“Papritur kasapi nxori me dorën e djathtë thikën nga brezi dhe në fillim çiku me majën e saj qafën e viçit, siç duket për të marrë drejtimin. Pastaj ja nguli thikën gjer në rrëzë. Viçit iu drodhën këmbët. Në fillim iu thyen gjunjët e këmbëve të përparme, pastaj ato të prapmet dhe nuk u ndie më. Pranë kokës së shtrirë në çimento filloi të zmadhohet pellgu i gjakut”, (Ismail Kadare, “Qyteti i Jugut”, f. 13).
“Kasapët” mbetën atje deri në kapërcyell të viteve 1960, kur u ngrit ndërtesa ku u vendos Komiteti Ekzekutiv i Rrethit, me ndryshimin se bagëtitë nuk thereshin atje, por vinin të therura e kasapët bënin vetëm detyrën e shitësit të mishit.
Pak më poshtë “Sheshit të Çerçizit” ishte mulliri i blojës, që e quanin edhe Fabrika e miellit. Atje, nga dera e hapur që dilte drejt e në rrugë, mund të shikoje mokrrat e mëdha që bluanin drithin, imazhin e të cilave autori e përdori tek poema “Shqipëria dhe tri Romat”, për të karakterizuar perandorinë otomane, që bluante dyzet kombe. Një mokërr gjigande ishte vetë qyteti i gurtë: bluante jetë njerëzish, ngjarje, dëshira. Ku më tepër se ky mjedis, ndoshta edhe më shumë se sa pranë rrulave të çeliktë, mund të përftohej ideja e gurëthyerjes. Të rinjve të dikurshëm, kur ai ende nuk kishte lindur, “Monarkia si gurëthyese u thyente ëndrrat”.
***
Leximi i hapi fëmijës Ismail një botë të re, joshëse, të mahnitshme, deri magjike. Shkrimtari kujton se në shtëpinë e tyre të vjetër e të madhe kishte gjithfarë rrangullash të çuditshme, edhe gjyle topi e hanxharë e thika, por jo libra. Shtëpia e një farefisi të afërm, kuadër me një post në administratën e qeverisë puniste, kishte një bibliotekë të pasur, nga ku fëmija dhe letrari i ri përfitoi mjaft.
Studjuesi i folklorit, Prof. Agron Fico, gjirokastrit, e kujton kështu shkrimtarin në bankat e gjimnazit:
“I mbyllur si njeri, ra menjëherë në sy për talentin poetik…Me Dritëronë dhe Kadarenë mblidheshim një herë në muaj në rrethin letrar të Gjimnazit, që e drejtonte profesori dhe poeti shkodran Vehbi Bala”. Talentin e poetit adoleshent e nuhati edhe rapsodi i verbër Vehip Mërkuri (Qorri), të cilin nxënësit e gjimnazit e mbiquanin “Homeri i qytetit” (Agron Fico, libri “Profesor në tre kontinente”, botuar në SHBA, 2004, f. 25-26). Xha Vehipi, sipas Prof. Agronit, e cilësoi I. Kadarenë: “…mendje e tij plot alitrika”.
Mjeku i njohur, Prof. Adem Harxhi, gjithashtu bashkënxënës, tek intervista “Ja si e kam njohur Kadarenë dhe Agollin”, dhënë A. Xholit, shprehet se I. Kadareja “ishte i padiskutueshëm në letërsi. Hartimet e tij mësuesi i varte në gazetën e murit, të shkollës. Hartimet e tij lexoheshin me shumë ëndje. Ismaili kishte natyrë pak të mbyllur, nuk i binte në qafë askujt dhe i shmangej sherrit, ndërsa ne zhgrryheshim kudo, loznim dhe ziheshim, ai ishte botë më vete. Nuk ishte aktiv në lojëra, por ishte shumë aktiv në lexime. Vinte i ndrojtur, por i sigurt. Pra, kur ne loznim, ai lexonte. Kadareja është produkt i punës së tij. Kjo në kuptimin se në të gjithë luanim futboll në fushën e sportit, Ismaili shkonte në bibliotekën e qytetit dhe lexonte dhe vetëm lexonte. Ai lexonte edhe romane të ndaluara për kohën, që i rrëmonte rrëzave të bibliotekës dhe të nesërmen na i tregonte të gjithëve sikur të kishte shirit magnetofoni. Lexonte sikur i hante librat, ndërsa neve na i tregonte si përrallat”. Një ditë fëmija mësoi se librat gjendeshin edhe në librari, mund të bliheshin. Deri atëherë atje për fëmijët bliheshin vetëm fletore dhe lapsa.
Libri u bë udhërrëfyesi i jetës në moshë mjaft të re dhe leximet ishin një investim kapital për të ardhmen.
Fëmijës në rritje të lexuarit i ngalli dëshirën të shkruajë letërsi e të mendojë jo pa naivitet se edhe ai ishte shkrimtar, madje jo më i keq se të tjerët që botonin libra me syprina të bukura. Shkruante në mënyrë të vetvetishme, edhe pse shumica e krijimeve të asaj moshe ishin imitime të ndonjë vepre të Shekspirit apo Servantesit.
11 vjeçar, shkrimtari i ardhshëm kopjoi me dorë të gjithë tragjedinë “Makbeth”.
“E kopjova fjalë për fjalë në një fletore, pa e kuptuar se çfarë bëja. Isha njëmbëdhjetë vjeç. Nuk e kisha idenë e Shekspirit, as të tragjedisë. Madje, nuk e dija se ç ishte leximi ose shkrimi i një libri. E kisha gjetur atë gjë në bibliotekën e gjyshes sime – në shtëpinë e prindërve nuk kishim libra. Ne banonim në një shtëpi të madhe, me gjithë të ardhurat modeste të prindërve. Kishte gjithë ato dhoma bosh, të cilat unë i mbushja me imagjinatën time”, (Ismail Kadare, shkurt 2013).
Natyra e tij e mbyllur në fëmijëri dhe shtëpia e madhe e pa zhurmë, gjente brenda saj vetminë që i nevojitet procesit krijues. Procesi i krijimit artistik, sidomos atij letrar, kultivon individualizmin, i cili mund të arrijë caqet e një egoizmi të pakontrolluar. Për këtë flet historiza e bashkëpunimit për të shkruar një roman, në moshën 12-13 vjeçare, historizë që e përçik edhe shkrimtari Agim Shehu në intervistën dhënë gazetarit Ilir Bushi: “Pas një grindjeje fëminore, e ndamë romanin përgjysëm”.
I vendosur dhe i ndërgjegjësuar për rrugën e vështirë të artit, arriti të afirmohet, të dalë në krye dhe të pasurojë me librat e veta jo vetëm bibliotekën e qytetit por edhe Bibliotekën Kombëtare e më gjerë.
Dhe vjen pyetja e natyrshme: A do të bëhej Kadareja ai që është, po të mos kishte lindur pikërisht në Gjirokastër, në mjediset dhe rrethanat e papërsëritshme që jetoi e përjetoi? Jo thjesht në prizmin e gjenealogjisë apo të banimit në një mjedis konkret, por në një gërshetim rrethanash e faktorësh. Nga ana tjetër, a është kryekëput përcaktues fakti që lindi dhe u rrit atje? Për këtë na vjen në ndihmë vetë I. Kadareja në intervistën dhënë Adi Krastës:
“…Sigurisht qyteti i lindjes luan një rol të jashtëzakonshëm, sikurse luan fëmijëria, sikurse luan shtëpia ku je rritur. Do të thosha se më shumë se qyteti vetë, ose bashkë me qytetin ka luajtur rol shtëpia ime, që ishte tipike e qytetit dhe që mendoj se luante rol për çdo njeri. Një shtëpi si të gjitha ato shtëpitë gjirokastrite, me atë arkitekturën e saj të brendshme, me pazakonshmërinë e saj, sigurisht që e zhvillonte mendjen e njeriut në drejtime të papritura. Pa qenë shkrimtar, mund të ishe thjesht qytetar, por mendja jote punonte në mënyrë artistike, ose në një mënyrë artistike që është afër delirantes, që është shumë e pakontrolluar”.
Pra, edhe shtëpia, me arkitekturën e pazakonshme dhe hapësirat e saj e nxiti që të mendonte në mënyrë artistike. Dhe, sikur Gjirokastra të ishte një qytet i rrafshtë, pa variacione dhe pa horizonte, ku nuk mund të shikosh përtej shtëpisë sate, me siguri, fantazia e shkrimtarit në fëmijëri do të ishte mjaft e kufizuar.
Ishin dhjetë-dymbëdhjetë dhoma e mjedise, nga dy dhoma për çdo anëtar të familjes. Arsyeja e bollëkut të pashembullt hapësinor është se familja Kadare dikur ishte e madhe, patriarkale. Ndoshta dikur vëllazëria u nda dhe krijoi degëzime të tjera. Kurse brenda shtëpisë familja aristokrate ra nga vakti (kështu u tha edhe për Naim Frashërin – bej i rënë nga vakti). Nga ajo derë, breza më parë, kishte dalë juristi me emër Shahin Kadare, pra, kishte një traditë nëpunësore e kadilerësh. (Shkrimtari flet për rreth 300 kadilerë gjirokastritë në administratën otomane).
Megjithëse kishte tepricë mjedisesh banimi, familja nuk futi niqastarë, nevojtarë të tjerë për banim ose për përfitim qiraje. As pushtuesi gjerman, siç u përfol për ndonjë rast në qytet, nuk hyri në të, as ndonjë jabanxhi apo oficer pas Çlirimit, siç edhe kishte ndodhur. Por futja e të tjetëve, të huaj, madje, “pushtimi” plotësisht prej tyre, ndodhi vetëm pasi familja u largua në Tiranë, e tërhequr nga shkrimtari. Atje banuan afro tridhjetë vite dy-tri familje, që përfituan nga ikja e Kadareve dhe që, dashur pa dashur, shkaktuan fatkeqësinë e madhe, djegien kulm e themel të saj.
Dera e familjes Kadare nxori nëpunës, pronarë e kuadro në fusha të ndryshme, por ngjan se vetëm Ismaili ishte i pari Kadare me prirje letrare dhe që zgjodhi rrugën e shkrimtarit. Hapi i parë – kopjimi mekanik i një libri të huaj, për të shkruar një ditë me atë dorë veprat e veta origjinale, për të shekspirizuar.
Me gjithë vlerësimin e lartë për Homerin, Eskilin, Servantesin, Gogolin apo Kafkën, “shkrimtari absolut i gjithë botës dhe i të gjitha kohërave për të ishte Shekspiri”, (Helena Kadare, “Kohë e pamjaftueshme”, f. 343).
Helena përmend si të vetmin autor disident të Shqipërisë poetin sensual Kiço Spiri nga Zagoria, vjershat e pabotuara të të cilit qarkullonin dorë më dorë, dhe duam të besojmë se ai gëzonte edhe simpatinë e Ismailit (f. 260 e librit të saj). Sfidën e zagoritit kuturjar shteti diktatorial e nënvlerësoi, dhe poeti i prapamalit nuk pësoi gjë.
Me përjashtim të ndonjë trupe amatore në të kaluarën, teatri nuk ekzistonte, në qytet ai u hap afro tri dekada më pas. Jo nga dëshira, por nga rrethanat, e nisi nga më e vështira. Ta nisje leximin e parë, të jetës, me një tekst tragjedie, aq më tepër që ky ishte i Shekspirit, ishte një test jashtëzakonisht i rëndë, gati dërmues. Nuk mjaftonin përrallat dhe loja e hijeve në mure, prej flakëve të zjarrit të gjirmës. Duhej të njihje kodin artistik të teatrit dhe, mbi të gjitha, të kishe fantazi. Dhe shkrimtari e kujton këtë provë jo për të treguar sa i zoti ishte, por sa vështirësi i dolën, gati të pakapërcyeshme, për të gjetur rrugën e letërsisë.
Në traditën europiane familjet aristokrate e jo vetëm ato, për edukimin e fëmijve paguanin mësues privat gjuhe, muzike e të tjerë. Familja e bjerrur nga vakti ekonomikisht e Kadarenjve nuk e kishte këtë mundësi dhe as ishte bërë traditë në qytet. E prindët e tij nuk u kujdesën posaçërisht në këtë drejtim.
Pra, mund të themi se shkrimtari i ardhshëm u vetëndriçua, e gjeti vetë rrugën në një moshë aq të vogël. Është e habitshme nuhatja që pati, informacioni që kërkoi, inisiativa dhe vendosmëria për të hedhur një shigjetë si djaloshi i përrallës që, duke shkuar pas saj, gjeti “Të Bukurën e Dheut”.
Që fëmijë, nxënës në shkollën fillore, nisi të dërgojë vjersha në shtypin letrar të kohës, në gazetën “Pionieri” e në revistën e LSHA në kryeqytet. Krijimet e para ia lexoi edhe kryeredaktori i atëhershëm i gazetës “Pionieri”, gjirokastriti Zihni Reso. Përgjigjet nuk ishin gjithmonë të këndshme, por letrari i ri nuk dekurajua e nuk u tërhoq.
Djaloshi i imët dhe disi i mbyllur ishte përfshirë në atmosferën dhe garën letrare të shkollës së mesme. Shkrimtari Sulejman Mato kujton si e njohu I. Kadarenë gjimnazist, kur ishte edhe vetë në Gjirokastër e shkonte në shkollën fillore “Drita”:
“E njeh këtë? – më pyeti një ditë vëllai më i madh, Jakupi. – Ky është poet. Shkruan vjersha”, kujton poeti Sulejman Mato: – Nga pamja e tij djaloshare më mbetën në mend vetëm syzet e tij të bardha.
Gjimnazi u bë fidanishtja e talenteve të reja në fushën e letërsisë, përkthimeve, gazetarisë apo studimeve letrare si: Dritero Agolli, Agim Shehu, Luan Rexhepi, Gaqo Veshi, Jakup Mato, Bardhyl Xhama, Nako Bezhani, e ndonjë tjetër. I. Kadare ka pohuar se rrethi letrar i shkollës i asaj kohe kishte një atmosferë shumë të këndshme dhe entuziaste. Nga ai rreth letrar e ajo shkollë, shkruan studjuesi Agron Fico, gjithashtu nxënës i Gjimnazit të Gjirokastrës, dolën shkrimtarët e shquar Ismail Kadare e Dritëro Agolli, dhe të tjerë si, Muzafer Xhaxhiu, Qamil Buxheli, Pano Taçi, Bekim Harxhi.
– Si e kujtoni letërsinë dhe lëndën e letërsisë kur ishit gjimnazist? Po shokët e klasës, të shkollës dhe profesorët tuaj, si i kujtoni?
– E kujtoj me shumë gëzim gjithçka që lidhej me letërsinë dhe librat. Ishte një nga gëzimet e sigurta, nga ata që nuk të braktisin kurrë”. (Nga libri i Arshin Xhezos “Takim me shkrimtarët”).
17 vjeçar, Ismaili mori një çmim letrar kombëtar. Kishte një përvojë fillestare bashkëpunimi me organet e shtypit të kohës dhe ishte bërë i njohur në qarqet letrare të kohës. Në klasën e tretë të Gjimnazit dërgoi për botim përmbledhjen e tij të parë me vjersha, që doli në dritë një vit më vonë. Botimi i parë, “Frymëzime djaloshare”, me një dozë dlirësie dhe një tjetër dozë jo të vogël politizimi, i hapi rrugën për të shkollën e lartë, për të zgjedhur përfundimisht udhën e jetës.
Vlera e atij libri sot qëndron më tepër në nismën dhe kurajën e autorit të ri për të mëtuar, për të besuar në forcat e veta dhe arritur objektiva ambicjoze. Atëhere botimet miratoheshin më përpara nga kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve e asaj kohe, një komision special i saj, ku, siç duket, simpatizantët ishin më tepër se kundërshtarët. Gjithçka nisi me kurajën dhe përvojën fillestare në marrëdhëniet e tij me shtypin letrar. Ishte një libërth brenda standardeve rutinore të kohës, pa ndonjë surprizë përveç moshës, libërth që nuk la gjurmë e që ka rëndësi vetëm se na kujton pikënisjen e rrugës së madhe.
Përtej pasionit për lexim e dituri, shkrimtari dëshmoi për kërkime të vazhdueshme, për të qenë sa më origjinal, për të mos hyrë në kallepe dhe që të shkonte kundër rrymes. Kjo prirje e bëri antiskematik dhe origjinal në krijimtarinë letrare dhe në menyrën si e vështronte dhe gjykonte realitetin rreth vetes e më tej.
Në kujtimet e moshës shkollore vërehet se si i riu krijon gjykimin e vet, realist e të pavarur, për shoqërinë, me një kritikë që erdhi duke u ashpërsuar në vazhdim. Fëmija me një fëmijëri të qetë rebelohet kur bëhet adoleshent e kjo ndodh sepse ai përballet me realitetin gri, që shfaqet gjithnjë e më i zhveshur përpara tij. Gëzimet ishin të paka, sikur jepeshin me triskë ushqimore. Seria e librave të I. Kadaresë, që pasqyrojnë artistikisht vendlindjen, janë akte proteste dhe ndërgjegjësimi. Si mund të mos indinjoheshe dhe rebeloheshe ndaj një qyteti ku gjithçka ishte “e vjetër dhe e gurtë”? Të mos rebeloheshe ndaj shoqërisë që e ndrydh fëmijën e të riun në familje e në shkollë, ndaj pamundësisë për të plotësuar dëshirat e natyrshme të moshës?
Këto dëshira e mllefe i japin zjarr subjektit letrar, herë si shkëndijë e herë si ashku i eshkës që digjet përbrenda. Thyerja e kodit “të amëshuar” në jetë e pastaj në krijimtarinë letrare u bë mënyrë sjellje e të menduari për djaloshin, edhe pse së jashtmi nuk ta jepte përshtypjen e rebelit. Nga ana tjetër, ky rebelim bashkëzanon me qyfyret e humorin, që e bëjnë më të këndshëm përshkrimin dhe lehtësojnë vuajtjen shpirtërore të lexuesit.
Ndjekja e kësaj ecurie dhe procesi ndërgjegjësimi të shkrimtarit na jep edhe informacionin e nevojshëm për të njohur hap pas hapi Gjirokastrën “e tij”. Kadareja e ka quajtur Gjirokastrën qytet me dy kështjella, një prej të cilave ishte gjimnazi, kështjella e dijes, dhe me arsye. Nga kjo shkollë dolën nëpër dekada qindra kuadro të fushës së arsimit, shkencës e kulturës, drejtimit të ekonomisë e të shtetit, që i dhanë dhe i japin sa munden më mirë shoqërisë shqiptare.
Midis të tjerave, në historikun e shkollës përmendej me krenari se ajo i kishte dhënë LANÇ 46 dëshmorë, nga qyteti dhe krahina të ndryshme të rrethit e të vendit. Por, megjithë respektin për dëshmorët e lirisë dhe faktin se dikur redaksia e gazetës “Drita” ku punoi, ishte në rrugën me emrin e një dëshmori të gjirokastrit, Zenel Baboçi, shkrimtari është i mendimit se shkolla e pagëzuar me emrin e një dëshmori nga Kurveleshi, komisarit Asim Zeneli, mund të quhet pa fyer askënd: Gjimnazi i qytetit, si dikur. I.Kadareja thekson se në atë gjimnaz dhanë mësim pedagogë të shquar. Të tillë ishin intelektualët gjirokastritë: Aqif Selfo, Siri Shapllo, Qibrie Ciu, Kadri Baboçi, Zihni Sako, etj., që më pas u shpërngulën në Tiranë si kuadro mësimdhënës e drejtues instutucionesh, deri në Ministrinë e Arsimit. Për disa muaj, më 1940, i transferuar për mosbindje ndaj burokratëve të Ministrisë së Arsimit, në këtë gjimnaz dha mësim disa muaj Prof. Eqerem Çabej.
Në gjimnazin e Gjirokastrës kishte pedagogë nga disa rrethe të vendit, midis tyre – poeti e studjuesi Vehbi Bala, pedagogia Arta Franja, pedagogu me mbiemrin Repishti, të tre ardhur nga Shkodra. Në atë shtab mësimdhënës sikur ishin bashkuar dy skaje gjeografike, dy “ekstreme”, Veriu me Jugun, për të përftuar një rezultante që i shërbente mbarë vendit.
Në vitet e para pas Çlirimit, nëpër rrugët, rinia e Gjimnazit kalonte si shungullimë stuhie, duke bërtitur: “Tradhëtarët në litar! Tradhëtarët në litar!”. Dhe “Votat tona janë për Frontin!” e duke hedhur në erë fletë – volante…
Arturi, sekretar i rinisë, “Merr përsipër rolin e njëfarë xhandari ideologjik ndaj mësuesve, të cilët, sipas tij, sabotojnë gjatë shpjegimit. Për të, ata janë borgjezë. Nga organet e rrethit e kritikojnë për sektarizëm e më pas e zëvendësojnë. Mësuesit gëzohen për këtë ndryshim dhe fillojnë të vënë përsëri borselinat si dikur”. (Tefik Çaushi, “Kadare, Fjalori i personazheve”, Tiranë 1995, f. 44).
Autori në krijimin letrar flet për rrahjen e mësuesit italian, por, sipas një interviste të shkrimtarit, më flagrant ishte dhunimi prej gjimnazistëve i një mësuesi shqiptar. Kështu, u rrah egër prej tyre pedagogu i latinishtes, Frano Allkaj, “për sjelljen e tij borgjeze”.
Kurse disidenti Agim Musta në librin e tij “Gjëmat e Komunizmit në Shqipëri”, bën të ditur se nxënësi 16 vjeçar Mehmet Gurgaj u rrah deri në vilanosje, duke i futur kokën në fekalet e nevojtores, për një parrullë “armiqësore” që kishte shkruar. (f. 217 e librit të tij).
Edhe në librin “Çështjet e marrëzisë” flitet përsëri për një rrahje mësuesish, me ndonjë ndryshim emri a profil personazhi. Humoristi Gaqo Veshi, ish konviktor në gjimnazin e Gjirokastrës, kujton se si përgjegjësi i konviktit, gjirokastrit, u thoshte konviktorëve në mensë që t’i hanin patjetër lakrat, sepse ato ishin vaditur me gjakun e dëshmorëve!…
Megjithë qëndrimet e politizuara të kohës, Gjimnazi ishte paja e qytetit, rinia e tij ishte promotore e emancipimit dhe përparimit në mjedisin gjirokastrit. Ajo i jepte gjallëri qytetit me manifestimet e ndryshme kulturore, sportive, me vajtjen në aksionet vullnetare si ai i hidrocentralit të Shkopetit, Hekurudha Durrës – Peqin, Rruga e Dritës në Ferr – Shkopet, Rruga e Rinis (Kukës – Peshkopi) e mjaft aksione lokale (nga të cilat shkrimtari kujton me ironi hapjen e kanaleve nëpër luginë, një herë për ujitje e herës tjetër për kullim të tokave).
Ky entuziazëm e dinamizëm rinor ndikoi në ndërgjegjen e shkrimtarit të ri. Vështrimi i realitetit shoqëror me sytë dhe aspiratat e brezit të vet erdhi duke u forcuar (poema “Shënime për brezim tim”, 1960). Poeti i ri shprehte bindjen se koha i ngarkonte brezit të tij detyra të mëdha, epokale, dhe se e ardhmja e këtij brezi ka horizonte të gjera. Por më pas kjo frymë u zbeh dhe, në prozë, nxjerrin krye ironia dhe fshikullimi satirik, që bëhen zotëruese.
Përtej mjedisit të rezervuar e pothuaj neutral familjar, përkrahës i tij ka qenë, ndoshta, vetëm ndonjë mësues dashamir. Kujdestari i rrethit letrar të Gjimnazit ato vite, studjuesi dhe poeti Vehbi Bala, ka botuar në gazetën “Drita”, vjeshtë 1977, kujtimet e veta, ku flitet edhe për një ekskursion letrar me një kamion me karroceri të hapur, nëpër xhadet plot pluhur e kthesa, ofruar nga drejtuesi politik i Rrethit, Haki Toska, prefekt dhe më pas Sekretar i Parë i Partisë i rrethit.
Në rrethin familjar të shkrimtarit ishte një gjeneral, Tahir Kadareja, kushëri i babait. Ky kishte lënë përgjysëm studimet në akademinë ushtarake jashtë shtetit, që të luftonte me armë në dorë për çlirimin e Shqipërisë. Çlirimi e gjeti Komandant Divizioni të ushtrisë partizane shqiptare në Kosovë. Më pas Tahiri u ngarkua me detyra të rjeja, por, pas një përplasje të ashpër me Enver Hoxhën, karriera e tij mori fund. Kishte edhe ndonjë ves Tahiri.Por familja e farefisi Kadare nuk mbeti pa gjeneral. Ngjan se pas romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” Ismaili vuri mbi supe spaletat e “gjeneralit” të letërsisë shqiptare. Shpatë “parade” gjenerale bëri penën e vet.
***
Diku në skaj, atje ku takoheshin dy lagjet, ishte shkolla fillore (plotore) dhe pak më lart shkolla e mesme, gjimnazi i qytetit, për ku kalohej edhe nga “Sokaku i të Marrëve”. Kalimi nëpër të ishte si një lloj provimi i përditshëm, si një kusht për të shkuar drejt një bote normale, që, siç e dëshmon shkrimtari, nuk ishte aq normale. Gjithsesi, vajtja në shkollë jepte mundësi që njeriu të bëhej i arësier (me arësim, pra, edhe me arësye, logjikë…).
Shumë përjetime e peripeci të moshës së hershme të autorit gjejmë në prozën e vargjet për atë periudhë, si: “Qyteti i jugut” – “Kronikë në gur”, vjersha për kinemanë e vjetër, për kalldrëmet ku ritmeve të vargjeve u thyheshin gjunjët (tek ripunimi i poemës “Ëndërrimet”) etj.
“Kambana në mëngjes,/ myezini në muzg”, shkruante dikur autori. Dhe, në variantin e ripunuar të poemës për vendlindjen, I. Kadareja foli për një dramë dashurie, kundër së cilës ndërmorën një minikryqëzatë “ungjill, kanun e fe”…
Tek vjersha “Lisi” poeti thoshte se lisin, në zgavrën e të cilit djali dhe vajza linin dhe këmbenin letrat e dashurisë, një ditë e bëri shkrumb një rrufe E ja, më pas një brengosje tjetër: nëna, gjatë mungesës së djalit, i kishte lyer me gëlqere emrin e vajzës që ai dashuronte dhe fjalët e dashurisë shkruar në mur pas një dollapi.
Në mjediset shqiptare e gjirokastrite dashuria ishte privacion, dëshirim i dhimbshëm dhe dramë (dashuria e bariut me Tanën tek balada e hershme “Xhuraja” dhe “Kënga e millonait”).
Përtej kërkesës së natyrshme për të gëzuar dashurinë, si pasion dhe dhuratë e moshës, I. Kadare ishte nga të rrallët shkrimtarë që përcolli sensualitetin dhe e trajtoi seksin jashtë standardit zyrtar. I rritur në një mjedis ku bashkëjetonte fanatizmi anadollak me asketizmin e krishterë, dhe pasi e la prapa romantizmin pasiv edhe në fushën e dashurisë, shkrimtari aspiroi për frymëmarrje, për atë që anatemohej si “dashuri e lirë”.
Student në Moskë, djaloshi jetoi dallimin e thellë midis vajzave të ëmbla ruse e të tjera kombësive, dhe mbylljes e ndrydhjes së femrës në botën shqiptare. E përforcoj këtë me vargjet e Eseninit drejtuar persiankës, së cilës i thotë se: ne në Rusi nuk i lidhim femrat me zinxhirë, por i lejojmë të puthen me atë që u do zemra.
Në romanin e tij të parë autori vendos pranë e pranë elementet konservatore me ato “novatore”: në një mbrëmje vallzimi të rinjtë i shoqëron muzika e xhazit, dëgjohet kënga “Volare”, e sapokënduar nga Domeniko Madunjo, (këngë që u shpall më e mira e jubileut 50 – vjeçar të festivaleve të Eurovizionit), përmendet këngëtarja Marina Vladi dhe divorcimi i saj. Personazhia simpatike tek “Çështje të marrëzisë” këndon “O sole mio” dhe thotë amore mio. Në Gjirokastrën e Pas-Çlirimit gjejmë raketa tenisi, kartëvizita, fundin zving të femrave. Dëshira e ligjshme për të njohur botën e madhe përforcohej nga një lloj prirje e fshehtë, instiktive e provincës për të shijuar mollën e huaj. I degjeneruari Qimo, tek romani “Qyteti pa reklama”, 1959, kërkon të shesë një shishe kokaine! Në romanin “Kukulla”, 1915, mësojmë se në qytet në vitin 1953 dolën në farmaci prezervativat, që, siç thotë autori, në opinionin mikroborgjez e provincial u cilësuan si shfaqje borgjeze!
Në vëllimin “Frymëzime djaloshare” poeti 17 – vjeçar përfshiu edhe një vjershë të gjatë për Parisin (edhe një për Moskën, diktuar nga botuesi). Kështu, brenda botës komuniste, djaloshi tregonte prirjen drejt qytetërimit perëndimor, që erdhi duke u kristalizuar e forcuar deri sa, në rrethanat e reja, e bëri Francën atdheun e tij të dytë.
Shtëpia botuese “Fayard” në Paris mori eksluzivitetin e veprës letrare të tij, duke e ribotuar tri herë korpusin e tij letrar.Disa libra të tij janë futur në programin zyrtar të liceut francez në Francë.
Në Francë Marçelo Mastrojani dhe Michele Picoli xhiruan filmin me skenar nga romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. I. Kadare është dekoruar me urdhërin “Kalorës i Kryqit të Legjionit të Nderit” dhe Viti i Ri 2016 u hap me lajmin e dekorimit të shkrimtarit shqiptar Ismail “Commandeur de la Legion d’Honneur”: Komandant i Legjionit të Nderit, sipas dekretit të Presidentit të Francës, Fransois Holande.
“Commandeur de la Legion d’Honneur” është më prestigjiozi në Francë dhe jepet që nga viti 1802. Çmimin në fjalë viteve të kaluara e kanë marrë emrat si, Amos Oz – shkrimtar izraelit, Xhuzepe Verdi, Princi Aleksandër i Serbisë, aktori Clint Eastwood etj. Mësojmë se këtë vit janë nderuar me këtë çmim 600 persona, mes të cilëve viktimat e Charlie Hebdo, Vanessa Paradis, Lionel Jospin, Michel Legrand etj.
Me këtë rast, mediat shqiptare theksojnë se ky është nder i madh edhe për Shqipërinë.
Franca, kryeqyteti kulturor i botës së sotme, e vlerëson përsëri lart. Parisi ngul këmbë, por Gjirokastra nuk tregohet entuziaste, kurse një opinion keqdashës na bën të paralelizojmë vargjet: “Shqipëri, o shkëmb e gur,/ vritu-pritu për flamur,/ bota hiq e tinë vur!”, me: Mëmëdhe, pse kaq armiq,/ Bota vur e tinë hiq!…
Si zbulim u paraqit në shtypin shqiptar, janar 2014, fotografie e shkrimtarit, dalë me këmishë të bardhë dhe me papijonin e zi dhuruar nga Presidenti francez Fransoi Miterand. (Në Izrael Kadareja ka dalë fotografi me kapuçin e bardhë të besimtarit hebraik). Kështu, ish provinciali I.Kadare shfaq e thekson më tej prirjen e vet kozmopolite.
***
Citojmë pjesë nga intervista që shkrimtari i dha Piero del Giudicios e Diamant Abrashit, të revistës italiane “Galatea”, Paris, shkurt-mars 2004:
– Libri “Kronikë mbi gur”, Gjirokastra. Këtu u lindët ju më 1936, këtu kaluat fëmijërinë dhe rininë e hershme. Qytet i kufirit.
– Një qytet plotësisht atipik. Duke e shikuar, duke e përshkuar, është e vështirë të kuptohet gjendja e njërit apo tjetrit, është e vështirë të kuptohet në shikim të parë se kush është i varfër e kush i pasur. Shtëpi të mëdha ku jetojnë familje modeste afër me shtëpi të mëdha ku jetojnë familje shumë të pasura. Në kohën e fëmijërisë sime Gjirokastra ishte e banuar nga funksionarë të ish-perandorisë otomane. Pas rënies së Perandorisë këta ishin kthyer për të jetuar në qytetin e tyre dhe jetonin nga pensioni-shpesh një gjysëm pensioni, pensione vërtet modeste. Perandoria kishte rënë që prej pak më shumë se 20 vite dhe këta nëpunës, fisnikë otomanë perandorakë, ishin kthyer në Shqipëri. Me gjuhën e tyre të huaj, me zakonet e tyre të huaja.
Mendoja se mos ishin të çmendur. Qyteti nuk ka pasur asnjëherë shumë banorë, atëherë kishte ndonja njëzet mijë – që ngelën ashtu për një shekull, – sot dyzetmijë, por nëse shikohet nga lart, duket sikur të ishte një qytet i madh, me njëqind, dyqindmijë, gjysëm milioni banorë. Kjo, për shtëpitë e mëdha…
Në intervistë televizive dhënë Adi Krastës shkrimtari thotë:
“Do të thosha se më shumë se qyteti vetë, ose bashkë me qytetin ka luajtur rol shtëpia ime, që ishte tipike e qytetit dhe që mendoj se luante rol për çdo njeri. Një shtëpi si të gjitha ato shtëpitë gjirokastrite, me atë arkitekturën e saj të brendshme, me pazakonshmërinë e saj, sigurisht që e zhvillonte mendjen e njeriut në drejtime të papritura”.
Vijon Blendi Fevziu:
– Shtëpia juaj si ishte?
– Edhe ne jetonim në një shtëpi gjysëm të zbrazët. Një familje përmasash jo të mëdha. Babai im Haliti, lajmëtar postier i gjyqit – aktet gjyqësore dërgoheshin rekomande përmes postës – mamaja ime e tre fëmijë: unë, një vëlla dhe një motër. Por shtëpia me tre kate me një sallon stërmadh 14 metra për 7. Të gjitha sallonet e Gjirokastrës ishin ashtu. Mund të gjendej gjithçfarë, gjëra antike, të vjetra, për më tepër të panevojshme, megjithate të mbajtura aty. Kishte gjithçka por jo edhe libra.
– Jo libra???
– Kishte edhe gjyle topi, nuk di përse, por libra jo. Po natyrisht që kishte libra shkollorë e ndonjë romanth të lehtë, por vetëm në shkollë të mesme e kam bërë leximin e parë serioz – Shekspirin në një botim të shkëlqyer shqiptar. Më tërhiqte një imazh fantazme në faqen e parë. Kam filluar ta lexoj duke menduar se bëhej fjalë për një rrëfim me zana, fantazma e shtriga. Nuk e kuptoja mirë, por më tërhiqte përmes këtij aspekti misterioz. Bëhej fjalë për Makbethi-n. E kam kopjuar me dorë, për ta pasur në shtëpi. Mund të thuhet se ky ishte libri i parë që pata shkruar, kam kaluar ditë të tëra duke e kopjuar. Më pat shituar Shekspiri, pas Makbethi-t pata filluar të lexoja Hamleti-n, sepse pata parë fantazma të tjera, por Hamleti më ka dëshpëruar, shumë i komplikuar, pos aktit të parë, ai me fantazma, pastaj kam menduar se ishte i mërzitshëm, pa vlerë.
– Fantazma në Gjirokastër?
– Një qytet shumë antik, që favorizonte psikologjinë mitike në të cilën jetonin shumë njerëz. Të jetuarit në mite, në një gjendje iluzioni permanent, të humbur në kujtime. Jo pak e përzienin të vërtetën dhe gënjeshtrën, realitetin dhe fantazinë, flitej për komplote, zbuloheshin intriga. Kur isha i vogël, kam dëgjuar shumë fjalime të kësaj natyre dhe kjo e ka ndikuar fëmijërinë time, më dha idenë, sugjestionin e një perandorie fantazmë tashmë të zhdukur dhe që ngelej vetëm në kujtime”.
Fantazmat shfaqeshin në terrin e natës dhe në pandehmat e bestytnive. Midis fantazmave lokale ishte edhe lugati. “Se nuk më erdhi natën si lugat frymëzimi” pohonte poeti tek vëllimi “Shekulli im”, më 1961. Me lugatin dhe gogolin nënat e gjyshet trembnin fëmijët, që të flinin, duke bërë në të vërtetë t’ua hiqnin gjumin. Dhe disa vite më vonë poeti flet për të lashtat frikëra të botës së vjetër.
Sa ndikuan në psikologjinë e fëmijës Ismail ankthet dhe frikërat e kësaj natyre? Besojmë se ndaj tij në mjedisin familjar nuk u përdorën mjete të tilla presioni, por gjithsesi ia injektoi mjedisi më i gjerë. Dhe ai pati aftësinë e “nuhatjes” e të “përballjes” me to në hapësirat e zbrazëta të shtëpisë, në natën pa dritë, në përsiatjet ndaj zhurmave në rrugicë apo në kalldrëmin poshtë kubesë, në shprehjen me shejtanin e përroit. Gjithsesi, fantazmat dhe Shekspiri nxitën tek autori prirjen fantazmagorike dhe ushqyen fantazinë e tij, aq të zhvilluar si mjet e përmasë artistike.
Μendoj se tepërohet me theksimin e “syrit fëminor” në vështrimin e realitetit nga autori. Ajo që nuk është vënë re dhe nuk është thënë për stilin që të bën për vete, për artin dhe psikologjizmin e personazhit rrëfyes, janë imitimi prej të vegjëlve i bëmave dhe mënyrës së të menduarit të të rriturve. I tillë është episodi ku personazhi tregues puth Suzanën moshatare, pak kohë pasi djaloshi fatkeq puth vajzën e rritur dhe në puthje e sipër kjo vdes nën kubenë që u shemb prej bombardimit. Po ashtu, orvajtja e fëmijës për të prodhuar metelikë me metoda artizanale te “Koha e parasë”, më tepër se veprim i mirëfilltë keqbëres është imitim i të rriturve, i një praktike të dëgjuar.
Të tilla konceptime ka disa nëpër vepra të ndryshme. Pa njohur e vlerësuar etikën dhe teknikën e psikoimitimeve, nuk mund të kuptohet plotësisht mjeshtëria e shkrimtarit në mbrujtjen dhe portretizimin e një vargu personazhesh të tij.
Një vështrim ngushtësisht subjektiv e përsëri aq i gjerë dhe përgjithësues:
“Kjo kronikë nuk është vetëm kronikë e një “qyteti prej guri”. Duke tejkaluar caqet e një qyteti, ajo përfshin në faqet e saj dramën e qyteteve, të vendeve, të popujve, madje edhe të kontinenteve të tëra, duke krijuar një atmosferë epike, të rëndë, si gurët që përshkruan.
Kjo është autopsia e një qytetit shqiptar”. (L’ Eclaire, Νantes, 13 shkurt 1973. Marrë nga parathënia e “Kronikë në gur”, Botimet Onufri, 2000).
Në krijimet e shkrimtarit qyteti del me individualitetin e papërsëritshëm njerëzor, të urbanistikës dhe arkitekturës dhe me veçoritë natyrore dhe klimatike, që përmenden sidomos te “Kronika… ”, ku vetëm të dhënat e stacionit metereologjik mungojnë. Gjithsesi, klima gjirokastrite, natyrore dhe shpirtërore, ndihet e fortë dhe pa nota idilike.
***
Shkrimtari i ardhshëm lindi dhe kaloi fëmijërinë në vitet e pasigurisë dhe u ul në bankat e shkollës fillore në vitet e Luftës. Shkoi në shkollën “Drita” edhe kur mëngjezeve dëgjoheshin breshëritë e armëve. Mori atje mësimet e librave, mësime jete e mësime lufte. Psikoza e pasigurisë dhe e rrezikut lanë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e tij të njomë dhe ngjyrosin kujtimet për Gjirokastrën e dikurshme.
Përjetoi bombardimet, të cilat i përshkroi edhe në librin e tij më të ri për vendlindjen. Dëgjoi jehonën e betejave në rrugët e qytetit, për çlirimin e tij dhe gëzimin e fitores. Më pas në përjetimet e tij hyri vargu i refugjatëve çamë në xhaden plot pluhur në këmbët e qytetit, anës lumit. Këtë gjurmë e gjejmë në poezinë që hap vëllimin “Shekulli im”(vargjet e pafund të refugjatëve/me nofulla të kyçura/ sikur kanë kyçur në to/ të fshehtën e kësaj toke).
Në jetën plot mungesa, koleksioni i pullave postare – një pasion i fëmijërisë: “Shkëmbimi i një Ceyloni me dy Luksemburg”, (vëllimi “Shekulli im”). Dhe pas një çerek shekulli, te “Koha e shkrimeve”, del personazhi Mama Belgjika, të cilit i kishin rrëmbyer një pullë me shtetin e Belgjikës dhe ai thërret: “Mama, dil, se më morën Belgjikën!”. Të rriturit dinin e vlerësonin nga ai shtet pushkën belxhik, kurse fëmijët kërkonin kontaktin me Europën.
Pullat postare përforconin njohuritë gjeografike dhe ishin miniftesa për të parë botë. Filatelia ishte një pasion që plotësonte mungesat e shumta, lodër dhe mësim njëherësh. Ishin një lloj kapitali në kuadrin e varfërisë. Ndoshta, në këtë prirje të fëmijës ndikoi edhe fakti që babai ishte i lidhur me postën, shërbeu një jetë postjer, çues letrash, në gjykatë.
Elementet e humorit janë të pranishme edhe kur kujton atmosferën brenda klasës fillore të lagjes, bashkënxënëset Ela Laboviti dhe Ylberen, hamendjet dhe thashethemet për amësinë e babësinë, e që dikush rrugës, me një cilësim të keq për nënën e e nxënësit Pano X., e bëri për të qarë edhe kur hyri në klasë. Mbesa e Samuel Kofinës, që banon në Gjirokastër, në dokumentarin e përgatitur nga Ilir Lluri, tha se gjyshi Solomon e ndryshoi emrin dhe u bë Sulejman, u bë formalisht mysliman, vetëm në letër. Se gjermani zhgduku e shfarrosi dhjetra vetë nga farefisi i saj, ndoshta mbi tridhjetë. Ajo foli me mirënjohje për banorët që i mbrojtën dhe kishin shkuarje mjaft të mirë.
Një argëtim e zbulim ishte kinemaja, kur kishe mundësi të hyje të shikoje një film, zakonisht për moshën e rritur. Një nga gëzimet e rralla ishte kinemaja, parja e ndojë filmi, privilegj për fëmijët. Poezia “Kinema e vjetër” (1964) është një nga vjershat e tij më të ndjera. Kinemaja barakë, siç e cilëson autori, ishte tek shtëpia e Kokobobove, midis sheshit të Kokonës dhe shkollës së mesme, gjimnazit. Ajo ishte jo larg shtëpisë së tij.
Filmat ishin italianë, francezë apo çekë, doemos edhe rusë e më pas edhe kinezë, por filmat italianë e francezë përpiheshin, sepse ishin me dashuri, kurse ata rusë ishin kryesisht me luftë, midis të cilëve filmi për Betejën e Stalingradit, Çapajevin dhe Aleksandër Matrazovin (diçka si Vojo Kushi i Shqipërisë). Tok me gëzimin për filmat dhe hozirizontin që hapte ekrani i vogël, poeti përmend edhe emra njerëzish realë, si Rakip Luke, shok fëmijërie, dhe Qani Fico, portier, babai i komentatorit të talentuar sportiv, mjekut Frederik Fico, që u nda nga jeta para kohe:
Më mirë asgjëkund veten s’e kam ndier,
As në sallat luksoze me kadife që shndrit,
Megjithëse në to me leshverdha kam qenë,
Kurse tek ti vija
Me jevgun Rakip.
Lekë, lekë,
Të mbledhura me mundim paret,
Tingulli i gëzuar në biletari,
Afishet tek xhamia
Dhe tek Qafë e Pazarit
Të shkruara nga vetë portieri Qani.
Në atë copë ekran,
Për herë të parë,
Një copë të botës së gjerë ne pamë.
Në gjashtë metra katrore.
Bota fund s’ kish e anë,
Bota ngjante e shkëlqyer,
Ndonëse ekrani ish me arna.
Dhe ne ishim me arna,
Me arna ish Republika,
Koha, bërrylat, shtetet ishin me arna.
Por në sytë tanë
Kish të tillë dritë,
Që nuk e patën kurrë
Më të ndriturat ekrane.
Reklamat për filmat e rinj, ishin të vetmet në qytet thotë autori. Ndoshta me këtë lidhet ideja e titullit të romanit “Qyteti pa reklama”, shkruar më 1959 e që nuk u botua për shumë kohë. Ngjan se ka një lidhje midis dy motiveve.
Autori i ri dëshironte që qyteti i mbyllur të kthehj në “cita aperta”, qytet i hapur. Këtë e dëshmon edhe vargu “Mos m’i mbyll kurrë dyert, o botë e madhe”, vjershë që autori e shkroi fill pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik, me studime jo të përfunduara plotësisht.
Në vitin 1968 shkrimtari botoi përmbledhjen “Gjëmojnë kontinentet”, me vjersha të popujve tëë ndryshëm të botës. Pavarësisht nga ndonjë ngarkesë propagandistike, përmbledhja flet për mesazhet që autori merrte nga bota dhe i dërgonte asaj.
Në fëmijëri, mbi filmat dhe argëtimet e pakta të kohës, qëndronte libri, që mund të bëhej pronë edhe e një fëmije. Libri të nxirrte nga monotonia, ftohtësia e gurit dhe ashpërsia e jetës, të nxiste fantazinë, edhe pse librat kishin fare pak ose aspak ilustrime dhe ngjyra. Këtë joshje e bënte më shumë libri letrar se sa teksti shkollor. Shkolla, me skolasticitetin e të mësuarit dhe pedantizmin e mësimdhënësve, nuk ishte mjedisi më i pëlqyer. Ky mjedis ishte këndi i vetmimit tek dritarja e madhe dhe e gjerë e shtëpisë, që shkrimtari më pas e quajti kabinetin e tij të parë. Dritarja ishte te këndi i katit të tretë, nga ana veriore.
Në atë shtëpi: “Ka qenë një vend, meqë muret e shtëpisë kanë qenë të trasha, ku doja të mbyllesha, në një dritare që ishte në mur, e cila kishte një pjesë të qelqtë, kishte një kanatë që mbyllej nga brenda dhe në mes ishte gati një metër gjerësi. Kur isha i vogël, më dukej si një kabinet shumë intim të mbyllesha aty. Ndodhej në katin e tretë, kishte dhe pamje të bukur. Atje kisha vënë dhe një ndenjëse të vogël, se mbaj mend mirë që në të ishte ndonjë tryezë a një gjë e sajuar në formë tryeze dhe aty kisha qejf të lexoja, apo të shkarravisja. Ato ishin shkrimet e para si të thuash”.
Atë dritare, ku plakat gjirokastrite pinin kafe dhe shikonin jashtë, rrotulll e përtej dritareve. Luginën dhe dhe malin përballë. Shkrimtari sqaron se vështrimi nga dritarja, madje edhe me dylbi, nga të rriturit, ishte një zakon në shtëpitë e vjetra gjirokastrite. Vizitorit, sidomos plakave, tok me kafenë i jepnin edhe një dylbi, që të shikonin jashtë, deri edhe luginën e malin. Kjo prakikë e ky zakon, sipas autorit, quhej “kafe me dylbi. Ishte respekt dhe kënaqësi e veçantë. Ishte jo thjesht shuarje kureshtje, po edhe thirrje për syçeltësi.
Në katin e sipërm të shtëpisë, në facsadë, ishin dhe janë nëntë dritare. (Νëntë dritare dhe shtatë harqe guri në pjesën e përparme). Fëmija Kadare ulej në njerën prej tyre, ajo nga ana e veriut, në të vërtetë, e vetmja nga ajo anë. Muret ishin të trasha 70 cm. Kur shkoi pas shumë vitesh, dritarja e tij iu duk e vogël dhe muret e shtëpisë jo aq të trasha.
(Dëgjojmë se dikur, fëmijë, ai u rrezikua të bjerë nga ajo dritare e nga shkallët e drunjta të mbajtura keq).
Është e pabesueshme që kritika letrare zyrtare, duke gjykuar për librin e një shtatëmbëdhjetëvjeçari, pa si anë të dobët vështrimin soditës të botës nga dritarja. E, në emër të vështrimit të gjerë të realitetit, gati sa nuk kërkuan mbylljen e asaj dritare – ekran, që i dha vizionet e para shkrimtarit të ardhshëm. Kur ishte shprehi për njerëzit e rritur, si të mos ishte kërshëri e pasion për një fëmijë brenda katër mureve? A mundet që ky zakon dhe ofrimi i mjetit magjik, të mos kenë ndikuar tek fëmija, për syçeltësi dhe prirje për të zbuluar anë të reja të botës?
Vështrimi nga dritarja u bë gjithnjë e më tepër optika gjithëpërfshirëse e tij, kamera e parë me të cilën filmoi botën. Krahas saj, kërkoi e gjeti një dritare shpirtërore brenda vetes, për të dalë nga ngushtësia e mjedisit natyror dhe shoqëror të cilit i takonte. Kjo ishte letërsia dhe krijimtaria e mirëfilltë letrare vetiake. Ishte rruga pë ta çuar në një botë tjetër, me më shumë liri.
Avionët, të cilët në kohë paqe u dukën rrallë në qiell e në Fushën e Adhopranit, i kujtonin djaloshit se realiteti fizik kishte edhe një përmasë tjetër, hapësinore. Κëtu mori jetë aspirata e fluturimeve, që u kthye më pas në pasion të fuqishëm, deri sa një avion e çoi mijëra kilometra larg, në një shtet tëë madh, student. Dhe në verën e vitit 1962 u takua me kozmonautin që doli në orbitën e Tokës, rusin Juri Gagarin, në Festivalin Botëror të Rinisë në Helsinki. Avioni, nga diçka e frikshme, u bë simbol i hapësirave të reja, pa kufi, i ritmeve të pazakonnta dhe modernitetit. I dëshiroi gjithnjë e më fort udhëtimet, si mjet për t’u lidhur me botën e madhe, për t’i ikur ngushtësisë së një vendi të vogël dhe izolimit.
Rrugica të ngushta e të shtrembra si paragjykimet, shkroi në një vjershë të hershme autori. Rrugica të ngushta, dredhuese, ideale për luftë ilegale. (Kujtojmë rendjen mbi çati të Edi Luarasit në filmin “Ngadhnjim mbi vdekjen”). Duket se që këtu autori mësoi artin e luftës legale dhe ilegale me regjimin që quhej popullor.
Diku shkrimtari e quajti Gjirokastrën “qyteti i njëmijenjë hapave”. Në fëmijërinë dhe rininë e autorit në ato rrugë të ngushta nuk mund të ngjitej kamioni, as të hynte makina zjarrfikse kur binte zjarri në ndonjë banesë. Shumica e banorëve lëviznin më këmbë, me kuaj apo mushka, një ritëm ky gjithsesi i ngadaltë. Kurse në fantazinë dhe dëshirat e tij hapat ishin shumëfish.
Në ato kushte e mjedise mund e duhej të lëvizte shpejt fantazia, natyrisht, jo e të gjithëve. Plogështinë e lëvizjes djaloshi u përpoq ta përplotësojë me ritmin e mendimit. Ky ritëm kërkoi edhe shmangien e përshkrimeve të tepërta në prozë dhe prirjen ndaj një poezie sintetike.
Pikërisht në mjediset e ngushta, në botën e mungesave dhe prapambetjes, gjimnazisti Ismail u prir nga te rejat e shkencës dhe teknikës. Në librin “Endërrimet” kemi një bisedë me një plakë për këtë temë. Kurse një bashkëmoshatar, bashkëstudent e bashkëbujtës, shkrimtari dhe studjuesi Nasho Jorgaqi, kujton se si Ismaili, në Tiranë, merrte me qira biçikletë dhe bënin gara në bulevard. Dhe krahas saj, më e rëndësishmja dhe ambiciozja ishte gara krijuese, se kush do të shkonte më lart e më larg, garë që e fitoi Ismaili dhe e pranon edhe Jorgaqi. (Dhe më pas rrugët e tyre u ndanë jo vetëm për nga ritmi i ecjes dhe syniuimet largvajtëse).
Natyrisht, hollësira të tilla për jetën e studentit janë pa rëndësi përpara interesimeve për progresin intelektual dhe teknologjik të shekullit, që e tërhoqi aq fort dhe ndikoi në tematikën, hapësirat, deri edhe në figurat letrare e përfytyrimet e gjera, që erdhën duke u pasuruar e fuqizuar. Nga këto rrugica, ai u lidh me kryeqytetet e mëdha si, Moska, Parisi etj., që i njohu e vizitoi më vonë, dhe, nga shtigje malesh e trotuare (titulli i një libri të tij me poezi në gjuhën ruse) doli në autostradat e gjera. Dëshironte t’i takonte doemos botës së madhe dhe kjo u formulua edhe shprehimisht prej tij: “Mos m’i mbyll kurrë dyert, moj botë e madhe”,(viti 1960).
Në Gjirokastër ai do të përfundonte në hije “në rast se nuk do të shkoja në Moskë” (romani “Kukulla”, f. 76). Shkrimtari i ri kishte kërkuar edhe pas mbarimit të Gjimnazit të shkonte me studime në B.Sovjetik, por pas tre muaj kërkimi e lodhje, si i fyer e i poshtëruar, hyri në Fakultetin e Gjuhës e të Letërsisë në Tiranë. Ajo që nuk dinë lexuesit është se edhe pas kthimit nga studimet e ndërprera, një drejtues i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve (LSHA) i sugjeroi se do të ishte mirë të kthehej e punonte në Gjirokastër. Por ishte me fat sepse pikërisht atëherë u hap pranë kësaj organziate shkrimtarësh gazeta “Drita” ku nisi punë si redaktor letrar. Në të dy rastet ai ishte me të drejtë e meritë pretendues, këmbëngulës, i vendosur, duke kuptuar mirë pasojat e kthimit në provincë dhe përparësitë që kishte kryeqyteti krahasuar me të.
Në Gjirokastër bashkëjetonin fodullëku me dinjitetin. Sipas librarit të ditur dhe intelëigjent gjirokastrit Alizot Emirit, “Gjirokastra nuk ka pasur kurrë lypësa, ndonëse ka patur shumë fukarallëk. Në kohët e para, njerëzit që nuk mund të siguronin dot jetesën, vrsinin veten! Mbahen mend plot raste kur thuhej: filani u mbyt në pus…, por, ama, nuk lypi, nuk e ndëri dorën!” (libri “Alizot Emiri”, Botimet Albin, Tiranë. 2011, f. 260). Pra, ishte turp edhe të merrje borxh. Kishte edhe një moral si tek fabula “Milingona dhe gjinkalla” e La Fontenit: “Ç’ bëre gjithë beharin?! – Këndova. – Këndove? E po tani hidh valle!”.
Ndëshkohej këtu përtacia, por kalohej disi deri në mizori. Mosdhënia hua u vinte përshtat kurnacëve, kurse moskërkimi ishte, së pari, çështje dinjiteti e skamnorit. Diku në mes qëndronin fjalët e urta “Shtriji këmbët sa ke jorganin” dhe “Kavurdisu me dhjamin tënd”. Po kur nuk ka fare dhjamë, si i bëhet? Në intervistën dhënë revistës “Galatea” shkrimtari flet për megalomaninë e të vetëshpallurve fisnikë. (“S’ka gjë se s’ke bukë/ Jemi derë e parë!” parodizonte ai në vargjet e veta patriarkalët gjysmë shekulli më parë). Një stërmundim qesharak i patriarkalëve për të dëftuar vlera të paqëna.
Hotel “Sopoti” i Gjirokastrës quhej dikur hotel “Royal” (mbretëror). Kurse Hani i Stravros mbiquhej “Hotel Kashta”. Fodullëku gjirokastrit theksohet edhe nga pohimi te “Darka e gabuar”, se shtëpia e Prijsit komunist u rindërtua tri herë më e madhe nga ç’ kishte qenë realisht. (Por edhe shtëpinë e shkrimtarit arkitekti e bëri afro një metër më të lartë nga sa pati qenë realisht…). Vite më parë, në një intervistë televizive botuar edhe në gazetën “Dita”, shkrimtari tha se Gjirokastra është qyteti i mërive të gjata, kurse ftohjen e zgjatur midis familjes Kadare dhe familjes Dobi autori e quan “kinse mëri”, frymë sedre aristokratike e provinciale njëherësh.
Τë mësuar me privacione, gjirokastritët e shikonin me skepticizëm gjithçka. “Ajo që quhet cinike, mendoj unë, më tepër se cinizëm është një ftohtësi në pamjen e gjërave. Ky qytet është dalluar për njëfarë rezerve, për një farë rezervimi të shfaqjeve të emocionit”, thotë I. Kadare në intervistën dhënë tv “Klan” në dhjetor 2007.
Gjirokastriti nuk entuziazmohet lehtë. Ai ka një ide jo të vogël për veten. “Një herë që Is udhëtonte nga Veriu për në Jug, vuri re se romani “Kronikë në gur” i I. Kadaresë, që sapo kishte qarkulluar, në të gjitha qytetet ku kaloi, shitej me ritme të shpejta, ndërsa në Gjirokastër shitja qe e kufizuar. “Si e shpjegon ti këtë punë?” i tha Alizotit.- “Askush profet në atdheun e vet”, iu përgjegj Alizoti. Këtu gjeniun e njohin që kur ishte në djep. Dikush e kishte në lagje, e dikush e kishte në klasë. Dhe që të gjithë e quajnë veten të barabartë me të”. Kur ia përmenda këtë fakt Kadaresë, ai vuri buzën në gaz: “Alizoti ishte burrë i mençur, tha ai, e njihte mirë filozofinë popullore dhe psikologjinë e gjirokastritit”. (Vasil Dilo, gazeta “Albania”, 17 prill 2009).
Mendjemadhësia e gjirokastritit karakterizohet bukur nga shprehja po gjirokastrite: “Di gjisht mbi vezirin”. Po a ishte vërtet mendjemadh shkrimtari i ri? Ishte i vetëdijshëm për talentin e vet dhe nuk denjonte të ulej në nivelin e vulgut e të binte pre e njerëzve të vegjël e dashakëqinj. Kishte të drejtë të ishte krenar për arritjet e veta, por nga ana tjetër ishte i afrueshëm, deri edhe i thjeshtë në bisedë, ndihmoi sa mundi mjaft talente të reja. Arjan Mullai e falënderoi që Ismaili lexoi dhe vlerësoi një roman të tij. “Edhe herën e fundit që u largua për në Paris”, thotë gazetari Çerçiz Loloçi, “pata kënaqësinë ta pija kafen me të”.
Gjirokastra e vjetër ishte një qytet me hije misterioziteti, me jetën e padukshme brenda mureve të banesave, me bestytnitë, me misticizmin e sektit bektashian, dozat e patriarkalizmit e konservatorizmit, por edhe me “antenat” ngritur, për të marrë vesh jo vetëm ç’bëhet tek fqinji, por edhe më tej e nëpër botë.
Kishte bodrume, hyrje të fshehta, alfabete familjare, një mikrokod për përdorim të brendshëm. (Po. Kishte njerëz që kishin alfabete sekrete, pohon shkrimtari).
Alfabete dhe mikrokodeve familjare u shtohej simbolika e bastuneve të Idriz Gurit (simbolist empirik sui generis).
(Një befasi gati rrufesore për shumicën e gjirokastritëve ishte anonimati i Enver Hoxhës, si drejtues i LANÇ, i pari i shtetit, gjeneral e kryegjeneral, në prag të çlirimit të Shqipërisë! “Enveri i Hoxhate, mo, që i pëlqenin fëmërat dhe lyente leshrat me brilantinë?!”). Ndjesia e misterit, ankthi për diçka që pritet të ndodhë, pritja e një të keqe apo ndëshkimi që nuk dihet si, nga e kur mund të vijë, kumte që vijnë si paralajmërime apo thashetheme, përshkojnë shumicën e krijimeve të I.Kadaresë, sidomos në prozë. Kjo atmosferë nuk është thjesht manierë, por një psikozë që iu rrënjos që në fëmijëri dhe, edhe atje ku flitet për qëndresë, vepron pasiguria, dhe qetësia është iluzore ose e përkohshme.
Krijimet i përshkon ideja e pësimeve, e focave të errëta, armiqësore, gati të panjohura, që presin në skaj e kanë ngritur kurth. Në një intervistë për shtypin e huaj autori ka thënë se tragjedia “Makbethi”, që e lexoi në moshën 12 vjeç, ishte ajo që i ndryshoi jetën. A nuk bashkëzanon Makbethi me fjalën makth? Ankth dhe makth i tejzgjatur.
Si shkrimtar, e kanë tërhequr misteri dhe atmosfera e thrillerit (triller e trill), ka përjetuar dhe provokimin e rrethanave, një ankth deri në gjendje alarmi, që ndihet e nuk është i sajuar e thjesht subjektiv. Dhe në këtë psikozë, ka pritur që gjërat të precipitojnë me sa më pak pasoja të padëshirueshme. Diku poeti thotë se mëkot përpiqet të na injektojë “Të lashtat frikëra botë e vjetër”, por psikoza e ankthit dhe pasigurisë është e pranishme dhe e pashmangshme. Sepse edhe në Shqipërinë e vogël edhe në botën e madhe ka mjaft situata tronditëse dhe eksplozive.
Gjirokastra ishte një qytet me jo pak banorë të fantaksur, një qyteti fantazist (fantazist quajti do kohë më parë autori gjithë Ballkanin, në një shkrim për të).
Gjithë fëmijërinë e tij te “Kronikë në gur” Ismail Kadare do ta rishikojë në dritën e figurave mitologjike. Gjithçka mund të kthehet në mit” (Eric Faye, “Kronikë në gur”, Botimet Onufri , 2000, f. 9.)
“Le të përmendim thjesht enigmat e shumta dhe zbërthimet e ndryshme që i imponojnë syrit të fëmijës dëshmitar, në “Kronikën e qytetit të gurtë”, realitetet e luftës si dhe ato të një bote të vjetër ende të pashkëputur nga ritet magjike të Lindjes…”, (Aleksandër Zoto, parathënie e “Ura me tre harqe”, Flamarion, Paris, 1984, f. 40-41). E në këtë përzierje mistiko-ekzotike të mjedisit gjirokastrit autori mësoi të deshifrojë jetën, misteret, se si lëviz shoqëria, si punojnë mekanizmat shtetërore, si rrotullohet bota…
Carlo Ginzberg në librin “Sabati i shtrigave” thellohet në një anë të rëndësishme, që e gjejmë edhe brenda manierës letrare të I. Kadaresë:
“Mblodhën sa mblodhën dhe u kthyen prapë të njehsonin ato që kishin mbledhur. I njehsuan dhe doli që kishin mbetur pa u gjetur ende shumë ushtarë”.
Të vdekurit e romanit s’mund të nxirren më plotësisht. Gjatë vështrimit më të afërt, vijon ai, nuk është rastësi që subjektin dhe fshehtësinë e tij shkrimtari e shpreh pikërisht si përrallë. Sepse mitit rreth të cilit sillet pa u zgjidhur subjekti përherë i rifilluar i romanit, ne bashkëkohësit vërtet mund t’i qasemi vetëm si një kujtesë përralle gjysmë të harruar. Është raporti i vjetër, shamanist mbi udhëtimin në nëntokë, prej të cilit nuk kthehesh i plotë dhe i padëmtuar, por me një njollë: duke çaluar, me një këmbë kali, pa një gisht, me një këmbë prej ashtit të balenës.
“Ndonëse mitet dhe ritet rreth mbledhjes së eshtrave të kafshëve të vrara paraqiten edhe në ato kultura të cilat nuk njohin fenomene shamaniste në kuptim të ngushtë”, shkruan Carlo Ginzberg në librin e tij (autori shamanizmin e deshifron si një trashëgimi të heshtur të fondit edukues europian), “duket që ato imitojnë rrugën e brendshme dhe të frikshme, në të cilën shamani dallon misionin e tij”.
“Fakti që Ismail Kadare, në thelbin e katastrofës europiane gjen përvojën e shamanizmit euroaziatik, është një rezultat i befasishëm i metodës së tij magjike. Komizmi i madh dhe lakonik i gabimeve dhe mundimeve i dy figurave të tij nëpër nëntokën e atyre hoteleve të braktisura, përmes trevave kodrinore, qyteteve dhe ëndrrave, i jep këtij libri njëkohësisht lehtësinë dhe poezinë e një filmi të Felinit. Ndërsa dendësia atmosferike me të cilën përkëndohet një rreth i braktisur, i shkretë dhe i pashpresë i Bllokut Lindor, komunist, e bën romanin e Kadaresë njëkohësisht një dokument me saktësi historigrafike. Ky roman i madh, ngjethës, komik dhe në çdo aspekt i paharrueshëm vërteton tezën e Heinz Schlaffer-it se letërsisë moderne i nevojiten kujtimet e një bote arkaike, deri edhe bestytnitë, çlirimi i shkrimtarit nga traditat paraletrare, “të cilat ai njëkohësisht i shkatërron dhe i ruan në kujtesë”. (Gazetës “Panorama’”, përkthimi nga gjermanishtja nga Enver Robelli).
Tronditës është zbulimi përpara nesh i një ane të panjohur të jetës së shkrimtarit. Ai flet për perfaqësuesit zyrtarë të qytetit, nëpunës të administratës perandorake, qe ishin kthyer dhe qendronin për nje fare kohe:
Pikërisht këta nëpunës, thotë shkrimtari, i jepnin qytetit, për fëmijët dhe për artistët e ardhshëm, një notë tjetër, për ta parë botën më të pasur nga ajo që ishte. “Sepse ishin banorë të jashtëzakonshëm, flisnin një shqipe të jashtëzakonshme, kishin një veshje te jashtëzakonshme…”.
Burgu ka hyrë në psikologjinë e banorit gjirokastrit. Ishte burgu i vërtetë në kala, por edhe qelitë në ndërtesën e policisë së vjetër e të re, dhe nëpër shtëpitë, që kishin bodrume dhe dhoma të posaçme izolimi. Ferexhreja në Azi quhet edhe burkë. Burka kishte përpara një lloj rrjete, që të lejonte vështrimin, bash si hekurat e qelisë së burgut. Nga “burka” erdhi fjala “burg”, ose anasjelltas. Fjala burg është rrënjosur thellë edhe përtej Gjirokastrës.
Në rrethin e Matit kemi fshatin Burgajet, vendlindje e Ahmet Zogut, por në Shqipëri ekziston edhe mbiemri Burgaj. Burgu i kalasë së qytetit quhej ndryshe “shtatë penxheret”, dhe, pavarësisht shprehjes burgu për burrat është, përbënte një dënim të frikshëm e plot vuajtje. Por në Gjirokastër. “…kishte shtëpi që komunikonin me njera-tjetrën me kalime të nëndheshme që nuk diheshin pse ishin bërë. Që ishin lidhje me njera-tjetrën apo një grindje që ishte kthyer në të kundërtën. Mua tani që kam shkuar në shtëpinë time, arkitekti më tregoi qe kishte zbuluar kalimin e nëndheshëm të shtëpise sonë. Unë s’e kam ditur. Unë dija që në shtëpi kishim një burg familjar”.
Një befasim i fuqishëm ky: Përse përdorej burgu familjar?
“… Si duket ishte ajo marrëdhënia e ndërlikuar e klanit familjar me shtetin. Shtëpia ishte nje lloj minishteti i vogël. Ajo kishte një burg të vetin në atë kohë”. Në atë burg “zbritej me litar dhe i burgosuri i hamendesuar do të zbriste me litar dhe do të ngjitej me litar kur t’ i mbaronte dënimi. Kam pyetur gjyshen time nëse është dënuar dikush, por nuk mbante mend asgjë. Thoshin për stërgjyshen tonë që ishte futur vetë, e kam përshkruar në një libër, a është e vërtetë apo jo s’ e di, apo ishte një legjendë urbane, sepse në shtëpi të tilla ka histori të qenë dhe të paqenë”.
Shkrimtari thotë se të tillë burg në Gjirokastër kishin gjithsej katër-pesë familje. Një prej tyre ishte ajo që pati banuar herët në atë shtëpi, por që nuk del se e përdorën për dënim. Nga ishte marrë ai zakon e ajo disiplinë dhe edukatë e ashpër brenda familjes për pjestarët e saj?
“Sterra, depoja shtëpiake e ujit të shiut, ishte një tjetër lloj burgu, burg për pikat e shiut, që binin me vrull mbi çati, rrëshkisnin në ullukun prej llamarine e qyngjin prej llamarine a balte dhe përfundonte në barkun e saj, një bodrum i errët e misterioz. Pikat e shiut braktisnin qiellin e lirisë dhe binin në kurthtin e skllavërisë. Dhe fëmija dërgonte atje brenda një dritëzë me anë të një pasqyre”. (Ismail Kadare, “Qyteti i jugut”, f. 7-8, 1967). Ishte burgu familjar. por edhe dhomat ku fëmijve u ndalohej hyrja. Ankthe dhe mistere që nxisnin fantazinë si në gojëdhëna e përralla.
Është e pabesushme dëshira e babait për të zhvilluar një gjyq për të gjetur të drejtën midis bashkëshortes dhe nënës së vet, (gjyshes dhe nënës së shkrimtarit), sipas rregullores së brendshme të pashkruar të shtëpisë. Shkrimtari në fëmijëri nuk e provoi as burgun familjar, as gjyqin familjar, por vetëm gjyqin e shtetit, në moshën 12 vjeçare, siç mësojmë nga romani i tij më i ri.
Megjithë përvojat e hidhura, shkrimtari pohon se u rrit si një fëmijë i lumtur, sepse e donin të gjithë në familje dhe e kujdesnin. Babai ishte pak i ashpër, por nëna përgjërohej për të, edhe duke i dhënë racionin e vet të bukës së misrit në ditët e pushtimit gjerman të qytetit.
***
Dikur, kujton autori, nëpër ullukë e strehëve dhe nëpër qyngj kaloi një pëllumb, ndoshta i goditur nga rrufeja, i cili u gjet kur familja bëri pastrimin e depos së ujit.
“Soditja e ujit mbi çatinë e çmendur të pjerrët përpara se të mbyllej në atë burg, dëgjimi i zhurmës së tij, vetëtimat që e braktisnin, në prag të fatekeqësisë, shfytyrimi i tij atje thellë, gjëmimi i mbytur, përpjekja për të shpërthyer sterrën, së fundi dalja si prej burgut, por i skllavëruar tashmë, i vënë në kova për të larë në mënyrë të turpshme dyshemetë dhe enët, të gjitha këto jepnin në mendjen time në një pikëshikim si të thuash ujor (çka pritej prej një të linduri nën shenjën e Akuariumit), një pjesë të dramës së njerëzimit”. Atë burg ujor shkrimtari e pagëzoi e cilësoi “Hadesi i shtëpisë”. Dhe “sidomos sterra e ujit më shumë ndoshta se biblioteka e qytetit më kanë pjellë mua si shkrimtar, kjo, edhe duke mos qenë krejt e saktë, ka një të vërtetë të madhe”, (Ismail Kadare, “Ftesë në studio”, f. 317).
Ja bodrumi i shtëpisë – kati i nëndheshëm i ndërgjegjes, sipas Zigmund Frojdit, burgu shtëpiak – miniatura e burgut të madh në kalanë mesjetare, një arkitekturë frike dhe shtypje, një ligj i pashkruar, që vepronte gati pavarësisht nga bota e jashtme dhe e përplotësonte atë.
Kalaja është ngrehina më e madhe, më e fortë, më jetëgjatë e qytetit. Për të flitet aty nga viti 1380, por mosha e saj ndoshta duhet të jetë më e lashtë se vetë qyteti. Gjirokastra është nga të rrallat qytete në botë ku kalaja kulmohet me burgun. Burgu që del edhe sot si çiban, ishte pjesa kulmore e akropolit të qytetit. Ai rrinte mbi kokat e njerëzve, dhe hija e tij mbeti edhe kur u hoq andej, si kërcënim i vazhdueshëm, për t’u thënë banorëve e njerëzve në përgjithësi që të ulin kokën.
Kështjella për autorin ishte “peshë, pushtet dhe kërcënim”, kurse burgu brenda saj e vetmja gjë që nuk ka ndryshuar në të gjitha regjimet dhe kohët. Burgu del në shumë krijime të autorit. Burgu i kalasë, hapsana e shtëpisë, burgu që provoi personazhi fëmijë i tregimit të gjatë “Koha e parasë”, deri në idenë e një shoqërie- burg nën absolutizmin komunist, janë përshkallëzime dhe plotësime të tablosë dhe psikozës së përgjithshme.
Dikush përpara disa vitesh u shpreh se I. Kadareja do të mund të kishte shkruar më mirë në periudhën e diktaturës, sikur të kishte bërë nja dhjetë vite burg! Ka cinizëm në këtë dëshirë, por harrohjet se shkrimtari që në vogëli e njohu dhe e provoi vërtet burgun. Arrestimi dhe kalimi i natës në qeli, dy ditë pas hekurave, te burgu i kalasë, përshkruar te “Koha e parasë”, ishte një mësim jete për fëmijën 12 – vjeçar, pas të cilave ai kuptoi natyrën e shoqërisë, që nuk falte as kuturisje të tilla patëkeq. Ishte ndërhyrja e një avokati me të cilin babai i fëmijës njihej mirë, që e liroi nga ai burg, teksa shoku i tij i aventurës, 13 vjeç, qëndroi në burg plot tre muaj.
Siç përshkroi më pas në një intervistë dhënë Blendi Fevziut, për paudhësinë që bëri, nxënësit Kadare iu thye nota e sjelljes, duke i zbritur nga 5, në 3, masë ndëshkimore që e bënte të pamundur kalimin e klasës, moskalim që ishte i mundur edhe me notën 4. Atëherë, rrëfen autori, drejtoria dhe këshilli pedagogjik vendosën t’ia bënin 3 të gjitha notat mësimore dhe t’i përmirësonin notën e sjelljes, duke ia ngjitur tek 5-a, minimumi i domosdoshëm për të mos mbetur në klasë! Një veprim pa precedent në historinë e arsimit shqiptar, por që, gjithsesi, ishte një lloj zgjidhje, e vetmja që u gjet e “arsyeshme” brenda mosarsyes së ngritur në sistem.
Tek romani “Qyteti pa reklama”, 1959, “Personazhi Gjon disa herë bie në mendime për një “poet”, i cili i ka shpëtuar burgimit të qytetit të ashpër provincial. Ai ndihet i afërt me të, ndonëse fatin e ka të kundërt me të.” (Helena Kadare, “Kohë e pamjaftueshme”, Botimet Onufri, 2011, f. 129). Nga ajo përvojë jetësore dhe psikozë, siç theksoi në motivacionin e vet juria e “Jerusalem Prise”, I. Kadareja “rrëfen shkëlqyeshëm me nënkuptime të tërthorta rreth fajit kolektiv, veçanërisht në mosndëshkimin e këtij faji…”. Është në të edhe brerja e ndërgjegjes së individit, edhe fshikullimi i krimit shtetëror. E këto e kanë piknisjen pikërisht në Gjirokastër, bëjnë pjesë në atmosferën e përgjithshme të ankthit dhe shtqetësimit të vazhdueshëm. Është pikërisht ky brumë provincial pikënisje drejt përgjithësimeve të përmasave të mëdha. E në këtë shkëputje e kalim është padyshim talenti i autorit, por edhe kultura letrae e përvetësuar në atë mjedis, që i hapi sytë dhe i nxiti vizione të gjera.
Përmes elementit burg dhe atmosferës që lidhet me të, lexuesi do të kuptojë më mirë motivet që e shtynë autorin të flasë për privacione, mungesë lirish, akthe terrorizuese. Jo rrallë shkrimtari në regjimin komunist e ndiente veten të burgosur, dhe letërsia shqiptare jo konformiste gatuante “bukën e burgut”, bukë e përgatitur në robëri, të cilën e shijuan edhe ata që ishin rritur në liri, në botën perëndimore. (Helena Kadare, “Kohë e pamjaftueshme” , f.175).
Herë pas here shkrimtari flet për robërinë nëpër kohëra dhe përmend burgun, E se: “Në duart e qyteteve kërcisnin prangat”. Malet rresht në robëri lidhur me pranga. Tek filmi me skenar “Prillin e thyer”, një femër shkon të takojë bashkëshortin në burg, deri tek libri “Bisedë përmes hekurash”.
Në librin “Mëngjeset në kafe Ronstand”, nëntor 2014, shkrimtari flet edhe për një ankth tjetër. Atë që lidhet me hyrje-daljen e fshehtë nga ana lindore e shtëpisë, zbuluar nga arkitekti Agron Doraci në kuadrin e kërkimeve në shërbim të autenticitetit të saj. Me atë dalje-hyrje lidhen tri porta, jo pak, aq sa nuk i kishin as kullat mesjetare. Duke patur parasysh se porta kryesor e shtëpisë ishte nga ana e sipërme, mendojmë se dalja e fshehtë, nga ana e poshtme, ndihmonte në rast rreziku a bastisje të beftë. (Disa hapa më poshtë ishte Përroi i Ficos. Shtëpia i dha emrin rrjedhës së ujërave, thotë autori).
Ideja e rrezikut, fshehtësisë dhe përpjekja për të gjetur një shteg-dalje a shteg-shpëtimi janë rrënjosur thellë në psikologjinë e shkrimtarit, duke u kthyer në psikozë.Deri në arratisjen e vjeshtës së 1990-s dhe dëshira për hapjen e Shqipërisë ndaj botës.
Diktatura, thotë shkrimtari, është një vrimë e zezë që vetëm të thith e nuk të le të dalësh prej saj. Nuk është e rastit që dy prej librave më të dashura të shkrimtarit janë “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” dhe “Viti i mbrapshtë”. “Pallati” përshkohet nga ankthi terrorizues kafkjan, që e prodhojnë dhe injektojnë sistemet totalitare, kurse “Prapësia” përcjell atmosferën e pasigurisë, të turbullisë dhe ngatërresve që shoqëruan dhe shoqërojnë botën dhe historinë shqiptare.
Ka dhjetra vite që nga brenda kalasë u largua burgu, duke mbetur mjediset e tij dhe Muzeu i Armëve. Dhe, si një lloj kundërpeshe e thirrje për të mos harruar, nën hijen e tij u ngrit muzeu i Luftës së Ftohtë, në një tunel betoni pas ndërtesës aktuale të Bashkisë e Prefekturës, tunel që shërbente dikur për strehimin e kuadrove të nomenklaturës së dy komiteteve në rast lufte, institucione politike dhe administrative që lidheshin midis tyre me një tunel tjetër, që kalonte nën “Qafën e Pazarit”.
Njeriu që e ka njohur mirë burgun, që ka jetuar edhe me frikën e arrestiumit, e dëshiron me zjarr lirinë, shtegun për tek ajo. Në një nga karikaturat e shumta, një e kohëve të fundit në shtypin shqiptar, është paraqitur I. Kadareja si shenjtor me pranga në duar, diçka si aposulli Pavel apo abati Faria i “Konti i Monkristos” të Aleksandër Dymasë. Kurse avokati i njohur Spartak Ngjela ka thirrur në polemikë shprehjen “Shenjtët nuk preken”. Ndoshta e ka tepëruar pak…
***
Plotësimi i tablos gjirokastrite nuk është bërë në mënyrë lineare kronologjike. Autori shkroi për fëmijërinë, për LANÇ, për brezninë e Hankonatëve dhe pastaj iu rikthye disa herë fëmijërisë dhe adoleshencës.
“Darka e gabuar” bashkon dy epoka, kurse “Breznia e Hankonatëve” ka shtrirjen më të madhe në kohë, brenda një subjekti sintetik.
Lexuesi i vëmendshëm mund të dallojë jo vetëm hapësirën e jetës së qytetit nga periudha në periudhë, ndryshimet që sjellin epokat dhe regjimet, por edhe psikolgjinë me të cilën ai i është drejtuar mjedisit gjirokastrit. Kur u përmbys diktatura hoxhiane dhe u mënjanua censura, shkrimtari foli më hapur dhe tha edhe gjëra për të cilat deri dje ishte frenuar ose për të cilat ndëshkoheshe, po të flisje hapur (ose të spiunoheshe kur i thoshje diku edhe fshehur).
***
Në rrugët me kalldrëme shkrimtari takoi edhe personazhet e tjera, si Kako Pinon, që banonte në shtëpinë ngjitur, e cila, edhe në ditë bombardimesh, nxitonte me veglat e saj të thjeshta që të stoliste nuset; më tej Gjergj Pulën, që, gjatë vendosjes në qytet të ushtrisë greke, nxitonte të ndërronte emrin në Jorgos Pulios. (Ky personazh pa shtyllë kurrizore ridoli në skenë në epokën më të re, kur shumë qytetarë gjirokastritë morën nga zyra e gjendjes civile vërtetime jallane për t’u bërë më të dëshirueshëm në Greqi…).
Në rrugicat, skutat dhe terrin e qytetit lëvrinin tipa anormalë dhe perversë, si personazhet e poetucëve që grindeshin kush është më i mirë, imorali Qimo, mazohisti Llukan Burgamadhi, hermafroditët Argjir Argjiri dhe Bufe Hasani, hoxha pederast. Këta dhe skena skandaloze e shtëpisë publike (romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”- 1963) ishin disa penelata me të cilat shkrimtari i ri, blasfemues, i dha një shuplakë të fortë moralit provincial (edhe moralit të ushtrisë pushtuese, që, tok me luftën e robërinë, solli prostitucionin).
Edhe kur qyteti ngrihet si sfinks përballë tankeve gjermane dhe bombardimit të anglezëve, jo më pak se topat qytetin e “bombardon” shkrimtari, që fshikullon deri në grotesk provincializmin, fanatizmin, dogmatizmin, mendjemadhësinë shterpe, sundimtarët punistë, me fantazi të sëmurë, që besojnë se, qoftë edhe për një ditë a një orë, Gjirokastra u bë qendra e botës!
Mësojmë se dikur, nga romani i parë, shkruar në Moskë, student atje, me ardhjen në Shqipëri, autori shkëputi një pjesë, e modifikoi si tregim dhe e botoi në gazetën “Zëri i rinisë” me titullin “Ditë kafenesh”. Siç kujton autori, “Ai doli në dy numra të gazetës, krejtësisht i papritur dhe fare i huaj për frymën e realizmit socialist. Historia e dy studentëve pijanecë, që e kalonin gjithë ditën kafeneve dhe që përgatiteshin të merreshin me falsifikime dokumentesh historike, nuk përputhej fare me karakterin edukativ që duhej të kishte letërsia për rininë.” (Helena Kadare, “Kohë e pamjaftueshme”, f.128).
“Përveç personazheve kryesore, studentëve pa skrupuj e amoralë, romani ishte i mbushur me horra, prostituta, pijanecë, njerëz torollakë, me sëmundje veneriane e skena erotike të papara. Romani jo vetëm që s’ kishte asnjë personazh pozitiv e asnjë mesazh të kohës, por ai përshkohej fund e krye nga ajo që quhej “frymë e sëmurë perëndimore”: etja për karrierizëm, mbrëmje të ngushta vallëzimi të të rinjve pa moral, tallje me gjithçka. Dhe, si të mos mjaftonte kjo frymë antiheroike, motivi kryesor i romanit ishte falsifikimi i historisë (në këtë rast, i historisë së letërsisë shqipe), temë kjo tepër delikate, për të cilën kishte vite që Perëndimi po e akuzonte botën komuniste.”, (Helena Kadare “Kohë e pamjaftueshme”, Botimet. Onufri, 2011, f. 129). Demaskimin e hipokrizisë dhe historinë e zvetënimit moral të provincës shkrimtari e nisi më 1959 me hoxhën në majë të xhamisë, njerëzit e rrugës, deri tek kuadrot qeverisëse lokale.
Edhe tregimi i parë i Helenës, “Zbukurimet e tavanit”, botuar në gazetën “Zëri i rinisë” kur ajo ishte në bangat e shkollës së mesme, proteston kundër hipokrizisë, marifeteve që përdoreshin (për të fshehur humbjen e virgjërisë), për t’ia shitur si të ndershme vajzën dhëndrit të gjetur, si xhambazët kuajt në treg. Romani i Ismailit dhe tregimi i Helenës u shkruan në të njëjtën periudhë kohore, mijëra kilometra larg njeri – tjetrit, dhe ndoshta ishte pikërisht kjo prirje që i afroi dhe i bashkoi në jetë dhe në letërsi. Dhe 1 Janari i vitit 1962 në Tiranë ishte dita e nisjes së një rruge të re e të gjatë për ta, që tashmë kapërceu gjysëm shekulli.
Gjirokastra ishte qyteti i kundërthënieve, i dyzimeve, i paradokseve. Me njerën këmbë mund të bije pa e kuptuar në greminat e tragjedive të Eskilit, me këmbën tjetër mund të përballeshe me aventura donkishoteske. Këtë që autori e ndjeu instiktivisht në hapat e para, fijet e “kundërta”, i shtriu e ndërthuri në pëlhurën e shkrimeve për Gjirokastrën e më gjerë, në karakterizimin e realiteteve që pasqyroi.
“Kronikat turke e tërhiqnin pikërisht për ato cilësi që të tjerët i merrnin për naivitet e budallallëk. Ishin kronika të thata, disa të shkruara nga kronistë ushtarakë gjysmë injorantë. Por atij pikërisht kjo mënyrë gjysmë idiote e paraqitjes së luftës i bënte përshtypje”. (Helena Kadare, “Kohë e pamjaftueshme”, 2011, f. 223).
Disa herë temat jeta e qytetit i hidhte sheshit. Ndizeshin konflikte e plasnin skandale midis fqinjve, inate të tepëruara por edhe revolta të përligjura. Një personazh, që kishte lidhje dhe hesape të rënda me pronarin e fabrikës së këpucëve, dëshiron t’i rrjepë këtij lëkurën, të bërjë prej saj këpucë e të hedhë valle me to nëpër rrugë! (Romani “Kronikë në gur”). [(Sot një nga rrugët më të bukura të qytetit, që lidh rrugën e Varoshit me rrugën “Lufta e Mashkullorës” ka marrë emrin Papavangjeli, të ish pronarit të fabrikës së vjetër të lëkurëve…]).
Tek “Çështje të marrëzisë” autori flet për armiqësi dyshekullore e mbi tre shekullore midis palëve të familjeve të mëdha gjirokastrite. Kurse mëritë dhe inatet ishin diçka e rëndomtë në kuadrin e kotësisë dhe meskinitetit që diktonte dhe injektonte vetë mjedisi, rrugët e ngushta, siç e trajton disa herë edhe në rastin e familjes Kadare -Dobi.
Çështjet e anormales, të marrëzisë si diçka reale dhe gati logjike e mjedisit provincial, e kanë preokupuar shkrimtarin që në përshkrimet e para të mjedisit gjirokastrit. Spektri përfshirës shtrihet që nga marrëzitë e tipave patologjikë, tek luftrat e armatosura, pastaj lufta e klasave e çmenduria e studjuar e politikanëve që shkaktuan tragjedi në shkallë kombëtare, kontinentale e botërore.
Shfletova librin “Ligjet shekullore të budallallëkut” të Carlo M. Copollës, botuar në Bolonja të Italisë më 1988, përkthyer e botuar edhe në shqipe. Budallenj e budallallëqe me okë ka patur edhe në Gjirokastër. Se budallenjtë dhe budallallëku nuk mungojnë në asnjë vend e në asnjë kohë. Dhe jo rrallë të marrët në një qytet ose katund cilësohen si kripa e gjellës e mjedisit. Ata janë prishës të monotonisë, kënaqje e cinizmit të pamunguar. Kjo prani doze idiotizmi dhe prirja përtallëse e njeriut ndaj tij bëhen kuadër i përditshmërisë.
Nga leximi herët i romanit të famshëm të Servantesit shkrimtari mësoi se gjërat në këtë botë e në mjedisin ku rrojmë nuk duhen marrë shumë seriozisht. (Por romani i Servantesit, sidomos pjesa e dytë, ka gjykime serioze për probleme jetike si qeverisja e vendit dhe drejtësia shoqërore, që tingëllojnë aktuale edhe pas disa shekujsh pasi u shkrua vepra në fjalë).
Jo vetëm veprat letrare që marrin shkas nga Gjirokastra dhe i kushtohen asaj, por gjithë opusi letrar i Kadaresë, vërtetojnë thënien e tij se ka qenë një shkrimtar normal në një vend anormal. Por, “në fund të fundit, një nga fatet e shkrimtarit është që, duke qenë i mençur, të mos e humbasë thesarin e mrekullueshëm: Marrëzinë” (“Dialog me Alain Boscue, Botimet Onufri, 1996, fq. 109).
“Të gabosh është njerëzore, të ngulmosh në gabime është marrëzi”, thotë Ciceroni.
“Nga gabimet e të tjerëve njeriu korigjon veten”, pohon J.V. Gëte.
“Ka të mençur për të marrë”, nënvizon një fjalë e urtë gjirokastrite.
Nuk ka njeri normal që të mos ketë bërë në jetën e vet marrëzi, çështja është që të bëjë sa më pak kur rritet. Por “gabimet e të vegjëlve falen, gabimet e më mëdhenjve fshikullohen” ka thënë Sokrati i lashtë. Këtë bën edhe shkrimtari në veprat e veta. Lexuesi duhet të dijë të dallojë e veçojë qëndrimin emocional (ideoemocional) të autorit nga paraqitja e dukurisë komike e qesharake të realitetit dhe karakterit të personazhit konkret.
Duke theksuar marrëzitë vetanake ose kolektive, shkrimtari ka arritur në përfundimin se defektet e shoqërisë, përtej rastësisë e subjektivitett, janë diçka e pashmangshme, deri edhe normale. “Me fjalën time të hidhur ju do të qeshni”, ka thënë i madhi rus Nikollaj Gogol, kurse në rastin e I. Kadaresë mund të themi: “Në komiken që përshkruaj e që ju argëton, qëndron edhe tragjedia jonë”.
Paraqitja nga shkrimtari e anëve komike, qesharake dhe të mbrapshta të realitetit nuk ka si qëllim çoroditjen, por orientimin e lexuesit, kryesisht atij me mend. Moralistët do të kërkonin anën konstruktive të kësaj paraqitje, që shkrimtari të ndikojë që lexuesit e njerëzit në përgjithësi të bëhen më të logjikshëm e të bëjnë sa më pak prapësi. Por kjo shkrimtarit nuk i intereson shumë. Atij i intereson pothuajse vetëm ajo që ka parë e përjetuar dhe që e paraqet në mënyrë gati objekltiviste.
***
Kadareja në një reportazh të hershëm shënonte që gjirokastriti i thoshte bukës farmak dhe shtëpisë gërmadhë (“Po vete në gërmadhë, t’u shpie fëmilës një çikë farmak…”).
Dëgjoheshin fjalëformime interesante si: bobokuqe, kokopifqe, kokodash. Trumcakut i thonë ndryshe spurdhjak. Dhe fjala mëmëligë nuk ka lidhje me mëmën e ligë. Deri në librat më të rinj të autorit gjejmë fjalë dhe shprehje të mjedisit gjirokastrit si: katënxhikë, kukudh, ukubet, anicirë, avazi i Mukes, tufa e Qaqes, jemeni, allasoj, etj.. Në mjedisin gjirokastrit shkrimtari i ri u familjarizua me fjalët: ane, ablla, xhexhe, babazot, xhiko, katënxhikë, dhe nuk ngurron t’i përdorë ato edhe tek personazhet nga rrethi familjar e farefisnor.
Nga libri në libër përshkrimi i mjediseve ndriçon anë të reja e hollësi të panjohura më parë nga lexuesi, nuk ka përsëritje, edhe kur të njëjtat gjëra bëhen letërsi ose formulohen nëpër intervista. Thelbësor mbetet pohimi i tij se qyteti ku lindi i dha atij përfytyrimin artistik të botës.
Në vështrimin e tij artistik mbi Gjirokastrën bashkëjetojnë imazhi dhe mirazhi (Jorgo Bulo, Gjirokastra në veprën e I. Kadaresë, gazeta “Gjirokastra kulturore”, nr. 6, dhjetor 2013, f. 5). Në mjedisin gjirokastrit fëmija dhe djaloshi vërejti dhe gjeti përzierjen çuditshëm të elementeve estetike, kësomblat (mostrat) përtej të zakonshmes, të cilat qëndronin midis reales dhe imagjinares (plakat e jetës, me moshë mbishekullore).
Kronisti turk Evliya Çelebia pohon se kishte takuar banorë gjirokastritë me moshë 170 vjeç! Ndoshta, sipas kalendarit hixhri, këtu ka një mospërputhje krahasuar me kalendarin gregorian, por, edhe zbritje të bëjmë, gruaja “çelebiase” përsëri del me moshë një shekull e ca. Evliya Çelebia përmend gojëdhënën për një grua gjirokastrite, e cila u martua me burrin e shtatëmbëdhjetë, me të cilin bashkëjetoi 40 vjet dhe pastaj mori të tetëmbëdhjetin… (f.34 e librit në shqip).
Megjithë hijen groteske, plakat e jetës në prozën e I. Kadaresë dëshmojnë më fort realitetin se sa lenten zmadhuese.
Jetëgjatësia, moshat mbi mesataren e zakonshme, ishte dukuri reale. Kështu, nga kronikat mësojmë se Sali Karagjozi, trashëgimtar i një familje gjirokastrite disashekullore, ka jetuar 120 vjet. Në lagjen “Dunavat”, Bajram Kotroçi, gjyshi i Tomorr Kotroçit të sotëm 96 vjeçar, jetoi 121 vjet (vdekur përpara afro një shekulli). Po në këtë lagje: Rexho Kardhashi jetoi 116 vjet, Kapo Lani 114, Fejzi Piso 106 vjet. Së fundi, plaka e Bakirëve nga “Dunavati i Dytë” kapërceu 102 vitet. Ajri dhe uji i pastër, të ushqyerit me bulmet, perime e pemë (fruta) kalitja mes vështirësive, jeta pa strese, ishin baza e jetëgjatësisë në fjalë. (Sot, me streset e ndryshme, në Gjirokastër ka raste hemoragjish cerebrale dhe atake zemre në mosha të reja).
Natyrisht, luan rol edhe trashëgimia, shëndeti i të parëve. Karmelos Flores nga Bolivia cilësohet si njeriu më i moshuar që jetoi ndonjë herë në rruzullim. Në kronikat e Evlyia Çelebiut flitet për persona gjirokastritë që jetonin shumë më tepër vite dhe ngjajnë me gojëdhëna fantastike. Por harrojmë Kalo Serjanin nga Tepelena, që rronte dhe pas viteve 1960, dhe jetoi 126 vjet. Po ashtu, dhe barinjtë e Dagestanit e të Gjeorgjisë, që jetonin mbi njëqind vjeç, falë ushqimit me bulmet, sidomos kos. Këto na i bëjnë më të besueshme plakat e jetës, ato që vdekja i kishte harruar dhe që përsëgjalli bënin pjesë në mitologji.
Në romanin e Kadaresë flitet për gruan energjike Shano Hankonati, martuar pesë herë. Ku bëri vaki kjo thjamë? Në Gjirokastrën konservatore të fanatizmit…
Shkrimtari paraqet me ngjyra piktorike, por edhe grotekse rregullat dhe zakonet e kthyera në një rit të përditshëm, me një kod të pathyeshëm, brenda normave dhe hierarkisë patriarkale.
Në mjedisin ku shmangia nga e rëndomta ishte ngjarje, ai mësoi të shikojë me përparësi shmangiet dhe “përjashtimet” nga norma. Sjellja sidomos e grave, edhe kur nuk paraqitet me tendenciozitet, për lexuesit e brezave të mëpasmë e me një lloj emancipimi, bëhen gati vetiu komike, ndaj edhe të patolerueshme për një vështrim njerëzor normal.
Mjedisi gjirokastrit i përcolli autorit zymtësinë, që e bëri të shprehet se edhe dasmat shqiptare ishin shkrepëtima në mes të mënxyrës. Elementi tragjik dhe makabër që ngjiz e mbrun subjektin e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” ngjan si koncentrat nxjerrë nga ky mjedis.
Lufta zëvendësoi dhe vrau botën e lodrave të fëmijërisë. Se “terrori mbi motorë uturonte në xhadetë”.
Bota fëminore e dikurshme kishte pak lojëra, kryesisht ato me mjete rrethanore. Praktikohej si futboll, lojë me to, një lëmsh leckash “nga leckat e thinjura të Shqipërisë”, siç u shpreh poeti në rini.
Fëmijët loznin kryesisht lojra me mjete rrethanore: kut e pingël, kajo – muç, fshehot, talashe-t, kaladibrançe, arabadaule, xhoke (çomage) që ishte imitim i hokejt amerikan, loja me fëndyell, kungulleshkat, virat, kërcimi me litar për vajzat, etj.
Unë kam njohur e përjetuar edhe lojën me gurë, sidomos nga fëmijët e lagjeve “Dunavat” e “Manalat”, që dilnin në brigje dhe dy anët e përrenjve. (Fëmijë që luanin me gurë kur gjetkë lozin me topa bore ose me domate). Kjo lojë shprehte dhe nxiste një lloj egërsie e cila përpiqej të dilte jashtë, një argëtim barbar, pjellë nga varfëria dhe mllefet e kohërave.
Në romanin “Qyteti pa reklama” fëmijët e qytetit që pyesnin për filmin e ri: “A ka luftë”?! Kjo etje për filma me luftë nuk ishte frymë luftarake por një inerci e Luftës që shkoi, mikrobi i një psikoze luftë-dashëse, një instikt i kthyer në mjet argëtues, ndoshta edhe ndikim nga propaganda ruso-sovjetike e fitimtarëve. Psikozën e atyre viteve e përforcon Agim Mero në kujtimet për Gjirokastrën, ku dëshmon për ashpërsinë që imponoi lufta: Fëmijët gjejnë në përrua kafkën e një ushtari (italian) e vendosin atë mbi një shkëmb të vogël dhe nisin ta qëllojnë me gurë.
***
Gjirokastra muzeale dhe kalaja kanë një plastikë të fuqishme, monumentale. Kalaja e ndërtuar në shkëmb dhe shtëpitë nëpër brigje e shkarrëzime janë një thyerje e ligjeve të arkitekturës. Ishte, siç thotë urbanisti dhe studjuesi Emin Riza, një urbanistikë spontane, e shestuar nga vetë ndërtuesit, nga arkitektë popullorë, pa plan rregullues të hedhur në letër. Ndërtimi i tyre dëshmon një vendosje mjeshtërore dhe shfrytëzim maksimal të terrenit, me një rrjet rrugësh që i ndajnë lagjet në ansamble të dallueshme. Takimi i të gjitha rrugëve periferike te “Qafa e Pazarit” është një zgjidhje e zgjuar arkitektonike, nyje dhe çelsi i rrjetit rrugor të qytetit.
Karakteristikë e banesave janë muret e larta rrethuese, për të cilat personazhi i novelës “Ditë kafanesh” shprehet se “duke ecur midis mureve të larta të rrugës së ngushtë”, kishe ndjesinë se “ato mure do t’u rrëzoheshin në kokë”.
Banesa gjirokastrite kishte karakteristika të përftuara e të diktuara nga rrethanat e terreni, nga guri si lëndë e parë dhe e pazëvendësueshme ndërtimi, që mali e jepte me tepri. Ishin rreth 50 shtëpi të mëdha, të familjeve të fuqishme e në gjendje të mirë ekonomike, një prej të cilave ishte edhe ajo e Kadarenjve, ndonëse më pas familja ra nga vakti. Është e njohur banesa tip kulle, me frëngji, frëngji edhe në dhomën e gjumit, nga të cilat mund të qëllohej pa rrezik të madh dhe ku plumbi nga jashtë depërtonte me vështirësi. Nuk kishte shumë ndryshim nga kullat e Veriut shqiptar.
Në një vjershë të hershme për kullat e malësisë së Veriut, autori i quan frëngjitë e tyre sy të veckël me të cilat atdheu shikonte botën. Të tilla frëngji kishin jo pak edhe në shtëpitë gjirokastrite, sidomos ato që ishin tip kulle. Këto frëngji kishin funksion mbrojtës por edhe kontrollues, për lëvizjet jashtë banesës. Që atje, ndoshta, ka nisur protesta që shpaloste në vargjet e poezisë që përmendëm. Megjithë ashpërsinë, skulptori gjirokastrit Muntaz Dhrami, vëren një ngrohtësi dhe afërsi midis shtëpive të gurta dhe me kopshte, nga ku banorët përshëndesnin njeri – tjetrin, dhe rrugicat, sa ndanin, aq dhe bashkonin.
Ja banesa gjirokastrite, me dhomat e fjetjes dhe me odën e miqve, me dimëroren dhe nëndivanin, me oxhakun dhe tavanin me rozeta (qiellzana), me katoin dhe sterën, me portën me qemer, papafingon nën çati, dritaret e mëdha, por edhe frëngjitë, shkallët brenda e jashtë, pusin, oborrin me pllaka guri, murin rrethues (avoro), pemët e paka apo në kopsht apo në oborr, kulpërat e sarmaçet që kacaviren trungjeve dhe mureve.
Këto mjedise dhe elemente kishin ndikimin e tyre emocional dhe estetik. Ato ishin mjedisi dhe dekori i ngjarjeve familjare, i përrallave dhe gojëdhënave që tregoheshin pranë zjarrit të gjirmës. Dhoma e miqve, me perdet e bardha e të qëndisura, me minderet e gjera e të rehatshme, me qilima, sixhade e banda muri, me dyshemenë e fërkuar me sirmë (tel i hollë) jo rrallë e lyer me vernik, me mangallin e bronztë në mes të saj, me sepetet me shtroje të pastra e të hekurosura, me shërbimin plot nderim për të ardhurit, ishte krenaria e banesës gjirokastrite, dëshmi e kulturës dhe dinjitetit.
Ishte dhe një dhomë që quhej dhipato, me një dritarezë e me kafaz druri, në një gjysëmlartësi, e cila shërbente që gratë të vështronin çfarë bëhej në dhomën e madhe ku mblidheshin burrat, pa u parë prej tyre. Ishte një zgjidhje, një gjetje e mençur, një kompromis midis burrave e grave, të cilat kishin të drejtë edhe të mbikqyrnin, kurse burrat të bënin sikur nuk dinin gjë. E ky raport diktonte respekt të ndërjellë dhe sjellje korrekte nga të dyja palët. Ndoshta gratë mund të ndërhynin kur dikush e tepëronte me pijen ose kuvendimi ndizej shtrembër si cigarja…
Kompozimi vertikal i ndërtesës diktohej nga nevoja e mbrojtjes, mbijetesës, por edhe e shfrytëzimit në maksimum të tokës. Nga njeri kat në tjetrin, mjediset e banimit zgjësoheshin, sikur kërkonin frymëmarrje. Ishte çardaku, pjesët e dala, lartësia e dhomave, që i jepnin banesës më shumë frymëmarrje. Zakonisht, shtëpitë ishin me tre kate. (Ai që vendoste të ndërtonte shtëpi, e ndërtonte për të qenë shtëpi e vërtetë. Natyrisht, sipas qeses). Kati i mesëm përdorej për dimrin, sepse mbante më shumë ngrohtësi, kurse kati i sipërm përdorej për të kaluar një verë sa më të freskët që mundej.
Ishin të rralla familjet gjirokastrite që banonin në kasolle. Edhe më të varfërat, banonin në shtëpi prej guri. Hauret i përdonin për kafshët, kurse qilaret për zahiretë. Shkallët, por edhe pllakat në vijat ndarëse në oborr madje, edhe vazot prej teneqeje, lyheshin me gëlqere. Pastërtia spikaste në çdo hap e mjedis.
Lulet ishin mburrja e shtëpive, ku gjeje që nga karafili, borziloku, trëndafili, barbaroza, meneksheja, manxurana, nergjizeja, dorëzonja, gojujku, nenexhiku, mëllaga, rozmarina. Në oborr do të kishte ndonjë man, kumbull, fik apo një pjergull që mbulonte oborrin, deri tek porta e tek shkallët. Fqinjët mbajnë mend se te shkallët, dritaret apo avllia e shtëpisë së Kadarenjve kishte karafila, manxuranë dhe bozilok. Ndoshta fara e tyre (gjirokastrite?) nuk mungoi në ballkonin e shtëpisë në Tiranë e në kopshtin e vilës tek “Mali i Robit”, në kodrën mbi Golemin afër qytetit te Durrësit.
Krahas sokakut të ngushtë “ku na mblodhi hera”, shkrimtari u mësua të ecë mbi tabanin e fortë të kalldrëmeve. Në Gjirokastër rrugët kryesore, të Pazarit dhe të lagjeve, shtroheshin me kalldrëm. Kalldrëmi u shërbente njerëzve për vajtje në punë, në treg e fëmijve në shkollë, por edhe kafshëve të ngarkesës, dhe kalit të dasmës, që sillte nusen. Në vazhdim të traditës, kalldrëmet në rrugët e vjetra kryesore u shtruan me gurë të bardhë e të zinj, alternuar, dhe me disa motive qilimash, tek “Qafa e Pazarit”.
Gurët e zinj ishin e janë prej shtufi. Guri i bardhë, nga hapat ose patkonjtë, bëhet shpejt i lëmuar, kurse shtufi e pakëson rrëshqitjen. Me pllaka shtufi të zi shtroheshin edhe shkallët. Pllakat prej shtufi merrnin e mbanin më shpejt e më shumë ngrohtësinë e diellit, kurse në kalldrëm ishin më pak të rrëshkitshme.
Rruga me kalldrëm ka më tepër siguri, pastërti dhe estetikë. Gjirokastriti i thotë kalldëmit kadërdhëm, ku pjesa e dytë e fjalës dëgjohet si dhëmb, pra, një lloj rruge me dhëmbë. Dhe vërtet, rreshtat e gurëve kishin e kanë midis tyre një përveçim me një dhëmbëzim që nuk pengon, por ndihmon ecjen e njerëzve dhe të kafshëve. Se mjeshtrat që i shestuan e shtruan ishin me mend.
Nëpër ndërtesa e kisha, qemere e mure, gjen edhe sot motive paleokristine, biblike, deri edhe pagane. Në shtëpinë e Kabilajve në “Dunavat” gjenden dy luanë me ngjyrë të kuqe. Luani gjendet edhe te në një nga portat e kalasë. Motivi i luanit lidhet, ndoshta, edhe me Butrintin, edhe me Venetikun, me qytetërimin miken, ku e kishin simbol të gdhendur në gur. Po ashtu, te Skëndulajt gjejmë emblemën e leopardit.
Në ballinën e shtëpisë së Thanas Vajës gjendet edhe sot i gdhendur simboli i gjarprit të ngjashëm me dragoin. Po ashtu, në lagjen “Pazar i Vjetër”, në një banesë të vitit 1861, gjejmë simbolin e palloit dhe të një zogu me dy krerë, që, për nga mënyra e vizatimit, mund të merret edhe si gjarpër.
Në shumicën e shtëpive të mëdha gjirokastrite, krahas emblemës, shkruhej në ballinë ose gdhendej në gur edhe viti i ndërtimit. Mësojmë se ndërtimi i supershtëpisë së Zekove zgjati 13 vjet (1795 – 1806).
Me rëndësinë administrative e pozicionin strategjik, Gjjirokastra luante edhe një rol antisizmik diplomatik në raste e periudha konfliktesh e pushtimesh. Ishte vendi ku takoheshin dy qytetërime, ai shqiptar dhe ai helen. Me mbishtresën otomane mbi atë ortodokse, identitetin e vulosur nga Zenebishët dhe Argjiroja nga shek. 12- 15.
Në librin “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumit thuhet se Gjirokastra është një qytet i krijuar nga hebrejtë e ardhur nga Spanja. Kur kanë ardhur në Gjirokastër hebrejtë? Që nga shek. I, kur nisi përndjekja dhe dëbimi i madh i tyre prej romakëve, deri në mesin e shk. XX në trojet iliro-shqiptare kanë kaluar katër valë emigracioni hebraik.
E dyta ishte më 1492 – 1896, pasi mbreti i Spanjës Ferdinant dhe mbretëresha Izabela nxorrën dekretin që urdhëronte largimin nga Spanja dhe territoret e saj të gjithë judejve. Kjo ndodhi pasi Kristofor Kolombi kishte zbuluar Amerikën për hesap të mbretërisë spanjolle dhe kur kryengritjet antiosmane në Shqipëri ishin fashitur. Hebrejtë e dëbuar qëndruan fillimisht në zonën bregdetare, sidomos në qytetin e Vlorës.
Sipas studjuesit Apostol Kotani, në shek. XVII, pas dështimit të kryengritjes së Sabata Zevit në vitin 1666, i dëbuar nga Perandoria Osmane, ai erdhi në Shqipëri bashkë me 3.000 hebrej, që quheshin hebrenjtë sabatazevitë. Hebrenjtë e Sabata Zevit krijuan sektin Donme dhe u kthyen në bektashinj. Kjo ka lidhje me disa rrethe të Jugut, por jo të gjithë bektashin janë të konvertuar ashtu. Cila valë ishte më e madhja dhe përcaktuese, sepse themelet e kështjellës dhe të qytetit janë mjaft më të lashta? Duke mos e injoruar ndikimin kulturor të hebrejve dhe as zgjuarsinë e gjirokastritëve, nuk jemi për zmadhimin e dukurisë e të ndikimit në fjalë.
Pas përndjekjeve nga Hitleri, në viset shqiptare erdhën disa qindra hebrej nga Austria, të cilat qeveria e A. Zogut i priti dhe i trajtoi relativisht mirë, ndoshta nisur nga konjunkura politike dhe interesi. U pajisën me dokumenta si shtetas shqiptarë. Edhe gjatë Luftës nuk u pushkatuan 26 hebrej që hynë në Shqipëri.
Marrjen në mbrojtje të tyre nga populli shqiptar I. Kadareja e përmendi si vlerë edhe në ceremoninë e marrjes së “Çmimit të Jerusalemit”, 8 shkurt 2015 në Jerusalem. Në Vlorë e Tiranë hebrejtë e valës më të re u mbrojtën nga popullsia. Në vitet 1920-1930 në Gjirokastër u vendos një bashkësi hebrejsh, rreth 30 vetë, ardhur nga Janina, ku ata ishin me qindra. Atëherë erdhi edhe Samuel Kofina me familjen, i cili thuhet se i mësoi frëngjishten Enver Hoxhës. Samueli me të tjerë u pajisën me dokumenta shqiptare, madje edhe me veshje popullore e qeleshe.
Por, siç kujton përkthyesi i shquar Robert Shvarc, ndonëse mjaft shpëtuan nga pushtuesi gjerman, nuk shpëtuan nga diskriminimi prej pushtetit komunist.
Varrezat që kishin në qytetet ku banonin dhe rrënojat e pagodës së zbuluar në qytetin e Sarandës, e shek. VI, me mozaikun me shandanin me shtatë degëzime, tregojnë se hebrejve u njihej dhe respektohej e drejta e ushtrimit të riteve fetare dhe besimi përkatës fetar. Gjenden katër varre me emrin e hebreut Sabata Zevit: në kështjellën e “Balshës”, Ulqin, Vlorë, Berat (Uznovë), Fterrë (Sarandë).
Në Gjirokastër, te shkolla e vjetër pedagogjike kanë qenë varrezat e hebrejve dhe sinagoga, të cilat sot nuk ekzistojnë. Në shtëpinë e restauruar të Jaho Babaramos, në tavan është një yll me gjashtë cepa, simbol karakteristik për hebrejtë. Afër varrezave të përbashkëta të qytetit, në murin e ish – Shkollës Industriale, është i vizatuar një yll i madh me gjashtë cepa, që lidhet me ndonjë donator të sotëm.
Nga gazeta “Shekulli” (6 gusht 2008) mësojmë se studiuesi Vladimir Qirjaqi i përgëzoi hebrenjtë e qytetit të Gjirokastrës sepse jo vetëm “ndryshuan në një farë mënyre jetën sociale të qytetit, e cila deri diku ishte e panjohur për ta më parë, por në të njëjtën kohë përcollën botëkuptimin perëndimor, duke sjellë një formë të re në menaxhimine biznesit”.
Kurse i moshuari Nikollaq Dono kujton me respekt zotësinë profesionale, kulturën, edukatën, marrëdhëniet miqësore me gjirokastritët. Të moshuarit kujtojnë se si një njeri i familjes Kokona u bënte hebrejeve shërbime, familjeve hebreje ditën e shtunë, kur rregullat e besimit përkatës fetar nuk lejonin që banorët e atij besimi të bënin pazar…
Tani hebrejtë e njohur janë larguar. Nga ajo familje në qytet ka mbetur vetëm një njeri, Delisia. Dhe ndoshta, kujtimi i hebrejve të Gjirokastrës do të mbijetojë vetëm në emrin e ndonjë rrugice, që pret të pagëzohet.
Kjo është një anë pak e njohur e Gjirokastrës, por ky është një kapitull që nuk lidhet vetëm e ngushtësisht me historikun e një qyteti a krahine. Hebrejtë e ardhur që në lashtësi, jo vetëm bashkëjetuan në harmoni, por edhe u shkrinë me popullsinë autoktone shqiptare, aq sa mund të themi se më të hershmit është vështirë të gjenden e të dallohen. Dhe marrja në mbrojtje e gjithë familjeve hebreje, në të gjitha viset shqiptare, kundër fushatës naziste, është një bëmë nderi për shqiptarët, që e vlerësuan Izraeli, Evuropa dhe Amerika. I. Kadare ka folur me respekt për hebrejtë e Vlorës dhe të Gjirokastrës.
Evliya Çelebia shkroi se “shumë ndërtesa në Gjirokastër duket se janë krijuar nga venedikasit, pasi në to shihet fytyra e Shën Markut, e cila është stema e Venedikut”,(libri i cit. f. 26). Pra, mbishtresa otomane erdhi pas disa shtresave të tjera më të hershme, epirote-hebreje-venetikase, duke e bërë qytetin edhe një përzierje mendësish e mënyrash jetese. (P.sh, hebrejtë e kishin zakon të martoheshin me kushërirën e parë, praktikë që njihet edhe në Gjirokastër, për të mos dalë pasuria jashtë rrethit të ngushtë farefisnor). Hebrejtë, venetikasit më pas dhe otomanët, e gjetën të krijuar qytetin.
Bashkëjetesa në qytet e besimeve fetare por edhe e ngulimeve nga krahina të ndryshme: krahina e Kardhiqit, Lunxhërisë, Zagorisë, Dropullit, Sulit, Kolonjës, Bregdetit, etj. kanë lënë gjurmë në fizionominë e qytetit, në larminë kulturore, pa harruar se kjo dyndje e polifoni kanë lënë disi në hije identitetin e tij, që u përforcua me Festivalet Kombëtare, caktimin e Gjirokastrës si qendër administrative e Qarkut më jugor, vlerësimin shtetëror e ndërkombëtar për arkitekturën e urbanistikën.
Disa nga krijimet përfaqësuese të shkrimtarit ngërthejnë mjediset karakteristike që i ka njohur mirë, madje, janë vetë mjediset e shtëpisë së tij. Me to lidhet trishtimi për shiun vjeshtak jashtë dritares dhe emri i së dashurës shkruar në murin të cilin nëna e leu më pas me gëlqere. Dhe, siç pohon vetë autori në intervistën e gjatë dhënë artistit Maks Velo, ngjarjet e subjektit të novelës “Breznia e Hankonatëve” janë vendosur pikërisht në mjediset e shtëpisë amtare. Dua të besoj se edhe ngjarjet brenda subjektit të romanit “Qyteti pa reklama” (1959) janë përfytyruar po në këto mjedise.
“Makbethi” i Shekspirit ishte nga librat e parë që lexoi shkrimtari në fëmijëri. “Përse më ka tërhequr aq shumë Makbethi? Kur isha fëmijë, kisha dëgjuar të flitej shumë për një zakon shqiptar, besën, sipas së cilës, të vrasësh njeriun që është bujtësi yt, është krimi më i tmerrshëm në botë. Dhe prej kësaj kohe unë bëja vetiu një lidhje mes çdo personi që vinte në shtëpinë tonë dhe historisë së Makbethit”. (Kadare, Entretiens avec Eric Faye, 1991, f. 14).
***
Peisazhi i Gjirokastrës ka hyrë gjerësisht e tipikisht në krijimtarinë e I. Kadaresë, duke ngjyruar paraqitjen figurative – artistike të tij. A nuk i ngjan vargmali Shëndelli – Lunxhëri – Bureto një vargani kuajsh? Gjirokastra e rrethuar nga malet dhe e mbështetur në mal është konfiguracioni që u fiksua herët në ndjesitë dhe përfytyrimet e tij.
Në studimin “Autobiografia e popullit në vargje” (1980) shkrimtari foli edhe një herë për rolin e malit në jetën e shqiptarit, të malit si simbol, dekor e sfond, si terreni real i jetës së tij të vështirë. Dhe citon mendimin e De Radës: “Malet janë një faktor që krijojnë ekuilibër, shmangin mendimet e parëndësishme, krijojnë një raport krahasimi midis individëve dhe vetë atyre” (f. 94 e studimit). Poeti e rimerr figurën e maleve edhe tek “Dosja H.”, ku personazhi “vazhdonte të shikonte hartën, ku vargmalet u ngjanin brinjëve të kuajve të rrëzuar” (f. 101).
A nuk ka ndikuar peisazhi pothuaj i zhveshur gjirokastrit dhe grryerjet e tokës pas shirave të rrëmyeshëm, në psikozën, përfytyrimet dhe mjetet shprehëse të autorit? Shumë:
“Tokën kur e gërryejnë rrebeshet,/i dalin rrënjët rrëpirave,/Ashtu ta gërryem trupin tënd shekujt, gjersa të dolën dejet e dhe brinjët” shprehej autori në një nga poemat e njohura të tij. Në vërshimin e poetit grryerja e tokës nga elementët atmosferikë shkrihet në një me copëtimin e trojve amtare:“Shekujt si qentë të kafshuan ku mundën të të hanë…”.
Rrezikimi i vendit apo i njeriut shqiptar janë bërë psikozë dhe vetëdijë e përhershme për të dhe atmosferën e krijimeve të tij. (Po atmosfera e një “mëngjesi plot re e mjegull siç e linte nata” a nuk ka dalë nga peisazhi gjirokastrit? Dhe dëshira e ngulmimi për të nxjerrë në dritë realitetin ngjan me dëshirën e gjirokastritit për davaritjen e mjegullës e për pak ngrohtësi diellore në ditët e vjeshtës e të dimrit).
Në Gjirokastër autori përjetoi dhe mori dozën e parë, të madhe e të rëndë, të lajtmotivit të krijimtarisë së vet, atë të mbijetesës e të qëndresës së popullit shqiptar në shekuj. Në kufirin jugor të vendit, në tokën e mbushur me alarme dhe provokacione, siç thotë ai në “Poemë kufitare” (1964) iu kthye në motiv, por edhe në psikozë sensibilizuese ideja e rrezikimit të lirisë dhe integritetit territorial të vendit.
Psikoza e së keqes së beftë, qoftë kjo një dukuri natyrore, fatkeqësi a sëmundje, apo një mësymje nga jashtë ndihet në poezi e prozë, që nga fillimet deri tek novela “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut” (2004). Kompleksi i kufirit, (kufijtë, thoshte autori tek “Poema kufitare”, u krijuan nga goditja e kohërave me shpatë) prodhoi më pas variante të reja si ai i orvajtjes për t’u arratisur për shkak të ndrydhjes së padurueshme politike dhe padrejtësisë sociale. E edhe autori vetë, që deri dje kishte bërë zgjidhje të vetën qëndrimin brenda në bunker, një ditë vjeshte në prag të përmbysjes epokale, merr vendimin për arrati, duke “tradhtuar” atdheun e dashur…Asnjëherë më parë kufijtë e Shqipërisë nuk kanë qenë krejtësisht të mbyllur, as e mohuar e drjeta për të mërguar e për të parë botë.
Gjirokastra është mjedisi ku ruhen ende gjurmët e lashtësisë së thellë. Janë dy dukuri karakteristike: kënga polifonike dhe vajet.
Kënga polifonike pohon I. Kadreja është një arketip i lashtë, ndoshta bashkëkohës me korin e tragjedisë antike greke, në mos më i hershëm, thotë diku shkrimtari, gjë që e pohojnë edhe studjuesit e huaj kur flasin për veprën e tij. Νdërsa kompozitori dhe muzikologu Vaso Tole formulon idenë se: “pavarësisht se ka munguar tradita e muzikës serioze dhe kompozicioni përkatës, në traditën tonë muzikore folklorike gjenden të shtresuara mënyra të menduari kompozicional arkaik, të cilat janë me vlerë mbarëbotërore. Ndër të tjera, këtu kam parasysh konceptit kompozicional të iso-polifonisë apo dhe të gjamës malësore”. (Revista “Mijëvjeçari i ri i miqësisë heleno- shqiptare”, botim i gazetës “Llaiko Vima”, Botimet Uegen, 2004, f. 194 -197).
I.Kadareja, në një interviste dhënë gazetës “Le Monde”, e ka cilësuar romanin “Koncert në fund të dimrit” (1988) “roman me shumë regjistra, vepër polifonike, me një spektër të gjerë elementesh letrare, politike, filozofike. Ai është një kronikë dhe histori e luftërave ideologjike brenda Kinës dhe në shkallë botërore në fund të shekullit XX”.
Evliya Çelebia e quajti Gjirokastrën qytet i vajtojcave. “Me idenë e vdekjes njeriu njihej herët në Gjirokastër për shkak të zive të gjata që mbaheshin. Pothuajse çdo shtëpi kishte orën e qarjes, ku kujtoheshin të ikurit”. (Ismail Kadare, “Ftesë në studio”, f. 318).
Mënyra e vajtimit me pjesëmarrjen e vajtojcave profesioniste sot nuk praktikohet, por zakoni ka interes etnografik. Sadoqë kjo dukuri mund të ketë një ndikim të vonë lindor, është tepër e lashtë dhe tipike për qytetin, Labërinë e më gjerë. Relievi i qytetit, me brigje, pjerrësi e përrenj që rrisnin akustikën, bënte që vajtimi të përhapej nga njera anë e lagjes në tjetrën e të kthehej në psikozë dhimbje për krejt bashkësinë.
Në kujtimet për Gjirokastrën, (libri “Vitet e ëndrrave të vrara”, Tiranë, 1997) Agim Mero shënon se, sa herë dëgjoi korin e operas “Nabuko” të Xhuzepe Verdit, i kujtohej të qarët “me bot” të grave gjirokastrite.
Në veprën e shkrimtarit I. Kadare e kaluara vjen si një iso e thellë. Është e pranishme dhe një psikoze misteri, një lloj rropame e thashethemnaje që plotëson atmosferën në pëlhurën e veprës. Mënyra shumëzërëshe, polifonike është e pranishme në sfondin, strukturën dhe thurjen e pëlhurës së shumë veprave të tij. I. Kadare, në studimin e gjatë për poezinë popullore iu drejtua “Laokontit” të Lesingut, i cili pat folur për lidhjen midis muzikës e pikturës. Përshtypja epike dhe dramatike e ansamblit arkitektonik gjirokastrit na sugjeron të shtojmë këtu edhe lidhjen me skulpturën.
Ja si e formulon I. Kadare lidhjen midis tyre në vargjet e poemës “Gurgdhendësi” (1969):
Kur çekani qëllon
ritmikisht mbi gurë,
kjo është muzikë,
kjo është skulpturë.
Lidhjen me muzikën shkrimtari e shikon si një rezonancë të artit të vet:
“Mua më është hapur nami që Kadare nuk e do muzikën, por nuk është e vërtetë. S’kam ç’i bëj. Është hera e parë që hapet ky muhabet. Por, në mënyrën time të të shkruarit, ma kanë thënë specialistë të muzikës, që përdor shpesh atë zhdërvjellim, atë procedim që mbron muzika. Ato lejtmotivet që shfaqen, ngrihen, zbehen, shfaqen… ulen… Siç duket, është një dukuri patologjike e artit”.
Zhdërvjellimi, procedimi që vjen nga muzika, kanë brenda bulëzat, variacionet, kontrapunktin dhe, mbi të gjitha shumëzërëshin popullor. Isoja e polifonisë popullore është konstante. Siç thekson muzikanti Naxhi Kasoruho, kënga popullore gjirokastrite është konservatore. Ajo erdhi deri në kohët e reja , e pacënuar nga ndikimet e huaja dhe, duke mos pranuar shoqërimin a pjesëmarrjen e veglave muzirore, të sazeve. Kjo mënyrë të kënduari, ku edhe rolin e veglës muzikore e luan fyti i këngëtarit, veç dëshirës për origjinalitet e mëvetësi, shpreh edhe ndjenjën e plotfuqishmërisë e mjaftueshmërisë.
Këngëtarët mbështesin njeri – tjetrin (janë katër zëra) dhe nuk kanë nevojë për ndihmë nga “jashtë”. Kënga poilifonike e qytetit të Gjirokastëres është e dallueshme edhe brenda varianteve të ndryshme krahinore. Dy Dunavatet, dy Manalatet, Cfaka e deri diku Polortoja janë lagje që e rrethojnë qytetin nga lart e nga krahët. Ato kanë grupet e veta të këngës tradicionale, breza të vjetër e të rinj, dhe isoja e tyre është një kurorë e dytë e gjelbër në Malin e Gjerë.
Krahas ndërtuesve dhe mjeshtrave gdhendës të gurit, shkrimtari përmendi që herët me nderim “mjeshtrat e panjohur virtuozë” që gdhendën tavanet dhe musandrat e shtëpive gjirokastrite.
Por ajo që për vizitorin ishte tërheqëse dhe argëtuese, për banorin ishte një mundim e ankth, sepse: “Arkitektura e sherrit permanent mund të quhej fare mirë ajo që çatitë e shtëpive i ngrinte befas aty ku syri mund të priste çdo gjë veç çative e tymtarëve, ku një çezmë apo kanal i hapur pa kujdes në bodrumin e një shtëpie mund të shpërthente për shkak të disnivelit të truallit në dhomën e miqve të shtëpisë tjetër etj., etj. Pa përmendur shtëpitë që kishin stera me ujë çarja e të cilave mund të ishte katastrofë për fqinjët” (romani “Kronikë në gur”).
Në psikologjinë e gjirokastritit ndikoi ushtroi peisazhi shkëmbor mbi volumet masive të ngrehinave prej guri, loja dritë-hije, grija me të gjitha ngjyresat dhe…zymtia e jetës. Kjo gravurë vigane e gurtë ka ndikuar me mënyrën e vet edhe në përfytyrimet, patosin, simbolikën, deri në mjete të veçanta shprehëse në poezi dhe sidomos në prozën e autorit. Qyteti, ndoshta, ndikoi edhe në strukturimin e subjektit si një ansambël, me shtrirjen lagje-lagje, me blloqe, me linja të zhdërvjellta e hovzime të befta. Po të përdorim shprehjen e një të të largëti, Gjirokastra është e tëra një skulpturë e banueshme.
Në qytetin e Gjirokastrës, në zonën historike dhe muzeale, nuk janë praktikuar pothuajse asnjë herë ndërtimet tip, standarde. Kjo ka ardhur për shkak të terrenit, të nevojës për përshtaje atij, por edhe prej dëshirës së pronarëve e banuesve për origjinalitet dhe estetikë. Ndoshta kjo ka ndikuar edhe në tipologjinë e veprës letrare të shkrimtarit, në kërkesën për origjinalitet, që secili krijim i ri të dallohet për nga struktura prej krijimeve të tjera të mëparshme të tij. Pra, një sfidë monotonisë dhe skematizmit.
Ngjyra gri e peisazhit u përcoll edhe në tonalitetet e ngjyrave që përdor autori. Kështu kemi: mëngjes i hirtë, ekrani bojëhiri i televizorit, kardinali bojëhiri, deri te grija perandorake e ndërtesave të Parisit. Edhe shiu i paprerë që bie tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” e gjetkë është shiu tipik vjeshtor gjirokastrit, i dikurshmi, që i kthente udhët në përrenj dhe përmbyste luginën. (Edhe dimri i fillimvitit 2015, ashtu si ai i fëmijërisë së shkrimtari, apo i vitit 1963, nuk i kurseu rreshjet dhe e përmbyti fushën, më keq).
Gjirokastra sulmohej nga përrenjtë e shumtë, por “Përroi i Çullos” jepte një gur të bardhë e të butë, që përdorej për ndërtim. Ai, tok me Malin e Gjerë ishte gurorja e parë e qytetit. Pastaj u përdorën gurët dhe kapakët e zinj të kodrave të Shën Triadhës dhe gurët e kapakët ngjyrë trënfafili të gurores së Derviçanit.
Me vështrimin nga kështjella apo nga mali monumental i Lunxhërisë, shkrimtari i ri nisi ta përjetojë realitetin si një vizionar në formim, që vështron përtej mureve, gërxheve e majave, përtej ngushtësisë së rrugëve dhe të jetës. Ngurtësisë së terrenit ai iu kundërvu me ndjeshmërinë, fantazinë dhe romantizmin e moshës. Çngurtësimi i pamjes, nxjerrja nga gjendja në dukje inerte e domethënieve interesante u bë maniera e tij (kujto edhe novelën “Krushqit janë të ngrirë”) duke u prirë nga një frymë mitologjizuese dhe çmitologjizuese njëherësh, me ngjyrimet e mjedisit e mendësisë shqiptare.
Nga çdo kënd i qytetit mund të vërehet njëlloj fluturimi i zogjve, lëvizja e reve, ndërrimi i stinëve. Në pika të tilla zotëruese, belvedere natyrore, syri përftonte një lloj aftësie gjithëpërfshirëse, ndiente efektin e harmonisë dhe të kontrastit, lidhjen e së afërmes me të largtën, të së ultës me të lartën (atë që shkrimtari e ka quajtur diku forcë simfonike, bashkuese). Belvederet e shumta: Kuculla, Dullga e kalasë, Bregu i Topullarëve, Kodra e Rilindasve, Kodra e Ciut në qendër, Bregu i Baboçatëve në Manalat, kodra e Shtufit apo lagje të tëra si Dunavati e Cfaka, kishin ç’të tregonin përtej vetes. Në luginë, male e horizonte.
Qyteti i lindjes i dha atij vizionin e parë të botës edhe me pamjen, anën e jashtme të tij. Materialiteti dhe arkitektuara gjirokastrite i ofruan konceptime të figurshme që lanë gjurmë në materjen e krijimeve, por edhe në titujt e tyre: “Kështjella”, “Kronikë në gur”, “Kështjella dhe helmi”, “Gurgdhendësi”, “Ura me tri harqe”, “Në muzeun e Armëve”, etj. Relievi i thyer injektonte ndjesinë dhe aftësinë e relievimit të gjërave.
Në një vjershë për kullat e malësisë së Veriut (vëllimi “Motive me diell”) autori shprehet me dhimbje për frëngjitë, të cilat i quan sy me të cilët atdheu shikonte botën. Të tilla frëngji si sy picërrakë kishte jo pak edhe në shtëpitë-kulla gjirokastrite. Dhe kur hyje rrugicave të ngushta e dredhuese, vështrimi kufizohej dhe më tepër nga ndërtesat dhe muret.
Tek njohja e mjediseve gjirokastrite e ka zanafillën prirja për të riprodhuar psikozat e lashta, kumtet paralajmëruese, një lloj fryme orakullore dhe kasandrike, e fatalitetit dhe rënies totale, që përshkon jo rrallë veprat e I. Kadaresë.
Duke u rritur, shkrimtari hetonte të gjente misteret e vendlindjes. Përjetime të tilla ndjesore, vizuale ose imagjinare, ndikuan që autori të zhvillojë prirjen e tij shekspiriane, për të arritur tek fantazmat e historisë së vjetër e të re. “Një qytet shumë antik që favorizonte psikologjinë mitike në të cilën jetonin shumë njerëz. Të jetuarit në mite, në një gjendje iluzioni permanent, të humbur në kujtime. Jo pak e përzienin të vërtetën dhe gënjeshtrën, realitetin dhe fantazinë, flitej për komplote, zbuloheshin intriga. Kur isha i vogël kam dëgjuar shumë fjalime të kësaj natyre dhe kjo e ka ndikuar fëmijërinë time, më dha idenë, sugjestionin e një perandorie fantazmë tashmë të zhdukur dhe që ngelej vetëm në kujtime”. (Intervista dhënë revistës “Galatea”).
Këndej nisi prirja e shkrimtarit për të kërkuar të vërteta që vijnë nga muzgjet e kohërave, mitologjia biblike, shfaqjet apokaliptike, profecitë për marshues me flokë të verdha a kuqërrem, madje, edhe nisur nga shprehje “si çifuti në shkretëtirë”, fjalë si: Moskovi, Çinmaçini etj., vende të cilat i zbuloi, i shkeli dhe, si shkrimtar, u kushtoi libra të tërë. (“Muzgu i perëndive të stepës”, “Gjakftohtësia”, etj., pa harruar perandorin Hirohito, në një tregim e vjershë të viteve ’70).
Në Gjirokastër ishte e gjallë legjenda e Ali Pashës, sundimtar në Tepelenë e Janinë, e nënës së tij, Hankos dhe motrës Shanisha. Shanishaja e kishte qendrën në kalanë e Libohovës, ku ndezi depon e barutit, që të mos binte e gjallë në duart e turqve otomanë. Thuhet se atë kala, ku banonte e jetonte, ia pati bërë dhuratë Aliu, ndërtuar enkas.
Po nuk mund të harrohet masakra tek hani i Valaresë, fare afër Gjirokastrës, me shestues e zbatues Thanas Vajën nga Lekli buzë Vjosës, kundër kardhiqotëve dhe hormovitëve për çnderimin që i patën borxh, konflikt që ishte nxitur nga hesapet ekonomike midis tyre dhe zonjës Hanko që kishte zotërimet e veta atje. Shemo Hajduti, Bilbilenjtë, që i varën në një rrap në mes të Janinës, deri tek personazhe jopozitive si, Damo Lengo e Mero Lamçe, kujtoheshin deri vonë përmes rrëfimeve por edhe këngëve për ta.
Nuk mbetën pa këngë Vasiliqia e bukur, që u bë bashkëshortja e ligjshme e pashait të Janinës, por as Frosina, të cilën Aliu e mbyti në liqen me një grup femrash që ai, harremmadhi, i quajti të përdala dhe ashtu “pastroi” Janinën. Ndaj: “Janina – çerek Stambolli,/daltë e të mbuloftë gjoli”!
Tepelena dhe Janina ishin, si të thuash, ngjitur me oborrin gjirokastrit, enë komunikuese në histori, në folklor, në meloditë polifonike, në gojëdhëna, në valle trimash me fustanellë të bardhë, që u takonin dy palëve.
Në atmosferën e mjedisit rrethues sikur qëndronte pezull ideja e pashallëkeve dhe vilajeteve ku bënin pjesë edhe trojet shqiptare, ideja e vasalitetit, rebelimit dhe ndëshkimit sulltanor, shpallja fermanli, koka në tepsi, kriposja e saj për të rezistuar në udhëtimin me mjekër të kuqe drejt Stambollit, vendosja në Kamaren e Turpit e kokës së prerë të “bukëshkalit”.
Kujtimet e bëmave të përgjakshme shpjegojnë përse autori, më tepër se nga lavdia luftarake është i prirur nga çasqyriomi i mizorisë (“Një varr s’ ta nxinte dot lavdinë,/ Lavdinë bashkë me mizorinë”, formulon autori në vjershën kushtuar Ali Pashë Tepelenës). Dhe, edhe mbi mizorinë e lavdinë luftarake, autori vendos “lavdinë e marrëzisë”, titull i Edmond Rostan. (Rastësisht autori pëlqeu të shkruajë te kafja me këtë emër, por ndoshta jo rastësisht fjalën “marrëzi” e gjejmë në titullin e një roman që shkroi). Dhe humori e komizmi vijnë edhe atje ku nuk e presim.
Shkrimtari flet edhe për Princ Vidin, ndaj të cilit njerëzit kërkuan si parakusht të hipjes së tij në fron, bërjen synet sipas zakonit të vendit (Ismail Kadare, “Viti i mbrapshtë”).
Prirja për të vënë në lojë dhe parodizuar vjen që nga fëmijëria, mungesa e gëzimit përballë vrazhdësisë së tepëruar të realitetit, një lloj hakmarrje e të rriturit pikërisht në emër të fëmijës.
Nuk përjashtohet që, në paraqitjen e mjediseve sulltanore, por edhe të pashallarëve modernë shqiptarë të diktaturës, autori të jetë ndikuar nga përshtypjet dhe njohuritë që përftoi në mjediset e vendlindjes në fëmijëri dhe në rininë e hershme, nga sarajet e kështjella, së pari mjediset e shtëpisë së vet (ku minjtë në tavan i ngjanin si hordhitë e Xhingjis Khanit dhe shtëpia, që kishte një burg familjar, një bimcë me hyrje vetëm nga sipër).
Fantazma, lugatë dhe në një intervistë të marsit 1997, larg atdheut, përmes “Zërit të Amerikës” shkrimtari thërret në ndihmë xhindet: “Të ndalim katastrofën, të shpëtojmë shtëpinë tonë të përbashkët, truallin tonë; na kanë zënë xhindet, të largojmë xhindet”.
Me shumë vonesë autori foli posaçërisht për familjen e fisin e vet, me vlerësim por edhe me pezm. Kjo vonesë vetëzbulimi e vlerësimi erdhi ndoshta nga mungesa e dëshirës për t’u dukur, për të mburrur për prejardhje e vlera. Se “Ne në Ballkan, sidomos në Shqipëri, kemi zakon që mburrim fisin. Natyrisht babai ishte shumë i mirë, mjaft zemërbardhë, shumë i mençur, gjyshi akoma më tepër, gjyshja një engjëll mbi dhe, tezet po ashtu, të gjithë…Asnjëherë nuk e kam bërë këtë glorifikim, gjithmonë kam qenë neutral me familjen time, asnjanës me fisin. Pastaj e kam çuar edhe më tej, më ka pëlqyer kjo gjë. I çon përpara popujt syri vetëkritik, mundësia, forca për të bërë humor me veten. Kurse tjetra është fatale, etja për lavdi e klanit të fisit, sidomos kur vjen në jetën moderne, shoqërore e politike. Kështu që tribalizmi është fatkeqësi e rëndë e një kombi”. Dhe: “Ndoshta është një emancipim i brendshëm i shkrimtarit që guxon të bëjë humor dhe me vetveten”.
Pyetjes së gazetarit: – Ju keni qenë një fëmijë i lumtur? Me cilin nga prindërit keni pasur raport më të mirë kur keni qenë i vogël?” shkrimtari iu përgjegj:
– Kur kam qenë i vogël nuk mund të them se kam qenë fëmijë i lumtur, por i qetë, i kënaqur, më kanë dashur shumë në familje. Nëna me një dashuri të drejtpërdrejtë, im atë me një dashuri të heshtur si të thuash. Ka qenë një njeri, nuk do të thosha i zymtë, por i përmbajtur, tamam ajo që thamë në fillim për gjirokastritët. Ishte shumë i… në atë rezervimin e tij, dashuria ishte edhe më e çmuar, si të thuash. Nuk mbaj mend kurrë të kem pasur me tim atë ndonjë përplasje. Ai ishte mjaft autoritar, por kur thonë se te shkrimtarët autoriteti i babait luan një rol negativ, këtë nuk e besoj fare. Ndoshta jam subjektiv. Ndoshta ka luajtur një rol të veçantë në marrëdhëniet tona, sepse që kur isha i vogël kam filluar të botoj në shtyp vjersha ose proza, që 11 vjeç… dhe ajo krijon te fëmija njëfarë mistike të veçantë dhe më e çuditshmja ishte se në atë kohë Shqipëria përdorte sistemin e honorarëve sovjetikë, që ishin kolosale në krahasim me jetën e vendit.
Më kujtohet kur më dërgonin honorarët, kur nuk kisha të drejtë t’i merrja se isha i vogël dhe nuk kuptoja çfarë ishin, babai më ka çuar në postë përdore, duke më thënë: Ç’janë këto para, nga të vijnë ty? Pasi telegrami i kishte ardhur babait, ku thuhej se djalit tënd i ka ardhur një shumë parash nga Tirana. U habit, i thashë që nuk e di dhe më pyeste se si nuk e dija. Përdore më ka çuar në postë. Shkuam dhe unë nuk e kuptoja. Pastaj, pak më vonë e kuptova kur më çuan një letër, në të cilën më thoshin se më kishin dërguar një honorar për vjershat dhe për çudi, honorarët ishin të mëdhenj, sepse ne i kopjonim shumë sovjetikët në atë kohë. Në muaj mund të më vinin aq sa ishte rroga e babait, gjë që ishte groteske për një kalama akoma me pantallona të shkurtra, e për të cilat nuk kishte asnjë ide ku t’i prishte”.
Shkrimtari kujton qortimin dhe kërkesën e babait për të mos vendosur në botime midis emrin e mbiemrit edhe inicialen H., të emrit babnor Halit. Që këtu tutela dhe interesimi i babait për djalin marrin fund. Por shkrimtari nuk harron edhe se ishte ky baba që e nisi me taksi për në Tiranë, që të mos lodhej me autobuzin që bënte 12 orë udhëtim, në xhadetë me pluhur e baltë dhe nëpër kthesat e shumta e të frikshme të Salarisë së Tepelenës. (Në romanin “Kukulla”, 2015, autori përmend dy herë Grykën e Këlcyrës).
Udhëtimi me taksi u krye për të parë në Tiranë vëllimin e parë, që ishte bërë gati për shtyp. Ishte fillimi i një udhëtimi të gjatë, i cili vazhdon edhe sot. Babai nuk foli më me djalin për punët e tij të letërsisë, Por babai i Ismailit, thotë Helena, në dukje mospërfillës, jetoi dhe vdiq me merakun e patreguar se mos djalit të tij do t’i vinte e keqja nga ato që shkruante. Sepse, siç thotë së fundi shkrimtari, poezia të ngre lart, por mund, për shkak të saj, të përfundosh edhe në burg. Dhe nuk ishte fare gabim. (lexo f. 346 të librit të saj). Një rast i rrallë, si thyerje e statusit, është leximi i një materiali të verdhë, nga azhanset, që shkrimtari e solli në shtëpi dhe, pas leximit, e dogji, siç ishte dhe praktika e kohës.
Shkrimtari përmend episodin e takimit dhe vënies përballë të xha Halitit me babanë e Helenës, me rastin e vendimit të çiftit të ri për fejesë e martesë: “I ati i Helenës, përveçse i ndjeshëm prej natyre, nuk e kishte lehtë të shpjegonte një gjendje që aty për aty bëhej dyfish e paqartë përballë fytyrës së pazbërthyeshme të tjetrit.” (“Kukulla”, f. 100).
Ismaili thotë se babai i tij fjalëpakë është një vështirësi për të folur për familjen e vet. I tillë tip i heshtur sa, sipas shkrimtarit, gjithë jetën e vet kishte folur a nuk kishte folur gjithsej dy orë. Dhe, si për të kompensuar fjalëpakësinë e të jatit, i biri vërshoi më pas me rrëfimet e tij romaneske, me subjektet në prozë, me thurjen e poemave dhe me parashtrimet e trajtesat e tij të shumta në prozë, artikuj, studime dhe intervista. Po si e nga e mori i biri talentin e rrëfimtarit? Tek përrallat dhe tek rrëfimet për bëma e ngjarje reale shkrimtari njohu dhe mësoi mjeshtërinë e intrigimit të dëgjuesit (lexuesit) dhe theksimin e pikave nevralgjike të ngjarjes.
Në mjedisin gjirokastrit ai dëgjoi rrëfyes të shkëlqyer historish e gojëdhënash. Por edhe babai i tij qenkish një rrëfimtar i rrallë. Nga SHB A i mërguari Kozma Koçi kujton se, gjatë punës në spitalin e Gjirokastrës, ai njohu nga afër babanë e shkrimtarit. Dhe “babai i tij ishte një tregimtar i mahnitshëm, lidhte e krijonte aty për aty rrëfenja dhe bejte, tregonte histori dhe ngjarje të jetuara, me një aftësi treguese të habitshme”. Por Haliti këtë nuk e bëri edhe përpara fëmijës së vet. Shkrimtari më se një herë e paraqet fjalëpak, gati të heshtur e moskomunikues. Kurse nëna e tij, gjithashtu fjalëpak e si e përhënur, përdori “një gjuhë jo të zakonshme, si ajo e titujve të gazetave ose e emisionit “teatri në mikrofon”.
Mësuesi Luan Hoxha thotë se xha Haliti ishte tip i lezeçëm, njeri i urtë. I pëlqente pija, nga pak, dhe atij, Papa Fotit dhe Pandi Papamihalit. Babai i Luanit me dyqanin afër e ngjitur xhamisë tek Pazari, u mbushte thuajse përnatë një shishe aranxhate me raki nga e veta. (Se kur shlyheshin dhe a zëvendësohej me ujë raki e dhënë veresie, është çështje tjetër). Luani thotë se ata mbanin me vete një shishe kolonje, jo aranxhate.
Pra, era e rakisë ishte më joshëse dhe më e fortë se çdo aromë tjetër. Herë herë treshja paraqitej e falej nën xhami pasi kishte hedhur më parë ndonjë gotë verë apo raki dhe pastaj, tok me pijen e shtuar, shijonin edhe bërxollat e skarës. I shijonin shoqërinë dhe të mirat e kësaj bote. Pra, babai i shkrimtarit nuk ishte asket e pa pasione, siç mund të pandehet herë-herë. Ndonjëherë për të mbushur shishkën tek dyqani i caktuar, dërgohej vëllai i vogël, Shahini.
Përpara daljes në pension xha Haliti punoi si portier në spitalin e qytetit të Gjirokastër. Ishte fjalëpak, me një palë këpucë të mëdha për këmbën e tij. Një ditë, thotë mjekut zagorit Foto Andoni, i cili në moshë të re nisi punë në atë spital, plakut i ra zali tek ngrohej mbi mangall.
Arkitekt Agroni kujton një rast kur xha Haliti, çues i gjykatës, e ndihmoi për të dalë nga një gjendje e pakëndshme që u ndodh, ku disa fëmijë të mbrapshtë e mpleksën në një histori vulgare. “Mos u merrni me djalkën e xha Haxhiut, që e njihni mirë si njeri dhe familje e ndershme”, i dha udhë çështjes ai.
Nga njera anë ishte fjalëpakësia e prindërve, nga ana tjetër marrja me letërsi që në moshë të mitur, punë që nuk shikohej me sy të mirë nga mjedisi në tërësi, por edhe që kishte të fshehtat e profesionit. Këto dy anë u bashkuan dhe i diktuan autorit një distancim praktik e arratisje virtuale. Ndoshta ky moskomunikim relativ me nënën e babain e vet dhe ngushtësia e mjedisit, i sugjeruan Kadaresë së ri të gjejë një mënyrë kompensimi, letraren, që e tejkaloi mjaft nevojën e komunikimit të rëndomtë dhe i kaloi edhe caqet e bashkësisë së njohur njerëzore.
Shtojmë se në Gjirokastër përdorej shprehja “Nga pragu e brenda”, që do të thoshte se problemet e shtëpisë nuk duhej të dilnin jashtë e t’i mësonin të tjerët. Duhej të ruheshin edhe nga njerëzit e afërm, farefisi e kushqia, sepse i merrnin nëpër gojë ose u bënin dëme në forma të ndryshme. Kjo psikozë del në spikamë edhe nga marrëdhëniet midis familjeve Kadare e Dobatë, nga e cila kishte prejardhjen nëna e shkrimtarit.
“Nga pragu e brenda”, kështu vendosi një ditë gjyshja e shkrimtarit, që pjesën e mbetur të jetës së vet ta kalonte brenda mureve të shtëpisë, një vetmim e vetizolim tekanjoz, vetëburgim, kur të tjerat kërkonin çlirim nga ndrydhja, por që sipas saj, ky veprim ia rriste personalitetin! Një status i çuditshëm, zakon i padëgjuar, sindromë e imponuar nga provincializmi dhe që e ushqen atë. Por edhe nëna, e papenguar, nuk kërkoi më shumë liri se sa të ishte e qetë në vetminë e saj, në shërbim të bashkëshortit dhe fëmijve, duke pastruar, larë e gatuar përditë.
Nëna e shkrimtarit ishte nga familja Dobi, Dobatët. Ishte shtëpia dhe familja e Babazotit, në lagjen Hazmurat.
Në një bejte gjirokastrite të kohës së shkuar familja Dobi përmendet për mirësi. “Νëna ime ishte një engjëll”, thotë shkrimtari në një intervistë. Dhe portretin e saj e rikrijoi në një një libër të tërë, brenda librit që flet për mëngjeset në kafen e famshme të Parisit. Kapitullin “Kukulla” e botoi në frëngjisht si roman, që u prit me padurim edhe në Shqipëri në gjuhën shqipe. Figura e nënës, aq e lehtë si peshë fizike në gjallje të saj, tani rëndon tepër për autorin, që përpiqet ta gjallërojë e plotësojë figurën dhe personalitetin e saj.
Shkrimtari mundohet të ndriçojë së brendshmi një farë ngërçi psikologjik dhe mospërshtatje që e shoqëroi në jetë nënën e tij qyshse kapërceu pragun e shtëpisë së Kadareve në lagjen “Palorto”. Ata që kanë patur rastin ta njohin, thonë se përveçse amvisë e mirë, ajo gatuante shkëlqyeshëm gjellët e njohura gjirokastrite. Doemos, këtë e dinë më mirë fëmijët e saj, që u rritën me ato gjellë. Shtëpia ishte e madhe, por shfrytëzoheshin vetëm dy dhoma e ndonjë divan, sepse të tjerat dilnin të tepërta, madje ishin pa dritare e pa përkujdesje. Nëna thoshte “më ha shtëpia”, por ndoshta kjo vinte nga mjediset e zbrazta, të papërdorura e jo nga lodhja për t’i mirëmbajtur edhe ato.
“Sa ç’ishte e madhe dhe hijerëndë shtëpia jonë, aq nuk ishte e tillë ajo e babazotit, siç quhej gjyshi nga nëna. Ishte e madhe, po s’kishte as qilarë të thellë, as sternë, as shkallë trillane prej druri, për të mos folur për dhomat e pabanuara, për burg, nënkalime të fshehta, mesore apo nënmesore (nëndivane) pa kuptim”, (gazeta “Dita”, 7 prill 2015, f. 15). Në romanin “Κronikë në gur” flitet për babazotin, që lexon libra arabisht e turqisht, kurse te “Kukulla” mësojmë se babazoti në pronat e tij kishte bujq grekë. Nga libri “Harta tjetër” i Andrea Zarballasë («Το άλλο χάρτι», Αθήνα, 2004, f. 163), mësojmë se familja gjirokastrite “Kadare” (Kaman, Idriz, Xhafo) kishin prona në fshatin Pali të Vurgut. Një familje me mbiemrin Kadare gjendet edhe sot në lagjen Hazmurat, por dëgjojmë se mbiemri më i hershëm i saj nuk ka qenë ky.
Nëna e shkrimtarit, pas martesës dilte rrallë nga shtëpia, pothuajse vetëm për të vizituar shtëpinë prindërore një lagje më tej, e shoqëruar nga një rome. Marrëdhëniet e saj dhe të grave të tjera me mjedisin përreth ishin tepër të kufizuara. Të njohura ishin vizitat e ndërsjellta, protokollare e “hatërllëqet”, që bëheshin kohë pas kohe, me rast apo si një rit, sipas një kodi etik strikt.
Mesjeta e shtriu hijen e vet mbi qytet edhe pas shpalljes së Pavarësisë. Fanatizmi ishte një nga plagët e kohës. Këtë e përshenjon edhe kënga:
Mu te urë e Zerzebilit,
Hanushe, bilë e Bakirit.
Të vrau plumb i qafirit
Pse ngrite perçen e sirit.
Në korrik 1930 konservatorët gjirokastritë paditën në gjyq mësuesen përparimtare Urani Rumbo se gjoja kishte nxjerrë shëtitje vajzat, me çorape të modës dhe pse përgatiste me kokën e saj, tok me nxënësit, shfaqje teatrale. Si pasojë e kësaj, pas sulmeve të përsëritura, në vitin 1933, Urania u transferua në Vlorë, po mësuese. (Valentina Mosko, “Urani Rumbo”, 1977, f. 104). Kurse Bajo Topulli, pjesëmarrës në Kongresin shqiptar të Manastirit, ishte kryetari i Bashkisë që detyroi gratë gjirokastrite të heqin ferexhenë, duke mbajtur në kokë sharpin.
E vetmja gjë e dukshme ishin përpjektet e elitës intelektuale përpara Çlirimit, dhe më pas, në gjimnaz, lidhjet mes të rinjve, që i shkuan Ismailit për urim në ditëlindje.
Jeta në shtëpinë e Kadareve i ngjante teatrit, që theksohet edhe nga mënyra gjithsesi efektuoze me të cilën autori i përshkruan ngjarjet dhe episodet brenda e jashtë saj.
Personazhi fëmijë i romanit “Kronikë në gur”, kujton ikjet familjarisht e strehimin në fshatrat e krahinës së Lunxhërisë përballë, për të shpëtuar nga rreziqet e luftës, por sa ishte e anasjellta në kohë paqe? Dhe ndërsa kishin lidhje, miqësi e vajtje- ardhje, përse gjirokastritët të mos bënin edhe krushqi. por praktikonin rrëmbimin e nuseve nga Lunxhi, siç përmend diku autori? (Lunxhoti Fedhon Meksi polemizon me rrëmbime të tilla ala Helenë Troje, që përmend autori në një nga librat e viteve të fundit).
Gjirokastritët përdornin disa alfabete të shpikura, për konsum familjar e farefisnor, por kishin edhe një etikë më të përgjithshme, kod komunikimi, jo vetëm i esnafëve, ku spikaste masa dhe përpikmëria. E folura e banorëve dallohej për lakonizmin, taktin, por edhe për replikat disa herë therëse, ku dukej zgjuarsia e folësit dhe toleranca e pritësit (“Vra e pre e gjak mos kërre!”). Kjo del edhe në fjalët e urta, përgjigjet hazërxhevap, improvizimet e gjirokastritëve.
Në një rrafsh më të përgjithshëm, Gjirokastra, me kulturën material, por edhe shpirtërore të saj, përcolli tek shkrimtari genin krijues të mjeshtrit të madh, të njohur dhe anonim, profesionist dhe amator, që ngriti dhe mbajti në këmbë këtë ansambël të rrallë në Shqipëri dhe në Ballkan. E jo më pak se arkitektura e tërhoqi ansambli artistik e folklorik i popullit, nisur nga ai mjedis.
Në librin “Autobiografia e popullit në vargje”, (f.66), autori thekson: “…populli, si një mjeshtër i pagabueshëm, ka ditur të vendosë në artin e tij një raport të drejtë midis elementeve realiste dhe mrekullore, midis bashkëkohores dhe së përjetshmes, midis konkretes dhe abstraktes, midis materiales dhe shpirtërores”. Këtë sugjerojnë folklori dhe arkitektura gjirokastrite.
Në mjedisin dorështrënguar gjirokastrit morën jetë përjetimet më pasionante të krijimtarisë së I. Kadaresë, ku diti të gjejë dhe të gjallërojë gjurmët e jetës, të japë dinamikën e një realiteti në të cilin ngjante se koha ishte ngurtësuar dhe nuk punonte.
Gjirokastra është një dashuri e imponuar nga natyra dhe nga fati i vështirë. Kam shkruar e jam shprehur se Gjirokastra i ngjan nënës që shtrydh e dhe pikën e fundit të gjirit për fëmijën e që edhe pas kësaj fëmija mbetet i pakënaqur. Kjo “La mere sovage” (= nënë e ashpër, – titull novele e Gi De Mopasan) të mundon dhe mandej të “detyron” t’i ngresh këngë, ta hedhësh në telajon e piktorit, të shkruash libra të tërë për të, ta kujtosh me mall. Kështu e përjetoi edhe autori i larguar përgjithmonë prej saj, por me dëshirë të rikthehet në origjinën e ditëve virgjine, te kujtimet e rinisë që rrinë “si lulet në herbarium”.
Duhet ta njohësh së brendshmi, ta vuash në lëkurën tënde Gjirokastrën, të dish ta psikologjisësh atë dhe pastaj të synosh të japësh nënshtypjet e jetës dhe peisazhit të saj. Këtë e ka bërë mjeshtërisht “anatomisti” I. Kadare.
Paktin e mospajtimit e nënshtrimit ndaj provincializmit autori e këmbeu herë – herë me mallin për njerëzit dhe fëmijërinë, një mall që orvatet të zbusë ashpërsinë prej sfinksi. Për këtë flet edhe poezia “Kinema e vjetër” (1964) nostalgjia e së cilës na kujton filmin “Kinema Paradiso” të regjisorit italian Xhuzepe Tornadore.
Tek vëllimi “Ëndërrimet”, 1957, gjejmë muzikën e shiut mbi llamarinën jashtë dritares, ku shiu krahasohet me një vajzë flokëlëshuar që luan mbi piano. Kthehet për pushimet e shkollës dhe kërkon në mur, në një kënd, vargjet që kishte lënë shkruar për vajzën e dashur, vargje që nëna e tij, pa e ditur, i kishte fshirë me gëlqere (që gjirokastritët i thoshnin gërqele…). Dhe mërzitej e nervozohej kur konstatonte se nëna ia kishte lëvizur librat në mënyrë të përsëritur.
Njeriu kërkonte të bukurën në jetë, por kjo e bukur ishte si ujët e pakët. “Shqipëria nga shëmtimi i saj lindte fëmijë të bukur” formulonte autori në botimin e parë të plotë të poemës “Përse mendohen këto male”, shkurt 1964. (Më pas fjalën shëmtim autori e zëvendësoi me ashpërsi). [Nxënës në shkollën 8 vjeçare “Naim Frashëri” pata njohur një plak i familjes Dudumi nga lagja Manalat i Dytë, i cili kishte qenë nizam dhe kishte humbur në luftë njerën dorë deri në kyç dhe njërin sy. Ishte i shkurtër, vishej me rrobe shajaku, mbante një si qeleshe dhe pinte duhan me çibuk].
Katër epokat (pushtimi otoman, periudha e Pavarësisë, për çlirim nga pushtuesit e rinj dhe ajo e regjimit komunist) nuk ishin larg njera – tjetrës, dhe ishin gjallë dëshmitarët dhe protagonistët e saj, me jetën dhe mendësitë karakteristike. Që fëmijë, shkrimtari i njohu këto, që ndikuan fort edhe në mënyrën si e përjeton dhe percepton ai mjedisin gjirokastrit dhe realitetin shqiptar në tërësi.
Vepra letrare e I. Kadaresë është një përpjekje e mundimshme për të nxjerrë në pah dukurinë e mbijetesës, të lindjes së jetës nga mungesat dhe rrethanat e vështira, ngulmim për të rigjetur drejtpeshimin dhe, pas dukjes së ashpër ose mashtruese, kuptimin dhe shijen e jetës.
Guri, ura dhe kështjella janë tre elemente të natyrës e mjedisit gjirokastrit, të cilët kanë lënë gjurmë në konceptimin dhe simbolikën e mjaft veprave të I. Kadaresë. Ishte, si të themi, diçka e natyshme dhe e pashmangshme.
Në Gjirokastër njeriun e shoqëron ngado guri, rrethimi prej guri, që nga shtëpia, muret, rruga me kalldrëm, kalaja, deri tek malet rrotull. Një ekzistencë shekullore e ngritur sipas parimit të gurit mbi gur.
I kudondodhur guri. Një filozofi e tërë dhe mesazhe mësimdhënëse dalë prej gurit:
– Gur – gur bëhet mur – Gur – gur bëhet kalaja – Pika gërryen gurin – Muri luan, burri s’ luan – Bie një gur,/ shkoqet një mur – S’i bihet murit me kokë – Fjalë të mira e gurë në trastë – Unë me bukë e ai me gurë – Hedh gurin e fsheh dorën- Hodhi i marri një gur në lumë, njëqint u futën e s’e nxorrën dot – Var një gur në qafë e ik mbitu në lumë – Μe një gur (vret) dy zogj – Guri i rëndë në vend të vet – Pema me kokrra qëllohet me gurë. – Fol o gur, fol o mur! E bëra zemrën gur- e dhjetra e dhjetra shprehje të lindura nga guri. Pa harruar gurin e qoshesë, gurin e kafesë, gurin e mullirit, gurin e gëlqeres, gurin e sinorit dhe…gurin e varrit.
Dhe që: “Tek ai guri me vërë/ do kalojmë që të tërë”…
“Gjithë jetën koka mbi një gur,/gjithë vdekjen koka nën një gur…”, (vargje të poetit).
Fjalët: Gjirokastër, Argjiro dhe Ergjëri e kanë në rrënjë tingullin e gurit (dhe rrëzëllimin e argjendit). Këtë e përforcon sot Argjendaria “Argjiro”, në Qafë të Pazarit. Guri ka hyrë deri tek mbiemrat, Guri dhe Drrasa. Në Gjirokastër gjejmë me vazhdimësi familjen e Idriz Gurit. Dhe emrat e personazheve të krijuara nga shkrimtari: Gur Çerçizi, Gurametoja i madh e Gurametoja i vogël. Por është edhe familja dhe ndërtesa masive e Gurgajt.
Në penën e I. Kadaresë guri ka fituar peshë dhe vlerë si të ishte një metal i çmuar. E ka matur me sy mademin dhe gurët që do të nxjerrë, për t’i gdhendur pastaj me fjalë e me mendje, me daltën e fuqishme dhe mjeshtërore si asnjë skulptor. Jo rrallë gurin e ashpër dhe pa jetë shkrimtari e ka shpirtëzuar, e ka bërë lëndë shpirtërore, madje e ka sublimuar. Dhe rreshtat e shkrimeve të tij janë si rreshtat e ngjeshura të gurëve të kalldrëmeve të vendlindjes.
Νjeriu me shkollë e dituri në Gjirokastër quhet “njeri me çati”. Dhe: “Ι zoti e di ku i pikon çatia”. Një fjalë e urtë popullore thotë se ndërtimi i shtëpisë nuk mund të fillojë nga çatia, por shkrimtari disa herë e ka nisur pikërisht prej saj. Është fantazia, që ka për “çati” qiellin.
Fjala e burrit – pesha e gurit. Jo e gurit, por e shkëmbit. Dhe ngrehina të tëra prej guri si: “Kronikë në gur”, “Gurgdhendësit”, “Ura me tre harqe”, “Kështjella”, “Kështjella dhe helmi”, etj.
Tek novela “Breznia e Hankonatëve” kemi një episod proverbial që lidhet me betimin e rremë dhe me baltën.
Siç shprehet Eric Faye, në parathënien e novelës “Piramida”, “Piramida” si edhe “Ura me tri harqe”, “Pallati i ëndrrave” ose “Muri i Madh”, dëshmojnë në veprën e I. Kadaresë praninë e përhershme të temës së ndërtimit dhe rikthimin te guri. Gjatë leximit të faqeve ndihet trysnia e gurëve: kreu I dhe II, për nga pesha e trashësia e tyre, u përgjigjen themeleve të një ngrehine gjigante”.
Shkrimtari në librat e tij flet për epokën e gurit, burgje, qeli e kube të gurta, dhe për tiranë zemërgur. Tek novela “Piramida”, “trysnia e gurëve” ndihet dhe në shpirtrat e ndërtuesve të saj, qofshin skllevër apo arkitektë.
Shkrimtari na njeh me itinerarin për te guroret që ushqyen me lëndë të parë piramidën e Keopsit. “Përpara se të bëhej harta e udhëve prej nga do të vinin gurët, duheshin përcaktuar guroret. Karrocat e shpejta dilnin që pa gdhirë nga Memfisi. Një pjesë rendnin drejt lindjes, drejt guroreve të vjetra të Saharës e të Abusirit, e disa për në shrtetëtirën e Sinait, atje ku gjendej bazalti e malakiti. Secila piramidë kishte patur udhët e saj”. Dhe, megjithë materialet e shumta e të larmishme që përdoreshin për ngritjen e tyre, “kryesorja mbeteshin gjithmonë gurët” (cituar sipas “Piramida”, botimet Curier, Athinë, 2004).
Nga vendi i Kaanëve mesazhet dhe njoftimet vijonin të vinin me shenja të gdhendura në gur. Përmendet edhe bazalti, me të cilin Hamurabi shkroi kodin e vet në një shtyllë bazalti të zi.
Shkrimtari në vepër jep “biografinë” e gurëve që do të vendosen në piramidë. Gurët janë kthyer prej tij në personazhe dhe kanë fituar individualitet. Ata përshenjohen me numra e, tok me vulën, kanë gjurmët e pashlyeshme të bëmave të veta, zakonisht vrastare: “Guri nënqintenëntëdhjetekatër. Nga gurorja e El Bershehut. Ka vrarë katër njerëz në shkretëtirë…Vendosja pa të papritura, përveç këputjes së dorës së muratorit Thep, në çastin e fundit… Guri njëqintenëntëdhjetetre. I gurores së Asuanit. Ndonëse pa shenja të veçanta, i vështirë në ngjitje. Shkaktoi dërmimin e pastaj vdekjen e skalitësit Sheshi”.
Në parathënien për romanin “Piramida”, Botimet Shekulli 21”, Athinë, 1994, lexojmë:
“Gjendemi në epokën totalitare të gurit, por qysh atëherë pak gjëra kanë ndërruar”. Dhe Gjirokastra, bërthama e saj, mbetet përsëri e gurtë.
Gurit të Gjirokastrës autori i ka dhënë identitet, e ka vlerësuar se mund të shkruhet me shkronjë të madhe: Gur.
Ura, me funksionin e komunikimit, por edhe të elegancës, është element dhe figurë mjaft e përdorur në krijimet e autorit. Atë qyteti ia ofroi që kur hodhi hapat e para.
Diku shkrimtari e konfiguron urën me një dhi të egër, që hidhet dhe mbetet e ngrirë në ajër. Ura e Nanxës, Të gjitha urat kurorëzohen artistikisht me “Ura me tri harqe” dhe emrin e personazhit Marie Ura, që është edhe sot mbiemër real në Gjirokastër.
Ura baladike në themelet e së cilës murohet nusja e re. Pa harruar Urën e Sherreve, krijim i autorit, deri “Ura e psherëtimave”, që e tillë mund të quhej çdo urë gjirokastrite.
Djaloshi Ismail i dëgjonte të gjithë përrenjtë, për të anuar herë pas here dhe përfundimisht nga përroi i trazuar i ndërgjegjes.
“Gjëja e parë që më ra në sy kur ula sytë në lagjet e poshtme ishte lumi që kishte vërshuar…Lumë budalla, mendova. Çdo dimër përpiqet ta kafshojë qytetin nga këmbët. Megjithatë nuk ishte aq i rrezikshëm sa ç’mundohej të dukej. Më të rrezikshëm ishin përrenjtë që zbrisnin nga mali. Edhe ata si lumi mundoheshin të kafshonin qytetin. Por, ndërsa lumi fryhej e kapardisej, me mendjemadhësi në këmbët e qytetit, përrenjtë i hidheshin atij në shpinë në befasi dhe pabesisht. Këta përrenj ishin zakonisht pa ujë. Mbi faqen e malit ata ngjanin si gjarpërinj, të ngordhur, të tharë. Mirëpo, vërshëllenin, cijasnin, ulërinin. Ja, tani vraponin tatëpjetë, të zbehtë nga zemërimi me ato emra të shkurtër si emra qensh (Përroi Çullos, i Ficos, i Cfakës), duke rrokullisur copëra ledhesh e gurësh, të rrëmbyer në vrap e sipër te lagjet e sipërme”.
Dhe më poshtë:
“Vështroja peisazhin e ndryshuar brenda natës dhe mendoja se si lumi e urrente urën, xhadeja urrente me siguri lumin, përrenjtë urrenin muret, era urrente malin që ia priste furinë dhe të gjitha këto bashkë urrenin qytetin, i cili shtrihej i lagur, gri dhe mospërfillës, midis kësaj urrejtjeje shkatërrimtare”, (në faqet e para të romanit).
Cili ishte personi nga i cili mori emrin përroi? Ndonjë bari me gunë apo llabane? Sidoqoftë, Përroi i Çullos kishte në gji një nga mademet më me vlerë, që jepte një gur të bardhë e të butë, tepër të pëlqyer për ndërtimin e shtëpive gjirokastrite.
Nga realiteti i natyrës, mjedisi konkret, përmes tij, shkrimtari na e shpie mendjen tek ashpërsia e jetës, lufta për ekzistencë. Nuk kemi këtu urrejtjen e njeriut, të shkrimtarit për natyrën, siç është komentuar me tendenciozitet në më se një rast, aq më tepër pse këtu lufta midis elementeve të natyrës shikohet me syrin e një fëmije që ndihet i pambrojtur, i kërcënuar nga mjedisi natyror por dhe ai shoqëror. Kjo psikozë fobie fëminore mbështetet e përforcohet nga figura letrare si: gjarpërinj, qen, përbindsha, mjete që e përforcojnë këte psikozë.
Gjirokastra ka një rrjet përrenjsh: Përroi i Gjorkanës e kufizon Gjirokastrën me vreshtat e Manalatit. Përroi i Shamajve dhe i Nanxës, pas kalasë, që quhet edhe Përroi i Cfakës, ndan pjesën e kalasë me Manalatin. Përroi në fund të Manalatit quhet Përroi i Bufamesë, që ndoshta emrin e ka marrë nga fryrjet dhe shfryrjet e befasishme. Përroi i Dunavatit të Dytë dhe Ura e Lekës – midis lagjes Manalat i Parë dhe Llagjes Manalat i Dytë. Përroi i Dunavatit të Dytë (i Gjonit, nga Kuculla deri tek Pazari), Përroi i Ficos (quhet edhe i Angonatëve), Përroi i Meçites, Përroi i Njockos, Përroi i Shametëve, Përroi i Xhindeve. Kalojmë tek Urat e Mëdha (harqet me dy kate të ujësjellësit të shembur venecian), Ura e Lumit (Ura e vjetër, Ura e re). Përroi që ndan Manalatin nga Vreshtat e Manalatit quhet Përroi i Gjorkanës. Gjorkanë quhen brigjet dhe kullotat mbi Gjirokastër deri në Mashkullorë.
Nga ana veriore e qytetit është Përroi i Taushanit, që bie mbi Kodrën e Shtufit, kurse më tej, përroi i madh i Çullos. Matanë Përroit të Çullos është Përroi i Evgjitit. Më në veri të këtij përroi është Përroi i Sajkove, që ndan kufirin midis Gjirokastrës dhe Mashkullorës. Poshtë zonës së Grehotit, anës xhades, është Ura e Tankeve.
Kodër është edhe lartësia shkëmbore e Kalasë, zgjatimi i së cilës futet midis Përroit të Zerzebilit, Nanzës dhe përroit të Meçites, kodër që mban mbi vete lagjet Pazari i Vjetër e Pllakë. Mbi përroin që ndan dy Dunavatet është Ura e Lekës. Ka edhe një urë tjetër më lart, që ndan e bashkon dy Dunavatet.
E dëgjuar është Ura e Zerzebilit, e përjetësuar edhe në këngën popullore gjirokastrite për “Hanushe, bilë e Bakirit”. Çfarë do të thotë Zerzebil? Ka ekzistuar dikush me këtë emër, apo fjala ka lidhje me zerzevulin, që i thonë ngatërrestarit a shejtanit? Kënga nuk sqaron nëse vrasësi i Hanushesë ishte njeri i familjes apo një person i fanatizuar skajshëm. Sot ura mban të njëjtin emër, por brigjet e udha nuk ngjajnë fare me të dikurshmet. Ura ishte e ngushtë dhe kalonte nëpër shtuf. Tani ajo është një urë e fuqishme prej guri, e gjerë, me bloqe gurësh në rrjeta teli, mure mbajtës e beton, më të trashë se ato të kalasë, për të penguar shkarjen e shembjen e dherave. Marie Ura është një personazh i prozës së Kadaresë (“Ura me tri harqe”), personazh me një mbiemër natyral. Ndoshta e mori emrin nga gruaja që u flijua dhe pastaj emërtimi mbeti e i kaloi farefisit e qytetit. (Afër klubit të Gjuetarëve ka qenë dyqani i një gjirokastriti me mbiemrin Ura).
Afër kazermave, në xhade, gjejmë Urën e Tankeve. Ura të rralla në luginë: Ura e Subashit, Ura e Erindit, Ura e Kordhocës, Urat e Derviçanit (Një e vjetër dhe një e re mbi lumin Drino dhe tjetra mbi lumthin e Mallukasë), Ura e Xhajt në Sofratikë, Ura e Glinës, Ura e Suhës, Ura e Marisë e Labovës së Kryqit, disa ura të vogla në krahinën e Zagorisë e ndonjë tjetër në Dropullin e Sipërm.
Një këngë popullore nga krahina e Kardhiqit – rrethi i Gjirokastrës, shpreh dëshirën fisnike:
Dua të ndërtoj një urë,
Të shkojnë turq e kaurrë…
Urat e lashta lidhen me traditën e murrosjes së njeriut. Ky zakon barbar haset në disa vepra të shkrimtarit (“Ura me tri harqe”, “Breznia e Hankonatëve”) traditë e rit që kanë lidhje me bestytnitë, flijimin dhe pabesinë.
Ballkani plot ura të gurta. Përpara gjysëm shekulli romani “Ura mbi Drinë”, i kroatit Ivo Andriç, u nderua me Çmimin Nobel për Letërsinë. Në krijimtarinë e I. Kadaresë ura ngrihet si simbol i moskomunikimit, i rreziqeve që vinë nga ana tjetër e saj (“Ura me tri harqe”).
Përveç nocionit e simbolit kështjellë, urë, përrua, një ndikim i veçantë të arkitekturës gjirokastrite lidhet me të fshehtën, misteriozen. Mjedisi urbanistik, secila ndërtesë, injektonte ndjesinë e të fshehtave të frikshme e të pakëndshme, si fantazma e gogolë, që ndryhen në ndërgjegje dhe kujtesë ashtu si njeriu e jeta brenda banesës tip kulle, një trysni që kultivon instiktin si mjet vetëmbrojtje. Kjo bashkëzanon me idenë e fshehtësisë së botës njerëzore, të natyrës së mbyllur. Kjo mbyllje ndikoi edhe në karakteret e njerëzve. Babai fjalëpak, nëna e heshtur. Ismaili ishte tip i mbyllur, Shahini ishte tip më i gjallë, por përsëri i qetë; secili kishte botën e vet, punët e veta dhe secili zgjodhi rrugën e shkollës e të jetës pa i diktuar njeri – tjetrit.
Gjirokastra ngjante e mbyllur, por nuk ishte plotësisht e tillë. Sundonte një kureshtje e jashtëzakonshme për të mësuar ç’ndodhte në botë, prapa maleve, përtej pragut. Gjirokastra u bë krejt e mbyllur pasi u prenë lidhjet me Europën e Amerikën dhe me shtetet fqinje.
Në rrethin e Gjirokastrës në vitet 1970 mbiu dhe u zbatua në krahinën malore të Pogonit, imponuar prej partiakëve lokalë, nisma kundër pakove e çeqeve nga jashtë, nismë e masë që goditi së pari minorirarët grekë, dhe gjithë sa kishin njerëz të mërguar që përpara Çlirimit ose të arratisur më pas. U ndërpre apo u ndalua korrespondenca me persona jashtë kufirit, që ishin kryesisht të mërguar ose të afërm të familjes.
Pjesë e politikës vetizoluese ishte gjasme nisma nga baza kundër shikimit të stacioneve të huaja televizive, me kërkesë edhe heqjen e antenave. Në krahinën malore të Pogonit mbiu dhe u zbatua ,e imponuar nga aparatçikët lokalë dhe veglat servile krahinore, nisma për tufëzimin e bagëtive, që e patën peshqesh shqiptarët anembanë vendit, një shpronësim i maskuar ky, që ua thau çanakun fshatarëve.
Këto praktika dhe detyrime gjenin terren të favorshëm në kuadrin e propagandës kundër ndikimeve dhe shfaqjeve të huaja, me prirje për ndëshkim ndaj të mosbindurve dhe me nëntekst politik akuzues për shtetin fqinj, Greqinë. Pak kohë më përpara nismës së tufëzimit një minoritar grek në një fshat buzë kufirit u dënua me katër vite burg, sepse shau bukkerin ku theu këmbën lopa e tij.
Në Gjirokastër rrallë përdorej fjala xham, por shpesh e zakonisht përdorej fjala qelq: “qelqja me verë”, “qelqja e dritares”. Kjo fjalë ka tejpashmëri me tepër se fjala xham, por ka edhe më tepër brishtësi. Shkrimtari ka synuar të bëjë të tejpashme muret e banesave dhe paretet e shpirtit të banorit të saj, duke nisur nga vetja.
Shumë trishtim e monotoni, por brenda atmosferës së zymtë e tragjike nuk mungojnë elementi komik dhe e qeshura. Elementet groteske dhe personazhet komike si mishërime letrare-artistike janë në një farë mënyre rrënoja të dukurive komike, të një madhështie fantazmagorike të hamendësuar të simboleve dhe ekzistencës së tyre.
Ndoshta ndikuar edhe nga pyka e mjeshtrit ndërtues, tek shkrimtari i ri u shfaq prirja për të qenë sfidant.
Mënyra e zgjidhjes së konflikteve mbart mendësinë provinciale dhe patriarkale të mjedisit: babai vret djalin që shkoi në shtëpinë publike të pushtuesve italianë dhe jo prostitutën e huaj. Nusen e Hankonatëve e mbytin me juk, si ndëshkim për shkeljen e normave morale. Aqifi vret vajzën e vet për të mbrojtur nderin patriarkal. Veprimet e vendimet e tyre dhe sjellja e një vargu personazhesh provinciale janë pasojë e një morali gjithsesi anadollak e fanatizmit të importuar.
Koloneli Z., Kako Pino, partizani që vret xhaxhanë, nusja e Hankonatëve, Vajza e Aqifit, doktor Gurametoja i “Darkës.”, viktima e kanunit tek “Prilli i thyer” e një varg personazhe të tjera janë doza vdekje nga mjedisi i dhënë, nga tragjizmi që vulosi përfundimisht psikozën njerëzore dhe krijuese të autorit, injektuar së pari nga mjedisi gjirokastrit.
***
Pas “Princesha Argjiro” (1958) vjen romani “Qyteti pa reklama”, i shkruar në Moskë më 1959, ku qyteti N. nuk është tjetër veç ai i Gjirokastrës. Disa pjesë të tij u botuan në “Gazeta e Rinisë” menjëherë pas mbarimit të studimeve e kthimit në Shqipëri (1960). Pasoi “Qyteti i Jugut” (1967) dhe pastaj “Kronikë në gur” – 1968, novela “Aeroplani i madh”, poemat “Gurgdhendësi” e “ Në muzeun e Armëve”, “Ëndërrimet” e ripunuar dhe, pas shumë vjetësh, novela “Βreznia e Hankonatëve”, deri edhe tek novela “Dosja H.”, që i kushtohet eposit poetik të kreshnikëve shqiptarë dhe mjedisit verior, gjejmë atmosferën dhe tipa nga qytetit jugor i vendlindjes.
Nga njera vepër në tjetrën vijnë anë të reja të mjedisit gjirokastrit, rimerret dhe zhvillohet problematika që ofroi mjedisi tipik gjirokastrit, që, me shtëpitë e larta e aristokratike, sfidonte cilësimin “provincial”. Këtu gjejmë aftësinë e autorit për të krijuar atmosferën dhe psikozën përkatëse, të njëmendët, aftësinë për të skicuar tipa si një koleksionist i apasionuar, përshkrime origjinale e të panjohura deri atëherë të peisazhit të aksidentuar gjirokastrit. Interesant është imazhi i natës (“Qyteti pa reklama”) kur errësira i kthen shtëpitë e mbivëna e të ndriçuara, në “grataçiele” që dita i zbulonte me vërtetësi zhgënjyese. Νjë imazh magjik dhe surrealist.
Kompleksi arkitekturor – skulpturor gjirokastrit i diktoi autorit aftësinë e relievimit, të nxjerrjes në spikamë të gjërave, duke nisur prej peizazhit e kurorëzuarthi me depërtimin në thelbin e jetës sociale dhe në psikologjinë provinciale në veçanti. Paraqitja me vërtetësi e mënyrës si funksiononte familja dhe mjedisi provincial, deri tek motive të tëra që ai i zhvilloi më pas, përbëjnë diçka të re në paraqitjen e konservatorizmit, pas Migjenit, pa harruar prozën e shkurtër të E. Koliqit.
Duke u rritur, davaritej mjegulla e kaltër e naivitetit dhe shtohej zhgënjimi, pakënaqësia, forcohej dëshira për t’i shpëtuar çarkut të gurtë, mospajtimi me mjedisin arrin caqet e një konflikti të hapur. Në kuadrin e ashpërsisë së jetës një fëmijë e adoleshent naiv e pastaj rebel, është krijesa më normale.
Më pas naiviteti mbetet më tepër si një gjurmë e pafajësisë fëminore dhe si prizëm e mënyrë e kamufluar dhe “dinake” për të fshikulluar e goditur burimin e moskënaqësisë dhe ndrydhjes. Por, po ta shikosh më hollë, në vështrimet dhe zhbirimet e fëmijës ka edhe një farë djallëzie. Sado që nëna e këshilloi të mos shikohej në pasqyra në orë të caktuara të ditës e sidomos natën, ai bëri të kundërtën: nuk la skutë e gjë të ndaluar pa kërkuar e hetuar, deri në sakrilegj. Vërtet ishte fëmijë i urtë e si një rreth i brendashkruar një katrori, por në vetëdijen e tij, pa e kuptuar, kultivohej ashpërsia.
Në kujtimet e veta Helena Kadare (Gusho) thotë se dashuria qe e rrethonte në familje e bëri të sertë Ismailin. Edhe shkrimtari pohon me mirënjohje se fëmijëria e tij ishte e mirë. Mendoj se “thartimin” e shkaktoi jo ky trajtim i ngrohtë e përkujdesje, por mungesa e ngrohtësisë së mjedisit tjetër, shartuar mbi ndijshmërinë e fëmijës në rritje.
Shkrimtari, me romanin e tij të parë “Qyteti pa reklama” (1959) vjen si një sfidant dhe heretik i vërtetë, (botuar pjesërisht me titullin “Ditë kafenesh”, më 1962). Autori nuk e pranon atë realitet, haraçin që njeriu është i detyruar t’i paguajë provincializmit. Personazhi kryesor, Gjoni, ardhur nga një mjedis tjetër, parathotë atë që shkriumtari i ri e parandjeu përpara se të kthehej në Shqipëri. Kryeqytetasi caktohet mësues gjimnazi në provincë. Një vit e ca më pas dashakëqinj e mediokër realë donin ta kthenin në qytetin provincial Ismailin e ri. Por fatmirësisht, ai transferim nuk ndodhi.
Mësojmë se shkrimtari i ri e kundërshtoi emërimin në Gjirokastër dhe dy herë kërkoi një bursë për në Insitutin “Gorki” të Moskës. Këmbëngulja ishte vendimtare për drejtimin që mori jeta e tij në vazhdim. (Atëherë në Ministrinë e Arsimit, me bursat për studim jashtë shtetit, merrej Javer Malo, nga Delvina, më pas gazetar dhe ambasador në Paris).
Vendimtar ishte edhe kundërshtimi i dytë, për të mos shkuar në Gjirokastër. Dhe i sapoardhur nga B.S., shkrimtari i ri nisi punë pranë LSHA, redaktor letrar e gazetar në gazetën “Drita”, që sapo nisi të botohej në Tiranë, me kryeredaktor gjirokastritin Dalan Shapllo. Një punësim me fat dhe i merituar, mjaft më i mirë krahasuar me provincën, mësuesinë ose një nëpunësi në administratën provinciale.
Pas romanit të parë, shkruar në Moskë, vijuan një varg krijimesh të cilat dëshmuan se jo vetëm nuk e kishte harruar Gjirokastrën, por përkundrazi, ajo ishte nxitje dhe arsenal temash e personazhezh në fushën e prozës. Dhe temë e parapëlqyer për të mbeti dyluftimi me provincializmin.
Në prozën e tij të gjatë, por edhe që në vargjet e hershme, autori i ka shpallur luftë citadelës së provincializmit. Antivlera si, injoranca, mendjengushtësia, thashethemet, intriga, ligësia, hakmarrja, bestytnitë, etj. në mjedisin e dhënë janë vepruese. E keqja është shumëtrajtëshe dhe formëndryshuese si Proteu mitologjik.
Kam përshtypjen se tek romani “Qyteti pa reklama”, në episodin e marrëdhënieve erotike të mësuesit me nxënësen gjimnaziste dhe aventurën me motrën e saj studente, autori është ndikuar nga filmat neorealistë italianë, deri diku edhe nga filmi sovjetik “Shtegtojnë krillat”. Dhe amoraliteti liberalist gjen fushë veprimi në skutat e konservatorizmit. Sepse ekstremet puqen.
Duke jetuar poezinë popullore dhe duke e përqasur me mjediset që e lindën, I. Kadare thekson se: “Dashuri donte të thoshte konflikt, konflikt me shoqërinë, me familjen, me zakonet, me pronën, me gjithçka” (“Autobiografia e popullit në vargje”, f.71). Dhe citon vargjet e njohura:
Nga muri do ngjitem,
ta di se do vritem,
me plumb të goditem,
me thikë të pritem.
Kujt më tepër se Gjirokastrës i shkojnë për shtat këto vargje?
Diku më tej ai flet për adulte dhe shkelje të besnikërisë bashkëshortore, të cilat ishin pjesë e dramës së dashurive të ndaluara dhe orvajtjes për të gëzuar jetën, për ta shijuar ndryshe atë.
Shkrimtari i ri u ngrit atëhere kundër traditave të ngurta morale, i cilëson ato anakronike në epokën e progresit teknik dhe të vajtjes së njeriut në hënë. U çjerr maskën konservatorëve, dhe sikur don ta zhvirgjërojë qytetin që nuk hapet, fanatikëve që e mbajnë virgjërinë “si flamur të kuq”. Ai e përbuz fodullëkun patriarkal “S’ ka gjë se s’ ke bukë,/Jemi derë e parë”.
Aq më pak shkrimtarit nuk i shkoi ndërmend t’ i ngrejë qytetit një kult nisur nga fakti se është vendlindja e udhëheqësit shqiptar Enver Hoxha, ose vatër e traditave atdhetare dhe arsimore. Autori nuk pranon ta zbusë në mënyrë sentimentale qëndrimin e vet kritik e fshikullimin ndaj vendlindjes. Shkrimtari, që i ri, tregohet i ashpër me qytetin dhe vizaton një Gjirokastër ndryshe nga ç’e paraqisnin ose ishin mësuar ta shikonin shumica. E ky qëndrim kritik e mospajtues nuk është mosmirënjohje e mungesë dashurie. Një nga arsyet pse autori i ra ndesh metodës ideologjike – estetike të Socrealizmit, midis të tjerave, është realiteti i vendlindjes, që e përjetoi në fëmijëri dhe rini. Qysh atëhere ai nuk mund të dëshmonte ndryshe, veçse me një realizëm të ashpër dhe zhveshës, që nuk i pranonte fasadën dhe kamuflimet.
Shkrimtari është kritik dhe denoncues pa kompromis, sepse këtë ia diktoi ndërgjegja e tij dhe përvoja deri në rininë e parë. Më e fortë dhe e ndërgjegjshme u bë kjo prirje, kur ai njohu botën përtej qytetit e kufinjve, erërat që frynin dhe rrymat që lëvrinin në art dhe në politikën botërore. Kuptimplot është fakti që romanin e tij të parë, “Qyteti pa reklama”, e shkroi pikërisht në punishten sovjetike, që kishte për detyrë të përgatiste shkrimtarë të metodës doktrinare të realizmit socialist.
E gjithë vepra e shkrimtarit dëshmon raportet vështira dhe të ndërlikuara shpirtërore me vendlindjen, për njerëzit që e rrethonin, duke nisur nga vatra familjare.
Në Tiranë, shkrimtari ishte një kryeqytetas i njohur për prirjen ndaj së resë. Lexuesit prisnin ç’gjë rë re do të sillte që krijimet e veta, nga kërkesa për çlirimin e dashursië, deri tek “broduejsit” ekstravagantë. Prirja ndaj së resë në jetën shoqërore u bë pjesë e novatorizmit të tij në poezi e mandej në prozë. Provinciali i djeshëm nxiste prirjet liberalizuese dhe të menduarit ndryshe, tek brezi i ri dhe opinioni shqiptar përgjithësisht.
Në galerinë e personazheve nga mjedisi gjirokastrit do të gjejmë njerëzit e afërm e të dashur, por edhe karrieristin, nëpunësin mehmur, sarafin, fajdexhiun, xhambazin, kumarxhiun, perversin, pederastin e hermafroditin, konservatorin e fanatikun, por edhe figura simpatike si shpikësi Dino Çiço dhe artiljeri plak Avdo Babaramo.
Të bën përshtypje dendësia e dramatikes e tragjikes në realitetin e rrokur e pasqyruar. Romani është në thelb kronikë dhimbjesh. Mjafton të kujtojmë, krahas bombardimeve vrastare të avionëve të huaj, vajzën që nuk e gëzoi dashurinë, Kako Pinon, që shkonte të stoliste nuset edhe në ditë bombardimesh dhe që gjermanët e pushkatuan pse kujtuan që veglat e thjeshta dhe telat që shërbenin për stolisjen e nuseve, qenkeshin për vënie minash!
Është interesant pohimi i shkrimtarit se ideja për romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i erdhi larg atdheut, me pikënisje një tregim për hapjen e një shtëpie publike dhe konfliktin që pasoi. Në subjektin e romanit, për shkak të prostitutës italiane, vdesin tre njerëz: dy pjesëtarë të një familje: djali, babai dhe vetë prostitututa.
Në një shkrim pas botimit të këtij romani, kritiku letrar Kudret Velça sugjeronte që të vritej prostituta dhe jo djali që shkoi me të në strofkën e molepsur. Me këtë rast, mund të debatohet rreth qëndrimit të shkrimtarit ndaj moralit patriarkal. Edhe autori do ta dëshironte një qëndrim tjetër, por ishte mendësia provinciale ajo që vendosi. Më e mira e të mirave do të ishte që asnjë ushtri e huaj të mos shkelte vendin, asnjë ushtri e huaj, tok me armët, të mos sillte sëmundjet e mbiquajtura të civilizimit.
Galeria e personazheve tragjikë i jep tonin veprës së shkrimtarit përsa i përket Gjirokastrës, por edhe më gjerë: Roksana, vajza e Aqif Kashahut, vajza e plakës Nicë, Kako Pinua etj, pa harruar fillimet, me Argjironë dhe vazhdimin me Murrash Zenebishën.
Siç del, shumica e personazheve tragjike janë gra, sepse mbi to koha e tregonte më zhveshur mizorinë e vet. Dashuria ishte e ndaluar për femrën, e paragjykuar. Ajo shikohej e ndëshkohej si krim moral. Qëndrimi i ashpër dhe i egër ndaj saj është treguesi më bindës për mungesën e dashurisë njerëzore në tërësi.
Po të besojmë se autori e ribotoi pa asnjë ndryshim romanin e tij të parë e të hershëm “Qyteti pa reklama”, mund të themi se atje janë disa nga idetë themelore që e shoqëruan një jetë lidhur me jetën shoqërore, fushën e artit, madje edhe të politikës. P.sh., ideja e falsifikimit të historisë, e karrierizmit dhe përfitimeve të paskrupullta, e ngushtimit të lirive qytetare, kanë diçka sinoptike dhe profetike në romanin që është i pari në kohë si krijimtari, i moshës djaloshare. Këtu, ndonëse autori ka përshtypjen e një lirie të përgjithshme, episodi i përsëritjes së filmit nga e para për shkak të ardhjes me vonesë të nënkryetarit të Κomitetit Ekzekutiv me të shoqen, është një parathënie për frymën prepotente dhe të diktatit që pasoi në realitetin shqiptar. Gjithashtu, goditja e tipave që duan të përfitojnë pa patur realisht merita është diçka që erdhi duke u forcuar. Këtu, qysh herët, shfaqen grotesku, komizmi dhe mllefi, që e shoqëruan krijimtarinë e tij. Tek novela “Ditë kafenesh” (1963) ai përsëri i drejtoi shigjetat kundër provincializmit dhe frymës anadollake. Mjaft i goditur është formulimi i të riut që thotë se gjithë ditën njerëzit flasin për gjëra të tjera, shajnë prapambetjen që la Turqia, por në mbrëmje përfundojnë në kafene. “Një mjegullnajë dyshimi e mbështjell tregimin “Ditë kafenesh”, ashtu siç e mbështillte dhe gjithë Shqipërinë komuniste në tërësinë e vet”. Personazhe – hije, të njohur si anëtarë të shërbimit sekret, sepse janë të veshur me kostume, në vend të kominosheve që vesh klasa punëtore, vërtiten përreth kafeneve që frekuentohen nga dy të rinjtë” (“Ditë kafenesh”, Botimet Onufri, 2005, f. 17).
Psikoza misteri, syri ourellian që përgjon gjithçka, pasione dhe mllefe të ndrydhura ose që shpërthejnë si papritur, bejtexhinj pa vlerë dhe metoda zyrtare letrare – ideologjike që kërkon të imponohet.
Në çdo hap e lëvizje fëmija dhe i riu ishin nën trysninë e autoriteteve: autoriteti patriarkal i prindit, autoriteti i mësuesit skolastik e pedant, autoriteti i burokratit dhe pushtetarit, autoriteti (i përkohshëm) i pushtuesit, autoriteti i kështjellës mesjetare e të tjera.
Subjektet kanë një dendësi imformacioni dhe larmi episodesh. Aty ku gjithçka ngjan e amulltë, vijnë lajme për një aventurë a pësim, një vetëvrasje, mbytje në lumë, lajthitje deri në çmenduri, rrëmbim erotik, prangosje, humbje pasurie a gjyqi; diçka që ndryshon a përmbys status-cquo-në dhe dukjen gënjyese. Këto elemente prishin edhe monotoninë e mundshme të artit rrëfimtar të prozës.
E folura me nënkuptime ose evazive ishte mënyrë për të maskuar mospajtimin me drejtimin ku ecte shoqëria, mënyrë që autori e përdori edhe në trajtimin ballor të temave politike, aktualitetit shqiptar deri vonë. Dhe nuk mund të dallosh se ku mbaron tallja me bejtexhiun që vargëzon artikujt e gazetës, nga ironia për propagandën zyrtare të kohës, që shprehet në faqet e saj.
“Prirja për të mos i marrë gjërat shumë seriozisht dhe për të atakuar e çshenjtëruar idhujt, duke përfshirë ata të politikës zyrtare, spikat dukshëm që herët: te ‘Përbindëshi’ përmendej Marksi, por në kontekst surrealist: trojanët e llahtarisur, duke ikur natën e masakrës, mbanin në duar bustin e tij”. (Helena Kadare, “Κohë e pamjaftueshme”, Botimet Onufri, 2011, f. 172).
Që në krijimet e para, me prirjen ndaj paradoksales dhe atmosferës mistike, zuri fill maniera krijuese në prozë e I. Kadaresë, manierë që u shtri në shumicën e librave, pra, edhe atyre që nuk marrin shkas nga mjediset e vendlindjes.
Qyteti duroi tërmetet, urinë, dimrat e rëndë, epidemitë, pushtimet e pësimet e ndryshme, regjimet e rrëgjimet, dhe mbeti ashtu, kryeneç e i paepur, me vetëdijen e themeleve rrënjuar në tabanin shkëmbor, me një lloj fodullëku të fshehtë apo të hapur, që sfidonte kohërat, pushtetet, pushtuesit, fatkeqësitë e rënda dhe thoshte “Ja ku jam”. Të ngjashme me ulje – ngritjet e historisë ulje – ngritjet udhëve që ngjiteshin e zbrisnin përpjetë. Kush eci në ato rrugë, vështirë të pengohej e të rrëzohej në udhët e drejta.
Gjuha e gjallë e një populli është lënda bazë, pa të cilën një shkrimtar nuk mund të ngjizë veprat. Në mjedisin gjirokastrit autori mësoi së pari tharmin, efektin dhe ekonominë e fjalës, njohu ritmet e këngëve, të hapave, të dukurive jetësore e të ngjarjeve dhe në një farë mënyre i bëri edhe ritme të poezisë dhe prozës së vet.
Këtu ai mësoi humorin e hidhur dhe atë qesëndi me të cilën shoqëron tipat komikë, problematikën reale, edhe të periudhës “nën udhëheqjen e partisë” (“Pallati i ëndrrave”, “Gjakftohtësia”, “Piramida” etj).
Νë mjediset gjirokastrite ai qëmtoi pasurinë gjuhësore, shprehjet karakteristike dhe, më pas, duke kapërcyer ngushtësinë krahinore, përfshiu në arsenalin e vet mjaft fjalë nga trevat dhe areali gjuhësor verior, nga Kosova e mbarë bota shqiptare, duke krijuar edhe një varg fjalësh sipas natyrës së fjalëformimit të shqipes.
U duk se me stilin disi ekstravagant të përmbledhjes poetike “Shekulli im” (1961) autori sikur u shkëput nga tradita. Por më pas, sidomos me vëllimin poetik “Koha”, ai u afrua më dukshëm me frymën dhe anën formale karakteristike të poezisë popullore e të traditës, drejt një modeli njëherësh klasik dhe bashkëkohor.
Brezi i ri i këngës popullore gjirokastrite gjeti tek I. Kadareja vargjet e tij të hershme për qytetit dhe i shtriu ato në ison e tij:
Kur fryn fllad e kur fryn erë,
Rrëzës së Malit të Gjerë…etj.
Po ashtu, nga grupi lab këndohet poezia e I. Kadaresë për Gjergj Kastriotin, me dy emra, por që “e kish të vetme Shqipërinë”, “me dy emra – një flamur”. Në këtë rast e ndonjë tjetër artisti popullor e ka parë me vend të shtojë edhe vargje të reja në frymën e poezisë së autorit. Dhe në vazhdim doli kënga tjetër për të, që thotë “gjallë me dy zemra./vdekur me dy varre”.
Para disa vitesh nga grupi polifonik i Tepelenës dëgjova të këndohen vargjet e I.Kadaresë për Ali Pashanë dhe Vasiliqinë.
Një këngë tjetër, krahas Vasiliqisë i vendos Aliut te koka edhe “Hanko nënën” dhe thotë se është “Jashtë me dy varre,/brenda pa një varr”. Është populli që tani i shkon pas poetit dhe ndikohet në vargjëzim e konceptim nga vargjet e tij. Është rivendosur dialogu dhe mirëkuptimi. Janë mënjanuar paragjykime etike dhe estetike. Të hysh në këngën e popullit ka qenë dhe është nder, kur hyn si personazh dhe kur këndohen prej tij vargjet e tua. Të jesh në ison e brezave, që futën në këngë edhe “Fjalët e qiririt” të Naim Frashërit e “Vaje” të A. Z. Çajupit. Mbase me vonesë, por i gjetën perlat e u dhanë shkëlqim në këngë.
Këngërimi i vargjeve të I. Kadaresë nuk bëhet thjesht për shkak të famës, por edhe se mjaft poezi të tij janë shestuar brenda modeleve folklorike. Në to ka gjetje artistike dhe mesazhe që ia vlen të qëmtohen e të këndohen. Edhe pjesa tjetër e poezive, shumica, e kanë të brendshme frymën e poezisë popullore shqiptare dhe polifoninë. Se edhe në prozën e tij historia vjen si iso e thellë. Se në tërësinë e vet gjuha artistike e “intelektualistit” I. Kadare është një modelim plastik origjinal i gjuhës së popullit. Ajo ka shprehimësinë, ngarkesat emocionale, aromën karakteristike të saj, edhe vështruar në kuadrin e ngushtë lokal. Kjo anë, megjithë qasjet e ndryshme nëpër kohë, mbetet diçka konstante në praktikën krijuese të autorit. Dhe lehtësia me të cilën vargëzon p.sh. tek “Breznia e Hankonatëve”:
Roksan’ e shkreta Roksanë,
të mbytën me ca jorganë!…
Ose, për nevoja parodizimi (“Se mos marrësh vajzë bjonde,/Se ato janë vagabonde!”) dëshmon pikërisht të pëfituarit dhe ushtruarit e përhershëm nga ky mjedis e stil poetik. Por edhe në prozë ky tharm i jep shije të këndshme gjuhës së autorit, kur flet për të ziun Selfo, që kërrente vjersha, apo kur luftëtari naiv flet nga pozicioni i vet: “Pa eja, o gjerman, ta bëjmë një çikë atë luftën!”, (Ismail Kadare, “Nëntori i një kryeqyteti”).
Sajime të tilla gjejmë edhe në romanin “Darka e gabuar”, me improvizimet e poetit popullor Vehip Qorri, që vargëzonte kundrejt një shpërblimi modest. “Vehip Qorri qysh nga shekulli i kaluar, kur s’ kishte gazetë, nxirrte bejte. Kishte qenë përherë i verbër, siç tregonte emri, por ndonëse nuk e kishte parë kurrë botën, bejtet i bënte të sakta, plot emra njerëzish, rrugë e data”. (Ismail Kadare, “Darka e gabuar”, f. 82-83). Stili folklorik formalist nuk bën pjesë në arsenalin e tij krijues përdoret për të përqeshur vargëzuesit pa talent. Autori ka një aftësi të rrallë për të vjershëruar në atë stil e frymë, në shërbim të ngjyrimeve të mjedisit dhe karakterizimit të personazheve.
Optika e shkrimtarit mbi folklorin është e veçantë jo vetëm në mjetet artistike dhe emocionet nxjerrë prej tij, por edhe për domethëniet e reja, variacione ose jo të motiveve folklorike. Dikur, në hapat e para, afër atij stili ishin disa krijime që merrnin shkas nga mjedisi ku u rrit. E tillë ishte balada “Xhuraja”, ku poeti i ri i qëndroi besnik subjektit, frymës dhe prozodisë së folklorit të Jugut. Më pas, krahas shtrirjes në vise të larmishme e të largëta, shikojmë të evoluojë koncepti dhe mënyrat e mbështetjes në folklorin poetik popullor, në elementet etnografikë etj.
Tri herë opinga rrahu tokën
sikur kërkoi leje prej saj.
Këmba sinjale i çon tokës
dhe toka qiellit i jep lajm.
Vallja shqiptare nuk interpretohet, nuk luhet, por shpallet, thotë autori. Vallet burrërore shqiptare janë “bubullima me opinga” dhe xhufkat e kuqe mbi opinga janë zjarre të vegjël të pashuar…
Dua të besoj se këto mbresa dhe përjetime autori i përftoi në sheshin e kalasë së lashtë, në ditët e Festivaleve të bujshme Folklorike që u zhvilluan në të, e që autori i ndoqi me interesim të veçantë. Dhe në librin – esse “Autobiografia e popullit në vargje”, ze vend të spikatur folklori i trevave jugore dhe i Gjirokastrës. Veçojmë këtu lidhjen që i bën ai poezisë me krushqit – si blerimi që vesh malin, me lëvizjen e ushtrisë në faqen e malit tek “Makbethi” i Shekspirit.
Në studimin e tij të gjatë për folklorin ndriçohet rituali i dasmës, dasma si një ngjarje e spikatur në jetën shpirtërore shqiptare, del kulti i nuses si mishërim i bukurisë ideale, vlerësim fisnik i njerëzores, kundërvënie ndaj së rëndomtës e shëmtisë. Dasma gjirokastrite, me nusen që vjen mbi kalë, është një spektakël i paharrueshëm. Dhe paskëtaj, drama që luhej pas dyerve të mbyllura e nën diktatin patriarkal.
Shkrimtari në vështrimet e tij teorike ka sjellë motive e vargje nga folklori i zonës, midis të cilave një grua në skami që pi cigare, përjashtim për kohën. Kurse në repertorin e sotëm të grupeve popullore, pasuruar dukshëm me krijime të reja, por edhe riaktivizim motivesh të vjetra “të ndaluara”, ka hyrë p.sh. edhe kënga për gjermankën e bukur, për të cilën “dy vëllezër seç u vranë”.
***
Në shënimet e udhëtimit, përpara mëse tre shekuj e gjysëm, Evliya Çelebia përmend vjershëtorë gjirokastritë si: Buqajiu, Figaniu, Naleshi, Sukuriu e Figariu, midis të cilëve Naleshin e quan të pashoq. Ka patur edhe gra me emër si vjershëtore, që mbaheshin mend deri një shekull më parë. Me cilin alfabet shkruanin dhe cilat ishin shijet e tyre? Si i këndonin sevdasë, brengave të ashikut, dëshirave të tyre e të gjirokastritit? Α ishin vjershat e tyre e të mëpasmëve në një nivel me ato të bejtexhinjve si: Nezim Frakulla, Muhamet Kyçyku e Zenel Bastari, që i përmend historia e letërsisë? Gjithsesi, humbja e krijimeve ose niveli i ulët i tyre nuk përjashtojnë praninë e poetëve të mëdhenj të Lindjes si: Xhelaledin Rumiu, Firdusiu, Saadiu, Omar Khajami. Qarkullonte libri “Rubairat”, i Omer Khajamit, përkthyer nga Fan. S. Noli (që mua ma dha Fatri Sinani dhe e lexova në fillim të Gjimnazit).
Kohët kanë mbuluar me pluhur edhe autorë të talentuar, janë zhdukur mjaft libra fetarë e shkencorë. Kultura arabe pushoi së ndikuari, duke lënë si kujtim emrat Firdes, Omar, Xhelal.
Ndikuar nga Saadiu e të tjerë, në traditën e bejtexhinjve gjirokastritë nuk mungoi kritika sociale, fshikullimi i veseve, dhe një prirje për këshilla morale e filozofim, ndonëse i cekët. Edhe sot midis gjirokastritëve vazhdon tradita e ngacimit me vargje humoristike, hidh e prit, e cila trazonte ujërat e ndenjura dhe ishte pjesë e kulturës së dialogut të përditshëm.
***
Nga Gjirokastra nis mirëfilli “Pashallëku” letrar i Ismail Kadaresë. Gjirokastra është, ndoshta, oda më e hijshme, më mbresëlënëse e ngrehinës së tij letrare. Nuk ka autor shqiptar që të ketë shkruar kaq shumë për vendlindjen, t’i jetë drejtuar asaj në çdo moshë me kaq përkushtim sa I. Kadareja Gjirokastrës. Nuk ka autor tjetër shqiptar që të ketë shpalosur një afresk aq të gjerë atdhetar në letërsi e njëherësh të jetë aq “lokalist” sa I. Kadareja (në brendësi jolokalist). Dhe nuk ka autor tjetër shqiptar të kohës që të ketë pasqyruar një gamë aq të larmishme emocionesh të nënvetëdijes sa I. Kadareja.
Në krijime të ndryshme të tij për vendlindjen lexuesi merr edhe një shije për anën etnografike e zakonore të mjedisit gjirokastrit. Këto krijime autori i ka skalitur me daltën e skulptorit dhe i ka përsosur me pasionin e argjendarit. Nuk ka autor tjetër që, nga një mjedis gjithsesi konservator si Gjirokastra, të sjellë diçka të re në letërsi.
Novelën “Breznia e Hankonatëve”, botuar më 1977, mund ta quajmë edhe saga gjirokastrite. (Këtë e kam shkruar në gazetë përpara Helenës). Është kjo një kronikë letrare shumaktëshe, që përfshin historinë gati dyshekullore të një familje gjirokastrite, me jetën e brendshme, kodin moral e zakonor, mënyrën e administrimit të ekonomisë dhe të fateve njerëzore. Në të shkrihen në një haluçinacioni me analizën balzakiane, tipikja provinciale me përjashtimin (pronari i shtëpisë së nëmur kishte ardhur dikur nga një vend i huaj dhe ishte ai që kishte lëvizur natën gurin e sinorit), dokumenti me thashethemen.
Metoda e mbytjes së femrës me juk, në subjektin tronditës letrar, e së “gjorës Roksanë”, është e njohur, si dhe mbytja në pus e vajzës që turpëron familjen, nga njerëzit e familjes ose vrasës profesionistë të paguar prej saj. Diku është edhe Pusi i Zonjës, nga një grua që ndoshta është mbytur me dashje, pse nuk kishte rrugëdalje ose pse donte të mbetej edhe më pas zonjë. Asgjë nuk është e sajuar dhe e pabesueshme në dëshmitë rrëqethëse letrare të shkrimtarit.
Martesat brenda fiseve të mëdha, në gjiri, për të ruajtur pasurinë, mos-hapje si mjet mosasimilimi, në familjet e mëdha Zekate, Angonatë e ndonjë tjetër.
Zakoni që propozimin kërkesë për martesë e bënte pala e vajzës dhe jo e djalit. (“Zoti Halit, kërkojmë dorën e Mail Beut, për vajzën tonë Nergjize! – Nuk keni mirësinë?! Ua paçim borxh. Na bëni të mejtojmë se nuk janë pa vënd të thënmet se të parët tuaj kanë qenë kaurrë!”. Ismaili: “Unë dashuroj Margaritën dhe atë do marr!”. Ose Suzanën…).
Ti, djalë që rri në shkallë,
pse më rri menduar?
Nëneja që të ka djalë,
s’ të le pa martuar.
(Këto vargje të një kënge popullore, strofën motamo, që e gjejmë edhe në rrethin e Përmetit, poeti e futi në një nga vjershat e tij në vëllimin “Koha”, 1976).
Por një ditë kundër dashurisë u ngritën “ungjill, kanun e fe” (poema e ripunuar “Ëndërrimet”) duke i shkaktuar një dramë të re.
Gjirokastriti është i përmbajtur, madje, ngjan pak i thatë, por në folklorin e qytetit e zonës gjejmë përjetime lirike që flasin për ndjenja të holla e delikate. Në qytetin në dukje asketik banorët kishin dëshirë për ta gëzuar jetën, deri edhe mollën e ndaluar.
Nga folklori tradicional gjirokastrit po sjell vargjet:
Shtrirë në gji të nënesë,
sumbullat kullonin djersë.
Unë i ziu kur të pashë,
u bëra gati të vdes.
Dëshira sensuale dhe seksuale fokusohet tek syri i personazhit fëmijë, që shikon përmes çatisë Margaritën tek zhvishet e lahet në mes të dhomës të shtëpisë së saj. Sensualiteti erotik u bë një nga pikat e forta të shkrimtarit për mjediset e tipat që pasqyroi, derisa fitoi edhe vetë famën e një feministi.
Po të hetohet me kujdes, del se Gjirokastrës nuk i mungon poezia lirike. Përmend vargjet:
Qante vasha për bilbilë,
për një palo zok,
që këndonte aqe mirë
sa s’e duron’ dot,
vargje këto që i pëlqenin shumë poetit dhe studjuesit Muzafer Xhaxhi, një ndër lëvruesit dhe ashikët e lirikës erotike shqiptare.
Midis vargjeve që i pëlqejnë dhe autorit, përmendim:
O trandafilja në qelqe,
pa ngreu, se sado fjete!
Qelqi dhe kristali hynë në poezinë e Kadaresë si elemente që shprehin brishtësinë, tejpashmërinë dhe rrëzëllitjen.
Në mjedisin gjirokastrit, nga jeta por edhe nga baladat popullore, shkrimtari përvetësoi idenë mitike të jetës e vdekjes si dy anë të një medalje, si Konstandini e Dhoqina (Doruntina) që ecin tok mbi të njëjtin kalë. Këtë realizëm të ashpër i diktuan edhe mjedise të tjera shqiptare, ku veprojnë norma si ato që formulon e dikton Kanuni i maleve: Dasma shqiptare duhet të bëhej edhe në rastet kur në shtëpi ka vdekje. Nga njëra derë hyn nusja dhe nga dera tjetër del i vdekuri. Kështu edhe në jetën e qytetit të jugut, lindja e një fëmije shoqërohej ose paraprihej nga vdekja e një banori.
Mund të themi se në Gjirokastër shkrimtari mësoi çmimin e jetës, të jetës e të gjakut, të vuajtjes e të gëzimit.
Nga vepra në vepër vëzhgimet e tij nga mjedisi gjirokastrit janë bërë më të mprehta. “Kur për herë të parë Kadareja ua shpërndau miqve të tij dorëshkrimin e librit “Qyteti pa reklama”, ata mbetën të shtangur nga mprehtësia e tij penetruese e jashtëzakonshme…” (Eric Faye, parathënie e romanit, Botimet Onufri, 2005, f. 9).
“Qyteti pa reklama”, “Ditë kafenesh” – pjesë e shkëputur nga ky roman, “Qyteti i Jugut”, “Kronikë në gur”, “Breznia e Hankonatëve”, ”Koha e shkrimeve”, “Koha e parasë”, “Breznia e Hankonatëve” janë një ansambël i ngritur nëpër vite, me subjekte por edhe personazhe që fqinjërojnë, madje edhe që kalojnë nga një libër në tjetrin.
Shkrimtari, sado larg, i ruajti e, mund të themi, i forcoi lidhjet shpirtërore me vendlindjen. Nuk i harroi shtëpinë ku lindi dhe u rrit, nuk harroi muzikën e shiut mbi llamarinën pranë dritares dhe zjarrin e gjirmës, ku gjallonin shkëndija prometeike…
I ftuar për një ligjëratë mbi letërsinë në një Instutut të famshëm amerikan, gjatë periudhës së botimit dhe publikimit atje të novelës “Ditë kafenesh”, bash mu në Nju Jork, në Ananndale on Hudson – ai shkroi një tjetër vepër për vendlindjen, posaçërisht për njerëzit më të afërm e të dashur, “Çështjet e marrëzisë”. (Romani u botua në Paris nga fundi i shtatorit 2005).
Tregimi i gjatë “Koha e parasë”, që pasqyron përsëri fëmijërinë në vendlindje, u shkrua në hapësirën kohore dhe gjeografike Tiranë – Paris, 1996 1997.
Romani “Darka e gabuar” u shkrua në linjën Durrës – Paris, në tryezë, por një pjesë ndoshta edhe në ajër…
Edhe duke qëndruar anës detit, tek Mali i Robit, shkrimtari, pa e kuptuar, bëhet rob i vendlindjes…
Shtëpia ku lindi dhe kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën, ndërtesa dhe oborri, ishin pjesë e pandarë e një trualli dhe bote, “që ishte si një membranë e gjallë dhe që zinte nuk di ç’të miliardën pjesë të planetit tokësor, në ndërgjegjen time rëndonte si një kontinent”. (Ismail Kadare, “Ftesë në studio”, Tiranë 1989, f.145).
Nuk e dimë nëse, pas largimit të saj, në ditët e paka të rikthimit, Kadareja shkroi diçka për Gjirokastrën pikërisht në Gjirokastër. Ndoshta thjesht ka shënuar diçka në një copë letër, ka hedhur disa rreshta në një fletë dhe shumë ka shkruar e regjistruar në mendjen e vet. Gjithsesi, këto ardhje kanë qenë oksigjen për kujtesën dhe frymëzimin e tij.
Janë të rralla periudhat kur shkrimtari nuk i është kthyer vendlindjes. Ka shkruar në çdo moshë, në disa mjedise, edhe jashtë shtetit, larg, matanë oqeanit. Ka menduar për të edhe në avion, që mund të kishte drejtim të kundërt me vendlindjen. Ndoshta, në momente të vështira, ajo i është gjendur në krah si objekt pasqyrimi dhe ndihmë për kolaudimin e shënjestrës ose ndarjen me të kaluarën.
Krijimet e I. Kadaresë që lidhen me vendlindjen ose pasqyrojnë ngjarje e dukuri të saj, përbëjnë një ansambël të tërë. Përvoja dhe mbresat prej saj janë të shumta dhe e ngacmuan vazhdimisht. Informacioni, sidomos për ngjarjet e së kaluarës është i dendur. Në më pak se tre faqe bashkë e në vazhdimësi, në funksion të teatrit të LANÇ (novela “Qyteti i Jugut”) përmenden pothuajse gjithë lagjet e Gjirokastrës me emrat e dikurshëm: Gjobek, Meçite, Palorto, Varosh, Cfakë, Pazar i Vjetër (në botimin e vitit 2.000 kjo lagje quhet Tregu i vjetër), Pasha Kaurr, Manalat, Çetemel, Lagja e Gropës (ndryshe: E evgjitëve, më pas: Lagja Punëtore), Lagja Dunavat i Poshtëm. Nga libri në libër toponimet e lagjeve përsëriten dhe dalin të reja si: Shtatë Kronjëret, Bregu i Teqesë, Vasiliko, Zalli (që nuk ishte lagje), Grehoti, ku ishin kazermat. Nuk besoj se i ka shpëtuar emri i lagjes Hazmurat, kurse emrat e rinj si “Lagja 18 Shtatori” e “11 Janari” nuk përmenden, sepse kanë lindur vonë. Përtej këtyre, në libra dhe shkrime të ndryshme të tij gjejmë Labërinë, Tepelenën, Lunxhërinë, Këlcyrën, Dropullin, deri dhe Janinën, me koloritin dhe hollësi karakteristike.
“Gjirokastra nuk ka banorë po ka personazhe”, u shpreh gazetari Engjëll Serjani. Pra, banorë – personazhe. Mjafton të dish të lexosh mjedisin, të psikologjisësh njerëzit, gjë që e ka bërë me aftësi të mahnitshme I.Kadareja.
Janë lehtësisht të lexueshëm për banorët e qytetit emrat dhe mbiemrat e shumicës së personazheve, por këta bëhen të afërm edhe për lexuesit që nuk i njohën nga afër. Rrallë autor tjetër shqiptar ka mundur të japë një galeri personazhesh kaq simpatikë, plot kolorit individual, aq hollësi në shërbim të përgjithësimeve letrare. Personazhe si: Argjiroja, Doruntina, Roksana, Plaka Nicë, Kako Pino, Dino Çiço shpikësi, xha Avdua, Babazoti, Remziu, etj. janë emra burimorë nga ky mjedis. Po ashtu: Margaritë, Konstandin, Luiza, Diana, Luan, Bardhyl, Bilbil, etj.
Gjejmë në prozën e autorit persona historikë gjirokastritë e më gjerë si: Çerçiz Topulli, Enver Hoxha, Andon Z. Çajupi. Gjejmë persona realë të verifikueshëm si: Evlyia Çelebia, Bilbilenjtë, Thanas Vaja, Pasha Kaurri, Eqerem Çabej, Vasil Laboviti, Musine Kokalari, Dino Çiço, Lame Spiri, Kiço Spiri.
Gjejmë nëpër krijime e shkrime mbiemrat e një vargu familjesh tradicionale gjirokastrite:
Angoni, Topulli, Dobi, Kurti, Kaili, Kashahu, Kardhashi, Fico, Kadare, Hoxha, Çabej, Sinojmeri, Zverku, Çoçoli, Mezini, Pipa, Kokobobo, Kofina, Sheshi, Alemi, Kekezi, Xuano, Ura.
Në librat që flasin ose marrin shkas nga nga mjedisi gjirokastrit gjejmë personazhet: Avdo Bababaramo, Babazoti, Mane Voco, Kako Pinua, Bido Sherifi, Nica, Roksana, Frosa, Patra, Margarita, Vasiliqia, Meri, Xhexhekua, Xhedua, Xhekua, Nazua, plakat e Çorajve, Havaja, Haxhua, Qazimja, Selmaja, Selfixheja, Sosja, Shanua, Hatua, Hançja, Muçua, Çeço Kaili, Basho Sevua, Jorgaqi, Theofani, Qimua, zoti Nasto, dy Qanitë (portieri i kinemasë dhe mësuesi) etj.
Në vargun e personazheve banorë të qytetit hyn edhe greku Argjir Argjiri (Αργύρης Αργυρίου), të cilin e përmend tek romani “Kronikë në gur” si personazh i heramfroditit. Argjir Argjiri grek erdhi në Gjirokastër nga fronti i Luftës Civile në Greqi, në vitin 1949, jetoi disa vite në qytet, madje edhe u martua.
Familjet gjirokastrite tek autori i gjejmë edhe në trajtë mbiemërore: Angonatë, Topullarë, Selfatë, Dobatë, Çanatë, Mezinatë, Zekatë. Autori krijon emra personazhesh si Gur Çerçizi. Çerçizin e gjejmë edhe në trajtën Çeço. Gjejmë në qytet edhe emrin Çerçe, në grua. Në Gjirokastër gjejmë mbiemrin Çeço, kurse në krye të lagjes “Varosh” gjendej që herët mbiemri Çeçi. Çullajt na kujton Përroin e Çullos dhe mbiemrin Çulli, që e gjejmë edhe në Labëri e Lunxhëri.
Emrin Didin në qytet e gjejmë edhe si mbiemër: Didi. Kurse emri Mark (Mark Alemi) nga gjirokastritët nuk përdoret. Përveç Qani Kekezit, me mbiemër ose emër të ndryshuar paraqiten poeti Ramiz Bilbili, Këthë Spiri dhe Lame Spiri dhe personazhi Jorgo Senica.
Emrit letrar Javer i ngjitet mbiemër tjetër, por ashtu mbiemrit Sinojmeri i paravihet emri Dino. Me saktësi si karakter, por jo plotësisht si emër, është riprodhuar personazhi paradoksal i mësuesit Nasto, i cili ngatërron temat e historisë me grindjet në familjen e vet.
Shumica emrave të personazheve janë të veçantë dhe mbresëlënës edhe përmes efektit akustik.
Në kujtesën e banorëve ruhen mbiemrat që lidhen me krahinat ose fshatra rrotull, si: Mashkullora, Prongjia, Plesati, Picari, Golemi, Progonati, Çajupi, që lidhen me figura e bëma të ndryshme. Edhe në Dropull gjejmë mbiemrat: Progonati, Terihati, Kadëna, Lengo, Merxhani, Biçaku, Sinani, Gjini dhe Gjoni Në qytet mbiemrat: Gjini, Gjoni, Lengo, Leka, Lani, Kore, Kaçi, Qendro, Kamberi, Peçi, Haxhi, etj. i gjejmë si në familje muhamedane, edhe në të krishtera Përmendim mbiemrin e habitshëm Harbulaj.
Natyrisht, çështja e emërologjisë lokale është mjaft e gjerë dhe e larmishme. P.sh., lexuesi mund të qeshë kur mëson se kanë ekzistuar ose ekzistojnë mbiemra nga fusha e kulinarisë, si: Qofteja, Karkanaqja, Batha, Buka, një varg të tjerë, që lidhen me profesionet tradicionale, deri tek mbiemri administrativ Tarifa.
Rιkthehemi në laboratorin krijues të shkrimtarit:
Në rastin e topçiut Avdo Babaramo, emri real ishte Avdul dhe i takonte një bujku. Kurse Aqif Kashahu ishte këpucar (të cilit E. Hoxha i ri i shpinte këpucë të vjetra dhe i kërkonte të reja…). Aqifi u pushkatua në moshën 37 vjeç, me etiketimin “bashkëpunues i fashizmit”. Në romanin e mirënjohur ai jepet si babai që mbyti në pus vajzën pse humbi nderin, por në të vërtetë është ai që u mbyt…Siç mësojmë e dëgjojmë, me urdhër të prokurorit Subi Bakiri, ai u pushkatua dhe pastaj trupi i tij u hodh në pus.
Dhe ja, tek “Hamleti, princ i vështirë” Aqif Kashahu del si deputet në parlamentin shqiptar në vitin 1924! Në lojën me emrat ose mbiemrat realë autori ka bërë ndryshime për shkaqe etike, por jo gjithmonë, sepse ndoshta niset nga ndonjë simpati apo antipati për një person konkret. Përgjithësisht, në mjedise të ngushta, provinciale, mundësia e ballafaqimit nga lexuesit, kryesisht vendasit, është e madhe dhe e shpejtë, me shqetësime për mjedisin familjar.
Një galeri më vete përbëjnë personazhet realë të familjes e farefisit, një pjesë të të cilëve i përmendim gjatë këtij parashtrimi: Babai, Nëna, Babazoti, Gjyshja, Kakuja, Remziu, hallë Xhemua, Helena, etj.
PRO DHE KUNDËR
Ka patur edhe pakënaqësi e protesta edhe për trajtimin e prototipit të Doktor Gurametos tek romani “Darka e gabuar”.
Mësojmë se Doktori i mirënjohur ka marrë dekoratën e Trimërisë dhe të Kujtimit dhe në vitin 2000 u shpall “Qytetar nderi”. Dhe rruga anës së cilës kishte shtëpinë, u pagëzua “Doktor Vasil Laboviti”.
Shkrimtari e pati njohur nga afër Doktorin, të cilin e quan kirurgun më të mirë të Shqipërisë. Shtëpia e Kadarenjve ishte njëqint e njëzet metra larg shtëpisë së Doktorit. Që fëmijë ai ka mësuar për meritat e tij si kirurg, shpëtues i qindra jetëve njerëzore, shqiptare dhe helene, rikuperimi i shëndetit të luftëtarëve të Ushtrisë Demokratike Greke ardhur nga matanë kufirit, nga malet Vici e Gramozi, një kapitull pak i njohur ky. Pra, ndërsa për qytetin Doktori është një figurë humane dhe me shërbime të shquara, shkrimtari e devijon ecurinë normale profesionale dhe e “flijon” prototipin për hir të idesë së denoncimit të sistemit komunist.
Edhe mësuesi gjirokastrit Fotaq Kekezi, është dekoruar për punën e palodhur shumëvjeçare. Ai punoi fillimisht në fshatin Buhal të Përmetit, i dëgjuar për mjekët e shumtë popullorë. Ai kishte kryer shkollën e mesme Normale të Elbasanit dhe bënte operacione që nuk bëheshin as në Universitetin shqiptar. Por në klasë nuk operonte mace siç e paraqet shkrimtari, por vetëm bretkosa dhe lepuj.
Edhe Dino Çiço i vjetër është dekoruar për bëma atdhetarie. Pra, janë disa personazhe reale, të cilët shkrimtari i “dekoron” me mënyrën e vet, edhe pse jo rrallë bëhet me bisturi… Janë dy-tre raste të njohura, ndoshta dhe disa aludime, ndaj të cilave gjirokastritët e prekur në to, kanë reaguar, por pa shkuar gjyqeve. Mospërputhja me realen bie në sy edhe në rastin e Aqif Kashahut.
Shkrimtari ka parë kryesisht efektin artistik, humorin a groteskun dhe jo aq përputhjen me realen, duke mëtuar e vetëpërligjur se bën letërsi. Në rastin Kashahu, përtej mundësisë së ndryshimit të emrit real të personazhit, mbetet etika e ndjesëkërkimit, kur përputhshmëria e emrit dhe pasaktësia e paraqitjes cënojnë të vërtetën dhe personalitetin e njeriut që kthehet në personazh letrar. Gjithsesi, tek lexuesi arrin invencioni, aftësia rilevuese dhe piktorike e autorit për një qytet të jashtëzakonshëm, që ndryn brenda vetes aspiratat, bëmat dhe pësimet e një populli të tërë.
Mjaft personazhe nga mjedisi gjirokastrit gjejmë tek novela “Ditë kafenesh”, shkruar më 1962 e botuar vite më vonë. Ja, Lame Senica, Kiço Llapa, Miço Qulli, Qëthë Hajdari, plaka Eftiqi, profesori S. C., Taqi i Skurajve, basho Jorgo, Sherifi, Boriçi. Autori inkuadron këtu edhe një kategori personazhesh tiranas si, Simona, Ivi, Arturi, Merilin. Boriçi është mbiemër tipik shkodran. Prania e mbiemrave të tillë veriorë përligjet jo vetëm nga përzgjedhjet e autorit, por edhe për faktin se edhe përpara Çlirimit, kishte në Gjirokastër nëpunës prej andej, midis të cilëve edhe prefekti Zef Kadarja.
Karakterizime të tjera janë: “Eksiqi”, “Raxh Kapuri”, Jupi (Α. Z. Çajupi), Jorgo Palikari.
Është praktikë e autorit të ruajë mbiemrat e të ndryshojë emrat e mbajtësve të tij, ose anasjelltas si në rastin Qani Kekezi.
Personazhe nga mjedisi gjirokastrit, për nga emri ose mbiemri, janë Dino Sinoimeri dhe Çoçol Zverku, tek romani “Nëntori i një kryeqyteti”; psikopati që kërkonte benzinë të digjte xhindet apo shtëpinë e vet, tek “Dimri i vetmisë së madhe”, hallë Xhemua te “Kohë e parasë”, që nuk pranonte të hante nga buka e përgjithshme, por kërkoi që pjesën që i takonte nga triska t’ia jepnin miell e ta gatuante vetë pjesën e saj. Çifti Ilir-personazh tregues, Babazoti, Kako Pinua e të tjerë kaluan nga një libër në tjetrin.
Studjuesi francez Eric Faye, (parathënie e “Kronikë në gur”, botim shqip, 2.000) ka vërejtur se Javer Kurti, i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, shërben si fill lidhës me një roman që do të shkruhet më vonë, “Nëntori i një kryeqyteti”, botuar më 1975.
Rimarrje personazhesh ka edhe tek “Leximi i Hamletit”. Djaloshi që kërkonte në rrënoja Euridiçen e vet rishfaqet me një funksion e përmasë tjetër tek “Vajza e Agamemnonit”. Dhe në tregime ose pjesë të veçanta veprash më të hershme gjenden embrione krijimesh të reja, pa harruar psikozat nën trysninë e sundimit, të mesjetës, paradoksales dhe atmoferën e pasigurisë së jetës.
Me personazhet nga mjedisi gjirokastrit, po të bashkohen vijat e subjektit, mund të dalë një libër më vete. Është një familje e madhe e krijuar me mundim, dashuri e dhimbje, brenda së cilës ai, krijuesi i saj, patriarku, mbetet më së shumti fëmijë ose adoleshent. Ashtu si nga qyteti, shkrimtari nuk mund të ndahet nga kjo familje, dhe familja nuk ka jetë pa të. Këto personazhe lëvizin edhe në librin me tregime e novela “Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit”, ku listës i shtohet edhe emri i Bardhyl B., bashkënxënës i tij në gjimnaz.
Novela “Qyteti i jugut”, që më pas u bë roman i njohur, ngjalli reagime pakënaqësie tek brezi i vjetër, lidhur me episodin e shtëpisë publike që thuhet se hapi në qytet ushtria italiane. Të moshuarit thanë se ne ate shtepi pubike nuk shkoi asnjë banor gjirokastrit. E quajtën joreale dhe fyerje, si do të përmendim dhe raste te tjera pasqyimin artistik nga autori.
Pra, autori jo vetëm nuk mendoi për “nderin e qytetit”, por, madje e njollosi! Por më se një herë, shkrimtari nuk kurseu as njerëzit e rrethit familjar., krushqinë dhe farefisin. Shkrimtari nuk kurseu të afërm si p.sh. Remzi Kadarenë, i cili, mësojmë, e lojti dhe humbi në kumar shtëpinë (duke rifituar pastaj vetëm portën). Te “Kukulla” lexojmë se “Kadaretë kanë një dërrasë mangut”!
Me naivitetin e fëmijës dhe guximin e të rriturit, shkrimtari nxori në shesh “të palarat” e tyre, por pa keqdashje. Diku shan veten – personazh si “horr” dhe nga dikush merr cilësimin “pusht”. Ky sinqeritet e humor deri në autosarkazëm e kënaq dhe argëton lexuesin, personazhet e tipat bëhen simpatikë. “Nuk kam qenë i shquar për të bërë himne për familjen, për njerëzit e mi, siç ndodh zakonisht në Ballkan. Sidomos në Ballkan, çdo njeri kur shkruan, thotë sa fisnik e kisha gjyshin, sa e mirë ishte nëna, sa i mençur babai, a thua se njerëzit s’gabonin kurrë.. Unë kam qenë krejt i lirë. E kam vërtetuar këtë gjë në veprën artistike kryesisht, sepse nuk kam shkruar kujtime. Nuk më vinte zor që në “’Kronikë në gur’” ka skena groteske, ku përfshihet i gjithë qyteti dhe familja ime bashkë me to, fisi im”, pohoi autori nga dritarja e një interviste televizive.
Krahas personazheve letrarë me vulë gjirokastrite, takojmë edhe personazhe realë, figura historike si, Musine Kokalari dhe Ramize Gjebrea, me fund tragjik, për të cilat autori ka shkruar me vlerësim në publicitikën e vet. Shquan shkrimi për gjuhëtarin Eqerem Çabej, nderimi për të dhe vlerësimi për veprën dhe personalitetin e tij. Dikur student e poet me emër, ai doli fotografi me Profesorin shkencëtar me emër edhe jashtë kufijve. Gjuhëtari gjirokastrit e vuri ne krah shkrimtarin e ri po gjirokastrit, duke besuar se do të ngjitej lart, sikundër e u ngjit.
Autori ka qëmtuar figura e personazhe nga mjedisi gjirokastrit, i ka vizatuar dhe finesë, u ka ngarkuar një rol, i ka përdorur me shije.
Doza e fortë e “lokalizmit” është diktuar edhe nga fakti se emrat realë dhe personazhet, që, siç mund të vihet re me lehtësi, bashkëzanojnë, secili mbiemër real ishte një pjesë e gatshme për të hyrë në veprën letrare. Nga ana tyre, këto emra dhe mbiemra kanë vendin dhe tingëllimin e tyre të veçantë në krejt emërologjinë shqiptare. Janë të shtresave e besimeve të ndryshme fetare, me mendësi e mosha që përshenjojnë breza të tërë, me kolorit dhe individualitet të papërsëritshëm. falë riprodhimit nga autori dhe tipareve e cilësive në vete.
Përveçse si personazh tregues në disa vepra që marrin shkas nga Gjirokastra, autori nuk ka lënë jashtë vëmendjes e manierës së tij veten. Kështu, tek “Çështjet e marrëzisë” janë në qendër orvajtjet e dëshpëruara të një fëmije, që identifikohet lehtë me autorin, i cili “kërkon të zbulojë misteret që e rrethojnë e më pas pëson zhgënjime nga rënia e idhujve, duke parë heronjtë e çmitizuar në një botë krejt të pakuptimtë, ku çdo gjë ndryshon vazhdimisht” dhe “askush nuk i shpëton fenomenit të marrëzisë në çaste të caktuara të jetës së tij…duke rënë ndesh me të gjitha ligjet morale të shkruara e të pashkruara e deri duke luftuar kundër arsyes njerëzore”. (Petrika Grosi – “Ballkan”, 18. 9. 2005, f.21).
Marrëzia është karakteristike dhe bashkudhëtare e provincës por edhe e shoqërisë njerëzore në tërësi. Kjo vjen si një zbulim nga mikrobota e provincës. Por mos ndoshta autori e tepëron kur thotë diku se ky ishte qyteti me dendësinë më të madhe të marrëzisë në botë? Sepse janë të njohura zgjuarsia e gjirokastritit, vetëpërmbajtja, nderimi për shkollën dhe diturinë, shija e së bukurës dhe pastërtia, kujtesa e fortë historike, të jetuarit me ekonomizim, me laps në dorë, etj. Dhe, kryesorja, siç u shpreh I. Kadare në fjalën e tij përshëndetëse:
“Gjirokastra, si rrallë kush qytet ne Ballkan, jo vetëm në Shqipëri por në tërë gadishullin e Ballkanit, ka nxjerrë, ka lindur, ka prodhuar qytetarë, sepse qytetarët janë për fat të keq shumë të rrallë. Kanë qenë dhe mbeten ende sot. Historia e Ballkanit, historia që vazhdon ende sot po e tregon këtë gjë. Pra, ky qytet i vogël me këto shtëpi të mëdha e të ftohta, vërtet i ka dhënë botës shqiptare dhe të gjithe botës ballkanase një sasi të madh qytetarësh, që rrallë qytet në botë mund të ketë prodhuar, për ato përmasa që ka ai, dhe kjo eshtë një gjë e mrekullueshme, për një qytet të prodhojë atë që e dikton dhe emri i vet, pra, të prodhojë qytetarë”.
Qytetarë e jo thjesht njerëz me arsim.
Tek “Ftesë në studio” shkrimtari foli për frymën dhe prirjen evuropiane të intelektualëve shqiptarë qysh përpara Çlirimit. E ai vetë dëshiroi të bëhet parizian, në sjellje e mendësi. E nëse gjyshi i tij, që iku mjaft i ri, mbante kalcune dhe jelek të qëndisur tradicional, nipi i tij veshi një ditë kostum “Peirre Cardin”, që përshenjon elitën bashkëkohore pariziane. (Një njësi shitje tapetesh pagëzuar “Pierre Cardin” u hap së fundi në qytetin e Gjirokastrës, pranë kinoteatrit “Zihni Sako”). Shkrimtari pati që herët ndjesinë se, ndonëse e rënë nga vakti, familja e tij i përkiste ajkës qytetare e kulturore të Gjirokastrës. Gjyshi i tij kishte kryer studimet e larta në Stamboll. Kadareja nuk e pëlqente frymën e pashallëkut feudal, po atë aristokratike po. i pëlqen komoditeti, por jo luksi dhe demonstrimi i tij. Është gjithmonë i veshur hijshëm, me kërkesat e kohës e të presigjit që gëzon.
Kadaresë i pëlqen gatimi i shijshëm, por është i përkorë në të ngrënë e në të pirë. Nuk pi duhan, nuk konsumon alkool, po të përjashtojmë verën, edhe kjo me masë, për shkak të tensionit shfaqur vietet e fundit. Përegjithësisht gjatë shfaqjeve në publik, sillet me politesë, është i matur në dialog, i gatshëm të përgjigjet në çdo çast.
Ndonjëherë, në intervista shtypi, përgjigjet me rreptësi dhe është kjo arsyeja që, siç pohon vetë së fundi, ka krijuar shumë armiq. Por, mbi të gjitha, për të ka rëndësi çështja që mbron dhe mendimi vetiak, pa u merakosur shumë nëse do të pëlqehet ose jo, nëse dikujt do t’i mbetet hatri e do të shembet ura lidhëse. I. Kadareja është njeri me ambicje dhe program në jetë e përditë. Punon pothuajse përditë, kur nuk ka impenjie e detyrime të tjera, jashtë studios. Ka etje për të mësuar vazhdimisht sa më tepër, me nderimin për diturinë e librin, të cilin e bëri faltore.
Karakteristikë e gjirokastritit është respekti për institucionet, vlerësimi për “bukën e qeverisë”. Por shkrimtari u ngrit edhe kundër institucioneve shtetërore, burokratizmit, fasadës. Më kujtohet një herë se si, në një plenum të LSHA. të periudhës ramiziste, ai shpërtheu kundër Istututit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, të cilin e quajti një ofiçinë që duhej shkatërruar, për mënyrën si funksiononte. Të tilla rebeshe lëshoi edhe për botuesit apo administratorët e fateve të letërsisë, disa herë, siç kur foli për Migjenin dhe kohën e tij, me goditje anësore: “Foli pragut të dëgjojë dera”.
Mund të përmendim një varg autorësh e personalitetesh shqiptare, me të cilët ka polemizuar edhe me ashpërsi e me tepëri. Pra, e kapërceu standardin e gjirokastritit të përmbajtur apo konformist. Por edhe është në natyrën e gjirokastritit të hedhë e të presë dhe të mos lejojë mizën të ulet në supin apo “shpatën” e tij.
Tashmë lexuesit shqiptarë kanë në dorë një libër me 32 dokumenta arkivore, tepër sekret, të papublikuara më parë, nga Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH, me titull “Kadare i Denoncuar”, me autor Dashnor Kaloçin, botim të cilin I. Kadare e quajti tepër të rëndësishëm. Është një material që hedh dritë për të kuptuar pozitën reale të shkrimtarit, që ndiqej e përndiqej nga instancat e larta, Sigurimi i Shtetit dhe aparatçikët e shumtë, por edhe që përflitej e sulmohej nga një batalion smirëzinjsh, të cilët në librin e Kaloçit përmenden edhe me emër. Është e hidhur kur mëson se vetë LSHA, që duhej të krenohej me të, kishte dërguar në instancat e larta politike dymbëdhjetë relacione kundër I. Kadaresë dhe se p.sh. në diskutimin paraprak dhe të posaçëm të romanit “Koncert në fund të dimrit” në mjediset e K.Q. të PPSH, ata që u shprehën kundër botimit të romanit ishin koilegët dhge jo partiakët e lartë.
E stigmatizuan si “borgjez”, “revizionist”, “dekadent”, “agjent i borgjezisë” e “tradhtar”. Dhe është çudi se si shkrimtari nuk pësoi fatalen: heqjen pa afat ose përgjithmonë të së drejtës së botimit, arrestimin dhe linçimin politik e fizik. Si mbijetoi në atë fole karrieristësh dhe mercenarësh, që i hiqeshin si miq por mezi prisnin që ai të rrëzohej? Nuk është thjesht zili apo keqdashje, por motua e përjetshme e mediokërve: “Ti ishe i madh, por ne të hëngrëm kokën”, (I. Kadare, “Rekuiem për Majakovskin”, vëllimi “Koha”, 1976).
Kadareja është një shkrimtar i madh, një shkrimtar botëror, dhe të mëdhenjtë që banojnë në Olimp reflektojnë shumë dritë, shumë diell, por edhe tërheqin shumë rrufe. Një nga synimet e keqdashësve dhe kritizerëve dje, por edhe sot ishe dhe është t’i marrin autorit sa më shumë kohë dhe energji, për të shkruar më pak. Por ai diti të mos bjerë në kurthin e tyre dhe të vijojë rrugën me vendosmëri.
Dhe siç thotë diku Henrik Hajne, “Armiqtë janë lavdia ime”. Një sqarim kuptimplotë e jep vetë, në intervistën ku, i pyetur kohët e fundit për marrëdhëniet me shkrimtarin Nasho Jorgaqi, I. Kadareja u shpreh: “Unë nuk jam marrë me rrëzimin e shpifjeve që janë bërë kundër meje. Më duken aq monstruoze…”. (“Gazeta shqiptare”, 28 janar 2015). Por shkrimtari ka sqaruar sa ka mundur në të mirë të vetes dhe të së vërtetës, nuk ka lënë pa përgjigje pothuajse asnjë atakim e insinuatë. E ndaj kundërshtarëve pati jo thjesht një “kinse mëri”, por jo rrallë u lëshoi mbi kokë hobetë e veta gati asgjësuese.
Të tilla shkundullima ai mund të kishte lëshuar edhe mbi Gjirokastrën, administratorët e fateve të saj dje dhe sot, por ka qenë disi i përmbajtur, i duruar dhe, ndoshta, me një shpresë që koha nuk e përligji.
Por le të rikthehemi tek dukuria e anormalitetit.
Ashtu si në matematikë ka numra racionalë dhe irracionalë, në çdo bashkësi njerëzore ka njerëz normalë dhe anormalë. (Në këtë kuadër, ndodh që të jetë anormal mjedisi dhe jo ai që mjedisi përkatës e etiketon ose e damkos si anormal). Pra, as në këtë drejtim, me gjithë veçoritë dhe “meritat”, Gjirokastra nuk bën përjashtim. Besoj se ky lloj karakterizimi i shkrimtarit për të është më tepër një mënyrë të shprehuri efektuoze, sepse po ai, në një takim të viteve më parë thotë se gjirokastritët i gjeti po aq të mençur sa më përpara. Pas kësaj vizite e takimi me gjirokastritët, shkrimtari pohoi: “Unë shkova në takim me një kureshtje që janë aq të mençur sa ç’kanë qenë” dhe nuk doli i zhgënjyer.
Anormalët kanë meritën se janë personazhe që nuk kanë nevojë për retushim, janë kripa e mjedisit provincial. Autori i përqesh bëmat anormale, por edhe argëtohet me këta lloj personazhe, me paradokset dhe qyfyret, të cilat jo pa arsye i paraqet si të moskuptimta, deri sa të dalë në dritë thelbi i tyre tragjiko- komik.
Mirëpo marrëzi nuk shfaqin e bëjnë vetëm tipat patologjikë, por edhe burra në dukje seriozë ose të respektuar për moshën ose postin që kanë. Marrëzi është mënyra si regojnë personazhet fëmijë kur shtëpitë e tyre digjen, dhe gëzimi për kthimin në aerodrom të avionëve të huaj, bombarduesve që ktheheshin nga misione vrastare, ndjesi që motivohen nga naiviteti i moshës së mitur (“Qyteti i Jugut” – “Kronikë në gur”). Se “Vetëm syrit të pafajshëm fëminor i zbulohet e vërteta e madhe. Dhe e vërteta e madhe e botës është marrëzia”, “Pasi e ka krijuar botën dhe rrëfimin për të, pasi e ka krijuar mitin e saj, autori në këtë roman i përkushtohet zhbërjes së botës, çmitizimit të saj”, (Mark Marku, parathënia për romanin“Kronikë në gur”).
Alfons Dode ka thënë se njeriu bëhet më i mençur prej marrëzive të të tjerëve se sa prej dijes së vet.
Në veprën letrare të I. Kadaresë ka zakonisht një dozë irracionalizmi, nga realiteti dhe maniera artistike, ku realen nga irrealen një qime e ndan. E përsëri përmes irracionales, paraqitjes së anëve anormale, që duhen parë me seriozitet, ndihmon orientimin e lexuesit drejt logjikes, jo për të zhdukur marrëzinë e pashmangshëm, për të bërë më pak marrëzi. (Megjithatë, lexuesi i huaj dhe ndonjë intervistues serioz janë të pakënaqur pse shkrimtari nuk ka nxjerrë sheshit më shumë marrëzi dhe mëkate vetiake nga e kaluara…).
Nëpërmjet “Çështjeve të marrëzisë” shkrimtari bëri thirrje për qëndrime logjike dhe urtësinë e munguar. Titulli na kujton gjithsesi “Sokakun e të marrëve” e ky emër rrugice mund të shërbente natyrshëm si titull a nëntitull i romanit.
Krahas qortimit e fshikullimit satirik dhe një lloj cinizmi anësor, nuk mungojnë dashuria dhe dhemshuria e autorit për njerëzit e afërm ose jo, keqardhja për disa.
Gjirokastritët nuk e kanë përdorur rr-në, por vetëm r-në (edhe në rastin varri). Edhe emri i Sokakut të famshëm sot në tabelën e vendosur është: Sokaku i të mMarëve. Megjithatë, një rr e fortë zhurmon në ajër, dhe me Sokak të të Marrëve tani kuptohet jo vetëm ajo rrugë, por një zonë e tërë rreth saj. Kush më shumë e kush më pak, të gjithë në atë pellg, duan të përfitojnë nga lavdia “e marrëzisë”.
Në javën e tretë të muajit nëntor 2015 televizioni shtetëror lokal i Gjirokastrës dha një kronikë nga mjediset e Sokakut dhe të shtëpisë ku, më 1987, u xhirua filmi “Përrallë nga e kaluara”, me skenarist dhe regjisor Dhimitër Anagnoistin. Një fakt më tepër ky, që përforcon idenë se njerëzit e zgjuar kanë ditur të përçojnë andej kumte me vlerë.
***
Librat dhe krijimet e shkrimtarit për Gjirokastrën kanë forcë tërheqëse dhe intriguese. Ato janë zbulime mbresëlënëse edhe për faktin se autori synon të shpërfaqë të fshehtat e jetës së qytetit dhe të familjes ku u rrit, aventurën e fatit të individëve dhe të bashkësisë njerëzore. Prirja drejt misteriozes, anës së prapme të hënës, u bë edhe një mjet artistik i efektshëm, mjaft intriguees i stilit të autorit, pavarësisht nga tema që trajton. Bindja se pas dukjes ka një realitet tjetër, që përbën thelbin, u bë parim krijues i shkrimtarit.
Në intervistën dhënë revistës italiane “Galatea” e ndonjë tjetër, shkrimtari formulon se:
“Po, Shqipëria është koncentrat i të gjitha mistereve dhe arkaizmave në Ballkan”, “I njoh të gjitha defektet e ballkanasve, i di të gjitha të këqijat që kanë bërë, të gjitha idiotësitë e tyre, çmenduritë e tyre. Çmendia është karakteristikë e Ballkanit. Por nuk jam dakord me përçmimin sistematik, objekt i të cilit janë. ballkanasit janë në gjendje të bëjnë çdo prapësi, por edhe gjëra shumë fisnike”.
Gjirokastra është një kuintesencë e këtij realiteti ballkanik, me ndryshimin se nuk kanë munguar edhe drejtpeshimi e vetëdija kritike. Se nga Gjirokastra nëpër kohëra dolën burra që kanë përballuar situata të rënda e të nderura, kanë përballuar ose “zgjidhur” kriza politike jo thjesht lokale.
Tek “Çështje të marrëzisë” autori cilëson marrëzi trillet vetiake, por sidomos ato në fushën e politikës, ku partia komuniste që del nga ilegaliteti disavjeçar i periudhës së lirisë, ndez pasione satrapike, diferencon njerëzit, i ndan dhe i rreshton në kampe, prish drejtpeshimin relativ të jetës së mjedisit e të vendit.
Tek “Çështjet e marrëzisë” personazhet janë nga rrethi familjar Kadare dhe farefisit të Dobatëve e Karagjozatëve. Në këtë kuadër, lidhjet farefisnore të familjes Kadare me Dom Zef Dobin katolik nga Shkodra, theksojnë edhe idenë e unitetit kombëtar dhe tolerancës fetare. (Por lidhja e shkrimtarit me Shkodrën ka të bëjë edhe me lindjen e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, siç përmend diku Moikom Zeqo, një natën me shi në një hotel të atij qyteti. Është ky qytet çlirimi i të cilit kurorëzoi çlirimin e krejt Shqipërisë. Dhe, si për çudi, komandant i disa mijra partizanëve që morën pjesë në betejat disa ditore për ta çliruar, ishte gjirokastrit Tahir Kadare, komandant – kolonel , bashkë me Tuk Jakovën, komisar-kolonel, ky brenda nga Shkodra. (Lexo: Sali Onuzi, “E vërteta për çlirimin e Shqipërisë dhe të Shkodrës”, gaz. “Telegraf”, 30 nëntor 2015). A ishte rastësi bashkëdrejtimi prej tyre, bashkimi i “polit” të Jugut me “polin” e Veriut shqiptar?
Si për të theksuar e forcuar lidhjet midis Jugut e Veriut shqiptar, familja Ismail dhe Helena Kadare (Gusho) bëri krushqi me familjen shkodrane të poetit Llazar Siliqi, kurse vëllai, Shahin Kadareja u martua me një kosovare dhe banojnë në Tiranë. Por konsideratat e shkrimtarit dhe afeksioni për këtë qytet i kalojnë caqet lokale e të lidhjeve farefisnore, sepse ai e pa Shkodrën si vatrën e madhe e të lashtë të qytetërimit shqiptar, që nxori nëpër shekuj figura dijetarësh, shkrimtarësh dhe heronjsh. Kurse është temë më vete vlerësimi i posaçëm i tij për Eposin poetik të Kreshnikëve, Kanunin e Malësisë, dialektin verior dhe fjalorin përkatës, përmes të cilit pasuroi më tej leksikun e vet letrar e gjuhësor.
Sahati i kalasë së Gjirokastrës është sjellë, dhuruar, nga Shkodra përpara gjysëm shekulli. Mund të jetë sahati që një lord katolik anglez i dhuroi Shkodrës përpara tre shekujsh, duke ndërtuar edhe kullën e madhe monumentale të tij. Përmes sahatit të kalasë, Gjirokastra ka lidhje me Shkodrën e largët, ndoshta edhe një sinkron me Bing-Bangun, sahatin e madh të Londrës, nga ku nis meridiani i Grenuiçit, meridiani fillestar e bazë për gjeografinë e botës.
Tek libri “Koha e shkrimeve” gjejmë personazhin bashkëmoshatar e bashkënxënës Ilirin, i cili, sipas autorit, është inxhinieri projektues i hidrocentraleve, më pas akademik dhe nënkryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, Prof. Farudin Hoxha.
Përveç personazhit të fëmijës që rrëfen, dhe Ilirit, shkrimtari risjell në skenë Babazotin, përmend emra realë familjesh gjirokastrite si: Dobi, Zeko, Shtino, Çoçoli, Kokobobo, Babameto, Shametët, Hashorvët, Kadaretë e rinj, Labovitët, emrat e familjeve Toro e Karagjozi, që nuk i ndeshim në librat e mëparshëm.
Gjejmë personazhe si, Haxhi Fterra, Vasillaq Berberi, dy dervishë, një prift, hajdutin e pulave Mero Lamçe, hoxhën pederast, simpatikun Pero Luke, vjolixhi ky, një person real me banim në Lagjen Dunavat i Dytë (kurse Rakipi, djalë i tij, punoi si shofer makine zjarrfikse në Gjirokastër).
Reale është figura e ciganes së lagjes, Vitos, që shoqëronte në vajtje – ardhjet në gjirinë e shkrimtarit. Nuk mungon “Kiçua me gomar”, për të cilin zonjat pasanike përdornin shprehjen “me nder, Kiçua”, që e gjejmë edhe në gojën e Babazotit.
Real është personazhi me nofkën Raxhi, e një hamalli kavajas, sipas Raxh Kapurit, personazhi kryesor i filmit indian “Vagabondi”, film i cili u shfaq disa netë rresht dhe bëri të thyhet porta e kinemasë nga dyndja e filmdashësve të papërmbajtur. (Në filma si ky ndalohej hyrja e fëmijve, d.m.th. atyre që ishin nën moshën 16 vjeç). Realë janë emrat e bashkënxënësve si, Bardhyli, Ela, Ylberja, Suzana, kushërira Izmini, etj.
Prekëse është linja e hebrejes Graciela Jakoel, te “Koha e shkrimeve”, linjë që ndriçon qëndrimin mbrojtës ndaj çifutëve, nga qyteti dhe mbarë populli shqiptar. (Me mbiemrin Jakoel, që e ka personazhi i mësipërm, ëshjtë një familje hebreje e larguar nga Shqipëria përpara disa vjetësh. Nga Gjirokastra u largua për në Izrael një degë e familjes së nderuar hebreje Kofina). Kadareja, në vizitën e tij në Izrael, ku i janë botuar disa libra, ka takuar edhe të larguar si ajo.
Mësuesja e frëngjishtes mban nofkën Madama.
Lista e personazheve të autorit tek “Çështjet e marrëzisë” përmban edhe personazhet me emrat e pashembullt Tokë dhe Urë. Po ashtu emra jo tipikë për mjedisin si, Suzana, Eliana, Graciela. Bëma e katragjyshit që vetëburgoset në hapsanën e shtëpisë, na kujton mazohistin Llukan Burgamadhi të romanit “Kronikë në gur”.
Mbiemra si, Burgamadhi, personazhe si Gavo Xivo, Bufe Hasani, Gurameto, e ndonjë tjetër ngjajnë më tepër sajime të autorit për nevojat e karakterizimit të personazheve.
Një grup tjetër e përbëjnë figurat groteske: Plakat e jetës, Plakat katënxhika, Plaka Habere, etj.
Gjejmë personazhet Lame Qorri e Vehip Qorri.
Mënyra si janë “qëndisur” disa emra personazhesh ka ndikimin e mjedisit e të shijes gjuhësore gjirokastrite. Disa herë autori ka përzier tiparet e dy personazheve. Kështu veproi në rastin e Qani Kekezit, ku emri është i një personazhi real, kurse mbiemri i një tjetri, por edhe flokët kuqërrem të njërit i janë veshur flokëziut.
Nga të huajt bëhen personazhe: Koloneli Z., Etore Mutti, Bruno Arxhivokale, prifti italian, prostituta italiane e shtëpisë publike, ushtari italian që bie në dashuri me vajzën e mullisit, Kristinën, grekët Elefterios, Katanxaqis, e ndonjë tjetër. Me kalimin e kohës, nga libri në libër, ka ardhur duke u shtuar numri i personazheve nga rrethi shoqëror dhe ai familjar i shkrimtarit, është forcuar prirja për rrëfime më intime, që përbëjnë një shtresë të dallueshme dhe me ngarkesë të veçantë emocionale.
***
Nga poema “Princesha Argjiro” (1958) e “Ditë kafenesh” (1962) tek “Qyteti i jugut” (1967) “Kronikë në gur” (1968) shtrihet një periudhë disavjeçare, që dëshmon ecurinë dhe evoluimin e autorit në pasqyrimin e vendlindjes dhe për të pasurimin e metodës së tij krijuese.
“Kronikë në gur”, “Breznia e Hankonatëve”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Çështjet e marrëzisë”, “Ditë kafenesh”, “Princesha Argjiro”, “Aeroporti” etj. janë një kolanë shumëngjyrëshe, ku secila pjesë plotëson tjetrën e të tërën, duke na dhënë një dëshmi letrare burimore dhe e njëmendët, afresk të Gjirokastrës historike e kulturore, që na ndihmon për të kuptuar procesin e vështirë të emancipimit e ndërgjegjësimit nëpër kohë.
Shkrimtari nuk i harroi nënat shamizeza, gurgdhendësit, rrugët ku hodhi hapat e para, ku i rrahu zemra e dashuruar, kopshtet ku lulëzojnë lofatat, brigjet ku kuqëlojnë bobokuqet. I ruajti kujtimet dhe fotografitë e njerëzve të dashur. Dhe fotografinë e fëmijërisë, ku pozoi veshur me një qeleshe mbi krye, me motrën përkrah.
Gjirokastra i brumosi vetëdijen, i mprehu gjykimin, i dha aq sa kishte, duke e pasuruar, madje, edhe me mungesat e saj. Ajo i shtoi etjen, i nxiti ambicjen, e mësoi të ecë në rrugë të vështira, të manovrojë në të përpjetat, kthesat e dredhat e udhës së jetës.
Malet e zhveshura e shoqëruan edhe në përshkrimet e peisazhit të zymtë, madhështor dhe të aksidentuar shqiptar: gryka malesh, rrafshira, kulla të vetmuara, toka të gërryera nga erozionet, varfëria dhe luftrat. Ndoshta në Gjirokastër, duke kqyrur panoramën e trishtuar dhe madhështore, autori përftoi ndjenjën e Vetmisë së Madhe. E ndoshta këtu i lindi së pari ideja e “Prillit të thyer”, e pranverave të mosgëzuara, si vajzat fatpadala në pragjet e gurta të shtëpive.
Dikur autori shkroi vargjet me dhimbjen për djemtë nisur qyteteve të Europës për studime, të cilëve, pasi shijonin gëzime të huaja, ktheheshin në atdhe ku u thyheshin ëndrrat. Edhe brezi i autorit, pasi njohu disi hapjen me botën, provoi zhgënjime nga vetizolimi komunist dhe pamundësia për hapësira intelektuale, përfshirë edhe dramën e ndarjes me gratë e huaja me të cilat lidhën jetën. (Kësaj teme autori iu rikthye kohë më më parë në një intervistë).
Ndoshta për shkak edhe të largimit herët prej vendlindjes dhe se i lindën interesime për tema më të rëndësishme, pasqyrimi i Gjirokastrës në opusin letrar të autorit mbeti pothuaj brenda periudhës kohore të fëmijërisë dhe të rinisë së parë.
Pas vendosjes familjarisht në Tiranë, jeta e shkrimtarit pati disa ndryshime. Së pari, ishte në fushën e letërsisë, si shkrimtar dhe redaktor, në qendrën kulturore të vendit, ishte në elitën e pashpallur të asaj kohe, me ëndrra, energji, mundësi për arritje të reja. Ishte larg Gjirokastrës, ku shkonte rrallë, por Gjirokastrën e mbartte me vete, që nga vatra familjare deri te kujtimet e adoleshencës, shokët e rinisë, bashkëqytetarët apo zyrtarët me poste ose nëpunësi të rëndomta. Ajo ishte në gjellët që gatuanin nëna dhe motra Kadrie (Κakuja).
Ishte në vizitat e të ardhurve nga larg, jo doemos farefis, të cilët qëllonte të harronin të sillnin ndonjë shishe verë siç e donte zakoni, ose kujtonin që shkrimtari me emër i kishte të tëra me shumicë. I. Kadare ishte mikpritës dhe, sadokudo, i duruar me vizitorët. (Madje, ata pinin kafe në sallon, kurse ai tërhiqej dhe vazhdonte punën krijuese në studjo). Kështu dikur, por edhe tani, pas kthimit nga “arratia”.
Kështu, në një shkrim të autorit, në fund të vitit 1994, mësojmë se: “Kur kthehemi në shtëpi, ajo, si zakonisht, është plot me njerëz. Njerëzit rrinë në dhomën e pritjes. Pinë kafe dhe bisedojnë si në kafene. Një pjesë janë miq e të njohur. Të tjerët, të panjohur. Ka një parti dhe rryma të ndryshme politike dhe kuptohet që shumica e bisedave janë politike. Në përgjithësi njerëzit janë pasionantë, nervozë dhe shpesh fillojnë të grinden me njeri-tjetrin”. (Helena Kadare, “Kohë e pamjaftueshme”, Botimet Onufri, f. 541).
Janë të shumtë ata që duan të pinë një kafe e ca më shumë të hanë një drekë apo darkë me shkrimtarin e shquar. Edhe ai dëshiron e ulet, kur ka mundësi, me miqtë, shokët, dashamirët që e ftojnë në një tryezë kënaqësie, njerëz të çiltër e jo bukëshkalë, që edhe të tillë nuk i kanë munguar.
“Μë ka qëlluar të njoh disa “judë”, siç i quante ai, thotë Helena. “Kanë hyrë e kanë dalë në shtëpinë tonë, ju kam shtruar dreka e darka dhe pastaj na kanë dalë të pabesë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Për këtë dukuri Is ka shkruar një sprovë të shkurtër me titullin E qara në mesnatë, të cilën ma ka bërë dhuratë, bashkë me tre shkrime të tjera për ti integruar në këto kujtime.” (f.181). “Deklarimi tjetër i Is, se, ndërsa kundër tij ishin shkruar qindra faqe, një mijë vite sikur të kërkohej në një mijë arkiva, s’do të gjendej kurrë një rresht i vetëm i tij kundër askujt, ishte një sfidë tjetër e fortë”. (Po aty, f. 181).
Në intervistën dhënë publicistit Blendi Fevziu, shkrimtari kujton me hidhërim ditën kur hapi Dosjen Kadare në Arkivin e Shtetit në Tiranë dhe gjeti e lexoi një varg letrash kundër tij dërguar udhëheqjes së “partisë mëmë”, apo organeve të survejimit, ku njerëz të kalemit dhe edhe ndonjë që i shtirej mik kanë dashur t’i bënin keq ose ta shikonin në burg. (Nuk përjashtohet që ndonjë i tillë ose disa të kenë dalë edhe në aeroportin e Rinasit në ditën e gëzueshme të rikthimit të tij përfundimisht në mëmëdhe).
Shkrimtari nuk e përmend pothuajse askund një letrar të Gjimnazit, të cilin e kishte pritur mjaft herë në shtëpinë e vet, por më pas kjo firmë u përpoq t’i fusë ndonjë pykë. Nuk përmendet me emër “shefi”, personazh i romanit “Hija”, që gëzonte namin e një njeriu babaxhan. Dikur kjo “hije”, u ngarkua ta ndjekë pas si pullë poste shkrimtarin në një udhëtim jashtë shtetit. Autori pati protestuar qysh atëherë për këtë procedurë mungese besimi (survejim).
Raste të tjera e mësuan të jetë i kujdesshëm, deri dyshues ndaj jo pak njerëzve që i ofruan miqësinë e tyre.
Ismaili ishte derëhapur në shtëpinë e vet në Tiranë. Mbaj mend një rast kur Ismaili u duk i mërzitur nga një letrar nga provinca, i cili në emër e të miqësisë e kishte bërë hotel shtëpinë e tij, por nuk ishte kujtuar të sillte diçka siç e lypte zakoni. “Si nuk solli një herë një shishe verë!”, u shpreh ai, jo se i mungoi vera, por sepse në rastin konkret mungoi mirësjellja dhe reciprociteti elementar. Lexuesi dhe admiruesit e shumtë dëshironin ta shprehnin mirënjohjen ndaj tij edhe me dhurata, por përgjithësisht ishin të varfër dhe tek ne kjo nuk ishte traditë. Kështu, mbaj mend një herë, në trotuarin përpara pallatit të Kulturës, Petro Çerkezi më tha:
– E shikon atë burrin që po kalon? Po. Është me rroba civile, por është pedagog në Akademinë Ushtarake. (E ndoqa me sy. Ishte trupdrejtë, disi i gjatë, me flokë të zeza të shtruara dhe pak esmer). Ky një ditë, ndoshta po atë ditë, tha, dhe e dëgjoi Petrua: “A si nuk kam një grusht lekë t’ia jap të vazhdojë të shkruajë kryevepra të tjera!”. Αtëherë ishim studentë dhe nuk mësova si veproi më tej adhuruesi në fjalë.
Kujtoj një rast tjetër, kur shkrimtari kaloi në një fshat të Jugut, ndoshta të Vurgut. Hyri në një klub dhe bufetieri u befasua:
– Ti je Ismail Kadareja?
-Po, unë.
I entuziazmuar dhe i mallëngjyer, bufetieri i ofroi një shishe verë, ndoshta “Merlot” nga i Delvinës, që Ismaili e mori dhe e rrëkëlleu krejt sikur të ishte ujë. Nuk e di a veproi kështu edhe me një shishe të dytë. Dua të them se shkrimtari, edhe pse nuk ishte pijetar, e përballonte pijen, madje edhe pa meze. Këtë aftësi, më tepër se nga mjedisi familjar, mund ta ketë marrë nga Rusia e largët, ku të ftohtit e madh i drejtonte vendasit edhe nga alkooli. Por edhe në këtë drejtim, nuk mund të themi se vera është pije alkoolike…
Bufetieri u kënaq sa nuk bëhet, por edhe shkrimtari jo pak nga ajo pritje e çiltër dhe shfaqje e e vetvetishme e nderimit dhe adhurimit. E duke parodizuar stilin e autorit, do të thoshnim: Kam qenë në shumë lokale luksoze, kam shijuar vodkë dhe shampanjë e sa e sa pije të shtrenjta, por sa ajo verë, verë e vendit tim, rrallë herë më takoi të shijoj…
***
Marrëdhëniet e shkrimtarit me vendlindjen së pari janë marrëdhënie me njerëzit, mjedisin përreth e më gjerë, me bashkëqytetarët, të cilët kanë të drejtë edhe të gjykojnë për veprën e tij dhe etikën profesionale.
Ka midis banorëve adhurues të tij, por edhe ankesa nga prototipat letrarë të mjedisit gjirokastrit, kuptime të ngushta e të cekëta të procesit dhe lirisë krijuese. E tillë ishte ankesa me shkrim e Lefter Dilos drejtuar udhëheqësit të vendit në Tiranë për poemën “Princesha Argjiro”, shkruar botuar kur autori ende student, se ajo cënonte të vërtetën historike. Ka në atë letër ndonjë mëtim që nuk qëndron, por nisur jo për të bërë keq posaçërisht, por nga dëshira dhe mania pedante e skolastike për paraqitjen e historisë së qytetit. Sepse edhe vetë poeti i ri përshkruante se si:
Ndizen zjarre anembanë,
Që gjith’ fshatrat larg e pranë
Në kështjellë të vrapojnë,
Nën Argjiron të luftojnë.
……………………………………….
Kur agoi mëngjes i thellë,
Seç u sulën në kështjellë
Dhe çobanë e katundarë,
Feste bardhë, gunë-larë.
(Poema “Princesha Argjiro”, bot. 1958, Tir., f. 16, 17)
Lefter Dilua ishte anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve që në krijimin e saj në vitin 1945, kurse një vit e ca më parë ishte me detyrën sekretar i Ministrisë së Arsimit në Tiranë. Kishte botuar artikuj e nja dy libra me karakter historik e publicistik. Rreth tryezës së diskutimit Lefteri e vlerësoi poemën nga ana letrare, por i tha autorit se konceptimi i historisë, baza e brendisë, çalonin. I. Kadarenë e kishte patur nxënës dhe mendoi se ai do të ishte pelëshues ndaj kritikës që i bëri poemës, por reagimi i poetit ishte i ashpër.
“Gjirokastra, natyrisht, ishte qyteti i shkrimeve të para dhe jo të pakta. Por, ndërsa ajo vetë kishte nxitur vepra të rëndësishme, gjithçka që kishte shkruar atje, ai e quante pa vlerë. Dhe këtë e thoshte me gjakftohtësi”, (Helena Kadare, libri i cit., f. 550). Autori e cilësoi pa vlerë poemën legjendëruese, megjithëse libri “princeshëror” ishte botuar në 30.000 kopje, tirazh rekord për kohën e jo vetëm për atë kohë i autorit. Ai e pa të nevojshme ta rikonceptojë poemën, edhe vargun, dhe ta ribotojë, por në ndërgjegjen e lexuesve la më tepër mbresa botimi i parë i saj.
Shumica e librave të tij që flasin për vendlindjen janë mbrujtur me realizën të ashpër dhe fshikullime satirike. Ndaj disa herë pakënaqësia e banorëve, bashkëqytetarëve të tij, ka qenë jo e vogël.
Gjysëm shekulli ankesa, duke nisur nga historiani dhe ciceroni i disa muzeve të qytetit (ntelektual i “modës së vjetër”), vazhduar me “Kronikë në gur”, ku më se një gjirokastrit e gjeti veten si personazh jo të denjë, deri tek letrari lunxhiot së fundi, që ngre zërin duke besuar se u cënua realiteti it e krahinës së cilës i përket.
Pati ankesë nga çifti Angonatë – Karllashë, pse palët paraqiten në konflikt dhe herë pas here në sallën e gjyqit; pakënaqësi nga familja Kashahu, (romani “Kronikë në gur”) për cenim të së vërtetës dhe karakterit të njeriut të tyre. Autori nuk iu shmang riprodhimit të mbiemrit (Kurti) as në romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, kur flitet për vajtjen në shtëpinë publike të personazhit me këtë mbiemër.
Shtëpia publike apo gjyqi pa fund midis dy familjeve të njohura etj., u panë ngushtë dhe pa përfillur veçorinë e të bërit art, të drejtën e autorit për të riprodhuar thelbe ngjarjesh reale, në kuadrin e përjetimeve të tij dhe së drejtës për të qortuar provincializmin.
Mësuesi gjirokastrit Fotaq Kekezi i shkroi letër kryeministrit shqiptar pse shkrimtari gjirokastrit e ndoshta edhe nxënës i tij, e ironizonte në romanin “Kronikë në gur”, (Qani Kekezi, dikur demonstronte mësimin e zoologjisë duke operuar mace…). Kryeministri Mehmet Shehu i dërgoi mësuesit veteran një letër qetësuese, duke i thënë se, kur të vizitojë Gjirokastrën, do të kthehej të pinte një kafe në shtëpinë e tij. Rasti nuk vonoi dhe kryeministri bëri vizitën e premtuar dhe piu kafen nga dora e zonjës dsë shtëpisë, Antigoni.
Thonë se dikur, shkrimtari me emër disave ua prezantoi prototipin Kekezi me fjalët: “Ky është autori i romanit “Tufa e Qaqes”. Qaqja ishte një presonazh anekdotik i qytetit, kurse dhe zoti Kekezi shkruante vërtet, prozë (midis tyre, tregimin “Ëndrra e Simo Brashnjarit”, përfshirë në almanakun e parë letrar të shtëpisë së kulturës të qytetit, 1964-1965).
Pasuan ankesa të reja, por autori vazhdoi të vetën. Megjithatë, ankesat provinciale sugjerojnë një kujdes jo të panevojshëm nga autori.
Në bisedë me inxhiner Agronin, adhurues i I. Kadaresë, mësoj se është i mahnitur nga mënyra se si shkrimtari e përdor paradoksin e nxjerrë nga mjedisi gjirokastrit dhe krijon efekte të mrekullueshme. E, doemos, mjeshtëria: shkrimtari zgjedh gurin, e laton dhe di t’i gjejë vendin në ngrehinë. Ata që e paragjykojnë, nuk kuptojnë tendencën dhe bukurinë e artit të tij, përfundon Agroni.
Shkrimtari Dionis Bubani më pati thënë herët se romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” duhej të radhitej me romanet e mirëfillta satirike. Mund të themi se të zotëruara nga satira janë një varg krijimesh në prozë të I. Kadaresë, por që humori i mirëfilltë gjirokastrit mund ta ngjyroste më tepër atmosferën e mjedisit.
Paralelisht me frymën satirike e groteskun, shkon edhe prirja ndaj antiheroit, aspak e kopjuar nga antiromani i Robë Grijesë e të tjerëve, por ofertë nga mjedisi i qytetit dhe i vendit. Helena Kadare sqaron se Gjoni, personazhi kryesor i romanit “Qyteti pa reklama”, 1959, “i cili pas mbarimit të Universitetit emërohet në qytetin e Gjirokastrës, nuk ishte gjë tjetër veçse një dyzim i vetë Is., por një dyzim negativ, një alter ego e keqe e tij”. (“Kohë e pamjaftueshme”, f.129).
***
U bë bujë në shtypin e kohës (1972) dhe në instancat e ndryshme lidhur me kërkesën modeste të grave gjirokastrite për hapjen e një njësie tregtie me ushqime gjysmë të gatshme, që gratë punëtore ta kishin më të lehtë gatimin kur ktheheshin nga puna. Vigjilenti si cerberi dhe Argusi njëqind sysh, E. Hoxha bubulloi kundër kësaj kërkese minimale e të natyrshme, thua se gratë do t’i merrnin produktet falas. (Prej vitesh në Gjirokastër, përballë ndërtesës ku banoj, funksionin një piceri, nga ku deri në orën 3 të mëngjesit nisen me motoçikleta disa djem që çojnë porosi nëpër familje. Një njësi shërbimi midis mjaft të tjerave cilësorr e bashkëkohore në qytet). I. Kadare nuk u prononcua për çështje të tilla, as nuk foli drejtpërdrejt për mungesat dhe varfërinë, por vite më vonë, më 1976, në Myzeqe, ai nisi të shkruajë novelën “Breznia e Hankonatëve”, ku çifti i pleqve i Çanatëve i jep fund jetës, duke u vetëhelmuar me gazin karbonik të qymyrit të mangallit, sepse nuk kishin të holla të paguanin qiranë e shtëpisë. (E përmendi më parë në studimin e vet studjuesi Tefik Çaushi). Kjo vdekje e imponuar ishte sipas gjasash përgjigja e shkrimtarit ndaj bashkëqytetarit të vet me pushtet dhe mizor dhe për mirëqënien e njerëzve të thjeshtë.
Pati kritika të ashpra edhe në ngrehinën e komitetit të partisë të rrethit për romanin “Dimri i vetmisë…”. Dhe nuk vonoi të na vinte në Radion lokale ku punova disa vite, një qarkore e posaçme nga qendra, që porosiste të mos transmetohej asnjë vepër e I. Kadaresë. As dy – tri poemat e njohura, si të thuash jubilare të tij, as radiodramatizimi për fëmijë i tregimit “Aeroporti”, që Andon Lula e kishte transmetuar një herë. Kaq duhej, pastaj hija e ftohtë zgjatej pa cak, deri në absurd. Rrallë u bë atëherë nga kolegët e provincës ndonjë diskutim letrar për librat e suksesshëm të shkrimtarit, ndonjë bisedë në radion lokale apo takim në mjediset e institucioneve kulturore. Edhe një artikull për vëllimin e spikatur poetik “Koha” e botoi më 1977 në gazetën lokale “Pararoja” një mësues fshati, Mitro Kuci, nga Humelica e krahinës së Kardhiqit.
Kur e mendoj tani se sa pak jehonë u bëri radioja lokale veprave të I. Kadaresë, them se në këtë mes ka pjesën e vet burokratizmi, njohja e pamjaftueshme, por edhe fakti se në to fshikullohet ashpër provincializmi dhe kishte gjëra të pakëndshme, një pasqyrë të larmishme për mikrobotën e qytetit në të kaluarën. Edhe këmbëngulja ime e pamjaftueshme.
***
Zakonisht është borxhli fëmija ndaj nënës, por mund të themi se qyteti i Gjirokastrës i mbetet boxhli Ismail Kadaresë, ky “djalë plangprishës” dikur, që sot pritet me nderime. Por, sado e çuditshme të duket, erdhi një ditë që ai e kishte të pamundur të hynte në shtëpinë e vet. Ndodhi ai, akti i pashpallur i praktikës së shpronësimit arbitrar, si për shumë të tjerë larguar nga vendlindjet e shtëpitë e tyre. E mund të ketë qenë tetori i vitit 1978 kur I. Kadarenë, ardhur me ftesë zyrtare për të ndjekur e shijuar Festivalin Folklorik Kombëtar, burokratët e caktuan të shkonte përnatë të flinte në Tepelenë, tridhjetedy kilometra larg Gjirokastrës!
Kjo vajtje – ardhje e lodhshme drejt një hoteli pa kushte qetësimi, ishte në thelb një orvajtje poshtërimi nga qeveritarët dhe uzurpuesit e fronit të kulturës shqiptare, vazhdim i masave ndëshkimore për poemthin “e gabuar ideologjikisht”. Falë ligësisë së tyre, iu mohua në në qytetin e lindjes një cep për birin e shumënjohur, i cili shtëpinë e vet ua kishte “dhuruar” të tjerëve, të panjohur, dhe nuk dimë a ka kërkuar sot tituj pronësie apo zhdëmtim për dëmet e pallogaritshme.
Nuk e di a e mësoi këtë keqtrajtim të dikurshëm ndonjë banues në atë shtëpi, por di se atëhere nderin e qytetit e shpëtoi poeti Petro Çerkezi, i cili e ftoi shkrimtarin dhe e bujti në shtëpinë e vet. Shtëpia e tij e vjetër ndodhej aty ku takohet rruga “Kapo Baco” me rrugën “Doktor Vasil Laboviti”. Sot ajo është bërë vilë me tre kate, por atëherë ishte një shtëpi me një kat, me çati guri, e ngushtë, me dysheme të vjetër.
Siç tregon Thanas Dino në librin e vet “Raport nga Jugu”, e ftoi shkrimtarin me emër në shtëpinë e vet në Gjirokastër, pasi ishte transferuar këtu nga Tirana. I prekur nga mikpritja, teksa shikonte sofrën e thjeshtë të shtruar bujarisht, mysafiri i shquar donte të dinte nëse të zotët e shtëpisë kishin ushqime të tjera për veten e tyre. (Shënojmë me këtë rast se shkrimtari ka qenë gjithmonë i përkorë në të ngrënë, se nuk i ka pëlqyer pijet alkoolike, por, nga ana tjetër, mund ta rrëkëllente një shishe verë të kuqe me një frymë).
Dhe “Me një kujdes e përpikmëri të rrallë, Senua ia shtronte tryezën pa harruar asgjë, me pecetë të bardhë të hekurosur krëk, si të ishte në hotel pesëyjesh dhe, ndonëse Is. s’ka qenë kurrë hamës, e pëlqente fort luksin e shtrimit të tryezës më fort se vetë ushqimin.”. (Helena Kadare, f.356 e librit të cituar). Dhe: “falë natyrës aspak prej grykësi, gjë që i pëlqente ta shpjegonte të trashëguar prej qytetit të lindjes, vazhdoja të mendoja se nuk abuzonte me këtë mundësi.”, (f.545).
***
Festivalet folklorike kombëtare ishin një rast më tepër që shkrimtari të vizitonte vendlindjen. Për Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, tetor 1973, ai është shprehur:
“Kam përshtypjet më të mira nga Festivali Folklorik. Për të gjithë ne është një fat që asistuam në këtë ngjarje kulturore të madhe. Mendoj gjithashtu se është një fat për qytetin e vjetër të Gjirokastrës që ky manifestim i mrekullueshëm ka hyrë tashmë në historinë e gjatë të traditave të tij”, (gazeta “Pararoja”, 13 shtator 1973). Dhe shkrimtari vijoi ta ndjekë nga afër jetën e gjallë artistike të popullit dhe kontaktet me skenën, por burokratët dhe njerëzit e vegjël u përpoqën t’ia bëjnë të largët Gjirokastrën, t’i thonë shkrimtarit tërthorazi se nuk ka vend në të.
Hiqmet Meçaj më tregoi se në këtë festival, I. Kadare kishte shumë dëshirë të dëgjonte grupin e Vlorës, në provat e të cilit kishte qëenë. Por ndërkohë ishte i mërzitur dhe ndihej i fyer pse e kishin caktuar të flinte në Tepelenë, tridhjetë km. larg Gjirokastrës. “Në sy tonë, tha Hiqmeti, Ismaili shau anëtarët e Byrosë Politike, u largua nga Festivali dhe nga Gjirokastra dhe shkoi në Tiranë”. Shkrimtari shau ata që nuk do të guxonte t’i shante hapur tjetërkush, i shau në një rreth të ngushtë por gjithsesi publikisht e vënçe. Sepse ata e fyen në shtëpinë e tij dhe ai, me të drejtë, dhe me indinjatën që i ngjallën, u rebelua. Në këtë qëndrim sfidues shkrimtari kishte vetëdijen e vlerës dhe forcës së vet. “Më saktë se kushdo e dija përbuzjen e tij për gjithë kupolën shtetërore komuniste, për shefat e kësaj kupole, për gjithë atë maskaradë që quhej rend socialist e që ai, në veten e tij, e quante qesharake dhe të përkohshme”, (Helena Kadare, “Kohë e pamjaftueshme”, libri i cit., f. 351).
Edhe në Tiranë shkrimtari dëshironte e kërkonte një banesë ku të ndihej si një shtëpinë e vet. Iu desh të drejtohet “Lart”, me letër, për të përfituar një banesë më të mirë, që burokratët nuk ia jepnin. Kurse me të ardhurat nga shitja e librave të tij (me fitim të shtetit) mund të blente jo një, por disa apartamente komode.
***
Në gjerdanin e shkëlqyer të një duzine shtëpish karakteristike gjirokastrite hyn edhe shtëpia e Kadarenjve në Palorto, e cila, me vlerat e reja që fitoi, del në krye edhe nga pikëpamja arkitekturore. Kadareja i Gjirokastrës dhe Gjirokastra e Kadaresë. Gjirokastra e jetës dhe e veprës së tij letrare. “Gjirokastra e Kadaresë” thonë më tepër të huajt dhe ata që nuk janë gjirokastritë. Dhe brenda Gjirokastrës, shtëpia e tij. Ndërkohë shkrimtari u bë gjithnjë e më shumë banor i shtëpive të lexuesve edhe përtej kufijve.
Viti 1995: Një grup kineastësh francezë vjen në Gjirokastër të xhirojë një film dokumentar për shkrimtarin, dokumentar që kishte nisur në Paris e kishte vazhduar në Tiranë. Grupin e shoqëronte edhe shkrimtari. Ngjiteshin tatëpjetë kalldrëmit të lodhshëm. Diku ai u ul në një pezul, të çlodhej pak ose të mbahej pas kujtimeve. Për herë e të parë pas shumë vitesh, e pa vendlindjen në prizmin e një loti. Kujtoi me mall e dhimbje njerëzit e dashur që nuk jetojnë më. Atëherë ishte në këmbë shtëpia e vjetër ku lindi shkrimtari. Them ishte, sepse tani nuk është më. Është vetëm në kujtesën e shkrimtarit dhe në dokumentarin që u xhirua më 1995. Sepse një mbrëmje, fund nëntori i vitit 1998, shtëpia e njohur e Kadareve në lagjen “Palorto” u dogj e u shkrumbua! Ishte një humbje e goditje për shkrimtarin, familjen dhe dashamirët. Por ishte fitore që nuk morën zjarr prej saj shtëpitë fqinje. Kryesorja: Jeta e njerëzve që strehoheshin në atë shtëpi të madhe nuk u rrezikua.
Në një reportazh të hershëm në gazetën “Drita”, midis karakterizimeve për Gjirokastrën, shkrimtari përmendte se banorët tradicionalë shtëpisë i thoshnin “gërmadhë”, kurse bukës “farmak”. Tani shtëpia e tij, ku bëri një jetë normale përshtat kohës, u bë vërtet gërmadhë dhe ia ktheu bukën në “farmak”.
Në këtë shtëpi, në pjesën që i takonte familjes, pas blerjes së pjesës tjetër dhe pas largimit të të zotërve, kishin jetuar e jetonin dy-tri familje. Aktori Pirro Qiqi më pati thënë se familja e tij banonte atje prej vitesh pa u paguar pronarëve qera. (Ndërsa një gjirokastrit fqinj i hershëm na tha se niqastarët paguanin një qira të vogël, gati simbolike, të cilën ia jepnin vëllait të Ismailit, Shahinit). Mospagimi i qirasë u bë fakt i kryer nga viti 1997, me sa duket, nën ndikimin e papërgjegjësisë e moskorrektësisë që përfshiu vendin. Fakt është se edhe një dyqan poshtë “Qafës së Pazarit”, drejt sheshit, e shfrytëzuan për vite me radhë disa të tjerë, që e dorëzuan pas një gjyqi pa debate dhe që të hollat e pëftituara, dëshmuar me fatura të rregullta, nuk i kthyen. Është me interes të theksojmë pohimin e qytetarit dhe dashamirit Luan Hoxha, se edhe në trajtimin pronësor midis familjeve Kadare dhe Dobi për një objekt e pasuri, nuk u bë as debati më i vogël, asnjë pakënaqësi, por pati mirëkuptim të plotë. Me këtë hollësi mbështes pohimin e shkrimtarit se midis dy familjeve (Kadare e Dobi) kishte jo mëri, por një “kinse mëri”.
Por lexuesit janë kureshtarë të dinë si u dogj shtëpia dhe kjo shtëpi është edhe në qendër të Vështrimit tonë. Shumë gjëra rrëqethëse ndodhën këto vite: u dhunua shtëpia muze e Migjenit në Shkodër, 25 mars 1998 u dogj në Korçë shtëpia ku banoi disa muaj nobelisti grek Jorgos Seferis, u grabitën objekte me vlera të Butrintit, objekte muzeale të Gjirokastrës, kryesisht nga Muzeu i Armëve (ish burgu i tmerrshëm, i kthyer në muze në vitin 1971).
Edhe djegia e shtëpisë së familjes Kadare (dy vëllezërve e një motre) është, gjithsesi, një peshqesh nga epoka “e re”. Djegia ishte fatkeqësi për pronarët dhe për banuesit tok: në një mbrëmje pa dritë elektrike, kur shiu binte me rrëshekë, një banor i saj, qytetar e pronar, në errësirën që kishte pllakosur lagjen, ndezi një shkrepse, pikërisht tek shkallët ku ishin disa bombola me gaz. (Përsëritet historia e gazit, këtë herë jo karbonik por nga hidorkarburet). Një prej bombolave ishte difektoze dhe lëshonte gaz. Zjarri kaloi nga një krah në tjetrin, e përfshiu shtëpinë fund e majë, atë shtëpi prej druri të thatë e të stazhionuar, shtoi kësaj edhe faktin se në ato rrugë të ngushta nuk mund të hynte makina zjarfikëse. Shpëtoi nga djegia djali i aktorit. Brenda shtëpisë nuk mbeti asnjë gjurmë e ndërtimit, përveç mureve. Shiu nuk e pakësoi dëmin prej zjarrit.
Në fund të viteve 1990 I. Kadareja shkruante:
“Tani shtëpia është ende në këmbë, por e dëmtuar. Duke qenë qytet muze, me dhjetëra janë ngrehinat që riparohen çdo vit. Ato janë banesa karakteristike ose shtëpi ku kanë banuar njerëz të shquar të qytetit, dijetarë, dëshmorë ose funskionarë të rëndësishëm në shërbim të shtetit. Për të penguar rrënimin, në kërkim të një përgjigjje, kam menduar të përdor emrin e dyzimit tim të largët, stërgjyshit. E kam ende në shtëpi një kërkesë për Komitetin Ekzekutiv të Qytetit, ku shkruaj se meqënëse stërgjyshi im, Ismail Kadare, është i përmendur në baladat popullore si një njeri që vishej me shije sipas traditës, duke dëshmuar kështu kulturën e lashtë të kombit tonë, autoktoninë e shqiptarëve si pasardhës të ilirëve etj., etj., ndoshta shihet e arsyeshme prej jush që shtëpia e Kadarenjve, një nga më të vjetrat e qytetit, të mirëmbahet nga shteti”. (Ismail Kadare , “Ftesë në studio”, Τiranë 1989, f. 318).
Kjo letër, e konceptuar disi ironikisht, nuk u dërgua. Në vitin 1969, në pamundësi që pronarët e saj ta mirëmbanin, shtëpinë e mori shteti, me një preventiv 120.000 lekë, që atëhere ishe shumë e konsiderueshme. Luan Hoxha thotë se siguroi preventivin e asaj kohe dhe u bë e mundur që shtëpi t’u kthehej të zotërve. Letra që përmendëm ishte një kërkesë që bënte shkrimtari të parandalonte degradimin dhe rënimin e shtëpisë, por ndodhi më e keqja: djegia e saj, dëm që nuk u shkaktua as në kohën e Luftës, të luftrave. A do ta kishte shpëtuar ndërhyrja e shkrimtarit dhe dora e shtetit, duke strehuar niqastarë më me fat për shtëpinë dhe për veten?
Shtëpia e jetës e shkrimtarit, pasi u dogj e u rënua krejt, duhej rindërtuar. Por ajo pësoi në kohë paqe një fyerje që nuk e pësoi në kohë lufte. Gjithsesi paqja duhet ta rimëkëmbë atë me dinjitet, sadoqë gurët e lënda e drurit nuk do të jenë po ato, por të reja, nga burime e një kohë tjetër.
Arkitekti gjirokastrit Agron Doraci, nxënës disa vite më pas në po atë shkollë, flet me adhurim për veçoritë e shtëpisë së shkrimtarit, modulet e saj si refrene poetike. Ajo ka patur edhe një hark, i cili e lidhte me shtëpinë fqinje, të quajtur shtëpia e Kako Pinos. Edhe sikur të mos ishte në mes shkrimtari, shtëpia e Kadareve, thotë arkitekti, ia vlen të mirëmbahet si një përmendore e arkitekturës gjirokastrite. Kjo shtëpi, e ndërtuar me figura gjeometrike dhe sipas urbanistikës e arkitekurës së Greqisë së lashtë, vijon ai, është kulmi i ndërtimtarisë banuese të Gjirokastrës. Me të mund të krahadsohet vetëm shtëpia e Kabilëve në “Dunavat”.
Data e gdhendur në pllakën e gjetur flet për një ngrehinë afro 350 vjeçare. Ndërtimi i banesave zakonisht datohej në ballinën e ndërtesës në një pllakë, ose thjesht me bojë. Viti 1677 është më i hershëm se subjekti i novelës “Breznia e Hankonatëve”. Ky vit ndoshta përkon me periudhën e vendosjes së familjes Kadare në të. Kurse djegia e parë e saj mund të kishte ndodhur në fillim të shekullit të 18, kur një pjesë e madhe e shtëpive prej druri u dogjën dhe mandej Gjirokastra pati vetëm ndërtesa prej guri. Por hani mund të ketë qenë pronë më vete, jo e banorëve, por e atyre që ushtronin profesionin e hanxhiut apo të nallbanit.
Shtëpia kishte tri porta, që një hap e ndan nga shprehja “han me katër porta”, por familja e shkrimtarit bënte një jetë të mbyllur dhe me marrëdhënie korrekte me fqinjët. Deri vonë një pjesë e shtëpisë kishte mbetur e pambaruar, me dërrasa e trenj që dukeshin, sepse babai apo gjyshi nuk kishin mundur ta përfundonin restaurimin e parë të shtëpisë, në vitin 1913-1914.
Nga studimi i arkitektit Agron Doraci (Progonati) citojmë:
“Familjet gjirokastrite, gjatë shekullit të kaluar, megjithëse ruanin fisnikërinë, nivelin kulturor e arsimor të trashëguar, nuk kishin më fuqinë ekonomike për të mirëmbajtur banesat e tyre tip kështjellë. Halit Kadareja (babai i shkrimtarit), që zotëronte më pak se gjysmën e banesës, pjesën veriore të saj, me sakrifica kreu një restaurim serioz, e rinovoi atë pjesë, duke i qëndruar besnik strukturës origjinale. Ana jugore administrohej nga trashgimtarë të tjerë të familjes Kadare, të cilët nuk e përballuan investimin që kërkonte restaurimi, kështu banesa pjesërisht u shemb”.
Prej arkitektit mësojmë se në vitit 1969 -1970 banesës iu bë një ndërhyrje e dytë, më rrënjësore, nga e para. Tashmë familja Kadare nuk banonte në Gjirokastër. Shteti, që administronte banesën, ndërhyri në pjesën veri-perëndimore për të shtuar kontigjentin e strehimit. Pjesa jugore kishte kaluar tashmë në pronësi familjes Kadare. Në këtë pjesë vazhdonte transformimi, u shemb nënkalimi me qemere guri, u shtuan ndërtimet në kamerje dhe mbi shkallën e jashtme.
“U ndryshua struktura funksionale dhe arkitektonike e banesës në tërësinë e saj dhe u shkatërrua ajo vlerë arkitektonike e mëparshme e kësaj banese të mrekullueshme. Shtëpia e madhe kishte nën vete, në anën jugore, një si tunel në formë arkade, një nënkalim që lidhte dy lagjet, atë myslimane dhe atë të krishterë. Nëpër atë tunel lidhës kalonin njerëz e kafshë, kurse nga ana e poshtme ishte një rrugë kalimi për të tjerët. Tashmë në pamjen e jashtme të banesës u bënë evidente dy natyra të veçanta arkitektonike, të lidhura nën një çati. Megjithë ndërhyrjet e shumta dhe transformimin e madh të banesës në pamjen e jashtëme, mjaft elementë strukturorë bazë të fazës fillestare nuk u shkatërruan, por u mbuluan dhe u konservuan nën amalgamën arkitekturore që lëshoi koha mbi të”, thotë arkitekti.
Arkitekt Agroni ka banuar disa hapa larg shtëpisë së shkrimtarit. Si dashamir dhe njohës nga brenda i banesës, sepse kishte qenë shok fëmijërie me vëllanë e tij, doktor Shahinin, dëshironte të ishte autor i projektit dhe drejtues i punimeve të restaurimit të saj.
Tenderi për restaurimin e shtëpisë u shpall në vitin 2006. Në fillim të shtatorit 2008 mësojmë se “Ccaktohet kompania për rikonstruksionin e banesës së shkrimtarit Ismail Kadare, projekt hartuar nga ingxhinier. Latif Lazimi i IMK në Tiranë”. Në vazhdim ky fat e nder i takoi përfundimisht një gjirokastriti. E drejta dhe detyra për rilindjen dhe kthimin në identitet të kësaj ndërtese me rëndësi e vlerë i kaloi arkitektit gjirokastrit Agronit. Natyrisht, këtu ndikoi edhe njohja që herët e së brendshmi prej tij e ndërtesës, vlerësimi i ndërsjellë, dashuria dhe përkushtimi si gjirokastrit.
Vetëm dy dhoma të mëdha në katin e sipërm ishin të familjes së shkrimtarit: dhoma dimërore dhe dhoma verore. Pronë e familjes ishin edhe tre kube. Hani, që ka ekzistuar vërtet, i kishte mjediset shtruar me kalldrëm, dhe mbulesat ishin me harqe guri në gjithë katin përdhes të banesës, sepse kafshët mund të bënin zhurmë dhe shqetësoheshin klientët që flinin lart në katin sipër.
Agroni është, pa dyshim, njohësi më i mirë i kësaj banese, i vlerave dhe dhe i hollësive, por edhe një ndërmjetës i palëve në konflikt, duke futur në preventiv edhe shpenzimet për pjesën e kontaktit me murin e nënkalesës (kuzhina e ndërtuar nga familja Rapo mbi murin e nënkalimit).
Banesa e familjes Rapo dhe banesa e familjes Kadare ruanin një distancë 1, 6 m. para prishjes së nënkalimit, distancë që sot është diçka më madhe. Muri i nënkalimit egziston sot në këmbë gjer në kuotën e katit përdhes, si dhe, i restauruar, harku i parë i nënkalimit. Muri ka qënë pjesë e banesës së Kadaresë para prishjes së nënkalimit. Kjo banesë nuk mund të konceptohet pa pjesën e nënkalimit. Familja Rapo ndërtimin shtesë e ka bërë me leje të shtetit monist, por kjo nuk jep të drejtën për t’i vënë kushte restaurimit të banesës së Kadaresë në një kohë që ajo duhet të bëhet ashtu si ka qënë.
Shtëpia doli nga hiri i vet në formën që ishte, por jo plotësisht e përfundimisht, sepse dita e përurimit të saj si shtëpi muze nuk po vjen. Dolën pengesa njera pas tjetrës. Nuk ra shpejt dakord familja fqinje:
“Do të ishte në nderin e kësaj familjeje të hapte rrugën për ndërtimin e banesës së Kadaresë, jo vetëm se kjo lidhet me shkrimtarin tonë të shquar të cilit i detyrohemi shumë, por edhe për qytetin tonë të dashur, sepse banesa e Kadaresë është margaritar i arkitekturës në qytetin tonë muze”, sugjeroi më se një herë specialisti dhe intelektuali i përkushtuar Agron. Pas një dialogu të gjatë e të vështirë midis familjes Rapo dhe pronarit e përfaqësueve të tij, pasi familja Rapo u dëmshpërblye kënaqshëm, ish kryetari i Bashkisë, z. Fl. Bime deklaroi se punimet, pas një blokimi mbi dyvjeçar, do të rifillojnë në shpejti. Por, me sa duket, nuk ishte ajo pengesa krysore dhe e vetmja.
Nga goja e shkrimtarit mësojmë për interesimin e për këtë shtëpi:
“Kisha njëfarë kohe që kisha vendosur se duhej të shkoja, sepse arkitekti i shtëpisë, i cili po e rikonstrukton, pasi ajo ka qenë shkatërruar dhe vitet e fundit kishte pësuar një fatkeqësi, donte të shikoja se çfarë kishte bërë. Pak a shumë e ka rindërtuar dhe donte patjetër që ta shihja. I kisha dhënë fjalën dhe kështu që e pashë shtëpinë time të komentuar nga arkitekti, i cili e njihte shumë mirë, sepse është nga lagja. Arkitekti im banonte, jetonte në rrugën më të çuditshme të qytetit, në atë që quhet ‘Sokaku i të marrëve;, ku në fund të saj, isha unë dhe zakonisht njerëzit që banojnë atje. Ndërsa tani i kam vënë re që e kanë me qejf, meqë thuhet se turistët tregojnë interes për këtë emër të çuditshëm, që nuk e shpjegon asnjeri pse është vënë, sepse atje mund të shkonte vetëm një i marrë, të ecte, apo sepse atje mund të ketë banuar, mund të kenë qenë banorët e çmendur, ose për ndonjë arsye tjetër”.
U fol se shkrimtari nuk e ka blerë me veprime të drejta finaciare shtëpinë në kodrën pranë detit, por nuk doli ashtu. Nuk e lanë të qetë as për çështjen e apartamentit në pallatin 18 katësh në qendër të Tiranës, pas ankesës publike se i blokuan pamjen, balkonin nga shikonte malin e Dajtit dhe ajo pamje e ndihmonte në të shkruar. Kastriot Myftaraj thotë se atë apartament ia falën shkrimtarit ndërtuesit, për ta patur më të lehtë përballjen me ligjin për atë ndërtim që përbën shkelje, (gazeta Dita”, 5 maj 2014, f. 8).
Dhe për rrëzimin e asaj ngrehine arbitrare u dëgjua se u bë pengesë një vendim nga Strasburgu, Strasburgu i painformuar mirë. E vërteta edhe në këtë rast qëndron në anën e shhkrimtarit, që e pa veten si Kavafisi, që një ditë e pa veten papritur i rrethuar nga muret, gjë që nuk e kuptoi. Por në rastin e shkrimtarit shqiptar, muret nuk janë figurative por reale. Dhe nuk bëhet fjalë thjesht për të plotësuar një dëshirë të natyrshme të shkrimtarit dhe banuesve të tjerë, por së pari për shkeljen arbitrare të rregullit më elementar të ndërtimeve në kryeqytet më më gjerë. I pafuqishëm për të ndaluar ndërtimin u deklarua edhe ish kryeministri i vendit. Por nuk mund të mos bjerë në sy se, në mënyrë për përsëritur, disa persona ndjejnë kënaqësi duke e brengosur e plagosur shpirtërisht shkrimtarin, përpiqen të krijojnë ngërçe në vend të mirëkuptimit. Kurse rrethimi prej së keqes së dukshme apo të padukshme është një dukuri shqiptare që ka marrë shtrirje të pazakonshme.
Mund të flitet me hollësi për mënyrën si zgjidhen kolizionet në subjektet letrare nga Gjirokastra. Denoncohet me mënyrën e vet e keqja, por si ndëshkohet ajo? Tek romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” prindi fanatik vret djalin, në vend që të ndëshkojë prostitutën dhe shtëpinë publike. Hermafroditi Argjir Argjiri e paguan me kokë sfidën e vet të martesës. Tek “Breznia e Hankonatëve” muratori i ri bie viktimë e zakonit barbar dhe e pabesisë. Tek “Darka e gabuar” kirurgu i shquar paguan një haraç që nuk i takonte.
Dënimet e padrejta çojnë në tkurrje psikike dhe në deformime të ndërgjegjes. Kështu deri dhjetëvjeçarë më përpara. Nga e kaluara dhe regjimet që sunduan, vendi ynë trashëgoi kulturën e pandëshkueshmërisë, e cila sot po shënon rekorde të reja.
Rikthehemi te “Sokaku i të Marrëve”, për të cilin ka patur gjithnjë e më shumë kërshëri dhe interpretime.
Një shpjegim është: Sokaku, pa marrë emrin që ka sot, ishte rruga më e pjerrët e lagjes, mbuluar me gurë, të cilët, nën hapat e njerëzve rrokulliseshin e bënin zhurmë të madhe. Asnjë i marrë nuk ka jetuar atje, asnjë njeri që me marrëzitë e veta t’i ketë imponuar asaj emrin famëkeq. Në të dy anët e asaj rruge banonin familjet: Hoxha (Hysen Hoxha), Doraci, Shametatë, Çali (Lulo), Çipi (Ali), Spahiu, Kokalari. Flasimitet për një shekull përpara, sepse në disa shtëpi kanë ndryshuar banorët ose pronari. Por mjaft emra familjesh mbetën, edhe pse banorët dhe pronarët e hershëm janë larguar. Në vijim në atë pelleg vijnë banues të rinj, madje edhe nga rrethe të tjera. P.sh., pas Kthesës dhe në prag të largimit për tre vite jashtë shtetit, Raqi i dha një pjesë të shtëpisë, me qira të ulët, myftiut ardhur nga Tetova, pasi më përpara i liroi këtij xhaminë, e cila vite më parë e vite me radhë kishte qenë palestra e cirkut të qytetit, cirk i krijuar dhe i drejtuar dikur nga mjeshtri Sotiraq.
Sokaku ka patur edhe një trajtim mirëmbajtje. Nga të dy anët e pjesës së sipërme, muret e kopshteve janë veshur me sarmaçe.
Në veshët e shkrimtarit “Sokaku i të Marrëve” kumbon disi këndshëm. Ai është i pranishëm në disa libra të tij, me emrin dhe atmosferën reale e fantastike njëherësh. Në vitet e mbrapshta, në kohërat e turbullta e të pabesa, u dëmtuan jo pak shtëpi karakteristike gjirokastrite, u zhdukën pa gjurmë antika, armë, qëndisma të mrekullueshme, gdhendje në dru të tavaneve dhe enteriereve të banesës gjirokastrite, ikona të çmuara. Madje, ndodhi të arratiset i tëri edhe ndonjë tavan druri apo oxhak i gdhendur. Ndaj, i shqetësuar se një ditë mund mund të lëvizin edhe themelet, I. Kadareja shkoi dhe u takua në Paris me kryetarin e UNESKO – s, z. Jasuko Masura. Përfundimi i këtij takimi ishte tepër i frutshëm. Kryetari i UNESKO-s e siguroi shkrimtarin se zgjidhja e çështjes do të marrë udhë shpejt.
PRANIMI NË UNESCO I GJIROKASTRËS
Kapitull më vete është pranimi i Gjirokastrës në listën e përmendoreve të kulturës botërore. Ky komision, që merret me qindra dhe mijra raste që mëtojnë anëtarësimin dhe kujdesin, duhej të merrej seriozisht dhe me Gjirokastrën.
Shumë është folur e flitet për nismën dhe meritat e këtij apo atij personi. Kështu, në korrik të vitit 2015, dhjetë vite pas pranimit, nga studjuesi Përparim Kabo mësojmë se: “…nuk ishte një gjë e lehtë, thjesht procedurale, por diçka krejt ndryshe, një punë me një barrë vështirësish dhe pengesash. Ishte pranvera e vitit 2004 kur në detyrën e këshilltarit të kryeministrit edhe për kulturën, zoti Vaso Tole më vuri në dijeni për këtë çështje. Puna ka filluar, – më tha zoti Tole, në zyrën time, – porse pa një lobim të fuqishëm, është pothuaj e pamundur, sepse lista e aplikantëve është shumë e gjatë. Duhet siguruar në selinë e UNESCO-s që të futet në listë. Kjo është e para, – nënvizoi zoti Tole, – dhe e dyta, na duhet që ekipi i ICOMOS-it që do të vijë në terren të bindet nga pala jonë, sepse raporti i këtij komisioni të specializuar për forumet vendimmarrëse të UNESCO-s është përcaktues”.
Mësojmë se puna nisi me porosinë e kryeministrit Fatos Nano, që e solli sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, zoti Ksenofon Kristafi.
Fillimisht i nisi një e-mail të plotë ambasadores sonë në UNESCO, zonjës me iniciale T.GJ, e cila u përgjigj ftohtë si për diçka gati të pamundur. “Nga na doli ky Përparim Kabo, këshilltari i kryeministrit për kulturën, që po më vë në siklet dhe do me çdo kusht të bëhet kjo punë?!” Çështje simpatish e antipatish, deri në përplasje interesash në Tiranë.
“U ula dhe i shkrova pak fjalë. Stili? Akullit me akull! Cinizmit me cinizëm! Zonja ambasadore doli nga limontia dhe hoqi “takat dhe ia dha vrapit”. Fillimisht te një burrë serioz dhe diplomat karriere në Strasburg asokohe, zoti Shpëtim Çaushi, që më njihte dhe e kishte pyetur se deri ku shkoja unë “me trup dhe me hije”. Ai i sqaroi që me këtë zotni nuk bëhet shaka. Kaq duhej. Pas kësaj, zonja T.GJ. bëri një punë të shkëlqyer. Ajo e takoi Drejtorin e Përgjithshëm të UNESCO-s dhe mori garanci nga ai për përfshirjen në listë edhe të Gjirokastrës si një kandidaturë e mundshme…Ajo e futi “çelësin në bravë” dhe ai hapi portën e madhe. Pa këtë hap, asgjë nuk mund të realizohej. Por, vazhdon Kabo, duhej realizuar hapi i dytë. Delegacioni në terren i ICOMOS-it të shprehej pozitivisht jo thjesht për vlerat kulturore, historike, unikale e muzeale, por edhe për mbrojtjen, konservimin dhe të gjitha ato kushte dhe parametra që duheshin plotësuar nga pala jonë, duke përfshirë edhe legjislacionin, dhe aktet nënligjore në nivelin e pushtetit lokal. Ekipi i ekspertëve kishte mbërritur në Tiranë dhe përbëhej nga një grup jo i vogël, me përfshirje ekspertësh nga të gjitha kontinentet, por dhe nga rajoni, sigurisht. Ai drejtohej nga një grua italiane që e njihte vendin tonë. Ajo kishte dhe miq në Shqipëri. Mbaj mend që ishte një kanadez, një japonez, një kroat etj., burra dhe gra. Bashkë me Vaso Tolen dhe Blendi Klosin, e poqëm mendimin se do ishte mirë që t’i priste kryeministri. E bisedova me profesor Ksenofon Krisafin “Shumë mirë, – më tha, – ide e shkëlqyer, përgatit një MEMO me tezat e bisedës”. U krye ky formalitet në kohën e duhur. Vaso Tole na dha një informacion shumë të bollshëm profesional. Në një kohë rrufe erdhi përgjigja e zotit Nano: Po. Porse, meqë ai do të lëvizte jashtë vendit për një shërbim, t’i kalohej zv/kryeministrit, zotit Namik Dokle kjo detyrë. Ajo mbrëmje ka qenë një “Vaterlo” e fituar nga ne.
Grupi i ICOMOS-it kishte qenë në Gjirokastër, por si më tregonte një punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme që i shoqëronte, nuk kishte mbetur i kënaqur. Po qëndronim në hyrje të godinës së Kryeministrisë nga krahu verior, kur grupi u shfaq. Ishte në të errur dhe nga figura ata njerëz m’u bënë si hije. Iu priva dhe i shoqërova në zyrën e zotit Namik Dokle. Për mirësjellje e mora dhe referentin e MPJ, thjesht për të dëgjuar, sepse ai nuk kishte status apo tagër për të qenë i pranishëm në atë takim. Biseda nisi e ftohtë, thjesht protokollare. Përkthente elokuenti Erion Kristo, – asokohe pak njiheshim. Unë e kisha uruar për përkthimet shumë të mira që ai u kishte bërë librave të Shopenhauerit. Erion Kristo atë natë shkëlqeu!…Gjithçka nga tezat e MEMO-s ishte tashmë në elokuencën e tij. Garancia u dha e plotë, se qeveria shqiptare ishte serioze në këtë ndërmarrje dhe se ajo që kishte ndodhur në 1997-ën me Butrintin nuk do të përsëritej. U argumentua se zonat muzeale do të mbroheshin nga çdo lloj dëmtimi, qoftë edhe nga ndërtimet e banesave me leje të rregullt.
Kjo kishte qenë pika e kthesës. Gjithçka mori rrjedhë tjetër. Të gjithë anëtarët e grupit të delegacionit të ICOMOS-it dëshironin dhe e morën sërish fjalën. Nisi një tjetër qasje, u kthyen optimizmi, garancia dhe shpresa. Referenti i MPJ-së më thoshte me idiotizëm: Ta mbyllim, se do shkojmë në restorant, se kemi bërë rezervim dhe u vonuam… Pas gati rreth dy orëve, biseda u mbyll me shtrëngim duarsh. Zoti Dokle iu dha dorën një e nga një. Falënderoj Erion Kriston me fjalët më të mira. Unë i shoqërova në dalje. Tek ishim në korridor, shefja e misionit të ICOMOS-it, italiania më ndaloi…Fjalët e saj ishin: “Në zyrën e zotit kryeministër gjërat funksionojnë ndryshe, në Gjirokastër pothuaj u zhgënjyem, sepse nuk morëm garanci për konservimin e zonës. Na u fol për mundësinë e ndërtimit dhe atje në atë hapësirë, sepse ka probleme me strehimin…etj., etj.”…
Më vonë kjo zonjë i pati thënë zotit Virgjil Muçi, edhe ai këshilltar i zotit Nano asokohe, se pritja në Kryeministri i kishte lënë mbresa shumë të mira dhe gati ishte surprizuar nga gjithçka. Punët po shkonin mirë. Duhej edhe një garanci e fundit. Vendi organizator i mbledhjes së përgjithshme të UNESCO-s ku do të diskutohej dhe do të vendosej, do të zhvillohej në Kinë, dhe vendi organizator sigurisht kishte mundësi që të influenconte që kërkesa të futej te dhjetë të parat. Në shtator të vitit 2004, zoti Nano në krye të një delegacioni do të shkonte në Kinë. Në aspektin protokollar kjo punë paraprihet nga ambasadat e të dyja vendeve. Ndaj një ditë, në zyrën e sekretarit të përgjithshëm, zotit Ksenofon Krisafi, u thirr ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Tiranë. Pasi u fol për detajet e vizitës, me shumë “marifet” ambasadorit iu la të kuptohej se zoti Nano, në takimin që do të kishte me presidentin e Kinës, do t’i shprehte atij një vlerësim maksimal për punën e tij si ambasador. Në këto rrethana, ishte shumë e drejtpërdrejtë kërkesa që iu bë për të na ndihmuar që kërkesa e vendit tonë për në mbledhjen e UNESCO-s, të kishte fatin që të listohej në shkallët e larta. Ai e kishte vizituar vetë qytetin e Gjirokastrës dhe kishte një përshtypje mbresëlënëse. Nuk e di se ç’bëri e si e se ku trokiti, por se ai e mbajti premtimin…Në mbledhjen e radhës së UNESCO-s, propozimi ynë ishte në listën e shkurtër dhe u votua. Kështu, në 15 korrik 2005, qyteti-muze i Gjirokastrës regjistrohet si Pasuri e Trashëgimisë Botërore, e mbrojtur nga UNESCO.
Baftjar Dobi kujton se si përkrah firmës së shkrimtarit Ismail Kadare u hodhën qindra firma të intelektualëve gjirokastritë në qytet e ngado, me forumin e tyre. Kështu mund të themi se ishte një iso që e fuqizoi kërkesën dhe, pa zvogëluar meritën nismëtare dhe personalitetin e shkrimtarit. Edhe shkrimtari i Gjirokastrës, Odise Kote propozoi që shtëpia e Kadarenjve të hyjë në listën e Monumenteve të Kulturës, që rindërtimi i saj të subvencionohet nga shteti dhe kjo është meritë.
Po roli dhe ndihmesa e shkrimtarit Ismail Kadare në këto përpjekje e peripeci, cilat ishin?
Shkrimtari u propozoi autoriteteve te UNESCO–s për përfshirjen e Gjirokastrës në Listën e Siteve Trashëgimi Botërore. Dosja u dorëzua zyrtarisht me 22 janar 2002. Në vitin 2002, i nxitur dhe i imponuar, siç deklaroi, nga Ismail Kadareja, shkoi në Gjirokastër vetë drejtori i Përgjithshëm i UNESKO-s, Jasuko Masura, dhe qytetin e cilësoi të mrekullueshëm. Vendimi i Sesionit të 25 korrik 2005 i UNESKO-për ta shpallur Gjirokastrën pasuri të kulturës Botërore është ditë historike për qytetin e lashtë. Ky vendim hapi “kredinë e hapur” për mirëmbajtjen dhe restaurimin e rreth 880 (tetëqint) shtëpive karakteristike të tij. Në mbledhjen e mbajtur në Dubai në korrik 2005 te Sesionit të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, Gjirokastra u përfshi në listën e e Siteve “Trashëgimi Botërore”.
Përpara se për shtëpinë e vet, shkrimtari mendoi për qytetin, për shtëpitë e bashkëqytetarëve, që të mos rrënohen e bëhen gërmadha, por të rrezatojnë vlera dhe dinjitet.
Dhe era ankimtare pushoi. Plakat e jetës e uruan së toku: “Paç uratën tonë, more djalë!”. Dhe afro gjysmë shekulli Gjurokastra kishte të drejtë t’ia merrte një kënge të re:
Lajm i kohëve të reja:
Në Paris shkoi Kadareja
dhe i tha UNESCOS: – Eja,
Eja se na pret beteja!
– Gjirokastra hane-hane,
me kalanë sipërane,
lyp kujdes e don mbështetje,
ndryshe ra na zu nën vete.
Ky Jasuka ç’ ka i ka thanë?
– Gjirokastrën e kam xhan!
Udhën merr për në Sarëndë,
Gjirokastra e lë pa mëndë.
Ai ill mbi Mal të Gjerë,
që del treqint vjet një herë,
që bën dritë e bën jehonë,
Malo Ergjëria i thonë!
Pra, embëtha!
Por përtej humorit, duhet thënë se kjo nismë për marrjen në mbrojtje të qytetit ishte me rëndësi jetike për Gjirokastrën. Mund të themi se shkrimtari vuri supin e tij që qyteti i plakur të mos rrëzohet.
“Të rrimë shtrembër e të flasim drejt” thotë një fjalë e urtë gjirokastrite, kurse një tjetër: “Kije inat, po jepi hakun”. Kështu, u dëgjua se përpara nismës së shkrimtarit, në një sesion kulturor të UNESCO-s në Paris, mori pjesë dhe foli ish kryetari i Bashkisë i qytetit të Gjirokastrës, z.Ylli Asllani. Pasi më parë shkoi tok me z. Kosta Kuruni të takonte shkrimtarin. Në diskutimin zyrtar të tij, që zgjati rreth dhjetë minuta, Ylli tha se ka ende qytetërime të panjohura, periferike, një prej të cilave është Gjirokastra. Fjala e tij u vlerësua dhe ishte ngacmim për hapa të mëtejshme, që u vulosën me përpjekjet dhe autoritetin e shkrimtarit I. Kadare. (Dua të besoj që përpjekja e mësipërme nuk është një legjendë e re urbane).
Marrja në mbrojtje prej UNESCO-s është njera anë, kurse financimi është ana tjetër, jetike. Vëllim tepër i madh pune, fonde të papërballueshme, aq më tepër që drejtuesit e Bashkisë thonë se qeveria nuk u jep fondet që u takojnë.
I takonte së pari shtëpisë së shkrimtarit, që të restaurohej, sepse ka bërë një investim të madh kulturor e moral, edhe financiar për vendlindjen. Në Paris dhe UNESKO shkrimtarit iu dëgjua zëri, por qeveria dhe pushtetarët lokalë patën mendimin e vet për çështjen. Kështu, më 2006 ish-kryetari tjetër i Bashkisë përmendi Kartën e Venecias për marrëveshje me pronarët gjatë praktikave restauruese të shtëpive. Pra, ky është burimi i tretë që pritet. Punët ecin ngadalë, megjithatë në sheshin me emrin e Çerçiz Topullit pllaka prej mermeri ku është gdhendur data e korrikut 2005 dhe vendimi historik evropian për Gjirokastrën qëndrojnë plot dinjitet. Një moskuptim i vogël ishte goditja e saj me gur nga një qytetar i indinjuar ose pa edukatën e mjaftueshme, duke bërë që shenjat e goditjes të dallohen lehtë.
Agron Doraci ishte qysh në fillim partizani i flaktë për ringjalljen e ngrehinës së shkatërruar dhe kthimin e saj në identitet. U ndesh me vështirësi, komunikoi hap pas hapi me shkrimtarin, shkoi posaçërisht në Paris ta takonte e të këshillohej me të. Për shtëpinë, thotë shkrimtari, ka patur fotografi me të cilat u këshilluan dhe specialistët, dhe arkitekt Agroni, i cili ka një arkiv të madh me skica, projekete dhe harta.
rkitekt Agroni na tha që herët se shtëpia e shkrimtarit do të ribëhet siç ishte, e përpiktë dhe e bukur. U plotësua projekti fillestar, me harqet që i japin hijeshi të veçantë. Shkallët prej druri që dikur kërcisnin, sot janë prej guri dhe me një shtresë druri në shkallaret. Druri për tavanin është lëndë suedeze, kurse druri i shkallëve është nga Mali i Zi. (Një njësi shitje me lëndë druri nga Suedia, është përfund fshatit Lazarat). Ndoshta mund të ishin vendosur në mur edhe disa gurë të nxirë nga djegia, ose edhe dy-tre dërrasa në tavan, që të na kujtojnë fatkeqësinë që pësoi ngrehina.
U zvarrit ca si shumë rindërtimi i shtëpisë (“Duro, zemër, të durojmë, siç duron mali dëborën…”) dhe autori kishte të drejtë të kërkonte plotësimin e vendimit sipas premtimit dhe grafikut. Mund edhe të kishte zbrazur me sarkazëm mllefin e llojit: “Këta pushtetarët e rinj dinë vetëm korrupsion e jo të zhbllokojnë çështjen e të mbarojnë punë”, por u përmbajt dhe priti me durim.
Përurimi i punimeve rindërtuese u bë nëntë vjet pas djegies. Nënta – një numur baladik fatal, dhe periudha nga djegia deri në përurimim kaloi harkun kohor të gjashtëmbëdhjetë viteve. Dhe kthimi i shtëpisë në identitet, brenda, kërkon ende punë dhe kohë, dhe mendim krijues, sepse, p.sh., nuk mjafton një dhomë “pritje” a muze, me disa stenda e fotografi.
Ndërkohë, përkundër kësaj vonese të madhe, shkrimtari vazhdoi t’i shtojë një kat ngrehinës së vet letrare, “Çështje të marrëzisë”, “Darka e Gabuar”, “Mosmarrëveshja”, “Mëngjeset në kafe Rostand”, “Kukulla”, dhe ndonjë tjetër. Janë krijime e libra shumica me Gjirokastrën në qendër, ku autori arrin të ndriçojë anë të reja, madje edhe brenda shtëpisë së vet.
Dikur plakat në dritare pinin kafe dhe shikonin me dylbi, ndaj, siç e përcakton shkrimtari, quhej kafe me dylbi. Ngjan se nga ajo kohë shkrimtarit i kanë mbetur në dorë dylbitë…
Janë me dhjetra ndërtesa të vjetra, karakteristike të braktisura nga pronarët e nga kujdesi i domosdoshëm shtetëror. Kështu, kostoja e neglizhencës dhe pamjaftueshmërisë financiare qindfishohet. Nga një pikë, kalbet e bie çatia, e cila nga ana e saj zë nën vete gjithë ndërtesën, muratura prishet e bie, ndërtesa bëhet gërmadhë. Kështu, duke i paraprirë së keqes, me shpenzimet për një ndërtesë do të mund të mirëmbaheshin dhjetra të tjera. Nevojiten drejtues dalëzotës, pa harruar se ata që shkaktuan dëmet e keqtrajtimit në vazhdimësi një ditë duhet të përgjigjen.
Në vjeshtën e vitit 2015 nisi restaurimi i shtëpisë prindërore të shkencëtarit Eqerem Çabej, e cila rrezikonte të shembej. Edhe këtu punës i prin arkitekt Agroni. Shpresojmë që ndërmarrja e re të zgjasë sa më pak, dhe Gjirokastrës t’i shtohet një tjetër shtëpi-muze.
***
Gjirokastra e shekullit të kaluar rëndon në historinë shqiptare përmes figurave që nxori. E. Hoxha është politikani e burri i shtetit që u largua nga skena në prill 1985, kurse I. Kadareja është shkrimtari dhe intelektuali që vijon rrugën e vet ngjitëse, “kohërat duke sqaruar, situatat duke kapur…”.
Ngjan se ka patur një bashkekzistencë e dualitet disi fatal midis dy gjirokastritëve me emër: E Hoxhës dhe I. Kadaresë. Ish diktatori ishte i pranishëm në bustet e rënda vendosur në hyrje të institucioneve dhe veprave të mëdha nga Veriu në Jugë të vendit, edhe në sallën e mbledhjeve të LSHA në leximin (dhe studimin masiv) të “veprave” të tij. Përmes Atij, qoftë edhe tërthorazi, i ishte e pranishme Gjirokastra. I. Kadare dëshironte të kishte vetëm një domen (“pashallëk”) letrar, kurse E. Hoxha ishte i plotfuqishmi që bënte shi e diell, kontrollonte gjithçka, mund të vendoste mbi këdo. Ai dhe bashkëshortja e tij. Ai dhe organet e njerëzit në segmennte të cakruara, sidomos të Sigurimit të Shtetit. Ky është mendimi dhe pozicionimi i vetë shkrimtarit, edhe në intervistën më të re të tij, në “News 24” orë.
Kadare e “përjetësoi” atë në disa krijime poetike, në vargje, dhe si figurë qendrore në romanin e tij të njohur (1972, 1977). E shkroi atë roman, siç pohon vetë, për të larë hesapet me fjalën parti, mungesën e së cilës dashamirët e quanin me pasoja në rrugën e tij krijuese. Nga vepra në vepër shkrimtari vazhdoi provokacionet dhe opozicionin e pjesshëm estetik – politik, deri sa një ditë shtatori të vitit 1990 u arratis në Francë, për të nxitur me mungesën e vet proceset demokratizuese, siç pohon në një intervistë të kohëve të fundit.
Me arratisjen u hap një kapitull i ri në jetën dhe veprën e shkrimtarit. Nisi epoka e divorcimit të plotë dhe publik, dhe kundërvënia njohu caqe të reja. Pozicionimi i tij strategjik u përvijua në libra si, “Intervista me Alen Boscue”, “Nga një dhjetor në tjetrin”, “Piramida”, “Biseda në Paris”, “Kohë barbare”, “Zhdukja e “pashallarëve të kuq” të Kadaresë” (M. Velo), “Një dosje për Kadarenë” (Shaban Sinani) intervistat në gazeta e në televizion.
Gjirokastra e sotme zyrtare përpiqet ta nderojë posaçërisht shkrimtarin e shquar. Në mjedisin gjirokastrit është diskutuar për figurën e Enver Hoxhës dhe të Ismail Kadaresë në një rrafsh krahasues por edhe me kundërvënie.
Shkrimtari i së ardhmes sapo kishte lindur, kur Enver Hoxha 28 vjeçar, më 29 korrik 1936, disa ditë pas ardhjes nga jashtë shtetit, mbajti një fjalim ambicioz mbi varrin e Bajo Topullit. Një tjetër fjalim mbajti ai me rastin e sjelljes nga Shkodra të eshtrave të Çerçiz Topullit, vrarë atje tok me Muço Qullin, nga malazezët. Fjalimi i djaloshit Hoxha përshkohej nga ideja e ndërgjegjësimit dhe zotimit të djalërisë që po mëkëmbej për t’u dalë zot fateve të atdheut. Që këtu spikati talenti i tij oratorik. Disa vjet më parë, më 25 korrik 1930, në varrimin e Bajo Topullit, pati mbajtur një fjalim intelektuali i ri gjirokastrit, Eqerem Çabej, i cili e quajti Bajon (Bajram) “mësues dhe edukator të kaq brezave shqiptarë”. Fjalimi i parë u mbiquajt programatik, fjalimi i dytë mbeti në hije një jetë të tërë…Edhe shkrimtari i ardhshëm u zotua me mënyrën e vet, pa bujë dhe ceremoni se do t’ i shërbente një misioni dhe ideali të lartë. Si e mbajti fjalën secili, e thotë dhe do ta gjykojë edhe më mirë historia.
Sot në sheshin e vjetër të Gjirokastrës janë vendosur barelievet me tre figura që cilësohen Nderi i Gjirokastrës: gjuhëtarit Eqrem Çabej, i cili provoi grushtin e hekurt mandej u rehabilitua, intelektuales Musine Kokalari, e cila u internua një jetë dhe mbaroi e persekutuar, si punonjëse krahu dhe e sëmurë, në Rrëshen të Mirditës, dhe shkrimtarit të mirënjohur Ismail Kadare, që po i “rikthehet” vendlindjes. Këtë përnderim e shpalli më 1 nëntor 1999 me një vendim të posaçëm këshilli bashkiak i qytetit.
Gjatë vlerësimeve të I. Kadaresë për personalitetet që nxori Gjirokastra nëpër kohëra, shkrimtari vlerëson shkencëtarin Eqerem Çabej, shkrimtaren dhe politikanen Musine Kokalari, diplomatin e ditur Rauf Fico, që shkrimtari e cilëson si Ministrin e Jashtëm më të mirë që ka nxjerrë Shqipëria nëpër kohë. (Raufi pajtoi Ataturkun me A. Ζogun. Κa qenë edhe ministër i Brendshëm në qeverinë e A. Zogut).
Shtëpia e pushtemadhit E. Hoxha ndodhej në krye të rrugës “Sokaku i të Marrëve”. U dogj më 1913 dhe e u rindërtua nga partia, më madhështore nga ç’ishte. Shtëpia e shkrimtarit, siç përmendëm, gjendej në fund të rrugës “Sokaku i të Marrëve”. Me kalimin e kohës, shtëpia e “fundit” doli në krye.
Është për t’ u vënë në dukje se politikani dhe shkrimtari, edhe atje në Tiranë, shtëpitë nuk i kishin larg. Shkrimtari “i ka botuar fabulat e veta në vetë qendrën e diktaturës dhe i ka shkruar vetëm disa qindra metra larg nga “Blloku”, qyteza e ndaluar ku jetonte nomenklatura” (Eric Faye, Parathënie në hyrje të veprës letrare të I. Kadaresë, botim i Fayard, Paris 1993).
“Ai e krahason Enver Hoxhën me perandorin Neron. Që të dy ishin diktatorë, që të dy ishin lavdidashës, të tmerrshëm dhe tekanjozë, që të dy kishin ambicje letrare, por ishin poetë mediokër” (Pia Maria Plehl, Die Presse, 2.3. 1992).
***
Gjirokastra ka pagëzuar disa institucione a mjedise me emra të bijve të saj: Emrin e Prof. Eqrem Çabejt e mban Universiteti i Gjirokastrës. Emrin e doktor Omer Nishanit – ish Ministër i Jashtëm dhe kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, e mban sot spitali i qytetit. Emri i pediatrit të shquar Vasil Jorgji, i është dhënë rrugës së gjatë që të shpie drejt spitalit të qytetit.
Teatri i qytetit vazhdon të mbajë emrin e folkloristit e shkrimtarit Zihni Sako, autor i disa prozave dhe pjesëve të shkurtra teatrale. Kurse kinemaja e qytetit, pasi u bë një film për Hysen Hoxhën, kryetari i parë i Bashkisë i qytetit, mori dhe mban emrin e tij. Rruga që çon drejt shkollës së Mesme të Gjuhëve të Huaja (ish – Pedagogjike) dhe pavioni i pediatrisë i spitalit të qytetit janë pagëzuar me emrin e shkrimtarit dhe pedagogut Bekim Harxhi. Një rruge të Gjirokastrës iu dha emri i shkrimtarit për fëmijë dhe pedagogut Tasim Gjokutaj, nga Lumi i Vlorës, po ashtu iu dha edhe bibliotekës së fëmijve në qendrën kulturore “Fato Berberi” të qytetit.
Shumica e emërtimeve të rrugëve u vendos në periudhën 1999-2000, kur në këshillin e Bashkisë të Gjirokastrës mbizotëronin elementë nga krahinat e rrethit, shumica me orientim të majtë. Kështu, ndoshta, shpjegohet pse rruga më e gjatë, vertebrore e qytetit, nga Qafa e Pazarit, tek fusha e vjetër e futbollit, u pagëzua me emrin Alqi Kondi, nga Zagoria.
Sigurisht, e meritonte një rrugë e qytetit emrin e shkrimtarit që zgjeroi aq ndijshëm udhën e letërsisë bashkëkohore shqiptare. Dhe fatin për këtë e pati udha mbi të cilën gjendet ndërtesa e Gjimnazit.
***
Në kryeqytetin shqiptar u bë një simpozium ndërkombëtar për figurën e Prof. Eqerem Çabejt. Prof. E. Çabej ka lindur në Erzerum të Turqisë, në mars të vitit 1908, në vitin kur në Gjirokastër lindi “trimi me fletë” Enver Hoxha, disa muaj përpara këtij. Shkollën fillore Eqeremi i vogël e kreu në Gjirokastër. Deri në vitin 1963, kur u bë rehabilitimi i shkencëtarit të shquar, dy personat bashkëqytetarë ishin në dy llogore të ndryshme, politikani në fron, kurse shkencëtari në hije. Profesor Eqerem Çabej i dha dorën kryepolitikanit që e ndëshkoi, vazhdoi të punojë për përfundimin e veprës shekencore voluminoze, nga e cila në të gjallë të tij doli në dritë një pjesë e vogël. Ishte së pari potenciali madhor intelektual e shkencor i E. Çabejt, që e detyroi politikanin e fuqishëm (me të cilin pati një vitlindje) ta riaktivizojë këtë kapital kombëtar dhe t’i japë dalengadalë vendin që meritonte.
Nga mjedisi gjirokastrit e nisi së pari E. Çabej mbledhjen e fjalëve rrënjë, fjalë plaka të gjuhës shqipe, për të arritur tek vepra madhore “Fjalor Etimologjik në Fushë të Shqipes” dhe në analiza diakronike mbi gjuhën shqipe si dukuri kulturore origjinale.
Nisur nga mjedisi kulturor gjirokastrit, E.Çabej bëri krahasimin midis motiveve parahomerike e të lashta greke dhe motiveve të folklorit shqiptar (gojëdhëna e përralla), përqasi heronjtë homerikë me heronjtë legjendarë të folklorit shqiptar, duke theksuar ndikimin helen por edhe karakterin burimor shqiptar. (Ndërkohë, në Shkodër përqasjen midis tyre e bënte At Gjergj Fishta).
Gjuhëtari Eqerem Çabej dha mësim vetëm tre muaj në gjimnazin e Gjirokastrës, atëherë ku shkrimtari nuk kishte shkuar ende në shkollë, por ai u bë profesor i tij në Universitet, mësues i nderuar i I. Kadaresë jo vetëm atje. Dhe I. Kadareja u bë, me mënyrën e vet, vazhdues dhe zhvillues i veprës qytetëruese të gjuhëtarit të shquar, i kumteve që ai dha qysh herët. Vlerësimin për figurën dhe veprën e E. Çabejt, I. Kadareja e shprehu në parathënien për monografinë “Eqrem Çabej” të Prof. Shaban Demiraj kushtuar shkencëtarit me prejardhje nga Gjirokastra. Është ky i vetmi artikull që I. Kadare ka shkruar për një bashkëqytetar. Edhe më pas, duke folur për të, shkrimtari e quajti atë si shkencëtarin më të madh shqiptar dhe një ndër më të mëdhenjtë në rrafshin evropian. Natyrisht, nuk munguan konsiderata për personalitete të tjera, ku spikatën vlerësimet për disidenten Musine Kokalari e sidomos për Ramize Gjebrenë, çështjen e së cilës e trajtoi në librin “Mosmarrëveshja”.
Në romanin “Kronikë në gur”, me gojën e një plake thuhet se djali i sjellur Enver Hoxha shpiku luftën e klasave. Kurse partizani që vrau xhaxhanë ballist në sofrën e bukës, na kujton Bahri Omarin për të cilin firmën e fundit e hodhi nipi i tij, E. Hoxha (edhe pse, sipas ndonjë thënie të kohëve të fundit, ai nuk ishte për dënimin me vdekje të Bahriut).
Lidhjet me gjirokastritë me funksione e poste të ndryshme përbëjnë një kapitull më vete. Disa prejt tyre pas Çlirimit ishin në Ministrinë e Arsimit, si Bedri Spahiu – Ministër i Arsimit deri në vitin 1955, mjaft zv. ministra, titullarë e kuadro në dikastere, në ushtri, gjykatës e prokurorë, mjekë, profesorë etj. Nga Gjirokastra e krahinat e saj dolën gjeneralë si: Bedri Spahiu, Tahir Kadare, Hulusi Spahiu, Shefqet Peçi, Dilaver Poçi, Ndreko Rino dhe “gjeneral Armate” Enver Hoxha.
Nga qyteti dhe rrethi i Gjirokastrës kanë dalë deri von një varg kryeministrash: Enver Hoxha, Pandeli Majko e Bashkim Fino – nga Gjirokastra; Adil Çarçani nga fshati Fushëbardhë, Petro Poga, Aleksandër Meksi dhe Fatos Nano nga Lunxhëria; Myfit Bej Libohova – nga Libohova. Gjirokastrite ishte mëma e kryeministrit të qeverisë së Pavarësisë, Ismail Qemalit, nga familja Alizoti. Gjirokastrit ishte kryeministri që doli nga Kongresi I Lushnjes i vitit 1920, Sulejman Delvina, me mbiemrin e hershëm gjirokastrit Drasa. Nga Kuvendi i Gjirokastrës, organizuar nga Abdyl Frashëri më 1881 e deri në shekullin që kaloi, Gjirokastra ka luajtur rol të posaçëm, me peshë e ndikim për mbarë botën shqiptare.
Në Gjirokastër dhe Tiranë shtjellohej edhe historia e disa familjeve të njohura gjirokastrite: Εnver Hoxha, Βahri Omari, Omer Nishani. Përkrah tyre, Ramize Gjebrea e pushkatuar mizorisht nga një shtab partizan, Liri Gega, anëtare e Shtabit të Përgjithshëm dhe e Byrosë Politike, pushkatuar më pas me foshnjen në bark, Musine Kokalari, e internuar deri në vdekje. Vite më parë I. Kadare foli e shkroi për Musinenë dhe Ramizenë. Tre femra gjirokastrite me fat tragjik. E katërta, në fakt e para krahasuar me to, Bule Naipi, u var në litar prej pushtuesve gjermanë. Një kapitull më vete, histori e përqendruar tronditëse. nga një mjedis i ngushtë, në një periudhë relativisht të shkurtër kohe.
Lidhjet e shkrimtarit me bashkësinë gjirokastrite ngjajnë të kufizuara, ca më tepër me kastën politiko-burokratike gjirokastrite në Tiranë. Lidhjet me ta, më tepër se lidhje interesash, ishin lidhje farefisnie ose qëndrime dhe opinione ndaj familjes që i përkiste personi. Këto qëndrime në jo pak raste ktheheshin në faktorë negativë, deri në prishje të ecurisë normale ose dënime të rënda prej njerëzve me pushtet.
Shkrimtari ishte i ri, kurse familja e tij vazhdonte të banonte në Gjirokastër. Kjo e thjeshtonte problemin. Dhe kryesorja: shkrimtari kishte vendosur ta çante udhën me zotësinë e vet, pa iu përulur e lutur dikujt. Ngjan se, me largimin nga Gjirokastra, shkrimtari i ri u distancua nga shumë gjëra të saj, duke e parë atë kryesisht si objekt përftimesh krijuese. Po ashtu, edhe njerëzit me pushtet, të cilët u reflektuan në tipat dhe personazhet e larmishme, tok me problematikën që mbartin.
Do të ishim jodialektikë po të mos ndriçonim e veçonim pikërisht shkëputjen e vendosur, kapërcimin e hatashëm të I. Kadaresë nga kuadri fillestar, ndikimin nga burimet e botës shqiptare e më gjerë, interesimet, motivet, energjitë që përftoi dhe prodhoi gjatë Ecjes. (Shkëputjen nga provincializmi mund ta vërejmë edhe në shkëputjen prej dialektalizmit, stakimin nga mendësia e tarafit, largimi nga normat patriarkale në familje).
Në këtë proces “largimi” bën pjesë edhe distancimi nga një lloj asketizmi, mbyllja në guaskë, që dikton ose injekton mjedisi provincial i vendlindjes; përpjekja e tij e ndërgjegjshme për të mposhtur e kapërcyer vetëfrenimin që diktojnë kanunet e ndalimit e të pengimit, drejt gëzimit të jetës, krijimit, mirëqënies. Ai është njeriu që aspiroi për të parë botën e madhe, e pa atë dhe hapi edhe për botën një dritare që ajo të njihte më thellë Shqipërinë.
Ajo dritare ishte kamera e parë e tij filmike, që i mprehu edhe aftësinë e të vëzhguarit. (Pas kthimit nga studimet e ndërprera në Bashkimin . Sovjetik. shkrimtari i ri u kthye me një kamera, aparat kinematografik, gjë aq e rrallë për kohën në Shqipëri, të cilin ia shiti rojes dhe mbikqyrësit nr. 1 të E. Hoxhës, Sulo Gradeci…).
Brenda rutinës dhe plogështisë së jetës në provincë, fëmija natyrshëm do të kërkonte diçka interesante, që t’i prishte ato.
Te “Qyteti i Jugut” dhe “Kronikë në gur” personazhi (pas gjithë gjasash, vetë autori) shkoi për vizitë me gjyshin dhe takoi “shpikësin” e fantaksur të aeroplanit, Dino Çiçon, një plak i lodhur e disi i hutuar, i cilisynoi perpetum mobile-n e parë në historinë e vendit. Emri i Dino Çiços qarkullonte në bisedat e gjirokastritëve si sinonimi i njeriut që kërkon të bëjë të pamundurën, por që dështon, sepse nuk ka aftësi për më tej e më lart dhe shpikja mbetet utopi. Shkrimtari iu qas me dashuri e respekt kësaj figure të aventurës provinciale, njeriut i cili, (gjoja?) refuzoi të japë patentën e aeroplanit të tij, kur ia kërkuan të huajt kundrejt një shpërblimi të mirë…
Përmes personazhit naiv fëminor, autori qëndroi në krah të xha Dino Çiços dhe xha Avdos, duke përjetuar dhimbjen e të pafuqishmit. Pas përjetimeve të tilla, ai synoi e ndoshta iu zotua vetes të dilte fitues, të triumfonte edhe për llogari të të dështuarve fisnikë.
***
Gjirokastra ishte dhe mbetet mjedisi gjeografik e kulturor ku qytetërimi shqiptar takohet e bashkëjeton me qytetërimin klasik dhe kulturën kombëtare të popullit grek. Sipas traditës evropiane, në klasën e parë të çdo gjimnazi zhvillohej lënda e letërsisë klasike greke. Ndikimi i letërsisë greke në veprën e autori ndihen sidomos në konceptimin e tragjikes, në temat që trajtoi dhe në interesimet kulturore më të hershme të tij. Ky ndikim duket në pëlhurën legjendare – mitologjike që endi në subjektet e ndryshme autori, në psikozën kasandrike që përshkon drejtimin e ngjarjeve dhe fatet e mjaft personazheve, ndoshta edhe në motivin e fajit fatal që kalon në disa breza (psh. tek “Breznia e Hankonatëve”). Analiza ekonomike e shtëpisë gjirokastrite përfshin harxhimet e përditshme per bukën, vajgurin e kripën, llogaritë e njeriut për jetesën e për jetën.
Gjirokastra është qyteti i madh jugor shqiptar më afër Greqisë. Ja si shprehet autori në intervistën dhënë gazetarit italian Abrashi:
“Shqipëria është një vend që kufizohet me Greqinë dhe ka qenë i rrezatuar nga letërsia greke. Atdheu i të gjithë neve poetëve është aty, ndonja 20 kilometra nga Gjirokastra, qyteti im i lindjes. Ishte qyteti i fundit shqiptar në jug, përballë Greqisë. Njëfarësoj qyteze. Në Ballkan nuk mund të paramendohet një vend që mund të ekzistojë pa u dëshmuar në ndonjë mënyrë armiqësore ndaj të tjerëve. Gjirokastra ishte qyteza shqiptare kundër Greqisë”.
Poema e hershme “Toka kufitare” e I.Kadaresë përcjell psikozën dhe tensionin e vazhdueshëm që përjetoi brezi i autorit dhe zona e Jugut në përgjithësi. Kufiri midis dy fqinjve të lashtë nuk kishte asnjë portë dhe në horizont nuk dukej dritë afrimi.
Në vëllimin “Koha” (1976) tek vjersha “Laokonti” ngrihet thirrja për syçeltësi dhe gjejmë vargjet për “grekët e liq” që morën me pabesi Trojën, përmes kalit të drunjtë. (A nuk e pushtuan otomanët kalanë e Argjirosë duke hyrë nga një shteg i fshehtë dhe me tradhti?). Pak më përpara ai kishte botuar tregimin “Hendeku”, me subjekt sipas dëshmisë së Resul Bedos, që fliste për vënien në vend të nderit!, nga një roje kufitare shqiptare…
Edhe novela “Përbindëshi”, botuar në revistën “Nëntori” 12, 1965 dhe e ribotuar me përpunim të pjesshëm më 1991, ka mesazhin e marrjes së kalasë nga brenda. Këtu personazh kryesor është konstruktori i kalit dhe Odiseu, e një tjetër personazh – mëndjelehti Lako (Laokonti).
Në vazhdim, përmes takimeve e pozicionimeve të ndryshme, I.Kadareja ka qenë i pranishëm e tepër veprues në dialogun për përmirësimin e klimës së mirëkuptimit dhe bashkëpunimit midis dy vendeve. Koha punoi dhe punon për zhdukjen e barrierave dhe afrimin e bashkëpunimin midis dy vendeve dhe popujve fqinj. Dhe I. Kadareja, nga pozicioni i vet, dashamir dhe kritik, është në ballë të nxitjes së këtij procesi. Kuptimplote ishte që ai e “kapërcente” kufirin, shëtiste lirisht në “oborrin” e fqinjit, hynte në portikët e gjigandëve të artit klasik, kuvendonte me Homerin dhe Eskilin, përziente Trojën me Tiranën “Përbindëshi” i binte pragut që të dëgjonte dera.
20 kilometra nuk janë distancë e madhe, por veçimi, ndarja dhe ftohja kishin bërë punën e tyre, në dëm të të dyja palëve, të marrëdhënieve midis dy popujve. Shkrimtari i ri e ndjeu herët se nuk i takonte një province, por botës së madhe, botës së artit, që e priste të shkonte edhe në metropolin e saj të lashtë, Athinë, e në të riun, Parisin. Për afrimin e tij me Athinën, duhej lënë disi mënjanë një pjesë të pakëndshme e trashëgimisë historike…
Mund të themi se kjo mbështetje krijuese e gjithanshme dhe e gjithëkohëshme në arsenalin e letërsisë klasike greke nga ana e I. Kadaresë i parapriu heqjes së barrierave në kufirin jugor dhe ndaj qytetërimit perëndimor në përgjithësi. Këtë nismë, aspiratë edhe e brezave që përjetuan jo pa vuajtje ngrirjen e marrëdhënieve të natyrshme midis dy popujve fqinj, e ndërmori dhe e zhvilloi një djalosh gjirokastrit që kishte marrë shijen e parë të asaj kulture jo vetëm nga librat, por edhe drejpërdrejt nga elementet e qytetërimit grek që gjallonin edhe brenda territorit të vendit. Dhe I. Kadare, në çdo periudhë dhe koniunkturë politike është deklaruar adhurues i qytetërimit grek.
Pyetjes së Andi Krastës në nëntor 2007, se a ishte e kërcënuar Gjirokastra nga një lloj greqizimi që vinte nga poshtë, shkrimtari iu përgjegj:
“Kjo është një gjë shumë kundërthënëse. Mund të duket kështu sot, por në kohën kur unë kam qenë atje, adoleshent, fëmijë, ka qenë e kundërta. Po të shikoje qytetin, thoshe: si është e mundur që këtu banojnë vetëm njerëz të fisëm, ose në kuptimin me shtëpi të mëdha. Mendoje: ku janë të tjerët? Njerëzit e thjeshtë, pra nuk binin në sy. Një pjesë kishin pensione të larta dhe kishin prona në fshatrat afër, që ishin të banuara nga grekët, nga minoriteti grek. Kur isha fëmijë mendoja se Shqipëria e sundon Greqinë, sepse grekët punonin, ishin fshatarë, si të thuash, punonin në tokat e qytetarëve të Gjirokastrës, i kishin shtëpitë në tokat e gjirokastritëve dhe për mendësinë e qytetit, ishin si të thuash një popullatë e thjeshtë dhe ashtu ishin vërtet. Kjo ana senjorale e qytetit bashkuar me pronësinë, që ishte elementi ekonomik i rëndësishëm, krijonte idenë, sidomos te fëmijët e adoleshentët, që Greqia ishte nevojtare ndaj këtij qyteti, gjë që nuk ishte e vërtetë sigurisht, por kjo përshtypje krijohej. Plus kësaj, e gjithë kjo u shoqërua me një mjerim që i ra Greqisë gjatë luftës, ku mijëra e mijëra grekë, në zinë e luftës, kalonin në Shqipëri dhe kryesisht në Gjirokastër, të dërrmuar, të leckosur, lypnin për të ngrënë dhe kjo e theksoi edhe më tepër”.
“Me kundragaz në kokë u struk mes nesh Homeri” thoshte poeti i ri tek “Poemë e blinduar”. Te “Kronikë në gur” etj. paraqiti shkurt atmosferën e Luftës Italo – Greke periudhës 1940 – 1941. Me botimin e romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, më 1972 në Athinë, Greqia kulturore i bëri formalisht në distancë ftesën e parë, gjithsesi miqësore. Iu bënë lavdërime, iu bënë edhe vërejtje. Dhe një kapitull i madh lufte qëndronte ende i pahapur, i paprekur:) ishte një epope për popullin grek dhe një proces që mund të kishte afruar dy popujt fiqnj të lashtë.
Në vitin 1976 I. Kadare shkoi në Greqi me shkrimtarin Pano Çuka. Në kthim ai botoi reportazhin letrar “Vizitë tek fqinjët e vjetër”, me mbresa dhe mendime nga vizita në Greqi, me aftësinë e veçantë të tij për të gjetur pikat e përbashkëta dhe hollësi mbresëlënëse.
Përmes eseve, sidomos studimit “Eskili, ky humbës i madh”, autori ka hetuar e zbërthyer kumtet filozofike që arritën nga letërsia dhe filozofia botërore greke. Po ashtu, në trajtesat e ndryshme të tij ndriçohen pika takimi në kuadrin e kodit moral e zakonor, tipare të përafërta (mikpritja, koncepti i së drejtës, dëshira për bëma heroike, aspirata e dritës dhe e lavdisë, nderimi për të vdekurin etj.) të dy popujve fqinj, parakë në Ballkan.
Thuhet se Gjirokastrën me emrin e stërlashtë e paska përmendur edhe Homeri. Në prozën e hershme të tij I. Kadareja jep një fëmijë, djalë të parritur, që fut kokën në dritarezën e sternës (depozitës shtëpiake të ujit të shiut) dhe shqipton fjalën “Homer!”.
E nga errësira, jehona ia ktheu pas, rrëqethëse, atë fjalë mitike. Një përpjekje ende e pavetëdijshme kjo për të rezonuar, për të lidhur fijet e një pëlhure të lashtë, pellasgjike. Këtë fill autori e mbajti fort në dorë, gjithnjë e më i vetëdijshëm për rëndësinë e tij. Te ky evokim ishte synimi për t’i kthyer një ditë kulturës së popullit të vet aftësinë e dialogimit me fqinjët e lashtë, me qytetërimin e madh klasik, themel i qytetërimit evropian.
I.Kadareja u dallua herët si poet, u shqua mandej si prozator i kompletuar, duke u shkëputur dukshëm nga bashkëqytetarët e vet – njerëz të letrave, kalibra mesatarë e nën mesataren. Me këtë nuk nënvlerësojmë arritjet e penave lokale që iu kushtuan letërsisë dhe as talentet e reja shpresëdhënëse që janë shtuar mjaft. Por mendësia dhe praktika provinciale e ka zakon të shënojë në çetelen e saj jo pak autorët minorë, për të treguar se ka vlera kulturore. Gjithsesi, jo aq për kundërshtim, po sjell këtu dy vlerësime të Faik Konicës për dy autorë gjirokastritë:
“Mua vjershat shqip që më duken më të mbaruara, flas për të rinjtë, janë vjershat satirike si ato të Ramiz Harxhit që u kthye në Shqipëri, të Merko Koronit, që rron n’ Amerikë, e të disa të tjerëve. Ato vjersha kanë një kripë, kanë një shije të veçantë, se janë thjesht kombëtare, duke patur rrënjë të vjetra në Shqipëri”, (“Tomorri”, 31 Kallnor 1943, f. 3).
Në romanin “Qyteti pa reklama” (1959) qyteti provincial është peng i mediokritetit ose u paguan haraç antivlerave: “Ramiz Bilbili kishte shkruar një poemë të re kundër djemve që, për hir të nuseve, mohonin nënën…Jorgo Senica me Këthë Spirin qenë rrahur paq dhe kishin përfunduar në polici nja dy net. Thuhej se shkak për rrahje ishjte bërë një grindje estetike për vargjet pa rimë”, (f. 40 e botimit të vitit 2001, Tiranë). Konica, në shkrimin e cituar, vlerësoi vjershën “Melankolia” te studentit të Universitetit të Grazit – Austri, Eqerem Çabej:
“Kur unj kryet mi tryezë,
Del ngadal nga det’ i zëmrës;
Madhështore
Mbretëreshë, në të zezë,
Sy prej sfinksi, shpirt – lëngore,
O Μelankoli!”
Vargjet e Ramiz Harxhit nuk lanë gjurmë, kurse Eqerem Çabej (Prof. Aleks Buda e quan Çabeu), poet në potencë, e braktisi vjershërinë për t’u marrë me shkencë, duke lënë emër të madh në këtë fushë. E si një shprehje ndijshmërie dhe nostalgjie, ai veçoi e vlerësoi që në hapat e veta bashkëqytetarin e vet, djaloshin e talentuar I. Kadare.
Niveli arsimor dhe kulturor i mjedisit ku lindi e u rrit shkrimtari i shquar, theksohet edhe nga fakti se në atë pellg lindën e u rritën edhe një varg letrarë, piktorë, aktorë (Xhaxhiu, Kokalari, Dhrami, Fico, Paskali, Zhusti) me një dendësi që rrallëkund haset.
Νjohjen dhe vlerësimin ndërkombëtar të Ismail Kadaresë e tregojnë botimet e shumta, çmimet letrare, studimet dhe veprimtaritë përnderuese kushtuar shkrimtarit nga Gjirokastra. Kështu, më 28, 29 dhe 30 maj të vitit 2008 në Universitetin Paris X (Nanterre La Défence) u mbajt Kolokiumi Ndërkombëtar “Lecture d’Ismail Kadaré”. Sipas organizatorëve të kësaj veprimtarie “ishte hera e parë që mblidheshin në një universitet francez në të njëjtën kohë ata që e kanë njohur, kanë jetuar me të në Shqipëri dhe kanë lexuar veprat e tij atje, si dhe sociologë, etnologë, specialistë të letërsisë, të ardhur nga Shqipëria, SHBA-ja, Australia dhe nga universitete të ndryshme franceze, për të ballafaquar aty shijen e përftuar pas leximit të veprës së Kadaresë dhe përvojat e tyre”.
***
Në programet shkollore të gjimnazit në vitet ’50 ishte edhe lënda e astronomisë. Ndonjëherë nxënësit kalonin nga teksti, në terren, për të vëzhguar në muzg hartën qiellore me ndonjë tejqyrë që kishte nisur të ndryshkej. Gjimnazi kishte pozicion të mirë për këtë dhe qielli mbi luginë ishte i mjaftueshëm. Ky takim me qielloren ishte si një thirrje që këndellte dëshirën e të rinjve për të dalë në botën e madhe. Ndoshta edhe djaloshi poet vëzhgoi me atë tejqyrë dhe kërkoi e gjeti në qiell yllin e vet.
***
Në një vjershë të hershme poeti tregonte mërzitjen e babait të vet, nëpunës i thjeshtë, pse djalin e tij poet “në gazetë dikush kritikuar kish”…Në vazhdim autorit iu bënë shumë kritika, jo pak syresh të ashpra e dashakeqe, nga njerëzit me pushtet apo ordinerë, por ai nuk u tërhoq e nuk u thye. Ε shkurajoi, e dëshpëroi, por në rrugën e tij nuk e ndaloi as trysnia pushtetomadhe, as ligësia provinciale. Madje, qëndroi më i vendosur në pozicionimet e tij antikonformiste dhe devijatore. Në qëndresën e tij kishte diçka nga kokëfortësia shkëmbore e vendlindjes.
Ishte dhe mbeti një gur themeli edhe kur e pushtoi “vetmia e madhe e gurit…”.
Eci në rrugën e vet “Edhe i vetëm trim në luftë” (titull romani i përkthyer ato vite) shpesh me zikzake, por gjithësesi në vijë ngjitëse. Vrulli i tij krijues i ngjan vrullit të përrenjve të vendlindjes, që vërshojnë drejt lumit duke shtyrë e rrokullisur gurë e kërcunj që u dalin përpara. Dhe biri i çuesit të gjykatës së qytetit mori shumë letra përshëndetje përlavdëruese, por edhe disa anonime me kërcënime, por rendi të shpërndajë nëpër botë Lajmin e Mirë, se Shqipëria shpëtoi nga izolimi komunist dhe iu rikthye Europës. Titulli “Shekulli im” i vëllimit poetik (1961) ishte ambicioz, mëtues dhe…profetik. Nga botimi i tij kaloi gjysëm shekulli krijimtarie, e cila është e pandërprerë, intensive, dhe jetëgjatë.
Në romanin “Kronikë në gur” midis dy personazheve fëmijë zhvillohet ky dialog (në çatinë e shtëpisë së vjetër):
– Flasim kundra?
– Si kundra?
– Ja, ashtu, xhundra – bullundra!…
Është kjo një hollësi pa rëndësi në dukje, por që ia vlen të ndalemi. Në këtë dialog është frika e njeriut të thjeshtë në mjedisin e mungesës së lirisë, të mbiqyrjes së çdo lëvizje (se ku më tepër se në atë qytet edhe muret kanë veshë?). Ky dialog naiv ishte edhe një spicë që i drejtohej lexuesit të një epoke të mëvonshme. E më gjerë, shkrimtari ishte nga ata që guxuan të flasin kundra (jo xhundra – bullundra) e të shkojë kundër rrymës. Kundër rrymës së provincializmit, konservatorizmit, kundër standardizimit dhe rrafshimit të personalitetit njerëzor, kundër rrymës së regjimit që kufizon lirinë e ndrydh njeriun. Dhe ja, qe ne prozen e tij të pare, ne fund te vitetev 1950, permes raporteve erotike të personazhit djalosh me dy motrat, shikojme se si ne strofken e konservatorizmit harbon liberalizmi.
Me mënyrën e vet në dukje objektiviste autori tregoi që herët simptomat e para për krizën e regjimit komunist, lëshoi sfida e mund të themi se paratha rënien e atij sistemi, ndonëse, siç shprehet diku, nuk besonte se do të ndodhte në gjallje të tij… Rënia ndihet tek degradimi moral i pushtetarëve dhe “malli për zotërinjtë” në romanin “Dimri i madh”, vargjet për Majakovskin dhe “Fusha dimërore” (vëllimi “Koha”), dhe tek poema për “pashallarët e kuq”, nga e cila u trondit froni i kryepolitikanit dhe shtabi rrotull tij.
Herë – herë, me kursim por domethënie e larg-qitje, ai ka ndriçuar aspekte të luftës së klasave me zanafillë luftën për çlirim (kujtojmë “Kronikë në gur” dhe “Darka e gabuar”) por edhe për fushëveprimin e normave kanunore, të mekanizmave shtypëse në periudha të ndryshme, të vetëdijes kombëtare shqiptare me ngjyrat dhe trajtat përkatëse edhe të mjedisit gjirokastrit.
Në Gjirokastër, në kalanë e saj mesjetare, u ngrit përpara tri dekadash Muzeu Κombëtar i Αrmëve. Si shprehet Tefik Çaushi në librin “Shkrimtari përballë krimit” (Ombra, 2004, f. 191), I. Kadare ka ndërtuar një muze të armëve të krimit, që si ai nuk ka të dytë. Janë krimet e Mesjetës klasike dhe të Mesjetës së vonë shqiptare, ku gjithësesi vlerat, identiteti, aq sa mundën mbijetuan.
Mjeshtër i përshkrimit të dramave e gjëmave, autori nuk mundi të bëhej po aq pohuesi i ndërtimit të një Shqipërie me të vërtetë të re e plot dinjitet. Si për kompensim, jo rrallë vlerat morale dhe dinjitetin e shqiptarit ai e kërkonte dhe i projektonte në të kaluarën. Kjo ishte përpjekje për të plotësuar kuadratet e zbrazura, por edhe një kundërvënie ndaj tjetërsimit dhe antivlerave të imponuara nga sistemi monist.
Autori, nga Gjirokastra vrojtoi dhe projektoi Shqipërinë e vet. Andej nis përvijimi i shqetësimeve të përbashkëta, peripecive dhe psikozave ndërkrahinore (romani “Viti i mbrapshtë”). Autori fshikullon me mënyrën e vet dukurinë e dumbabizmit. Dhe realiteti jep fakte tronditëse si ai në Berat, prill 1915, i gjirokastritit Abdul Gjebrea -Bakiu – Gjirokastra, që ngriti po në Berat flamurin e Pavarësisë, dhe u dënua nga autoritetet pushtuese pse tradhtoi ushtrinë turke në Luftën e Parë Ballkanike dhe sepse ndihmoi me të gjitha fuqitë e tij Ismail Qemalin! (“Panorama”, 1 maj 2012, f. 20). Mësojmë se propozimin e bëri “i ndershmi komandant i operacionit, Myftiu i Tiranës, zoti Musa Qazimi”). I. Kadareja i është qasur vendlindjes shpesh me një predispozitë kritike, pa prirje sentimentale, as ekzotike e tradicionaliste. (Shikojmë tek tuk ndonjë lab me qylaf apo luftëtarët me këpucët me xhufka të kuqe). Pak u prir nga figurat konkrete historike të mjedisit gjirokastrit. Më tepër pasqyroi problematikën dhe karakteret e tyre. Disa herë këto figura ishin më tepër pikënisje dhe pika orinetimi për të dalë në teatrin e historisë kombëtare, i jepnin në dorë fije kolizionesh të mëdha. Dhe çdo subjekt lokal fitoi një përmasë të re përmes asaj që huhet përgjithësim artistik. Këtu qëndron edhe vlera njohëse dhe krijuese e pasqyrimit të Gjirokastrës në veprën e autorit. Përmes Gjirokastrës së tij bota hyri në atmosferën, realitetin dhe procesin historik të botës shqiptare brenda dhe jashtë kufijve.
Mund ta kishim shënuar që herët në “pajën” që i dha qyteti shkrimtarit, prirjen e gjirokastritit për të marrë sinjale dhe informacion nga bota. Sa e mbyllur dhe e shkëputur ngjante, aq e lidhur me botën ishte Gjirokastra. Në kuvëndimet e përditshme të banorëve të saj ishin Stambolli e Janina, Qabeja e Çanakalaja, Jerusalemi dhe Gjiriti, Moskovi dhe Sërbi, Italia dhe Ingliterra, Fuqitë e Mëdha, Αmerika, Çinmaçini e Filipistuni.
Në veprën e shkrimtarit do të gjejmë metropolet e mëdha: Moskën, Parisin, Nju Jorkun, Pekinin, të cilat pati fatin t’i njihte nga afër e nga brenda. Përveç prirjes së mësipërmne dhe etjes për të parë botë, këtu gjejmë synimin dhe prirjen elitariste të autorit për ta shtrirë vëmendjen në qendrat botërore të zhvillimit të ngjarjeve, edhe pse tek “Darka e Gabuar” ai qesëndis maninë e bashkëqytetarëve, që kujtojnë se qyteti i tyre është qendra e zhvillimeve botërore. Gjithsesi, një kundërpeshë ndaj minimizimit provincial, që, në rastin e shkrimtarit, dëshmon se edhe të vegjëlit kanë të drejtë të gjykojnë të mëdhenjtë e të mos mbeten një jetë po të vegjël.
***
E folura gjirokastrite është e pasur me karakterizime dhe ngjyrime. Për të qortuar a fshikulluar dikë, përdorej edhe fjala mërshuar (emër-shuar). Pra, njeriu duhet ta ruajë emrin e vet, të mos e humbasë, të mos harrohet, të mbahet mend për mirë, dhe, mundësisht, të bëhet i dëgjuar. Edhe këtë ambicje injektonte mjedisi gjirokastrit.
Gjuhëtari i shquar Eqerem Çabej, shkrimtarja disidente Musine Kokalari, shkrimtari me përmasa ndërkombëtare Ismail Kadare ishin të parët që morën vlerësimin e lartë “Nderi i Gjirokastrës”, shoqëruar me vendosjen e basoreljevit-medaljon në sheshin qendror të qytetit, përkrah Eqerem Çabejt, Musine Kokalarit dhe Dr. Vasil Labovitit, medaljoni i të cilit nuk është vendosur. Në të njëjtën ditë doli për të tre vendimi përnderues i Bashkisë, me motivacionin: “Për kontribut të shquar në fushën e shkencës, letërsisë dhe lëvrues të mendimit shkencor”.
Në të njëjtën ditë u bë edhe përurimi i basorelievit në shesh, për të tre figurat.
Shkrimtari u ndie veçanërisht i vlerësuar dhe ishte befasues për të titulli “Nderi i Gjirokastrës”, gjë që duket në letrën e tij të mirënjohjes. Ky falënderim erdhi nga Parisi, nëpërmjet Radio Gjirokastrës, intervistës që i mori atij, shkrimtari dhe gazetari Odise Kote, atëherë drejtor i radios lokale dhe korrespondent i “Dojçe Vele”-s.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast në katin e dytë të ndërtesës Këndella, ishte motra Kadrie kadare ajo që mori në duar vendimin përnderues, nga duart e kryetarit të atëhershëm të Bashkisë së qytetit, Υlli Asllani dhe ia dorëzoi zarfin Ismailit.
Në ceremoninë organizuar me këtë rast pasditen e asaj të hëne, kryetari i Bashkisë së Gjirokastres, z. Flamur Bime, lexoi para dhjetra të pranishmeve fjalën përshëndetëse që Ismail Kadare u dërgonte bashkëqytetarëve:
“Jam shumë i prekur dhe shumë i nderuar për titullin e lartë që më jep qyteti im i lindjes. Keto janë fjalë që zakonisht thuhen në raste të tilla, por duhet të më besoni, se në këtë rast unë kam ndjesinë dhe shijen se po i them për herë të parë. Kjo vjen sepse te gjitha nderimet qe mund te kete nje shkrimtar, nderimi në vendin e vet ose në vende të tjera kane diçka të mangët nëse mungon ai, nderimi fillestar, mungon vleresimi i qytetit, i vendit ku ai ka parë për herë të parë botën me sy. Qyteti i imi dhe i juaji njëkohësisht, më dha mua vizionin e parë te botës, më dha përfytyrimin artistik të saj, më mësoi ta shikoj, ta dëgjoj dhe ta shkruaj rrëmujen e kësaj bote, pamje të saj, dramën e saj.
Për Gjirokastrën, qytetin tonë janë thënë shumë vlerësime, janë thënë shumë fjalë, janë bërë shumë metafora dhe figura; unë do të shtoja dhe një gjë që më duket se, ose e kam përshtypjen, nuk është vënë në dukje: Gjirokastra, si rrallëkush qytet në Ballkan, jo vetëm në Shqipëri por në tërë gadishullin e Ballkanit, ka nxjerrë, ka lindur, ka prodhuar qytetarë, sepse qytetarët janë për fat të keq shumë të rrallë. Kanë qenë dhe mbeten ende sot. Historia e Ballkanit, historia që vazhdon ende sot, po e tregon këtë gjë. Pra, ky qytet i vogël me këto shtëpi të mëdha e të ftohta, vërtet i ka dhënë botës shqiptare dhe të gjithë botës ballkanase një sasi të madhe qytetarësh, që rrallë qytet në botë mund ta ketë prodhuar, për ato përmasa që ka ai dhe kjo është një gjë e mrekullueshme për një qytet të prodhojë atë që e dikton dhe emri i vet, pra, të prodhojë qytetarë.
Dy nga qytetarët që marrin bashkë me mua sot vlerësimin tuaj të lartë, gjuhëtari i madh Eqrem Çabej dhe shkrimtarja e shquar dhe e persekutuar mizorisht gjatë këtij gjysmë shekulli, Musine Kokalari, dy bashkëqytetarët e mi që unë i njoh dhe i çmoj shumë, dua t’ u falënderoj edhe një herë të gjithë ata që morën këtë nismë, Bashkinë e qytetit, dashamirësit e artit e të kulturës, të gjithë qytetarët e Gjirokastrës, që e mbajnë gjallë qytetarinë e saj’’.
Ky është ndoshta fjalimi i parë që shkrimtari mbajti, në mungesë, përpara popullit të Gjirokastrës.
Mësojmë se në ceremoninë e organizuar në formë spektakli u recituan poezi të I. Kadarese, u përshëndet nga intelektuale të njohur te qytetit, që kishin mbërritur enkas nga kryeqyteti i vendit.
Në tetorin e vitit 2004 në Bashkinë e Gjirokastrës u debatua rreth pagëzimit të një rruge të qytetit: të quhet Enver Hoxha, apo Ismail Kadare. Shumica në atë mbledhje u shprehën për të Dytin, por mbledhja përfundoi pa ndonjë vendim. Në një mbledhje tjetër, pasuese, u arrit në përfundimin që rruga nga “Qafa e Pazarit” deri tek shkallët e Gjimnazit të qytetit të mbajë emrin Ismail Kadare, kurse rruga nga shtëpia e E. Hoxhës deri në brendësi të lagjes “Palorto”, të mbajë emrin Hysen Hoxha. Hisenj Hoxha ishte i pari kryetar Bashkie pas shpalljes së Pavarësisë dhe kryetar Bashkie i Gjirokastrës në muajt e pushtimit të qytetit nga ushtria greke, në vitin 1914. Në përgjigjen e vet autori, me etikën e intelektualit të emancipuar, e kundërshtoi vendimin përnderues të Bashkisë, duke u shprehur se vetëm në diktaturë u jepen rrugëve e shesheve emrat e të gjallëve. (Megjithatë, Bashkia bëri të vetën, duke i dhënë emrin e tij rrugës kryesore që nis nga Qafa e Pazarit dhe përfundon në Gjimnazin e qytetit. Ngjan se njeriu që përjetësoi artistikisht vendlindjen ka fare pak dëshirë të përjetësohet prej saj).
Shkrimtarin, me siguri, e ka lënduar, në përvjetorin e 106 të lindjes së E. Hoxhës, që afronte edhe me përvjetorin e Çlirimit të Gjirokastrës, (shtator 2014), përvjetorin e çlirimit të Tiranës dhe të gjithë vendit, dalja në sheshe e rrugë e grupeve të manifestuesve me portretin e E. Hoxhës.
Në tetor 2014 komunistët dhe pasuesit e diktatorit të kuq kërkuan që rruga kryesore e qytetit, nga Qafa e Pazarit deri tek shtëpia e E. Hoxhës të mbajë emrin Enver Hoxha dhe të ngrihet një përmendore për të përpara asaj shtëpie, që është ende Muze Etnografik i Rrethit. Banorë të moshuar të qytetit, por edhe jashtë e larg tij, grupe qytetarësh kërkuan rivlerësimin nga shteti të figurës dhe veprës së E. Hoxhës.
Por shkrimtari e cilësoi krim çdo lloj nderimi që mund të manifestohet ndaj diktatorit gjirokastrit Enver Hoxha. Marrëdhëniet e tij dhe anasjelltas të diktatorit me shkrimtarin janë një kapitull më vete, që meriton të analizohet veçan, por themi shkurt se këto marrëdhënie tregojnë vendosmërinë e shkrimtarit për të çarë udhën me zotësinë e vet, për të mbijetuar e madje triumfuar. Jashtë shtetit, i pyetur nëse ka lidhje farefisnie me familjen e E. Hoxhës politikan, shkrimtari ka sqaruar se e vetmja gjë që e bashkon është se kishte lindur në të njëjtin qytet me të. Μë vonë ai ka sjellë pohimin e babait të vet, se kishin lidhje farefisnie, por ai nuk e shikonte me vend ta përmendte, si duket, për antipatinë që ushqente.
Kadare, pas vdekjes së diktatorit, e stigmatizoi me një patos të veçantë. Dhe i kërkoi llogari për shpërdorimet e përvetësimet e paligjshme klanit komunist që uzurpoi pushtetin dhe e mbajti peng të mendësive e praktikave anadollake. I. Kadare kërkoi të bëhen hetime për këtë dhe tërhoqi mbi vete sulmet e ish kuadrove të vjetra dhe të atyreve që nuk u leverdis ky hetim e kërkim llogarie. Por nuk munguan edhe palikarë të viteve të mëpasme, që përvetësuan të holla e vlera dhe ia mbathën larg Gjirokastrës, për të humbur gjurmët e për t’i shpëtuar llogaridhënies.
Lexuesi ka në dorë një material të gjerë analitik mbi veprën dhe jetën e I. Kadaresë, por edhe dëshmi e rrëfime të tij mbi rrugën dhe qëndrimet në rrethana të caktuara. Ai shpegon përse nuk e flaku ose theu penën, përse nuk iu dorëzua vullnetarisht e marrëzisht kafshimit të bishës, përse zgjodhi këtë apo atë mënyrë veprimi deri edhe mosveprimi. Në të gjitha këto rrethana e ndihmoi përvoja e jetës, vetëpërmbajtja e gjirokastritit, njohja e karakterit dhe taktikave të gjirokastritit të plotfuqishëm… Natyrisht, pati edhe dashamirë që e ndihmuan, i dhanë kurajë, e informuan, e paralajmëruan, madje, sakrifikuan për të. I tillë ishte edhe redaktori Sami Çabej, por edhe disa djem të rinj me kurajë, që mbajnë mbiemrat e vendlindjes së tij, në Tiranë (Çoçoli, Βabaramo, Çani, Loloçi, Kotro,). Nja-dy nga këta të rinj e burra me banim në kryeqytet u interesuan për gjetjen në arkivin e shtetit dhe publikimin e poemthit të “humbur” e në përgjithësi për vlerësimin e veprës së tij.
Në vitin 1972 studenti e më pas kritik letrar, Çapajev Gjokutaj, mbrojti temën e diplomës universitare në letërsi me veprën e I. Kadaresë (“Koha në romanet e I. Kadaresë”, botuar një pjesë në gaz.etën “Drita”, 13 gusht 1972). E gjejmë përsëri firmën e studjuesit me përvojë në shtypin e ditëve tona, duke përsiatur për romanin “Kukulla”.
Bie në sy dëshira dhe aktivizimi i disa studjuesve të letërsisë e dashamirëve që kanë lindur ose kanë jetuar në Gjirokastër si, akademiku Prof. Jorgo Bulo, Prof. Ali Xhiku, Prof. Ymer Çiraku, Republika Çulli, Mimoza Karagjozi, Roland Zisi, Viron Graçi e ndonjë tjetër me titull a pa tituj, për të folur për veprën letrare dhe personalitetin e I. Kadaresë, siç u pa në sesionin shkencor organizuar për nder të shkrimtarit, nga Universiteti “Eqerem Çabej” në maj 2006.
Për veprën e tij, në 65 vjetorin e lindjes së I. Kadaresë, në veprimtarinë e organizuar me këtë rast në Tiranë nga L.SH.A., foli shkrimtari Koço Th. Kosta, nga fshati Suhë i Lunxhërisë.
Të përkushtuar posaçërisht për të nxjerrë në dritë vlerat e veprës letrare të I.Kadaresë kanë qenë edhe studjuesi Bashkim Kuçuku nga Konispoli, e poeti Sadik Bejko, nga Tepelena.
Në disa raste studjuesit dhe dashamirët kanë privilegjin se e njohin mirë edhe vendlindjen e shkrimtarit, duke krijuar edhe një farë intimiteti.
Prof. Agron Fico, gjirokastrit, , duke marrë shkas nga romani “Hija”, nga SH.B.A, ku emigroi botoi një studim gati shterues për vlerat e veprës letrare dhe veçoritë e stilit të shkrimtarit I. Kadare, studim nga i cili shkëpusim një pjesë:
“Shkrimtari nuk përdor limën, por daltën për të gdhendur në shkëmbin-mermer, ashtu si dikur Mikelanxhelo shpirtin e pamposhtur shqiptar, fisnikërinë e brezave, qe ndjenjën e lirisë e kanë në genin e vet njerëzor. Kjo sfidë e jetës me vdekjen, e lirisë me robërinë, e endrrës së bukur me një realitet politik e shoqëror primitiv, në penën e autorit është zbërthyer përmes analizave, zhbirime magjepsëse psikologjike, ku duket diku realizmi magjik i Gabriel Garcia Marquez-it, diku forca e penës së veprave tragjike të Shekspirit, por gjithnjë e kudo është vetë stili, dora e ndritur e Kadaresë, kudo origjinaliteti i tij i papërsëritshëm dhe ylberi i talentit të tij”.
Fatmir Beja i dërgoi nga Bostoni i SHBA. revistës letrare shqipe “Pegasi” në Athinë, korrespondencën për marrjen e çmimit “Princi i Asturias”: “Shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, ka fituar çmimin prestigjioz ndërkombëtar “Princi i Asturias për Letërsinë” (Prince of Asturias Award for Letters).
Çmimet u ndanë në Spanjë, ku Kadare triumfoi mes shkrimtarëve të njohur botërorë si, shkrimtari japonez Haruki Murakami, shkrimtari çek Milan Kundera, italiani Antonio Cabuçhi, holandezi Cees Nooteboom, autorë të njohur këta të brezit të Kadaresë. Me disa prej tyre Kadare konkuron shpesh në Europë.
Mediat e huaja shkruajtën se ishin 31 kandidatë pretendentë për të fituar Çmimin “Princi i Asturias për Letërsinë”, nga 25 vende të botes. Çmimi ndahet nga fondacioni “Prince of Asturias”, që u akordohet atyre personave, institucioneve, puna krijuese ose kërkimore e të cilëve përfaqëson një kontribut të madh në kulturën universale, në fushat e letërsisë apo të gjuhësisë.
Gazeta spanjolle “El Mundo” shkroi se “Kadare është një studjues i madh i traditës shqiptare dhe i këtij vendi ballkanik”, (revista “Pegasi”, nr. 7, 2009, f. 26-27). Një intelektual europian e cilësoi I. Kadarenë: këngëtar i Shqipërisë legjendare.
Ai u mësoi bashkatdhetarëve ta shikojnë Shqipërinë me të mirat dhe dobësitë e saj, dhe të huajve të mos i kenë për të huaja Shqipërinë dhe Gjirokastrën.
Edhe disidenti A. Pipa, me prejardhje gjirokastrite, që padashur i bëri dëm shkrimtarit, kur foli për homoseksualizmin e E. Hoxhës, më pas në një letër plot vërejtje për redaktimin e romanit “Kronikë në gur”, përkthimi anglisht, thekson që përtej oqeanit se: “Episodi i thertores është një alegori e parashikuar e masakrave njerëzore që ndodhën gjatë luftës civile (varja e studentit komunist dhe dy vajzave partizane, vrasja e tre Karllashëve, përfshirë një grua, etj.). Therja e deleve dhe therja e njerëzve janë episode korrelative, që unë i quaj rimë e largët”.
Shoku dhe miku besnik i fëmijërisë I. Kadaresë, Bardhyl B., erdhi në vjeshtën e vitit 2015 në Gjirokastër dhe e filmoi nga jashtë shtëpinë e rindërtuar.
Janë shumë gjirokastritët që e kanë vlerësuar veprën e tij letrare, kurse ata që flasin me keqdashje numërohen me gishta. Të gjithe, edhe disa kundër dëshirës, i pranojnë si realitet të pakundërshtueshëm talentin dhe historine që shkroi me penën e tij. Disa merren me gjëra jashteletrare ose me politizime të skajshme. Shkrimtari vijon të krijojë, të japë mesazhe të reja aktuale dhe kjo është mbrojtja më e mirë që mund të bëjë.
Dikur në klubin e LSHA, shkrimtari i shquar turk Jashar Qemal i kërkoi Ismailit që ky t’ia merrte një kënge popullore, vënçe, por Ismaili nuk e bëri. Jo se nuk dëshironte, por sepse nuk ia thoshte në atë krah. (Kadareja nuk është i këtyre planeve, shënon po atje Thanas Dino). Por autori diti të këndojë me mënyrën e vet të spikatur dhe kënga e tij të shoqërohet nga një iso e thellë miratimi e përtej kufijve.
Nga faqet e internetit shqiptar citojmë:
“Kadare ka qenë dhe është protagonist i jetës politike dhe i mendimit të vendit qysh prej viteve ’60 […] Kadare është shkrimtari që i ktheu mitet legjendare në realitet, që bëri histori prej prehistorisë. Pa rënë në kundërthënie me vetveten dhe gjykimin modern, ai arsyetoi estetikisht në mënyrë të përkorë dhe për kohën absolute. Në Shqipërinë e ndodhur në udhëkryq vepra e Kadaresë ka qenë dhe mbetet një shpresë apo një ogur i bardhë.
Kadareja qysh në vitet ’60 shënoi një kthesë në letërsinë shqiptare me poezinë dhe prozën e tij. Brenda potencialit të tij krijues janë mitet dhe legjendat, e shkuara dhe e ardhmja, raportet e përkohshmërisë dhe të përjetësisë, dramat e kaluara dhe ato të tashmet, veset dhe virtytet shqiptare, kullat dhe pallatet moderne, qëndresa dhe humbja, zhdukja dhe ringjallja, të gjitha labirintet e jetës dhe të vdekjes. Duket sikur asgjë çka është shqiptare, nuk mund t’i shpëtojë syrit të shkrimtarit të madh.
E gjithë vepra e Ismail Kadaresë që nga botimi i parë deri te i fundit ndrit nga mesazhi dhe shpresa për një Shqipëri të barazuar me shtetet më të qytetëruara të botës, sepse ashtu e meriton, ndihet të pohojë autori”.
***
Në vigjilje të përmbysjes së regjimit diktatorial komunist, takimet e tij bëheshin në “bodrumin” e vilës së familjes Pashko (vilë që dikur ishte e familjes pasanike të Selfatëve, të dënuar prej pushtetit popullor). Κy fakt nuk është pa rëndësi, që të mos kalohet në njëanshmëri. Shkrimtari kishte miq besnikë dhe e meritonte këtë. Të mos kesh me kë të diskutosh lirisht, t’i besosh kredon tënde, është e tmerrshme për një intelektual. Besimi i ndërsjellë, që nga Dhori Qiriazi, për të cilin na sjell një fakt tronditës Helena Kadare në librin e saj voluminoz, deri te Bashkim Shehu e Gramoz Pashko, zgjati tridhjetë vite, tridhjetë vite i patradhtuar, që nuk janë pak. Pa harruar shokun besnik të fëmijërisë, Bardhyl B., me të cilin, siç mësojmë nga libri më i ri i autorit, mbetën tridhjetë vite pa u takuar!
Shkrimtari nuk u dha rëndësi e kënaqësi mediokërve, nuk u dha pas pijes a llomotitjes pa vetëkontroll. E ruajti veten në shërbim të misionit që ndërmori që kur i hyri kësaj rruge. Sepse, mbi të gjitha për të ishte letërsia, ky domen hyjnor, së cilës ai iu përkushtua me gjithsej, ishin majat e letërsisë botërore ku dëshironte të ngjitej edhe vetë.
Nuk munguan hipokritët e kameleonët. Kështu, fill pas arratisjes së shkrimtarit, një kuadër drejtues rinie në Gjirokastër në protestën e vet për arratisjen e shkrimtarit midis të tjerave shprehej: “Harram qumështi i nënës!”. Por po i njëjti person, përsëri kuadër drejtues në epokën që pasoi, në një ceremoni me praninë e shkrimtarit, në hotel “Çajupi”, për shkrimtarin e anatemuar përdori sloganin e njohur “Ambasador i Gjirokastrës dhe i Shqipërisë në botë!”. Kur erdhi me helikopter për herë të parë në Gjirokastër pas kthimit nga ‘Arratia’, dolën për ta pritur fare pak njerëz. Hija e namit të keq vepronte ende. Kurse në ardhjen më të fundit mjedisi i kafes në hotel “Çajupi” ishte plot, sa do të ishte dashur një sallë e madhe për të zhvilluar veprimtarinë.
I. Kadare dëgjoi së pari thirrjen e ndërgjegjes së vet krijuese, pa llogaritur koston dhe vazhdoi udhën e vet. “Populli mësohet ta shikojë shkrimtarin si njeri-fajtor potencial dhe ai, e do, edhe e lexon dhe e përgjon nga ana tjetër. Kjo ka ndodhur me të gjithë shkrimtarët e shquar në ato vende që janë vërtet totalitare, ku ata mund të kenë mungesa në lirinë e tyre”, shprehet autori në intervistën e nëntorit 2007.
Dhe ky fajësim me forma, ngjyresa e ngarkesa të ndryshme politiko-psikologjike vijon edhe sot. Shkrimtari është mësuar me to dhe shpesh, i detyruar të sqarojë pozitën e vet, duke harxhuar një pjesë të energjisë dhe kohës së çmuar të tij. Se “shpeshherë nga shkrimtarët kërkohen gjëra të pamundura, kërkohet që ata t’ i përshtaten atij mendimi që ka lexuesi apo populli për ta. Po të ndodhte kjo, mendoj se do të ishte e mirë për ata, por ndoshta katastrofë për shkrimtarët”.
Mendim të përafërt shfaqi shkrimtari në janar 2007 në Athinë për praktikën e ndërhyrjes së spektatorëve ndaj skenës, në Greqinë e lashtë, që orvateshin në mënyrë brutale të impononin tek autori mendimin e tyre. Shkrimtari shqiptar iu nënshtrua pushtetit tiranik të letërsisë, u pajtua me ligjin e pamëshirshëm të mbijetesës në bazë vetëm të cilësisë së lartë të krijimeve, dhe u përpoq të mos i ngjajë kryepolitikanit hakmarrës, që lëshoi rrufe mbi dhjetra koka e jetë bashkatdhetarësh e bashkëqytetarësh. Madje, shkrimtari arriti të falë ata që i bënë keq. (Kujtojmë intervistën ku flet për dy sulmimet e D. Agollit, i cili nga ana tjetër mëton se e shpëtoi romanin “Dimri i vetmisë së madhe”, që iu dha për recensionim nga shtëpia botuese).
Autori thotë se vjen nga qyteti i mërive të gjata dhe falja nuk është e lehtë. Megjithatë, lëshoi pe dhe “harroi” sa mundi. Shumë energji i hëngrën ligësia, meskiniteti dhe zilia e të tjerëve, por shumicën e energjisë e ruajti për punë të frutshme. Vështroi punën e vet, por edhe ndihmoi ndonjë koleg e talente të reja, për disa duke iu drejtuar me letra e mënyra të tjera njerëzve me pushtet, që të mos u bënin keq. Dhe. kërkoi falje publikisht në ndonjë rast. Kjo është dëshmi e distancimit nga meskiniteti dhe ngurtësia që injekton mjedisi i gurtë, i ngushtë provincial dhe psikoza e mendësia patriarkale.
Në librin e Maks Velos për zhdukjen e materialit të poemës “Pashallarët e kuq”, mësojmë se në ato vite shkrimtarit Kadare i pëlqente boksi. Pa e ditur kishte vepruar me dëshirën migjeniane: “O, si nuk kam një grusht të fuqishëm”!
Jam ndodhur dikur në shtëpinë e shkrimtarit në Tiranë rreth vitit 1967, tok me Petro Çerkezin, që më çoi atje. Atje pamë një ndeshje boksi, tok me Kadarenë. Ishte një televizor i vogël bardh e zi, që e kishte sjellë vëllai, doktor Shahini, nga Rumania. Në një çast të ndeshjes komentatori tha fjalën acannisimo, d.m.th, i qenësuar, i tërbuar. Ismailit i bëri përshtypje kur ia shpegova dhe më pyeti a di italisht. Dija fare pak. Vite më pas, në romanin “Dimri i vetmisë së madhe” (1972) gjeta një skenë boksi dhe përdorimin e fjalës nokdaun.
Në librin e Maks Velos, botim i vitit 2002, f. 134, autori pohon: “Ishte e qartë se në ndeshjen e parë me shtetin shqiptar unë kisha rënë nock – dawn. Ti e di se nga gjithë sportet, i vetmi që më tërhiqte atë kohë ishte boksi. Dhe në ndeshjen e boksit, ajo që më intrigonte mbi të gjitha ishte pikërisht çasti i nock – dawn – it, atëhere kur boksieri, me shikim të zbardhur nga goditjet, përpiqej të ngrihej. Për herë të parë në jetë po ndieja kënaqësinë e sëmurë të rrëzimit…”.
Kadareja dha grushta të fuqishëm por edhe mori. Shpresoi shumë dhe u zhgënjye mjaft. Por cili mund të verë në dyshim atdhedashurinë e shkrimtarit, motiv dhe frymë që përshkon e kurorëzon gjithë veprën e tij? Mund të pohojmë pa u gabuar se, megjithë pozicionimet e ashpra ndaj disa mendësive lokaliste, për qëndrimin ndaj vendlindjes vlen konstatimi dhe deklarimi i tij për atdheun dhe kombin në tërësi:
“Eshtë dukuri universale, nuk është vetëm e jona, ne kujtojmë se ne shqiptarët jemi të prapambetur pse duam vendin tonë. Natyrisht disa e duan, disa e duan më pak, disa nuk e duan fare, është kudo në botë e njëjta gjë. Por ne na është fiksuar tani që të krijojmë simpati, të dukemi më modernë, të bëjmë përshtypje të mirë, sikur ne jemi ata që nuk çajmë kokën, nuk e duam. Çdo njeri, çdo popull e do veten e vet. Pjesa e dashurisë është më e madhe se pjesa e mohimit, ndryshe do zhdukej, prandaj pyetja në këtë rast është ndjenjë natyrale. Ti mund të bëhesh nervoz me një pjesë të popullit tënd, ti mund të bëhesh nervoz me një pjesë tjetër, mund të bëhesh nervoz edhe me kosovarët, me shqiptarët e Maqedonisë, në radhë të parë me shqiptarët e Shqipërisë, por prapë është një ndjenjë natyrale që nuk është turp ta duash atë që është familja jote, ajo që është geni yt, lidhja jote”.
Në studimin – ese “Poshtërimi në Ballkan” I. Kadareja flet për sëmundjet e vjetra që kanë cënuar popujt e rajonit, dhe për një lloj vetëposhtërimi që shqiptarët, nën trysninë e propagandës denigruese e keqdashëse, shfaqin ndaj vendit të tyre. “Shqipëria paraqitet sot si një vend që nuk e duan. Këtë pohim e ndan vetëm një hap nga formulimi: Shqipëria është një vend që s’ ka pse të duhet. E, nga kjo e fundit deri tek hedhja e idesë për thurjen e mëtejshme të saj, nuk ka veçse një hap.”. (f. 11).
Shkrimtari pret e beson që populli i tij të përmirësohet dhe që të huajt ta vlerësojnë më shumë e më drejt.
Pas kthesës përmbysëse të vitit 1990 ai, në mënyrë gati instiktive, vendosi një lidhje midis thasëve prej najloni në të cilat u futën kockat e ushtarëve dhe ushtarakëve italianë tek romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” me thasët prej najloni që iu dhuruan refugjatëve tragjikë shqiptarë që zbarkuan në Itali:
“Ju e keni parë sesi janë pritur me qese plastike, të cilat përdoren për kufomat e të vdekurve. Këtë gjë ma ka thënë im vëlla, mjek, që i ka parë vetë. Dhe Levi e quan normale që unë të përshëndes këtë arratisje drejt aventurës dhe mjerimit. Populli duhet ndihmuar të qëndrojë në shtëpinë e vet dhe që aty të ndërtojë gjithçka i duhet për të jetuar”. Pra: guri i rëndë në vend të vet. (Me kusht që të mos i japin rrokullimën qeveritarët e tij…).
Ndërsa vizitorët e huaj mahniten me arkitekturën e Gjirokastrës, shkrimtari ndihet i plagosur përjetësisht dhe gati si refuzues i saj. Ashtu ngjan, por ai ka shpjeguar qartë se në veprën e tij nuk ka asgjë armiqësore ndaj qytetit. Kështu, në një intervistë dhënë gazetës “Metropol”, I Kadare thotë:
“Në studimin e tij A. Pipa i mëshon shumë një kinse armiqësie time ndaj qytetit të lindjes. Madje lidhur me raportet e mia me Gjirokastrën, ai bën analogji me raportet e Dantes me Firencen e tij. S’dua të zgjatem me këtë, por dua të them thjesht dhe sinqerisht se kjo nuk ekziston. Qyteti im i lindjes mua s’ më ka bërë ndonjë të keqe, e aq më pak të më ketë dëbuar siç ka bërë Firencia me Danten. Ndërkaq, po aq sinqerisht dua të pohoj se kur e kam lexuar këtë, jo vetëm s’ kam ndier ndonjë bezdi, por, ndonëse realisht nuk është e vërtetë, si gjetje, nga ana profesionale, më është dukur interesante. Ashtu siç është gjetje e bukur e A. Pipës, teza e transferimit të urrejtjes ndaj një njeriu kundër një qytetit të tërë”.
Shkrimtari I. Kadare, megjithë ndjenjat e qarta të protestës dhe mosdashjes, nuk ka kaluar në denigrim e mohim ndaj qytetit e bashkësisë përkatëse njerëzore. Papajtueshmëria me disa dukuri negative është nxitur pikërisht nga dashuria për njerëzit, që jo gjithmonë janë fajtorë për drejtimin që marrin ngjarjet, qoftë edhe në kuadrin e ngushtë të marrëdhënieve të ndërsjellta.
Shkrimtari nga qyteti i gurtë ndikoi për shembjen e murit shqiptar të Berlinit. U tregoi edhe një herë udhën bashkëqytetarëve të vet të cilësuar konservatorë. Këtë e gjejmë edhe në fjalët e Artur Paskalit, i cili, në korrik 1990 hyri në ambasadën gjermane dhe shkoi në Gjermani. Tani shkrimtari, në mërgim, nuk është vetëm, por ka në çdo hap bashkatdhetarë e bashkëqytetarë “perëndimorë”, me të cilët ruan lidhjet, çmallet dhe merr informacion.
Kadareja e quajti Francën atdhe të tij të dytë. E midis dy atdheve vendlindja ka vend të veçantë, si atdhe i vogël i papërsëritshëm. Shtëpia e tij në lagjen “Sent Mishel” të Parisit thonë se ka diçka nga ashpërsia malore e vendlindjes. (Kështu dhe arbëreshët disa shekuj më parë: i ndërtuan fshatrat e veta në brigje dhe relieve që u kujtonin ato të mëmëdheut dhe vështronin nga deti Adriatik).
Gjirokastra që prej një shekulli e më shumë ka patur djem studjuar në Francë, intelektualë me diplomë, lidhje me literaturën franceze, përtej programeve shkollore. Në periudhën që shkrimtari i ri ishte nxënës i Gjimnazit kishte pushuar së zhvilluari lënda e gjuhës franceze, ndoshta për mungesë kuadri. Disa vite pas largimit të tij për në universitet gjuha frënge hyri përsëri dhe sot ajo është lëndë në atë shkollë dhe në shkollën e Mesme të Gjuhëve të huaja në qytet. Pra, ekziston ura me kulturën frankofone dhe qytetërimin francez. Dhe I. Kadareja është një ndërlidhës veprues i dy mjediseve.
Përkthyesi i shquar Jusuf Vrioni, që dha në frëngjishte romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” dhe me të i hapi udhën shkrimtarit drejt Francës dher Europës, u bë edhe mësues i frëngjishtes për të. Kështu, pas vajtjes dhe të jetuarit në Paris, nuk habitemi që I. Kadare jep intervista në kanalet televizive franceze, diskuton në mjediset akademike e intelektuale, duke forcuar edhe me këtë një traditë të vendlindjes.
Një urë e re, e padukshme, shpirtërore e kulturore, ngrihet për të midis Shqipërisë dhe Francës, Gjirokastrës, Tiranës dhe Parisit. Shkrimtari është tronditur thellë nga dy aktet terroriste në zemër të Francës, duke u distancuar prej tyre e ripërcaktuar marrëdhëniet e Shqipërisë me Europën dhe me Lindjen. Është një rast më tepër për të theksuar se Shqipëria i takon botës së qytetëruar dhe se shqiptarët nuk janë e nuk mund të jenë pjesë e problemit të imponuar nga ekstremistët islamikë.
***
Gjirokastra, kjo minierë në qiell të hapur, është përherë atje ku e caktuan shekujt, në një ballafaqim të paprerë me malin e Lunxhërisë dhe Nemërçkën nga ku lind dielli, në ballafaqim të përhershëm me historinë, e patundur si të ishte vetë pavdekësia (figurë letrare e shkrimtarit I. Kadare për një urë të hekurt, në një shkrim të hershëm për Vietnamin).
U zhdukën qytete dhe qytetërime, u ndërruan regjime dhe qeveri, por ajo mbijetoi. Për statusin, mbijetesën dhe të ardhmen e saj dha ndihmesë të veçantë I. Kadareja, që është propaganduesi më i shquar i Gjirokastrës përtej kufijve dhe një arsye më tepër që nesër dikush, vendas apo i huaj, të shkojë e ta vizitojë Gjirokastrën, vendlindjen e tij.
Rindërtimi i shtëpisë, me mure dhe çati, është kryer përfundimisht. Tani pritet kthimi së brendshmi në identitet dhe bërja funksionale për vizitorët, si shtëpi-muze. Ecuria e saj drejt statusit të ri ishte e vështirë, me disa ngërçe të zgjatura. Në Gjirokastër në fëmijërinë e autorit (dhe timen) ishte e njohur loja “ngriva-shkriva”. Kështu ndodhi edhe me fazat e punimeve dhe përfundimin e restaurimit të kësaj shtëpie historike.
Shkrimtari kishte të drejtë të kërkonte mbajtjen e premtimit, zbatimin e projektit sipas radhës. Mund të kishte zbrazur me sarkazëm mllefin e tij: “Këta pushtetarët e rinj dinë vetëm korrupsionin”, por u përmbajt dhe priti me durim. “Unë ia kam falur qytetit, bashkisë, prej kohësh” mund të përsërisë edhe tani që shtëpia e rindërtuar po kthehet në muze.
Shkrimtari thotë se për shtëpinë ka patur fotografi me të cilat u këshilluan specialistët. Specialisti që iu qep shtëpisë qysh kur ajo ishte e pashkatërruar, është arkitekti Agron. Qysh student në vitin e fundit të Inxhinierisë, ai bëri skicën e ndërtesës. Dy vite më pas, në vitin 1970 ai paraqiti një projekt për rimëkëmbjen e saj, projekt që u miratua nga instanca e lartë partiake e Rrethit, por pastaj hasi pengesa.
Dhe u desh vitit 1996, kur Ministri Ylli Pango i hapi dritën jeshile projektit. Agroni kujton ata që u kujdesën për përshpejtimin e punëve, midis të cilëve edhe ministren Mirela Kumbaro. Dita e përurimit të shtëpisë së shkrimtarit i ngjan një dite dasme gjirokastrtite e më gjerë. Erdhi dita që edhe ai të gëzojë midis banorëve, dashamirëve dhe miqve të ardhur nga brenga e jashtë vendit. Përurimin e shtëpisë e mendoj si një ditë festive, si natën e dasmës, kur dhëndri shkon e fle me nusen. Natën e parë në këtë shtëpi të flejë shkrimtari (nëse do ta shikojë me vend e do të mund ta zerë gjumi…), mbi mindertet me velenxa e qëndisma, sepse krevat nuk do të ketë.
Shkrimtari e cilësoi Gjirokastrën si qytet me dy kështjella. Shtojmë edhe një të tretë: shtëpinë e tij të re, një minikështjellë e kulturës, e qytetërimit, që mban emrin e tij. Një shtëpi përmendore, që, më tepër për të huajt, ka hijen e një faltoreje.
***
I. Kadare nuk ka botuar veçmas e posaçërisht një libër me kujtime për vendlindjen. Mund të themi se thesari i kujtimeve është investuar së pari në veprën e tij letrare ose shkrime me karakter letrar e kronikal njëherësh. Kujtimet dhe mbresat e fëmijërisë dhe të rinisë janë bërthama dhe majaja e tyre. E, ndonëse shpesh ngushtësisht vetiake dhe me subjektivitetin e natyrshëm, ato janë mbresëlënëse dhe imponuese deri në shkallën e një dëshmie të mirëfilltë kronikale, dokumentare.
Dëshiroj të përcjell tek lexuesi ndonjë hollësi e mbresë timen modeste lidhur me shkrimtarin dhe Gjirokastrën: Një herë, të parën, e pashë të qëndronte mendueshëm te Qafa e Pazarit. Aty nga viti 1964-1965, teksa vijonte të mbante lidhjet me qytetin, I. Kadare lozte shah mbasditeve në mjedis të ngushtë afër derës, në katin përdhes të shtëpisë së kulturës, tek Bregu i Ciut, (ndërtesë dykatshe me gur të gdhendur, e cila u shemb për t’i hapur vend përmendores gjigande të E. Hoxhës në vitin 1988, ndërtesë që më pas, më 1991, gjithashtu u shemb nga të rrebeluarit). Më kujtohen prej atje dy prej shahistëve me të cilët luante shkrimtari: gjeologu gjirokastrit Dhori Kote dhe poeti mirditor Gjokë Beci. Pastaj mësuesi i letërsisë në gjimnazin tonë, Agim Shehu, na e solli shkrimtarin në një takim me anëtarët e rrethit letrar. Në mos gaboj, ai erdhi një herë me Dhimitër Xhuvanin. Me pjesë nga krijimet e tij (poezia “Atdheu” dhe poema “Ëndërr industriale”, fragmente) nxënës, mora pjesë në një konkurs lokal recituesish, ku vendin i parë iu dha mësuesit nga fshati “Asim Ζeneli”, Delo Serjanit, i cili recitoi disa pjesë nga poema “Përse mendohen këto male” e I. Kadaresë, e freskët, botuar në gazetën “Zëri i popullit”.
Në një tetor festivali, ndoshta më 1973, në sheshin përpara hotel Turizmit (“Çajupi”) të Gjirokastrës, piktori Foto Stamo, ardhur nga Tirana, po punonte një peisazh me kalanë në qendër. I. Kadareja, përpara përmendores së Çerçizit, i sugjeroi që mbi kala qielli të bëhej i kaltër dhe jo pa ngjyrë e i zymtë. Mesazhi antiklishe i I. Kadaresë sugjeronte që t’i largohemi Bastijës dhe të çelim një dritësore, të vëmë në dyshim jetëgjatësinë e çdo lloj bastije. (Ngjan se Bastija franceze ka pjellë në shqipe fjalën bastisje…). Sugjerimi i shkrimratarit nuk u muar parasysh, ndoshta u quajt si shkelje e kanunit artistik, të cenimit të integritetit konceptuar klasik të objektit.
Dikur, kur u shpreh shqetësimi se pallati i madh i banimit në zemër të lagjes Palorto në Gjirokastër cënonte fizionominë e qytetit dhe traditën ndërtimore, I. Kadareja tha se kjo nuk është ndonjë gabim i madh dhe shtoi se thyerje të tilla në Stokholm apo Kopenhagen bëhen enkas: ruhet qendra e vjetër tradicionale, por bëhen edhe operime modernizuese në pjesë të ndryshme të qytetit kryeqytet. Këtu a në një rast tjetër, shkrimtari përmendi arkitektin me famë botërore Korbyze.
Piktori veteran Stavri Çati kujton se si dyzet vite më parë I. Kadareja i bëri vërejtje dashamire për punimin e diplomës, Punimi kishte në qendër figurën e Argjirosë. Ai i sugjeroi autorit që të studjonte rreth saj, në mënyrë që figura të dilte më e pranueshme nga ana e paraqitjes.
Të tilla sugjerime ose vërejtje aspak qejfbërëse shkrimtari u ka shprehur jo pak talenteve që i janë afruar me synim njohje dhe përkrahje. Nuk del kund se ai ka refuzuar të ndihmojë, aq më pak të pengojë ndonjë talent të ri. Thanas Dino, në librin “Prej kohe”, bot. 2015, shprehet me mirënjohje se fjalën e fundit për emërimin e tij në gazetën qendrore e dha I. Kadareja. Mund të ketë edhe ndonjë rast kur shkrimtari nuk e ka harxhuar fjalën e tij me peshë. Dhe nuk mund të quhet pengim qëndrimi kritik nga krijimeve konkrete dhe mosinkurajimi i të patalentuarve.
Me korrektësinë që e karakterizon, pasi lexoi librin e një autori gjirokastrit, shkrimtari iu drejtua me një letër, ku i kërkonte ta lejonte të përdorte në një libër të vetin një episod që kishte lexuar prej tij. Dhe autori pa mëtime të posaçme letrare e miratoi me kënaqësi kërkesën e shkrimtarit të shquar, bashkëqytetar e, sipas gjasash, edhe me afëri farefisnie.
Për vlerat e veçanta krijuese, por edhe për këto qëndrime I. Kadareja ka patur edhe dashamirë e adhurues. “Adhurimi për Ismail Kadarenë ishte një pjesë e natyrshme për gjithë rininë krijuese të asaj kohe, por edhe me komentet e tij (të mësuesit të lëndës, F.M.).na ndihmoi të gjenim dhe më lehtë farin në detin e errët e të mjegullt”. (Th. Dino, libri i cituar, f. 69).
Dhe dalim tek pyetja e shumëkujt: A është megaloman Ismail Kadareja? A ka tek ai shenja fodullëku si ato që qorton e fshikullon vetë më se një herë? Për mendjemadhësinë e supozuar shkrimtari flet vetë në romanin “Kukulla”, 2015, dhe për “mikrobin” e sëmundjen e mendjemadhësisë, për të cilën e qortonin në mjedis dhe e paragjykonte edhe nëna, sipas së cilës “fama dhe mendjemadhësia ishin e njëjta gjë”.
Por po sjell karakterizimin e përkthyesit rumun të I. Kadaresë, Marius Dobresku botuar në “Koha javore”, shtator 2002: “Kadareja është një njeri i thjeshtë dhe shumë i dashur, por nga ana tjetër, një nga mendimtarët më të thellë dhe më modernë që ka Europa”.
Disa herë shkrimtari besdiset nga prania e njerëzve të rastit, nuk dëshiron të përzihet me këdo, por nuk humbet rastin të mësojë sa më tepër, duke marrë shkas edhe nga hollësi në dukje pa rëndësi. Natyrisht, lexuesit dhe njerëzit në përgjithësi do të dëshironin një Ismail më të përzemërt në komunikim, por i tillë është ai: flegmatik, me një frtohtësi të jashtme, që përplotësohet nga zjarrmia e brendshme e krijimit. Është e lehtë të qëmtosh nëpër librat apo intervistat e I. Kadaresë, për të përvijuar portretin e tij si shkrimtar dhe si qytetar, por nuk është aq e lehtë të gjesh në mjedisin gjirokastrit dhe gjetkë hollësi të mjaftueshme për ta karakterizuar më gjerë e plotë në rrafshin njerëzor.
Shkrimtari ka vizatuar mjaft personazhje reale që njohu e me të cilët e lidhin mjaft ngjarje e kujtime. Po ata ç’thonë dhe si e vlerësojnë? Një pjesë prej tyre e përmendëm gjatë këtij vështrimi. Por ndihet mungesa e një përmbledhje me intervista bërë enkas për ta njohur lexuesit me hollësi me interes për njeriun Kadare.
Do të mund të bëhej një përmbledhje e gjerë me gjirokastritë që e kanë njohur në fëmijëri e më pas, që janë gjallë ose kanë lënë kujtime e shënime të ndryshme. Rrojnë moshatarë, bashkënxënës ose të moshuar që e kanë njohur nga afër autorin. Pak janë intervistuar mësuesit e tij, ose kanë dalë në dritë kujtime e shënime të tyre për të, natyrisht, nëse ekzistojnë, sepse sot nuk jeton asnjë prej tyre.
Në përgjithësi Ismaili nxënës ishte një tip i vetmuar. Gjatë pushimit midis mësimeve ai mënjanohej e gjente një cep për të qëndruar vetëm. Por mendja e tij punonte.
Në pranverën e një viti 2014 në Gjirokastër u ndodh studjuesi Myslym Islami, i cili, në një bisedë, (mësuar nga Thanas Dino, që ishte atje), tregoi për një episod që na jep më kuptojmë më mirë prirjen e talentit të ri, një prirje që e zhvilloi dhe u bë zotëruese në manierën e tij krijuese. Djaloshi vuri re një zhapik në faqen e murit të palestrës dhe u tha të tjerëve: “Një gjarpër! – Ku?!” dhe ata u turrën ta shikojnë e ndoshta ta vrasin, por nuk gjetën gjë, se zhapiku ishte larguar apo strukur diku. Efekti i shakasë nuk ishte i pakët, ndoshta edhe kënaqësia e atij që e shpiku fantazmën e frikshme. Prirja për zmadhim dhe psikoza rrëqethëse u bënë zotëruese në krijimet e mëpasme të djaloshit, që ndoqën njeri – tjetrin.
Nga të fundit që erdhën në Gjirokastër dhe folën për shkrimtarin përpara kameras ishin mjeku Adem Harxhi dhe Krenar Hashorva, të dy bashkënxënës me të. Për inxhinier Krenarin që punonte e drejtonte në Kombinatin e Tekstileve në Berat, në kujtimet e Helenës për periudhën që Ismaili ishte atje, shprehet se “Is thoshte se ishte sekretari i partisë më origjinal që mund të bëhej në gjithë Lindjen. Besnik në shoqëri, liberal në gjithçka. Ai ishte tip shumë i gëzueshëm, që entuziazmohej shpejt për çdo gjë”, (Helena Kadare, Kohë e pamajaftueshme, f. 161). Megjithatë, inxhinieri ndihej më tepër krenar për shokun se sa për veten dhe emrin që mban.
Dikush kujton se si në një veprimtari kulturore mbasdite në palestrën e shkollës nxënësit, i punuan një reng mësuesit Fotaq Kekezi, kur ky dërgoi një nxënës t’i blente dy pasta. Pastat ia blenë me krem. Mësuesi i hëngri me nxitim, por nxënësit i hapën dritat më shpejt nga ç’e pandehte mësuesi, që të dukej i latyrosur me krem. Në këtë reng kishte pjesën e vet edhe Malua i vogël, që o orvat ta “ëmbëlsojë” mësuesin simpatik. Një bashkënxënës i shkrimtarit, mësuesi Thanas Hoda, që ndodhet në SHBA, kujton se si bashkënxënësit shkrimtarin e ardhshëm e thërrisnin miqësish Zaçe. (Thanas Hoda ka shkruar librin “Rrugët e jetës më shpien në Labovë”).
Shkrimtari Sulejman Mato kujton se si shumë vite më vonë u njoh nga afër me Ismail Kadarenë, kur Ismaili dhe Dritëroi vinin shpesh në mbrëmjet e vallzimit, të studentëve, pasi në kursin e Sulës kishin të dashurat e tyre, Helenën, Ismaili dhe Sadijen, Driteroi. “Gratë e dy poetëve të cilët do të bëheshin dy shkrimtarët më të shquar të vendit dhe më popullorë”, përfundon ai. Mësuesja Donika Beqiri më tha se ato vite I. Kadare ka drejtuar edhe rrethin letrar të Institutit, rreth ku bënte pjesë edhe Helena, dhe më përmendi tregimin e parë të botuar të saj, me një titull që lidhej me tavanin, me rozetat ku kishte ngulur vështrimin personazhi, një studente e dashuruar.
Në mënyrë të çuditshme, disi të tërthortë, Gjirokastra ndikoi në jetën intime dhe familjare të autorit. Në vëllimin “Shekulli im” poeti i ri i drejtohej vajzës ruse me vargjet: “Se ti s’ ma dhe mua të huajit plotësisht dashurinë,/ ashtu si retë dëborën e virgjër/ nuk e hedhin mbi tropik,/ po e ruajnë për verinë”. Në atdhe e priste dashuria që i vulosi jetën intime dhe familjare, pa provuar dramën e mosbashkimit ose ndarjes së detyruar për shkak të tiranisë politike, që pasoi. Ajo, nxënëse gjimnazi në Elbasan, vajzë e emancipuar, nisi letërkëmbimin me autorin student në Moskë dhe kjo ishte pikëlidhja për të lidhur përfundimisht fatet e tyre një jetë të tërë. Intervista e mëposhtme, marrë në panairin e parë të librit shqiptar në Gjirokastër, e jep pikërisht nga ky kënd lidhjen e shkrimtarit me vendlindjen.
Intervistë me Helena Kadarenë:
“-Origjina ime është Gjirokastra. Këtë me sa vura re, pak njerëz e dinin në Gjirokastër, të cilët më treguan shtëpinë e njerëzve të babait në lagjen “Varosh”. Mandej u takova edhe me disa kushërinj me mbiemrin e vajzërisë, Gushi. Kur pashë shtëpinë, ndjeva një emocion të madh. Vitet e rinisë dhe fëmijërisë së hershme i kam kaluar në Elbasan, ku im atë punonte si farmacist.
– Ktheheni në Gjirokastër pas një mungese të gjatë. Sipas jush, çfarë ndryshimesh ka pësuar qyteti i origjinës së bashkëshortëve Kadare?
– Ajo që më ka befasuar gjatë gjithë kësaj kohe që Ismaili nuk ka qenë prezent, është dashuria dhe kultura e këtij qyteti. Dashuria njerëzore në radhë të parë. E shikoja në sytë e njerëzve në takimet e shumta që kemi patur. Gjirokastritët rrezatojnë një lloj fisnikërie.
– A mendoni se ky qytet në pamjen e jashtme i ka ruajtur vlerat muzeale?
– Para së gjithash do të doja t’ju sillja një kujtim për rrugët, i cili më lindi duke shëtitur sot në këtë qytet. Kur Ismaili erdhi për herë të parë në Elbasan, gjatë gjithë mbrëmjes ai hapi disa fletë dhe filloi të më shpjegonte se si ishte qyteti dhe kryesisht shtëpia e tij. Ne jetonim në një nga lagjet e vjetra të Elbasanit, që ishte kështu me gurë dhe kalldrëm, si Gjirokastra. Ismailit, duke shëtitur në ato kalldrëme gjatë ditës, iu kujtua qyteti i tij. Unë akoma nuk e kisha parë Gjirokastrën dhe gjatë mbrëmjes më tregonte: “…ja si është shtëpia, ja si është stera”. Vite më vonë ato do t’i përshkruante tek libri “Kronikë në gur”. Unë isha me përshtypjet që ai më kishte treguar dhe në imagjinatën time ky qytet ishte shumë më fantastik.
Para disa vitesh, kur u zhvillua Festivali Folklorik, patëm mundësinë të bënim një shëtitje të shkurtër. Nuk arritëm të futeshim në shtëpi, por duke e parë nga jashtë, nuk m’u duk aq e çuditshme dhe e mrekullueshme, sa e kisha unë në imagjinatë, Ismaili më tha: “O po kështu duket nga rruga, duhet të futesh brenda, që ta kuptosh gjithë çudinë e kësaj shtëpie”. Në vizitën e fundit, kaluam në rrugën para gjimnazit dhe tek “Sokaku i të Marrëve”.
Ishte një mrekulli. U futëm brenda, megjithëse shtëpia ishte e shkatërruar e në ndërtim e sipër. Arkitekti po i tregonte Ismailit maketën dhe projektin e rindërtimit. Ismaili i sugjeronte disa elementë të origjinalitetit, nisur nga kujtimet që ai i ruante nga fëmijëria. Atë ditë maji kur bëmë një shëtitje tek “Sokaku i të Marrëve”, unë prisja çfarë çudirash do të kishte. “Do të ishte më interesante kjo shëtitje në qoftë se dita do të ishte e vrenjtur”, tha Ismaili. Por mua edhe kështu më ngjan e madhërishme e mjaft e bukur.
Hymë në shtëpitë gjirokastrite, që nga jashtë dukeshin të zakonshme. Më mahniti çasti kur hapeshin dyert, dukeshin sikur prisnin mysafirë. Njerëzit e prisnin Ismailin me shumë dashuri. Plakat, komshijet e dikurshme, i flisnin për prindërit e tij. Kemi shkuar edhe në shtëpinë e Kako Pinos, një nga personazhet e tij të dashura. Arrita të shikoj nga dera e hapur atë mrekulli pastërtie, që është aq e njohur për gjirokastritët.
Këtë e kam parë tek gjyshja, tek hallat e mia gjirokastrite. Jo vetëm nga familja e babait, por edhe në shtëpinë e Ismailit kur hyra si nuse, flitej me të njëjtin kolorit. E njoh dhe më jep emocion kjo lloj gjuhe. Çdo gjë ishte kaq e rregullt, e sistemuar bukur, deri edhe lulet mbjellë midis gurëve. Kjo më ka prekur jashtëzakonisht. Më mahniti arkitektura, pastërtia, thjeshtësia e njerëzve. Boll të hidhje sytë nga një portë dhe të ndjeje ngrohtësinë e tyre”.
Intervista e mëposhtme marrë në panairin e parë të librit shqiptar në Gjirokastër, intervistoi Agron Alibali
“Në takimin dhe bisedën në Athinë, në janar 2007, Helena Kadare më tha se edhe origjina e saj është nga Gjirokastra, nga Gushot e “Varoshit”. Helena ka lindur në Fier në vitin 1943. Pra, fati e solli që gjirokastriti Ismail të martohej e lidhte jetën me larg – gjirokastriten Elena. U bashkua ashpërsia e gurit të Gjirokastrës me butësinë e dheut së Myzeqesë. Midis surprizave për Helenën si nuse në Gjirokastër është edhe hollësia që përmend I. Kadareja në librin “Mëngjeset në kafe Ronstand”, nëntor 2014: “Një këngë e vjetër dasme gjirokastrite, që ia mori për ta mirëseardhur Helenën grupi karakteristik polifonik i qytetit. Ishte kënga që i mungoi kur u martua, ditën që hyri nuse në shtëpinë e Kadarenjve në Tiranë. “Njerëzit shpejtuan nëpër shkallë për të parë ç’ndodhte. Pamja ishte më shumë se tronditëse. Në mesoren e madhe të katit të dytë një radhë burrash me fustanella rreshtuar në një gjysmë rrethi solemn, këndonin gjëmueshëm një këngë të vjetër dasme.
Helena kishte ngrirë përpara tyre, si e zënë robinë.
Kënga këndohej për të. Ishte një këngë e famshme gjirokastrite, më e vjetra ndoshta e gjithë këngëve të dasmës dhe nusja ishte ajo. Nuse, ku kalle këmbët,.të rënçin dhëmbët. Me fjalë të tjera, këtu ku hyre do të rrish deri në fund të jetës.
Sytë e kënduesve, të errët, nuk i ndaheshin.
Kishte vonuar kaq vite, por më në fund kishte mbërritur. (Gazeta “Shqiptarja. com”, 16 nëntor 2014).
Vura re se Helena e do Gjirokastrën, e përjeton si diçka intime, pavarësisht se nuk jetoi e ndoshta nuk do të mund të jetojë në të. Ndoshta u përpoq që nga nëna apo motra e Ismailit, Kadria, të mësojë kuzhinën gjirokastrite, të gatuajë gjellë me të cilat bashkëshorti i saj u mësua që në fëmijëri. E krahas kësaj të kuptojë e bindet se gjirokastritët janë ca të sertë: kënaqen edhe me pak, veç të ajo të jetë e gatuar me shije dhe dashuri. Gjithsesi, një dëshirë e pashprehur e saj është që në shtëpinë e rindërtuar të bashkëshortit, një ditë ajo të gatuajë një tavë Elbasani”
***
I. Kadare vinte nga një qytet me pamje impozante dhe monumentale, një monumentalitet më tepër i jashtëm, i cili, po të ishte e mundur, të mënjanohej a të flijohej në emër të një jete më të mirë, më komode, më fushore…, më bashkëkohore për banuesit e saj…Që muzeale të mbetet vetëm pjesa e vjetër e qytetit dhe aspak njerëzit e rinj të tij.
Shumë janë shkruar për veprën e I. Kadaresë. Janë shkruar shumë edhe nga ata që nuk e kanë njohur nga afër shkrimtarin dhe Gjirokastrën. Dhe gjërat, më mirë se studjuesit e kritikët, i ka ndriçuar vetë autori. Krijuesit gjirokastritë kanë shprehur herë pas here vlerësimin dhe admirimin për shkrimtarin e shquar, por edhe janë frymëzuar e kanë mësuar prej tij. Kronika e veprimtarive kulturore në Gjirokastër është e pasur krahasuar me rrethet e tjera të Jugut, ndonse jo sa do të dëshirohej. Letrarët dhe intelektualët gjirokastritë, një pjesë ishin nismëtarë të disa veprimtarive kushtuar bashkëqytetarit të tyre të shquar. Ishin dashamirët dhe vlerësuesit e veprës së tij përpara dhe pas viteve ’90.
Në Gjirokastër, me nismën e poetit Sadik Bejko, u krijua shoqata “Miqtë e Kadaresë”, që pastaj kaloi në drejtimin e shkrimtarit Thanas Dino. U krijua edhe shoqata “Kadare – Elitis”, e cila zhvilloi ndonjë veprimtari edhe për Jorgo Seferisin e autorë të tjerë të shquar grekë. Kurse në Athinë janar 2007 u krijua shoqata “Kazanzaqis – Kadare”, që gjithashtu bëri ndonjë veprimtari brenda profilit të vet.
Më 1986, në Gjirokastër ishte festuar pesëdhjetëvjetori i shkrimtarit, ku asistoi edhe shkrimtari, duke ardhur rastësisht nga Saranda. Që atëherë nisën në të vërtetë veprimtaritë që morën emrin “Ditëlindjet e Kadaresë”.
Ndër veprimtaritë e tjera të shoqatës ishte festimi i 55 – vjetorit të lindjes së shkrimtarit, në janar 1991. Erdhi për ta nderuar edhe ish-Ministri i Kulturës, shkrimtari Vath Koreshi.
Në fillim të vitit 2003 u festua në Gjirokastër 67 – vjetori i Kadaresë, ku bashkëpunëtorë dhe miq, intelektualë, pedagogë të Universitetit “Eqerem Çabej” e të ftuar të tjerë, e uruan shkrimtarin nga qytetit i tij i lindjes, nga lokali piktoresk “Fantazia”.
Në prag të 70 – vjetorit të lindjes së shkrimtarit, në Gjirokastër u përurua Libraria Ndërkombëtare “Ismail Kadare”. Dy vjet më vonë një librari e tillë u hap edhe në qendër të Tiranës. Në vitin 2006 në Universitetin e Gjirokastrës u organizua një simpozium shkencor për veprën e I. Kadaresë, ku morën pjesë mjaft firma të njohura në fushën e studimeve letrare, por edhe të rinj. Në pranverën e vitit 2010 në Gjirokastër, me nismën e shoqatës “Pegasi” dhe në kuadrin e veprimtarive kushtuar poezisë, u përgatit një mbrëmje letrare me krijimtarinë e Ismail Kadaresë.
Në Paris në korrik 2006, me nismën e Ilda Marës dhe një grupi gazetarësh, artistësh e studjuesish francezë, u krijua shoqata “Argjiro”. Në qershor 2007 në Paris kjo vajzë 25 vjeçare shqiptare, që studjonte për teori arti, përshtati për skenë novelën “Kush e solli Doruntinën”, përkthyer në frëngjishte nga Jusuf Vrioni. Dhe në gushto-vjeshtën e vitit 2007 në Gjirokastër erdhi nga Parisi një grup teatror të rinjsh, i cili shfaqi në kalanë e Gjirokastrës dramën “Doruntina”, sipas novelës së përmendur.
Shfaqja në kalanë e Gjirokastrës ishte një mesazh që atdheu i dytë i dërgoi autorit në vendlindjen e tij. Në fund të qershorit të vitit 2012 në kalanë e Gjirokastrës u zhvillua edicioni i gjashtë i Festivalit “Takime muzikore të dy botëve”, pjesëmarrës nga Shqipërisë, Europa dhe Amerika. Më pas një specialist i kulturës italiane solli dhe hapi në kala një ekspozitë me shpikjet gjeniale të Leonardo Da Vinçit.
Në belvederen në qendër të kalasë, midis topave mesjetarë dhe gjyleve të mëdha nëpër këmbët e tyre, qëndroi muziktari francez Jonatan Barre, që kompozoi një pjesë për Gjirokastrën, me të cilën ai dhe familja e tij muzikore dëshirojnë të japin një koncert pikërisht në kalanë që iu bë edhe djep arti.
Nga viti 2006 deri në vjeshtën e vitit 2012 njerëzit italianë të kulturës, përfshirë dhe arekologët, kanë dhënë në teatrin romak të Adrianopolit disa veprimtari kulturore – muzikore. E fundit, titulluar “Në Gjurmët e Adrianit”, ishte një veprimtari ku përfshiheshin vargje të I. Kadaresë, eseja për Danten dhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë në veprën letrare të I. Kadaresë. (Për shkak të motit me shi, koncerti u dha në kinoteatrin e qytetit). Dhe në maj të vitit 2015, me disa muaj vonesë, u zhvillua me sukses Festivali më i ri Foklorik Kombëtar.
Në vjeshtën e vitit 2006, në kuadrin e Veprimtarive të Trashëgimisë Kulturore, piktori gjirokastrit Bashkim Ahmeti, ardhur posaçërisht nga Amerika, hapi një ekspozitë me 60 punime, midis të cilave një pjesë me motive nga vepra letrare e I. Kadaresë dhe pasqyrimi i Gjirokastrës në të. Kurse në nëntor të vitit 2015, një tjetër talent gjirokastrit, gati i panjohur, Edi Kojani, banues në Vlorë, hapi në galerinë e arteve figurative në kala ekspozitën vetiake me 46 punime, ku në ballë të saj vendosi një reliev të madh me emblemë portretin e shkrimtarit të shquar.
Shumëkush përpiqet të thotë një fjalë për shkrimtarin që u takon të gjithëve.
“Gjëmim që gjëmon në botë” e cilëson atë kënga popullore me tekst të poetit dhe humoristit nga Zagoria, Jorgo Telo, të cilën e këndoi grupi i fëmijve i qytetit.
Deri edhe fëmijët, fillestarët, e bëjnë portretin e tij. Këtë e vumë re edhe më 2 Qershor, kur, në sheshin përpara shtëpisë së Ficove, dyzet metra larg shtëpisë së shkrimtarët, u hap një ekspozitë e arteve figurative.
Në Bibliotekën e Bashkisë së Rrethit dhe në bibliotekën e Universiteti të Gjirokastrës mësuam se I. Kadareja është shkrimtari mjaft më i lexuar. Dhe nuk mund të ndodhë ndryshe, sepse lexuesit e shumtë dhe të rinj gjejnë në veprën e tij edhe Artin, edhe Gjirokastrën.
Nuk janë të paktë miqtë dhe dashamirët e shkrimtarit edhe nga zona e minoritetit etnik grek në Shqipëri, që ia lexojnë librat në origjinal, edhe të përkthyer, disa dhjetra, në gjuhën greke. Me rastin e vizitës së I. Κadaresë në Athinë në janar 2007, dy librat e tij të rinj qëndruan një muaj rresht midis dhjetë librave më të shitur. Për këtë dhanë ndihmesën e vet edhe emigrantët. Ditën e dytë të vizitës së tij në Athinë shkrimtari hodhi firmën në dhjetra libra që blenë emigrantët shqiptarë në mjediset e librarisë “Ianos”. Me vizitën e I. Κadaresë në Athinë në janar 2007, dy librat e tij të rinj qëndruan një muaj rresht midis dhjetë librave më të shitur. Për këtë dhanë ndihmesën e vet edhe emigrantët. Ditën e dytë të vizitës së tij në Athinë shkrimtari hodhi firmën në dhjetra libra që blenë emigrantët shqiptarë në mjediset e librarisë “Ianos”.
RRUGA DREJT ÇMIMIT TË MADH
“Shenja të veçanta s’ ka”, shkruhej dikur në pasaportën e qytetarëve. I tillë ngjante edhe fëmija Ismail, jo enfante terrible, që thonë francezët. Ky fëmijë i urtë u rrit dhe fitoi titullin e shkrimtarit jo të zakonshëm të vendit, rajonit të Ballkanit, Europës. Ishte disa herë kandidat për Çmimin “Nobel” në Letërsi, prej dhjetra vitesh vazhdimisht në listën paraeliminatore. Konkuroi me emrat më të shquar të letërsisë botërore, gjithsej 18 në listën e çmimit presitigjioz “Man Booker International”, në Skoci, midis tyre edhe nobelistë si Gabriel Markes e Gunter Grass dhe triumfoi mbi ta.
Fitoi fitoi mjaft çmime brenda e jashtë vendit, që ishin si shkallë drejt këtij çmimi, por nuk e ngjiti të fundit. Nuk po futemi në pse-të, ndoshta edhe vetë autori u mërzit nga odiseada për të. Dhe ka zëra se do t’i bënte nder Kadareja Nobelit dhe jo Nobeli Kadaresë. Së fundi, sipas diplomatit Bashkim Zeneli, mësojmë se nobelisti gjerman Gunter Grass, në vitin 2001, ishte rebeluar pse I. Kadareja, një shkrimtar, sipas tij, i madh dhe i njohur, nuk po e merrte çmimin Nobel dhe pengesë për këtë qenkish bërë edhe përfaqësuesi i shtetit shqiptar, amabasador, gjirokastrit.
Sipas pohimeve të autorit në Gjirokastër në nëntor 2008, me rastin e përurimit të shtëpisë së rindërtuar dhe sipas intervistës televizive me gazetarin Ardi Krasta, në vitin 1994 ambasadori shqiptar në Suedi, gjirokastriti Bardhyl Kokalari, paraqiti kërkesë me shkrim ndaj komitetit për Çmimin Nobel, që ky çmim të mos i jepet Ismail Kadaresë. (“Gazeta shqiptare”, 17 nëntor 2008). Shigjeta të idhta i vijnë shkrimtarit edhe nga shqiptaro-amerikani Gerti Kokalari, me prejardhje nga Gjirokastra, i cili e padit shkrimtarin për shërbime ndaj regjimit komunist dhe gati e injoron si shkrimtar me vlerë. Janë me qindra letra të bashkatdhetarëve drejtuar komisionit të çmimit të madh, që Kadareja të mos e marrë atë çmim. Ndoshta është bindja, pra, dhe e drejta e tyre. Por përse ajo fushatë e paparë dhe e padëgjuar, kur bota bën të kundërtën?
Megjithatë, shkrimtari nuk i njëson ata me popullin, flet dhe shkruan për popullin e vet, duke u bërë shpesh avokat deri edhe tribun i kombit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Çmimi Nobel në Letërsi lakmohet e cilësohet si maja më e lartë për një shkrimtar. Akademia Franceze e ka propozuar disa herë me kërkesë zyrtare Akademisë Suedeze, shkrimtarin shqiptar (dhe jo një francez në vend të tij) për këtë titull. Çmimi i Madh pati një kosto tepër të madhe për autorin.
Me gjithë vlerësimin e pamjatueshëm , prestigji i tij si shkrimtar është bash sikur e ka marrë atë çmim.
Në shtator 2013, shkrimtari me bashkëshorten Helenë bëri një vizitë në shtetin e Kosovës, ku u prit nga Presidentja Atifete Jahjaga. Duke i uruar mirëseardhjen në Kosovë dhe duke e përgëzuar për marrjen e çmimit ndërkombëtar “Ali Podrimja”, Presidentja Jahjaga theksoi se kjo vizitë është një nder i madh për gjithë Kosovën. Sipas Jahjagës, Kadare vazhdon t’i frymëzojë gjeneratat shqiptare me veprat e tij. Nga njoftimi i Presidencës mësojmë se në një bisedë shumë miqësore, Presidentja Jahjaga dhe shkrimtari Ismail Kadare biseduan për çështje të ndryshme politike, shoqërore e kulturore dhe për proceset demokratike nëpër të cilat po ecën Kosova.
Kadareja, që ka dhënë shumë me mënyrën e vet, nuk ka përgjegjësi dhe faj për këtë. Nuk mund të përgjigjet për moskujdesjen dhe mosndërtimin e dhjetra shtëpive që u kthyen e po kthehen në rrënoja. Madje ishte gati i pafuqishëm edhe për rehabilitimin sa më shpejt të shtëpisë së vet, siç iu premtua disa here. Dhe ka përfituar nga Gjirokastra pothuajse vetëm lëndën e parë për ngrehinën e vet letrare, me të cilën u ka shërbyer masave të gjera njerëzore. Dhe dua të besoj se qëndrimi zvarritës ndaj restaurimit shpejt të shtëpisë nuk është hakmarrje e qytetit për “birin plangprishës”.
Nga bashkëbisedimi me inxhinierin gjirokastrit Shpëtim Emiri në dhjetor të vitit 2015, shkëpus një pjesë: “Gjirokastra, edhe me mëtimin se shkrimtari nuk bëri këtë dhe atë për vendlindjen, mund të krijojë çfarëdo defiçiti apo mungese, me përjashtim të përqindjes së të marrëve ndaj gjithë popullsisë. Ky fakt i zmadhuar bëhet tronditës, por ndoshta mund të ndikojë pozitivisht që t’i jepet Kadaresë Çmimi Nobel në Letërsi, madje, edhe Çmimi i Paqes e ndonjë tjetër çmim, sepse bota, komisionet e vlerësimit do t’i thërresin mendjes e do të thonë: – Prit ore! Shikoni çka krijuar ky gjeni në mes të të marrëve! – Pra, lartësia marramendëse letrare e veprës letrare të Kadaresë rrietet njëherazi po t’i shtohet edhe thellësia nga ku ka shkruar, nga ku fillon vargmali i tij”.
Një gjë është e vërtetë: Sipas pronarëve të shtëpive të vjetra, që ishin kritikë të kohës së komunizmit dhe nuk mburreshin me Enverin e lindur në qytetin e tyre, thoshnin se që nga koha e Enverit, partitë kanë bërë tepër pak.
NË GJIROKASTRËN E KOHËS MË TË RE
Gjirokastra është qytet i vështirë, ku gjërat ndryshonin e ndryshojnë ngadalë, thua se ecurinë e pengon vetë terreni i aksidentuar e ngushtësia e rrugëve. Dhe, si një përplotësim ndaj tyre, të rinjtë gjirokastitë jo rrallë, jashtë Gjirokastrës, kanë marrë dhe marrin një vrull të habitshëm. Shembulli i I. Kadaresë është për këtë më kuptimploti. Forcohet prirja për tema të mëdha dhe interesimi për të rejat e shkencës dhe të teknikës. Në një vjershë të vëllimit “Ëndërrimet” (1957) i riu në udhëtim i flet një plake për rolin e teknikës, kurse disa vite më pas, tek “Shekulli im” (1961) flet për “shpejtësinë reaktive” dhe “të vërtetën e tmerrshme të zbërthimit nuklear”. Nuk është pa interes thënia e shkrimtarit në librin “Kukulla”, se dyshoi për nënën e vet, atë grua aq të mbyllur e të heshtur, se në Tiranë, shkonte fshehtazi të shikonte teatër…
Demaskimin e hipokrizisë dhe paraqitjen e zvetënimit moral të provincës, nisur më 1959 me “hoxhën pederast” në majë të xhamisë, shkrimtari e “mbylli” me Hoxhën në majë të piramidës shtetërore e partiake, duke deklaruar, pas rrëzimit të monizmit, se “diktatori i ndritur”, Njëshi, ishte homoseksual (në parathënien e tij për librin e Bashkim Shehut “Vjeshta e ankthit”).
Raportet me E. Hoxhën, midis shkrimtarit dhe politikanit, si bashkëqytetarë, përbëjnë një temë problematike, e cila është diskutuar gjerësisht dhe nuk është vendi të zgjërohemi. Shkrimtari nga koha në kohë kaloi disa faza e pozicionime ndaj Njëshit e dikatatorit gjirokastrit. Në fillim ishte indoktrinimi idelogjik komunist i poetit adoleshent, që zgjati jo pak, për të kaluar në ndonjë kompromis koniunktural, pastaj në aludime mbi karakterin dhe metodat që përdorte Njëshi, dhe, së fundi, në shkurorëzim të plotë dhe “asgjësim” moral të figurës së tij.
***
Përmendëm vlerësimet e shumta, të larta, por edhe disa pozicionime denigruese, nxitur nga prirje politizimi ose thjesht ligësia. Të huajt e ngrenë lart, nuk duan t’ia dinë për dobësi e gjynahe, por kryesisht për vlerat, që tashmë nuk i përkasin vetëm qytetit dhe atdheut të tij. Sepse ajo është e begatë, cilësore, e vetëmjaftueshme për të mbijetuar gjatë. Me kalimin e saj, koha veç ia nxjerr në pah hijeshinë dhe vlerat. E kjo aftësi mbijetese dhe rrezatimi të vazhdueshëm nuk mund të quhet tjetër veçse art.
Vepra e tij i flet botës në afro dyzet e ca gjuhë, studjues e kritikë të mirënjohur merren me të, shtëpi botuese me emër e botojnë, reklamojnë dhe e përhapin.
Në tregimin “Kohë e parasë” përshkruhet peripecia e prodhimit prej dy nxënësve, të monedhave metalike kallpe, pesëlekshe të vjetra. Herët kisha dëgjuar për këtë orvajtje ku nismëtari ishte ai e jo personazh Iliri. Ismaili i derdhte ato me kallaj te kovaçi Qato. (Familja mbante mbiemrin Llane, dhe i biri, Petriti, kishte talent poetik, i pëlqente shumë kabaja me gërnetë dhe ariet nga operat).
Me monedhën e parë kallpe, siç kujton mësuesi i merituar Muzafer Asllani, Ismaili bleu gështenja të pjekura tek shitësi i moshuar në shkallët e Gjimnazit. Por ato gështenja patën shije të hidhur. Sepse nuk vonoi arrestimi bash në orën e mësimit, në palestër, në orën e gjimnastikës, në sy të bashkënxhësëve. “Burgu për burrat është”, thotë një fjalë e e urtë e vjetër gjirokastrite. Por i dënuari me burgim ishte ende fëmijë. Dy-tri ditë burg për një fëmijë rëndojnë shumë, rënduan gjithë jetën në vetëdijen e tij, fëmijës që u rrit me psikozën e grushtit të ligjit mësimdhënës. Nuk mësuam hollësi për reagimin e prindërve dhe të motrës e vëllait ndaj incidentit, por, me siguri, edhe ata i shqetësoi e tronditi.
A ishte derdhja e monedhave diçka që rrezikonte shtetin dhe rendin? Përtej kësaj, na duket simpatike prirja për krijim, që, ndoshta ishte pjesë e talentit të shkrimtarit në një kuadër më të gjerë. Por si reflektoi ai pas atij pësimi? Përgjigjen e jep tërthorazi fshikullimi i personazhit të prozës së gjatë “Ditë kafenesh”, që përgatiteshin të merreshin me falsifikime dokumentesh historike, gjë për të cilën flet në kujtimet e veta edhe Helena Kadare. Duhej të ishte i kujdeshëm, ndaj në në librin e parë, të moshës së adoleshentit, bëri edhe deklarata besnikërie e devotshërie ndaj udhës ku ecte shoqëria dhe brezi i ri.
***
Fëmijë 5 – 6 vjeçar, Ismaili ka dalë fotografi me një qeleshe në kokë. Më pas, në rrugën e vet krijuese, ai mbrojti trashëgimin kulturor dhe historik, ngjyrat e vendit të tij, duke interpretuar dhe shfrytëzuar me mjeshtëri arsenalin artistik dhe estetik të folklorit lokal e mbarëkombëtar, duke kapërcyer etnografizmin klasikegjant dhe facadën.
Është një fotografi e I. Kadaresë në studjo, me një shqiponjë – skulpturë, prej qelqi. Nuk e tepërojmë shumë po të themi se asaj shqiponje ai i kushtoi jetën dhe veprën e vet. Shkaba, sipas përrallës shqiptare, doli nga nëndheu ku kishte rënë, duke ngrënë copa mishi nga djaloshi. Në këtë lidhje e simbolikë nuk është thjesht raporti i njeriut me shtetin, por edhe fati i vështirë në kushte të kundërfavorshme historike.
E gjithë kjo rrugë e gjatë dhe e gjerë e shkrimtarit nisi nga rrugica e ngushtë e vendlindjes së tij. Kur e nisi këtë rrugë, fëmijë, nuk e mendonte se do të shkonte aq larg. Dhe, nga çdo anë që ta marrësh, në themelet e karrierës së tij letrare ka gurë nga Gjirokastra.
Në një ndër poezitë e para që letrari i ri i dërgonte aty nga viti 1950 kryeredaktorit të atëhershëm të gazetës “Pionieri”, gjirokastritit Zihni Reso, ishte dhe vargu “Kush punon, detin e kalon”, që u përmendën në Postën e Redaksisë. Pionieri i letrave shqipe nuk u ligështua edhe pasi në vitet e gjimnazit romani që shkroi me letrarin e ri, përfundoi diku në përrua për shkak të egoizmit dypalësh. Me punë, vendosmëri, talent, dituri e mençuri shkrimtari kaloi edhe detin edhe oqeanin.
Librat e tij janë përkthyer në rreth mbi dyzet gjuhë të botës, në miliona kopje. Disa romane të Kadaresë janë futur në preogramin e letërsisë të shkollë së mesme në Francë. Vepra e tij letrare studjohet në disa universitete të botës. Për të janë bërë dhe bëhen studime edhe nga të huajt. Studjuesi australian Peter Morgan, autori i librit “Shkrimtari dhe diktatura”, shkoi posaçërisht në Gjirokastër dhe vizitoi shtëpinë në rindërtim të I. Kadaresë.
Në Paris autori nga Shqipëria e vogël eci nën Harkun e Triumfit dhe e bëri këtë hark të përulet ndaj tij. Vlerësim të lartë mori edhe në metropolin klasik të letërsisë botërore, në Eladë, ku numri i librave të përkthyera e botuara të shkrimtarit kanë prekur numrin 30. Kurse në Rumani, me punën e palodhur e plot pasion të përkthyesit Mario Dobresku, veprat e botuara atje të I. Kadaresë e kanë kaluar numerikisht 30-ën.
Gjirokastriti fliste dikur për Çanakalanë, Çinmaçinin dhe Filipistunin. E ja, në Kejp Taun të Afrikës së Jugut, në vitin 2003, u nderua me çmim filmi brazilian “Prapa diellit”, me skenar e subjekt të huazuar nga novela “Prilli i thyer” e shkrimtarit shqiptar Ismail Kadare, por që ngjarjet zhvillohen në Brazil.
Por ka edhe më: Mësojmë se në botën arabe, në Egjipt, Irak, etj., ku shkrimtari shqiptar njihet prej disa dekadash me disa romane të tij, doli edhe problemi i cilësisë së përkthimeve, sepse disa bëhen nga anglishtja e disa nga shqipja, etj., pa cilësinë e dëshiruar, ndonjëherë pa lejen e dijeninë e autorit. Kjo ka ndodhur edhe me “Gjeneralin…” e “Kështjellën”, (romani i fundit duke ruajtur titullin “Daullet e shiut”, prej botimit frëngjisht). Përjashtim nga këto dukuri të pakëndshme atje bën Latif Arnauti i Sirisë, me prejardhje shqiptare, e ndonjë tjetër.
Në 46 ka arritur në botë numri i gjuhëve në të cilat janë përkthyer librat e I. Kadaresë, libra që janë shkruar fillimisht të gjitha në gjuhën shqipe, në gjuhën që ai e mësoi dhe foli në vendlindjen e ashpër por edhe bujare, sepse, tok me gjuhën dhe normat e jetesës, ajo i ofroi kaq subjekte dhe pamje, pa të cilat ansambli i tij letrar- artistik nuk do të ishte ai që njohim ne dhe bota.
***
Një nga gjërat me interesante, meritë e veprës së tij letrare, është se përmes Gjirokastres që rikrijon artistikisht Kadareja, të huajt përpiqen të kuptojnë dhe të shpjegojnë Shqipërinë, historinë e saj dhe psikologjinë e popullit shqiptar. Kjo bie në sy pothuajse në të gjitha vlerësimet e tyre. “Në Shqipërinë e Kadaresë, një vend që ka vuajtur nën diktatura të njëpasnjëshme – Perandoria Osmane, fashizmi italian, nazizmi gjerman, komunizmi – vdekja dhe jeta ndajnë skenën e përditshme, në të cilën gënjeshtrat zyrtare dhe pretendimet private kanë ndërtuar një ambient mashtrimi dhe mosbesimi ku asgjë nuk është ashtu siç duket”. (Alberto Manguel për romanin “Darka e gabuar”, Internet). Kjo është përmasa e katërt, “jashtëletrare” e korpusit të tij.
Mund të flitet mjaft për estetikën e krijimit letrare të autorit. Nëse për tragjizmin dhe atmosferën e zymtë është folur gjerësisht, për humorin dhe tonalitetet e tij është folur më pak. Kjo duket edhe në faktin se kinematografia, me përjashtim të ndonjë deliranti apo të dehuri në filmin “Ballëpërballë”, nuk ka kërkuar dhe nuk e ka shfrytëzuar këtë fond e spektër. Shkrimtari niset nga humori i lehtë që lidhet me defektet e rëndomta, stonaturat, disonancat, mospëputhjet midis anës së jashtme dhe thelbit, për të kaluar në grotesk, kur paraqitet absurdja, përçudnimet, denatyrimet, e shëmtuara, çmenduria e një individi, një sistemi apo botës së tërë. Çunaku i dikurshëm ka dashur të ndreqë diçka në realitetin që përjetoi, dëshiroi një drejtpeshim ose bashkëjetesë të pranueshme midis vlerave pozitive dhe negativitetit, por kjo ka qenë tepër e vështirë.
***
Ismail Kadareja i rikthehet Gjirokastrës si bir e qytetar i saj, si misionar i qytetërimit europian. Si jehona që përplaset në horizont dhe i kthehet burimit e amplifikuar.
Shkrimtari u rrit me historinë e qytetit, tani qyteti zgjeron përmasat me historinë e tij.
Vepra letrare e I. Kadaresë mbetet një pasuri e trashëgim me të cilën Gjirokastra mburret dhe e deklaron gjithnjë e më fort.
Pas Luftës së Dytë Botërore në Francë mori hov muzika konkrete, me parimin bazë prodhimin e tingujve jo nga veglat e specializuara por nga objektet e provokuara prej muzikantit. Në qytetin me pak vegla muzikore, ku fyti i këngëtarit popullor zëvendëson instrumentin, shkrimtari mprehu dëgjimin dhe praktikoi aftësinë e krijimit të muzikës së vet konkrete. Siç thotë për veten kompozitori italian Enio (Enriko) Morikone, autor i mëse pesëqint muzikë filmash, ai shkroi atë që dëshironte të dëgjonte. (E në jo pak raste shkrimtari gjirokastrit dëgjoi edhe ato që nuk do të dëshironte t’i dëgjonte…).
Megjithë vështirësitë, mungesat e pengesat, autori ishte nga të rinjtë më me fat. Sepse i realizoi dëshirat vetiake, intelektuale dhe profesionale, më mirë e më me sukses se shumëkush në brezin e vet.
***
“Nuk më çoi liria drejt letërsisë, por letërsia drejt lirisë” (libri “Nga një dhjetor në tjetrin”). Letërsia i dha krahë, letërsisë i dha krahë të ngjiten tok. Të ngjitet, së pari, si njeri i lirë, i lirë për të thënë të vërtetën, për ta mbrojtur atë gjithnjë e më me guxim.
Pëlhura artistike e veprës së I. Kadaresë është e endur me disa fije magjie. Mirëpo këtu autori nuk është i një mendje me ne. Në intervista të ndryshme ai ka deklaruar se nuk i pëlqejnë shprehjet “realizëm magjik” apo “realizëm naiv” dhe as cilësimet “i internuar” apo “kozmopolit”, dhe pohon se është thjesht “një shkrimtar shqiptar që shkruan vepra të cilat ngjallin interesim të përbotshëm”.
Shkrimtari pozicionohet si kritik kategorik ndaj regjimit diktatorial të vendit të tij, në radhët e para për mbrojtjen e të drejtave njerëzore, adhurues i qytetërimit helen dhe qytetar i botës pa kufi.
JEHONA NËPËR BOTË
E gjithë rruga e gjatë dhe e gjerë krijuese dhe jetësore e shkrimtarit nisi nga rrugica e ngushtë e vendlindjes së tij. Kur e nisi këtë rrugë, fëmijë, nuk e mendonte se do të shkonte aq larg. Dhe, nga çdo anë që ta marrësh, në themelet e karrierës së tij letrare ka gurë nga Gjirokastra.

Librat e tij janë përkthyer në rreth dyzet gjuhë të botës, në miliona kopje. Disa romane të Kadaresë janë futur në preogramin e letërsisë të shkollë së mesme në Francë. Vepra e tij letrare studjohet në disa universitete të botës. Për të janë bërë dhe bëhen studime edhe nga të huajt. Studjuesi australian Peter Morgan, autori i librit “Shkrimtari dhe diktatura”, shkoi posaçërisht në Gjirokastër dhe vizitoi shtëpinë në rindërtim të I. Kadaresë.
Në Paris autori nga Shqipëria e vogël eci nën Harkun e Triumfit dhe e bëri këtë hark të përulet ndaj tij. Vlerësim të lartë mori edhe në metropolin klasik të letërsisë botërore, në Eladë, ku librat e përkthyer e të botuar të shkrimtarit ka prekur numrin 30. Kurse në Rumani, me punën e palodhur e plot pasion të përkthyesit Mario Dobresku, veprat e botuara atje të I. Kadaresë e kanë kaluar numerikisht 30-ën.
Gjirokastriti fliste dikur për Çanakalanë, Çinmaçinin dhe Filipistunin. Në revistën “Ekskluzive” dhjetor 2001, f. 102, lexojmë se filmi “Abril Desperocado” (“Prilli i thyer”) me regji të brazilianit Walter Sales u shpall nga Ministria e Kulturës e Brazilit si kandidate për konkursin e filmit më të mirë për çmimin Oskar. Kineasti brazilian e ka zhvendosur subjektin në një krahinë të varfër të Brazilit, për të theksuar atavizmat e dhunës kanunore.
E ja, në Kejp Taun të Afrikës së Jugut, në vitin 2003, filmi brazilian “Prapa diellit”, me skenar e subjekt të huazuar nga novela “Prilli i thyer” u nderua me çmim. Por ka edhe më: Mësojmë se në botën arabe, në Egjipt, Irak, etj., ku shkrimtari shqiptar njihet prej disa dekadash me disa romane të tij, doli edhe problemi i cilësisë së përkthimeve, sepse disa bëhen nga anglishtja e disa nga shqipja, etj., pa cilësinë e dëshiruar, ndonjëherë pa lejen e dijeninë e autorit. Kjo ka ndodhur edhe me “Gjeneralin…” e “Kështjellën” (ky duke ruajtur titullin “Daullet e shiut”, prej botimit frëngjisht). Përjashtim nga këto dukuri të pakëndshme atje bën Latif Arnauti i Sirisë, me prejardhje shqiptare, e ndonjë tjetër.
Në 46 ka arritur në botë numri i gjuhëve në të cilat janë përkthyer librat e I. Kadaresë, libra që janë shkruar fillimisht të gjitha në gjuhën shqipe, në gjuhën që ai e mësoi dhe foli në vendlindjen që, tok me gjuhën dhe normat e jetesës, i ofroi kaq subjekte dhe pamje, pa të cilat ansambli i tij letrar- artistik nuk do të ishte ai që njohim ne dhe bota.

Ismail Kadareja i rikthehet Gjirokastrës si bir e qytetar i saj, si misionar i qytetërimit evropian. Si jehona që përplaset në horizont dhe i kthehet burimit e amplifikuar.
Shkrimtari u rrit me historinë e qytetit, tani qyteti zgjëron përmasat me historinë e tij.

Shkrimtari pozicionohet si kritik kategorik ndaj regjimit diktatorial të vendit të tij, në radhët e para për mbrojtjen e të drejtave njerëzore, adhurues i qytetërimit helen dhe qytetar i botës pa kufi. Kadare e bëri gjuhën frënge të dashur sa dhe gjuha amtare. E flet në biseda, diskutime dhe emisione televizive në Francë. Nisur së mësuari me përkthyesin e shquar Jusuf Vrioni dhe me ndihmën e bashkëshortes, Helenës, e përvetësoi atë si një armë të rëndësishme përkrah rusishtes dhe anglishtes. Gjirokastra ka qenë herët frankofone, por në vitet e gjimnazit, mësimdhënia e saj ishte ndërprerë. Sot shembulli i I. Kadaresë përbën edhe një rivlerësim të gjuhës dhe civilizimit francez.
AFËR DHE LARG VENDLINDJES
Qytetari i botës, I. Kadare ka patur kurdoherë mall të madh për atdheun, të cilin dikur e cilësoi “Betonarmeja e ëndrrave të vjetra dhe të reja”, një atdhe që e plagos përsëri. pikërisht kur nisi të besojë se punët po ecin mirë. Malli spikat që herët përmes brengës së të mërguarve, të syrgjynosurve në Arabistan apo Çanakala, në tymin e një cigare shqiptare që pi një rus (vëllimi “Shekulli im”) dhe dy vjollca që i dërgoi në Moskë një 17 vjeçare nga Elbasani.
Ishte një mall i papërballueshëm, shprehet autorit tek libri “Ftesë në studio”, f. 144). Shumë më vonë malli rishfaqet në anën tjetër të globit, në SHBA, kur gurët e kalldrëmeve të vendlindjes (lexo epilogun e romanit “Kronikë në gur”) i shfaqen befas midis asfaltit të qytetit metropolitan. Kur largua, në shtator 1989, në letrën e tij nga Parisi ai shkruante: “Duke e lënë vendin tim, kam besim se do të kthehem përsëri në të. Kur e them këtë, kam parasysh kthimin jo pas një katastrofe, por pas një demokratizimi të vërtetë”.
Për mijëra ditë tryeza në kafenetë “Le terrassë” dhe “Le Rostand” në Paris, ishte fronti i punës për hedhjen në letër të disa prej veprave më të rëndësishme të tij. Dhe ngjante se, sa më larg atdheut dhe vendlindjes të ndodhej, aq më qartë i shikonte, aq më thellë i kuptonte realitetin shqiptar, dukuritë e tij karakteristike dhe të veçanta. Ndërkaq, dëshira për t’u rikthyer e qëndruar sa më tepër e përfundimisht në Shqipëri, po bëhej e papërballueshme.
Μe përmbysjen e regjimit monist, I. Kadareja u kthye nga Franca, në Shqipëri, në Tiranë. Midis të tjerash, Kadare kujton redaktorin e disa veprave të tij (edhe të novelës sfidë “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”) Sami Çabej, i cili e priti me lot në sy në aeroportin e Rinasit, kur shkrimtari u kthye nga Franca, në maj 1992, në Shqipërinë postdiktatoriale.
Ishin shumë ata që e pritën në aeroport dhe e afruan drejt zemrës.
Kur I. Kadareja mungonte, Shqipërinë e vizitoi poeti dhe bashkëstudenti i tij në Moskë, Evgeni Jeftushenko, të cilin shkrimtari dikur, student, e njohu nga afër. Ai deklaroi: “U trondita kur zbrita në Shqipëri. Pashë një vend ku pasojat e diktaturës mund të krahasohen vetëm me Kamboxhian”.
Ku e ka shtëpinë shkrimtari?
Ja si e përshkruan Corine Lemse më 5 nëntor 1992 në gazetën “Le monde”. Pasi thotë se tabela tek dera e shtëpisë së tij është hequr, ajo pohon: “Adresë?” Zëri në telefon nxjerr një si të qeshur të hidhur. “Jo, Ismail Kadare nuk ka ndonjë adresë të njohur në Tiranë. Tabela u zhduk dhe mëkot të kërkosh adresën e rrugës. U zhdukën si shumë gjëra të tjera që shprehin një identitet, në marrëzinë shkatërrimtare që pushtoi Shqipërinë dimrin e kaluar […] Κadareja banon atje, më siguron një kureshtar i cili përpiqet gjithashtu të ngjitet. Një ndërtesë pa portë hyrje, shumë afër hotel “Tirana” […] Shkrimtari rigjeti apartamentin që kishte lënë më parë. Një tavolinë pune prej druri, një kanape me çmim të lirë, katër baulle të goditura, të cilat i kishte sekuestruar policia politike pas largimit të tij më 1990 dhe policia demokratike ia ktheu. Asgjë nuk mungon, as dorëshkrimet as fotografitë, madje as dy revolverë – relikte familjare”.
Ishte kthyer më 24 shtator 1992, por siç pohonte: “Të gjithë njerëzit kanë probleme. Askush nuk më le të punoj”. Dhe: “Është një paradoks i madh: Unë që përpiqesha të ruaja lirinë time në vitet e diktaturës, rrezikoj ta humbas në demokraci. Si shkrimtar tani duhet të jem më i kujdesshëm”. Afër daljes një qiri është gati të ndizet dhe priret të drejtojë për jashtë vizitorin. Mundet që Ismail Kadareja të mos ketë adresë, por mos kujtoni se ka dhe rrymë elektrike”, (gazeta greke “To vima”, 8 janar 1992). Dhe nga bezdisja prej njerëzve e nga mungesa e disa kushteve elementare të jetesës, shkrimtari u detyrua të kërkojë për krijimtarinë një strehë më të qetë në Europë.
Ku gjendet shkrimtari tani? Megjithëse me kalimin e moshës udhëtimet bëhen të lodhshme e të bezdisshme, ai nuk rri në një vend. Dikur banonte disa qindra metra larg blokut të kuq, më pas bleu një apartament në një shumëkatësh modern që u ngrit në zemër të tij… “Pashallëkut” të I. Kadaresë i është shtuar një vilë në Malin e Robit në plazhin e Durrësit, ku zakonisht rri në stinën e verës. I pëlqen peisazhi, deti i hapur, qetësia dhe ai lloj vetmimi. Adriatiku hapet përpara si një ekran i madh, i gjerë. Valët venë e vinë si mesazhe të një dialogu jetik. (I mungoi aq shumë në fëmijëri deti, kurse tani ka në “dispozicion” edhe oqeanin).
E ka mbartur Gjirokastrën kudo, në çdo moshë, në çdo vend ku ka shkuar, nga Kulla Ejfel, në Akropolin e Athinës, nga stepat ruse (“Muzgu i perëndive të stepës”) te kontinenti aziatik (“Koncert në fund të dimrit”), nga asfaltet e Amerikës (ku shkroi“Vitet e marrëzisë”, në kujtimet dhe intervistat e ndryshme deri vonë. Dhe edhe në vitet e vështira e të turbullta të fundshekullit të kaluar e vizitoi disa herë atë, kërkoi në historinë dhe problematikën e saj.
Gjirokastra ishte dhe mbetet burimi i pazëvendësueshëm për motivet, imazhet dhe psikozat që lakmon muza krijuese e shkrimtarit. Atje ishin dhe vijojnë të rrojnë personazhet dhe tipat me ngjyrimet e papërsëritshme.
KEQKUPTIMET ME LETËRSINË SI ART
Në fund të vitit 2008 Gjirokastra shfaqet edhe një herë përmes sfidës tronditëse të romanit më të ri të autorit, “Darka e gabuar”. Κadareja na jep këtu një Gjirokastër posaçërisht dramatike, barometër të ngjarjeve politike (pushtimi italian, ai gjerman, dhe dhjetëvjeçari i pushtetit komunist), roman që synon një raport të ri me historinë.
Autori iu rikthye Gjirokastrës shesh lufte, për të hedhur një hark drejt epokës që pasoi, për të dënuar, pas krimeve të pushtuesit të huaj por edhe të regjimit diktatorial, “pushtimi i brendshëm”. “Darka e gabuar” përforcoi psikozën e pasigurisë, përpjekjet e stërmundimshme për mbijetesë, çmimin e luftës dhe atë të paqes së përgjakur.
Në romanin “Darka e gabuar” gjejmë parabolën midis natës së kompromisit me pushtuesin, dhe dënimit me vdekje të mjekut e njeriut të nderuar, që i solli aq shërbime qytetit dhe vendit.
Në darkën që shtrojnë doktori dhe autori lëshojnë hije Darka e Makbethit dhe darka mistike e Krishtit me dishepujt. Në këtë roman lexuesit, sidomos ata gjirokastritë, përjetuan emocionet e ditëve të pushtimit nazist dhe atmosferën e tjetërsimit të viteve të paspushtimit.
Diskutime midis qytetarëve gjirokastritë ka patur për figurën e Doktor Gurametos së Madh, duke e përqasur me prototipin, Doktor Vasil Labovitin, kirurgun e shquar. Se ai mbeti figurë e nderuar dhe nuk pati atë fund tragjik që gjejmë në roman. Dekorimi nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe shpallja “Nderi i Gjirokastrës” janë plotësisht reale dhe të merituara për një figurë madhore si ai, për ndihmesën e pashembullt profesionale dhe humanitare, në vitet e vështira dhe më pas. Kur dëgjon se Doktori ka kryer rreth 40.000 operacione dhe ka trajtuar rreth 12.000 luftëtarë të Ushtrisë Demokratike Greke në kuadrin e luftës civile në Greqi, ardhur andej, nuk mund të habitesh nga kjo punë titanike, mbinjerëzore e Doktorit me ndihmësit e tij. Edhe shkrimtari I. Kadare në një intervistë e ka cilësuar Doktorin si më të mirin kirurg të Shqipërisë. Darkë nuk u shtrua dhe as ndonjë fejesë kishte brenda kësaj vizite.
Tjetërsimi i historisë reale nuk ka qenë gjë e e lehtë për shkrimtarin. Se, siç plotëson vetë, “Është e kuptueshme, sepse kur lexon atë që ka ndodhur për qytetin tënd, është traumatike për banorët që jetojne në një qytet të mbyllur, sepse Gjirokastra është e mbyllur”.
Traumatike për lexuesit, banorë të qytetit, ca më tepër shpirtplagosëse për pasardhësit e Doktorit. Si i paraqet ngjarjet autori dhe si ishin ato në realitetin e qytetit të Gjirokastrës dhe të kohës? Sipas të dhënave historike, guerrilët gjirokastritë qëlluan autokolonën gjermane tek Ura e Nanxës, në rrugën që ngjitet për në qendrën e vjetër të qytetit, plagosën disa gjermanë dhe ata drejtuan grykat e topave kundrejt qytetit, por artileria nuk qëlloi. Si kundërpërgjigje, nisën raprezaljet nëpër rrugët dhe shtëpitë e qytetit, kontroll dhe terror në lagjet “Dunavat” dhe “Manalat”; u dëgjua se u arrestuan 200-300 burra e djem, me vendimin të pushkatonin 80 prej tyre. Vendimi do të ishte zbatuar nëse nuk do të kishte ndërhyrë mjeku Vasil Laboviti, Vasili vërtet i Madh, me prejardhje nga Labova e Lunxhërisë. Nga ndërhyrja e Doktorit, u anulua djegia e qytetit dhe minimi i tij.
Te figura e Doktorit kemi njeriun me kurajë qytetare, atdhetar, dhe me besim tek dialogu, sado i egër të jetë kundërshtari. Natyrisht, në suksesin e tij ndihmoi mjaft rastësia, njohja e vjetër me oficerin e ushtrisë pushtuese, se, ndryshe, gjermani nuk falte. Gjithsesi, ishte fat për qytetin, që ai nuk qendroi në Austri, pas studimeve, siç iu ofrua kërkesa dhe mundësitë.
Autori në roman thotë se Dr. Gurametoja ia shtroi darkën komandantit gjerman Frits fon Shvabe, sepse kishin qenë bashkëstudentë në mjekësi, në Vjenë (por oficeri gjerman i ndërpreu studimet). Dihet se personazhi real i foli gjermanisht komandantit gjerman dhe i tha se dhjetra burrat ishin të pafajshëm, kur tre ushtarët gjermanë të plagosur i mjekonte ai në spital, ku ishte edhe drejtor që nga viti 1932. Doktori shpëtoi nga gjermanët, duke shpëtuar edhe dhjetra jetë të banorëve, por më pas, në vitet e Çlirimit, komunistët, na thotë autori, e torturuan Gurameton me veglat kirurgjikale që pati sjellë nga Austria, ku studjoi.
Pas direktivës europinane për të dënuar krimet e Komunitzmit dhe të kërkesës për dekomunistizimin e jetës politike në Shqipëri, shkrimtari e pa të udhës të japë një version e optikë letrare që t’u përgjigjej këtyre. Dhe shkrimtari ka devijuar nga faktet reale, sipas së drejtës së tij për të bërë letërsi dhe ndërtuar subjektin në drejtimin ideor që i ka interesuar. Nëse tjetërsimi i Doktorit si personazh, për banorët që e dinë historinë, është arbitare ose flagrante, për lexuesit që nuk e njohin, sidomos për të huajt, kjo nuk ka rëndësi.
Në roman, tërthorazi, autori, përmes fatit tragjik të Doktorit si viktimë, na thotë se komunizmi ishte më i keq se sa nazizmi. Sot në propagandën perëndimore spikat një lloj prirje për të treguar se komunizmi ishte më i tmerrshëm se nazizmi, por sido që të bëhet, më të tmerrshëm se hitlerianët dhe khmerët e kuq njerëzimi nuk ka parë.
Për hir të së vërtetës, një gjirokastrit me emër, Doktor Omer Nishani, nuk u vra nga dikush, nuk bëri harakiri, por vrau veten me revolverin vetiak. Omer Nishani ishte zgjedhur kryetar i Komitetit Amntifashist Çlirimtar në Kongresin e Përmetit dhe ishte anëtar i shtabit të lartë vendimmarrës. Mësojmë se në ditët e luftës për çlirimin e kryeqytetit Omeri pati një protestë me shkrim ndaj Enver Hoxhës pse ky e la jashtë në diskutimin dhe vendimin për të pranuar pranë shtabit partizan disa krerë të reaksionit a kolaboracionistë që dëftoheshin të penduar dhe pranonin gjykimin politik, me kusht faljen e jetës. Midis tyre ishte gati të shkonte edhe Bahri Omari, por, ka të ngjarë të mos ketë shkuar. Nga sa më sipër, është ky konfliktim dhe cënim i rëndë i personalitetit, që e çoi Omer Nishanin, kur ishte President i Republikës, të vetëvritej.
Për këtë ngjarje është hetuar e shkruar pak, as është thënë se autor moral i saj, si edhe i Nako Spirut, ishte Enver Hoxha. Për Omer Nishanin Gjirokastra flet pak, por flet shumë fakti që emrin e tij e mban spitali i madh i qytetit, spital tashmë rajonal, teksa Omeri ishte me profesion veteriner, kurse për shumë vite përpara dhe pas Çlirimit drejtor i atij spitali ishte Vasil Laboviti, kurse në fillimet, me themelimin e tij, disa vite ishte drejtor i ati, Telemaku. Emrin e kirurgut të mbishquar e mban rruga kryesore e Lagjes Varosh dhe është shpallur edhe “Nderi i Gjirokastrës”, tok me tre figura të tjera, midis tyre, shkrimtari Ismail Kadare. Megjithëse emblema e Doktorit nuk është vendosur, ata tashmë qëndrojnë krahpërkrah…
Megjithëse dy epokat dhe historia ngjajnë të ngjitura me sforcim, konflikti artistik është nga më të egrit që ka paraqitur autori. Romanin “Darka e gabuar”, botuar nga “Metekmio”, Athinë, 2011, studjuesi Pano Ramadani e ka cilësuar – “Një Përrallë Βallkanase”
Në komentin e grekut Ramadani lexojmë:
Vula’ e Kadaresë na shpie shumë prapa, diku nga viti 1943. Në vjeshtë dhe në Gjirokastrën që gjendet nën pushtimin gjerman. Mjeku më i shquar i qytetit, i madhi dhe impozanti doktor Gurameto, do të ftojë komandantin e nazistëve, kolonelin Fric fon Shvabe për darkë, pasi guerrilët e qytetit kishin goditur pararojën e autokolonës gjermane. Qyteti do të ndëshkohej sipas ligjeve të luftës, që s’marrin parasysh nëse qyteti ishte sqimatar, i rrjedhur nga mosha, madhe, i çmendur, (f. 24).
Doktor Gurametoja, i cili fejonte vajzën, e gjeti të udhës të shtronte një banket për ushtrinë pushtuese, me shpresë të zbuste egërsinë dhe ndëshkimin: “Ju pritën me plumba sot në mëngjes tek hyrja e qytetit? Unë, përkundrazi, ju pres me bukë e muzikë”, (f. 32).
Atmosferë ankthi e tmerri, lojë nervash. Lajmi i darkës për kolonelin gjerman jehon çuditshëm në veshët e banorëve, shoqëria vendore tronditet. Një vello misteri shtrihet mbi qytet… Çfarë u tha në atë darkë mistike? Μos kemi të bëjmë me një allishverish të turpshëm tradhtie? Mundet motivi nxitës të jetë atdhetaria… Νdoshta λshtλ fjala pλr njλ lλvizje “tλ errλt” interesi, ose pλr njλ bλmλ “tλ thjeshtλ” njerλzore. Pyetje kλto qλ do tλ mbeten pa pλrgjigje pλr vite me radhλ. Pikλrisht ditλn e nesλrme, njλ grup tλ burgosurish shqiptarλ lirohet, midis tλ cilλve edhe hebreu Jakoel.
Ηλshtja e darkλs rishfaqet nλ jetλn e…“pλrditshme” tλ qytetit disa vite mλ pas, gjatλ periudhλs sλ stalinizmit dhe ekstremizmit politik. Lirimi i rebelλve tλ burgosur dhe veηanrisht i farmacistit hebre, i ηoi disa pλrηorλ tλ partisλ nλ pλrfundimin se Gjirokastra λshtλ qendra e njλ pλrbetimi tλ pλrbotshλm kundλr…Socializmit!
Νjë zgjidhje të gatshme do të japë hetuesi guximtar Shaqo Mezini, i ndihmuar gjithmonë nga fryma e “Babushit”, por edhe nga “zonjat” e partisë!
Përfundimisht, çfarë ndodhi në të vërtetë, gjatë darkës së shumëpërfolur? Μos vallë i ftuari prej mjekut ishte thjesht një i vdekur?
*****
Mënyrë e pazakonshme të shkruari, humor i tmerrshëm, kritikë dhe satirë politike, por mbi të gjitha një rrymësi e zgjuar letrare…Karakterizime që do të mundnin të fotografonin , pa asnjë tepërim, veprën e fundit në prozë të Ismail Kadaresë.
Me sfond fashizmin, antisemitizmin dhe “logjikën” e tjetërsuar të absolutizmit, perëndimor e lindor, Kadareja sajon një histori të pabesueshme, një përrallë ballkanike, që jep ushqim për…shumë mendim”.
Gazeta prestigjioze angleze “The guardian”(cituar nga “Gazeta shqiptare”, 25 shtator 2012, f. 17) e vlerëson romanin “Darka e gabuar” në disa drejtime. Pasi i paraqet shkurt historinë që përbën bërthamën e subjektit të tij me rrezikun e pushkatimi të 100 qytetarëve që u morën peng nga pushtuesi i ri, formulon idenë se në të ka “kuptime të thella të tragjedive tona të përbashkëta”, se “Në Shqipërinë e Kadaresë, një vend që ka vuajtur nën diktatura të njëpasnjëshme – Perandoria Osmane, fashizmi italian, nazizmi gjerman, komunizmi – vdekja dhe jeta ndanin skenën e përditshme, në të cilën gënjeshtrat zyrtare dhe pretendimet private kanë ndërtuar një ambjent mashtrimi dhe mosbesimi, ku asgjë nuk është ashtu siç duket”. Νë të treguarit e historisë së “Rënies së qytetit të gurtë”, Kadare ka marrë ndoshta si model të tijin skenën e fundit e të tmershme të “Don Juan” – it, darkën që heroi i ofron Comendadorit të vdekur. Por ajo që është arrogancë në tragjedinë spanjolle, është përulje këtu…”. Artikullshkruesi bën edhe krahasimin midis Gurametos së madh dhe Gurametos së vogël: “Εdhe pse nuk ka patur kurrë ndonjë rivalitet midis dy Gurametove, Doktor Gurameto i madh tani përshëndetet si një hero për shkak se ka arritur të shpëtojë qytetin, ndërsa Dr. Gurameto i vogël ndihet i turpëruar”.
Disa thonë se ngjarjet ndodhën në vjeshtën e vitit 1943, pas largimit të italianëve. Autori thotë se ndodhën më 25 të dhjetorit të atij viti. Ata që i jetuan nga afër ngjarjet thonë se ka patur realisht një nënkolonel gjerman të plagosur, ardhur për mjekim nga Saranda. Por nënkoloneli gjerman nuk shpëtoi. [Më pas në spitalin e Gjirokastrës kirurgu i madh operoi dhe mjekoi ata mijra luftëtarë të Ushtrisë Demokratike Greke, që u plagosën ose gjymtuan gjatë Luftës Civile (1946 – 1949) në malet e Gramozit dhe të Viçit].
Kompromisi i arritur mes oficerit gjerman dhe qytetit, në romanin “Darka e Gabuar” fqinjëron me variantin e parë të romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (bot. 1963), ku na jepej një gjeneral pushtues që ka prirje pacifiste dhe me të cilin mund të bësh dialog. Nuk dimë sa te ky gjeneral, atëherë, mund të ketë ndikuar shembulli i doktorit gjirokastrit, ose ka qenë thjesht vetëdija e armiqësive të zgjatura midis Shqipërisë dhe Perëndimit, ku fajin e kishin të huajt pushtues, por përgjegjësi mbante edhe politika e zgjatur vetizoluese e udhëheqjes shtetëroe moniste. Dhe dihet se varianti i parë i “Gjeneralit…” u pa si sakrilegj dhe autori u detyrua ta ndryshojë. (Tashmë Republika e Shqipërisë mori drejtim të pakthyeshëm perëndimor dhe është anëtare e blokut politik-ushtarak të NATO-s).
Sipas dëshmisë së librit “Themele dhe rrënoja”, të shkrimtarit e gazetarit Thanas Dino, ishin Vasil Laboviti dhe Thoma Papapano ata që zbritën e shkuan te komandanti gjerman me një shami të bardhë në dorë (dhe nuk ishte një shami apo çarçaf i bardhë në një dritare ajo që dha shenjën e dorëzimit të qytetit, siç na impresionoi dikur shkrimtari tek “Qyteti i Jugut”, 1963). Zbritën apo u ngjitën dy burrat? Sepse realisht takimi me komandantin është bërë sipër, në sheshin me emrin dhe përmendoren e Çerçizit.
Sipas dëshmitarit okular, mësuesit Reshat Vishe, pasi Doktori kuvendoi me komandantin gjerman, i tha turmës të zbriste poshtë, duke mbajtur në duar një shami të bardhë secili. Njerëzit zbritën duke mbajtur shami e copa çarçafësh në duar dhe u mblodhën atje ku është sot Kinoteatrit i ri i qytetit. Atje ishin të tjera forca gjermane dhe topa. Pra, Doktori jo vetëm ndërmori nismën shpëtimtare për mospushkatimin e të arrestuarve, por edhe organizoi protestën popullore të gjirokastritëve.
Çfarë ishin ata që zbritën? Sigurisht, gra dhe fëmijë. Sipas infermierit veteran Kanan Zano, burrat që arrestoi gjermani ishin 50-60 vetë e jo njëqint e më shumë siç e bëjnë. Ku i gjeje atëherë aq burra në lagje e qytet, e të mbidheshin me nxitim siç u mblodhën? Se burrat i gjetën rrugës e në shtëpi sa mundën, edhe doktor Vasilin e gjetën në punë. Se dërguan portë më portë në Varosh një djalë me mbiemrin Çani, i cili u tha grave të nxjerrin në dritare nga një çarçaf të bardhë në shenjë dorëzimi e kapitullimi. Dhe ashtu u bë.
Sipas z. Kanan, në takimin e parë me nënkolonelin gjerman Spitali atëherë ishte te Poliklinika e vjetër, përballë ngrehinës së madhe të Hadërajve, që u bë azil. Doktori pati me të një polemikë. Kur gjermani e pyeti pse mjekonte partizanë, Doktori i tha se ka mjekuar edhe të plagosur me kombësi të tjera, polakë e rumunë. Se ashtu e kanë mësuar në shkollë në Austri. Madje kam mjekuar këtu në spital, tha, edhe një gjerman, mos vallë, bëra gabim? Gjermani u dorëzua, i shtrëngoi dorën dhe shprehu respekt për Doktorin. Pati dh e një takim të dytë, ku ishte i pranishëm infermier Kanani. Hyri një gjerman, austriak në fakt, me kapele. Pyeti:
– Ti je Laboviti? –
Doktori u drodh, sepse kujtoi se erdhën ta arrestojnë përsëri.
-Nuk më njeh? – e pyeti oficeri. Pastaj hoqi kapelen dhe Doktori e njohu.
Të dy lëshuan pasthirrma habie dhe u pëqafuan. Kishin qenë bashkëstudentë në Austri, mjekë. Por lufta i ndau dhe i hodhi në llogore të kundërta.
– Ti, austriak e mjek, ç’punë ke me popullin, që arrestoni dhe vrisni njerëz të pafajshëm,- guxoi e tha Doktori.
Ai u rrudh pak dhe tha se ishte i detyruar.
“Gjermani, tha Kanani, kur vë taçin në kokë, bëhet tjetër njeri”. Doktori porositi Shadon të shkonte e të blente një shishe konjak special tek një tregtar i njohur. Dy burrat pinë dhe kaluan në kujtimet e vjetra, sikur nuk ishte kohë lufte.
Thelbi i së vërtetës historike mbetet, ndërsa mund të diskutohet edhe për numrin e banorëve që i shpëtuan pushkatimit, numër që lëviz me mjaft diferenca nga një variant a person tek tjetri. Për një vërtetësi faktike ngulmojnë një nip i Doktorit dhe më pas vajza e tij Ela Laboviti, e cila hapi edhe gjyq kundër shkrimtarit, ish bashkënxënës. Ngjan se autorit nuk iu ndanë gjyqet, por përsërisim se “shkeljet” nga ana e tij bëhen në emër të së drejtës së krijuesit për të manipuluar faktet reale dhe duke ruajtur thelbin, frymën e së vërtetës historike, që mbetet kujtesa për pësimet tragjike dhe vija e demarkacionit midis popullit paqësor dhe agresoit e pushtuesit. (Nga kjo pikëpamje, mendoj se në vend të së respektueshmes Musine Kokalari, në sheshin e vjetër të qytetit duhej të ishte figura e luftëtares gjirokastrite për liri, heroinës Bule Naipi).
Në romanin “Darka e gabuar”, krahas tmerrit dhe krimit, autori e ve theksin tek depersonalizimi i njeriut nën thundrën e dhunës. Takojmë pas Çlirimit gra të moshuara, midis të cilave zonjat e terrorizuara shpirtërisht, që de-zonjëzohen nga komunizmi dhe tani thirren detyrimisht “shoqe”. Diku shkrimtari përmend një prift të rreptë me bastun, kurse unë përmend dhespotin Kokoneshi, i cili kalonte me revole në brez në mes të qytetit, teksa djali i tij ishte kuadër në aparatin e K. Q. të PPSH.
PERSONAZHE LETRARE DHE REALE
Ndoshta më tepër se çdo vepër tjetër që merr shkas nga Gjirokastra, romani “Darka e gabuar” përcjell emrat dhe sidomos mbiemrat tradicionalë të banorëve: Çabej, Ciu, Mezini, Zeko, Fico, Shtino, Hashorva, Laboviti, Skënduli, Topulli, Xhiku, Shameti, Kokalari, Karagjozi, Çoçoli, Kokobo, Balloma, Karkanaqe, Zverku, Sheshi, Xuano.
Hasim emra e mbiemra historikë ose personazhe: Çerçiz, Hoxha, Kadare, Çiço, prifti Foti, po edhe mbiemra të përkohshëm në Gjirokastër si, Janina, Kroi, Turtulli, Orollogai.
Në romanin “Darka e gabuar” rimerren disa personazhe nga romani “Kronikë në gur” si, Dino Çiço, Vehip Qorri, Xivo Gavo, Bufe Hasani. Përmendet familja Kardhashi e ndonjë tjetër e njohur nga pena e autorit.
Larmia e emrave i përgjigjet realitetit shoqëror, kulturor e fetar të mjedisit gjirokastrit. Asnjë autor tjetër shqiptar nuk ka jetuar aq intensivisht me personazhet e vendlindjes, emërologjinë reale dhe tradicionale të saj. Autori ka jetuar vazhdimisht në shoqëri me emrat dhe mbiemrat, shoqëri e këndshme ose jo, emra e mbiemra joshës apo gërvishës nga efekti që shkaktojnë, duke vënë në veprim edhe kujtesën e banorëve për ta dhe ngjarje që lidhen me ta.
Mjaft të njohur, karakteristikë, disa herë të çuditshëm, emrat dhe sidomos mbiemrat, ishin një ofertë edhe me ngarkesë stilistike, diçka thuajse e gatshme dhe e lehtë për shkrimtarin. Nuk mundi të “shpëtojë” prej tyre, madje u qaset me një kënaqësi që nuk mund të fshihet. Ato janë pjesë e identitetit të qytetit dhe, në një farë mase, edhe e identitetit të veprës së tij letrare, korpusit kushtuar vendlindjes.
Kjo lidhje e ky shfrytëzim lënde reale është një tregues më tepër, krahas subjekteve dhe përshkrimit të mjediseve, se sa shumë ka ndikuar në psikologjinë e tij si fëmijë, adoleshent, djalosh e përgjithësisht në jetën e tij qyteti edhe pas largimit, ndoshta paskëtaj më tepër e duke u shtuar. Me romanin “Darka e gabuar” kronologjia e pasqyrimit të mjediseve gjirokastrite nga autori shtrihet deri në vitin 1954, duke e ngushtuar largësinë me historinë e së kaluarës. Sepse, që me largimin drejt Tiranës e më tej, Gjirokastra në veprën e tij letrare mbeti pothuajse ajo e së kaluarës, që ai e jetoi nga afër ose drejtpërdrejt, duke përfshirë veprat “Qyteti pa reklama”, novelës “Ditë kafenesh”, “Koha e shkrimeve”, “Koha e parasë”, “Darka e gabuar”, “Kukulla”. Por I. Kadare nuk është kronist në kuptimin e profesionalizmit të ngushtë, por së pari riprodhues i atmsferës së kohës dhe gjendjeve emocionale që ka përjetuar. Dhe në çdo periudhë Kadareja i ka bërë radiografinë vendlindjes, ka dhënë, si të thuash, verdiktin e vet në “pllakat” e fletët e kronikës së gurtë. Rikthimi në vendlindje shkakton e ngjall një spektër ndjenjash të ndryshme e të trazuara.
Të krijohet përshtypja se gjithçka ka shkruar për Gjirokastrën ka buruar nga kujtimet. Edhe rrëfimi romanesk ngjan më shumë me riprodhim kujtimesh. Por nga libri i mirëfilltë me kujtime “Mëngjeset në kafe Rostand” doli një roman i mëvetësishëm e i plotë si “Kukulla”. “Rikrijimi i vendlindjes dhe fëmijërisë, kujtimi i njerëzve të afërm që s’janë më etj., prej natyre gjeneron nostalgji e sentimentalizëm.
Kjo do të vinte ndesh me prirjen konstante të narracionit të Kadaresë për objektivitet, distancë dhe ftohtësi, ndaj, për të shmangur kakofoninë, përdoret humori, që shumicën e herëve përzihet me dramatiken e grotesken”. (Çapajev Gjokutaj, “Kukulla e Kadaresë”, gazeta “MAPO”, 21-22 shkurt, f. 23). Romani më i ri i tij, gjithsesi autobiografik, ka në qendër figurën e nënës, një qasje e brishtë e panjohur më parë dhe një lloj kërkimi ndjese pse në të gjallë të saj nuk i qëndroi më afër, teksa ajo në çdo hap u përgjërua për djalin. Në një farë mënyre kukulla-Nënë kurorëzon ansamblin letrar- artistik të tij për nënën e ashpër Gjirokastër.
***
Shkrimtarin e pritën në vendlindje me nderime, autoritetet lokale dhe bashkëqytetarët. Ai jep intervista. Jep edhe ndonjë mendim, kur ia kërkojnë. Gjirokastra është bërë me universitet, ka një brez të ri të përgatitur sidomos në drejtim të teknologjive të reja, kanë dalë djem e vajza që e nderojnë qytetin kudo ku kanë shkuar.
KADAREJA I GJIROKASTRËS DHE GJIROKASTRA E KADARESË
Tek intervista dhënë Frederic Fernezit, Ismaili thotë: “Në fund të botës, ndodhet një vend i quajtur Shqipëri, ku lindin burra të cilëve u zbardhen flokët që fëmijë dhe që shohin më mirë natën se ditën… Nuk është shumë e gëzueshme… Çfarë t’i bësh fatit, atje u linda”!
Ne pyesim: A është fatkeqësi që autori u lind në Shqipëri e pikërisht në Gjirokastër? Duke iu përgjigjur tepërimeve në theksimin e rolit të qytetit në formimin e tij si shkrimtar, ai pohon dhe reagon: – S’është e vërtetë që jam produkt gjirokastrit. Sigurisht qyteti i lindjes luan një rol të jashtëzakonshëm, sikurse luan fëmijëria, sikurse luan shtëpia ku je rritur. Do të thosha se më shumë se qyteti vetë, ose bashkë me qytetin ka luajtur rol shtëpia ime, që ishte tipike e qytetit dhe që mendoj se luante rol për çdo njeri. Një shtëpi si të gjitha ato shtëpitë gjirokastrite, me atë arkitekturën e saj të brendshme, me pazakonshmërinë e saj, sigurisht që e zhvillonte mendjen e njeriut në drejtime të papritura”.
Origjinaliteti i arkitekturës, relievit, fantazia e mjeshtrave nëpër shekuj ndikuan edhe në profilin e papërsëritshëm të krijimeve, në prirje e autorit për konvertim të figurshëm të elementeve të jetës në përgjithësi. Sipas jurisë që i akordoi “Jerusalem Prise”, këtë çmim prestigjoz, motivacion i cituar prej gazetës “Haretz”, më 8 shkurt 2015, midis të tjerave theksohet se “Edhe pse në formën e të shkruarit personazhet janë kryesisht lokale, kuptimi dhe rëndësia janë padyshim universale”.
Rastësi që ky shkrimtar i veçantë lindi në Gjirokastër? Rastësi që gjeti e lexoi librin e parë të madh në shtëpinë e gjyshes? Rastësi që pati këtë apo atë shok fëmijërie, mësues? Rastësi që nisi të shkruajë? Rastësia që dërgoi për botim vjershën e parë…Ai jetonte në botën e vet, duke besuar se kishte ardhur nga një sferë tjetër, gati mbinjerëzore, me misionin që të thoshte doemos fjalën e vet, të bëhej shkrimtar.
Dikur shtëpinë e shkrimtarit e bashkonte me shtëpinë e Kako Pinos një hark si një dorë miqësore. Tani harku është afruar me shtëpinë e fqinjit, por “dora e ngrohtë” mungon. Nevojitet një dorë e ngrohtë që shtëpia e rilindur nga hiri i vet të hapë dyert e për bashkëqytetarët e vizitorët që presin jashtë saj. Që një ditë vetë shkrimtari të ketë kënaqësinë të ulet përsëri në dritaren e fëmijërisë, të shikojë andej qytetin, luginën, malet dhe qiellin. Pasi të nisë jetën e re shtëpia e shkrimtarit, shtëpia e Kako Pinos mund të kthehet në hotel për vizitorët e shtëpisë shkrimtarit dhe gjithë qytetit, më tha dikur në një bisedë shkrimtari Odise Kote.
Dylbitë e dikurshme të plakave gjirokastrite, dylbi që quheshin edhe tejqyrë, shkrimtari i ktheu në një teleskop të fuqishëm për të parë Tej botën, duke kërkuar e zbatuar edhe një optikë të re të vështrimit artistik të saj.
Nga pohimet e paradokohshme të botuesit Bujar Hudhri, mësojmë se “libri i fundit” do të ishte romani “E hyjnueshmja” botuar në Paris përpara “Darkës së gabuar”. Por ja, ndërmjetësoi “Moskuptimi i shqiptarëve me vetveten”, romani disi intim vitit 2014 , më tej një studim i gjatë që pret dritën e botimit, e nuk dihet se si qyteti dhe shtëpia e vjetër ia shtyjnë mendimin “në drejtime të papritura” dhe autori duhet “qortuar” për mosmbajtjen e fjalës së dhënë.
“Në fillim ishte Fjala” thuhet në Bibël. Në fillim ishte Gjirokastra, themi ne.
***
Vepra letrare e I. Kadaresë mbetet një gur i çmuar për Gjirokastrën (dhe më gjerë). Kjo vepër i ngjan një ngrehine me themele të forta, me kolona e harqe, portë me qemer, dritare të gjera me vetrata shumëngjyrëshe, tavane me arabeska, shandanë rrezëllues, strehë hijerënda, çardakun plot freski ku vizitorët mund të qëndrojnë e të sodisin qytetin, pusin nën kube dhe sterën e rimbushur, sikur të duan të shuajnë etjen në to.
Në rrugën “Fato Berberi” numrat që tregojnë adresën e shtëpive nuk ka në ndryshuar. Shtëpia e shkrimtarit mban ende numrin 14, në një copë katrore llamarine mbërthyer në portën e vjetër anës rruge. Por porta, metalike, na thotë Halim Xhaxhiu, ishte nga ana e kubesë. Ajo u muarr nga muri jugor dhe u vendos në anën perëndimore, pasi porta e vjetër prej druri u dogj.
Historiku i shtëpisë është i gjatë dhe i trazuar. Pothuajse çdo familje bëri ndryshime në të, aq sa u desh punë e madhe për të mënjanuar gjurmët e ndërhyrjeve diletante. Nga përpara është më lehtë kthimi në identitet, sepse harqet e shkallët e saj ishin si të shtëpive të tjera të mëdha, të Skëndulatëve dhe të Cicëve, që i gjenden afër.
Në rrugicën që kalon përpara shtëpisë, e cila mban emrin e dëshmores Fato Berberi, shumë familje kanë ikur. Nuk kanë lëvizur nga ana veriore familja Toro dhe familja Xhaxhiu, përballë.
Edhe fëmijët e vegjël e dinë shtëpinë e Shkrimtarit. Fqinjët të presin me mirësjellje, përpiqen të lehtësojnë brengën e vizitorëve, tregojnë hollësi nga bashkëjetesa me fqinjët, kujdesen për ta mbajtur sa më të pastër rrugën, dhe kanë merakun që të hapen sa më shpejt dyert e shtëpisë – muze, gjë që do ta gjallërojnë jetën e tyre në ato mjedise të ngushta.
Mësuesi gjirokastrit Pavli Kosta tregon se ka patur rastin të shoqërojë turistë nga disa shtete të Evuropës, që duan të dinë më tepër për shkrimtarin dhe shprehin pakënaqësinë për zvarritjen e punimeve. Nga goja e tij mësojmë se ai banon në një shtëpi që ka qenë dikur e Kadareve. Një shtëpi e vjetër në rrugën me emrin “Sokaku i të Marrëve”, e cila ka vlerë për arkitekturën dhe zbukurimet tradicionale. Në tavanin prej druri të saj është një rozetë në formë ylli tetëkëndësh. Pavli tregon se si në fëmijëri mblidheshin në rrugicë dhe lexonin poemën e sapodalë “Princesha Argjiro”. Një fqinje me mbiemrin Kadëna propozon që emri i sokakut të hiqet, sepse nuk shkon. Nuk shkon, thotë gazetari Rajmond Kola, që ajo rrugicë e cila nxori njerëzit më të shquar, të mbajë atë emër famëkeq.
Parafytyroj edhe një maketë të madhe, me dhoma e sallone, ku të strehohen personazhet që krijoi e përjetësoi nga vepra në vepër ku do të strehohen një varg personazhezh negative, tiranët, fytyra të shëmtuara të së kaluarës dhe të historisë (në hapsanë). Pashallarët e sadrazemët do të kërkojnë shilte të rehatshme, ish të përmbysurit do të kërkojnë të drejtat e tyre, zërat e zhurmat do të jehojnë deri tek Qafa e Pazarit.
Secili do të rrijë në shtëpinë – muze me portretin e papërsëritshëm si në një galeri arti. Po: “…Ku është Cute Gjati,
Allamani ku?”
Po doktor Gurametoja do të bëjë përsëri harakiri në këtë shtëpi?
Ku t’i vendosësh kaq gjeneralë që gjen nëpër librat e tij? (Dikush tha se mund të kërkohet në pusin e shtëpisë për eshtrat e kolonelit Z…).
Për këtë ekspozim fantazmagorik do të duheshin shumë mjedise e pavione, që dalin jashtë caqeve të një shtëpie gjirokastrite, sado e madhe qoftë e tejkalojnë hapësirën e një muzeu të zakonshëm.
Në një fotografi të shumë viteve më parë, botuar në gazetën lokale, shkrimtari del duke shkruar në një libër a duke lëshuar autografe. Mësojmë se janë jo me dhjetra, por me qindra vizitorët e huaj që duan të mësojnë nga jeta e shkrimtarit dhe të kenë në dorë një libër të tij blerë këtu. Shtëpia-muze të ketë edhe bibliotekë. Në bibliotekë edhe disa libra të vjetra, që nga të babazotit. Librat e autorit të jenë botimet e para e jo të treta apo të trembëdhjetat. Edhe libra nga botime të huaja. Nesër do të duhet edhe një librari afër shtëpisë, edhe një njësi shitje suveniresh.
ASPIRATA E FLUTURIMIT
Një nga vajtjet e para shumë viteve e I. Kadaresë në Gjirokastër u bë me avion. Fusha e Aviacionit, e rehabilituar pas viteve 1990, ishte pista e fluturimeve të fantazisë së tij. (“U hapën qiejt përsëri” mund të jetë shprehur autori atë ditë).
Aspirata e fluturimit u bë realitet për Gjirokastrën më 11 gusht 1923, kur u përurua linja ajrore Tiranë – Gjirokastër – Tiranë. Kjo linjë e ngritur dhe e shërbyer nga një firmë gjermane, punonte vetëm kur ishin të mira kushtet atmosferike. Për transportin e postës përdoreshin avionë të tipit të lehtë “Albatros E” dhe “Albatros G”. (Ja edhe një element simbolik që me poezinë, por u desh aq kohë që të dalë në dritë).
Në vitin 1932 kësaj linje, që lidhej edhe me Durrësin e Vlorën, iu shtua edhe Korça. Nga kjo linjë bëheshin fluturime çarter për Brindizi dhe Napoli.
Në vitet e LANÇ aeroporti u bë shesh lufte dhe fluturonin vetëm avionë ushtarakë. I. Kadareja e ka përshkruar këtë periudhë në veprat “Kronikë në gur”, “Aeroporti” etj. Në poemën “Shënime për brezin tim”, varianti i ripunuar, gjejmë vargun “Ne të pazogjtë, aeroplanmëdhenjtë”. Autori, me sytë e fëmijës, i shikon aeroplanët si personazhe, përshkruan fatin e tyre shpesh fatal. Aspirata e fluturimit atëherë kishte marrë goditje të pandreqshme. Por edhe më pas për shqiptarët avjonëve u ishin prerë krahët. Edhe shkrimtari vetë fluturonte rrallë, vështirësohej të dilte jashtë shtetit, sidomos me bashkëshorten në krah, gjithashtu shkrimtare e mirënjohur.
Pas vitit 1944 aeroporti i Gjirokastrës u përdor për qëllime ushtarake dhe për spërkatje të fushave me herbicide nga avjonë specialë. Në verën e vitit 1959 në aeroport u ul avioni qeveritar sovjetik TU-104, në kuadrin e vizitës së mareshallit tëi Luftës, Malinovski (pararendës i mareshalit Jakubovski), që erdhi me veturë nga Saranda. Pastaj avioni si mjet transporti u përdor për ndonjë ardhje delegacioni ose të udhëheqësit të shtetit shqiptar, e pastaj nuk funksionoi. Gjithnjë e më rrallë ngriheshin avionë shqiptarë në këtë fushë, kurse për avionë të huaj as që mund të bëhej fjalë.
Pas vitit 1990 në atë aerodrom zbritën avionët që sollën kryeministrin italian Romano Prodi dhe ish kancelarin austriak Vranicki. Pas shkatërrimeve të vitit 1997, aeroporti u rehabilitua edhe një herë, por jo plotzësisht, sepse doli përsëri jashtë përdorimit. Me përjashtim të ndonjë helikopteri urgjence, nuk ka avionë të tjerë, për pasagjerë. Megjithatë, Gjirokastra pret zbatimin e projektit madhështor italian, me të cilin do të modernizohet dhe do të vihet në shërbim të qytetarëve. Një mundësi e tillë do të bënte që mjaft turistë të vinin në Gjirokastër drejtpërdrejt nga ajri, madje edhe vendas nga Tirana, në një kohë që fluturimi me avion kushton më lirë se udhëtimi tokësor…
Janë italianët, themelues të linjës ajrore të dikurshme të Gjirokastrës, që deklaruan se do ta ndërtojnë aeroportin e saj. Kronika e vitit 2009 thotë se: “Qeveria italiane përmes njė projekti të përbashkët me strukturat e NATO-s do tė realizojë në jug të Shqipërisë rehabitimin dhe ndërtimin e aeroportit të Gjirokastrës”.
Aeroporti i Gjirokastrës, sipas kėtij projekti do të përdoret me funksion tė dyfishtë, ushtarak dhe civil, duke i ardhur nė ndihmë kryesisht turizmit dhe biznesit vendas e tė huaj. U dëgjua se në shtator atij viti, kohë kur do të përfundonte faza e pare e rehabilitimit, do të organizohej dhe turi i parë turistik i aero-klubit italian me pjesëmarrje të aeronautikës dhe multimiliarderëve italianë në Shqipëri.
Për këtë projekt tė rehabilitimit e ndërtimit të aeroportit të Gjirokastrës, gjeneral Pikotti, përfaqësues i ushtrisë italiane në NATO, thotë se “propozimi për rehabilitimin e rikonstruksionin e aeroportit tė Gjirokastrës është konkret, dhe ka hapësira edhe ushtarake edhe qytetare…”.
Ndërkaq, Konsulli i Përgjithshëm italian, Lorenzo Tomasini, u shpreh entuziast për projektin e aeroportit të Gjirokastrės. Rehabilitimi aeroportit tė Gjirokastrës dhe vënia e tij në funksionim është një projekt me vlerën e rreth 15 milionë eurove. Ura ajrore nuk u ngrit, por edhe ura kulturore, pa përjashtuar disa ngjarje si hapja në Gjirokastër e zyrës së konsullatës italiane, e shkollës katolike “Xhuzepe Gras”, dhe ekspozita për Leonardo Da Vinçit, që thamë, e që italiani i kulturës tha se dëshiron të ngrejë një urë, që të simbolizojë lidhjen dhe bashkëpunimin kulturor midis dy vendeve. Por ura ajrore e premtuar nuk u ngrit.
Kur e ndërpreu fluturimin e ëndrrës për aerodromin e vjetër? Moda e mosmbajtjes së premtimeve, apo kriza ekonomike që goditi Europën, jo pak edhe Italinë?
Por edhe tani në horizont nuk duket gjë e re, përveç fluturime sportive mbi Gjirokastër dhe Antigone. Megjithatë, kryebashkiakja e sotme, Zamira Rami, gjatë fushatës elektrorale dhe më pas e ringriti çështjen e rijetësimit të këtij aerodromi.
Gjirokastra e meriton aerodromin, për nevojat e veta dhe si një pistë më tepër drejt Europës. Gjirokastra nëpër epoka ka nxjerrë edhe inxhinierë dhe shkencëtarë me emër. Po përmend inxhinierin gjirokastrit Vilson Kokalari. Vilsoni punoi shumë vite në qendrën NASA, të lëshimit të anijeve kozmike, në SH.B.A. Ishte kolaudator, njeriu që thoshte fjalën e fundit për nisjen e anijeve që prisnin të fluturonin. Ishte një besim tepër i madh dhe përgjegjësi e madhe. Atë që dikur nuk mundi ta realizojë shpikësi Dino Çiço, e arriti me të tepër Vilson Kokalari. Është një nga njerëzit lavdia e të cilit u ngrit në apogje, ashtu si edhe e shkrimtarit I. Kadare.
Shpikësi Dino Çiço, që shumëkush e quajti të fantaksur dhe anormal, avionin e vet prej druri e çoi në Austri a Zvicër, për të kërkuar ndihmë ose për t’iu njohur merita. Ishte një aventurë dhe zhgënjim i madh, por mbetet si vlerë orvajtja për të thyer caqet e ngushta të jetës e të kohës dhe sfiduar ngurtësinë e qytetit. Dhjetra vite më pas, nipi i shpikësit me emër, që mban emrin e gjyshit, ekonomist dhe poet ky, iku nga jeta me brengën dhe amanetin që aeroporti i Gjirokastrës të rijetësohet e të kryejë fluturime. Dhe në ardhtë ajo ditë, nuk do të ishte lajthitje që aerodromi i nesërm të pagëzohej me emrin e Dino Çiços. Por më i denjë do të ishte emri i ardhur që përtej Oqeanit…
Deri vonë në një nga sheshet e kalasë ishte vendosur një avion gjurmues amerikan i markës “Loskhed” kapur nga pilotët shqiptarë si shkelës i hapësirën ajrore, përpara afër gjysëm shekulli. Tani ai avion i vogël, i plaçkitur e bërë gërmadhë e skelet si peshku i plakut të Heminguejt tek novela “Plaku dhe deti” (që autori e pati përkthyer dhe botuar në vitin 1964), qëndron si sfidë, duke u kujtuar vizitorëve vigjilencën dhe intrasigjencën e regjimit komunist ndaj Perëndimit.
GJIROKASTRA E SOTME
Në vitin 1987 në Gjirokastër, te Kodra e Ciut, u shemb ndërtesa e Pallatit të Kulturës, e gjitha me gur të gdhendur e të fortë, zgjidhje e bukur arkitekturore, që atje një vit më pas atje të vendosej me dekret përmendorja e Enver Hoxhës, në 80 vjetorin e lindjes së tij. (Atëherë kryetar Komiteti Ekzekutiv të Rrethit ishte ish agronomi Flamur Çani). Kodra e Ciut paskëtaj u quajt Kodra e Monumentit.
Pas vitit 1990 historia e qytetit njohu zhvillime të reja. Nga njera anë ishte lëvizja “Vullnetarët e Enverit”, lëvizje që lindi në Gjirokastër dhe u shtri në disa krahina jugore, dhe lëvizja antienveriane që nisi si reagim e kundërshtim i saj në mjaft krahina e rrethe të tjera, me Tiranën të parën. Dallgët e saj arritën edhe në Gjirokastër, duke i dhënë hov reebelimit. Kështu, një natë vonë u godit me vare, u dëmtua dhe pastaj u shkul përmendorja e Enver Hoxhës, vepër e skulptorit gjirokastrit Muntaz Dhrami. (Rrëzimin dhe zvarritjen e përmendores gjigande të E. Hoxhës në Tiranë, vepër e skulptorit Shaban Hadëri, në shkurt 1991, I. Kadareja e pa në televizor nga Alpet e Zvicrës, ditën që ndodhi).
Nisi eksodi masiv, didomos drejt Greqisë dhe Italisë.
Erdhi pranvera e vitit 1997, marsi i vetvrasjes, siç e quan I. Kadareja, kur u likuidua administrata shtetërore dhe u godit brutalisht rendi publik i trazuar i tranzicionit. Banditë dhe aventurierë ardhur nuk dihet se nga, të panjohur që dihen por rrallë dolën në dritë, mësynë qytetin që i gjet i papërgatitur. Reagime pati, por dëmi i madh u bë. U sulmuan e grabitën depot e armëve, të lehta e të rënda, deri tanke e topa, u dodhën në erë tunele me municione në male, u derdh gjak e u vranë njerëz. U grabitën depot e armëve dhe kush e kush të armatosej më shumë e të bënte tregi e kontrabandë me to. Breshëritë e armëve, granadat e tritoli u bënë diçka e zakonshme. U grabit për katër ditë rresht Banka e Shtetit, ku ishin të hollat e gjithë Qarkut të Jugut, kasaforta e saj u shkul e tërhoq me diagaçe, midis sheshit, përpara përmendores së kapedan Çerçizit.
Pas 54 vitesh, zinxhirët e dhëmbëzuar të mjeteve të blinduara kafshuan përsëri rrugët e qytetit. Terrror, ankth, shkatërrim, anarki, një shtet inekzistent, i gjunjëzuar, viktimë si edhe popullata. Gjirokastra i ngjante një gjahu në tentakulat e një njëqindkëmbshi gjigant që e paralizon gjahun përpara se ta gllabërojë. Për këto ditë të lemerishme e të palavdishme kanë shkruar e botuar libra plot të dhëna e vërtetësi Odise Kote, Panajot Barka, Sotiraq Paskali, e të tjerë. E paharrueshme mbeti protesta e qindra studentëve të Universitetit të Gjirokastrës, me kulmim grevën e urisë dhe qëndresa e tyre kundër dhunës shtetërore, megjithëse greva në fjalë u fik përpara kohe.
E një natë dimri të vitit 1998 një sasi tritoli u vendos edhe në shtëpinë e Enver Hoxhës, e cila prej shumë vitesh ishte kthyer në muze etnografik. Shpërthimi i tmerrshëm bëri të tronditen e dëmtohen muret dhe tavanet e shtëpive të vjetra e të thyhen xhamat e dritareve. Njerëzit dolën në rrugë duke kujtuar se ra tërmet, gjëmë nga qielli a bombardime si në kohë lufte. Ky tmerr i ri i bënte njerëzit ta braktisnin qytetin natën e të hidhnin pas krahëve gurin e zi të mallkimit e moskthimit. Dhe është një fakt që do ta lakmonte edhe Kadareja me manierën e vet, se si u grabitën për t’u shitur raketat me rreze të shkurtër veprimi, nga një bazë ushtarake afër Gjirokastrës, se si, për çudi, të nesërmen e dorëzimit u zhduk nga muzeu festja e qëndisur, rrumbullake si takije, e Çerçizit.
Nuk munguan nismat për të dalë nga kolapsi, u krijua një lloj komiteti vetëmbrojtje dhe diku u gjet me vend e me mend që kryeministri i qeverisë më të re shqiptare, asaj të shpëtimit e pajtimit, të gjendej pikërisht në Gjirokastër.
Pas fashitjes së furisë barbare, u vendos një farë normaliteti dhe shfrimi i pasioneve u kanalizua në konfrontimin politik e luftën për pushtet.
Gjirokastra në veprën dhe syrin e shkrimtarit është kryesisht ajo e vjetra. Por në qytet, krahasuar me të dhe me epokën e komunizmit, kanë ndodhur e po ndodhin ndryshime epokale, në ndërtime, mënyrën e jetesës, në raportet demografike të popullsisë banuese. Dhe emblema e Gjirokastrës së Argjirosë e të Polifonisë nuk ka ndryshuar. Festivalet Folklorike vazhdojnë të jenë ngjarje e shënuar mbarëkombëtare, një herë në disa vjet.
Bëhen përpjekje për ta mbajtur gjallë jetën kulturore, me ndonjë shfaqje teatri, festival a konkurs të fëmijve e rinisë shkollore, panair tregtar. Biblioteka e qytetit, me mjaft nevoja, ka në raftet e veta rreth 100.000 kopje librash. Në një eksponat të madh janë librat dhe veprat e zgjedhura të I. Kadaresë, kurse përballë është vitrina me librat e autorëve të tjerë gjirokastritë, të cilat në qytet, rreth e më tej, vinë duke u shtuar. Por ngrehina e bibliotekës, edhe pas restaurimit, mbetet e pamjaftueshme për nevojat në rritje.
Në Gjirokastër shtohet përditë numri i turistëve të huaj, shumica nga shtete europiane, bëhen festivale folklorike, panaire artizanati, ekspozita pikture, hapen njësi punimesh tradicionale në gur, dru e metale.
Raportet e Gjirokastrës me vendin, rajonin dhe botën kanë ndryshuar në të mirë të komunikimit dhe afirmimit më të madh. Këtë e përforcon edhe hapja vite më parë e Konsullatës Greke në Gjirokastër dhe së fundi, hapja e Konsullatës Italiane të Nderit, me konsull nderi një djalë nga familja gjirokastrite Bilushi, Teodori.
Në gjurmët e të atit shkrimtar eci Besiana, që është aktualisht Ambasadore e Shqipërisë në UNESKO, në Paris.
Në Gjirokastër valon sot flamuri i Europës së Bashkuar. Kanë hyrë bankat dhe koncensionet e huaja, diskot, muzika e huaj, mënyra perëndimore e jetesës.
Është bërë e zakonshme që nxënësit e shkollave, krahas koncerteve artistike në gjuhën shqipe, të japin në sheshet e qytetit e mjedise të tjera, spektakle me këngë në gjuhën angleze, italiane, greke, ndoshta dhe franceze. Janë të shumta pagëzimet e fëmijve, me emra të huaj, sidomos anglezë dhe italianë, emra nga Bibla, emra yjesh të kinemasë, të muzikës, sportit; ardhur edhe nga mjediset ku emigrohet, një emërologji e tërë – ndikim e pasojë e hapjes së madhe kulturore, praktikë që është edhe një shprehje snobizmi. Për t’u bindur për këtë dukuri, mjafton të vizitosh një kopësht fëmijësh, ose një klasë shkolle fillore.
***
Mësojmë se në vitin 2009, për rikonstruksionin e kalasë dhe hapjen e muzeut në të, dha një shumë prej 50.000 dollarësh amerikanë, ambasadori amerikan në Tiranë, Uilkins. Por katër vite më vonë, ish përgjegjësja e Muzeut të Armëve, Teuta Laze, u ankua se terraca prej betoni e muzeut gjigant është plot lagështi, më keq se në kohën e pushtimit, shtojmë ne.
Në gusht të vitit 2011, gjatë vizitës në Gjirokastër, ambasadorja gjermane Karola Muler Holtpkompter deklaroi se do të jepen 5 miljonë evro për ujësjellësin e ri të Gjirokastrës. Ajo vizitoi edhe azilin e pleqve të qytetit, pasi ambasada gjermane dha 12.000 euro për blerjen e orendive të reja. Por nuk vonoi që pas ikjes së saj, nga krevatet e të moshuarve të pafuqishëm nuk arritën t’u gëzohen batanijeve të reja me të cilat u pajisën prej saj, sepse ato “fluturuan” në mënyrë të habitshme…(Midis të tjerave, dhurëtia gjermane për azilin e pleqve ngjalli reagime pakënaqësie në një pjesë të ekstremistëve të majtë…). Punimet për ujësjellsin e ri nisën në vjeshtën e vitit 1915. Dhe pritet vjeshta e vitit 2016, që gjirokastritët të pinë ujë nga paratë gjermane. Puna vazhdon me ritme të shpejta, duke u çarë kalldrëmet për të futur tubacionet e ujit.
Midis nonsenseve ose kundërsenseve të kohës sonë është martesa me një gjerman e një vajze gjirokastrite nga lagja Manalat i Dytë, me baba oficer. Në kohën e LANÇ kjo lagje u mbiquajt “Stalingrad”. Oficeri në pension shkoi tek vajza në Gjermani, qëndroi disa muaj dhe u kthye mjaft i kënaqur.
Përmirësimi i marrëdhënieve me botën perëndimore, lënia së kaluarës i trashëgimisë së hidhur, por edhe prirja ndaj djathas në një qytet e zonë me traditë të fortë të majtë dhe majtise, është një realitet i prekshëm, deri diku shqetësues. Kështu, në shtator 2012 në Grehot u përuruan varrezat e Ballit Kombëtar, 68 vjet një mitraloz italian vrau anës xhades 14 ballistë që shkuan të strehohen për të shpëtuar nga partizanët e papërmbajtur dhe me synim plaçkitës në domenin e divizionit të kapitulluar italian “Peruxhia”, me 7.000 ushtarë dhe oficerë. Ishte një “drekë e gabuar”…(Midis tyre ishin eksponenti i Ballit Kombetar, Hysni Lepenica dhe eksponenti lokal Nano Gjoni).
Të tjerë ballistë u pushkatuan pa gjyq te porta e kalasë nga partizanët e komanduar prej Shefqet Peçit.
Atë datë, 14 shtatorin, pasardhësit e viktimave e shpallën Dita Kombëtare e nacionalistëve shqiptarë.
Në nëntor 2008 banorët tradicionalë të Lagjes Punëtore iu drejtuan Bashkisë me propozimin që lagja të pagëzohet me emrin e Presidentit amerikan Barack Obama.
Po bëhen përpjekje për një trajtim më të mirë nga shteti dhe organizatat ndërkombëtare të popullsisë rome. Me dhjetra fëmijë romë frekuentojnë thuajse rregullisht shkollat e qytetit: “Së bashku”, “Koto Hoxhi”, “A. Z. Çajupi”.
Qindra djem e vajza gjirokastrite kanë shkuar në Europë dhe Amerikë, ku shquhen e kanë sukses në shumë fusha. (Një djalë i familjes gjirokastrite Hasko, përpara disa vjetësh ka mbaruar studimet pasuniversitare në Japoni). Bashkësia e emigracionit shqiptar në SHBA. është përtërirë e fuqizuar, dhe kryetar i saj deri vonë, ishte një gjirokastrit nga familja Karagjozi. Inxhiniri i shquar Vilson Kokalari për shumë kolaudonte anijet kozmike amerikane…
Koleksioni i dikurshëm i pullave sot u shndërrua në koleksion të vërtetë shtetesh jo vetëm për shkrimtarin. Gjirokastra dikur aq e mbyllur është sot më tepër se një cita aperta (shprehje në vargjet e hershme të autorit, me sa duket, ndikuar nga filmi italian “Roma – qytet i hapur”). Gjirokastra ka ndryshuar e ndryshon mjaft si pamje dhe në mënyrën e jetesës. Nuk sundon më ngjyra gri dhe çatitë prej guri. Ndërtesat e reja vertikale nëpër kodra e ndonjë ngjitur me stadiumin e futbollit, ngjajnë si grataçiele edhe ditën për diell. Dhe mbi pallate, si çibane, qëndrojnë depozitat e ujit, sepse qytetit aktualisht nuk ka ujë më tepër se gjysmë ore a diçka më shumë në njëzetekatër orë.
Fytyra të reja, interesa të reja, mendësi të tjera, fjalor i ri. Rrallë e tek mund të gjejë sot një shtatëdhjetëvjeçar moshatarët e vet. Jo vetëm se koha bën të vetën, por edhe sepse në Gjirokastër ka ndodhur një tjetërsim demografik pa precedent. “Është karakteristike që ky fluks nga fshati drejt qytetit iu takon kryerisht zonave të Kardhiqit, Picarit, Lunxhërisë, Zagorisë, ku dhe popullsia është zvogëluar në krahasim me atë të vitit 1990.” (- Gjirokastra – analisi ed indirizzi per le svilupo futuro, a cura di Fabrizio Torresi, 2002).
Gjirokastra, që dikur ngrihej mbi pesë brigje, sot ngrihet në disa brigje e kodra më tepër, dhe është zgjëruar në të dy krahët nga ana veriore dhe nga ana jugore. Në krahasim me gjysëm shekulli më parë ajo është dyfishuar në sipërfaqe dhe tre-katërfishuar në popullatë. Janë rreth 21 lagje, që po i radhisim: Dy Dunavatet, Dy Manalatet, Cfaka, Pazari i Vjetër, Pllaka, Palortoja, Varoshi, Meçitja, Gjobeku, 18 Shtatori, 11 Janari, Lagja Punëtore, Granica, Kodra e Shtufit, Zinxhirat, Zona Industriale, Lagja e Romëve, Grehoti, Lagja përreth spitalit të qytetit. Pjesa e vjetër e qytetit mbetet pothuaj e pandryshuar. Megjithëse e pengojnë disa ngrehina arbitrare, qyteti i vjetër me kalanë dhe Kucullën dallojnë ende sapo hyn në qytet. Por gati një e treta e qytetit, pas kalasë, Manalati e Cfaka, mbeten të pashkelura nga vizitorët. Atje jetojnë qindra familje me vazhdimësi brezash, traditash, mënyrë jetese. Janë bërë ndryshime edhe atje, kryesisht nga banorët, ka shkuar edhe urbani e është hapur ndonjë mezomarket. Ka edhe ansamble e ndërtesa të tjera me interes në rrugët e brendshme të lagjeve të njohura Varrosh e Palorto, por që nuk janë ekspoluar ende…
Në rrugët e qytetit, deri në Dunavat e Manalat, ngjiten e zbresin me qindra automjete private. Midis tyre, në duart e pasardhësve të dërrasaxhinjve e hekuraxhinjve gjirokastritë mund të shikosh vetura e xhipe të markave më të njohura të Europës e më tej. Kjo vihet re më tepër tek të ardhurist se sa tek banorët vendas. Në zonën e re të qytetit shënova targat: NEV YORK (EVC, 8753) THE EMPIRESTAT, NEW JERSEY YHB 94K dhe Ekscort Boston, dhe BE, me 27 yje, CE 666 TY. (Numri 666, për besimtarët bestydë është simbol i Antikrishtit. Urojmë që ky numër të mos ngjallë shqetësim e të sjellë mbarësi).
Ja edhe një shitëse nga fshati, me “Mercedes”, në lagjen “18 Shtatori”, hap bagazhin e veturës dhe shet spinaq, sallatë dhe qepë të njoma! Një ditë të bukur maji pashë duke zbritur kalldrëmeve me një kamionçinë me targë AA 643 BU, një arixhi që kishte në kabinën e saj gruan dhe gjashtë kalamajtë e përbashkët. Por megjithë vërshimin e automjeteve, gjirokastriti ruan nostalgjinë për kafshën. Këtë, ndoshta, e dëshmon edhe emblema me një kalëi brenda një patkoi, në veturën me targë Mercedes-Benz Gj. 6465 A. përpara një njësie shitje barnash anës asfaltit.
Në lagjen “18 Shtatori” ka dyndje të madhe, vështrim trafiku deri embouteillage! sado i shkurtër, nga lëvizja e makinave në të dy drejtimet, sidomos mbasditeve. Një pjesë e automjeteve kanë targa të rretheve të tjera. Rrethi i rrotullimit të tyre përbri stadiumit është bërë nyje dhe mund ta pagëzojmë si Qafa e re e Pazarit. Ndoshta ia vlen të theksojmë se Gjirokastra nuk ka asnjë parking automjetesh dhe rrugët bëhen edhe më të ngushta nga parkimi pa rregull i tyre. Kështu, pengesë për mosshuarjen e Gjirokastritët gëzojnë se shtëpia muze e bashkëqytetarit të shquar do të jetë faktor gjallërimi i turizmit dhe shtëpisë së të parëve të Musine Kokalarit, megjithëse rruga deri në oborrin e saj ishte e asfaltuar, u bë një veturë që pengoi makinën zjarrfikse, e cila arriti atje pasi zjarri e kishte shkrumbuar.
Gjirokastra, nga dy autobuzë që kishte dikur, sot ka disa agjenci autobuzash me linja drejt Tiranës dhe Greqisë. Disa firma e linja komunikacioni gjirokastrite çojnë përditë dhjetra e dhjetra udhëtarë drejt Kakavisë, Janinës, Larisës e Selanikut. (“Mora rrugën për Janinë,/ autobuzat venë e vinë”). Përfund qytetit, në aksin e rrugës kryesore të lagjes “18 shtatori”, me dy korsi, gjysëm kilometër gjatësi, ditën kalojnë pa pushim veturat, sikur dalin nga ndonjë tunel rrëzë malit. Janë kaq shumë sa habitesh vërtet. “Në Placë Concordë dhe Shamp Elize/ makinat vrapojnë si rrëke”, thoshte poeti në një vjershë të hershme për Parisin. Edhe në segmentin që përmenda, natyrisht, jo me të ritëm e shumësi, por përsëri “si rrëke”. Por kjo nuk i përgjigjet ritmit real të jetës as tregon e vërtetë në një qytet në stanjacion.
Kjo dinamikë zhvillohet në një qytet ku gjatë monizmit lëviznin gjithsej pesë a gjashtë xhipe në ditë (xhipsi i kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit, xhipsi i shefit të Bujqësisë, drejtorëve të fermave bujqësore e ndonjë ndërmarrje të madhe, xhipsi i Degës së P. Brendshme) dhe e vetmja veturë ishte ajo e sekretarit të parë të Komitetit të partisë të Rrethit. Janinën nuk lejohej ta shikoje as me dylbi. Sot gjirokastritët shkojnë me familje në Sarandë, për detin, jo pak kanë blerë atje shtëpi të dytë, sidosmos të ardhurit nga fshatrat.
Gjirokastra për një periudhë i ngjante një sanduiçi midis Lazaratit dhe Kardhiqit, që kanë marrë në drorë frenat e drejtimit të qytetit, që nga nëpunësitë deri tek bizneset.
Deri vonë poshtë fshatit anës rrugës kombëtare ishte vendosur një pllakë ku shkruhej “Azem Hajdari – nderi i Lazaratit”, dhe në krye stampuar fotografia e tij. Një ditë, shumë vite më parë, anës rrugës, në një nga lokalet e këtij fshati të privuar dikur e të privilegjuar sot, u ul e piu një kafe si tek fqinji shkrimtari Ismail Kadare. Më pas Lazarati u bë kryeqytet i drogës në Ballkan (Në vitin 2013 Lazarati, deri dje superfuqi e Jugut shqiptar, i përfolur edhe shkallë ballkanike dhe europiane, bënte nga droga një xhiro vjetore rreth katër miljardë dollarë!). Ky superprodhim dhe tregtimi i saj ndikuan edhe në qytetin e Gjirokastrës, tek nxënësit dhe studentët. Por një ditë erdhi goditja e shtetit dhe e policisë shqiptare, me porosi të Bashkimit Europian, për çrrënjosjen e plantacioneve dhe parcelave të mbjella me bimë narkotike, përpunimin industrial të saj dhe tregtimin kontrabandë deri në zemër të Europës. Në ballafaqimin deri në përplasjen edhe me armë, u vra një punonjës shembullor i policisë shqiptare.
Që me hapjen e kufijve, përmes doganës së Kakavisë, Gjirokastra e tatëpjetë i ngjan një hinke gjigande, përmes së cilës u shkarkuan edhe tensionimet e para sociale të vendit në kapërcyell të vitit 1990. Pas kryeqytetit, Gjirokastra është sot qyteti më kozmopolit i Shqipërisë. Banorë ardhur nga gjithë krahinat, njerëz të disa kombësive, refugjatë nga Azia, deri edhe prostituta nga shtete të ndryshme evropiane, tani në tregun e lirë e jo si shtojcë e një ushtrie pushtuese si dikur.
Në librin e vet me kujtime, një artist gjirokastrit, dashnor i kavaletit dhe i letërsisë, rrëfen peër njeë varg trofesh femërore jashtë kufijve, se si u zhveshën përpara tij femra nga disa kontinente: Një grua dyzetvjeçare japoneze, Franceska 37 vjeçare, Afrikania e nxehtë, një Venezuealiane e re bardhoshe, Braziliania mulate, Zonja nga Kievi, Vejusha greke, Anglezja e ftohtë, Gabriela, Kozeta, Aziatikja e bukur. Kurse mjeku okulist girokastrit Adem Harxhi, pas kthimit nga SH.B.A, iu kushtua kryekëput seksologjisë, dhe dhënë leksione në televizion e botuar artikuj për seksin, midis të tjerave edhe për seksin oral, që për të cilën u padit ish Presidenti amerikan Klinton me Monika Levinskin…Këto, nga pasardhësit e citadelës së dikurshme të fanatizmit e ferexhesë, moralistëve që indinjoheshin dikur. Kadareja që ka ngritur zërin për hapjen e kazinos në kryeqytet (duke kërkuar mos’hapjen), nuk mund të jetë dakord me këtë “dhuratë” për vendlindjen e tij, qytetin ku kanë marrë përmasa tronditëse papunësia, korrupsioni dhe antikultura, e ku nuk mungojnë viktimat prej “lojrave të fatit”. Këtë fat, me qindra gjirokastritë tradicionalë e kanë kërkuar në Amerikë, Kanada, Europë, Tiranë e qytete të tjera, ku kanë ditur të deftojne dhe deshmojne aftesinë për të mbijetuar dhe për shquarësi.
Një Gjirokastër e re, gjysma, me ndërtesa dhe banorë të rinj, që jo rrallë rivalizojne banorët tradicionalë. Dikur zonjat gjirokastrite lakmonin ngjalat nga liqeni i Janinës, sot banojnë në pallate shumëkatshe edhe pa asensor, dhe u vjen taksia tek dera. Por shumica e grave dhe vajzave, edhe me diploma, janë detyrimisht shtëpiake, megjithatë, nuk mund të mos vësh re se brezi i ri, vajza e djem, është i ushqyer mirë dhe i veshur hijshëm, pajisur me mjaft njohuri e shprehi të kohës, ku kompjuteri ka hyrë në qindra e ndoshta mijëra shtëpi gjirokastrite, dhe telefoni celular ka hyrë edhe tek nxënësit e shkollave fillore. Sjelljet e të rinjve janë më të lirshme, të çliruara nga tutela patriarkale, por edhe me kosto për liberalizmin që pasoi dhe kurthet e tranzicionit të zgjatur.
Më shkallët e ndërtesë së Universitetit të Gjirokastrës mbrëmjeve, por edhe ditën me diell, mund të shikosh çifte që përqafohen e puthen. Mirëpo gjykata është plot me çështje pronësie dhe divorce që presin të zgjidhen. Në divorcet përparësi kanë kërkesat prej grave. Por në Gjirokastrën konservatore e drejta e diovrcit ka ekzistuar edhe në vitet 1920 e kronikat na japin raste kur këtë nismë e ndërmori gruaja. Dhe në muajt janar dhe shkurt 2015 dy gra gjirokastrite therën bashkëshortët! Çfarë po ndodh? Po shembet monopoli i patriarkalizmit, gratë kërkojnë të drejtat e mohuara, apo edhe privilegjin e lashtë të matriarkatit?
Flitet për Drejtësinë si gangrena e shoqërisë dhe shtetit të sotëm shqiptar, për domosdoshmërinë e reformës në Drejtësi si kusht themelor për nisjen e negociatave për Shqipërinë si kandidate e BE. Te Kronika e I. Kadaresë mësojmë për gjyqet e tejzgjatira Angonatë-Karllashë, por në ditët tona janë arriture rekorde të reja gjyqësore. Sepse, p.sh., gjirokastriti tradicional A. Ç. ka zhvilluar 84 gjyqe për një pronë të vjetër të dokumentuar dhe nuk e fitoi çështjen! As të hollat për kompensimin që pranoi i detyruar nga betejat e humbura, pas shtatë aplikimesh nuk i ka marrë ende. E ka shtëpinë prindërore te “Sokaku i të Marrëve” dhe ky absurditet, kjo “marrëzi” gjykatësore është një ndër rekordet e mbrapshta në shkallë lokale, ndoshta dhe kombëtare.
Midis dukurive karakteristike janë varrezat e përbashkëta publike, për qytetarët e të gjitha besimet fetare, dhe ruajtja e kujdesi për Varrezat e Dëshmorëve dhe për lapidarët. Shërbimi funeral ka përparuar, ndonëse një varr e varrim kushtojnë mjaft, kurse romët vaanajkë kërkojnë ndonjë cep të marrosin të afërmin e vet.
Vitet e fundit gjithnjë e më tepër grupe të mëdha refugjatësh nga Azia kalojnë kufirin jugor, me synim Evropën. I. Kadare në veprat e tij ka folur për nizamët shqiptarë shkretëtirave të Anadollit, ka përmendur që herët Jemenin e Çanakalanë dhe tani këto ngjan se po i kthejnë një kumt të harruar…
Të dëbuarit nga lufta nga atdheu, kërkojnë shpëtim në Shqipëri, por forcat e rendit i kthejnë prapa klandestinët, qindra e qindra, edhe gra e fëmijë. E si mundësi edhe për Gjirokastrën është ardhja e disa mijra klanestinë azilkërkues nga Siria e shtete të tjera në gjendje lufte. U bë projekti qeveritar dhe u morën masa edhe nga organet e pushtetit në Rreth për ngritjen e kampeve, me çadra e shërbimet e domosdoshme, në Fushën e Aeroplanit dhe në Grehot.
Gjirokastritët nuk mbyllin sytë përpara halleve dhe fatkeqësive të popujve të tjerë, por ndoshta Gjirokastrës i mjaftojnë disa qindra romë në lagjen e saj më jugore, një bashkësi e diskriminuar, ata që i përkasin qytetërimit më të lashtë të botës, prejardhur shekuj më parë nga India.
***I. Kadare aspiroi dhe kontribuoi për ditë më të mira për vendlindjen. Dhe vijoi të mbështesë të renë e bashkëkohoren, deri tek refreni – mesazhi i këngës rilindase “Shqipëri, atdhe i dashur,/ Ne s’ të lemë ty të varfër”, të cilin e përdori për të përshëndetur rininë shqiptare.
Shkroi dhe e mori fjalën për kthjellimin e dukurive dhe gjendjeve të ndryshme të aktualitetit dhe historisë. Konstatoi se në epokën e re “Thyerja morale e popullsisë shqiptare në këtë fund shekulli ishte një nga humbjet më të rënda të tij. Ajo ishte, me sa duket, rrjedhoja më tragjike e diktaturës sfilitëse komuniste në Shqipëri dhe e terrorit shtazarak serb në Kosovë e vise të tjera të Jugosllavisë”. (I. Kadare, “Kombi shqiptar në prag të mijëvjeçarit të tretë”, Onufri, 2005, f.26). Dhe rimori e këndoi me mënyrën e vet refrenin Naimjan të “Shqipërisë zonjë” dhe atë Nolian: “Mbahu, nëno, mos ki frikë”.
Shkrimtari i mirënjohur thotë e thotë se këto janë dukuri kalimtare, kryesore është që njerëzit tani janë të lirë, prin iniciativa private e vetiake, dhe se forcimi i strukturave administrative e kontrolli i zbatimit të ligjeve do të çojë doemos në forcimin e demokracisë, ngritjen e saj në standarde europiane.
***
Defterët e Gjirokastrës janë të lashtë, të trashë dhe me thellësi kohe. Disa familje gjirokastrite ruajnë emblema të vjetra në dyert dhe qemeret e shtëpive, tapi me vulën e Perandorisë Otomane, libra të vjetër dhe fotografi të një shekulli më parë. Disa shkruajnë kujtime e botojnë libra, e këta janë me dhjetra, pa qenë shkrimtarë profesionistë. Qyteti mbetet kronikë në gur edhe për të djeshmen e afërt e të sotmen. Ai është një barometër dhe sismogreaf edhe i ngjarjeve përreth, brenda vendit dhe në botë.
Gjirokastriti është njeri me kujtesë të fortë. Qyteti nuk i harron bijtë e vet më të mirë, por as birbot që terrorizuan e mashtruan në pranverën e vitit 1997, grabitën depozitimet e qytetarëve në firmat piramidale e bankën e shtetit, hëngrën fondet për një ujësjellës apo ribërjen e një ure, nuk harron ata që ngjeshën në brez armët e muzeut jo për të mbrojtur qytetin, por për t’i shitur ashtu si ikonat e kishave, qëndizmat e grave, reliktet e ruajtura me kujdes e dashuri nëpër breza. Por asnjë ndëshkim për fajtorët dhe asnjë kthim i sendeve me vlerë.
***
Sot në Gjirokastër nuk mund të flitet për industri dhe qendra pune e prodhimi me qindra ose dhjetra punonjës, si dikur, dhe qytetin po e orientojnë drejt turizmit si diçka shpëtimtare. Arkeologu dhe politikani Neritan Ceka, këshilltar pranë kryeministrit Sali Berisha, në një veprimtari të rëndësishme për problemet e urbanistikës në maj 2012 në këtë qytet u shpreh se e ardhmja e Gjirokastrës është e kaluara e saj! Shprehje e figurshme kjo, por a ka alternativë tjetër zhvillimi? Edhe artizanati tradicional e hoteleria janë vënë në shërbim të turizmit.
Νë kuadrin e programit “Trashëgimi kulturore pa kufij”, menaxherë dhe specialistë kanë ardhur në Gjirokastrër nga Tirana, por edhe nga Mali i Zi, Kosova e më tej. Në qytet e në kala u hap e nisi punë një atelje restauruese për antikat: armë stërgjyshore, kostume, mjaft objekte me vlerë nga ato që kanë shpëtuar. Është bërë e po bëhet një farë pune, por jo aq sa të themi se Gjirokastra po bëhet kantjer rindërtimi.
Specialistë që e njohin dhe e duan Gjirokastrën, shprehin shqetësim për cënimin e urbanistikës dhe peisazhit të qytetit muze me ndërtime pa kriter brenda e jashtë zonës muzeale. Në qendrën e re të qytetit, mbi stadium, pallatet shumëkatëshe prej betoni kanë mbyllur pamjen piktoreske të Lagjes Palorto. Lagja Granica dhe Lagja e Shtufit, përbri Palortosë, janë një pasqyrë e shkeljes së kanunit arkitektonik, ku shtëpitë në pjerrësi kishin një lartësi të caktuar dhe nuk ia zinin pamjen njera – tjetrës. Me ndërtimet pa kriter, kjo lagje shtesë nga ana e stadiumit e mylli panoramën dhe prishi kompaktësinë estetike të ansambleve të sipërme.
Gjithnjë kam menduar çfarë ka të veçantë Gjirokastra. Po. Janë një duzinë lagjesh të saj, që janë malore, kurse Berati ka vetëm një lagje në malore, Mangalemin. Edhe Kruja është në terren shkëmbor, por nuk i ka përmasat dhe shtrirjen e Gjirokastrës. Shtrirja plot përthyerje, ulje-ngritje e Gjirokastrës, ansamblet e shumta arkitekturore, rrjetëzimi i përrenjve dhe harkimi i urave, konfiguracioni i saj i japin individualitetin e spikatur dhe e bëjnë unikale.
Sa herë do të hysh në brendësi të Gjirokastrës, do të zbulosh pamje tërheqëse, gjëra të reja në mjediset e vjetra. Gjirokastra ka shumë pika shikimi, balkone, aq sa asnjë qytet tjetër i Shqipërisë: Kalaja, Kuculla, Bregu i Ciut, Kodra e Shtufit, Bregu u Baboçatëve, Shtëpia e re e Pritjes, Lëmi i Zekove (ku është dhe sot ndërtesa e re e radiotelevizinit lokal) e ndonjë tjetër, që mund të përshtaten edhe më mirë për soditje, pa harruar se gati gjysma e kalasë është e paafrueshme për vizitorët. Gjirokastra-qytet muze ka një varg shtëpish muze, por edhe pika të shumta ku kanë ndodhur ngjarje historike. Në Gjirokastër, sidomos në lagjet e sipërme dhe prapa Kalasë, banojnë njerëz që, pavarësisht nga tjetërsimi i thellë demografik, ruajnë e konservojnë një konstitucion shpirtëror e kulturor të qendrueshëm.
Gjirokastra është qytet muze, një muze gjigand i banuar, çelësat e të cilit, shumicën, i kanë në dorë vetë banorët tradicionalë të saj. Ka vlera jo vetëm qendra e vjetër, por edhe në lagjet e tjera. Sepse ka lagje të tëra si Manalati e Cfaka, pas kalasë, që ngjan se janë hedhur prapa krahëve të kujdesit e vlerësimit që meritojnë. Flitet për dhjetra miliona dollarë derdhur nga qeveria për turizmin dhe ruajtjen e përmendoreve të së kaluarës, por sa prej tyre përdoren për të parandaluar dhe korrigjuar cënimet që e denatyrojnë Gjirokastrën? Po ndërsa shtëpia e shkrimtarit pret me orë ditën e përurimit, mjaft shtëpi të vjetra gjirokastrite bien. (Deri edhe ambasadori amerikan Arvizu u shqetësua pse banesat karakteristike gjirokastrite po bien njera pas tjetrës). Bien shtëpitë karakteristike, rroposen vetë, e numri i tyre shtohet tronditshëm, aq sa edhe një specialist nga Turqia e sotme tha se gjendja është alarmante.
Kalben dritaret, trarët e dyshemetë, fundosen çatitë, shemben muret pasi lëshojnë bark, nën peshën e borës, të kohës dhe të indiferencës, në kushtet e pafuqishmërisë së pronarëve dhe të shtetit për t’i mirëmbajtur e ringjallur, sepse shpenzimet për privatët janë të papërballueshme. E, ndërsa fantazmat e tilla shtohen, shumëkatshet prej betoni lartësohen.
Në lagjen Meçite në vitin 2014 takuam zonjën Anastasi, deri dje pronare e Banjës turke, që në derën e Banjave kishte vënë një dryn të markës kineze, Trois Cirkles 084 . Krojet afër xhamisë nga shtatë janë bërë pesë. Ndërsa në televizionin lokal flitet për rehabilitimin e tyre dhe të Banjave përmes investimesh të konsiderueshme.
***
Këculla, kapuçi shkëmbor e belvedere e Gjirokastrës, ka pothuaj të njëjtën lartësi me kullën Ejfel të Parisit. Do të ishte, ndoshta, një kuturisje kënaqësore që autori të ngjitej një ditë, si në rini, në atë lartësi dhe ta shikojë Gjirokastrën nga lart, siç e pa nga kodra Rastinjaku i Balzakut Parisin.
Me njohjen ndërkombëtare në rritje, shkrimtari kishte të drejtë të ngjitej në atë lartësi dhe të thoshte: “Të munda, o lëkurë e vjetër!” Por nuk i shkoi ndërmend. Dhe është kuptimplot pohimi i gazetarit dhe kritikut të shquar letrar amerikan Richard Eder, që shkroi në gazetën “New York Times” në vjeshtën e vitit 2008 për romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, se e ndien veten provincial përballë kulturës, narrativitetit dhe gjithçkaje që shqiptari rrezaton në këtë roman.
(Ai ka shkruar e folur edhe për romanet “Kronikë në gur”, “Piramida”, “Pallati i ëndrrave”, “Ura me tre harqe”, “Trashëgimtari” etj. dhe e quan veprën e Kadaresë një zbulim të madh, duke shprehur brengosjen pse romani që e bëri të famshëm u njoh aq vonë në Amerikë).
Qytetar i botës dhe banues në shtëpitë e miliona njerëzve, edhe matanë Oqeanit, Ι. Kadaresë i mungon shtëpia e vet në Gjirokastër. Është i dënuar me brengë dhe mall për të. E për të gjitha rastet e ardhjes së tij në Gjirokastër vlejnë ndjesitë e shprehur tek memoriali në fund të romanit “Kronikë në gur”, 1970: “Shtëpia e vjetër. Trarët, dërrasat, shkallinat e saj kërcisnin lehtë, fare lehtë, me një kërcitje të vazhdueshme, monotone. Ç’ke, ç’të dhemb? Dukej sikur ajo ankohej se i dhembnin kockat dhe gjymtyrët shekullore. Gjyshe Selfixhe, Xhexho, hallë Xhemo, nënëmadhe, Kako Pino…Ato s’ janë më por udhëkryqeve, nëpër kënde muresh kam parë ca vija të njohura, ca si tipare, hije mollëzash e sysh. Ato janë atje, të përjetshme, të ngrira në gur, bashkë me shenjat që kanë lënë sipër tyre tërmetet, dimrat apo rrebeshet njerëzore”.
***
Gjirokastra historike dhe bashkëkohore, me arkitekturën dhe njeriun e saj nëpër breza, mbetet burim krijimesh edhe për autorë të tjerë, letrarë dhe artistë gjirokastritë, që gjithsesi ecin në rrugën e gjerë që hapi në letërsi shkrimtari me emër. Ndjenjat dhe mendimi i tyre për Gjirokastrën mund të përmblidhen në deklarimin e piktorit Bashkim Ahmeti se: “Për mua Gjirokastra më shumë se vendlindje është një IDE e madhe, një enciklopedi e historisë, e ngjarjeve dhe e personazheve, e bukurive që ka mbrujtur, shfaqur ose i mban fshehur në brendësi të hijeve të thella që e mbështjellin” (Th. Dino, “Themele dhe rrënoja”, bot. “Argjiro”, 2011, f. 244).
Midis emrave vendosur këto vite rrugëve të qytetit, dhe krahas emrit të shkrimtarit, lexojmë tabela me emrat “Rruga e Bilbilave” e “7 Kronjëret” dhe “Dino Çiço”. Është e gjatë lista e pagëzimit të rrugëve, me emrat e figurave gjirokastrite e më gjerë, me gjurmë e kontribute të ndryshme nëpër breza e kohë.
Megjithë paradokset e tranzicionit të tejzgjatur, Gjirokastra i bëri sa mundi e ku gjeti rast, nderet birit të shquar. Përveç titullit “Nder i qytetiti” dhe medaljonit në qendër të qytetit, u pagëzua me emrin Ismail Kadare rruga e Gjimnazit. Portreti i shkrimtarit është në ballë të galerisë së arteve figurative në kubetë e kalasë. Edhe në ekspozitën më të re, në qendër të sheshit të vjetër, Kadare është emblemë, nga skulptori gjirokastrit Stefan Papamihali.
U punua disa vjet që të hapet në kala një muze tjetër përveç atij ekzistues. Nga buletinet e viteve 2008-2009 mësojmë se një tunel – bunker me gati 50 dhoma, i ndërtuar në vitet ’80 për udhëheqjen komuniste të qytetit, mund të hapet për vizitorët. GCDO, në bashkëpunim me Bashkinë e Gjirokastrës, përfunduan fazën e parë të punës, pastrimin dhe rehabilitimin e sistemit të ndriçimit. Përpjekjet synojnë ta kthejnë tunelin në gjendjen e dikurshme dhe në një qendër të vizitueshme. Ideatorët dhe nismëtarët e këtij muzeu – tunel menduan të krijojnë në të edhe një pavijon për Gjirokastrën siç e koncepton I. Kadareja në librat e tij. Dëgjojmë se finacues i kësaj ekspozeje – galeri është një amerikan.
Nga drejtori i GCDO në Gjirokastër, z. Sadi Petrela, mësojmë se shkrimtari Ismail Kadare e ka kundërshtuar nismën që muzeu i ri të emërtohet “Kronikë në gur”. Por ka edh më keq: Me shkas nivelin e pakënaqshëm të kuadrove që përgatit e nxjerr Universiteti “Eqerem Çabej” i Gjirokastrës, familja e shkencëtarit të madh ka kërkuar heqjen prej institucionit, të emrit të gjuhëtarit të shquar.
Në Gjirokastrën e të mençurve ka ide interesante, por edhe kuturisje që shkojnë deri në kufi të marrëzisë. Një nga marrëzitë e mundshme është likuidimi i pinakotekës së pasur në kala, për të ndërtuar atje një pavion arkeologjik.
Corine Lemse më 5 nëntor 1992 në gazetën “Le monde”, thotë se midis sendeve të cilat i kishte sekuestruar policia politike shqiptare shkrimtarit I. Kadarese pas largimit më 1990 dhe që policia demokratike ia ktheu, gjenden dy revolverë – relike familjare.
Çfarë ofrojnë shkrimtari e familja dhe çfarë relike qytetarët? Ja një pohim i paradokohe i shkrimtarit:
“Arkitekti është nje fqinj i imi dhe e njihte shumë mirë, që kur ne ikëm dhe e braktisëm dhe shkuam në Tiranë. Kemi lënë shumë dhe më tha që ka marrë djepin që jemi rritur ne dhe do ta vendosim aty”.
Në atë djep u përkundën edhe fëmijë të familjes Doraci e djepi do të zerë vend në këndin e vet të dikurshëm. Më pas shkrimtari fjeti në stromë, shtroje në dysheme, në dhomën e gjumit. Tek “Poema e blinduar”, viti 1964, ai thotë: “Nëse krevatet i kemi patur të zakonshëm,/ varret do t’i kemi madhështorë”…
Dikush ka marrë një hekur rrobash dhe gurin e bluarjes së kafesë, të cilat i gjeti në rrënoja.
Në një shtëpi gjirokastrite gjendet porta e shtëpisë, në anën e pasme të së cilës djaloshi kishte gdhendur inicialet e së dashurës.
Në gazetën “Albania”, 6 mars 2008, Roland Gjoza flet për një plakë gjirokastrite, bashkënxënëse e shkrimtarit të shquar, e cila gjeti midis rënojave “një fletorkë të klasës së gjashtë plot me vjersha”, të cilën e ruan dhe pret autorin të vijë t’ia japë në dorë. Ndoshta edhe të tjerë ruajnë diçka prej tij. Një laps, një shënim në bllokun e kujtimeve, një letër. Kujtime, mbresa, sende që marrin vlerë tjetër, kur mësohet se i takojnë atij, kanë firmën e tij. Dhe kureshtja se në cilën klasë, në cilën bankë u ul dhe cili apo cila ishte shoku apo shoqja në krah.
***
Më 8 prill 2009 shkrimtari u takua në hotel “Çajupi” me bashkëqytetarët dhe njerëzit e artit e të kulturës. Mjedisi i takimit ishte përplot, aq sa shumë qëndronin në këmbë. Ishte data 9 prill 2009, kur I.Kadareja ngjiti “Sokakun e të Marrëve” dhe zbriti një rrugicë paralele më tej, për një vizitë në shtëpinë e Sotiraq Paskalit, njeriut me disa fusha talenti, të Gjirokastrës. Me të ishte bashkëshortja Helena dhe grupi i xhirimit i regjisorit dhe operatorit Piro Milkani. Duke njohur dhe vlerësuar veprimtarinë në tërësi por edhe veprat e artit në dhomën e kthyer në galeri, shkrimtari i shquar i tha jo pa humor Raqit:
“Kurora e lavdisë të takon ty, se ne ikëm, kurse ti nuk u largove dhe i dhe shoqërisë e këtij qyteti”.
Kështu na thanë Raqi dhe bashkëshortja Frida, që nuk jeton më, gjatë një vizite në shtëpinë e tyre. Dialogu midis Sotiraqit dhe Ismailit gjendet edhe në dokumentarin e Piro Milkanit.
Por shkrimtari nuk mund t’i mbledhë miqtë e vet dhe dashamirët në odën e madhe të shtëpisë prindërore. Se ajo është e pambaruar, e kyçur, dhe kyçin e madh e mbajnë burokracia dhe mospërgjegjësia, duke e lënë në njëfarë mënyre jashtë saj. Kështu, takimin e fundit me ta ai e bëri te rruga, në kubenë e hapur, në këmbë, ku u mblodhën shumë njerëz, që ndoshta edhe e besdisën.
Nxënësit e shkollave gjithnjë e më tepër i drejtohen bibliotekës së qytetit, që të njihen me veprën e gjerë e të çmuar letrare të shkrimtarit. Dhe në librarinë e vetme të qytetit librat e rinj të I. Kadaresë shiten më tepër se të çdo autori tjetër, pothuaj brenda ditës. Ato bëhen objekt diskutimesh të lira, tema hartimi për nxënësit dhe studjohen në programin universitar. Por mendoj se vepra letrare e I. Kadaresë dhe vepra shkencore e E. Çabejt mund të hyjnë në programin mësimor të universitetit të qytetit ose në një program tjetër, si një seri leksionesh ose bisedash popullarizuese. Kurse me pjesët më të bukura për Gjirokastrën, prozë dhe poezi, të shkrimtarit, mund të hartohej e botohej një antologji.
***
I mallëngjyer nga vizita në kinemanë e vjetër të qytetit, poeti shprehej dikur se “si hamall këto stola do t’i mbart mbi vete” (1964).
E mbajti në kraharor qytetin, si Sizifi mitologjik shkëmbin e vet dhe si Atlanti mbi supe kupolën e qiellit. E mbarti si një peshë të madhe e të veçantë, për t’ua bërë dhuratë letrare lexuesve, bashkëqytetarëve dhe brezave, një përmendore artistike. Dhe qyteti mban mbi vete peshën e veprës dhe emrit të tij, nga e cila nuk mund të “shpëtojë”. Peshën e saj e ndien çdo lexues.
Për Gjirokastrën shkrimtari ka folur me të gjitha llojet dhe gjinitë letrare: poezi, prozë, dramë, tregim, novelë, roman, skenar filmi, reportazh letrar, studime, ese, kujtime, letërkëmbim, dshe me të gjitha mënyrat: intervista në shtyp, biseda në televizion, takime me lexuesit.
Materiali letrar e publicistik që ofron pena e Ι. Kadaresë për Gjirokastrën është i pasur e mund të shkruhet shumëfish. Gjirokastra mbetet deri vonë burim i pashtershëm për motivet, temat dhe botën ndjesore të tij. Atje ishin personazhet dhe tipat me koloritin e papërsëritshëm (Argjiroja, Doruntina, Plaka Nicë, Kako Pinua, plakat e Jetës, shpikësi Dino, xha Avdua, Babazoti, Doktor Gurametoja, etj.) dhe të tjerë që vazdojnë të popullojnë veprën e tij, atë që merr shkas nga vendlindja dhe në tërësi. Atje ishte që herët e folura e spikatur dhe tharmi i gjuhës. Një kod komunikimi që duhej njohur e zbërthyer me talent e durim. E përveçme dhe njëherësh tipike, Gjirokastra që pasqyron me vërtetësi dhe njëmendësi I. Kadare, mjediset karakteristike, botën zakonore, ndihmojnë për të njohur fozionominë, rindërtuar sidomos të kaluarën e saj.
Lidhjet e shkeimtarit me qytetin marrin disa herë forma të mbinatyrshme. Diku e quan Gjirokastrën qendër e perandorisë e diku tjetër qendër të botës. Në fantazinë e tij shtrihen linja ajrore si: Gjirokastër – X, J – Gjirokastër, Gjirokastër – Akademi e Vjenës, Pullazi i shtëpisë së Dino Çiços – Babiloni – Gjirokastër. (Ismail Kadare, “Ftesë në studio”, 1989, f.302). Tek intervista dhënë Frederic Fernezit, në Revue shkurt 2013, I. Kadareja pohon se në një fare mënyre Një mendim të ngjashëm ka shprehur Helena Kadare në kujtimet e saj voluminoze.
Sa herë kemi kujtuar se shkrimtari e mbylli kapitullin e Gjirokastrës, u lodh me të apo nuk ka ç’të thotë tjetër, ai ka dalë nga një shteg i ri dhe ka befasuar lexuesit. Vokacioni i vendlindjes jeton brenda tij si “kushtrimi i të parëve”. Njohja e parë dhe lidhjet e përhershme me të janë së pari emocionale dhe psikologjike. Dhe kujtesa e tij në vitin e 80 të jetës është e kthjellët, e saktë, e freskët, me afësinë të nxjerrë në reliev gjëra të reja. Kujtimet i burojnë të shumta e ngjarjet të gjalla, sikur të kenë ndodhur dje. Do të mund të shkrunte vetëm kujtime, se, sipas traditës e modës, është mosha e kujtimeve, por veprimtaria e mirëfilltë letrare dhe pjesëmarrja në jetën kulturore e politike të vendit, nuk ia lejojnë këtë komoditet.
Ngjan se shkrimtari nuk mund të ndahet nga vendlindja, por edhe ajo nuk e le të qetë. “Kudo që shkoj atdheun e mbart si plagë” thotë nobelisti grek Jorgos Seferis. Nuk besojmë se e tepërojmë po të themi se kjo “plagë” për I. Kadarenë është Gjirokastra. Dhe si elefanti plak që nuk harron vendlindjen, ai kthehet atje sa e kur mund, për pak “oksigjen të gurtë”, siç shprehet diku poeti Dino Çiço i ri: Gjirokastra është oda më e hijshme dhe mbresëlënëse e ngrehinës letrare kadareane. Atje ishin dhe vijojnë të rrojnë personazhet dhe tipat me ngjyrimet e papërsëritshme. Konfiguracioni i qytetit është bërë një me arkitekturën artistike të veprës së tij letrare.
Gjirokastra ishte dhe mbetet burimi i pazëvendësueshëm për motivet, imazhet dhe përsiatje, për të nxjerrë në spikamë diçka thelbësore, domethënie, që i kalojnë caqet e ngushta të mjedisit konkret. Nëse nuk do të ishte ky synim dhe kjo përmasë letrare, krijimtaria e autorit do të mbetej diçka vërtet provinciale dhe ekzotike.
Fizionomia dhe ecuria e tij krijuese nuk mund të kuptohen e shpjegohen në thellësi, nëse nuk njihet mjedisi ku u rrit, kurse ngjan se Gjirokastra nuk mund të kuptohet dhe të njihet mirë pa veprën e tij të pasur e letrare dhe pjesët e shumta që i kushtohen posaçërisht asaj. Konfiguracioni i qytetit është bërë një me strukturën artistike të krijimeve të tij, dhe lexuesit, sidomos të huajt, nuk mund ta mendojnë Gjirokastrën pa imazhet dhe përshtypjet nga vepra e tij letrare.
Dëgjojmë se nga viti 2005, kur e mori në mbrojtje UNESKO, numri i turistëve në Gjirokastër u pesëfishua. Në vitin 2012 numri i shtretërve për turistë arriti në 500. Vijnë mjaft turistë, kryesisht gjermanë dhe italianë, por edhe nga rajoni i Ballkanit. Dhe, pas kalasë hijerëndë, atraksioni i tyre është shtëpia e shkrimtarit. Në këtë kuadër, është me interes të përmend studjuesen e re polake Eva, 22 vjeçare, e cila erdhi dhe qëndroi disa muaj në Gjirokastër, që të thellojë njohuritë për gjuhën shqipe, pranë Universitetit. Në Poloni ka katedër të gjuhës shqipe dhe ajo erdhi në Gjirokastër me përparësi, e informuar. Ishte e pajisur me një hartë të vjetër të Gjirokastrës dhe, midis të tjerave, kërkoi të vizitonte shtëpinë ku ka lindur shkrimtari i mirënjohur. Pastaj vizitoi me radhë Muzeun Etnografik, shtëpinë Zekate, shtëpinë e Topullarajve dhe, doemos, kalanë. E shoqëronte gjirokastriti Flamur L., elektricist pranë konviktit të vajzave studente. Kur u largua, Eva premtoi se do të kthehej në Gjirokastër për të parë Festivalin Folklorik Kombëtar. Erdhi, duke sjellë me vete tre kolegë me përvojë nga Varshava. Edhe këta i çoi të shikojnë shtëpinë e shkrimtarit.
Një studente vjen nga Parisi për temën e saj të disertaciuonit, që lidhet me vendlindjen e shkrimtarit. Një çift holandez, në pamundësi për të hyrë brenda, ledhaton me duar gurët e mureve të shtëpisë. Dhe në vargun e njerëzve që pohojnë se Shqipërinë e njohën përmes librave të I. Kadaresë vjen edhe shkrimtari i shquar maroken Tahar Ben Hellou, që shkruan në frëngjisht (“Gazeta shqiptare”, 22 shkurt 2014), i cili shpreh dëshirën që edhe ta vizitojë.
Mësojmë se vitet e fundit një grup nxënësish gjermanë dhe shqiptarë nga Gjirokastra, me ekspertin e GTZ/CIM, zotin Dompke, përgjegjës për ruajtjen e monumenteve historike, ndoqën një guidë në gjurmët e shkrimtarit Ismail Kadare, vendet ku zhvilloheshin ngjarjet në romanin “Kronikë në gur” deri në shtëpinë e lindjes së shkrimtarit.
RINGRITJA E SHTËPISË SË SHKRIMTARIT
Historiku i ringritjes së shtëpisë së shkrimtarit është plot peripeci dhe vuajtje. Dëshira dhe pritja e ankthshme e arkitekt Agronit dhe kryetarit të shoqatës “Miqtë e Kadaresë”, shkrimtarit dhe publicistit Thanas Dino, dhe e gjithë dashamirëve, u fashit nga zvarritjet e ndërprerjet, si në lojën e vjetër “Ngriva-shkriva”. U deshën pesëmbëdhjetë vite për të ngritur muraturën dhe hedhur çatinë e shtëpisë. Në vitin 2.000 qeveria Meta akordoi 34 milionë lekë për rindërtimin e saj 34 milionë lekë. Por nga fondi u livruan vetëm 5 milionë, sa për të pastruar kërnditë. Më 2004 Ministri Ylli Pango, deklaroi se për rindërtimin e shtëpisë së shkrimtarit shteti vuri në dispozicion 100 milionë lekë të reja.
Në vitet 2.000 Bashkia e qytetit dha për shtëpinë e shkrimtarit 2 milionë lekë (“Gjirokastër. Ringritja e madhe, 2004 – 2006”, f. 48).
Mësojmë se edhe Ambasada amerikane në Tiranë ka dhënë për këtë shtëpi 50.000 dollarë. Në dhjetor 2011 u dëgjua se UNESKO do të japë fonde për mirëmbajtjen e qytetit të Beratit dhe qytetit të Gjirokastrës, një lloj reagimi ky edhe për moskujdesin ndaj vlerave arkitektonike. U bë shkas edhe injeksioni i ndonjë shkrimtari gjirokastrit, që kryetari Bashkisë, z. F. Bime, të ndërhyjë edhe një herë me një letër drejtuar personalisht kryeministrit Sali Berisha, që çështja e “ngrirë” e shtëpisë të marrë shtytjen drejt zgjidhjes së plotë dhe përfundimtare.
E përsëri pati pauza. Deri edhe ngërçe. Sipas gazetës “Telegraf”, mësojmë se në mbledhjen e qeverisë të dt. 13 mars 2013 u vendos shpronësimi i një pjese të shtëpisë dhe trollit të familjes Rrapo, kundrejt një shume të konsiderueshme, të cilën do ta paguajë Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në vazhdim, gjatë vizitës në Gjirokastër, prill 2013, kryeministri Berisha deklaroi se shtëpia e shkrimtarit ka një peshë të veçantë për Gjirokastrën dhe se shteti posedon fonde të për Gjirokastrën muzeale.
Me vendimin e qeverisë Berisha për shpronësimin e pjesës së shtëpisë fqinje të Rapove, që bllokoi vazhdimin e punimeve dhe dëmshpërblimin material të saj vështirësitë u kapërcyen përfundimisht. Por u pritën fonde të reja nga UNESKO-ja dhe disa milionë lekë nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, firmosja e fondit d.v. nga ish kryeministri dhe…reflektimi në bazë! Mësojmë se, me fondin e pritmë për mësymjen përfundimtare, fondet e livruara për rindërtimin e shtëpisë së shkrimtari prekin shifrën 250 mijë euro.
Në maj 2014 qeveria Rama akordoi i një paketë financiare për disa vepra në shërbim të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë dhe turizmin në qytetin e Gjirokastrës. Midis objektivave të saj dhe me afat të shkurtër ishte restaurimi i rrugës që shpie drejt shtëpisë së shkrimtatarit, pjesa e rrugës “Fato Berberi”, duke nisur nga rruga “Doktor Vasil Laboviti”, rreth 200 m., ura përpara shtëpisë së Ficove dhe muri rrethues i shtëpisë së Kadareve. Fondi i caktuar për këtë qëllim arrin në 27 milionë lekë të reja. Ky projekt e vendim gjeti miratimin e banorëve, të cilët shprehen se nuk është gjë e këndshme të shkohet tek shtëpia e shkrimtarit përmes një rruge në gjendje aq të keqe.
Dhe ja, në verën e nxehtë të vitit 2014 u shpall lajmi se qeveria Rama akordoi i një paketë financiare për disa vepra në shërbim të ruajtjes së vlerave të trashëgimisë dhe turizmin në qytetin e Gjirokastrës. Fondi i ri do të mbulojë rishtrimin me kalldrëm të rrugës, duke nisur nga rruga “Doktor Vasil Laboviti”, këndi i banesës së kirurgut të famshëm, e vazhduar me rrugën “Fato Berberi”, e cila shpie tek shtëpia e shkrimtarit, urën përpara shtëpisë së Ficove, murin rrethues të shtëpisë së Kadareve dhe disa punime në mjediset brenda mureve. Fondi i caktuar për këtë qëllim: 27 milionë lekë shqiptare, që konvertohen në 193.000 euro.
Ky projekt e vendim gjeti miratimin e banorëve, të cilët shprehen se nuk është gjë e këndshme të shkohet tek shtëpia e shkrimtarit përmes një rruge në gjendje aq të keqe. Banorët dhe dashamirët u gëzuan për këtë lajm dhe aksion, duke besuar se do të marrë fund edhe marrëzia e zvarritjes dhe sabotimit të restaurimit të plotë dhe përurimit të kësaj shtëpie historike. Puna nisi me vrull në korrik, u shqep kalldrëmi gati njëqind e gjashtëdhjetë metra i gjatë, por në shtator ranë ritmet e fillimit ranë.
Zvarritja u bë pengesë për vizitorët. Këtë pësoi në fund të gushtit 2014 edhe shkrimtari Bashkim Shehu, djali i vogël i ish kryeministrit shqiptar, kur u nis enkas ta vizitojë shtëpinë, bashkë me bashkëshorten dhe dy vajzat e vogla. Erdhi nga larg, nga Barcelona e Tirana, por nuk mundi t’i afrohej shtëpisë. Këtë pësuan atë ditë edhe disa gra të tjera turiste, që ishin si punë grupi. Bashkimi, që në moshë të re ka qenë mik i shkrimtarit të shquar, adhurues i tij; bëri emër si krijues në Spanjë, Ballkan e më gjerë, por u largua me një peng nga Gjirokastra: pamundësinë ta shikonte nga afër e nga brenda shtëpinë ku lindi dhe jetoi deri në mbarimin e shkollës së mesme autori i Kronikës së Gurtë dhe sa e sa krijime të tjera të famshme.
Shtëpia e shkrimtarit tërheq interesin e dashamirëve dhe lexuesve ende pa u përuruar e kthimit në identitet sa më plotë. Pas përurimit dhe kthimit në identitet, vizitorët do të shtohen. Nga kjo shtëpi e rindërtuar dhe e kthyer në muze do të ketë përfitim qyteti dhe banorët, jeta kulturore dhe shpirtërore e qytetit. Pasi në fillim deklaroi se shtëpinë ua ka falur bashkëqytetarëve, tani, së fundi, u uroi ta gëzojnë këtë shtëpi.
Kthimi i saj në identitet është çështje komplekse, por kryesorja është të ngjajë sa më shumë me shtëpinë e vjetër; të ngjajë me një shtëpi ku kanë banuar breza, familja e shkrimtarit, prindërit, motra dhe vëllai, ka patur një gjirmë, dhomë gjumi, për miqtë, çilte të rehatshme për vizitorët, mundësisht edhe një palë dylbi në dritare. Pra, rikrijimi i atmosferës familjare dhe intime. Do të jenë në mjediset e saj dhoma e zjarrit, gjirma me një zjarr simbolik, oda e miqve, minderet, pusi në avlli, por nuk e di a do të jetë si mjedis edhe burgu shtëpiak (hapsana).
“Kur kthehesha nga Liceu, një moment kaloja Urën e Lumit natën dhe Gjirokastra më dukej sikur hapej si sepet me gurë xhevahiri…ishin dritat e natës. Tani nuk shikon asgjë natën, sepse janë bërë ndërtesa të mëdhaja, që e mbysin pamjen e Gjirokastrës. Ishte një xhevahir kur e shikoje…shtrirja monumentale që kishte Palortoja, Hazmurati me Çetemelin, ishin gjëra që tani nuk i ke më…”, (“Muntaz Dhrami – malli për Gjirokastrën”, gazeta “Gjirokastra kulturore”, nr. 6, dhjetor 2014, f. 10, autor Stefan Papamihali).
Gjirokastrën, gjë që nuk u respektua nga “liberalët” e sotëm. Gjirokastrës po ia ze frymën betoni, sidomos tek zona rreth stadiumit të futbollit. Rreth 300 ndërtime pa leje janë bërë nëpër vite vetëm në zonën muzeale të qytetit. Dhe deri në vitin 2015, lidhur me kundërvajtjet nuk ndodhi asnjë prishje e shembje, sikundër u bënë në mënyrë demonstrative në Bbregdet ose në disa qytete e zona të vendit.
Shqetësuese është mëkëmbja apo shembja?
“Që të mbahet në këmbë Gjirokastra, thotë skulptori i shquar Mumtas Dhrami, duhet një shtet i fuqishëm “liberalët”. Bien shtëpitë e vjetra njera pas tjetrës, madje njera afër tjetrës. Janë me dhjetra të bëra gërmadhë ose që rrezikohne të bien. Në kuadrin e braktisjes nga shteti ose nga bashkia, mjaft qytetarë i kanë braktisur shtëpitë e veta, kanë hequr dorë nga zotërimi mbi to, ose i luten shtetit t’i marrë e t’i mirëmbajë. E keqja mund të nisë nga një pikë në çati, pastaj kalon te kalbja e trarëve dhe tavanit, tek rënia e rrasave dhe gurëve e mutve, me pasojë që për rindërtimin e shtëpive të nevojiten shumëfish, deri njëqindfish e të hollave dhe materialeve.
Lind pyetja, kur nuk përballohet një dëm i vogël fillestar, si e ku gjenden pastaj forca dhe fonde të mëdha për të ndrequr e mëkëmbur një ndërtesë të tillë, shpesh që nga themelet? Si gjenden pastaj grupe e shtabe të tëra për restaurim të specializuar, kur nuk ishte gjendur më parë një dorë që të ndreqte një pikë në çati?
Më të fuqishëm se shteti janë ata që qeverisin fatin e qytetit të gurtë dhe manipulojnë fondet e caktuara me destinacion mirëmbajtjen e tij. Ndërkohë lartohen pallatet shumëkatëshe të pushtetarëve, dhe këtu është çelsi për të shpjeguar atë që duket si diçka absurde. Shtëpitë e vjetra, karakteristike, dëmtohen e rrëzohen, por bëhen përpjekje që, pas kazinosë së parë, të hapet e edhe një e dyte e ndoshta dhe e treta, në qytetin me mijra të papunë, ku por rritet skamja, korrupsioni dhe prostitucioni, e ndihen ende në ajër avujt e hashashit që prodhonte me tonelata fshati Lazarat, tre kilometra larg qytetit. Bëhet edhe ndonjë vepër si pedonalja që lidh qytetin me parkun e Viroit, hapen edhe disa dhjetra vende pune për fason, por këto janë fare kundrejt papunësisë, nevojave dhe problemeve që ka patur dhe ka edhe Gjirokastra. Statistikat e fundit thonë se niveli mesatar i jetesës e banorëve gjirokastritë është pothuajse sa ai i kryeqytetit, por jo pak i besojnë facadës dhe manipulimeve zyrtare.
Shkrimtari i shquar as në të kaluarën nuk ndërhyri në punët e Gjirokastrës. Dha ndonjë mendim kur iu kërkua, gjë që ndodhi rrallë ose nuk ndodhi fare. Edhe në zhblokimin e çështjes së rindërtimit të shtëpisë së familjes ai hasi vështirësi të papërfytyrueshme. Ai është ambasador i Shqipërisë në botë, por jo edhe ministër fuqiplot në Shqipëri. Por le ta lemë këtë kapitull të hidhur dhe të rikthehemi tek vepra letrare e I. Kadaresë. Ai punoi për Gjirokastrën, solli UNESCO-n dhe, kryesorja, e bëri të njohur në Europë e më gjerë.
Do të bëhej një listë e gjatë me emra gjirokastritësh që shkrimtari i pati bashkënxënës e plot të tjerë që ishin ose thonë që kanë qenë shokë e miq të tij. Gjenden larg, në Amerikë e gjetiu, bashkëmoshatarët, shokët e fëmijërisë dhe miqtë e jetës: Agron Fico, Adem Harxhi, e ndonjë tjetër. Ata e kujtojnë, dërgojnë edhe ndonjë mesazh, por mundësia e takimit me shkrimtarin është mjaft e kufizuar. Ai që lëviz më tepër nëpër botë, duke shkuar disa herë edhe në SHBA, është shkrimtari, të cilin bashkësia e emigruar atje kryesisht pas vitetev 1990, një koloni e re me përmasa shumëfish nga e para, e vlerëson dhe e nderon. Në vjeshtën e vitit 2015 inxhinieri Bardhyl Bozgo erdhi nga Amerika për disa ditë në qytet, dhe përpara largimit e fotografoi shtëpinë e shkrimtarit).
Miqësi me shkrimtarin kishin edhe gjirokastritët Baftjar Dobi e Rustem Dobi, që, nga mbiemri, ngjan se kishin edhe lidhje gjirie. Përmes lidhjeve e bisedave me ta, shkrimtari jo vetëm merrte informacion, por edhe shprehte shqetësimin për gjendjen. Kështu, nga një takim në Tiranë shumë e shumë vite më parë, mësojmë se Rustemi “takon Κadarenë dhe, pasi i flet për veprën e tij të fundit, e pyet se ç’ ka në dorë. Kadareja, pik e vrer, ia kthen: – Ç’ të duhet ty ç’do të shkruaj unë? Ιk, o Rustem, e na prodhoni qumësht, se po ngrihemi në mesnatë e nuk po marrim një shishe qumësht. Lëre mishin… E merr vesh? Shko e bëj detyrën tënde, se unë timen e bëj…Κa të drejtë, na thotë, kur kthehet në Gjirokastër”. (Sadik Bejko, “Një kafe me Rustem Dobin”, gazeta“Dita”, 22 maj 2014, f. 11).
E ja ku na del përpara emri i Reiz Çiços, asistent operator në Kinostudio, i rrahur dhe i keqpërdorur nga organet e Punëve të Brendshme pa asnjë faj, dhunim të cilin shkrimtari e denoncoi në letrën drejtuar presidentit Ramiz Alia në 3 maj 1990 (Ismail Kadare, “Letërkëmbim me presidentin”,Botimet Onufri 2005, f. 15 -16). Na vjen mirë për këtë veprim të guximshëm qytetar, që shkrimtari e ka bërë dhe për të tjerë, të panjohur e jo nga qyteti i lindjes.
Ja ku na del edhe arratimadhi Arshi Pipa, që kishte jetuar gjatë në Shkodër dhe punoi si pedagog i letërsisë dhe i gjuhës. Në vazhdim, i përndjekur, pasi shkoi në SHBΑ. Arshi Pipa përktheu në anglisht dhe botoi i cili, në Angli të romanit “Kronikë në gur”, (Ismail Kadare, “Letërkëmbim me presidentin”, Botimet Onufri 2005, f.35 – 36 e 63-64). Në atë botim, në parathënin e librit, duke dashur të denoncojë regjimin komunist dhe denigrojë personin e E. Hoxhës, Arshiu për pak sa nuk i bëri dëm autorit, sepse e shpallte I.Kadarenë, disident. Por nuk u kuptua mirë përse në vitin 1990, tek “Zëri i Amerikës” Arshiu ndryshoi qëndrim, duke pohuar se Kadareja paskish penguar për demokratizimin e Shqipërisë (Pozicion ky i R. Alisë). Më pas kjo parathënie, studim, u vendos në serinë e veprës së Kadaresë botuar nga “Onufri”.
Një shoku të Gjimnazit, sigurims, pas kthimit të shkrimtarit nga studimet jashtë shtetit, iu caktua detyra ta psikologjiste në intimitet dhe të informonte organin special nëse shkrimtari ishte pro ose kundër regjimit. Dhe shoku i shkollës e mbrojti talentin, duke dhënë garanci për “bindjet e shëndosha të shkrimtarit”. Me diferencë të madhe moshe me shkrimtarin, historiani Prof. Arben Puto, nga Gjirokastra, në letrën e dt. 27 gusht 1990 dërguar Elez Biberajt, atëherë drejtor i emisionit shqip të “Zëri i Amerikës”, i thotë se Kadareja nuk duhet sulmuar, se ai nuk është hero, por është talent i madh, se, megjithëse regjimi e ka marrë me të mirë, ai nuk është identifikuar me regjimin (“Gazeta shqiptare”, 3 mars 2014, sipas librit “Sfidat e të drejtave të njeriut në Shqipëri”).
Por ngjarjet rrodhën në mënyrë të tillë që shkrimtari, me kërkimin e azilit politik në Francë, doli në rolin e një katalizatori për procesin që kishte nisur, përmbysjen e regjimit komunist, duke flakur edhe pandehmat për R. Alinë.
Studentet dhe rinia e Tiranës, në manifestimet regjim – përmbysëse, tok me pankartat mbante edhe portretin e shkrimtarit.
Shkrimtarit iu desh të përballojë pabesi shokësh e “jagosh”, që e ndiqnin si hije në çdo hap ose orvateshin të uleshin këmbëkryq në vatrën e tij. Nuk nguroi t’ u mbyllë derën të dyshimtëve dhe të padëshiruarve. Na vjen në ndihmë edhe thënia e Hajnes: “Armiqtë janë lavdia ime”, që Ismaili kishte të drejtë ta përdorte, por nuk e përdori.
***
Gjirokastra që rikrijoi artistikisht I. Kadareja përbën tashmë një arketip figurativ dhe shpirtëror. Pa penën e tij, Gjirokastra nuk do të ishte ajo që njohim dhe na është fiksuar. Në penën e tij qyteti është bërë më interesant edhe për vetë banorët tradicionalë. Se, edhe po të shembej (larg qoftë!), do të mund ta rindërtonim këtë qytet sipas dëshmive dhe modelit artistik që krijoi I. Kadareja. Veprat e tij letrare që marrin shkas nga Gjirokastra janë një guidë e pazëvendësueshme për vizitorin e huaj e jo vetëm atë.
Përvoja e letërsisë botërore dëshmon se vepra e disa shkimtarëve të shquar është e lidhur intimisht me vendlindjen, me temat dhe personazhet që ajo u ofron. E tillë është Firencja për Danten, Dublini për Xhejms Xhojsin, Milanoja për Dino Buzatin, Stambolli për Orhan Pamukun, etj.
“Vizioni i parë” dhe jo vetëm, Gjirokastra, është oda më e hijshme, më mbresëlënëse e ngrehinës letrare kadareane. Nga Gjirokastra nis mirëfilli “Pashallëku” letrar që ai e shestoi dhe e ndërtoi me pasion, këmbëngulje, mundim, mjeshtëri, harmoni dhe dashuri. “Vizioni i parë i botës” u shtri dhe e ndoqi pas si hija e trupit, nga e cila njeriu nuk mund të shkëputet, as ta dëbojë, as ta zhbëjë, madje, nuk mund të bëjë pa të. Odës iu shtuan hapësira të tjera shqiptare, ballkanike, kontinentale, bota. Ato janë edhe brenda vendlindjes, si kuadër dhe element përbërës.
Me Gjirokastrën, shkrimtari i vuri një themel e taban të fortë veprës së tij. Në një shkrim botuar në gazetën “Drita” nga mesi i viteve 1970, shkrimtari fliste për një kuzhinier që shkruante poezi dhe e ndjente veten ngushtë sepse mendonte që gatimi dhe poezia nuk mund të shkojnë bashkë. “Brumi prej guri” e ka quajtur Thanas Dino një libër të tij për Gjirokastrën. Vetëm me një brumë të tillë mund të shkruhen vepra të qëndrueshme për të. Edhe kur nuk “gatuan” gjë të re, shkrimtari i vërtit në duar gurët, lexon damarët e gurtë, i laton atje ku mendon se ka vend për më tepër përkryerje. Ndaj guri duhet shkruar me G e jo me g. Nuk mungon g-ja në fjalorin e shkrimtarit, por as në emrat e personazheve: Guri, Gurgaj, Gurameto. Përtej kësaj, të gjitha personazhet letrare të tij kanë diçka nga pesha dhe fortësia e gurit. Përsërisim se, pa Gjirokastërn e Gurtë, vepra e tij letrare nuk do të kishte peshën dhe fortësinë që ka.
Kadareja i Gjirokastrës dhe Gjirokastra e Kadaresë. Gjirokastra e jetës dhe e veprës së tij letrare. Gjirokastra e Kadaresë. “Gjirokastra e Kadaresë” thonë më tepër të huajt dhe ata që nuk janë gjirokastritë. Shtohen ata që e njohën Gjirokastrën përmes veprës së tij e sidomos përmes Kronikës së Gurtë, ata që dëshirojnë të vinë dhe nisem posaçërisht nga afër vendlindjen dhe shtëpinë e tij të lindjes. Dhe mbeten të befasuar nga arkitektura, rrugët e mjediset dhe të kënaqur nga mikpritja e qytetarëve dhe mirëpritja si turistë e bujtës në hotele dhe në shtëpitë-hotele që gjithashtu janë shtuar.
Zakonisht është borxhli fëmija ndaj nënës, por mund të themi se qyteti i Gjirokastrës i mbetet boxhli Ismail Kadaresë, sepse e ngriti në art, e bëri mjaft të njohur nëpër botë, u bë ambasadori më i mirë kulturor i Shqipërisë dhe në veçanti i Gjirokastrës. E kjo nuk mund të shpërblehet, pavarësisht se një pjesë e banorëve kanë rezerva e kritika. Ndonjë të thotë se Gjirokastra nuk është vetëm e Kadaresë, sepse nëpër shekuj ka nxjerrë një varg figura të shquara, në fusha të ndryshme dhe ka vlera historike e kulturore që nuk kanë dalë në dritë siç e meritojnë.
Mund të qortohet shkrimtari se shkroi pak për Gjirokastrën, apo e kundërta, se shkroi shumë? Ka shkruar mjaft e në çdo periudhë. Po t’i mbledhësh, do të bëheshin shumë qindra faqe, një korpus më vete. Vijon të shkruajë për Gjirokastrën dhe të kërkojë në krijimtarinë e hershme, gjen ndonjë krijim me interes, edhe pse thotë që gjithë sa shkroi (botoi) nga Gjirokastra, nuk kanë ndonjë vlerë. Tek intervista dhënë Frederic Fernezit, në Revue shkurt 2013, I. Kadareja pohon se në një fare mënyre ai nuk është larguar kurrë nga Gjirokastra.
Një mendim të ngjashëm ka shprehur edhe Helena Kadare në kujtimet e saj. Ngjan se shkrimtari nuk mund të ndahet nga vendlindja, por edhe ajo nuk e le të qetë. “Kudo që shkoj atdheun e mbart si plagë” thotë nobelisti grek Jorgos Seferis. Nuk besojmë se e tepërojmë po të themi se kjo “plagë” për I. Kadarenë është Gjirokastra. Dhe si elefanti plak që nuk harron vendlindjen, ai kthehet atje sa e kur mund, por më tepër i rikthehet përmes krijimeve të reja.
Sa herë kemi kujtuar se shkrimtari e mbylli kapitullin e Gjirokastrës, u lodh me të apo nuk ka ç’ të thotë tjetër, ai ka dalë nga një shteg i ri dhe ka befasuar lexuesit. Vokacioni i vendlindjes jeton brenda tij si “kushtrimi i të parëve”. Edhe kur po mbush tetëdhjetë vjeç kujtesa e tij është e freskët, i riprodhon ngjarjet dhe i nxjer në spikamë hollësitë sikur kanë ndodhur dje. Libër pas libri, pa përmendur intervista e shkrime të ndryshme, i ka ofruar lexuesit një material të pasur e të larmishëm gjithëdituror. E vetmja vështirësi është radhitja e tyre dhe kompozimi në një tablo të madhe murale a mozaik.
Mjaft libra me kujtime e dokumenta të ndryshme, por edhe të mirëfilltë letrarë, kanë shkruar e botuar këtë çerek shekulli një varg autorësh gjirokastritë, që përpiqen të shtojnë nga një gur në mozaikun kulturor të qytetit, në rrugën që çeli tradita dhe zgjsroi kryemjeshtri I. Kadare.
Askush deri më sot nuk ka mundur të flasë për Gjirokastrën më befasueshmërisht, zbulueshmërisht dhe më tejpashëm se I. Κadareja.
SHTESË NGA BURIME TË TJERA
Shahin Kadare, intervistë dhënë Agim Gashit, nëntor 2011:
– Si e priti vëllai juaj vendimin për të vazhduar profesionin e mjekut, profesion ky krejt i kundërt me atë të shkrimtarit?
– Në atë kohë ai ishte shkrimtar i njohur në Shqipëri po ende jo në botë pasi veprat e tij nuk lejoheshin të botoheshin në vendet e huaja. Ai vazhdonte studimet në Moskë në atë kohë dhe është kthyer në vitin 1960 tamam viti kur unë u caktova në fakultet. Natyrisht që e priti mirë këtë vendim duke thënë se ishte e rëndësishme që të kishim të paktën një mjek në familje për të zgjidhur problemet shëndetësore që mund të krijoheshin. Por nuk ka ndikuar në këtë vendim.
– Profesionin e mjekut apo të shkrimtarit e keni të trashëguar nga ndonjë i afërm?
– Jo, në fakt unë nuk di asnjë të afërm që të ketë qenë mjek madje as shkrimtar përveç zotit Kadare. Di që të afërmit e mi më shumë kanë qenë juristë apo kanë punuar në sistemin e drejtësisë me çfarë më kanë thënë prindërit. Me sa di unë Ismaili është i vetmi shkrimtar në fisin tonë.
– Fakti që jeni vëllai i një personaliteti të njohur jo vetëm brenda vendit por edhe jashtë dhe mbani të njëjtin mbiemër, a ju ndihmon dhe a ju pyesin njerëz që nuk iu njohin nëse keni lidhje me zotin Ismail Kadare?
– Po, në fakt, sapo më dëgjojnë mbiemrin njerëzit pyesin nëse kam ndonjë lidhje me zotin Kadare. Por nuk mendoj se ka ndonjë ndikim të veçantë në punën që unë bëj. Në mjekësi nëse nuk ke seriozitet dhe përkushtim dhe nëse nuk e bind të sëmurin që ti i jep atij atë shërbim që ai ka nevojë asnjë faktor tjetër nuk të ndihmon që ai të ketë respekt ndaj teje. Në ndonjë punë tjetër si p.sh gazetar, spiker apo profesion tjetër edhe mund të ndikojë mbiemri por në mjekësi jo pasi duhet të mbështetesh në aftësitë e tua personale për të fituar autoritet dhe respekt ndaj të sëmurëve.
Cilët shkrimtarë lexoni konkretisht?
– Lexoj të gjithë librat e Ismailit
– Cila është vepra nga Ismail Kadare që keni më për zemër?
– Mua të gjitha veprat e tij më pëlqejnë, por atë që kam më për zemër është “Kronikë në gur”, sepse në një farë mënyre aty përshkruhet edhe jeta e familjes time në Gjirokastër, aty përshkruhen prindërit e mi, të afërmit tanë, jeta jonë. Është një libër shumë i vërtetë dhe i sinqertë dhe mua më ringjall shumë e shumë kujtime nga fëmijëria e hershme që kam kaluar në Gjirokastër, e cila natyrisht është një qytet i veçantë dhe ndiej shumë nostalgji.
– Përveç vëllait tuaj kë lexoni tjetër?
– Të them tani se nga shkrimtarët shqiptarë lexoj vetëm Ismailin nuk është e vërtete, pasi lexoj edhe Dritëroin. Më pëlqen shumë edhe Dritëroi. Dikur shkrimtar shumë i dashur për mua ka qenë edhe Mitrush Kuteli.
– E dinë njerëzit që nuk ju njohin se zoti Ismail Kadare ka edhe një vëlla mjek?
– Besoj se shumë e dinë. Ne kemi një aktivitet që është i shtrirë në gjithë vendin.
– Po kujtimi më i veçantë që ju është ngulitur në mendje me familjarët dhe sidomos me vëllain tuaj?
– Njeriu ka plot momente të bukura ne jete sidomos me familjarët, por zakonisht ato që lënë gjurmë janë momente të hidhura dhe të vështira. Ka shumë, por nuk më kujtohet ndonjë moment i veçantë.
– Në kohën e komunizmit motra juaj Kadrie Kadare e arsimuar në Rusi u dyshua nga sistemi se bashkëpunonte me rusët, për shkak të shoqërisë që kishte me ruset. A ju shkaktoi probleme në atë kohë?
– Në kohën e komunizmit gjithnjë ishe i kërcënuar. Më i kërcënuar unë isha nga fakti i librave të Ismailit se sa nga çdo gjë tjetër. Edhe fati i Kadries lidhej me librat e Ismailit. Nëse ai do binte, do rrëzohej, do goditej nga sistemi, edhe ne do goditeshim si ai. Kështu funksiononte në atë kohë. Ose ai do kursehej nga shteti qoftë për interesat e veta, qoftë edhe për faktin se u bë i njohur në botë. Mund të kujtoj se momente të vështira kanë qenë kur u botua libri “Dimri i Vetmisë së Madhe” i cili pati një reagim shumë të ashpër nga njerëzit e pushtetit dhe partisë, duke e cilësuar si një vepër që donte të godiste në mënyrë të kamufluar pushtetin dhe ta diskreditonte atë. Për ne ka qenë një periudhë e vështirë e cila erdhi duke u qetësuar me kohën.
– Në familjen tuaj vihet re që asnjëri nuk ka ndjekur rrugën e tjetrit dhe jeni të specializuar në fusha të ndryshme. Pak e habitshme!
– Në fakt keni të drejtë. Ka secili një pavarësi të veten dhe nuk ndikohet aspak se çfarë janë familjarët. Secili bën atë që pëlqen dhe di të bëjë. Kjo besoj se është e mirë pasi kemi një mozaik profesionesh në familje.
***
Nga kujtimet e Helena Kadaresë
Kadareja ka pohuar se nuk ka qenë i shquar për të bërë himne për familjen, për njerëzit e tij, siç ndodh zakonisht në Ballkan. “Sidomos në Ballkan, çdo njeri kur shkruan, thotë sa fisnik e kisha gjyshin, sa e mirë ishte nëna, sa i mençur babai, a thua se njerëzit s’gabonin kurrë.. .”. Këtë skemë vjen e thyen bashkëshortja Helena Kadare me librin “Kohë e pamjaftueshme”, nga i cili mësojmë mjaft gjëra dhe hollësi për jetën, karakterin, krijimtarinë letrare, veprimtarinë shoqërore dhe politike të shkrimtarit. – Sa i përket fjalëve që libri mund të jetë shkruar nga vetë Ismaili, ajo qesh dhe thotë se ky është një fat që e ndjek qysh kur ishte 20 vjeçe.
“Unë jam si dita me natën me Ismailin. Ku ta gjeja të shkruaja si ai!” Me gjithë sensin kritik të Ismailit, ajo thotë se atij i ka pëlqyer ky libër. “Ai është shumë i kënaqur. E ka aprovuar plotësisht, ndryshe nuk mund ta bëja. Si do mundesha pa pasur aprovimin e tij? Helena pohon se Ismaili i thoshte: “Nëse do të jesh e besueshme, shkruaji gjërat siç janë, sepse, po bëre marifete, në qoftë se fsheh gjëra, lexuesi e kupton menjëherë”. Ndaj, edhe nuk pendohet pse i ka shkruar ato pjesë dhe nuk e mendon që t’i heqë, nëse do ta rishikonte librin. Ka marrë kaq shumë dashuri nga lexuesit dhe kaq shumë mesazhe të bukura, saqë kjo i duket e kotë. “Por as Ismaili s’do të më linte. Më thotë: Ç’janë këto budallallëqe?!”. Thotë se nuk ka mbajtur sekrete, se i ka thënë të gjitha. “Nuk kam lënë asgjë pa thënë, të mirat e të këqijat. Duket e kam zbrazur gjithë shpirtin tim. Nuk kam fshehur gjëra”, thotë Helena, e cila nuk e ndan buzëqeshjen për asnjë moment.
Jemi në vitin 1962 – 1963: Mbartja e plaçkave nga Gjirokastra në Tiranë u bë me vështirësi. Vështirësi për gjetjen e një kamioni, rrugë e gjatë e paasfaltuar, mobilje e sende shtëpiake që vinin nga një shtëpi e madhe në një apartament gjithsesi të pamjaftueshëm. Dhe “shumica e orendive të shtëpisë shekullore ishin krejt të papërshtatshme për apartamentin e Tiranës, gjë që prindërit e tij e kishin të pamundur ta kuptonin” (Helena Kadare, “Kohë e pamjaftueshme”, f. 44).
Në librin me kujtime “Mëngjeset në Kafe Rostand” (bot. 2104) dhe “Kukulla”, 2015, shkrimtari kujton se si shkau dhe u rrokulls tepsia e madhe e bakllavasë në një nga kthesat e vështira (Përmendet dy herë Gryka e Këlcyrës). Rrëzimi nga kamjoni dhe rrokullisja e tepsisë së madhe të bakllavasë ka diçka simbolike, kumtin e ndarjes me mjedisin nga vinte, dhe si një, sfidë që tregonte se ëmbëlsia do të ishte diçka e rrallë në vazhdim. Por në kryeqytet flakja tej e disa enëve prej bakri, “rrangulla e drangulla”, ndeshi në reagimin e tyre mosaprovues. Dhe më e madhja ishte se “Në apartamentin e tyre në Tiranë, Kadarenjtë dukej se ishin përpjekur të mbartnin shtëpinë e tyre të gurtë shekullore”, (Po aty, f.69). Kështu që, në ankthin e rrëmujën e mbartjes së plaçkave, u mbajtën gjëra që nuk duheshin dhe u hodhën tej të tjera, që duheshin, thotë nga ana e vet autori.
Largimi nga mjegulla e Gjirokastrës u pasua nga “Mjegullat e Tiranës”, ku autori duhej të ishte syçelët e me nuhatje më të mprehtë. Nga konservatorizmi provincial, kaloi në një mjedis gjithsesi liberal, por kurrë me lirinë dhe frymëmarrjen që dëshironte.
Vitet 1959-1960. Vajta në Moskë dhe kthimi nga Moska.
Në Moskë, në zemrën dhe kryekështjellën e Blokut Lindor, shkrimtari i ri, krahas prirjes ndaj letërsisë bashkëkohore dhe moderniste perëndimore, e vendoste veten shpirtërisht dhe virtualisht në botën e qytetërimit europian. Dhe në atë kthim e dhe autoblokadën që u vendos, poeti thirri: “Mos m’i mbyll kurrë dyert, o botë e madhe!”.
Sipas Helena Kadaresë:
“Moska e atyre viteve, siç më shpjegoi, ishte në kulmin e liberalizmit të saj, në krahasim me zymtësinë komuniste të gjeratëhershme. Djemtë dhe vajzat kishin maninë të ndërronin sa më shumë partnerë, ngaqë kjo, dhe jo lidhja e dashurisë, quhej e modës. Po të mbaje gjatë një lidhje, shokët talleshin, më shpjegoi ai. Kështu që nën tiraninë e kësaj mode të egër prisheshin lidhje të mrekullueshme, për t’u zëvendësuar nga histori jetëshkurtra njëjavëshe”. “Is kishte një cilësi që qysh në fillim ia vura re dhe ia çmova sa s’thuhet: nuk mbaj mend kurrë që ai të ketë folur keq për ndonjërën nga të njohurat e tij”, (Po aty, f.56).
Në intervistën dhënë Blendi Fevziut, shkrimtari kujton: “Zakonisht, për studentët që shkonin jashtë, misteri kryesor ishte vetë jeta. Ajo që mungonte në Shqipëri. Çdo vend ishte më liberal se Shqipëria. Ti je i huaj, je në një vend shumë më të zhvilluar se Shqipëria.
– Ishin vërtetë të gjitha vendet më të zhvilluara se Shqipëria?
-Të gjitha vendet komuniste, ishin më të lirshme se Shqipëria. Pa asnjë diskutim.
-Edhe jeta erotike, marrëdhëniet mashkull-femër ishin më të çlirëta?
-Τepër më e çlirët se në Shqipëri.
-Në Shqipëri ishte tabu?
-Nuk ishte tabu, por ishte e pazhvilluar, vetë ngushtësia e vendit, ashpërsia e njerëzve që krijohej prej halleve të jetës e zbehte.
– Ishin femrat ruse më të disponueshme apo tërhiqeshin më shumë nga të huajt?
-Vajzat ruse kanë namin e vajzave për dy gjëra, shumë të bukura përgjithësisht dhe kryesisht ishin shumë të ëmbla dhe shumë femërore.
-Edhe mendjehapura?
– Pa diskutim edhe të emancipuara. Ishte pjesa më e emancipuar e shoqërisë. Ishin më të çlirëta nga ana psikologjike. Kishin disa vlera të padiskutueshme universale.
– A keni qenë një koleksionist femrash në atë kohë?
– Jo, nuk është e vërtetë. Unë nuk jam koleksionist. Kjo përshtypje është krijuar nga ky film. Se, të japësh 3-4 vajza rresht, duket si koleksion”.
Për nismën e Helenës shkrimtari thotë: “Zakonisht shkruajnë gratë për burrat, kurse burrat për gratë ndodh shumë rrallë. Kjo është universale dhe po vazhdon. Një model është që burri del si model i virtytit, mençurisë, moralitetit etj. Është një model pothuajse i diskretituar, sepse është skematik. Çfarë janë këto familje që jetojnë si në parajsë? Që çdo gjë shkon vaj, ose tregojnë vetëm vuajtje politike. Modeli i kundërt është që burri është një horr i madh, aventurier që i ka dalë emri në 50 gjyqe, 3 divorce etj. Ky ndodh sot dhe po është aq i mjerueshëm sa tjetri, sepse shfrytëzohet skandali për njohje. Është edhe një zgjedhje e mesme që është më e besueshme, realiste dhe tregon atmosferë të vërtetë dhe të besueshme. Nuk ka familje që të mos ketë acarime, dyshime, keqkuptime. Nuk ka të tilla”.
Dhe Helena kujton:
“Ky njeri, me të cilin kisha jetuar tridhjetë vjet, ishte i lexueshëm qysh në takimin e parë, po aq sa ç’ ishte i ndërlikuar”. Herë i butë dhe herë i ashpër, i drejtë dhe i padrejtë, aty shpërfillës e gjakftohtë, e befas i papërballueshëm e plot trille të rrezikshme, më bënte që të ndihesha e çorientuar” (Po aty, f.11). “Por pastaj, duke parë se ai s’ çante kryet për asnjeri, e sidomos, duke u mësuar dalengadalë me zakonet e çuditshme të shtëpisë së Kadarenjve, ndrojtja sikur po më dilte”. (Po aty, f.49).
“Në të vërtetë, e kisha mbledhur mendjen se me këtë njeri ishtee pamundur të bëja plane për jetën. Doja të kisha vetëm një fëmijë me të, të cilin do ta rrisnim bashkë me Meri L…”. (f.50). Duke mos kuptuar shkaqet e gjendjeve shpesh nervoze të bashkëshortit të ardhshëm, ajo thotë se: “Në këtë sfond plot nervozizëm dhe ankth pasditet tona të dashurisë në apartamentin e tij më bëheshin edhe më të ëmbla. Atje zbulova se të qetësoje njerriun e dashur me përkëdhelje në një kohë të vështirë, kur atij nuk i venin punët mirë, kishte një shije të veçantë, tepër të veçantë”. (Po aty, f.51). Pra, kjo ofertë ngrohtësie ngjante me ata brezat antisizmikë prej druri në mesin e shtëpive gjirokastrite prej guri.
“S’ishte vetëm formimi im moral, por më dukej se diçka nuk shkonte me natyrën e tij përgjithësisht të rëndë”. (Po aty, f.55). E megjithatë, “Is ishte përherë i etur për situata paradoksale.” (Po aty, f. 155). Κjo dëshmon jo thjesht prirjen e tij për shtrembërsinë e botës dhe të njeriut, por edhe dëshirën për gëzim dhe humor, që, padashur, shfaqej më tepër si sarkazëm.
Duke folur për qëndrimin mosaprovues deri në refuzim të familjes së saj ndaj kandidatit për dhëndër, I. Kadarenë, Helena shënon:
“Kishte gjëra që nuk i falte lehtë dhe kjo, me sa dukej, hynte në to. Shpërfillja e tij e tepruar, që shpesh kalonte çdo kufi, ishte një burim dhimbjeje i vazhdueshëm për mua. Aq më tepër që, në një farë mënyre, e kisha shkaktuar unë vetë me naivitetin tim”. (Po aty, f. 59). Edhe më pas ai s’ kishte harruar asgjë nga ato akuzat e tyre dhe, i paepur dhe kryeneç siç ishte në pezmatimin e tij, nuk ia fali kurrë rrethit tim familjar. Ftohtësia e tij proverbiale u bë burim i kaq e kaq dhimbjeve për prindërit e mi, sidomos për nënën, e cila, me plot kujdesje për të, bëri diçka për ta zbutur, por më kot”. (Po aty, f.66).
Në një rast tjetër: “Is i ra zemërimi aty për aty. Kjo i ndodhte sa herë që te pala tjetër vërente sinqeritetin. Për fat të keq, nuk ndodhte gjithmonë kështu dhe mëria e tij, sipas traditës së fisit, apo qytetit të Gjirokastrës, që ai vetë e ka përshkruar, mund të zgjaste me vite të tëra, ose përgjithmonë”. (Po aty, f. 340).
Një ditë, pasi e kishte dëgjuar të bërtiste në gjumë, thotë Helena: “Pyeta me kujdes nënën e tij dhe ajo më tregoi, midis të tjerash, se Is kishte qenë fëmijë i qetë”. (Po aty, f.88). Nga njerëzit e familjes dhe të afërmit, mësojmë se “të gjithë pa përjashtim jepnin të njëjtin mendim: Në familjen e Kadarenjve ai kishte qenë gjithmonë i rrethuar me dashuri më shumë se kushdo. Të gjithë e donin, tregonte motra, nëna, gjyshja, babai, tezet dhe ai e dinte këtë, ndaj sipas saj, ishte bërë ashtu, i sertë”. (Po aty, f.99).
Në shtëpinë e Kadarenjve në Tiranë, në atmosferën e përgjithshme të moskomunikimit total, më dukej e pamundur të bëja diçka për ta thyer në një farë mënyre akullin”. (Po aty, f. 108). Ky moskomunikim relativ ka ndikuar dukshëm në atë që shkrimtari e ka parë letërsinë dhe krijimtarinë si një mjet të pazëvendësueshëm për të komunikuar me mjedisin dhe me botën në tërësi.
“Shpeshherë e kap veten në mendime, për të kuptuar e për t’i hyrë disi më mirë psikologjisë së këtyre njerëzve, që jo rrallë më kanë befasuar me sjelljet e tyre, që dilnin jashtë gjesteve dhe zakoneve me të cilat isha mësuar në shtëpinë time. Ishte një lloj fryme që s’ di si ta quash, një lloj sui generis i paparë, që mund të quhej shqiptarizëm, ballkanizëm, otomanizëm e europianizëm, përzier e bërë një nga koha”. (Po aty, f. 115 – f.116).
“Tallja me veten ishte një hobi e tij që për një kohë të gjatë nuk ia kuptoja dot. Në “Çështje të marrëzisë” fisin nga nëna e quante gjysëm të çmendur. Kurse fisin e vet të çmendur krejtësisht. Në romanin “Darka e gabuar” ai shkoi edhe më larg. Nuk po iu besoja syve kur, tek po ia shtypja në kompjuter dorëshkrimin e sapo mbaruar, lexova radhët ku shkruhej se shtëpia e Kadarenjve do të nxirrte së shpejti turpin e kombit shqiptar, d.m.th. atë vetë”. (Po aty, f. 176).
“Këtu asnjeri s’ fliste, dhe moskomunikimi ishte total. I ati, burrë i gjatë, i drejtë, me fytyrë të ngrirë, lëshoi një psherëtimë, si të thoshte ç’ bëhet në këtë shtëpi. Pastaj u ngrit nga tryeza dhe pa thënë asgjë, për t’u mbyllur në dhomën e tij.
Is iu drejtua së motrës me ton të hidhët:
-Ke arritur të hedhësh ndonjë helm kundër kësaj?
-Ua, – ia bëri e trembur. – Unë as e njoh fare.
-U, ç’ është ajo fjalë! – tha edhe nëna.
Flisnin për mua si të mos isha aty.
Is u ngrit nga tryeza dhe më bëri shenjë edhe mua të ngriheshim.
A e pe që janë të marrë? – më tha, ndërsa hynim në dhomën e tij. (Po aty, f. 68).
“Ai e kapi, siç duket, dilemën time dhe u tregua më i dashur se çdo herë tjetër. Nuk e di pse, por, në vend që të më largohej sadopak nga ajo drekë e fandaksur, m’u bë më i afërt. Më dukej se diçka po kapja nga ajo që më ishte dukur ana e pakuptimshme, si prej sfinksi e tij”. (Po aty, f.68). Edhe të huajt e kuptuan shpejt se “ai, siç e dini, s’ para i tregon ndjenjat”. (Po aty, f.361).
Në librin “Kronikë në gur”, që ai e shkroi disa vite pas martesës sonë, shpjegohen jo pak gjëra nga ajo atmosferë groteske, që zotëronte jo vetëm në familjen e tij, por në një pjesë të shtëpive të Gjirokastrës. Në atë libër, duke përshkruar shtëpitë e gurta që “vrisnin mishin e butë të jetës”, ai kishte shkruar se “ishte vështirë të ishe fëmijë në atë qytet.
“Nëna e tij, e patrazuar më prej meje, kishte rivendosur zakonet dhe stilin e saj gjirokastrit, babai mospërfillës për të tjerët, priste me padurim “buletinet e verdha” që Is ia sillte nga Lidhja dhe mbyllej me çelës në dhomë për t’i lexuar”. (Po aty, f. 209).
“I pëlqente të më thoshte se shtëpia e prindërve të mi në Elbasan kishte atmosferën e një operete sentimentale, kurse këtu kishte epizëm të mirëfilltë”. (Po aty, f.109). Dukej sikur ai, qysh në ardhjen e parë, kishte sjellë në shtëpinë tonë ftohtësinë dhe memecllëkun proverbial të Kadarenjve”. (Po aty, f.79). Νë Elbasan, tek prindërit e Helenës, “Is, që ishte ulur përbri meje, më fliste herë pas here me zë të ulët, sikur ata të mos ndodheshin aty. Ndonëse e njihja tashmë, kjo sjellje e tij cinike më dukej se po e kalonte çdo kufi. S’dija vërtet se ç’mund të bëja. T’ia thoshja me njëfarë mënyre, kisha frikë se prishja gjithçka. Prej tij mund të pritej çdo gjë”. (Po aty, f.77).
“Duke perifrazuar tim shoq, unë do të kisha qejf të thoshja: “Është vështirë të jesh nuse në këtë shtëpi”. (Po aty, f.69).
Një herë tjetër, “bashkë me dashurinë, një ndjenjë dhemshurie e thellë më pushtoi. Ky njeri, ndonëse ngjante i pathyeshëm në ashpërsinë e vet, kishte diçka që e fshihte”. (Po aty, f.76). “Is jepte përshtypjen e një njeriu të ashpër, shpesh të zymtë, të pakomunikueshëm. Ashtu ishte vërtet në shumë raste. Por, për ata që e njihnin, me miqtë e tij e natyrisht me mua, ishte fare tjetër. Humori në veprën e tij, mu në mes të pjesëve tragjike, e vërteton më së miri këtë”. (Po aty, f.312).
Blendi Fevziu: – Një nga pjesët interesante të kujtimeve të bashkëshortes suaj është presioni që i bënte familja që të mos martohej me ju. Pse ky mosbesim?
– Shumica e familjeve do të kishin këtë mentalitet. Një shkrimtar i ri, një poet i ri, në një farë mënyre quhej një njeri joserioz. Shkrimtar, firifiu, poet.
– A ishit ju joserioz?
– Nuk kam qenë më shumë joserioz se të tjerët, sa një pjesë e të rinjve. Ishte një joseriozitet pozitiv. Një i ri e ka gjithnjë këtë përmasë joserioziteti.
– E kishit problem këtë qëndrim të familjes?
– Fare, hiç. Unë e mendoja: ku marrin vesh ata. Në atë kohë, moda ishte që kërkonin dy profesione, inxhinierë dhe mjekë. Dhëndurët e tjerë quheshin joseriozë. Sidomos ne të artit ishim të humbur”.
Dhe Helena vazhdon:
“I thashë tezes se e doja atë njeri me gjithçka: me pamjen, me shpirtin, me trupin, me talentin, me mençurinë, madje edhe me marrëzinë e tij. Dhe do ta doja gjithë jetën dhe nuk do të mendoja dikë tjetër të ma zëvendësonte” flet Helena me gjuhën e Penelopës klasike. “Is, që zakonisht ishte i paafrueshëm me njerëzit e çdo lloj farefisi, për çudi i pëlqeu shumë tezja ime”. (Po aty, f.70).
“Kisha vënë re se shumë shprehje gjirokastrite, që i kisha mësuar te Kadarenjtë, por edhe tek hallat e mia, kishin një saktësi të veçantë”. (Po aty, f.543).
“Më bënë përshtypje sytë jashtëzakonisht të ndritshëm, për të mos thënë të ekzaltuar të mikut të tij. Ishte hera e parë që po shihja një shkrimtar student që kishte qenë në burg. Tani po vija re që Is e donin të gjithë shokët e vjetër, qofshin ata me të cilët fati ishte sjellë mirë, e qofshin të tjerët, që ishin rrëzuar”. (Po aty, f.137).
Ismaili i shkoi në dasëm në Ersekë poetit Dhori Qiriazi, kur ndonjë tjetër që mëtonte se e kishte mik nuk i shkoi. Kujtojmë pohimin e Helenës për ndihmat ushqimore që Ismaili i dërgonte dramaturgut Ibrahim Uruçi internuar në Memaliaj, ushqime që i përcillte tek ai shkrimtarja Myzejen Velça.
Ismaili kishte shokë besnikë që nuk e tradhtuan dhe as ai ata. Midis tyre ishte Dhori, të cilit i besoi idenë e arratisjes në rini dhe Dhori e mbështeti, dhe Drago Siliqin, anëtar i K. Q. të P.P. Sh., por demokrat dhe mbrojtës i talenteve, tha se një ditë Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu do t’i hanin kokën njeri – tjetrit. Dhe ai besonte në një ndërhyrje ushtarake të jashtme ose në një puç nga oficerët shqiptarë me akademi, për të rrëzuar Diktatorin dhe dhënë fund tiranisë së tejzgjatur, (Po aty, f. 102). Duke folur për qëndrimin ndaj disa shkrimtarëve dhe intelektualëve të vjetër, të lënë mënjanë nga politika zyrtare, ajo shprehet se “Më habiste sidomos që Is, i shquar për moskujdesje në të sjellë, për të mos thënë dhe arrogant disa herë ndaj të tjerëve, për këtë kategori shkrimtarësh shfaqte një nderim të veçantë. Nuk ishte e vështirë të kuptohej se nderimi i tij nuk kishte lidhje aq fort me veprat e tyre, sesa me ata vetë, si zotërinj të fundit të një bote që kishte perënduar”. (Po aty, f.117).
Në apartamentin në kryeqytet nëna e shkrimtarit e të tjetër synonin të ruanin zakonet dhe stilin e vjetër të jetesës. “Frika e prishjes së stilit në atë shtëpi zotëronte mbi mbi çdo gjë tjetër”. Përkundër kësaj prirje, autori synonte ta prishte statuscuonë dhe kjo duket hapur në orvajtjet e mundimshme të tij për ndryshime dhe përshtatje të herë pas herëshme në apartamentin e vet, në banesën që e ndërroi disa herë, për kushte sa më të mira pune dhe ca komoditet. Dhe në dy dhoma e korridorin e shtëpisë në Tiranë dhe tavanin e vilës në Malin e Robit në Golem të Durrësit, ai i veshi me tavane me qiellzane, rozeta të gdhendura, që i kujtonin shtëpinë e madhe e të vjetër në Gjirokastër. Sepse atje “gjer në moshë tetëmbëdhjetë vjeç ishte mësuar të zgjohej në mëngjes në një dhomë me tavan druri të gdhendur”. (Po aty, f.112).
“Honoraret, që në atë kohë ishin ende të mëdha, na mjaftonin plotësisht për harxhimet tona si çift. Prej honorareve, ai paguante gjithashtu shpenzimet e studimeve të të vëllait si dhe gjithë blerjet e rëndësishme në shtëpi”. (Po aty, f.109).
“Brenda farefisnive, edhe në tonat, njerëzit përgjithësisht ishin të ndarë përgjithësisht në dy grupe: të afërt me shtetin dhe fare të mënjanuar prej tij”. (Po aty, f.117).
Nëse arratisej, “Gjithmonë e më tepër bindej se ikja në atë kohë do të ishte baras me vdekjen. Pothuajse krejt vepra e tij nuk kishte për të ekzistuar. Do të humbte i harruar midis Rusisë së pafundme. Brenga e dëshpërimi që u shkaktoi fatkeqësi të tjerëve do ta rrënonin para kohe”. (Po aty, f.89).
Në Vietnam, “Sipas Is, poshtë tryezës së drekës ishte strehimi në formë hendeku të gërryer, kështu që me të rënë alarmi, nga ndenjëset, ashtu siç ishin, me pirunë e thika ndër duar, rrëshkisnin pëlltumb në hendek”. (Po aty, f. 190 e librit). Kështu etja e tij për peripeci dhe rreziqe po kënaqej me gjendje e prova të reja.
Ende i parritur, Ismaili u regjistrua në rrethin e boksit në Shtëpinë e Pionierit të qytetit, duke dëshiruar të kishte një grusht të fuqishëm. Nuk çuditemi kur mësojmë se bija e tij Gresa, fëmijë, në dhjetor 1972, i shfaqi babait dëshirën të bëhej boksiere! (Po aty, f. 305).
Ι. Kadareja është shkrimtari shqiptar që si rrallëkush ka folur për atdheun dhe lirinë, për luftën dhe armët. Nga Helena mësojmë se shkrimtari, falë stërvitjes ushtarake në shkollë, dinte t’i përdorte armët, i donte ato dhe mbante në shtëpi dy revolverë, një me leje dhe tjetrën pa leje. Shtojmë se I. Kadareja nuk tha “Lamtumirë armë!” dhe nuk i dorëzoi armët. “Asnjë nga parashikimet e mia të këqia nuk doli. Jo vetëm që ai nuk u thye, siç u duk në fillim, por ndodhi e pabesueshmja: pas goditjes që i bëri shteti, ai u bë më i fortë në gjithçka”. (Po aty, f.353).
I përqëndruar në punën e vet krijuese, “Is. u bë prapë ai që kishte qenë. Atij iu kthye prapë arroganca dhe nervozizmi, kapriçiot e tepruara e gjithçka tjetër. Me fjalë të tjera, u bë përsëri prapë ai, “i keqi”. (Po aty, f.355).
Lidhur me konceptimin e realitetit në rrethana të tjera të hamendësuara dhe me ritmin e të menduarit, shkrimtari beson se “shumë gjëra ishin “çështje ritmi” dhe se keqkuptimet e tij me shumë njerëz vinin pikërisht ngaqë ai s’ kishte përputhje me ritmin e të menduarit me ta. Thoshte se ai vetë do të donte ta ngadalësonte atë, por kjo gjë s’varej prej tij”. (Po aty, f. 489). E “ndërsa Is vazhdonte jetën e tij të përditshme, një jetë tjetër, me tjetër ritëm dhe tjetër ngarkesë, rridhte në trurin e tij. Sa më shumë kalonte koha, aq më qartë e kuptoja se kjo e dyta, ishte, siç këmbëngulte ai, jeta e tij e vërtetë”. (Po aty, f. 92).
“Ndonëse nuk shpresonte aspak se ne do ta arrinim rënien e komunizmit, ishte i sigurt se Shqipëria do të përfundonte një ditë si vend antikomunist”. (Po aty, f. 366). “Me njëfarë optimizmi a naivitet të habitshëm, ai besonte apo i kishte mbushur mendjen vetes, ashtu sikurse dhe shumë të tjerë, se prishja me Bashkimin Sovjetik ishte prishje me komunizmin”. (Po aty, f. 358).
Shkrimtari kujtonte shtëpinë prindërore në Gjirokastër, “brenda së cilës familja zhvendosej nga njëri kat në tjetrin, për të kaluar stinën e ftohtë apo të ngrohtë…”. (Po aty, f. 489).
Në kuadrin e vajtjes së Helenës jashtë shtetit përkrah bashkëshortit, të dy të ftuar e të lejuar, Helena thotë se “Ajo që atij i dukej e papranueshme ishte psikologjia prej skllavi e shumë njerëzve, të cilëve, ndërsa udhëtimet e familjeve të udhëheqësve, me soj e sorrollop, iu dukeshin të drejta, bëheshin si të çmendur po të ndodhte kjo me njerëzit e kulturës”. (Po aty, f. 364).
Në korrik 1978, kur merrej me shikimin paraprak të romanit “Dimri i madh” në frëngjisht, I. Kadare në letrën drejtuar Helenës në Shqipëri, njofton se dorëzoi zyrtarisht tek botuesi Albin Michel romanin “Njeriu me top” të Dritëro Agollit dhe kërkonte që kjo t’i bëhet e ditur autorit. (Po aty, f. 363).
Lidhur me lëshimet e E. Hoxhës ndaj tij për botimin e veprave letrare në Francë, mësojmë se Enver Hoxhës i vetëtinte në kokë ideja se shtëpia botuese “Fayard”, që botonte veprat e Kadaresë, mund të bοtonte edhe librat politike të diktatorit komunist (Po aty, f. 369).
Lidhur me vendimin për të shkruar romanin “Koncert në fund të dimrit” dhe kërkesën për të t’u njohur me dokumentat partiake, “Një kërkesë për të parë arkivat i ishte refuzuar në mënyrë të prerë, duke i dhënë të kuptojë se një roman i tillë ishte i padëshirueshëm. Por kjo nuk ndikoi aspak në planet e tij. Ai ishte i bindur se romani për raportet shqiptaro – kineze ishte i domosdoshëm për të kuptuar ‘Dimrin e vetmisë’, pra, tablonë e plotë të asaj që quhej “kohë e partisë”. (Po aty, f. 367).
Romani në fjalë u dorëzua për botim vetëm pak javë përpara vdekjes së kryeministrit shqiptar Mehmet Shehu. “Mirëpo, në roman flitej pikërisht për diçka tepër të ngjashme: vrasjen e paraardhësit të Maos. Dhe puna s’mbaronte me kaq. Νë roman trajtoheshin përshpërimat dhe dyshimet se vdekja e trashëgimtarit të Maos ishte një aksident, siç u tha zyrtarisht, apo si një vrasje e bërë pas krahëve. Me një fjalë, vetëvrasje apo vrasje në versionin shqiptar, aksident ajror apo vrasje në versionin kinez. Përqasje më e rrezikshme as që mund të mendohej”. (Po aty, f. 381 – 382).
Pra, së paku dhjetë vjet ne kemi jetuar me këtë tmerr mbi krye! Të dish se ata të quajnë “agjent të Perëndimit” dhe të vazhdosh jetën normale, të shkruash njëlloj si më parë e të tjera e të tjera, kjo kërkonte më shumë se nerva të hekurta”. (Po aty, f. 182) Dhe është absurde që, teksa Mehmet Shehu e kishte cilësuar shkrimtarin “agjent të Perëndimit”, disa të tjerë më pas e cilësuan si agjent të Mehmet Shehut në shërbim të Perëndimit! Po aq absurde, trashanike dhe djallëzore tingëllon deklarata e R. Alisë se demokratizimin e vendit e pengokeshin intelektualët shqiptarë dhe, së pari, shkrimtari Ismail Kadare! Pas kërkimit të azilit politik, I. Kadareja i dërgoi R. Alisë – President një letër, ku i kërkonte praktikisht atij dhe klanit të vet, dorëheqjen nga pushteti, për të mirën e vendit, për demokratizimin e Shqipërisë. Por u zhgënjye rëndshëm. “I mësuar që ta akuzonin për revizionist, dekadent, reaksionar, megaloman, antipopullor e të tjera si këto, atij jo vetëm nuk i bënin më përshtypje, por, duke i thënë edhe vetë këto fjalë, disa prej tyre i merrte si elozhe. Dhe jo vetëm kaq. Nuk i vinte keq kur i thoshin se ai ishte i prapë, cinik, i shkalluar, arrogant, satana etj., kështu që me po atë lehtësi i përdorte këto fjalë për të tjerët”. (Po aty,, f.340). “E vërteta ishte se Is qëllonte që ishte i pakujdesshëm dhe fare pa takt në përdorimin e fjalëve. Shokët që e njihnin dhe e donin nuk ia merrnin për të keq, por me shumë të tjerë kishte probleme. Kisha vënë re se aty për aty edhe këta të fundit dukej sikur nuk ia vinin re, por më pas kujtoheshin dhe atëherë më duhej mua të ndreqja dëmet”. (Po aty, f.431).
Ismaili, sipas Helenës, ishte tepër radikal në pozicionimet e tij dhe kjo u shpreh edhe në mospajtimin me thënien e Engelsit për Balzakun, se informacioni ekonomik qenkish i jashtëzakonshëm në veprën e tij letrare. (Po aty, f. 185).
“Ç’qe kjo që ndodhi, more Ismail, më thotë. Kaq i keq na doli ky Enver Hoxha, adashi im?” “E pra, i përgjigjem”. Ai tund kryet: “Ç’ është e vërteta, ca shenja i kishte dhënë që atëherë kur kemi qenë bashkë në gjimnaz. Mbaj mend, më kërkoi për ta lexuar “Dashnori i Lady Chatterley” dhe nuk ma ktheu më”. (Po aty, f. 542).
Me Javer Malon, gazetar i “Z. Popullit” dhe më pas ambasador i Shqipërisë në Francë:
“Is kishte pasur marrëdhënie të mira me të, aq më tepër që artikullin e vetëm pozitiv për “Gjeneralin” e kishte shkruar ai, duke parashikuar madje edhe një sukses të mundshëm të romanit në botën e jashtme…Në rrethin e të afërmve Javer Malo nuk e fshihte se modeli i tij i ngjante Ilia Erenburgut, të cilin edhe përpiqej ta imitonte”. (Po aty, f. 229). Në bisedën e shkurtër me Sabri Godon, Javer Malo ishte shprehur se tashmë Is ishte një “kartë e djegur”! “E vetmja rrethanë lehtësuese për ambasadorin shqiptar në Paris mund të ishte një kritikë që, me sa dukej, ia kishin bërë, duke e akuzuar se shumë ngjazëllim e mburrje kishte treguar për botimin e këtij romani në Francë. Mburrja e ambasadorit shqiptar për një botim libri, në fund të fundit, ishte një gjë pozitive. Por qëndrimi i tij i kundërt më pas, ishte vërtet për t’u çuditur”. (Po aty, f.131).
Nefo Myftiu, nga Putot e Gjirokastrës, me prona të shumta në Gjirokastër e Sarandë, “gruaja e njërit prej anëtarëve më të rëndësishëm të Byrosë Politike”, më pasaniku i të gjithëve dhe me studime të shkëlqyera për mjekësi në Itali”. (Po aty, f. 241 – 242). Djali i tyre, Gim Myftiu, ishte mik i ngushtë dhe besnik i shkrimtarit dhe i përcillte informacion që brenda Bllokut, një pjesë të të cilave Gimi e merrte nga nëna. “Nefoja dinte çdo gjë që bëhej në Bllok, përgatitjen e furtunave politike, intrigat, xhelozitë midis klaneve, ankthin me të cilin jetonin shumica e udhëheqjes, ata që bota i quante të lumtur. Ajo dinte gjer te historitë tepër të rralla erotike apo marrëdhëniet nuse – vjehrrë, e me dhjetra hollësi të tjera, të gjitha të vlefshme për të kuptuar se ç’ po ndodhte në atë që quhej Bllok misterioz”. (Po aty, f. 243).
Νefua ishte “Liberale e pakorrigjueshme, krejt e zhgënjyer nga socializmi, gjithë jetën e saj e kaloi duke pritur përmbysjen e regjimit, megjithëse e dinte se bashkë me regjimin do të përmbysej ajo vetë dhe familja e saj”. (Po aty, f. 242). Mjeku dentist Çerçiz Mingomataj i pati thënë Nefos: “Ai burri yt duhet të bëjë ndonjë gjë, ndryshe do të përfundoni të gjithë në kanal…”. Por të njëjtën gjë i tha edhe Helenës, që t’ia përcillte Ismailit: “Ky regjim i egër na e mori shpirtin, por besoj se ai burri yt (pra, I. Kadare) e ka kuptuar mirë këtë punë, mendja më thotë se ai diçka duhet të bëjë”. (Po aty, f.245).
Agim Mero, dikur sekretar i parë i KQ të Rinisë dhe anëtar i KQ të PPSH i kishte thënë shkrimtarit, në një shtëtitje: “Ti Ismail nuk e do partinë, përse kërkon të futesh në parti?”. Dhe ishte Agimi që i plotësoi Ismailit dëshirën të shkonte në Amerikë, të shikonte sallën e OKB, ku Hrushovi ngriti (thonë edhe se përplasi në tribunë) këpucën e tij të famshme. Ajo vajtje që ndihmoi për një përfytyrim më të plotë të tij mbi botën perëndimore dhe skenat e romanit “Dimri i vetmisë së madhe”.
Në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Ballkanit, në Tiranë, tetor 1990, lidhur me arratisjen e shkrimtarit, “Ministri shqiptar Reiz Malile, ishte përpjekur ta quante ngjarjen krejt të parëndësishme. Kryeministri Çarçani bëhej nervoz ndaj çdo pyetje të këtij lloji, gjë që ia rrëzonte dhe atë pak autoritet që i kishte mbetur”. (Po aty, f. 542).
Doktor Skënder Dauti, me të cilin familja e shkrimtarit kishte miqësi të vjetër: “ishte një tip krejt i veçantë. Ai kishte një humor të jashtëzakonshëm dhe ngaqë ishte nga Gjirokastra përdorte fjalë të vjetra gjirokastrite, thjesht përe t’i hedhur pak piper muhabetit”. (Po aty, f. 303). Ai vlerësoi përparimin e Helenës në drejtim të mësimit të fjalëve tipike gjirokastrite, vizitoi nënën e shkrimtarit dhe, pas vizitës mjekësore në shtëpi, porosit që nëna të shtrohej në spitalin onkologjik ku edhe u operua.
Shkrimtari dhe politikani lindën në një qytet, në një lagjet, dhe shtëpitë nuk ishin larg njera tjetërs. Por i ndante mosha dhe formimi, synimet në jetë dhe rruga që zgjodhi secili për realizimin e tyre. Ata patën lidhje, diku edhe bashklpunim, dhe politikani mori përsipër rolin e mecenatit e të tutorit, por duke i kufizuar lirinë.
“Me Is. ndodhnin gjëra që nuk ndodhnin me asnjë shkrimtar tjetër. Qëndrimi i dyzuar i shtetit ndaj tij, ndihej qartë. Merrej me mend se dikush nga lart e ndiqte çdo hap të tij. Ky dikush s’ mund të ishte veçse Enver Hoxha. Kështu që legjenda e mbrojtjes së tij kishte një bazë dhe Is vetë nuk e ka mohuar këtë asnjëherë”. (H. Kadare, “Kohë e pamjaftueshme”, f. 343).
Përqasja e shkrimtarit me Enver Hoxhën çalon në disa drejtim e ndoshta shkakton alergji. Në biografinë “Enver Hoxha – sulltani i kuq”, hungarezi Thomas Skreiber e cilëson djaloshin ambicioz Enver Hoxha si “kopjues adresash”. Djaloshi I. Kadare e shumta ndoqi modelet e njohura të letërsisë botërore dhe pastaj u përpoq për sa më tepër origjinalitet. Ai iu shkëput dukshëm dhe u distancua nga bashkëqytetari politikan, duke kaluar përfundimisht e me vendosmëri në anën e popullit, për përmbushjen e aspiratave demokratike dhe afrimi me vlerat e botës së qytetëruar.
Shkrimtari krijoi e lartoi nëpër vite një ansambël artistik – letrar të papërsëritshëm, duke gdhendur emrin e vet në gur, bronz e mermer. Dhe, më e rëndësishmja, me yllin e ndritur të shumëpritur të lirisë “përmbi varr të tiranisë/do të gdhenden emrat tanë” thotë Pushkini në vjershën kushtuar Çaadajevit të internuar.
***
Shkroi shumë dhe shumicën i botoi, disa me mjaft vonesë. Të tjera nuk i botoi, sepse nuk i pëlqenin. Kurse disa krijime, edhe libra të fillimit, nuk i quan vlera krijuese. Eci, pra, edhe duke mohuar veten, një pjesë të saj.
Disa libra mbeten vetëm projekte, për arsye të ndryshme nuk u shkruan ose nuk u përfunduan. Por ka të tilla që autori nuk dëshiroi t’i shkruajë. Sepse prishja e disa veprave ishte një nga punët më të rëndësishme dhe serioze të shkrimtarit, “domethënë shkatërrimi i veprave që nuk duhen shkruar, është puna kryesore për një shkrimtar”! (Po aty, f. 267) Sa mirë kur shkrimtari e di cilat janë ato dhe ka vendosmërinë t’i abortojë! “Në kokë më vërtiteshin gjithë metaforat e tij të guximshme, që kishin të bënin me dashurinë dhe me gratë. Midis thatësirës së realizmit socialist ishte një nga të rrallët që kishte shkruar për dashurinë në mënyrë sensuale, disa herë me një erotizëm tronditës”. (Po aty, f.46). Kadare ka folur shpesh për procesin krijues në tërësi, për laboratorin e vet krijues, praktikën e krijimit dhe psikologjinë e shkrimtarit. Ka patur interpretime të ndryshme për refuzimin e karrierës shtetërore prej tij, edhe të postit të Presidentit të Republikës. “Ishte shkrimtar, pra ishte mësuar të punonte i vetmuar, pa dëgjuar askënd dhe pa u këshilluar me askënd. Shkurt, ishte natyrë jo tolerante, pra fare i papërshtatshëm për demokracinë”! (Po aty,, f. 183). Koha dhe energjitë i nevojiteshin për krijimtarinë letrare. Ishte kalorës i Urdhërit të Letërsisë, punoi me program, sistematikisht, pa e shpërdoruar kohën vetiake dhe energjitë mendore për gjëra joproduktive. Nga ky përkushtim përfitoi shkrimtari, letërsia, kultura mbarëshqiptare dhe më gjerë.
Në vitet 1970 shprehjet kritike: “Ai shkruan jo për lexuesin shqiptar, por për atë perëndimor” u bënë të zakonshme. Por këto nuk e acaronin aspak atë, madje thoshte: kanë të drejtë. Sipas tij, duhej korrigjuar vetëm një gjë: “lexuesi perëndimor” ishte në të vërtetë një lexues i lirë, i të gjitha kohërave”. (Po aty, f. 281). “Tani është koha e analizës në gjerësi e thellësi të veprës së tij letrare, sidomos brenda vendit. Kryesore dhe mbi të gjitha ishte fakti që, në një vend tiranik si Shqipëria, vend ku nuk mund të prodhohej gjë tjetër veçse mjerim, shtypje dhe turp, ai kishte krijuar një vepër të lirë, me frymë dhe përmasa europiane”. (Po aty, f. 495).
Në Gjirokastrën konservatore frynte përpara Çlirimit një erë europiane, e cila dukej në elitën intelektuale studjuar në Europë, në hyrjen e disa zakoneve të reja nga Perëndimi, në frymën kritike të shtypit dhe protesta qytetare, ndonëse të rralla. I. Kadareja e rimori dhe zhvilloi atë traditë.
Një nga shërbimet e vyera të I. Kadaresë në të kaluarën moniste është se i mësoi dhe nxiti shqiptarët të mendojnë ndryshe, si të venë në dyshim sistemin diktatorial dhe të aspirojnë rikthimin në gjirin e popujve evropianë. Largimi i tij demonstrativ shërbeu si katalizator në masën e rinisë e më gjerë, për demokratizimin e jetës së vendit dhe orientimin Perëndimor.
Koha dhe jeta bënë të sajën. “Tani gjithë ai fis që kam njohur ndodhet nën dhe. Një brez i ri e ka zëvendësuar e vazhdon ta zëvendësojë ende. Edhe unë vetëm tani po vë re se jam bërë e vëmendshme për të kapur te filizat e rinj tipare të njohura, shenja të para zakonesh e manish që shfaqen te të vegjëlit, te fëmijët e Afërditës, Shahinit, Genti, Jorina, Besniku, Petriti, te mbesa jonë Doruntina nëntëvjeçare, madje edhe te më i riu mes tyre, Adriani i vogël, te mënyra e vështrimit të tij, te gjestet që bën kur kërkon me çdo kusht diçka…”. (Po aty, f.116).
Në paraqitjen në publik I. Kadare shfaqte një anë karakteristike të gjirokastritëve, vetëpërmbajtjen, të qenit i hapur e i kujdeshëm. (Po aty,. f. 240).
Them se ia vlen të theksohet se shkrimtari i ka ngjarë gjyshit të vet me të njëjtin emër, nga shija e hollë dhe të veshurit hijshëm. Binte në sy për këtë në kryeqytet. Shkrimtari ishte nga të paktët njerëz e intelektualë që i kushtonte rëndësi veshjes, paraqitjes si pjesë e integritetit intelektual, e frymës bashkëkohore. Paraqitja përmes veshjes e bënte atë më tërheqës. Edhe pse vendi kishte mungesa të shumta edhe në këtë drejtim, Ismaili gjente mundësi të vishej mirë e me shije.
“Is nuk ka pasur asnjëherë për zemër proverbat, sidomos ato që jepnin këshilla si, bie fjala, “i duruari, i fituari” etj. si këto. Në përgjithësi ai bënte pjesë te njerëzit e paduruar, madje shumë të paduruar”. (Po aty, f.358).
Në librin “Viti i mbrapshtë”, Botimet Onufri”, 2003) gjenden një varg fjalësh të urta krijuar prej tij, të cilat rrezatojnë përvojën dhe mençurinë gjirokastrite, si:
– Lajthiti, zëre se vdiq.
– Nuk bëhet hasha nëna ngaqë është plakë.
– Rakia ndryshe rri në shishe e ndryshe në bark.
– Kur qelbet kripa, ç’ pret nga peshku.
– Lufta është si lakrori, mishin e do në mes.
– Punë e Shqipërisë është mbill e mos korr.
– Toka na mban, toka na han.
– Kujt s’i mjafton bota, i mjafton varri.
– Perëndia i faltë, mortja i marrtë!
– Dimë edhe ne diçka, kemi pirë lëngun e gjarprit.
– Po iu afrove pamjes që pe në ëndërr, prishet.
***
Është e natyrshme që lexuesit të duan të dinë më tepër për jetën e shkrimtarit, karakterin, mënyrën e tij të jetesës. Kjo edhe për faktin se dikur në Shqipëri jeta e personaliteteve politike dhe edhe të kulturës mbulohej me heshtje dhe me një fasadë pothuajse refraktare. I. Kadareja u hap përpara lexuesve, duke treguar jetën e vet, mënyrën si i konceptoi dhe përballoi problemet e letërsisë, botimit, reagimet miratuese apo frenuese, shijet dhe pëlqimet, pranoi edhe dobësi e mëkate.
Është mëtuar deri edhe për kurnaci të shkrimtarit. Se kur merrte honorare për ndonjë botim të ri nuk falte asnjë qindarkë. Përmend edhe shkrimin “Ryshfeti i Kadaresë në Paris” (“Kujtime me buzë në gaz”, Tiranë, 2014), ku autori, Shpëtim A. Emiri, me shije dhe humor të hollë, na jep një anekdotë në atmosferën dashamirëse, gati himnizuese për I. Kadarenë: Kamarieri i lokalit me famë Bar-Kafe Rostand në Paris, megjithëse shërbente atje prej vitesh, nuk e njihte klientin e përditshëm që punonte me orë të tëra aty. shkrimtarin shqiptar disa herë rresht kandidat për Çmimin Nobel në Letërsi, me sa duket, ngaqë shkrimtari, si gjirokastrit puro, (i thekur), me rrënjë, nuk do t’i kishte dhënë asnjëherë purbuar! Por shkrimtari “gjirokastrit” dinte të priste në shtëpi në Tiranë të afërm e miq dhe disa vizitorë kohëbjerrës që nguleshin në sallon, kur ai duhej të ishte në dhomën e punës duke shkruar ose lexuar. Përmend këtu edhe pohimin e vonuar të shkrimtarit Nasho Jorgaqi se, në rini, kur ishte student, ai qëndroi afro një vit e gjysëm me I.Kadarenë në shtëpinë e tezes së këtij në Tiranë.
Dhe ky njeri dorështrënguar me emrin Ismal Kadare, sipas disave, që mori honorare minimale në krahasim me të ardhurat që i solli shtetit me librat e tij brenda e jashtë vendit, ia ktheu bankës së shtetit 500 dollarët që i dha Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve e Shqipërisë, për udhëtimin drejt Francës. Ky akt qytetar korrektësie dhe dinjiteti ishte si të shkëpuste rrënjësisht lidhjet me sistemin e vjetër politik e modelin e djeshëm social shqiptar.
Është rrëqethëse përmendja e faktit se E. Hoxha e shikonte si të rrezikshme dëshirën e shqiptarëve të zakonshëm për të mobiluar me kursimet e tyre apartamentet e banimit (I. Kadare, “Letërkëmbim me presidentin”, Botimet Onufri, 2005, f. 66). Ishte një varfërim i programuar. Dhe erdhi koha që dëshira për pak komoditet të jetë ndër objektivat minimale të shumicës së shqiptarëve. Me hapjen drejt Europës, shkrimtari i dëshiroi dhe uroi mbrothësi dhe prosperitet popullit të vet.
Gjirokastriti ishte kursimtar, por dinte të bënte edhe zakonet. Nuk munguan rastet e solidarësisë në ditë të vështira, respekti ndaj të ardhurit, jabanxhiut, hapja e shtëpisë fqinje për nevojat e një rasti vdekje tek tjetra. Në ditët e festivaleve kombëtare organizuar në Gjirokastër kishte raste që banorët ziheshin midis tyre kush e kush të merrte dhe mirëpriste në shtëpi një festivalist, këngëtar, valltar apo instrumentist, ardhur nga krahina të tjera.
Ja edhe dimri i vështirë 2014-2015: Një grup sipërmarrësish gjirokastritë, disa edhe të ardhur nga krahina të tjera, nuk u kursyen për të dhënë ndihma për të dëmtuarit nga përmbytjet e mëdha të dimrit, përmbytje që nuk isha parë prej afro gjysëm shekulli. Kështu, gojëdhëna e kopracisë gjirokastrite sfidohet rëndshëm edhe në ditët tona, kur interesi për fitimin ka arritur caqe të reja.
***
Nuk kërkuam posaçërisht fakte të panjohura, por u përqendruam kryesisht në ato që pohon vetë shkrimtari ose të tjerët për të. Por është tunduese e ndoshta me interes të mësonim diçka më tepër për lidhjet, simpatitë apo antipatitë e tij për shkrimtarë gjirokastritë si, Zihni Sako, Muzafer Xhaxhiu, Vedat Kokona, studjuesin Nexhip Gami, (Arshi Pipën, Dalan Shapllon, Jorgo Bulon, Agron Ficon) e të tjerë më të hershëm si Xhevat Kallajxhi, për jogjirokastritë tradicionalë si, Agim Shehu, Resul Bedo, Shefqet Peçi, në aspektin letrar, për të mos përmendur të tjerë nga krahinat e rrethit.
Jeta e shkrimtarit ka patur përmasa jo të zakonshme për kushtet e vendit tonë, ka patur njohje e takime, ndeshje dhe përplasje edhe me ngjyrë e theks politik. U takua dhe ballafaqua me politikanë e drejtues shteti, si E. Hoxha e R. Alia. Kishte njohje e ndoshta edhe pikëtakime me politikanë gjirokastritë si, Bedri Spahiu, Haki Toska, ushtarakë si Tahir Kadareja, Hulusi Spahiu e ndonjë tjetër, për shumicën e të cilëve pothuajse nuk flet. (Bedri Spahiu ishte Ministër i Arsimit, kur I. Kadaresë iu dha e drejta e studimit për në Insitutin e Lartë në Tiranë. Nuk e dimë a u muarr ai personalisht, por shkrimtari i ri e kishte afirmuar veten dhe vështirë të dilte dikush ta kundërshtonte). Shkrimtari ka qenë i përmbajtur e i kujdeshëm që të mos përzihej me elitën pushtetore, ndoshta dhe nën ndikimin e faktit se disa, edhe gjirokastritë, patën peripeci e pësime në karrierën dhe jetën e tyre.
Shkrimtari dha mendime për procesin shoqëror të kohës, sidomos për zhvillimet e mëpasme politike e shoqërore. u takua me figura e autoritete të politikës shqiptare, u vlerësua nga Presidentët e Republikës shqiptare; por refuzoi të vihet ngushtësisht në shërbim të individëve me pushtet, aq më pak të kthehet në trofe të ndonjë force politike brenda vendit.
Ismail Kadare njohu nga afër politikanë dhe personalitete të kulturës botërore, mori vlerësime dhe çmime si ai nga Presidenti francez Fransua Miteran. Dhe: “Prej disa ditësh Ismail Kadare gjendet në vendin e shenjtë, me ftesë të personaliteteve të larta të vendit, për të marrë pjesë në një manifestim të madh letrar me shkrimtarë dhe personalitete të tjera nga bota. Fillimisht ai është takuar me presidentin Shimon Perez.
Gjatë takimit presidenti dhe shkrimtari shkëmbyen mendime filozofike ne tema te ndryshme, për gjerat e përbashkëta qe ka Izraeli me Shqipërinë dhe për lidhjen e dy popujve. Ky ishte takimi i dytë i tyre, pasi herën e parë ata janë takuar në vitin 2.000 dhe atëherë ata kanë biseduar për librin “Piramida” dhe sot ata diskutuan për librin “Prilli i thyer”. Presidenti izraelit Peres u interesua për shkrimin e tij te tanishëm. Gjatë vizitës së tij shkrimtari do vizitojë “Weizmann”, Insitutin e Shkencave, muzeun e Izraelit etj. Ai do marrë pjesë dhe në ndezjen e qirinjve të festës “Hannukah”, si dhe do të vizitojë Jeruzalemin, Tel-Aviv-in, Haifa. Gjithashtu gjatë vizitës ai do të takohet me shkrimtarët izraelitë”.
Dikur lajme të tilla do të na dukeshin se vinin nga një planet tjetër. Të tilla ngjarje janë thyerje tabuje edhe në pikëpamje fetare. Shkrimtari ndjek me vemendje zhvillimet e reja, “antenat” e tij janë natë e ditë të ngritura e në veprim. Intervistat, deklaratat dhe pozicionimet e tij ndjekin njeri-tjetrin. E tillë është edhe deklarata për aktet terroriste të ekstemistëve islamikë në Paris, me ç’rast që autori, duke iu drejtuar shqiptarëve, tha se ata nuk janë pjesë e problemit, e palës destruktive, dhe se atdheu i tij është evuropian dhe i takon botës së qytetëruar.
Ja dhe një hollësi nga libri i Helenës, që tregon se shqetësimet lindin edhe atje kur e kur nuk e pret. Prill 1994: “…Drejtori i një gazete të pavarur, “Dita informacion”, më pëshpëriti se ka diçka për të njoftuar. Hiqemi pak mënjanë dhe më thotë se ka një informacion se shërbimi i fshehtë grek dëshiron të vrasë peshkopin grek Janullatos në Tiranë, për të shkaktuar luftë midis Shqipërisë dhe Greqisë. Nuk e besoj, ai ngul këmbë.” (Helena Kadare, “Kohë e pamjaftueshme”, f. 260). Në faqet e shtypit shqiptar prania e tij është vazhdueshme. Në anketat për “Njeriu i Vitit”, është shpallur fitues dy herë. Kurse në një anketë të para disa viteve politikani Enver Hoxha u shpall “Νjeriu i shekullit të XX”, ndoshta nga koha e gjatë e qëndrimit në krye të shtetit. Tani jemi në shekullin XXI.
NË VEND TË MBYLLJES
U orvata të jap një Gjirokastër përmes librave dhe kujtimeve të I. Kadaresë, që e pasqyrojnë ose marrin shkas prej saj. Nga materiali i i këtij Vështrimi, qyteti del i lidhur ngushtë edhe me jetën e autorit e të familjes së tij, dhe anasjelltas. Të dhënat kryesore për këtë vështrim na i ofroi shkrimtari me krijimtarinë e mirëfilltë, me intervistat, pohimet e përshkrimet në periudha të ndryshme, në vazhdimësi. Në këtë kuadër e krahasuar me to, nuk mëtojmë se kemi bërë ndonjë zbulim.
Më tepër, lehtësojmë lexuesin përmes qëmtimit, vjeljes dhe mbarështrimit të tyre. Μëtojmë se mbushim një zbrazëti e përmbushim një nevojë.
Kam shkruar disa herë në shtypin letrar për krijimtarinë e tij dhe kam dhënë disa leksione kushtuar posaçërisht veprës së tij, duke bërë për këtë shkak, ndryshime që nuk i parashikonte programi zyrtar i mësimdhëniers.
Përpara kësaj, përtej faktit që ai ishte një mësues i veçantë për talentet e reja të brezit tonë, I. Kadareja ishte edhe pedagog, me një cikël leksionesh shumë interesante për letërsisë bashkëkëkohore evropiane, të ashtuquajtur “dekadente”, për një periudhë, duke nisur nga viti 1970. Për këtë përvojë e ndihmesë është shkruar nga publicisti Vasil Qesari, por ajo që dua të theksoj është se, në auditor, pas kritikës në dukje, mund të kuptohej lehtë vlerësimi i tij për atë letrësi dhe përfaqësuesit e saj.
Ajo letërsi e anatemuar komunistërisht u bë pikëmbështjetje e fuqishme dhe burim përtëritës për krijimtarinë e tij, ndërkohë që metoda e realizmnit socialist që servirnin edhe dogmatikët e Institutit “Gorki” në Moskë, kishte synim “ varrosjen e letërsisë së vërtetë”.
Në nëntor 2005 në “Gazeta e Athinës”, në mërgim, botova në tre numra rresht një pjesë nga studimi “Vështrim mbi Gjirokastrën”, me nëntitull “Pashallëku letrar i Ismail Kadaresë”, që ishte bërthama e këtij libri.
Nuk mëtojmë se bëjmë biografinë e shkrimtarit, se e ndriçojmë mjaftueshëm personalitetin e tij, por ndriçojmë gjurmë të jetës dhe disa fakte domethënëse.
Nuk mëtojmë se bëjmë historinë e qytetit, por vetëm të reflektojmë disa veçori dhe atmosferën e mjedisit gjirokastrit të cilat i përgjigjen këndvështrimit dhe përjetimeve te shkrimtarit. Ajo që flet më tepër është fjala, syri, “tejqyra” dhe kamera e shkrimtarit, peneli dhe stili i papërsëritshëm i tij. Nuk jemi as në pozicionin e kritikut të mirëfilltë letrar apo të studjuesit skrupuloz të historisë së letërsisë. Ky vështrim është një trajtim i lirshëm letrar dhe jetëshkrimor, me dozën e natyrshme dhe të pashmangshme subjektive.
Ansambli letrar i I. Kadaresë, që lidhet me Gjirokastrën është një enciklopedi e vogël me ngjyrë historike, gjuhësore, deri dhe etnografike, me ngjyrë lokale; me vlerë njohëse dhe me interes sidomos për brezin e ri, edhe të Gjirokastrës.
Vepra letrare e I. Kadaresë ka tërhequr që herët vëmendjen si dukuri novatore, dhe këtu, qoftë edhe tërthorazi, ka pjesën dhe meritën e Gjirokastra që i ofroi motivet dhe nxitjen për një pjesë të mirë të krijimtarisë së tij, Gjirokastra “konservatore”, që edhe sot nuk qëndron në krye të zhvillimeve të vendit. Sjellim këtu mendimin e I. Kdaresë se veprat e shquar nuk kushtëzohen nga sistemi politik e shoqëror, sepse shumë prej tyre janë krijuar në periudha errësire dhe në diktatura. Perifrazojmë se letërsia e madhe nuk është e thënë të lindë doemos në mjedise, qytete apo shtete të mëdha. Dhe Gjirokastra me individualitetin e saj e vërteton më së miri këtë.
POST SCRIPTUM
Në mjedisin gjirokastrit kam thënë fjalën time për shkrimtarin Ismail Kadare, por pak kam shprehur mendime se si të bëhet kjo apo ajo punë lidhur me të. Përjashtim bën një rast, me dy fjalë, për kthimin në identitet të shtëpisë së rehabilituar, në një kalal televiziv lokal. Është rasti të bëj disa sugjerime për mbarëvajtjen e punëve në vazhdim.
Për veprën dhe vlerat letrare-estetike të krijimtarisë së shkrimtzarit, mendojmë se së pari duhet të jenë të interesuar të rinjtë dhe të rejat që banojnë në këtë qytet. Kemi përshtypjen se lidhja shpirtërore e tyre me botën e shkrimtarit, me tablon e larmishme që ai pasqyroi e mishëroi është e pamjaftueshme.
Natyrisht, brezi i ri e pëlqen veprën letrare të I. Kadaresë, edhe të rinjtë e të rejat e Gjirokastrës, sidomos nxënësit e shkollave, bëjnë edhe tema hartimi e diskutimesh. E me rastin e 1 Qershorit, viti 2015, në rrugicën që shpie drejt shtëpisë së shkrimtarit, u hap një ekspozitë, edhe me plot vizatime të nxënësve të shkollave të qytetit, ku midis krijimeve spikasnin edhe disa portrete të tij. Por duhet dalë nga rutina e deritanishme për ndonjë veprimtari simbolike e ceremoniale, duke shtuar larminë e formave të ndriçimit të veprave letrare dhe vlerave të tyre. Janë të rrallë mësuesit dhe pedagogët që punojnë me pasion dhe dalin nga guaska e mësidhënies.
Dhe banorët tradicionalë, që përjetuan ngjarje dhe emocione, të përforcuara dhe amplifikuara nga pena e shkrimtarit, ose janë të pakët, ose janë larguar nuk jetojnë më, ose nuk jetojnë.
Dyndja e banorëve të ardhur rishtas, shumë prej tyre pa interesa kulturore, ka bërë që edhe simpatizantët entuziastë të pakësohen.
Është e nevojshme të propagandohet më mirë vepra e tij, nga bibliotekat dhe libraritë e qytetit. Deri më sot dëmtoi jo pak zvarritja e punimeve për rehabilitimin e plotë të shtëpisë së shkrimtarit dhe klima e ambjentimit me zvarritjen dhe përgjegjësinë e pamjaftueshme të kompetentëve për kthimin e banesës në identitetin e vet, nga jashtë dhe sidomos nga brenda.
Mendoj të gjallërohet veprimtaria e shoqatës “Miqtë e Kadaresë” dhe të rritet roli i saj në mjedisin e qytetit e më gjerë. Mund të punohet e bëhet më shumë nga kuadri pedagogjik i specializuar i universitetit të Gjirokastrës. Të krijohet një bërthamë e përhershme studjuesish të përkushtuar ndaj veprës dhe jetëshkrimit të shkrimtarit.
U krijua në Shqipëri, përpara dhjetë vitesh dhe përsëri në vitin 2015, tashmë edhe si fondacion, çmimi “Kadare”, për nxitjen e krijimtarisë letrare në përgjithësi. Po çfarë stimuli ka për nxitjen e krijimtarisë letrare brenda në Gjirokastër, për talentet e reja?
Dëgjojmë të flitet për “Kadare-tur”, me vizitorë nga brenda dhe jashtë Shqipërisë. Këtij turi (tour në frëngjisht) i paraprin turri në veprat e tij, sidomos i ansamblit letrar që merr shkas e jetë nga Gjirokastra.
Përpara gjysëm shekulli në Gjimnazin e Gjirokastrës u hap klasa-muze, ku ishte ulur dhe kishte nxënë Enver Hoxha. Dhe ajo bangë ku ishte ulur, e dyta, në mos gaboj, megjithëse e vendosnin edhe në rreshtin e fundit, përdorej si stimul për nxënësit më të dalluar, të shkëlqyerit. Mbaj mend dy prej tyre: Shpëtim Emiri dhe Sotirulla Dilo. Nuk them të bëhet e njëjta gjë me letrarët e rinj, por, të paktën, nxënësit e sotëm të dinë në cilën klasë është ulur dikur shkrimtari, megjithëse nëpër vite e edhe brenda ditës, mund të ndryshonte klasa ku zhvillohej mësimi, një lëndë e caktuar, edhe sipas numrit të nxënësve. Dhe, natyrisht, bangat nuk janë të asaj kohe.
Shtator 2004 – Janar 2016
SHPJEGIME PLOTËSUESE
Shënim 1. Emri i qytetit Gjirokastër lidhet me konceptin e kështjellës. Argjiro-kastro, në greqisht, do të thotë kështjella e Argjirosë. Ka mendime se emri i qytetit prejvjen nga shkëlqimi i argjendtë që marrin çatitë e shtëpive si dhe pllakat shkëmbore mbi qytet pas shiut e daljes së diellit, ose në një natë me hënë të plotë. Në lashtësi Gjirokastrën e gjejmë me emrin Argjirini (Αρχαία Αργυρίνη) por edhe Aργυρουπολέος (Argjiropoleos). Në tekstet e Krishterimit e gjejmë me emrin Angjelokastro (Αγγελόκαστρο) = kështjella e engjëllit ose engjëllore. Emri i qytetit mund mund të ketë lidhje me sundimtarin Gjin. Në Jugë ekziston emri Gjin dhe trajta Gjino. (Balada e Gjino Vakut). Veriorët e kanë thirrur qytetin: Gjinokastër. Vetë gjirokastriti qytetit i thoshte Gjirokastrë, për: Gjirokastër.
Shënim 2. Ismaili, sipas Biblës, ishte një profet i shquar hebraik, biri i Abrahamit dhe i Sarës, vëlla i Isakut. Në gjuhën hebraike Ismael i thonë njeriut të pranuar e të ndier prej perëndisë. Ky gjendet si emër edhe në kalendarin e Ortodoksisë në Greqi. Në Gjirokastër emri Ismail shkurtohet në: Mail dhe Malo. Në librin e saj me kujtime Helena e bën Is.
Shënim 3. Mendoj se mbiemri Kadare vjen nga arabishtja kadar, që i thonë rrobës së gjatë, të lirshme e me çmim të lirë, që veshin burrat në ato vise. Ndoshta, dikush nga parardhësit e shkrimtarit ishte karakterizuar përmes kësaj veshje. Kjo bëhet më e besueshme, po të kujtojmë hollësinë që përmend autori në poemën “Shqipëria dhe tri Romat” ku shamia a kokës e grave gjirokastrite quhej jemenί, për shkak të prejardhjes së saj nga Jemeni. Po ashtu mbiemri Çelebi (Evliya), i kronikanit dhe shëtitësit të njohur, prejvjen nga qelebija, një lloj pelerine e kushtueshme orientale. Fjala arabe kadir, do të thotë i shenjtë. Mësojmë se Gadare ishte vendi ku së pari Jesu Krishti, sipas Biblës, bëri mrekullinë e shërimit të disa personave.Historianët shkruajnë se një nga ushtarët që ngriti flamurin mbi Rajshtang, kishte mbiemrin: Kadarian.
Shënim 4. Një shpjegim të toponimit Palorto e jep urbanisti Thanas Kamberi: Palo + orto (gr.) = ndërtim i vjetër. Mendoj se fjala Palorto ka lidhje me fjalën greqisht palió, d.m.th. diçka e vjetër, por edhe me fjalën paliuri (παλιούρι) = drizë, palurotό = vend me driza, siç edhe ka qenë.
Shënim 5. Në Gjirokastër egziston mbiemri Dunavi. Dunav i thonë greqisht lumit të Danubit. Nga fjala Dunav (që i thonë Danubit) e fjala dunë (diçka e ngritur si kodër, kodër prej rëre) prejvjen emri i lagjes Dunavat.
Shënim 6. Emri i lagjes Varosh prejvjen nga varre-varreza. Në Korçë e gjejmë Katavarrosh. E gjejmë dhe në shtete të tjera të Ballkanit, prej nga edhe ka ardhur.
Shënim 7. Toponimi Manalat, lagje e qytetit, vjen nga Manal, një toponim në masivin e Himalajeve. Manale – manale thonë zagoritët për rrugën me bërryle e të përpjeta, por edhe për shkrimin e keq, shkarravinat.
Shënim 8. Jashtë kalasë ka qenë dikur lagja Martallo, me dhjetë shtëpi, ku banonin mirëmbajtësit e kështjellës, që quheshin martallozë.
Shënim 9. Fjala Grehot prejvjen nga fjala sllave grehota (gjëmim). Disa e thonë Gërhot. Në librin “Çështje të marrëzisë” e gjejmë Grihot.
Shënim 10. Toponimi Granica, vend me pemë mbi Palorto e më gjerë. Toponimi vjen nga fjala sllave kufi.
Shënim 11. Sopot, mali (edhe emër njeriu) vjen nga sllavishtja. Sopot ka edhe në Elbasan. (Në Kukës e gjejmë: Zapod).
Shënim 12. Në lartësitë e Malit të Gjerë është toponimi Gjorkanë. Mendoj se kjo fjalë nuk lidhet me jorganin, por me emrin Gjorg. Këtë na e përforcon fakti që në rrethin e Elbasanit fjala Sopot dhe Gjorg shkojnë bashkë.
Shënim 13. Fjala Drino, emër i lumit, vjen nga fjala greke δρύς, shqip: drënjë, dushk. Dikur e gjithë lugina ishte e pyllëzuar me dushqe, të cilat u prenë për të ndërtuar dervenin prej druri që urdhëruan pushtuesit otomanë.
Shënim 14. Dullga, kodra prej shtufi në perëndim të kështjellës, nën muret e saj, prejvjen nga emri i një perëndi indiane.
Shënim 15. Mbiemri Budo na kujton Budën. Në Gjirokaster ekziston emri Budin, që tingëllon si Putin.
Shënim 16. Emri i Malit të Lunxhërisë, që i jep emrin edhe krahinës Lunxhëri prejvjen nga latinishtja, luongo, i gjatë, por ka lidhje edhe me fjalën linzë, një shtuf i butë ngjyrë gri e i rrëshkitshëm. Në Gjirokastër, në anën perëndimore të kalasë gjejmë: Lizma- t.
Shënim 17. Fjala Këcullë (Kucullë) mund të jetë e ardhur nga kësulë, por edhe nga fjala greqishte kuçulia, (κουτσουλιά) = diçka si kukumale. (Kuptimi më i drejpërdrejtë i kësaj fjale në greqishte është…glasë). Trajta “Kërcullë” e afron toponimin me kërcurin dhe e largon nga rrënja e vërtetë.
Shënim 18. Në listën emërore të banorëve të Gjirokastrës gjenden mjaft emra të huaj, të lashtë e të rinj, ndikime kulturore ose tregue i një prejardhje tejtër, të lashtë. Në Itali gjenden edhe sot mbiemrat Fino, Zani, Çeli (ο), Çiço, Rizo, etj. që i mbajnë edhe familje gjirokastrite. Rizo e gjejmë edhe në Korfuz. Në Shqipëri e Kosovë gjejmë mbiemrin Riza. Kotroçi vjen nga italishtja kuatroçi, = tre të katërtat. Dhe midis mbajtësve të këtij mbiemri gjejmë edhe ndonjë me shtat të shkurtër.
Shënim 19. I. Kadare në novelën e vet përdor mbiemrin Hankonatë. Në të vërtetë, ka egzistuar dhe ekziston vetëm mbiemri Angonatë. Mundet që autori i shtoi kësaj përpara një H., për arsye të eufonisë ose etikës letrare. Prejardhja e Angonatë është nga angonas (άγγονας) – bërryl ose αγγονάρι, që greqisht i thonë trarit të çatisë. Dhe nuk ishte zakon për gjirokastritët që mbiemri i familjeve të prejvinte nga gratë, nga hanko në këtë rast.
Shënimi 20. Virua ka kuptimin e burimit. Trajta e dikurshme e Virua mund të ketë qenë vriua. Ka lidhje me foljen vrijon, ujët që del nga toka. Në shqipe dhe në greqishte gjejmë mbiemrin Vrioni. Greqishtja ka fjalën vrisi (βρύση) = burim (Vrisera) etj. Kurse në Tropojë gjejmë fjalën vrellë, për ujin që del nga toka me vrull…
Shënim 21. Në një këngë popullore gjirokastrite është vargu “Te porta, te hajsomeri”, ku fjalën hajsomer(i) e shqiptojnë Haso Imeri. Ky ështe tjetërsim i trajtës hajsomer, që vjen nga greqishtja dhe do të thotë vend ku njeriu i ngeshëm rri e sodit, bën sehir, hajsomero (χαϊσομερώ)= kaloj kohën në mënyrë pasive.
Shënimi 22. Në novelën “Ura me tri harqe” vargun e këngës popullore “Mora rrugën për Janinë”- që është: “Bashkë me arabaxhinë”, (arabaxhi = karrocier) I. Kadareja e citon: me arap Haxhinë…
Shënim 23. E folura gjirokastrite është binjake me atë të Kurveleshit e të Labërisë, por ka afërsi edhe me të folurën e çamërishtes (klumësht – qumësht, bilë – bijë, etj.).
Shënim 24. Në Gjirokastër shqiptohet me vështirësi zanorja e hapur y, që bëhej i (tym/ tim/, ylli/ illi, jo dy, por di, jo: i shkëlqyer, por: i shkëlqier. Y-ja bëhet i. Është bërë gati proverbiale shprehja “Na mbiti timi sitë”. Po ashtu, shqiptimi i bashkëtingëllores dh si ll (pra, jo ulli, por udhi, këshillë/ këshidhë). Është kjo arsyeja që, sipas kujtimeve të Vahid Lamajt, Enver Hoxha i porosiste bashkëpunëtorët të bënin shumë kujdes kur shqiptonin fjalën pyll… Ll-ja bëhej l, ose anasjelltas: I tillë/ I tilë.
Shënim 25. Shprehjen Ç’qe ata?” disa e kuptojnë ose e paraqesin si “ç’qe hata?!”. Por gjirokastriti pyeste ashtu i befasuar, duke shprehur habinë si ndodhi që X apo Y erdhi, e jo se u bë vërtet ndonjë hata. Për: e keqe, në Gjirokastër thuhej: të keqtë. Po ashtu: djathët, gjalpët, vajtë, ujët, për: djathi, gjalpi, vaji, ujët. Trajta e mëparshme është thjeshtëzuar e zëvendësuar me trajtën e njëjësit. Shkrimtari ka vërejtur se, me vendosjen e normës letrare, rregullave zyrtare, e folura shqipe dhe ajo gjirokastrite në disa raste kanë dalë me humbje. Është i admirueshëm fakti se në të folurën vetiake të I. Kadaresë disa provincializma dhe defekte u shmangën herët dhe shfaqen vetëm për efekt stilistik.
Shënim 26. Në vend të kokërr, gjirokastriti thoshte koqe.
Shënim 27. Shprehja gjirokastrite gorrica pikëla lidhet me fjalën italisht piccolo (i, e vogël), pra, fryte të papjekura dhe të tharta.
Shënim 28. Nën ndikimin e logjikës së mëpasme gjuhësore, u mënjanua trajta e vjetër i sjellur (u bë i sjellshëm) i tmerruar, që e gjejmë edhe tek F. Noli (u bë i tmerrshëm) etj.
Shënim 29. U mënjanua ndonjë mënyrë fjalëformimi e ndikuar nga turqishtja apo greqishtja: hekuraxhi u bë: hekurpunues, lipinjar u bë: lipës, etj.
Shënim 30. Thoropullë, deriçkë në avlli a që shpie te kopshti, prejvjen nga greqishtja thiropulla (θηρόπουλα).
Shënim 31. Dhjakonar vjen nga greqishtja provinciale dhe do të thotë lypës. Dhjaku është një shërbestar i shkallës së ulët i kishës. Në Gjirokastër e gjejmë si mbiemër Dhjakoni.
Shënim 32. Duket se fjala kolaq ka lidhje me fjalën greke kόllaka (κόλακα), që i thonë lajkatarit. Shënim 33. Sqafill. Është pasqyrim i shtrembëruar i fjalës fjasidh, që në në Dropull dhe në Gjirokastër i thonë një lloj ngjyruesi zbukurues që venë nuset e grate, mejkap. Flokët lyheshin e nxiheshin me këna, që në Veri i thonë mazi. Për të kuq në mollëza e faqe ose në buzë përdorej koqinadhi. Kjo mënyrë tjetërsimi, metatezë, vërehet edhe në rastin gërqele, për gëlqere.
Shënim 34. Në shkrimet e autorit gjejmë toponime të largëta si, Stamboll, Arabistan, Çanakala, Jemen, e të tjera, që janë pjesë e kujtesës dhe mitologjisë gjirokastrite.
Shënim 35. Kinës gjirokastritët i thoshnin Çinmaçin, kurse “fundit të botës” (ndoshta Filipineve) i thoshnin Filipistun, pra, një vend “në fund të dynjasë” e “prapa diellit”.
Shënim 36. Ksodh i thoshnin hapjes së shtëpisë për të pritur ngushëllime. Ngjan se ka lidhje me fjalën kasolle.
Shënim 37. Dobro (fjalë sllave) dëgjohet të thonë edhe sot në Gjirokastër për njeriun e mirë. Ngjan se me të ka lidhje mbiemri Dobi. Pra, i mirë, i dobishëm.
Shënim 38. Fjala Omer gjendet edhe në Eposin poetik të Kreshnikëve, në Tropojë, Elbasan, Berat, Gjirokastër. E gjejmë emër personazhi, punëtor, në romanin “Kronikë në gur”.
Shënim 39. Kako Pino do të thotë hallë Pino. Kako në greqishte është gruaja e dajës. Pino vjen nga emri Dhespina.
Shënim 40. Χivo-gavo është të shkruarit keq, po ashtu: gadra- budra, që ka edhe kuptimin e të ngatërruarit.
Shënim 41. Allasoj (allo soi) do të thotë tjetër lloj dhe përdoret për njeri apo diçka të çuditshme a të pangjashme.
Shënim 42. Një allai – thuhet për diçka në sasi të madhe dhe mbresëlënëse.
Shënim 43. Kaurçe, fjalë që e gjejmë në një vjershë të hershme të autorit, do të thotë diçka që rri shtrembër ose kithtas.
Shënim 44. Zdrukthtarit në Gjirokastër i thonë marangoz, por edhe marjanak (me prejardhje nga fshati Marjan i Korçës).
Shënim 45. Skamí në Gjirokastër i thonë stolit prej druri. Ka lidhje me shkami-n, që në zonat veriore i thonë trungut të prerë ku ulen njerëzit. Pra, fjala skamí ka lidhje me…shkambin, shkëmbin.
Shënim 46. Emir në gjuhën arabe do të thotë njeri prej hekuri.
Shënim 47. Zerzebili mendojmë se vjen nga zerzevul, që i thonë shejtanit.
Shënim 48. Ekziston toponimi “Xhamia e Teqesë”, emërtim ku ka diçka kundërthënëse, sepse xhamia është objekt kulti i besimtarëve muhamedanë, kurse teqeja është objekt kulti i sektit bektashian. Ngjan se toponimi ka dalë nga që xhamia gjendet në lagjen Teqe. Sekti Bektashi është themeluar në Azi në shek. XII nga Abdylkaderr Gejlani.
Shënim 49. Brenda në kalanë e qytetit ka qenë një kishë, ndërtesa e së cilës është edhe sot, me çati të re, pranë Kullës së Sahatit, ku vitet e fundit u bë edhe një meshë. Ka të thëna se ishte edhe një kishë tjetër në pjesën qendrore.
Shënim 50. Në vitet 1926-1927 dhe 1929 në Gjirokastër ishte prefekt Zef Kadarja, nga veriu i Shqipërisë.
Shënim 51. Kandja që përmend Evliya Çelebia, është në ishullin e Kretës. Betejën e madhe atje e përmend Bajroni tek poema “Çajld Harold”: “Eja, poet, se Kandia të thërret!”, poemë e përkthyer në gjuhën shqipe nga Skënder Luarasi.
Shënim 52. Sternë – depua shtëpiake e ujit të shiut.
Shënim 53. Bimcë = bodrum, mjedis i errët në katin e nëndheshëm, ku mund ta mbyllnin një pjesëtar të familjes, zakonisht fëmijë, i cili, sipas të rriturve a kryetarit të saj, kishte bërë faj që duhej ndëshkuar me izolim.
Shënim 54. Hapsanë. Kështu quhej ndryshe burgu i shtëpisë ose burgu në përgjithësi.
Shënim 55. Dhipato – një dhomëzë brenda shtëpisë, në gjysëmlartësi të odës, me një dritarezë e me kafaz druri, e cila shërbente që gratë të vështronin çfarë bëhej në dhomën ku mblidheshin burrat, pa u parë ato prej tyre.
Shënim 56. Odajashtë – një shtëpizë, pjesë e banueshme pranë banesës kryesore.
Shënim 57. Vasilikua – varrezat e qytetit
Shënim 58. Emri i Lagjes Meçite ngjan se vjen nga mexhidja, monedhë turke. Por ka lidhje edhe me Meçita, emër spanjoll.
Shënim 59. Xhuxhulle i thoshnin flakës së madhe.
Shënim 60. Në Gjirokastër gurit të madh, zakonisht pa cepa, i thonë popël. I thonë edhe pepezhinë e prazamak.
Shënimi 61. Fjala bragaç (gjym prej bakri) vjen nga bakëraç.
Shënim 62. Në të folmen gjirokastrite fjala bule përdorej në kuptimin e prapanicës.
Shënim 63. Në mjedisin gjirokastrit janë përdorur shumë fjalë turke, greke, arabe, sllave, etj, gjurmë të ndikimeve apo këmbimeve kulturore. Gjirokastriti deri dje përdorte rëndom fjalët ané (nënë), dadá (gjyshe), abllá (motër e gjyshes), kondoxhup (xhup i shkurtër), thoropullë (deriçkë), zigaré (peshore), qollopitë (byrek me qull) thjamë (diçka e përçunuar) etj.
Shënim 64. Fjalët mangall e dylbi janë bërë elemente me një domethënie më të gjerë se kuptimi i tyre në praktikë, sikundër pisqollë e kobure, që përdoren edhe për të karakterizuar një tip të caktuar.
Shënim 65. Në Gjirokastër gjejmë fjalën skuth, që ngjan se ka lidhje me skithët. Autori në vargjet e veta përmend Skithinë e Kaukazit.
Shënim 66. Mjaft mbiemra gjirokastritë janë me një tingull kërcitës. Po rreshtojmë mbi njëqint e ca prej tyre: Aloçi, Baboçi, Bebeçi, Biçaku, Çabej, Çabiri, Çanaj, Çano, Çani, Çuçani, Çarçani, Çali, Çiço, Çeço, Çeçi, Çiçi, Çipi, Çuçi, Çulli, Çuni, Çela, Çeli, Çeliku, Çuberi, Çene, Çabeli, Çavidhi, Çomo, Çanole, Çami, Çali, Çokllani, Çenko, Çingo, Çelibashi, Çoçoli, Çobani, Çekani, Çikani, Çetri, Çavo, Çati, Çulli, Demçe, Deçka, Duçka, Koçi, Koçiu, Kotroçi, Govaçi, Kaçi, Taçi, Çaçi, Naçi, Kënaçi, Koçi, Koça, Koçollari, Koçomandi, Kuçi, Içi, Çiçi, Kriçi, Loloçi, Lloçko, Sulçe, Lamçe, Çomo, Gjonçaj, Muço, Noçka, Paço, Paçeli, Poçoli, Çokllani, Çiraku, Çumaku, Çapullari, Çoni, Çelemengo, Çarka, Nurçe, Sulçe, Çollaqi, Çekrezi, Çuka, Çuklla, Çikolla, Çavo, Çaro, Çati, Çarka, Çakalli, Çipa, Noçka, Muçi, Miço, Miçi, Liço, Boçi, Poçi, Doçi, Peçi, Peçuni, Çapullari, Meçollari, Guçe, Goçi, Graçi. E përbashkët për mbiemrat e mësipërm është efekti akustik që krijohet nga shqiptimi. Disa prej tyre ose të ngjashëm gjenden edhe tek personazhet e shkrimtarit. Mund të ketë edhe të tjerë me këtë tingull kërcitës e po aq me tingullin c. Mbiemrat e mësipërm janë qëmtuar deri në të vitit 1975, nga të gjitha lagjet, kur Gjirokastra kishte rreth 20.000 banorë, kurse sot ka tejkaluar shifrën 52.000. Mbajtësit e tyre janë gjirokastritë tradicionalë por edhe mjaft të ardhur nga krahinat, edhe nga rrethe të ndryshme.
Prirja e gjirokastrit drejt bashkëtingëlloreve kërcitëse duket edhe në rastin “O ta piç kafenë”, për: “Do ta pish kafenë”.
Shënim 67. Fjala bangë e shkollës shqiptohet bango, për ta veçuar kuptimisht prej bankës ku depozitohen apo tërhiqen të hollat.
Shënim 68. Vjersha me stil rapsodik për vajtjen dhe misionin e shkrimtarit në Paris, është hartuar prej meje si një gjest miqësor. Ajo rivjen me ndryshime nga varianti i parë si pjesë e një shkrimi të gjatë botuar në disa numra tek “Gazeta e Athinës”, në nëntor 2005.
VEPRA TË KADARESË MBI GJIROKASTRËN OSE MARRIN SHKAS PREJ SAJ
“Ëndërrimet”, (1957) – poezi, pjesërisht.
“Princesha Argjiro” (1958, 1968) -– poemë.
“Qyteti pa reklama” (1959) -– roman.
“Ditë kafenesh” (1963) -– roman.
“Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1962 – 1964)
“Qyteti i Jugut” (1967) – proza letrare.
“Kronikë në gur” (1968) -– roman.
“Gjëmojnë kontinentet” (1968) – përmbledhje me përkthime nga poezia e popujve të botës.
“Kështjella” (1970) -– roman.
“Breznia e Hankonatëve” (1977) – novelë
“Kështjella dhe helmi” 1977 – dramë për fëmijë.
“Aeroporti” (1978) -– radiodramë.
“Në Muzeun e aArmëve” (1978) – poemë
“Poezi të zgjedhura” (1979) – poezi dhe poema, pjesërisht.
“Autobiografia e popullit në vargje” (1980) -– studim.
“Koha e shkrimeve” – tregimi “Koha e parasë” etj. (1986).
“Ftesë në studio”, Tir. 1989.
“Çështje të marrëzisë” (2006) – roman
“Darka e Gabuar” (2008) -– roman.
“Bisedë për brilantet në pasditen e dhjetorit”, (2013) – tregim, pjesërisht.
“Mëngjeset në kafe Rostand” (2014) – kujtime dhe ese.
“Kukulla”, (2105) roman.
Një varg krijime, tregime, vjersha, kujtime, intervista marrin shkas prej Gjirokastrës ose lidhen me të.