2018-12-04

Poeti dhe politikani i njohur francez, Alphonse De Lamartine për Skënderbeun : “Ishte njëkohësisht hero dhe politikan, mbret i shqiptarëve dhe simbol i tyre”



Poeti dhe politikani i njohur francez, Alphonse De Lamartine për Skënderbeun : “Ishte njëkohësisht hero dhe politikan, mbret i shqiptarëve dhe simbol i tyre”

Nga Aurenc Bebja*, Francë


Në faqen n°314 të librit me titull “Histoire de la Turquie II – Historia e Turqisë II”, të poetit, romancierit, dramaturgut dhe politikanit të njohur francez, Alphonse De Lamartine, botuar në Paris në 1862, gjejmë një përshkrim të veçantë për heroin tonë kombëtar, Gjergj Kastriotin, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

https://www.darsiani.com/la-gazette/poeti-dhe-politikani-i-njohur-francez-alphonse-de-lamartine-per-skenderbeun-ishte-njekohesisht-hero-dhe-politikan-mbret-i-shqiptareve-dhe-simbol-i-tyre/

“Skënderbeu nuk ishte vetëm një konspirator gjakatar, një dezertor i pabesë, një vrasës nokturn; ai ishte gjithashtu një hero dhe një politikan. Ai e pa stuhinë që kishte tërhequr në vendin e tij, dhe u betua ndaj popullit të tij që të shlyejë krimin e tij deri në fund.

Disa mijëra shqiptarë, më të kaliturit, u vendosën prej tij, si më parë grekët në Termopilët (Termophyles), që t’i bllokonin ushtrisë osmane grykën e ngushtë dhe të thellë që ngrihet nga Maqedonia në Epir.

Ai thirri në Krujë pesë motrat e tij, të martuara me krerë të tjerë shqiptarë të krahinave fqinje, vëllezërit, nipat, prindërit e tij, miqtë dhe klientët e shtëpisë së tij, të gjithë krerët e qyteteve, fshatrave, fiseve malësore, të bashkuar nga shpirti i racës dhe britmës së gjakut.

Dymbëdhjetë mijë shqiptarë dhe shqiptare nga të gjitha radhët dhe moshat shkuan me armët në dorë, me fenë ose me lirinë në zemër, në këtë këshill të madh të kombit në Krujë.

Emri i Skënderbeut, rinia, figura, elokuenca, grada e tij në Shqipëri, suksesi i tij në ushtritë turke, ku vetëm ai kishte sekretin për t’i mundur, nga që vetë i pati habitur me guximin e tij, prestigjin e dëbimit, gjakun e vezirit të therur me dorën e tij, kufomat e dhjetë mijë otomanëve të Muratit të II, animuan këtë asamble popullore me një heroizëm, i cili u përcjell të nesërmen nga gratë, pleqtë, fëmijët, deri në shkëmbinjtë më të fundit të Shqipërisë.

Me një zë unanim, motori i kryengritjes u shpall lider. Shqipëria nuk njohu më asnjë princ tjetër kombëtar përveç atij që i solli kombësinë dhe fenë e saj; thesare, armë, krahë, zemra, jetë e vdekje, gjithçka ishte e tij. Skënderbeu u bë në një ditë jo vetëm mbreti, por edhe emri i shqiptarëve.”



* Çdo gazetë online apo print, çdo portal që merr këtë shkrim duhet të citojë autorin në fillim të shkrimit (Nga Aurenc Bebja, Francë) dhe burimin e informacionit në fund (Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania), si dhe të vendosë linkun e burimit : https://www.darsiani.com/la-gazette/poeti-dhe-politikani-i-njohur-francez-alphonse-de-lamartine-per-skenderbeun-ishte-njekohesisht-hero-dhe-politikan-mbret-i-shqiptareve-dhe-simbol-i-tyre/. Në rast të kundërt mos e publiko këtë shkrim.

Ekranët i dëmtojnë fëmijët

Ekspertët rekomandojnë që fëmijëve nuk duhet t’u lejohet të kalojnë më tepër se një deri në dy orë në ditë para ekranëve.



Video të shkurtra që tregojnë se si njëri apo tjetri ha duke parë celularin apo ndjekur një film në televizor dhe harron të shikojë pjatën apo të tjerët përreth ka kohë që qarkullojnë në rrjetet sociale. Të gjithë qeshin, por me sa duket pak e kuptojnë ndikimin negativ të kohë që kalojnë shumë prej nesh sot me smartfonë apo pajisje të tjera të komunikimit elektronik.

Smartfoni dhe mbipesha

Sipas studiusve koha që kalojnë fëmijët përpara ekraneve të smarfonëve, kompjuterave, televizorëve apo pajisjesh të tjera me ekran mund t’i mësojë fëmijët me një jetë sedentare duke shtuar rreziqet që ata të kalojnë në mbipeshë apo të bëhen madje obezë. Për këtë arsye Shoqata Amerikane e Zemrës (AHA) kërkon bashkë me organizata të tjera prej prindërve që të kufizojnë kohën e qëndrimit të fëmijëve të tyre para ekranëve.

Larg ekranëve!

AHA rekomandon që fëmijëve t’u lejohet të kalojnë vetëm një deri në dy orë në ditë dhe jo më shumë para ekranëve. Shumëkush vëren se adoleshentët nuk kalojnë më shumë kohë para televizorit. Por përdorimi i smartfonëve dhe pajisjeve të tjera elektronike me ekran është shtuar së tepërmi.

Ekrani ndikon ndaj sjelljes

Edhe pse ende nuk është ende e qartë se si koha që kalojnë fëmijët para ekranëve ndikon ndaj mbipeshës, studimet tregojnë se ekrani ndikon ndaj sjelljes së fëmijëve për shkak se ata “humbasin mendjen” dhe sensin e urisë apo të ngopjes kur janë përpara ekranëve.

Google dhe Apple po marrin masa

Prodhuesit e sistemeve të telefonisë celulare Android dhe iOS, Google dhe Apple, janë duke përfshirë në aparatet e tyre aplikime të reja që t’u ndihmojnë aplikuesve të shkurtojnë kohën që kalojnë përpara ekraneve.

Shkencëtarët kanadezë zbulojnë ilaçin kundër kancerit të mushkërive


 Shkencëtarë kanadezë kanë zbuluar ilaçin kundër kancerit të mushkërive. Ai do të jetë në qarkullim brenda gjashtë deri dymbëdhjetë muajsh.



Kështu ka paralajmëruar Igor Stagljar, profesor i sektorit të biokimisë dhe të gjenetikës mjekësore në Universitetin e Torontos, raportojnë mediet kroate.

Stagljar e ka bërë këtë njoftim në Konferencën Ndërkombëtare në Split.

Ai ka thënë se tashmë ka përfunduar studimi trevjeçar i tij dhe se tani ai është i sigurt 100 për qind se e ka zbuluar ilaçin për llojin më të shpeshtë të kancerit të mushkërive.

“Deri tash nuk kam guxuar të flas për këtë, por as nuk kam dashur të them gjë publikisht për diçka që nuk është 100 për qind e sigurt. Por, tani mund të them se po dalim me ilaçin kundër formës më të shpeshtë të kancerit të mushkërive”, ka thënë Stagljar.
Bëhet fjalë për kancerin e mushkërive të shkaktuar nga mutacione në proteinën EGFR.

“Ky është një lajm i mrekullueshëm për ata që vuajnë nga kjo sëmundje, prej të cilës çdo vit vdesin 1,6 milionë njerëz”, ka thn Stagljar.

Akademik Rexhep Ismajli, anëtar nderi i Shoqatës së Linguistëve të Amerikës

Kohë më parë Akademik  Prof.Dr.Rexhep Ismajli është zgjedhur anëtar i përhershëm nderi i Shoqatës së Linguistëve të Amerikës (Linguistic Society of America (LSA) që është institucioni më i rëndësishëm shkencor për çështje të gjuhësisë.


Akademik Ismajli do t’i ketë të përjetshme statusin dhe përfitimet e anëtarësisë.

Njoftimi është dërguar të martën nga drejtoresha ekzekutive e LSA-së Alyson Reed.

“Kushtetuta jonë thotë se ‘një studiues i huaj i shquar në fushën e studimeve gjuhësore e që nuk është banor i SHBA-së, mund të zgjedhet anëtar nderi i Shoqatës, në bazë të rekomandimeve të Komitetit Ekzekutiv’”, ka shkruar drejtoresha Reed, në letrën e njoftimit për anëtarësimin e Ismajlit.

Linguistic Society of America (LSA) është themeluar më 1924 dhe shërben për promovimin e studimeve shkencore në fushën e gjuhësisë. Është pandan i Akademisë së Shkencave për çështje të gjuhësisë. Boton dy revista, ndër më prestigjiozet në botë: “Language” dhe “Semantics and Pragmatics”.

Rexhep Ismajli (1947) është anëtar i ASHAK-ut që nga viti 1993. Ndër anëtarët e tjerë të nderit të LSA-së janë disa nga autoritetet më të mëdha të gjuhësisë botërore përfshirë: Michael Halliday, John Lyons, Randolph Quirk, Wolfgang Dressler e Peter Trud.

Rexhep Ismajli shpallet anëtar nderi i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Amerikës



Kohë më parë Akademik  Prof.Dr. Rexhep Ismajli, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, u inaugurua anëtar nderi i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Amerikës (American Academy of Arts and Sciences).

Akademik Ismajli u shpall solemnisht anëtar i këtij institucioni të lartë të shkencës e artit në Shtetet e Bashkuara, në ceremoninë solemne të inaugurimit të anëtarëve të rregullt dhe anëtarëve të nderit të rishtpranuar, e cila u zhvillua të premten dhe të shtunën, me 5 e 6 tetor 2018, në selinë e Akademisë, në Cambridge të Massachusetts-it.

Gjatë ceremonisë së inaugurimit të anëtarëve të rishtpranuar në Akademi, për secilin veç e veç, lexohej motivacioni i pranimit dhe një biografi e shkurtër me informacionet elementare për punët dhe meritat e tyre.

Profesor Ismajli u prazantua si studiues i njohur në fushën e gjuhësisë, si profesor i gjuhësisë së përgjithshme dhe i historisë së gjuhës shqipe dhe si studiues i historisë dhe i gjendjes aktuale të shqipes.

Ai u prezantua edhe si ish-kryetar i Akademisë së Shkancave dhe Arteve të Kosovës që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për pranimin e këtij institucioni në Rrjetin e Akademive Evropiane dhe për afirmimin e saj në institucionet shkencore ndërkombëtare.

Akademik Rexhep Ismajli është zgjedhur anëtar nderi i Akademisë së Arteve dhe të Shkencave të Amerikës në muajin prill të këtij viti.

Njoftimin për pranin e tij në këtë asociacion prestigjioz të botës shkencore e artistike e kishte publikuar vetë kryetari i Akademisë Amerikane, Jonathan F. Fanton.

“Ky nderim shënon konsideratën e thellë që kanë drejtuesit e fushës suaj dhe anëtarët tanë”, thuhej në njoftimin e tij.

Akademia e Arteve dhe e Shkencave të Amerikës (American Academy of Arts and Science) është themeluar në vitin 1780 nga dijetarë të shquar të kohës në SHBA. Anëtarë të saj kanë qenë dhe janë studiues e dijetarë të shquar dhe personalitete të rëndësishme të jetës publike nga Amerika dhe nga mbarë bota. Një numër jo i vogël prej anëtarëve të kësaj akademie janë laureatë të çmimeve më prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë edhe çmimin Nobel dhe çmimin Pulitzer.

Në janar të po këtij viti, Rexhep Ismajli është zgjedhur anëtar i përhershëm nderi i Shoqatës së Linguistëve të Amerikës (Linguistic Society of America (LSA).

Akademik Rexhep Ismajli ka arritur rezultate të jashtëzakonshme në fushat e studimeve me të cilat merret. Ai ka qenë edhe mësimdhënës, ligjërues apo bashkëpunëtor i rregullt në Universitetin e Prishtinë, në Universitetin e Mynihut (Gjermani) dhe në Universitetin e Lubjanës (Sllloveni). Ka marrë pjesë në tubime të shumta shkencore të fushës së gjuhësisë që janë mbajtur në vende të ndryshhme të Europës e të Azisë, në të cilat është paraqitur me kumtesa e trajtiesa shkencore.

Profesor Ismajli, gjatë punës së tij studimore e arsimore, ka bashkëpunuar me studjuesit më të njohur të fushës së gjuhësisë në vend dhe jashtë, si: Idriz Ajeti, Besim Bokshi, Eqrem Çabej, A. Martinet (student i të cilit ishte), Selman Riza, E. Hamp, Sh. Demiraj, K. Topalli, S. Mansaku, B. Beci, V. Friedman, Brian D. Joseph, L. Newmark, N. Borecki, I Sawicka, A. Rusakov, W. Fiedler, L. Savoia, F. Solano, F. Altimari, M. Mandala e shumë të tjerë.

Rexhep Ismajli është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës prej vitit 1993. Ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për afirmimin e këtij institucioni në qarqet shkencore ndërkombëtare dhe për vendosjen apo zgjerimin e bashkënimit të akademisë me akademitë simotra në Europë dhe jashtë saj.

Rexhep Qosja dhe vizita e vitit 1970

Kastriot Dervishi

Herë pas here Rexhep Qosja jep mendime për zhvillimet politike në Shqipëri. Gjithmonë dihet se çfarë do të thotë ai, pavarësisht artikulimit të fjalive që sjell. Disa mendime të tij të dikurshme, kam dëshirë t’i përcjell në këtë postim.

Bashkëpunëtori shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Rexhep Qosja qëndroi në Shqipëri më 6 – 28 janar 1970, me ftesë të Universitetit të Tiranës. Për këtë vizitë, më 6 shkurt 1970, Androkli Kostallari përgatiti një relacion të cilin ia dërgoi Behar Shtyllës. Ndër të tjera, për Rexhep Qosjen, në këtë relacion (të gjatë) thuhet:

– Në studimet e tij dhe në takime me shokë të ndryshëm, ai ripohoi se “s’ka tjetër botëkuptim përpos atij marksist – leninist”, se do të mundohet të zbatojë metodologjinë marksiste – leniniste, pavarësisht se sa ia arrin kësaj gjëje.

– Gjatë vizitave të ndryshme dhe në biseda, ai u shpreh me entuziazëm për sukseset e ndërtimit socialist në Shqipëri. Ai tha se ‘i bëhet zemra mal’ kur shikon zhvillimin e vrullshëm të Shqipërisë në këto 25 vjet, që të bindin se si ‘mund të shkurtohet historia’. ‘Kryesorja është, tha ai, është se ju të gjitha këto i bëni duke u mbështetur në forcat tuaja’. Ai tha se është i bindur që vetëm socializmi mund ta shpëtonte popullin shqiptar nga gjendja e mjeruar dhe e prapambetur në të cilën ndodhej në të kaluarën. Kjo gjendje, siç tha ai, e njihte jo vetëm nëpërmjet leximeve, por edhe përmes kujtimeve të babait të vet, i cili për 12 vjet ka jetuar në Shkodër, pas Luftës së Parë Botërore dhe ka lënë atje të vdekur nga mjerimi, sëmundjet dhe uria gjithë të afërmit e tij.

– Rexhep Qosja tha se krahas përparimeve të mëdha në lëmin ekonomik e kulturor, atij i ka bërë përshtypje të veçantë fakti që në Shqipëri ka ndryshuar dhe fizionomia e njeriut, është formuar njeriu i ri, me tipare të reja. Në mënyrë të veçantë lëvizjet për çrrënjosjen e besimeve fetare dhe për çlirimin e plotë të gruas, ai i çmonte si ngjarje të një rëndësie të madhe. ‘Është shumë domethënëse – tha ai – që Shqipëria është vendi i parë në botë pa kisha e pa xhami. Feja – tha ai – topit dhe çorodit ndërgjegjen e popullit, kurse për fat të keq në Kosovë ka ende një ndikim të fortë; atje ka ende medrese dhe gjenden njerëz të cilët në vend që kursimet e tyre t’i falin për të ngritur një shkollë, i përdorin për të shkuar në Qabe”.

Pro et contra: Rexhep Qosja rikthehet te opsioni i Dobrica Qosiç për Kosovën?!

Nga Prof.Dr. Enver Bytyçi


Mediat e Kosovës kanë transmetuar një intervistë të akademikut shqiptar, Rexhep Qosja, në të cilën shkrimtari i njohur dhe i vetëshpallur si “babai i kombit” shpalos një projekt të tijin për zgjidhjen e konfliktit me Serbinë. Sipas tij “Çështja serbe mund të zgjidhet duke u shkëputur një pjesë e Kosovës dhe duke u bashkuar Lugina e Preshevës me Kosovën”. Më tej ai vazhdon: “Në vizionin tim, Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen. Si do të zgjidhet problemi i veriut dhe Luginës së Preshvës varet nga ne dhe këmbëngulja, mencuria jonë. Por ne do të bashkohemi. Kjo nuk është vetëm në të mirën tonë, por në të mirën e të gjithë Ballkanit” Dhe këtë lloj projekti e arësyeton kësisoj: “Tash për tash pajtimi i shqiptarëve dhe serbëve është utopik dhe i pamundshëm. Në Serbi gjithmonë ka pasur një unitet të fuqishëm mes kishës dhe politikës. Në festat e Krishtlindjes, kleriku kryesor tha: “Në Kosovë kemi trupin dhe shpirtin dhe Kosova do të jetë serbe”.

Po ia paraqes lexuesit fjalë për fjalë kërkesën dhe arësyetimin e akademikut Rexhep Qosja marrë nga gazeta e Prishtinës “Express”, me qëllim që të mos lë asnje fije dyshimi e mos krijoj asnjë dilemë edhe te fansat e akademikut për autorësinë e propozimit të tij. Ndërsa arësyetimi që do të parashtroj në kundështi të projekt-propozimit të zotit Qosja ka të bëjë thjesht me mendimin tim.

Rexhep Qosjen si emër, si shkrimtar, si patriot të servirur nga regjimi komunist në Shqipëri, e njoh që para viteve ’90. E njoha fillimisht nga romani i tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë”. Më vonë kam lexuar dhe libra të tjerë, sidomos të kritikës letrare, si “Panteoni i rralluar” e të tjerë. Ndërsa në tri volumet e përmbledhjes për kërkesat e shqiptarëve të botuar më 1990 nga Ramiz Alia, Rexhep Qosja zinte një vend të veçantë. Më vonë kemi mësuar diskursin e guximshëm të Ibrahim Rugovës në Lidhjen e Shkrimtarëve të Serbisë apo në mediume të ndryshme, pasiqë në Shqipëri Rugova eklipsohej prej Rexhep Qoses asokohe. Aq shumë e vlerësoja akademikun Qose, sa kur në korrik 1990 më ran ë dorë një gazetë “Rilindja” dhe pashë një replikë të Arben Popocit me të, m’u duk pak e çuditshme. Pas dy-tri vitesh Arben Popoci do vinte në Tiranë e do të punonte te gazeta “Republika” e prej tij mësova shumë të vërteta.

Kjo njohje si dhe deklaratat e Rexhep Qosjes në “Zëri i Amerikës” na bënë asokohe që të ishim idhtarë të tij edhe ne në Shqipëri. Na dukej si njeriu i urtë, që transmetonte mençurinë popullore me këshillat që jepte. Edhe qëndrimet e tij na dukeshin të ekuilibruara, aq sa u pranua plotësisht edhe prej antikomunistëve në Shqipëri dhe partia e parë opozitare. Madje gazeta e Partisë Demokratike mori emrin “Rilindja” të rekomanduar prej tij. Ishte një kohë kur kërkohej një fije bari për t’u kapur e për t’u kthyer shqiptarëve shpresën. Uji ishte turbulluar dhe sytë tanë nuk shihnin bregun për t’i shpëtuar rrjedhës. Prandaj u prirëm të kapeshim pas myshqeve dhe gurëve për t’i shpëtuar asaj. Një prej këtyre fijeve të barit, rezultoi më vonë të ishte akademik Rexhep Qosja.

Rexhep Qosja u pa fillimisht si shpresë, por shpejt mori anë dhe në vend të na fundoste ne, fundosi vetëveten. Ia hoqi vetes shumë shpejt aureolën e prijësit të fshatit të madh shqiptar, sepse iu kundërvu me të gjitha mjetet demokracisë dhe u shfaq hapur në mbrojtje të ideve neokomuniste, duke shkuar shpesh herë më larg se neokomunistët e duke promovuar diktatorin Hoxha. Dalëngadalë akademiku Rexhep Qosja i bindi shqiptarët vetë se nuk është ai akademiku i projektuar në mendjen tonë. Ndërsa në Kosovë e kishin njohur më mirë. Shqiptarët e Kosovës nuk ia dhanë kurrë ndonjëherë rol prijësi këtij akademiku fodull e arrogant jo vetëm në sjellje, por edhe në ide dhe mendimet e tij. Ai u bë skajshëm i neveritshëm dhe tani me rekomandimet e tij për ndarjen e Kosovës shfaqet njëkohësisht shumë i rrezikshëm. Po jo më pak të rrezikshme janë mediat që promovojnë idetë e tij shkatërruese për kombin shqiptar. Nuk e di përse nuk e lënë të japë intervista në gazetat e mediat e Beogradit, pasiqë idetë e Qoses dhe akademikut serb, Dobrica Qosiç janë identike, pa asnjë dallim me të njëjtin objekt: Ndarjen e Kosovës.

Rexhep Qosja ndarjen e veriut të Kosovës dhe kthimit të kësaj pjese të territorit shqiptar Serbisë e justifikon dhe motivon në mënyrë krejt të gabuar. Me demagogjinë dhe sofizmin e bashkimit kombëtar, ai elaboron humbjen e territoreve shqiptare, madje të pjesës më vitale dhe më të pasur të territorit të Kosovës e në të gjithë Ballkanin Perendimor. Ai e di se ka një numër të madh shqiptarësh, të cilët e duan bashkimin kombëtar, dhe këta nuk janë në gjendje të arësyetojnë bilancin e humbjeve dhe të asaj që fitojmë ne. Prandaj spekullon me idenë e bashkimit kombëtar. Siç spekullon Tv që e interviston si dhe shefi I ekzekutivit shqiptar në Tiranë.

Nëse keni vënë re, prej disa vitesh jam shprehur dhe shprehem se bashkimi kombëtar i shqiptarëve nuk është alternativë e këtij moment, të cilin ne e kalojmë. Dhe këtë e bëj jo se jam kundër bashkimit, porse një bashkim me humbje të territoreve, të cilat sot i kemi në administrim, do të ishte një katastrofë e dytë kombëtare e shqiptarëve, pas asaj që ndodhi me vendimet e Konferencës së Londrës. Kushdo që pajtohet me humbjen e territoreve në emër të bashkimit kombëtar, siç bën akademiku Rexhep Qosja, ose është i rrjedhur ose është i shitur te djalli. Nuk ka asnjë arësye tjetër që dikush ndër shqiptarët, kushdo qoftë ai, të trembet nga ekzistenca e dy shteteve shqiptare dhe t’i qajë hallin botës se “nuk mundka të menaxhojë dy shtete”, siç shprehet Qosja në intervistën e tij te televizioni “Klan Kosova”.

Shtetet shqiptare duhet ta menaxhojnë veteveten. E nëse ne menaxhojmë veten, duke bashkëpunuar, bashkëvepruar, bashkërenduar politikat e zhvillimit, si dhe politikën e diplomacinë ndërkombëtare, nuk ka nevojë t’i ofrojmë Serbisë pasuritë e territoret tona që të na përkdhelë ambicjen qosjane të bashkimit kombëtar. Në fund të fundit Serbia është shprehur shumë qartë. Po citoj Daçiçin: “Për ne nuk ka rëndësi se bashkohen ose jo shqiptarët në një shtet të vetin, nuk ka rëndësi në sa shtete jetojnë ata, për ne ka rëndësi të bashkojmë serbët”. Nuk besoj se ka më qartë se kaq. Atë që thotë Qosja e thoshte fjalë për fjalë Dobrica Qosiç, por e thotë gjithashtu ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç. Kësaj skeme i shërben në ditët e sotme muri në veri si dhe provokimi me trenin nacionalist serb. E në javët në vazhdim do të shohim provkime të tjera për ta realizuar idenë e ndarjes së Kosovës, ide të cilën elaboron akademiku shqiptar, Rexhep Qosja. Kështu Qosja i bashkohet provokimit të Serbisë kundër Kosovës. Nuk ka lajthitje më të rrezikshme se kjo.

Mua më bën përshtypje se si është e mundur që akademiku i shndërruar në idol në periudhën 1989-1992, akademiku Rexhep Qosja, të konvergojë në të njëjtën tezë serbe, t’i bëhet patericë programeve të Serbisë për ndarjen e territorit të Kosovës dhe të kërkojë humbjen e territoreve tona?! Si është e mundur që një profesor, shkrimtar shqiptar, revokon idetë më regresive të së ardhmes së kombit shqiptar?! Si është e mundur që ky njeri t’i japë vetes të drejtën e faljes së tokave të shqiptarëve?! Nga i buron kjo ide, kush ia mëkon ende sot në këtë moshë të thyer?! Pleqtë tanë na thonin se “Burri ka gjithmonë kohë me u korit”! Mesa duket Rexhep Qosja nuk po don ta kalojë pleqërinë e tij pa u lënë shqiptarëve shijen e hidhur të “koritjes” në ekstrem, me tregëtinë e trojeve të vendit!

Por duket se idetë e Qosjes për ndarjen e territorit të Kosovës nuk vijnë kaq thjeshtë në vëmendjen e tij. Idetë e Rexhep Qosjes për gjoja shkëmbimin e territoreve, përveçse ide të Beogradit, vijnë gjithashtu në pajtim me idetë e drejtorit të Klan Kosovës, Baton Haxhiut, si dhe të të gjithë atyre që predikojnë “pajtimin (vëllazërimin) shqiptaro-serb”, pra edhe të Edi Ramës, kryeministër i Shqipërisë. A keni dëgjuar gjatë gjithë kësaj kohe kur Serbia po provokon ndarjen e Kosovës me dhunë, të flasë kryeministri ynë për këtë çeshtje?! E kemi lexuar në Tëiter të shkruajë përralla se “Ushtria serbe do të vijë si turiste në Prishtinë”. Po nuk thotë se si vjen ajo në veriun e Mitrovicës?! Nuk shprehet aspak kryeministri shqiptar për këtë çeshtje, madje nuk e përmend as angazhimin e Prishtinës zyrtare për të ndalur provokimet me trena dhe provokimet me mure në veri të Kosovës. Nuk thotë asnjë fjalë për deklaratat luftënxitëse të kryeministrit dhe presidentit të Serbisë, madje e promovon homologun e tij serb si “një kryeministër tolerant, të moderuar dhe proeuropian”.

Zoti Rama flet në emër të një opcioni serb me mbështetje te qarqet antishqiptare në Europë për zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-serb dhe të njëjtën gjë bën edhe Rexhep Qosja. Të dy e shohin zi zgjidhje ndarjen e territorit të Kosovës. Në emër të pajtimit, çka bie mirë në sy në deklaratën e Qoses, ata duan të shkohet te humbja e territoreve. Të dy, njëri pa zë e tjetri me zë e me figurë, predikojnë zgjerimin e territorit të Serbisë dhe ngushtimin e territoreve shqiptare të Kosovës! Çfarë komedie, e cila nëse nuk lexohet qartë nga ana e autoriteteve dhe qytetarëve të Kosovës mund të shndërrohet në një tragjedi për ta.

Nuk po elaboroj qasjen e Qosjes për bashkimin kombëtar, sepse këtë e kam bërë në shumë komente e analiza të miat. Nuk po ndalem në çeshtjet që hapin iniciativa të tilla në rajonin tonë. Dhe nuk dua ta besoj se një akademik shqiptar si Qose, është i gatshëm të shkatërrojë shtetin e Maqedonisë, pse këtë shkatërrim e duan serbët, grekët dhe bullgarët! Nuk dua ta besoj se Qosja dhe Rama duan gjithashtu shkatërrimin e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës! Eshtë e pabesueshme që në Prishtinë dhe në Tiranë të ketë akademikë që rekomandojnë krijimin e Serbisë së Madhe dhe krijimin e një shteti minor shqiptar në territore të ngushtuara. Eshtë e paimagjinueshme se si akademikë shqiptarë, si Qosja, të kërkojnë t’i falin Serbisë ende sot pas 105 viteve, kur u copëtuan shqiptarët, territoret më të pasura si dhe qytete të mëdha shqiptare në Ballkan.

Nëse e vini re fjalën e cituar në fillim, akademiku Qosja në opsionin e tij për ndarjen e Kosovës i referohet patriarkut serb, Irinej, duke e cituar atë të thotë se Kosova është zemra e shpirti i Serbisë. Dmth, nëse Irinej, Nikoliç, Vuçiç, Shejsheli, Daçiçi, flasin për Kosovë e Metohi, atëherë ne duhet t’i japim zgjidhje kësaj dileme serbe dhe Kosovën ta mbajmë për shqiptarët e Metohinë t’ia dhurojmë Serbisë?! Nuk ka asnjë kuptim tjetër “zemërgjerësia” e Rexhep Qosjes për ta ngushëlluar e kompensuar patriarkun ultranacionalist të Serbisë me territoret shqiptare të veriut të Mitrovicës!

Do të doja të besoja se Rexhep Qosja tashmë ka rrjedhur, pra nuk dua të besoj se ai me vetëdije kërkon të shkatërrojë ëndërrën e shqiptarëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Por nuk e shoh si një fenomen dhe rrezik të izoluar. Po aq i rrezikshëm është në këtë rrjedhje energjish tona kombëtare TV Klan Kosova dhe drejtuesi i saj, Baton Haxhiu. Sa kohë që këta “gjuajnë” të promovojnë ide, skema dhe opsione antishqiptare e proserbe, do të jenë një rrezik permanent yni. Dhe në fund, më i rrezikshmi ndër të rrezikshmit është dhe mbetet me aventurat e tij shefi i Baton Haxhiut në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama!

Këta nuk i shëron asgjë, as ndarja e Kosovës, as krijimi i Serbisë së Madhe. Këta punojnë që shqiptarët të përçahen, të kenë një perspektivë të mjergullt, të mos dijnë se çfarë do të jetë e ardhmja e fëmijëve të tyre. Lerini shqiptarët të besojnë te e ardhmja dhe ta shohin atë pa syzet e këtyre njerëzve, të cilët përveç përçarjes, mbjelljes së dëshprimit dhe amullisë, nuk dijnë të bëjnë tjetër!

Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë

  Search inside image Akademik  Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni  , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...