2018-12-09

“Monstra” Edi Rama, që do të gllabërojë edhe Kosovën

Nga Akademik Prof.Mehmet Kraja
Para disa ditësh në Pejë ndodhi diçka që nuk kisha dashur të isha bashkëkohës i saj: një gënjeshtër monumentale, e pashembullt dhe e papërsëritshme, e tillë që me hijen e saj të shëmtuar nxin dhe errëson çdo akt të virtytshëm dhe çdo sakrificë sublime për shtetin dhe idealet kombëtare. Që gënjeshtra patriotike panshqiptare të merrte atribute historike, për mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, të Kosovës dhe të Shqipërisë, u zgjodh vendi, ku 119 vjet më parë u mbajt Lidhja e Pejës dhe prag-festa e 28 Nëntorit, duke ua lënduar shqiptarëve sentimentin me këtë cirk të shëmtuar, duke ua tallur historinë dhe duke hedhur mbi vlerat e trashëgimisë sonë groteskun morbid të politikës arriviste.
Ikonografia e mbledhjes, siç u pa, e mbingarkuar me simbole kombëtare, me pompë dhe akte solemne, përveç se duhej të dëshmonte atë që nuk kishte nevojë të dëshmohej, më shumë duhej të fshihte diçka të madhe, diçka tronditëse për ata që duan të shohin përtej perdes së kuqe dhe hijeve të errëta mbi të: duhej t’u dërgohej një mesazh shqiptarëve, veçmas atyre të Kosovës, që ende besojnë në “dizajne” të këtilla krejtësisht të rreme, se punët e kombit shkojnë mbroth dhe se për këtë kujdesen dy qeveritë, me angazhimet e tyre thellësisht kombëtare.
Nuk do mend, mjeshtri i ikonografisë dhe propagandës ishte Edi Rama, një dizajnator me biografi të manipuluar artistike, i cili në shtetin e vet ka dhënë prova bindëse se propagandën e bën më mirë se çdo punë tjetër. Gjithkush e di se mbledhjet e këtilla të përbashkëta të dy qeverive që pesë vjet e këndej as kanë sjellë rezultat dhe as kanë për të prodhuar ndonjë efekt real kombëtar: atyre nuk u besojnë as vetë pjesëmarrësit, por nuk del njeri që t’i ndalë, sepse të gjithë duan të përfitojnë prej tyre, ndonëse po të gjithë e dinë se ky marketing i çmendur i Edi Ramës është vetë keqqeverisja e manipuluar.
Në këtë grackë, në grackën e Edi Ramës si mjeshtër i propagandës tashmë ka rënë edhe Qeveria e Kosovës, jo pse kjo qeveri është gjë më e mirë se ajo e Shqipërisë, por thjesht sepse promovimet publike nuk janë specialitet i saj (është më e ngathët, pa elokuencë dhe pa sensin e komunikimit publik), teksa dëshirës për t’u përfshirë në këtë formë të promovimit të gënjeshtërt nuk i reziston dot.
Që Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në një kala gënjeshtrash, këtë kanë filluar ta pohojnë zëshëm edhe ata që deri dje e kanë mbështetur dhe i kanë kryer shërbime nga më të ndryshmet. Në të vërtetë, kjo do të duhej të ishte çështje “e brendshme” e elektoratit të Shqipërisë, i cili, duke ia mbushur kutitë me dy të tretat e votave, duhej ta kishte në vëmendje se është duke prodhuar një monstër politike, që në një ditë jo të largët do të hajë edhe fëmijët e vet. Por tani ndodhi që ambiciet e kësaj monstre janë më të mëdha se vetë Shqipëria: i trimëruar nga vota gati plebishitare e Shqipërisë, ai tashmë synon ta shtrijë marrëzinë dhe papërgjegjësinë e vet tej kufijve të saj, natyrisht as në Greqi dhe as në BE, por aty ku dënglat e tij shiten, qoftë edhe me një çmim dosido, pra në Kosovën e traumatizuar nga frustrimet e saj historike dhe politike.
Natyrisht, në rastin e takimit të Pejës, Edi Rama dëshmoi se nuk njeh sovranitetin e Kosovës, nuk e njeh traditën e popullit të vet, nuk di gjë për mirësjellje dhe punën e parë që bëri, shqelmoi derën e shtëpisë mikpritëse dhe, sipas prirjes së tij tashmë të njohur, me këmbët e tij me llucë dhe pëgëra, vandalizoi Kosovën e brishtë dhe fragjile në të gjithë përbërësit e saj. Përballë një Edi Rame të këtillë, që ndihet Zot në Kosovë dhe bëhet pulë para Serbisë dhe Greqisë, qeveritarët e Kosovës, të padijshëm dhe të pazot, të squlltë dhe inferiorë, pa autoritet dhe pa mbështetje elektorale, nuk kanë as guxim e kurajë, por nuk kanë dije dhe as vullnet politik që këtij vandali plangprishës t’i tregojnë derën. Kjo duhej të ndodhte, sepse Edi Rama, sikundër secili lider i Shqipërisë, edhe nëse është ithtar i madh i bashkimit kombëtar, së pari duhet ta respektojë sovranitetin e Kosovës, sepse në të kundërt bashkimi me të është aneksim (anschluss!). Por, sikundër tashmë e dimë fare qartë, Edi Rama nuk erdhi në Kosovë për gjepurat e tij rreth bashkimit kombëtar dhe as për ta mbështetur Kosovën përpara BE-së, por erdhi për të promovuar “partneritetin strategjik me Serbinë”, të Kosovës dhe Shqipërisë, një agjendë kjo e marrë me ngut edhe nga miqtë e tij, Thaçi dhe Vuçiq. Duke proklamuar një partneritet të këtillë, Edi Rama, bashkë me Qeverinë e Kosovës, që nuk u distancua prej tij, shkelën vlerat dhe arritjen më të madhe të historisë njëqindvjeçare të Kosovës: nëpërkëmbën partneritetin me Perëndimin, me SHBA dhe NATO-n, duke shpallur aleancën e frikshme me Serbinë dhe Rusinë si mecen i saj.
(Kjo fyerje që i bëhet Kosovës është e pashembullt, është fyerje ndaj historisë së saj të vjetër dhe më të re, është fyerje për dëshmorët dhe heronjtë e saj, për idealet dhe për ardhmërinë e saj. Njeriu habitet, si mund të prodhojë ky vend me një histori të këtillë politikanë kaq të padinjitetshëm, kaq luajalë dhe të nënshtruar ndaj Serbisë, në kohën kur ajo, pasi ka vrarë dhe ka prerë, ka shkatërruar dhe masakruar, ka dhunuar dhe ka turpëruar, pa kompensuar dëm dhe pa kërkuar falje, sërish kërcënon me zhbërjen e pavarësisë së Kosovës. Si është e mundur, pse kaq shpirtgjerë janë politikanët shqiptarë ndaj Serbisë, kur luftën politike mes veti e kanë aq të egër, si askush tjetër?!
Atëherë, duhet të jetë diku një interes i tyre suprem, që ua mpin trurin politikanëve tanë, të cilët, edhe pse disa prej tyre dikur kanë luftuar kundër Serbisë, tani bëhen qengja përballë saj. Dihet, përsëritja e historisë te ne është një sindrom që ndjek një cikël fatal dhe se arrivistë dhe bukëshkalë të këtillë ka pasur gjithmonë në të kaluarën tonë: njëqind e ca vjet më parë, Esat Pasha ia dorëzoi Shkodrën Malit të Zi e Serbisë, dhe Rusisë që u rrinte prapa, të cilën më pas mezi ua hoqi nga dora bashkësia e atëhershme ndërkombëtare. Por ky shpjegim patetik- historik nuk mjafton, sikundër nuk mjafton shpjegimi i zakonshëm për mungesën e një reagimi popullor dhe qytetar, i cili do të mbronte vlerat historike dhe demokratike, mungesën e një zëri të fuqishëm që trondit nga themelet dhe shkundullon në gjenezë vetë origjinën e idesë.)
Sido që të jetë, tashmë është krejt e qartë se dy qeveritë, të cilat në Pejë nuk arritën të bënin asnjë gram histori, ia dolën të realizonin një agjendë (të tymtë!) të përbashkët. Qeveria e Kosovës me masat populiste ndaj Serbisë dhe me ndihmën e ikonografisë patriotike të Edi Ramës është duke u përpjekur t’i përballojë pasojat e mosliberalizimit të vizave, të cilat nuk do të hiqen as kësaj radhe, jo vetëm për shkak të qëndrimit cinik të BE-së, të cilin gjithsesi e kemi merituar, por më shumë për shkak të dështimeve lapidare në luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Klasa politike e Kosovës, pozitë dhe opozitë, jo vetëm kësaj radhe, ka dështuar me krejt agjendën e saj evropiane dhe, ç’është akoma më keq, ajo pandeh se duke ikur nga seancat e parlamentit, duke vonuar dhe duke mos votuar ligjet arrin t’ua hedhë pa u lagur masave shtrënguese të BE-së dhe njëkohësisht të mjegullojë ose të davaris disi bindjen tashmë të ngulitur te secili qytetar i Kosovës, se epiqendër e krimit të organizuar dhe korrupsionit është pikërisht klasa politike.
Më anë tjetër, Qeveria e Shqipërisë e Edi Ramës, duke i dalë zot Kosovës me “kërcënime” populiste ndaj BE-së (teksa tashmë ia ka caktuar Serbinë si partner strategjik!), përpiqet të përballojë përmes nacionalizmit të zvjerdhur refuzimin gati të sigurt të çeljes së negociatave me BE-në. Ky dështim politik i të dy palëve edhe në të ardhmen pritet të prodhojë bashkime kombëtare, unifikime doganash, heqje taksash, vënie taksash dhe kaçapordhica të këtilla tipike për estradën tonë politike, derisa të kuptohet një herë e mirë se dy shtetet tona ballkanike, përveçse histori dështimesh, ndoshta mund të prodhojnë një ditë edhe ndonjë “histori suksesi”, siç ishte ajo e Sanaderit apo Grujevskit!
Një çështje tjetër, që u duk sikur u vërtit në margjina të takimit të Pejës, por që e dominoi atë me hijen e errët dhe të frikshme, ishte korrigjimi i kufirit ose këmbimi i territoreve me Serbinë, ose e ashtuquajtura marrëveshje historike me Serbinë. Disa analistë dhe medie të Tiranës, akoma luajalë ndaj Edi Ramës, duke dashur ta mbitheksojnë supremacinë intelektuale të kryeministrit të Shqipërisë kundrejt mendjeve të kufizuara të politikanëve kosovarë dhe duke marrë mësim nga paternalizmi historik i Shqipërisë ndaj Kosovës, nuk ngurruan të thoshin se Shqipëria, më në fund, arriti ta merrte në dorë çështjen e Kosovës, jo pse këtë ia besoi vetë Kosova, as pse mund t’ia ketë besuar SHBA-ja dhe BE-ja, siç u përpoqën të gënjenin, por sepse Serbia mund ta ketë zgjedhur si partner të besueshëm Shqipërinë, për ta mbyllur një herë e mirë çështjen e Kosovës, në një kohë që faktori i politik i Kosovës, ose nuk ka mbështetje të brendshme, ose nuk shfaqet i besueshëm kundruall faktorit ndërkombëtar.
Ashtu sikundër pritej, Rama u shfaq i paepur, agresiv, arrogant, fjalëpistë në mbështetje të Thaçit dhe Vuçiqit, por pa treguar as kësaj radhe pse është kaq pasionant në mbrojtje të asaj kauze. Në të vërtetë, askush nuk e ka të qartë, ç’i hyn në punë Edi Ramës veriu i Kosovës, pse do me çdo kusht t’ia japë Serbisë këtë pjesë të saj? Që t’i hapë rrugën bashkimit kombëtar? E pabesueshme! Pse, aq naiv dhe i kufizuar të jetë Rama, dhe të mos i ketë dhënë aq mend edhe Thaçit, sa të besojnë që të dy se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do të bëhet me ndihmën e Serbisë? Aspak. Fundja, pse ai nuk i shikon punët e veta me Greqinë, që të mos i shkelet sovraniteti orë e çast nga ultranacionalistët grekë, por vjen në Pejë e Prishtinë dhe i fut shkopinj nën rrotë Kosovës që mezi çapitet.
Askush në Kosovë nuk e beson se Rama dhe Thaçi nuk kanë një llogari të fshehtë politike, se angazhimi i tyre nuk është, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë pa prapavijë dhe i motivuar nga ndjenja të sinqerta. Për këtë të gjithë janë të vetëdijshëm. Vetëm se, pikërisht vetëm se, doli krejtësisht e paqartë, si ndodhi që, derisa Rama po përgatitej të promovohej si lider kombëtar, ndoshta pak i turbullt nga mendja, pak i gënjyer dhe euforik nga mbështetja e bashkëmendimtarëve të tij në Prishtinë, derisa kolovitej korridoreve të Klan Kosovës, Hashim Thaçi, mbase edhe i shantazhuar vërtet nga Gjykata Speciale, me takimet në Uashington tashmë shfaqej i paarritshëm për Edi Ramën: për mirë ose për keq, me lobim të paguar shtrenjtë ose lirë, që të ndahet ose të mbetet e bashkuar, në kancelaritë amerikane Kosovës nuk i referohet më askush përmes Serbisë ose Shqipërisë dhe as përmes Edi Ramës, natyrisht.
Ndërkaq, nëse është për të besuar se para 25 vjetësh, bashkë me Dobrica Qosiqin e Serbisë ishte angazhuar pa sukses për ndarjen e Kosovës edhe një ambasador i fuqishëm i SHBA-së, Uoren Cimerman, është krejt e besueshme se edhe Thaçi dhe Vuçiqi, pas pak kohe, do të dalin të pikëlluar nga kjo histori.

Ibrahim Rugova, nga refuzimi estetik tek ai politik

Ndue Ukaj
Në fund të viteve të 80-ta, në Gadishullin e trazuar Ballkanik, ashtu sikurse edhe në pjesën tjetër të Europës, shembeshin muret e komunizmit dhe hapeshin perspektiva për integrime euro-atlantike. Për popujt që përjetuan tiraninë dhe shtypjen komuniste, kjo ishte dita e shumëpritur e lirisë. Mirëpo, për shqiptarët e Kosovës, gjërat morën kahe tjetër. Në këtë rrëmujë ngjarjesh e zhvillimesh të shpejta globale, ata u gjenden para regjimit brutal të Serbisë, ku shpërtheu një hegjemoni e tërbuar nacionaliste kundër shqiptarëve të Kosovës.Atëkohë, vendi ynë, i shkëputur padrejtësisht nga trungu amë, Shqipëria, përjetonte një ferr të vërtetë. Në Beograd, projektohej robëria dhe shtypja mbi shqiptarët. Kjo bëhej nga politika, përkrahej nga Kisha Serbe, dhe, nga shkrimtarë dhe akademikë në zë. Ndërkaq, në anën tjetër, në Prishtinë, po ashtu, projektohej liria dhe shkëputja e prangave të robërisë. Kjo ishte betejë e pabarabartë, në kuptimin e plotë të fjalës: shqiptarët e Kosovës përballë regjimit të egër ushtarak e policor, ishin të armatosur me të vetmen gjë: ligjërimin- letërsinë si alternativë. Pa dyshim, kjo betejë, si gjitha betejat e mëdha, nisi me fjalë dhe përfundoi me luftë. Në këtë përplasje të egër, pushteti tiranik i Beogradit shtrinte frikën, me tërë aparatin e dhunës që i shkonte pas, kurse, në anën tjetër, po në këtë rrëmujë, befas, si alternativë shfaqet letërsia dhe fuqia e epërme e saj. Si një thirrje hyjnore. Dhe, në krye të herës, Ibrahim Rugova, letrari që hyri në politikë, shkruante: “Për mua, denoncimi i terrorit së pari ka nisur përmes ligjërimit, letërsisë.”Me gjuhën e epërme, letërsia bëri punën e vet, në funksion të mbrojtës së lirisë, duke demaskuar pushtetin e të keqes, dhe duke dhënë kushtrimin për liri, siç bënin, ta zëmë, shkrimtarët e mëdhenj, Azem Shkreli, Ali Podrimja, dhe shumë të tjerë. Pra, shkrimtarët shqiptarë e sfiduan ankthin dhe shtypjen: duke shkruar dhe duke vepruar.
Siç mund ta kuptojmë, për shqiptarët e Kosovës, shkapja nga komunizmi- sistemi më çnjerëzor i shekullit- që më i pazakontë se për popujt tjerë. Sepse, derisa dielli i demokracisë perëndimore dhe entuziazmi për këtë ditë të madhe përfshinte të gjithë popujt e lindjes, në Kosovë shtohej terrori millosheviçian.Bota kapërcente ankthshëm nga nata e errët komuniste në pragun e shpresës, por shqiptarët e Kosovës, të dërmuar nën regjimin komunist, zgjoheshin me një pasiguri të plotë. Me një makth të ri, dhe të kërcënuar nga shfarosja. Kjo bëri që, për ta, proceset demokratike, të mos ishin të lira dhe as të lehta.
Përkundrazi, ata njëkohësisht mësoheshin me rendin demokratik, dhe përballeshin me regjimin e çmendur të Beogradit dhe politikën shtypëse serbe, që ata i privoi nga çdo e drejtë dhe liri.Përballë kësaj situate të tendosur, ku drama luhej në shumë akte dhe me shumë personazhe- në Prishtinë dhe Beograd- shqiptarët e Kosovës, sinkronizuan veprimet dhe rezistuan: fillimisht kulturalisht dhe pastaj politikisht.
Atëkohë, ata nuk kishin ushtri, por kishin armën e fortë morale: fjalët si mburojë, për t’ i artikuluar të drejtat e një populli të shtypur, por të papërkulur. Kjo zgjedhje ishte e qëlluar, sepse, asnjë fushë këtë gjë nuk mund ta bënte më mirë se arti, përkatësisht letërsia. Kështu që, shkrimtarët e Kosovës, politikën serbe, njëherë e demaskuan me ligjërim dhe refuzim estetik, pastaj u vunë në aksion të drejtpërdrejtë politik, duke formuar Lidhjen Demokratike të Kosovës, të cilës i priu njeriu i letërsisë, Ibrahim Rugova.“Aty është ferri që e mbajnë mbi supe dy milionë shqiptarë”- shkruante Ismail Kadare në parathënin e librit të Ibrahim Rugovës, “Çështja e Kosovës”, një libër, që, siç thotë Kadare përfshinë të vërtetën e Kosovës dhe për Kosovën.
Pra, në këtë dramë, e cila, për shqiptarët qe tragjedi, ndesheshin dy botë: përplasej pushteti ushtarak e policor serb, i përkrahur nga makineria propaganduese e paskrupullt, dhe, ai shqiptarëve duarthatë, me institucione paralele, me një ekonomi të brishtë, të udhëhequr nga një president, që siç do të shprehej Ismail Kadare: “Ibrahim Rugova, kolosi i brishtë i Kosovës” (frele), siç është quajtur shpesh, është një president “sui generis.”Presidentë të tillë, pa armë, pa zyre, pa ushtri, mund të tallen e të keqtrajtohen nga ata që i kanë të gjitha këto, ashtu siç e tallën dhe i vunë kurorën me gjemba Krishtit. E në të vërtet serbëve u pëlqen të tallen ashtu. E megjithatë, ky president pritet ndërkaq prej shefave të shteteve, çka jep shpresë se bota diçka ka mësuar, së paku nga historia e Krishtit.”
Pra, me pushtetin e gjuhës, shqiptarët forcuan kampin e lirisë.
Natyrisht, në këtë betejë të ashpër dhe të pabarabartë, strategjema ishte e menduar mirë. Në fakt, ajo më shumë qe etike sesa politike, më shumë qe aureola e pushtetit të artit, letërsisë dhe historisë, sesa e të vërtetave që mund t’i prodhonte politika, në kuptimin e parë të fjalës.Në sajë të kësaj strategjmë të mrekullueshme dhe të panjohur më parë në rajon, ndodhi mrekullia: shqiptarët, si kurrë më parë, fituan besimin e botës së civilizuar. Kështu që, zëri i tyre, i prajshëm, i urtë, por kumbues, u dëgjua në Uashington, Londër, Berlin, Paris dhe Romë. Dhe bota e përparuar doli në krah të popullit të Kosovës, duke e përqafuan kauzën e saj. Dhe në fund, luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Gjatë viteve të rënda të 90- tave, ndonëse të robëruar dhe me një aparat shtetëror terrorizues, shqiptarët e kishin fituar lirinë e brendshme, siç thoshte Rugova, atë liri të shpirtit, që ishte më e fortë se ajo e ushtrisë dhe policisë serbe. Pa dyshim, kjo ishte beteja e parë e fituar në rrugëtimin e gjatë drejt pavarësisë. Sepse, ishte triumfi moral, dhe, siç tregon historia, triumfi moral ka domethënie të veçantë.
Liria e brendshme e shqiptarëve vinte si rezultat i vetëdijes kulturore dhe identitare, dhe ishte mbështjellë me të vërtetat historike: me gjuhë dhe kulturë. Siç mund ta shohim, hallka e parë që lidhi zinxhirin e gjatë dhe të fortë të betejës për Kosovën e lirë, qe letërsia, arti i përherëshmërive njerëzore, që në betejat për liri dhe përparim, është i pamposhtur dhe i pakompromis.
Në përkim me mësimin se, nuk ka politikë pa kulturë, siç shkruan Norberto Bobbio, filozofi dhe juristi i shquar italian, elita politike e kohës kulturën e vuri në epiqendër të organizimit politik.Ideja e lirisë e ngjizur si ide kulturore- si ide e mosnënshtrimit dhe e refuzimit-kulmoi si leksion moral dhe u bë detyrë politike. Pra letërsia nuk qëndroi vetëm duke i kënduar lirisë, por u përbirua nëpër labirintet e errëta, duke u bërë flakadan i rezistencës aktive.
Prijësi i programit politik të Kosovës, nga pozicioni i kryetarit të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ku, përpara se të vepronte politikisht, rezistonte me letërsi, doli në ballë të platformës politike.Refuzimi estetik, si kategori e proklamuar në fushën e artit, për të dhe popullin e tij, u shtri shpejt edhe në sferat tjera, dhe u bë vetëdije e popullit të Kosovës, që luftonte për liri, demokraci dhe pavarësi. Ata formuan institucione paralele, organizuan shëndetësinë, shkollimin, bënë pajtimin e gjaqeve dhe kështu krijuan kauzën e madhe të pavarësisë.
Aksiomë e politikës së kohës ishte intelektualizmi aktiv. Përkitazi me këtë, Rugova shprehej: “E dini, intelektualët kanë vetëm dy rrugë, të mbetën te libri apo të rrëmbehen nga veprimi. Sepse unë jam nga ai lloj i intelektualëve që nuk pret të vijë diçka vetë.”Po ashtu, mund të thuhet se, në vetëdijen kulturore dhe politike të Kosovës, është e vështirë të gjendet ndonjë figurë që të mund të ketë ushtruar ndikim më të madh kulturor dhe politik, sesa Pjetër Bogdani, heroi i kulturës shqiptare të shekullit XVII, që u bë model me të cilin personifikohej Ibrahim Rugova, studiues dhe më vonë si udhëheqës i shqiptarëve të Kosovës.
Ai, si studiuesi i pasionuar dhe lexuesi i thellë, duke e parë popullin e vet të katandisur në robëri, mori detyrën e protagonistit, por asnjëherë s’u shkëputë nga idealitet kulturor. Përgjatë viteve të angazhimit politik, Rugova, vazhdonte t’i shprehte idetë e tij për interesin e përgjithshëm, duke i përzier ndjeshmëritë prej letrari e politikani, në funksion të mirës së përgjithshme.
II.
Të shkruash për raportet ndërmjet letërsisë dhe politikës, ndërmjet letërsisë dhe historisë, ndërmjet letërsisë dhe robërisë, dhe, më thelbësorja, ndërmjet letërsisë dhe lirisë, është të rrokësh dhe të trajtosh tema dhe probleme komplekse të artit dhe të pushtetit, që lidhem ontologjinë e vet ekzistencës së artit letrar.Letërsia, gjithmonë i ka ushqyer qeniet njerëzore me ndjenjat e lirisë dhe i ka ngritur kampet kundër robërisë. Në kulturën perëndimore, ku bënë pjesë edhe letërsia shqipe, debati lidhur me këto tema është i vjetër, aq sa vetë ekzistenca e artit letrar.
Shkrimtari, dijetari dhe politikani, Ernest Koliqi, në tekstin “Tre poetët më të mëdhenj shqiptarë”, shkruante me vendosmëri prej eruditi: “De Rada (1814-1903), Naim Frashëri (1846-1900) dhe Gjergj Fishta (1871-1940), mund të konsiderohen me plot arsye ndërtuesit e Shqipërisë së sotme.”Një autor që i mungon këtij triniteti, por që mund të quhet ndërtues i Kosovës së sotme, është Ibrahim Rugova. Mendimit të Koliqit i japin të drejtë studiues e njohës të kulturës shqiptare. Kjo për faktin se, kultura shqiptare, me tiparet shënjuese nacionale, më tepër se nga çdo kush dhe nga çdo fushë tjetër shoqërore, u mbrojt dhe u kultivua nga shkrimtarët.
Një dijetar tjetër i madh, Eqrem Çabej, në studimet e tij, po ashtu nënvizonte ngjyrën politike të shkrimtarisë. Në këtë aspekt, ai shkruan: ”Poetit si një prisi shpirtëror i ka rënë këtu zakonisht dhe barra e apostullit nacional, atij këtu i është duhur shpeshherë të ndërrojë pendën me pushkë.” Pra, shkrimtarët shqiptarë, në gjitha periudhat e zhvillimit të letërsisë shqipe, qenë njëkohësisht krijues të kulturës kombëtare, por edhe hartues të platformave për çlirim, pavarësi dhe emancipim. Atyre iu kërkua që shpeshherë, të linin librin dhe krijimin artistik, dhe të viheshin në aksion politik.Në vazhdën e një tradite pararendëse, të trasuar nga korifenjtë e kulturës shqiptare, prej Buzukut, Bogdanit, de Radës, Vëllezërve Frashëri, Fishtës, Gurakuqit, Konicës, Nolit, dhe shumë të tjerëve, edhe Ibrahim Rugova, së bashku me pjesën dërmuese të elitës së kohës, nga letërsia kaloi në politikë, duke u bërë protagonisti kryesor i gjitha zhvillimeve politike që ndodhën në Ish Jugosllavinë komuniste.
Letërsia shqipe, përkatësisht shkrimtarët shqiptarë, përgjatë historisë sonë, kanë patur rol protagonistë në çështje të lirisë dhe pavarësisë kombëtare. Ajo, që në krye të herës, me Buzukun, Budin e Bugdanin, ka pasur funksion ju parësor estetik, siç do të thoshte studiuesi Northrp Frye. Buzuku e Bogdani shkruan për dashni ndaj vendit, dhe për të mos lejuar dvarrjen e gjuhës shqipe.Kjo traditë e shtresuar letrare, u përcoll veçmas te Rilindja Kombëtare dhe letërsia e independencës, pra e viteve të 30-ta. Në fakt, programi politik i Rilindjes, kishte bazë te letërsia, e cila, me një hov të fuqishëm u bë paradigma themelore rreth së cilës u tubuan intelektualë e atdhetarë, ndërsa shkrimtarët qenë apostuj të idesë së lirisë dhe pavarësisë kombëtare.
III.
Ndonëse në rrafshin universal, ka ekzistuar dhe ekziston një betejë ndërmjet letërsisë dhe pushtetit të politikës, në kontekstin shqiptarë, këto dy veprimtari, ndonjëherë janë gjendur në llogore të njëjta, dhe janë sinkronizuar për ta ndihmuar njëra-tjetrën në misionin fisnik për ndërgjegjësim, liri dhe drejtësi. Kjo ka ndodhë për shkak të mungesës së lirisë, dhe, dihet, kur një populli i mungon liria, letërsia nuk mund të heqë dorë nga ajo.Në këtë aspekt, mund të thuhet se, letërsia shqipe dhe shkrimtarët shqiptarë, kanë kontribuar më shumë se çdo veprimtari tjetër në atë çfarë është Kosova e sotme. Nëse kthehemi prapa dhe i analizojmë zhvillimit politike në Kosovë, gjatë Jugosllavisë, robërisë, pra viteve të 90-ta, evidencat e shumta të arealit kulturor dhe politik, provojnë se, protagonistët kryesorë të shtetit të Kosovës, ishin shkrimtarët.
Po ashtu, platforma e shqiptarëve për liri, pavarësi, në thelbin e vet kishte substrat të fortë letrar e gjuhësor. Kështu që, shkrimtarët, përveç faktit që e bënë punën e tyre, duke shkruar vepra letrare, shumë prej tyre dolën në aksion politik, duke u bërë prijatarë të kombit, siç ishin: Ibrahim Rugova, Mark Krasniqi, Idriz Ajeti, Anton Çetta, Adem Demaçi, Rexhep Qosja, dhe shumë të tjerë.
IV
Kosova po e përmbyllë dekadën e parë të pavarësisë dhe po i afrohet dekadës së dytë si vend i lirë. Kjo mrekulli ndodhi pas një periudhe të egër, në të cilën, shqiptarët iu nënshtruan vrasjeve, terrorit, reprezaljes dhe luftës.Dhjetë vjet pas pavarësisë, ekzistojnë interpretime dhe rrëfime të ndryshme që lidhen me Kosovën. Ka shumë të vërteta, gjysmë të vërteta dhe të pavërteta.
Në perspektiven e re të zhvillimeve politike dhe kulturore, rrëfimet për historinë e Kosovës do të jenë të pafundme. Nuk do të mungojnë trillet, sajesat dhe deformimet e të vërtetës. Por, kultura tekstuale shqiptare, njeh një lëvizje letrare të shndërruar në lëvizje politike, që u bë flamurtare e proceseve themelore që ndodhen në Kosovë.

“Dritëhijet e Fatmir Xhafajt”. Në Top Story, profili i ish-ministrit që nga komunizmi

Top Story dje në mbrëmje duke iu referuar dokumentave dhe pamjeve ekskluzive, solli një profil të ish-ministrit të Brendshem, Fatmir Xhafaj, që nga periudha e komunizmit e deri më sot. Top Story ka zbuluar detaje të pathëna për të kaluarën e Xhafajt, në kohën kur ai ishte hetues. Gjithashtu, në emision do të trajtohet e gjithë karriera politike e Xhafajt në demokraci, uljet dhe ngritjet, përplasjet dhe prapaskenat. Klanet që u krijuan në Partinë Socialiste dhe si u largua si ministër i Brendshëm janë të tjera detaje që trajtohen në emision.
“Zoti Xhafaj e ka treguar se edhe kur nuk e kishte mirë me Nanon, e kishte mirë me Ruçin; edhe kur nuk e kishte mirë me Ruçin, e kishte mirë me Ramën. Tani që nuk e ka mirë me Ramën, do e ketë me Veliajn”, thotë Marko Bello. Top Story është fokusuar edhe tek skeda e pasurisë së Xhafajt dhe familjarëve të tij. Për herë të parë do të publikohen prova se si kanë përfituar miliarda lekë të afërmit e ish-ministrit të Brendshëm.

Propaganda e Lindita Nikollës/ Tirana zien nga protesta studentore, ministrja inspekton punimet në konvikte


Në kohën kur Ministria e Arsimit ishte e rrethuar nga mijëra studentë që protestojnë për tarifat e shkollimit dhe përmirësimin e kushteve në konvikte, ministrja Lindita Nikolla gjeti kohë për të inspektuar punimet në godinën Nr.2 të Qytetit Studenti, pranë “21 Dhjetorit” në Tiranë.
Kjo video stil propagande e shpërndarë në redaksitë e medieve nga Zyra e Shtypit e Ministrisë së Arsimit, vjen në një kohë që ministrja Nikolla është vendosur në qendër të kritikave nga studentët.
Investimi i filluar nga qeveria shqiptare në bashkëpunim me Republikën Federale të Gjermanisë nëpërmjet bankës KFV është prezantuar që mandatin e kaluar nga qeveria Rama.
Propagandës së ministres i dhanë një përgjigje origjinale këto dy studente të inxhinierisë që mbanin në duar pankartën ku shkruhej: “Mbrëmë fjeta tek konviktet 3D të inxhinierisë.”

Stambolli dhe lidhja e tij me shqiptarët

Në vijim të emisionit “Check-In” realizuar për Stambollin, autorja e emisionit Albana Nanaj e shoqëruar në këtë udhëtim nga gazetari Blendi Fevziu, na tregojnë të tjera atraksione turistike. Istiklal, vendi i cili bëhet edhe më i bukur buzë mbrëmjes me muzikën tradicionale dhe me meloditë melankolike kurde.
Në fund të Istiklalit, në drejtim të kundërt të Taksimit, nis një nga lagjet më të bukura të Stambollit, Karakoj. Një lagje ku dikur banonin gjenovezë, hebrej dhe armenë. Ku ndodhet edhe kulla e Gallatës.
Në fund të Karakojit gjendet shkallët e ylberit, të njohura me këtë emër pas lyerjes së tyre. Imazh që e gjen rëndom në gjithë blogjet e udhëtimeve dhe në rrjetet sociale. Shkallët shkojnë deri në sheshin e Karakojit.
Për t’u ngjitur sërish në Taksim duhet përdorur një fanikular i ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane 150 vjet më parë, por ende funksional.
“Nëse rikthehesh sërish në fund të rrugës Istiklal, në të majtë, mbi kodrën e lagjes Pera ndodhet një prej hoteleve më të famshëm të qytetit, Pera Palace Hotel. I hapur në vitin 1895 për udhëtarët e Trenit Orient Ekspres, Pera Palace ishte i pari hotel i stilit perëndimor dhe modern në qytet. Ai ishte i pari që montoi një ashensor të vërtetë dhe që u pajis me një kuzhinë franceze, veç asaj otomane. Në hotel kanë kaluar pothuajse gjithë njerëzit e famshëm të globit, që kanë vizituar Stambollin, nga mbreti i Anglisë tek kaizeri i Gjermanisë, nga Hemingueji tek Agata Kristi. I restauruar në vitin 2010, ai është pjesë e rrjetit super luksoz të hoteleve, Xhymeira. Hoteli, njihet si një ndër të rrallët në botë që ruan ende objektet autentike të kohës, kur është hapur 123 vjet më parë.
Por hoteli ka një lidhje shumë të fortë me Shqipërinë. Në këtë hotel ka marrë rrugë Shqipëria që kemi sot. Ismail Qemali qëndronte çdo ditë në tavolinën e globeve. 27 vjet më pas, në pranverën e vitit 1939, një tjetër shqiptar i famshëm shihej rëndom në këtë sallë, Ahmet Zogu.
Pera Palace ishte edhe vendi i preferuar i Ata Turkut. Suita ku ai qëndronte u mbyll pas vdekjes së tij dhe u shndërrua në muze. Ajo mund të vizitohet sot. Një suitë e vogël ku gjenden shumë prej sendeve personale që ai kishte lënë këtu”, tha Nanaj.
Pera Palace nuk është i vetmi vend i lidhur me shqiptarët në Stamboll. Madje Shqipëria dhe shqiptarët ndeshen kudo në qytetin, që për thuajse 5 shekuj ka qenë kryeqytet i Perandorisë ku jetonin edhe shqiptarët. Historiografia rrëfen se Perandoria Osmane kishte afro 36 vezirë me origjinë shqiptare. Më të njohurit ndër ta qenë familja Qyprylli, nga Rroshniku i Beratit. Për thuajse 80 vjet, ajo nxorri 5 vezirë të mëdhenj, duke u njohur në historiografinë osmane si ‘Koha e Qypryllinjve’.
Lista e shqiptarëve që zyrtarisht kanë lënë gjurmë në historinë osmane apo turke është e gjatë.
Hasan Tahsimi është një ndër themeluesit e Universitetit të Stambollit. Sami Frashëri një ndër enciklopedistët më të famshëm dhe më me kontribut të kulturës osmane. Djali i tij, Ali Sami Jen është shumë i njohur si themelues dhe president i parë i klubit më të famshëm të futbollit në Turqi, Gallatasarajt. Ismail Qemali luajti për disa kohë funksionin e kryetarit të Parlamentit Osman, ndërsa autori i himnit kombëtar të Turqisë është me origjinë shqiptare. Së paku me nënën nga Shqipëria njihet edhe themeluesi i Turqisë moderne, ose babai i Turqisë, Ata Turk, Mustafa Qemali.
Në kulturën turke janë 3 fjalë shumë të zakonshme që lidhen me shqiptarët: Arnaut Kalldrëm, Arnaut Çigarri dhe Arnaut Inadë.
Arnaut Çigari është pjata e famshme e mëlçive të skuqura.
Arnaut kalldrëm është kalldrëmi me të cilin janë shtruar gjithë rrugët e Stambollit dhe jo vetëm. Nuk dihet përse kalldrëmi i këtij qyteti dhe i Turqisë në përgjithësi është identifikuar me shqiptarët, por me gjasë kanë qenë mjeshtrat shqiptarë më të njohurit dhe më të famshmit për këtë. Madje ekziston edhe një këngë e famshme që përmend kalldrëmin shqiptar.
Arnaut Inadë është një shprehje popullore turke për të treguar njerëzit që janë kokëfortë dhe mbajnë inatë. Arnaut Inadë që përkthehet “inatë shqiptari”, po ashtu nuk dihet se si ka zenë vend, por është një shprehje shumë e njohur në Turqi.
Nuk dihet numri i saktë i qytetarëve turq me origjinë shqiptare që jetojnë atje, por shifrat flasin për 5 në 7 milionë. Shumica e tyre vijnë nga Çamëria, Kosova, Medvegja dhe shqiptarët e Maqedonisë. Shumica dërrmuese e kanë humbur gjuhën, por ruajnë origjinën dhe traditën e tyre.
Stambolli është qyteti i 81 i muzeumeve. Pjesa më e madhe i takojnë historisë dhe religjionit. Një ndër muzeumet e rinj dhe i vetmi në 3D është Panorama. Muzeumi i referohet 29 Majit të vitit 1453, kur Sulltan Mehmeti i II, 21-vjeçar, arriti pas shumë vitesh përpjekjesh të hynte në qytetin e Kostandinopojës duke mundur perandorinë Bizantine. Muzeu është ngritur në mes të fushës kryesore të betejës. Mehmeti e sulmoi Kostandinopojën nga ana europiane e njëkohësisht nga briri i artë. Për muret, ai përdori topat 86 cm, për herë të parë në historinë e botës. Ndërsa në anën e Bririt të Artë, për të shmangur dy kështjellat që qëndronin në cepa, ai kaloi me 76 anije nga një anë e kodrës në tjetrën duke shtruar trarë dhe duke u tërhequr me litarë. Në këtë mënyrë doli në anën e pambrojtur të qytetit.
Muzeu e tregon në mënyrë magjike betejën për qytetin. Është jo vetëm një nga betejat më të mëdha të Mesjetës, por edhe më e çuditshmja. Pas rënies, Kostandinopoja u bë kryeqendra e Perandorisë Osmane dhe mbeti kryeqendra e Turqisë.
Muret perimetrale të Kostandinopojës së dikurshme janë ende në një gjendje thuajse origjinale. Ka edhe një tjetër gjë mjaft interesante që lidhet me Shqipërinë. Perandorët Bizantinë, në vitin 1000 i dhanë leje disa familjeve nga Përmeti të kultivonin bujqësinë në anën e jashtme të mureve mbrojtëse. Një lloj leje, që nuk i jepej askujt. Pas vitit 1000, pasardhësit e përmetarëve që ruajnë origjinën e tyre, janë po aty dhe sërish kultivojnë bujqësinë. Në kohën moderne, këto fusha me sallatë dhe fiq në mes të qytetit duken befasuese dhe janë fushat me licencën më të vjetër në botë, 1000 vjeçare.
Stambolli është edhe qyteti i pazarit. Sipas statistikave të Dhomës së Tregtisë, qyteti ka më shumë dyqane se çdo qytet tjetër në Europë. Ai është qendër e madhe e tregtisë me shumicë për disa nga vendet rreth e rrotull, por edhe për vende më të zhvilluara të botës. Lulëzimi i Stambollit në vitet 70-të i dedikohet kryesisht industrisë së tekstilit dhe asaj të lëkurës.
Nuk ka asnjë dyshim që kurora e pazarit në Stamboll është Pazari i Madh, ose Pazari i Mbuluar siç njihet rëndom. Turqit e quajnë Kapaliçarsi Pazari. Ndërtimi i tij ka nisur në vitin 1455 dhe sot, ai është pazari më i vjetër në botë. Por jo vetëm kaq. National Geographic e ka quajtur atë Mall-in (pazar) e parë modern të botës.
Pazari është i vendosur në zonën Fatih, fare pranë varrit të pushtuesit të Kostandinopojës, Mehmetit dhe zonës së Sulltanahmetit.
“Asnjë guidë e Stambollit nuk do të ishte e plotë nëse nuk do të fuste midis pazareve më të famshëm të qytetit, bashkë me Pazarin e Madh edhe Pazarin e Erzave, ose Pazarin Egjiptian, siç e quajnë. I vendosur buzë Bosforit, thuajse përballë urës së Gallatës, ky pazar shërbente për të furnizuar kryesisht gjelltoret dhe kuzhinat e pallateve të pashallarëve me erza që vinin nga orienti, shumica e tyre nga Egjipti. Pazari është edhe sot në gjendje perfekte dhe tërheq po kaq blerës sa edhe turistë”, tha Nanaj.
Nën trysninë e historisë, qyteti ka ndërtuar edhe një tregti më moderne. Sot, Stambolli ka disa nga pazaret më luksoze të botës. Istinia Park, Zorlu Center apo Kanyon.
Shtresa më e pasur është vendosur në vilat buzë Bosforit.
Bosfori është padyshim pjesa më mahnitëse e qytetit, është simbolika e tij dhe rëndësia gjeostrategjike e qytetit. Ngushtica që ndan Azinë me Europën ka qenë zona më e lakmuar e disa perandorive. Sot ajo është perla turistike e qytetit më të madh të Europës.
Nëse kodrat qenë pjesa më e lakmuar e qytetit, Bosfori mori vlerë në mes të shekullit të XIX, kur Sulltan Abdylmexhidi vendosi të ndërtojë atje Pallatin e ri Perandorak të stilit europian. Vendosi ta quajë atë Dollmabahçe, ose siç përkthehet shqip, toka e mbushur.
Turi në Bosfor është një nga atraksionet më bazike dhe më të këshillueshme për çdo turist që viziton qytetin. Ato nisin zakonisht nën këmbët e urës së Gallatës dhe vijojnë buzë zonës europiane, deri në urën e madhe të Bosforit, atë që lidh Azinë me Europën.
Buzë Bosforit janë ngritur disa nga Hotelet më luksoze të qytetit. Aty gjendet Çirigan Palacë, vendi ku Sulltan Abdylhamiti mbylli vëllain e tij, që e rrëzoi nga froni. Prej vitesh, Çirigan Palace është shndërruar në Kempinski Hotel.
Stambolli ka numrin më të madh të hoteleve me pesë yje në Europë. Por e veçanta është se çmimet e tyre janë afërsisht 30-40 % të njëjta me ato që ndodhen brenda në qytetet europiane.
Të eksplorosh Stambollin duket mëse e pamundur. Kadikoj, Yskydar, Ortokoj, Nishantash, Balat dhe dhjetra lagje të tjera që shfaqen në guidat turistike apo blogjet e udhëtimeve meritojnë ditë të tëra. Dhe siç thotë një bloger udhëtimesh, Stambolli nuk është qytet që shihet, por qytet që ndihet.
Një qytet ku historia dhe modernja rrinë bashkë, ku Europa dhe Azia takohen me njëra-tjetrën, ku Orienti dhe Oksidenti përplasen ngadalë, ku xhamia dhe kisha rrinë përballë dhe ku mikpritja është një dimension mbresëlënës.

Skandal ndërkombëtar i shërbimit sekret shqiptar



Anëtarja e NATO-s, Shqipëria, poston informacion sensitiv në internet për operativët më të lartë të zbulimit të saj, me detajet për identitetin e tyre, makinat, rolet operacionalë, udhëtimet e zakonet e përditshme, në dispozicion të publikut, duke krijuar një të çarë potencialisht të rrezikshme që mund të ketë pasoja ndërkombëtare.
Të dhëna mbi pagat e shpenzimet janë të postuara në fletëbilanci në sitin e Ministrisë së Financave dhe ofrojnë një thesar detajesh mbi Shërbimin Informativ Shtetëror, përfshirë vendndodhjet e zyrave në terren, tërheqjet e parave dhe mjetet që përdorin.

Rekordet tregojnë emrat dhe numrat e kartave të identitetit të agjentëve në shërbim, të cilët operojnë në Shqipëri e jashtë saj, përfshirë dy me poste sensitive në selinë e NATO-s në Bruksel. Bilancet zbulojnë emrat, pozicionet, pagat dhe shpenzimet e të paktën tetë operatorëve sekretë të rëndësishëm – disa punojnë nën petkun diplomatik – në Belgjikë, Greqi, Kosovë, Itali, Maqedoni e Serbi.

The Independent nuk i ka zbuluar emrat apo detajet e tjera identifikuese për të parandaluar pasoja karshi informatorëve të nivelit të ulët apo të të tjerëve që kanë lidhje me operativët e agjencisë. Zyrtarë të SHISH, të vënë para fakteve në një takim në një kafene pranë zyrave të SHISH-it, e pranojnë natyrën sensitive të infomacionit.

“Parimisht gjithçka që bën agjencia jonë duhet të jetë e fshehtë, por na duhet edhe të ndjekim gjithë këto rregulla e rregullore”, tha një zyrtar i SHISH. “Rregullat nuk na lejojnë të shpenzojmë paratë pa i raportuar”.

Profesionistë të zbulimit dhe sigurisë mbetën të shtangur nga ky zbulim, i cili mund t’i lërë agjentët në pozicione sensitive të pambrojtur nga mbikëqyrja apo shantazhi i organizmave të inteligjencës apo kriminelët që synojnë të infiltrojnë në aleancën perëndimore.

“Duke hyrë në sistemin shqiptar ata mund të hyjnë në sistemin e NATO-s”, tha Xhemal Gjunkshi, deputet i opozitës në parlamentin shqiptar, anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare dhe ish Gjeneral-Major në ushtri.

“Nis të tërheqësh një fije e përfundon në Bruksel apo Londër apo në zyrën e një komandanti suprem në SHBA”.

Një ish-operativ terreni i CIA-s, familjar me SHISH, e përshkruan atë si llojin e katastrofës burokratike që të rrezikon jetën.

“Administratori mund të të dreqosë fare po nuk ishe i vëmendshëm”, tha ai për The Independent, duke preferuar anonimatin, pasi vazhdon të punojë me çështje të ndjeshme sigurie.

“Buxhetin mund ta publikosh online. Por të nxjerrës emrat dhe detajet e tjera të agjentëve, kjo është çmenduri”.

Një zëdhënës i NATO-s me bazë në Bruksel u përgjigj në një e-mail se nuk mund të komentojë për çështje të inteligjencës.

Pse ka rëndësi arrestimi i drejtoreshës së Huawei nga SHBA dhe lufta tregëtare

Arrestimi i drejtueses së lartë të Huaejit ka tronditur botën e biznesit dhe mund të dëmtojë paqen tregtare midis SHBA-ve dhe Kinës.


Meng Uançu, drejtuesja e kompanisë teknologjike kineze (Huawei), u arrestua në Vankuver të Kanadasë me kërkesë të autoriteteve amerikane. Ajo akuzohet se ka ndihmuar Huauejin të mbulojë shkeljet e sanksioneve me Iranin.

Ligjvënësit amerikanë thonë se Huaueji është një kërcënim kombëtar për SHBA-të. Zyrtarët kinezë kanë bërë thirrje që Meng të lirohet. Një opinion në “Global Times”, media shtetërore kineze, thoshte se SHBA po përpiqet ta bllokojë Huauejin pë shkak se konkurron tregun.

Ekspertët thonë se kjo ngjarje do të nisë një luftë të re tregtare me Kinën, dhe pasojat për marrëdhëniet midis dy vendeve mund të jenë më të rënda.

Çfarë është Huaueji?

Huaueji është një kompani kineze që prodhon dhe shet celularë e pajisje të tjera në të gjithë botën. Këtë vit u bë kompania e dytë më e madhe në botë për prodhimin e celularëve, menjëherë pas Samsung-ut. Shet më shumë telefona se Apple, e cila renditet e treta.

Duke qenë një nga kampionët e teknologjisë kineze, kjo kompani luan rol kyç në ambiciet e Kinës për t’u bërë superfuqi teknologjike. Ata kanë zhvilluar teknologjinë 5G dhe planifikojnë të shpërndajnë rrjete të fuqishëm pa valë (wireless) nëpër Kinë.

Por shqetësimet për siguri kombëtare e kanë ulur aftësinë e Huauejit për t’u rritur jashtë vendit. Agjencitë e shërbimit sekret në SHBA kanë thënë se amerikanët nuk duhet t’i përdorin ato telefona. Kompania thotë se pajisjet e tyre janë të besuara në 170 vende, por SHBA i ka ndaluar, ndërkohë që probleme u japë hapur edhe në Britani, në Zelandën e Re dhe në Australi, ku janë penguar të futen në sistemin 5G.

Cila është Meng Uançu?

Meng Uançu, drejtoresha e kompanisë kineze që kërkohet nga SHBA-të, njihet edhe Sabrina Meng ose Keti Meng. Ajo është kryefinancierja e Huauejit për shitjet jashtë vendit, si dhe vajza e themeluesit të kompanisë.

46-vjeçarja e ka kaluar gjithë karrierën te kjo kompani, ndërsa vëllai i saj punon te një nënkompani e Huauejit. Është thënë që ata do të drejtonin kompaninë pas të babait, por themeluesi i shoi këto zëra duke shpërndarë një letër që fëmijët e tij nuk e kanë vizionin apo ambicien për ta drejtuar kompaninë.

Çfarë dihet për arrestimin e saj?

Mendohet se Meng e ka ndihmuar Huauejin të anashkalojë sanksionet e SHBA-së ndaj Iranit, duke u thënë institucioneve amerikane se nënkompania e Huauejit ishte tjetër nga ajo mëmë.

Gjykatësi që dëgjoi argumentet e Meng dhe të avokatit të saj, nuk e la të lirohet me kusht, por e shtyu seancën për të hënën.

Avokati nuk dha detaje, duke përfituar edhe nga një vendim gjyqësor që nuk e lejonte publikimin e të dhënave të seancës, vendim që u hoq më pas. Ai tha se Meng ka bërë gjithçka për të qenë transparente me partnerët e Huauejit dhe se kompania ka punuar gjithnjë duke respektuar sanksionet.

Si ka reaguar Kina?

Arrestimi i saj ka prekur nerva delikatë në Kinë. Qyteti i Shençenit, ku ka bazën Huaueji, tha në një deklaratë se po e ndjekin çështjen me shumë kujdes dhe që bëjnë thirrje që drejtuesja të lirohet sa më shpejt.

Global Times, e drejtuar nga qeveria kineze, tha në një editorial se Uashingtoni ka një qasje të turpshme ndaj kompanisë, sepse nuk e ndalon dot përparimin e Huauejit në tregun 5G.

Çfarë do të thotë kjo për luftën tregtare?

Arrestimi mund të vërë në rrezik armëpushimin tregtar të vendosur midis dy ekonomive më të mëdha në botë.

Ministria Kineze e Tregtisë tha të enjten se marrëveshja tregtare me SHBA-të mund të arrihet brenda kufirit 90-ditor të caktuar nga Trump. Por qeveria kineze është qartësisht e zemëruar me arrestimin e Mengut. Tani, shumë gjëra do të varen në atë që Uashingtoni dhe Pekini do të bëjnë më pas.

Zyrtarët e administratës së Trump thanë që SHBA-të kanë në plan të kërkojnë ekstradimin e Mengut. Disa zyrtarë thonë se ajo mund të përdoret për të ndikuar bisedat me Kinën.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...