2018-12-30

Liderët rajonal do të takohen në Bruksel, diskutohet edhe për zhvillimet e fundit Kosovë-Serbi


Liderët rajonal do të takohen në Bruksel, diskutohet edhe për zhvillimet e fundit Kosovë-Serbi



Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të jenë bashkë në një takim, ku janë të ftuar edhe liderët tjerë të Ballkanit Perëndimor, takim ky i thirrur nga shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Ky takim do të mbahet të mërkurën në Bruksel, ndërsa pritet të diskutohet edhe për zhvillimet e fundit në mes Kosovës dhe Serbisë.



Në takim do të jenë të pranishëm edhe liderët e rajonit, ai i Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Bosnjës

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, pas takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor, ka thënë se liderët e Ballkanit Perëndimor janë pajtuar se nuk do të ndërmarrin veprime në kundërshtim të interesit të rajonit.



Sipas njoftimit nga zyra e përfaqësueses së lartë të BE-së, në këtë takim liderët kanë shprehur mbështetje për dialogun Kosovë – Serbi.


Mogherini thotë se liderët e Ballkanit Perëndimor mbështesin marrëveshjen Kosovë – Serbi

“Liderët janë pajtuar me Përfaqësuesen e Lartë në nevojën për zhvillimin e progresit dhe vazhdimin e fokusit në rrugët drejt Bashkimit Evropian dhe reformat e nevojshme të brendshme, në funksion të arritjes së progresit në kohë për Këshillin e qershorit 2019”, thuhet në njoftim.

“Federica Mogherini theksoi se partnerët e Ballkanit Perëndimor, tani më shumë se kurrë duhet të punojnë bashkë për të çuar përpara objektivin e përbashkët të integrimit në BE, për të konsoliduar paqen dhe sigurinë dhe për të investuar në bashkëpunimin e mëtejmë rajonal, për të mirën e të gjithë qytetarëve të rajonit”, thuhet në njoftim.

Më tej aty thuhet se liderët e Ballkanit Perëndimor kanë shprehur mbështetje të fortë për Marrëveshjen e Prespës dhe për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjore në dialogun Prishtinë – Beograd.

“Liderët janë angazhuar për të punuar për të çuar përpara marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe të pajtimit duke u përmbajtur nga të gjitha veprimet dhe deklaratat që nuk janë të favorshme për interesat e përgjithshëm dhe objektivat strategjikë të rajonit”, thuhet tutje në njoftim.

Spekulimet e mediave serbe: Prof.Dr.Enver Hoxhaj me fushatë anti serbe në Ballkan


Hoxhaj arrin në Bruksel për mbledhjen e Këshillit të Stabilizim Asociimit

Gazeta serbe Telegraf, në numrin e saj të fundit i ka kushtuar ballinën e gazetës së sotme deklaratave që u publikuan nga mediat në Zagreb, të zëvendëskryeministrit të Kosovës Prof.Dr. Enver Hoxhaj në lidhje me gjoja krijimin e një pakti kundër Serbisë në Ballkan.

Spekulimet e mediave serbe: Hoxhaj me fushatë anti serbe në Ballkan


“Objektivë e planit të ndytë të prezantuar si kornizë nga zëvendëskryeministri i shtetit të rremë të Kosovës, Enver Hoxhaj, janë që Serbia në asnjë mënyrë të mos lejohet të jetë shteti më i fuqishëm dhe më me ndikim në Ballkan – qeveria në Serbi duhet të gjunjëzohet”, thuhet në artikullin e Telegraf rs.

Artikulli vazhdon të citojë deklarata të mëhershme edhe të presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, i cili, sipas Telegraf rs, Serbinë e konsideron vend okupator, si dhe nuk e lejon hyrjen dhe pjesëmarrjen e priftërinjve të kishës ortodokse serbe në Mal të Zi.

“Kur Gjukanovic e Hoxhaj e quajnë Serbinë faktor destabilizues në Ballkan, e bëjnë me qëllim që t’ia humbin kredibilitetin në perëndim, duke e paraqitur si aleate të Rusisë”, thuhet në artikull.


Pjesë e një mendimi të tillë, sipas kësaj gazete, janë edhe vendosja e taksës prej 100% nga Qeveria e Kosovës për mallrat serbe që hyjnë në Kosovë, si dhe fjalimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit në OKB, ku ai përmendi gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë dhe dhunimin e 20 mijë grave gjatë luftës në Kosovë.

“Ndërkohë kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev pohon se presidenti serb Aleksandër Vucic dhe kryeministri i Hungarisë Viktor Orban kanë zbatuar dhe mbikëqyrur ikjen e ish-kryeministrit të Maqedonisë, Nikola Gruevski në Hungari”, thuhet më tutje në artikullin e Telegraf rs.

Sipas Telegraf rs, edhe protestat që po mbahen në Beograd dhe Banjallukë të Sarajevës, po organizohen me mbështetjen e Zagrebit.

Kjo gazetë pohon se edhe nëse këto veprime nuk janë institucionalisht të koordinuara, janë pjesë përbërëse e një politike anti-serbe të Prishtinës, Zagrebit, Podgoricës, Shkupit dhe Sarajevës.

Le të shpresojmë se në Bruksel dhe në kryeqytetet e tjera të rëndësishme europiane, si dhe në kryeqytetet ballkanike, po i dëgjojnë tingujt e marshit të vjetër ushtarak rus: "Ja po vjen Ushtria e Kuqe!”.


Shaban Murati.jpg

Nga  Shaban Murati

Rusia drejt vendosjes së trupave në Serbi


Avancimi i gjeopolitikës dhe i gjeostrategjisë ruse në Ballkan po shkon drejt formave gjithnjë e më agresive. Organi proqeveritar rus “eadaily.com” në 22 dhjetor 2018 hedh në qarkullim propozimin e ri për vendosjen e forcave ushtarake ruse në Serbi. Me titullin “Serbisë i duhet kontingjenti ushtarak rus” dhe me nëntitullin “Prania ushtarake ruse në Serbi mund të parandalojë acarimin ushtarak të konfliktit në Kosovë”, drejtori i Qendrës Ballkanike të Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Moskë, Viktor Kollbanovskij, parashtron propozimin që “rrugëdalja e vetme për Serbinë është vendosja e një kontingjenti ushtarak rus në Serbinë Qendrore”.

Është hera e parë që një media proqeveritare dhe një drejtues i një Qendre të specializuar ruse për Ballkanin paraqet propozimin që në Serbi duhet të vendoset një kontingjent ushtarak rus.

Kjo duhet marrë si një sinjal paralajmërues i zhvillimeve të pritshme negative në rajonin tonë, ku ambicja e Moskës mund të marrë formën e rrezikshme të vendosjes së trupave ushtarake ruse në rajon. Në artikullin e tij të datës 22 dhjetor drejtori i Qendrës Ballkanike ruse të Bashkëpunimit Ndërkombëtar thekson: ”Fakti që situata në Ballkan u përfshi në rendin e ditës të mbledhjes së Këshillit të Sigurisë të Federatës Ruse në 17 dhjetor dëshmon për atë që rajoni në fjalë hyn në fokusin e interesave ruse të sigurisë kombëtare”.

Edhe komunikata presidenciale ruse për mbledhjen e mësipërme të anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurisë së Federatës, që u drejtua nga presidenti Vladimir Putin, thekson se “mbledhja diskutoi në mënyrë të detajuar për gjendjen në Ballkan”, dhe nuk përmend asnjë rajon tjetër të botës, madje as Sirinë. Burime diplomatike lindore bëjnë të ditur se në këtë mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Federatës Ruse është përqendruar në lëvizjet diplomatike dhe ushtarake të Rusisë për zhvillimet me temën e Kosovës.

Nuk duket rastësi që pikërisht në kulmin e debateve diplomatike rajonale, europiane dhe ndërkombëtare për zgjidhjen e nyjes konfliktuoze midis Serbisë dhe Kosovës, nga Rusia vjen propozimi për vendosjen e forcave të saj ushtarake në Serbi. Që të jemi të qartë, ky është propozim që i drejtohet udhëheqjes së Serbisë, të cilës sipas burimeve diplomatike lindore, i është paraqitur në kanale diplomatike kjo ide ruse. Një ekspert i njohur ushtarak rus, Viktor Litovkin, drejtor i departamentit të editorialeve ushtarake në Agjencinë Shtetërore ruse TASS, shkruante para disa kohësh po në “eadaily.com”, se “mundësia e pranisë ushtarake ruse në Serbi varet para së gjithash nga vullneti dhe inisiativa e udhëheqjes serbe”. Është një presion dhe shantazh i hapur i Moskës ndaj Beogradit, që Serbia t’i hapë rrugë vendosjes së trupave ruse ne territorin e saj dhe që të mos devijojë nga roli i instrumentit të strategjisë ruse në Ballkan.

Aktualisht Serbia ndodhet në një pozitë të vështirë diplomatike dhe politike. SHBA dhe disa shtete të BE po i kërkojnë asaj që t’i jap fund hezitimit për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, duke nënshkruar marrëvshjen përfundimtare të normalizimit të marrëdhënieve dypalëshe. Kushdo e kupton se realizimi i një marrëveshje përfundimtare, ku Serbia dhe Kosova të njohin reciprokisht njera-tjetrën, do të përbënte kontribut për stabilizimin e rajonit, por edhe një avancim të hapësirës së integrimit euroatlantik në Serbi dhe në Kosovë. Një perspektivë e tillë euroatlantike don të thotë mbyllje e dyerve për influencën ruse në Serbi dhe në rajon. Këtë skenar të disfavorshëm gjeopolitik Moska kërkon ta parandalojë me çdo mënyrë. Ndaj konstatohet një aktivizim shumë i madh i saj në rajon dhe si rezultat kemi për herë të parë një rol të ri aktiv të Rusisë në rajon pas 15 vitesh. Fakti është se Rusia po arrin të fitojë një rol të ri në tratativat e mbyllura të fuqive të mëdha për t’i dhënë fund kontestit Serbi-Kosovë.

Duhet pranuar se Rusia, me një mënyrë ose tjetër, me konsensusin apo pa konsensin e Perëndimit, po arrin të jetë lojtare e rëndësishme në qarkun e mbyllur të fuqive të mëdha për finalen e dialogut Serbi-Kosovë. Takimi befasues i presidentit rus Vladimir Putin me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në Paris në 11 nëntor 2018, dhe kujdesi i protokollit francez për t’i ulur dy presidentët pranë njeri-tjetrit, duhen lexuar si shenjë se Rusia po lejohet të marrë një rol të ri diplomatik në Ballkan. Por kushdo, që e njeh sado pak metodologjinë dhe strategjinë e diplomacisë ruse, e di se Kremlini nuk do të mjaftohet vetëm me rolin diplomatik në çeshtjen Kosovë-Serbi dhe në rajon. Ai synon diçka më të madhe dhe kjo është prania ushtarake ruse në Ballkan.

Kam mendimin se Rusia po aplikon në Ballkan metodën e saj të suksesshme siriane. Në Siri ajo priti katër vjet derisa Perëndimi të ngatërrohej në përlasjen e interesave me njeri-tjetrin dhe të mos e zgjidhte dot krizën siriane, dhe ahere hyri në valle Rusia. Në fillim diplomatikisht me marrëveshjen me SHBA për largimin e armëve kimike nga Siria, dhe pastaj një vit më vonë Rusia vendosi dislokimin e forcave të saj ushtarake në territorin e Sirisë. Rusia është aktualisht lojtari kryesor përballë Perëndimit për zgjidhjen e krizës siriane. Skema e saj siriane po rivihet në Ballkan dhe Rusia, pasi është ulur si lojtare në tryezat e mbyllura të fuqive të mëdha për dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, pritet të kalojë në fazën tjetër të planeve të saj strategjike, atë të vendosjes së forcave të saj ushtarake në Serbi.


Çfarë bën përshtypje në propozimin e Qendrës Ballkanike ruse të Bashkëpunimit Ndërkombëtar? Së pari, i kërkohet Beogradit që “me vendosmëri të refuzojë çdo lloj marrëveshje të veçantë me shqiptarët e Kosovës dhe t’i drejtohet Rusisë me lutjen për ndihmë ushtarake, përfshirë edhe vendosjen në Serbi të kontingjentit ushtarak rus”.

Së dyti, e kërcënon udhëheqjen e Beogradit që, nëse nuk pranon kërkesën ruse të trupave, Rusia mund t’i ngrejë kundër publikun e brendshëm dhe sidomos kishën ortodokse serbe. Institucionet e specializuara ruse kanë krijuar përvojë dhe rrjete në drejtim të nxitjes së protestave dhe të trazirave sociale e politike në vendet ballkanike dhe dorën e tyre e kemi parë në shumë shtete të Ballkanit, përfshirë edhe vende anëtarë të NATO-s.

Së treti, propozimi për vendosjen e forcave ushtarake ruse në Serbi hidhet në prag të vizitës, që pritet të bëjë në fillim të vitit të ardhshëm në Beograd presidenti rus. Drejtori i Qendrës Ballkanike ruse të Bashkëpunimit Ndërkombëtar i klasifikon si “sfond i papërshtatshëm për realizimin e vizitës së presidentit Putin rrethanat e tanishme të politikës së brendshme të Serbisë”. Kjo formë kërcënimi diplomatik do të thotë që diplomacia ruse para vizitës së Putinit po pret reagimin e Beogradit ndaj kërkesës për vendosjen e kontingjentit ushtarak rus në Serbi dhe për dhënien e statusit diplomatik për ushtarakët rusë të bazës ushtarake ruse në Nish.

Është hera e parë që një institucion rus paraqet në një organ proqeveritar rus kërkesën që Serbia të mos pranojë marrëveshje e normalizimit përfundimtar të marrëdhënieve me Kosovën. Pavarësisht se Kremlini ka deklaruar se Moska do të pranojë çdo marrëveshje dypalëshe, që do të bien dakord Beogradi dhe Prishtina, domethënia e thirrjes së re për refuzim të marrëveshjes, është që Rusia po rrit çmimin e lojës dhe të pazareve të saj në tryezat e mbyllura diplomatike të fuqive të mëdha. Moska po e ngre çmimin edhe për Serbinë, edhe për Kosovën, edhe për Perëndimin, me atutë që ka në dorë për secilin.

Ambicia ruse për vendosjen e forcave të saj ushtarake në Serbi është objektiv i madh gjeopolitik dhe gjeostrategjik rus për Ballkanin. Është e kuptueshme se një Serbi me forca ushtarake ruse në territorin e saj nuk mund të pranohet anëtare e BE, pa le më anëtare e NATO-s. Rusia po fiton kështu një peshë të re në Ballkan, duke u përpjekur të diktojë paritetin e influencës në rajon dhe sanksionimin e pjesës së saj të influencës.

Jemi para një procesi negativ, i cili kërkon një reflektim të artikuluar sidomos nga BE, e cila duhet të kuptojë se roli i saj në Ballkan po spostohet dhe dobësimi i zërit europian shkon në favor të Rusisë. Ky grafik do të përkeqësohet akoma më shumë, nëse diplomacia e BE do të vazhdojë të merret me “seksin e engjëjve” të ushtrisë së Kosovës dhe nuk do të shikojë retë e zeza të pranisë ushtarake ruse, të cilat po vijnë drejt Ballkanit. Mungesa e kohezionit diplomatik të BE dhe paaftësia e saj për t’i imponuar Serbisë njohjen e Kosovës gjatë shtatë viteve, që udhëhoqi dialogun Serbi-Kosovë në Bruksel, sollën në një situatë, ku BE po shndërrohet përsëri në spektatore dhe jo në arkitekte e zgjidhjes së krizave ballkanike. Le të shpresojmë se në Bruksel dhe në kryeqytetet e tjera të rëndësishme europiane, si dhe në kryeqytetet ballkanike, po i dëgjojnë tingujt e marshit të vjetër ushtarak rus: “Ja po vjen Ushtria e Kuqe!”.




(Shaban Murati Diplomat karriere dhe gazetar. Autor i shumë librave , shkrimeve dhe komenteve mbi marrëdhëniet ndërkombëtare dhe rolin e Shqipërisë në to.

Botime:

Serbia kundër Serbisë : analizë e një gjysmërevolucioni të lënë përgjysmë - 2004 ; Enigmat diplomatike të pavarësisë së Kosovës : (fletë nga ditari i një ambasadori) - 2007; Çështja shqiptare pas pavarësisë së Kosovës : një testament diplomatik - 2009; Profile të diplomacisë europiane në Ballkan - 2009 ; Hije në diplomacinë shqiptare - 2012;Diplomacia shqiptare në kërkim të identitetit - 2013; Rusia ballkanike - 2014 ; Shqiptarët e Maqedonisë, prioritet i çështjes shqiptare - 2016)

Liria e shtypit- themel i çdo demokracie


 

Nga Ines Pohl 

(https://de.wikipedia.org/wiki/Ines_Pohl)

E drejta për shprehjen e lirë të mendimit nuk është luks. Liria e pakufizuar e shtypit nuk është diçka, nga e cila demokracia mund të heqë dorë, por që duhet mbrojtur me të gjitha forcat. Sepse ajo është një shtyllë themelore e demokracisë, që i jep individit lirinë më të madhe të mundshme e pakicave mbrojtjen më të mirë. Vetëm nëse ekziston mundësia për të shprehur mendimin të lirë, vetëm nëse pyetet në mënyrë kritike ajo që bën apo që lë politika dhe ekonomia, nëse hulumtohet pa pengesa dhe rezultatet publikohen, ekziston mundësia që korrupsioni dhe keqqeverisja të zbulohen e të pengohen në të ardhmen.

Kjo sigurisht që nuk është ndonjë gjë e re. E pikërisht ne gjermanët e kemi mësuar nga koha e Hitlerit, se sa i rëndësishëm është raportimi i pavarur. Ka qenë një llogari e menduar mirë, që fillimi i sundimit të tij të tmerrshëm shënoi fundin e shtypit të pavarur. Por, çfarë do të thotë ky mësim në kohët e sotme? Në radhë të parë, që ne nuk duhet të ndalim së raportuari për gazetarët që përndiqen, nuk duhet të lëkundemi kur bëhet fjalë për lirimin nga burgimi të gazetarëve, nuk duhet t’i lemë të qetë pushtetmbajtësit që përpiqen të shtypin fjalën e lirë.


Kjo do të thotë, që ne duhet t’u kërkojmë qeverive tona dhe opozitës të angazhohen për këtë liri. Me mënyra diplomatike, por edhe me veprime konkrete, kur e kërkon puna. Është pikërisht BE që duhet të pyesë veten, se si duhet të veprojë me vendet anëtare që e kufizojnë gjithnjë e më tej lirinë e shtypit, kur për këtë ndryshohen ligjet, lirohen nga puna juristë kritikë dhe mënjanohen kundërshtarë të qeverisë. Në negociatat e ardhshme duhet të jetë e panegociueshme, që pa shtypin e lirë as që mund të mendohet anëtarësimi në BE. Vëmendja e vogël që u tregua për këtë temë gjatë anëtarësimit të vendeve të reja të BE-së, po sjell tani fryte të hidhura.

Zhvillimet e fundit që po shohim tani në Europë nuk janë aspak banale. Në vende si Polonia, Hungaria apo Rumania situata po ashpërsohet. Gjendja e blogerave dhe qytetarëve-gazetarë, që janë shpesh një nga burimet e pakta të informacioneve të pavarura po bëhet gjithnjë e më kritike, nganjëherë edhe me rrezik për jetën. 13 prej tyre kanë humbur jetën këtë vit, gati dy herë më shumë se vitin e kaluar.

Por dhuna kundër gazetarëve nuk është kërcënimi i vetëm. Politikanë si Donald Trump por edhe Vladimir Putin kanë kuptuar, se ku mund të sulmohet më shpejt gazetaria – tek besueshmëria e sa j- e mira më e madhe e shtypit. Kur presidenti amerikan i damkos mediat si shtyp gënjeshtrash, kjo është më shumë se një përpjekje për të tërhequr vëmendjen nga gënjeshtrat që bën vetë ai. Kjo është një strategji afatgjatë, që kërkon të minojë besueshmërinë e kritikëve të tij më të rrezikshëm. E për të dobësuar ata, që zbulojnë aferat e tij dhe sfondin e tyre.

Në këtë kohë kërkohet që vetë gazetarët dhe mediat të hulumtojnë me shumë kujdes, të shtrojnë pyetje kritike edhe ndaj kolegëve të tyre, të pranojnë hapur gabimet. Sepse çdo lloj gabimi i ndërgjegjshëm, çdo lloj shkallëzimi i paprovuar, çdo lloj përshkrimi i njëanshëm u jep dorë atyre që nuk duan që qytetarët të jenë të informuar aq mirë, sa të krijojnë mendimin e tyre të pavarur. Por pikërisht ky është kusht që në fund zgjedhjet të jenë vërtet demokratike.

Letërsia moderne shqiptare në Kosovë dhe disaporë



Fotografia e Flori Bruqi

Nga  FLORI BRUQI

E pasur dhe e bukur është gjuha shqipe, nga e cila shqiptarët krijuan një kult të vërtetë; megjithëkëtë është fare pak e zhvilluar: rrethanat historike krejt të posaçme dhe sidomos një sundim i huaj prej më shumë se 5 shekujsh i vonuan për një kohë shumë të gjatë çdo farë rilindje kulturore popullit shqiptar të dashuruar për liri.

Letërsia shqiptare që zhvillohet në vitet e tridhjeta në Kosovë, kishte disa shenja paradalluese: ajo ishte e shkëputur nga letërsia amë dhe nga një pjesë e traditës letrare.

Letrarët dhe letërsia në Kosovë , pothuaja nuk ishin fare në kontakt me të dhe nuk ishin të informuar për atë çka ndodhte në fushën e letërsisë brenda kufirit të shtetit shqiptar.

Në Kosovën letrare herë pas here ilegalisht, mund të depërtonte ndonjë vepër ose autor nga periudha e viteve 1930, kryesisht përmes atyre pak nxënësve që shkolloheshin aso kohe në Shqipëri.

Pas luftës nacional –çlirimtare ( vitet 1950), krijuesit e parë të letërsisë shqiptare në Kosovë , për mbështetje kishin kryesisht letërsinë gojore (të pasur) dhe fare pak kishin vepra nga fondi letrar i traditës si dhe kishin fare pak përvojat e huaja letrare, në radhë të parë ato sllave.

Nga emrat e shkrimtarëve, të cilët e kishin filluar veprimtarinë e vet letrare para luftës, do të përmendim këtu vetëm Esat Mekulin , Hivzi Sulejmanin.

Esat Mekuli u shqua me lirikën e angazhuar shoqërore dhe kombëtare të shkruar gjatë viteve 1930, ndërsa Hivzi Sylejmani solli përvojën e parë më serioze në llojin e prozës së gjatë me romanin dy vëllimesh "Njerëzit I" dhe "Njerëzit II", si dhe "Fëmijët e lumit tim".

Para tyre Hivzi Sulejmani do të shkruante disa nga tregimet, që edhe sot tingëllojnë moderne.

Ishte poezia ajo që arriti majat e letërsisë shqiptare në Kosovë, duke filluar nga fundi i viteve 1950 -2014 e sidomos me emrat: Mark Krasniqi,Din Mehmeti, Fahredin Gunga, Rrahman Dedaj, Enver Gjerqeku, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Besim Bokshi, Eqrem Basha, Sabri Hamiti , Flora Brovina ,Iljaz Prokshi,Afërdita
Skënderi ,Gani Xhafolli , Naim Kelmendi,Agim Vinca,Nuhi Vinca,Fahredin Shehu e shumë të tjerë.

Ndërsa në prozë dalloheshin : Anton Pashku, Ramiz Kelmendi, Azem Shkreli, Nazmi Rrahmani, Rexhep Qosja, Rexhep Hoxha,Mehmet Kajtazi,Mehmet Kraja, Ramiz Kelmendi , Shyqri Galica Adem Gashi ,Musa Ramadani,Iljaz Prokshi,Agim Vinca,Nuhi Vinca,Naim Kelmendi,Abdyl Kadolli ,Gëzim Ajgeraj e disa të tjerë.

Edhe në Kosovë shumë shkrimtarë patën fatin të burgosen, të persekutohen apo të arratisen e të jetojnë jashtë truallit të tyre(Adem Istrefi etj).

Pushteti serb ushtronte dhunën më të egër ndaj intelektualëve që me pushtetin e fjalës përpiqeshin të afirmonin vlerat kombëtare shqiptare.

Kështu e pësuan rreptë nga kjo censurë: Adem Demaçi, Ramadan Rexhepi, Kapllan Resuli (i cili pasi u arratis në Shqipëri u burgos edhe këtu) etj.

Krahas letërsisë shqiptare që krijohej dhe botohej kryesisht në Prishtinë, ajo krijohej dhe botohej edhe në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë, kryesisht me prozën dhe poezinë e Murat Isakut, Teki Dervishit,
Abdylazis Islamit, e më pas, me veprën letrare të Resul Shabanit, Adem Gajtanit, Agim Vincës, Din Mehmetit etj.

Vlenë të përmendet dhe një personalitet i shquar i kulturës, Luan Starova, (shqiptari më i përkthyer sot pas Ismail Kadaresë etj ), por shumica e veprave të tij nuk janë në gjuhën shqipe.

Letërsia moderne shqiptare në diasporë

Edhe pse e zhvilluar në kushte të një izolimi gjeografik e ideologjik, fati dhe perspektiva e letërsisë bashkëkohore shqipëtare atë duhet ta vështrojmë edhe nga konteksti më i gjerë gjeografik,pra edhe përtej kornizës ngushtësisht nacionale.

Pavarësisht nga zhvillimet brenda Republikës së Shqipërisë, si dhe brenda viseve etnike si: Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Luginë të Preshevës,Çameri ,kjo letërsi pati dhe njohu zhvillime dhe në diasporë.
Sa i takon zhvillimeve të saj në diasporë, letërsia shqiptare mund të shikohet gjeografikisht brenda dy vatrave:

Vatra historike e diasporës shqiptare: Greqi, Rumani, Bullgari, Turqi,Danimarkë,Norvëgji, etj.

Vatra të reja të diasporës shqiptare: Itali, Francë, Zvicër, Gjermani, Danimarkë,Norvegji ,Shtetet e Bashkuara të Amerikës,Canadë etj.

Zhvillimet më të rëndësishme të letërsisë bashkëkohore shqiptare në diasporë ndodhën në Itali, aty ku sot e kësaj dite jetojnë rreth 90.000 arbëreshë, që vazhdojnë të flasin shqipen.

Në përgjithësi mund të thuhet se një "rilindje" e letërsisë arbëreshe ndodhi diku rreth fundit të viteve 1950, kur dhe nisi të botohej në Romë revista "Shejzat"nga Ernest Koliqi , e më pas revistat "Zgjimi", "Katundi ynë", "Zjarri", "Zëri i Arbëreshëvet", "Lidhja", "Bota shqiptare" etj.

Këto revista ndikuan në krijimin dhe publikimin e një brezi poetësh e shkrimtarësh që shkrunin në arbërisht.
Veç të tjerash, një pjesë e tyre funksionoi edhe si shtëpi botuese, duke publikuar vepra të tëra me poezi ,si dhe vepra të nduarduarshme letraro-publicistike.

Ndër shkrimtarët më të rëndësishëm të kësaj vatre duhen përmendur:Francesko Solano (1914), i njohur me pseudonimin Dushko Vetmo, i lindur në Kozencë.

Dushko Vetmo, pas një periudhe të gjatë qëndrimi në Argjentinë, Uruguai dhe Kili, ku dhe shugurohet për prift, Françesko Solano alias Dushko Vetmo, kthehet në vendlindje.

Ai ishte aktivë në shumë fusha letrare – ishte poet , prozator dhe dramaturg.

Ndër veprat e tij më të rendësishme janë : “Burbuqe t`egra,” 1946, “Shkretëtira prej gurit”(dramë, 1974), si dhe “Tregimet e Lëmit ” etj.

Domenico Bellizzi (1931), ishte prift nga Frasnita.Ai është i njohur me pseudonimin Vorea Ujko. Është një ndër trashigimtarët më të denjë të Jeronim De Radës si dhe të Zef Serembes.

Vorea Ujko alias Domenico Bellizzi me poezinë e tij arriti nivele të spikatura të ligjërimit poetik, veçanërisht me veprat: “Zgjimet e gjakut”, “Këngë arbëreshe”(1982),” Hapma derën zonja meme”( 1990) etj.

Karmell Kandreva (1931), poet, bartës i identitetit kombëtar me anë të një ligjërimi poetik origjinal si dhe luftëtar i angazhimit social të arbëreshëve në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës origjinale, ka shkruar triologjinë poetike: “Shpirti i arbërit rron”; “Shpirti i arbërit rron”,” Arbëreshi tregon”, ‘Vuan dega e hershme” etj.

Zef Skiro Di Maxhio (1944), poet, përkthyes dhe dramaturg i shquar. I angazhuar edhe si drejtor i revistës "Bota shqiptare", i shquar për tonin e tij ironik e shpesh sarkastik, ai është autor i rreth dhjetë librave poetikë, ndër të cilat vlen të përmenden: Nëpër udhat e parrajsit shqipëtarë e t`arbreshë. Poemë gjysmëserioze arbëreshe si “Orëmira”, “Për tokën fisnike të Horës” etj.

Padyshim që letërsia arbëreshe vazhdon jetën me të tjerë shkrimtarë, shumica syresh të rinj, duke luajtur kështu një rol të rëndësishëm në diversitetin kulturor shqiptar, por edhe atë italian.

Një tjetër vatër e rëndësishme historike, ku kanë lulëzuar shkrimet shqipe që në fundin e shekullit XIX dhe ku jeta kulturore e elementëve shqiptarë ka qenë e organizuar më së miri, është Rumania.

Një ndër personazhet më të rëndësishëm të letrave bashkëkohore shqiptare është Viktor Eftimiu (1889 - 1972) , autor i rreth njëqind vëllimeve letrare të shkruara në rumanisht.

Mjaftë prej veprave të tij dramatike janë ndërtuara mbi bazën e motiveve shqiptare e të fëmijërisë së tij në malet e vendlindjes.

Po aq e rëndësishme sa është edhe Rumania në pikëpamje të jetës kulturore shqiptare mbetet edhe Bullgaria, ku janë njohur organizime të hershme të komunitetit shqiptar.

Një figurë mjaft e rëndësishme në letërsinë tonë shqipe është edhe Thoma Kaçori, i cili shkroi në shqip disa romane e libra me tregime.

Në vatrat e reja të zhvillimít të letërsisë bashkëkohore shqiptare hyjnë ato vende në të cilat emigruan për motive kryesisht politike një pjesë e shkrimtarëve të talentuar shqiptarë, që duke mos u pajtuar me diktaturën dhe duke ndjerë etjen për liri, realizuan në periudha të ndryshme të regjimit komunist eksodet e sforcuara.

Një nga shkrimtarët e diasporës me peshë më të madhe që jetoi e krijoi në Gjermani, është Martin Camaj (1925 - 1992). Vepra e tij hyë në fondin më të shquar të letërsisë bashkëkohore shqiptare.

Ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës zhvilloi veprimtarinë më të madhe studimore e letrare është Arshi Pipa (1920- 1997), një ndër punëtorët më të mëdhenj të letrave shqipe, intelektual i shquar, poet, përkthyes, studiues e polemist.

Më 1944 ai drejtoj revistën "Kritika" dhe po këtë vit botoi librin e parë me poezi Lundërtarë. Në SHBA, ku emigroi në vitin 1958, punoi si profesor në disa universitete amerikane deri sa doli në pension.
Si dëshmi e asaj që kishte përjetuar në kampet dhe burgjet komuniste ai botoi në Romë vëllimin me poezi “Libri i burgut 1959”, dhe më vonë dhe vepra të tjera.

Vlenë theksuar edhe një dyzinë shkrimtarësh dhe studiuesish letrarë që krijojnë në diasporë si Ernest Koliqi , Kostë Çekrezi, Gj.Bubani, S.Malëshova, Z.Fundo, Tajar Zavalani ,Eshref Ymeri, Rasim Bebo, Gjek Marinaj, Kolec Traboini, Agim Bacelli,Adnan Mehmeti,Kozeta Zylo,Raimonda Moisu,Iliriana Sulkuqi,Rita Salihu,Mëhill Velaj, Anton Kote, Sotir Andoni ,Peter Prifti, Dalan Luzi,Zef Pergega, Luigj Çekaj, Albana Mëlyshi, Ramiz Gjini, Dalip Greca ,Fatmir Terziu,Engjell Shehu,Gëzim Ajgeraj , Elvira Dones, Ornela Vorpsi, Anilda Ibrahimi, Besa Myftiu ,Kozeta Nushi ,Hasan Aliaj , Shefqet Dibrani,Brahim Avdyli ,Ymer Shkreli,Pal Sokoli etj.

******

Në gjuhë të huaj, por me tema shqiptare

Vlenë theksuar që në diasporë kemi disa poetë që shkruajnë në gjuhë të huaj .Ata medoemos duhet të përfshihen në historinë e letërsisë shqipe apo duhet të konsiderohen pjesë e letërsisë së gjuhëve në të cilat krijojnë, shtrohet thuajse në të gjitha konferencat shkencore që zhvillohen në Tiranë, Prishtinë,Shkup , Tetovë.

Në Itali është prezent një numër bukur i madh i letrarëve shqiptarë që shkruajnë libra në gjuhën italianeqe me botimet e tyre, fare pak njihen në Shqipëri.

Shkrimtarja rumune Herta Müller ,e cila shkruan në gjuhën gjermane do t’u drejtohej me këto fjalë atdhetarëve të saj kur mori çmimin “Nobel” në letërsi:…” sepse dhe ne vetë mendojmë -se ata nuk janë shkrimtarët tanë”…“Atdheu është çka flitet”Fenomei i tillë është botëror , ku shqiptarët nuk kanë pse të jenë përjashtim.

Nuk është një proces i stisur apo i paramenduar. Ai lind së brendshmi dhe nuk është thjesht një proces normal i të shkruarit.Janë shumë shkrimtare të ekzilit , që po prezantohen me shumë sukses në botën letrare .Kësaj radhe veçojmë pesë shkrimtare femra.

Elvira Dones që botohet nga “Feltrinelli” dhe “Einaudi”, Anilda Ibrahimi , Ornela Vorpsi (‘’Einaudi’’) dhe Kozeta Nushi-Alikaj, janë katërshja e letërsisë shqiptare e mërgimit në Itali.

Kësaj katërshje i bashkohet edhe Besa Myftiu, që jeton në Zvicër e boton në Francë me logon e shtëpisë botuese të Parisit “ Fayard”.

Përtej faktit se shkruajnë në gjuhë të huaj dhe jo në gjuhën e nënës, ajo çfarë i bashkon këto shkrimtare është dhe tematika që trajtojnë në veprat e tyre.
Shkrimtaret tona shkruajnë , në veten e parë e here –herë në vetën e tretë.
Kjo gjë është gjithmonë e pranishme. E shkuara gjithashtu; fëmijëria nën diktaturë, mentaliteti, dramat sociale, zakonet dhe kanunet e vendit të origjinës janë pjesë e rrëfimeve në krijimtarinë e tyre. Tema të identitetit mbeten të preferuara për këto autore shqiptare, që jo rastësisht kanë zgjedhur të krijojnë në gjuhë të huaj…

“Shkrimi në gjuhë të huaj të jep liri, distancë” thotë shkrimtarja Besa Myftiu.Ajo për fat të keq historitë e saja nuk i shkruan në shqipen tonë të bukur.

Ndjehet e frustruar kur tenton të shkruajë në shqip. I druhet dhe paragjykimeve , ndaj ka zgjedhur rrëfimin në gjuhën frënge. Ajo është e bija e shkrimtarit Mehmet Myftiu.Besa Myftiu , ka botuar 9 libra në frëngjisht, i fundit është libri “Dashuri në kohën e komunizmit”, botuar nga “Fayard” në Francë.

Edhe shkrimtarës Ornela Vorpsit gjithaq i nevojitej distanca për ta parë më qartë të shkruarën. Italishtja ishte për të një zgjedhje organike.Ajo thotë : “Po të kisha jetuar në Shqipëri, ndoshta nuk do isha bërë shkrimtare. Ishte ekzili që më tregoi këtë rrugë. Nuk ishte ndonjë zgjidhje për të tradhtuar Shqipërinë, siç më sulmojnë shpesh. Ishte një zgjidhje shumë organike. Duke menduar pse kisha nevojë të shkruaja në italisht, pashë se në mënyrë organike kisha nevojë për distancë nga ajo çka tregoja”(përfundon citati).

Ajo veten tashmë e sheh si shkrimtare në një vend të huaj e që shkruan po ashtu në një gjuhë të huaj.
Ornela Vorpsi vazhdon të shkruajë në gjuhë italiane, por siç thotë dhe vetë, në të njëjtën kohë mendon dhe flet katër gjuhë.

Gjuha e nënës mbetet gjuha e parë, sepse shqipja për të është gjuha që mbart kujtimet e fëmijërisë e për këtë ajo ndjehet thellësisht e tërësisht shqiptare.“Besoj se gjuha e romaneve të mia është një sintezë e shumë kulturave, e shumë gjuhëve të përzierja së bashku”.

Janë të paktë shkrimtarët që arrijnë të jenë kreativë në dy gjuhë të huaja, por Elvira Dones sigurisht që ia ka dalë. Ajo është shkrimtare, gazetare dhe dokumentariste, autore e shtatë romaneve, dy vëllimeve me tregimeve, artikujsh e filma dokumentarë.

Tema si prostitucioni, drama sociale, lufta etj., e kanë bërë Elvira Donesin shkrimtare të mirëpritur në qarqet letrare. Letërsinë e saj e shkruar në dy gjuhë; në gjuhën e nënës shqip dhe në gjuhën italiane. Raporti i saj me gjuhën që zgjedh për të shkruar fillon qysh kur libri nis të ngjizet.

Ajo thotë :“Është thelbësore atmosfera e fillimit, fjalitë e para ndoshta dhe një fjalë e vetme që “godet” në njërën gjuhë në vend të tjetrës”(përfundon citati). Pikërisht kjo i ndodhi Elvira Donesit kur shkroi romanin “Luftë e vogël e përkorë”, ritmi gjuhësor u krijua natyrshëm në gjuhën e saj të dytë, italishten.

“Pashë se kisha nisur rrëfimin në italisht edhe për një arsye tjetër, për të cilën me sa duket kisha nevojë: më shërbente si filtër mbrojtës”,thotë Dones .

Në këtë rast është ‘’terreni’’ për të cilën shkruan ai që zgjedh gjuhën, për shkrimtaren Elvira Dones. Ajo ka në proces dy libra; njërin të shkruar në gjuhën italiane dhe tjetrin në shqip, që shumë shpejt do të jenë në duart e lexuesve.

Edhe pse këto shkrimtare zgjedhin një gjuhë tjetër, bashkohen në një pikë: shfrytëzimi i temës së identitetit. “A ka nevojë të shkruaj në shqip për të rrëfyer Shqipërinë e sotme?- bën pyetjen retorike Anilda Ibrahimi.
I ka qëlluar shkrimtarës Anilda Ibrahimi të lexojë në shtypin shqiptar (online) sesi shqiptarët e fyejnë në komentet e tyre për zgjedhjen e italishtes si gjuhë letrare.

Ajo thotë : “Nuk ka asnjë akt tradhtie nga ana ime drejt gjuhës mëmë. Zgjedhjen time e shoh si përulje të një personi të ndërgjegjshëm që e do gjuhën e vet në atë farë mënyre sa të hiqet mënjanë duke thëne: unë s’jam në gjendje, ka të tjerë që e bëjnë më mirë se unë, Shqipëria ecën përpara edhe pa mua! Nuk jemi të pazëvendësueshëm…”(përfundon citati).

Kjo është revolta e saj në përballjen për së largu me lexuesin shqiptar. Ndoshta për këtë arsye ajo edhe Ornela Vorpsi refuzojnë vazhdimisht që librat e tyre të përkthehen në gjuhën shqipe.

Ëndërr për poeten shqiptare Kozeta Nushi-Alikaj është” Të publikoj shpejt librin në italisht.Do të desha që edhe Italia, që në të kaluarën i ka bërë keq Shqipërisë, të mbështesë futjen e saj në Bashkimin Evropian.Dhe grekët, që besojnë të jenë ortodoks, janë kriminelë dhe duhet të jenë të parët që të dalin nga Bashkimi Evropian.”(përfundon citati).

Kështu pohon Kozeta Nushi – Alikaj, një 40 vjeçare shqiptare, që po bën 10 vjet në Itali .Impenjimi i saj, interesi i saj i lartë për politikën, zbulohet menjëherë nga fjalët që zgjedh, nga argumentet që përcjell.

Në politikën shqiptare, po edhe në atë botërore, të gjithë flasin me fjalë të shëmtuara, që në fakt duhet të zhduken nga fjalori; populli nuk është injorant, është vetëm i lodhur, i dhembin veshët. Unë mendoj se të mirët janë pak dhe hiqen mënjanë, duke mos dashur të ngatërrohen në politikë. “

Kozeta ka lindur në Vlorë, e njohur në botë me portin e saj të rëndësishëm detar, po është rritur në Fitore.Është kristiane, ortodokse, po thjesht preferon të quhet bijë e Zotit. Dhe e prekur thellë në shpirt, e përlotur, me fjalët që i mblidhen lëmsh në grykë, shqipton me shpirt të plagosur: - Mendoj se Zoti e ka sakrifikuar Shqipërinë… Jemi të vegjël, po jemi shumë të fortë edhe pse për më shumë se 500 vjet kemi qenë të shtypur nën thundrën e të huajve. Jemi pak, por jemi si pikat e oqeanit.

Do të doja që edhe gratë të jenë të interesuara për letërsine ,politikën, në mënyrë që bota të përmirësohet.
Kozeta është e diplomuar në gjuhë ruse dhe gjuhë angleze. Ka bërë disa përkthime librash të rëndësishme, ka përkthyer Dostojevskin, Çehovin që ishin autor të ndaluar në Shqipëri, si dhe ka përkthyer autorë norvegjezë nga gjuha ruse.

Më i madhi pasion i Kozetës është shkrimi – më parë një dëshirë; tani që kam zbuluar impenjimin politik, është edhe një mision, - të cilit i dedikohet jo vetëm në shqip, duke publikuar në italisht, falë mbështetjes së Carlo dhe Marina Salvadorit.

Kozeta, se shpejti do të botojë në italisht librin “Një jetë e mbetur ëndërr“.

Tashmë në qarkullim është libri poetik i autorës Kozeta Nushi –Alikaj "Rizgjimi i ëndrrave"nga Shtëpia Botuese "Rugova Art"-Prishtinë,2014.

Kohë më pare shkrimtarija shqiptare përktheu për herë të parë në shqip novelen e shkrimtarit rus F.M Dostojevski “E drojtura”(Krotkaja) të cilën e botoi Shtëpia Botuese “Aferdita & Omsca”-Tiranë.

Shkrimtari i mirënjohur Dritero Agolli,thotë : "Kisha kohë pa lexuar dicka kaq të bukur, - Pylli ynë po rrallohet, e ti do te jesh trashëgimtarja e vërtetë dhe e denjë e ditëve që do të vijnë,… e pendës që di të shkruaj kaq bukur shqip",thotë Agolli për novelën e Dostojevskit “Krotkaja” e përkthyer nga Kozeta Nushi ,e cila ka studiuar në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, në Departamentin e Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike .

********************



Literatura e shfrytëzuar:

1.Bruqi,Flori:Libër-Guxim shqiptar,Prishtinë,2008.-402 faqe.:24 cm.-(Botues :Flomed, Bibloteka Lumi i Bardhë).ISBN 978-9951-415-03-3.

2. Bruqi,Flori:Libër -Polemika shqip,Prishtinë,2009.-228 faqe.:21 cm.-(Botues ;Rugova Art,
Biblioteka Feniksi) ISBN 978-9951-536-04-2

3. Bruqi,Flori:Libër –Olimpi shqiptar,Prishtinë,2009.-655 faqe.:21 cm.-(Botues ;Rugova Art,
Biblioteka Feniksi) ISBN-978-9951-536-03-5

4. Bruqi,Flori:Libër –Triumfi shqiptar ,Prishtinë,2010.-1084 faqe.:24 cm.-(Botues ;Rugova Art,
Biblioteka Feniksi) ISBN- 978-9951-536-12-7

5. Bruqi,Flori:Libër –Nëse kam ditur të guxoj ,Prishtinë,2013.-395 faqe.:21 cm.-(Botues ;Rugova Art,Biblioteka Feniksi) ISBN- - 978-9951-536-23-3

Etj.

Përtej portës së dhimbjeve


Nga Luljeta Progni
Kur hodha hapin e parë sapo u hap porta e kampit të Tepelenës, një ndjesi shumë e fortë më mbërtheu menjëherë. 69 vjet më parë atë portë e ka kaluar nëna dhe gjyshja ime, në kushte krejt të tjera. Padyshim që e lidh ndjesinë me rrëfimet që kam dëgjuar prej tyre. Rrëfime që s'të shqiten nga mendja dhe kur hyn tek ajo port mbart me vete edhe shumë dhimbje.
Ai kamp më trazon shpirtin shumë më tepër se sa kujtimet e nënës time. Kam dëgjuar shumë rrëfime për këtë copëz toke, që mban brenda saj shpirtra të trazuar fëmijësh, grash e të moshuarish.
Ndaj, atë ditë të 23 gushtit, kur u gjenda në mes të kampit, nëpër muret e kazermave të rënuara, filluan të më projektohen historitë e atyre njerëzve për të cilët ky vend ishte vetë Ferri.
Pëpiqem të hamendësoj ku kanë jetuar vuajtjet e tyre nëna, gjyshja... Hyj në një prej kazermave rrënoja... Gjej një qoshe dhe vendos ta përcakoj pikërisht aty vendin ku fjeti e drobitur nëna ime pasi kthehej nga puna, ku rënkoi nga lodhja e dhimbjet, nga uria. Përpiqem të komunikoj me atë qoshe ku bien rrezet e diellit që perëndon, duke krijuar imazhin e saj. Mundohem të kuptoj çfarë mendonte, për çfarë lutej... Ec pak më tej dhe vazhdoj të gjej një vend për Zef MarkunMarie TinajDjamant ZajminAge NdrethinënZyrha Prroin...ata fëmijë që nuk u kthyen kurrë nga ky kamp, e që nuk dihet se ku i kanë eshtrat. Është e rëndë të hysh në atë botë, të përpiqesh të inskenosh çfarë i ka ndodhur këtyre fëmijëve...
Largohem nga kazerma dhe përballë shoh Klara Merlikën.  Ajo po shëtit nëpër kamp. Është 84 vjeçe dhe nuk do t'ia dijë aspak për vapën e asaj dite gushti. I ka marrë me rradhë kazermat duke i vrojtuar. Është një rit që ajo nuk e bën për herë të parë. Kthehet atje thuajse çdo vit dhe i viziton të gjitha kazermat me rradhë, duke shkelur pëllëmbë për pëllëmbë tokën ku qëndroi për pesë vite, ku kaloi fëmijërinë mes urisë e vuajtjeve, ku pa me sytë e saj tek vdisnin bashkëmoshatarë e të moshuar. Vazhdon të lotojë papushim, derisa arrin tek kazerma e fundit, e pastaj tek porta.
Është ora 4 pasdite dhe kampi është thuasje i boshatisur, pëveç disa punonjësve që po bëjnë gati skenën për aktivitetin e mbrëmjes, ku do të mblidhen disa nga të mbiejtuarit dhe ku presidenti do të dekorojë katër prej tyre. Klara ka përfunduar vizitën e saj dhe unë timen. Të dyja kemi mbërritur në hijen e një peme, të lodhura sikur kemi ardhur prej një pelegrinazhi të gjatë nga një vend i largët.
Klara nuk pushon së treguari çdo moment historitë që jetuar vetë aty. Janë përjetime që të therrin në shpirt. Duke biseduar me Klarën na afrohet një burrë. Ulet aty pa e ftuar dhe nis të flasë. Nuk u prezantua veçse tha se ishte banor i lagjes dhe shtëpinë e kishte ngjitur me kampin. Kuptova se donte të bisedonte me Klarën. Biseda mes tyre nisi e qetë, po shpejt u tensionua. Banori i ri i kampit të Tepelenës kishte ardhur për debat me Klarën ose për të shtyrë kohën, me sa kuptova. Po i tregonte se koha që ai kishte kaluar në emigracion kishte qënë shumë më e vështirë se sa koha që kishte kaluar Klara dhe bashkëvuajtësit e saj në kampin e Tepelenës. Klara është shumë e tensionuar dhe e ka të vështirë t'i pranojë këto krahasime ndaj i kthehet me një ton disi të acaruar mysafirit të paftuar në këtë bisedë.
“Ti nuk ke qenë këtu kur ishim ne dhe s'ke si ta dish, por nuk mund të vësh në dyshim vuajtjet tona... Ata tepelenas që ishin këtu atëherë e kanë parë dhe e kanë ndjerë dhimbjen tonë... e kanë vuajtur bashkë me ne”...
Biseda sa vinte bëhej më e tensionuar dhe në një moment vendosa ta xhiroj me aparatin celular. Banori nisi ta qetësojë tonin dhe moderoi edhe gjuhën. “Kur erdha këtu të ndërtoja shtëpi nuk e dija se po shkelja mbi eshtra njerzish”...
Bashkë me kolegët e tjerë gazetarë morëm Klarën dhe u ngjitëm në qytet, aty ku po zhvilloheshin aktivitete të organizuara nga Autoriteti i Informimit mbi Dosjet e Sigurimit të shtetit. Drejtuesja e këtij institucioni Gentiana Sulaj dhe stafi i saj, kishin organizuar një sërë aktivitetesh mjaft interesante për ti kthyer në kujtesën e të mbijetuarve detaje të jetës në kamp. Në godinën e kinemasë është një ekspozitë me dosje të Tepelenës. Ka emra fëmijësh që humbën jetën atje ... Në sallë janë mbledhur të ftuar të ndryshëm, shumica të mbijetuarit e Tepelenës dhe të afërm të tyre. Pas takimit në kinema ata janë ftuar të shohin një aktivitet tjetër interesant: Në një kamion të ngjashëm me atë që kishte sjellë me përdhunë në Tepelenë të persekutuarit, do të hipnin disa të rinj që simbolikisht do të udhëtonin nga qyteti drejt kampit.
E para ëshë aktorja Ema Andrea, e cila ngjitet e emocionuar në kamion. Më pas arkitekti Gjon Radovani, për të cilin Tepelena është vendi ku vuajtën familjarët e tij, shkrimtari Agron Tufa, i cili është edhe drejtues i Institutit për Studimet e Krimeve të Komunizmit. Një tjetër vizitor në atë kamion është edhe Koordinatori i Perhershem i OKB-se ne Shqiperi, Brian James Williams. Në kamion ka shumë të tjerë, të rinj e familjarë të të mbijetuarve të atij kampi.
Lekë Pervizi e kundron me emocion skenën dhe natyrish përlotet ashtu si dhe e shoqja Beba, Klara, Prenga, Nika, Zoja, e shumë të tjerë të mbijetuar të atij kampi. Makina niset, ndërsa në sfond dëgjohet zëri i Mariza Ikonomit. Është duke kënduar vargjet e këngëve që të intenuarit kishin krijuar në atë kohë në kazerma. Janë fjalë dhimbje që Mariza i mësoi nga Klara Merlika dhe i këndon mes lotësh.
Të gjithë duan t'i dëgjojnë edhe njëherë fjalët e këngës... Të mbijetuarit i pëshpërisin ato pa zë...mes lotësh.
Kamioni ka ndalur. Edhe kënga. Ema zbret nga kamioni dhe thërret bashkëudhëtarët të zbresin njëri pas tjetrit për të shkuar tek ekspozita që është vendosur në muret e kazermave të kampit me fotografitë e dhimbjes, portrete që të flasin. Duket sikur secili prej tyre të thërret t'i afrohesh e ta dëgjosh....
Jam në rresht me të tjerë njerëz që po shohin fotografitë. Në krahun tim është një burrë i moshuar. Ndalon tek secila fotografi dhe herë pas here përlotet. Iu afrova dhe e pyeta se çfarë e lidhte me këtë kamp. "Kam jetuar këtu moj bijë. Isha 13 vjeç." fillon të rrëfejë Preng Mëlyshi, njëri prej mirditorëve që u internua në vitin 1949. E pyeta nëse në ato fotografi kishte dikë të familjes së tij. Më pas e ftova të me tregonte godinën ku kishte jetuar.
Më tregon se familja e tij nëna, motrat e vëllezërit kishin mbijetuar, por atje kishte mbetur djali i tezes së tij dy vjeç, Dod Markabiba.
Prenga endet nëpër njerëz në kërkim të shokëve të tij të mbijetuar të atij kampi.... Në mendje i vijnë herë pas here bashkëmoshtarët që mbetën atje, që nuk i mbijetuan vuajtjve.
Kur po intervistoja Prengën, përballë meje ndaloi një makinë dhe prej aty zbritën dy mirditore: Gjelë Gjikola e Mrika Gjikola, dy gratë mirditore që humbën vajzat e tyre të mitura në këtë kamp. Gjela dhe Mrika jënë shumë të moshura, mbi 90 vjeç, por nuk kishin hezituar aspak të vinin atë ditë në Tepelenë. Presidenti do t'i dekoronte pas pak, bashkë me Lekë Pervizin e Drane Jakajn.
Vazhdoj bisedën me Prengën, i cili ka dëshirë të më tregojë shenjat që i ka lënë Tepelena. Kur kishte qenë fëmijë kishte çarë këmbën nëpër telat e kampit në përpjekje për t'i shpëtuar një shpërthimi mine, ku kishte mbetur i vdekur një bashkëmoshatar i tij.
Bashkë me plagën Prenga na tregon edhe ditën kur kishte ndjerë më shumë ftohtë e uri, kur kishte ndjerë frikë.
...Nika dhe Zojë Bushgjoka, janë dy prej të mbijetuarve të kampit të Tepelenës. Janë fëmijët e Drane Jakajt, personazhi i një prej historive tronditëse të kampit të Tepelenës. Zefi, i biri i Dranes, vëllai i Zojës dhe Nikës, humbi jetën në Tepelenë. Dranja refuzoi ta lërë në Tepelenë birin e saj  dhe vendosi ta marë me vete ashtu të vdekur, gjatë rrugës së gjatë të kthimit për në shtëpi. Është një nga ato historitë në kufijtë e të pabesueshmes. E kam shkruar këtë histori dy vite më parë, kur ndërroi jetë Drane Jakja. Rrugëtimin e saj të tmerrshëm e ka kaluar edhe Zoja dhe Nika. Ata nuk duan ta kujtojnë atë më, sepse ka lënë shumë gjurmë në jetën e tyre. Ishin fëmijë të mitur.
Të heshtur, me lot në sy u rreshtuan krah bashkëvuajtësve të tjerë në sheshin e improvizuar në kampin e Tepelenës, sepse nëna e tyre do të dekorohej për kurajon dhe dinjitetin njerëzor nga presidenti i republikës, Ilir Meta.
Ka filluar të errësohet, aktivitetet kanë përfunduar dhe jemi ngjitur në qytet bashkë me të mbijetuarit e kampit. Në një prej tavolinave jam ulur me Nikë Bushgjokën të motrën Zojën dhe fëmijët e nipat e tyre. Diku afër është edhe Sokol Miraka. Shkova ta takoj dhe e ftova në tavolinën tonë. U takua me Nikën dhe filluan të bisedojnë për ngjarje interesante që gërmonin nëpër kujtimet e tyre.
Zoja mban mend nënën time që ka të njëjtin emër, kanë jetuar bashkë në kamp sepse ishin nga një krahinë, ndërsa Nika mban mend gjyshen time, Sofinë. E mban mend, sepse ajo kishte gjithmonë në dore rruzaret, me të cilat lutej papushim. Më rrëfyen se si shpesh kishte ndarë rracionin e saj me fëmijet e Zojës.
Të nesërmen në mëngjes, bashkë me kolegët e mi gazetarë shkuam sërish në kamp. Zbrazëti. Janë vetëm vazot me qiparisë. Ema Andrea dhe Gjon Radovani janë kujdesur të sjellin atje qiparisë për secilin fëmijë të vdekur në Tepelenë. Vendosa emrin e njërit prej tyre, Zyhra Prroi e cila ishte vetëm 2 vjec kur vdiq nga dizanteria në kampine  tpelenës.
Nisëm rrugën e kthimit, duke marrë me vete imazhin e atyre qiparisave stolisur me emrat e fëmijëve e duke përshpëritur lutjen “Jepju zot pushimin e pasosun”.
 Huazuar:https://kujto.al/pertej-portes-se-dhimbjeve/


Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...