2019-01-02

Prend BUZHALA: NGA LIRIKA E IDEALEVE TE LIRIKA E IDEVE (Vëllimi poetik “Ata që për liri u flijuan” i Milazim Kadriut)


Nuk është e vështirë për ta gjetur një emërues të përbashkët të poezive në vëllimin “Ata që për liri u flijuan” të Milazim Kadriut. Zaten, në këtë drejtim na ndihmon vetë autori: duke e ndarë vëllimin e tij poetik në dy cikle: “Ata që për liri u flijuan” dhe “Me rrezet e diellit në përqafim”. Milazim Kadriu, kësisoj, na i shpalos edhe dy makrotema lirike: atdhesinë, luftën për liri (i pari) dhe botën refleksive intime e atë të realitetit të përditshëm dhe atij historik (i dyti). Vijnë ritme të përgjakshme e sakrifice te cikli i parë, por vijnë edhe ritme të mprehta e të hapura të dendësisë së thënies lirike, herë-herë edhe të ndërliqshme, që provokojnë sfidat e përditshme të jetës e të etikës njerëzore, te i dyti. Vetë titujt e cikleve, si dhe qartësia e tillë e thënies lirike, sugjerojnë një botë ndryshe, të ndritshme, të trashëgimisë sonë shpirtërore, historike e nacionale, përgjithësisht vlerash humaniste universale; autori shkruan dhe krijon në atë që beson, ndryshe nga poetët tjerë refleksivë që këndojnë ankthin ekzistencial.
  1. Kuintesenca lirike e kuptimit të vetëflijimit për ideale njerëzore
Si do të këndosh për luftën në kohë paqeje?
Asgjë më shumë se sa të shprehësh ndjenjën e dashurisë ndaj atdheut dhe kombit tënd. Kësaj kërkese të kryehershme të lirikës së tillë, autori Milazim Kadriu përpiqet që t’i përgjigjet me shprehjen moderne, të dendur, të kontrolluar, për të mos e tepruar me hiperbolizimet, me tejlavdërimet apo me sforcimin e ndjenjës së tillë. Dhe, të këndosh për luftën nga perspektiva kohore e vendit të çliruar, do të thotë të këndosh për nderimin dhe kujtesën e përjetësisë së të rënëve, dhe ta kujtosh vitin më të vështirë e më sublimin në historinë moderne të Kosovës:
Luftë, furtunë, tmerr e gjak…
Acar e stuhi
Qëndresë e krenari.
Ngadhënjimi mbi armikun shekullor
Dëshmorët tanë lisa të pa rrëzuar
gjerdan në kohë e të paharruar.
(poezia “Njëmijë e nëndë qind e nëntëdhjetë e nëntë”)
Nëse nën kushtet e rënda të pushtimit ndjehej nevoja e forcimit të vetëdijes kombëtare; a thua, tani a ndjehet kjo nevojë?
Duke u përqendruar te termat e tilla të përkushtimeve lirike për të rënët, betejat dhe kujtesën e luftës çlirimtare, poeti dëshiron të na thotë se kjo vetëdije na nevojitet edhe sot për ta forcuar qenien tonë, për ta çmuar lirinë dhe sakrificën e djeshme, në mënyrë që e sotmja të jetë edhe më e ndritshme, mu ashtu si sugjeron cikli i dytë i këtij vëllimi.
Sakrifica për idealeve liridashëse, ka qenë kuintesencë e hershme e qenies njerëzore: dikur, në lashtësi, ajo nënkuptonte rivënien e marrëdhënieve mes njerëzve dhe hyjnive; më vonë kjo sakrificë mori përmasat e kuptimit të vetëflijimit për ideale njerëzore, shoqërore e nacionale, kuptimin e formës më të lartë të shërbimit ndaj kombit a bashkësisë përkatëse, si parimin më të lartë etik të mbrojtjes së njerëzve me liri të cenuar. Idealet janë ato që i kanë mbajtur njerëzit të bashkuar rreth një qëllimi, kurse plagët janë shenjë zgjimi:
Por një ditë mblodhe plagët
Dhe rrufeshëm je zgjuar
Ato ideale, prandaj, nuk shuhen as në kohë paqeje. Solidarësia, humanizmi, mbrojtja e shërbimi ndaj njerëzve, janë vlera njerëzore që jetojnë në secilën kohë. Secila kohë, prandaj, i ka edhe protagonistët e tillë. Franc Kafka do të thoshte: “Çdo ideal gjeneron sa më shumë shenjtorë si martirë.”
“Kush jeton për ideale të larta, ai duhet të harrojë të mendojë për veten”, thotë Anselm Feuerbach, piktor gjerman. Pikërisht ky postulat jetësor e artistik, merr përmasat e saj të së madhërishmes, si kategori estetike, edhe te kjo poezi.
  1. Zona ligjërimore poetike e ideve
Nëse cikli i parë është lirikë e idealeve, cikli i dytë shfaqet si lirikë e ideve. Te cikli i dytë poeti krijon zonën e tij ligjërimore, krijon dhe peizazhin e tij të ideve, sipas referencave të tij tematike motivore apo sipas të tjerave që sillen rreth egos së njeriut. Shqetësimet e poetit janë dhe shqetësime të kohës.
Folësi i tij lirik nuk vuan nga paqartësitë e brendshme, ai dhuron monologun e tij të shkurtër lirik duke dhënë kënaqësinë e një pritjeje, një përqafimi rrezesh, një takimi me vetveten; dhe aty gjendemi te një stacion i fundit apo te një ecje në jetë. Dhe, në këso rastesh, poeti këndon humbjet në jetë, baladat a braktisjet me tone prekëse:
Ëndrrën e bukur të natës
ma dogji rrezja e diellit.
Këngën e kënduar në fushë
ma fshiu era.
Fjalën e shkruar në letër
ma lagu shiu.
Hapin e hedhur në tokë
ma ndali balta.
E çka më mbeti,
ku është jeta!
Në është ajo dashuria apo qëllimet drejt një caku tjetër, nuk ka rëdnsësi. E rëndësishme është që folësi lirik gjakon më sublimen e kësaj ekzistence.
Porse ky folës lirik përcillet nga fantazmat, nga hijet e zeza; ai ka caqet e veta, kujtimet dhe udhëkryqet. Shqetësimet e brendshme ai i ka qetësuar me pjekurinë e gjakftohtësisë së viteve, kurse trishtimet e sulmet e tronditjeve të djeshme, ai i ka pikëzuar me aktin e qëndresës së dëshmorëve, luftëtarëve dhe popullit qëndrestar. Porse poeti i ka edhe matësit e tij të kohës, artikuluesit e synimeve të këtyre kohëve: aty spikaten ideale, qëndresë, realizim i qenies së lirisë, atdheut.
Poeti e ka bindjen se nëpërmes mediumit poetik mund të luftohet për një çështje madhore, universale apo thelbësore të jetës. Në vargjet e tilla, të stisura nga tensioni i brendshëm dhe nga angazhimi emocional, hasim dhe alternimin e meditimit dhe reflektimit, imazhit dhe pamjeve të brendshme.
Prend BUZHALA

Milazim Kadriu: PËRMES VARGJEVE KUJTOHET E KALUARA E POPULLIT TONË QË NGA PELLAZGËT-ILIRËT-DARDANËT… (Bajram Bashota “Plis e Flamur”)



Bajram Bashota “Plis e Flamur”, SHB “Lena” – Prishtinë, 2018

Milazim F. KADRIU

Pellazgë e Ilirë, Dardanë e Shqiptarë
Jetuam n’ trojet tona kurrë si barbarë
Bëmë lufta të përgjakshme me ruajt atdheun
Po patëm shumë prijës në krye me Skënderbeun
Këta burra e prijës të këtij populli e atdheu
Luftuan heroikisht si trim Skënderbeu
Me këto vargje hapet përmbledhja poetike “Plis e Flamur” e autorit Bajram Bashota. Edhe ky libër  sikur e tërë krijimtaria  e tij e deritashme e botuar, përmban në vete një botë të pasur me një përvojë të mirë në qasjen ndaj fenomeneve  të jetës, kombëtare e shoqërore si edhe të atyre të përgjithshme.
Bajram Bashota  qysh herët është marr me krijimtari letrare  dhe për lexuesit e viteve të 60-70 është emër i njohur ngase krijimtarinë  e tij lexuesi ka mund ta has  në revistat dhe gazetat që botoheshin  atë kohë  tek ne. Ndërsa me botimin e librave ka dal më vonë  e që libri “Plis e Flamur” është përmbledhja e tretë me poezi por që nga ai priten edhe botime tjera ngase në dorëshkrim ka edhe shumë krijime  që presin të botohen por ai krijon vazhdimisht edhe tani e sidomos poezi.
Ashtu si është në jetë Bajram Bashota, është edhe në krijimtari, pra ai gjithmonë ecë lirshëm dhe vertikalisht me besimin e fortë tek njerëzit, tek idealja. Ai gjithnjë është i çiltër, pa komplekse, pa paragjykime për njerëzit, pa bërë kurrfarë dallimi mes tyre, gjithnjë është përkrahës i së mirës , njerëzores, ndershmërisë, besës e tolerancë.
Në përmbledhjen poetike “Plis e Flamur”, Bashota ka skalitur poezi të frymëzuara për Bacë Adem Demaçin, Fazli Greiçevcin, Anton Çettën, Shqipërinë, Kosovën, Ilirinë, Besën, 28 Nëntorin, …
Poeti përmes vargjeve të tij kujton të kaluarën e popullit tonë që nga pellazgët-ilirët-dardanët, luftërat e zhvilluara për çlirim të vendit. Po ashtu ai përkujton prindërit, fëmijërinë, pleqërinë, thur vargje  për shtëpinë, vendlindjen, fshatin, qytetin, për llapjanët, …
Autori në këto poezi shpalos virtytet e brendisë shpirtërore me urti, këngë, lot, mall, … si pikënisje  eksplicite e orientimit frymëzues nga ndjenjat meditative krijuese.
Ashtu sikur edhe në përmbledhjet e botuara më herët, poeti vazhdon të shpreh botën e tij krijuese, duke e pasuruar në brendi me tema e imazhe nga aktualiteti, me kujtime nga e kaluara dhe aspirata për të ardhmen.
Përmes vargjeve të tij në këtë libër Bashota na dëshmon se e donë vendin, i donë njerëzit, e donë jetën,… Vargjet e tij  na vinë me shumë ngjyra, ngjyra të natyrës  dhe të shpirtit të tij poetik. Ai ka dashuri për vendin e tij dhe këtë e shpreh shumë herë në vargjet e këtij libri.
Besianë qytet i diellit
Rrokaqiejt tu e puthin qiellin
Këtë qiell të kaltër të Dardanisë
Vatër e besës e shqiptarisë
Përmes këtyre vargjeve Bashota ruan dashurinë dhe respektin për vendin e tij, për familjen dhe për njerëzit në përgjithësi.
Dashurinë për atdheun e ruan në thellësinë e shpirtit të tij si njërin  nga vlerat më të çmuara përgjithmonë.
Plis e Flamur
Nuk u ndanë kurrë
Janë mbjellë në gjak
Janë mbjellë në gurë
……………………
……………………
Me këtë plis të bardhë
E flamur kombëtarë
Me ta ju njohu bota mbarë
Si arbëresh e si shqiptarë.
Ky Plis e ky Flamur
Nuk u ndanë kurrë.
Autori në këtë përmbledhje sjell disa poezi me motive nga jeta, ku shkruan për ndjenjat, botën intime, emocionale që ka lidhmëni me jetën dhe për jetën.
Fëmijëri, e imja dashuri
Më e ëmbla e jetës-harmoni
Ti që më mbushe jetën
Plot dashuri
Ose :
O pleqëri e thellë pleqëri 
Mjeri ai që mbërrin tek ti
Ti ke veç një shpërblim
Mjaltin e bën pelin
Bashota poezinë e ndjenë brenda tij dhe jeton me të në çdo moment edhe në gëzime, hidhërime, shqetësime dhe këto që ndjen brenda i qet  në dritë që edhe të tjerët të ndjejnë poezinë e tij.
Ai është i dashuruar përjetësisht me fjalën e bukur poetike. Ai tashmë është njëzuar me të dhe nuk shqitet dot nga ajo, sepse e ka zbuluar mënyrën më të pëlqyeshme për komunikimin me veten dhe lexuesin.
Ja si shprehet ndër tjera në vargjet e tij kushtuar poetëve dhe poezisë :
Poetët dhe shkrimtarët
I dua dhe i çmoj
Po në rend të parë
Poetët atdhetarë!
Apo në vargjet e poezisë tjetër :
Poetët janë të zgjuar
Ditë edhe natë
Janë rojë e atdheut
Janë pallë e Skënderbeut
Që vringëllojnë mbi atdhe
Janë shkreptimë
Janë rrufe.
Autori përmes vargjeve të tij  shpreh revoltën për këtë gjendje të mjerueshme që po mbretëron në vendin tonë ku ka skamje dhe mjerim dhe shumë pak përpjekje për të ecë përpara e nganjëherë fitohet përshtypja se është harruar amaneti i të rënëve për liri. Ai godet fenomene dhe dukuri, që vijnë nga njerëz të caktuar dhe ai apelon që të mos dëgjohen ata por populli :
Popullin dëgjoni gjithmonë, o njerëz
mos dëgjoni premtimet ndër pushtetarë!
Dëgjoni vetëm zërin e popullit
I vetmi zë që s’është tradhtarë
Në  disa vargje  të tij poeti prek pjesë të  realitetit të dhimbshëm që po mbretërojnë në vendin tonë dhe për këtë ai shpreh revoltën e tij por jep edhe këshilla se si duhet të sillemi ne si popull e të mos pësojmë më atë që  kemi pësuar nga okupatori shekullor.
Besoni vëllait, mos i besoni shkaut
Armikut të përbetuar që tragjedi na solli
Si mos t’i besojmë vëllait po t’i besojmë shkaut
Atij që na bëri varr dhe hovin ende s’ e ndal
Edhe përkundër kësaj gjendje që mbretëron tani ai është optimist se do të vijnë ditë më të mira,do të fryjnë erërat e drejtësisë dhe demokracisë dhe tradhtarët do të dalin në shesh e do të marrin çmimin e merituar.
Do të fryjnë erërat e drejtësisë, të lirisë e të demokracisë
Katilë gjakpirës e tradhtarë do të dalin sheshit në livadh
Para popullit do të dalin lakuriq të përbuzur e kokë varë
Se s’ishin bij të popullit do të jenë të përbuzur gjithmonë tradhtarë.
Vargjet e Bashotës nga poezia në poezi janë të skalitura me një stil të nivelit të kënaqshëm me figuracione poetike, larushi rimash dhe metra të ndryshëm që kanë një vlerë të mirë artistike.
Andaj mund të  përfundojmë se autori Bashota në vargjet e këtij vëllimi  na sjell portretizimin e tij   në përmasa reale të ndjenjave, emocioneve dhe vëlimeve të brendshme, dhe kështu ai ia prezanton opinionit artistik e lexues pasionin e vet krijues!
                                                         Milazim F. KADRIU

Milazim Kadriu: VARGJE ME PLOTË PIKËLLIM, DHEMBJE E MALLËNGJIM (Nexhat Halimi “a vuan më pse nuk vuan”)


Nexhat Halimi “ a vuan më pse nuk vuan”, shtëpia botuese “fad” prishtinë, 2018

Milazim F. KADRIU

“ a vuan më pse nuk vuan
a të dhemb më pse s’të dhemb
a digjesh pse s’digjesh “
Me këtë përkushtin Nexhat Halimi e hap librin “ a vuan më pse nuk vuan” që është libër me poezi përkushtuese për nënën e tij me rastin e shkuarjes në amshim.
Nexhat Halimi është poet me talent të rrallë e kulturë të gjerë, që trajton një gamë të gjerë temash, motivesh, idesh e preokupimesh tematike.
Figura e nënës është mjaft e shpeshtë  në krijimtarinë poetike të poetëve të ndryshëm. Mirëpo te Nexhat Halimi portreti i nënës  pasqyrohet në një libër të tërë i cili është i konceptuar në  42 poezi apo njësi poetike dhe që të gjitha i kushtohen nënës së poetit. Përmes vargjeve të tij Halimi paraqet figurën e nënës së tij, një nënë tipike shqiptare. Këto poezi janë krijime të veçanta për jetën dhe vdekjen e që janë plotë pikëllim, dhembje e mallëngjim.
“ unë bima e gjakut tënd mitik nënë
marr frymë gjithnjë te molla e kuqe
e vdes në kokrra dheu në dumnicë ”
Përmes figurës së nënës që është një nënë  e zakonshme  por përmes vargjeve ajo ngritët në një krijesë mitike, nga një kohë në një kohë tjetër. Autori ka evokuar gjithë historinë  e nënës e që përmes saj evokohet gjithë historia e nënës shqiptare me të gjitha vuajtjet dhe sakrificat e kohës.
Këto evokime kujtimesh  autori Halimi i sjell përmes vargjeve  të bukura, kuptimisht të plota  e gjuhësisht të rrjedhshme e elokuente, ku asgjë nuk duket e tepërt si dhe asgjë nuk ka lëshuar pa thënë, gjithë atë që ndjen për nënën e tij tashmë të ndjerë.
Dhembja dhe pikëllimi për nënën është edhe më i thellë ngase ajo ka ndërruar jetë  larg vendlindjes.
“ krejtë çfarë të mbeti në amerikë qe hiç
qe veç ‘ i lule e thjeshtë e plastikës
ja pse provoje kaq vjet të ikje nga vetmia “
Nëpërmes vargjeve të tij autori kujton shumë ngjarje të kaluara bashkë më nënën, vuajtjet e asaj kohe, jetën në fshat që  nuk ishte aspak e lehtë.
Në shtratin e gjerë të vargjeve  të këtij libri rrjedh edhe dashuria  e autorit për vendlindjen e tij Dumnicën që tashmë ka pësuar shumë ndryshime nga koha kur ai ka jetuar aty.
“ dumnica e vrej ka trup e tjetër fytyrë
as rosujërat as vigu i muharremit asgjë
as një e vetmja gjë s’është e njëjtë
dumnica është shpirti lot i ngrirë nën qerpik’
…………………………………..
dumnica natyrisht është mekam i gjithësisë “
Autori evokon kujtime kur ishte nxënës  në fshatin Dumnicë dhe kur e përfundonte orarin ditor të mësimit në luadhe mblidhte lule xheneti dhe ia dërgonte nënës në shtëpi  që ajo pastaj në tufa i fuste në gota me ujë dhe ato lule e mbushnin shtëpinë me aromë të këndshme. Tash nuk i mbledh ato  lule ngase nuk ka kujt t`ia dërgoj, nëna nuk është më  të thithë atë aromë të këndshme të luleve të xhenetit të mbledhura në luadhet e dumnicës.
Autori në mënyrë sintetike  rrëfen jetën e nënës që në të kaluarën nuk është aspak jetë e lehtë. Vuajtjet dhe sakrificat qofshin fizike apo shpirtërore  nuk kanë qenë  të lehta por megjithatë  nëna ka arritur ta përmbush idealin, vazhdimësinë e jetës.
Nga poezia në poezi shumëfishohet dhembja për mungesën e nënës, e këtë e përjeton thellë autori ku ndër tjera në vargjet e tij shprehet :
“ pse s` do të vish me shprehi
 të më prekësh në netët e acarta
 a i kam këmbët të ftohta
 të më mishërosh me besim ”
Autori e ka vështirë të pajtohet me këtë të vërtetë që ka ndodh, pra me vdekjen e nënës. Ai këtë e ndjen rëndë shpirtërisht por i duhet të pajtohet me realitetin ngase gjërat nuk mund të kthehen më prapa, por dhembja është e madhe.
“ ai që lind vdes më përmend zëri yt i çelur
është fare kot të ndërroj diçka aty është kot
e lë zemrën te ti e ik rrugës së shkelur “

Xheladin A. Çitaku: STRUKTURIMI I NJË RELIEVI POETIK (Milazim F. Kadriu: ATA QË PËR LIRI U FLIJUAN)



“Ata që për liri u flijuan
Nuk vdiqën, pavdekësinë fituan.”
– Arti i përkushtimit ndaj vlerës, që shpëfraqet në aktet e nivelit të sublimitetit, siç është flijimi për kauzën e caktuar, për idealin e ngulitur si kërkesë e paevitueshme për çlirimin e energjive njerëzore, është i ravijëzuar në veprat e ndryshme që ngërthejnë dhe shtjellojnë këtë motiv. Duke u shtrirë në gjerësinë dhe thellësinë e frymëzimit, krijimet e tilla tabloizojnë në ngjyrime përkatëse këto veprime, këto gjurmë e vrragë, të cilat shihen dhe preken në pasojat e tyre, ndijohen e përjetohen si simbolikë shpirtërore, si monument që identifikon kohën, si mesazh që duhet transkriptuar në vazhdimësi. Orientimi eksplorues shpie në dramatikën jetësore, në lartësitë e heroizmës, prej nga dominohet realiteti dhe vëmendësohet aktualiteti, duke ripërtrirë kujtimet, duke rigjeneruar elanin për mbajtjen e nivelit meritor të piedestalizimit:
“Koha juaj
Ka veç lindje
Kurrë nuk perëndon…”
– Përmbledhja poetike e Milazim F. Kadriut qëndron në këtë linjë, shtegton në brendësinë e këtij motivi dhe pahëzon elemente, të cilat emërtojnë situata konkrete, ndodhi e sajime, për ta objektivuar akumulimin ndjenjor të autorit, për ta përvijuar emotivitetin dhe për ta artikuluar një këndvështrim artistik të ndërdijes së tij. Përqasja e tillë derivon një tufë poezishë ku akomodohet ndjenja e të qenit debitor ndaj veprave madhore, ndaj sakrificës dhe ndaj traseizimit të ëndrrave dhe ambicieve të një populli, ku vendohet simbolika përfaqësuese e identifikimit të këtij populli, ku mëtohet të përshkruhet dinjiteti i tij në thellësi të kohëve:
“Në sytë tu
Pash se po vjen dita e lirisë
E pash Flamurin kuq e zi
Duke valëvit i lirë në tokën e Arbërisë…”
“Që nga Iliria e lashtë
Brez pas brezi
Të gjithë trimat me radhë
Në kokë kanë bartur plisin e bardhë…”
– Vendi (trolli), liria, qëndresa, pavdekësia, heroikja e optimizmi gërshetohen në vargun e poetit, strukturohen në format dhe përmbajtjet e tërësive poetike, gjithnjë përmes shprehjes dhe mjeteve tjera të artit, si përques të ndjeshmërisë e imagjinatës në konkretësinë perceptuese. Ligjërimi i tillë interpretohet konformë gjendjes në realitetin përjetues dhe konformë konceptimit të këtij momenti nga receptori, të cilin në këtë rast e përfaqëson autori i poezive. Rrjedha e kujtimeve, përkujtimeve nxitë sensin e përkushtimit, duke evokuar kështu çastet, të bërat, figurat, dukuritë a fenomenet, të cilat duan të përjetësohen. Duket se këtë synon edhe autori i përmbledhjes, sepse shtrirja e shtegtimit poetik aspiron gjithpërfshirje të aspekteve, nganjëherë edhe të ngarkuara shprehimisht, apo duke mënjanuar ritmikën intonuese dhe konvencionalizmin, gjithashtu, në dobi të zbërthimit më të detajuar:
“Udhëtova me shpresë
Udhëkryqeve të botës
Etja që kisha
Askund s’u shua…”
– Veç kësaj, vargëzimi i Milazim Kadriut ofron edhe konstrukte refleksive, të cilat karakterizohen si rafinime të sajimeve kuptimore, ku ndërtohet projeksioni poetik në planimetrinë e stilizuar, të figurshme e të ritmizuar përshtatshëm me shprehshmërinë dhe ambiciet estetizuese. Potenciali krijues i autorit bënë zbrazjen e radhës, ofron atë që mund të cilësohet si individualitet në formatet e ndryshme të universit poetik. E tëra do ndjek rrugën e thjeshtësisë shprehimore, si veçanti që mundëson kapshmëri të lehtë nga lexuesi. M. Kadriu kombinon vargun, poashtu edhe rimën e ritmin. I dhuron hapësirë llojshmërisë së metrikës dhe ndryshueshmërisë së intonimit. Këto elemente e tipizojnë krijimin poetik si vargëzim të lirë në një reliev të valëzuar që pasqyron një realitet të transponuar në poezi. Involvimi përimtues në brendësinë e kësaj poezie sipërfaqëson një numër përcaktorësh të orientimit strukturor, të cilët kanë implikime konkrete në ndërtimin e kësaj strukture, siç është forma, tendencat stilistike, rrafshi leksikor, terminologjik (përmes emrave dhe emërtimeve), kuadri subjektiv (që përfaqëson adresimin e përkushtimit), nyancimet (si linja të shtegëtimit në semantikë), mundësitë autoriale në observimin konsumues të pëshkallëzimeve motivuese:
“Nëse kthehesh një ditë
Rrugës nga po shkon
Mos u çudit nëse shtegu është mbyllur
Dhe këtej s’ un kalon…”
Varietetë deklamuese në inskenimet e poetizuara të kohës, veprimit, ndjeshmërisë e realitetit në përgjithësi, përbëjnë koloritin e aspiruar të autorit, që në këtë mënyrë ta sisntetizojë tërësinë e ndërlikueshmërisë së jetës. Poetika e ofron këtë mundësi.
Milazim F. Kadriu i ofron opinionit letrar një formulim të ri të motivimit dhe frymëzimit, përmes kësaj vepre, duke shpërfaqur prap vazhdimësinë e përkushtimit të tij ndaj rrjedhave të përgjithshme, duke portretizuat interesimin e tij për çështje e aspekt, të cilat e furnizojnë me lëndë të parë artin poetik.
Xheladin A. Çitaku

Bedri TAHIRI: MEHË UKA, NJË KOLOS I RRUGËS ÇLIRIMTARE



Rikujtesë në përvjetorin e 22-të

Shala e Bajgorës, e gjendur në gardh me shkaun e pabesë, përherë çau shtigjeve të jetës me armë në dorë. Majat dhe shkrepat e këtyre tridhjetë e ca katundeve malore krenohen me trimëritë e Isa Boletinit, JahjaKutllovcit, BejtëSelacit, Kadri Bistricës, BislimBajgorës, AhmetSelacit, UkshinKovaçicës etj. Lule që nuk do të vyshket kurrë mbetet edhe dëshmori i epokës së re, Mehë Ramë Uka.
Trung i lashtë trimërie
Oxhaku i Bali Bajgorës, kishte bërë emër jo vetëm në Shalë, por edhe më larg. Kulla e këtij ushtari të hershëm  të  Lidhjes Shqiptare të Prizrenit shërbeu si karakoll vëzhgues e mbrojtës  nga barbaria e shfrenuar serbe. Në këtë trung të lashtë trimërie, bujarie e burrërie buloi edhe fidani i ri, Mehë Uka. Ai u lind më 20 dhjetor 1962 në Bajgorë. Mësimet e para i mori në vendlindje, e nga klasa e shtatë në Mitrovicë. Edhe vitin e parë të shkollës së mesme e kreu në Gjimnazin e Mitrovicës, kurse tre vitet e tjera i vazhdoi në Gjimnazin matematikor të Prishtinës. Ishte nxënës i shkëlqyeshëm dhe i dashur për të gjithë. Që në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare filloi të bashkëjetonte me hallet e mëdha të popullit të vet të përvuajtur. Bisedat e gjata me shokët e idealit dhe kontaktet me literaturën ilegale, me revistat: “Shqipëria e Re”,“ Bashkimi “ etj., dhe me veprat historike:“Shota dhe AzemGalica”, ”Hasan Prishtina” e ndonjë tjetër brumosnin edhe më shpirtin e trazuar të gjimnazistit militant.
Dhe, në fillim të vitit 1997, në këtë shkollë, u formuan grupet e para ilegale, që bënin shpërndarjen e kësaj literature dhe propagandimin e idesë për çlirimin e popullit të robëruar nga  zgjedha serbosllave. Aty ishte edhe Meha, bile ai ishte zemra dhe shpirti i aksioneve. Më 6 qershor 1979, në prag të vizitës së Titos në Kosovë, me dy shokë, në Mitrovicë, shpërndau parulla dhe mbishkrimin kuptimplotë: ”Trepça punon-Beogradi shfrytëzon”. Kjo i tmerroi armiqtë shekullorë dhe ua futi lepurin në bark…
Trimi i qetë, herë- herë, dinte edhe të shpërthente si vullkan. Profesorët i çmonte, por ndonjërit që merrte frymë qysh i diktonin nga lart, një ditë ua shkroi në dërrasë të zezë fjalinë: ”Profesorë të nderuar, ua tregoni të vërtetën nxënësve!” Tashmë shihej fare qartë se kishte filluar zgjimi i ndërgjegjes së popullit. Grupet ilegale kishin lëshuar rrënjë dhe shtoheshin çdo ditë. Trimin e ri nuk e tremben fare arrestimet dhe burgosjet e mëdha të vitit 1979. Ai luftonte për bashkimin e këtyre grupeve…
Çdo epokë i ka heronjtë e vet
Dhe, Pranvera e madhe  studentore ’81 djaloshin sypatrembur shaljan e gjeti të gatshëm. La mënjanë maturën dhe u vu në ballë të demonstruesve. Shpirti i tij luftarak shpërtheu vrullshëm më 26 mars dhe më 1 e 2 prill 1981. Paskëtaj nuk ndalet fare. Mjafton të përkujtohet aksioni të Shkolla Normale në Prishtinë, në fund të prillit 1981, kur me ca shokë vendosi telin në rrugë dhe vetura me policë u përplas në humnerë…Sakaq UDB-ja i bie në gjurmë dhe e dënon me dy muaj heqje lirie.
Në shkurt të vitit 1982, sërish arrestohet dhe dënohet me tetëmbëdhjetë muaj burg për veprimtari “armiqësore” dhe ngase ia kishin gjetur parathënien e librit “Këngët e lirisë”e materiale tjera të “ndaluara”. Pas daljes nga burgu iu nënshtrua provimit të diplomës, duke mbaruar me sukses të shkëlqyeshëm.Më pas e regjistroi Fakultetin e Shkencave Matematikore-Natyrore në Prishtinë, por gjendja e rëndë ekonomike dhe rrethanat e pavolitshme politike e detyruan ta linte përgjysmë.
Megjithatë, veprimtaria e tij atdhetare nuk pushonte fare. Përkundrazi. Arrestimet, bastisjet, burgosjet, torturat veçse e sforconin dhe e kalitnin. Zemra e tij që moti rrihte me ritme trimërie. Në kullën prej guri, të gjyshit të tij, Bali Bajgora, njeriut që me shtatë plagë në trup kishte jetuar 120 vjet, pa e lëshuar bajrakun e Shalës nga dora, kishte dëgjuar këngë e rrëfime për të pavdekshmit. Isa Boletini e AzemGalica ishin idolë të tij për luftëra e sakrifica. Nga femrat adhuronte tej mase Ajetën e DemëAhmetit (stërgjyshi i tij, Braha, kishte marrë pjesë në atë betejë, më 28 qershor 1811) dhe veçan Shotë Galicën, me emrin e së cilës e pagëzoi edhe të bijën e madhe…
Nga ky oxhak ishte edhe Behë Bajgora, luftëtari i shquar dhe anëtari i Komitetit Mbrojtja e Kosovës, i cili ra në luftë me xhandarët serbë. Madje, nga kjo derë fisnike, ishte edhe  trimi me nam, UkshinKovaçica-Bajgora.
Pra, Mehë Uka s’ishte rastësi, por vazhdimësi e natyrshme e një tradite shekullore. Edhe qelitë e burgjeve serbe ia kishin drojën viganit të Kreshbardhës. Në janarin e egër të vitit 1984, sa ishte në shërbim ushtarak, në Kumanovë, dënohet me shtatë vjet burg. Stoicizmi i tij u bë shëmbëlltyrë qëndrese në kazamatet serbe. I paluhatshëm nëpër hetuesi e besnik i përbetuar ndaj shokëve të idealit.
-”Unë dua të qëndroj, të luftoj e ta çliroj Kosovën!”- i kishte thënë drejtorit të burgut në Sombor, kur ai i kishte propozuar që të ikte, me qëllim që pastaj ta vrisnin. Pas amnistisë së prillit 1990, edhe Meha lirohet. Çdo epokë i ka heronjtë e vet, i thoshte vetes, dhe mblodhi mendjen e fuqinë. Me ca shokë formuan Unionin e Pavarur të Studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilin për pak muaj e udhëhoqi vetë. Por, shumë shpejt u tërhoq, sepse pa se pacifizmi nënshtrues e ngufaste çdo shkëndijë revolucionare. Mehë Uka ishte bërë halë në sy për armiqtë dhe bashkëpunëtorët e tij.
Puna e tij përcillej në çdo hap. Por, kot. Bashkë me Nuhi Berishën e Rexhep Malën nuk pushonin së vepruari në Partinë e Luftës. Gama e veprimit të tij ishte e pakapshme. E gjeje kudo, sa në Mitrovicë, sa në Prishtinë, sa në Drenicë, sa në Llap, sa në Prizren, sa në Ferizaj. Ideal i tij jetësor ishte çlirimi i trojeve shqiptare dhe bashkimi kombëtar. Me tërë qenien përpiqej t’i radhiste partitë politike në një front të përbashkët luftarak. Ai krijoi lidhje me dy bazat kryesore: me Drenicën (me Jasharët, Hamzën e Ademin) dhe me Llapin (me ZahirPajazitin). Edhe si mësues në vendlindje qe i palodhshëm. Ku ishte Meha, ishte mirësia, harmonia, dashuria, uniteti…
Acari që solli pranverën
Dhe,vitet rridhnin lumë. Trimi nuk ndalej. Punët i shkonin mbarë e mirë. Misioni i tij i shenjtë: bashkimi i forcave çlirimtare fare afër realizimit. Kjo ia bënte zemrën mal. Sa s’fluturonte nga gëzimi kur e mori atë rrugë. As bora, as acari, që të grinte si me shpatë, nuk e penguan dot.
Ishte 29 dhjetori 1996. Posa i kishte mbushur tridhjetë e katër pranverat. Ah, dhjetorët e tij, përherë të acartë! Edhe kur erdhi në këtë botë qe acar. Edhe kur u martua qe acar. Edhe sot kur po nisej për atë rrugë të mbarësisë bënte acar i vërtetë. Ama, atë nuk e pengonte dot. Një gjë e tillë i pengonte lugetërit që s’flinin kurrë, andaj turr e vrap për të kurdisur  prita e kurthe. Kësaj here, oguri i zi, i ra hise Lushtës. Obobo!!! Bora dhe acari u bënë dëshmitarë memecë të vrasjes tinëzare… Heshtja mbuloi qiellin e Kosovës martire…
Lajmi i hidhur e i shtrembëruar nga informacioni serb, se kjo ishte një fatkeqësi trafiku, tronditi dheun e shqipeve. E vërteta ishte krejt tjetërfare. Atë e vranë gjakatarët, sepse ai ua përgatiste varrin atyre. Dhe, krenaria qëndronte mbi dhembjen…
Varrimi i tij në Bajgorë, më 1 janar 1997, nuk kaloi në heshtje. Aty, me gjithë borën e madhe dhe policët e shumtë, kishte mbërritur e gjithë Kosova. Trupi i tij u paqësua në gjirin e tokës mëmë, shpirti i bardhë vajti në amshueshmëri, kurse vepra e tij mbeti udhërrëfyese për brezat e ardhmërisë. Emri i tij u nderua dhe u përjetësua. Brigada 141 e UÇK-së e ZOSH-it, që nga themelimi e mori emrin “Mehë Uka”. Sot me krenari e mbajnë këtë emër edhe Qendra e Studentëve në Prishtinë,edhe shkolla fillore në Bajgorë, edhe sheshi kryesor në Mitrovicë, ku  shkëlqen përplot krenari shtatorja e bukur prej bronzi, vepër e skulptorit akademik nga Tirana, z.MaksimMero. Është nderuar edhe me urdhrin “HERO I KOSOVËS”.
Dëshmorit Mehë Uka iu dhanë shumë Mirënjohje e dekorata nga QPK-ja,TMK-ja, nga Univesiteti i Prishtinës (“Student martir”), nga Shoqata e Invalidëve të UÇK-së etj. Për të janë shkruar monografi, janë thurur këngë e janë hartuar poezi.
E shoqja, Resmija, një bashkëveprimtare e rrugës së tij, në librin “Mall lirie”, pos tjerash shkruan:
Ç’fjalë do të kishte amaneti yt
Të jetoje vetëm një ditë lirinë
Që i dhe djersën, gjakun, rininë…
Ndërkaq, MiftarKurti shkruan:
Rrugëve, terrçarës të patëm dhe të kemi
Flamurtar mbi Kreshbardhë
Se djersë e gjak, o bajrak
për liri s’i kurseve
si lum ti!

Bedri TAHIRI

PËRUROHET NË VJENË ROMANI NË GJUHËN GJERMANE “1803” I AUTORIT BESIM XHELILI

 


Shkruan: Arben Gjinaj

Shkrimtari nga Tetova me banim në Vjenë të Austrisë Besim Xheli, të premten në mbrëmje, më 7 dhjetor 2018,  në ambientet e galerisë së artit “Der Kunstraum” në Vjenë, përuroi në gjuhën gjermane romanin “1803”. Ai tha se është në përgatitje edhe të vëllimit të dytë dhe të tretë të këtij romani, i cili në vitin 2016 u botua së pari në shqip, kurse në janar të këtij viti edhe në gjuhën gjermane dhe suedeze.
Në praninëebashkatdhetarëve të shumtë,përfaqësuesve të Ambasadës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Kosovës në Austri, krijuesve dhe dashamirëve të artit të shkruar, në Vjenë tëAustrisë u bë përurimi i romanit “1803” në gjuhën gjermane,të autorit Besim Xhelili.
Programin e këtij përurimi e udhëhoqi Kaltrina Durmishi,e cila ndër të tjera foli për një pjesë të biografisë së autorit.
Hapja u bë me një melodi të bukur në harpë,ekzekutuar nga Veronika Klavzar, dhe fill pas kësaj njëshkëputje nga romani e lexoi Time Durmishi.
I pranishëm ishte edhe vetë përkthyesi i këtij libri, austriaku Kurt Gostentschnnig i cili u paraqit me një vështrim mbi romanin. Ai shprehu fjalë të zgjedhura për këtë libër dhe sugjeroi lexuesit që ta lexojnë.“Gjatë përkthimit kam gjetur shpeshherë veten në pasazhe të ndryshme në brendi të romanit, ngase edhe unë jam njeri dhe kam qenë disa herë i dashuruar. Sugjeroj lexuesit ta lexojnë romanin, të njihen me një ngjarje dashurie, qëështë më shumë se dashuria vetëm mes dy personave, e të qenurit nën një kulm bashkë, e afërsisë fizike, dhe e cila kalon ndjenjat e dhimbjes, sfidon çastet e vështira të jetës, sepse ajo është një dashuri hyjnore, një pasion që s’përshkruhet dot me fjalë, njashtu siç e thotë edhe vetë autori në paratekstin e romanit”, tha z. Gostentschnigg.
Po ashtu rreth autorit dhe romanit “1803” foli edhe kryetariLidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri“Aleksandër Moisiu”,Anton Marku.“Libri është paksa mistik dhe flet për një dashuri në distancë. Libri komunikon mirë me lexuesin, është një tematikë moderne, sadoqoftë e trilluar dhe fitohet përshtypja se atë nuk e ka shkruar dora e autorit, por vetë shpirti i tij”, tha z. Marku.
Të gjithë ishin kureshtarë të kuptojnë se çfarë fshihet pas titullit të librit “1803”?! Me gjasë autori për këtë do të na shpjegojënë vëllimet e tjera të romanit. “Jam duke punuar për pjesën e dytë dhe të tretë të librit. Ka disa shenja edhe në pjesën e parë të kësaj trilogjie, ku mundet të paramendohet se ç’do të thotë titulli “1803”, por qëllimi është që lexuesi vetë të gjurmojë, të argëtohet gjatë leximit, mbase aty-këtu ta gjejë veten dhe të gëzohet me vazhdimin e ngjarjes në dy vëllimet e ardhshme”, tha autori nga Tetova me banim në Austri, Besim Xhelili.
Programi u përmbyll suksesshëm me pikën muzikore “Margjelo”, kënduar nga mezzosoprania Blerta Ismajli, përcjellurnë piano nga Vlora Jonuzi.
Përurimi i këtij libri është bërë në qytete dhe vende të ndryshme të Europës.Pronari i galerisë në qendër të Vjenës “Der Kunstraum”, z. Hubert Thurnhofer, vazhdimisht përkrah artistët, krijuesit dhe njerëzit e kulturës, duke lëshuar me një kompenzim të vogël objektin e tij tepër artistik dhe tërheqës për artdashësit. Ai gjithashtu e përgëzoi autorin Xhelili për romanin dhe i dëshiroi suksese të mëtutjeshme. Vlen të theksohet se botimin e romanit në gjermanisht, me një donacion e kanë përkrahur Ndërmarrja Publike “Wiener Linien” dhe Oda Ekonomike e Vjenës, gjersa përurimin e mbështeti Sektori për Kulturë(MA7) i qytetit të Vjenës. Autori u është mirënjohës dhe falënderues.
Shkrimtari Besim Xhelili përveç këtij romani është edhe autor i shtatë vëllimeve me poezi, si është prezantuar në disa antologji në shqip dhe në gjermanisht. Për vitin 2019 ka në prroces dy vëllime me poezi në gjuhën shqipe, një në atë gjermane si dhe shpresoj të mbarojë trilogjinë “1803”.
Në fund të programit për të pranishmit u shtrua një koktej rasti!

Shoqata e Artistëve Shqiptarë të Kroacisë “DEA” botoi përmbledhjen e 17-të me poezi nga Shanih Hasani – Shkoza (Shkruan Valentina Mrijaj)



Manifestimi “Kujtojmë poetin kosovar Shahin Hasani – Shkoza”

Shoqata e Artistëve Shqiptarë te Kroacisë – “DEA”, në bashkëpunim me Shoqatën Artistike Poetike “August Sheno” organizoi një manifestim përkujtimi në nderë të poetit shqiptar Shahin Hasani Shkoza. Shahin Hasani – Shkoza ishte poet kroato-shqiptar i cili ka shkruar në kroatisht dhe shqip, dhe ka botuar 16 libra me poezi. Ishte anëtar i shoqatës kroate “August Sheno” dhe si bashkëthemelues i Shoqatës së Artistëve Shqiptarë të Kroacisë, “DEA” si dhe nënkryetar deri në vdekje.
Në sallën e mbushur me dashamirë të poezisë, koleksionin e 17-të me poezi nga Shanih Hasani – Shkoza e publikoi Shoqata e Artistëve Shqiptarë të Kroacisë – DEA. Në eveniment u theksua rëndësia e bashkëpunimit të artistëve shqiptarë dhe kroat nga znj. Ljiljana Koci, kryetare e Shoqatës së Artistëve Kroatë të Kroacisë – Dea, e cila mes tjerash tha: “Arti dhe artistët nuk i njohin kufijtë. Arti është trashëgimia e të gjithë njerëzimit. Poezia dhe letërsia lidhin njerëzit, kapërcejnë paragjykimet dhe krijojnë një ndjenjë të mrekullueshme bashkimi. Poezia e Shanih Hasanit veçohet përmes vargjeve të shkruara me dashuri për atdheun e Kosovën si dhe të njëjtën dashuri e ka përshkruar përmes vargjeve dhe për Kroacinë.”
Ky manifestim organizohet çdo vit në bashkëpunim me shoqatën “August Sheno” si dhe në mbështetje të Këshillit për Pakicat Kombëtare të Republikës së Kroacisë, me kryetar Shuip Ziberi. Në eveniment përpos institucioneve dhe shoqatave shqiptare e kroate, morën pjesë edhe familjarët e të ndjerit Shanih Hasani – Shkoza: gruaja, vajzat, nipërit, mbesat, si dhe shumë miq e dashamirë.
Valentina Mrijaj

Ndërrimi i motmoteve, ripërtëritje e dashurisë vëllazërore

                   Kërko brenda në imazh                 Nga :  FLORI BRUQI  Për të festuar Viti i Ri 2025 , ja disa urime që mund të ndani ...