2019-06-27

NUK DUA TË NJELL ZI, POR.....

Rezultate imazhesh për frank shkreli

Nga Frank Shkreli

Shumë vërejtës dhe ekspertë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, e konsiderojnë gjëndjen e sotëme politike në Shqipëri, por edhe në Kosovë dhe si rrjedhim edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, ndoshta si periudhën më të rrezikshme ç’prej shembjes së komunizmit e këndej dhe ç’prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, 10-vjet më më parë. Shpresat ishin të mëdha për shqiptarët kudo, se me rrëximin e Murit të Berlinit, historia -- më në fund -- do t’i ishte më njerëzore ndaj tyre dhe do t’i trajtonte shqiptarët, si komb, më mirë në të ardhmen e tyre.

Dhe pse jo! I shkatërruar nga dy luftërat botërore dhe pothuaj gjysëm shekulli i vuajtur nga komunizmi i imponuar sllavo-aziatik, kishim shpresë se ja më në fund erdhi rasti dhe mundësia për një ri-mëkëmbje të vërtetë të Kombit shqiptar në fillim të shekullit 21. Madje disa prej nesh e kishim shpallur shekullin 21, si “Shekullin e Shqiptarëve”. Megjithë pengesat në rrugën e shtet-ndërtimit gjatë këtij tranzicioni -- me rënjen e komunizmit -- Shqipëria siguroi më në fund lirinë dhe demokracinë e mohuar nga komunizmi për disa dekada. Kosova, pas vuajtjeve e sakrificave shpesh mbinatyrore nga ana e shqiptarëve çlirohet nga zgjedha komuniste sllavo-serbe dhe pas një shekull robërimi, vrasjesh e shpërnguljesh të detyruara, nisur nga ideja serbe e spastrimit etnik të Kosovës dhepas krimeve çnjerëzore nga forcat serbe kundër shqiptarëve, siguron mbështetjen ndërkombëtare dhe çlirohet më në fund nga fashizmi serb, duke shpallur pavarësinë e saj, sot për sot të njohur nga më shumë se 100-vende nga mbarë bota, përfshirë vendet më të rëndësishme perëndimore.

Është një skenë në rrjedhën e historisë së shqiptarëve, që patriotët më të shquar të Kombit, megjithse do ta kishin dëshiruar, ndoshta nuk mund ta kishin paraparë: shqiptarët ndonëse, fatkeqsisht, të cunguar dhe të ndarë gjeografikisht gjatë shekullit të kaluar,megjithëse jo të bashkuar në një shtet – aktualisht janë me dy shtete. Të lirë për të vendosur vet fatin e vet nën një sistem demokratik dhe të lirë, të udhëhequr nga vet shqiptarët -- nën hijen e madhe gjithpërfshirse të Flamurit të Gjergj Kastriotit-Skenderbeut.

Megjithë këto bekime të cilat i gëzojnë sot shqiptarët, diçka nuk po shkon mirë. Në të vërtetë aq keq po shkojnë punët në trojet shqiptare, si rrjedhim i veprimeve ose mosveprimeve të politikanëve aktualë, sa që vet shqiptarët përpiqen t’i bëjnë ball kësaj situate tragjike duke kërkuar rrugëdalje. Shqiptarët, të papërgatitur për tu përballur me këtë ngërç politik dhe me korrupsionin që ka prekur nivelet më të larta shtetërore, kanë vendosur të largohen, legalisht dhe ilegalisht, nga trojet mijëra vjeçare të tyre, pothuaj në përmasa biblike. As armiqtë më të përbetuar të shqiptarëve nuk kishin mundur të parashikonin kurrë një shpërngulje të tillë të shqiptarëve nga hapësirat e tyre gjeografike.

Thuhet se rrallë kund mund të ketë një klasë politike më të ndarë dhe më të pëçarë se klasa e sotëme politike e shqiptarëve – në të dy anët e kufirit – të pakën jo në Evropë, pjesë e të cilës pretendojnë se duan të bëhen. Çdo ditë jemi dëshmitarë të një shembulli ose një tjetri -- konfliktesh personale e partiake, konflikte këto që po prishin jo vetëm rendin shoqëror dhe politikën e mbrendshme, por edhe marrëdhëniet historike të Kombit shqiptar me miqët, për mbështetjen e të cilëve shqiptarët kanë gjithnjë nevojë. Jemi dëshmitarë të një mungese të lidhjes aq të nevojshme morale dhe patriotike, jo vetëm midis përfaqsuesve të kësaj klase politike me njëri tjetrin, por mbi të gjitha, shohim se shumicësi mungon gjithashtu edhe përgjegjësia politike dhe morale madje edhe ndaj Atdheut dhe Kombit – një përgjegjësi kjo për të cilën ata janë betuar se do ta përfillin si përfaqsues të zgjedhur të këtij populli.

Sot për sot, shqiptarët kanë aq shumë probleme me të cilat përballen. Unë do të dëshiroja të njell mirë për rrjedhën e zhvillimeve politike të Shqipërisë, të Kosovës dhe për të ardhmen e mbarë shqiptarëve. Por, problemet që, kryesisht, janë të vet-shkaktuara nga një klasë politike që vetëm shikon interesat e veta politike dhe partiake, në kurriz të problemeve me të cilat përballen shqiptarët – është vështirë të zgjidhen ndërsa vazhdojnë përçarjet dhe konfliktet aktuale politike midis pozitës dhe opozitës në Shqipëri dhe në Kosovë.Kështu, të ndarë e të përçarë, sfidat dhe problemet vetëm shumëfishohen dhe zgjidhja e tyre bëhet edhe më e parealizueshme. Prandaj, si rezultat i gjendjes së krijuar,është i nevojshëm një fillim i ri politik, me njerëz të ri dhe ide të reja. Mbi të gjitha bota shqiptare, jo vetëm që ka nevojë për një përtëritje politike, por për më tepër ka nevojë edhe për një ripërtëritje morale dhe shoqërore në të gjitha nivelet e jetës – jo vetëm në politikë, por në të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore.

Kemi nevojë gjithashtu edhe për politikanë që, mbi të gjitha, e duan Shqipërinë dhe të cilët punojnë për të mirën e saj dhe të gjithë shqiptarëve pa dallim. Ekziston nevoja të kemi politikanë që mendojnë dhe punojnë për Shqipërinë, se për botën ka kush mendon. Shqipëria dashurohet duke i ruajtur nderin e saj dhe emrin e mirë të shqiptarëve, mbrenda dhe jashtë vendit. Mbështetja dhe mbrojta e kriminelëve dhe e të korrupturave nga përfaqsuesit më tëlartë të qeverisë nuk është as dashuri për Atdheun as ndonjë akt heroik, me të cilin mund të mburret kush. Përkundrazi, me këto akte po ia nxini fëtyrën Shqipërisë dhe Shqiptarëve, si asnjëherë më parë – sidomos në nivelin ndërkombëtar dhe në radhët e atyre që me të vërtetë ruajnë ndjenja pozitive për Shqiptarët në përgjithësi.

Nuk dua të njell zi, porpa dashuritë vërtetë ndaj Atdheutdhe pa respekt përnjëri tjetrin -- pa i shtrirë dorën edhe kundërshtarit politik -- nuk ka zgjidhje të problemeve aktuale politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri dhe as nuk ka dalje nga ky qorrsokak, në të cilin e keni hedhur vendin. Por çka është edhe më keq, si rezultat i këtyre konflikteve të vazhduesheme, bashkjetesa kombëtare bëhet shumë më e vështirëmidis shqiptarëve, kur të merren parasysh konfliktet aktuale politike në radhët e partive dhe të politikanëve shqiptarë.

Larg nga këta njerëz që me qëllimet e tyre të errëta po cenojnë në thelb vëllazërimin kombëtar midis shqiptarëve dhe të cilët po e çojnë vendin në prag të një gremine. Larg nga ata që duan të krijojnë një Shqipëri sipas qejfit të vet, ku duan të jenë – vet ali e vet kadi -- vet shkruaj e vet vulos. Në vend të këtyre, sot për sot, kemi nevojë për individë – si në politikë ashtu dhe jashtë politikës –për individë që kanë mundësitë dhe dëshirën që të mbjellin – jo përçarje, ndasi e konflikte -- por harmonizim midis mendimeve dheideve të ndryshme në radhët e shqiptarëve. Persona që,duke marrë parasysh debatin e sotëm në median shqiptare të përfaqsuesve të elitës shqiptare–fatkeqsisht, nuk shihen kund në horizont. Kjo është edhe arsyeja për pesimizmin tim, përball gjëndjes aktuale në Shqipëri, sepse nuk është vetëm politika që është mbërthyer në një konflikt të pazgjidhëshëm, por duket se e mbarë shoqëria është e ndarë dhe e përçarë, sipas vijave të caktuara nga politika.

Enver Bytyçi: Retorika hitleriane e milosheviçiane e Edi Ramës!



Rezultate imazhesh për enver bytyqi

Në takimin elektoral të zgjedhjeve parti-shtet të 30 qershorit në Përmet, Edi Rama deklaroi - “Nuk ka më që Partia Socialiste të merret zvarrë nga Sali Berisha dhe ne të hapim rrugë. Partia Socialiste nuk është më ajo që kemi parë deri tani që i hap rrugë budallait. Që socialistët të bëjnë 1 milimetër mbrapa dhe të heqin dorë nga rruga e tyre, kjo nuk bën më vaki kurrë”. https://tvklan.al/rama-socialistet-nuk-bejne-1-milimeter-m…/

Kjo thirrje për luftë, e lansuar në qytetin e paqes të Përmetit, nuk ka tërhequr sa duhet vëmendjen e opinionit publik në atë masë sa do të duhej. Në fakt, konfliktet e mëdha e të vogla lindin dhe zhvillohen përmes retorikave të tilla, si ajo që Edi Rama deklaroi më 24 qershor në Përmetin e vëllezërve Frashëri.

Diktatorët fillimisht bindin veten dhe fansat e tyre për atë se ‘E drejta qëndron në anën e tyre’! Më tej, ushqejnë ndjesinë se ‘Bota që i rrethon është armiqësore’! Si të tillë, të rrethuar gjithandej nga ‘armiq’, diktatorët shpallin platformën e ‘Të qenit viktimë’. Viktimë e kujt? E armikut përballë! Të njëjtën kurbë sjellje dhe retorike po përdor kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, që të ‘justifikojë’ dhe mobilizojë mbështetësit e tij për t’u aktivizuar në mbrojtjen e diktaturës së 30 qershorit.

Por kësisoj kishin vepruar edhe Adolf Hitleri dhe Sllobodan Milosheviçi.

Të njëjtën retorikë ka përdorur gjithashtu Vladimir Purin në rastin e pushtimit dhe aneksimit të Krimesë. Të gjithë këta kanë përzgjedhur grupimin njerëzor prej të cilëve donin mbështetje si dhe kanë adresuar armikun përballë. Hitleri në programin e partisë së tij NSDAP shkruante me të njëjtën frymë si Edi Rama. Ka vetëm një ndryshim – Rama u drejtohet socialistëve për t’i mobilizuar kundër pjesës tjetër të popullit. Hitleri u drejtohet gjermanëve që të mobilizohen kundër popujve të tjerë. Hitleri në atë kohë shkruante. ‘Ne do të ngrejmë një shtet nacional, ku të bëjnë pjesë të gjithë gjermanët. Të gjithë, ata të cilët janë të gjakut gjerman, por që jetojnë si danezë, polakë, çekë, italianë apo francezë, duhet të bashkohen në perandorinë gjermane’. Shkurt, gjermanët duhej të bëheshin gati e të mobilizoheshin në një luftë të hapur kundër shteteve përkatëse. (Gottfried Feder, Das Programm der NSDAP und seine weltanschunlichen Grundgedanken, Muenchen 1932, S. 42).

Mbas Luftës së Dytë Botërore këtë skemë e përdori Milosheviçi në periudhën e fundit të ekzistencës së Federatës Jugosllave. Në vitin 1989, ai u tha serbëve në Kosovë se ‘Kudo ku jetojnë serbët dhe ndodhen varret e tyre quhet Serbi’ (Michael Weithmann – Krisenherd Balkan, Urspruenge und Hintergruende des aktuellen Konflikts, Muenchen 1992, S. 1990. Më tej Milosheviçi do deklaronte se ‘Serbia ose do të jetë e madhe, ose do të shuhet fare’. (Holm Sundhaussen – Der Kosovo-Konflikt, Muenchen 2000, faqe 83).

Ndërsa Vladimir Putin në justifikim të aktit të tij për aneksimin e Krimesë thoshte se ‘Rusia është përgjegjëse për mbrojtjen e të gjithë rusëve që jetojnë jashtë kufijve të saj’!

Në të njëjtën logjikë shkon gjithashtu deklarata e kryeministrit shqiptar bërë në Përmet. Të gjithë këta kanë një sindrom të përbashkët – viktimizimin. Siç shihet, Rama fajëson Berishën dhe demokratët për ‘persekutimin’ e socialistëve dhe kërkon që ata të bashkohen rreth tij për të luftuar kundër demokratëve dhe opozitës. Nuk i mjafton që aktin e hakmarrjes ta kryejnë policët, prokurorët dhe gjykatësit mercennarë të tij. Dëshiron të mobilizojë shqiptarët kundër shqiptarëve, duke e çuar vendin në një konflikt civil të drejtuar prej tij.

Edhe Hitleri kërkoi bashkimin e gjermanëve rreth tij duke përdorur sundromin e viktimizimit nga vendimet e padrejta te Konferencës së Parisit në vitin 1919, menjëherë pas Luftës së Parë Botërore. Ndërsa viktimizimi serb është i njohur dhe i pranuar gjerësisht nga opinioni publik ndërkombëtar, sindrome që është përdorur për mobilizimin serb kundër shqiptarëve dhe popujve jo serbë në Ballkan. Dhe po ashtu Putin, e sheh viktimizimin e vendit te tij te dezintegrimi dhe shpërbërja e perandorisë sovjetike dhe kërkon rikthimin e fuqisë së dikurshme.

Edi Rama gjithashtu e sheh viktimizimin e tij e të socialistëve te shembja e diktaturës komuniste. Ndaj duket se kërkon ndëshkim për Sali Berishën dhe demokratët për shkak të kontributit të tyre për përmbysjen e sistemit komunist të sunduar me grusht të hekurt nga Partia Komuniste, trashëgimtare e së cilës është Partia Socialiste. Edi Rama kërkon të garantojë socialistët se vetëm ai mund t’i udhëheqë ata drejt pushtetit për të përjetësuar ‘të drejtën e humbur’.

Deklaratat e Ramës janë të lexueshme dhe kërcënuese. Ato frymëzohen dhe frymëzojnë epërsinë e rracës ideologjike të socialistëve mbi modelet e tjera në një shtet pluralist e demokratik në Shqipëri. Në emër të rracës ariane e gjermane, Hitleri shpalli luftën kundër popujve të tjerë në vitet 1938-1945.

Në emër të rracës ‘superiore’ serbe liderët serbë udhëhoqën fushatat asgjësuese të shqiptarëve . Në emër të epërsisë dhe krenarisë ruse e sovjetike, Vladimir Putin po udhëheq fushatat e dhunës e pushtuese në shtetet fqinjë të tij. Dhe po ashtu sipas Ramës, ‘Rraca e socialistëve është rraca e përzgjedhur për të qeveris Shqipërinë’, ndërsa rraca e demokratëve dhe të tjerëve na qenka një rracë inferiore, e ‘paaftë’ të ushtrojë pushtetin në emër të sovranit. Akoma më keq, ai bën thirrje për mobiliyim total e vetmbrojtje me armë e me force.

Retorika e tillë përçarëse e Edi Ramës, nëse lejohet e mbështetet nga militantët e tij, do të ketë pasoja të rrezikshme për ekzistencën e kombit tone, të shtetit tone, të shqiptarëve në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Zaten shenjat e kësaj katastrofe kanë filluar. Numri i azilkërkuesve nga Shqipëria në vendet e BE-së në katër muajt e pare të këtij viti është trefishuar krahasuar me ë njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo është pasoja e pare e retorikës sipas modelit ‘NE dhe ATA’ të Edi Ramës. Por pasoja të tjera më tragjike do të sjellë kjo retoorikë. Në fund të fundit kemi parasysh trashëgiminë e kësaj retorike nga Hitleri dhe Milosheviçi. Kjo trashëgimi është e mjaftueshme për të parashikuar pasojat e retorikës përçarëse të Edi Ramës!

Tiranë, më 26.06.2019

Nga Fritz RADOVANI: PSE MBYLLEN DISA KAPITUJ ?!


Rezultate imazhesh për daniel gazuli

Daniel GAZULLI per të gjithë ata që mërrijten me e njoh afer asht i paharrueshem!

Jam shumë i sigurtë se kjo thanje perfshinë në gjiun e vet edhe armiqtë e Tij... E koha tregoi se nuk ishin kenë aq pak sa kujtonim na të pakten, para kater a pesë vitesh.

Atëditë para se të nisej per Itali, prej kah nuk u kthye ma.., patme bisedue në telefon dhe mbas kthimit, projektet e Tij perfshinin disa fusha shumë interesante shkencore per të cilat Danieli, jo vetem ishte kompetent, po edhe kishte përgatitë mënyren e shtjellimit.

Ajo temë që Danieli trashigonte edhe nga të Parët e vet të Nderuem ishte Gjuha Shqipe!

Shumë mund e djersë kishte derdhë mbi letrat e veta dijetari Daniel Gazulli!

Nuk jam tue folë per Don Nikoll GAZULLIN e Madh! As per Don Gjon GAZULLIN e varun në litar nga Ahmet Zogu! As per shumë Gazullorë që njohim vetem si Emna...

Po, jam tue folë per Dijetarin e vonë të fillimit të Shekullit XXI, të Lezhës, qytetit ku afer shtëpisë së Tij ishte Streha e fundit e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut, per të cilin edhe tashti Ushtari Daniel Gazulli, ishte gati me sakrifikue edhe jeten e vet, VETEM mos të shuhet GJUHA E VERTETË SHQIPE, per të cilen Nana e Tij, i kishte mkue dashuninë e pakufi, një trashigimi e vertetë e Bashkëkohësve të Kastriotit. Dhe, hyna tek kjo temë që Danieli jo vetem e njihte shumë mirë, po edhe kishte punue per temen e asaj kohë që kishte ngecë.., tek “Kodifikimi i Gjuhës Shqipe”, punim per të cilin më foli atëditë e që nuk u persërit kurrma prej Tij, se Miku im Dijetar, mbylli shumë shpejt edhe jeten...

Gegnishtja e Veriut të Atdheut Daniel Gazulli, nuk ishte një Gjuhë e palatueme dhe e pa krypë nder botimet e njohuna nga Dijetarët e Gazullorëve, po të pakten kishte mbi tre ose kater mijë vjetë që ishte e njohun nga shkenca e vertetë e Gjuhës sonë...

Edukata e gershetueme me kulturen disa shekullore tek Dijetari Daniel Gazulli, tue u keqkuptue sot nga pseudoakademikët, ka mbyllë tek Shkenctarët e Gegnishtes disa nga kapitujt e domosdoshem per studim dhe ecje perpara në fushen e Gjuhës Shqipe.

Unë po Ju paraqes vetem fillimin e një punimi shkencor të Dijetarit Daniel GAZULLI:

Daniel Gàzulli: Dhunimi i Gjuhës Shqipe

Shqipja e Dhunueme - Hymje e Trishtë

- Para TVSh

Jam para një stacioni televiziv të Tiranës. Ndjek fundin e lajmeve e mandej një pjesë të koncertit në vijim të tyne. Ndjehem i lodhun e i trishtuem.

Folësi i lajmeve shprehet si të ishte një i huaj që me mundim ka arrijtë me e kapë disi shqipen, por gjithësesi asht ende i pasigurtë. Fjalitë janë gjithë “qoshe”, me një renditje të gjymtyrëve pa kurrëfarë logjike, thekset çvendosen sa andej këndej pa pikë kriteri, mbrapashtesat janë krejt të pavend, fjalët e hueja, që nuk rrinë kurrëkund në kontesktin e lajmit, vërshojnë e përbaltin shqipen mjerane të djaloshit të “pispillosun”, një “inglishmeni” tipik, që, prej se nuk di shqipen, e përmbytë me barbarizma, si i gjithë lloji i tij hibrid.

Mandej i vjen rradha koncertit. E drejton një vajzë, që, po të mos fliste, do ta kishte anda me e kundrue. Po nis e flet e atëherë të mbërthen prap ai trishtimi i parë. Në “shqipen” e saj ka vetëm ndonjë nyje, ndonjë mbrapashtesë... turke e… një mjerim të pafund gjuhësor. Vërshojnë “prestigjoz” e “famoz”, “shyqyr” e “grazie”, përemna të pakufijshëm në vend të vetorëve, fjali mungesore që u mungon edhe kumti ma i thjeshtë, nëndialektalizma të nxjerra nga syndyqet e gjyshes dhe O.K...

Nuk ka vend me thanë “Fale, Zot, se nuk di çka ban”.

Marr pultin e kaloj tek një stacion kosovar. Të duket sikur gazetarja e ka harrue serbishten e po përkthen me vështirësi, aq shqipe të përçudnueme flet. Sa për toponimet e omonimet nuk merr as mundimin me i përkthye pse i shqipton serbisht. E me iu përshtatë “standardit”, flet një labçe të rreshkun si të Malo Smokthinës.

Shuej televizorin e rri e mendoj. Po s’ke pse mendohesh gjatë. Kjo vorfni gjuhësore, pa dyshim, ka dy shkaqe:

-Vorfnimi që i bani shqipes famëkeqi Kongres i Drejtshkrimit i vitit 1972, që i preu arterie e vena, i këputi mish e i shpuploi koca, e degdisi në një fosile të ngurrtësueme që s’asht as tosknisht, jo ma shqip;

-Një lloj i ri “inglishmenësh” të Tiranës e Prishtinës, “zengjinë të ri”, që kanë gazeta e televizione, kanë vajza të bukura, që i veshin (o ma mirë - i xhveshin) “allafranga” e u venë një mikrofon në dorë edhe pse veçsa “nuk i le hunda me hangër bar”, si thonte im atë, aq berr janë.

1. Po përse u dhunue shqipja?

“Edhe ta kishim në dorë s’jemi nga ata që kllasim gjindarmërinë në fushë të mendjes” Faik Konica

Përgjigja asht e thjeshtë: Në vazhdën e tragjikes “luftë e klasave”, zbatue skajshëm si askund tjetër në Shqipni, sa çoi në tjetërsimin e njeriut, nuk duhej lanë gja pa provue: aty edhe gjymtimin e gjuhës shqipe, largimin e saj prej rrajëve pellazgo-iliro-shqipe, vofnimin e saj aq sa të mos të mund të lexoheshin e të kuptoheshin ata që na lanë trashigiminë ma të shtrejtë gjuhësore e kulturore, prej Buzukut te Fishta, shkëputjen prej kulturës europiane pjesë e së cilës jemi që në ag të historisë njerëzore, përçamjen në mes krahinave e besimeve, të gjitha këto veç me muejtë me mbajtë ma lehtë sundimin gjakatar.

Si çdo komb, si çdo popull, edhe na kemi vlerat e të metat tona. Por nëse kemi tri dukuni për të cilat vërtetë mund të krenohemi, ato janë:

-Jemi populli i vetëm në Europën Jugore e ma gjanë që trashëgojmë një gjuhë që i ka rrajët qysh para se të shfaqeshin në histori Roma, Athina e vetë Troja;

-Jemi ndër popujt e paktë që nuk patëm kurrë përplasje e urrejtje në mes krahinash;

-Jemi ndër të paktët popuj, aty edhe popuj të quejtun “djepi i qytetnimit”, ku nuk ka pasë kurrë as ma të voglin konflikt ndërfetar.

Po kishte ardhë “kolera e kuqe” e rrajët duheshin pre, duheshin tha, përçamja duhej të kishte të gjitha ngjyrat, aty edhe ato mes toskësh e gegësh, në mes të krishtenëve “reaksionarë” (prandaj edhe duheshin pre rrajët me ta) e pjesës tjetër të popullit, duhesh shkatrrue gjithçka ishte ma e shëndetshme që të sundohej ma lehtë. Asnjë arësye tjetër “shkencore” nuk mund të kishte në këtë gjymtim, pse të bahej fjalë për “njësim të shqipes” ishte antikombëtare, pse shqipja e njesueme ka qenë që në krye të kohës. Tash po, mbas shëmtimit të 1972, ajo nuk asht ma e njesishme, por vetëm një pjesë e trungut që mezi ushqehet në rrajë e shtërzon e lodhun.

E kjo u arrijtë tue “kallë gjindarmërinë”, i miri Konica, në fushë të mendjes, me fjalë të tjera, me dhunë të pushtetit komunist.

2. Si u dhunue shqipja?

E para, tue shpla trutë e njerëzve nga kujtesa historike, sikur para kolerës së kuqe nuk kishte gjallue asgja në Shqipni e lum na që na erdhi kjo farë e mbrapshtë.

Së dyti, shtrimi i çashtjes së gjuhës si dukuni e luftës së klasava e tue e shtri këte luftë tashma edhe në plan territorial.

Së treti, tue qitë në harresë, ku me të ndaluem me ligj, ku me zhdukje të veprave e deri të vorreve të Atdhetarëve të akullt, atyne që na kishin lanë porosi dashuninë për Shqipni, pse Atdhetaria u quejt nazionalizëm e si rrjedhojë antagoniste me ideologjinë komuniste.

Pikërisht për këto arsye u harruen përpjekjet sa të fisme aq edhe shkencore të Komisisë Letrare të Shkodrës 1916, u lanë në harresë përpjekjet që banë atdhetarë e gjuhtarë të dorës së parë, aty edhe në kohë të fashizmit, për nji shqipe “të përbashkme”. U vendue, thuhet në njoftimet e punimeve të Komisisë, me themelue nji orthografi sa ma tepër të përbashkme për të dy dialektet”. E u shkue deri atje sa shkodranishtja u “çpall” “gjuhë e klerit reaksionar”. Ajo, si gegnishtja mbarë, u shpall gjuhë “e deklasuar”. (Se si mund të quhet nji gjuhë që flitet prej ma se katërmijë vitesh “e klerit reaksionar”, apo “e deklasuar”, veç mendjet e çorodituna mund ta rrokin).

Shkruen M. Elezi: “Politika gjuhësore dhe gjithë politika ndaj Veriut synonte shfaktorizimin e Shkodrës e të krejt Veriut si qendër e mbështetje e palëkundëshme në përpjekjet e gjithë shqiptarëve me e kthye Shqipninë kah vlerat kombtare, kah Perëndimi, kah vetvetja”.

U shpërfillen edhe mendimet e gjuhëtarëve të medhej si Majer e Jokli, pse ata, gjuhëtarë borgjezë, nuk kishin pasë fatin të njihnin veprat e shokut Stalin mbi gjuhësinë!

Veriu u identifikue me Kishën Katolike (që i bante e i ban nder pse si asnji simotër e saj ka dhanë ndihmesë të paçmueshme e të paçmueme si në ruejtjen e gjuhës e të kulturës amtare, ashtu edhe në përhapjen e kulturës europiane, jo që ka qenë nxitësja kryesore e lëvizjeve për liri), e si kundërshtare e kolerës së kuqe u masakrue ma barbarisht se askund tjetër në botë. E u mohuen shkollat. Na del se e para shkollë na paskish qenë themelue aty kah fundi i shekullit XIX në Korçë, kur të dhana të drejtpërdrejta e sidomos të tërthorta na mësojnë se shkollat në këto anë duhet të kenë mbi dymijë vite. “Na shkronjat i morëm prej Ilirëve”, thotë Plini. Janë të dokumentueme shkolla të mesme të pakten në shekullin XVII në mbarë Veriperëndimin. Në Obot kishte shtypshkronjë qysh më 1493. Çka kishte me ju dashtë shtypshkronja nji populli që nuk di me shkrue e me lexue? Por jo, zotnijë, jo, na nuk duhej të kishim rrajë, a t’i kishim ato sa ma të pakta, sa ma të cekta, që të shpallnim ardhjen e Zeusit të Kuq si shpëtim e përparim për këtë Vend.

Vazhdon...

Shenim F.R.: Do të botohet materiali i plotë punue nga Prof. Daniel Gazulli.

Melbourne, 10 Nandor 2018.

SHQIPNIA DHE HUMNERA

Nga Fritz RADOVANI:




SHESHI SKENDERBEU NË TIRANË 2017

1997 Nana Tereza në Aeroportin e Rinasit në Tiranë, heren e fundit në Shqipni lutej:

“O Zot, hiqi mallkimin Tand Popullit Shqiptar!..” E Besoj, edhe sot lutet!

1912 – 1913 “Shqipnia duhej “eliminue” praktikisht si rrezik, pa kenë nevoja për pushtimin e saj ushtarak”. Ky ishte dhe asht piksynimi sllav shekullor...

2019 “Shqipnia” e “Ballkanit Perëndimor” po drejtohet nga Edi Rama, Ilir Meta, Lul Basha, Gramoz Ruçi dhe… A doni ma? – I keni naltë tue u mendue per “Popullin”…

Per marrveshjet “demokratike” dhe klimen politike… Pa vetimë e bumbullima sllave…

Gjithshka si na kanë mësue “vllezrit turq”… Dhe, shteti ligjor i Greqisë… Italia mike e atyne viteve, “mos qofshin harrue… e 1939”.., kur na trumhasi Mretin e, na la pa te !!

Mbas shiut filloi breshni! Jalta e 1945 na siguroi “Shtetin, zgjedhjet e lira, Kushtetuten, demokracinë, barazinë, dialogun me sllav, pushkatimet pa gjyq, dhunen, varfninë, vrasje e varrosje me gropa pa Emna, kampet e shfarosjes, krimin e organizuem nga shteti, plaçkitjen, korrupsionin, mafien shtetnore, spijunimin e mikut, shkatrrimin e Besës dhe Burrnisë, e mandej, per familjen Shqiptare e Ateizmin..,mundet me ua shpjegue ma mirë se unë, “shoku” ose “shokët” që sot drejtojnë shtetin e kalbun… Të cilit, nuk dij sesi me ia vue emnin, mbasi vetem “shqiptar” ai nuk asht. Emni i “shtetit” hajdut që kerkohet perditë nder arkiva të ruejtuna nga “Akademia e antishkencave anadollake” e Toptanëve të Esatit të shkretë, që s’ po e lanë rahat as aty mjedis ushtarve sllav, që i siguruen jeten.

Madje, aty afer i zhgrehun në vaj... U pat varrosë edhe nipi, fukaraja i thesarit Tiranës...

Eh, moj Nexhmije...Ti mos vdeksh kurr per pa pa me sy tek ai kafazi nalt, çka keni ba ... mbi këte Popull rrezikzi e të mjeruem qyshë se pat ra nder duert tua prej tiranësh...

Nuk mjaftuen 47 vjetë që me provue sejcila shtëpi trokitjet e sigurimit tuej, arrestimet e loçkave të zemres dhe, kampet e shfarosjes apo varrosjet tek “qerrshija” e Burrelit...

Po, u deshten 30 vjet të tjera me provue edhe ringjalljen e katilave shpirtzezë e vrasës të Shqiptarëve, tue fillue me Enverin tand, Ramizin, Haxhiun e të tjerë, që “emnat e tyne” mos kjofshin permendë nder Trojet Shqiptare persa të jetë jeta e Kombit Shqiptar, tue fillue nga Ata Bjeshkët e Atyne Katolikve të Lulzim Bashës dhe, deri tek brigjet e Detit Jon, ku kerkon me kullotë bagtitë Edi Rama me dekoruesit e tij grekë...E “vllaznit turq”!

Rinia Shqiptare po shperndahet nepër Botë... Gjuha Shqipe e Maleve po shkallmohet !

Populli Shqiptar asht ba si Dallndyshat e Filip Shirokës së harruem...E s’ kthehet ma !!

Melbourne, 19 Qershor 2019.

Mark Tuein, bredhjet dramatike dhe ‘Aventurat…’ e pavdekshme letrare që e pavdeksuan atë



Jeta e tij, as fama që përftoi nuk ngjason me të askujt tjetër. Fëmijëria gjiashtu dhe të shterrurit e jetës më 21 prill 1910 mbeten të pamëshirshme. Gjithçka në këtë puls të letërsisë amerikane dhe botërore është e gjëmimtë. Vështirësitë dhe vuajtjet, aventurat dhe skizmat e fatit e mbrujtën me ithtim e helm këtë identitet, por pa mundur t’i ndryshojnë shijen, atë… paksa të athët, por të vetvetishme, që ai mëkoi në gjithë itinerarin e tij krijues 74-vjeçar. Me një sens humori të jashtëzakonshëm dhe një frymë tejet të sinqertë rrëfimtarie, ai do të mbetej një nga penat më të admirueshme. Aventurat e tij janë një grishje për çdo nevojë tonën për të qenë veprues dhe të shkujdesur, për ta ndjer veten gjithnjë fëmij që zotëron magjinë e rrokjes së përmasave të asaj lirie që do të na mbante gjithnjë trup e shpirt në fluturim.

Shkrimtari i shquar amerikan Mark Tuen u lind më 30.11. 1835 në Hanibël, në një qytet të prapambetur dhe të harruar të shtetit Florida Misuri (SHBA). Emri i tij i vërtetë është Samuel Le(a)nghorm (Le(a)nghorme) Klemens.

Pseudonimi i tij: Mark Tuein, është parulla, që përdornin vite më parë pilotët e anijeve në lumin Misisipi, e që do të thotë: “Çdo gjë në rregull, cektësi nuk ka, udhëto i qetë me anije”.

Samuel Klemens (emri i vërtetë) zgjodhi këtë parullë për pseudonim, sepse vitet e rinisë, kur ishte pilot anije në Misisipi, ishin vitet më me kujtime në jetën e tij, të cilat më vonë do të kishin reflekse pasqyruese në krijimtarinë letrare.

Marku kaloi një fëmijëri të hidhur. Edhe pse e tillë kjo fëmijëri, deviza e tij ishte: Fryma e Lirisë që mbart Bota e Madhe, e cila u bë udhërrëfyese, dhe la shenjat e saj, të parat që u shfaqën ishin pikërisht te kjo fëmijëri, – siç thuhet e komentohet edhe në shënimet e biografëve. Pastaj shenjat u kthyen në modele, dhe qenë nëna e babai i Samuelit. Ai mori anën e të atit, që ishte një njeri i emancipuar, e që kishte studiuar për avokaturë. Çuditërisht, vite më pas, Samueli do të kishte të njëjtin fat si i ati; do të bënte punë nga më të ndryshmet, të cilat shpesh do t’i humbnin edhe buzëqeshjen. Kështu… me vdekjen e të atit, Samueli 12-vjeçar do të fillonte “Universitetin e Jetës”, siç e thamë: me një seri zanatesh. Por jetën e vërtetë bredharake, kishte fatin ta njihte e para, si një start: mosha 18 vjeçare. Samueli-Mark punoi si: shitës gazetash, ndihmës i të vëllait që kishte krijuar një gazetë të vogël lokale, ku boton satirat e tij të para; dhe më pas tipograf në bregun e Atlantikut e në perëndimin e mesëm (SHBA), pastaj tre vjet pilot anijesh në lumin Misisipi, pastaj gërmues argjendi në Nevada, pastaj gazetar në bregun e Paqësorit në San Francisko. Udhëtoi në Francë dhe Itali. Ishte tipi i shkrimtarit, që udhëtonte shumë dhe temat, të cilat i trajtonte me mjeshtri dhe kulturë, kishin të bënin me rendjen drejt Lirisë. Më vonë boton një libër me anekdota e tregime në Nju Jork. Kjo shkollë e ashpër e jetës i mësoi Samuelit-Mark qysh në moshë të re shumë gjëra dhe në memorie i la shumë vijëzime. Përshtypjet dhe mbresat e viteve të rinisë në punë dhe midis njerëzve të punës, u bënë themel i shëndoshë në formimin e paepur e mosnënshtrues të karakterit të Mark Tueinit.

I shëtituri Mark Tuein martohet me Olivia Langdon në vitin 1870, pasi i kishte shkruar asaj 189 letra dashurie. Nis një jetë e qetë familjare. Për 20 vite në qiellin e letërsisë botërore për fëmijë e të rinj, do të ndrisin plot yje, fryte të një krijimtarie të lavdishme. Në këtë periudhë kohore, ata të dy Mark e Olivia do të ndërmerrnin udhëtime, ndërkohë që Tueini shkruante pa pushim. Shkruan “Aventurat e Tom Sojerit”, një nga veprat e tij më të njohura në botë. Më pas do të shkruaj “Hakleberry Fin”, një odise amerikane, që u konsiderua si roman për të rritur, por më pas nga popullariteti i madh, u bë libri më i preferuar i fëmijëve në të gjithë botën.

Udhëtoi gjithashtu në Zelandën e Re, Australi, Indi dhe Afrikën e Jugut.

Mark Tueini vdiq më 21 prill 1910, në moshën 74 vjeçare, pas shumë peripecive financiare dhe disa fatkeqësive në familje.

Gjatë kohës që ishte në udhëtime, Suzi, vajza e tij më e dashur, u sëmur e vdiq në Hardfort, në vitin 1896. Por nuk do të mjaftonte vetëm kjo fatkeqësi që e dërmoi shkrimtarin. Vdekja e gruas, Olivia, në vitin 1904 në Firence, si dhe e vajzës së tij të dytë, e zymtësuan akoma më tej jetën e shkrimtarit, i cili edhe më parë, siç del nga shënimet në autobiografinë e tij e botuar pas vdekjes në 1916 e më pas në 1924, kishin qenë plot tramvaje.

Gjatë jetës së tij shkroi 28 libra, si dhe tregime të shumta të shkurtëra, letra dhe skica.

Shtëpia e tij e fëmijërisë është e hapur për publikun si një muze në Hanibë(a)l. Vendet ku ka jetuar e plot shëtitore hijeshojnë nga bustet e Tueinit, si dhe disa rrugë kanë marrë emrin e tij. Vendet, të cilat Mark Tuein i bëri të pavdekshme në librat “Aventurat e Tom Sojerit” dhe “Aventurat e Hakëlberi Finit”, ruhen nga muzeumi. Shtëpia, ku Marku pati jetuar tërheq turistë nga e gjithë bota, ashtu sikurse gardhi i lyer me gëlqere të bardhë, që personazhi i tij, Tom Sojeri, e leu me përtesë.

A kishte “sekrete” Mark Tueini? Patjetër që po. Është një testament që flet edhe në heshtje… Janë shënime biografike të titulluara “Në kujtim të Olivia Susan Clemens” – dhe më vonë të quajtura “Skicë familjare”. Këto shënime, në të vërtetë, janë një panegjirik plot pasion e dhembje të Mark Tueinit për vajzën e tij më të madhe Suzi, e cila vdiq nga meningjiti në shtyllën kurrizore, në moshën 24-vjeçare. Aty del në pah një tjetër stil, krejt ndryshe prej librave të tij, që janë plot aventura e dritë. Ai në ato shënime përpiqet të ravizojë portretin e vajzës së dashur. Ja, si e përshkruan në disa pasazhe: “Ajo ishte një reflektim i ndjenjave dhe ato ishin të të gjitha llojeve: trishtim zemërimi, pendim, stuhi, diell, shi, errësira – ata ishin të gjithë aty. Ata shfaqeshin për një moment dhe iknin po ashtu aq shpejt. Në të gjitha veprimet ajo ishte intensive: kish një karakeristikë të veçantë, nuk ishte një shkëlqim i thjeshtë që jep ngrohtësi, por një zjarr që furishëm vetëdigjet.”

E bija e vetme e mbetur gjallë pas vdekjes së shkrimtarit Tuein, Klara jetoi deri në moshën 88-vjeçare dhe kishte vetëm një vajzë. Vajza e Klarës ka vdekur pa pasur ndonjë fëmijë, kështu që nuk ka më asnjë pasardhës të drejtpërdrejtë të Mark Tueinit.

Ndoshta shkrimtari gjenial, Babai i Letërsisë moderne amerikane, nuk e kishte parashikuar kështu zhdukjen e genit të tij, çfarë për fat të keq ka ndodhur me pjesën më të madhe të gjenive të kësaj bote, që në vijë gjenealogjike janë djegur e shuar plot shkëlqim si meteorë.(Albert Vataj)

MARK KAKARRIQI (1884 – 1942)

Nga Fritz RADOVANI:

Rezultate imazhesh për MARK KAKARRIQI DHE SHKODRA E TIJ

MARK KAKARRIQI DHE SHKODRA E TIJ



24 QERSHOR 1942 Vdiq i helmuem shkodrani Mark KAKARRIQI, një nder figurat ma të spikatuna Atdhetare Shqiptare, i formuem me kulturë europjane Perëndimore, që me perkushtim të posaçem e vuni në sherbim t’ Atdheut dhe Shkodres së Tij të shtrenjtë.
Ishte fillimi i Shek. XX kur mendoj per kanalizimin e lumit Buna, evitimin e permbytjeve të saja dhe lundrimin e anijeve deri në Pazarin e Vjeter të Shkodres, tue e lidhë qytetin me detin Adriatik dhe tregtinë europjane, gja që u kundershtue nga tregtarët fanatikë...
Prania e Markut në Vjenë në 1911 ishte një fat i madh per njohjen e pikpamjeve të asaj kohë të inteligjencës shkodrane nga Austro Hungaria, dhe perpjekjeve Shqiptare në të gjithë Veriun per Pamvarsi nga Perandoria Otomane, tue fillue nga ngritja e Flamurit prej Dedë Gjo’ Lulit në Bratilë me 1911 e deri tek Shpallja e Pamvarsisë së 1912, ku vetë Mark Kakarriqi ishte i pranishem dhe ndihmoi per atë çeshtje aq të madhe Atdhetare, ndonse, Emni i nderuem i Tij nuk zehet me gojë nga fanatikët anadollakë të historisë...
Mark Kakarriqi ishte në Durrës në Nandorin e 1912, me Don Nikoll Kaçorrin, Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Isa Boletinin dhe antarët tjerë të mbledhun per Pamvarsinë, e prej Markut u sigurue anija.., per me shkue në Vlonë, pa u rrezikue nga grekët.
Mark Kakarriqi nuk ishte vetem tregtar, po ishte artist, dhe në oborrin e shtëpisë së Tij, tek shatrivani kujtoj një statujë të Veneres, që e patne çue në Shtëpinë e Kulturës...
Në shtëpinë e Tij, Marku kishte një pikturë të Rembrandit, të bleme në Rusi në 1917, që rusët kur i rane n’ erë se asht në Shqipni, në 1945 erdhen dhe e grabitën me forcë.
Perherë të parë në Shkoder Marku solli një grup artistësh të Operes “Scala” së Milanos...
Nuk besoj se harrohen lulet e bukra t’ oborrit të shtëpisë së (pionjerit) Mark Kakarriqit, apo palmat e vendeve të pushimit, tue mos harrue blijt’ e aromen e tyne në Fushën e Çeles, ku shkodranët ndalonin ecjen me mbushë gjoksin me atë erë të mbrekullueshme.
Në Rrëmaji Marku ka vorrin e Tij prej mermeri, ku Jakomoni e çoi në të 52 vjet, kur Marku kje Kryetar Bashkije i Shkodres. Ndersa, komunistët e dënuen të vdekun në 1946.
Emni i Mark Kakarriqit, do të daltohet në gurt’ e Rozafës per shekuj të shekujve...

Melbourne, 22 Qershor 2019.

Për 27 qershorin, dites se genocidit grek kundër popullates dhqiptare në Çamëri.


Rezultate imazhesh për resmi osmani


Prof.Dr.Resmi Osmani


 Skicë


RRËFIMI I SHTËPISË –GËRMADHË NË ÇAMËRI

Nata ishte e qetë.Hëna e plotë kalëronte midis yjeve dhe derdhte tatëpjetë dritën e zbehtë.

Diku në një lis,jehonte thirrja vajtimtare e Gjonit në kërkim të qyqe-motrës së humbur. Në kodrën e ullinjve, i vetmuar, dergjej në lëngatë skeleti i gurtë i shtëpisë së djegur, të vidhisur, me rrënojat e gurëve, hirit dhe shkrumbit, me dritaret, sy të verbër dhe dyert si plagë të hapura, bashkë me të vdekurit e saj varrosur në oborr.

 Nën harkun e qemerit të gurtë të portës, ende të pa shëmbur,veç shpirtërave dhe hijes së të vdekurve, askush i gjallë s’hynte, askush nuk dilte. 

Dergjej aty e vetmuar, jetëshuar, e pa mbrojtur, e braktisur, e harruar, e rrahur nga stuhitë, shqotat, shkulmet e shiut, nga akulli dhe ngricat, nga dielli përvëlues, që përherë i shkëpusnin nga trupi, si mishin nga eshtrat, herë një gur e herë një tjetër, duke e vogëluar dhe rrëgjuar, deri sa ta kthenin në një pirg gurësh të mbuluar nga bari dhe harresa. Ajo e ndjente që ky fund rrënues, një vdekje e dhimbshme, sido që e ngadaltë, po avitej pa pra e tinëzisht. Do të mbeteshin vetëm themelet e varrosura nën tokë, si rrënjët e thara të nje peme të goditur nga rrufeja.

Era e vjeshtës uturinte përvajshëm në mazgallat e shtëpisë–gërmadhë. Kukuvajka vetmitare, pas gjuetisë së natës, u shkëput nga degët e ullirit, mori fluturim dhe u ul mbi murin e shtëpisë-gërmadhë dhe nisi të bënte atë që dinte më mirë: ulërimën vajtuese, zindjellëse e të kobshme që përzjehej me cicërimat e bulktheve, ciatjen e lakuriqëve të natës dhe gulshet e erës. 

Mesnatë e mugët, e përhitur me pluhurizën e zbehtë të yjeve dhe dritën e hënës, e mbarsur me mistere dhe fshehtësi të frikshme. 

U dëgjua një psherëtimë, e pastaj një rënkim i ngjethshëm, mbi varret e oborrit llapsi nga nëndheu një flakëz kaltëroshe. U hapën portat e misterit dhe sosh dolën shpirtërat që edhe në mbretërinë e nëntokes, nuk gjenin prehje. Muret u drithëruan, gurët kërkëllinë si eshtrat kur thyhen. Shtëpia fërgëlloi. 

Ajo i njihte. Ishin të sajtë. Shpirtrat dhe hijet e të pajetëve, të masakruar, në shtëpinë e tyre te rrënuar që kishte psuar si edhe ata vdekjen kobzezë e të lemerisëshme, nga e njëjta dorë e egër greke-zerviste, vrastare, mizore. Nga dita e tmerrit kishin kaluar 75 vjet. Vinin të takoheshin, të çmalleshin. Ç’farë thoshin vallë? Shtëpia dëgjonte të qarat e fëmijëve, rënkimet e pleqve, psherëtimat e grave, nënave dhe vajzave, fjalët hakërryese të burrave. 

Ajo ndjente dhimbjen, se plagët ende kullonin gjak, shpirtrat vuanin, por bisedat vinin si të shurdhera, të ndërprera, të mbytura nga gulçi dhe vaji i gjëmës. Nuk arrinte ti merrte vesh, por aq gjë e kuptonte: shpirtrat ishin rrënuar si edhe ajo dhe nuk gjenin as prehje as paqe për gjakun e pashpaguar dhe jetët e shuara. 

Mbi varret e tyre, nga koha të sheshuar, kishte mbirë bari. Askush nuk qante e derdhte lot dhimbjeje e dashurie mbi ta, askush nuk u ndizte një qiri, askush s’u sillte lule. Varre të humbur, pa emër, varre të braktisur në oborrin e shtëpisë gërmadhë.
Nga larg u dëgjua kënga e gjelave që paralajmëronte agimin.Mbi varre u rishfaq ajo dritëza e kaltëreme, toka shungulloi dhe shpirtrat u kthyen në amshimin e tyre. Shtëpia mbeti me vetminë e saj.Kukuvajka nisi ulurimat e saj rrënqethëse. 

Vetulla e artë e hënës po varej nga perndimi. Shtëpinë e kapluan kujtimet. Se edhe gurët kanë kujtesë, paçka se s’kanë gojë të flasin. Janë dëshmi për atë që ka ndodhur, për të gjithë ata që dinë t’i lexojnë.

 Dhe shtëpia foli ”Hënë moj hënë,ti që na sheh nga lart,se jemi me qindra e qindra, gurmbigur, në tërë Çamërinë, më sheh si jam por se mendon si kam qënë, një zonjë e rëndë, me shumë oda që ndrisnin e llapsnin nga pastertia, dritaret me qelqe me ngjyra të blerë në Prevezë, dyshemetë me dërrasa nga Korfusi, qilima nga Janina,shkallët dhe qemerët të mermerta, çatia me qeramidhe flakë të kuqe. 

Oborri mbushur me lule, avllia me çubet e mjalcave , trëndafile erëmira, manxuran e borzilok, limon e portokalle, shegë e bajame. Më tutje yrti me ullinj. Në mua rronin zotërit e mi,u gëzova në dasma, pashë nuset e bukura si drita, dhendurrët si petrita, si lindën e u rritën fëmijët.

Isha e lumtur.

Kjo isha unë.

Por një ditë, në fund qershori, ah ajo ditë e zezë, që sapo kish gdhirë, e njerëzit pa u zgjuar mire, mu sulën lukunija e ulqërve,të urdhëruar nga gjenerali i zi Zerva. Si të dalë nga shpellat, të egër gjakësorë, mjekroshë, të armatosur gjer në dhëmbë me pushkë e hanxharë e kryqe të varur në gjoks. 

Që kur thyen portën e u turrën shkallwve, ndjeva duhmën e qelbur të trupave të palarë dhe alkolit. 

Ishin të dehur, të mbarsur me urrejtje, të etur për gjak.Të parin te porta e oborrit vranë qenin e shtëpisë. Plakun mjekërbardhë, gjysh dhe zoti im, qw doli sa ndjeu krismat e pushkëve dhe britmat, e vranë te shkallët, i prenë kokën dhe e rrokullisën tatëpjetë. Rrëkeja e gjakut rrodhi shkallëve.

U ngjitën në katin e dytë. Nusen, nënë e tre fëmijëve të mitur, e gjetën në odën e saj. E përdhunuan, shfrynë epshin pastaj e lagën me benzinë dhe i vunë flakën. Ashtu, si një pishtar i flakëruar, zbriti shkallët dhe ra plasur në ooborr. Të shoqin, atë deli djalë, e therën si të ishte dash dhe ja ndanë kokën nga trupi. 

Fëmijët e lebetitur, i vranë me plumb. Grabitën gjithë ç’ishte me vlerë, pastaj më erdhi radha mua. Më lagën me vajguri pastaj më vunë flakën. Bashkë me mua u dogjën edhe trupat e fëmijëve. U dogja gjithë ditën dhe natën sa u ktheva në shkrumb e hi, në gërmadhën që ti sheh tani. Më pas, erdhën të tjerë, hapën gropa në oborr dhe mbuluan të vdekurit që kishin filluar të prisheshin.

Njerëzit e mi i poshtëruan, i rrahën, i shtynë e pështynë, u thanë:
”Turko-alvanos të fëlliqur, i maskruan dhe i vranë. Pyes veten: pse gjithë kjo mynxyrë? Unë isha një shtëpi e gurtë, pashë gjithë sa ndodhi u dogja dhe u rrënova, pa e ditur pse. Thuama ti hënë po qe se e di ! ”

Qershor 2019


***



Resmi Osmani u lind në Mazrek të Çamërisë më 5 maj 1940. Kreu studimet e larta për Agronomi në Institutin e Lartë Bujqësor në Tiranë, studime të cilat i përfundoi në vitin 1963. Ka kryer detyra të rëndësishme drejtuese në prodhimin bujqësor dhe administratën e lartë shtetërore.

Krahas detyrave të tjera ka qenë i angazhuar në veprimtari dhe kërkime shkencore. Ai ka botuar 19 tituj librash të profilit tekniko – shkencor, ka shkruar dhe botuar në revista tekniko – shkencore dhe shtypin periodik, brenda e jashtë vendit, mbi 150 tituj artikujsh që përfshijnë mbi tre mijë faqe. Për kontributin dhe kualifikimin shkencor mban gradën "Doktor i Shkencave" dhe titullin "Profesor".

Në gjysmën e dytë të viteve 2000,i është perkushtuar letërsise,kritikës së artit dhe publicistikës.Fryt i kesa pune janë një sërë botimesh si: biografitë e letrarizuara "Jeta e Bedri Lumanit", "Lule në gur" kushtuar jetes së specialistit të shquar të vreshtarisë Todo Gjermani. Ka levruar kryesisht temat historike në romanet"Mbretërimi i Pirros së Eoirit", "Mbretëresh Olimpia", Esseja historike "Aleksandri i Madh i Maqedonisë-Miti dhe njeriu". Essene studimore "Bilal Xhaferri Poet i Zemrave Njerëzore" Essenë "Endrrat e ngrira të Enver Kushit, vellimin me tregime "Edhe yjet vdesin" etj. ne publicistikën e vet ka trajtuar probleme të çeshtjes çame, të zhvillimit të letërsisë dhe problemet aktuale. Në shtypin e shkruar dhe atë elektronik ka publikuar mbi tridhjetë tregime dhe novela. Krijimtaria e tij eshte pritur mirë nga lexuesit dhe kritika letrare.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...