2020-04-04

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar nga udhëheqësit e Kosovës që të veprojnë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës: Kosova, drejt një krize tjetër politike

Kërkesa e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, një ditë më parë, ndaj liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të propozojë kandidatin e ri për kryeministër të vendit, si dhe përgjigja e këtij të fundit se do të dërgojë një përgjigje “në një moment të përshtatshëm, në këtë kohë të koronavirusit”, janë paralajmërime të mundshme që gjithçka do të përfundojë edhe një herë në Gjykatën Kushtetuese për një aktgjykim të ri, deri në formimin e Qeverisë së re të Kosovës, vlerësojnë njohës të çështjeve ligjore dhe politike në Prishtinë.
Deri më tash, ende nuk dihet nëse Vetëvendosje do të propozojë kandidatin e ri. Presidenti e kryeministri “në betejë” ftesash e përgjigjesh.
Pas letrës te Thaçit, në orët e vota, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se partia e tij do t’i përgjigjet presidentit Thaçi në “një moment të përshtatshëm, në këtë kohë virusi”.
Kurti në vazhdimësi ka deklaruar se me presidentin Thaçi nuk kanë pajtim për krijimin e një qeverie të re, por ka kërkuar caktimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare pas kalimit të situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.
Palët mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Florent Spahija, ekspert ligjor në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë  se pasi presidenti  i Kosovës Hashim Thaçi ka kërkuar emrin e mandatarit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje kjo e fundit ka të drejtë të shfrytëzojë kohë për konsultim apo bërjen e një koalicioni të ri për të dërguar një emër të një mandatari të ri për qeverinë.
Por, siç thekson Spahija, në Kushtetutën e Kosovës nuk parashihet një afat i caktuar se kur duhet të dorëzohet emri i mandatarit për kryeministër të ri.

“Po mund të jetë një krizë pasi Vetëvendosje nuk ka një afat apo limit kohor që mund ta dërgojë një emër te presidenti, pra nuk i limitohet me Kushtetutë. Normalisht që presidenti mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe të pyes se cili do të ishte afati optimal që subjekti politik t’i kthejë përgjigje presidentit apo të ja dërgojë emrin presidentit”.
“Kjo mund të jetë ajo që mund të ndodhë nëse VV nuk dorëzon emër për një periudhë të arsyeshme kohore , përndryshe nëse VV dorëzon emër i kanë edhe 15 ditë të tjera që të shkojnë para kuvendit me mandatarin dhe me kabinetin qeveritar që duhet të votohet në Kuvend”, ka thënë Spahija.
Edhe analisti i çështjeve politike Albert Krasniqi,  ka shprehur mendimin se ekziston një paqartësi kushtetuese lidhur me këtë çështje. Sipas tij, nuk ka afat të paraparë se për sa kohë duhet që partia e parë të kthejë një përgjigje, pra nëse refuzon apo nëse dëshiron të procedojë me zgjedhjen e kryeministrit të ri.
Megjithatë, siç thotë Krasniqi, duhet të kihet parasysh që Kushtetuta nuk duhet të ngarkohet me afate për secilin veprim që duhet të ndërmerret, pasi disa veprime janë të nënkuptueshme.
“Unë në atë se çfarë kam parë në dokumentet përgatitore kushtetuese, të cilat janë në arkivin e Kosovës, në draftet fillestare, është paraparë një afat prej dhjetë ditësh, ku presidenti duhet të emërojë një kandidat dhe ky afat prej dhjetë ditësh duhet të përmbyllet, pra edhe kërkesa e presidentit, por edhe përgjigja e partisë së parë. Ky dhjetë ditësh është një afat i arsyeshëm brenda të cilit Vetëvendosje të kthejë një përgjigje”, thotë Krasniqi.
Kurti kërkon që zgjedhjet të mbahen pasi të mbarojë pandemia.
Krasniqi shton që nëse Vetëvendosje nuk kthen përgjigje, atëherë, sipas tij, ka shumë mundësi që presidenti t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe të kërkojë një interpretim nëse mosdhënia e përgjigjes nënkupton refuzim për të marrë mandatin.
“Po ashtu edhe nëse presidenti vepron pas pasur përgjigje nga Vetëvendosje, do të ketë prapë një rast në Gjykatën Kushtetuese, të cilës do t’i drejtohet Vetëvendosje. E shoh se sido që do të veprohet në këtë situatë, do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese”, thotë Krasniqi.
Pas votimit të mocionit të mosbesimit më 25 mars 2020 , nga ana e 82 deputetëve të kuvendit, Kosova po qeveriset nga një qeveri në detyrë.
Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti ishte iniciuar nga partia partnere e Lëvizjes Vetëvendosje në koalicionin qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe u mbështet edhe nga partitë opozitare.
Më 1 prill të këtij viti , ka zgjatur rreth 1 orë takimi mes kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe presidentit Hashim Thaçi. Pak pas takimit, Kurti zbardhi edhe detaje nga biseda mes dy zyrtareve.
Kurti tha se gjatë takimit u bisedua për masat të cilat i ka ndërmarrë Qeveria ndaj pandemisë COVID-19.

“Ne biseduam për masat që ka marrë Qeveria dhe punët që kemi bërë ne kundër përhapjes së pandemisë COVID-19 dhe angazhimin e shkëlqyer të organeve dhe mekanizmave të shtetit por edhe vullnetarëvë të shumtë si dhe të disiplinës së përgjithshme të qytetarëve tonë”, tha Kurti. Mes të tjerash kryeminsitri ende në detyrë, tha se është diskutuar edhe për situatën aktuale, për të bërë një Qeveri të re.
“Ne biseduam për situatën aktuale institucionale, meqë rast pyetjeve dhe përpjekjeve të presidentit që të flasim për Qeveri të re dhe kandidatura të reja ne jemi përgjigjur për qëndrimin tonë, ne nuk mund të kalojmë dikun tjetër dhe të kalojmë nenin 82 pika 2 e Kushtetutës së Kosovës ku thotë se pas mocionit të mosbesimit shkohet në zgjedhje të reja. Presidenti u zotua se do ta respektoj Kushtetutën ligjin dhe praktikat e më hershme”, -pohoi Kurti.

Astrit Patozi : Një propozim për “rebelët” e karantinës

Një aktore e njohur kanadeze qenka rebeluar ndaj masave shtrënguese të izolimit, duke deklaruar se nuk do t’i zbatojë ato, megjithëse është nënë e dy fëmijëve. Evangeline Lilly tha se për të liria është më e shtrenjtë se jeta, kjo ishte një zgjedhje e saj, ndaj edhe nuk kishte ndërmend të bindej që të mbyllej në shtëpi e të hiqte dorë nga jeta normale.
Ka shumë njerëz në Shqipëri që mendojnë se lajme të tilla më mirë të mos përkthehen në këtë kohë, sepse mund të shërbejnë si arsye për të justifikuar thyerjen e rregullave të karantinës. Unë them se është e kundërta, duke qenë kaq ekzotike në mbarë planetin, ngjarje si kjo ndihmojnë për të parë më qartë se jemi realisht në luftë. Në sensin që përjashtimi e përforcon rregullin.
Që do të thotë se të qenit i famshëm nuk të jep automatikisht imunitet nga papërgjegjshmëria apo marrëzia dhe kjo nuk është vetëm dukuri shqiptare, por ndodh kudo në botë. Nuk është rastësi që edhe tek ne pati disa “trima” të veçuar, që pak kohë më parë bënë pak a shumë të njëjtën gjë si aktorja kanadeze. Fatmirësisht, e kuptuan shpejt dhe nuk i kam dëgjuar më të ndihen për atë që kishin premtuar dhe, me sa duket, janë mbyllur në shtëpi me bishtin ndër shalë si gjithë të tjerët.
Është fare e thjeshtë, nëse nuk e negociokan dot lirinë e tyre, megjithëse jemi në luftë, ata duhet të gjejnë një mënyrë për t’u grumbulluar të gjithë në një vend. Dhe nuk besoj se ka nevojë të shkojnë në Antarktidë për t’u bërë të parrezikshëm për të tjerët, sepse nuk do t’u duhet shumë vend. Në Shqipëri ma merr mendja se do të mjaftonte edhe një palestër për t’i strehuar të gjithë.
Sot është dita më e përshtatshme për të mësuar se liritë dhe të drejtat e njeriut kanë kuptim vetëm, nëse njerëzit mbeten gjallë, o “trima”.

FMN monitoron vendet e prekura nga virusi COVID 19

Qeveritë në mbarë botën po planifikojnë të shpenzojnë dhe të huazojnë triliona dollarë për të forcuar ekonomitë e tyre kundër ndërprerjes së shkaktuar nga pandemia e re koronavirus. Ndërsa zyrtarët mbyllën një pjesë të madhe të bizneseve për të ngadalësuar përhapjen e Covid-19, Fondi Monetar Ndërkombëtar po ndjek mënyrat se si vendet po synojnë të mbështesin punëtorët dhe bizneset e tyre. Është ndoshta burimi më i mirë i informacionit se si bota po përgjigjet ekonomikisht ndaj koronavirusit.
“Këto masa janë më të mirëseardhura dhe thelbësore, dhe do të nevojiten më shumë,” tha drejtoresha e FMN, Kristalina Georgieva kur u ndoq gjurmuesi i politikave më 25 mars. “Ndarja e njohurive për Covid-19 na lejon të gjithëve të trajtojmë më efektivisht krizën.”
Deri më tani FMN, një organizatë ndërkombëtare që kërkon të përmirësojë stabilitetin financiar, po mban tabelat në 192 vende dhe thotë se do të shtohen më shumë. Ndërsa recesioni global fiton forcë, pothuajse të gjitha kombet kanë të paktën disa masa të planifikuara ose në vend.

Përpjekjet variojnë nga lehtësimi monetar për të mbajtur në funksion tregjet financiare dhe për të ulur normat e interesit, deri në shpenzimet fiskale për të kundërshtuar rënien e mprehtë të aktivitetit ekonomik. Uebsajti është përqendruar në programet e krijuara për t’u marrë me ndërprerjen e koronavirusit, sesa rrjetat ekzistuese të sigurisë që ishin krijuar para krizës.
Të dhënat sugjerojnë që vendet e varfëra do të kenë nevojë urgjente për ndihmë ndërkombëtare, pasi shumica e vendeve më të pasura kanë tashmë përpjekje të forta. Midis kombeve me një plan fiskal në vend dhe PBB-për frymë prej 10,000 dollarë ose më shumë, 45 nga 55 prej tyre kanë plane fiskale të shpenzimeve prej 1% të PBB-së ose më shumë përfshirë edhe grante dhe kredi, sipas të dhënave të FMN-së të përpiluara nga Quartz.
Për vendet që kanë GDP për frymë prej 10,000 dollarë ose më pak, vetëm 29 nga 69 kanë ambicie për stimul fiskal prej 1% të më shumë.

A do të kemi krizë urie në Shqipëri?


Ilir Hysa, Drejtor i Asociuar pranë Korporatës Moody’s në një interistë për Gazetën “Si” bën një tablo të deritanishme se si po ndikon pandemia e Koronavirusit në ekonominë globale dhe atë shqiptare.
Ai shpjegon disa skenarë për mënyrën se si do të preket ekonomia globale dhe shqiptare sipas vënies fre të përhapjes së mëtutjeshme të virusit të ri.
Sipas dr.Hysës, në të dy skenarët do të kemi recesion të ekonomisë globale, por në skenarin më pesimit, recesioni do të ketë përmasat e krizës financiare globale të 2008-ës.
Ai mendon se kohë të vështira do të përjetojmë edhe në lidhje me furnzimin me ushqime si rezultat i ndalimit të lëvizjes.
Solidariteti që shoqëroi tërmetin e 26 nëntorit duhet të shërbëjë si shembull për tu ndjekur. Me siguri që do të shohim në ditët që vijnë hendekun mes familjeve të mirëpërgatitura dhe atyre që kanë nevojë për ndihmë sot dhe do të kenë nevojë nesër. Pengesat në transportin e mallrave mund të bëhen faktor shtesë në vështirësitë që mund të krijohen. Shoqëria shqiptare është konsumatore e produkteve të importuara dhe një ngërç në transportin e mallrave do të ishte katastrofal. Nëse kriza zgjat muaj me radhë, familjet që varen nga të ardhurat e siguruara nga prodhimet që eksportojnë, sidomos të atyre bujqësore, do të dëmtohen keqas”, shpjegon Hysa.
Ai i sugjeron qeverisë paketë fiskale për të amortizuar vështirësitë e biznesit në këtë kohë të pazakontë.
Çfarë po përjeton ekonomia globale dhe ajo shqiptare sipas jush këtë kohë?
Përhapja me shpejtësi marramendëse e virusit të ri COVID-19, që sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka tashmë përmasat e një ngjarjeje madhore pandemike, po kërcënon ekonominë globale. Elementi që e bën krizën e krijuar globalisht më të vështirë për t’u kuptuar nga publiku dhe për t’u menaxhuar nga administratorët e sistemeve shëndetësore dhe drejtuesit e ekonomive është elementi i pasigurisë dhe beteja psikologjike e qytetarëve me veten: Nga njëra anë, ne jemi të prirur të jemi të lirë e të bëjmë çfarë duam. Nga ana tjetër, lufta efikase kërkon distancim social dhe rregulla të tjera të prera që po prezantohen nga specialistë të shëndetit dhe zyrtarë të qeverive qëndrore e lokale anembanë globit për të luftuar virusin që sulmon sitemin e frymëmarrjes.
Nuk ka dyshim se në çdo skenar COVID-19 do të krijojë pasoja të konsiderueshme ekonomike. Nëse efektet pandemike do të jenë modeste dhe profesionistët e fushës së shëndetësisë ndjejnë se e kanë fituar betejën me virusin e panjohur, atëherë të gjithë ne mund të shpresojmë për një verë normale. Përndryshe, nëse efektet janë të thella dhe të shtrira në kohë, pasojat ekonomike do të jenë të rënda.
Gjithësesi, edhe pa përkeqësim të mëtejshëm, ekonomia globale po merr një goditje të rëndë dhe gjasat e hyrjes në recesion po rriten çdo ditë. Kjo nuk përjashton as Shqipërinë, një ekonomi e dominuar nga importet dhe kryesisht me prodhimtari të bazuar në agrikulturë dhe turizëm. Me sezonin turistik në horizontin e afërt, çdo ditë e humbur në luftën ndaj COVID-19 është anti-reklamë për ti mbajtur vizitorët larg këtë verë. Ndërkohë, fasonët shqiptarë mund të ndjejnë efektin e imputeve më të shtrenjta, arterieve të mbyllura dhe rregullave strikte të qeverisë mbi lëvizjen e lirë.
A parashikoni rënie të ofertës dhe kërkesës në vazhdim? Rritje të papunësisë?
Ilir Hysa PHD, Associate Director – Senior Economist at Moody’s Corporation
Po. Nga pikëpamja e ofertës, masat e marra për kufizimin e lëvizjes, të gërshetuara me kufizimin e operacioneve në zinxhirin e furnizimit të konsumatorëve e bizneseve, kanë potencialin të paralizojnë prodhimin në shumë industri. Nga pikëpamja e kërkesës, masat drastike mund të detyrojnë punëdhënësit të shkurtojnë fuqinë punëtore, duke shkaktuar rritjen e papunësisë. Rënia e të ardhuarve do të rëndonte mbi kërkesën. Intensiteti i këtij fenomeni do të varet nga kohëzgjatja e përhapjes së virusit dhe nga mbështetja që bizneset do të marrin nga qeveria.
Çfarë humb biznesi?
Biznesi humb shumëçka. Së pari, vetëm ndërprerja e operacioneve normale, pa marrë parasysh efektin e faktorëve të tjerë, mund të krijojë dëm të konsiderueshëm. Sigurimi i lëndëve të para mund të bëhet më i vështirë dhe më i kushtueshëm. Sjellja e mallrave në treg mund të rrisë kostot gjithashtu. Së dyti, bizneset mund të humbin punëtorë të çmuar. Procesi i punësimit është i kushtueshëm dhe bashkë me vështirësi të tjera, do të ulte normën e fitimit për bizneset. Së treti, biznesi humb fuqinë blerëse të konsumatorit. Së katërti, biznesi humb qartësinë e nevojshme për të investuar dhe kjo do të thotë kufizim i rritjes ekonomike në vitet që vijnë. Së pesti, biznesi mundet potencialisht të humbë emrin dhe prezencën në tregjet tashmë tejet konkuruese.
A rrezikohet krizë urie, pra mbyllje kufijsh edhe për transportin e mallrave? Bllokim i prodhimit?

Kohët e vështira njihen si momente simbolike të cilat testojnë njerëzimin. Shoqëritë e shëndosha ngadhnjejnë kur kuptojnë se ilaçi më i mirë për të mjekuar plagët është solidariteti. Ky rast nuk do të jetë ndryshe. Duhet kuptuar se sado e mirë qoftë një qeveri, ajo nuk mund t’i zgjidhë të gjitha problemet e krijuara. Përgjegjësia e pjesës më të ndjeshme të shoqërisë shqiptare ka potencialin të zbusë, madje edhe të parandalojë urinë. Solidariteti që shoqëroi tërmetin e 26 nëntorit duhet të shërbëjë si shembull për tu ndjekur. Me siguri që do të shohim në ditët që vijnë hendekun mes familjeve të mirëpërgatitura dhe atyre që kanë nevojë për ndihmë sot dhe do të kenë nevojë nesër. Pengesat në transportin e mallrave mund të bëhen faktor shtesë në vështirësitë që mund të krijohen. Shoqëria shqiptare është konsumatore e produkteve të importuara dhe një ngërç në transportin e mallrave do të ishte katastrofal. Nëse kriza zgjat muaj me radhë, familjet që varen nga të ardhurat e siguruara nga prodhimet që eksportojnë, sidomos të atyre bujqësore, do të dëmtohen keqas.
Sa parashikoni të zgjasë situata?
Edhe pse parashikimet makroekonomike janë fusha ime profesionale dhe se unë shpenzoj ditët e javës duke ndihmuar disa nga institucionet më të mëdha financiare në botë, në këtë rast pranoj të dorëzohem e të pohoj se nuk e di se sa do të zgjasë kjo situatë e vështirë. Kjo sepse ka pak raste në historinë e njerëzimit ku fatet ekonomike të shoqërive kërkojnë përballimin e një sfide kaq të madhe duke promovuar distancimin social, ndërkohë që nevoja për bashkëpunim është më e madhe sesa rrallë ndonjëherë. Për t’iu kthyer pyetjes suaj, shtrirja kohore e kësaj situate do të varet shumë nga vendimet që merren nga institucionet shtetërore dhe jo shtetërore për t’a përballuar atë, por po aq edhe nga shkalla e bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe e përgjegjësisë qytetare.
Cilat do jenë pasojat afatmesme dhe afatgjata?
Pasojat afatmesme dhe afatgjata do të varen nga kohëzgjatja e problemit në fjalë, nga momenti kur përhapja e virusit do të vihet nën kontroll. Por ajo që mundem t’ju them më me saktësi është se virusi po ndërpret udhëtimet, tregtinë dhe po paralizon bizneset anembanë globit. Potenciali për humbje njerëzore dhe ekonomike është shumë i lartë dhe një panoramë e tillë i ka lënë investitorët në tregjet ndërkombëtare shumë të nervozuar, pavarësisht masave lehtësuese, siç ishin ulja nga Banka Federale në SHBA e normës së interesit në gati zero përqind dhe injektimi i likuiditetit shtesë. E megjithatë, veprimet e së dielës, 15 mars, nuk e ndalën rrëshqitjen masive në Uoll Strit (Wall Street). Indeksi Dow Jones Industrial humbi gati 3 mijë pikë të hënën, 16 mars, rënia më e madhe në historinë e tregut. Masat drastike, përfshirë mbylljen e shkollave, restoranteve e bizneseve të tjera si dhe kufizimet e lëvizjeve ndërshtetërore do të krijojnë vështirësi për bizneset, të cilat po shohin probleme me zinxhirin e furnizimit.
Për këto arsye, rritja globale ekonomike e këtij viti pritet të ulet nga 2,6% e vlerësuar në janar në 1,9% sipas vlerësimeve sot, dhe kjo shifër mund të ndyshojë sërisht nëse epidemia intensifikohet. Për kontekst rajonal, rritja në zonën euro parashikohet të bjerë në 0,8%, nga 1,3% e vlerësuar në janar. Më tej, në Italinë fqinje, rritja ekonomike parashikohet të jetë negative, -0,2%, nga 0,5% vlerësuar vetëm dy muaj më parë. Shqipërisë do të përjetojë gjithashtu vështirësi ekonomike por vlerësimi i rritjes ekonomike do të ishte i nxituar pa ditur reagimin fiskal të qeverisë ndaj krizës dhe nëse fondet e ndihmave për rindërtimin e zonave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 do të vihen në punë. Një element tjetër pasigurie është ndonjë tërheqje e mundshme e donatorëve të tubuar në 17 shkurt 2020 në konferencën e donatorëve që Bashkimi European organizoi për Shqipërinë në Bruksel.
Për tu kthyer tek pamja globale, shifrat e përmendura më lart bazohen në çfarë dihet sot. Dy skenarë të tjerë pikturojnë një peisazh ende më të zymtë për ekonominë globale. Njëri prej tyre, një soj epidemie e moderuar, bazohet në supozimin se përpjekjet globale për të ndalur përhapjen e virusit nuk kanë suksesin e duhur dhe 2 deri 3 milionë njerëz infektohen në gjithë botën. Edhe pse numri i rasteve të reja të infektimeve me COVID-19 presupozohet se kulmon këtë muaj, shkalla e mortalitetit luhatet ndërmjet 2% dhe 3%. Në skenarin e epidemisë së moderuar, shkalla e shtrimeve spitalore arrin 4% deri 5% dhe numri i të infektuarve ulet ndjeshëm në qershor. Ky skenar ka probabilitet të lartë që ekonomia globale hyn në recesion.
Një skenar i dytë që ne parashikojmë është ai i një epidemie të avancuar dhe parashikon një recesion të thellë global. Skenari bazohet në supozimin se ndoshta një përhapje më agresive e virusit, e cila rezulton në infektimin e 3 deri 4 milionë njerëzve në botë. Sipas skenarit, numri i infeksioneve kulmon në prill, vdekshmëria mes të infektuarve luhatet në 2% deri në 3%, ndërsa shkalla e shtrimeve spitalore arrin 5% deri 6% dhe numri i të infektuarve bie ndjeshëm në korrik. Ky skenar i dytë ka potencialin të krijojë një dëm ekonomik global të krahasueshëm me atë gjatë Krizës Financiare Globale të vitit 2008.
E solla këtë paradë shifrash për të ilustruar konkluzionin se parametrat afatmesëm dhe afatgjatë makroekonomikë globalë do të varen nga intensiteti i problemit që po përjetojmë. Shqipëria nuk bën përjashtim nga kjo llogjikë.
Shqipëria ende nuk ka kapërcyer krizën që la pas tërmeti i 26 nëntorit, çfarë masash duhen marrë në këtë kohë?
Ashtu është. Shqipëria i ka ende plagët e hapura nga tërmeti i 26 nëntorit. Ka një sërë gjërash që mund të bëhen për të zbutur dhimbjen. Qeveria ka thënë se projektet për rindërtim do të vazhdojnë, pavarësisht problemeve të krijuara nga përhapja e virusit, dhe ky është lajm i mirë. Familjet që përjetuan dëme të mëdha dhe janë sorollatur çadrave e hoteleve për muaj me radhë nuk mund të presin më. Ndërkohë, Shqipëria mundet të bëjë më shumë sesa një punë në të njejtën kohë, dhe vendi i ka forcat për të përballuar situatën që ka krijuar COVID-19.
Së pari, profesionistët e shëndetësisë duhet të përcaktojnë masat optimale të nevojshme dhe udhëzimet për mbrojtjen e shëndetit publik dhe të mbajnë komunikime të përditshme me qytetarët. Politika le të bëjë punët e veta. Kjo për faktin se lajmet e rreme janë një problem po aq i madh se edhe vetë virusi. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka quajtur mjergullën disinformative dhe mitet e shumta si epidemi informative (“infodemic”). Së dyti, autoritetet shtetërore duhet të jenë transparente me qytetarët shqiptarë. Transparenca do të krijojë besimin tek qytetarët për të ndjekur e respektuar axhendën qeveritare. Kjo kohë kërkon tonet të zbutura. Deri tani, komunikimet e qeverisë kanë qenë herë të ndjera e produktive e herë konfliktuale e të padobishme. Së treti, qeveria duhet të miratojë një paketë fiskale që të stimulojë konsumin, duke ndihmuar qytetarët më në nevojë dhe të shpëtojë bizneset e vogla nga falimentimi. Kjo është kohë e papërshtatshme për të menduar për rritjen e borxhit publik. Së katërti, qeveria duhet të ndëshkojë spekullantët që rrisin çmimet në mënyrë të paarsyeshme. Rritja stratosferike e çmimeve ua bën edhe më të pamundur qytetarëve, sidomos pensionistëve dhe familjeve me pak ose pa të ardhura konsumin e artikujve bazikë. Së pesti, sistemi shëndetësor duhet të mbështetet fuqishëm që të jetë gati nëse numri i të infektuarve rritet ndjeshëm në ditët që vijnë. Mbingarkimi i një sistemi shëndetësor të papërgatitur do të ishte fatal për të gjithë të infektuarit dhe skenat e dhimbshme të Italisë fqinje do të bëheshin pjesë tronditëse të realitetit shqiptar.
A ngjan kjo me ndonjë krizë tjetër në historinë e njerëzimit? Si do t’ia dalim?
Pa dashur të bëj historianin, mund të them se nuk është hera e parë që njerëzimi përballet me një problem kaq masiv. Dua të përmend këtu epideminë e Vdekjes së Zezë të viteve 1347-1351 në të cilën besohet të kenë humbur jetën mbi 200 milionë njerëz dhe Gripin Spanjoll të viteve 1918-1919, i cili mori jetët e gati 50 milionë njerëzve. Pa dashur të minimizoj kërcënimin që përbën përhapja e COVID-19, dëmi që do ti shkaktojë ky virus njerëzimit do të mbetet më i vogël se ai i shumë epidemive të mëparshme. Kjo sepse kushtet sanitare, mjekësia dhe teknologjia janë shumë më të avancuara sesa një shekull më parë. Në fakt, vetëm dy muaj nga fillimi i punës për zbulimin e vaksinës që rrit imunitetin ndaj COVID-19, ekspertët në SHBA informuan publikun se në 16 mars 2020 se bënë provën e parë të vaksinës preliminare dhe grupi eksperimentues do të ndiqet tani nga afër, ndërkohë që versione të tjera të përmirësuara të vaksinës do të injektohen mbi grupe të tjera eksperimentale.
Sërisht e theksoj se sfida është reale dhe kërkon daljen në pah, në mënyrën më të mirë të mundshme, të virtyteve më të mira njerëzore. Kombinuar me punën, transparencën dhe masat konkrete fiskale të institucioneve, ato virtyte do t’a mundin virusin. Rrallë ndonjëherë ka qenë bashkëpunimi i qytetarëve dhe i institucioneve më i rëndësishëm dhe i vështirë sesa tani. Thënë shkurt, vetëm me bashkëpunim, mirëkuptim dhe shumë sakrifica do të mund të luftohet virusi. Kjo nuk është kohë as për politikë dhe as për të fajësuar të tjerët. Institucionet duhet të marrin peshën e rëndë të përgjegjësisë së momentit delikat mbi supe, ndërsa qytetarët duhet të mendojnë për vete dhe për të tjerët. Për shembull, ekspertët mendojnë se një 20 vjeçar i shëndetshëm nuk kërcënohet nga Koronavirusi i marrë diku në një aktivitet me shoqërinë, por duke e sjellë virusin në shtëpi mund të shkaktojë vdekjen e një familiari të sëmurë apo të moshuar, përgjithësisht me imunitet të ulët ndaj një virusi të tillë fatal. Thënë ndryshe, si popull me temperament të stuhishëm, ne e kemi të vështirë të heshtim dhe do t’ia dalim vetëm nëse do të dëgjojmë më shumë sesa do të flasim.

Adrian Civici: Paketa ekonomike – përballë sfidës


Thellimi i krizës ekonomiko-financiare si efekt i koronavirusit, po i vendos Shtetet dhe qeveritë e ndryshme përballë detyrimit të disbursimit të miliarda eurove apo dollarëve për përballimin e efekteve shkatëruese të saj dhe ndërtimin e paketave speciale mbështetëse për bizneset dhe qytetarët.
Përballimi kësaj sfide të jashtëzakonshme duket se po përcaktohet nga “rivaliteti” ndërmjet dy elementeve kryesore të saj : 1.nevojat mbështetëse me karakter social (garantimi i konsumit, financim shtetëror për pagat, ndihmave sociale, etj.,të qytetarëve), nevojat kundrejt biznesit për të ruajtur aftësinë prodhuese dhe mos shkuar drejt falimentimit (fonde shtetërore garancie, kredi të buta e preferenciale, shtyrje apo ristrukturime detyrimesh, përjashtime apo shtyrje në kohë të disa taksave, etj.); dhe, 2.mundësive reale të cdo qeverie për të disponuar dhe disbursuar paratë e nevojshme për këto paketa ekonomike.

Shumë nga drejtuesit e qeverive, shteteve, bankave qëndrore apo institucioneve ndërkombëtare, nën presionin e jashtëzakonshëm për rritjen e borxhit publik dhe deficitit buxhetor po vazhdojnë të këmbëngulin në instrumentin e “monetarizimit të borxheve”. Shprehja dhe qëndrimi më dominues në këto momente është “do bëjmë gjithshka, sado që kjo gjë të kushtojë”. Kryeministri italian Conte, Presidenti francez Macron, Presidenti i SHBA Trump, Kryeministri britanik Jonson, etj., nuk rreshtin së deklaruari se “Shteti do ndihmojë spitalet, bizneset, punë marrësit … gjatë gjithë krizës së koronavirusit, me cdo kosto e cmim që do jetë e nevojshme”. Natyrisht, që kjo nuk është thjesht “një mënyrë elegante dhe garantuese të shprehuri”, pasi mbrapa saj qëndron “gjithë arsenali i masave të jashtëzakonshme ekonomike, financiare dhe monetare që po përdoren në këtë situatë krize”.

Gjatë krizës globale financiare të viteve 2008-2012, BE-ja kaloi momente shumë të vështira. Greqia ishte në prag falimentimi total dhe rrezikonte seriozisht të braktiste eurozonën,Spanja, Portugalia dhe Italia ishin të detyruara të merrnin hua të mëdha me përqindje interesi të larta në tregjet financiare. Mario Draghi, në atë kohë President i BQE garantonte se “Banka Qëndrore Europiane është gati të bëjë gjithshka që është ë nevojshme për shpëtimin e euros, përfshirë këtu dhe blerjen masive të borxhit të vëndeve në vështirësi”. Kjo “formulë” funksionoi në mënyrë të suksesshme. Përqindjet e interesit të borxhit për vendet në vështirësi u ulën, cka dëshmoi se tregjet financiare e rritën besimin për ekonominë dhe stabilitetin financiar të këtyre vendeve.
Me sa duket, “kriza e koronavirusit” po e rrisjell në vëmendje këtë recetë shpëtuese. Përballë presioneve dhe detyrimeve të “faturës së jashtëzakonshme financiare për përballimin e krizës po shtrohet dhe pyetja : a kanë vendet e prekura, qofshin këto vende të pasura, në zhvillim, apo të varfëra, mundësi dhe hapësira të pakufizuara për të mobilizuar shuma kaq të mëdha monetare?”. Pozicioni “pavarësisht se sa kushton” nënkupton se tani nuk është koha për llogaritjen e shpenzimeve, por për mobilizimin e gjithshkaje që është e mundur si burime financiare e monetare … është koha për të gjetur e përdorur cdo lloj mundësie e burimi financiar”. Recetat e “vjetra” klasike e neoklasike nuk duket se janë të mundshme e të mirëpritura. Është mjaft e vështirë, thujase e pamundur që në këtë kohë të flitet për rritjen e taksave apo krijimin e taksavetë reja “koronavirus”, shkurtimin e shpenzimeve buxhetore, kontrollin e inflacionit, zvogëlimin e Shtetit dhe ndërhyrjes së tij në ekonomi, zgjerimin e privatizimeve dhe sektorit privat, aftësinë e tregjeve për tu vetërregulluar, etj.
E vetmja gjë që mbetet është rruga e marrjes borxh në tregjet financiare dhe shtimin e nivelit të borxhit publik të cdo vendi. Për vendet me nivel të ulët të borxhit publik ose ekonomi të fuqishme produktive rritja e tavanit të borxhit publik është “e suportueshme”, aq më tepër që një pjesë e tyre, në këto momente janë “të favorizuara” sepse mund të marrin borxh të ri afatgjatë me interesa negative, ndërsa për vendet me ekonomi të dobëta dhe borxh publik të lartë, sic është dhe Shqipëria, shtimi i borxhit përtej disa limiteve të arsyeshme, mund të ketë pasoja negative afatshkurtër dhe afatgjatë duke u bwrw njw “klient problematik në tregjet financiare ndërkombëtare”.

Në javët dhe muajt në vazhdim, “tregjet financiare mund të bëhen shumë penalizuese në lidhje me normat e interesit të dhënies së borxheve,në funksion të besueshmërisë dhe aftësisë paguese të vendeve që kërkojnë borxh në tregjet ndërkombëtare”. Rritja e normave të interesit, do të ishte një peshë akoma më e rëndë e borxhit publik mbi buxhetin dhe ekonominë. Qëndrimit “pavarësisht sa do kushtojë”, po i kundërvihet argumenti se “borxhi publik mund të rritet, por jo me cdo cmim … ose indiferent kundrejt cmimit të tij”.
Në këto kushte, dilemat dhe kërkimi i zgjidhjeve efektive “por dhe të mundshme” sa vijnë dhe shtohen. Vende të vecanta po e shtojnë kërkesën për borxh të ri, si në tregjet ndërkombëtare ashtu dhe në tregjet e brendshme, BE-ja dhe Eurozona po shkojnë drejt emetimit të një huaje të re “Coronavirus bond” që është një “një borxh solidariteti dhe shpërndarje risku ndërmjet vendeve europiane”, BQE që zbaton politikën monetare në Eurozonë, nëpërmjet operacioneve të “lehtësimit sasior”, njofton se është e gatshme të blejë borxhin publik të vendeve anëtare në një shumë prej qindra miliardë euro. Sipas mjaft ekspertëve financiarë, “ky kooperim ndërmjet politikës buxhetore dhe asaj monetare, me bankën qëndrore që ble borxhin e vendeve të ndryshme, është i pranueshëm në situata të jashtëzakonshme krize apo gjendje lufte, ku Shtetet vetëm me buxhetet e tyre e kanë të pamundur ta përballojnë krizën … për momentin duket se nuk ka zgjdhje të tjera”.
Një tjetër ide apo rrugëzgjidhje që po artikulohet shpesh është dhe ajo e “monetarizimit të borxhit”, e famshmja “prerja dhe hedhja në qarkullim e kartmonedhave të reja, cka nënkupton “konvertimin e borxhit në monedha të reja”. Natyrisht, kjo nuk është “një zgjidhje e re apo e panjohur”. Ekonomistët, politikanët dhe bankierët janë prej një kohe të gjatë në një debat të ashpër në lidhje me përdorimin e këtij instrumenti, qoftë dhe në kohë krizash ekstreme si kjo e koronavirusit. Edhe në Shqipëri, në debatin publik e politik ka zëra ekspertësh e politikanësh që po propozojnë përdorimin e monetarizimit të borxhit nëpërmjet prerjes së re të monedhës si një instrumentet dhe mundësitë për të përballuar dhe konfrontuar krizën. Sa është e mundur dhe domosdoshme një masë e tillë nga Banka e Shqipërisë?
Fillimisht, sidomos për ata që nuk janë specialistë të sferës ekonomike, financiare e monetare, mendoj se ky term apo kjo metodë ka nevojë të sqarohet pak më shumë në thelbin dhe përmbajtjen e saj. Ky term përdoret për përcaktimin e të paktën dy proceseve të ndryshme. Nga një këndvështrim më teorik, “monetarizimi i borxhit nënkupton faktin kur një Shtet, nëpërmjet bankave qëndrore printon direkt monedhë të re për të plotësuar nevojat e tij financiare, në vend që të marrë borxh apo të emetojë bonde thesari në tregjet e brendshme apo të jashtëme”. Ky term është zgjeruar në kuptimin e tij edhe në përshkrimin e blerjes së borxhit publik nga bankat qëndrore nën optikën e financimit të Shtetit apo qeverisë.
Sa mundësi apo “dëshirë ka Shqipëria dhe Banka e Shqipërisë ti drejtohet një opsioni të tillë?
Mendoj se varianti i parë, ai i printimit direkt të parave të reja për të plotësuar nevojat financiare të buxhetit duhet përjashtuar tërësisht si ide apo mënyrë veprimi. Për Milton Friedman, “ky lloj operacioni dëshmon për Shtete të papërgjegjshme, me pasoja negative ekonomike të paparashikueshme”, ndërkohë që kjo lloj politike është e ndalur nga traktate europiane edhe për BQE apo Bankat Qëndrore të vendeve të vecanta. Rreziku më i madh është rritja e pakontrolluar e inflcionit, dmth, rritja e cmimeve dhe ulja e fuqisë blerëse.
Ndërsa versioni i dytë, ai i blerjes së një pjese të borxhit publik apo privat nga Banka e Shqipërisë në kuadër të politikave specifike jo-konvencionale, mund të jetë një opsion rezervë i “minutës së fundit”, nëse situata e krizës do zgjasë dhe do agravohet shumë, dhe gjendja e likuiditetit në sistem do shfaqë probleme serioze, apo do të dalë si problem kontrolli i kurbës së normave të interesit, në emër të nxitjes së kreditimit dhe uljen e kostos së shërbimit të borxhit.

“Media bën panik për të dëmtuar presidenti amerikan Donald Trumpin”


Ushtruesi i detyrës së shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë tha se mediat amerikane po provokojnë panik për koronavirusin, për ta dëmtuar presidentin  amerikan Donald Trump.
“Arsyeja që ato po i kushtojnë kaq shumë vëmendje, është se mendojnë se kjo do ta rrëzojë presidentin”, tha Mick Mulvaney. Duke folur me një grup konservatorësh të premten, ai tha se njerëzit duhet t’i injorojnë mediat, në mënyrë që t’i qetësojnë tregjet. Tregjet globale kanë vazhduar të bien pasi koronavirusi COVID-19 ka prekur tashmë mbi 50 vende të botës.

Prejse është shfaqur për herë të parë në Kinë, dhjetorin e kaluar, sëmundja ka prekur 82,000 njerëz, ndërsa 2,800 pacientë kanë vdekur. Të gjitha, përveç 3,664 rasteve dhe 57 vdekjeve, janë raportuar në Kinë. Numri i amerikanëve të infektuar me koronavirus është 60. “Kemi ndërmarrë hapa të jashtëzakonshëm katër ose pesë javë më parë,” tha Mulvaney, duke iu referuar urdhrit të administratës Trump për të mbyllur kufirin për udhëtarët e huaj që vijnë nga Kina.

Koronavirusi nuk ka pasaportë…

\
Shtetet e BE-së duhet të mbajnë kufijtë e hapur aty ku është e mundur dhe të mos i dorëzohen koronavirusit “nacionalizëm”, paralajmëroi presidenti francez Emmanuel Macron.
“Nëse ka një parim që duhet të udhëheqë veprimet tona … është besimi tek shkenca,” tha Macron në një fjalim nga pallati Élysée të enjten (12 mars).
“Ne pa dyshim që do të marrim masa, por ato duhet të merren për të pakësuar tregtinë midis zonave që preken dhe atyre që nuk janë prekur. Këto nuk janë domosdoshmërisht kufij kombëtar,” tha ai.
“Ne nuk duhet t’i nënshtrohemi panikut. Ne pa dyshim do të marrim masa kontrolli, mbyllje kufijsh, por ne do të duhet t’i marrim ato kur ato të jenë relevante dhe si evropianë, në një shkallë evropiane, sepse në këtë shkallë që ne kemi ndërtuar liritë tona, “shtoi ai.
“Ky virus nuk ka pasaportë. Ne duhet të bashkojmë forcat, të koordinojmë përgjigjet tona, të bashkëpunojmë … Koordinimi evropian është shumë i rëndësishëm,” tha ai gjithashtu.
Shkencëtarët po punojnë në një nivel “europian” për të gjetur një antidot dhe një vaksinë për koronavirusin, tha ai. Macron gjithashtu bëri thirrje për një koordinim më të mirë në nivelin e grupeve G7 dhe G20 të vendeve të pasura në një shkallë globale.
Qasja e tij erdhi në kontrast me presidentin amerikan Donald Trump, i cili u ndaloi shtetasve nga 26 shtete të BE të mërkurën të vijnë në SHBA, për të luftuar atë që ai e quajti një “virus të huaj”.

Masa e Trump shkaktoi “panik” për shumë amerikanë në Evropë, të cilët filluan të blejnë bileta për të shkuar në shtëpi menjëherë, në rast se të gjitha udhëtimet nëpër Atlantik ndaloheshin, dhe kjo përkeqësoi aktivitetin e linjave ajrore. Arabia Saudite gjithashtu ndaloi fluturimet nga Evropa, megjithëse jo nga Mbretëria e Bashkuar.
Franca dhe Belgjika fqinje njoftuan gjithashtu mbylljen e shkollave, restoranteve, dyqaneve dhe bizneseve të tjera të enjten.
“Ne jemi vetëm në fillim të kësaj epidemie. Në të gjithë Evropën, ajo po përshpejtohet, po intensifikohet,” paralajmëroi Macron.
“Masat e ndihmës ekonomike të njoftuara nga Banka Qendrore Evropiane (ECB) më parë të enjten nuk do të jenë të mjaftueshme”, tha ai.
“Ne, evropianët nuk do të lejojmë që një krizë financiare dhe ekonomike të përhapet. Ne do të reagojmë fuqimisht dhe do të reagojmë shpejt,” shtoi Macron, duke qetësuar francezët, dhe jo vetëm.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...