Vështrim i librit “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit III”
VENDNDODHJA E DODONËS PELLAZGE
Në librin e parë, botim i vitit 2011, autori pasi ka
hulumtuar gjatë, në një periudhë gati 10-vjeçare, pasi ka grumbulluar një
material të pasur për vendndodhjen e Dodonës, arrin në përfundimin se Dodona
nuk ndodhet në luginën e Carakovistës, në jugperëndim të Janinës. Dëshmitë që e
bindin autorin se Dodona ndodhet jashtë kësaj lugine, janë kryesisht tri:
-Orakulli i Dodonës, sipas dëshmive të autorëve të
antikitetit, ndodhej ndanë lumit me emrin Dodon. Në luginën e Carakovistës nuk
ekziston lumi.
-Dodona ndodhet në shpat të malit Tomar. Dodona e luginës
së Carakovistës, jo vetëm nuk ndodhet në shpat të malit të kësaj lugine që
është mali Uliçka, por as në rrëzë të tij. Ky qytet ndodhet në krahun e kundërt
të luginës, në kodrat e Kozmirasë.
-Autorët e antikitetit thonë se Dodona ndodhet në veri të
Epirit, kurse lugina e Carakovistës në jugperëndim të Janinës, ndodhet në
mes të Epirit.
Të tri këto grupe dëshmish e orientuan studiuesin Kujtim
Mateli ta kërkojë Dodonë jashtë luginës së Carakovistës. Si pikë referimi mori
autorët e antikitetit që e nxjerrin Dodonën në veri të Epirit. Segmenti verior
i Epirit ku mund të kërkohej Dodona është lugina e lumit Drinos deri në
grykëderdhjen e tij në Vjosë dhe Lugina e Sipërme e Vjosës apo lugina e
Përmetit. Lugina e Drinos që është një pjesë e rrethit të Gjirokastër dhe një
pjesë e rrethit të Tepelenës, sipas të gjitha burimeve historike ka qenë tokë e
Kaonisë. Lugina e Përmetit ka qenë tokë e Molosisë. Një grup autorësh të
antikitetit thonë se Dodona ndodhej në veri të Epirit në tokën e Molosisë.
Atëherë për autorin mbetej vetëm lugina e Përmetit ku duhej kërkuar Dodona.
Disa autorë të antikitetit japin këto të dhëna që përcaktojnë topografinë e
Dodonës, mbi bazën e të cilave duhej kërkuar dhe gjetur Dodona:
-Qyteti dhe tempulli ndodhet në shpat të malit.
-Përballë tyre ndodhej fusha Hellopia, ku kullotnin tufa
gjedhësh të shumtë.
-Ndanë këtij vendi kalon lumi Dodon dhe që gjatë rrjedhës
së tij ka qenë orakulli i lisit të shenjtë që realizohej nga fëshfërimat e
gjetheve të lisit dhe lëvizjet e erërave. Në të tre malet e këtij vargmali
Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë, që plotësojnë kushtin se ndodhen në veri të
Epirit, në tokën e Molosisë, nuk ka asnjë vend tjetër që të ndodhet një qytet
në shpat të ndonjërit prej këtyre maleve ku të ndodhen rrënojat e ndonjë
qyteti. I vetmi vend që i plotëson këto kushte është lugina e Dëshnicës ku
ndodhet lumi, pranë të cilit ishte orakulli i lisit; qyteti në shpat të malit,
në perëndim të qytetit të Këlcyrës ku ndodhet qyteti antik me më shumë se 600
rrënoja dhe sipër këtij qyteti antik, kalaja antike si vendndodhje e tempullit
dhe e orakullit të pëllumbave.
Për autorin nuk ka as më të voglin dyshim se Dodona qytet
dhe tempull ndodhet në perëndim të qytetit të Këlcyrës, kurse orakulli i lisit
përgjatë lumit të sotëm Dëshnica, ku ndanë lumit ndodhen pyje të shumtë të
lisit dhe vende moçalore. Pas botimit të librit të parë, autori iu përvesh
punës për të sqaruar opinionin publik dhe atë shkencor që ende vazhdonin të
besonin se Dodona ndodhej në luginën e Carakovistës.
Në librin e dytë autori i është përgjigjur pyetjes:
nëse autorët e antikitetit e vendosin Dodonën në veri të Epirit në tokën e
Molosisë, gjetjet në luginën e Carakovistës a e vërtetojnë ekzistencën e
Dodonës atje? Autori e ka përkthyer Karapanon në shqip, si dhe mjaft autorë të
tjerë pas tij. Një kujdes të veçantë u ka kushtuar ekspeditave arkeologjike të
kryera nga Evangjelides në vitin 1935 dhe Sotiros Dakaris që e ka mbrojtur
ekzistencën e Dodonës në luginën e Carakovistës.
Dy janë çështjet mbi të
cilat e ka ndërtuar librin e dytë.
Çështja e parë ka të bëjë me jetëgjatësinë e këtij
qyteti në luginën e Carakovistës që është pretenduar si qytet i Dodonës nga
Karapanos dhe pasuesit e tij. Jetëgjatësia e këtij qyteti nuk e
kapërcen segmetin kohor të dy shekujve. Evangjelides thotë se ky vend i shenjtë
(i pretenduar Dodona) nuk ka gjetje arkeologjike që ngjiten përtej shekullit të
V, para erës sonë. Aty nuk ka as gjetje arkeologjike që i përkasin periudhës së
pushtimit romak apo krishtërimit, sepse Dodona ka ardhur deri në shekullin e V
(të erës sonë) si faltore pagane dhe më vonë qendër peshkopale në Epirin e
Vjetër. Sotiros Dakaris e përcakton më qartë segmentin kohor të ekzistencës së
këtij qyteti. Në konferencën shkencore të mbajtur nga 22-25 tetor të vitit 1984
në Francë, mbi Ilirinë e Jugut dhe Epirin antik, faqe 73-75, Dakaris jep këto
të dhëna: Vendi i shenjtë i epirotëve ishte qendër e Aleancës Epirote
(343/2 deri në vitin 234/3) dhe më vonë Koinion i Epirit (234/3 deri në vitin
168). Dakaris që e pretendon këtë vend si qytetin e Dodonës, nuk jep në këtë
konferencë asnjë të dhënë që ky qytet kishte jetëgjatësi përtej mesit të
shekullit IV para erës sonë, duke u përputhur në këtë mënyrë me arkeologun e
mëparshëm Evagjelides. Nuk solli as të dhëna për periudhën e pushtimit romak,
pas vitit 168 para erës sonë. Sipas Dakarit jetëgjatësia e këtij qyteti është i
barabartë me ekzistencën e institucioneve epirote. Në të vërtetë ky është
qyteti që Aleanca Epirote, në fillim të krijimit të saj, ngriti këtë qytet ku
do të mblidheshin përfaqësuesit e zgjedhur të popullit dhe gjithë struktura
organizative për të bërë të mundur funksionimin e Aleancës Epirote.
Çështja e dytë që studiuesi Kujtim Mateli kërkon të provojë është se gjetjet arkeologjikevërtetojnë ekzistencën e Hyjnisë Di Naios, kurse në Dodonë sipas burimeve historike nderohej Di Dodonen. Në të njëjtën kohë nuk ka asnjë mbishkrim që të vërtetojë se ky qytet i përket qytetit të Dodonës. Në përfundim autori thotë se numri i gjetjeve arkeologjike
që do të mundnin të vërtetonin se ky qytet i luginës së Carakovistës i përket Dodonës është zero.
Libri i tretë që po përgatitet për botim ka të bëjë me dëshmitë e autorëve antikë që e vendosin Dodonën në kufijtë e Ilirisë. Ky grup autorësh e vendos Dodonën në afërsi të Apolonisë ilire dhe konkretisht në kufijtë e Atintanisë. Këto dëshmi e mbyllin ekzistencën e Dodonës në jugperëndim të Janinës, por lenë të hapur një shteg tjetër: a është Dodona në Tomorin e Beratit? Ky shteg mbetet i hapur për arsye se në afërsi të Apolonisë, nuk mund të thuhet për Dodonën në Jugperëndim të Janinës, por Tomori i Beratit është pjesë e maleve që përfshihen në afërsi të Apolonisë. Autori e merr në konsideratë Dodonën në malin e Tomorit që ka mbështetës të shumtë në Shqipëri. Në këtë libër vërtetohet përse ajo nuk mund të jetë në malin e Tomorit.
Autorët antikë thonë se Dodona ndodhet në veri të Epirit,
në tokën e Molosisë pellazge, Tomori i Beratit ndodhet në tokën e Ilirisë, i
rrethuar nga fiset ilire të parthinëve dhe dasaretëve. Në ndarjen
administrative të periudhës romake: Epir i Vjetër dhe Epir i Ri, që përfshinte
trojet ilire afërsisht me rrjedhën e lumit Mat, Dodona përfshihej në Epirin e
Vjetër me qendër Aktia Nikopolin (Preveza e sotme), kurse Berati (në atë kohë
me emrin Pulheriopolis) përfshihej në Epirin e Ri me qendër Durrësin.
Rrjedhimit dhe Tomori i Beratit ka qenë pjesë e Epirit të Ri. Autorët e
antikitetit i njihnin mirë fiset ilire nga ato pellazgo-epirote, ku bënte pjesë
dhe Molosia. Nëse Dodona do të ishte në Iliri ata nuk do të thoshin Dodona
pellazge, por Dodona ilire. Përderisa dëshmitë e tyre vërtetojnë se Dodona
ishte pellazge dhe në tokën e Molosisë, do të thotë se Dodona nuk ishte në
Tomor të Beratit që ishte pjesë e Ilirisë dhe pjesë e fiseve të parthinëve dhe
dasaretëve ilirë.
Disa autorë modernë mundohen që Atintaninë, të cilën Skylaks Karadiensis e
vendos në kufijtë e Dodonës kërkojnë ta shtrijnë nga kufijtë e Apollonisë deri
në Jugperëndim të Janinës. Si perfaqësues të këtij grupi, studiuesi Kujtim
Mateli sjell autorin helen Hatzopoulos, M.B., i cili në konferencën shkencore
mbajtur në Francë (25-27 tetor 1990), shtron tezën se fisi i atintanëve
shtrihej nga kufijtë e Apollonisë deri te liqeni i Janinës, duke dashur të
përputhë njërën nga dëshmitë e autorëve të antikitetit me të ashtuquajturën
Dodonë në jugperëndim të Janinës. Kjo përpjekje tregon se ata që e mbështesin
tezën se Dodona ndodhet në luginën e Carakovistës ndodhen në vështirësi provash
për ta vërtetuar ekzistencën e Dodonës në Jugperëndim të Janinës.
Sipas Hatzopoulos, M. B., Atintania shtrihet nga kufijtë
e Apolonisë duke përfshirë Mallakastrën dhe Tepelenën e sotme në të djathtë të
Vjosës, gjithë luginën e Drinos që i përket rrethit të sotëm të Tepelenës (në
grykëderdhjen e tij), gjithë luginën e Drinos që i përket rrethit të sotëm të
Gjirokastrës, pastaj gjithë territorin deri te liqeni i Janinës. Po kjo vjen në
kundërshtim me autorët e antikitetit që luginën e Drinos e kanë përcaktuar si
tokë të Kaonisë. Kështu Klaud Ptolemeu dhe Stefan Bizantini e
japin Antigonenë që ndodhet në luginën e Drinos si qytet të Kaonisë së Epirit.
Tit Livi i jep ngushticat e Antigonesë si tokë të Kaonisë. Mbështetur mbi këto
dëshmi një shumicë e autorëve modernë si: Hammond N.G. L., Pierre Cabanes,
Chryseis Tzouvara-Souli e japin luginën e Drinos si tokë të
Kaonisë.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë e kundërshton shtrirjen e Atintanisë deri
te liqeni i Janinës. Në librin që mban autorësinë e saj “Historia e
popullit shqiptar I”, lugina e Drinos jepet si tokë e Kaonisë, kurse lugina e
Përmetit si tokë e Molosisë. Që do të thotë, se shumica e dijetarëve të ditëve
të sotme kanë të njëjtin mendim se Atintania ndodhet në të djathtë të Vjosës,
që u përket rretheve të Mallakastrës dhe Tepelenës në të djathtë të Vjosës.
Edhe kjo përpjekje që është bërë nga autorët helenë për t`i dhënë Dodonës së
Carakovistës një dëshmi nga autorët antikë, mbeti një përpjekje e dështuar dhe
siç thotë studiuesi Kujtim Mateli numri i dëshmive të autorëve antikë që e
vendosin Dodonën në luginën e Carakovistës është zero. Tre libra në kërkim të
vendodhjes së Dodonës provuan qartësisht se Dodona nuk ndodhet në jugperëndim
të Janinës, por në Dëshnicë të Përmetit, konkretisht në perëndim të qytetit të
Këlcyrës (qytet dhe tempull) dhe përgjatë lumit të Dëshnicës (orakulli i lisit
të shenjtë). Me përcaktimin e vendodhjes së Dodonës do të kemi mundësinë të
hapim porta të reja për të depërtuar në origjinën e identitetit tonë
pellazgo-ilir.
Në përfundim mund të themi se me prova të shumta Kujtim
Mateli ka vërtetuar qartësisht se vendodhja e Dodonës nuk është në jugperëndim
të Janinës, as në Tomorin e Beratit, por në rrethin e Përmetit, në perëndim të
qytetit të sotëm të Këlcyrës, në shpat të malit Trebeshinë
Akademik Prof. Dr. Flori
Bruqi, PD.H,
Drejtor për marrëdhënie me publikun
pranë Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave dhe
Arteve me seli në New York SHBA.
Biografia e autorit
KUJTIM MATELI
Kujtim Mateli, u lind në Mazhan të rrethit të Përmet të Shqipërisë, më 15.06.1951. Fakultetin Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, e kreu në Elbasan 1985-1990. Më fillim ka punuar mësues në rrethin e Përmetit dhe në Tiranë, ku jeton aktualisht. Krijimtarinë letrare e ka filluar në vitet e `70-ta dhe në fillim të 1980-të, ka botuar ciklin e parë me poezi në gazetën “Drita” dhe në vijim ka botuar vazhdimisht në opuset qendrore të shtypit dhe atë lokal, ese, komente dhe kritikë letrare. Ka botuar vëllimin poetik “Kur mendon për të tjerët” në vitin 2009. Një publicitet të veçantë krijimtarisë së tij e ka dhënë revista “Metafora” organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ku ka qenë i pranishëm pothuaj në çdo numër të saj. Është i pranishëm në veprimtaritë letrare që zhvillohen në Shqipëri, por dhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Klubi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Naim Frashëri” në Përmet, e ka vlerësuar me Çmim të Parë në vitin 2017, për vëllimin poetik “Qetësojmë shpirtin e trazuar”.
Fusha e dytë e studimeve të tij ka të bëjë me historinë e
antikitetit dhe konkretisht me identitetin e Dodonës dhe vendodhjen e saj. Në
vitin 2001 i është përkushtuar Dodonës pellazge, materialet e së cilës do t`i përmbledhë
në tri libra, me mbi 20 vjet studim.
“Dodona ndodhet në Deshnicë të Përmetit, I” 2011
“Dodona ndodhet në Deshnicë të Përmetit, II”, 2016
“Qetësojmë shpirtin e trazuar” (poezi), 2017.
Librat e tij kanë qenë objekte edhe i studiuesve të huaj,
siç është kërkuesi shkencor Gilles De Rapper, anëtar i French National Centre
for Scientific Research.
Për ta sensibilizuar opinionin publik ka dhënë disa
intervista në shtypin e shkruar dhe disa emisione televizive. Televizioni “Planet”
në vitin 2013 realizoi një dokumentar 40 minutash, në lidhje me studimin e tij për
Dodonën.
Fusha e tretë e punës së tij ka qenë dhe publicistika. Është
një numër i konsiderueshëm artikujsh që paraqesin realitetin shqiptar në këto
vitet e fundit ku mund të përmendet shkrimi: “Albanologut Milan Shuflaj, emrin dhe
gjakun ia ruan Shqipëria”, botuar në disa gazeta, ku pasqyrohet dhe kontributi
i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane.
Prishtinë, 02.02.2021
Flori
Bruqi