Ambasada turke në Prishtinë e kundërshtoi hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
“Nga postimet në mediat sociale të ish presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryeministrit prof.dr.Abdullah Hoti dhe ministres të Punëve të Jashtme Meliza Haradinaj-Stublla është kuptuar se përveç njohjes reciproke të Kosovës dhe Izraelit, një angazhim është bërë edhe nga Kosova për të hapur një Ambasadë në Jerusalem. Është zhgënjyese që një hap i tillë, i cili do të përbënte një shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare madje të merret në konsideratë nga autoritetet e Kosovës”, thuhet në postimin e saj në FB.
Turqia, thuhet më tej, si një nga vendet e para që njohu Kosovën, e që gjithashtu ka siguruar një mbështetje të madhe për përpjekjet drejt njohjes ndërkombëtare të këtij vendi që nga fillimi, nuk e sheh të drejtë që ky proces të ndërtohet në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe veçanërisht mbi vuajtjet e popullit palestinez, territoret e të cilit janë nën pushtim.
“Është theksuar vazhdimisht nga rezoluta të ndryshme të OKB-së që konflikti palestinez mund të zgjidhet vetëm përmes krijimit të një shteti të pavarur, sovran dhe të afërt të Palestinës bazuar në kufijtë e vitit 1967 me Jerusalemin Lindor si kryeqytet”, vazhdon njoftimi. Ambasada i bëri thirrje lidershipit kosovar të veprojë në përputhje me këto rezoluta dhe të frenohet siç thuhet aty, nga veprimet që do të dëmtonin statusin historik dhe ligjor të Jerusalemit dhe që do të parandalonin që Kosova të njihet nga shtetet e tjera në të ardhmen.(FB)
Është zyrtarizuar njohja e Kosovës nga Izraeli.
Kosova dhe Izraeli kanë vendosur marrëdhënie diplomatike përmes nënshkrimit të memorandumeve të bashkëpunimit mes Ministrive të Jashtme për konsultime politike dhe për bashkëpunim zhvillimor.
Marrëveshja e njohjes së Kosovës nga Izraeli u nënshkrua nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe homologu i saj hebre, Ministri i Punëve të Jashtme të Shtetit të Izraelit, Gabriel Ashkenazi.
Këtë bashkëpunim e mirëpritën dy homologet, Meliza Haradinaj-Stublla dhe Gabriel Ashkenazi.
Kryediplomatja kosovare tha se me vendosjen e këtyre marrëdhënieve diplomatike Kosova po hynë në një etap të re.
Njohja e ndërsjelltë mes Kosovës dhe Izraelit, është arritur më 4 shtator të vitit 2020.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, shteti i Kosovës, shënon konsolidim në arenën ndërkombëtare duke krijuar miq edhe në Lindjen e Mesme.
Ai tha se ky zhvillim e thyen bllokadën e njohjeve për Kosovën.
Hoti shtoi se krahas dokumentit për marrëdhënie diplomatike, të dyja vendet kanë nënshkruar edhe disa marrëveshje tjera që fuqizojnë bashkëpunimin ekonomik dhe politik.
Të hënën, më 1 shkurt, Kosova dhe Izraeli në një ceremoni virtuale, formalizuan vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.
Në një konferencë për media, kryeministri Hoti tha se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tregon qartë për efektin dhe rëndësinë që ka marrëveshja e 4 shtatorit 2020 e arritur në Uashington.
Njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Izraelit ishte paraparë me këtë marrëveshje të cilën e kishin ndërmjetësuar Shteteve e Bashkuara, dhe e cila ishte nënshkruar nga Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Vendosja e marrëdhënieve diplomatike tregon qartë për efektin dhe rëndësinë që ka marrëveshja e 4 shtatorit dhe i nxjerr gabim kritikët që vazhdimisht e kanë kritikuar këtë marrëveshje, edhe duke e kritikuar dhe mos e pranuar njohjen nga Izraeli e cila ka ndodhë në Shtëpinë e Bardhë dhe sot është konkretizuar”, tha Hoti i cili falenderoi të dyja administratat amerikane për mbështetjen që i kanë dhënë kësaj marrëveshjeje.
Kryediplomati izraelit Gabi Ashkenazi duke nënshkruar dokumentin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën, teksa ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, në zyret e saj në Prishtinë bëri të njëjtën gjë.
Ndërsa ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, tha se Kosova po e “thyen zingjirin e fushatës agresive të Serbisë për çnjohjen e Kosovës”.
Ajo konfirmoi se Ambasada e Kosovës do të jetë në Jerusalem.
“Ky është zotim që derivon nga Marrëveshja e Uashingtonit dhe telefonatës së Hotit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Zyrën Ovale”, tha Haradinaj-Stublla.
Hoti dhe Haradinaj-Stublla thane se shkëmbimi i ambasadorëve mes dy vendeve do të ndodhë pas përfundimit të procedurave ligjore përkatëse.
“Kjo, mbetet çështje e afateve kohore dhe procedurave teknike se kur do të permbushen këto detaje teknike”, tha Haradinaj-Stublla.
No comments:
Post a Comment