2021/02/02

“VARGJE ME SHIJE VJESHTE”

R E C E N S I O N

Nga Prof. Dr. Zejnepe Alili Rexhepi

 “VARGJE ME SHIJE VJESHTE”

Filozofema “kur dashuron në mënyrë të sinqertë, bëhesh poet, dhe i jep kuptim buzëqeshjes, fjalës, dhimbjes...” të shoqëron pothuajse në të gjitha poezitë e dorëshkrimit të Asllan Qyqallës, në të cilin, vargje pas vargjesh lexojmë për muzën e ngjyer në mallin e dashurisë së (pa)mërguar.

Trajektorja jetësore e poetit për dashurinë e tij të madhe mbështetet tek koha e ikur, e lodhur si mall pritjesh ndër vite. E ky mall shpesh përngjason me atë pamjen vjeshtore, që në ikje përvidhet mbi të sotmen dhe pambarimisht e ngacmon të shkuarën, si një kujtim i pasosur. Me të këtilla pamje e përfytyrime formësohet vëlimi poetik “Vjeshta në Prishtinë”.



Në realitet, poeti Qyqalla, identifikohet me mendimin se në jetë duhet “të mësosh të vlerësosh atë që ke, përpara se koha të të mësojë të vlerësosh atë që kishe”. Edhe në vargjet jetike të A. Shkrelit: “Mos u bën poet, nëse s’mund të vdesësh për secilin varg, të vdesësh për secilën fjalë”, gjejmë vargje që ngrihen mbi rëndesën e shpirtit. E teksa shpirti trazohet nuk njeh ndalesa për të eksploruar nëpër rrugët jetësore ku befasisht lind dashuria, e bashkë me të, zë vend dhembja, malli... Atëherë, sa e sa grimca kujtimesh tufëzohen për ta bërë të pasfidueshme fugurën e gruas që do, ndjesitë e valëzaura si përjetime të veçanta e të paharrueshme. Dhe..., as në ikje e sipër, koha nuk i zbeh dot!

“Vjeshat në Prishtinë” mbetet në linjat e së njohurës tematike, perceptimit artistik mbi delikatesën femërore, hiret e së cilës, si përherë, janë sfidë për poetin. Poeti nuk e injoron dëshirën për të qenë në qendër të vëmendjes, andaj edhe vepra fillon me poezinë: “Muza e poetit” dhe pasohet nga “Mal ndjenjash”, e vijon me po të njëjtin vrull përshkrimi edhe kur ajo dashuri nis e zbehet, si tek: “Kur vritet dashuria”. Të këtij motivi janë pjesa më e madhe e poezive, ndërkaq në ato të fundit gravohet ndjenja atdhetare e përkushtuese, të vendosura në ciklin me titull “Atdheun e duam përditë”. Pastaj, sa e sa figura artistike pleksin vargjet për të dhënë fuqishëm, atë mesazhin që i duhet kujtdo që i humb shpresa dhe e përçmon atdheun, me mllefin e pamundësisë për ta parë ndryshe.

Të vendosuara bashkë, poezië erotike, përshkruese e ato atdhetare me atë modelin poetik që na duket se vjen i rëndomtë, por mbetet gjatë në shijet tona, sepse e gjejmë veten në çdo varg e situatë. Mishërimi me dhembjen, për të ruajtur sa më gjatë kujtimin për të dikurshmen lumturi, e bën poetin më tokësor, ndonëse metaforat për hyjnizimin e gruas gjejnë vetë shtegun e përbirimit në vargje. Sa e sa herë dashuria merr valixhen për të ikur, e synon braktisjen, ikjen larg, e shtyrë nga shtrëngatat e jetës, ajo sërish lë gjurmët e një ndjenje të pastër. Dashuria e vërtetë nuk njeh arrati, ndonëse valëzon mbi vështirësi. Ajo është ndjenja e dhembshur dhe e mrekullueshme, e gjithmonë vazhdon të mbetet midis antitezash që harkohen kujdesshëm si vetë rrugët e jetës kur ndalen në udhëkryqin e pashmangshëm. Përndryshe, dashuria do të ngjasonte me asgjënë.



Bota poetike e Asllan Qyqallës është e sprovuar, si vetë jeta. E të shkruarit me kthjelltësinë e shpirtit, edhe kur pushtohet nga dilemat dhe vuajtja, nuk e lejojnë të zhytet në humbëtirat e jetës, gjithsesi kështu e sfidon braktisjen nga dashuria, edhe kur gjendet para alternativave: e shkuara apo e ardhmja.

Kë të zgjidhte poeti? Kohët e ikura që i lanë kujtimin e një dashurie të madhe apo të ardhmen, ku asnjë hap nuk bëhet pa dashuri!

Poeti e njeh mirë madhështinë e kësaj gruaje - heroinë, pavarësisht se si emërohet Ajo në vargje. prandaj sikur i mbledh të gjitha magjitë e krijimit dhe pëshpërit në çdo varg, në çdo fjalë: Të dua ende, të dua…, edhe atëherë kur në Prishtinë bën vjeshtë!

Prishtina mbetet qyteti i arkivimit të këtyre kujtimeve, sa të bukura, po aq të dhembshme e të trishta! Sërish është vjeshtë, po ajo vjeshtë që joshjen e ka si ngrohtësi pranvere. Misioni poetik për ta ruajtur dashurinë në të gjitha ngjyrat dhe format e shprehjes ndjesore nuk mbyllet këtu, në prag vjeshte, por bëhet një kujtim i paharruar për poetin.

 

No comments:

Post a Comment

Prokuroria kërkon pesë vjet burgim për Dodikun dhe ndalimin e veprimtarisë politike për 10 vjet

Milorad Dodik (lindur më 12 mars 1959) është një politikan serb i Bosnjës që aktualisht shërben si presidenti i 8-të i Republikës Srpska që ...