2021-02-02

VENDNDODHJA E DODONËS PELLAZGE

 Vështrim i librit “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit III”

VENDNDODHJA E DODONËS PELLAZGE 


Libri studimor shkencor “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit III”, që po i paraqitet lexuesit është vazhdim i dy librave të mëparshëm të tij, të botuara në vitin 2011 dhe 2016. Teza e studiuesit Kujtim Mateli është se Dodona nuk ndodhet në Jugperëndim të Janinës ku është pretenduar deri më sot nga Konstandin Karapanos dhe e pranuar nga disa institucione shkencore brenda dhe jashtë Shqipërisë. Ajo nuk është as në Tomorin e Beratit e pretenduar nga disa dijetarë shqiptarë, por në Dëshnicë të Përmetit. 

 


Në librin e parë, botim i vitit 2011, autori pasi ka hulumtuar gjatë, në një periudhë gati 10-vjeçare, pasi ka grumbulluar një material të pasur për vendndodhjen e Dodonës, arrin në përfundimin se Dodona nuk ndodhet në luginën e Carakovistës, në jugperëndim të Janinës. Dëshmitë që e bindin autorin se Dodona ndodhet jashtë kësaj lugine, janë kryesisht tri: 

-Orakulli i Dodonës, sipas dëshmive të autorëve të antikitetit, ndodhej ndanë lumit me emrin Dodon. Në luginën e Carakovistës nuk ekziston lumi.  


-Dodona ndodhet në shpat të malit Tomar. Dodona e luginës së Carakovistës, jo vetëm nuk ndodhet në shpat të malit të kësaj lugine që është mali Uliçka, por as në rrëzë të tij. Ky qytet ndodhet në krahun e kundërt të luginës, në kodrat e Kozmirasë.  

-Autorët e antikitetit thonë se Dodona ndodhet në veri të Epirit, kurse lugina e Carakovistës në jugperëndim të Janinës, ndodhet në mes  Epirit


Të tri këto grupe dëshmish e orientuan studiuesin Kujtim Mateli ta kërkojë Dodonë jashtë luginës së Carakovistës. Si pikë referimi mori autorët e antikitetit që e nxjerrin Dodonën në veri të Epirit. Segmenti verior i Epirit ku mund të kërkohej Dodona është lugina e lumit Drinos deri në grykëderdhjen e tij në Vjosë dhe Lugina e Sipërme e Vjosës apo lugina e Përmetit. Lugina e Drinos që është një pjesë e rrethit të Gjirokastër dhe një pjesë e rrethit të Tepelenës, sipas të gjitha burimeve historike ka qenë tokë e Kaonisë. Lugina e Përmetit ka qenë tokë e Molosisë. Një grup autorësh të antikitetit thonë se Dodona ndodhej në veri të Epirit në tokën e Molosisë. Atëherë për autorin mbetej vetëm lugina e Përmetit ku duhej kërkuar Dodona. Disa autorë të antikitetit japin këto të dhëna që përcaktojnë topografinë e Dodonës, mbi bazën e të cilave duhej kërkuar dhe gjetur Dodona: 

-Qyteti dhe tempulli ndodhet në shpat të malit. 

-Përballë tyre ndodhej fusha Hellopia, ku kullotnin tufa gjedhësh të shumtë. 

-Ndanë këtij vendi kalon lumi Dodon dhe që gjatë rrjedhës së tij ka qenë orakulli i lisit të shenjtë që realizohej nga fëshfërimat e gjetheve të lisit dhe lëvizjet e erërave. Në të tre malet e këtij vargmali Trebeshinë-Dhëmbel-Nemërçkë, që plotësojnë kushtin se ndodhen në veri të Epirit, në tokën e Molosisë, nuk ka asnjë vend tjetër që të ndodhet një qytet në shpat të ndonjërit prej këtyre maleve ku të ndodhen rrënojat e ndonjë qyteti. I vetmi vend që i plotëson këto kushte është lugina e Dëshnicës ku ndodhet lumi, pranë të cilit ishte orakulli i lisit; qyteti në shpat të malit, në perëndim të qytetit të Këlcyrës ku ndodhet qyteti antik me më shumë se 600 rrënoja dhe sipër këtij qyteti antik, kalaja antike si vendndodhje e tempullit dhe e orakullit të pëllumbave. 

Për autorin nuk ka as më të voglin dyshim se Dodona qytet dhe tempull ndodhet në perëndim të qytetit të Këlcyrës, kurse orakulli i lisit përgjatë lumit të sotëm Dëshnica, ku ndanë lumit ndodhen pyje të shumtë të lisit dhe vende moçalore. Pas botimit të librit të parë, autori iu përvesh punës për të sqaruar opinionin publik dhe atë shkencor që ende vazhdonin të besonin se Dodona ndodhej në luginën e Carakovistës.





Në librin e dytë autori i është përgjigjur pyetjes: nëse autorët e antikitetit e vendosin Dodonën në veri të Epirit në tokën e Molosisë, gjetjet në luginën e Carakovistës a e vërtetojnë ekzistencën e Dodonës atje? Autori e ka përkthyer Karapanon në shqip, si dhe mjaft autorë të tjerë pas tij. Një kujdes të veçantë u ka kushtuar ekspeditave arkeologjike të kryera nga Evangjelides në vitin 1935 dhe Sotiros Dakaris që e ka mbrojtur ekzistencën e Dodonës në luginën e Carakovistës. 




     Dy janë çështjet mbi të cilat e ka ndërtuar librin e dytë.  

Çështja e parë ka të bëjë me jetëgjatësinë e këtij qyteti në luginën e Carakovistës që është pretenduar si qytet i Dodonës nga Karapanos dhe pasuesit e tij.  Jetëgjatësia e këtij qyteti nuk e kapërcen segmetin kohor të dy shekujve. Evangjelides thotë se ky vend i shenjtë (i pretenduar Dodona) nuk ka gjetje arkeologjike që ngjiten përtej shekullit të V, para erës sonë. Aty nuk ka as gjetje arkeologjike që i përkasin periudhës së pushtimit romak apo krishtërimit, sepse Dodona ka ardhur deri në shekullin e V (të erës sonë) si faltore pagane dhe më vonë qendër peshkopale në Epirin e Vjetër. Sotiros Dakaris e përcakton më qartë segmentin kohor të ekzistencës së këtij qyteti. Në konferencën shkencore të mbajtur nga 22-25 tetor të vitit 1984 në Francë, mbi Ilirinë e Jugut dhe Epirin antik, faqe 73-75, Dakaris jep këto të dhëna: Vendi i shenjtë i epirotëve ishte qendër e Aleancës Epirote (343/2 deri në vitin 234/3) dhe më vonë Koinion i Epirit (234/3 deri në vitin 168). Dakaris që e pretendon këtë vend si qytetin e Dodonës, nuk jep në këtë konferencë asnjë të dhënë që ky qytet kishte jetëgjatësi përtej mesit të shekullit IV para erës sonë, duke u përputhur në këtë mënyrë me arkeologun e mëparshëm Evagjelides. Nuk solli as të dhëna për periudhën e pushtimit romak, pas vitit 168 para erës sonë. Sipas Dakarit jetëgjatësia e këtij qyteti është i barabartë me ekzistencën e institucioneve epirote. Në të vërtetë ky është qyteti që Aleanca Epirote, në fillim të krijimit të saj, ngriti këtë qytet ku do të mblidheshin përfaqësuesit e zgjedhur të popullit dhe gjithë struktura organizative për të bërë të mundur funksionimin e Aleancës Epirote.  

Çështja e dytë  studiuesi Kujtim Mateli kërkon të provojë është se gjetjet arkeologjikevërtetojnë ekzistencën e Hyjnisë Di Naios, kurse në Dodonë sipas burimeve historike nderohej Di Dodonen. Në  njëjtën kohë nuk ka asnjë mbishkrim që  vërtetojë se ky qytet i përket qytetit të Dodonës përfundim autori thotë se numri i gjetjeve arkeologjike që do të mundnin të vërtetonin se ky qytet i luginës  Carakovistës i përket Dodonës është zero.


 

Libri i tretë që po përgatitet për botim ka të bëjë me dëshmitë e autorëve antikë që e vendosin Dodonën në kufijtë e Ilirisë. Ky grup autorësh e vendos Dodonën në afërsi të Apolonisë ilire dhe konkretisht në kufijtë e Atintanisë. Këto dëshmi e mbyllin ekzistencën e Dodonës në jugperëndim të Janinës, por lenë të hapur një shteg tjetër: a është Dodona në Tomorin e Beratit? Ky shteg mbetet i hapur për arsye se në afërsi të Apolonisë, nuk mund të thuhet për Dodonën në Jugperëndim të Janinës, por Tomori i Beratit është pjesë e maleve që përfshihen në afërsi të Apolonisë. Autori e merr në  konsideratë Dodonën në malin e Tomorit që ka mbështetës të shumtë në Shqipëri. Në këtë libër vërtetohet përse ajo nuk mund të jetë në malin e Tomorit.  

Autorët antikë thonë se Dodona ndodhet në veri të Epirit, në tokën e Molosisë pellazge, Tomori i Beratit ndodhet në tokën e Ilirisë, i rrethuar nga fiset ilire të parthinëve dhe dasaretëve. Në ndarjen administrative të periudhës romake: Epir i Vjetër dhe Epir i Ri, që përfshinte trojet ilire afërsisht me rrjedhën e lumit Mat, Dodona përfshihej në Epirin e Vjetër me qendër Aktia Nikopolin (Preveza e sotme), kurse Berati (në atë kohë me emrin Pulheriopolis) përfshihej në Epirin e Ri me qendër Durrësin. Rrjedhimit dhe Tomori i Beratit ka qenë pjesë e Epirit të Ri. Autorët e antikitetit i njihnin mirë fiset ilire nga ato pellazgo-epirote, ku bënte pjesë dhe Molosia. Nëse Dodona do të ishte në Iliri ata nuk do të thoshin Dodona pellazge, por Dodona ilire. Përderisa dëshmitë e tyre vërtetojnë se Dodona ishte pellazge dhe në tokën e Molosisë, do të thotë se Dodona nuk ishte në Tomor të Beratit që ishte pjesë e Ilirisë dhe pjesë e fiseve të parthinëve dhe dasaretëve ilirë.
Disa autorë modernë mundohen që Atintaninë, të cilën Skylaks Karadiensis e vendos në kufijtë e Dodonës kërkojnë ta shtrijnë nga kufijtë e Apollonisë deri në Jugperëndim të Janinës. Si perfaqësues të këtij grupi, studiuesi Kujtim Mateli sjell autorin helen Hatzopoulos, M.B., i cili në konferencën shkencore mbajtur në Francë (25-27 tetor 1990), shtron tezën se fisi i atintanëve shtrihej nga kufijtë e Apollonisë deri te liqeni i Janinës, duke dashur të përputhë njërën nga dëshmitë e autorëve të antikitetit me të ashtuquajturën Dodonë në jugperëndim të Janinës. Kjo përpjekje tregon se ata që e mbështesin tezën se Dodona ndodhet në luginën e Carakovistës ndodhen në vështirësi provash për ta vërtetuar ekzistencën e Dodonës në Jugperëndim të Janinës.  

Sipas Hatzopoulos, M. B., Atintania shtrihet nga kufijtë e Apolonisë duke përfshirë Mallakastrën dhe Tepelenën e sotme në të djathtë të Vjosës, gjithë luginën e Drinos që i përket rrethit të sotëm të Tepelenës (në grykëderdhjen e tij), gjithë luginën e Drinos që i përket rrethit të sotëm të Gjirokastrës, pastaj gjithë territorin deri te liqeni i Janinës. Po kjo vjen në kundërshtim me autorët e antikitetit që luginën e Drinos e kanë përcaktuar si tokë të Kaonisë.  Kështu Klaud Ptolemeu dhe Stefan Bizantini e japin Antigonenë që ndodhet në luginën e Drinos si qytet të Kaonisë së Epirit. Tit Livi i jep ngushticat e Antigonesë si tokë të Kaonisë. Mbështetur mbi këto dëshmi një shumicë e autorëve modernë si: Hammond N.G. L., Pierre Cabanes, Chryseis Tzouvara-Souli e japin luginën e Drinos si tokë të Kaonisë.  

 Akademia e Shkencave e Shqipërisë e kundërshton shtrirjen e Atintanisë deri te liqeni i Janinës. Në librin që mban autorësinë e saj “Historia e popullit shqiptar I”, lugina e Drinos jepet si tokë e Kaonisë, kurse lugina e Përmetit si tokë e Molosisë. Që do të thotë, se shumica e dijetarëve të ditëve të sotme kanë të njëjtin mendim se Atintania ndodhet në të djathtë të Vjosës, që u përket rretheve të Mallakastrës dhe Tepelenës në të djathtë të Vjosës. Edhe kjo përpjekje që është bërë nga autorët helenë për t`i dhënë Dodonës së Carakovistës një dëshmi nga autorët antikë, mbeti një përpjekje e dështuar dhe siç thotë studiuesi Kujtim Mateli numri i dëshmive të autorëve antikë që e vendosin Dodonën në luginën e Carakovistës është zero. Tre libra në kërkim të vendodhjes së Dodonës provuan qartësisht se Dodona nuk ndodhet në jugperëndim të Janinës, por në Dëshnicë të Përmetit, konkretisht në perëndim të qytetit të Këlcyrës (qytet dhe tempull) dhe përgjatë lumit të Dëshnicës (orakulli i lisit të shenjtë). Me përcaktimin e vendodhjes së Dodonës do të kemi mundësinë të hapim porta të reja për të depërtuar në origjinën e identitetit tonë pellazgo-ilir. 

Në përfundim mund të themi se me prova të shumta Kujtim Mateli ka vërtetuar qartësisht se vendodhja e Dodonës nuk është në jugperëndim të Janinës, as në Tomorin e Beratit, por në rrethin e Përmetit, në perëndim të qytetit të sotëm të Këlcyrës, në shpat të malit Trebeshinë 

 

Akademik Prof. Dr. Flori Bruqi, PD.H,  

Drejtor për marrëdhënie me publikun pranë Akademisë Shqiptaro-Amerikane  të  Shkencave dhe Arteve me seli në New York SHBA.


Biografia e autorit

 

KUJTIM MATELI

 

Kujtim Mateli, u lind në Mazhan të rrethit të Përmet të Shqipërisë, më 15.06.1951. Fakultetin Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, e kreu në Elbasan 1985-1990. Më fillim ka punuar mësues në rrethin e Përmetit dhe në Tiranë, ku jeton aktualisht. Krijimtarinë letrare e ka filluar në vitet e `70-ta dhe në fillim të 1980-të, ka botuar ciklin e parë me poezi në gazetën “Drita” dhe në vijim ka botuar vazhdimisht në opuset qendrore të shtypit dhe atë lokal, ese, komente dhe kritikë letrare. Ka botuar vëllimin poetik “Kur mendon për të tjerët” në vitin 2009. Një publicitet të veçantë krijimtarisë së tij e ka dhënë revista “Metafora” organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, ku ka qenë i pranishëm pothuaj në çdo numër të saj. Është i pranishëm në veprimtaritë letrare që zhvillohen në Shqipëri, por dhe në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut. Klubi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Naim Frashëri” në Përmet, e ka vlerësuar me Çmim të Parë në vitin 2017, për vëllimin poetik “Qetësojmë shpirtin e trazuar”.

Fusha e dytë e studimeve të tij ka të bëjë me historinë e antikitetit dhe konkretisht me identitetin e Dodonës dhe vendodhjen e saj. Në vitin 2001 i është përkushtuar Dodonës pellazge, materialet e së cilës do t`i përmbledhë në tri libra, me mbi 20 vjet studim.

“Dodona ndodhet në Deshnicë të Përmetit, I” 2011

“Dodona ndodhet në Deshnicë të Përmetit, II”, 2016

“Qetësojmë shpirtin e trazuar” (poezi), 2017.

Librat e tij kanë qenë objekte edhe i studiuesve të huaj, siç është kërkuesi shkencor Gilles De Rapper, anëtar i French National Centre for Scientific Research.

Për ta sensibilizuar opinionin publik ka dhënë disa intervista në shtypin e shkruar dhe disa emisione televizive. Televizioni “Planet” në vitin 2013 realizoi një dokumentar 40 minutash, në lidhje me studimin e tij për Dodonën.

Fusha e tretë e punës së tij ka qenë dhe publicistika. Është një numër i konsiderueshëm artikujsh që paraqesin realitetin shqiptar në këto vitet e fundit ku mund të përmendet shkrimi: “Albanologut Milan Shuflaj, emrin dhe gjakun ia ruan Shqipëria”, botuar në disa gazeta, ku pasqyrohet dhe kontributi i Akademisë së Shkencave Shqiptaro-Amerikane.

 

Prishtinë, 02.02.2021                                                                                Flori Bruqi  

 

 

Biznismeni dhe investitori Elon Musk parsheh reduktimin e rrezikut të zhdukjeve të njerëzimit duke bërë jetën multi-planetare" duke i vendosur -koloni njerëzore në planetin Mars.

    Kërko brenda në imazh                                                           Nga Flori Bruqi ,PHD Elon Reeve Musk ( 28 qershor, 1971)...