Kosova nuk është djepi i Serbisë, por i Shqipërisë dhe i shqiptarëve!

AKADEMIK PROF.DR.MEHDI HYSENI Serbia dhe serbomëdhenjtë kolonialistë “vajtojnë” për Kosovën shqiptare, jo për reliktet kishtare, por për “Trepçën”, e cila disponon rezervat më të mëdha dhe të pashterura të arit, të argjendit etj. *** Është në interes të Vatikanit, të ndjekë shembullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Evropës Perëndimore në Kosovë, pa asnjë keqardhje dhe, pa asnjë dhimbje ndaj Beogradit (Piemontit sllav të Ballkanit) dhe ndaj Kishës Ortodokse Serbe-destabilizuesit shekullor të Ballkanit. *** Derisa ultranacionalistët serbë e akuzojnë Vatikanin se "Papa është fajtor për të gjithë"!!! – Atëherë nuk di pse Kardinali i Kishës Katolike Romake, Valter Kasper dhe Vatikani, të kenë aq dhimbje të madhe dhe konsiderata të jashtëzakonshme ndaj Kishës Ortodokse Serbe, kur është fjala për Kosovën shqiptare?! *** Valter Kasper (anëtar i Këshillit të Papës): “Natyrisht, ne e dimë se Kosova për Kishën Ortodokse Serbe është plagë dhe dhembje e rëndë. Gjithashtu, ne dimë se kjo është djepi dhe qendra e ortodoksisë serbe në Kosovë. Ne këtë e kuptojmë dhe dëshirojmë ta kemi parasysh, theksoi kardinali Valter Kasper në intervistën dhënë Agjencisë gazetare katolike /Kathpres/”. *** Nuk di se në cilën hartë të Serbisë e ka gjetur Kosovën ilire-shqiptare, Kardinali i nderuar Valter Kasper, kur dihet se Kosova nuk është “djep”, as “plagë”, as dhembje, e as “qendër” serbe, por ishte vetëm një koloni shekullore e Serbisë së Madhe në zemër të Evropës, si në historinë e saj të mesjetës, ashtu edhe në historinë e saj më të re (1912-1999). Serbia dhe serbomëdhenjtë kolonialistë “vajtojnë” për Kosovën shqiptare, jo për sakralet dhe për reliktet e tyre kishtare, por për minierën “Trepça”, e cila disponon me rezerva të mëdha dhe të pashterura të arit, të argjendit, të zinkut, të plumbit etj. Ky ishte “Manastiri më i madh i ortodoksisë serbe” (jo Deçani, Peja, Graçanica dhe Gazimestani) në saje të të cilit u ndërtua, u pasurua dhe u modernizua Jugosllavia-Serbia e Madhe (1912-1999). Sipas së drejtës ndërkombëtare njohja e një shteti nga një shtet tjetër, është akt i vullnetshëm, që askush nuk ka të drejtë t’ia imponojë asnjë shteti, në asnjë formë, pavarësisht nga prirja dhe dobia reciproke e interesave bilaterale ose multilaterale. Ky parim juridik ndërkombëtar vlen edhe për Vatikanin si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Nuk është çështje e shqiptarëve pse Vatikani deri tani nuk e ka njohur Republikën e Kosovës. Ne, nuk kemi asnjë të drejtë të përzihemi dhe të spekulojmë me teza të ndryshme, pavarësisht nga dëshira dhe interesat tona ngase jemi të vetëdijshëm se akti i mosnjohjes së Kosovës nga Vatikani, është vetëm çështje e qarqeve zyrtare të Vatikanit. Ata e dinë më së miri, kur ta vlerësojnë si oportune ta njohin Kosovën, njohja e së cilës do të ishte me rëndësi dhe, me interes të shumëfishtë dhe të posaçëm për vetë Vatikanin dhe Evropën Perëndimore. Mirëpo, ne e kemi për detyrë dhe, të drejtë, që të reagojmë ndaj deklaratës së paqëndrueshme të Valter Kasper-it (anëtar i Këshillit të Papës së Kishës Katolike Romake), kur thotë se “Kosova është plagë dhe dhimbje e rëndë për Kishën Ortodokse Serbe, dhe se është djepi dhe qendra e ortodoksisë serbe”. Nga ky konstatim i kardinalit Valter Kasper, shihet nga “aeroplani” se Ai nuk e njeh historinë e Kosovës, (edhe pse me keqardhje ka parasysh “plagën dhe dhimbjen e rëndë të saj ndaj KOS-it) ndryshe nuk do konkludonte se “Kosova është djepi dhe qendra e ortodoksisë serbe.” Çudi, nga e ka nxjerrë këtë përfundim porserb?! Pse Z. kardinal Valter Kasper t’i vijë keq ndaj KOS-it, i cili historikisht në shekuj ka qenë gjeneratori kryesor (ka luajtur rolin e shtetit dhe të kishës-kakofonisë dhe simfonisë serbomadhe) i të gjitha krizave, tërmeteve, konflikteve dhe të luftërave të përgjakshme të shkaktuara në Gadishullin Ballkanik. Këtë së fundi, e provuan edhe tre luftërat agresive dhe gjenocidale të Serbisë kundër Kroacisë, kundër Bosnjës dhe kundër Kosovës (1989-1999). Fundja, nuk ka pse t’i vijë keq aspak Vatikanit, as ndaj shtetit e as ndaj kishës serbe, se këta janë fajtorët kryesorë pse Kroacinë, Bosnjën dhe Kosovën e shndërruan në lumenj gjaku dhe, në qindra e mijëra viktima dhe varreza masive! Nuk duhet të skuqemi, as të kapitullojmë para së KEQES UNIVERESALE-fashizimit gjenocid të Ballkanit, as të Evropës, as sot e as në nesër! Si përpara Zotit të gjithëpushtetshëm, ashtu edhe para ligjeve përkatëse evropiane dhe të bashkësisë ndërkombëtare, jemi të obliguar që të vërtetën universale-të mirën e njerëzimit ta pohojmë, ta përqafojmë dhe ta mbrojmë, kudo që ndodhemi, kurse të keqen, ta denojmë sikurse Trbunali Ndërkombëtar i Nyrnbergut (1945-1949) dhe Tribunali Ndërkombëtar i Hagës(1993- )! Ndaj në këtë kontekst, nuk thotë Zoti, as nuk është humane, as njerëzore, as ligjore, as demokratike, që të ndjeheni keq (jo vetëm Vatikani, por askush në botë) ndaj atyre kriminelëve çetniko-fashistë serbë, që kanë bërë krime gjenocidi, duke shkaktuar me qindra dhe me mijëra viktima në njerëz të pafajshëm (foshnja, fëmijë gra, nëna shtatzëna, pleq, burra, djem e vajza të të gjitha moshave) në Kroaci, në Bosnjë dhe në Kroaci, vetëm për t’i zgjeruar dhe ringjallur kufijtë e Serbisë së Madhe të Ilia Garashaninit (1844) në kurriz të territoreve të huaja të vendeve fqinje në Ballkan. Kosova kurrë nuk ka qenë djep serb, por qendër pellazge-ilire-shqiptare Na vjen keq, prej Z. Valter Kasper-it, se duhet ta përgënjeshtrojmë deklaratën e tij konstatuese, sepse Kosova kurrënjëherë nuk ka qenë djep, as qendër kishtare, e as politike shtetërore serbe, por pellazge-ilire-shqiptare. Në këtë rast, me qëllim po shërbehemi vetëm me një burim të mjaftueshëm të historisë politike të Kosovës, të shkruar nga shkencëtari i spikatur slloven, profesori në Universitetin e Lubjanës (për të mos na quajtur të “njëanshëm” kardinali Valter Kasper dhe klerikët e KOS-it), por do të citojmë vetëm disa argumente relevante dhe shumë të vlefshme me karakter shkencor historik dhe politik për Kosovën, të elaboruara nga Prof. Dr. Anton Bebler (njohës i shkëlqyer i historisë, i politikës dhe i diplomacisë së Ballkanit, si dhe të marrëdhënieve politike dhe diplomatike ndërkombëtare), sipas të cilave del se, Kosova në tremijëvjeçarin e saj të derisotëm vetëm “dy shekuj e gjysmë” ka qenë plaçkë koloniale e mbretërive të ndryshme serbe, por jo djep, as qendër kishtare, as politike shtetërore e Serbisë. Kosova nuk ishte, as nuk është djep serb, por ishte vetëm koloni ilegale shekullore e Serbisë! Historikisht, Kosova kurrënjëherë nuk ka qenë “djepi dhe qendra” kishtare, as shtetërore serbe. Ja, vetëm një fragment i cituar nga një studim i gjatë i Prof. Dr. Anton Bebler për Kosovën: “Në historinë shumëshekullore të derisotme, Kosova kurrnjëherë nuk ka qenë etnikisht sllave, dhe fare serbe. Nëse kufizohemi vetëm në dymijë vitet e fundit të historisë politike të Kosovës, atëherë, shihet se kohën më të gjatë e kanë sunduar romakët, bizantinët dhe osmanët turq. Shteti i parë serb në truallin e Kosovës nuk ka qenë serb, por ka qenë Mbretëria Bullgare. Asnjëra nga shtetet më të vjetra serbe: Dukla, Zahumle, Travunja, Poganja, Bosnja dhe Rashka nuk janë krijuar në territorin e Kosovës dhe, kështu, rrjedhimisht nuk e kanë përfshirë Kosovën e sotme. Kurorëzimi i parë i mbretit serb është bërë më 1077 në Zetë, në territorin e sotëm të Malit të Zi. Mbretëria e Dytë më e vjetër serbe është Rashka, të cilën sundimtarët e saj nga dinastia e nemanjiqve e kanë riemërtuar në Serbia. Rashka shtrihej në veri të Kosovës dhe përfshinte pjesën më të madhe të Sanxhakut të sotëm. Në atë djep të vërtetë historik, kronologjikisht, i dyti sipas radhës së shtetit mesjetar serb janë themeluar dhe ndërtuar edhe kisha dhe manastiret më të lashta serbe: Shën Gjergji afër Novi Pazarit, Zhiça, Studenica, Milesheva dhe Sopoqani. Të gjitha këto jashtë territorit të djeshëm dhe të sotshëm të Kosovës. Sundimtarët serbë për pushtimet e tyre territoriale në jug të Rashkës (domethënë në kurriz të territorit të Kosovës-mh kanë shfrytëzuar ekspeditat “kryqtare” të sundimtarëve feudalë evroperëndimorë në pushtimin e Lindjes së Afërt. Me thirrjen e Papës së Romës, feudalët francezë, anglezë e të tjerë në mbarim të shekullit XII me ushtritë e tyre në disa valë mësynë në disa kahe drejt Lindjes së Afërt me objektivin e shpallur për /çlirimin e vendit të shenjtë/ nga myslimanët. Në të vërtetë, kryqtarët në rrugën për në Palestinë në pabesi e sulmojnë Bizantin e Krishter, me ç’rast krejtësisht e plaçkisin selinë dhe thesarin e tij të shkëlqyer-Stambollin, ku më 1204 e përmbysin nga Froni Perandorin e Bizantit. Si pasojë e shthurjes së Perandorisë së Bizantit, atëherë erdhi në shprehje zgjerimi i shtetit serb në territoret bizantine në Jug të Rashkës, duke përfshirë edhe Maqedoninë dhe Greqinë Veriore. Më 1216 zhupanët e mëdhenj serbë pushtimeve të veta territoriale ia bashkuan edhe vendin të cilin e riememërtuan në Kosovë e Metohi. Në historinë e derisotme ushtritë serbe territorin e Kosovës e kanë pushtuar pesë herë, dhe, pesë herë e kanë braktisur nën trysninë e forcës. Herën e fundit, me gjasë, përgjithmonë, ushtria dhe policia serbe e kanë braktisur Kosovën në qershor të vitit 1999, si rrjedhim i bombardimit të NATO-s....”(Prof.Dr. Anton Bebler). Aneksime me gjenocid Gjithashtu, në shekujt XIX dhe XX mbretëritë serbo-jugosllave i pushtuan Anamoravën, Kosovën, si dhe territore të tjera autoktone të Shqipërisë Etnike, duke i kolonizuar dhe i aneksuar me luftëra agresive, terroriste dhe gjenocidale, sikurse në herën e fundit më 1989-1999. Shqiptarët pellazgo-ilirë e kanë të drejtën mbi Kosovën, jo Kisha Ortodokse Serbe, e cila ka meritat kryesore për serbizimin dhe kolonizimin e Kosovës dhe të Anamoravës së Shqipërisë Etnike. Nëse kardinali Valter Kasperi ende nuk e di se, e kujt është Kosova, atëherë le ta lexojë të paktën (si kusht minimum për njohjen e historisë së Kosovës) librin e Prof.Dr. Noel Malcolm, Kosovo a Short History (1999); librin e Prof.Dr. Frank Muenzel, "What Does Public International Laë Have to Say About Kosovar Independence?", sepse pa leximin dhe studimin e këtyre dy librave, si dhe librat e Prof.Dr. Anton Beblerit për Kosovën dhe Ballkanin, Zoti i Nderuar Valter Kaspari, nuk mund të debatojë në temën “Kosova”!. Së fundi, derisa politika shtetërore dhe kishtare serbe e akuzojnë Vatikanin se “është destabilizuesi kryesor” i Ballkanit në dekadën e fundme të shekullit XX, me qëllim që, serbët t’i fshehin krimet e tyre, të kryera në emër dhe për llogari të Serbisë së Madhe(1844-1999) në Ballkan ( duke bërë përpjekje, që ta “amnistojnë” vetëvetën për tre gjenocidet e tyre, të kryera kundër popullit kroat, boshnjak dhe shqiptar), nuk ekziston kurrfarë arsyeje racionale, humane, morale, ligjore, demokratike dhe kozmpolite, pse Kardinali i nderuar Z. Valter Kasperi, ose Vatikani të ndjehen keq për falsifikatet historike dhe politike të Kishës Ortodokse Serbe, se Kosova “është djepi serb”!!!??? As shteti e as Kisha Ortodokse Serbe nuk kanë humbur kurrfarë territori autokton të tyre, por me agresionin, me terrorin, me terrorizmin, me gjenocidin dhe me spastrimin etnik të shqiptarëve (1912-1999) e kanë humbur përgjithmonë koloninë e tyre-Kosovën. Gabime shkencore dhe historike Kjo është e vërteta me të cilën nuk po mund të pajtohen kurrsesi as Beogradi e as Kisha Ortodokse Serbe, sepse me shekuj janë mësuar ta “kullosin” Kosovën si plaçkë koloniale të tyre. Është çështje e Kardinalit të nderuar Valter Kasper-it se çfarë konsiderate dhe respekti ka Vatikani ndaj KOS-it, ajo është çështje sovrane e Vatikanit, e askujt tjetër, por herëve të tjera, nuk është e udhës që, në emër të Kishës Katolike Romake të Vatikanit, të deklarojë se “Kosova është plagë dhe dhembje e rëndë për Kishën Ortodokse Serbe, djep dhe qendër e ortodoksisë serbe”, sepse ky konkluzion është plotësisht i gabueshëm, i pajustifikueshëm dhe i papranueshëm si për shkencën historike, ashtu edhe për atë të së drejtës ndërkombëtare. Së fundi, as Kardinali Valter Kasper e as Vatikani nuk duhet të ndjejnë kurrfarë dhimbjeje për Kishën Ortodokse Serbe e as për serbët, kur është fjala për Kosovën, sepse serbët qysh në kohën e Perandorisë Osmane kanë qenë një nga robët më të privilegjuar të sundimit anadollak në Ballkan. Prandaj, kukamat dhe krrokatjet e Kishës Ortodokse Serbe për “Kosovën serbe”, duhet kuptuar vetëm si një vajë shekullor të mitomanisë dhe të legjendave të rreme mbi Kosovën dhe Anamoravën shqiptare (“Juzhna Srbija”-Serbia Jugore).

Comments

Popular posts from this blog

Libra të rinj - Shkarkim falas

Poezi të zgjedhura nga GJERGJ FISHTA (23 tetor 1870 - 30 dhjetor 1940)

Legjenda e Mujit dhe Halilit