Akademik Prof.dr. Eshref Ymeri
Populli shqiptar
i Republikës së
Kosovës
para provës së
madhe
(Rrënjët e
kalbura janë më të fuqishme
se filizat e
sapoçelur)
Më 14 shkurt, pikërisht në ditën e
shenjtëruar të Shën Valentinit, populli i nderuar shqiptar i Republikës së
Kosovës, ka për të dhënë një “provim” të tillë, rezultatet e të cilit do të
kenë një jehonë të gjerë në mbarë trojet tona etnike. Kjo për arsye se në atë
“provim” do të ballafaqohen dy botë të ndryshme, dy mendësi që nuk kanë
kurrfarë pikash takimi në morinë diskutimeve të zhvilluara deri tani. Në atë
“provim”, zgjedhësit, të gjendur para kutisë së votimit, do të shtrojnë para
vetes pyetjen se për kë do të votojnë: për kastën e vjetër politike, të kalbur
deri në qelizë, e cila ka gati 20 vjet që ka punuar për pasurimin marramendës
të një grushti oligarkësh të kriminalizuar, për mbjelljen e varfërisë së
pamëshirshme në radhët e shumicës dërrmuese të njerëzve të thjeshtë, me pasoja
të dhimbshme shpopullimin masiv të vendit, për
cenimin e rëndë të autoritetit të shtetit të Kosovës në sytë e opinionit publik
ndërkombëtar, për politikën vetëposhtëruese që kasta e vjetër ka praktikuar në
maratonën e bisedimeve që ka zhvilluar me shtetin agresor serb, në të cilat
këtij i janë bërë lëshime kaq skandaloze, saqë nuk mund të vlerësohen ndryshe,
veçse si tradhti e kulluar, për heshtjen e qëllimshme të kastës së vjetër
politike për krimet dhe shkatërrimet e rënda që bisha fashiste serbe pati kryer
në Kosovë, një heshtje kriminale kjo që u konkretizua me mosngritjen e padisë
kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë? Apo duhet të votojnë
për klasën e re politike, të përfaqësuar nga Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, të
cilët, në Programin e tyre, kanë një tjetër këndvështrim për qeverisjen e
vendit, me katër objektiva kryesore: nxjerrjen e vendit nga humnera e
varfërisë, sekuestrimin e të gjitha pasurive të paligjshme, të shoqëruar me
nxjerrjen e grabitësve para organeve të drejtësisë, eliminimin e të gjitha
monopoleve dhe ngritjen e padisë kundër Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të
Drejtësisë. Këtë Program, para pak ditësh, Albin Kurti e parashtroi para
opinionit publik kosovar. Prandaj votuesit tani e kanë më të lehtë të bëjnë
zgjedhjen e vet, duke sjellë në kujtesë paraprakisht poshtërimin e rëndë që
Serbia neofashiste i bëri Kosovës gjatë viteve ’90 dhe, për shkak të tradhtisë së
bandës kriminale të Thaçit, ajo e vazhdoi poshtërimin edhe pas përfundimit të
luftës, çka banda në fjalë, si shërbëtore e regjur e Beogradit, e konkretizoi
me zhvendosjen e 14 500 shqiptarëve rrënjës nga Veriu i Mitrovicës dhe me
zëvendësimin e tyre me serbë të importuar.
Duket sikur gjendja është e qetë dhe
zgjedhjet do të zhvillohen normalisht. Por lind edhe dyshimi se nuk është
plotësisht kështu. Sepse kasta e vjetër kriminale rreth kryetradhtarit Thaçi, i
cili vazhdon tëheqjen e fijeve që nga burgu i Hagës, do të bëjë gjithçka që
është e mundur për ruajtjen e pushtetit oligarkik edhe pas zgjedhjeve të 14
shkurtit. Madje paturpësia e Thaçit prej tradhtari dhe argati të regjur të
Beogradit ka marrë të tilla përmasa, saqë edhe nga burgu i Hagës ai guxoi dhe
iu drejtua popullit me një letër të hapur, të botuar dje në gazetën “Bota Sot”,
në të cilën bënte thirrje që ai të mos votojë për Albin Kurtin. Për këtë
qëllim, kasta e vjetër politike, me mjetet e fuqishme financiare që disponon,
ka vënë në shërbim shumicën dërrmuese të mjeteve të informimit masiv, pamore
dhe të shkruara, si dhe komisionin qendror të zgjedhjeve, në krye të të cilit
është Valdete Daka, një shërbëtore besnike kjo e kastës kriminale të Thaçit.
Veç kësaj, kasta e vjetër ka mbështetjen e fuqishme të nëndheshme të Beogradit,
prapa të cilit qëndron Kremlini putinian. Po ashtu, ajo gëzon mbështetjen e
gjithanshme të kastës politike antikombëtare të Tiranës, me në krye Ramën,
mikun besnik të Vuçiçit dhe të Thaçit, sepse, siç dihet, Rama është në garë me
Putinin se kush do të qëndrojë sa më gjatë pushtet: Putini e ka deklaruar se do
të jetë në pushtet deri në vitin 2036, duke iu kundërvënë edhe Hyjnisë, që kjo
të mos guxojë ta thërrasë në gjirin e vet para këtij viti. Edhe Rama, sipas
fjalëve që kanë qarkulluar poshtë e përpjetë, nuk ka ndër mend të largohet nga
pushteti partiak apo shtetëror deri në vitin 2030.
Në këto Kushte, vetvetiu lind dyshimi se
kasta e vjetër politike në Prishtinë, sipas shembullit të kastës së kalbur
politike të Tiranës, do të lëvizë të gjithë gurët për manipulimin e zgjedhjeve.
Sepse, për arsyet që u thanë më lart, ajo kastë vërtet përfaqëson botën e
errësirës, rrënjët kalbura të pushtetit të bandës kriminale rreth Thaçit, por
nuk duhet harruarr se rrënjët e kalbura janë më të fuqishme se filizat e
sapoçelur. Prandaj, nëse bëhet manipulimi i zgjedhjeve, ka rrezik që në Republikën
e Kosovës të shpërthejë kaosi politik që mund të çojë edhe në luftë civile,
sipas të njëjtit ske nar të grekoserbizmit që u luajt në atdheun amë në vitin
1997.
Veç kësaj, duhet pasur parasysh se klasa
e re politike, e përfaqësuar nga Albini dhe Vjosa, nëse vjen në pushtet (dhe
duhet besuar se duhet të vijë, gjykuar nga pulsi politik që është vënë re në
radhët opinionit publik gjatë zhvillimit të fushatës zgjedhore), do të ndeshet
me vështirësi të shumta, jo vetëm në përballjen me kalbësirën e deritanishme
politike 20-vjeçare, por edhe me pakicën serbe në mbështetje të saj. Pakica
serbe, sipas marrëveshjeve që kryetradhtari Thaçi, në cenim të rëndë të
tërësisë territoriale të Kosovës, të sovranitetit të saj, ka nënshkruar me Beogradin
në mjediset e brukselizmit, do të vazhdojë t’i zbatojë ato marrëveshje, duke e
mbajtur të pushtuar Veriun e Mitrovicës, me objektivin përfundimtar bashkimin e
tij me Serbinë. Prandaj Albini dhe Vjosa, duke u mbështetur fuqimisht në
përkrahjen e shumicës së popullit dhe duke qenë të bindur se ajo përkrahje
është vendimtare për ruajtjen e sovranitetit të Republikës së Kosovës me forcat
e armatosura dhe me organet e policisë, duhet të rivendosin autoritetin e saj të plotë
në Veriun e Mitrovicës, me rikthimin e 14 500 shqiptarëre në vatrat e tyre dhe
largimin e serbëve që kryetradhtari Thaçi i importoi pas përfundimit të luftës,
duke e kthyer atë zonë një herë e mirë nën administrimin e Prishtinës. Me fjalë
të tjera, Veriu i Mitrovicës do të shërbejë si “lakmus” për mënyrën e
qeverisjes së Albinit dhe të Vjosës: nëse ai do të vendoset përfundimisht nën
administrin e shtetit të Kosovë ose jo. Nëse jo, atëherë ata i pret dështimi
politik dhe Kosova do vazhdojë të jetë e nëpërkëmbur dhe e poshtëruar nga Serbia,
duke mbetur si Jerusalem apo Kashmir në Gadishullin dikur Ilirik.
Por, nëse shumica e zgjedhësve do të
votojë për kalbësirën politike të deritanishme, atëherë do të duhet të pranohet
me keqardhje të thellë se populli shqiptar i Kosovës, ashtu si edhe populli
shqiptar i atdheut amë, nuk e kuptuaka dot jetën pa nënshtrim, pa vuajtje në
kushtet e varfërisë, çka të sjellë në kujtesë formimin psikologjik të popullit rus, për të cilin
shkrimtari i madh Fjodor Dostojevski (1821-1881), në veprën me titull “Ditari i shkrimtarit”, të botuar për
herë të parë në vitin 1873, ka shkruar:
“Mendoj se kërkesa më kryesore, më
rrënjësore e shpirtit të popullit rus, është kërkesa për vuajtje, për një
vuajtje të përhershme dhe të pashuar, kudo dhe në çdo gjë. Me këtë etje për
vuajtje, ai, me sa duket, është infektuar që kur bota është zënë. Rrjedha e
vuajtjeve përshkon gjithë historinë e tij, jo vetëm nga fatkeqësitë dhe gjëmat
e jashtme, por ngaqë ajo zien përbrenda vetë zemrës së popullit. Në vetëdijen e
popullit rus, madje në çaste lumturie, gjendet patjetër një grimë vuajtjeje,
ndryshe lumturia e tij për të nuk është e plotë. Asnjëherë, madje edhe në
minutat më solemne të historisë së tij, ai nuk merr një pamje plot krenari dhe
ngazëllim, por vetëm një pamje mallëngjyese deri në përvuajtje. Ai trishtohet
dhe falënderimin e vet ia përcjell mëshirës së Hyjnisë. Në vuajtje populli rus
sikur gjen kënaqësi”.
Nëse ndodh vërtet kështu, atëherë do të
vërtetohen përsëri dhe përsëri fjalët e Profesorit Vedat Kokona, i cili ka
thënë:
“Sundimi i shqiptarëve prej shqiptarëve
ka qenë më i rëndë se sundimi i huaj”.
Le të shpresojmë se zgjedhjet e 14
shkurtit do të hapin një epokë të re në historinë e kombit shqiptar, do të
shërbejnë si nxitje për një zgjim mbarëmbëtar, në mënyrë që formacioni politik
“Vetëvendosja”, në aleancë të ngushtë me formacionin “Guxo” të Vjosa Osmanit,
t’i çelin filizat e nacionalizmit shqiptar edhe në atdheun amë, edhe në Shkup,
edhe në Ulqin, me shpresë edhe në trevën amtare të Çamërisë, me perspektivë ribashkimin
e trojeve tona etnike në një shtet kombëtar, me një stemë dhe me një flamur
kombëtar. Vetëm atëherë kombi shqiptar nuk do të jetë më i nëpërkëmbur, si deri
tani, nga grekoserbizmi dhe nga brukselizmi, por do të bëhet komb me autoritet
dhe i respektuar kudo në botë.