Prof.dr. Eshref Ymeri
Pandeli Majko në
vazhdën e tradhtisë
së Enver Hoxhës
dhe të Hysni Kapos
Në faqen e internetit të gazetës “Bota
Sot” të datës 19 shkurt, lexova shënimin me titull “Dy gracka për Albin Kurtin”, me autore publicisten e shquar Kimete
Berisha, e njohur për brumosjen e saj me frymën e nacionalizmit, e mbrojtjes së
dinjitetit tonë mbarëkombëtar.
Në atë shënim, për të cilin zonja Kimete
ka marrë shkas nga ideja e Albin Kurtit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë,
ajo është ndalur në këndvështrimin e Pandeli Majkos, i cili qenka shprehur
kundër bashkimit në fjalë. Ajo thekson:
“Pandeli
Majko mendon se ideja e “bashkimit kombëtar” është ide e vjetruar, e shekullit
të kaluar, prandaj, sipas tij, Albin Kurti nuk duhet të merret më me të. Rrush
prej mendve, Pandeli Majkos prej se i kanë shkuar shokët në hapsane, ka harruar
që është shqiptar”.
Në respekt
të veçantë ndaj publicistes dinjitoze Kimete Berisha, dëshiroj të theksoj se
Pandeli Majko nuk është shqiptar, sepse në damarët e tij rrjedh gjak bullgar.
Shumë miqësisht, i rekomandoj zonjës Kimete të lexojë informacionin me titull “Origjina e
Pandeli Majkos, ky socialist “i shquar””, të botuar në faqen e internetit“fv.al” të datës 27 mars 2009.
Në deklaratën e Pandeli Majkos kundër bashkimit të Kosovës me
Shqipërinë, nuk ka asgjë befasuese. Sepse Pandi është pjellë e Partisë së
Punës, e cila më 12 qershor 1991 u vetëquajt “Socialiste”. Dhe dihet që Partia
e Punës është Partia Komuniste e Shqipërisë, e cila, e themeluar më 08 nëntor
1941 si agjenturë e Beogradit, e ndërroi emrin në vitin 1948. Prandaj në
qëndrimin e Pandeli Majkos kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë del në
shesh vazhdimësia e tradhtisë së Enver Hoxhës dhe të Hysni Kapos ndaj popullit
shqiptar të Kosovës. Le të flasim me gjuhën e fakteve, mbështetur në materialin
në vijim.
“Në
delegacionin e parë të shqiptarëve të Kosovës, i cili shkoi në Beograd te Josip Broz Tito më 4 prill 1945,
merrte pjesë edhe Halim Spahia. Ai shprehu haptas mospajtimin dhe kundërshtoi
vendosmërisht me fakte aneksimin e Kosovës nga Jugosllavia dhe hyrjen e
Kosovës në Serbinë Federale, duke kërkuar
njëherit mbetjen e saj në përbërje të Shqipërisë etnike. Ai këtu, në zemër të
Serbisë, në prezencën e J.B. Titos dhe të udhëheqësve më të lartë jugosllavë e
të Serbisë, kërkoi përfilljen e së drejtës për vetëvendosje të shqiptarëve, të
garantuar me Kartën e Atlantikut dhe Rezolutën e Konferencës së Bujanit, për
realizimin e së cilës ishte garante edhe Jugosllavia e Re, pra, kërkoi
bashkimin e pjesës së ndarë me Amën e tyre.
Përgjigje të
rrepta të Halim Spahisë pas arsyetimit të J.B. Titos “Se ishin marrë vesh (J.B. Tito) me Enver Hoxhën, që, për shkak të
rrezikut që do t’u kanosej fryteve të LNÇL nga reaksioni shqiptar në Kosovë dhe
Shqipërinë Veriore, të mbetet përkohësisht Kosova në përbërje të Jugosllavisë
së Re”.
Atëherë,
Halim Spahia parashtroi kërkesën për krijimin e një Republike të veçantë unike
për shqiptarët e mbetur në Jugosllavi. Mirëpo edhe kjo kërkesë hasi në
kundërshtim të J.B. Titos dhe të udhëheqësisë më të lartë Jugosllave e të
Serbisë, me motivacionin se shqiptarët nuk kanë të drejtë që të kenë republikën
e tyre në Jugosllavi, pasi nuk janë komb, por pakicë kombëtare. Pas këtyre
replikave të rrepta të Halim Spahisë me udhëheqësinë më të lartë Jugosllave e
të Serbisë, ky e lëshoi këtë takim, duke deklaruar në dalje publikisht para
tërë asaj turme që priste para rezidencës rezultatet e këtij takimi historik
për ardhmërinë e Kosovës, me këto fjalë:
“Po ju njoftoi se prej sot e pati Kosova, sepse ajo është shitur”.
Kryetari i
delegacionit të shqiptarëve të Kosovës, renegati Mehmet Hoxha, u mundua që të bindë Halim Spahinë
për të shkuar bashkërisht në Presidiumin e Serbisë që të nënshkruajnë
hyrjen e Kosovës në Serbinë Federale. Mirëpo, Halim Spahia, pa u hamendur, iu
drejtua anëtarëve të delegacionit që gjendeshin aty me këto fjalë:
“Ne erdhëm te J.B. Titoja që t’i parashtrojmë kërkesat tona të
vendosura që nuk u morën në shqyrtim dhe nuk kemi pse të shkojmë në Presidiumin
e Serbisë, apo gjetiu në Beograd. Ejani, burra, të shkojmë sa më parë në
Kosovën tonë, se na presin punë të mëdha dhe tejet urgjente për ardhmërinë e
kombit tonë” (Nga deklarata e anëtarëve të delegacionit: Qamil Luzha,
Vesel Rexhepi dhe Ukë Sejdi Grabanica).
Menjëherë pas
largimit nga rezidenca e J.B. Titos, Halim Spahia, së bashkut me Qamil Luzhën, vajti në ambasadën e Shqipërisë në
Beograd, ku bisedoi haptas me ambasadorin e atëhershëm të Shqipërisë - Hysni Kapon, Ramadan Çitakun (atashe ushtarak)
dhe Vasil Konomin (sekretarin e parë të ambasadës
shqiptare në Beograd). Ambasadori Hysni Kapo, me këtë
rast, i tha Halim Spahisë:
“Halim, pse kërkoni të bashkoheni me ne (Shqipërinë), kur Shqipëria së
shpejti po hyn në përbërje të Jugosllavisë së Re si Republikë e Shtatë”.
Me këtë rast,
Halim Spahia reagoi shpejt dhe shumë ashpër me këto fjalë:
“Shiqo Hysni Kapo, së parit të bashkohemi të gjithë shqiptarët në një
Shqipëri unike, dhe pastaj të shkojmë ku të shkojmë bashkërisht e jo kurrsesi
kështu të copëtuar”.
Në të kthyer
nga Beogradi në Gjakovë e Prizren, ku kishte takime sekrete me anëtarët e KQ të
LNDSH dhe patriotë të njohur, udhëtoi për në Tiranë për t'u takuar me Enver Hoxhën (me të cilin njihej mirë qysh më
herët). Në këtë takim me Enver Hoxhën, në prezencën edhe të sllavomaqedonit Koçi Xoxe, kërkoi përkrahjen e Enver Hoxhës për
këtë çështje me rëndësi jetike për ardhmërinë e Kosovës dhe të kombit shqiptar, por pa dobi, pasi
nuk gjeti mirëkuptim dhe as mbështetje të duhur” (Citohet sipas: “Halim Spahia - Uikipedia”. Marrë nga
faqja e internetit, 07 shtator 2010).
Siç dihet,
nacionalisti i shquar Halim Spahia, gjatë kohës që ndodhej në Shqipëri,
arrestohet me urdhër të Enver Hoxhës dhe u dorëzohet autoriteteve jugosllave,
të cilat e pushkatuan në vitin 1946, bashkë edhe me disa nacionalistë të tjerë.
Po cila ishte
arsyeja që fill pas çlirimit të vendit, pikërisht Hysni Kapoja emërohet ambasador
në Beograd? Njëri nga udhëheqësit me shumë peshë në hierarkinë komuniste të
Tiranës?
Përgjigjen e
kësaj pytjeje e gjejmë në materialin e mëposhtëm.
“Njëri prej
udhëheqësve komunistë, me lidhje edhe të mëparshme me agjenturën serbe,
nëpërmjet xhaxhait të tij Murat Tërbaçi, ishte edhe Hysni Kapo. Nga fillimi i vendosjes së regjimit
komunist e deri më 27 shkurt 1947, ai do të ishte ministër (ambasador) i
Shqipërisë në Beograd…
Një rol të
madh në forcimin e “miqësisë së madhe” luajti edhe Hysni Kapo. Gjatë mandatit
të tij në Beograd u nënshkruan marrëveshjet skllavëruese me Jugosllavinë dhe u
zhvillua vizita e kryeministrit Enver Hoxha në Jugosllavi” (Citohet sipas:
Kastriot Dervishi. “Flagranca
e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave në vitet 1944-1948”. Marrë nga faqja e internetit. 15 korrik
2009).
Në Konferencën e Paqes në Paris të vitit
1946, u paraqit një rast ideal që Kosova të bashkohej me Shqipërinë. Shefi i
misionit amerikan në atë konferencë, Jakobs, duke e njohur në heshtje Enver
Hoxhën si argat në shërbim të Beogradit, iu drejtua me një pyetje-kurth, për
çka hidhet dritë në materialin në vijim:
“Ai e pyeti Hoxhën, se cili do të
ishte reagimi i tij, në qoftë se Shqipëria do të kërkonte futjen në axhendën e
Konferencës së Paqes të kërkesës për rajonin e Kosovës, dhe në rast se Delegacioni i SHBA do të votonte kundër së
drejtës së Shqipërisë për ta diskutuar këtë kërkesë në Konferencë. “A nuk
mendoni ju se, të paktën, kërkesa juaj duhet të diskutohet dhe të studiohet?” -
kishte pyetur Jakobsi. Kësaj pyetjeje E. Hoxha iu përgjigj në një mënyrë të
turbullt dhe mohuese. Ai i tha përfaqësuesit amerikan se “kjo nuk përbën një
rast analog, sepse ne nuk jemi duke shtruar kërkesën për rajonin e Kosovës nga
aleatja jonë, Jugosllavia”” (Citohet sipas: Prof.dr. Beqir Meta. “Tensioni
greko-shqiptar 1939-1949”. GEER. Tiranë 2002, f. 516).
Sigurisht që, në atë konferencë, argati i Beogradit Enver Hoxha nuk mund ta shtronte kurrsesi kërkesën
për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, sepse një vit më vonë, më 15 dhjetor të
vitit 1947, në mbledhjen e Byrosë Politike, ai do të kërkonte me ngulm
bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, për ta shndërruar në koloni të saj, nën
maskën e republikës së shtatë. Ja thirrja e tij:
“Duhet
ta fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejt bashkimin DE FACTO të
Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat (parti, ekonomi, ushtri, etj.),
se Shqipëria nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur dhe aq më pak të ndërtojë
socializmin pa u bashkuar me Jugosllavinë…” (Citohet sipas: Mërgim Korça. “Çështja kolaboracionizëm e të tjera. T’i gjykojmë”.
Detroit
2014, f. 105).
Me sa duket, Pandeli Majko, i cili nuk
ia ka fare haberin se si fitohet buka e gojës me djersën e ballit, sipas
diplomës që ka marrë në universitet, sepse nga bankat e universitetit përfundoi
në kolltukun e deputetit, kolltuk që s’e ka lëshuar për asnjë çast që prej
vitit 1992, flet me gjuhën e shefit të tij Rama kundër bashkimit të Kosovës me
Shqipërinë. Se jo më kot Rama, në bashkëpunim të ngushtë me Vuçiçin, si dikur
Enver Hoxha me Titon, kërkon të rikrijojë Jugosllavinë e Re dhe Shqipëria me
Kosovën, nën maskën e të ashtuquajturit minishengen, të përfundojnë në
neokoloni të sllavoserbizmit. Domosdo që Pandeli Majko me gjuhën e heshtur të
Ramës do të flasë kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Sepse mbarë
opinioni publik shqiptar atë e njeh si kryeservil të regjur të tij. Në shënimin
e vet, publicistja Kimete Berisha përmend edhe Elisa Spiropalin, e cila paska
bashkuar zërin e vet me zërin e Pandeli Majkos kundër bashkimit të Kosovës me
Shqipërinë, sepse, siç shkruan publicistja e nderuar, “… edhe Elisa Spiropali
po shqetësohet sa herë po e përmendin bashkimin. Milionerja zhelane, i tha
Albinit “s’ka cicmic””.
Kur deklaron kështu edhe Elisa Spiropali,
e cila njihet si “uni i dytë” (alter ego) i Ramës, si më kryeservilja e tij,
s’ka më asnjë fije dyshimi se Rama, autori i trarit në hyrje të tunelit të
Kalimashit, qëndron fort në barrikadën e Partisë Komuniste-së Punës-Socialiste
kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë.
S’mund të ndodhë ndryshe, sepse Partia
Komuniste e Shqipërisë, e krijuar nga emisarët e Titos, Miladin Popoviçi dhe
Dushan Mugosha, me në krye argatin e Beogradit, njeriun “askushi” me emrin
Enver Hoxha, dhe me emra të ndërruar në Parti e Punës dhe Parti Socialiste, që
prej 08 nëntorit 1941 deri në ditët tona, nuk ka lëvizur kurrën e kurrës nga
shinat e servilizmit dhe të mercenarizmit në shërbim
të
grekoserbizmit, armikut të betuar të kombit shqiptar. Kjo dëshmon më së miri se
fara e tradhtisë që mbolli Enver Hoxha në tokën shqiptare, vështirë se mund të
çrrënjoset në shekujt e ardhshëm.