2021-02-11

Cikël poetik nga Bajame HOxha-Celiku

 

 

 PRANVERË DO TA QUAJ

 

Ah, pranverë do mbetet ndjenja  e një puthje ëndërrimi,

me prarim pranvere, me gjethe të gjelbra dëshpërimi.

Anembanë degëve të ullinjve ku shtrihet tërë gjelbërimi,

i dashur im, sot do desha të ishe i pranverës prarimi.

 

Kur dielli ndizte llërëpërveshur atëherë mbeti vështrimi,

sikur fliste hëna e ty të vetëtinë sytë ëmbël mbi mua.

Krahët shtrirë poshtë meje në syt`e mi mbet ngazëllimi,  

atëherë qeshi dalldisur hëna me dashuri ndër duar.

 

Kur ti ecje me hapin tënd të matur, të bukur djaloshar,

kryelartë pëshpëritje buzëqeshur si zemr’e larë në ar.

Fytyrë ndezur të shihja ndaj zemra dëgjohej që larg,

pastaj trokthi i saj avitej, tronditej si zokth  në acar.

 

Shkëlqimi dhe freskia në ty mbet si e heshtura pranverë,

zë shkrirë nëpër vite mbi degë të bajames ti le një fole.

Kur pulëbardhat ktheheshin dhe lejlekët aq të dashuruar,

i yti vështrim timin pushtonte, sa nuk kish të krahasuar.

 

Ashtu ndezur me puthjen time mbi të tuat buzë kërkuar,

kur timin afsh pulëbardha ta sillte me puhi ngatërruar.

Edhe unë ca nga cazë, e mbushur plot epsh, zjarr, flakë,

dot s’qëndroj pa tëndin gji, që e ndiej në timin asht.

 

Eh, moj jetë me dit`e net  thua çastit do t`venitesh?!

Do të ikim nga kjo botë me shumë dhimbje s’ka dyshim,

vetëm dua që t’më kuptosh se sa shumë desha ndër vite,

ata sy plot xixëllimë që s`i ndahen fundit tim.

 

 

 BREGORET

 

Ti ike diell më larg nga këto bregore,

të cilat blerojnë gjithmonë në pritje.

Sikur t’i shohësh sa shumë gjelbërime,

ëmbël shtrihet dhe hëna ndër vise.

 

Ti diell, eja, shtri krahët ndër bregore!

Më poshtë një fushë e blertë të pret,

xixat e tua dërgoja me flakë rrufeje,

si foshnja ushqimin e uritur po pret.

 

Gjëmon kjo fushë bashkë me bregoret,

ngre kryet një lul’e bukur përpjetë.

Po vuan  i saji shpirt, e përvëlohet,

nën drithërima rrezen tënde pret.

 


ARDHJA JOTE MË BËN TË BUKUR

 

Kur ti më vjen ndër ëndrra gëzimin ëmbël ndjej,

poshtë portokajve dimërorë plot gaz dëfrej.

S’duhet vetëm borë, në zjarrin tonë ne heshtim,

malli përkëdhel, ndërsa unë e ti nuk rreshtim.

 

Kur më vjen ti ardhja jote më bën aq të bukur,

se më ngjall çdo ndjenjë e flatroj si flutur.

Kërkojmë veç burimin që shpirtin të freskojmë,

me lotin e zemrës thellë mallin flakërojmë.                 

 

 NË TËNDIN GJI

 

 

Më zuri gjumi ndër krahët e tua,

duke përgjuar nga ty një sinjal.

Mbështjellë aty gjer në t ‘aguar,

ëmbël më erdh e bukura fjalë.

 

Në tëndin gji seç pëshpëritja,

erdhe ti zemër?! Sa dua të pres!

Aq të ndjeva, sa më... bërtita,

kët’ shpirtin tim veç ti e ndez.

 

                                                        

 TË KËRKOJ

 

Ti vjen në ëndrra e më pushton,

i yti shtrëngim agimet më zgjon,

zgjon ëndrrat, ndjenjën e zjarrtë,

po digjem për ty, vuaj çdo çast,  

të zjarrtë veç ti më bën çdo natë.

 

 GJERDANI

 

 

Edhe unë s’do ta heq asnjë sekondë,

nga qafa ime e brishtë ndezur flakë.

Atë gjerdan dimër e verë do ta mbaj

e çdo qelizë që ta ndjejë të bërtasë.

 

Ah, sikur pas ajrit ta dërgoje si dhuratë,

atë thjeshtësi tënden dhe ëndrrën e gjatë.         

Atë pjesë të dashurisë ta thashë, ta thashë...

Për mua do të ishin sa shtatë qiej bashkë.

 

Bregoret me zjarr duken se ulen qartë,

ulen, por përsëri ngrihen më shpejt se aq.

Bashkë me atë gjerdanin tënd të artë,

që mbështjell aq ëmbël një të hollë qafë.

 

 MALL I DASHURISË

 

 

Meqë lotin do ta nis e mallin gjatë do ta puth,

të puth pragun e zemrës e thellë gjer në fund. 

Dua tani shpejt fluturimin, porsi zogëz ta marr,

të vij në ty frym’ ëmbël e çiltër plot gaz.                     

 

Do t’ kalojmë një natë të flaktë plot afsh mbështjellë,     

loti pranë do më rrijë dhe ti si djalë me lot e mbërthen.

Sa shumë do t’ psherëtijmë, do të qajmë atë natë,

gjersa ta shkrijnë të gëzimit lot mallin e ngratë.

 

Me lotin do të jap gurgullimën e një burimi kristal,

do të nis sisën me qumësht të thithë qengji laran.

Po s’arrita sot, ta dish, s’do mund të arrij më kurrë,

në shpirt jeton ai zë, që kush s’mund ta shkulë.

 

 

 VËRTET

 

Zot, më quajte trëndafil,

po a jam vërtet e tillë?!

Në i do të miat petale,

mos i lë të vyshken fare!

 

           MË MBYLLE

 

            Më mbylle në guaskë,

o dashuria ime!

Po unë,

jam e fortë si shkëmbi.

Dua të dal tashmë

e të bukurin,

gjelbërim poetik

të zë. 

 
 
VJEN E MË GODET
 
Si tërmet më trondit çdo hap zemër e trishtuar
dhe duket një shkulm si një valë që po afron.
Bëj ta kap s’e kap dot se kam frikë të trazuar,
po vjen më godet porsi një det që shkulmon.
 
Ah, si vjen me ngjyra ylberi portreti yt afrohet!
lartësohet, hyjnizohet me xixa vështrimesh.
Një shpuzë më djegë buzën aq sa s’ belbëzohet,
Është malli, malli si suvalë më vrau hiresh.

 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

 

 

 

 

 

2021-02-10

Nderim për një studiues me autoritet shkencor

Akaemik Prof. Dr. Eshref Ymeri Me studiuesin dhe poetin e talentuar Kujtim Mateli jam njohur para pak kohësh përmes faqeve të internetit. Gjatë shtegtimeve nëpër faqet e këtij mjeti të shkëlqyer të komunikimit elektronik, fare rastësisht hasa në poezinë me bukuri të rrallë, me titull “More Naim Shqipëria”. Mbeta i emocionuar nga mjeshtëria e latimit të vargut dhe i mallëngjyer nga nervi epikolirik i dashurisë mitike të autorit për tokën amtare dhe i nderimit të thellë ndaj korifeut të Rilindjes sonë Kombëtare, poetit të madh erudit Naim Frashëri. Ajo poezi më solli në kujtesë menjëherë vargjet gjëmimtare që shpërthejnë në himnin poetik të Vaso Pashës, me titull “O moj Shqypni”. Krijimtarinë e vet në lëmin e poezisë, Kujtimi e ka përmbledhur në tre vëllime: “Qetësojmë shpirtrat e trazuar”, “Kështjella e poezisë” dhe “Eci mbi një fije shprese”. komunikimit të mëvonshëm, Kujtimi më pati shkruar edhe për punën e tij në lëmin e studimeve për lashtësinë e etnisë shqiptare. Në njërin nga komunikimet tona, ai më dërgoi edhe një libër mjaft interesant, të cilin ia kushtonte vendndodhjes së Dodonës. E lexova me shumë kërshëri dhe mbeta i mahnitur nga puna e tij me aq pasion për zbulimin e rrënjëve të lashtësisë së etnisë shqiptare dhe shtrirjen e saj gjeografike. Problemet që lidhen me prejardhjen e etnisë shqiptare, me shtrirjen e territoreve të saj dhe me lashtësinë e gjuhës shqipe, kanë pasë tërhequr vëmendjen e studiuesve të huaj që prej lashtësisë deri në kohët moderne. Këto probleme domosdo që do të nxirrnin në pah edhe ballafaqimin e pikëpamjeve të ndryshme. Në ato ballafaqime sipërinë e ka pasë marrë mendimi shkencor se shqiptarët e kanë prejardhjen nga pellazgët. Pikërisht për të nxjerrë në pah të vërtetat shkencore rreth etnisë shqiptare dhe shtrirjen e saj në Gadishullin Ilirik, Kujtimit i është dashur të derdhë shumë mund dhe djersë. Rezultatet e punës së tij kërkimore-shkencore janë pasqyruar në tre libra, të botuar në një hark kohor prej nëntë vjetësh. Libri i parë titullohet “Gjetja e vendndodhjes së Dodonës sipas dëshmive të autorëve të vjetër” (2011), libri i dytë - “Dosja Karapanos” (2016) dhe libri i tretë - “Hyjnia e malit Tomor” (2020). Këta tre libra të nivelit akademik, janë një kontribut i jashtëzakonshëm i këtij studiuesi të talentuar dhe intelektuali të formatit nacionalist për zbardhjen e së vërtetës për vendndodhjen e Dodonës. Një kontribut të tillë vështirë se mund ta kishte përballuar një sektor i tërë i studimeve historiografike në Akademinë e Shkencave. Libri që i kushtohet vendndodhjes së Dodonës, përbën në vetvete një enciklopedi të tërë me faktet e parashtruara, me citimet e shumta nga autorë të lashtësisë, me hartat dhe me skicat e paraqitura me kujdesin e një hulumtuesi me vetëdije të lartë shkencore. Nënkuptohet që Kujtim Mateli, pas botimit të librit për vendndodhjen e Dodonës, ishte mjaft i interesuar që të gjente mbështetjen e Akademisë së Shkencave. Prandaj i pati dërguar një kopje asaj akademie dhe priste reagimin e saj. Por, çuditërisht dhe fatkeqësisht, jo vetëm që nuk gjeti mbështetje prej saj, por, përkundrazi, libri u bë edhe objekt sulmesh nga ndonjë akademik, si Myzafer Korkuti, i cili e pati vlerësuar si një punim diletant. Sipas këndvështrimit “shkencor” të akademikut Korkuti, Dodona “ndodhet” në jugperëndim të Janinës. Dhe për një pohim të tillë, akademiku në fjalë, megjithëse është arkeolog, mbështetet në disa fjalë të Ismail Qemalit, i cili dikur paskej deklaruar se Dodona “ndodhet” në afërsi të Janinës. Dhe këtë “zbulim”, Ismail Qemali, pa qenë as historian, as historiagraf, as arkeolog, “e paskej bërë” kur, rastësisht, i kishte qëlluar të kalonte nëpër territorin që shtrihet në jugperëndim të Janinës. Pra, akademiku Korkuti, në sulmin që ndëmerr kundër Kujtim Matelit për vendndodhjen e Dodonës, merr për bazë vetëm fjalët e Ismail Qemalit dhe jo përfundimin shkencor që pati nxjerrë misioni arkeologjik francez, sipas të cilit Dodona nuk ndodhet në afërsi të Janinës. Në të vërtetë, Kujtim Mateli, mbështetur mbi dëshmitë e autorëve të antikitetit dhe gjetjeve arkeologjike, provon se Dodona nuk ndodhet në luginën e Carakovistës në jugperëndim të Janinës, por as në malin e Tomorit në lindje të qytetit të Beratit. Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit, në perëndim të qytetit të sotëm të Këlcyrës, në shpat të malit Trebeshinë. Me sa duket, akademiku Korkuti, si anëtar i Akademisë së Shkencave, është i interesuar që Dodona të quhet helene dhe jo pellazgjike. Por në këtë mes nuk ka asgjë për t’u habitur. Sepse Akademia e Shkencave ka shërbyer gjithmonë si një shtrat i ngrohtë për mbështetjen e kastave politike të Tiranës, të cilat janë të njohura mirë për formatin e tyre antikombëtar në raport me grekosllavizmin. A nuk është kjo Akademi e Shkencave, e cila e ka lënë vendin tonë pa një Enciklopedi të Madhe Shqiptare? A nuk është kjo Akademi e Shkencave, e cila nuk e pranon që shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve, çka pranohet botërisht në Enciklopedinë e Madhe Greke, në të cilën shkruhet: “Stërgjyshët e shqiptarëve të sotëm, pellazgët, në periudhat parahistorike, kanë jetuar në pjesën më të madhe të botës që njihej atëherë, duke zhvilluar një qytetërim shumë të rëndësishëm e duke ngritur vepra me vlerë të tejzakontë” (Vëll. 19, f. 873). Dihet që lashtësia e një etnie dhe shtrirja e saj gjeografike, në mënyrë të padiskutueshme, e gjejnë pasqyrimin e vet në shtratin e gjuhës amtare. Prandaj dijetari i shquar Italian Galileo Galilei (1564-1642) ka thënë: “Shumë emra të vendeve, të maleve, të lumenjve, të personazheve legjendarë nuk mund të shpjegohen me etimologjinë greke. Vetëm një gjuhë ka qenë në gjendje të hedhë dritë mbi emrat e këtyre vendeve, e kjo gjuhë është shqipja”. Dijetari i shquar gjerman Lejbnici (Gottfried Wilhelm Leibniz - 1646 - 1716) ka theksuar: “Në qoftë se duam të dimë historinë para Krishtit dhe shkencat e asaj kohe, duhet t'i drejtohemi gjuhës shqipe”. Albanologu i shquar austriak Maksimilian Lamberc ( Maximilian Lambertz 1882-1963) është shprehur: “…historia e vërtetë e njerëzimit do të shkruhet vetëm kur shqiptarët të marrin pjesë në shkrimin e saj”. Është për të ardhur keq që Akademia e Shkencave jo vetëm që i është kundërvënë padrejtësisht studiuesit të talentuar Kujtim Mateli në fushën e hulumtimeve për shtrirjen gjeografike të trojeve tona etnike deri në Gjirin e Ambrakisë dhe vendndodhjen e Dodonës, por ka lejuar që të hidhet në qarkullim edhe një libër antishkencor për pasurinë leksikore të gjuhës shqipe, e cila, sipas Anila Omarit, punonjëse e Akademisë Albanologjike, autore e punimit me titull “Marrëdhëniet gjuhësore shqiptaro-serbe”, 93% të fjalëve “i paska të huazuara”! Vajmedet për Akademinë e Shkencave! Është me të vërtetë fatkeqësi e rëndë mbarëkombëtare që jo vetëm kastat politike shqiptare pas vitit 1920, por edhe Akademia e Shkencave në Tiranë, nuk u bënë kurrë të gjallë dhe t’i kërkonin me zë të lartë Perëndimit shovinist evropian t’i zhbëjë padrejtësitë e rënda që i shkaktoi etnisë shqiptare, si më e madhje në Gadishullin Ilirik në shek. XIX, padrejtësi këto, të cilat, për vetë fajin e shqiptarëve të përçarë tragjikisht, u vulosën në Kongresin famëkeq të Berlinit dhe në Konfrencën edhe më famëkeqe të Londrës. Sikur etnia shqiptare të kishte qenë e aftë për ruajtjen dhe forcimin e unitetit brenda radhëve të veta, ajo do t’i kishte njohur shumë më mirë fqinjët që ka në jug dhe në veri dhe nuk do të kishte lejuar që me trojet tona etnike të trefishoheshin sipërfaqet e territoreve të tyre. Por gjasat janë se ajo nuk do të bëhet kurrë e aftë për t’i njohur ata edhe në kohët moderne dhe nuk do të bëhet e vetëdijshme se çfarë rreziku përbëjnë ata për mbijetesën tonë si komb. Mirë do të ishte që ne shqiptarët t’i kemi parasysh orë e çast vlerësimet në vijim që u janë bërë grekëve dhe serbëve. Presidenti grek Karamanlis, në vitin 1981, ka pasë deklaruar se “Greqia është një azil të çmendurish”. Kjo deklaratë e tij është botuar në librin e publicistit të shquar amerikan Robert D. Kaplan, me titull “Greqia - gruaja e Lindjes, dashnorja e Perëndimit”, të përkthyer në gjuhën shqipe, f.40. Presidenti francez Zhak Shirak (Jacques Chirac - 1932-2019) ka bërë këtë vlerësim për serbët: “Serbët janë një popull pa ligje dhe të pabesë. Ata janë një popull banditësh dhe terroristësh!” (Faqja e internetit “mekulipress”. 15 dhjetor 2019). Kastat politike shqiptare dhe Akademia e Shkencave duhet të ulin kokën të turpëruara para miqve të huaj të etnisë shqitare, të cilët i qenë kundërvënë haptas Perëndimit shovinist evropian dhe patën kërkuar ribashkimin e trojeve tona etnike. Materialin me titull “Fjala e Plotë e ImZot Luigj Bumçit në Konferencën e Paqes në Paris”, përkthyer për herë të parë dhe përgatitur për botim sipas origjinalit në frëngjisht nga Fotaq Andrea, faqja e internetit “Voal”, 18 gusht 2020, përkthyesi e ka shoqëruar me një parathënie, në të cilën thekson: “Në Fjalën e vet, Luigj Bumçi përmend atë çka i shkruante lordi anglez Fritz Maurice, anëtar i Komisionit të Rumelisë orientale të Foreing Office-it dhe që është botuar në Livre Bleu më 1880. Në letrën e vet, lordi, i cituar nga Luigj Bumçi, theksonte: “… Konferenca e Paqes do të bënte një krim të vërtetë nëse, mbështetur mbi statistika absolutisht të gabuara, nuk do të urdhëronte kthimin Shqipërisë të territoreve shqiptare që u janë dhënë padrejtësisht nga Kongresi i Berlinit dhe Konferenca e Londrës serbëve dhe grekëve”. Dhe më poshtë përkthyesi vazhdon: “… që në dhjetor 1920, publicistja dhe mikja e Shqipërisë Elise Aubry parandiente tashmë fuqinë ripërtëritëse apo ringjalljen si një feniks të kombit shqiptar, tek shkruante gjithë besim : “Më në fund, Shqipëria u njoh nga Fuqitë. E di fare mirë që ka dy coptime në Veri dhe në Jug, por jam e bindur që pak nga pak shqiptarët do t’i marrin të gjitha tokat e tyre”. Kishin shumë të drejtë lordi anglez dhe mikesha franceze për krimin e rëndë që kreu Perëndimi shovinist evropian me copëtimin e trojeve tona etnike, për të cilat, në Fjalorin Enciklopedik Rus të vitit 1896, f. 396, botim i Akademisë së Shkencave të Peterburgut, thuhet se zënë një sipërfaqe prej më shumë se 100 mijë km². Akdemitë e shkencave, kudo në botë, normalisht, shërbejnë si strehë e ajkës së elitave intelektuale. Prandaj ato luajnë një rol të rëndësishëm në shmangien e prapësive që mund të bëjnë kastat politike që hipin e zbresin nga pushteti. Edhe Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, një strehë e tillë duhej të ishte dhe, kohë mbas kohe, akademikët duhej të shërbenin si barrikadë e fuqishme kundër prapësive të tilla. Por një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë. Akademikët e Tiranës le të bëhen një herë burra në jetën e tyre dhe t’u kundërvihen haptas kastave politike për prapësitë që kanë bërë gjatë këtyre tridhjetë vjetëve në dëm të interesave tona kombëtare, le të marrin shembull nga dy akademikë serbë, të cilët e kanë kundërshtuar publikisht politikën e Beogradit për qëndrimin e tij shovinist ndaj Republikës së Kosovës. Vladimir Kostiç, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, në muajin tetor të vitit 2015, pati deklaruar: “Dikush duhet t’ia shpjegojë këtij populli se Kosova nuk është as de fakto dhe as de jure në duart tona. Kam frikë se në këtë moment e vetmja urtësi politike është se në cilën mënyrë, me elemente të dinjitetit, ta lëshojmë Kosovën, e cila de fakto dhe de jure nuk është në duart tona. Dhe këtë duhet t’ia shpjegojë ndokush këtij populli… Çfarëdo goditjeje që mund të marrë Serbia, ajo duhet të vazhdojë të zgjerojë kapacitetet e saj demokratike dhe hapësirat e lirisë, përndryshe nuk ka për të ekzistuar...” (Citohet sipas: “Akademiku serb: mbytja e Serbisë me nyjen e Kosovës”. Faqja e internetit “Politiko”. 23 korrik 2020). Akademiku serb Tibor Varady, i cili e përfaqëson Serbinë në proceset ndërkombëtare, në vitin 2017, në gazetën “Blic”, pati bërë deklaratën në vijim: “Ne duhet ta dimë se Kosova de facto nuk është pjesë e Serbisë, pavarësisht çfarë duam ne. Nuk është as në aspektin legjislativ, as administrativ dhe as juridik. Në këtë situatë, nëse themi se po e ruajmë Kosovën, nuk është retorikë e përshtatshme” (Citohet sipas: “Akademiku serb: Kosova de facto nuk është pjesë e Serbisë”. Faqja e internetit “time.al”. 30 korrik 2017). Studiuesi i talentuar i nivelit akademik Kujtim Mateli, e ka sfiduar haptazi Akademinë e shkencave, duke iu drejtuar publikisht me pyetjen se cila është arsyeja që “nuk janë kryer gërmime arkeologjike në trevën e Përmetit, ku përreth qytetit të Këlcyrës ndodhen tri kala antike dhe kalaja antike e Këlcyrës që prej 9 vitesh, nëpërmjet dy librave studimorë, është pretenduar si vendndodhja e Dodonës pellazgjike?”. Me shqetësimin e një shkencëtari atdhetar, Kujtim Mateli është i befasuar nga qëndrimi shpërfillës i Akademisë së Shkencave ndaj popullsisë pellazge dhe ndaj Epirit që ka pasë qenë “zemra e Pellazgjisë, se kishte në territorin e vet Dodonën, që, të gjithë autorët antikë, e kanë përmendur me përcaktorin Dodona pellazge”. Le të shpresojmë që dikur, në Akademinë e Shkencave, do të vijnë shkencëtarë me vetëdije të lartë kombëtare dhe do të dinë t’i përgjigjen me dinjitet shkencor pyetjes në vijim të studiuesit Kujtim Mateli: “Kujt i lihet ajo trashëgimi historike me kryeqendër Dodonën, që përbën shkallën më të lartë të qytetërimit të antikitetit dhe bërthamën e qytetërimit të sotëm evropian?!”.

RRUGËTIMI USHTARAKO-POLITIK I HEROIT DHE GJENEREALIT TË LUFTËS , RAMUSH HARADINAJ

Regjisori Kujtim Gjonaj sjell në një dokumentar jetën e Ramush Haradinajt Një udhëtim që nis nga Gllogani, fshati shumë pranë Deçanit, për të vijuar më pas në krahinën e Dukagjinit, Shqipëri, më pas në kryeqytetet e Europës, tribunalin e Hagës…për të sjellë në ekran jetën e një prej protagonistëve më të njohur në Kosovën e pas luftës Ramush Haradinajt. Hero i luftës së UÇK-së e më pas Kryeministër, jeta e Haradinajt nuk është thjesht jeta e një njeriu, por jeta e vendit të tij, Kosovës. Regjisori Kujtim Gjonaj, mjeshtër i madh, në kuadër të kolanës së filmave portret, pas premierës kushtuar jetës së aktores së madhe Margarita Xhepa, sjell një tjetër dokumentar kushtuar një prej figurave më të spikatura në politikën kosovare, Ramush Haradinajt. Filmi dokumentar “Gjithçka për Kosovën” pati premierë dy javë më parë në Muzeun Historik Kombëtar. Pas dokumentarit për aktoren e njohur Margarita Xhepa, vini sërish me një premierë dokumentari kushtuar një personazhi të njohur të politikës në Kosovë. Pse kjo tërheqje ndaj dokumentarëve-personazhe? Filmi dokumentar që i kushtohet figurës së Ramush Haradinajt bën pjesë në kolanën e filmave portret të realizuar nga unë. Kolanë që tashmë ka krijuar fizionominë e vet në shtratin e gjerë të krijimeve të mia filmike. Në ndryshim nga shumë filma të tjerë dokumentarë të këtij lloji, jo vetëm nga ata që kam realizuar unë, por edhe të regjisorëve të tjerë, ky film është një dokumentar ndryshe. Përse e them këtë? E them sepse ka disa vite, që në filmat e mi dokumentarë (disa prej tyre) përparësi themelore merr imazhi i filmit dhe jo teksti që i bashkëngjitet këtij imazhi, që ilustron dhe komenton atë. Në filmin në fjalë mungon tërësisht komenti me tekst, por mendimet dhe idetë e autorit transmetohen te spektatori nëpërmjet imazhit, zërit të personazhit apo sekuenca mendimi të bashkëkohësve të tij. Filmi për gjeneral Ramush Haradinaj nuk është dokumentar klasik, ku narratori zë e rrëfen jetën dhe veprën e personazhit nga lindja e këtej. Përkundrazi ai është një rrëfim artistik, mbështetur në momentet më të qenësishme të jetës së personazhit dhe familjes së tij, pa respektuar ndonjë rend kronologjik… Është Haradinaj që tregon, janë njerëzit e thjeshtë që flasin për të, janë dhe bashkëluftëtarët që gjykojnë mbi të… dhe duke i vlerësuar të gjitha bashkë, ne ndërtojmë episode emocionale të mbështetura në metafora artistike, simbole apo krahasime filmike, pra në atë që ne e quajmë gjuhë të pasur filmike. Tërë këta elementë të marrë së bashku si dhe mënyra origjinale e rrëfimit, bëjnë atë që filmi të jetë ndryshe ose thënë artistikisht… një rrëfim emocional dhe artistik për këtë figurë emblematike. Cilat janë vendet apo ngjarjet që ju kanë bërë përshtypje në rrugëtimin drejt jetës së Haradinajt? Kur më propozuan të bëj një film për jetën dhe luftën e z. Haradinaj, të them të drejtën, në fillim shtanga dhe hezitova për ditë të tëra. Hezitimi është i kuptueshëm se, për një figurë të cilën jo vetëm vepra e tij, por edhe koha dhe masmedia e kishin kthyer në legjendë, duhej menduar gjatë për të marrë një vendim krijues. Miqtë që më propozuan, njerëz të afërt me gjeneralin, më ofruan dokumentacionin e nevojshëm dhe kështu hap pas hapi, shkallë pas shkalle, ndodhi pas ndodhie figura e tij m’u bë e afërt dhe shpesh u thoja bashkëpunëtorëve të mi, se po më duket vetja edhe mua si pjesë e UÇK-së. Kështu nisi puna me stafin tim për të kristalizuar dhe për të sjellë në jetë filmin për Ramushin, këtë figurë emblematike të luftës çlirimtare të popullit kosovar, për liri e pavarësi kombëtare. Rrugëtimi artistik për të materializuar artistikisht jetën e Ramush Haradinajt ka një shtrirje të madhe në kohë dhe hapësirë. Ai zë fill në Gllogjan, pastaj përshkon tërë krahinën monumentale të Rrafshit të Dukagjinit, përfshin Shqipërinë me Tiranën në krye, kryeqytetet e mëdha të Europës për të popullarizuar bashkimin shqiptar, si dhe përplasjet në Tribunalin e Hagës, për të dhënë luftën e popullit shqiptar të Kosovës, certifikatën e pafajësisë dhe të drejtësisë. Është një rast unikal jo vetëm në botën shqiptare, por edhe në Ballkan edhe më gjerë, që një kryeministër të japë dorëheqjen vullnetarisht, të shkojë po vullnetarisht për t’u përballur me drejtësinë dhe të kthehet triumfator prej andej. Ky veprim, siç thotë një studiues në film, është një rast unikal i një burrështetasi të shquar. Ky është rrugëtimi jo vetëm gjeografik, por edhe artistiko-emocional në jetën e heroit të veprës filmike. Vlen për të përmendur në këtë rrugëtim artistik se nuk ka episode apo sekuencë kur flitet për Shqipërinë, që rrëfimtari (pra Ramush Haradinaj) të mos shpalosë me thjeshtësi, emocion dhe respekt të thellë dashurinë e tij të pakufishme për Shqipërinë dhe shqiptarët, për ndihmën e pakursyer që njerëzit e thjeshtë të Shqipërisë u kanë dhënë vëllezërve të tyre kosovarë. Sa herë xhironim episode apo sekuenca të tilla unë si regjisor shihja në portretin e tij, në sytë dhe vështrimin e tij një emocion të madh. Dhe teksa xhiroja, mendoja se te ky njeri, që i dha luftës jo vetëm gjakun e tre vëllezërve, por sakrifikoi gati gjithë familjen e tij, ndjenja e mirënjohjes për Shqipërinë dhe shqiptarët është kthyer në virtyt. Pse një dokumentar për Haradinajn? Në krijimtarinë time të gjatë mbi 45-vjeçare, një vend të rëndësishëm zënë temat që kanë të bëjnë me historinë e popullit shqiptar, si dhe figurat e shquara që kanë bërë historinë e këtij vendi, apo ngjarje dhe momentet kyçe, që janë nga më thelbësoret në rrjedhën e historisë. Pra objekt i fokusit tim filmik janë, bie fjala: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, apo kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912, që sollën Pavarësinë e Shqipërisë etj., por pa mënjanuar figura të mëdha të kësaj historie, njerëz të mëdhenj që bënë histori, të cilët i do dhe i nderon jo vetëm hapësira shqiptare, por edhe bota i vlerëson. Kështu objekt krijimtarie është filmi për Nënë Terezën, filmi “Ditët e fundit të një luani”, kushtuar Ali Pashë Tepelenës, apo “Gjaku ynë i shprishur”, kushtuar Jeronim De Radës, apo “Enciklopedi që ecën me këmbë”, për Faik Konicën… dhe shumë të tjera për ta mbyllur me “Det i diturisë”, kushtuar Hasan Tahsinit (film në proces)… Pra janë figura kombëtare me përmasa ndërkombëtare. I parë në këtë këndvështrim edhe filmi për Ramush Haradinajn, është brenda këtyre përmasave, prandaj tërhoqi vëmendjen time dhe u bë objekt i rëndësishëm i krijimtarisë sime. Ramush Haradinaj, pa asnjë mëdyshje, është pjesë e rëndësishme e historisë moderne shqiptare. A ishte e vështirë apo e lehtë të ndërtonit figurën e tij? Me sa di unë, në çdo lloj fushe, është shumë më e lehtë të prishësh se të ndërtosh. Thënë ndryshe: Të ndërtosh keq është e lehtë, të ndërtosh mirë dhe bukur është e vështirë. Gjykuar nga ky këndvështrim të bëje një film për luftën e Rrafshit të Dukagjinit, për familjen Haradinaj dhe për vetë Ramush Haradinaj, tani gati 15 vite pas përfundimit të luftës, nuk ishte e lehtë. Në kaq shumë vite njerëzit kanë ndryshuar, ka ndryshuar edhe gjeografia e zonës, por ajo që ka rëndësi është se personazhet janë po ata dhe në kartën e tyre të memories ngjarjet ruhen të freskëta, të zjarrta, emocionale si ato ditë lufte…E para ta vështirësonte ndërtimin e filmit, e dyta ta lehtësonte atë. Gjykimet dhe vlerësimet e Ramush Haradinaj për luftën dhe heronjtë e saj, ta lehtësonin punën. Me mënyrën se si fliste për shokët, për të rënët apo ngjarjet e ndodhura shumë vite më parë, ai të krijonte tablo reale lufte, plot ngjyra heroizmi dhe patriotizmi. Çfarë zbulon ky dokumentar, ndonjë gjë të pathënë për Haradinajn dhe Kosovën, për luftën e tyre? Në këtë botë të vjetër, zor se gjen të pathëna. E rëndësishme për mua si krijues është si thuhen ato, dhe jo vetëm si thuhen, por edhe si interpretohen. Për sa i takon filmit më duhet të them se ky është një film krejt ndryshe nga ata që janë bërë ose tentuar të bëhen për luftën Kosovare të fundshekullit XX. Është një luftë unikale në llojin e vet, sepse në ndryshim nga shumë epope të zhvilluara më parë kundër shumë lloj pushtuesish, është një luftë që i solli lirinë dhe pavarësinë gati gjysmës së trojeve shqiptare të mbetura padrejtësisht jashtë trungut mëmë, për gati 100 vjet. Është një luftë që Haradinaj u përpoq t’ia sillte popullit, siç ia solli dhe fakti që mijëra kosovarë të Rrafshit të Dukagjinit dhe më gjerë rrëmbyen armët, tregon se lufta për liri dhe pavarësi e UÇK-së me në krye gjeneral Ramush Haradinaj, ishte një luftë masive popullore… E nëse populli ka thurur mite dhe legjenda për heronjtë e tij ndër shekuj si për Skënderbeun dhe trimat e tij, për Sulejman Vokshin apo Mic Sokolin, Ali Pashë Tepelenën apo trimat e Kurveleshit, për heronjtë e luftës partizane apo Shaban Polluzhën dhe Adem Jasharin kundër serbëve dje dhe sot, lufta e Rrafshit të Dukagjinit, e djemve të familjes Haradinaj apo vetë Ramush Haradinajt janë legjenda të kohëve moderne. Ramush Haradinaj është jo vetëm luftëtari i pamposhtur, jo vetëm politikani largpamës, por edhe burrështetasi i mençur, sepse me atë që bëri duke shkuar vullnetarisht në Hagë, të triumfojë drejtësia, doli i pafajshëm dhe u kthye triumfator në vendin e vet. Si moment i trajtuar në film është një risi, që duke shfrytëzuar materialin kronikal të kohës, u ndërtua një episod emocional, i ndërtuar artistikisht, pra një interpretim emocional i kronikës së ngjarjes… Përveç këtyre që thuhen më lart, çfarë gjëje të veçantë na zbulon filmi te ky personazh? Të punosh gati tre muaj një film dokumentar me një figurë madhore si Ramush Haradinaj patjetër do të sjellësh më shumë risi e detaje, që formojnë karakterin e një heroi. E ceka edhe më parë, por po e ritheksoj dashurinë e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, pa asnjë notë patetizmi apo artificializmi, unë e kam hasur pak herë në personazhe, që kanë qenë objekt i krijimtarisë time. Së dyti më duhet të them se që nga takimi i parë e deri në atë të fundit, para se të mbaronte filmi, jashtë arsyetimeve dhe gjykimeve të njerëzve pranë tij (në çdo moment atë e mistifikonin duke glorifikuar punën e tij të përditshme, pa e kuptuar na vinin në vështirësi) më duhet të them se në kontaktet me të ne na shpalosej një Ramush ndryshe: Njeri i thjeshtë, komunikues, i mençur dhe dashamirës pa kufi për punën tonë. E them me bindje se patëm fatin dhe rastin të njohim një njeri të madh që në bazë të madhështisë së vet, ka një thjeshtësi marramendëse. Ishte kënaqësi për mua dhe stafin tim të punonim filmin dokumentar: “Gjithçka për Kosovën – Ramush Haradinaj”…. Gjenerali i luftës dhe Heroi i Paqës Ramush Haradinaj ,kohë më parë ka shpallur kandidaturën e tij që të jetë Prsident i Kosovës. Siupas analistëve dhe diplomacisë veriatlentike dhe evropiane, është njeri prej lid1ëreve-politikanëve veterena më në zë për ta udhëhequr Kosovën,në këtë postë shtetëror.Ramushi ka dëshmuar se është një lidër që dinë të sakrifikojë vetëvehtën, familjën, për Lirinë e KOsovës.Ai në vitin 2004-2005 u zgjodh premier legjitim i Kosovës, në kohën kur ishte i gjallë akdemiku i ynë Prof.dr.Ibrahim Rugova , i ndjerë, shkojë në GJykatën e Hagës, ku e mbrojti vetëvehtën, UÇk-në dhe Kosovën dhe doli i pafajshëm nga kjo gjykatë. Ramushi është njohës i mirë i disa gjuhëve botërore(anglisht,frengjisht, gjermanisht,serbisht dhe shqip).Ai ka raporte të mira më ushtarakët e NATO-s në Monsë,etj.dhe ka raporte të mira më strukturat verioatlantike dhe diplomatike.Si premier i Kosovës, ishte kontribuesi më i madh për formimin e Ushtrisë së Kosovës, bëri LIgjin për Trepçën, ju kundëpërgjigjë RS për taks goganore 100% duke kërkuar një zgjedhje finale qërfshinte njohjet reciproke të RS.Ai ndaloi ndarjen e KOsovës.Në kohën kur RS -postmilosheviqjane, ai si kompandant suprem i Ushtrisë së Kosovës(President)do e bënte më së miri. Ramush Haradinaj,merr vendime analitike në momente të vështira për vendin.Ai i njef mirë politikanët e rajonit ku jetojnë shqiptarët, sidomos naqedoninë Veiore, kud he kontribuojë në luftën heroike për Liri në Luginën e Prehsevës(2001) dhe luftën heroike të popullit shqiptar në Maqedoni. GJatë QEverisjës së tij ka edhe disa gabime., duke u munduar që ti kënaqë apetitet e militantëve partiakë dhe të partnerëve të koalicionit.Kabineti i tij qeveritar kishte shumë z.ministra, kishte rritur pagat, pagën evtvetiti,.POr ai për pak kohë sa ishte premier morri shumë vendime pozitive për KOsovën dhe e ka qeverisur vendin më mirë se të gjithë politikanët në këto 20 vjetë të fundit deri më tani. Suksese Hero! Flori Bruqi

2021-02-05

Ish-kreu i Kishës Katolike, Papa Benedikti XVI, ka publikuar një letër në të cilën fajëson për abuzimet seksuale të klerikëve, lirinë e përgjithshme seksuale të vitit 1960.

Ai thotë në letër se revolucioni seksual i vitit 1960 kishte shkaktuar homoseksualitetin në udhëheqjen katolike. Ish-Papa thotë se pedofilia nuk ka qenë “akute” deri në fund të viteve 80-ta dhe u shkaktua nga mungesa e Zotit te njerëzit. Letra me 5.500 fjalë u botua në revistën katolike gjermane Klerusblatt. Në pjesën e parë, ish-Papa e quan periudhën e vitit 1960 si një kohë kur “standardet e mëparshme në lidhje me seksualitetin u shembën tërësisht”. Më pas, letra shqyrton se si revolucioni seksual preku priftërinjtë, duke krijuar “klika homoseksuale” në seminare. Letra përfundon me zgjidhjen që “ne edhe një herë fillojmë të jetojmë nga Perëndia”. Në vitin 2013, ish-Papa Benedikti dha dorëheqjen që shënoi rastin e parë në Kishën Katolike, pas pothuajse 600 vjetësh. Ai falënderoi pasardhësin e tij, Papa Françeskun, “për çdo gjë që ai bën për të na treguar përsëri dhe përsëri, dritën e Perëndisë, e cila nuk është zhdukur, madje as sot”. Papa Françesku tha në një letër të botuar në vitin 2018 se Kisha “nuk veproi në kohën e duhur” për çështjen e abuzimit seksual të fëmijëve dhe “nuk tregoi kujdes për të vegjlit, duke i braktisur ata”, transmeton BBC.

Presidentit rus, ish agjentit t-së , Vladimir Putinit i hapet edhe një tjetër varr në Rusi!

Presidentit rus, Vladimir Putin i është krijuar edhe një tjetër varr, në qytetin e dytë më të madh në Rusi, Shën Petersburg, i cili njëherësh është vendi ku ka lindur presidenti rus. Një grup i ashtuquajtur, Pyatnistsa (e premtë), ka postuar në rrjetin social, Telegram një fotografi, duke u tallur me varrin e Putinit me mbishkrimin, Një kufomë politike e Federatës Ruse. Ende nuk është bërë e qartë se ku saktësisht është vendosur varri në Shën Petersburg. Duket se është bërë traditë në Rusi që zhgënjimi të shprehet në këtë mënyrë për presidentin. Protestë e pafund. Shën Petersburg, 2019, ka shkruar ky grup në Telegram. Kjo të paktën është hera e katërt brenda një muaji, prej kur kritikët e Putinit kanë protestuar kundër presidentit rus në këtë mënyrë. Më 3 prill dy aktivistë të grupit, Agit Russia janë ndaluar në Shën Petersburg për krijimin të një varri afër një katedraleje në këtë qytet. Mënyra të ngjashme për shprehje të pakënaqësisë janë bërë edhe në Moskë dhe në rajonin Tatarstan të Rusisë.

Agjencia Qendrore e Zbulimit, CIA, rikrijon në Tweeter operacionin që çoi në vrasjen e Bin Ladenit.

Njoftimet u pritën me mijëra reagime në median sociale, që nga mbështetja e deri tek kritikat tejet të ashpra. Operacioni mori miratimin e presidentit Obama në majin e vitit 2011. Në të u përfshin forcat speciale që u ulën me helikopterë në një kompleks në Abbottabad në Pakistan dhe më pas trupi i bin Ladenit u hodh në oqean.. Media sociale Twitter egziston që nga viti 2006, por CIA është relativisht e re në këtë medium me rreth dy vite. 1600 postimet e deritanishme të agjencisë sekrete në Twetter, zakonisht kanë përmbajtje historike, profile agjetësh të vrarë në krye të detyrës apo komete publike nga zyrtarët aktualë. Por, në pesë vjetorin e aksionit kundër bin Ladenit, CIA njoftoi se do të rikrijonte aksionin, duke dhënë në kohë reale në Tweeter, detaje ashtu siç kishte ndodhur para 5 vjetësh, për 1.3 milion pasuesit e saj. Brenda gjashtë orësh, postimet në Tweeter shpalosën ngjarjet që përfundimisht i dhanë fund kërkimeve thuajse 10 vjeçare për njeriun më të kërkuar, organizata e të cilit vrau rreth 3 mijë njerëz me 11 shtator të vitit 2011. Postimet në Tweeter flisnin për nisjen e helikopterëve nga një bazë në Afganistan, një foto të presidentit Obama me këshilltarët e tij që vëzhgonin situatën, bin Ladeni duke u vrarë, forcat speciale që largoheshin nga kompleksi dhe presidenti që merrte konfirmim për "mundësi të mëdha" se njeriu i vrarë ishte bin Laden. Por, mes atyre që reaguan ndaj publikimit në Tweeter, kishte edhe kritikë të zëshëm. "Kjo është brutale. Ju lutem ndaloni këtë", shkruante përdoruesi @AlexBoardGames. "Është një gjë të vrasësh një armik sepse beson se është e nevojshme. Por të argëtohesh me të është diçka krejt tjetër." Pamela Dayton (@pameladayton) e quajti përpjekjen e CIA-s "ngjitëse dhe nxitëse". "A nuk keni një punë të vërtetë për të bërë ? Apo po përpiqeni të nxisni ndonjë veprim të vogël anti-amerikan?", thoshte ajo.

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...