2021-11-13

Von Der Leyen takon Dua Lipan në Washington: Me muzikën tuaj ngrihemi në ajër

 


Presidentja e Komisionit Euripian Ursula Von der Leyen është takuar në Washington me këngëtaren me famë ndërkombëtare e me origjinë shqiptare, Dua Lipa.

Ajo nuk e ka fshehur kënaqësinë e këtij takimi dhe nuk i ka kursyer fjalët e mira, teksa shkruan se Dua ka një ndikim shumë të madh në botë.

“Shumë e lumtur që takova DUA LIPA-n në Çmimet e Lidershipit të Këshillit Atlantik. Dua, ti ke një ndikim kaq të madh në botë. Me muzikën tuaj dhe energjinë tuaj unike, ne të gjithë ‘ngrihemi në ajër’”, shkruan ajo duke përdorur titullin e albumit të Dua Lipas, “Levitating”.

Dua Lipa, artistja shqiptaro-britanike nderohet për rol të shquar udhëheqës në botë

 


Artistja me origjinë shqiptare Dua Lipa ka treguar se krahas suksesit ndërkombëtar në muzikë ajo është një zë i fuqishëm për çështjet që lidhen me gratë. Kjo është një prej shumë arsyeve që ajo u nderua me një çmimin për rolin e shquar udhëheqës me rastin e 60 vjetorit të organizatës së njohur amerikane, Këshillit të Atlantikut. Në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës, Dua Lipa shpjegon se pse është i rëndësishëm ky çmim për të dhe planet për të ardhmen.

Artistja shqiptare e njohur botërisht, Dua Lipa, u nderua me një çmim për rol të shquar udhëheqës në trajtimin e çështjeve të rëndësishme sikurse të drejtat e grave, ndarë nga Këshilli i Atlantikut, me rastin e 60 vjetorit të kësaj organizate amerikane.

Ajo u vlerësua për aktivizmin e saj në fuqizimin e grave, mbrojtjen e të drejtave të njeriut në veçanti të viktimave të luftërave të Ballkanit, kontributin e saj për fuqizimin e shtetit të ri të Kosovës, humanizmin, frymëzimin dhe krijimin e mundësive të reja për të rinjtë si dhe shpresën që dha gjatë pandemisë duke zhvilluar aktivitete virtuale edhe atëherë kur bota ndodhej në izolim.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, artistja Dua Lipa foli për rëndësinë e këtij çmimi të cilin ia dedikoi të rinjve të Kosovës.

“Jam shumë e nderuar të jem këtu sot, të pranoj këtë çmim. Në emër të të gjithë të rinjve të Kosovës, Kosovës dhe faktit se ne jemi shtet kaq i vogël për vetëm 13 vite me një mundësi që ndoshta një ditë të bëhemi pjesë e Evropës. Kjo vërtetë është pjesë e rrugëtimit, betejës sime dhe arsyes pse jam këtu. Prandaj jam shumë mirënjohëse të jem këtu dhe të flas për diçka që është në zemrën time”, thotë Dua Lipa në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Me shumë pasion Dua Lipa foli edhe për filmin “Zgjoi”, filmin që është propozuar të jetë një nga filmat kandidatë për çmimin prestigjioz Oscars.

Dua shfrytëzoi ardhjen e saj në Uashington për të ndihmuar promovimin e filmit emocional nga Kosova që ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare.

“Ishte mrekulli. Jam prekur shumë nga rrëfimi i Fahrije Hotit, gruas në historinë e së cilës bazohet filmi. Tregon se sa shumë këmbëngulëse dhe të fuqishme janë gratë e Kosovës, sidomos në një kohë kur ndonëse kanë humbur shumë arritën të gjejnë një mënyrë për të vazhduar dhe luftuan që të arrijnë diçka që ndjenin se ishte e drejtë për to. Ishte shumë frymëzuese dhe isha shumë e nderuar të isha në shfaqjen e filmit me shumë gra tjera të fuqishme dhe të mrekullueshme. Pres me padurim dhe shpresojmë që të sigurojë nominimin për Oscars”, thotë artisja e njohur.

Dua së bashku me babain e saj Dukagjin Lipën, drejtojnë fondacionin Sunny Hill dhe festivalin me të njëjtin emër që mbahet në Prishtinë, falë të cilit Kosova është futur në hartën botërore të kulturës. Artistja Lipa paralajmëroi rikthimin e fuqishëm të festivalit pas një pauze për shkak të pandemisë.

“Po. Jam shumë e emocionuar për rikthimin e festivalit Sunny Hill verën që po vjen. Do të jetë qejf i madh për tri e ndoshta edhe katër ditë. Kemi një listë të mrekullueshme të artistëve, që po i presim me padurim. Kemi punuar shumë edhe gjatë pandemisë që të përcaktojmë hapat e radhës. Po e rrisim festivalin. Lokacioni do të ndryshojë, në mënyrë që të kemi më shumë vizitorë nga mbarë bota. Sa u përket projekteve të reja jam duke punuar për albumin e ri të cilin poashtu po e pres me padurim”, thotë ajo.

Tetë herë e nominuara dhe tri herë fituesja e çmimeve Grammy, Dua Lipa foli për Kosovën edhe në fjalimin që mbajti pasi pranoi çmimin nga Këshilli i Atlantikut.

Ajo shfrytëzoi këtë moment që të kërkojë lëvizjen e lirë për qytetarët e Kosovës.

“Sot Kosova vazhdon të përballet me shumë sfida dhe zakonisht janë gjeneratat e reja ato që mbajnë barrën e tyre. Të rinjtë hasin në vështirësi për punësim dhe mundësitë e tyre pengohen nga kufizimet që vështirësojnë udhëtimin për punë ose kënaqësi. Pasi ne përmbushëm të gjitha kriteret, Komisioni Evropian rekomandoi liberalizimin e vizave për Kosovën, para më shumë se tre vitesh. Prandaj, a mendoni se mund ta përfundojmë këtë gjë tani?”, tha Dua Lipa.

E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila e quajti Dua Lipen ambasadoren më të mirë të vendit të saj.

Ajo i ftoi mysafirët në ceremoni të vizitojnë Kosovën.

“Ju që nuk e keni vizituar asnjëherë Kosovën, ju bëj thirrje që ta vizitoni që të shihni bukurinë e saj, veçantinë, ngrohtësinë dhe admirimin e popullit tim për vendet tuaja. Për vendet që qëndruan krah nesh në ditët tona më të errëta, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. E keni dëgjuar edhe më parë. Por Kosova vërtetë është vendi më pro amerikan dhe vendi më pro evropian në botë”, thotë Presidentja e Kosovës.

Zonja Osmani e cilësoi Kosovën si rrëfimin më të suksesshëm të politikës së jashtme amerikane.

“Kosova është një fener shprese, dhe fener demokracije. Pas vetëm 13 vitesh nga shpallja e pavarësisë tonë sot ne kemi qëndrueshmëri institucionale të cilin shumë vende mund thjeshtë ta ëndërrojnë, bashkohemi me aleatët tanë në misione paqeruajtëse dhe jemi të nderuar që jemi ndër pak vendet që ofruan strehim për afganët që ikën nga persekutimi. Jemi të parët që I jemi përgjigjur asaj thirrje sepse kemi qenë vetë refugjatë”, thotë zonja Osmani.

Veç artistes Dua Lipa, Këshilli i Atlantikut nderoi me çmime për rol të shquar udhëheqës edhe Kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Leyen, shefin ekzekutiv të kompanisë Pfizer, Albert Bourla si dhe doktorët Ugur Sahin Dhe Ozlem Tureqi nga kompania bioteknologjike, BionTech.

Lulzim Tafa, nga Prishtina , është një nga poetët më të përkthyer të poezisë shqipe në botë.

 


Intervistë me poetin Lulzim Tafa

Ndonëse ka shkelur në të pesëdhjetat, dita e tij e punës mund të zgjasë 18-19 orë. Gjatë kësaj kohe, përpos punës në univer­sitetin që udhëheq, merret edhe me letërsi. I quan kohët më të bukura, orët e shkrimit, orët e leximit, sidomos të poezisë; orët e komunikimit elektronik me poetë në të gjitha anët e botës.

Lulzim Tafa është një nga poetët më të përkthyer të poezisë shqipe në botë. Autor i disa librave me poezi, shumica prej tyre të përkthyera e të botuara në gjuhët më të mëdha të botës. Është doktor i shkencave juridike, profesor universiteti. Tafa është edhe afarist.

Në dy vjetët e fundit ka hequr 25 kilogramë nga trupi, ndaj dukja i atribuohet edhe energjisë së brendshme para së cilës reflekton një qetësi e lakmueshme. Nuk e përcjell modën, por duket se e krijon vetë atë dhe duket mirë dhe këndshëm. Pamja e tij herë me kollaren e pedagogut universitar, më shpesh tip sportiv, Tafën e bën njeriun që di, përveç të tjerash, ta menaxhojë mirë e mbarë atë që i nevojitet më së shumti: kohën.

Në të parë nuk të ngjan në një njeri prej të cilit priten shumë punë në kolegjin më të madh në Kosovë – AAB, pastaj ATV, e disa biznese të cilat plot intensitet pret t’i drejtojë dora e tij.

 Para të gjitha këtyre, Tafa është poet. Bisedat më të këndshme me të zhvillohen për poezinë, asaj nazikes së tij të përher­shme, nga pak të prekshme e më shumë të guximshme Ai mbetet djaloshi i përhershëm prej të cilit nuk perëndon buzëqeshja apo, siç thoshte Ali Podrimja për të: Një Zot e di se çdo të ndodhë me atë buzëqeshje që nuk pranë duke na kërkuar sepse vazhdimisht ne po e humbim dheun nën këmbë.

Është hera e parë që Luli në një intervistë u përgjigjet të gjitha pyetjeve që i bëhen, pa ekuivokë, pa politikë, pa dilema.

 

 

Lul, si e kanë pritur prindërit prirjen tuaj për poezi?

Eh, mirë që ia fillove nga fëmijëria. Kanë kaluar shumë kohë nga atëherë. Prindërve u ka pëlqyer sepse interesimi që një nxënës i shkollës fillore kishte për letërsinë dhe veçanë­risht për poezinë, ishte lajm i mirë se bëhej fjalë për një fëmijë të inte­resuar për mësim. Fillimisht kisha prirje për t’i mësuar përmen­dsh poezitë dhe pastaj ato i recitoja. Si fëmijë kam marrë pjesë shumë herë në gara të recituesve. Paraqitjen e parë televizive si recitues e kam pasur si nxënës i klasës së pestë në vitin 1984, atëkohë në Televizionin e Prishtinës. Edhe diçka tjetër më kujtohet nga ajo kohë, dijet që një fëmijë ka për letërsinë në përgjithësi dhe sidomos për poezinë e bënin një fëmijë pak më superior nga fëmijët e tjerë. Natyrisht kjo prindërit i lumturonte.

Kur e botuat librin e parë, cili ishte reagimi i tyre?

E thashë se poezi kam filluar të shkruaj sa isha nxënës në shkollën fillore dhe i kam botuar në revistat dhe në muret e shkollës, kurse poezinë e parë për të rritur e kam shkruar në përfundim të shkollës fillore. Gjatë gjithë shkollimit të mesëm kam shkruar poezi dhe ato i kam grumbulluar. Pas përfun­dimit të shkollës së mesme e kam paraqitur për botim librin tim të parë me poezi, atëbotë në klubin letrar të qytetit, por kur e lexuan ata më propozuan që këto poezi të botohen në Rilindje dhe unë e përfilla rekomandimin e tyre. E dorëzova për botim librin në Rilindje. Asokohe, Rilindja ka qenë botuesi kryesor në Kosovë dhe pothuajse i vetmi. Kështu, Rilindja e botoi librin dhe krejt kjo dukej si një ëndërr jo vetëm për prindërit e mi, por edhe për mua.

Si ka qenë tema e diskutimit kur në shtëpi tashmë ishte poeti, qindra libra me emrin tuaj dhe kur për ju shkruhej në gazeta e revista?

Ka pasur diskutime të ndryshme për mënyrën e shkrimit, për motivet, për ndonjë personazh a ndonjë motiv të veçantë etj. Shpesh anëtarët e familjes merrnin në duar librin, e lexonin dhe e rilexonin. Më kujtohet se shkrimi i parë në formë recensioni të shkurtër apo si lajmërim për botime të reja në gazetë ishte në një rubrikë që quhej Vitrina e librit. Pastaj filluan shkrimet dhe recensionet e tjera. S’e di, edhe pse ishte kohë e rëndë, ndonjë­herë kur i kujtoj disa çaste të bukura, disi e kam një lloj nostal­gjie për atë kohë sepse libri lexohej me pasion e poetët admi­roheshin shumë. Dikush thoshte se libri është shumë i mirë, dikush s’është i mirë e dikush thoshte mesatar. E rëndësishme ishte se atëherë merreshin me ne, ndryshe nga sot që ka fare pak diskutim për libra.

 

Lul, pse shkruani?

Afërsisht është si pyetja pse merr frymë, apo edhe pse lexoj, thjesht, për të jetuar.

A kishit asokohe model shkrimi, model poeti?

Po, kur isha fëmijë, normalisht, lexoja kryesisht letërsi për fëmijë dhe, në fillim, shkrimtarët për fëmijë ishin modeli im. Tash, pas tërë këtyre viteve me letërsinë, e kam parë se sa të rëndësishëm janë shkrimtarët për fëmijë dhe ndikimin që kanë së pari në nxitjen e dëshirës së fëmijëve për të lexuar letërsi e më vonë edhe roli që kanë këta shkrimtarë për formësimin e mëtutjeshëm të lexueseve. Mos të harrojmë se shkrimtarët për fëmijë e kultivuan dashurinë tonë për lexim. Me këta shkrim­tarë ne ia zumë fillin leximit. I lexuam së pari ata, pastaj i lexuam të tjerët, shkrimtarët tanë dhe të huaj. Jam i sigurt se po të mos kisha lexuar së pari letërsi për fëmijë, nuk do të kisha arritur t’i lexoj as Lorken, Preverin, apo Bukovskin, Neruden, Esenenin apo Pushkinin. Unë e kam të qartë ndiki­min e madh që kanë shkrimtarët për fëmijë në formësimin intelektual të njeriut. Thjesht, janë baza. Unë për vete u jam mirënjohës shkrim­tarëve për fëmijë.

Si ju ndërroi shija pastaj?

Po, pastaj fillova të lexoja poezinë për të rritur, në fillim poetët bashkëkohorë shqiptarë e të rajonit. Meqenëse vendet e ish-Jugosllavisë ishin një shtet, ne mësonim edhe letërsitë e tyre. Pastaj, në shkollë, si gjuhë joamtare, siç e quanin në atë kohë, e kishim serbokroatishten, kurse gjuhë të huaj rusishten. Unë përfitoja të lexoja edhe në këtë gjuhë. Dikur, nga fundi i shkollës së mesme, fillova të lexoj edhe veprat e shkrimtarëve kryesorë të letërsisë botërore.

Redaktori i librit tuaj me poezi në gjuhën ruse, poeti Vladimir Aleksandroviq, parathënien e librit e nis me një thënie të Çehovit: “Shkruaj sa më shpejt që të jetë e mundur”. A duhet të shkruhet shpejt poezia?

Po, Çehovi ka të drejtë, por edhe Aleksandroviqi ka të drejtë që këtë e përdor në rastin tim. Unë po nuk e shkrova shpejt, nuk e shkruaj më kurrë. Kam bindjen se pastaj edhe muza trembet. Poezia shkruhet shpejt, sa më shpejt që është e mundur, saktë.

Të qenët shpirt i lirë, a është fuqizim edhe te ju?

Po, sepse shpirti i lirë të bën të ndërtosh ëndrrën, nëse e ke ndërtuar ëndrrën, atë ëndërr ti e konfiguron në mendjen tënde si një fabul, pastaj atë fabul nuk e ke vështirë ta konvertosh në art, poezi, pikturë, këngë etj. Pastaj, mos harro se një shpirt i lirë është spontan, ashtu siç është spontane edhe poezia.

A është ankthioz frymëzimi?

Frymëzimi herë pas here di të jetë edhe ankthioz, por meqenëse pikësëpari është frymëzim, atëherë te poeti domosdoshmërisht ky lloj frymëzimi do të jetë i bukur.

Jeni edhe jurist dhe profesor universitar, por edhe menaxher. Meqë jeni edhe udhëheqës i një institucioni të madh arsimor, pse kaq shumë i lidhur me poezinë? Ndiheni më shumë jurist, profesor apo poet?

Poet. Nuk i kuptoj njerëzit e shumtë që më bëjnë këtë pyetje, ashtu siç duket se nuk më kuptojnë as ata mua. Ne poetët dhe në përgjithësi shkrimtarët e letërsive të vogla, të letërsive të kombeve të vogla, u nënshtrohemi tregjeve të ngushta të librit, me tirazhe të vogla e me pak lexues. Në kuptimin ekzistencial njeriu nuk mund të jetojë nga libri. Unë nuk njoh ndonjë poet nga Ballkani që jeton ose së paku jeton mirë në kuptimin material nga letërsia, nga poezia hiç se hiç. Po të kisha mundësi të jetoja nga libri dhe poezia, kurrë nuk do të punoja asgjë tjetër, as profesor e as menaxher e as një punë tjetër. Prandaj, poezia është hyjnore, nuk ndërrohet e as nuk krahasohet me profesione e gjëra teknike.

Si qëndron te ju raporti me librin? Meqenëse keni angazhime në menaxhimin e mësimdhënies, e di që keni kohë edhe për lexim, sidomos të poezisë. Po poezinë, e përcillni?

Veten e kam shpallur lexues të specializuar të poezisë. Shumi­cën dërrmuese të librave që i lexoj janë me poezi. Librin me poezi unë e rilexoj jo vetëm pse e meriton (një libër që nuk meriton të lexohet dy herë nuk e meriton të lexohet asnjë­herë), por se lidhem shumë sidomos me poezitë që i piketoj si të mira. I lexoj, pastaj i rilexoj, i rilexoj aq shumë herë sa që i mësoj përmendsh, mandej edhe pasi t’i mësoj përmendsh, përsëri i lexoj. Kjo më habit edhe mua. Përpiqem që të lexoj çdo poezi që botohet, jo vetëm në libra, por edhe në internet; libra elek­tronik dhe në profile e faqe të ndryshme, jo vetëm të poetëve të dëshmuar, por edhe atyre të panjohur e atyre të rinj. Poezi lexoj në të gjitha gjuhët që i kuptoj. Poezinë kam dëshirë së pari ta lexoj pastaj ta shoh emrin e autorit. Pra, emri i autorit është i fundit që dua ta shoh. Thjesht, nuk paragjykoj. Nuk kam kufi­zime kurrë, nuk them se nuk e lexoj atë ose atë. I lexoj të gjithë ata që shkruajnë, natyrisht ata që i gjej.

Sa është i bëshëm vargu i librave që presin leximin nga ju? Dhe, a lexoni shpejt?

Të kuptohemi, libra me poezi që presin t’i lexoj nuk kam. Librit me poezi, siç thotë populli, “nuk ia fali dakikin”. Librat me poezi nuk presin në radhë. Ata i fus në lexim pa rend, por libra të tjera, të zhanreve të tjera letrare, të publicistikës apo shkencorë, ka shumë që presin.

Cilat libra, ose cilët autorë i shmangni jo vetëm nga leximi, por edhe nga biblioteka?

Për poezi, u kuptuam besoj, lexoj pa asnjë kriter. Te poezia nuk kam kritere, e lexoj pa kushte, kurse librat e tjerë po, aty ndoshta jam pak i padrejtë, lexoj dhe mbaj në rafte vetëm autorë të dëshmuar, qoftë të prozës, dramës apo të publici­stikës, apo edhe shkencorë. Jashtë poezisë kriteret për të mbajtur librin në bibliotekën personale i kam shumë të larta dhe shumë rigoroze, edhe pse edhe mua më duket që jam pak më i ashpër sesa që duhet dhe sesa që lejohet.

Unë mendoj se leximi është një akt krijimi. Në ç’masë libri mund t’i lërë lexuesit mundësi krijimi?

Veprat e mira në një mënyrë janë bashkëpunime në mes të krijuesit dhe lexuesit. Nuk ka kuptim asnjë vepër e mirë nëse nuk ka komunikim me lexuesin. Pra është e kotë të shkruash mirë nëse ajo vepër nuk gjen komunikim me lexuesit në vazhdimësi.

Çfarë i mungon sot poezisë shqipe?

Lexuesit e shumtë janë ata që i mungojnë. Duhet të ketë më shumë lexues. Të gjithë njerëzit duhet të lexojnë poezi, pa marrë parasysh moshën, gjininë, të gjithë, sepse kështu e pasurojnë dhe e fisnikërojnë shpirtin. Po ashtu, i mungojnë edhe ekspe­ri­mentet në rrafshe të ndryshme. Nuk ka risi e cilësi pa ekspe­ri­mente të ndryshme, nuk them që s’ka fare eksperimente, por ato janë të pakta. Vërtet të pakta.

A po ndryshon letërsia, poezia?

Po, letërsia e sidomos poezia nëpër botë po evoluon. Si çdo gjë tjetër, ajo po hapet tërësisht; ka vdekur ajo poezia her­metike e mbyllur, kur lexuesi “torturohej”. Letërsia e mun­dimshme e socializmit po kapërcen, sikur edhe ajo lloj letërsie kur shkrim­tari dukej sikur është zgjuar në “jermi” dhe ka shkruar. E ka pasur vlerën e vet në kohë, por ajo letërsi ka shkuar, ka qenë me afat skadence. Lexuesit nuk duhet të per­sekutohen. Lexuesin duhet vetëm ta kënaqim me bukurinë e asaj që themi, jo veç për dashurinë dhe gëzimin, por edhe për vdekjen e trishtimin. Lexuesi duhet të kënaqet kur lexon poezi. Pra edhe kur lexojmë “gjera të këqija”, por të thëna e të shkruara bukur në poezi. Ka kaluar koha e shtresimeve të panevojshme në poezi. Mesazhi duhet të jepet sa më herët që mundet, kuptohet në kontekstin poetik. Sa më herët që këtë mesazh ia jep lexuesit, ai është më falënderues. Poezia e ofron këtë mundësi, po ashtu edhe piktura, skulptura, fotografia etj., derisa romani, drama e filmi janë më të komplikuara në kuptimin e mesazhit.

A po?

Po, estetikisht ashtu, të mos ndihet i torturuar dhe të ketë motiv të vazhdojë të lexojë, ndryshe ai ka të drejtë të mos mundohet. Unë në secilin rast jam me lexuesin. Ne shkru­ajmë për ta. Lexuesi ka të drejtë të lexojë dhe të mos lexojë. Ndodh që lexuesi e ndërpret leximin dhe kjo është e drejtë e njohur e tij.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e 12 të revistës “Akademia”, të cilën mund ta gjeni në librarinë “Artini” dhe “Dukagjini” në Prishtinë. Të drejtat e botimit, shtëpia botuese “Armagedoni”. Nuk mund të publikohet në asnjë media tjetër pa pëlqimin e botuesit)

Fjodor Dostojevski përshkroi në romanet e tij se si idetë kanë fuqinë të ndryshojnë jetët e njerëzve, ai dinte se për çfarë po shkruante.

 


Shkrimtari rus i shekullit të 19 Fjodor Dostojevski shkroi mbi personazhe që justifikonin vrasjen në emër të besimeve të tyre ideologjike. Për këtë arsye, argumenton John Gray, ai mbeti autor i rëndësishëm që nga ajo kohë, përgjatë ngritjes së shteteve totalitare të shekullit të 20 deri te “lufta kundër terrorit”. Kur Fjodor Dostojevski përshkroi në romanet e tij se si idetë kanë fuqinë të ndryshojnë jetët e njerëzve, ai dinte se për çfarë po shkruante.

Lindur më 1821, shkrimtari rus qe në të njëzetat kur u bashkua me një grup intelektualësh radikalë në Shën Petersburg të cilët qenë magjepsur nga teoritë utopike të socializmit francez. Një agjent policor i cili qe infiltruar në grup i raportoi diskutimet e tyre te autoritetet. Më 22 prill 1849, Dostojevski u arrestua dhe u burgos krahas anëtarëve të tjerë të grupit dhe pas disa muaj hetime ata u shpallën fajtor se po planifikonin të shpërndanin propagandë subversive dhe u dënuan me vdekje me pushkatim.

Dënimi u konvertua me internim në një kamp pune të detyruar por autoriteti i carit për të përcaktuar jetën dhe vdekjen u konfirmua duke i detyruar të burgosurit të përjetonin një situatë ekzekutimi fals.

Në një maskaradë u organizua me kujdes dhe Dostojevski e shokët e tij u morën një mëngjes më 22 dhjetor 1849 në një fushë paradash ushtarake, ku qe përcaktuar vendi i ekzekutimit. Krimet dhe dënimi u lexuan dhe një prift orthodoks i kërkoi atyre të pendoheshin.

Tri nga grupi qenë lidhur me shtyllat gati për ekzekutim. Në momentin e fundit pasi erdhi edhe bateria e daulleve të ekzekutimit, skuadra e pushkatimit uli pushkët. Të lehtësuar, të burgosurit u lidhën me zinxhirë dhe u dërguan në internim në Siberi – në rastin e Dostojevskit, katër vjet punë të detyruar të pasuar nga shërbimi i detyruar në ushtrinë e Rusisë. Në vitin 1959 një car i ri e lejoi Dostojevskin të kthehej nga ekzili në Siberi. Një vit më vonë ai u kthye në botën letrare të Shën Petersburgut.

Eksperienca e Dostojevskit e ndryshoi atë në thellësi. Ai nuk e braktisi idenë e tij se shoqëria ruse duhej të ndryshohej në mënyrë radikale. Ai vijoi të besojë se institucioni i bujkrobërisë dhe thellësisht i pamoralshëm dhe deri në fund të jetës së tij urrente aristokracinë. Por eksperienca e tij e të qenit atë që ai pati besuar se qe fundi i jetës së tij i dha atij një këndvështrim të ri mbi kohën dhe historinë. Shumë vite më vonë, ai tha: “Nuk mbaj mend të kem qenë në ndonjë ditë tjetër më i lumtur se në atë ditë”.

Nga ajo kohë e pas ai kuptoi se jeta njerëzore nuk qe një lëvizje nga e shkuara e prapambetur te një e ardhme më e mirë, siç pati besuar ai kur ndante idetë e inteligjencës radikale. Në vend të kësaj, çdo qenie njerëzore qëndronte në çdo moment në cep të përjetësisë. Si rrjedhojë e këtij zbulimi, Dostojevski u bë gjithnjë e më mosbesues ndaj ideologjisë së progresit ndaj së cilës qe magjepsur kur qe djalë i ri.

Ai qe veçanërisht i neveritur nga idetë që gjeti në Shën Petersburg kur u kthye nga dekada e tij e ekzilit siberian. Gjenerata e re e intelektualëve rusë qe mbërthyer nga teoritë dhe filozofitë Europiane. Materjalizmi francez, humanizmi gjerman dhe utilitarizmi anglez qenë shkrirë që të treja për një kombinim të çuditshëm rus që u quajt “nihilizëm”.

Ne sot kemi tendencën të besojmë se nihilisti është ai që nuk beson në asgjë, por nihilistët rusë të viteve 1860 qenë shumë ndryshe. Ata qenë besues të etur të shkencës, të cilët deshën të shkatërronin traditat morale dhe fetare që e kanë udhëhequr njerëzimin në të shkuarën, me synimin për të krijuar një botë të re dhe më të mirë. Ka shumë njerëz që besojnë gjëra të ngjashme edhe sot.

Ekzekutimi i dy nihilistëve në Shën Petersburg më 1880

Akuzat e Dostojevskit ndaj nihilizmit u prezantuan në romanin e tij të madh Dajtë. Publikuar më 1872, libri është kritikuar se është didaktik në tonalitet dhe nuk ka dyshime se ai dëshironte të tregtonte se idetë dominuese të gjeneratës së tij qenë të gabuara. Por historia që Dostojevski tregon është gjithashtu një humor i zi, i këndshëm në mënyrë të pamëshirshme në përshkrimin që i jep intelektualëve mendjengritur që luajnë me konceptet revolucionare poa kuptuar asgjë nga ajo që revolucioni është në realitet. Ngjarja e përshkruar në libër është një version i ngjarjeve të vërteta që ndodhën ndërkohë që Dostojevski po e shkruante librin. Një ish mësues në një shkollë kishe që u kthye në terrorist, Sergei Nechaev, u arrestua dhe dënua për përgjegjësi në vrasjen e një studenti. Nechaev pati shkruar një pamflet Katekizmi i një Revolucionari, në të cilin argumentonte se çdo mjet (përfshirë shantazhin dhe vrasjen) mund të përdoren për të përparuar në kauzën e revolucionit. Studenti pati vënë në pikëpyetje politikat e Nechaev dhe rrjedhimisht ai duhej të eliminohej.
Eve Belton në rolin e Marias në ekranizimin e vitit 1969 të romanit Djajtë nga BBC.
Dostojevski sugjeron se rezultari i braktisjes së moralitetit për hatër të idesë së lirisë do të jetë një lloj tiranie më ekstreme se çdo tirani tjetër e të shkuarës. Siç rrëfen një nga personazhet e Djajve: “Unë jam zënë në kurthin e të dhënave të mija dhe konkluzioni im është kontradiktor pikërisht me idenë fillestare nga u nisa. Nga liria e pakufi, unë përfundoj te despotizmi pa kufi”. Si një përshkrim i asaj që ndodhi në Rusi si rezultat i revolucionit Bolshevik gati 50 vjet më vonë, kjo vështirë se mund të shkruhej më mirë se kaq. Megjithëse ai e kritikoi Nechaev se u bazua shumë tepër në aktet individuale të terrorizmit, Lenin e admironte atë për gadishmërinë për të kryer çfarëdolloj krimi në rast se ai krim i shërbente revolucionit. Por siç parashikoi Dostojevski, përdorimi i metodave çnjerëzore për të arritur një lloj të ri lirie prodhoi një lloj represioni shumë më të thellë se sa barbaritë teatrale të carizmit. Romani i Dostojevskit përban një leksion që shkon shumë përtej Rusisë. Përkthimet e para në anglisht kishin titullin Të Poseduarit – një keqlexim i një fjal;e ruse që më saktë mund të përkthehet si Djajtë. Por titulli më i hershëm mund të ketë qenë më pranë synimeve të Dostojevskit. Megjithëse me raste ai është i pamëshirshëm në mënyrën se si i përshkruan, nuk janë revolucionarët djajtë. Janë idetë te të cilat revolucionarët janë skllavëruar. Dostojevski mendoi se defekti në zemrën e nihilizmit të Rusisë qe ateizmi, por ti nuk ke nevojë të mbështesësh këndvështrimin e tij në këtë pikë për të parë se kur ai shkruan për ide me fuqi djallëzore është shtrënguar pas një çrregullimi të pastër njerëzor. Nuk ke nevojë as të miratosh mendimin politik të Dostojevskit, i cili qe një version mistik i nacionalizmit i mbytur thellë me ksenofobi. Ajo që Dostojevski diagnostikoi – dhe me raste vuajti edhe vetë – qe tendenca për të menduar për idetë si gjëra që në një farë mase janë edhe më të vërteta se sa qeniet njerëzore. Do të qe gabim të mendosh se ne nuk kemi rënë në një lloj të tillë të menduari zhgënjyes. Janë luftërat që Perëndimi luftoi në Lindjen e Mesme përgjatë dekadës së fundit dhe të cilat më së shumti sulmohen si përpjekje pak më të mëdha se sa thjeshtë grabitja e burimeve natyrore, por nuk jam i sigurtë se kjo është e tërë e vërteta. Një lloj fantazie morale ka qenë po aq e rëndësishme në shpjegimin e ndërhyrjeve të përsëritura të Perëndimit dhe dështimet e tyre gjithashtu të përsëritura. John Simm në rolin e Raskolnikovit në variantin e BBC të romanit Krim dhe Ndëshkim Veprat e tjera të mëdha të Dostojevskit Krim dhe Ndëshkim (1866): Historia e Raskolnikovit, një studenti të ri në Shën Petersburgun e shekullit të 19 i cili pushtohet nga ndjenja e fajit pasi vret një fajdexheshë. Idioti (1868): Historia e Princit Mishkin – “idioti” i titullit – natyra naive e të cilit krijon katastrofa për njerëzit përreth tij. Vëllezërit Karamazov (1880) – Roman filozofik mbi katër vëllezër dhe babain e tyre pronar tokash, vrasja e të cilit ngre pyetje mbi Zotin, vullnetin e lirë dhe moralitetin.
John Simm në rolin e Raskolnikovit në variantin e BBC të romanit Krim dhe Ndëshkim

Veprat e tjera të mëdha të Dostojevskit
Krim dhe Ndëshkim (1866): Historia e Raskolnikovit, një studenti të ri në Shën Petersburgun e shekullit të 19 i cili pushtohet nga ndjenja e fajit pasi vret një fajdexheshë.
Idioti (1868): Historia e Princit Mishkin – “Idioti” i titullit – natyra naive e të cilit krijon katastrofa për njerëzit përreth tij.
Vëllezërit Karamazov (1880) – Roman filozofik mbi katër vëllezër dhe babain e tyre pronar tokash, vrasja e të cilit ngre pyetje mbi Zotin, vullnetin e lirë dhe moralitetin.
Ne jemi mësuar të imagjinojmë ide të tilla si “demokracia,” të drejtat e njeriut” dhe “liritë”, kanë një pushtet të brendshëm i cili mund të transformojë jetën e çdokujt që ekspozohet përballë tyre. Ne kemi nisur projekte për ndryshim regjimesh, të cilat synojnë të realizojnë këto ide duke rrëzuar tiranë.

Por eksportimi i revolucionit është një modë që mund të ketë për pasojë copëzimin e shtetit, siç ka ndodhur në Liri, Siri dhe Irak, duke sjellë luftë civile, anarki dhe lloje të reja tiranie.

Rezultati është pozicioni në të cilin e gjejmë veten në kohën tonë. Politika perëndimore tashmë udhëhiqet nga frika ndaj forcave dhe ideve që kanë dalë në pah nga kaosi që krijoi ndërhyrja e mëparshme perëndimore. Për fat të keq, kjo frikë nuk është e pabazë. Rreziku që këto konflikte të na përplasen mbrapsht ne si qytetarë Perëndimore që kanë luftuar në to është tërësisht tepër real.

Ne na pëlqen të mendojmë se shoqëritë liberale janë imune nga fuqia e rrezikshme e ideve. Por është një iluzion të mendojmë se ne nuk kemi djajtë tanë. Të poseduar nga konceptet grandioze të lirisë, ne jemi përpjekur të ndryshojmë sistemet e qeverive të vendeve që ne nuk kemi filluar as t’i kuptojmë. Njësoj si revolucionarët e zhgënjyer toromanit të Dostojevskit, ne kemi kthyer koncepte abstrakte në idhuj dhe kemi sakrifikuar të tjerët dhe veten tonë në përpjekje për t’i shërbyer këtyre idhujve.

Shkrimtar gjenial përtej politikës

 


Fjodor Dostojevski 200 vjet pas lindjes është më aktual se kurrë. Kështu mendon shkrimtari rus Viktor Jerofejev për jetën e bashkëatdhetarit të tij të famshëm, në një shkrim për DW. Ndryshe nga Lenini, të cilin komunistët e bënë të pavdekshëm dhe që e quanin “më të gjallë se të gjallët”, Dostojevski i lindur më 11 nëntor 1821, u katapultua me udhëtimin në kohë tek e ardhmja – duke mbërritur direkt tek ne.

Dostojevski, në gjurmët e “mbinjeriut”

Le të fillojmë me çështjen që Dostojevski parashikoi temën qendërore të shekullit të 20 – mbinjeriun. Një temë e pranishme kjo në filozofinë e Friedrich Nietzsche, Oskar Spengler apo Lev Shestov, në prozën e Albert Camus, Thomas Mann dhe shumë të tjerëve. Si dukuri politike mbinjeriu korrespondonte me narcizizmin e zymtë dhe në utopinë komuniste me Lenin sa më sipër. Një tjetër arritje kolosale e Dostojevskit është shpalosja e temës së përjetshme „besimi dhe mosbesimi” në librat e tij. „Nëse nuk ka Zot, gjithçka është e lejueshme”, është një prej tezave të tij dhe kështu ai përshkruan rrugën nga mosbesimi në perandorinë e egër të absurdes. Vepra e Dostojevskit e ka tejkaluar shekullin e 20. Vepra e tij vjen në kohën tonë si një paralajmërim profetik nga triumfi i entropisë përmes dobësimit të vlerave kulturore, humbjes së mundësive të njeriut, për të njohur vetveten. Budallallepsja, thjeshtëzimi, spikatja e cinizmit dhe marrëzisë, të gjitha këto që ndodhin në rrethin e Pjotr Verçoenskijt në romanin „Demonët”, janë bërë realitet në shekullin e 21. Shpërbërja e vlerave të përbashkëta ka paralizuar në masë të konsiderueshme si Lindjen edhe Perëndimin. Bashkë me Dostojevskin ne vazhdojmë të duam si edhe më parë „gurët e vjetër të Europës”, sikurse lexojmë tek Dostojevski. Por me gurët e sotëm me sa duket është shumë e vështirë të shtrohet rruga e një përparimi të pranueshëm.

“Bota le të shkatërrohet, por tani unë dua të pi çajin tim”

Dostojevski veprën e tij në mënyrë të habitshme e ka orientuar aq shumë nga e ardhmja, sa të duket sikur figurat e tij popullojnë Rusinë e sotme. Tani këtu sillet vërdallë po ai Pjotr Verçovenskij. Krah për krah me shokët e tij elitë ai shijon pozitat më të larta në politikë. Mes nesh është edhe Rodion Raskolnikov (heroi kryesor i romanit kult „Krim e Ndëshkim”), i luhatur mes lumturisë dhe pasurimit ilegal. E në fund është këtu edhe heroi pa emër i „Skicave nga vrima e qilarit”. Dostojevski është ekzistencialisti i parë europian, prej të cilit buron ideja, që njeriu përmes së keqes që ka brenda vetes mund të shndërrohet në një kafshë. “Bota le të shkatërrohet, tani unë dua të pi çajin tim.” A nuk është kjo formula, që i përshtatet sot autoritarizmit rus? Dostojevski shkruan në „Ditari i një shkrimtari”, që e keqja ndodhet më thellë se sa mendojnë këta „shëruesit magjik socialistë”. Ky mendim është mjaft aktual. Përpara se ti të luftosh kundër së keqes së jashtmi, njih njëherë vetvehten dhe verifiko, mos ndoshta po ndodh një degjenerim i shpirtit tënd, i cili tek e fundit do më shumë pushtetin dhe mosndëshkimin se sa qëllimet humane.

Jeta e Dostojevskit: një mori vuajtjesh

Ai nis rrugëtimin e tij si një socialist i ri, admirues i Shilerit dhe një humanist i pasionuar. Eshtë vetëm 22 vjeç, kur shkruan romanin e parë „Njerëz të varfër”. Një roman për „njeriun e thjeshtë” është një risi në letërsinë ruse. Fjodor është 28 vjeç, kur e arrestojnë për shkak të pjesëmarrjes në rrethin revolucionar Petraçvski. Pas një ekzekutimi skandaloz të montuar në publik Dostojevski dënohet maskimalisht për një gjë të vogël – edhe në Rusinë e sotme kjo gjë ndodh rëndom. Ekzekutimi i parealizuar shkakton një shok – në minutën e fundit Dostojevski mëshirohet prej carit Nikolaji i I-rë dhe dënohet me punë të detyruar në Siberi. Goditjet e fatit nuk mjaftojnë me kaq: Gjatë gjithë jetës Dostojevski vuan nga epilepsia e rëndë, ka një marrëdhënie të pafat dashurie me bukuroshen tekanjoze dhe shumë më të re se ai, nihilisten Polina Suslova dhe për shumë vite i dhënë marrëzisht pas bixhozit.

Shkrimtar gjenial përtej politikës

Kur Cari Aleksandër i II-të ngjitet në fron, i jep fund robërisë dhe premton shumë reforma të nevojshme në vend, Dostojevski i kundërvihet rrymës liberale. Duket, sikur ai në reformizmin e ri parashikoi revolucionin e 1917. Ngado që ta kthesh Dostojevskin „politik”, në prozën e tij ai mbetet një gjeni – pikërisht i fjalës së lirë. Unë do ta quaja Dostojevskin një zbërthyes të shpirtit të gjallë njerëzor. Ai e zbërthente rregullisht shpirtin me një bisturi verbale, për të kuptuar qenien e tij. Me këtë ai ka ndihmuar e ndihmon edhe sot shumë breza lexuesish që të reflektojnë për kuptimin e jetës dhe ndoshta të arrijnë ta kuptojnë atë. Me këtë ai na ndihmon neve sot dhe pasardhësve tanë në të ardhmen që “të gjejnë njeriun tek njeriu”.

 

Viktor Jerofejev, lindur në vitin 1947, është shkrimtar rus. Më 1979 ai u përjashtua nga lidhja e shkrimtarëve në Bashkimin Sovjetik. Në nivel ndërkombëtar ai u bë i njohur më 1990 me romanin “Bukuria e Moskës”, i përkthyer në 27 gjuhë. Ai jeton në Moskë dhe është kritik ndaj politikës së Vladimir Putinit.

 

Pse Mahmud Pasha i Shkodrës është vërtetë i madh?

 



Dinastia Bushati – “Shkodra kishte një dinasti, e cila thuhej se ishte para turke, princërore, e ardhun nga trashëgimtarë të kthyer në islamizëm dhe që gjithmonë kishte jurisdiksionin legjitim të qytetit Shkodër dhe rrethinave (At Zef Pllumi: Histori kurrë e shkrueme, 55, Tiranë 2006, f.12). Studiuesi Hamdi Bushati jep pemën gjenealogjike të Bushatllijëve që fillon me Mehmet Pashën dhe vazhdon me Ymer Beun, Sulejman Pashën, Abdulla Pashën dhe Mehmet Pashë plakun, i ati i Mustafait, Mahmudit, Ahmetit dhe Ibrahimit (Bushati, H.: Kara Mahmud Pasha, Shkodër 2003, f. 377-386). Historiani turk A. Xhevdet Pasha (1822-1895) në faqen 95, vol. IV, ka shkruar se “Bushatllinjtë, që herët kanë sunduar Shkodrën. Edhe kur venedikasit e pushtuan këtë vend, i nderuan dhe u dhanë disa privilegje”. “Kur Sulltan Fahti Mehmeti (1432-1481) ose pushtuesi që pushtoi Kostandinopojën, pushtoi edhe Shkodrën thirri parinë e qytetit në mes të të cilëve ishin edhe prej Shtëpisë së Bushatllijëve, të cilët Sulltani i nderoi duke u lanë gjithnjë në dorë sundimin e qytetit, me qenë se kjo shtëpi kishte pranuar besimin mysliman” (Bushati, H.: po aty, f, 378). Historiani Ferit Duka ka shkruar: “Bushatllinjtë u larguan nga skena politike, por emri i kësaj familje bashkë me trashëgiminë e vyer që vjen nga koha e pashallëkut, mbetën të ngulitura në kujtesën e shqiptarëve”. Falë librit të At Zef Pllumit, është mundësuar që biografia e Mahmud pashë Bushatit, të nisë qysh nga fëmijëria e tij. Atë e ka shkruar Frati Erazmi nga Bolneo, françeskan, Misionar Apostolik në Shqipëri, i cili qe mësuesi dhe mjeku i Mahmudit që kur ai ishte vetëm dy-tre vjeç. Frat Erazmi kujdesej për shëndetin e djalit dhe për arsimimi e tij, deri sa ka shkruar se: “Mahmudin e kam rrit unë vet”. Me Erazmin ai mësoi shumë mirë edhe gjuhën italiane. Më vonë kur e pyesnin se ç’i duhen Mahmud Begut gjuhët e “dhenave të latinit”, ai përgjigjej: “Ky sanxhak është në kufi me ta dhe jeta sjell marrëdhënie herë të mira, herë të këqija, por njohja e gjuhëve sjell vetëm të mira” (At Zef Pllumi, po aty, f. 86). Mahmudi ishte vetëm 16-17 vjeç kur Kapudan Pasha, një njeri i rëndësishëm në qytetin e Shkodrës dhe i lidhur me Portën e Lartë, e pyet Erazmin: “Cili të duket më i aftë ndër bijtë e Vezir Mehmetit dhe i denjë me sundu vilajetin? Thuaje pa frikë mendimin tënd”. Erazmi i përgjigjet: “Sipas mendimit tem vetëm Mahmud beu i ka përgja babës së vet më tepër se të tjerët, si në dije e urti ashtu edhe në trimni”. “Sipas përfytyrimeve që përcillen brez pas brezi tek familjet shkodrane, Mahmudi qe një burrë i bëshëm, i hijshëm e impozant. Kishte trup të lartë e të fuqishëm, krahë muskulozë dhe një gjoks aq të gjerë e leshatak sa dy vezë mund të fshiheshin aty. Mahmudi nuk u vesh kurrë me roba turke. Ai preferonte veshjen kombëtare” (Bushati, H.: po aty, f. 94). Me emërimin e tij zyrtarisht si mytesarif i Shkodrës (1778), pasi mori miratimin e parisë së Shkodrës dhe pasi pagoi një shumë të madhe të hollash në Stamboll, Mahmud Bushati do t’i kushtohej asaj politike që pat ndjekur i ati: sigurimin e qetësisë, zhvillimin ekonomik dhe tregtinë, brenda vendit dhe me vendet fqinjë. “Mahmudi formalisht u paraqit si njeri besnik i Portës, por që në fillim të marrjes së pushtetit nuk e hoqi nga mendja amanetin e babait dhe traditën e shtëpisë së Bushatllijëve. Për këtë qëllim ai punoi pa reshtur për zgjerimin e kufijve të pushtetit të tij dhe për pavarësi nga sulltani” (A. C. Saint Saveur: Voyage historique, litteraire e pitoresque …, t. II,1796, f. 272). E vendosur në brigjet e një liqeni të madh që lidhej me detin nëpërmjet lumit të lundrueshëm të Bunës, e rrethuar me fusha pjellore që ishin të përshkuara nga rrugë të shumta tregtare, Shkodra u rrit njëherësh si qendër e rëndësishme administrative, por para së gjithash edhe si qendër zejtare e tregtare, me rreth 30-35 mijë banorë. Duke pasur portin e Ulqinit pranë, që kishte një flotë tregtare prej afro 250 anijesh, që ndërtoheshin dhe meremetoheshin në kantieret e qytetit port, u lidhën marrëdhënie tregtare me Venedikun, Ankonën dhe Triesten. Jeta ekonomike në Shkodër u gjallërua shumë shpejt. Mahmud Pasha e zgjeroi pjesëmarrjen e tij direkte në tregti e në lundrim dhe shtiu në dorë sipërmarrje të shumta, ndër të cilat edhe atë të serës së Selenicës në Vlorë. Si i ati, ai përkrahu tregtarët vendas kundër atyre venedikas, të cilët humbën përsëri tregtinë e vajit, të drithërave dhe të ziftit. Në këtë mënyrë Shkodra u bë qyteti më i madh dhe më i begatë i vendit, qendër e tregtisë tranzite ndërmjet Rumelisë dhe shteteve italiane, Republikës së Raguzës (Dubrovniku i sotëm) dhe Europës Perëndimore. Ai u përpoq, gjithashtu, të gjente përkrahje nga armiqtë e Stambollit, prandaj dërgoi për marrëveshje Jak Sumën në Vjenë dhe në Petërsburg.

Rrethimi i parë i Shkodrës (1787)

Qysh nga viti 1782, Mahmud Pasha filloi të vepronte me vullnetin e vet, duke mos përfillur fermanët e Portës së Lartë. Më vitin 1785 largoi komandantin turk të kështjellës së Shpuzës dhe po atë vit nënshtroi Malin e Zi. Fill më pas ai u nis në drejtim të Elbasanit dhe Beratit, mbasi Pashai i Beratit kishte bërë për vete Pashain e Elbasanit, i cili u kishte mbyllur limanet ulqinakëve. Këto fushata të suksesshme ngritën lart autoritetin e Bushatlliut, veçse shkaktuan zemërimin e Portës së Lartë dhe të Senatit të Venedikut por, nga ana tjetër, tërhoqën vëmendjen e Austrisë që filloi ta inkurajonte Bushatin për të kryer veprime më të ashpra kundër varësisë ndaj Stambollit. Ndërkohë, Mahmud Pasha kishte krijuar një ushtri të rregullt, e cila dy-trefishohej me luftëtarët e ajanëve aleatë dhe me ata që vinin nga malësitë. Trimëria dhe guximi i veçantë, si edhe fitoret kundër pashallarëve rivalë, bënë që të mbiquhej Kara* Mahmud Pasha (*Kara – këmbëngulës, kokëkrisur). Porta e Lartë e deklaroi fermanli Mahmud Pashën, me fjalë të tjera e dënoi me vdekje për tradhti të lartë. Për të ekzekutuar vendimin, Stambolli nisi një ekspedite ushtarake prej 20,000 vetësh, me tre vezirë e shumë pashallarë. Për të fuqizuar kryengritjen, Kara Mahmudi mobilizoi shumë njerëz nga shtresat e gjera popullore, të cilëve u premtoi se do t’i falte taksat për 20 vjet. Ai shfrytëzoi edhe emrin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe e shpalli veten pasardhës të tij. “Atëherë Mahmudi me të vëllanë, Ibrahimin, thirrën krerët e maleve dhe të fushave dhe zgjodhën djelmtë ma trima, rreth 300 vetë si edhe 50 kalorës shkodranë me kuajt e tyre dhe vendosi që bashkë me ta me u ndry në kala. -Aty kam me dekë, u tha luftëtarëve të tij, por kurrë nuk do t’i dorëzohem i gjallë armikut të popullit shqiptar” (At Zef Pllumi, po aty, f. 43). Më 26 gusht 1787, Kara Mahmudi u mbyll në kështjellën e Shkodrës. Ndërsa Mahmudi ishte i rrethuar, otomanët pas sulmeve që bënë, duke parë se nuk mund të merrej kështjella me forcë, nisën me plaçkitje dyqanesh, bastisje shtëpish dhe përdhunime në Shkodër. Këto barbarizma shkaktuan pakënaqësinë e qytetarëve dhe të fshatarëve dhe përgatitën një teren të favorshëm për realizimin e planit të Mahmud Pashës. J. Hecquardi, i mbështetur në të dhënat popullore ka shkruar: “Ndër pashallarët që kishin rrethuar kalanë ishte edhe Ali pashë Tepelena, i cili, ishte marrë vesh me të, i dërgonte ushqime fshehurazi dhe e njoftonte për planet e reparteve rrethuese” (cituar nga Bushati, H., po aty, f.104).
Rrethimi zgjati 80 ditë, deri më datën 25 nëntor, edhe pse artileria që ishte vendosur në Tepe e në Tarabosh, bashkë me murtajën që ishte vendosur aty ku bashkohet Drini me Bunën, qëllonin mbi kështjellën disa herë në ditë. Ndërsa jashtë kështjellës, qytetarët e Shkodrës, fshatarët rreth saj, malësorët e Hotit, të Shalës, të Postribës etj., rreth 8000 veta gjithsej, në bashkëveprim me luftëtarët që ndodheshin brenda kështjellës, u vërsulën mbi rrethuesit dhe i shpartalluan plotësisht, duke vrarë më shumë se 6000 prej tyre, përveç robërve të shumtë. “Beteja më e madhe, u bë në sheshin para Xhamisë së Kuqe që ndodhet në lagjen Perash. Ajo xhami quhet e kuqe edhe sot, në kuptimin e gjakut që u derdh aty” (Bushati, H, po aty, f. 107). Të ngelur në mes dy zjarreve, turqit ikën në drejtime të ndryshme. Në fund të luftimeve shkodranët morën plaçkë të madhe lufte, si edhe 16 topa.
Lëvizjet diplomatike të Mahmud Pashës

Qeveritë e Vjenës dhe të Shën Petërsburgut ngarkuan diplomatët e tyre që t’i premtonin Mahmud Pashës përkrahje ekonomike e ushtarake për të vazhduar kryengritjen kundër Stambollit, madje për të marrë pjesë në këtë luftë edhe ata vetë. Në këto kushte Mahmud Pasha, nëpërmjet ambasadorit rus në Venedik, i drejtohet më vitin 1787 Oborrit të Shën Petërsburgut, për të qenë nën mbrojtjen e Carit. Por rusët iu përgjigjen se “…do ta kishin përkrahur vetëm në qoftë se hiqte dorë nga lidhjet me Austrinë”. Në të njëjtën kohë austriakët ia ofronin kurorën e Shqipërisë Mbretit të Napolit, i cili premtonte se me 30,000 vetë do të bashkëpunonte me Austrinë për të larguar turqit nga Europa. Sidoqoftë, e vërteta është se qeveria e Vjenës kishte filluar t’i mbante të hapura disa kanale komunikimi me Mahmud Pashën. Këtë rol në fillim e luante ipeshkvi katolik i Shkodrës. Më pas, negociatat direkte me pashain i qenë besuar një misioni ushtarak që qeveria austriake kish dërguar që në fillim të vitit 1788 pranë ipeshkvit të Malit të Zi.
Rrethimi i dytë i Shkodrës
Mahmud Bushati filloi një fushatë nënshtrimi të feudalëve përkrahës të Stambollit. Në përfundim të kësaj fushate, gjithë gegëria, që nga kufijtë e Malit të Zi deri në lumin Shkumbin, hyri në juridiksionin e tij. Kështu filloi kryengritja e dytë, e cila synonte shkëputjen nga varësia e Portës.
Në fund të vitit 1792, Mahmud Pasha u shpall edhe një herë fermanli. Ekspedita me në krye valiun e Rumelisë, mundi të mbërrinte në Shkodër vetëm mbas tetë muaj luftimesh. Ushtritë turke hynë në qytetin e Shkodrës më 20 gusht 1793. Pas një qëndrese të fortë, Mahmud pashë Bushati u mbyll përsëri në kështjellë. Edhe këtë herë shumica e parisë dhe e aleatëve e braktisën. Por fshatarët, malësorët dhe shtresat e gjera qytetare shkodrane, nuk ndoqën rrugën e krerëve feudalë.
Në agimin e 28 nëntorit 1793, me të njëjtën skemë si në rrethimin e parë, u kordinuan veprimet luftarake të reparteve jashtë kështjellës, me luftëtarët që prisnin brenda saj. Ata dolën nga kështjella dhe iu vërsulën trupave armike, njëkohësisht me forcat që ishin vendosur rreth kështjellës. Këto sulme të furishme shpartalluan forcat turke duke u shkaktuar humbje të rënda në njerëz dhe materiale luftarake.
Diplomacia frënge, për të penguar Malin e Zi që shërbente si satelite e Rusisë dhe Austrisë, u lidh me Mahmud Pashën me anë të ambasadorit të saj në Venedik. Gjeneral Bonaparti, i cili pas pushtimit të Italisë Veriore kërkonte të pushtonte edhe Dalmacinë, dërgoi në Shkodër në muajin maj të vitit 1796 shtatë specialistë ushtarakë për të ndihmuar në organizimin e ushtrisë shqiptare edhe katër të tjerë pranë shtabit të Mahmud Pashës.
Në vitin 1795 Mahmud Bushati priti në Shkodër konsullin francez, pastaj në vitet 1795-1796 kontaktet shtohen, duke realizuar edhe një aleancë në mes Shkodrës dhe Parisit (Naçi, Stavri: Pashallëku i Shkodrës…., f. 238).
Veprimtaria kulturore gjatë kohës së dinastisë Bushati

Gjatë sundimit të Mahmud Bushatit, pati zhvillim të konsiderueshëm në lëmin kulturor, në arsim, letërsi, arkitekturë si edhe në ndërtimet. U ndërtuan një varg veprash publike me karakter ekonomik e fetar si Ura e Mesit, xhamia e Ethem beut në Tiranë, Hani i madh, xhamia e Plumbit dhe Bezesteni në Shkodër. “U ndërtuan një numër i madh banesash të tipit gjysmë kati me gurë e me qerpiç për masat popullore dhe dykatëshe për shtresat e pasura”.
Edhe letërsia shqipe bëri hapa të rëndësishme përpara. Rolin kryesor e luajti letërsia gojore, kurse si gjini u shqua kënga historike. Gjuha e shkruar shqipe luajti një rol jo të vogël. Ajo shërbeu për ngritjen në një shkallë më të lartë të ndjenjës së shqiptarisë dhe tregoi se qysh në atë kohë u hodhën rrënjët e përpjekjeve për arsimin dhe kulturën shqipe. Bushatllijtë e shek XVIII, Mehmeti dhe Mahmudi, ngritën medresetë si institucione arsimore që faktikisht qenë shqiptare, pasi mësimet kryeshin në gjuhën shqipe dhe mbaheshin me fonde lokale. Qëllimi kryesor i tyre nuk ishte vetëm formimi i një kontigjenti fetarësh të ditur, por njëkohësisht edhe formimi i të rinjve që nuk dëshironin të bëheshin hoxhë, por që kërkonin të përvetësonin elementët kryesorë të diturive të kohës. Mahmud pashë Bushati themeloi bibliotekën e parë publike unikale për kohën që ndodhej pranë Medresesë, me qëllim që të përfitonin jo vetëm nxënësit por edhe studiuesit e jashtëm. Në regjistrin e bibliotekës figuronin jo vetëm libra teologjie, por edhe të fushave të tjera si në gjuhësi, poezi, retorikë, logjikë, drejtësi, histori, botanikë etj.

Vrasja e Mahmud pashë Bushatit

Në fillim të vitit 1796, Mahmud Pasha po grumbullonte forca të shumta ushtarake, destinacioni i të cilave nuk ishte shpallur zyrtarisht, por qarkullonin fjalë që do të sulmoheshin krahinat kufitare të Veriut për të shkëputur nga ndikimi i Vladikës së Malit të Zi, krahinat shqiptare.
“Në shtator të vitit 1796, Kara Mahmud Pasha përsëriti sulmin mbi Malin e Zi, por edhe këtë herë ushtria e tij nuk përparoi dot, kurse ai vet bashkë me shtabin, në të cilin ishin edhe katër oficerë francezë, ra në kurth me sa duket të tradhtuar, u rrethua dhe u vra nga malazezët” (HPSh, I, f. 631).
U varros në Krus, po aty ku u zhvillua beteja.
Dy vezirët e Shqipërisë
1. Mahmud pashë Bushati dhe Ali pashë Tepelena, prijësit e shqiptarëve që jetuan dhe qeverisën në kapërcyellin midis shekullit XVIII e XIX, ndër më të shquarit pas Skënderbeut, edhe pse banonin larg nga njëri tjetri, mirëkuptoheshin dhe kishin të njëjtat qëndrime lidhur me çështjen kombëtare.
Duke përfituar nga dinamika decentralizuese në të cilën ndodhej sundimi osman, ata tentuan me të gjitha mënyrat shkëputjen nga shteti osman dhe krijimin e shteteve dinastike në vise të banuara kryesisht nga shqiptarët. Në këto kushte të reja në Shqipëri, ashtu si edhe në vendet e tjera ballkanike, njëherësh me fillimin e aktivitetit iluminist dhe kulturor, u hodhën hapat e parë për formimin e ideologjisë së çlirimit kombëtar. Kështu lindi një lëvizje kombëtare e përgjithshme kundër shtypjes otomane. Në krye të kësaj lëvizjeje u vendosën përfaqësuesit e klasës feudale shqiptare që i ishin kundërvënë Stambollit, Mahmud Pasha i Shkodrës dhe Ali Pashë Tepelena. Në këtë lëvizje u dukën edhe “disa elementë të hershëm formëzues të vetëdijes kombëtare shqiptare, që në fakt shërbejnë si truall ngjizës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare”, (Egro, D.:Rrënjët historike të çështjes shqiptare, Instituti i historisë, Tiranë 2017, f. 31). Në këtë periudhë gjuha shqipe ishte një shenjë dalluese e të gjithë shqiptarëve pavarësisht nga fetë që ata praktikonin. Ata ruanin fort brez pas brezi origjinën etnike shqiptare si edhe heroin e tyre të përbashkët, Skënderbeun. Për më tepër, krerët shqiptarë në Jug e Veri, filluan t’i quajnë Shqipëri territoret që ata sundonin dhe shqiptarë banorët e tyre.
2.”Rusia dhe Austria kërkonin që t’i përdornin pashallarët shqiptarë për të dobësuar pozitat e osmanëve dhe për të realizuar projektet e tyre lidhur me copëtimin e Perandorisë Otomane. Kurse pashallarët shqiptarë, kërkonin që me ndihmën e tyre të vendosnin sundimin dinastik në territoret që ata zotëronin.
“Po në këtë kohë, caresha ruse Katerina II, dërgoi në Shkodër diplomatët e vet, të cilët hartuan një projekt-marrëveshje (1788), sipas të cilës Mahmud Pasha zotohej që së bashku me krerët e tjerë shqiptarë, me mbështetjen financiare të Rusisë, të vendosnin nën sundimin e tyre të plotë Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke i hapur rrugë trupave ruse që të merrnin Stambollin. Pasi të realizohej ky plan, këto toka do të viheshin nën protektoratin rus, me kusht që të respektohej feja islame, zakonet dhe traditat vendase. Megjithatë, pashai shkodran nuk ngutej të krijonte marrëdhënie varësie ndaj Rusisë. Këtë e dëshmon edhe fakti që ai nuk e firmosi këtë dokument pa marrë më parë pëlqimin e careshës ruse” (Arsh, G. L.: Shqipëria dhe Epiri …, Moskë 1963, f. 203, 215). “Veçse, projekti i Mahmut Pashës për t’u bërë mbret i asaj pjese të viseve shqiptare që ai e quante Shqipëri nuk u realizua, mbasi Rusia dhe Austria në gjysmën e parë të vitit 1788, ranë dakord që provinca osmane e Shqipërisë t’i jepej Mbretit të Napolit”. “Edhe Aliu kërkoi mbështetjen ruse për të shpallur pavarësinë e tij politike. Veçse synimet që palët donin të arrinin ishin krejt të kundërta, mbasi Rusia kërkonte që në viset që qeveriste Ali Pasha, përmes grekëve të krijonte një bazë diversioni për të mbajtur të angazhuara trupat osmane, ndër kohë që rusët do të përparonin drejt Stambollit”).
3. Të dy vezirët e Shqipërisë kishin përqasje të njëjta lidhur me fetë. Pashallarët shqiptarë bazuar edhe në tolerancën fetare, fenomen specifik i popullit shqiptar, përpiqeshin të ndërtonin marrëdhënie të njëjta me të gjithë shtetasit e tyre, në mënyrë që të siguronin mbështetje të gjerë popullore gjatë procesit të shkëputjes nga shteti osman. “Duhet theksuar se Mahmudi, ashtu si edhe tepelenasi, me politikën e tyre shqiptare rilindëse, vunë themelet e shoqërisë pluraliste fetare moderne. Oborret e tyre qeveritare janë bërthama të akademive shqiptare, ku u kultivua tipari i tolerancës fetare shqiptare në interes të luftës për çlirimit kombëtar” (Basha, Musa: Islami në Shqipëri, Tiranë, f. 243).
4. Më vitin 1787 konsulli francez dhe ai rus në Venedik, kanë raportuar që Mahmud Bushati “…e shpalli veten pasardhës të Skënderbeut dhe shprehet se do ta imitojë atë në të gjitha drejtimet”. “Në të vërtetë, territoret në zotërim të Bushatllijëve, përkonin gjeografikisht me territorin ku lindi, jetoi dhe veproi Skënderbeu. Ky fakt mund të jetë edhe një nga arsyet më tepër që Mahmud Pasha e quante veten si pasardhës i Skënderbeut, duke qenë kështu i pari shqiptar që përdori figurën e Skënderbeut për qëllime politike” (Naçi, S.: po aty, f. 227), Kurse, me qenë se shteti i Ali Pashës shtrihej në rajonin e Epirit, tepelenasi e njësoi veten me figurën më të rëndësishme historike vendase: Pirron e Epirit.
5. Kështu, Mahmud Pasha Bushati dhe pas tij Ali Pasha, ishin të parët që morën nga “e shkuara e lavdishme” emrat dhe veprat e Pirros së Epirit dhe të Skënderbeut. Shqiptarët e kuptuan menjëherë mesazhin dhe i mbështetën në realizimin e projekteve të tyre, që do të ishin të pa kushtëzuara nga Stambolli. Duke qenë të talentuar dhe novatorë, ata zgjodhën mënyra origjinale për të realizuar planet e tyre të shkëputjes nga Porta. I pari ishte “…Mahmud Pasha që priste para në emrin e tij qysh më prill 1787. Pas tij vinte Ali Pasha që ndërmori edhe ai një hap të tillë. Sipas traditës osmano-islame, një sundimtar mysliman quhej i pavarur kur përmbushte edhe një kusht të dytë: atë që në hytben që mbahej gjatë faljes së të Premtes, në vend të emrit të sulltanit duhej që të përmendej emri i tij. Dokumentacioni arkivor osman dëshmon se të dy shqiptarët i ishin futur rrugës së pavarësimit, çka në fakt parakupton përmbushjen paraprake të të dy kushteve të lartpërmendura”, (Egro, D.: po aty, f. 22).
6. Mytesarifët dhe pashallarët shqiptarë që drejtonin sanxhaqet dhe pashallëqet, ishin të ndarë në dy grupe. Në njërin prej tyre bënin pjesë feudalët që ishin gati të ngriheshin kundër otomanëve, kurse nga ana tjetër qëndronin ata që ishin të lidhur me Stambollin. Duket se Mahmud Pasha dhe Ali Pasha, bënin pjesë në grupin e parë, deri sa të dy bashkë ndërmorën sulmin kundër sanxhaqeve të Vlorës dhe Elbasanit për të ndëshkuar sundimtarët e tyre si vegla të pushtuesit. Faktin tjetër që vërteton se të dy pashallarët ndodheshin së bashku në të njëjtën barrikadë, e ka paraqitur J. Hecquardi, i cili ka shkruar se ndër pashallarët që kishin rrethuar kalanë e Shkodrës, ishte edhe Ali Pasha Tepelena, i cili fshehurazi nga një derë sekrete, i dërgonte ushqime Mahmud Pashës i mbyllur në kala.
7. Në arkivin e Ministrisë së Jashtme Ruse (fondi: Marrëdhëniet ruso-turke), ndodhet raportimi nga Ambasada ruse në Stamboll: “Me politikën e tij dhe me gjyqet e tij të drejta, Mahmud Pasha i ka bërë për vete jo vetëm banorët e krahinave të veta, por edhe ata të rretheve fqinjë. Ai ishte një sundimtar i drejtë, përkrahës i të krishterëve dhe shumë i ashpër me plaçkitësit dhe hajdutët (Malkolm, N.: Kosovo, New York 1999, f, 175). Kurse për Ali Pashën, Filip Liço, historian, minoritar grek, ka shkruar: “Aliu i ndikuar nga revolucioni francez, pati një vizion të përparuar shoqëror. Ai godet bejlerët myslimanë dhe koxhabashët e krishterë dhe mbron popullin nga veprimet e tyre arbitrare” (Liço, F.: Marrëdhëniet greko-shqiptare, 2003, f. 92).
“Reforma më e rëndësishme në shtetin e Ali Pashës, ka qenë zbatimi i parimit modern, sipas të cilit të gjithë shtetasit janë një lloj para ligjit” (Kandyloros, T, Megali Eliniqi Enciklopedia, f. 739).
Edhe një herë për Mahmud pashë Bushatin
Mahmud Pasha për 21 vjet rresht qeverisi në mënyrë të pavarur dhe nuk u ndal para të gjitha vështirësive që i dolën përpara, përveç aktit final të cilin do ta zgjidhnin të gjithë trimat si ai, vdekjen duke luftuar në fushën e betejës. Pa dyshin që i madhi Mahmud Pashë Bushati i Shkodrës, do të mbetet në kujtesën historike të popullit shqiptar si i pari ndër vazhduesit e traditës shteformuese të Skënderbeut dhe krahas Ali pashë Tepelenës. Në të vërtetë unë nuk jam i pari që e quaj shkodranin: i madhi Mahmud Pashë Bushati. Të parët kanë qenë ata që në faqen 153 të regjistrit të Arkipeshkvisë së Shkodrës, më datën 3 tetor 1796, ditën e vdekjes së Vezirit, kanë shkruar: “Në këtë ditë vdiq i madhi Mahmud Pasha i Shkodrës”.
Pse Mahmud Pasha i Shkodrës është vërtetë i madh?
Së pari, ai luftoi ashtu si Skënderbeu në linjën e parë të frontit dhe fitoi kundër turqve duke kombinuar ashtu si Skënderbeu, luftën tradicionale popullore me operacione të mëdha strategjiko-taktike. Së dyti, nëpërmjet tolerancës së sinqertë fetare, Mahmud Bushati kërkoi dhe gjeti mbështetje veçanërisht tek fiset katolike të malësisë dhe pjesa tjetër e popullsisë që ishte e pakënaqur nga sundimi osman dhe arriti bashkimin kombëtar të pjesës dërmuese të shqiptarëve të veriut. Së treti, ai nuk bëri kompromise me Portën e Lartë, përkundrazi, si një prijës vërtetë i pavarur u përpoq dhe arriti të zgjeronte kufijtë e pashallëkut të tij deri në kufijtë etnik të Shqipërisë së Veriut. Së katërti, koha e Mahmud Pashës është quajtur si “kohë e mirëqenies” ose “vakti i Vezirit”, mbasi, sipas Vaso Pashës, “…shkodranët dhe malësorët shkojshin një jetë jo të keqe, prandaj e mbrojshin me armë vezirin Bushatli”. Së pesti, nëpërmjet lidhjeve me figura historike si Bonaparti, Jozefi i II i Austrisë, Caresha e Rusisë, Mbreti i Spanjës dhe Papa i Vatikanit, Mahmud Pashë shkodrani e nxori nga terri në të cilin ishte zhytur Shqipëria prej disa shekujsh, duke e bërë edhe një herë të njohur atë.
22.10.2019.

“Atdheu duhet dhe përmes shkencës!

 


Emri i arkeologut Tahsin Jonuzi, dhe pa mësuar më shumë se kaq të ngjall emocione, një lloj kërshërie të ngutshme për ta njohur akoma më shumë, një ndjesi, e cila të njofton se po i afrohesh një njeriu të çuditshëm, i cili i ka mbijetuar kohës për shkak të një paprekshmërie të personalitetit të tij pavarësisht kohërave. Si shumë të tjerë, kam kërkuar të kem njohje të thellë për Tahsin Jonuzin, i cili dhe në ditët e sotme drejt nesh nuk vjen si shumë të tjerë, por vjen si një libër i shtrenjtë që peshon shumë sa më shumë që ta shfletosh dhe sa më shumë ta lexosh. Ai ishte produkti i një kohe të vështirë, por mjaft të rëndësishme të vendit dhe të Europës, por pikërisht për shkakun e kësaj kohe, puna e tij dhe personazhi i tij bëhet më i rëndësishëm, më i shndritshëm dhe më reflektar.

Tahsin Jonuzi lindi dhe jetoi në Vlorë. Pas studimeve të larta  në Universitetin “Leopoldina Fransiscea” të Insbruck-ut u diplomua në Fakultetin e Filozofisë “Shkëlqyer” 1932. Po në këtë universitet, në vitin 1937, pasi dha provimet  pasuniversitare në “Dituni e Historisë dhe Albanologjisë”, mbrojti gradën “Doktor i shkencave në Filozofi”. Ai punoi si mësues  dhe më pas drejtor i Institutit Tregtar të Ujit të Ftohtë, si dhe drejtor i gërmimeve arkeologjike të Apolonisë. Së bashku me arkeologun e mirënjohur italian Piro Marcone të Velçës, Amanties, Kaninës, Himarës e Butrintit, të cilat përbëjnë një arkiv të pasur të botës ilirike. Internimi i tij në kampin e përqendrimit nazist në Mat’hauzen gusht 1944, si antifashist krijoi një dhimbje të thellë te banorët e Vlorës edhe familja e tij. E shoqja, Lake Jonuzi, në Arkivin Qendror të Shtetit, ka një letër proteste kundër nazistëve gjermanë, ku shpreh revoltën e saj të thellë për martirizimin e tij në kampet naziste.

Ai ishte njëri nga njerëzit e shquar të dijes shqiptare, i cili në plejadën e nxënësve dhe studentëve që studiuan dhe u diplomuan jashtë vendit, si një pjesë e vogël e tyre, Tahsin Jonuzi la shenjën e vet, e përthithi dijen, kulturën dhe shqetësimin e kohës, të cilat i ktheu në punë, por me një vullnet të fortë, falë dhe inteligjencës së tij iu imponua asaj. Por, ndryshe pjesës më të madhe të brezit të tij, Jonuzi e tejkaloi vetveten, tejkaloi profesionin për të prekur realitetin social, atë kulturor, historik dhe filozofik të kohës. Ai profesionin e tij e shndërroi në një “medium” komunikimi, por dhe burimi shkrimor – shkencor dhe evidentues, pasi askush si dhe sa ai nga dijetarët e kohës nuk e shfrytëzoi në plotësinë e saj kohën, aftësitë, profesionin dhe talentin për ta vënë në shërbimin e vendit. Kjo e bën profilin dhe jetëshkrimin e tij specifik, ai guxoi gjatë gjithë kohës kur iu dha mundësia për të kontribuar.

Paraprakisht, nuk mund të sillja mendime për librin e Tahsin Jonuzit, i titulluar “Topografia dhe rrjeta e rrugëve të Shqipnis në kohët e vjetra”, i cili vjen si një dhuratë dhe një zbulesë e befasishme në kontributet shkrimore të arkeologjisë dhe kulturës shqiptare, por edhe të trajtimit shkencor mjaft joshës prej autorit. Mendoj se është një gjetje e mrekullueshme dhe mjaft domethënëse dalja në dritë e këtij punimi, i cili në vetvete është një punim shkencor, mirëfilli me një akribi të qartë të dijeve më të mira të kohës, realisht të qëndrueshme dhe në ditët tona.

Ardhja e këtij botimi special dhe mjaft simbolik, të qëmtuar mirë nga grupi botues për lexuesin shqiptar, na tregon më së miri profilin e  një njeriu të dijes gjatë kohës, një punim kompleks, prej të cilit ka një përfitim kultura, shkenca dhe fusha specifike të dijes. Është një botim në të cilin plekset jo vetëm koha, por edhe historia për shkakun e një këndvështrimi dhe një qasjeje racionale, që doktori i shkencave të kohës, Tasin Jonuzi i ka paraqitur trupës akademike dhe dijes së kohës.

Libri në fjalë titulluar “Topografia dhe rrjeta e rrugëve të Shqipnis në kohët e vjetra” na njofton një personalitet të dijes, një njeri me një hapësirë të jashtëzakonshme të komunikimit shumëplanësh, me një formim sipëror të dijes kulturore, shkencore dhe historike të lashtë, që zë që nga autorët e hershëm antikë deri në dijet bashkëkohore të nxëna në rrugë të ndryshme prej tij.

Tahsin Jonuzi ishte arkeolog, një nga intelektualët e mrekullueshëm të kohës, i cili përveçse ishte i lidhur fort me pasionin dhe nevojën e shkollimit të tij brenda dhe jashtë vendit, një shkollim mbi didaktikën dhe profilin e qartë perëndimor, siç ishin studimet universitare në Vjenë e gjetkë, ai ishte edhe një atdhetar apo një shqiptar i shquar, modeli i djaloshit shqiptar, i lidhur fort me fatin e atdheut, i shquar si njeri i lirisë dhe krenarisë kombëtare. Fatkeqësisht, ai qe edhe njëri nga të rinjtë shqiptarë, i cili në kulmin e punës së tij si njeri i dijes dhe një shkencëtar me një të ardhme të sigurt, u sakrifikua dhe u martirizua në kampet naziste siç ishte ai i Mat’hauzenit.

Tahsin Jonuzi i përkiste plejadës së universitarëve të Shqipërisë, të cilët u investuan gjatë kësaj kohe për të krijuar shtresën e të shkolluarve në Perëndim, të cilët do t’i viheshin vendit në shërbimin e tyre të zhvillimit dhe të drejtimit bashkëkohor. Ky brez i mrekullueshëm, pjesë e të cilëve pas Luftës së Dytë Botërore krijuan edhe bazën e fortë të studimeve dhe institucioneve shkencore të vendit, ishte nga disa fusha të dijes, gjithsesi strategjike të zhvillimit, në të cilët u shfaq një formim kompleks dhe mjaft i domosdoshëm, fakt të cilin e gjejmë të mishëruar fort dhe te Tahsin Jonuzi, duke lënë një trashëgimì të rëndësishme dhe për brezat që valorizojnë dhe në ditët e sotme.

Dhe pse vonë, prof. dr. Aleks Buda, një personalitet i rëndësishëm i dijes historike shqiptare, në vitet ’80 të shekullit të kaluar, pati kërkuar të njihej me fatin e familjes së Tahsin Jonuzit, dhe për shkakun e konsekuencave që familja e Jonuzit kishte pasur gjatë kësaj kohe, si një familje me një trashëgimì pasurie dhe pronash, të cilët sistemi totalitar i kishte në sy jo të mirë. Aleks Buda nuk mund të mos kujtonte dhe të mos kishte ndjesinë e një njeriu të ditur për bashkëstudentin Tahsin Jonuzi në studimet universitare dhe dr. e shkencave, i cili kishte doktoruar dhe kishte mbrojtur me notën shkëlqyer një punim të vështirë, një zbulesë të rëndësishme, e cila shpluhuroste historinë e hershme shqiptare në mënyrën më të mirë komplekse, ku kryqëzoheshin bashkë historia, topografia, arkeologjia, gjeografia, kultura, malet, lumenjtë, demografia, fiset, luftërat, baticat dhe zbaticat pushtuese.

Siç dhe kuptohet sot, me ardhjen e këtij botimi të mrekullueshëm, ku mund të kuptohet mjaft mirë dhe profili i një shkencëtari të mrekullueshëm të kohës, Tahsin Jonuzi la një trashëgimì të vyer familjare. I biri i tij, Nestor Jonuzi (Piktor i Popullit), nuk reshti së renduri në gjurmët e babait të tij, dhe pas shumë orvatjesh, arriti që nga Universiteti i Innsbrukut të sjellë kopjen e disertacionit shkencor të Tahsin Jonuzit, me të cilin ai ka mbrojtur gradën “Doktor i Shkencave”.

Në këto rrethana dhe raste fatlume, ne do të duhet t’i jemi mirënjohës mbesës së Tahsin Jonuzit, Aulona Jonuzi, e cila pati një angazhim maksimal për të përgatitur botimin e këtij libri, ashtu siç  falënderimi ynë nuk mund t’i mungojë dhe prof.dr. Përparim Kabos, i cili i paraprin dhe kodifikon në një tablo të gjerësishme në vlerat dhe si duhet kuptuar dhe lexuar libri titulluar “Topografia dhe rrjeta e rrugëve të Shqipnis në kohët e vjetra”, i cili njëherësh është shkencë, dije dhe kulturë. Në informacionin që zakonisht nuk mund të mungojnë për raste, figura dhe libra të tillë, nuk mund t’i mungojë falënderimi ynë as dhe për Lake Jonuzin, e cila ka ruajtur dhe është përkujdesur për t’i sjellë deri në ditët tona fotografitë, dokumentet dhe dorëshkrime të shumta, për të cilat u kujdes deri në fundin e jetës.

Libri i titulluar “Topografia dhe rrjeta e rrugëve të Shqipnis në kohët e vjetra”, është ndërtuar mbi një platformë hulumtuese, evidentuese dhe një zbulesë të larmishme, madje të gjerësishme. Duke kërkuar dhe përmbushur në këtë hulumtim një referencë të gjerësishme në hapësirë dhe në thellësi, shkencëtari Tahsin Jonuzi, i ka bërë dijes sonë të sotme një shërbim të vyer, pasi referimet e gjerësishme të kapitujve (për kushtet e opinionit tonë flitet për një libër B.G) si “Vendndodhjet”, “Lumenjtë”, “Vendkalim lumi”, “Liqenet”, “Krahinat”, “Fiset”, “Malet, ishujt dhe fushat” dhe së fundi “’Rruga Egnatia’ dhe itinerare të tjera rrugësh”, krijojnë një denduri informacioni, dijesh historike dhe bashkëkohore, interpretim e tij shkencor, që e bën të dhimbshëm kodin e vdekjes së tij “Verstorben:15. 12. 1944…Todesort: Gusen/ Mathhausen”.

Në këtë rast, nuk mund të rri pa cituar dhe një opinion të shkurtër, të znj. Frida Vokopola Gjoka dhe Albert Gjoka, të cilët mundësuan përkthimin profesional të librit, ndër të cilët ato shënojnë përpunimin e dr. Tahsin Janusit, si “Një studiues shqiptar që me disertacionin, me hulumtimet e tij të kryera në vend dhe me një bibliografi jashtëzakonisht të pasur, jep një kontribut të madh në shkencën e albanologjisë”.

Në të gjithë plotësinë e vet, një disertacion i referuar dhe mbrojtur në një nga qendrat më të mëdha universitare të kohës (Austri), me rreth 70 autorë të referuar dhe me mbi 1145 referenca përbëjnë një bazë solide dhe të gjerësishme për të hulumtuar dhe shumë studiues të tjerë, veçmas në fushën e studimeve dhe hulumtimeve albanologjike, këtë fushë të rëndësishme të dijes shqiptare, qoftë në aspektin historik, antropologjik, etnologjik, linguistik, por dhe shumë disiplina të tjera që pleks brenda vetes albanologjia. Nuk mund të rri pa cituar prof. dr. Përparim Kabon, i cili përmes një substrati komunikues, se “Historia vazhdon për ata që nuk kanë frikë nga drita e arsyes…, të tjerët mbeten pengje të harresës në histori…!”, duke kumtuar mrekullisht kohezionin dhe nevojën për ta njohur si njeri të dijes, si një albanolog, por dhe si një kontribuues të identitetit tonë kombëtar Tahsin Jonuzin. Libri që i vjen lexuesit shqiptar, i përkthyer nga gjuha gjermane është disertacioni shkencor për gradën “Doktor i Shkencave”, i referuar në vitin 1937, që plotësohet në diturinë e Historisë dhe të Arkeologjisë”, por me një marrëdhënie të jashtëzakonshme me shumë dije të tjera.

Libri i titulluar “Topografia dhe rrjeta e rrugëve të Shqipnis në kohët e vjetra”, i botuar vite vonë gjalljes së Tahsin Janusit është kompleks, ndërsa leximi i tij është paksa i kualifikuar, pasi në gjithë vertikalitetin e punimit ka një referim të gjerësishmë dijesh të tjera, të cilat i dalin në përdorje autorit. Tahsin Janusi ka njohur mjaft mirë filozofinë dhe perimetrin e saj në dijet dhe në interpretimet që zakonisht referojnë gjeografia dhe toponomastika. Hapësirat dhe vendbanimet (fshatra, qytete, krahina, shtete etj), i lidhin rrugët nëpër të cilat lëviz dhe zhvendosen kohët, dijet, kulturat, aleancat dhe konfliktet, nëpër të cilat lëviz zhvillimi, thelbi i studimeve dhe aksiomave të filozofisë. Rrugët lidhin kulturat dhe civilizimet.

Duke depërtuar përmes njohjes, studimeve dhe hulumtimeve në autorët e vjetër, kronikat e luftërave dhe të lëvizjeve, shkencëtari Tahsin Jonuzi sjell në vëmendje dhe regjistron në një punim shkencor, i cili mbrohet në një nga vendet më të zhvilluara të kohës, emra të vjetër të toponomastikës së atdheut të tij, d.m.th të Shqipërisë. Kjo ka mjaft rëndësi për studimet albanologjike dhe konvencionet historiografike shqiptare.

Një trajtesë mjaft e rëndësishme dhe e qëmtuar me një qëllim strategjik nga shkencëtari Jonuzi është pjesa ku flitet për rrugët. Në historinë e gjurmimeve historike- shkencore të dijeve të përbotshme, hulumtimet dhe referimet që sjellin rrugët, janë më të rëndësishmet dhe më të begata, pasi përmes tyre vjen një burim i pashtershëm informacioni për lëvizjet e popujve, kulturave, ushtrive, pushtimeve, rrugët tregtare, tendencat e zhvillimit etj. Në këtë studim ka një binomëzim të rëndësishëm rrugë- histori, një shpërfaqje e historisë përmes emrave, pozitave gjeografike, një mundësi të dhënash mbi gjenezën, me anë të të cilave arrihet të krijohet një hapësirë lokale, rajonale dhe globale. Koha ka vërtetuar se atdheu i Tahsin Jonuzit mbeti në historinë e mendimit dhe të besimit si “Vija e Toedosit”, një nga zhvillimet historike, e cila krijoi një përplasje, por dhe një qasje tjetër të re (1054) të mendimit dhe të zhvillimit. Në këtë rast, mendimi i konsoliduar i dijes dhe përvojës se “rrugët të çojnë tek rrugët e historisë” është i përmbushur më së miri.

Studiuesi dhe dr. i shkencës Tahsin Jonuzi kishte një bazament të fortë formimi dhe studimi, interpretimi dhe përfytyrimi në punën e tij shkencore. Shkencëtari parashikon duke u mbështetur në argumentet dhe në shqisën që ai ka për të depërtuar në zonat e errëta të fushës hulumtuese. Në historinë e njerëzimit, të cilën dija historike e ka reflektuar në enciklopedi dhe kontribute të shumta shkencore, lumenjtë përbërë një shqisë të rëndësishme për të hulumtuar dhe për të shkuar në thellësitë e kohërave.

Tahsin Jonuzi shpërfaq një çështje të rëndësishme në punimin e tij mbi lumenjtë, të cilët janë parë në një konceptim të gjerësishëm, që nga emërtimet (nga gjeneza deri në gjendjen që i ka gjetur autori, evoluimi i emërtimit), jeta që është evidentuar anës së tyre dhe burimet jetike që ato kanë sjellë për popullsinë, raportet që popullsia ka krijuar me të, vendbanimet, nga njësi të vogla deri në qytete pranë lumenjve, që gjithësisht përbëjnë një “deltë” të rëndësishme komunikimi dhe të dhënash për historinë, kulturën, albanologjinë dhe vend – ngulmimet. Pikërisht këto gjurmë pashmangshmërisht çojnë në hulumtimet dhe dëshmi të tjera të mënyrës dhe nivelit të organizmit shoqëror apo të institucioneve që u krijuan nëpër kohë të ndryshme. Në një marrëdhënie dhe informim të tillë të çojnë dhe të dhënat që sjell studimi mbi liqenet, pra burimet ujore, që shkojnë në kohët e lashta ilirike për të ardhur deri në shqetësimin shkencor të dr. Janusit.

Në punimin doktorial të Jonuzit është dhe çështja e krahinave, një çështje që siç dhe mund të kuptohet ka absorbuar një reflektim të madh dijesh historike, por dhe etnologjike dhe ligjeve sociologjike. Nëse këto hapësira kohore dhe njerëzore janë të tilla, në këtë rast për dijen tonë të hershme dhe të sotme, ka një rëndësi të madhe qasja dhe hulumtimi mbi identitetin  e kësaj hapësire jetike, që me të drejtë prof. Kabo e quan “incesti antropologjik” e referuar ndryshe me mbajtjen e lidhjes si komunitet njerëzor që i takon një lidhjeje natyrore si familje, farefisni dhe fis.

Këto referime të hershme, në mënyrë dialektike dhe filozofike kërkojnë një numër të konsiderueshëm përgjigjesh për pyetje mbi komunikimin, mënyrën e jetesës, lëvizjeve, marrëdhëniet me popujt e tjerë, kushtet rrethanore, ç’mbeti dhe ç’humbi nga ajo kohë dhe të tjera. Kjo sprovë ka çuar në një informacion të rëndësishëm për strukturën e fiseve të caktuara, në hapësirën tjetër hulumtuese nga autori, të cilës ai nuk i është shmangur kurrsesi, raporteve të popuj – fiseve me historinë, të cilin e ka çuar të merret dhe të referojë jo pak autorë antikë.

Natyrisht, depërtimi në historinë, kryesisht të fiseve, pasi një organizim i tillë social është i qëndrueshëm në historitë e popujve në përgjithësi, ka krijuar mundësinë për të dhënë    marrëdhëniet, strukturën e organizmit, shtrirjen e tyre, kufijtë, që në jo pak raste e tejkalojnë dhe kufirin shtetëror, me ç’rast autorit i krijohet mundësia për të elaboruar mjaft burime dhe teza që ai i ka ngritur mbi fakte dhe burime preferenciale, por dhe mjete të tjera të dijeve shkencore.

Dr. Jonuzi ka shfrytëzuar mjaft mirë referimet dhe interpretimet e gjerësishme historike, etnologjike, antropologjike, gjenetike dhe etnokulturore që vijnë përmes oronimeve, (maleve), të cilët në historinë dhe në kujtesën e shqiptarëve (ilirëve) zënë një vend të rëndësishëm. Koncepti gjeografik, por dhe në raportet me shoqërinë dhe historinë e zhvillimit shoqërorë janë fondamental në historinë e vendit të Tahsin Jonuzit, që pashmangshmërisht ka çuar në identitetin historik, i cili përballon ndryshimet në sipërfaqe, pasi këto identitete ngjajnë me ujërat e nëndheshëm, të cilët nuk zhbëhen dot.

Përveç këtyre çështjeve në punim ka dhe çështje të tjera që janë atribut shkencor, që fatmirësisht arritën deri në ditët tona, me vlerë dhe rëndësi të rrallë etnokulturore. Libri referon çështje që lidhen fort me të vërtetat e lashta dhe ato historike të popullit tonë, me çështje të identitetit kombëtar, me qytetërime, me komunikime ndërshtetërore. Askush më mirë sesa dr. Tahsin Jonuzin nuk e përmbush definimin se “Atdheu duhet dhe përmes shkencës!”

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...