2021-11-16

Vepër madhore e gjuhës shqipe


 

Nga fillimi i vitit 1955,  gjatë mësimit të gjuhës ruse në vitin e 4-tv të gjimnazit, mësuesja, na shpjegoi  disa fjalë të urta që ndodheshin ne tekst. Midis tyre më kujtohet shprehja të cilën, për lehtësi të lexuesve, po e shkruaj me shkronja shqipe: ” U kogo kto bolit, tot pro to i govorit”. E përkthyer fjalë për fjalë, kjo shprehje në gjuhën shqipe është: “Ai që ndjen dhëmbje veç për të flet.”. Mirëpo në metodë ne, nxënësit,  lexuam shprehjen:” Ku dhëmb dhembi, vete gjuha”.

Ndonëse e përshtatur me fjalë krejt të tjera, shprehja e dytë ishte më kuptimplote dhe më domethënëse  se e para, aq më tepër se ishte dhe  shprehje e goditur frazeologjike,  e marrë  nga populli. Të tilla shprehje  në atë metodë, për fat të keq e dobët për të mësuar sado pak  mirë gjuhën ruse, ishin shumë të pakta, siç ishin  të pakta edhe tregimet, poezitë e shkrimtarëve të mëdhenj rusë, si dhe përrallat dhe legjendat  e krijuara nga populli rus në shekuj.

M’u kujtuan këto ngjarje, kur mora në duar “Fjalorin frazeologjik rusisht-shqip”, me 25160 shpehje frazeologjike të autorit të njohur në këtë fushë, pr. dr. Eshref Ymerit. Them i njohur, sepse  kjo vepër është vazhdë e “Fjalorit sinonimik të gjuhës shqipe” dhe të “Fjalorit frazeologjik italisht-shqip”, përgatitur me bashkautorë të tjerë.

Nuk më përket mua  të bëj krahasime, sepse çdo vepër ka vlerat e saj, por nuk di se përse më krijohet bindja se ky fjalor dëshmon edhe më shumë për autoritetin shkencor të  autorit në këtë fushë; ose ,me fjalë të tjera,  vepër që arrin nivel edhe  më  të lartë, krahasuar me fjalorët e mëparshëm  frazeologjikë.

Të qëmtotsh shprehje frazeologjike nga një gjuhë e huaj, dhe në rastin tonë nga rusishtja, kjo nuk është shumë e vështirë, sepse ato i gjen në fjalorë frazeologjikë të rusishtes, të cilat autori i ka kaluar nëpër duar dhe i ka shfrytëzur me durim dhe kujdes. Por që përballë tyre të vesh shprehje frazeologjike të gjuhës shqipe, kjo është punë që nuk kërkon vetëm durim dhe kujdes,  por edhe talent. Dhe Ymeri ia ka arrtur t’ia dalë mbanë kësaj detyre kaq të vështirë.

Po  rendis vetëm tre shembuj nga ky fjalor, (gjithnjë me shprehjet ruse të shkruara sipas alfabetit tonë):

“Dusha’ nje lezhit”. Fjalë për fjalë kjo shprehje përkthehet në shqipe: ”Zemra nuk shtrihet, (nuk qëndron)”. Nuk ka kuptim. Por autori, krahas kësaj shprehjeje ka vënë domethënien e saj në shqipe: “Nuk i ngjit në zemër,  s’ia ngroh zemrën,  nuk i qan zemra për dikë …”. (faqe 353);

“Bëit v Rime I ne videt papëi“.  Përkthimi :“ Të jesh në Romë dhe të mos shohësh papën”. Kuptimi: “Të shkosh për ujë dhe të mos shohësh burimin”; ose :”Të shikosh e ç’nuk të shikosh, por kryesoren të mos e dallosh”. ( faqe 746).

“Smotri u menja”. Përkthimi:”Më shiko mua”. Kuptimi: ”Shiko, mos guxo!”; ”Leri numrat me mua!”, (faqe 1099).

Vite më parë, kur bisedoja këtë profesor të nderuar, mësoja edhe të dhëna të jetës së tij. Mësoja për fëmijërinë të kaluar në fshatin e lindjes, Mesaplik të Vlorës, për vitet në gjimnazin e këtij  qyteti, për studimet e larta për gjuhë ruse në Universitetin e Leningradit, vetëm për dy vjet,  për kthimin në atdhe më 1961, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, për vazhdimin e studimeve, po për gjuhë ruse në  fakultetin e gjuhëve të huaja të Universitetit të  Tiranës, për mbarimin me sukses të mësimeve  dhe caktimin e tij pedagog në fakultetin e gjuhëve të huaja, për meritë të njohjes së mirë  të rusishtes….

Por a mund të quhet njëmend njohës i thellë i një gjuhe cilido që ka përfunduar shumë mirë lëndët e saj për 4 vjt në një fakultet të tillë?. Kurrsesi jo! Po të ishte mjaftuar  vetëm me atë njohje të rusishtes, Ymeri mund  të kishte mbetur një pedagog i mirë, sa për  t’u mësuar studentëve këtë gjuhë. Dhe vetëm kaq. Por  ai vazhdoi  me ngulmim  të thellonte njohuritë e tii në  këtë gjuhë, të kridhej në tunelet e minierës së saj së pashtershme,  jo vetëm duke dhënë leksione, jo vetem duke përkthyer nga rusishtja në shqip vepra letrare, duke përfshirë edhe autorë të mëdhenj, si Dostojevski, por edhe duke përkthyer nga shqipja në rusisht, duke vjelë nga pasuria e gjuhës shqipe fjalë edhe shprehje frazeologjike, i  ndihmuar edhe nga fakti se  ka origjinë fshatare. Jo vetëm kaq, por duke vjelë   shprehje të tilla edhe nga veprat më të mira  të autorëve tanë të traditës. Dhe me këtë pasuri të përvetësuar bukur mirë, që nga viti   1972 dhe deri më 2012, Ymeri  iu punës që shprehjet frazeologjike të shqipes t’i ballafaqonte me  shprehje të  një gjuhe aq të madhe si rusishtja.

Për probleme të mësipërme kam pasur rast të bisedoj, së pari me Sejfulla Malëshovën (1900-1971), që edhe sot mbahet jo vetëm si njohës i shkëlqyer i rusishtes, por edhe përkthyes nga rusishtja në shqip të autorëvë të mëdhenj klasikë rusë (kujtoni vetëm tregimet e pavdekshme të Gorkit në rini të tij), por edhe anasjelltas.

Rritur edhe ai në fshatin Malëshovë, pra njohës i thellë i gjuhës së krahinës së vet, ai, veç italishtes dhe frengjishtes, ishte edhe njohës i thellë i rusishtes,  të mësuar së bashku me xhaxhain tim, Reshat Këlliçi, gjatë viteve të qëndrimit dhe studimit në Bashkimin Sovjetik (1925-30…).

Kam pasur rast të bisedoj për këto ptobleme edhe me pr. Androkli Kostallarin, (1922-1992) edhe ai njohës i shquar i shqipes dhe rusishtes. Me të parin, Malëshovën,  këto biseda janë bërë deri më 1956, pra para se ai të internohej nga Enver Hoxha në Myzeqe, kur njohuritë e mia ishin të një studenti 18- vjeçar, i  dhënë  pas gjuhës shqipe, që mësonte me zell edhe rusishten,  kur ai më përsëriste se shqipja ka thesare të mëdha në fjalë dhe dhe shprehje  frazeologjike, të denja per rusishten dhe çdo gjuhë tjetër.

Por me Kostallarin puna ndyshonte, se kam biseduar me të, jo vetëm si student  i tij,  në  vitet 1955-1959,  por pastaj edhe si gazetar dhe shkrimtar, duke u ndalur   edhe  te    pasuria e madhe e “Fjalorit të   gjuhës shqipe”, (1980), ku,  sipas fjalëve, janë  përfshirë  shprehje frazeologjike,  meritë edhe e tij, si kryeredaktor.

Por për probleme të frazeologjisë së gjuhës shqipe gjatë viteve 1957-1960, kam pasur rast të bisedoj dhe të diskutoj edhe me  Galina Tregubovën, studente për gjuhë perendimore në Universitetin e Moskës,  e cila erdhi në fakultetin tonë për të mësuar shqipen. Dhe për dy vjet, me punë shumë këmbëngulëse, arriti që të hynte në brendësi të shqipes, madje edhe edhe  të dialekteve  të saj . E mahniste pasuria frazeologjike e saj. Vinte buzën në gaz kur i thoja shprehje të tilla: “Ka gisht   në këtë punë  ,”Ha bukë veç”, ” I shkon kungulli mbi ujë”’; “Me këmbë të lehta”;”Ka lindur para shejtanit”; ose fjalë të urta si: “Shiu i butë, lag të  marrë dhe të butë; ”Dy kunata në shtëpi, shtëpia mbetet pa fshi”; “Gojën qepur, këmbët lepur”; ” Si ma ke kalin që të ngordhi vjet?”,  “Borxhin s’e tret dheu”…





Kishte dëshirë që pas mbarimit të studimeve të punonte në një institut gjuhësor në Bashkimin Sovjetik dhe të studionte pasurinë frazeologjike të shqipes. Por u martua me një diplomat të Amabasadës Sovjetike në Tiranë, që më pas  u emërua me këtë detyrë në vend të tjera të Evropës.

Nuk di nëse Kostallari që u nda nga jeta më 1992, ka pasur si qëllim hartimin e  nje fjalori frazeologjik  rusisht -shqip, aq më tepër, që gruaja e tj ishte ruse. Por, po të ishte gjallë , duke qenë edhe njohës i mirë i italishtes, do ta përgëzonte Ymerin për  hartimin e fjalorit të parë frazeologjik  italisht shqip, dhe sidomos për hartimn e fjalorit të dytë  frazeologjik rusisht-shqip, për arsyen e thjeshte se ai ishte  diplomuar në Universitetin e Moskës, pikërisht në  gjuhësi, pra natyirsht edhe në   gjuhën ruse.

Në hyrjen që i bën këtij libri,  pr.dr. Hajri Shehu shkruan: “’Thonë se fjalorët janë librat më të mirë që mund të shkruhen për të tjerët. Ky Fjalor është libri më i mirë që është shkruar dëri tani në fushën e frazeologjisë dygjuhëshe, me kolonë të dytë shqipen. Në fjalor shqipja ballafaqohet me një gjuë të madh e të lëvruar si rusishtja, dhe frazeoogjia dygjuhëshe gjuhë e huaj-shqip pasurohet më shumë”.

Mbi të gjitha,  pas fjalëve të shoqëruara me shprehje përkatëse frazeologjike,  autotori, si në ”Fjalorin frazeologjik italisht- shqip”, ka renditur dhe shpjegime të karakterit historik dhe shoqëror, që i japin fjalorit edhe karakter enciklopedik.

Ky fjalor duhej të kishte tërhequr vemëndjen edhe të instituteve gjuhësorë të Rusisë, sepse dëshmon për krahasimin  serioz të  frazeologjisë së gjuhës ruse me gjuhën shqipe, nga më të lashtat  e Evropës.  Dhe kjo mund të bëhej nëpërmjet kanaleve diplomatike, ose më thjesht nga njoftime të Ambasadës së Rusisë në vendin tonë. Nuk duhej të ndikonte në këtë mes veprimtaria publicistike e pr. dr. Eshref Ymerit, sidomos për artikujt dhe punimet e tij, në të cilët  ka kritikuar ashpër  synimet e ethshme të krerëve të sotëm të Kremlinit, që ende  nuk njohin pavarësinë e Kosoves dhe që nëpërmjet Serbisë  përpiqen të ndërhyjnë  në punët e brendshme  të saj,  dhe  me   mënyra të ndryshme kërkojnë edhe të rrisin ndikimin e tyre në Ballkan. Politika nuk duhet të ngatërrohet me shkencën.

Në  mbyllje  të  këtyre shënimeve, besoj se specialistë të gjuhës ruse, veç pr. Dr. Hajri  Shehut, do të shkruajnë  për këtë vepër artikuj  më të hollësishëm dhe do të venë në dukje  vlerat e mëdha  shkencore të këtij fjalori, që zë një vend të rëndësshëm në fushën e gjuhësisë shqiptare.

NJË VEPËR SHKENCORE E AKADEMIK PROF. DR. ESHREF YMERIT:FJALOR FRAZEOLOGJIK ANGLISHT-SHQIP



Fjalor frazeologjik anglisht-shqip

Fjalor frazeologjik anglisht-shqip

Fjalorët japin tablo të ndryshme të gjuhës dhe, kur janë dygjuhësh, japin tablo të gjuhëve që ballafaqohen. Për pasojë, nëse një fjalor leksemor dygjuhësh është ndërkombëtar, sepse ka dy gjuhë, dy struktura gjuhësh, dy semantika dhe dy barasvlerës, një fjalor frazeologjik dygjuhësh është dyfish ndërkombëtar, për shkak të shtresës social-kulturore specifike. I tillë është edhe “Fjalori frazeologjik anglisht-shqip” i prof. dr. Eshref Ymerit, që jep një tablo të gjuhës angleze dhe të gjuhës shqipe. Është një tablo mjaft e gjerë sepse, siç dihet, njësitë frazeologjike (dhe fjalët e urta) janë jo vetëm mjet komunikimi, por edhe burim të dhënash për jetën social-kulturore (dhe materiale) të një populli. Edhe nga një vështrim i pjesshëm i këtij Fjalori shihet shtresa social-kulturore specifike e botës anglosaksone po edhe e jetës shqiptare, që e sjell barasvlerësi në gjuhën shqipe.

Fjalorët frazeologjikë hyjnë te fjalorët specialë (kësisoj, janë diferencues). Dhe sa më gjerë të konceptohet detyra e fjalorit frazeologjik, aq më i rëndësishëm është roli i tij si mjet i kulturës së gjuhës. Por, po kaq i vështirë është hartimi i tij. Në fjalorët frazeologjikë dygjuhësh, vështirësia më e parë është barasvlerësia. Sepse barasvlerësia nuk vjen me përkthim, por, siç do ta themi më tej, me gjetje.

Por te fjalorët frazeologjikë, në dallim nga fjalorët e përgjithshëm, ka edhe një vështirësi tjetër. Ajo lidhet, më së pari, me natyrën e njësisë frazeologjike. Autori i njeh mirë konceptin njësi frazeologjike dhe kufijtë e fondit frazeologjik të gjuhës angleze dhe të gjuhës shqipe – veçoritë strukturore tipologjike dhe përmbajtjesore figurative të njësive frazeologjike dhe variantet e tyre, funksionet e tyre gramatikore dhe kushtet e tyre përdorimore, pra, rolin e tyre komunikues-funksional.

Në këtë Fjalor, përveç shprehjeve frazeologjike të mirëfillta, përfshihen edhe fjalë të urta, proverba e fjalë fluturake, çka është në përputhje me konceptin mjaft të gjerë për frazeologjinë në leksikografinë angleze. P.sh., në Fjalor gjejmë proverba, si: long absent, soon forgotten larg syve, larg zemrës; when it is not of your business, keep your nose of it kur s’ke pula, mos bëj “ish!”! (kur s’ke pula, pse hahesh me dhelprat?); fool’s haste is no speed kush nxitohet, pengohet (kush e mban hapin shtruar, më larg ka për të shkuar); strain at a gnat and swallow a camel lë miellin e merret me krundet (i lirë në miell dhe i shtrenjtë në krunde); who keeps company with the wolves, will learn to howl kush fle me qenin (qentë), ngrihet me pleshta (kush shkon pas brumbullit, te plehu do ta shpjerë, më thuaj me kë rri, të të them se cili je), etj.

Proverbat, janë mjete gjuhësore që afrohen me frazeologjinë, ngaqë kanë përdorim të qëndrueshëm (për të karakterizuar ngjarje e ndodhi jetësore), kanë kuptim të figurshëm dhe shprehësi emocionale. Nga proverbat mund të vijnë fjalë të urta. Si për fjalët e urta, edhe për proverbat, përdoruesi e ka më të lehtë t’i kërkojë e t’i gjejë në një fjalor frazeologjik sesa në një fjalor të përgjithshëm gjuhësor.

Duke përfshirë në Fjalor edhe fjalë fluturake (p.sh., there is but one step from the sublime to the ridiculous (“madhështoren një hap e ndan nga qesharakja”, madhështia me absurditetin janë pranë e pranë)me origjinë nga frëngjishtja, me autor Napoleon Bonapartin), mendojmë se është vepruar drejt, sepse, duke u frazeologjizuar, fjalët fluturake e humbasin lidhjen e drejtpërdrejtë me tekstin nga janë formuar. Tashmë, janë me karakter të figurshëm dhe, si citate, janë modele të njohura letrare.Sa i përket cilësisë së Fjalorit, për këtë mund të gjykohet nga: 

1. zgjedhja e fjalësit. 

2. gramatika e fjalësit.

 3. barasvlerësia; 

4. përveçimi i dallimeve kulturore.

 5. shembullsimi.

Fjalori frazeologjik anglisht-shqip i prof. dr. Eshref Ymerit i ka zgjidhur të gjitha shkencërisht drejt e leksikografikisht qartë.

1. Fjalori është diferencues (Ai është fjalor frazeologjik dhe jo fjalor i përgjithshëm leksemor.) Dhe detyra e tij ka qenë përzgjedhja e njësi frazeologjike, gramatikisht dhe leksikografikisht drejt. Ato janë të gjuhës standarde (vetëkuptohet, bashkë me gramatikën e tyre) – edhe në anglishte, edhe në shqipe; kanë kuptim të mbartur e të figurshëm. Çfarë u tha më sipër, besojmë se e plotëson këtë vlerësim. Një krahasim i thjeshtë i disa njësive më poshtë në anglishte e në disa gjuhë të tjera, besojmë se e vërtetëson këtë: Ariadne’s clew (thread) / fil d’Ariadne (frëngjisht) / filli i Arianës; the heel of Achiles / talon d’Achile (frëngjisht) / thembra e Akilit; appetite comes with eating (nga frëngjishtja) oreksi vjen duke ngrënë; look for a needle in a haystak (stack of hay) kërkon gjilpërën në kashtë etj.

2. Në një fjalor dygjuhësh, barasvlerësia është një ndër vështirësitë më të para. Mund të vendoset, thuajse gjithnjë barasvlerësí përkthimore midis fjalive – gjuhë burimore – gjuhë përkthimore. Jo gjithnjë është e mundshme barasvlerësia midis njësive leksikore. Arsyeja? Dallimet gjuhësore dhe kulturore (p.sh., fjalët e përbëra ekzocentrike). Te shprehjet ekzocentrike (pra, tek idiomat), te njësitë frazeologjike, te fjalët e urta e te proverbat, dallimet gjuhësore (strukturore e semantike) e kulturore (kulturore-gjeografike, kulturore-historike etj.) janë edhe shumë më të mëdha. Atëherë, barasvlerësit idiomatikë, frazeologjikë etj. duhet të vijnë jo për nga tipologjia strukturore e thënies (sigurisht, kjo ka vlerën e vet), por për nga koncepti (si mjet leksiko-semantik) që përcjellin. Krahaso, p.sh., dy konceptet: make hay while the sun shines dhe rrihe hekurin sa është i nxehtë. Atëherë, barasvlerësia në një fjalor frazeologjik dygjuhësh është onomasiologjike dhe jo semasiologjike, është gjetje barasvlerësish konceptorë dhe jo thjesht transferim simbolesh, kuptimesh e motivimesh. Por, përveçse përmbajtjesore, barasvlerësia idiomatike, frazeologjike, proverbore etj. duhet të jetë edhe funksionale. Nuk mund të vlerësohet shkëputurazi përmbajtja e njësisë nga funksionimi i saj në gjuhë. Kjo do të thotë atëherë që barasvlerësit përkthimor i duhen krijuar kushte identike përdorimi me ata në mjedisin e saj të mëparshëm. Ky është përkthim frazeologjik ndërgjuhësor. Ky është përkthim i vërtetë. Dhe ky është përkthimi në “Fjalorin frazeologjik anglisht-shqip” të prof. dr. Eshref Ymerit. Aty ka gjetje barasvlerësish. Aty ka ndërkëmbim frazeologjik ndërgjuhësor. Kësisoj, ai është krejt i besueshëm. Shih, p.sh.: be between two fires është midis dy zjarreve; better late than never më mirë vonë se kurrë; fish in troubled waters peshkon në ujëra të turbullt; set the wolf to keep the sheep vë ujkun bari; thread breaks where it is the weakest peri këputet ku është më i hollë; with a stone kill two birds me një gur vret dy zogj. Shih barasvlerësit (fjalë të urta) e gjetur për fool wants his cloak in a rainy day: guna nuk qepet kur ka filluar lloha [langoi s’ushqehet ditën që del për gjah, s’shëndoshet (s’majmet) kau (pata) ditën që do të theret, ushqeji qetë para se t’i mbrehësh] etj.

Para barasvlerësit, autori jep në thonjëza motivimin strukturor ose kuptimor të njësisë së huaj. Është një lloj kalkimi në gjuhën shqipe. Kjo është shumë ndihmuese për përdoruesin e Fjalorit. Te njësia frazeologjike në origjinë janë dy kuptime: kuptimi aktual dhe kuptimi etimologjik (forma e brendshme, motivimi). Në aktin e ligjërimit, në plan të parë del kuptimi aktual. Kjo rrethanë bën, siç e përmendëm më parë, që të çsemantizohen gjymtyrët e saj përbërëse dhe shkallë-shkallë të harrohet forma e brendshme. Por në shumë njësi frazeologjike mund të njihet a të kuptohet forma e brendshme, sepse ajo mbështetet në togfjalëshin që e përbën atë. Forma e brendshme e njësisë frazeologjike (edhe e fjalës së urtë), domethënë, struktura e saj semantike është vetë përmbajtja konkrete. Dhe kjo përmbajtje i tregohet përdoruesit për t’i thënë: ja barasvlerësi, ja si motivohet ky barasvlerës. Nga pikëpamja psiko-linguistike, shpjegimi a kalkimi në thonjëza shton shumë  në njohjen dhe përvetësimin e të dy shënuesve ndërgjuhësorë.

Si në “Fjalorin frazeologjik rusisht-shqip” (2015) të prof. dr. Eshref  Ymerit, edhe këtu, në shtyllën e gjuhës shqipe kemi një fjalor të vërtetë sinonimik frazeologjik. Sinonimet – barasvlerëse të njësisë së huaj – në shqipe janë edhe përmbajtjesore, edhe funksionale. Për shembull, te gaunt (as gaunt) as bone: e ka qafën me një dell (është bërë bark e shpinë bashkë, është bërë për në plasë të derës, është bërë cipë e kockë,  është bërë kockë e lëkurë,  është me dy fije brinjë, i është bërë qafa fije peri, i ka hyrë shtati në shtat, i numërohen brinjët). Dhe te throw a mist before smb’s eyes: i hedh hi (pluhur, kashtë) syve, i hedh trutë e gomarit, e hedh kodër më kodër, ia shet sapunin për djathë, ia shet shkumën për ajkë, ia shet ujin e pusit për verë, e nis me shoshë për ujë, e vë në bisht të lugës) etj.; te fly on the wheel mbi dhjetë sinonime të tjera frazeologjike: e ka hundën të gjatë, e mban bishtin cakërr, i duket hunda dyfek, i kullot hunda lart, kapardiset si maçoku në thekër (si qeni në qerre, si gjeli majë plehut) etj.

Vargu sinonimik në gjuhën shqipe shkon deri mbi 40 njësi. Së pari, kjo tregon zhvillimin e vrullshëm të frazeologjisë shqipe; së dyti, tregon shkallën e zhvillimit të letërsisë artistike, publicistike etj.; së treti, tregon mundësitë për përdorimin stilistik të njësive frazeologjike; së katërti, tregon njohjen e thellë të sinonimisë frazeologjike të gjuhës shqipe nga autori. Në vargun sinonimik te kolona e shqipes, njësia e parë është barasvlerësi më i parë i njësisë së huaj. Sinonimet që e ndjekin atë, janë relative. Zgjedhja e tyre i takon përdoruesit të Fjalorit (le të themi, përkthyesit nga gjuha burimore) për kontekstin, që e kërkon ai.

3. Frazeologjia, në masë, i përket ligjërimit bisedor. Prandaj të gjitha njësitë frazeologjike mund të etiketohen si bisedore. Por ato përdoren në stile të ndryshme. Ka frazeologji me ngjyrim mospëlqyes; ka frazeologji të ligjërimit të shkujdesur; ka edhe frazeologji me burim ose me përdorim libror. Frazeologjitë kufizohen edhe nga figurshmëria. Atëherë, duhet njëfarë kujdesi në punë të ngjyrimit shprehës-emocional, kohësor-historik etj. Autori i ka shenjuar stilistikisht aty ku është dashur. Janë përdorur dy lloje shënimesh: a) gjuhësore: bisedore, librore, e vjetruar etj.; b) sociale: përçmuese, përbuzëse etj.

Fjalori është filologjik. Çdo njësi frazeologjike është glosë më vete. Kur janë variante, bashkohen në një glosë. Përbërja leksikore e njësisë frazeologjike, e fjalës së urtë etj. jepet e plotë (sipas fjalorëve të anglishtes standarde).

Renditja ka të bëjë me vendosjen e lidhjeve ndërmjet aksh frazeologjie me frazeologjitë e tjera në sistemin e gjuhës. Njësia (frazeologjike) mund të pasqyrohet aq herë, sa gjymtyrë ka (përveç fjalëve shërbyese). Vendosja sipas gjymtyrëve përbërëse na e sjell njëherësh të njëjtën frazeologji në grupe të ndryshme. Por kjo kërkon shumë hapësirë. Në një fjalor dygjuhësh, njohja e grupeve nuk vlen edhe aq shumë. Prandaj në këtë Fjalor renditja është bërë vetëm një herë: a) sipas boshtit semantik (shih, p.sh., te fjala battle); b) sipas gjymtyrës së parë (kur nuk është fakultative dhe kur nuk ka variant leksikor); c) sipas vokabulit, d.m.th. vetë njësisë frazeologjike.

Duke i përmbushur të gjitha kriteret e mësipërme, “Fjalori frazeologjik anglisht-shqip” i prof. dr. Eshref Ymerit, u përgjigjet më së miri kërkesave të përdoruesit, qoftë ky lexues i thjeshtë apo përkthyes. Kushdo që lexon, rilexon, përkthen e ripërkthen letërsi artistike, publicistike, fetare etj. nga anglishtja, do ta ketë tashmë në tryezën e tij të punës këtë fjalor si një ndihmëtar të veçantë.

Leksikografia lidhet ngushtë me zhvillimin e gjuhësisë dhe, para së gjithash, me zhvillimin e leksikologjisë, si shkenca për leksikun e gjuhës. Fjalorët frazeologjikë dygjuhësh të botuar deri tani, pasqyrojnë bindshëm arritjet në fushën e leksikografisë e veçmas, të frazeologjisë si disiplinë gjuhësore. Në këto arritje një vend të veçantë zënë tre fjalorët frazeologjikë të prof. dr. Eshref Ymeri, në një si bashkautor dhe në dy si autor i vetëm.

Në “Fjalorin frazeologjik anglisht-shqip” të tij studiuesve të frazeologjisë u jepen zgjidhje të caktuara shkencore në ballafaqimin anglisht-shqip. Etnolinguistët kanë përpara fushat konceptore e grupet tematike të frazeologjisë (edhe të leksikut) së gjuhës angleze e të gjuhës shqipe. Leksikografët shqiptarë kanë përpara një fjalor sinonimik frazeologjik te kolona e shqipes. Etnografët kanë përpara doket e zakonet angleze, të materializuara gjuhësisht. (shih, p.sh., të ashtuquajturën privacy)Kushdo që dëshiron të njihet me histori frazeologjizmash, fjalësh të urta, fjalësh fluturake etj., mund ta lexojë me ëndje në këtë Fjalor. Fjalorët janë zakonisht libra referimi dhe nuk lexohen. Por ky Fjalor mund të lexohet mu për këto histori, shpjegime e motivime jashtëgjuhësore. Shih, p.sh., te: Teddi boy qejfli huqesh (rrebesh, trillesh). Shpjegimi e motivimi jashtëgjuhësor: Teddy është shkurtim i emrit Edward. Shprehja e ka prejardhjen nga emri i mbretit anglez Eduardi VII (Edward VII  1841-1910), i cili dallohej për mënyrën origjinale të të veshurit. Teddy boys kanë qenë imituesit e tij në radhët e rinisë së viteve ’50 të shekullit të kaluar. Shih edhe te punic faith; Knights of the Round Table; There is but one step from the sublime to the ridiculous; Fortune’s wheel; put on the buskin(s); fools rush in where angels fear to tread; strain at a gnat and swallow a camel etj.

Anglishtja është gjuha e huaj nga e cila përkthehet më shumë në shqip dhe e cila mësohet më shumë në Shqipëri. Rrjedhimisht, fjalorët me anglishten janë më të përdorurit. Ky fjalor u vjen në ndihmë të gjithë përkthyesve, pedagogëve e mësuesve të gjuhës angleze dhe të gjithë studentëve dhe nxënësve që duan ta thellojnë njohjen e saj. Në mësim, edhe për të krahasuar, për të njohur ose për të gjetur universale frazeologjike (tipi hekuri rrihet sa është i nxehtë strike while the iron is hot) ose universale kuptimore, p.sh. përdorimin mbiemëror të emrave për të shënuar një njeri të dobësuar në trup te gaunt (as gaunt) as bone: është bërë fshikull [furde, furkë,  gisht, grep, gjethe, kërrabë,  kufomë, labot, lapër, laskar, lëkurë maceje, liktyrë, lipsanë, një dorë, një grusht, pe, petë, qiri, (si) bisht luge, shirit, shkarpë, (si) shkop, trëndelinë]. Si do të ishin korresponduesit e tyre në anglishte ose në një gjuhë tjetër?

Dhe në fund, nuk mund të rrimë pa vënë në dukje edhe përmasat e këtij Fjalori. Me rreth 1300 faqe, mijëra njësi frazeologjike, fjalë të urta e proverba angleze e mijëra barasvlerës shqip, “Fjalori frazeologjik anglisht-shqip” është një vepër madhore, që mund ta bënte vetëm dija e gjerë dhe vullneti i paepur i Prof. Dr. Eshref Ymerit. Me këtë Fjalor frazeologjia shqipe dhe leksikografia shqipe barabiten denjësisht me frazeologjinë angleze dhe leksikografinë angleze.(FLORIPRESS)

 

Akademik Prof.dr. Eshref Ymeri : Hyrje për fjalorin frazeologjik anglisht-shqip*

 




 





Shprehjet frazeologjike janë thesare të gjuhës. Në to  gjejnë pasqyrimin e vet historia e popullit, veçoritë e kulturës dhe mënyra e jetesës. Ato i japin lexuesit larminë e botës së mbartësve të gjuhës, sepse në kuptimin e tyre përcillen drejtpërsëdrejti rezultatet e përvojës kulturore të popullit. Si pasuri e gjuhës, ato krijohen me qëllimin që jo vetëm ta pasqyrojnë mjedisin ku populli jeton, por edhe për ta interpretuar, për ta vlerësuar dhe për të shprehur një qëndrim të caktuar ndaj tij.












          Në punën e vet, përkthyesi, duke studiuar shprehjet frazeologjike të dy gjuhëve, ka mundësi të ndjekë zhvillimin e shoqërisë në mjedisin e dy popujve, duke filluar nga lindja e traditave dhe e dokeve të tyre, deri në arritjet më të fundit në lëmin e shkencës dhe të teknologjisë bashkëkohore, si edhe të ballafaqojë natyrën origjinale të evolucionit të dy shoqërive të ndryshme.

          Shprehjet frazeologjike, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose tërthorazi, mbartin në vetvete informacion kulturor për botën, për jetën ekonomike dhe për problemet shoqërore të njerëzve. Në nivelin frazeologjik të gjuhës, vjen e ravijëzohet veçanërisht qartë lidhja e ndërsjellë e bagazhit kulturor të njeriut dhe e zgjedhjes së njërës ose tjetrës shprehjeje frazeologjike në një situatë të caktuar komunikimi.

          Me ndihmën e shprehjeve frazeologjike, të cilat nuk përkthehen fjalë për fjalë, por perceptohen përmes rikuptimësimit, del në pah aspekti estetik i gjuhës.

          Shprehjet frazeologjike të gjuhës angleze kanë zënë vend në gjuhën e folur dhe kanë përftuar një ngjyrim karakteristik anglez. Ato lidhen me traditat, me zakonet dhe me botëkuptimin e popullit anglez, si edhe me legjendat dhe me faktet historike nga jeta e tij.

          Gjuha angleze është njëra nga më të pasurat nga pikëpamja e strukturës frazeologjike. Siç rezulton nga pasuria frazeologjike e këtij fjalori, shprehjet e saj frazeologjike janë shumë të larmishme për nga semantika dhe forca e tyre shprehëse. Gjuha nuk është diçka statike, ajo është në zhvillim të përhershëm, duke u pasuruar ose duke i “konservuar” disa fjalë ose shprehje që kanë dalë nga sfera e përdorimit të përditshëm. Shprehjet frazeologjike të anglishtes, si të çdo gjuhe tjetër, janë jo vetëm pasqyrë e kulturës së popullit anglez dhe e reflektimit të realitetit, por edhe e shpërfaqjes së këndvështrimeve për botën mbarë, e mendësisë së tij, e karakterit të tij kombëtar, e traditave, e sistemit të vlerave që ai ka krijuar në rrjedhën e shekujve dhe e veçorive etnike që e karakterizojnë. Për nga natyra dhe krijimi, ato shërbejnë si një burim i drejtpërdrejtë të dhënash për mënyrën e jetesës dhe për veçoritë karakteristike të popullit anglez.

          Çdo popull ka diçka të vetën, diçka origjinale. Në shekullin tonë, kur mundësia e udhëtimeve nëpër botë është lehtësuar, vihet re se njerëzit e një vendi tjetër janë si gjithë të tjerët, se ata kanë po ato probleme fatkeqësish dhe gëzimesh, urrejtjesh dhe dashurish. Megjithatë, në një grumbull njerëzish të përzier, nuk ka ndonjë zor të madh për ta dalluar anglezin nga francezi, amerikanin nga gjermani, italianin nga shqiptari e kështu me radhë.

          Gjithsesi, shprehjet frazeologjike të çdo gjuhe janë pasqyrë e mbartësve të saj. Prandaj edhe pasuria frazelogjike e këtij fjalori është pasqyrë e popullit anglez. Në ballafaqim me pasurinë frazeologjike të gjuhës shqipe, lexuesi zbulon specifikën kombëtare të gjuhës angleze.

          Vlera kombëtare e shprehjeve frazeologjike qëndron në vërtetësinë e padiskutueshme të përmbajtjes së tyre. Si kurrfarë mjetesh të tjera të gjuhës, ato përthithin historinë e mbarë kombit, veçoritë e kulturës dhe të mënyrës së jetesës, ngjarje të shënuara në jetën e vendit, traditat e popullit, disa prej të cilave edhe mund të mos ekzistojnë më, por që janë ruajtur në thesaret e gjuhës.

          Ekzistojnë disa burime të pasurimit të shprehjeve frazeologjike të anglishtes. Por burimi që bie më shumë në sy është letërsia artistike. Në saje të veprave artistike të shkrimtarëve dhe të poetëve, si të Britanisë së Madhe, ashtu edhe të vendeve të tjera anglishtfolëse, gjuha angleze numëron në ditët tona një sasi të madhe shprehjesh frazeologjike.

          Veprat e Shekspirit, të këtij klasiku të madh të kulturës angleze, siç vihet re edhe në këtë fjalor, janë njëri nga burimet më të rëndësishme për nga numri i shprehjeve frazeologjike që kanë pasuruar gjuhën angleze.

           Kontributi i Shekspirit, si një dramaturg i madh, në lëmin e pasurisë frazeologjike së gjuhës angleze, është i konsiderueshëm dhe i paçmuar. Kjo për arsye se shumë shprehje të goditura frazeologjike, nga gjuha e veprave të shkrimtarit, kanë kaluar në gjuhën kombëtare, çka dëshmon për gjenialitetin linguistik dhe për popullaritetin e tij kolosal.

          Shprehjet frazeologjike që Shekspiri ka krijuar në të gjitha veprat e veta, kanë hyrë përfundimisht në indin e gjuhës letrare dhe të folur dhe tani ato mund të konsiderohen si idioma tradicionale të saj. Veprat e Shekspirit janë burimi më i pasur, pas Biblës, i idiomatikës angleze.

          Kontribut të shquar në pasurimin e shprehjeve frazeologjike të anglishtes kanë dhënë edhe mjaft shkrimtarë të tjerë anglezë, si Çarlz Dikensi, Gollsuorthi, Valter Skoti, Xhon Mltoni, Xhonatan Suifti dhe shumë të tjerë.

          Në pasurinë frazeologjike të gjuhës angleze vihen re edhe huazime brendagjuhësore. Është fjala për huazime nga anglishtja amerikane, australiane, irlandeze, kanadeze dhe neozelandeze. Domosdo që më të shumta janë huazimet nga anglishtja amerikane (paçka se shprehjet frazeologjike, të krijuara nga shkrimtarë amerikanë, në krahasim me ato të shkrimtarëve anglezë, janë të pakta) dhe pas tyre vinë ato nga anglishtja australiane. Tek-tuk bien në sy huazime nga anglishtja irlandeze, kanadeze dhe neozelandeze.

          Huazimet ndërgjuhësore, domethënë shprehjet frazeologjike, të huazuara nga gjuhë të huaja përmes njërës ose tjetrës mënyrë përkthimi, janë një dukuri që haset shpesh në gjuhën angleze.

          Huazime të tillë vihen re sidomos nga frëngjishtja. Kjo për arsye se kjo gjuhë, si gjuha më me autoritet e Evropës Perëndimore në shek. XVII-XVIII, fill pas latinishtes, e pati shtuar ndikimin roman mbi zhvillimin e frazeologjisë ndërkombëtare, duke luajtur një rol të konsiderueshëm mbi formimin jo vetëm të gjuhëve evropianoperndimore, por edhe të gjuhëve të tjera të Evropës.

          Si në gjuhën angleze, ashtu edhe në gjuhë të tjera, një pjesë e caktuar e shprehjeve frazeologjike të huazuara përcillet përmes kalkimit. Galicizmat e përkthyera patën një përdorim të gjerë edhe në anglishten e folur, edhe në anglishten e shkruar, si, fjala vjen:

affaire de cœur - affair of the heart (çështje zemre, punë dashurie, intrigë dashurore),

brûler la chandelle par les deux bouts - burn the candle at both ends (“e ndez qiriun nga të dyja anët”, bën jetë të shfrenuar, e kalon jetën yrrja-byrrja, e ngrys jetën nëpër darka e dreka, jepet pas qejfeve, zdërhallet nëpër gostira, e shkatërron jetën me duart e veta).

          Një pjesë e mirë e kalkeve frazeologjike nga frëngjishtja, erdhën e u asimiluan në mjedisin e anglishtes, duke e humbur lidhjen me gjuhën burimore dhe duke përftuar statusin e proverbave dhe të fjalëve të urta. Këtu mund të përmendim disa prej tyre :

c’est le premier pas qui coûte - it is the first step that costs (is difficult) (çdo fillim është i vështirë, vetëm hapi i parë është i vështirë, fillimi i mbarë është gjysma e punës).

chercher une aiguille dans une botte de foin - look for a needle in a bottle of hay [kërkon gjilpërën në kashtë (në  bar, në mullar), prashit (mih, lëron) në ujë, prashit në të thatë, numëron qimet (fijet) e postiqes].

 l’appétit vient en mangeant - appetite comes with eating (oreksi vjen duke ngrënë).

les mariages se font dans les cieux - marriages are made in heaven [burrin (gruan) ta ka taksur Zoti; martesa është e shkruar].

si jeunesse savait, si viellesse pouvait - if youth but knew, if age but could [sikur rinia të kishte dijeni (aftësi), kurse pleqëria - mundësi].

Kur bëhet fjalë për proverba dhe për fjalë të urta, nuk mund të anashkalohet fakti që shumë kalke të anglishtes nga frëngjishtja lidhen me gjuhën burimore, me zanafillë latinishten. Ja disa shembuj:

finis coronat opus (lat.) - la fin couronne l'œuvre (fr.) - end crowns the work (fundi i vë kapak punës).

nil novi sub luna (lat.) - rien de nouveau sous le soleil (fr.) - nothing new under the sun (s’ka asgjë të re në këtë botë).

procul ex oculis, procul ex mente (lat.) - loin des yeux, loin du cœur (fr.) - out of sight, out of mind (larg syve, larg zemrës).

quot capita, tot sententiae (lat.) - autant de tête, autant d'avis (fr.) - many men, many minds (mendja mendjes nuk i ngjan; sa kokë, aq mendje; secili ka mendjen e vet).

Veç kësaj, në jetën e përditshme të anglezëve dhe të francezëve ekzistojnë një sërë shprehjesh-kalke fluturake, me zanafillë latinishten, kuptimi i vërtetë i të cilave del në pah vetëm kur njihesh me mitin përkatës, me gojëdhënën ose me faktin historik. Le të ndalemi në shembujt e mëposhtëm:

corne d'abondance (fr.) - horn of plenty [“briri i begatisë”, burim bollëku (mirëqenieje, pasurie)].

fil d'Ariadne (fr.) - Ariadne's clew (thread) (“filli i Arianës”, rrugë shpëtimi).

pomme de discordе (fr.) - an apple of discord [“mollë sherri”, shkak grindjeje (mosmarrëveshjesh, përçarjeje, sherri)].

talon d'Achille (fr.) - the heel of Achilles [thembra e Akilit (e dikujt)”, pika e dobët e dikujt].

victoire à la Pyrrhus (fr.) - a Pyrrhic victory (“fitore si e Pirros”, fitore me humbje të jashtëzakonshme, fitore e barasvlershme me disfatën).

Më të pakta janë huazimet nga gjermanishtja dhe, shumë rrallë, në ndonjë rast të vetëm, mund të vihet re edhe ndonjë huazim nga arabishtja dhe nga kinezishtja.

Si tjetër burim i rëndësishëm për pasurimin e shprehjeve frazeologjike të anglishtes shërben Bibla. Ajo ka pasuruar me shprehje frazeologjike jo vetëm anglishten, por edhe shumë gjuhë të tjera të botës. Dhe këtu s’ka asgjë për t’u habitur, sepse besimi dhe përgjithësisht doktrina fetare kanë pasë luajtur një rol të konsiderueshëm gjatë gjithë historisë së Britanisë së Madhe. Bibla, gjatë shekujve, ka pasë qenë libri më i lexuar dhe më i cituar në Angli. Jo vetëm fjalë të veçanta, por edhe shprehje të tëra idiomatike, patën hyrë në gjuhën angleze nga faqet e Biblës.

Anglia, siç dihet, është një “rezervat” gjigant i traditave dhe i dokeve të vjetra, të cilat ruhen dhe nderohen me kujdes për shekuj me radhë. Ato pasqyrojnë plotësisht tablonë botëkuptimore të popullit të saj me bindje konsevatore, i cili e shfaq hapur atdhetarinë dhe frymën kombëtare. Anglezët janë populli më enigmatik. Ata janë të përmbajtur në emocione, si në publik, ashtu edhe në rrethin e ngushtë familjar. Kërshëria karakteristike e tyre ka bërë që ata të njihen me gjërat më të mira nga ato që zotërojnë popujt e tjerë. E megjithatë, ata u kanë mbetur besnikë traditave të tyre. Ata e vlerësojnë lart hapësirën personale, e cila në gjuhë përcillet me termin e posaçëm “privacy” (gjë personale). Anglezët parapëlqejnë të mbajnë distancë kur komunikojnë me dikë. Shtëpia dhe familja për anglezin janë vlera fundamentale, çka shprehet fare qartë në proverbin “my house is my castle” (në shtëpinë time jam vetë zot, në shtëpinë time bëj si dua).

Të gjitha dukuritë e lartpërmendura të jetës angleze kanë gjetur pasqyrimin e vet në pasurinë e shprehjeve frazeologjike. Prandaj është e pamundur ta zotërosh anglishten, pa prekur pasurinë e shprehjeve frazeologjike, sepse pa zotërimin e tyre është shumë e vështirë të hysh në bisedë me një përfaqësues të kulturës britanike, sidomos kur nuk ke si rezervë disa nga shprehjet më të përdorshme të fondit frazeologjik.

Përkthimi i shprehjeve frazeologjike është një punë fort e vështirë. Kjo për arsye se ato i përkasin një stili të caktuar ligjërimor dhe mbartin në vetvete një karakter të theksuar kombëtar, aq më tepër që anglishtja është një gjuhë idiomatike.

Në këndvështrimin e përkthyesit, shprehjet frazeologjike ndahen në dy grupe. Në grupin e parë përfshihen ato shprehje që i kanë barasvlerësit në gjuhën përkthimore, kurse në grupin e dytë hyjnë shprehjet që nuk i kanë barasvlerës të tillë. Dihet që barasvlerësit mund të jetë të plotë dhe të pjesshëm. Me barasvlerës të plotë nënkuptohen ato shprehje frazeologjike, të cilat përputhen me shprehjet frazeologjike të anglishtes për nga kuptimi, për nga përbërja leksikore, për nga ana figurative, për nga ana stilistikore dhe për nga struktura gramatikore. Por duhet theksuar se shprehje të tilla të anglishtes nuk janë të shumta në ballafaqim me shqipen. Le të sjellim disa shembuj nga fjalori:

armed to the teeth - i armatosur deri në dhëmbë.

be between two fires - është (gjendet, ndodhet) midis dy zjarreve

better late than never - më mirë vonë se kurrë

find a common language with smb - gjen gjuhën e përbashkët me dikë

fish in troubled waters - peshkon në ujë të turbullt.

have (got) one foot in the grave - është me një këmb në varr

in other words - me fjalë të tjera

kill time - vret kohën

lies have short legs - gënjeshtra i ka këmbët të shkurtra

set the wolf to keep the sheep - vë ujkun bari

thread breaks where it is the weakest - peri këputet ku është më i hollë

walls have ears - muret kanë veshë

with a stone kill two birds - me një gur vret dy zogj (bën një udhë e dy punë)

Siç shihet nga shembujt e mësipërm, në strukturën e çdo shprehjeje frazeologjike të anglishtes dhe të barasvlerësit të saj në gjuhën shqipe, është e njëjta vatër kuptimore.

Problem serioz për përkthyesin përbëjnë ato shprehje frazeologjike që përcjellin tradita gojëdhënore, që lidhen me doket e vjetra dhe me fakte nga mënyra e jetesës së popullit anglez. Për përkthimin e saktë të shprehjeve të tilla, sidomos të atyre të stilit të zhargonit gjatë përkthimit të letërsisë artistike, përkthyesit i duhet të konsultohet paraprakisht me fjalorë frazeologjikë dhe sidomos me fjalorë idiomatikë të anglishtes, duke arritur shkallë-shkallë deri në zotërimin e fondit të saj frazeologjik.

Le të ndalemi në përkthimin e disa shprehjeve të tilla të vështira:

let the world wag (as it will) - “lëri njerëzit të dërdëllitin (si të kenë qejf)”, gojës së botës s’i vë dot peshqir, fjalët e hallkut e vrimat e gardhit s’mbyllen kurrë.

live on borrowed time - jeton me kohë (me ditë) “borxh”, i ka ditët të numëruara.

saw wood zharg - “sharron pyllin”, bën gjumin e ariut, e bën gjumin top, gërhet për shtatë palë qejfe.

the old woman is picking her geese - “plakushja u shkul pendët patokëve të vet”, po bie borë.

Dihet që struktura e shprehjeve frazeologjike përbëhet, të paktën, prej dy fjalësh. Por në këtë fjalor, në tre raste, hasen fjalë të vetme në rolin e shprehjeve frazeologjike. Ato janë renditur në fjalor për arsye se kuptimi i tyre në gjuhën shqipe përcillet me shprehje frazeologjike. Këto tri fjalë janë :

astonishing! - çudi e madhe! mbetesh pa mend! të lësh mendjen!

nicely! - të lumtë!

true! - ashtu është! është e vërtetë! s’e luan topi!

Duke pasur parasysh shkallën e vështirësisë së përkthimit të shprehjeve frazeologjike të anglishtes, mund të mendohet se është e pranueshme edhe njëfarë përshtatjeje në gjuhën shqipe. Por autori nuk e ka parapëlqyer përshtatjen. Ai është munduar të qëmtojë barasvlerësit frazeologjikë të gjuhës shqipe që i përgjigjen mundësisht sa më shumë kuptimit të shprehjeve frazeologjike të gjuhës angleze.

Shprehjet frazeologjike këtu janë të renditura alfabetikisht. Në fillim jepen shprehjet frazeologjike që fillojnë me vatrën kuptimore. Le të marrim si shembull disa shprehje me vatrën kuptimore time (kohë):

TIME ■ time after time - 1. herë më herë, herë pas here, kohë pas kohe, në mënyrë të përsëritur. 2. sa herë.

time and tide wait for no man - koha nuk pret, nuk ka kohё, koha s’premton, duhet vepruar sa mё shpejt (me urgjencё), punën e sotme mos e lër për nesër. Fjala tide këtu përdoret në kuptimin e saj të vjetruar kohë.

time and (time) again - një e dy, një më dy, në mënyrë të përsëritur, orë e çast, orë e minutë, pa pushim, përsëri e përsëri, sot e gjithë ditën, sot e mot, shumë herë.

times are bad for them - për ta kanë ardhur kohë të vështira.

Mandej vazhdon renditja me përbërësit e tjerë, po alfabetikisht, që i paraprijnë vatrës kuptimore time.

a dozen times - dhjetë herë, në mënyrë të përsëritur.

a short time after - pak kohë pas.

about time - më në fund. Përdoret si shprehje kënaqësie me rastin e realizimit të diçkaje të shumëpritur.

abreast of (ose with) the times - me hapin e kohës, në një hap me kohën, pa mbetur prapa jetës.

after a short time - pas pak kohe.

against time - 1. shumë shpejt, me revan të madh. 2. brenda një afati të shkurtër (një afati minimal).

Një renditje e tillë është bërë me qëllim  që përkthyesi ta gjejë me lehtësi shprehjen që i intereson.

Kur qëllon që në strukturën e shprehjeve frazeologjike shërbejnë si vatra kuptimore emra që kanë tema të ndryshme në numrin njëjës dhe në numrin shumës, atëherë ata janë marrë si vatra kuptimore më vete. Si shembull mund të shërbejnë emrat foot (këmbë) dhe feet (këmbët), tooth (dhëmb) dhe teeth (dhëmbët).

Disa shprehje frazeologjike të anglishtes kanë si barasvlerës një vargan të tërë shprehjesh frazeologjike të shqipes, të cilat formojnë vargje sinonimike me ngjyrime të ndryshme stilistikore. Gjatë përkthimit të letërsisë artistike, në varësi të kontekstit, përkthyesi mund të përzgjedhë shprehjen më të përshtatshme.

Për një sërë shprehjesh frazeologjike, në përkthim jepet motivimi i krijimit të tyre, që përcillet me një shpjegim etimologjiko-enciklopedik, çka, në këndvështrimin e autorit, përbën një informacion me vlera kulturore.

          Nga krahasimi i pasurisë frazeologjike të të dyja gjuhëve në këtë fjalor, rezulton se shqipja ka një thesar jashtëzakonisht të pasur me shprehje frazeologjike. Prandaj ajo mund të ballallafaqohet denjësisht me  pasurinë frazeologjike të çdo gjuhe tjetër, siç ka dalë në pah në Fjalorin frazeologjik italisht-shqip (me autorë Naim Balla, Irena Lama, Eshref Ymeri, botim i Shtëpisë Botuese “EDFA”, Tiranë 2007), dhe në Fjalorin frazeologjik rusisht-shqip (botim i Shtëpisë Botuese “Bota Shqiptare”, Tiranë 2015).

--------------------------

          *Fjalori, me parathënie të Prof.dr. Hajri Shehut dhe pasthënie të Prof.dr. Rami Memushajt, zë një vëllim prej 1254 faqesh dhe përmban 25 440 shprehje frazeologjike. Është botim luksoz i Studios Intergrafika, me drejtor Eduard Shima, dhe e ka vënë në qarkullim Shtëpia Botuese “Bota Shqiptare”, me drejtor Genti Gjonaj. Tiranë 2019.

 

                                                      

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...