2023-06-06

GABRIEL Escobari dhe MIROSLAV Lajçaku tre kërkesa për Kosovën, Albin Kurti nuk i pranon

 

Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog ishin tri kërkesat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Miroslav Lajçak dhe ai i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar mbrëmjen e së hënës u takuan me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, ku temë diskutimi ishin kërkesat e ndërkombëtarëve për Kosovën, që nuk u pranuan nga Kurti.

“Ne e prezantuam një propozim në emër të komunitetit ndërkombëtar që përmban tri elemente. Kishim bisedime të gjata, të sinqerta dhe të vështira. Nëse do të kishim marrëveshje do ju tregoja”.

Përkundër që janë paralajmëruar pasojat, nuk u komentuan nga të dërguarit. Derisa për kushtet e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje tha se do të diskutohet në takimin e së martës që do kenë me ta.

“Nuk kam parë kurrë kaq shumë unitet brenda komunitetit transatlatnik. SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim. Kështu që shpresoj të dëgjohemi”.

Bashkimi Evropian po punon edhe në organizimin e një takimi në kuadër të dialogut në nivel të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuciç.

Escobar dhe Lajçak të martën takojnë edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe liderët e partive opozitare.

2023-06-05

Komisioni i hetimit të Covid nxit qeverinë britanike ‘të thotë të vërtetën’

 

Anëtarë të komisionit të parë publik të hetimit të reagimit ndaj Covid-19 në Britani kanë nxitur sot qeverinë të thotë të vërtetën pas tentatives se ndalimit të publikimit të dokumentacionit.

“Nëse nuk do të arrijmë te e vërteta, nuk do të kemi rekomandimet si të shpëtojmë jetë dhe gjithçka do të ketë shkuar dëm”, tha Elkan Abrahamson, avokati përfaqësues i familjarëve të viktimave të Covid-19.

Qeveria britanike tha javës që shkoi se do të sfidojë ligjërisht publikimin e dokumenteve të hetimit për trajtimin prej saj të pandemisë Covid.

Zyrtarët qeveritarë kanë njoftuar se po kërkojnë një rivlerësim gjyqësor të urdhrit të gjykatëses Heather Hallett për dorëzimin e të gjithë korrespondencës.

Në veçanti ata kundërshtojnë publikimin e mesazheve të paredaktuara në rrjetin WhatsApp, dhe të shënimeve të ish-kryeministrit Boris Johnson.

Johnson është kritikuar gjatë kohës së emergjencës shëndetësore për reagim neglizhent ndaj numrit të madh të të vdekurve.

Ministrat akuzohen gjithashtu se kanë dhënë kontrata të furnizimit me pajisje mbrojtëse e kurimit të Covid për miq e klientë të tyre, duke shkelur udhëzimet e qeverisë.

Në një letër për gjykatësen Hallett thuhet: “Kabineti qeveritar kërkon një rivlerësim gjyqësor”.

“Ne e bëjmë këtë me keqardhje dhe me sigurinë e bashkëpunimit të plotë me hetimin sipas juridiksionit të gjykatave”.

Në letër shtohet se nëse fitohet rivlerësimi, do të shqyrtojë “ndalimin e publikimit të mesazheve e dokumenteve që nuk kanë lidhje me çështjen në hetim, siç janë komunikimet personale të anëtarëve të qeverisë”.

Por Hallett thotë se është detyra e saj të vendosë për hetimet dhe akuzon qeverinë se po përpiqet të mbulojë faktet

Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung : Politikat e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit, në përputhje me planet serbe për destabilizimin e rajonit!

 

Një prej gazetave më të njohura gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung hedh hije të forta dyshimi në një artikull të saj lidhur me lëvizjet e fundit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili u fajësua nga perëndimi se i hodhi benzinë zjarrit në veri të vendit me përpjekjen për të kontrolluar përmes policisë hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në zyrat komunale atje.

Shkrimi i përgatitur nga Michael Martens, i cili e pati intervistuar Kurtin para disa muajsh, konsiderohet mjaft i rëndë, e kjo shihet që tek titulli: “Kush po bën lojë të gabuar në Kosovë?”

“Politikat e kryeministrit kosovar Kurti janë në përputhje me planet serbe për destabilizim të rajonit”, ka shkruar mes të tjerash Martens, në një pohim mjaft të ashpër, të cilin tenton ta argumentojë duke treguar sesi një konflikt i ri në ‘oborrin ’ e Europës Juglindore është gjëja e fundit që i duhet Perëndimit aktualisht.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dëshiron të përdor gjithë pushtetin e tij për të siguruar monopolin e shtetit në përdorim të dhunës në veri. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, qeveria e të cilit nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, dëshiron ta pengojë një gjë të tillë, dhe ka qenë goxha e suksesshme deri tani. Megjithatë, Kurti, në mënyrë të panevojshme, po ia bën të gjithë këtë mjaft të lehtë”, theksohet në shkrim.

Autori përmend marrëveshjen e vitit 2013, që parashikon edhe krijimin e Asociacionit përveç integrimit të serbëve të veriut në institucionet e Kosovës. Ai mendon se Kurti po e pengon krijimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë me “arsyetime pjesërisht të dobëta”.

“Përveç faktit që enklavat serbe në jug, të rrethuara nga vendbanime shqiptare, nuk mund të shkëputeshin lehtë nga pjesa tjetër e Kosovës, vetë qeveria kosovare ka fuqinë t’ia heqë lehtësisht këtë instrument Vuçiçit. Modelet e një Asociacioni sigurisht që janë të imagjinueshme e ato do t’i mundësonin pakicës serbe të vetëqeverisej në masë të madhe pa rrezikuar shtetin Kosovar”, argumenton Martens.

Sipas tij, duke e refuzuar edhe vetë idenë e një Asociacioni serb të komunave, Kurti po ia bën më të lehtë planin Vuçiçit për destabilizimin e Kosovës dhe për t`ia hedhur fajin Prishtinës për një gjë të tillë. “Kjo nuk është në interes të Kosovës, dhe as të Perëndimit”, shkruan ai.

Rexhep Taip Erdogan -Nisen trupat e KFOR_it turk në Kosovë

 

Ministria turke e Mbrojtjes ka konfirmuar sot nisjen e një numri të ushtarëve turq në Kosovë, për të përforcuar misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.

Përmes pamjeve të publikuara në Twitter, autoritetet turke bëjnë me dije se pas ngjarjeve të fundit në Kosovë, batalioni i Brigadës 65 të Mekanizuar të Këmbësorisë, është nisur drejt Kosovës.

Erdogani është shprehur në lidhje me zhvillimet në veri se e vetmja rrugë për të vendosur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në rajon është avancimi i procesit të dialogut. Ai nënvizoi po kështu se Turqia është e gatshme të kontribuojë për këtë proces. Pas përshkallëzimit të situatës në 29 maj në Zveçan, mbetën të plagosur 30 pjesëtarë të KFOR dhe 52 protestues. Dhuna e nxiti NATO-në të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që ndodhen tashmë atje, e të përgatitet edhe për dislokimeve të tjera të mundshme.

albin Kurti: Kërkojnë ndarjen e Kosovës, duan ta realizojnë me dhunë!


Në kohën kur situata ende nuk është shtensionuar në veri të Kosovës, duke detyruar të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar e Miroslav Lajcak të rinisjen ecejaket diplomatike në rajon, Albin Kurti, përmendi sërish idenë e shkëmbimit të territoreve duke thënë se kjo çështje ka qenë pjesë e bisedimeve për ndarje të Kosovës.

Teksa kërkoi ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë për qetësimin e situatës, Kurti insistoi se një projekt i tillë, edhe pse i dështuar, duket se po kërkohet të realizohet përmes dhunës.

”Janë tre kategori që po i bëjnë këto trazira sepse po e shohin që Kosova është shtet, që Kosova ka polici profesionale që ne jemi vend demokratik që po zhvillohemi, ndërsa ata duan ndarjen e saj, duan copëtimin e Kosovës, ky është synimi i qartë i tyre”, u shpreh ai në një intervistë për TheGeopost.

Kurti u shpreh se kjo ide kishte nxitur edhe disa shqiptarë të merreshin me të.

”Shkëmbimi territorial ka qenë emërtimi për ndarjen e Kosovës i cili do t’i joshte edhe disa shqiptarë që ta pranonin”, tha ai.

“Ata nuk kanë hequr hequr dorë nga kjo ide, e cila mund të zbatohet vetëm përmes dhunës. Dikur mund të vinte përmes bisedimeve, por sot kjo mund të ndodhë vetëm përmes dhunës, ndaj na nevojitet ndihma e partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, NATO-s, Mbretërisë së Bashkuar e kështu me radhë”, është shprehur kryeministri kosovar.

Ai shtoi se Rusia është e interesuar për destabilizimin e Ballkanit sepse vetëm në këtë mënyrë ajo mund ta shmangë vëmendjen nga kriza e brendshme që ka, sepse asnjë popull nuk mund të qëndrojë gjatë pa liri.

2023-06-04

“Vuçiç, ik”/ “Serbia kundër dhunës!”

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në kryeqytetin e Serbisë të shtunën për të pestën herë në një muaj, pas dy vrasjeve në masë që tronditën kombin, ndonëse presidenti populist i vendit hodhi poshtë çdo përgjegjësi për krizën dhe injoroi kërkesat e protestuesve për të dhënë dorëheqjen.

Turma, duke brohoritur parulla kundër presidentit Aleksandër Vuçiç, parakaloi rrugëve të Beogradit, për t’u mbledhur para selisë së tij në qendër të qytetit. Ata lëshuan një tullumbace të madhe me mbishkrimin “Vuçiç ik”.

Studentët e universitetit udhëhoqën parakalimin, duke mbajtur një pankartë ku shkruhej “Serbia kundër dhunës!”

Protestuesit e opozitës kërkojnë dorëheqjen e zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe heqjen e licencave të transmetimit për rrjetet televizive të cilat, thonë ata, promovojnë dhunën dhe lavdërojnë figurat e krimit.

Protesta e së shtunës, që ka të ngjarë të jetë më e madhja deri tani, ishte disi ndryshe nga ato të mëparshmet. Gazetarët e pavarur që mbulonin parakalimin panë grupe të krahut të djathtë të infiltruar për të promovuar agjendën e tyre nacionaliste. Analistët thonë se disa nga këto grupe kanë lidhje të ngushta me shërbimin serb të sigurimit.

Pati raportime për mbështetës të ultranacionalistëve që sulmuan një gazetar të huaj me shkop. Disa nga sulmuesit kishin bluza me mbishkrimin rus Z, një simbol i agresionit rus në Ukrainë.

Ndërsa po binte muzgu, pjesëmarrësit ndezën telefonat e tyre celularë, duke i mbajtur lart teksa parakalonin nëpër një rrugë qendrore të Beogradit dhe rreth ndërtesës së presidencës, shumë prej tyre duke fishkëllyer dhe duke kërkuar dorëheqjen e presidentit Vuçiç.

Protestuesit lanë qindra mesazhe në pusulla për presidentin Vuçiç, shumë prej tyre duke i bërë thirrje atij të jepte dorëheqjen.

Një protestë e re është planifikuar për javën e ardhshme, në atë që po bëhet një sfidë gjithnjë e më serioze për Vuçiçin, ndoshta më e madhja me të cilën ai është përballur që nga ardhja në pushtet 11 vjet më parë.

Opozita e ka akuzuar Vuçiçin për nxitje të jotolerancës dhe gjuhës së urrejtjes gjatë qeverisjes së tij gjithnjë e më autokratike, ndërsa ka marrë në mënyrë të paligjshme kontrollin mbi të gjitha institucionet shtetërore. Presidenti Vuçiç e ka mohuar këtë, duke pretenduar se grupet opozitare duan rrëzimin e tij me forcë.

“Ata vetëm duhet ta dinë se gjallë a i vdekur, duke përfshirë fëmijët e mi, unë do të luftoj kundër atyre që mbështesin dhunën”, tha Vuçiç në një stacion televiziv pro-qeveritar. “Ata nuk do të më trembin kurrë”.

Dy vrasjet në masë me 3 dhe 4 maj tronditën vendin, veçanërisht sulmi i parë që ndodhi në një shkollë fillore në qendër të Beogradit, kur një djalë 13-vjeçar mori armën e babait të tij dhe hapi zjarr ndaj shokëve të tij. Tetë nxënës dhe një roje shkolle u vranë dhe shtatë të tjerë u plagosën. Një vajzë tjetër vdiq më vonë në spital nga plagët në kokë.

Një ditë më vonë, një 20-vjeçar përdori një armë automatike për të qëlluar mbi njerëzit në dy fshatra në jug të Beogradit, duke vrarë tetë persona dhe duke plagosur 14 të tjerë.

Aktori i njohur serb Dragan Bjelogërliç i tha turmës se “kemi një borxh” ndaj fëmijëve të vdekur.

“Ne u detyrohemi atyre të vërtetën dhe drejtësinë”, tha ai. “Ne u kemi borxh atyre atë që nuk ua dhamë sa ishin gjallë”.

Autoritetet kanë nisur mbledhjen e armëve pas sulmeve dhe kanë dërguar policinë në shkolla në një përpjekje për të rritur një ndjenjë sigurie.

Serbia është e mbushur me armë të mbetura nga luftërat e viteve të 90-ta përfshirë raketahedhës dhe granata dore. Masat e tjera të kontrollit të armëve të deklaruara pas sulmeve përfshijnë kontrolle më të forta mbi pronarët e armëve dhe poligonet e qitjes, një moratorium për licencat e reja dhe dënime të ashpra për posedim të armëve të paligjshme.paligjshme.

Shkrimtari shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, u ka përçuar porosinë shqiptarëve gjithandej, se koha është duke punuar për ta.

 


 

 

 

Për të ardhur deri te këto momente, Kadare ka lënë të kuptohet se nuk ka qenë e lehtë, meqë, siç thotë ai, jo gjithmonë është lehtë të mbrohet e drejta. Ai i ka bërë këto komente në Prishtinë, pas takimit që pati me presidentin Fatmir Sejdiu.

 

"Është kënaqësi që të shikoj se si këtu ka njerëz që punojnë për Kosovën, për interesat e saj, i mbrojnë ato interesa, ndonëse nuk është e lehtë që gjithnjë të mbrohen interesat e një populli. Ka një paragjykim, se të mbrosh të drejtën, është e lehtë. Të mbrosh të drejtën është disa herë tepër e vështirë, ashtu sikurse është e lehtë për shtete të tjera që mbrojnë të shtrembrën, mbrojnë mashtrimin. Për fat të keq, kjo ndodh, ne nuk mund të ndryshojmë zakonet e njerëzimit", tha Kadare.

 

Por, e rëndësishme, sipas Kadaresë, është që koha është duke punuar për shqiptarët dhe Kosovën.

 

"Një gjë është e vërtetë, që Kosova ecën përpara, kombi shqiptar ecën përpara, koha punon për ta. Kur koha punon për një popull, jo të gjithë e kanë të lehtë ta kuptojnë që koha punon për ta. Madje, shpesh kujtojnë, kur koha punon për ta, kujtojnë ose u krijohet iluzioni se koha nuk punon për ta ose e kundërta. Dhe, këtu ndodhin shpesh tragjedi. Kam kënaqësinë ta përsëris që koha punon për Kosovën, koha punon për shqiptarët", u shpreh Kadare.

 

 

Në anën tjetër, presidenti Fatmir Sejdiu e ka quajtur Kadarenë ambasadorin më të mirë të prezantimit të identitetit shqiptar në Evropë.

"E falënderoj për mbështetjen e fuqishme dhe porositë e gjithmonshme në kohën e duhur për ecjet tona dhe përkushtimin në mbështetje të mëtejme për rolin që ka, pasi që është personalitet unikat, dhe duhet ta them misionar dhe ambasador më i mirë në kuptimin e prezantimit të identitetit shqiptar në Evropë. Njeriu që ka shpërthyer në 4 anët e globit në mënyrën më të mirë të mundshme", tha presidenti Sejdiu.

Ismail Kadare, lidhjen me Kosovën e ka shprehur në shumë nga librat dhe publikimet e tij, të cilët sensibilizuan opinionin evropian në kohën kur populli shqiptar i Kosovës kalonte nëpër periudha të vështira të mbijetesës.

 

Kadare e quan Kosovën gjënë themelore të kombit shqiptar. Ai është shprehur i kënaqur që ka gjetur gjuhë të përbashkët me presidentin Sejdiu për zhvillimet në Kosovë.

 

"S'është hera e parë që jemi takuar bashkë, nuk është hera e parë që jemi mirëkuptuar, nuk është hera e parë që kemi pasur mendime të njëjta për gjërat e Kosovës, që janë gjëra themelore të kombit shqiptar", ka thënë Kadare.

 

I pyetur të komentojë për rëndësinë e rrugës Durrës - Kukës - Prishtinë, shkrimtari i madh shqiptar ka thënë se lidhjet mes Kosovës dhe Shqipërisë kanë ekzistuar gjithmonë. Këto afrime, sipas tij, e kapërcejnë atë që mund të bëjë një rrugë.

 

"Afrimi i Shqipërisë me Kosovën ka qenë, mendoj unë, në trajta të ndryshme gjithmonë, pavarësisht sa është dukur dhe sa nuk është dukur, pavarësisht se sa është deklaruar e sa jo. Mendoj se e kapërcen dukshëm atë që ju thatë - çështja e një rruge, që është e rëndësishme dhe një lajm i gëzuar që do ta kemi së shpejti. Por, ajo e kapërcen këtë gjë, është diçka shumë e thellë, shumë e rëndësishme dhe shumë më e madhe", tha Kadare.

 

Ismail Kadare jeton dhe vepron në Paris. Ai është shkrimtari shqiptar, librat e të cilit janë përkthyer më së shumti në dhjetëra gjuhë të botës.

Kadare është laureat i çmimit Man Booker International dhe disa herë kandidat i çmimit Nobel për letërsi.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...