Akademik Prof.Dr. Eshref
Ymeri,PHD
Në gazetën “ExLibris” të
datës 27 janar 2024, lexova artikullin e dr. Bledar Kurtit, me titull “Kadareja
është plotësia e trinisë kombëtare”.
Artikulli
hapet me deklaratën befasuese në vijim:
“Pa Ismail Kadarenë,
letrat ndërshekullore shqipe do të ishin thjesht një holokaust mendimi dhe një
abort intelektual”.
Pra, sipas “mendjebardhit”
dr. Bledar Kurti, sikur të mos kishte lindur Kadareja në tokën shqiptare,
ne nuk do të kishim letërsi artistike për së mbari. Sikur deklarata e mësipërme
të ishte e mundur të përcillej deri në botën e përtejme dhe të arrinte deri në
veshin shkrimtarëve dhe poetëve, duke filluar që nga Naim Frashëri, me siguri
që ata do të rrotulloheshin në vendprehjet e tyre të përjetshme dhe do të
pyesnin me habi:
“Ç’po
na dëgjojnë veshët? Apo jemi në ëndërr?”.
Më
poshtë, autori i artikullit vazhdon:
“Askush
tjetër nuk e ka patur e nuk e ka një pushtet të tillë. Askush tjetër nuk ka
frymëzuar kaq shumë njerëz të lexojnë apo të shkruajnë, apo të dashurohen me
letërsinë. Forca e Kadaresë është fjala... Të tjerët, ata që janë larg fjalës,
lindin e ngordhin në shurdhi e shkretinë. Ndaj edhe thuhet: Në fillim ishte
Fjala...”.
Autori kësisoj i ka
veshur Kadaresë petkun e kryeshkrimtarit
hyjnor, pa të cilin zor ta mendoje se do të kishim letërsi shqipe, sepse vetëm
ai na qenka kryeskalitësi i Fjalës! Të tjerët autori i fyen rëndë, i poshtëron
me fjalët “lindin e ngordhin në shurdhi e shkretinë”. Me shprehjen “Në
fillim ishte Fjala”, ai ka hyrë në sinoret e fesë. Kjo shprehje me
prejardhje biblike, e cila përdoret edhe në variantin “E para ishte fjala”, e bën lexuesin
të bjerë në përsiatje. Gjuha është jo vetëm mjet komunikimi, por edhe mjet i të
menduarit dhe instrument i njohjes, pasqyrim i tablosë së botës që na rrethon.
Tabloja gjuhësore e botës është në njëfarë mënyre kundrim i botës përmes
prizmit të gjuhës. Në këtë mes kemi të bëjmë me një sistem shoqërisht të
kuptimshëm të shenjave gjuhësore që përmban informacion për botën reale, kemi
të bëjmë me pasqyrimin e realitetit me mjetet e gjuhës. Realiteti pasqyrohet në
vetëdijen tonë përmes nocioneve, të cilat shprehen me fjalë. Kështu vjen e
krijohet një lidhje treshe: realiteti - nocioni - fjala. Në këtë lidhje,
parësor është realiteti, kurse nocioni dhe fjala janë dytësorë. Pra, fjala
paraqitet si një barasvlerës gjuhësor i nocionit përkatës dhe lind së bashku me
nocionin. Si një tregues i kushtëzuar i nocionit (si simbol, si shenjë e
nocionit), fjala na nxit përfytyrimin për sendin, për shenjën, për veprimin,
për dukurinë. Pra, i pari është realiteti, bota që kundrojmë rreth e qark dhe
pastaj vjen fjala.
Ja dhe një tjetër
xhevahir, të cilin mund ta nxjerrë nga pena vetëm një servil i Kadaresë i
kalibrit të lartë:
“Në periudhën e errët të
regjimit komunist, nën dekadat e mortit të shpresës, një penë dhe një dorë e
thjeshtë frymëzoi shqiptarët të bëhen shkrimtarë e mendimtarë”.
Domethënë, vetëm falë
Kadaresë paskan dalë në skenë shkrimtarë dhe mendimtarë në periudhën e
diktaturës komuniste. Në shqipen tonë hyjnore përdoren shprehjet frazeologjike “çdo
gjë me karar” ose “s’di ç’është karari”. E, pra, me sa duket, dr.
Bledar Kurti, me servilizmin e skajshëm që ka manifestuar ndaj Kadaresë, nuk e
paska ndjenjën e masës. Dhe ndjenjën e masës, zakonisht, nuk e kanë ata që
vuajnë nga pasionet e pakontrolluara.
Në doktrinën filozofike
të periudhës së lashtë greko-romake, të quajtur stoicizëm, të krijuar
rreth vitit 300 p.e.r., pasioni karakterizohej si një ndjenjë që mbizotëronte
mbi të gjitha ndjenjat e tjera të njeriut. Sipas filozofit të lashtë grek Zenon
Elei (490-430 p.e.r.), pasioni është impuls i pakontrolluar dhe i tepruar i
shpirtit. Kurse Ciceroni (106-43 p.e.r.) theksonte se të gjitha pasionet
janë sëmundje, viktimat e tyre, sipas tij, vuajnë nga çrregullime mendore. Për Platonin
(428-348 p.e.r.), pasioni është një dukuri negative, por e pashmangshme. Në
këndvështrimin e Aristotelit (384-322 p.e.r.), pasionet përfshijnë në
vetvete jo vetëm epshin dhe zemëratën, por edhe miqësinë, burrërinë dhe
gëzimin, domethënë ato nuk janë as të mira, as të këqija, pra, ato janë
neutrale dhe duhen përdorur me masë dhe në mënyrë të arsyeshme.
Në vazhdën e arsyetimeve të veta serviliste, autori
shkruan:
“Pjesa më e madhe e artistëve të atyre viteve ishin
konformistë, sado të vegjël apo të mëdhenj, fanatikë të kuq apo oportunistë
privilegjesh. Sot ne e dimë, por edhe vetë ata e kuptojnë, që nuk ishin tjetër
veçse peshq të ngordhur”.
Siç shihet, dr. Bledar Kurti, i kapluar keq nga pasioni
i një servilizmi të ndërkryer ndaj Kadaresë, domosdo që do të jetë edhe i
zhveshur tërësisht nga etika intelektuale, prandaj edhe fyen, ofendon dhe madje
poshtëron pjesën më të madhe të krijuesve të atyre viteve, duke përdorur shprehje
të pahijshme, për të mos thënë të turpshme. Sipas tij, vetëm ata krijues na
paskan qenë “fanatikë të kuq apo oportunistë privilegjesh”, kurse
Kadarea jo!!! Ç’është ajo fjalë! Por diçka është interesante. Si është e mundur
që Kadaresë nuk i qe zënë fryma nga era e qelbur e “peshqve të ngordhur”
të dr. Bledar Kurtit? Përgjigjja është e thjeshtë: kishte menduar partia dhe
kryediktatori, të cilët i kishin hapur një portë drejt Perëndimit, ku shkonte
të merrte ajër të pastër sa herë të donte.
Më poshtë në artikull lexojmë:
“Kadareja shkruante në
disa nivele të perceptimit letrar, prej të cilave disa kuptoheshin nga regjimi
e disa të tjera jo. Shumë shkrime ishin të shigjetuara ndaj vetë diktaturës, me
një ton prej disidenti kolosal, si te vepra Dimri i Vetmisë së Madhe, e cila
fliste pikërisht për diktatorin famëkeq, E. Hoxha”.
Më në fund, dr. Bledar
Kurti del atje ku kanë synuar dhe vazhdojnë të synojnë të gjithë
servilë-kadareistët - për të dalë tek e ashtuquajtura disidencë e Kadaresë ndaj
diktaturës komuniste në vendin tonë, pra, për ta pajisur me pasaportën e
disidentit dhe për t’ia prezantuar botës si kundërshtarë të rreptë të asaj
diktature. Por është puna se ato veprat
e Kadaresë me metafora kundër diktaturës komuniste, në radhët e së cilës, sipas
dr. Bledar Kurtit, paska pasur edhe budallenj që nuk e kuptonin nëntekstin e
tyre, nuk i prishnin shumë punë kryediktatorit. Sepse Kadarea kishte botuar dhe
vazhdonte të botonte edhe poezi dhe shkrime të tjera, në të cilat servilizmi i
tij ndaj kryediktatorit kishte një gravitacion shumë më të fuqishëm në
mbështetje të diktaturës komuniste.
Me mungesën e
përgjegjësisë minimale, dr. Bledar Kurti shkruan se vepra “Dimri i Vetmisë
së Madhe fliste pikërisht për diktatorin famëkeq, E. Hoxha”. Si servil i
regjur i Kadaresë, ai shtrembëron të vërtetën historike. Asokohe, kur u botua
ajo vepër, një grup punëtorësh nga Kombinati metalurgjik në Elbasan, i patën
dërguar një letër kryediktatorit, në të cilën patën shprehur disa vërejtje për
veprën në fjalë. Vallë të mos ketë dijeni dr. Bledar Kurti për reagimin e
kryediktatorit ndaj asaj letre? Ja reagimi i tij:
“Pse merreni me cingërima. E rëndësishme është që ai e ka trajtuar mirë
luftën e partisë sonë ndaj revizionizmit… Këto janë vogëlsira në letërsi, e rëndësishme
është që Kadare e nxjerr mirë rolin e Partisë”. (Citohet sipas deklaratës së Agim Meros, në
intervistën dhënë Leonard Veizit, me titull “Vizita
te Kadare, Nexhmija doli pa dorëshkrimin e romanit”. Faqja e internetit e
gazetës “Shekulli”. 29 shtator 2012).
Për romanin “Dimri i Madh” vetë
Kadareja ka pasë shkruar dikur:
“Siç është lehtë të konstatohet, skena nga më
të rëndësishme të romanit, dialogë dhe situata nga më dramatiket, janë bazuar
në materialet e vëllimit të 19 të veprave të shokut Enver” (Citohet sipas:
Ismail Kadare. Vepra letrare, vëllimi 12, f. 329).
Është me të vërtet e çuditshme se si ka mundësi që dr.
Bledar Kurtit nuk i ka bërë absolutisht pështypje servilizmi shembullor i
Kadaresë ndaj kryediktatorit? Ndoshta kjo shpjegohet me arsyen se servilizmi
ndaj Kadaresë është rrënjosur kaq thellë në vetëdijen e tij, saqë mund t’i ketë
cenuar edhe psikikën sadopak. Vallë të mos jetë në dijeni ai për korpusin
poetik që Kadarea i pati kushtuar kryediktatorit, një korpus ky, të cilin
arkitekti, poeti dhe përkthyesi i talentuar Petraq Kolevica e ka analizuar fare
mirë në përmbledhjen kritike me titull “Autobiografia
e Kadaresë në vargje”, që e pati nxjerrë nga shtypi Shtëpia Botuese “Marin Barleti”. Tiranë, 2002? Në atë
libër dëshmohet në mënyrën më të shkëlqyer se deri në ç’nivele të larta kishte
arritur filozofia e servilizmit të neveritshëm të Kadaresë ndaj diktatorit.
Petraq Kolevica shkruan:
“Kështu, në
librin “Kohë barbare”, f. 17, bashkëbiseduesi Denis Fernandez-Recetala, që
duket sikur kërkon ta ngacmojë pak Kadarenë, thotë: “Disa shkrimtarë e kanë
mbështetur regjimin…”, dhe Kadarea përgjigjet:
“Nuk e mohoj. Ata kanë përhapur
slloganet e Partisë. Ata u sollën, pa diskutim, si qen roje të regjimit. Por
askush nuk i detyroi ta bënin këtë” (Citohet sipas: Petraq
Kolevica. “Autobiografia e Ismail Kadaresë në vargje”. Shtëpia
Botuese “Marin Barleti”, Tiranë 2002, f. 59).
Me fjalët e
pakontrolluara që lëshonte përmes kësaj deklarate, Kadarea i fyente rëndë dhe
pa të drejtë kolegët e vet shkrimtarë, duke anashkaluar servilizmin e vet
shembullor ndaj kryediktatorit. Aq më tepër kur ai, siç del nga libri i Petraq
Kolevicës, ka qenë vetë “qen roje” i regjimit komunist.
Asokohe, një intelektual shkodran shkruante:
“Nuk është e rastit që një libër i tillë,
u nda vetëm në disa kopje dorazi dhe u zhduk nga shtypshkronjat apo libraritë”. (Citohet
sipas: Blerti Delia. “Kadare ose shembja e idhujve”. Shkodër, 2004.
Faqja e internetit “Agjencioni Floripress”. 11 qershor 2009).
Domosdo që s’mund të ndodhte ndryshe, sepse servilët e
Kadaresë, të cilët, ashtu si fara e gramit dhe e egjrës që u zë frymën
kulturave bujqësore, nuk ndenjën të qetë para botimit të asaj përmbledhjeje.
Kjo për arsye se, sipas psikologjisë së tyre prej kurrizshtruarish para
Kadaresë, u duhej zënë fryma të vërtetave që Petraq Kolevica shpaloste për
servilizmin e pështirë të Kadaresë ndaj kryediktatorit.
Dr. Bledar Kurti e ka lexuar poezinë e
Kadaresë, me titull “Në
mesditë Byroja politike u mblodh”. Në këtë
poezi Kadare shpërthen kundër pashallarëve të kuq:
Enver Hoxha, syri i tij i mprehtë
Ishte i pari që dyshoi për ta.
Dhe ahere në themele të shtetit
Zbriti si në baladat e mëdha.
Një pishtar të kuq mbante në dorë.
Dheu dridhej
Flaka mbi ta ra.
Vallë nuk e kuptuaka dr. Bledar Kurti që
në këtë poezi del në pah servilizmi i Kadaresë, një servilizëm ky i përmasave
skandaloze ndaj kryediktatorit, çka bëri që edhe vetë kryediktatorit t’i
ngjallej neveri kur e lexoi? Prandaj edhe reagoi ndaj thelbit të asaj poezie:
“Të gjithë këta përbindësha
të veshur “si pashallarë të kuq me dekorata etj.” kanë zyrat, ministritë,
Komitetin Qendror dhe “çojnë trupin e revolucionit në varr”. Por “doli Enver
Hoxha” etj. etj., dhe poeti “Jevtushenko shqiptar” i thur elozhe Enverit si “i
vetmi shpëtimtar”. Për Ismail Kadarenë
nuk ekziston as popull, as klasë, as parti. Të gjithë janë krimbur, vetëm
“Enver Hoxha qëndron dhe shpartallon armiqtë”… I thashë Ramizit se do të bisedoj prapë me të, por përgatitu
dhe thirr Ismail Kadarenë, e vëre përpara “mutrave” të tij dhe bëje t’i lëpijë”
(Citohet sipas: “Ditari i Enver Hoxhës:
Si u analizua poezia e Kadaresë”. Faqja e
internetit “Observatori i kujtesës”. 24 gusht 2017).
Profesor Anton Nikë Berisha (1946) ja si e
ka vlerësuar poezinë në fjalë të Kadaresë:
“Vjershën e tij “Pashallarët e kuq” në qenësi Kadare ia
kushtoi udhëheqësit ideologjik, Enver Hoxhës. Mirëpo, duke dashur t’ia ndreqte
në mënyrë të tepruar vetullat, ia kishte prekur sytë: diktatorit nuk i kishte
pëlqyer theksimi i tepruar i “fuqisë” së tij për të zgjidhur konfliktin me
“pashallarët e kuq”, bashkëpunëtorë të tij politikë, që nuk i shkonin si duhet
në linjën e përcaktuar ideologjike të pakurrizorëve. Dhe qëllimi i vjershës së
pabotuar të Kadaresë për “pashallarët e kuq”, kishte “rrëshqitur” për shkak të
lavdërimit të tepruar! Edhe lexuesi më i zakonshëm, që e lexon këtë krijim të
Ismailit, nuk e ka të vështirë të përcaktojë qenësinë e mesazhit të Kadaresë
(po jo dhe të mesazhit poetik; në të s’ka mesazh poetik; gjithë poezia është
një deklaratë e menduar për të stërlavdëruar diktatorin Hoxha). Vallë, e kishte
detyruar dikush Ismailin që ta shkruante ketë poezi patetike, që e hymnizonte
diktatorin, apo ai me vullnetin e vet e kishte shkruar dhe e kishte dërguar ta
botonte në një organ letrar, të mbikëqyrur rreptësisht nga regjimi, në “Drita”
- për të dëshmuar devotshmërinë përballë udhëheqësit komunist?” (Citohet sipas:
Anton Nikë Berisha. Sa Ismail Kadare ka brenda Ismail Kadaresë?!”. Faqja
e internetit “Syri”. 29 korrik 2019).
Shkrimtari, gazetari dhe
publicisti anglez Xhorxh Oruelli (George Orwell - 1903-1950), në veprën e vet me titull “1984” (Nineteen
Eighty-Four), të botuar në vitin 1949, një roman ky
antiutopi (pasqyrim i një rendi shoqëror ose i një bashkësie, që i
përfytyrohet shkrimtarit ose kritikut si diçka e padëshirueshme, neveritëse ose
frikësuese), shkruan:
“Çdo shkrimtar që radhitet nën flamujt partiakë, herët ose vonë do të
gjendet para alternativës: ose të pranojë nënshtrimin, ose të pranojë
heshtjen”.
Jemi të bindur që askush nuk ka pasë dëshiruar që
Kadarea t’i kundërvihej kryediktatorit, se do të pësonte fatin e të gjithë
atyre që u internuan, u burgosën ose u pushkatuan. Por heshtja atij nuk i
pëlqente. Prandaj zgjodhi alternativën e nënshtrimit. Megjithatë, ai nuk duhej
t’i kishte lejuar vetes të ngjitej deri në nivele aq të larta servilizmi ndaj
kryediktatorit.
Fatkeqësisht, Kadarea, në përputhje të plotë me
falsifikimet që politika zyrtare u ka pasë bërë fakteve historike lidhur me
“rolin” e Enver Hoxhës, si “themelues” i partisë komuniste, në njërë nga veprat
e tij poetike haset vargu “shoku Enver Hoxha nënshkroi stuhinë”. Është
fjala për mbledhjen themeluese më 08 nëntor 1941. Pra, falë servilizmit
të tij të papërmbajtur ndaj kryediktatorit, Kadarea shtrembëron të
vërtetën historike. Në atë mbledhje
Enver Hoxha ishte vrima e fundit e kavallit, një figurant hesapi. Historiani i
njohur Kastriot Dervishi, mbi bazën e dokumenteve arkivore, shkruan:
“Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha do të bëheshin themeluesit
e PKSH-së më 8 nëntor 1941. Ata do ta bënin këtë parti një bishtuk terrorist
serb, të gatshëm për çfarëdolloj krimi që do të kishin nevojë. Qëllimi i tyre
kryesor mbeti lufta civile dhe sjellja në pushtet e një klase që do t’u
shërbente vërbërisht interesave të Jugosllavisë. Për këtë qëllim ata panë te
Enver Hoxha personin e duhur që mund të realizonte planet e tyre” (Citohet
sipas: Kastriot Dervishi. “Flagranca e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave
1944-1948”. Faqja e internetit “Forumi shqiptar”. 22 gusht 2010).
Servilizmi i shfrenuar i dr. Bledar Kurtit ka bërë
që ai të mos e vërë re qëllimisht rreshtimin e Kadaresë në krah të Enver Hoxhës
në zhvillimin e luftës së klasave. Sepse dihet shumë mirë që Kadarea ka mbajtur
qëndrim
fyes, deri në përbuzje, ndaj të persekutuarve politikë dhe, përgjithësisht, ndaj
klasës së përmbysur. Qëndrimi i Kadaresë ndaj tyre ka qenë në harmoni të plotë
me qëndrimin e kryediktatorit në kuadrin e fushatave të luftës së klasave. Ky
qëndrim del më së miri në pah në korpusin e tij poetik në shërbim të
kryediktatorit, sidomos te poezia “Në mesditë Byroja politike u
mblodh”. Aty Kadarea shkruan:
Qielli është me re dhe dimri sjell dëborë.
Mos levizën klasat e përmbysura,..
Ja kështu, atje në gjunjë të ulur
Lajnë e shplajnë gjakun pa pushim
Po ç’patën papritur
Pse u ndalën
Tek nje yrt i shkretë, tek një djerrinë.
Këtu janë varrosur të përmbysurit:
Pashallarë, bejlerë, familjet e mëdha.
Po ashtu, në poezinë“Terrori i bardhë” lexojmë:
Njerëzit, pavarësisht nga klasat,
buzëqeshin,
Dhe duke buzëqeshur, unë shpesh
ju kam parë.
Por veç kur kam shkruar diçka që
veçanërisht ju ka prekur,
Mes smaltit
të dhëmbëve tuaj ka ndritur terrori i bardhë”. Vepra
letrare, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë 1981, Vëll. 1, f. 331).
Në furinë e urrejtjes kundër të
përndjekurve politikë, Kadarea ka shpikur edhe shprehjen “terror i bardhë”, një
dukuri kjo krejtësisht e padëgjuar në realitetet shqiptare. Terrori i bardhë ka pasë qenë një dukuri karakteristike
në Rusi pas Revolucionit të tetorit. Me këtë shprehje nënkuptohej tërësia e
formave të një politike të forcave antibolshevike në kohën e luftë civile mes
viteve 1917-1922.
Kadarea i ka dalë krah kryediktatorit
edhe në rastet kur ky ka sulmuar dhe denigruar figura të shquara të kombit
shqiptar, si Gjergj Fishta, mbrojtësi i vendosur i dinjitetit dhe i identitetit
të kombit shqiptar nga shovinizmi serbomadh. Në një fjalim që ka mbajtur rreth
tre vjet pas nëntorit të vitit 1944, Enver Hoxha pati deklaruar:
“...Dashuria e popujve
të Jugosllavisë e mareshalit Tito dhe e gjithë udhëheqësve të Jugosllavisë për
popullin shqiptar është shumë e madhe. Ne kemi fatin e madh e të lumtur që kemi
në kufirin tonë të veriut një aleate e nje mike kaq të fortë, kaq të sinqertë
siç është Jugosllavia... Këtë miqësi nuk mund ta errësonte shërbëtori i
imperializmit dhe i fashizmit italian, shovinisti At Gjergj Fishta...” (Citohet
sipas: “Enver Hoxha për miqësinë me sllavët, sulmon Fishtën. Pse u masakrua Gjergj Fishta. Pjesë të fjalës së Enver Hoxhës para një grupi të rinjsh që morën pjesë
në Pleniumin e IV të rinisë popullore. Gazeta “Bashkimi”. 22
gusht 1947).
Këtë vijë
arsyetimi të kryediktatorit ka ndjekur edhe Kadarea kundër Gjergj Fishtës, duke
shpifur egërsisht kundër tij. Ai ka deklaruar:
“Duke zbatuar
tezën e shokut Enver në terrenin e letërsisë
dhe të arteve, nuk është vështirë të dallojmë në kohën tonë aleancën e shenjtë
të
konservatorizmit më të tërbuar me modernizmin më të shthurur. Le të kujtojmë disa fakte nga historia e letërsisë sonë. Cili ka qënë
konservatori më i madh i letrave shqipe dhe jo vetëm i letrave, por i gjithë kulturës sonë?
Përgjigjja është e qartë për të gjithë: ky konservator ka qënë Gjergj Fishta.
Fanatik i tërbuar, idealizues i çdo gjëje patriarkale, apologjet i fesë, i
institucioneve
mesjetare, hymnizues i primitivizmit, armik i egër i çdo përparimi - ky është
portreti i këtij letrari prift” (Citohet sipas:
Ismail Kadare. “Realizmi socialist - arti i madh i revolucionit”. Gazeta “Zëri i Popullit”. 13 janar 1974, f. 3).
Dihet që kryediktatori e mbante gjithmonë
të zhveshur pallën kundër imperializmit amerikan. Prandaj edhe Kadarea, si
kryeservil i tij, s’mund të vepronte ndryshe. Në vitin 1971, në Nju Jork u
zhvillua një kongres i rinisë botërore, ku mori pjesë edhe një delegacion i
rinisë shqiptare. Në radhët e delegatëve të rinisë shqiptare ishte edhe
Kadarea. Kur u kthye nga Nju Jorku, Kadarea botoi një ese të gjatë në tribunën
e mashtrimit “Zëri i popullit”, në të cilën deklaronte:
“…Pas pasurisë borgjezia kërkon pushtet dhe pas
pushtetit kërkon lavdi. Një shekull më parë Marksi e ka parashikuar edhe këtë… Shoqëria e sëmurë
amerikane e tregon veten e saj sidomos natën… Broduej është një lloj ekspozite
e Nju Jorkut. Këtu luksi dhe mizerja, bukuria dhe turpi, brutaliteti dhe
protesta, mençuria dhe degjenerimi, të ndriçuara në mënyrë të ethshme, rrinë
pranë e pranë… Kur bie nata, Broduej shfaqet lakuriq me gjithë vulgaritetin e
vet, i babëzitur, i paturpshëm… Në Broduej, në sfondin e shkëlqimit të çmendur,
mjerimi dhe degjenerimi shfaqen lakuriq… SHBA janë bërë vendi klasik i
shantazheve dhe vrasjeve politike. Përgatitja e atentateve ka arritur këtu
përfeksionimin më të lartë… Statuja e lirisë është monumenti që borgjezia i ka
ngritur lirisë së saj, lirisë për të sunduar… Ka disa muaj që në ekranet mund
të shikosh gjëra më të shthurura që mund të sajojë imagjinata më e sëmurë e
maniakëve seksualë… Ky mit është një nga shfaqjet e shkallëzimit të
degjenerimit të shoqërisë së sëmurë amerikane… Asnjëherë dhe asgjëkundi nuk
mund të jetë poshtëruar femra në këtë mënyrë… Rinia amerikane është në kërkim
të vazhdueshëm. Ajo kërkon rrugët e protestës. Dyqanet e letërsisë
politike janë të mbushura ditë e natë me të rinj… Ata kërkojnë librat e
Leninit, Marksit, Stalinit… Çe Guevarës. Po sidoqoftë, autori që kërkonin mbi
të gjithë është Lenini!” (Citohet sipas: Ismail Kadare. “Një botë në rënie”.
Vepra letrare. Shtëpia
botuese “Naim Frashëri”. Vëll. 12, f.
271-294).
Kadarea ka harruar ta theksojë se ka qenë “mëkat i
madh” që “veprat” e kryediktatorit Enver Hoxha asokohe nuk figuronin ende të
përkthyera dhe të ekspozuara nëpër libraritë e letërsisë politike në Nju Jork,
se të rinjtë amerikanë “do të bënin njërën për t’i blerë”.
Në dallim të theksuar nga skenat sa të frikshme, aq
edhe neveritëse, që pati shpikur nga mendja Kadarea, në kujtimet e një
diplomati të njohur të karrierës, Nju Jorku, përmes simbolit të tij “Broduei”, shfaqet para lexuesve ashtu
siç është në të vërtetë, i bukur, krenar dhe madhështor. Ja çfarë shkruan
diplomati i nderuar:
“... Natën “Broduei” është fantastik me ato dritat e shumta dhe
reklamat marramendëse. Bukurinë ia shton edhe kalimi me kuaj shtatlartë i
punonjësve të shërbimit të policisë që duhet të mbajnë rendin. Megjithatë, deri
më sot, edhe pse dalim më këmbë aty, asnjëherë nuk kemi patur as më të voglin
problem. “Radio Siti Holl”, ku
zhvillohen shfaqje madhështore, duket nga larg me dritat e tij shumëngjyrëshe.
Më ka bërë përshtypje edhe një shfaqje e komikut britanik Atkinson, i cili për
dy orë na bëri për të qeshur në atë teatrin në Broduej” (Citohet sipas: Alfred
Papuçiu. “Ditari i
një jete në diasporë (III)”. Faqja e internetit “Zemra
Shqiptare”. 13 qershor 2009).
Servilizmi i shfrenuar që
dr. Bledar Kurti ushqen ndaj Kadaresë, ia ka errësuar vetëdijen deri në atë
shkallë, saqë nuk është në gjendje ta kuptojë që Kadareja ka qenë i
përkëdheluri i diktaturës komuniste dhe i vetë kryediktatorit. Faktet flasin
vetë. Kadarea ka shkruar:
“Kam patur dhe kam besim të plotë te Partia, pa të cilën unë s’do të isha
shkrimtar. Është Partia, është kuptimi i gjerë e i thellë i çështjeve të
letërsisë prej udhëheqësit të saj, faktori kryesor, në saje të së cilit kam
krijuar çdo gjë me vlerë dhe të cilit i detyrohem për gjithçka. Jam krejtësisht
i ndërgjegjshëm se pa këto unë nuk mund të isha veçse një krijues mediokër.
Ndaj mirënjohja ime mbetet përherë e pandryshueshme”.
Me respket
Ismail Kadare
Tiranë ,15 qershor 1982.
(Citohet sipas:
Kadare, Nexhmijes: Jam komunist, pa partinë do të isha mediokër”. Faqja e internetit
“KOHAnet”, 24 shtator 2012).
Servilizmi i Kadaresë
ka pasë qenë kaq i papërmbajtur, saqë inercia e tij u vu re edhe pas vdekjes së
kryediktatorit. Pikërisht dy javë pas vdekjes së tij, gazeta franceze “Le Monde” e datës 26 prill
1985, në rubrikën e letrave që i kishin dërguar gazetës, pati botuar edhe
letrën e Ismail Kadaresë, në të cilën ky qe shprehur plot indinjatë dhe protestë, sepse gazeta kishte botuar shkrime kundër
kryediktatorit me rastin e largimit të tij për në botën e përtejme? Vallë a nuk
ishte i vetëdijshëm Kadarea që populli shqiptar, për arsye të politikës
tmerrësisht varfëruese që kishte ndjekur kryediktatori, kishte arritur në zgrip
të degjenerimit gjenetik për shkak të mungesës së ushqimit? A nuk e kuptonte
vallë Kadarea se kishte ardhur koha ta kthente pllakën pas largimit të
kryediktatorit për në botën e amshuar dhe të hiqte dorë nga servilizmi ndaj
fantazmës së tij? Apo servilizmi i duhej për të pasur edhe mbështetjen e
fuqishme të Nexhmijes, si bashkëpunëtore e ngushtë në krimet e kryediktatorit?
Letra e plotë e Kadaresë, dërguar gazetës “Le Monde” është botuar në
faqen e internetit “Shkodra online” të datës 12 shtator 2007 dhe mban
titullin “Kush është në të vërtetë shkrimtari Ismail Kadare”.
Faktin që
Kadarea ka pasë qenë i përkëdheluri i diktaturës dhe i kryediktatorit, e
vërteton edhe eseja e tij me titull “Një pasdite me shokun Enver Hoxha”, në të
cilën shkruan:
“Tani që udhëheqësi ynë nuk
është midis nesh, kujtimet për të marrin një përmasë e vlerë të veçantë. Ato
janë pjesë e veprës së tij monumentale…” (Citohet sipas faqes së internetit “Radio
Kosova e Lirë”. 17 shtator 2012).
Pra,
Kadarea, ende nuk hiqte dorë nga servilizmi “veteran” ndaj kryediktatorit, duke
e vlerësuar si “monumentale” veprën e tij, e cila dihej që do të përfundonte në
koshin e mbeturinave, siç edhe përfundoi faktikisht.
Për
dijeninë e dr. Bledar Kurtit, të marrosur kaq keq pas servilizmit të pështirë
ndaj Kadaresë, vulën e të përkëdhelurit të këtij të fundit nga ana e
kryediktatorit, e ka vënë Ramiz Alia. Në një faqe interneti është bërë e ditur
se Ramiz Alia i paska dërguar një letër të gjatë Ismail Kadaresë më 21 maj
1990. Letra është përgjigje ndaj letrës që Kadarea i kishte dërguar më 03 maj
1990. Nga letra e Ramiz Alisë po citojmë vetëm një fragment tepër domethënës:
“I
dashur Ismail,
...“Mos harro as atë
ç’ka bërë shoku Enver për ty, as anësinë time në favorin tënd. Bile nëse të
shkruaj kështu hapur, pa shumë “diplomaci”, kjo ka lidhje me ato marrëdhënie
miqësore që ekzistojnë mes nesh, por edhe i nisur nga ai kujdes që Partia
vazhdimisht ka treguar për Ismail Kadarenë, të cilin e kemi dashur dhe e duam
si shkrimtar të madh, po e po, por edhe luftëtar konsekuent për çështjen e
Partisë e të popullit” (Citohet sipas: “Letra e plotë e
Ramiz Alisë drejtuar Ismail Kadaresë më 1990: Mos harro atë ç’ka bërë shoku
Enver për ty”. Faqja e internetit “Pamfleti”. 12 dhjetor 2022).
Po në këtë letër,
Ramiz Alia shkruan:
“Përsa u përket lavdeve në adresën time, mos harro një gjë shoku
Ismail, se çdo gjë që bëjmë lidhet me Partinë, me forcën e mençurinë e saj”.
Siç shihet, në epopenë e servilizmit
të vet, Kadarea është udhëhequr gjithmonë nga shprehja tradicionale e frëngjishtes “Le
Roi est mort, vive le Roi!” (Vdiq
mbreti, rroftë mbreti!)
. Prandaj edhe e ka pasë të pamundur të mos i lëpihej
edhe Ramiz Alisë me lëvdata serviliste. Më e çuditshmja është se kur ia paska
shprehur Ramiz Alisë ato lavde? Më 03 maj 1990. Pra, kur nuk kishin kaluar as
dy vjet nga ekzekutimi i poetit martir Havzi Nela, i cili, me firmën e
kryexhelatit Ramiz Alia, Kristaq Rama dhe të tjerë, në mes të qytetit të
Kukësit, qe ekzekutuar me varje në litar më 10 gusht 1988.
Duke pasur gjithmonë si yll karvani shprehjen e
sipërcituar të frëngjishtes, Kadarea e ka pasuruar epopenë e servilizmit edhe
ndaj Ramës. Kur ende s’kishte dalë rezultati i zgjedhjeve vendore
të 08 majit 2011 për postin e Kryetarit të Bashkisë për Tiranën, Kadarea i
drejtohej me një letër të hapur Lulzim Bashës për të hequr dorë nga kandidimi,
paçka se Rama po kandidonte për të katërtën herë për atë post. Ajo letër, e
botuar në faqen e internetit të gazetës “Panorama”
të datës 21 maj 2011, me titull “Kadare, letër
Bashës: Tërhiqu nga kandidimi”, ishte një përkrahje publike që Kadarea i
bënte së majtës shqiptare dhe kryesisht Edi Ramës, si servil i tij.
Gjatë më
shumë se 10 vjetëve të Ramës në krye të qeverisë, ka ndodhur një shpopullim
katastrofik i vendit tonë. Në fund të muajit tetor të vitit 2015, eurodeputetja
Doris Pak (Pack) deklaronte:
“Pashë
shifrat e azilkërkuesve shqiptarë në muajin shtator në Gjermani dhe janë vërtet
të pabesueshme. Ndoshta është një koiçidencë, por shtrohet pyetja, pse
shqiptarët nuk iknin para se Shqipëria të ishte një vend kandidat dhe ikin tani
që Shqipëria është një vend kandidat? Besoj se ka një lidhje me situatën
politike” (Citohet sipas: “Pack: Pse shqiptarët po ikin tani që është Rama kryeministër?”. Faqja
e internetit e “Gazetës Shqiptare”. 30
tetor 2015).
Po Kadarea ç’qëndrim
mbante ndaj largimit masiv të njerëzve nga vendi? Le të njihemi me një
deklaratë të tij të vitit 2016:
“Është e natyrshme që
pas një periudhe jashtëzakonisht të egër të izolimit, të vinte ky pasion,
shpesh me arsye, pasi nuk është pa arsye sigurisht, por edhe pakëz e kthyer në
modë” (Citohet sipas: “Kadare: Dekriminalizimi proces
jetësor, e pafalshme nëse s’kryhet”. Faqja e internetit e gazetës “Shqip”.
14 maj 2016).
Me këtë deklaratë,
Kadarea i vinte në osh qeverisjes socialiste të Ramës, sepse arsyet e largimit
të njerëzve drejt vendeve perëndimore ai
i shikonte jo te mjerimi që i kishte pllakosur për shkak të politikës
varfëruese antikombëtare që ndiqte Rama, por tek izolimi i egër, i cili ishte
kapëcyer 26 vjet më parë. Madje, sipas tij, largimi i njerëzve na qenkej kthyer
pakëz në modë!!! Ky ishte shërbimi më domethënës që Kadarea, si servil me stazh
tepër të gjatë në shërbim të krerëve majtistë, i bënte politikës zyrtare dhe
Ramës personalisht.
Ja si është shprehur
Kadarea gjashtë vjet më vonë për braktisjen e vendit nga shqiptarët:
“Sigurisht që i japin
dorë edhe vetë shqiptarët, nuk bëhet asgjë pa shqiptarët, sigurisht Shqipëria
ka gjithmonë pjesën e saj të përgjegjësisë në braktisjen e Shqipërisë nga
shqiptarët” (Citohet sipas: Ismail Kadare: “Pse shqiptarët ikin nga vendi i
tyre”. Faqja e internetit “ObserverKult”, 12 janar 2022).
Domethënë, fajin për braktisjen e vendit, Kadarea e ka
lënë jetim. Sipas tij, fajtorë qenkan vetë shqiptarët. Po cilët na qenkan këta
shqiptarët konkretisht? Kadarea e anashkalon fajtorin e vërtetë - Ramën,
bashkëpunëtorin e ngushtë të kriminelit Vuçiç, trashëgimtarit të platformës së
dy kriminelëve të njohur për shpopullimin e trojeve tona - Vaso Çubrilloviçit (1897-1990) dhe Ivo
Andriçit (1892-1975). Servilizmi që Kadarea ushqen ndaj Ramës, nuk e lejon të
thotë arsyen e vërtetë për shpopullimin katastrofik të vendit tonë.
Përkundrazi, ai, si servil me karrierë të gjatë i kryepolitikanëve majtistë,
pak kohë më parë, i cituar nga Helena Kadare, ka deklaruar:
“... Shqipëria po jeton vitet më të mira të saj” (Citohet sipas:
“Guximi i Helena Kadaresë për
të thënë se Shqipëria është në kohën më të mirë të saj”. Faqja e internetit e gazetës “Shqiptarja.com”.
18 nëntor 2023).
Disa ditë para zgjedhjeve
parlamentare të 25 prillit 2021, Kadarea u ngrit e shkoi në Vlorë. Në një skicë
me nota shpotitëse në adresë të Kadaresë, analisti i njohur Adriatik Dosti
shkruante asokohe:
“Po hë ç’u bëre, do kenë thënë vlonjatët
kur të panë sot diku pranë asaj zone, ku Rama po bënte fushatën e tij e po ju
mbushte mendjen atyre edhe për një mandat të tretë… ku ke qenë …pse s’ke ardhur
më parë e pse na ke munguar...” (Citohet sipas: Adriatik Dosti. “Po në Vlorë ç’deshe në këtë mes-prilli, o Kadare?” Faqja e internetit e gazetës “Telegraf”. 12
prill 2021).
Për fatkeqësinë tonë kombëtare, zejen e servilizmit
Kadarea e ka manifestuar edhe ndaj Perëndimit Evropian. Në vitin 2001 ai sulmoi rëndë djelmoshat trima të Ushtrisë
Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, duke i etiketuar ata si “banditë”, “klyshë
të Enverit”, “aventurierë”, “të papërgjegjshëm”, “naivë”, mendjelehtë”, “me
qëllime të dyshimta”, “në shërbim të një loje antishqiptare”, “pseudopatriotë”,
“mafiozë” (Citohet sipas faqes së internetit të gazetës “Shekulli”. 10
mars 2001, f. 3).
Koha
vërtetoi se këto epitete ishin sa të pahijshme, aq edhe të turpshme, për të
cilat Kadarea nuk kërkoi ndjesë kurrë.
Pikërisht
filozofia e servilizmit ndaj Perëndimit evropian ishte ajo që e bëri Kadarenë
të shprehte gatishmërinë të binte në gjunjë para ambasadores së Bashkimit Evropian
në Tiranë Romana Vlahutin, për kritikën që asokohe i pati bërë asaj një analist
shqiptar, një diplomate kjo pa kurrfarë
autoriteti, që i bënte fresk kryeministrit Rama, duke mos e thënë as edhe një
fjalë të vetme për parcelat e drogës në mbarë Shqipërinë.
Më 20
qershor 1919, në Konferencën e Paqes në Paris, i Madhi Gjergj Fishta shtroi
kërkesën në vijim:
“Prandej,
po kje se përnjëmend parimi i autodeterminacionit asht marrë prej Konferencës
së Paqes si karakter themelor për trajtimin e shteteve e caktimin e kufijve të
tyne, e drejta e lypë, që Shqipnia të qitet shtet më vedi, përmrenda kufijve të
vet etnikë e gjeografikë” (Citohet sipas: “Baltë komuniste mbi Madhështinë Fishtiane. Dokumenti i vitit 1949, zbardhet se pse u
dënua Gjergj Fishta”. Gazeta
“Koha Jonë”. 12 mars 2016).
A ka menduar ndonjëherë
Kadarea se për mbarë kombin shqiptar do të kishte qenë një mrekulli e vërtetë,
sikur ai, ashtu si edhe Fishta i Madh para një shekulli në Paris, ta kishte
thënë një fjalë me peshë për domosdoshmërinë e rishikimit të krimit që
Perëndimi evropian kreu me copëtimin e trojeve tona etnike dhe për vënien në
vend të drejtësisë, duke shtruar kërkesën për ribashkimin e tyre në një shtet
të vetëm, me një stemë dhe një flamur? A nuk ishte rasti më i mirë gjatë këtyre
më shumë se 30 vjetëve që Kadarea, ashtu si edhe Fishta, për një kërkesë të
tillë, të vishte petkun e politikanit dhe të dilte burrërisht në skenën e
Perëndimit evropian me autoritetin e një shkrimtari, të njohur në mbarë botën,
duke sfiduar klasën politike shqiptare, mercenare të grekosllavizmit dhe të
brukselizmit, për të kërkuar takim me krerët e shtetit në Paris, Berlin,
Londër, deri edhe me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës? Nisur nga
autoriteti i tij në mbarë botën, me siguri që portat do t’i hapeshin kat e kat,
sikur ai të kishte menduar për organizimin e takimeve të tilla. Aq më tepër që,
në krahasim me lepuj-politikanët e Tiranës pa dinjitet dhe pa vetëdije
kombëtare, fjala e tij do të kishte shumë më tepër peshë në ato takime me krerë
kryesor të politikës evropiane dhe amerikane.
Në mbyllje duhet theksuar se servilizmi është një
dukuri tepër e dukshme në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Në shoqëri të
paemancipuara për shkak të varfërisë ekonomike, servilizmi merr përmasa të
shëmtuara. Në vendin tonë servilizmi e ka burimin te politika. Politika majtiste,
si trashëgimtare e diktaturës komuniste, e ka polarizuar skajshëm shoqërinë
shqiptare në tejet të pasur dhe në tejet të varfër. Viktor Orban, kryeministër
i Hungarisë, thotë:
“Kur të majtët janë në pushtet, historia përfundon në
varfëri dhe kriza”.
Në radhët e politikanëve hasen edhe individë të tillë
pa kurrfarë dinjiteti personal, të cilët, me servilizmin e tyre të neveritshëm,
i lëpihen kreut të pushtetit për poste dhe për përfitime të tjera materiale.
Një servile e tillë është deputetja socialiste Elisa Spiropali, e cila e ka
krahasuar Ramën me Skënderbeun, duke e fyer rëndë figurën e shquar dhe të
nderuar të Heroit tonë Kombëtar. Me shpopullimin që i ka bërë vendit deri tani,
Rama përfaqëson faqen më të zezë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të mbarë trojeve
tona etnike.
Politika majtiste në vendin tonë ka bërë ç’është e
mundur për lulëzimin e servilizmit në mjetet e informimit masiv. Një pjesë jo e
paktë e analistëve nëpër studiot televizive janë shndërruar në kope servilësh
të pështirë të Ramës, të cilët të kujtojnë kopenë e servilëve të Putinit në
kanalin televiziv shtetëror rus “Rusia 1”.
Megjithatë, ka edhe një burim tjetër servilizmi në
radhët e intelektualëve, çka është pasojë e mungesës së respektit ndaj
vetvetes. Shkrimtari i shquar francez, Montenji (Michel de Montaigne - 1533-1592) u ka lënë brezave pasardhës një aforizëm
me domethënie të thellë:
“Mungesa e respektit
ndaj vetvetes sjell si pasojë po kaq mëkate, sa edhe respekti i tepruar ndaj
vetvetes”.
Një burim i tretë i servilizmit vihet re edhe në
marrëdhëniet e njerëzve me figura të shquara të arteve. Me sa duket, nga ky
lloj servilizmi është infektuar rëndë dr. Bledar Kurti. Servilizmi i tij ndaj
Kadaresë të kujton pikërisht atë servilizmin që Balzaku e fshikullon aq
mrekullisht me fjalët e tij të arta:
“Servilizmi nuk buron
asnjëherë nga shpirtra të mëdhenj, ai është risk i shpirtrave të vegjël, që
kanë aftësinë të bëhen edhe më të vegjël, vetëm e vetëm që të përfshihen në
sferën e jetës së një personi të rëndësishëm, të cilit kanë qejf t’i lëpihen”.
Me servilizmin e vet
shpërthyes, dr. Bledar Kurti, duke fyer shkrimtarët dhe poetët e shekullit të
kaluar, si edhe ata bashkëkohorë, ka ulur figurën e vet, por, tërthorazi, ka
cenuar edhe autoritetin e Kadaresë.
Feniks, Arizona(U.S.A)
31 janar 2024
*****************************
Kadareja është plotësia e trinisë kombëtare
Nga dr. Bledar Kurti
ExLibris, 27 janar 2024
Pa Ismail Kadarenë, letrat ndërshekullore shqipe do të ishin thjesht një holokaust mendimi dhe një abort intelektual. Talenti, pena dhe forca e tij e mendimit janë exclusif. Ismail Kadare ka exclusivité të ketë një forcë të fjalës e cila ka frymëzuar pothuajse të gjithë shkrimtarët aktualë shqiptarë të bëhen njerëz të librave dhe me mijëra të tjerë që aspirojnë të hynë në këtë udhëtim. Askush tjetër nuk e ka patur e nuk e ka një pushtet të tillë. Askush tjetër nuk ka frymëzuar kaq shumë njerëz të lexojnë apo të shkruajnë, apo të dashurohen me letërsinë. Forca e Kadaresë është fjala. Ajo lind, krijon dhe kapërcen muret e mijëvjeçarëve. Fjala është exclusivité, një urë lidhëse e realitetit me mbretërinë e qiejve, ndaj edhe ajo ishte që nga fillimi dhe do të jetë deri në fund. Kush e kupton është exclusif, kush e transmeton është i parazgjedhur, kush e kërkon është i ndriçuar. Të tjerët, ata që janë larg fjalës, lindin e ngordhin në shurdhi e shkretinë. Ndaj edhe thuhet: Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai ( fjala) ishte në fillim me Perëndinë. Sigurisht që këtu flitet për Perëndinë dhe Krishtin, jo për mjeshtrin Kadare, por gjithsesi koncepti, zbatueshmëria dhe rekuizimi mbi fjalën mbetet edhe për vdekatarët. Ajo ka atributet e krijimit dhe shpengimit. Ndaj edhe Kadareja, pavarësisht se do të ishte tërësisht e pavend të vishej me petkun e mitit dhe për më tepër herezi të përshkruhej me ngjyra hyjnie, nuk ka asnjë dyshim që, sikurse e gjitha elita botërore e letërsisë, nuk është thjesht skrib, por një levit i fjalës. Të gjithë mund të hynin në tempull, të gjithë mund të adhuronin në të, por ishte vetëm një fis i caktuar që mund të hynte në tebernakull, në shenjtoren e tempullit. Këta ishin levitët. Dhe çfarë gjendej në vendin më të shenjtë të të shenjtëve? Arka e Besëlidhjes. Dhe çfarë kishte brenda arkës? Dy rrasa guri me dhjetë urdhëresa. Pra, fjalë të gdhendura në gurë. Prandaj edhe fjala është exclusivité. Prandaj edhe Kadareja është leviti i vetëm me shërbesë universale në historinë e letrave shqipe. Ka pasur edhe levitë të tjerë që u kanë shërbyer nevojave të këtij vendi e këtij populli dhe pa asnjë dyshim gjithsecili prej nesh duhet t’u jetë mirënjohës, por Kadareja ka qenë dhe do të mbetet leviti që frymëzon aventura në fantazinë e fjalëve, udhëtime ndërhapësinore historike dhe kulturore, dhe paraqet si asnjë penë tjetër shqipe faktin më themeltar që harrohet nga çdo shkrimtar shqiptar, që fjala nuk mund të banojë dot brenda kufijve. Qofshin ata gjeografikë apo mendorë. Pena e tij është ngjizur në Shqipëri, por vendmbërritja e fjalëve të tij shkon përtej kohës dhe hapësirës. Dy nga përbërësit e vetë universit tonë dhe pa dyshim atij letrar, xhelozojnë cilindo mekanizëm mendor që funksionon me lëvizje të avashtë. Në periudhën e errët të regjimit komunist, nën dekadat e mortit të shpresës, një penë dhe një dorë e thjeshtë frymëzoi shqiptarët të bëhen shkrimtarë e mendimtarë. Disa ia dolën të afirmohen e disa jo por ne lexuam, ëndërruam, pamë një univers tjetër në çdo faqe të librave të Kadaresë. Lexuam Pallati i Ëndrrave dhe kuptuam që në momentet kur e liga të censuron edhe ëndrrat, gjëja më e keqe që mund të bëjë një njeri është të bëjë asgjë. Kadareja e përshkroi atë institucion varrmihës të ëndrrave në ditët e veta më të forta. Një akt guximi që frymëzoi dhe u manifestua më pas edhe në shkrimet e shumë shkrimtarëve të tjerë. Pallati i Ëndrrave ishte shuplaka më e madhe ndaj regjimit komunist në Shqipëri. Kjo vepër frymëzoi shumë intelektualë të kohës dhe u la të kuptojnë që vetëm peshku i ngordhur shkon me rrjedhën. Pjesa më e madhe e artistëve të atyre viteve ishin konformistë, sado të vegjël apo të mëdhenj, fanatikë të kuq apo oportunistë privilegjesh. Sot ne e dimë, por edhe vetë ata e kuptojnë, që nuk ishin tjetër veçse peshq të ngordhur. Nën atë marrëzi nuk kishte rregulla. Nuk kishte një udhëzues apo protokoll që duhej të ndiqej sesi të mbeteshe i papërlyer nën diktaturën më të ashpër të Europës. E vetmja gjë që udhëhiqte mendjen, zemrën dhe vullnetin, ishte instinkti i mbijetesës. Megjithatë, kërkohej vetëm një akt shpagimi për të ecur kryelartë e pa turp drejt së ardhmes. Ashtu si keqbërësi i kryqëzuar në krah të Krishtit u shpëtua vetëm me një akt të vetëm kur tha: “Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde”, ashtu edhe disa shkrimtarë shqiptarë u shpaguan përpara historisë dhe së ardhmes përmes penës së tyre. Ata të tjerët që nuk e morën këtë guxim, sidomos ata që ende jetojnë dhe krijojnë edhe sot, duhet të jenë modestë në kujtimet e tyre dhe për asnjë moment nuk duhet të shiten për atë çfarë nuk kanë qenë kurrë: levitë të fjalës dhe lirisë. Me Pallati i Ëndrrave i vitit 1981, kur Përbindëshi ishte edhe më i rrjedhur dhe paranojak sesa më parë, pena e Kadaresë i dha dy sinjale të fuqishme atij regjimi: që nuk jeni të paprekshëm dhe se edhe kur prekeni, jeni aq injorantë e të trashë, saqë nuk arrini ta kuptoni talljen e një shkrimtari me ju. Kur ne ishim më lindorë në mendim sesa më lindorët gjeografikisht, Kadareja të yshtte me një refleks Perëndimi. Të gjitha personazhet e penës së tij janë civilë e sharmantë, të hirshëm, tërheqës, disi të ftohtë e të përmbajtur, aspak ballkanikë e provincialë, por gjithnjë plot kulturë e intelekt. Të gjithë shkrimtarët e tjerë ranë pre e barazisë së klasave dhe e provincializmit. Komunizmi i ngrinte mendjen karrocierit se ishte filozof dhe bujkut se ishte poet, pa kuptuar ata mjeranë se kjo dredhi nuk bëhej për t’i ngritur vlerat e tyre, por për të ulur vlerat e filozofëve, poetëve dhe shkrimtarëve të vërtetë. Por Kadareja arrinte gjithmonë të kapërcente gravitetet e censurës dhe sterrosjen e regjimit, duke krijuar personazhe dhe koncepte të mëdha që vetëm sa nxirrnin zbuluar injorancën dhe privimin e talentit tek ata që u bënin recensione veprave të tij, që e denonconin atë apo që mundoheshin t’ia ndalonin botimet. Në pikun e asaj marrëzisë, Kadareja shkruante në disa nivele të perceptimit letrar, prej të cilave disa kuptoheshin nga regjimi e disa të tjera jo. Shumë shkrime ishin të shigjetuara ndaj vetë diktaturës, me një ton prej disidenti kolosal, si te vepra Dimri i Vetmisë së Madhe, e cila fliste pikërisht për diktatorin famëkeq, E. Hoxha. Kadareja është ndërgjegja e kombit tonë. Për më tepër, veprat e tij kanë shërbyer e do mbeten një portë yjesh. Falë tij Shqipëria e vogël dhe periferike, ritet tona, tradita jonë, qytete tona si Gjirokastra, prej dekadash janë në duart e lexuesve në mbarë globin. Me dhjetra kombësi kanë Kronikë Në Gur e janë mahnitur qysh në faqet e para: Duke ruajtur me vështirësi jetën njerëzore në gjymtyrët dhe nën lëvozhgën e tij të ngurtë, qyteti i shkaktonte asaj padashur shumë dhimbje, gërvishtje dhe plagë, dhe kjo ishte një gjë e natyrshme, përderisa ky ishte një qytet prej guri dhe çdo prekje e tij ishte e ashpër dhe e ftohtë. Ishte e vështirë të ishe fëmijë në këtë qytet. Rrallë mund të gjendet një përshkrim i tillë i një qyteti në mbarë universin e letrave. Ky përshkrim i Gjirokastrës, që në faqet e para të librit e liston penën e Kadaresë në elitat e letërsisë botërore. Por, përtej artit per se, ka shërbyer edhe si far orientues mbi botëkuptimin sesi vende dhe shoqëri të ndryshme e shohin pozicionin që zënë ata në raport me mbarë rruzullin. Ishte Ernest Hemingway ai që i joshi dhe i ngashënjeu amerikanët me aromën europiane, u zbuloi atyre se çfarë kulturash, traditash, pasionesh, qytetërimesh dhe bukurish gjenden jashtë kufijve. Veprat e tij bënë që Spanja, Afrika, Italia, Franca, Havana, demat, toreadorët, peshkimi, gjuetia e elefantëve, përçudnitë, tmerret e luftës dhe e gjithë bota me bukurinë dhe trishtimin e saj të vinte te lexuesi amerikan. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Kadareja, por në mënyrë të anasjelltë. I tregoi mbarë botës se kush është Shqipëria, Gjirokastra, natyra dhe tradita e shqiptarit, soji i rrallë i komunizmit që u mbart dhe u kultivua këtu për gjysmë shekulli, dhe detaje të tjera të cilat jo vetëm bota, por edhe vetë të lindurit e kësaj toke nuk do t’i kishin vënë re kurrë. Dhe lexuesit, nga çdo skutë dhe skaj i globit, e kishin të voglën Shqipëri në studion e tyre, në xhepin e tyre, në çantën e tyre, në duart dhe në mendjen e tyre, të manifestuar e të zbuluar në mënyrë madhështore. Ismail Kadare është i vetmi në Shqipëri që e ofron këtë portë yjesh. Asnjë shkrimtar tjetër, asnjë artist, muzikant, aktor, etj, nuk të përball me një pasqyrë boshe ku ti sheh pak nga pak pjesë nga vetja dhe kombi nga ku vjen, në varësi të perceptimit që të ofrohet nga ajo çfarë reflekton pas pasqyrës. Kjo është magji. Ky është gjenialitet. Të gjithë shkrimtarët dhe artistët shqiptarë të shekullit të njëzetë, por edhe më herët, pa asnjë përjashtim, e hapën kompasin e mendjes, talentit dhe ndikimit deri në kufijtë e këtij shteti të vogël. Fatkeqësisht, shkrimtarët vendas të këtij shekulli të ri e kanë shtrirjen e kompasit edhe më të ngushtë. Ata matin veten sa lart e gjerë, në zbulim të rolit që luajnë si individë në një shoqëri vendase e krahinore, ndërkohë që misioni i shkrimtarit është të përshkojë dimensione dhe universe të tjera të cilat shtrihen përtej gjeografisë, madje edhe vetë realitetit. Shkrimtarët dhe artistët janë exclusivité e një shoqërie. Ata më gjenialët janë levitë të parazgjedhur të fjalës. Për ta fjala është më e shenjta e së shenjtës. Ata janë në shërbim të rrasave të Besëlidhjes midis njeriut dhe krijuesit të njeriut. Si levitë, janë ndërgjegjja e një kombi. Ata i shërbejnë Arkës së Besëlidhjes, ose Arka e Dëshmisë, siç njihet ndryshe. Ndaj shkrimtarët e kalibrit të Kadaresë e kanë si mision të tyre të dëshmojnë. George Orwell dëshmonte për atë që shihte në të ardhmen, ndërsa Kadareja dëshmon për atë që përjetoi në të tashmen e tij dhe në të shkuarën tonë si një komb. Të dy këta, bashkë me shumë pena të tjera mbarëbotërore, janë levitë në tebernakullin e letërsisë dhe qytetërimit. Brenda Arkës së Dëshmisë gjendeshin rrasat mbi të cilat ishin shkruar dhjetë urdhëresat, por gjithashtu kishte edhe një enë të artë me mana, si edhe shkopi i Aaronit. Ndaj një penë si e Kadaresë dëshmon përpara mbarë botës forcën e fjalës, mrekullinë e manës, ushqimit dhe çlirimit që ra nga qielli edhe kur marrëzia i shpalli luftë Perëndisë në vitin 1967 dhe shërben si ndërgjegjja e një kombi, ashtu siç shërbente shkopi i Aaronit. Ndaj vepra të Kadaresë, si Piramida, Hija, Shkaba, Spiritus, Vajza e Agamemnonit, Pasardhësi, Darka e Gabuar, E penguara: Rekuiem për Linda B., Aksidenti, Kukulla, Mëngjeset në Kafe Rostand etj., vazhdojnë të dëshmojnë për historinë, botëkuptimin dhe karakteristikat e Shqipërisë. Së fundmi, Ismail Kadare është plotësia e trinisë kombëtare. Nëse Gjergj Kastrioti është simbol i guximit dhe qëndresës së popullit tonë, Nënë Tereza, zemra e madhe e Shqipërisë, Ismail Kadare është mendja dhe pena e ndritur e kombit shqiptar. Gëzuar 88 vjetorin e lindjes Ismail Kadresë.