2024-05-21

BAJRAQET KTHELLA, SELITA DHE SHKRELI

 

KTHELLA

Kthella është një prej bajrakëve që tradicionalisht ishin pjesë e grupit të Mirditës. Bashkë me Selitën dhe Rranzën (Bushkashin), quhen edhe “tre bajrakët e Ohrit”, dhe u bashkuan me grupin e mëparshëm prej pesë bajrakësh që përbënin Mirditën në atë kohë (Oroshi, Spaçi, Kuzhneni, Gani, Dibrri). Vendbanimet e Kthellës përfshijnë qendrën urbane të Mirditës, Rrëshenin, si dhe fshatrat Prosek, Përlat, Shebë, Tarazh, Ujë-Shtrez, Lurth, Kodër-Rrëshen, Malaj.

Përmbajtja 

1 Hyrje

2 Rezultatet

3 Prejardhja e fiseve të Kthellës

3.1 Trungu kryesor gjenetik: E-Y84585

3.2 Vëllazëritë e Perlatit

3.3 Linja të tjera atërore

Hyrje

Tradicionalisht, disa prej fiseve të zonës ruajnë kujtesën e prejardhjës së përbashkët, mirëpo në përgjithësi, Kthella mbahet si bajrak me prejardhje heterogjene, pra me disa vëllazëri me prejardhje të ndryshme. Rezultatet e mëposhtme nga testet Y-DNA verifikojnë saktësinë e këtyre tradiatve dhe tregojnë edhe prejardhjen më të hershme të vellazërive kryesore të bajrakut.

Kthella

Rezultatet

Search:

Fshati  Rezultati

Prosek E-V13>CTS9320>Y84585

Prosek E-V13>CTS9320>Y84585

Prosek E-V13>CTS9320>Y84585

Prosek E-V13>CTS9320>Y84585

Prosek E-V13>CTS9320>Y84585

Tarazh E-V13>CTS9320>Y84585

Tarazh E-V13>CTS9320>Y84585

Fushë-Lumth   E-V13>CTS9320>Y84585

Kodër-Rrëshen      E-V13>CTS9320>Y84585

Kodër-Rrëshen      E-V13>CTS9320>Y84585

Shebë  E-V13>CTS9320>Z17107>Z38456

Shqalsh, Malaj E-V13>CTS9320>Z17107>Z38456

Prosek E-V13>FGC11450>Y140828

Perlat   R1b-CTS9219>Z2705

Perlat   R1b-CTS9219>Z2705

Perlat   R1b-CTS9219>Z2705

Perlat   R1b-CTS9219>Z2705

Shebë  R1a-M417

Rrëshen     J1-M267>FGC11

Showing 1 to 19 of 19 entries

Prejardhja e fiseve të Kthellës

Me 19 rezultate deri tani, Kthella është zona më e testuar në Mirditë, prandaj edhe të dhënat mbi prejardhjen e Kthellës janë relativisht më të plota. Me këto rezultate mund të nxjerrim disa përfundime të rëndësishme mbi formimin e Kthellës si një njësi etnografike.

Trungu kryesor gjenetik: E-Y84585

Nga rezultatet dallohet qartë që Kthella përfshin disa linja të ndryshme atërore, pra është një bajrak heterogjen si prejardhje. Nga ana tjetër, një numër i madh vëllazërish rrjedhin nga një paraardhës i përbashkët nga i cili kanë trashëguar vijën atërore E-V13>CTS9320>Y84585. Këto vëllazëri përbëjnë rreth gjysmën e rezultateve të deritanishme, dhe vijnë nga fshatra të ndryshme të Kthellës. Ky trung gjenealogjik gjendet sot në Prosek, ku përbën pjesën dërrmuese të popullsisë, në Tarazh, në Fushë-Lumth, në Kodër-Rrëshen dhe po ashtu edhe në Kthellë të Epërme. Numri i madh i vëllazërive që rrjedhin nga ky trung si dhe shpërndarja e gjerë në fshatra të ndryshme sugjerojnë se përhapja e tyre mund të ketë lujatur rol kyç në përmbledhjen e Kthellës në një njësi të përbashkët etnografike, duke përfshirë edhe shumë vëllazëri të tjera pa lidhje gjaku me ta. Duket se kjo linjë arriti të përhapej e të mbizotëronte në luginën që përfshin zonën nga Rrësheni deri në Prosek, kurse në pjesën tjetër mbetet një prej disa linjave të ndryshme atërore.

Si pjesë e haplogrupit E-V13 dhe degës CTS9320, kjo linjë është pasardhëse e fiseve të lashta të Ballkanit, me gjasë të pjesës qendrore/perëndimore të tij (ndoshta dardanët). Nga mesjeta e hershme ishte pjesë e etnogjenezës arbërore/shqiptare diku në trevat veriore shqiptare dhe sot gjendet në Mirditë dhe në Tiranë.

Vëllazëritë e Perlatit

Fshati Përlat është një rast i veçantë në Kthellë pasi të gjitha vëllazëritë e fshatit i takojnë një vije të përbashkët atërore, pa lidhje me linjën kryesore që gjendet në disa fshatra të tjera në Kthellë. Dimë se kjo vijë atërore e Përlatit është R1b-CTS9219>Z2705, gjithashtu me prejardhje nga fiset e lashta të Ballkanit. Por ndërsa linja kryesore në Kthellë është e rrallë jashtë saj, linja atërore e Përlatit gjendet në rreth 14% të meshkujve shqiptarë nga të gjitha trojet, të gjithë pasardhës të një burri të vetëm nga Antikiteti i vonë. Vlen të përmendet se në fshatin Përlat përmenden që në 1402 vëllezërit Pal dhe Tanush Përlati të fisit Dukagjinëve, po ashtu mendohet që edhe Pjetër Duka (Përlati) mund të ketë qenë nga ky fshat. Nisur nga homogjeniteti i fisit të sotshëm, përfshirë edhe familjen e sotshme Duka, mund të hamendësohet se personazhet e lartpërmendura mund të kenë pasur të njëjtën vijë atërore. Megjithatë, asnjë nga rezultatet e deritanishme nuk ka rezolucionin maksimal, prandaj mbetet të presim rezultate më të hollësishme për të nxjerrë përfundime më të sigurta.

Linja të tjera atërore

Mes linjave të tjera atërore në Kthellë, njëra, E-V13>Z38456 gjendet në Shebë dhe në lagjen Shqalsh të fshatit Malaj (familje me prejardhje të përbashkët në vijë atërore), po ashtu edhe në zona të tjera të Mirditës si në bajrakun e Dibrrit dhe atë të Fanit dhe duhet të jetë mes linjave me praninë më të hershme të vazhdueshme në Mirditë. Tri të tjerat janë gjetur në vetëm nga një familje deri tani, por nuk përjashtohet që mund të gjendet në të tjera në të ardhmen.

Ftojmë çdo të interesuar nga Kthella, dhe më gjerë nga Mirdita dhe të gjitha trojet e tjera shqiptare që të bëjnë nga një test Y-DNA dhe të anëtarësohen në projekt.

SELITA

Selita është një trevë historike e Mirditës. Tradicionalisht, Selita ishte një prej tre bajrakëve të Ohrit, bashkë me Rrazën dhe Kthellën. Bajrakët e Ohrit u bashkuan me grupin e Mirditës pasi në këtë të fundit bënin pjesë tashmë Oroshi, Spaçi, Kuzhneni, Dibrri dhe Fani. Ndër qendrat kryesore të Selitës janë vendbanimet Kurbnesh, Zajs, Bardhaj, Lëkundaj, Mërkurth, Trangë, Tharr, Lufaj, Kumbull, Gjoçaj, Zall-Gjoçaj, Lam i Madh, Dajç.

Përmbajtja

1 Tradita dhe burimet historike

2 Rezultatet gjenetike

3 Përfundime mbi prejardhjen e popullsisë në Selitë

Prej shpalljes së pavarësisë, këto fshatra kanë qenë herë nën administrimin e Shkodrës ose Lezhës, e herë të Dibrës ose Matit, shpesh edhe të ndara në dy njësi administrative të ndryshme.

Tradita dhe burimet historike

Sipas traditës, Selita është bajrak heterogjen në prejardhje, pra jo të gjitha familjet vijnë nga një trung i vetëm mashkullor, dhe familje të ndryshme mund të martohen mes tyre. Mark Tirta tregon se ka gojëdhëna për ndonjë lëvizje të hershme nga zona e Ohrit apo e Hotit, por thekson se lidhja e këtyre bajrakëve me Ohrin ka të bëjë më shumë me të qenit nën varësinë adminsitrative të Ohrit se sa me ndonjë prejardhje të popullsisë nga ajo zonë. Rrok Zojzi paraqet gojëdhënën e përhapur të prejardhjes nga Murr Dedi, ashtu si gjendet edhe ndër fise të tjera të Dukagjinit. Mirëpo vetë Selita, ashtu si vendbanimet e saj, madje në disa raste edhe familjet e veçanta, dalin herët nëpër dokumente historike, duke shfaqur një vazhdimësi prej të paktën 400-500 vitesh. Për shembull, fshatrat Selitë e Madhe dhe Selitë e Vogël shfaqen në regjistrin e vitit 1467 si pjesë e zonës së Urakës, kurse në 1671 Selita del tashmë i veçantë që në 1672 në relacionin e S.Gasparit. Familja Lufi, ndër më të njohurat e zonës, shfaqet e dokumentuar të paktën nga vitet 1671 dhe 1733, kurse familja Skura edhe më herët, që në periudhën e Skënderbeut në 1467.

Rezultatet gjenetike

Deri tani, në Projektin Shqiptar të ADN-së “Rrënjët”, kemi 10 anëtarë nga Selita. Rezultatet e tyre janë: J2b-L283>PH1751 (x6), I1-M253 (x2), E-V13>CTS9320>BY20093, R1a-M458>L1029>YP263>Y18892. Nga këto rezultate mund tëdalim në disa përfundime të rëndësishme.

Fshati  Rezultati

Kthellë e Epërme  E-V13>CTS9320>BY20093

Kthëlle e Epërme  R1a-M458>L1029>YP263>Y18892

Mërkurth   I1-M253

Lekundë     I1-M253

Lam i Madh     J2b-L283>PH1751

Lam i Madh     J2b-L283>PH1751

Zajs      J2b-L283>PH1751

Bardhaj      J2b-L283>PH1751

Lufaj     J2b-L283>PH1751

Trangë e Epërme  J2b-L283>PH1751

Showing 1 to 10 of 10 entriesPreviousNext

Përfundime mbi prejardhjen e popullsisë në Selitë

– Është e vërtetë që Selita është bajrak që përmban fise me prejardhje të ndryshme, gjë që dallohet lehtësisht nga fakti që të paktën katër vija të ndryshme atërore gjenden në territorin e saj, dhe të tjera mund të zbulohen me teste te reja në të ardhmen (psh dimë nga teste në 23andme që edhe linja R1b-CTS9219 është e pranishme në Selitë). Pra tradita është e saktë në këtë pikë.

– Edhe pse përgjithësisht Selita është fis heterogjen, trungu fisnor që rrjedh nga vija atërore J2b-L283>PH1751 është pa dyshim më i përhapuri dhe përmban një pjesë të mirë, ndoshta edhe shumicën e familjeve. Një prej këtyre familjeve, pasi ka kryer testin me rezolucion maksimal, ka përcaktuar edhe nëndegën J2b-PH1751>Y67581. Nga kjo linjë atërore kanë prejardhje familjet: Buraku nga fshati Zajs, Lufi nga Tranga e Epërme, Nikolli nga Bardhaj, Kaçorri nga Lufaj, Skura dhe Gjokola nga Lami i Madh. Siç shihet qartë, kjo vijë atërore është shtrirë pak a shumë në gjithë hapërisën e Selitës. Gjithashtu, duke qenë se familjet Skura dhe Lufi përmenden në Selitë që prej 400-500 vitesh, dimë që ky trung ka prani të vjetër në këtë zonë, por tashmë kemi të qartë edhe që këto familje të vjetra kanë prejardhje të përbashkët. Gjithashtu, nën J2b-PH1751>Y67581 një familje që prej të paktën disa shekujsh gjendet në Kërçovë ka afërsi më të madhe se të tjerat me linjën e Selitës, pra me gjasë të parët tyre janë shpërngulur nga Selita në një periudhë edhe më të hershme, gjë që përsëri flet për vjetërsinë e kësaj linje në Selitë. Nisur nga këto të dhëna mund të hamendësojmë se përhapja e këtij trungu fisnor gjatë shekujve 15-17 në fshatra të ndryshme ka qenë faktor i rëndësishëm në unifikimin krahinor të tyre, deri sa dalin në 1672 si një rajon i vetëm nën emrin Selitë.

Përveç linjës J2b-PH1751, mund të ketë edhe të tjera që janë përhapur në disa fshatra e që mund të kenë pasur rol përbashkues në procesin e formimit të trevës së Selitës. Linja I1-M253 është gjetur deri tani në anëtarë nga Mërkurthi dhe Lëkunda. Po ashtu, rezultate të ngjashme ka edhe në Bushkash të bajrakut të Rrazës, ku ruhet gojëdhëna e prejardhjes nga një zonë më veriore e Mirditës. Pra, ka të dhëna që edhe kjo linjë të jetë e vjetër dhe e përhapur në Selitë, mirëpo duhen rezultate më të thelluara nga kjo dhe linja të tjera atërore në Selitë për të nxjerrë përfundime më të sigurta.

– Gojëdhënat që lidhin Selitën me prejardhje nga Hoti, Ohri apo nga Murr Dedi nuk gjejnë mbështetje në rezultate gjenetike. Në fakt rezultatet e deritanishme nuk kanë zbuluar asnjë lidhje gjenetike as me Hotin dhe fiset e tjera rreth tij, as me grupin e fiseve të tjera që besojnë se vijnë nga Murr Dedi si Berisha, Oroshi, Spaçi, Kuzhneni, etj. Gjithashtu, mund të përjashtojmë lëvizje të rëndësishme të popullsisë nga zona e Ohrit, pasi rezultatet janë më të afërta me trevat e tjera veriore, se me juglindjen. Nuk mund të përjashtojmë me siguri mundësinë që me testimin më të dendur të zonës, të zbulohen lidhje të ndonje familjeje të veçantë me fiset e lartpërmendura, por nëse flasim për Selitën në përgjithësi, pjesa dërrmuese e popullsisë duhet të jetë në të njëjtën treve të tre bajrakëve të Ohrit që në Mesjetë e vonë dhe më herët.

– Lidhur me prejardhjen më të largët të banorëve të Selitës, mund të thuhet pa dyshim se gjenetikisht janë të një profili karakteristik shqiptar. Shumica e linjave atërore lidhen me fiset e lashta të Ballkanit, me shumë gjasë me ilirët, si grupi i linjës J2b-PH1751. Mbi linjën atërore J2b-PH1751 mund të lexoni më shumë këtu: https://rrenjet.com/j-y21045/#J-PH1751_J-Z38299. Po ashtu edhe rezultati E-V13>CTS9320>BY20093 ka prejardhje nga shtresa ballkanike para-romake që u zgjerua përsëri duke nisur nga Mesjeta, nga pjesa veriore e trojeve shqiptare. Rezultatet më të afërta të kësaj linje, në rreth 1200 vjet largësi, vijnë nga zona e Pezës në Tiranë, nga një grup vëllazërish mes të cilave ekziston një gojëdhënë për prejardhje nga verilindja. Kurse një pjesë më e vogël e linjave atërore, si I1-M253 dhe R1a-L1029>Y18892 kanë prejardhje nga popujt që u vendosën në Ballkan gjatë mijëvjeçarit të parë e.s. Rezultatet I1-M253, siç theksuam më lart, duhen thelluar për të kuptuar më shumë mbi vendosjen dhe përhapjen e tyre, por në pjesën dërrmuese të rasteve lidhen me lëvizje nga Europa veriore, kryesisht me fiset gjermanike; kurse degët e R1a-L1029 lidhen më shpesh me lëvizjet e fiseve sllave, por duhet theksuar se dega R1a-L1029>Y18892 përfshin edhe një rezultat nga Çekia që sipas vlerësimit arkeologjik (jo me radiokarbon) i takon Epokës së Hekurit.

Kthella, Selita dhe Rraza, ashtu si gjithë Mirdita, paraqesin një trevë tepër interesante për studime gjenetike, jo vetëm për shkak të vazhdimësisë së dokumentuar onomastike, por edhe sepse popullsia e zonës është paraqet shtresëzime të njëpasnjëshme që përmbajnë si degë fisesh të përhapura shekujt e fundit, ashtu edhe familje të vjetra (anase) që banojnë këtë zonë që nga Mesjeta. Nisur nga larmia e lartë e linjave atërore, potenticali për zbulime të reja është shumë premtues. U bëjmë thirrje gjithë të interesuarve në zonë, por edhe nga gjithë trojet shqiptare, të na kontaktojnë që t’i udhëzojmë për kryerjen e një testi gjenetik.

_________

Burime:

Zojzi, Rr. (2018) [1962]. Ndamja krahinore e popullit shqiptar. Gegnia, 6-2018. Marrë me 17 prill 2020 nga www.bibliotekashkoder.com.

Tirta, M. Mirdita e moçme e migrime të popullsisë së saj. Marrë me 28 shtator 2021 nga https://mirdita.com/threads/mirdita-e-mo%C3%A7me-e-migrime-t%C3%AB-popullsis%C3%AB-s%C3%AB-saj.755/.

Faqja “Mirdita: Histori dhe Aktualitet” në Facebook: https://www.facebook.com/MIRDITAHistori-dhe-aktualitet-379148285430852.

SHKRELI

Shkreli është ndër fiset kryesore të Malësisë së Madhe. Territori i Shkrelit shtrihet përgjatë luginës së Lumit të Thatë, duke u kufizuar me Kastratin, Kelmendin, Bogën, Shalën, Planin, Rrjollin, Reçin, Lohjen. Fshatrat e Shkrelit janë Vrithi, Bzhetë, Zagora, Dedaj, Ducaj, Xhaj, Makaj, Grishaj.

Shkreli në histori dhe gojëdhëna

Shkreli nis të përmendet në dokumenta historike nga shekulli i 15, kur del si vendbanim në trevën ku gjendet edhe sot, dhe mbiemër i banorëve të disa fshatrave të ndryshme në zonën mbi Shkodër (Zamputi, 1977). Sipas një gojëdhëne thuhet se Lekë Shkreli ishte i pari i fisit, dhe djemtë e tij Vrith, Dedë, Buzhetë dhe Zog formuar fshatrat kryesore të fisit: Vrith, Dedaj, Bzhetë dhe Zagore (Ukgjini). Ka hipoteza të ndryshme për vendin nga erdhi Leka me të bijtë: një version i mbledhur nga në 1858 thotë se i pari i fisit erdhi nga Peja (Hecquard, 1858), Rrok Zojzi përmend Fushën e Kosovës (1944), kurse një version tjetër më i njohur thotë se Leka mbërriti nga Bosnja (Durham, 1908; Nopsca 1912; Ukgjini), por duhet thënë se në shekujt e kaluar edhe territore të afërta që sot janë pjesë e Malit të Zi thirreshin Bosnje.

Kujtesa e trashëguar thekson se të parët e këtij trungu gjeneaologjik gjetën në Shkrel një popullsi më të vjetër, nga të cilët mbetën vetëm pak familje, kurse të tjerat u larguan. Nga këta banorë të vjetër, sipas të gjitha gojëdhënave, rrjedhin banorët e fshatit Xhaj, dhe sipas Ukgjinit edhe Vukajt, Kolajt, Kapllajt, Luizi dhe Tuçajt. Rrok Zojzi tregon:

“Kur fisi i Shkrelit u dynd prej fushës së Dardhanis (Kosovës), kaloi bjeshkët dhe i ra në shpinë Xhanit qi banojshin në tokën ku sot banon Shkreli. Xhajt luftuen sa mujten e në fund u dbuen dhe u ndoqën prej Shkrelit gjatë luginës së Prronit të That. Xhani i lodhun, nji pjesë i briti Shkrelit “në dorë t’ande, mos më çart”, e nji pjesë tjetër u kap mbi qafë të Shtogut e duel në Pult ku përtrini Xhanin edhe atje.”

Që në fillim të shekullit të 17 Shkreli del si njësi e veçantë, pasi përmendet nga Bolizza me 65 shtëpi dhe 43 burra të armatosur nën udhëheqjen e Gjon Parubës. Pas kësaj periudhe Shkreli vijon të zjgerohet deri sa mbërrin në rreth 600 shtëpi në 1900. Përveç Shkrelit në Malësi të Madhe, shumë shkrelas u zhvendosën edhe në treva të tjera, si në Sanxhak, në Rugovë e më tej në Kosovë, në Shestan, në trevat fushore bregdetare mes Shkodrës e Lezhës, etj. Ka edhe fise të tjera që kujtojnë prejardhjen e tyre nga Shkreli, edhe pse tashmë nuk e mbajnë veten pjesë të këtij fisi, si psh Bytyçi (Rrok Zojzi thotë në 1962 se Shkreli e Bytyçi ishin një Mal që u nda në dy fise), Markajt e Margegajt në Tropojë, Vrithi e Dedajt në Pukë, Shëngjini në Mirditë, etj. Kurse Boga thuhet se ka qenë pjesë e Shkrelit përpara bashkimit me Kelmendin, por nuk ka gojëdhëna konkrete për lidhje gjaku.

Rezultatet gjenetike

Në databazën e projektit kemi, deri tani, 14 anëtarë të fisit Shkrel. Prej këtyre, 10 janë nga Shkreli në Malësi të Madhe, kurse 4 nga zonat e tjera të banuara nga anëtarë të fisit.

Fshati  Vëllazëria   Rezultati

Grykë Lugje            J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Ducaj   Bzheta J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Dedaj   Dedaj   J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Dedaj   Dedaj   J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Poicë   Dedaj   J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Zagorë Zagora J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Makaj         J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Makaj         J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Fushë Kosovë, Prishtinë          J2b-L283>Y23094>Y82533>CTS8786

Xhaj     Xhaj (anas)      R1b-M269>Z2705>BY105603>Y177774

Xhaj     Xhaj (anas)      R1b-M269>Z2705>BY105603>Y177774

Lezhë          E-V13>Z5018>S2979>L241>PH2180

Klinë, Pejë        I1-M253>Z63>S2077>Y60985>BY105294

Vogovë, Gjakovë          I1-M253>Z63>S2077>Y60985>BY105294

Showing 1 to 14 of 14 entries

Nga këto rezultate, disa përfundime rreth prejardhjes së shkrelasve janë tashmë të qarta.

Përfundime

– Trungu kryesor gjenealogjik në Shkrel i takon vijës atërore J2b-L283>Y23094>Y82533. Kjo linjë është gjetur në të gjithë fshatrat e Shkrelit, përveç fshatit Xhaj. Pra Shkreli është fis mjaft homogjen dhe gojëdhëna që tregon se Vrithi, Zagora, Dedajt dhe Bzheta kanë prejardhje të përbashkët është e saktë. Prejardhja e largët e kësaj linje lidhet me fiset e lashta të Ballkanit, gati me siguri me ato ilire (më shumë rreth kësaj linje mund të lexoni këtu). Lidhur me kohën e vendosjes në Shkrelin e sotshëm, vjetërsia e nëndegës sugjeron së paku periudhën e Mesjetës së vonë, ndoshta edhe më herët. Ka mundësi që në vend të zëvendësimit të një fisi të vjetër me një fis të ardhur rishtaz, gojëdhënat kujtojnë përplasjet që lindën si pasojë e fuqizimit dhe zgjerimit të njërit prej fiseve të zonës kundrejt fiseve të tjera.

– Duke parë shpërndarjen dhe larminë e linjës atërore J2b-L283>Y23094>Y82533, mund të thuhet me siguri se të parët e Shkrelit nuk kanë prejardhje nga Bosnja, por nga pjesa veriore e trojeve shqiptare, të paktën nga Antikiteti i vonë deri sot, kurse prania në Ballkan është të paktën 4200 vjeçare.

– Familjet anase të Shkrelit kanë vazhdimësi sot në fshatin Xhaj, ku familjet e testuara nuk i takojnë trungut kryesor gjenealogjik, por një linjës atërore R1b-Z2705>BY105603. Edhe kjo është linjë e vjetër në Ballkan por pa lidhje me linjën e mësipërme (më shumë rreth kësaj linje mund të lexoni këtu). Përveç gojëdhënave, edhe rezultati mbështet vjetërsinë e Xhajit në këtë zonë, pasi kjo linjë është gjetur edhe ndër fise të tjera anase të Malësisë e përreth. Kurse ndër familjet e tjera që përmenden si anase, deri tani, rezultatet thonë se kanë prejardhje të njëjtë me trungun kryesor të fisit.

– Ndër familjet shkrelase që banojnë jashtë territorit të fisit në Malësi të Madhe, vetëm disa kanë përputhje me trungun kryesor të fisit. Për familjet nga Peja dhe Fushë-Kosova, përputhja gjenetike me fisin në Malësi tregon për prejardhjen e tyre nga kjo zonë. Po ashtu, në projektin boshnjak të ADN-së ka anëtarë nga zona e Sanxhakut të cilët gjithashtu përputhen me linjën atërore të Shkrelit në Malësi. Një pjesë e këtyre kanë ende ose mbiemrin Shkreli ose ruajnë kujtimin e prejardhjes nga ky fis. Edhe një familje nga zona e Muriqanit, e cili tashmë e ka humbur lidhjen me fisin, lidhet në rreth 300 vjet (10 breza) me shkrelasit në Malësi. Në rastin e rezultatit nga Lezha me haplogrup E-V13>PH2180, nuk ka përputhje me anëtarët nga Shkreli, mirëpo rezultati është tipik për Malësinë, prandaj ka mundësi që bëhet fjalë për ndonjë familje anase të larguar. Kurse familjet nga zona e Gjakovës, të linjës atërore I1-M253>Y60985, kanë prejardhje nga Puka (Kçira dhe Komani). Nuk është e qartë nëse identifikimin si shkrelas e kanë trashëguar gjithashtu si të larguar nga Shkreli, apo e kanë përvetësuar diku mes Pukës dhe Gjakovës, por nisur nga mungesa e plotë e haplogrupit I1 në Malësi, gjasat anojnë nga mundësia e dytë.

– Fiset e tjera që tregojnë prejardhje nga Shkreli, si Bytyçi, Markajt e Margegajt në Tropojë dhe Shëngjini në Mirditë, u takojnë linjave të ndryshme atërore, pa lidhje gjaku me fisin e Shkrelit. Nga Dedajt dhe Vrithi i Pukës nuk kemi rezultate, mirëpo nisur nga rezultatet e fshatrave përreth me të cilat kanë afri, ka më shumë gjasë që edhe këto fshatra mos të lidhen me Shkrelin. Po ashtu, nëse Boga ka qenë pjesë e Shkrelit, lidhje gjaku nuk ka pasur pasi familjet e Bogës janë kryesisht të linjës atërore E-V13>CTS9320>Z16988>BY62310.

Mbeten disa familje të Shkrelit në Malësi të Madhe që ende nuk janë testuar. Po ashtu mbeten për t’u testuar shumë shkrelas nga treva të tjera, si nga Shestani, nga disa zona të Kosovës dhe nga zonat fushore rreth Lezhës. Ka mundësi që testimi i këtyre familjeve të zbulojë edhe ndonjë linjë tjetër atërore që tashmë nuk gjendet në trojet e fisit në Malësi.

———–

Burime

Durham, M. E. (1928). Some tribal origins, laws and customs of the Balkans (p. 301). London: Allen & Unwin.

Elsie, R. (2015). Fiset Shqiptare. Artini: Tiranë.

Hecquard, H. (1871). Histoire et description de la Haute-Albanie ou Guégarie, Paris 1857.

Nopcsa, F. (1912). Beiträge zur Vorgeschichte und Ethnologie Nordalbaniens. Holzhausen.

Nopcsa, F., Malaj, E., Verli, M., & Zallari, M. (2013 (1908)). Fiset e malësisë së Shqipërisë veriore dhe e drejta zakonore e tyre. Qendra e Studimeve Albanologjike Instituti i Historisë.

Ukgjini, N. Shkreli: Një vështrim i shkurtër historik. Marrë nga http://kulturserver-hamburg.de/home/shkodra/shkodra/shkreli.html, 23 mars 2022.

Zamputi, I. (1977). Regjistri i kadastrës dhe i koncesioneve për rrethin e Shkodrës 1416-1417. Akad. e Shkencave, Inst. i Historisë.

Zojzi, Rr. (1944). Fisi si njisi politike: Fisi-Shtet. Hylli i Dritës, 1944 (5), f. 63.

Zojzi, Rr. (2018)[1962]. Ndamja krahinore e popullit shqiptar. Gegnia, 6-2018. Marrë me 17 prill 2020 nga www.bibliotekashkoder.com.

DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XXIII)




Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba 

                                                                       -120-

Konfidenciale                                                                                                                                                                                                                                

N H R A Broomfield Esq                                                                  Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                             Beograd                         

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                         23 nëntor 1981                                                                           

I nderuar Nigel,

Vizitat për të hyrë e dalë nga Jugosllavia

1.         Letra juaj për Curtis Keeble e datës 30 tetor mbërriti pasi isha larguar për në Londër. Siç do t’ju kujtohet, kemi biseduar për këtë çështje dhe e kam diskutuar edhe me Charles Gray. Mbase do të ishte e dobishme që të hidhja në letër këndvështrimin tim për këtë pikë.

Vlerësime të përgjithshme

2.         Tre faktorët që duhet të kemi parasysh vitin e ardhshëm, janë:

(a) Do të mbahen zgjedhjet e reja nga mesi i prillit deri në formimin e Qeverisë së re afërsisht

në mesin e majit.

(b) Kongresi i 12-të i Partisë do të mbahet në qershor: datat e sakta nuk janë shpallur ende.

(c) Unë do të largohem më e shumta më 19 tetor dhe mendoj se do të bëj gati valixhet rreth 1

tetorit. Pasuesi im duket se nuk do të arrijë deri pas pak kohësh në nëntor.  

Sekretari i Shtetit

3.         Jam i kënaqur që Sekretari i Shtetit ka vendosur t’i kthejë kaq shpejt vizitën Vrhovecit. Kjo do t’i japë mundësinë që të takojë Ministrin e Jashtëm jugosllav në fillim të ushtrimit të detyrës së tij. Më keni njoftuar se ai do të vijë në korrik ose në vjeshtë. Nëse është fjala për vjeshtën, shpresoj që të ndodhë në shtator, megjithëse mbledhja e UNGA mund të shkaktojë probleme. Nëse bëhet fjalë për korrikun, në gjysmën e parë të muajit do të ishte më mirë se të dytën, d.m.th. para se të fillojë sezoni i pushimeve lokale. Por jam i sigurt se, edhe nëse është i vlefshëm vetëm opsioni i dytë, jugosllavët përsëri do të pranonin.

4.         Keni ngritur me mua problemin e Bullgarisë, duke thënë se, nëse isha kundër kombinimit të vizitave në të dyja vendet, rrezikonim që të humbnim atë të Beogradit. Unë thashë se, nëse ishte kështu, le ta zhvillojmë vizitën këtu që përbën një faktor më të rëndësishëm dhe të sigurojmë shpjegimet e nevojshme lokale. Mendoj se jeni dakord që Sekretari i Shteti të kalojë tre ditë këtu dhe të vijë në Beograd përpara Sofjes.

Lord Trefgarne

5.         Nëse e kujtoj saktë, ramë dakord që Lord Trefgarne mund të alternonte vizitën me Lordin Carrington. Nëse ky i fundit vjen në vjeshtë, tjetri mund të vijë më herët, p.sh. në korrik. Do të bëjmë të pamundurën për të siguruar që të vizitojnë Republika të ndryshme. Mbi të gjitha, duhet të shmangim vizitën e Lord Carrington në Maqedoni. Mund të sugjeroj Bosnjën/Hercegovinën. Lord Trefgarne mund të shkojë në Mal të Zi ose Maqedoni (ose nëse është e hapur për ftesa zyrtare, edhe në Kosovë), megjithëse vitin e kaluar Kryeministri vizitoi Shkupin dhe Z. Parkinson Titogradin. Fjala e fundit i takon mikpritësve jugosllavë, pasi duhet të ruajnë një model barazie në vizitat e dy të huajve të rëndësishëm në Republika.

Z. Nott

6.         Mendoj se ishte Charles që më tha se Z. Nott po planifikonte të vinte këtu për vizitë për Pashkë ose për Ditën e Rrëshajave. Pengesa për Pashkë është se mikpritësi, Gjeneral Ljubiçiq, nuk do të jetë më Ministër i Mbrojtjes që nga mesi i majit. Kështu, nëse do të vijë atëherë, Z. Nott nuk do të krijojë marrëdhënie personale me personin e ngarkuar së paku për katër vitet e ardhshme. Dita e Rrëshajave, 31 maji, do të ishte mirë nga ky këndvështrim, e po ashtu edhe qershori, me kusht që Z. Nott të shmangë javën e Kongresit. Por, nëse mundësia e vetme mbetet vetëm dita e Pashkëve, sugjeroj që ta pranojmë këtë pasi edhe nëse Z. Nott nuk arrin të takojë Ministrin e ri, ai do të na ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve me Ministrin e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura.

Markoviq

7.         Siç e dini, jemi ende në pritje që të sqarohet çdo gjë për këtë vizitë të brendshme. Sa më shumë që të vonohemi, aq më pak ka të ngjarë që ta realizojmë para zgjedhjeve në mesin e prillit; e kuptoj që, meqenëse Lord Trefgarne është mikpritësi i propozuar, lidhja përmes Parlamentit do të reduktohet. Sidoqoftë, ende mendoj se kjo lidhje është e rëndësishme. Kuvendi Federal po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm këtu.

Krijimi i PUS

8.         Jam vënë në dijeni se Anthony Acland do të vijë kryesisht për të takuar stafin. Në të njëjtën kohë, nëse deri atëherë është emëruar një “PUS” jugosllav, do të bëj përpjekje për të rregulluar një takim. Jam informuar nga Anthony se do të ndryshojë pak datat, pra do të vijë diku rreth datave 14/15 janar, gjë që është e përshtatshme për ne.

Bullard

9.         Siç e kam përmendur, për të rregulluar vizitat, Julian mund të mendojë të vijë në shkurt. Por e di që ai nuk mund të vendosë deri në fund të vitit.

Kryeministri i Jugosllavisë

10.       Znj. Thatcher ka ftuar Kryeministrin për të kthyer vizitën në Mbretërinë e Bashkuar. Gjuranoviq, titullari në detyrë do të zëvendësohet në maj. Sugjeroj që ta lëmë vizitën e kthimit për pasuesin e tij në vitin 1983.

Sekretari i Shtetit për Departamentin e Punëve të Brendshme

11.       SFPJ i Jugosllavisë na ka njoftuar se po shqyrtojnë mundësinë që të ftojnë Sekretarin e Shtetit për Departamentin e Punëve të Brendshme për të vizituar Jugosllavinë. Mendoj se kjo nuk do të mirëpritet në Londër kryesisht për faktin se jugosllavët do ta shihnin si një rast për të ngritur çështje të pakëndshme për emigrantët e tyre në Mbretërinë e Bashkuar. Nga ana tjetër, mund të ishte me vlerë që t’i përgjigjeshim përmes një Ministri pasi kjo do të na jepte mundësinë të diskutojmë çështje të tilla si lënda narkotike, Interpoli, etj.

                                                                                             I Juaji

                                                                                          E. Bolland 

-121-

Referencë

Z. Gray                                                                                                         1 dhjetor 1981

EESD                                                                                                                                                                             

Dënimet në Kosovë

1.         Mund të keni parë në gazetën “The Times” të datës 1 dhjetor një letër të Z. Harry Hodgkinson ku komenton për dënimet me burg të vendosura për shqiptarët në Kosovë.  

2.         Ai është Kryetar i Shoqatës anglo-shqiptare, anëtarësia e së cilës përbëhet nga të mërguar në këtë vend dhe një numër britanikësh që kanë interes për Shqipërinë. Natyrisht ai e ka bazuar letrën e tij në një njoftim për shtyp të nxjerrë për këtë temë nga Komiteti Demokratik Kombëtar për një Shqipëri të Lirë (referuar në përkujtesën time të datës 20 nëntor). Përfaqësuesi i Komitetit të Mbretërisë së Bashkuar, Z. Skënder Dume, është gjithashtu anëtar i Shoqatës.

                                                                                       P. Rennie

Seksioni i Evropës Lindore

Departamenti i Kërkimit

G  61/3 233 3371

                                                           -122-

Për përdorim të kufizuar

 J C R Gray Esq                                                                                 Ambasada britanike

FCO                                                                                                            Beograd

                                                                                                              1 dhjetor 1981                                                                                                                I nderuar Charles,

Kosova: kryesia serbe diskuton shpërnguljen e serbëve dhe malazezëve

1.         Më 25 nëntor, gazeta “Politika” raportoi mbledhjen e ditës së djeshme të kryesisë serbe, e cila i kushtoi vëmendjen kryesore problemit të shpërnguljes së serbëve dhe malazezëve nga Kosova. Por, në këtë mbledhje dolën gjithashtu edhe disa pika të tjera interesante.

Shpërngulja e serbëve dhe malazezëve

2.         Duke shqyrtuar këtë çështje si pjesë e vlerësimit të saj të përgjithshëm të ngjarjeve kundërrevolucionare në Kosovë, kryesia arriti në një konkluzion të hapur: Shkaqet e shpërnguljes duhej të gjendeshin “kryesisht në klimën sociale dhe politike të një situate që ishte zhvilluar prej një kohe të gjatë në Kosovë, në forma të ndryshme të presionit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë dhe në arsyet ekonomiko-sociale, të cilat kishin lënë ndjenja pasigurie në mesin e serbëve dhe malazezëve të Kosovës”. Megjithëse, aktualisht po merreshin masa zyrtare, rezultatet nuk ishin të kënaqshme – shpërngulja vazhdonte. Tashmë ishte e nevojshme që të bëhej “progres radikal”. Duhej të përshpejtohej aksioni politik dhe organet përgjegjëse në të gjitha nivelet duhej të dënonin ata që ushtronin presion dhe të zbatonin ligjin me rreptësi. Autoritetet e Kosovës, por në veçanti departamentet për çështjet e brendshme, mbanin përgjegjësi të veçantë në këto detyra. Kryesia deklaroi se nëse ishin marrë hapat e duhura, familjet që ishin dëbuar nga presioni duhej bërë e mundur që të ktheheshin; sidoqoftë, duhej të ndiqeshin mundësitë që të kompensoheshin njerëzit, të cilët ishin detyruar të shisnin pronat e tyre shumë lirë kur janë detyruar të largohen. Gjithashtu, ndryshimet në politikën për regjistrimin në shkolla dhe për emërimet politike duhej të ndihmonin në rikthimin e një fryme të përgjithshme të barazisë ndër-komunale.

Vulat zyrtare të Serbisë dhe çështje të tjera

3.         Gazeta “Politika” shkruan se Kryesia shqyrtoi gjithashtu bashkëpunimin ekonomik midis Kosovës dhe Shqipërisë, aktivitetet e RTV, Prishtinës dhe gazetës “Rilindja” (Gazeta e shqiptarëve të Kosovës) në kohën e aktivitetit kundërrevolucionar si dhe sjelljen e disa organeve të shëndetit publik gjatë demonstratave. Kryesia dënoi keqpërdorimin e stampave dhe vulave zyrtare të Serbisë në Kosovë dhe arriti në konkluzionin se duhej rregulluar menjëherë pozicioni në lidhje me përdorimin e tyre. Në përfundim, Kryesia dha falje për një numër të caktuar të dënuarish me burg (megjithëse është e çuditshme pasi këto falje duhet të njoftohen në një mbledhje që organizohet ekskluzivisht për Kosovën, nuk kemi qenë në gjendje të zbulojmë nëse këto falje zbatohen për kriminelë ‘ordinerë’ – disa falje janë njoftuar tradicionalisht çdo vit në Ditën e Republikës më 29 nëntor – apo për disa nga demonstruesit e dënuar gjatë verës. Nëse bëhet fjala për këta të fundit, padyshim që do të ishte një zhvillim i rëndësishëm).

4.         Siç edhe ndodhi, Kryesia e Kosovës trajtoi menjëherë së paku çështjen e vulave zyrtare të Serbisë më 26 nëntor. Është bërë e njohur se që prej vitit 1973, organet e ndryshme të Kosovës, duke përfshirë Gjykatën e Lartë të Kosovës (!) kanë stampuar dokumente zyrtare në mënyrë të paligjshme me vula ku ishte hequr përmendja e Serbisë. Kryesia e dënoi këtë praktikë dhe vendosi të përgatiste legjislacionin e ri për parandalimin e saj.

Komente

5.         Në përpjekje për të shprehur ide, është me vlerë të ritheksoj faktin se çështja e shpërnguljes së serbëve dhe malazezëve nga Kosova është fshehur qëllimisht prej vitesh (shih për shembull letrën time të datës 29 shtator për Bakallin, paragrafi 7). Fakti që Kryesia serbe është duke folur tani haptazi për këtëçështje me terma të drejtpërdrejta, tregon se shqetësimi për këtë problem ka arritur në nivelet më të larta këtu. Dhe kjo jo pa arsye. Një “Kosovë e pastër etnikisht” nuk është pjellë e imagjinatës së Enver Hoxhës, por një realitet i zhvilluar gradualisht ndërkohë që rritet numri i shqiptarëve dhe serbët largohen. Sidoqoftë, nuk ka një politikë të qartë për të ndaluar këtë proces dhe hapat e sugjeruara deri më tani (të tilla si një skemë e mundshme kompensimi përmendur më lart) duken ose jo-praktike ose pa vend. ‘Shtypi i Beogradit’ vazhdon t’i japë rëndësi të plotë aspekteve të ndryshme të historisë sëshpërnguljes – por çdokush pyet se mos përpjekjet e tyre mund të kenë ardhur dhjetë vite me vonesë.

                                                                                                          I Juaji

                                                                                               Charles Crawford

                                                                       Oficer Informacioni

Për dijeni: P Rosling Esq

Zagreb

P. Rennie Esq

Departament i Kërkimit, FCO

                                                                               -123-

J C R Gray Esq                                                                                             Ambasada britanike

Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore                                                    Beograd

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                                 2 dhjetor 1981                I nderuar Charles,

Kosova

1.         Nuk jam i sigurt nëse e keni marrë Përmbledhjen e Çështjeve Ndërkombëtare. Nëse jo, bashkëngjitur po ju dërgoj një kopje të përgjigjes së dhënë nga Dr. Ranko Petkoviq të titulluar “Teza të gabuara” të artikullit në gazetën ‘The Economist’ disa javë më parë, i cili për jugosllavët rezultoi i kundërshtueshëm.

2.         Artikulli paraqet zgjidhjen jugosllave të problemit kombëtar qëështë përpunuar më tej në Platformën për Kosovën.

3.         Mendoj që një kopje e artikullit i është dërguar Chris Cviiç, por mund t’ia përmendni në rast se ende nuk e ka marrë.

    I Juaji,

T. J. Crark

Teza të gabuara

– Kush dëshiron që Kosova të jetë Republikë dhe pse? –

Dr. Ranko Petkoviq

Në një nga botimet e fundit gazeta e Londrës me influence “The Economist”, i sugjeron lexuesve të saj të vazhdojnë të ndjekin ngjarjet në Poloni, por të mos harrojnë as ngjarjet në Kosovë, duke nënkuptuar se nuk shihte asnjë arsye përse Kosova nuk mund të ishte Republikë!

Po të mos bëhej fjalë për një gazetë kaq serioze sa ç’është “The Economist” kushdo do të thoshte se nuk është as hera e parë dhe as e fundit që një gazetë nuk arrin të bëjë dallimin e nevojshëm midis së drejtës për të shprehur opinionin e vet mbi çfarë është duke ndodhur në botë dhe detyrës për ta bërë këtë pa ndërhyrë në mënyrën se si i trajton punët e brendshme një shtet sovran.

Për çfarë bëhet fjalë?

Fakt është se nuk ka arsye që të ngrihet ndonjë kundërshtim ndaj “The Economist” apo ndokujt tjetër për faktin se ka treguar interes për rrethanat në të cilat jeton kombësia shqiptare në Jugosllavi, në rast se kjo kombësi apo ndonjë tjetër në Jugosllavi nuk gëzon të gjitha të drejtat që i përkasin pakicave kombëtare sipas standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare në sistemin ligjor dhe politik të Kombeve të Bashkuara (dhe në rastin e Jugosllavisë shumë të drejta të tjera që rrjedhin nga zbatimi i vazhdueshëm i parimit të barazisë së kombeve dhe kombësive dhe nga sistemi i vetë-menaxhimit socialist). Në këtë rast, si gazeta e Londrës ‘The Economist’ dhe kushdo tjetër do të etiketoheshin moralisht dhe politikisht se nxisin respektimin e të drejtave të pakicave të kombësisë shqiptare apo çdo kombësie tjetër në Jugosllavi, njësoj si ne në Jugosllavi mbrojmë respektimin e të drejtave të popujve dhe pakicave kombëtare në vendet ku këto të drejta janë pakësuar për çfarëdo arsye.

Por ky nuk është rasti.

Për të gjithë ata që kanë njohuri mbi rendin kushtetues të Jugosllavisë, dhe veçanërisht ata që mund të kenë mundësinë të vijnë në Jugosllavi dhe të marrin informacione të dorës së parë për statusin real dhe të drejtat e gëzuara nga popujt dhe kombësitë që përbëjnë komunitetin jugosllav, do të jetë e qartë se kombësia shqiptare në Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës gëzon një shkallë autonomie, të cilën mund të thuhet me siguri se nuk e gëzon asnjë kombësi tjetër në ndonjë vend tjetër.

Kështu, ‘The Economist’ dhe gazeta të tjera që kanë folur hapur në mënyrë të ngjashme, dhe nuk kanë seli qendrore në Tiranë, kanë vepruar në këtë mënyrë prej rreth një gjysmë shekulli. Konkretisht, shqetësimi i tyre për kombësinë shqiptare në Mbretërinë e atëhershme të Jugosllavisë në të cilën kjo kombësi nuk kishte të drejta kombëtare njësoj si shumë nga vetë popujt e tjerë jugosllavë, do të kishte qenë tërësisht legjitim, demokratik dhe progresiv dhe në përputhje të plotë me atë që vetë Partia Komuniste e Jugosllavisë e kishte nxitur vazhdimisht në atë kohë: Liri dhe barazi për të gjithë popujt dhe kombësitë e Jugosllavisë.

Por sot, kur si rezultat i arritjeve të Luftës Nacionalçlirimtare dhe revolucionit socialist, kombësia shqiptare si dhe të gjithë kombësitë e tjera në Jugosllavi jeton në një komunitet të popujve të lirë dhe të barabartë shqetësimi i padëshiruar për statusin dhe të drejtat e saj ka ndodhur ose për shkak të injorancës së plotë ose neglizhencës së fakteve të vërteta ose është motivuar nga interesa të veçanta, ose ndryshe,është pjesë e planit për të destabilizuar Jugosllavinë dhe rajonin e Ballkanit në tërësi. Pra, çështja nuk është se kombësia shqiptare në Kosovë nuk ka të drejta të mjaftueshme, por më tepër është se një rrymë nacionaliste irredentiste, e cila e ka fituar fuqinë kryesisht si rezultat i sjelljes oportuniste të udhëheqjes politike lokale, është e prirë për të zbatuar një plan për të dëmtuar sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial të tri Republikave përbërëse të Jugosllavisë, d.m.th., tre shtetet sovrane – Serbia, Maqedonia dhe Mali i Zi, në fazën e parë në të cilën do të krijohej një “Republikë” e cila do të përfshinte “të gjithë shqiptarët” në Jugosllavi;gjithashtu, për të shkelur sovranitetit kombëtar dhe integritetin territorial të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në fazën e dytë në të cilën në një mënyrë a tjetër do të bashkohej me Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Në përgjithësi, janë të njohura mënyrat në të cilat shtetet kombëtare janë formuar në Evropë mbi bazën e parimit një komb – një shtet. Si shumë popuj të tjerë evropianë, po kështu edhe sllavët e Jugut bënë një luftë të gjatë për çlirimin e tyre kombëtar, si ata që ishin nën sundimin turk ashtu edhe ata që ishin nën administrimin Austro-Hungarez. Lidhja e tyre etnike dhe ndërgjegjësimi se, duke u bashkuar në një shtet të përbashkët, ata do të ishin në gjendje të ruanin identitetin e tyre kombëtar, çoi në rrethana specifike historike në formimin e Jugosllavisë. Duke pasur një sistem shoqëror borgjez që shtypte liritë shoqërore dhe kombëtare, shteti u copëtua përpara raprezaljeve të ushtrive të Hitlerit, Musolinit, Hortit, Borisit, ballistëve dhe ushtrive të tjera fashiste. Gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe revolucionit socialist u hodhën themelet e Jugosllavisë së re – një komunitet i përbërë prej popujsh të lirë dhe të barabartë, brenda të cilit janë krijuar republikat ose shtetet e popujve individualë jugosllavë. Të gjitha kombësitë, të cilat në rrethana historike e gjeten veten e tyre brenda kufijve të Jugosllavisë dhe anëtarët e së cilës në mënyrë të ngjashme kanë luftuar për lirinë dhe integritetin territorial të Jugosllavisë – shqiptarë, hungarezë, italianë, sllovakë, çekë, rusë, dhe të tjerë, fituan të gjitha të drejtat socio-politike, ekonomike, kulturore dhe të drejta të tjera që gëzoheshin nga popujt e Jugosllavisë, d.m.th. nga të gjithë qytetarët dhe populli punonjës i sistemit të vetë-menaxhimit socialist – pa dallim. Për shkak të forcës numerike, kombësia shqiptare mori masën më të madhe të autonomisë brenda shtetit të Serbisë përmes formimit të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë dhe më vonë Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës.

Për këtë arsye, kërkesa që Kosova të bëhet Republikë nuk është kërkesë as për “të drejta të tjera” apo “autonomi shtesë”. Në fakt, bëhet fjalë për një program nacionalist, irredentist, i cili është i papranueshëm jo vetëm sepse është kërkesë absurde nga pikëpamja e historisë, të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të tjera për të pasur shtete paralele të popujve sllavë fqinj të krijuar brenda kufijve të Jugosllavisë, duke kundërshtuar kështu rrugët e historisë dhe themelet e rendit aktual ndërkombëtar, por mbi të gjitha për faktin se është llogaritur qartë që të dëmtohet sovraniteti kombëtar dhe integriteti territorial i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Kështu, pyetja nuk është pse Kosova nuk mund të jetë Republikë, por kush dëshiron që Kosova të jetë Republikë dhe pse.

Popujt, territoret kombëtare të të cilëve janë përshtatur nga të tjerët herë pas here kohët e fundit dhe në periudha më të largëta për të përshtatur interesat e tyre dhe të cilët derdhin gjak pafund për të qenë në gjendje që së fundi të jetojnë në komunitetin e shtetit të tyre aktual të popujve dhe kombësive të barabarta, janë të prirë që të jenë të ndjeshëm kur rrezikohet liria, pavarësia, sovraniteti kombëtar dhe integriteti i tyre territorial.

-124-

Konfidenciale

Ambasada britanike

                    Beograd

                                                                  7 dhjetor 1981

Kosova

Përmbledhje

1.         Vlerësim i Platformës së re politike të Komitetit Qendror Jugosllav për të arritur marrëveshje me Krahinën ende të trazuar të Kosovës. Me gjithë përgatitjen intensive, marrëveshja u ra dakord vetëm pas debateve të mprehta, duke treguar se ishte në rrezik jo vetëm e ardhmja e Kosovës por më shumë se kaq (paragrafët 1-4).

Platforma

2.         Faji kryesor për shpërthimin e nacionalizmit shqiptar qëndron drejtpërdrejt në udhëheqjen e Kosovës, e cila ka ndjekur një politikë të gabuar prej vitesh. Duke ritheksuar me kujdes politikën e ndriçuar të Jugosllavisë në drejtim të popujve të saj të ndryshëm, Platforma pohonte se nuk kishte arsye legjitime që Kosovarët të kërkonin një afirmim më të madh ndërkombëtar nga sa kishin aktualisht. Koncepti i një Republike të pavarur ishte i papranueshëm. Megjithëse Kosova kishte bërë përparime të mëdha ekonomike dhe shoqërore, zhvillimi i vendit ishte drejtuar keq. Megjithë dallimet reale ideologjike dhe armiqësinë e vazhdueshme të udhëheqjes shqiptare, Jugosllavia vazhdonte të kërkonte marrëdhënie të balancuar me Shqipërinë (paragrafët 5-9).

3.         Platforma përcaktonte udhëzimet për forcimin e sistemit të mbrojtjes lokale dhe ngritjen e punës ideo-politike në mesin e njerëzve; promovimin e zhvillimit përmes investimit më racional, integrimit më të madh me ekonominë jugosllave, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e bujqësisë; forcimin e vetë-menaxhimit; inkurajimin e ideve jugosllave në arsim dhe kulturë; si dhe zhvillimin e bashkësisë në mes shqiptarëve dhe popujve të tjerë (paragrafi 10).

Perspektivat

4.         Autoritetet politike në të gjitha nivelet janë aktualisht të prira për të zbatuar këtë politikë integrimi, por Platforma ka lënë pa zgjidhur disa çështje të rëndësishme. A është Partia në Kosovë në gjendje që të zbatojë politikën e saj në një shoqëri klanore, në të cilën përgjegjësia për gabimet e kaluara politike praktikisht nuk është dënuar? A mundet Partia të ndalojë zhvillimin e një Kosove të pastër etnikisht? Si duhet të zgjidhet marrëdhënia kushtetuese midis Serbisë dhe Kosovës? (paragrafët 11-16).

Përmbledhje

5.         Çiltërsia e debatit mund të ketë shënuar një hap tjetër përpara në evolucionin demokratik të Jugosllavisë. Politika arrin në ripohimin e vetë-menaxhimit si zgjidhje e çështjes kombëtare. Në aspektin afatshkurtër, masat pozitive të propozuara do të inkurajojnë integrimin dhe Partia dhe Forcat e Armatosura duhet të jenë në gjendje që të mbajnë situatën nën kontroll. Në aspektin afatgjatë, mbetet çështje e hapur nëse nacionalizmi shqiptar do të mund të frenohet dhe shmanget me sukses (paragrafët 17-18).

-125-

Konfidenciale

RT. Hon Lordi Carrington KCMG MC                                                 Ambasada britanike

Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit                                                             Beograd

Londër S W                                                                                             17 dhjetor 1981

Shkëlqesia Juaj,                                                                                                                                          

Çështja e Kosovës

1.         Në njoftimet e mia të datës 24 prill dhe 1 korrik, kam shqyrtuar trazirat në Kosovë në pranverë dhe përpjekjet e autoriteteve për të vënë situatën nën kontroll. Gjithashtu kam vlerësuar implikimet e këtyre ngjarjeve për Jugosllavinë në përgjithësi. Megjithëse rivendosjen e rendit, problemi themelor i nacionalizmit shqiptar ende qëndron. Komiteti Qendror i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë (KQ LKJ) u mblodh më 17 nëntor për të arritur një marrëveshje mbi politikën që duhej ndjekur për trajtimin e problemit dhe më pas botoi një Platformë e cila aktualisht përshkruhet si historike. Më poshtë vlerësoj këtë Platformë dhe perspektivat për arritjen e qëllimeve që ajo ka përcaktuar.

Historiku

2.         Muajt e verës ishin një periudhë aktiviteti të pazakonshëm në Kosovë dhe Beograd. Nën presion të vazhdueshëm nga Federata, autoritetet në Kosovë ishin të shtrënguara të merrnin masa në tre fronte kryesore: të spastronin udhëheqësit/zyrtarët, akademikët, studentët dhe gazetarët përgjegjës, të cilët ishin identifikuar me nacionalizmin shqiptar; të dënonin shpesh me dënime jashtëzakonisht të rënda ata që ishin përfshirë drejtpërdrejt në trazira; të ndërmerrnin një shqyrtim të plotë të zhvillimit politik, shoqëror dhe ekonomik të Krahinës. Lajmet mbi ecurinë e kësaj pune janë theksuar në mënyrë të vazhdueshme nga raportet e shtypit mbi aktivitetin nacionalist në forma tëndryshme: letra anonime, parulla armiqësore, kërcënime, dëmtimi i pasurisë, sabotimi dhe dhuna fizike. Ndërkohë, megjithë përpjekjet zyrtare për kontrollin e eksodit, ky eksod i sllavëve etnikë d.m.th. serbëve dhe malazezëve vazhdoi pa ndërprerje. Ndërkohë, Shqipëria vazhdoi presionin psikologjik drejtpërdrejt përmes propagandës së saj, që arriti kulmin në mbështetjen e fortë të Enver Hoxhës për kauzën e shqiptarëve të Kosovës në Kongresin e Partisë Shqiptare në nëntor, dhe indirekt përmes veprimeve të emigrantëve shqiptarë kundër institucioneve jugosllave dhe zyrtarëve në Evropë.

3.         Ky aktivitet u pasqyrua në Beograd, ku autoritetet federale dhe serbe u ndeshën me aspektet më të gjera të problemit. Ndërkohë që këto të fundit punojnë për të ripohuar autoritetin e tyre kushtetues mbi të gjithë krahinën e Serbisë, d,m,th., duke përfshirë dy Krahinat Autonome, Federata u angazhua në nivel ndërkombëtar për të luftuar irredentizmin shqiptar dhe në nivel vendor për të rivlerësuar të ardhmen e Kosovës.

4.         Siç më tregoi një prej anëtarëve të saj, Komiteti Special i ngritur nga KQ i LKJ kishte punuar në mënyrë intensive prej muajsh për të përgatitur projekt-Platformën që iu paraqit Komitetit Qendror më 17 nëntor. Pas pesë shqyrtimeve, rezultati ishte padyshim një dokument i përpunuar në mënyrë të detajuar. Për këtë arsye është edhe më e çuditshme që Mbledhja e mbajtur për të dhënë miratimin formal shkaktoi një debat kaq të nxehtë saqë Komiteti ishte i detyruar të hartonte përsëri disa pjesë të këtij dokumenti. Megjithëse, një pjesë e debatit u shfaq në mënyrë të pazakontë në televizion dhe u publikua në shtyp, ne nuk mund të dallojmë sesa pjesë të versionit origjinal pësuan ndryshime, por argumentet nga baza treguan se rrezikohej më shumë se thjesht e ardhmja e Kosovës.

Platforma të përgjithshme

5.         Pas shqyrtimit me hollësi të faktorëve përkatës ndërkombëtare dhe të brendshëm, platforma bëri pyetjen thelbësore sesi mund të kenë ndodhur ngjarjet në Kosovë. Ajo dha pesë përgjigje. Së pari, forcat gjithnjë të pranishme nacionaliste në Jugosllavi ishin inkurajuar nga vështirësitë ekonomike të vendit dhe vdekja e Titos. Së dyti, udhëheqja e Kosovës, e motivuar nga ambicie jo realiste për zhvillimin e Kosovës përmes kërkesave të tepërta për burimet e pjesës tjetër të vendit, nxiti pakënaqësi në radhët e popullit dhe i dha nacionalistëve hapësirë për të manovruar. Së treti, ndryshimet e shpejta shoqërore dhe zgjerimi i arsimit, duke sjellë pakënaqësi dhe papunësi serioze veçanërisht në mesin e të rinjve, ishin vlerësuar gabimisht nga udhëheqja e Kosovës, pjesërisht për arsye se vetë ajo ishte molepsur nga ndjenja e nacionalizmit. Së katërti, izolacionizmi ekonomik dhe politik i Kosovës nga Serbia dhe Jugosllavia në përgjithësi inkurajuan konceptin “Kosova – Republikë”. Dhe, së pesti, udhëheqja e Kosovës veproi në mënyrë autarkike, duke shpërfillur parimet e vetë-menaxhimit dhe duke lejuar vlerësimin e nepotizmit. Shkurtimisht, Komiteti Qendror e vuri fajin kryesor ndaj udhëheqjes së Kosovës me argumentin se kishte ndjekur një politikë të gabuar prej vitesh, megjithëse e pranoi por vetëm në mënyrë kalimtare se udhëheqja e Lidhjes së Komunistëve të Serbisë dhe Jugosllavisë ishte gjithashtu gabim pasi kishte dështuar për të kuptuar më herët atë që po ndodhte.

Çështja kombëtare

6.         Platforma bëri të ditur se nacionalizmi ishte thelbi i problemit të Kosovës. Ai filloi nga pozita komuniste ortodokse se çdo komb ka të drejtën e vetëvendosjes, duke përfshirë të drejtën për t’u shkëputur ose (kontradiktore dhe sipas teorisë komuniste, eprore) të drejtën për t’u bashkuar me Kombet e tjera. Platforma më tej vazhdoi me përshtatjen e teorisë për kushtet Jugosllave, forcimin e elementit të kësaj të fundit, duke deklaruar se guri i dytë i themelit për Jugosllavinë e re ishte parimi i unitetit politik, pavarësia dhe integriteti territorial i Shtetit Federal jugosllav. Njerëz të ndryshëm në Kosovë kishin zgjedhur lirisht që të jetonin në Serbi dhe Jugosllavi, por duke pasur parasysh disa karakteristika historike, kulturore dhe gjuhësore, për ta ishte krijuar një krahinë autonome. Asnjëherë nuk ishte shtruar çështja për të pranuar një republikë shqiptare brenda federatës sepse teoria jugosllave ishte, siç ishte ritheksuar në Platformë, që shqiptarët në Kosovë ishin vetëm një “kombësi” (d.m.th. pakicë kombëtare) dhe për rrjedhojë nuk cilësoheshin ashtu si “kombet” për statusin e Republikës. Megjithatë, zhvillimi i vetë-menaxhimit socialist në Jugosllavi kishte forcuar më tej barazinë kombëtare: të gjitha komunitetet kombëtare, duke qenë në gjendje të dispononin “të ardhura kombëtare nga puna e tyre”, kishin fituar të drejtën për të vendosur vetë kushtetutat, ligjet dhe institucionet në Krahinat e Republikat e tyre dhe në nivel federal. Platforma pretendonte se kjo shkallë e barazisë kombëtare, “përfaqësonte arritjen më të lartë të praktikës shoqërore dhe garancive ligjore kushtetuese të njohura në botë sot”! Kështu, në të vërtetë, Platforma pohoi se meqenëse vetë-menaxhimi po zbatohej gjithnjë e më shumë, shqiptarët në Kosovë gëzonin masën më të plotë të mundshme të vetëvendosjes. Një trajtim i tillë e mundësonte Platformën që të dënonte “nacionalizmin” shqiptar dhe të pohonte se “afirmimi kombëtar”, i cili ishte i pranueshëm, mund të shprehej brenda formave aktuale kushtetuese, ekonomike dhe shoqërore. Në të vërtetë sipas Platformës, nuk kishte arsye legjitime që shqiptarët në Kosovë të kërkonin me shumë. 

7.         Sidoqoftë, Platforma pranoi se ishte lejuar që në Kosovë të zhvillohej një praktikë politike, e cila e pengonte Serbinë së bashku me organizatat federative socio-politike që të ushtronte përgjegjësinë e saj për “tërë zhvillimin shoqëror, ekonomik, politik dhe kulturor të Republikës në tërësi dhe të të gjitha pjesëve të saj, duke përfshirë Kosovën”. Brenda kësaj tendence drejt izolacionizmit, ishte krijuar koncepti “Kosova – Republikë”, i inkurajuar nga personalitetet e larta në Kosovë, me qëllim ngritjen e një shteti më vete stalinist dhe të pastër etnikisht. Një gjë e tillë do të kërcënonte sistemin e vetë-menaxhimit dhe integritetit territorial të Jugosllavisë në shkelje të parimeve të paprekshmërisë territoriale të mishëruar në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Aktin Final të Helsinkit.

Zhvillimi shoqëror dhe ekonomik

8.         Platforma i përshkroi përparimet e mëdha shoqërore dhe ekonomike të bëra në Kosovë kryesisht me ndihmën e fondeve federale dhe perspektivat për ndihmë edhe më të madhe në Planin aktual 5-vjeçar. Problemi qëndronte në vetë konceptin e zhvillimit, i cili kishte qenë: “i njëanshëm”, duke u përqendruar në disa projekte nxjerrëse, në shkallë të gjerë dhe që kërkonin investimin e një kapitali të madh; “i pamjaftueshëm”, duke neglizhuar bujqësinë dhe industrinë përpunuese; dhe “i paorganizuar”, duke ofruar shumë pak punë për një numër të madh të rinjsh, të papërgatitur nga sistemi arsimor për punë brenda ose jashtë Krahinës. Tani kërkohej një riorientim i plotë.

Marrëdhëniet me Shqipërinë

9.         Duke shprehur me forcë se Jugosllavia nuk kishte pretendime ekstra-territoriale dhe kishte ndjekur vazhdimisht një politikë të fqinjësisë së mirë, megjithë dallimet reale ideologjike me Shqipërinë, Platforma shënoi armiqësinë e pandërprerë të udhëheqjes shqiptare dhe ndërhyrjen në punët e brendshme të Jugosllavisë, evidentuar nga mbështetja e hapur për nacionalistët në pranverë. Megjithatë, Jugosllavia vazhdoi të favorizonte bashkëpunimin e arsyeshëm dhe të ekuilibruar me Shqipërinë, pavarësisht nga dallimet, për të cilin kushtet minimale ishin respektimi korrekt për bashkëpunim të barabartë, për sovranitetin dhe kufijtë e Jugosllavisë dhe për t’i dhënë fund ndërhyrjes në punët e brendshme të saj. Ballkani nuk duhet lejuar që të bëhet një zonë konfliktesh për shkak të “planeve irredentiste megalomane të udhëheqjes shqiptare”, por, nëse është e nevojshme, Jugosllavia do të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të saj. Platforma theksoi rolin negativ të Enver Hoxhës, duke i dhënë shpresë kështu pasuesve eventualë të tij mbi perspektivën e përmirësimit të marrëdhënieve nëse ata do të braktisnin pretendimet e tij të “Shqipërisë së Madhe”.

Udhëzime

10.       Në seksionin përmbyllës, Platforma renditi një seri udhëzimesh të politikave për të ardhmen:

            (a) Situata politike dhe e sigurisë kërkonte forcimin e sistemit të mbrojtjes së të gjithë njerëzve dhe vetë-mbrojtjen shoqërore si dhe përmirësimin e besimit reciprok dhe bashkësisë midis popullit dhe Forcave të Armatosura, që nacionalistët po përpiqeshin t’i shkelnin. Nevojitej që Lidhja e Komunistëve dhe organizatat e tjera socio-politike të organizonin punë të gjerë politike dhe ideologjike, veçanërisht në radhët e të rinjve dhe inteligjencës për të eliminuar nacionalizmin.

            (b) Zhvillimi ekonomik kërkonte një plan afat-gjatë, në të cilin Serbia, Republikat e tjera dhe Vojvodina do të shqyrtonin me Kosovën investimin e fondeve që ato dhe Federata ishin zotuar të jepnin (llogaritur në vlerën 2,000 milion £ për periudhën 1981-5). Në kundërshtim me praktikën e kaluar ku 90 % e fondeve për investim vinin nga Federata dhe kreditë e jashtme drejtoheshin për qeverinë e Kosovës u propozua që në të ardhmen firmat jashtë Kosovës të shoqëroheshin me firmat lokale, për të siguruar 50 % të kapitalit vetë ndërkohë që gjysma tjetër do të kontribuohej nga Federata. Perspektivat e punësimit do të rriteshin sepse shumë nga projektet e mëparshme të zhvillimit po i afroheshin tashmë përfundimit por nevojiteshin industri të reja që kërkonin shumë krahë pune dhe një politikë e tillë arsimore që do t’i bënte të rinjtë të lëviznin më shumë. Bujqësia duhej të modernizohej dhe të bëhej më produktive duke i lidhur fermerët privatë me sektorin social.

            (c) Vetë-menaxhimi nevojitet qëtë zhvillohej për të parandaluar abuzimin e pushtetit personal dhe për të lehtësuar pjesëmarrje më të madhe të shqiptarëve dhe popujve të tjerë të Kosovë në vendimmarrje në të gjitha nivelet brenda Krahinës, Republikës dhe Federatës, gjë që do të garantonte rritjen e shkallës së cilësisë së tyre me të gjithë popujt e tjerë të Jugosllavisë.

            (d) Arsimi, kultura, shkenca dhe informacioni nevojitej që të analizoheshin dhe të bëheshin ndryshime për të penguar indoktrinimin nacionalist të të rinjve. U shtua një notë jugosllave me thirrjen që të gjithë punëtorët të ushqenin jo vetëm karakteristika kombëtare por edhe idetë e përbashkëta që ekzistonin në të gjithë Federatën.

            (e) Afirmimi i kombësisë shqiptare nuk duhet të lejohet që të abuzohet nga nacionalistët. Nuk do të arrihej ndonjë gjë e madhe duke denoncuar nacionalizmin: ajo që nevojitej ishte mirëkuptimi i vërtetë, simpatia dhe barazia, bashkësia dhe shprehja e të drejtave dhe aspiratave të individëve dhe komuniteteve nacionale. Duhej goditur nacionalizmi i çdo lloji nëse duhej të zgjidhej situata në Kosovë.

Perspektivat

11.       Sipas parimit të centralizmit demokratik, kjo deklaratë politike bëhet tashmë e detyrueshme për të gjithë komunistët. Komiteti krahinor i Kosovës do të mblidhet nga mesi i dhjetorit për të shqyrtuar zbatimin e kësaj deklarate brenda Krahinës, por ka shenja se aksioni ka filluar. Për këtë arsye, mund të parashikojmë se do të vazhdojnë përpjekje të vendosura nga autoritetet në të gjitha nivelet përmes politikës së kulaçit dhe kërbaçit, duke inkurajuar zhvillimin ekonomik me ndihma bujare dhe duke u marrë pa kompromis me aktivitete nacionaliste, me qëllim përshpejtimin e integrimit të Kosovës në komunitetin e gjerë jugosllav. Bazuar në një platformë të tillë, perspektivat mund të vlerësohen se janë më të mira se asnjëherë. Por, platforma lë pa përgjigje një numër të rëndësishëm çështjesh të cilat, nëse nuk zgjidhen do të jepnin një panoramë më pak optimiste. Disa nga këto çështje u paraqitën nga baza në një debat për platformën.

12.       Në platformë nuk gjendet asnjë fjalë kritike mbi rolin e popullit punonjës në Kosovë. Faji i është vënë udhëheqjes lokale, intelektualëve, studentëve dhe fëmijëve të shkollave. Por, e dimë se disa punëtorë fabrikash janë përfshirë në demonstrata dhe dimë gjithashtu faktin e thjeshtë se nacionalistët vazhdojnë të veprojnë në fshatra, të cilat ofrojnë një shkallë bashkëpunimi, nëse jo mbështetje të menjëhershme nga punëtorët e fermave. Platforma parashikon një fushatë të gjerë “për të fituar mbështetje të plotë” por Partia përballet hapur me një detyrë të madhe për të cilën do të nevojitet kohë. Kjo situatë ngre dy pyetje të tjera – sa e fortë është Partia dhe sa kohë ka ajo?

13.       Siç tregon Platforma dhe ngjarjet e muajve të fundit, Kosova është drejtuar nga një numër i vogël klanesh të lidhura ngushtë, që vepronin në mënyrë arbitrare jashtë politikës partiake. Spastrimi i bërë largoi shumë nga anëtarët e tyre, por duke pasur parasysh mungesën e entuziazmit të treguar në ndjekjen e tyre ka të ngjarë që influenca e tyre ende vazhdon. Për më tepër, Partia ka synuar të jetë më së shumti urbane në një krahinë kryesisht rurale dhe komunistët e brezit të parë të përkushtuar ishin kryesisht serbë dhe malazezë, të cilët aktualisht përbëjnë një pjesë të pakësuar të popullsisë.

14.       Sidoqoftë, vihet në dyshim nëse koha është në avantazhin e autoriteteve. Faktorët e kombinuar të normës së lartë të lindjeve në mesin e shqiptarëve dhe migrimi i sllavëve drejtuar në pjesë të tjera të Jugosllavisë ndoshta do të rezultojë në një enklavë etnikisht të pastër në Serbi në të ardhmen e parashikueshme, duke bërë që statusi i Kosovës të duket gjithnjë e më shumë i palogjikshëm. Vlen të përmendet se u braktis me nxitim përpjekja e bërë nga baza për të përfshirë kontrollin e lindjeve në platformë si diçka diskriminuese dhe se Platforma është po ashtu e heshtur lidhur me faktin se si të ndalohet eksodi, përveç nëpërmjet inkurajimit të bashkimit.

15.       Platforma shmangu gjithashtu përcaktimin e limiteve të përgjegjësisë për atë që ka ndodhur. Ajo ia vuri fajin kryesor udhëheqjes së Kosovës, megjithëse nënkuptonte se Lidhja e Komunistëve në tërësi ka gjithashtu pjesën e vet të fajit, pasi nuk ndërhyri më shpejt. Sidoqoftë, autoritetet qendrore nuk janë ende të gatshme për këtë lloj kritike, megjithëse të paktën një folës në debat aludoi hapur për këtë dhe zëdhënësi i Ushtrisë tha para Komitetit Qendror haptazi se autoritet politike në të gjitha nivelet kishin qenë jokompetente dhe joefikase në trajtimin e pasojave të situatës në Kosovë.

16.       Për më tepër, Platforma nuk arriti të hidhte dritë mbi pyetjen e vështirë të marrëdhënies kushtetuese midis Serbisë dhe krahinave autonome, gjë të cilën e kam përsëritur në njoftimin tim të dërguar më 24 prill. Platforma nuk lëshon pe nga qëndrimi zyrtar se populli i Kosovës ka zgjedhur lirisht të jetojë brenda Serbisë; se, me zhvillimin më të plotë të vetë-menaxhimit, ata do të arrijnë “një shkallë më të madhe komuniteti” brenda krahinës, Republikës, dhe si pjesë e Federatës; dhe se Kosova duhet të mbetet brenda kuadrit kushtetues të Serbisë dhe Federatës. Platforma është tejet këmbëngulëse për respektimin e duhur të të drejtave të Serbisë dhe siç tregoi një ndërhyrje e fuqishme nga baza, kjo situatë ka alarmuar Krahinën tjetër të Vojvodinës, e cila është e shqetësuar që të mos humbasë pavarësinë e saj të fituar me qetësi për shkak të vrullit të Kosovarëve. Është e qartë gjithashtu nga treguesit në forumet e tjera se Vojvodina po ndjek një politikë jo-bashkëpunuese, ku nga Serbia po bëhen përpjekje për të shpallur të drejtat e saj kushtetuese. Kështu, ndërkohë që Serbia për momentin mund të shtrëngojë sundimin e saj ndaj Kosovës, do t’i duhet që të ecë me kujdes për të shmangur tjetërsimin e Vojvodinës se mos spektri i nacionalizmit serb mund të bëhet shqetësues për të gjithë.

Përmbledhje

17.       Platforma u debatua në Komitetin Qendror në një atmosferë të pashembullt diskutimi të sinqertë, pjesa më e madhe e të cilit siç kam vënë në dukje i është përcjellë publikut të gjerë. Në vetvete ky aspekt është inkurajues për ngjarjet në Kosovë, që mund të shënojnë një hap tjetër përpara drejt zhvillimit të Jugosllavisë për një shoqëri më shumë demokratike.

18.       Megjithatë, vizioni i Platformës për të ardhmen e Kosovës tregon se ka limite për një zhvillim të tillë. Kjo sepse nga sistemi i vetë-menaxhimit socialist të Jugosllavisë (i cili mbulon politikën dhe ekonominë dhe mirëpret ndryshimet) duket se rezulton që, nëse Kosova e dëshiron një gjë të tillë, duhet t’i jepet statusi i Republikës; Sidoqoftë, Platforma përsërit me forcë se Kosova duhet të mbetet Krahinë brenda Republikës së Serbisë. Në mënyrë të ngjashme, Partia vazhdon të besojë se zhvillimi i vetë-menaxhimit dhe kapërcimi i barrierave të gjuhës, zakoneve, prapambetjes shoqërore dhe ekonomike do të bëjë të mundur që të integrohet një Kosovë e kënaqur në komunitetin e popujve jugosllavë. Padyshim, në aspektin afatshkurtër, këto masa pozitive do të inkurajojnë rritjen e bashkëpunimit dhe ripohimin aktual të kontrollit qendror të Partisë;gjithashtu përdorimi i forcave të mjaftueshme të sigurisë në Krahinë duhet të pengojë zhvillimin e trazirave të tjera serioze. Por, në aspektin afatgjatë, unë mund të bie dakord me vetë platformën kur shpreh:

“Ngjarjet në Kosovë përbëjnë një paralajmërim tjetër për LKJ se nacionalizmi gjithmonë mohon revolucionin socialist dhe e rrezikon atë”.

            Lufta për të përmbajtur dhe shmangur nacionalizmin shqiptar në Kosovë do të jetë e gjatë dhe jo domosdoshmërish e suksesshme. Mund të ndodhë që vetëmenaxhimi të mos jetë zgjidhja e duhur.

19        Bashkangjitur po ju dërgoj një kopje të këtij njoftimi për Përfaqësuesit e Madhërisë së Saj në Athinë, Bon, Bukuresht, Budapest, Moskë, Paris, Romë, Sofie, Uashington, Përfaqësuesin e Përhershëm të Britanisë së Madhe pranë Këshillit të Atlantikut të Veriut dhe Konsullin e Përgjithshëm të Madhërisë së saj në Zagreb.

                                                                                               Mbetem i Juaji Besnikërisht

                                                                                                          E. Bolland

(VIJON)

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...