2024-05-21

Enver Hoxhës i shtypa diplomën e Luftës dhe Sali Berishës atë të shkollës

 


Rrëfimi i 89-vjeçarit Guri Lubonja, dhënë për “Telegraf”, më janar 2009 / Në moshën 12-vjeçare mësova makinën e shkrimit. Si shtypa materialet e Luftës të Enver Hoxhës dhe disertacionin e Sali Berishës

Duart nuk më kanë lënë akoma. Ulem mbi makinën e shkrimit që e kam mësuar në moshën 12-vjeçare dhe hedh herë pas here mendime dhe shkrime. Më mundon pak shikimi. Deri tani janë me mijëra fletët e shkruara nga dora e Guri Lubonjës. Mbetet një nga të fundit liceist që ka pasur profesor Enver Hoxhën. Këtë fakt ai e shpreh me krenari. Jo vetëm që e kisha profesor, por pata rastin që në vitet e Luftës të radhis materialet e shkruara nga dora e tij. Materialet që kishin të bënin me punën e partisë nënshkruheshin: “Tarasi”, ndërsa ato që kishin të bënin me Luftën dhe shtypin nënshkruheshin: “Shpati.”

-Si mësuat të shkruanit me makinë shkrimi?

-Unë kam lindur në vitin 1920 në qytetin e Korçës. Në moshën 12-vjeçare unë mësova të shkruaj me makinë shkrimi. Unë rridhja nga një familje punëtorësh. Babai ishte murator. Por ai nuk ma preu hovin për të marrë njohuri e dije të kohës. Unë mbarova Liceun Francez, në vitin 1938. Por mundësia për të punuar me makinë shkrimi m’u dha më përpara.

-Si u krijua kjo mundësi?

-Dhori Kotin që kishte shtypshkronjë nëna ime e kishte xhaxha. Ai më mori në shtypshkronjë në kohën e pushimeve dhe më mësoi zanatin. Unë shkoja merrja libra tek ai dhe më pëlqente makina e shkrimit. Unë ndoqa Liceun Francez dhe në pushime vija e punoja në shtypshkronjë.. Kjo më ndihmoi që unë të isha mes atyre punonjësve që përdorën teknikën e kohës në dobi të Luftës duke shtypur trakte, komunikata, buletine të ndryshëm, materiale të udhëheqjes.

-Kur e kini njohur Enver Hoxhën?

-Unë e pata profesor. Në mendje më mbeti qartësia e të shkruarit prej dorës së tij. Unë që në vitin 1938 kam qenë me Grupin Komunist të Korçës. Pasi mbarova Liceun unë nisa punë në shtypshkronjën e Dhori Kotit. Punova në këtë shtypshkronjë deri në vitin 1942. Gjatë kësaj kohe unë shtypja komunikata, trakte. Pastaj u hodha në ilegalitet se më vunë në shënjestër armiqtë. Në tetor të vitit 1942 kam shkuar në Moçan të Gorës ku kishte një teknikë të shkrimeve. Aty takova Enver Hoxhën dhe unë u lidha me Shtabin e Përgjithshëm. Më urdhëroi që të shkoja të punoja me teknikën e shtypit që ishte vendosur tek Guri i Muzhaqit.

-Sa kohë qëndruat në atë shpellë ?

-Aty mbushëm 14 muaj. Ishim tre veta në radhitje të materialeve, një në pedalinë dhe një korrier. Ishim partizanë që luftonim me tjetër armë. Ishim pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë së dalë nga populli. Me mua ishin edhe dy vëllezërit Andon Deçka që shërbente si kuzhinier i shtypshkronjës më të rrallë në ato muaj që ishte ngritur në një shpellë dhe Qiriako Deçka që përdorte pedalinën, një makineri që shërbente për të shtypur materiale. Pastaj na diktuan dhe ne u shpërngulëm për në Shpat të Çermenikës, ku aty gjeta Dhimitër Shuteriqin së bashku me Myneverin, që u njohën aty dhe u martuan më vonë.

-E njihnit kur ishte në Korçë?

-E mbaja pak mend, se ishte më i madh nga unë. Por, kur u bashkuam me teknikën e shtypit të partisë u njohëm më mirë dhe e mbajtëm miqësinë në Tiranë.

-Në ato muaj Lufte çfarë shtypnit tjetër?

-Veç materialeve që na dërgonte Enver Hoxha shtypnim dhe historinë e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik që e përkthente Sejfulla Malëshova. Buletine shtypnim. Misto Treska na dërgonte materiale. Luftën nuk e bëmë vetëm me pushkë e me trima kokëkrisur.

Shkrimet e Enverit kush i sillte?

-Korrieri. Unë e dalloja shkrimin se kishte një shkrim të qartë. Por edhe nga nënshkrimi në fund. Unë kur e takova në tetor të vitit 1942 në Moçan të Gorës e i thashë, pasi ai më ngarkoi që unë të merresha me teknikën dhe shtypin e Shtabit të Përgjithshëm, si urdhëron shoku Enver, ai ma ktheu që nuk jam Enveri, por jam Tarasi.

-Sa herë e takuat Enverin gjatë Luftës.

-Dy herë jam takuar gjatë Luftës. Pastaj dy herë i kam shkuar në shtëpi në vitet 1950 dhe 1952.

-Si mbaroi Lufta ku u “emëruat”?

-Pas mbarimit të Luftës unë qëndrova tre vjet në Elbasn. Pastaj më morën redaktor të politikës së jashtme te “Zëri i Popullit” ku punova 10 vjet. Në shkrimet e mia kam kritikuar Amerikën, NATO-n. Si u largova nga kjo gazetë nisa në drejtorinë e botimeve universitare si redaktor deri në vitin 1965.

-Po më vonë?

-Më vonë shkova në Fakultetin e Mjekësisë ku u mora me botimet si redaktor dhe me përkthime shkencore nga frëngjishtja, që u shërbenin si studentëve, ashtu edhe pedagogëve të mjekësisë. Edhe Sali Bersishës i kam përkthyer nga frëngjishtja. Madje Dizertacionin e Sali Berishës “Infarkti i Miokardit” e kam radhitur unë në makinën e shkrimit dhe e kam redaktuar. Më kujtohet që ka qenë nja 200 faqe, kur u botua si libër.

-Ju keni njohur edhe Enverin edhe Sali Berishën?

-Për Enverin nuk kam ç’të heq asnjë presje. Për Sali Berishën të them të drejtën që studionte, por tani pas kthesës sikur po e harron “luftën”. Ishte energjik. Unë jam kundër hyrjes në NATO. Ajo luftë ka mbjellë. Mua më tremb fakti se historia e Luftës së Dytë Botërore po varroset. Një popull që nuk respekton historinë e vet, mbetet pa histori. Kushdo individ ka historinë e tij dhe tërësia e individëve përbën historinë e çdo kombi. Ne bëmë luftë të drejtë. Nuk bëmë luftë pushtuesish. Dokumentet e Luftës duhet të kenë pavion më vete e të ruhen në muze si i ka bota dhe shtetet që dolën fitimtarë, por edhe ata që humbën kanë të shkruar e të pacenuar historinë e tyre.. Kur ne nuk e bëjmë dot historinë me të shkruar vetë, të tjerët do të na i bëjnë sipas oreksit të tyre.

-Si e gjykoni sot Luftën e fundit botërore?

-Një nga luftërat më shkatërrimtare. Evropa e ndezi dhe ajo pësoi dëmet më të shumta prej saj. Viktima, qytete të shkatërruara. Pati fitues dhe humbës. Mbetet pjesë e historisë së marshimit njerëzor. Mesa më kujtohet mua u shënuan 50 milionë viktima. Ku 20 milionë i la Rusia dhe 6 milionë Gjermania.

-A ka pasur teprime apo redaktime kjo Luftë?

-Ne bëmë luftë të drejtë. Nuk e gjykojmë veten për teprime apo për redaktime të kësaj Lufte.

 

Pëllumb Çuni

 

Dhënë për “Telegraf”, më 12 Janar 2009

Ja kush kanë qënë shefat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë pas Luftës së Dytë Botërore

 



Spiro Moisiu, Mehmet Shehu, Beqir Balluku, Arif Mema, Petrit Dume, Sami Meçollari, Kiço Mustaqi, Kostaq Karoli, Ilia Vasho, Sheme Kosova, Adem Çopani….

 


Gjeneral Spiro Moisiu (10 korrik 1943 – gusht 1946)

Gjeneral Spiro Moisiu, lindi në vitin 1900 në qytetin e Kavajës. Pasi mbaroi shkollën unike në qytetin e Kavajës dhe Durrësit, u dërgua për të ndjekur gjimnazin në Vjenë (Austri). Pas kthimit nga Austria aty nga viti 1918-1919, ai mbaroi një kurs disa mujor në Shkollën e Plotësimit të Oficerëve në Tiranë, e cila asokohe drejtohej nga instruktorë gjermanë e austriakë, ku mori gradën e nëntogerit. Një vit më pas, mori pjesë në përbërje të forcave qeveritare, që u caktuan në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës dhe po atë vit ai u caktua në detyrën e shefit të Shtabit të Grupit në luftimet që zhvilluan në Kaptinë të Martaneshit kundra forcave serbe. Në vitin 1923, ai mbaroi në Tiranë kursin tjetër 1-vjeçar të oficerëve, që asokohe drejtohej nga ushtarakët gjermanë ku mori gradën e togerit. Në Kryengritjen e Qershorit të vitit 1924, Spiro u rreshtua përkrah ushtarakëve të komanduar nga kolonelët Rexhep Shala dhe Kasëm Qafzezi, të cilët u bashkuan me forcat fanoliste. Po kështu, në dhjetorin e ’24, Moisiu mori pjesë me forcat qeveritare që dolën në Shkallën e Tujanit për të penguar kthimin e Zogut. Në ’25 duke pasur parasysh aftësitë e tij si ushtarak tepër i aftë, kryeministri Ahmet Zogu e titulloi përsëri toger Moisiun, oficer në UKSH. Karriera e tij ushtarake erdhi në ngritje pas viteve ’30, kur ai mbaroi me rezultate të shkëlqyera në Tiranë Shkollën e Perfeksionimit të Oficerëve, që drejtohej nga instruktorët italianë (nga 43 pjesëmarrës renditet i pari duke marrë gradën e kapitenit). Në fund të ’40, dërgohet në krye të Batalionit “Tomorri” për të marrë pjesë në luftën italo-greke, por, nuk pranoi të luftonte dhe u tërhoq nga fronti së bashku me major Prenk Përvizin, duke nxitur kështu dezertimet në radhët e ushtarëve shqiptarë. Pas nxjerrjes në lirim, në vitet 1941-1942, Moisiu u vendos në zonat e Lushnjes e Beratit dhe hyri në lidhje me ish-ushtarakë të tjerë të Monarkisë që kishin filluar organizimin e ngritjen e çetave të para partizane. Duke pasur parasysh të kaluarën e tij të papërlyer dhe aftësitë e rralla si ushtarak i karrierës, në korrikun e vitit 1943, krerët e PKSH e thërritën atë në Labinot të Elbasanit ku dhe i propozuan detyrën e Komandantit të Përgjithshëm të UNÇ. Ai mbajti vetëm detyrën e komandantit të Shtabit të Përgjithshëm

Gjeneral/kolonel Mehmet Shehu (gusht 1946)

Gjeneralkolonel Mehmet Shehu, lindi më 10 janar 1913, në fshatin Çorrush të Mallakastrës. Në vitin 1932 përfundon shkollën teknike dhe shkon në Napoli për të studiuar në Kolegjin Ushtarak, ku përjashtohet për ide revolucionare. Largohet nga Italia dhe kthehet në Shqipëri ku burgoset 2-3 muaj në Tiranë. Me daljen nga burgu punon në fermën e Shkollës Teknike si traktorist. Ndjek Shkollën e Plotësimit të Oficerëve dhe titullohet në vitin 1937, ndërsa në dhjetor të atij viti shkon në Spanjë ku merr pjesë në Br12 Ndërkombëtare “Garibaldi”, dhe komandoi batalionin e IV të saj. Më 1939, pas çmobilizimit të vullnetarëve të huaj kthehet në Francë dhe qëndron në një kamp përqendrimi. Rikthehet në atdhe në gusht ’42 dhe caktohet sekretar organizativ i Qarkut të Vlorës për PKSh. Gjatë LANÇ ka qenë në shkurt 1943, komandant i Çetës Plakë të Mallakastrës; në gusht 1943, komandant i Br1S; në maj 1944, komandant i D1S me gradën kolonel dhe në tetor 1944 gradohet gjeneralmajor. Pas çlirimit dërgohet për studime në Bashkimin Sovjetik. Në periudhën 1945-1946 studion në AU “Voroshillov” dhe pas përfundimit të studimeve kthehet në Shqipëri, ku në vitin 1946, emërohet shef i SHP. Në periudhën 1948-1954 kryen njëkohësisht detyrën e zëvendëskryeministrit dhe atë të ministrit të Punëve të Bren-dshme;  kryeministër (1954-1981); ministër i Mbrojtjes (1974-1981). Njohës i pesë gjuhëve të huaja: anglisht, frëngjisht, italisht, spanjisht dhe rusisht.

 

Gjeneral/leitnant

Beqir Balluku (1952)

Gjeneral lejtnant Beqir Balluku, lindi më 14 shkurt 1917 në Tiranë. Studioi në Shkollën Teknike të Tiranës. U përfshi në lëvizjen komuniste gjatë kohës që kryente shërbimin ushtarak, 1940 deri 1942. Më 20 maj 1943, u caktua komandant i batalionit partizan “Krujë-Ishëm”, më 18 shtator 1943, komisar i Brigadës së Tretë dhe më pas komandant i Brigadës së Dytë Sulmuese. Më 28 janar 1948, ishte emëruar kryetar i Shtatmadhorisë së Ushtrisë. Kreu në Moskë, Akademinë Ushtarake “Voroshillov”. Në Kongresin e Parë të PPSH u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe në vitin 1953, ministër i Mbrojtjes Popullore. Një vit më pas mori gradën më të lartë në Shqipëri, atë të gjeneral/lejtnant. Balluku ishte gjithmonë deputet i Kuvendit Popullor. Në korrik të vitit 1974, ai u akuzua si organizues i veprimtarisë puçiste ushtarake nga diktatura dhe u dënua me vdekje. U pushkatua më 5 nëntor 1975 për tradhti të lartë ndaj atdheut.

 

Gjeneral/leitnant

Arif Mema (1954)

 

Gjeneral/leitnant Arif Hasko Mema, lindi në Tërbaç të Vlorës dhe është njohur gjatë Luftës së Dytë Botërore për çlirimin e vendit me pseudonimin “Patrioti”. Pasi mbaroi filloren në vendlindje, vazhdoi shkollën tregtare në Vlorë. Ai ka udhëhequr gjatë LANÇ formacione të rëndësishme partizane që nga Vlora e deri në veri të Shqipërisë. Në dhjetor të 1943, inkuadrohet në Br1S duke kryer detyra të ndryshme deri komisar politik i kësaj brigade. Mbas çlirimit kryen Akademinë e Lartë të Shtabit të Përgjithshëm, në Bashkimin Sovjetik. Më vonë kryen detyra të larta si komisar divizioni, korpusi, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe zv/ministër i Mbrojtjes Popullore. Ai tërë jetën e tij qëndroi besnik i idealeve të LANÇ. Ai kreu detyrën e zv/kryetarit të Parë të Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të LANÇ. Për kontributet e tij është nderuar me shumë urdhra e medalje të akredituara nga ish-Presidiumi i Kuvendit Popullor.

 

Gjeneral/leitnant

Petrit Dume (1956)

Gjeneral/leitnant Petrit Dume, lindi më 20 maj 1920, partizan, komandant brigade, komandant divizioni, Hero i Popullit (me vendim të qeverisë e Byrosë së PPSH) e më pas, në vitin 1974, u shpall Armik i Popullit (konsideruar si puçist). Deputet i arsimuar në dy akademi ushtarake sovjetike, shef i Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura Shqiptare, shefi më jetëgjatë në SHP. Ai ka qenë deputet në të gjitha legjislaturat. Në korrik të vitit 1974 u akuzua si organizues i veprimtarisë puçiste ushtarake dhe u dënua me vdekje. U pushkatua më 5 nëntor 1975 për tradhti të lartë ndaj atdheut. Eshtrat ju gjetën në verën e vitit 2001 pranë fshatit Vranisht të Vlorës.

 

Sami Meçollari (1974)

Sami Meçollari ishte shef i SHP për një periudhë të shkurtër. Në ’74 ka qenë drejtues i spikatur i formacioneve të mëdha ushtarake. Lindi më 10 mars 1937, në Marjan të Oparit (Korçë). Ka kryer shkollën “Skënderbej”dhe Shkollën e Bashkuar të Oficerëve (SHBO) me rezultate të shkëlqyera. U titullua oficer me gradën toger në shërbimin e kimisë. Në vitet 1961-1965 kreu Akademinë Ushtarake (AU), në vitet 1967-1968 kursin e lartë të kuadrove madhorë pranë AU. Në arsimin e përgjithshëm civil, krahas shkollës pedagogjike përfundoi edhe Fakultetin e Inxhinierisë në UT, Shkollën e Lartë të Filozofisë, etj. Në të gjitha shkollat ka merituar vlerësimin shkëlqyeshëm. Fillimisht shërbeu si shef i shërbimit kimik i batalionit në Berat, i brigadës në Peshkopi (1960-1963), i Korpusit në Shkodër (1965-1967), shef operativ i Korpusit Shkodër (1968-1970). Shef i Shtabit të Korpusit të Gjirokastrës (1970-1972), komandant i këtij Korpusi (1973-1974) deri sa u emërua shef i SHP të Ushtrisë Shqiptare. Në dhjetor ’74, u lirua nga ky post dhe u caktua komandant brigade, komandant i shkollës ushtarake të oficerëve rezervë në Zall-Herr (Tiranë) dhe mbyll karrierën si komandant i SHLU në Rrëshen. Në ’86 del në pension. Krijon organizatën e ushtarakëve “Pensionistë të liruar” (OUPLSH), duke u zgjedhur kryetar i saj (1991).

 

Veli Llakaj (1975-1982)

Veli Llakaj lindi më 18 shkurt 1935, në Kras të Tepelenës. Në vitin 1951 mbaron shkollën 7-vjeçare në vendlindje. Në vitet 1951-1954 punoi në gjeologji e tregti në Memaliaj. Në vitin 1954 shkon student në SHBO, të cilën e mbaron më 1957 me rezultate të shkëlqyera dhe i jepet grada më e lartë, toger. Me mbarimin e shkollës në vitin 1957 emërohet në SHBO komandant toge, detyrë të cilën e kryen deri në vitin 1960. Ndërkohë ka mbaruar dhe gjimnazin “Qemal Stafa”, po në Tiranë. Në vitet 1960-1963 punoi instruktor në Drejtorinë e Përgatitjes Luftarake në MMP; në vitet 1963-1966 kryen AU; në vitet 1966-1967 shef shtabi i Br5S Vlorë; në vitet 1967-1968 oficer drejtimi pranë SHP; në vitet 1968-1971 është komandant i BrLK, Tiranë; në vitet 1971-1972 në Akademinë e SHP dhe komandant i Korpusit të Burrelit; në vitet 1972-1974 komandant i Korpusit të Mbrojtjes Bregdetare, Fier; në vitin 1974 emërohet zëvendësministër i parë dhe shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, detyrë të cilën e kryen deri në vitin 1982. Më 13 tetor 1982 në Komitetin Qendror i bëhet gjyqi politik si “puçist” e bashkëpunëtor i Mehmet Shehut dhe dërgohet në Cërrik. Në vitet 1978-1982 deputet i zonës së Kurveleshit të Sipërm në Tepelenë. Në vitet 1975-1982, një nga 5 anëtarët e Këshillit të  Lartë të Mbrojtjes

Kiço Mustaqi 

(1982-shkurt 1991)

Kiço Mustaqi, ishte një ushtarak karriere i lindur në 22 mars 1938 në një fshat pranë Delvinës, Sarandë. Në detyrën e ministrit të Mbrojtjes vjen pasi kishte kryer detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare për nëntë vjet rresht. Në shkurt të vitit 1991 ngarkohet me detyrën e ministrit të Mbrojtjes të Shqipërisë në përbërje të qeverisë së kryeministrit Fatos Nano dhe që u largua nga detyra me dorëheqjen e qeverisë në qershor të po atij viti.

Kolonel Halim Abazi (shkurt-qershor 1991)

Kolonel Halim Abazi, lindi në dhjetor të vitit 1944 në Tërbaç të Vlorës. Ka kryer të gjithë llojet e arsimimit ushtarak shqiptar, të cilat i ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera. Kështu në vitet 1953-1960 kreu studimet në shkollën ushtarake “Skënderbej”; në vitet 1960-1964 ka kryer Shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe në vitet 1970-1972 Akademinë e Mbrojtjes (AM). Ka kryer detyra të nivelit më të lartë në ushtrinë shqiptare, përfshi edhe ato në nivelet e shkollave ushtarake. Në shkurt-qershor 1991, u përzgjodh në detyrën e lartë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Ka dalë oficer në rezervë në vitin 1993.

Gjeneral/major Kostaq Karoli

(qershor ’91-gusht ’92)

Gjeneral/major Kostaq Karoli, lindi në dhjetor të vitit 1945 në Korçë. Ka qenë ushtarak i talentuar, ka kryer të gjithë llojet e arsimimit ushtarak shqiptar, të cilat i ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera. Në qershor 1991 deri në gusht 1992 ka kryer detyrën madhore të shefit të SHP. Ka komanduar FA kur kishin një efektiv të madh, si aktiv ashtu edhe rezervist, me rreth 16500 oficerë, 9000 nënoficerë, 60000 ushtarë e 8000 civilë, rezervistë rreth 450000 vetë dhe 230000 forca vullnetare. Me 22 divizione dhe tre forca që ishin: mbrojtja kundërajrore, flota luftarake-detare dhe aviacioni. SHP kishte nën komandë 127 brigada këmbësorie, brigada artilerie dhe brigada sulmuese; rreth 1050 tanke, rreth 4000 gryka zjarri artilerie tokësore; 34 regjimente të artilerisë kundërajrore pa llogaritur artilerinë kundërajrore të brigadave etj. Në kufi, mitralozat e rëndë (armët roje), bateritë e gatshme të artilerisë kundërajrore, hapnin zjarr për 2-3 minuta. Për 20-30 minuta, batalionet mitralierë në vijën e kufirit ishin bërë gati për luftim; për 15-20 minuta, artileria tokësore e gatshme kishte hapur zjarr. Ka punuar dhe punon në sektorët shkencorë ushtarakë me titullin akademik “Profesor”.

Gjeneral Ilia Vasho

(1992-1994)

Ushtarak shqiptar si dhe kualifikimet më të larta ushtarake. Kështu në vitet 1962-1964 ka kryer Shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe në vitet 1976-1978 Akademinë e Mbrojtjes. Ka kryer detyra të nivelit më të lartë në ushtrinë shqiptare përfshi edhe ato në nivelet e shkollave ushtarake. Mbante gradën shkencore “Doktor Shkencash”. Në 1992-1994 u përzgjodh për detyrën e lartë të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare. Dalë oficer në rezervë në vitin 1997 nga funksioni që ka pasur si përfaqësues ushtarak në NATO, funksion që e kreu nga 1994 deri në 1997.

Gjeneral me katër yje, Sheme Kosova

Gjeneral me katër yje Sheme Kosova. Në periudhën 1994-1997 ka kryer detyrën madhore shef i Shtabit të Përgjithshëm. Sheme Kosova lindi në 24 mars 1949. Ndoqi studimet në Shkollën e Mesme Pedagogjike në 1967 dhe Shkollën e Lartë të Bashkuar në vitin 1971, ndërsa në vitet 1979-1981 ka përfunduar studimet në Akademinë Ushtarake. Ka kryer detyra të nivelit më të lartë në ushtrinë shqiptare deri në shef i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Shqiptare. Në 2 mars 1997 lirohet nga kjo detyrë madhore.

Gjeneral/major Adem Çopani (mars-gusht 1997)

Gjeneral/major Adem Çopani, lindi në korrik të vitit 1944 në Tiranë. Ka kryer të gjithë llojet e arsimimit ushtarak shqiptar, të cilat i ka përfunduar me rezultate të shkëlqyera, si: shkollën ushtarake “Skënderbej”, Shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe Akademinë e Mbrojtjes. Ka kryer detyra të nivelit më të lartë në ushtrinë shqiptare përfshi edhe ato në nivelet e shkollave ushtarake. Në vitet 1991 deri në mars 1997 ka kryer detyrën e këshilltarit ushtarak të presidentit të Republikës në një nga periudhat më të vështira e të errëta të ushtrisë shqiptare. Në mars të vitit 1997 zgjidhet në postin madhor të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, detyrë që e mbajti deri në gusht të vitit 1997. Në karrierën e tij ushtarake ka fituar edhe gradën shkencore “Doktor Shkencash” si dhe titullin akademik “Profesor”. Ka dalë oficer në rezervë në vitin 1997 dhe aktualisht është me banim në SHBA.

Bardhyl Berberi/ Ç’shkruhet për Enver Hoxhën dhe Lasgushin në dokumentin zyrtar?

 

Në Drilon takova një mikun tim të vjetër gazetar, i cili mbante në dorë një guidë. “Pogradeci, çelësi turistik” është një guidë e fundit që unë nuk e kisha parë. Pasi u përshëndetëm më thotë se ka ardhur në Drilon të flejë një natë tek dhoma që ka fjetur Enver Hoxha. Mbeta i habitur dhe më pas i them mikut tim se Enver Hoxha nuk ka fjetur asnjë natë në Drilon. Ai këtu vetëm vinte në formën e piknikut, qëndronte disa orë dhe më pas shkonte tek vilat tek rezidenca qeveritare në Pogradec. Bashkimi hapi guidën në faqen 73 ku shkruhej:

Në dhomën e Enver Hoxhës (citojmë pikë për pikë faqen e guidës)
“Deri në vitin 1990, viti i rënjes së sistemit komunist, një pjesë e Drilonit konsiderohej si zonë e ndaluar për popullin e thjeshtë. Enver Hoxha kalonte këtu pjesën më të madhe të periudhës së nxehtë të vitit dhe për të ishte ndërtuar një vilë prej guri dhe druri. Vendi i preferuar i udhëheqësit komunist tani është shndërruar në një hotel privat ku janë bërë jo pak ndryshime. Falë një pagese që shkon deri në 40 euro, mund të shijoni një natë në dhomën dyshe ku flinte Enver Hoxha. Hoteli ka një atmosferë të ngrohtë dhe në të gatuhen gjellë të vendit dhe të guzhinës ndërkombëtare. Natën pylli rreth hotelit krijon një atmosferë të magjishme. Heshtjen e thellë e prish vetëm zhurma e ujit që vazhdon të rrjedhi drejt liqenit. Një natë në vilën e Enver Hoxhës me të vërtetë që ia vlen”.
Ky ishte tektsi i guidës. Ngela i shtangur. Çfarë ke, më thotë miku im, unë kam qenë i përndjekur dhe në djall të shkojnë 40 euro do të fle një natë në krevatin e diktatorit. Ti fli, i them unë por kur vinte Enveri këtu nuk ka patur hotel. Hoteli është ndërtuar pas vitit 1998 dhe Enveri sikur ka vdekur në vitin 1985, pra plot 13 vjet pasi ai ishte ndarë nga kjo jetë! Miku im shtangu, por shtanga dhe unë. Hajde mbroçkulla, thashë me vete, deri ku shkon reklama dhe mashtrimi. Ai më ndiqte pas qejf prishur duke më përsëritur të njëjtën frazë: a je i sigurtë që nuk ka fjetur Enveri?! 
Kjo është padrejtësi, vjen tjetri nga Tirana, blen nje guidë dhe beson tek kjo guidë zyrtare në shqip dhe anglisht ….dhe ngelet i hutuar dhe qorollepsur nga një mashtrim zyrtar…
Mirë, atëhere, më tha kolegu, eja të pish një ponç nga të Lasgush Poradecit e të mbledhim mëndjen.
Po këtë nga na e shpike, i them unë. Ja ku e ke, më tha, tek “Çelësi juaj turistik”. Kolegu hapi guidën në faqen 50 dhe më lexoi:
“Pasi shëtiste buzë liqenit, Lasgush Poradeci ulej tek hoteli i madh dhe bëntë një porosi të veçantë. Vetëm pasi e merrte atë, ulej dhe shkruante mbi blloqet e tij poezitë që e bënë të famshëm. Porosia e tij ishte: Dy gota raki e fortë rrushi perlë e përzier me ujë të ngrohtë dhe pak sheqer. Që nga koha kur e pinte Lasgush Poradeci kjo lloj pije u quajt nga kamarierët e vjetër ‘Ponçi Lasgush’. 
Më poshtë guida vazhdon …
“Provojeni një herë, mbase me anën e tij mund të zbuloni edhe talentin tuaj të fshehur prej shkrimtari. ‘Ponçi Lasgush’ i shoqëruar me një kafe të fortë turke bën mirë si në mëngjeset e freskëta anës liqenit gjatë verës, ashtu edhe në ditët e ftohta me dëborë. Sot në Pogradec të gjitha lokalet ia dinë formulën kësaj pije të veçantë. Por duke porositur atë, do të keni rast të provoni edhe nëse ata që iu shërbejne janë pogradecarë të vërtetë e të vjetër apo jo”.
Kolegu im u rropat lokal në lokal por ponçin e Lasgushit nuk e gjeti asgjëkundi, ajo ekzistonte vetëm në “Çelësin turistik të Pogradecit”…
Të nesërmen kishte vendosur të shkonte në Manastirin e Shën Naumit, edhe kjo një reklamë nga çelësi turistik. Në faqen 39 të po këtij celësi turistik, tek kapitulli “Çfarë mund të vizitoni në Pogradec? Ështe planifikuar edhe një vizitë në manastirin e Shën Naumit ku ndodhet një kishe e vogël dhe brenda saj varri i Shen Naumit” …dhe më poshtë jepen vlerat unikale të afreskeve dhe ikonastaseve që ndodhen aty të gdhendura qysh ne vitin 1711. Aty ndodhet edhe varri i Shën Naumit, një dishepull i shek X …
Mirë, i them kolegut tim, të vaftë rruga e mbarë, por a ke siguracion ndërkombëtar për makinën pasi Manastiri i Shën Naumit ndodhet në pjesën maqedonase të kufirit …Si për t’i freskuar kujtesen i them se ti e di që atë e ka shitur Ahem Zogu tek fqinjët që në kohën që ishte mbret ë Shqipërisë!…
-Edhe, ma preu me gjysëm zëri kolegu ….
– Bli një siguracion ndërkombëtar për veturën që kushton 400 e ca euro dhe shko vizitoje manastrin e Shën Naumit.
Miku im u zbardh si ato statujat e Greqisë duke mbajtur “Çelësin turistik të Pogradecit” si një domino dopjo gjashtë që të ngelet në dorë. 

Kol. Shuaip JAUPLLARI/ Çkallovi, piloti që mahniti botën me guximin e tij


Kanë kaluar 75 vjet që nga vdekja e pilotit të famshëm rus, Valeri Çkallov, i cili ndërmori fluturimin e parë pa ndërprerje në historinë botërore nga Rusia në SHBA

Në vend të parathënies

Më 16 dhjetor të vitit 1938 gjithë gazetat dhe radiostacionet e vendit transmetuan njoftimin qeveritar:

 “Qeveria e Bashkimit Sovjetik, me hidhërim të thellë njofton mbi vdekjen e pilotit të madh të kohës sonë, “Heroit të Bashkimit Sovjetik”, shokut Valeri Pavlloviç Çkallovit, gjatë koaulidimit të avionit të ri, më 15 dhjetor të këtij viti…”

Në nekrologjinë e tij, botuar në gazetën “Pravda”, midis të tjerave, thuhej:“…Populli sovjetik, i hidhëruar thellë për humbjen e pamerituar, përkul flamujt e tij luftarak mbi hirin e heroit…Asnjëherë nuk do të zbehet lavdia e heroizmave të tij. Asnjëherë nuk do të venitet shkëlqimi i emrit të tij legjendar…”.

Arkivoli me trupin e Valeri Çkallovit u vendos në Sallën e Kolonave në Kremlin.

Servet Tartari: Pesë takimet interesante të Akademikut Rexhep Qose me shoqatën “Labëria”

 INTERVISTA/ Flet veterani i shoqatës “Labëria” dhe publicist  Servet Tartari

Akademiku Rexhep Qosja, për  Labërinë 

-Si historian i letërsisë shqipe dua të perifrazoj një shprehje që thuhet nga historianët e letërsisë: “Rinjihni jetën shoqërore të popullit prej përbrenda”.

-Labëria, ajo është vetë historia shqipe. Në të vërtetë Labëria, ashtu siç e përjetova unë, është shqiptaria.

-Labëria shpirtërore është Shqiptaria natyrore e kjo do me thënë Shqipëria etnike.

-Vlora është qyteti në të cilën është bërë dhe është ribërë Shqipëria.

-Vlora është qyteti ku është ngritur flamuri i pavarësisë së Shqipërisë.

– Vlora është qyteti ku është ndërtuar më së pari institucionalizuar ajo pavarësi.

-Vlora është qyteti, ku qëndron krenar përgjithmonë Monumenti i Pavarësisë dhe në këtë monument janë bashkuar bijtë e pandarë Shqipëria.

-Vlora është qyteti prej të cilit më parë se prej cilido qytet tjetër shqiptar e me cilindo tjetër trevë shqiptare janë dëbuar ata që kanë dashur të pushtojnë Shqipërinë.

-Vlora, pra është qyteti që e ka bashkuar popullin shqiptar. Dhe kështu Vlora është bërë qytet mburrjeje, qytet krenarie, qytet simbol, qytet historik i Shqipërisë. D.m.th. qytet historik për lirinë, për pavarësinë dhe demokracinë e Shqipërisë.

Shoqata Kulturore Atdhetare  “Labëria” u krijua më 11 Dhjetor 1991, në Pallatin e Kulturës, në katin e dytë. Qysh atëherë kjo shoqatë do të kryente rolin e opozitës me çdo qeveri që luante me ndjenjat kombëtare apo nënvleftësonte kulturën shqiptare. Për 13 vjet ajo ka bërë me qindra aktivitete me karakter atdhetar dhe kulturor, në nivele të tilla që dhe vet shteti është vështirë ti organizojë.  Një ndër nismëtarët e krijimit të kësaj shoqate është dhe publicisti Servet Tartari

Fjalimi manifest i Dritëro Agollit/ Kongresi i 10-të i PPSH-së, zemërata e komunistëve, ndarja e hidhur nga partia moniste dhe lindja e PS-s

Ndarja e hidhur nga PPSH-ja dhe lindja e PS-së

Dritëro Agolli

Ja fjalimi- manifest i Dritëroit në Kongresin e 10-të të PPSH, i cili shënoi njëkohësisht edhe shndërrimin dhe krijimin e Partisë Socialiste

Kongresi i 10-të i Partisë së Punës, i mbledhur në atmosferën e pluralizmit politik partiak, është quajtur kongresi i rinovimit. Me këtë ai merr përsipër një barrë të rëndë dhe të vështirë. Është një gjë optimiste se në gjirin e Partisë së Punës ka një potencial të madh forcash, duke përfshirë dhe potencialin e shëndetshëm intelektual. Por rinovimi serioz bëhet atëherë kur njihen rrënjësisht gabimet dhe kur lind një botëkuptim dhe mentalitet i ri, krejtësisht i ndryshëm nga ai i deritanishmi, kur flaken të gjitha dogmat dhe parimet e ngrira të së kaluarës dhe mbyllet fleta e tërë kapitullit. Unë do të përpiqem të ndalem edhe në këto gabime, pa mbyllur ende kapitullin, nga dëshira e mirë e rinovimit. Kjo është tribuna ime, tribuna e partisë ku unë aderoj dhe nuk ka njeri të më pengojë të flas, përveç atij që vazhdon të ecë me rrugën e djeshme dhe nuk ka dëshirë të rinovohet, por preferon të qëndrojë shtrirë në shtrat si fanatik, duke mos ia zbuluar mjekut pjesët e sëmura më delikate të trupit të tij. Çdo intelektual duhet të ketë një tribunë, ku t’i thotë lirshëm, me sinqeritet dhe pa ndrojtje mendimet e tij, në mënyrë që t’i sjellë shërbim idealit të vet dhe shoqërisë ku jeton. Shumë herë mendojmë se cilat janë ato gabime që e sollën në rënie Partinë e Punës, që e varfëruan atë bashkë me Shqipërinë dhe shqiptarët, që e zhvlerësuan këtë kala të pamposhtur, siç shpreheshim dikur plot patetizëm, që ia nxorën rrënjët mbi tokë këtij lisi dhe e bënë të lëkundet dhe mezi të qëndrojë në këmbë; cilat janë ato gabime që e sëmurën këtë trup që dukej aq i shëndetshëm, që e bënë të zërë shtratin dhe me zor të marrë frymë dhe ne të përpiqemi ta shërojmë, duke kërkuar ilaçe kokulur.. Me sa duket gabimet janë aq të rënda, sa disa mendojnë se ky trup nuk mund të shërohet, kurse disa të tjerë nuk i kanë humbur shpresat dhe kërkojnë ilaçe për ta shpëtuar.

Pra, cilat janë ato gabime që e sëmurën?

I pari gabim është vija e diktaturës së hekurt

I pari gabim është vija e diktaturës së hekurt në udhëheqjen e lartë të partisë, në byronë politike dhe në komitetin qendror; është diktatura që vendosi Enver Hoxha për ta nënshtruar këtë repart pararojë të klasës punëtore, për të mos lejuar asnjë mendim të lirë të kundërt me atë që kishte ai vetë. Në kushtet e kësaj diktature në byronë politike dhe në komitetin qendror u zhduk demokracia dhe u shua çdo shkëndijë e saj. Ai që guxonte të shprehte një mendim të kundërt jo vetëm nxirrej jashtë byrosë, komitetit qendror dhe partisë, por edhe vritej apo burgosej si tradhtar, agjent i imperializmit e revizionizmit, kapitullues apo devijator. Po të guxonte, fjala vjen, të thoshte në KQ të partisë në vitet ’60: pse të izolohemi nga bota; ikëm nga kampi socialist, të lidhemi me Evropën, ky heretik lidhej me zinxhir. Po të guxonte, fjala vjen, në fillim të viteve ’80, e të thoshte: ç’është kjo marrëzi e tufëzimit, pse ia marrim fshatarit të shkretë lopën, delen, derrin, gjelin e detit dhe ia lemë gomarin, ky rebel ose dënohej me vdekje ose zinte qelinë e errët e plot lagështirë. Në këtë diktaturë brenda udhëheqjes së lartë, në byronë politike dhe në KQ të Partisë, bëhej sikur diskutohej dhe merreshin me vendime të marrëzishme si ato për shkatërrimin e institucioneve fetare, për tufëzimin, për bashkimin e kooperativave bujqësore, për ndalimin e letërsisë së huaj, për hapjen e puseve dhe nxjerrjen e naftës dhe burgosjen e deri vrasjen e inxhinierëve dhe pedagogëve të saj e kështu me radhë. Me këtë diktaturë në kohën e partisë u zhdukën valë-valë që nga kongresi i parë dhe deri pranë kongresit të nëntë të partisë, gati të gjithë anëtarët e byrosë politike dhe të komitetit qendror. Ata që mbetën dhe ata të rinj që u vunë në të, u servilosën, u majmën, u bënë hamës të mëdhenj dhe lakmues vilash dhe qyrku. Diktatura në udhëheqjen e lartë të partisë solli lulëzimin e servilizmit dhe nënshtrimit, karrierizmit dhe shterpësisë së mendimit, hatëret e privilegjet. Bashkë me këtë lulëzim kjo diktaturë vendosi luftën e klasave brenda partisë, luftë që mbolli farën e frikës dhe të terrorit në gjithë komunistët dhe në gjithë shqiptarët. Lufta e klasave si instrument i diktaturës së udhëheqjes së lartë krijoi tri kulte të padëgjuara ndonjëherë në historinë e Shqipërisë: kultin e Enver Hoxhës, kultin e partisë dhe kultin e sigurimit. Çdo gjë e zgjidhnin këta tri kulte dhe nuk kishte nevojë të vrisje mendjen. Këta tri kulte krijuan modele kultesh: kulti i sekretarit të parë të komitetit të partisë së rrethit, kulti i sekretarit të organizatës -bazë, kulti i operativit të sigurimit e kështu me radhë. Nga frika e këtyre tri kulteve filloi të prishej e të gërryhej morali i njerëzve dhe humanizmi i shoqërisë:mbinë në arat e diktaturës antihumanizmi, hipokrizia, servilizmi, gënjeshtra, korrupsioni, abuzimi, ryshfeti, hatëri, vjedhja, thashethemnaja dhe mbi të gjitha u shkatërrua personaliteti i njeriut dhe ndodhi varfërimi i tij shpirtëror. Njeriu u bë kolektiv, me personalitet turme, pa individualitet dhe pa identitet. U shemb tradita e burrërisë shqiptare dhe e fisnikërisë kombëtare, e bujarisë dhe e besnikërisë, e mikpritjes dhe e shpirtgjerësisë, e urtësisë dhe e punëdashjes. Lindi mosbesimi, dinakëria, dembelizmi.

Kuadrit drejtues dhe nëpunësit filloi t’i hipë zilia dhe lakmia, duke parë privilegjet e zyrtarëve të lartë të partisë, privilegjet e fëmijëve dhe të afërmve të tyre, që jetonin në klane të veçuara, në një botë sekrete dhe misterioze, që hanin e visheshin ndryshe të tjerëve, që hipnin e zbrisnin nëpër avionë të nisur e të kthyer nga Evropa, kur populli i tërë jetonte në izolim të plotë nga bota e qytetëruar. Këta zyrtarë të lartë partiakë, anëtarë të byrosë politike, që u ndriste cipa e lëkurës nga ushqimet e zgjedhura dhe të kontrolluara nga specialistët e sigurimit, që kishin edhe një fermë speciale në Kamëz të mbjellë me bar të veçantë për t’i ardhur erë e mirë mishit dhe qumështit që përtypnin e gëlltitnin; këta zyrtarë të lartë partiakë, kurnacë deri në kulm dhe grykës deri në fund, të trashë dhe tru-mpirë, indiferentë ndaj varfërisë mbarëkombëtare, e prishnin lekun e djersës së njerëzve atje në vilat sekrete e misterioze pa iu dredhur dora, ndërkohë që populli i gjorë kujtonte se ata mendonin e punonin për të dhe të mirën e Shqipërisë. Në kohën kur Shqipërisë nuk i mjafton streha për të futur kokën, nuk i mjafton banesa më modeste, këta zyrtarë të lartë partiakë shtonin plot pangopësi dhomat, banjat dhe nevojtoret e vilave të tyre, me qira simbolike, si sheikët e Kuvajtit: dikush me 12 dhoma e 4 banjo, dikush me 16 dhoma e 6 banja, dhe si bënin këto shtesa rrihnin gjoksin: “për lumturinë e kllasës punëtore”. Me këtë rrahje gjoksi rreth 20 familjet e bllokut të famshëm vetëm gjatë vitit 1989-90 kanë shpenzuar 20 milionë lekë të vjetra për meremetimet e vilave dhe për mbajtjen e personelit shërbyes, d.m.th., një milion për familje! Po ta marrim rrogën mesatare mujore të punëtorit 4000 lekë të vjetra, i bie që për këto familje të një patriotizmi të veçantë,të punonin 400 punëtorë, një uzinë më vete! Ja, kjo është pjella e vijës së diktaturës në udhëheqjen e lartë të partisë, vijë që krijon një tip udhëheqësi, një tip që rri urtë dhe nuk shpreh mendime kundërshtare në byronë politike, pasi i pari i kësaj byroje, Enver Hoxha, e merrte për zverku nga vila me 16 dhoma dhe 6 banja dhe i jepte dy metra gjatësi trualli pa çati, ose truall me çati biruce apo qelie!…

I dyti gabim është vija e shtrembër politike në ekonomi.

Pasqyrë e kësaj vije është gjendja katastrofike e ekonomisë së vendit, është varfërimi deri në palcë i Shqipërisë, djemtë e vajzat e së cilës kanë marrë dhe po marrin arratinë nëpër botë për t’i shpëtuar mjerimit, që nuk e kishin ëndërruar kurrë. Vendosja me diktaturë e centralizmit të ekonomisë në qytet e në fshat, imitimi i vendeve të mëdha për të pasur në radhë të parë një industri të rëndë, që të na siguronte ndërtimin e socializmit me forcat e veta, mitizimi i pronës shtetërore e kolektive, ngjallja e urrejtjes ndaj pronës private, moskomunikimi ekonomik me botën nën dritën e marksizëm-leninizmit fitimtar, bënë që Shqipëria, vendi më i pasur në Ballkan, të çapitet me opinga të grisura dhe me torbë të shpuar në kurrizin me kocka të dala. Ndërtuam kovaçhana gjigante si kombinati metalurgjik në Elbasan; groposëm paren në puset shterpë të naftës; bëmë kooperativa bujqësore, kombinate, si qeveri të vogla; kryem tufëzimin famëkeq të bagëtisë; ia premë krahun çdo iniciative private; krijuam dogma në teorinë e ekonomisë politike dhe në bazë të këtyre dogmave nisëm me zell të eksperimentojmë, duke mos marrë parasysh se shoqëria nuk është lepur që ta vësh në laborator dhe të provosh se ç’efekt bën ky apo ai ilaç. A nuk ishte eksperimentet e tufëzimit të bagëtisë, që për një dekadë të tërë shkatërroi si me plan të caktuar blegtorinë kombëtare?! Ekonomia jonë, industria dhe bujqësia, duke ecur sipas dogmave marksiste, një herë me lëndë të parë, një herë pa lëndë të parë, një herë me një instrument e një herë pa të, e tëra kolektive, e të gjithëve dhe e askujt, i çmësoi njerëzit të punojnë dhe ia hoqi dëshirën për punë. Perënduan mjeshtrat e mëdhenj të punës, artizanët e famshëm të Shkodrës e të Korçës, të Tiranës e të Elbasanit, të Vlorës e të Gjirokastrës. Punëtorët e fshatarët u bënë të varfër të barabartë, u krijua barazia në varfëri. Interesi për punën në fabrikat e arat tona humbi, pasi humbi interesi dhe fitimi personal, humbi leku. I pari i burgosur politik në Shqipërinë socialiste ishte i mjeri lek dhe të parin që duhet ta lironim nga burgu ishte ai, leku! I liruar nga burgu duhet t’i shkonte njeriut të zot, njeriut që derdh djersën e ndershme, njeriut të lirisë së pronës. Prona e lirë dhe ekonomia e tregut i jep pasaportë lekut për të dalë në Evropë dhe në botë. I pari që u izolua jo vetëm nga bota, por edhe nga prodhuesit dhe gatuesit e tij ishte leku. Ai u urrye nga propaganda marksiste, ai u quajt i poshtër dhe i fëlliqur dhe u zëvendësua me fletëlavdërimin, të ashtuquajtur “stimul moral”. Punëtori me aftësi të rralla, ai që tejkalonte çdo normë, në vend të lekut merrte medaljen, pasi leku ishte dënuar nga që kishte biografi të dyshimtë dhe të keqe. Bashkë me lekun, u dënua edhe e bukura, pasi quhej si ndikim i huaj. Me dënimin e të bukurës në industri, në kulturë e në letërsi, lindi kulti i të shëmtuarës: rroba të shëmtuara, etiketa të shëmtuara, prodhime të shëmtuara, ndërtime të shëmtuara, piktura me figura të shëmtuara, drama me heronj të shëmtuar. U urrye kozmetika për gratë e shkreta. Iu thur lavdi erës së djersës dhe u shtua inati për erën e livandos si borgjeze. U varfërua xhepi dhe shpirti i prodhuesit dhe i krijuesit në industri, bujqësi e kulturë. Varfëri të ekonomisë dhe varfëri të shpirtit: – ja se ç’solli vija politike e gabuar në ekonomi, vijë e përpunuar nga Enver Hoxha dhe nga Partia e Punës. Kjo vijë së bashku me vijën e diktaturës së hekurt në udhëheqjen e lartë, në byronë politike dhe në komitetin qendror, janë dy nga gabimet më të rënda në historinë e Partisë së Punës dhe në historinë e mësimeve të Enver Hoxhës dhe po nuk u ndërgjegjësuam për këto, po nuk u bindëm se janë gabime, reparti pararojë i klasës punëtore nuk ka për t’u rinovuar kurrë, ndryshe ai duhet shpërndarë si i tillë përpara se ta shpërndajë koha.

I treti gabim është vija politike e pamëshirshme në të drejtat e liritë e njeriut dhe në lirinë e ndërgjegjes

Në këtë fushë ka mbizotëruar lirshëm parimi themelor i luftës së klasave, nxitja e kësaj lufte nga makineria gjigante e propagandës së partisë, e fushatave politike dhe ideologjike, nxitja e kësaj lufte nga provokimet e agjentëve të sigurimit, të aktivistëve dhe agjitatorëve vullnetarë, të këshilltarëve dhe veprimtarëve të frontit demokratik. Motoja e këtij parimi ishte parulla e paturpshme: Të zhvillojmë pa ndërprerje luftën e kllasave, që nuk harrohej të vihej e pandryshueshme në çdo raport kongresi çdo pesë vjet dhe të përsëritej në çdo zbërthim që i bëhej materialeve të këtyre kongreseve në bazë. Si në përralla të llahtarshme shefat e kuadrit, sekretarët e partisë, kryetarët e këshillave popullore dhe të frontit demokratik gërmonin me syze e pa syze biografitë e njerëzve për t’i privuar nga të drejtat e studimit në shkollat e larta dhe të mesme profesionale nëse gjenin ndonjë gjysh a stërgjysh ballist, të dënuar apo të përjashtuar nga partia, të arratisur jashtë shtetit etj. Këta fatkeq nuk mund të ngriheshin në përgjegjësi kurrë, nuk mund të futeshin në parti, nuk mund të punonin në dikastere, nuk mund të dilnin jashtë shtetit. Ajo fëmija e vogël në çerdhe apo në kopsht që duartrokiste “Parti-Enver”, nuk e dinte se kurrë nuk do të bëhej poet, inxhinier, mësues, shkencëtar, pasi gjyshi i saj nuk kishte qëndrim të mirë moralo-politik. Lufta e klasave në fakt ishte luftë biologjike nga më të përbindshmet që ka njohur historia e popullit shqiptar. Shpërthimi i kësaj lufte, veçanërisht në kriza politike, si më 1948, kur u prishëm me Jugosllavinë, më 1956 pas Kongresit të 20-të të Partisë Komuniste të BRSS, më 1960 kur po largoheshim nga kampi socialist, më 1966, kur nisi revolucioni kulturor kinez, më 1973, pas plenumit të katërt dhe më 1981, pas dënimit të Mehmet Shehut, merrte me vete mijëra njerëz me përjashtim nga partia, me internim, me burgosje, me pushkatim. Kjo luftë klasash instrumentalizonte kryesitë e lagjeve për të dënuar dhe internuar familje të tëra. Mblidhej dhe bëhej sa grushti burri dy metra nëpër mbledhjet demaskuese, e hidhte lotin sa një lajthi gruaja dhe nëna. Në atmosferën e luftës së klasave, ku temperatura arrinte gradën më të lartë, njerëzit filluan t’i trembeshin njeri-tjetrit. Prapa çdo njeriu shihnin një spiun. Frika e spiunimit hyri në çdo shpirt, në çdo tryezë, në çdo radhë ushqimesh, në çdo familje. Madje kjo frikë u fut dhe në shtratin e burrit dhe të gruas. Të dy burrë e grua flisnin vesh më vesh, që të mos i dëgjonin fëmijët dhe të mos i përhapnin fjalët e tyre nëpër mëhallë. Kjo ishte frika e luftës së klasave. Njeriu ndaj çdo gjëje mund të mbrohej: ndaj tërmeteve, ndaj përmbytjeve, ndaj sëmundjeve e ndaj luftërave botërore, vetëm ndaj luftës së klasave ishte i pafuqishëm dhe i pambrojtur. Këtij njeriu mjaftonte që t’i shpëtonte një fjalë në radhën e gjatë të ushqimit, si “edhe presh nuk ka në dyqane”, dhe ai fillonte të ndiqej ose të burgosej sipas nenit të agjitacionit dhe propagandës, nen nga më cinikët dhe më sadistët, që ka shkaktuar tragjedi të panumërta dhe ka ndrydhur të drejtat dhe liritë e njeriut. Fatkeqi i dënuar nga ky nen nuk humbte vetëm të drejtat dhe liritë, por shpesh humbte edhe familjen, edhe gruan, edhe fëmijën, edhe shokët e miqtë. Gruaja detyrohej të ndahej prej tij me gjyq, pasi me këtë shpresonte të mos internohej dhe ëndërronte që fëmijët e saj të shkonin në shkollë. Çdo gjë vështrohej me syrin e luftës së klasave: historia, arsimi, kultura, letërsia, madje edhe vdekja dhe varrezat. Kur vdiste i ati i një të burgosuri njerëzit kishin frikë të shkonin për ngushëllim, pasi paditeshin për zbutje të luftës së klasave. Dhe ndërkohë propaganda partiake bërtiste për humanizmin socialist. Në çmendurinë e luftës së klasave humbën fjalët “mëshirë”, “pajtim”, “paqe” e “zot”. Por kulmin çmenduria e luftës së klasave e arriti kur filloi prishja e institucioneve fetare. Turma të mëdha njerëzish, të organizuara nga “rrypat transmetuese të partisë”, nga organizata e rinisë e nga revolucionarë të organizatave të tjera, shkatërronin dhe digjnin kisha, xhami, teqe, tyrbe e vende të tjera të shenjta. Asnjë kult të mos mbetej, të mbetej vetëm kulti i partisë dhe i Enver Hoxhës… ( vijon nesër )

SEANCË PLENARE – 3 QERSHOR 1991

Duke e vlerësuar dorëheqjen e qeverisë “Nano” si zgjidhjen më të mirë për situatën e krijuar, deputeti Dritëro Agolli propozon që qeverinë e re nuk duhet ta kryesojë përsëri Fatos Nano.

Unë mendoj se zgjidhja që kanë bërë partitë politike është objektive, se janë nisur nga vetë situata reale e vendit tonë. Me këtë qeverisje mund të arrihet edhe stabiliteti politik, edhe i ekonomisë sonë. Edhe periudha e zgjedhjeve, maj-qershor, më duket e mjaftueshme. Kjo periudhë është kondicionuar edhe me premtimet e sindikatave për të pasur një paqe sociale. Unë mendoj se qeverinë e re nuk duhet ta kryesojë Fatos Nano. Unë kam respekt për të, ai ka punuar, është i shkathët, i zoti, por për masat e gjera punonjëse qeveria do të duket sikur nuk ka ndryshuar, nëse ne do të lëmë Fatos Nanon. Dhe as kërkesat e grevistëve nuk do të plotësohen. Në qoftë se do të lëmë Fatos Nanon kryeministër, masat punonjëse do të kërkojnë ta rrëzojnë dhe ne do të detyrohemi ta rrëzojmë. Prandaj, sa të rrëzohet dhe ne të lodhemi në parlament, më e ndershmja është të mos e propozojmë.

 

Komunistët shqiptarë përfundojnë Kongresin

TIRANË, 13 qershor/ROJTER/ – Jan Krenar shkruan: Partia Komuniste e Shqipërisë e përfundoi kongresin e stuhishëm prej katër ditësh me një emër të ri dhe një udhëheqës të ri, por liberalët theksojnë se ai nuk mundi të eliminojë trashëgiminë e themeluesit stalinist. Kongresi emëroi ekonomistin liberal 38 vjeçar Fatos Nano si udhëheqësin e ri të mërkurën në darkë dhe zgjodhi një komitet qendror prej 81 anëtarësh me një përzierje liberalësh dhe përkrahësish të vijës së ashpër, pas një debati të gjatë dhe të ashpër. Liberalët në parti shpresonin se kongresi do të bënte një shkëputje të qartë nga 46 vjetët e sundimit autokratik, por theksuan se ata u zhgënjyen nga rezultati. “Përmbajtja e debatit tregon shkallën e reformës për të cilën ka nevojë partia… Shumë anëtarë nuk kuptojnë thelbin e këtyre reformave”, theksoi Spiro Dede, liberal i zgjedhur si një nga sekretarët e partisë. “Nuk është thjesht një problem i ndryshimit të emrit, është një problem i ndryshimeve thelbësore”, shtoi ai. Në kongres, liberalët u përleshën me anëtarët e vijës së ashpër lidhur me trashëgiminë e ish-diktatorit Enver Hoxha, portreti prej bronzi i të cilit i vështronte delegatët nga pjesa e prapme e sallës. Shumë delegatë kritikuan dënimin e Hoxhës nga shkrimtari Dritëro Agolli për vrasjen ose burgimin e kundërshtarëve dhe çuarjen e Shqipërisë në shkatërrim ekonomik, moral dhe social. Agolli, i cili u zgjodh në Komitetin Qendror të partisë dhe në Byronë Politike prej 13 anëtarësh pas një debati të gjatë, u zotua se do të rinovojë tërësisht partinë. “Ne shprehim dëshirën për të rigjallëruar dhe për t’i provuar vendit dhe botës se ne do të jemi në gjendje të luajmë një rol të rëndësishëm në një shoqëri pluraliste”, theksoi ai.

( ATSH) 13 qershor 1991

FAHRI DAHRI: VEPRIME BRUTALE DHE PËRJASHTUESE GREKO-SHQIPTARE (*) NDAJ SHQIPTARËVE TË ÇAMËRISË

 Ka ardhur momenti që enigma e Çamërisë të mësohet dhe të vërtetat të shkruhen. Këtë synon kjo trajtesë, e cila do të përqendrohet në disa aspekte të qarta të sjelljeve qeveritare të të dy shteteve, brenda të cilëve ka frymuar një popullsi disi e veçantë nga popujt dhe fiset me të cilët ndante të mirat dhe të këqijat në vazhdimësinë e jetës.

Brutalitetet dhe përjashtimet do ti shtjellojmë duke i veçuar në tre grupime:
I
Ishte nismëtar shteti Grek, i cili me strategjinë e detyrimit të besimit ortodoks, shënjestroi zhdukjen e banorëve të Thesproti/ Çamërisë.
II
Ishte shteti Shqiptar, i cili devijoi nga detyrimet kushtetuese dhe njerëzore, duke mos ruajtur dhe mbrojtur në tërësi familjen, farën dhe fisin e tij.
III
Është shteti Grek që mbahet tek akuza qorre: “Na ishte dikur…..”.
●●●
Shtjellim:
I.-Shtjellojmë pjesën e shtetit Grek (1912-1945).
Ishte nismëtar shteti Grek, i cili me strategjinë e detyrimit të besimit ortodoks, shënjestroi zhdukjen e banorëve të Thesproti/ Çamërisë.
Urrejtja dhe agresiviteti helen ndaj shqiptarëve të Çamërisë, është që nga “Megalloidea”, por forcën goditëse e rriti në vitet 1912-1945 dhe vazhdon në saje të mbështetjes së vendimmarrjeve europiane, përfshirë edhe disa përfaqësues të shtetit Amë, të cilët inspirohen edhe nga qendrimet e dyshimta të disa prej akademikëve dhe historianëve tanë.

Shqiptarëve të Çamërisë, siç dihet tashmë, shteti Grek u a ka përvetësuar pasuritë në dy periudha:
a) Shqiptarëve të besimit mysliman të Çamërisë që ju përvetësua pasuria, sipas marrëveshjes greko-turke të Lozanës (Conference de Lausanne sur les Affaires du Prache Orient, 1922-1923). Në atë marrëveshje, shqiptarët e Çamërisë u trajtuan qëllimisht si popullsi turke dhe të shkëmbyeshëm. Grabitja e parë e tokave çame u krye nga 1923 deri në vitin 1930.
b) Periudha e dytë ishte gjatë Luftës së Dytë Botërore, me akuzën mashtruese se gjoja shqiptarët myslimanë të Çamërisë bashkëpunuan me pushtuesit.
●●●
Ende pa u bërë fakt kalimi i rajonit të Çamërisë nën pushtetin e Greqisë, u organizua kurthi i parë, ku u mblodhën 72 burra nga paria e fshatrave çame. Të mashtruar se do të mblidheshin për tu caktuar myftarë, bandat e delijanaqërve i masakruan, i vranë, i therën, u coptuan kokat dhe trupet me sopata e hanxharë.
Që nga viti 1913 filluan persekutimet dhe trajtimet përjashtuese të banorëve nga të gjitha të drejtat si shtetas grekë. U çpronësuan, u nënvleftësuan dhe u trajtuan nga ardhësit aziatikë, nga që shteti grek i u dha pronat e çamëve, si hyzmeqarë në pronat e tyre. U quajtën të padëshiruar, sepse shteti Grek u hoqi edhe identitetin duke i trajtuar si turq, kjo nga keqinterpretimi dashës, që i bëhej atyre si besimtarë myslimanë. U quajtën tradhëtarë të kombit grek, sepse para 300 vjetëve dhjetëgjyshërit e çamëve ndërruan besimin, si rrjedhojë “mëkatin” e tyre do ta paguajnë, gjithëmonë sipas parimeve greke, pjellat e asaj ”fare” sa të ketë jetë mbi Dhé. Megjithëse në atë kohë nuk kishte shtet Grek, por ishte i pranishëm ndikimi i kishës ortodokse- bizanti!?.
Lexuesi, me pak vëmëndje, do të kuptojë se fenomeni i trashëgimisë së “mëkatit”, në praktikën greke, do të përsëritet edhe me nipërit e stërnipërit e banorëvë myslimanë të Çamërisë, që sipas akuzës bajate gjoja ishin bashkëpunëtorë me okupatorin në L2B. Edhe këto pjella, pavarësisht fakteve dhe realitetit, do të quhen bashkëpunëtorë me ish okupatorët e para “100” apo 200” viteve.
Anashkalojmë rëndesat historike të pafundme që i kanë ndodhur atij komuniteti për të vazhduar me temën.
A kanë bashkëpunuar banorët e rajonit të Çamërisë me okupatorin?
– Debatet, thëniet dhe kundërthëniet për vërtetimin e kësaj akuza, llogjikisht dhe dokumentarisht, me gjykimin njerëzor të fakteve marrin fund me ditarët e oficerëve gjermanë, të cilët kanë deklaruar se për kohën e qëndrimit në Rajonin e Çamërisë, nuk kanë kryer luftime kundër forcave ushtarake greke.
– Është e dokumentuar pjesmarrja e një numri të vogël banorësh të Çamërisë (60 deri 70 veta), nën influencën e vllezërve Nuri dhe Mazar Dino, me ushtrinë gjermane dhe EDES-in (forcë e djathtë politike greke që kishte marrëveshje me okupatorin për të luftuar forcat partizane greke), që, siç u tha, nuk kanë zhvilluar luftime kundra fshatrave greke, por ishin të inkuadruar me ‘ta.
– Është e dokumentuar gjithashtu pjesmarrja e mbi 700 djem e vajzave nga shqiptarët e rajonit të Çamërisë, nën ndikimin e disa personave të parisë filaqote (Dematëvë) e të tjerë, që u inkuadruan me forcat luftarake të partizanëve grekë që drejtohej nga EAM-ELLASI, forcë politike e majtë greke që luftonte kundër pushtuesve të shtetit Grek. (disponohet lista me emrat e 656 djemëve dhe vajzave çame të inkuadruar në forcat partizane greke).
Gjithkush le ta gjykojë, analizojë dhe të konkludojë, vetëm mbi bazën e të vërtetave, nëse qëndron ose jo akuza greke se: “çamët paskan bashkëpunuar me okupatorin”, duke mbajtur në konsideratë faktet e mësipërme dhe raportet:
• Masën e pjesmarrjes së djemëve e vajzave çame me gjermanët dhe EDES-in;
• Masa e pjesmarrjes së djemëve e vajzave çame me partizanët grekë të EAM-ELLAS-it; dhe
• Qëllimet e dy forcave politike greke ndaj çlirimit të vendit ( EDES dhe EAM).
Këto argumente janë të vlefshme për t’ju ardhur në ndihmë lexuesve në gjykimmarrjen e tyre të pavarur.
● Absurditeti i djeshëm dhe i sotëm grek, qëndron tek mbajtja e dy pozicioneve të kundërta ndaj të njëjtit problem (sipas supozimit grek), ndaj ish okupatorëve italo-gjermanë që shkuan në Greqi për ta pushtuar (me të cilët nuk ka pretendime për të kaluarën; ka ndërtuar dekada më parë marrëdhënie të mira bilatelare); dhe ndaj banorëve myslimanë të Çamërisë, të cilët ishin me familjet, pronat dhe në vendin e tyre, që vazhdohet edhe sot, mbas 75 viteve, duke i akuzar se paskan badhkëpunuar me “armikun” e falur!?.
Edhe ky qëndrim grek tregon se banorët autoktonë të rajonit të Çamërisë nuk kanë qenë armiq ndaj shtetit Grek, përkundrazi tregohet e vërteta se shkaku i agresivitetit grek ndaj çamëve qëndron tek shtrirja e helenizmit në trojet e rajonit të Çamërisë. Rajon i përcaktuar mjaft qartë që nga lashtësia, si vend i banuar me popullsi pellazgo-epirote, aspak në njëllojshmëri me grekët e djeshëm dhe të sotëm.
Akuza e gjetur greke për bashkëpunim të çamëve me gjermanët, veç absurditetit llogjik, është dhe një bumerang, i cili përgënjeshton akuzën bajate. Kjo qartësohet me faktin se nëse çamët do kishin bashkëpunuar me forcat ushtarake gjermane kundër shtetit Grek, atëhere me një gjykim të ftohtë dhe të drejtë, lind pyetja si ishte e mundur që forcat gjermane të bashkëpunonin dhe mbronin çamët, kur ata ishin në marrëveshje mos luftimi me forcën politike të djathtë greke-EDES-in?. Nëse çamët akuzohen si bashkëpunëtorë me gjermanët dhe gjermanët bashkëpunonin me EDESI-in, kur EDES-i i masakroi çamët, na rezulton se edhe gjermani është bashkëpunëtor me EDES-in kundër çamëve. Një akuzë kjo për çamët, që vetëm në llogjikën mashtruese greke mund të gjejë kuptim.
Mbi bazën e akuzave shpifëse, shteti Grek ndërrtoi taktikat dhe strategjitë afatshkurtër e afatgjata për çfarosjen e asaj popullsie, e cila me ekzistencën e saj i ndjell ankth të pashuar Greqisë, prandaj ajo çirret pa pushim ditë e netë se “Çështja Çame” nuk ekziston dhe se emëri “Çamëri” duhet të zhduket nga historia!.
Labirinthet e politikës greke, megjithëse janë tepër të kuptueshme për qëllimet e tyre djallëzore, arrijnë të ulen “këmbëkryq” në mendjet e disa vendimmarrrësve europianë, të cilët favorizojnë me të padrejtë shtetin Grek në dëm të shteteve fqinje, duke cënuar rëndshëm parimet e demokracisë për një bashkëjetesë paqësore dhe bashkëpunim reciprok mes shteteve!.
● Një nga ligjet korruptive të shtetit Grek, në dëm të demokracisë dhe të parimeve të të Drejtave Universale të Njeriut, është ligji i mohimit të çdo të drejte njerëzore që ajo ndërmori kundër gjithë ish shtetasve grekë që nuk kishin pranuar “kombësinë” greke, për tu rikthyer në vendin e tyre, qoftë edhe si vizitorë në territorin e shtetit Grek, këtu përfshiheshin edhe shqiptarët e dëbuar të Çamërisë.
● Gjatë luftës civile greke, e cila u zhvillua në vitet 1946-1949, ndërmjet forcave të djathta dhe forcave të majta, është trajtuar edhe problemi i shqiptarëve të Çamërisë. Është pranuar dhe faktuar dëbimi i dhunshëm i tyre nga forcat ushtarake të EDES-it. Vrasjet e pafajshme, shpërngulja e dhunshme dhe tërësore e një komuniteti, të cilat kanë ndodhur në vitet 1944-1945 nën udhëhiqjen e kriminelit Napoleon Zerva.
● Në dokumentet historike (*), edhe sipa historianëve, është për tu theksuar kërkesa e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme Greke, Marko Vafiadhis (²), i cili krahas disa kërkesave, i ka parashtruar Enver Hoxhës kërkesën që çamët e dëbuar dhunshëm (emigrantë në Shqipëri), të inkuadroheshin në ushtrinë Demokratike Greke, e cila udhëhiqej nga komunistët grekë.
Marko Vafiadhis, paska ardhur në Tiranë më 24 shtator të vitit 1947, me cilësinë si Kryetar i Qeverisë së Përkohshme Demokratike. Vafiadhis në takimin që pati me një anëtar të Byrosë Politike të KQPPSH, i parashtroi qeverisë shqiptare disa kërkesa:
– kërkonte nga shteti Shqiptar, që çamët e dëbuar prej Greqisë të rekrutohen dhe të dërgohen në malin Gramoz, për të luftuar përkrah kryengritësve grekë.
– Të dërgohen për ushtrinë demokratike Greke 3.000 deri 4.000 djemë dhe burra emigrantë çamë, nga mbi 18 mijë shqiptarët çamë myslimanë që jetonin në Shqipëri, si rrjedhojë e dëbimit të tyre prej forcave të Napoleon Zervës.
– kërkoi rekrutimin e djemve dhe burrave refugjatë grekë, shumica e të cilëve ishin të etnisë maqedonase, që ndodheshin në Shqipëri.(Ish demokratët grekë të dëbuar nga Greqia që ndodheshin brenda territorit të shtetit shqiptar-F.D.).
– Të gjithë të rekrutuarit e mundshëm të organizoheshin në 3-4 qendra për tu dërguar në ndihmë të Ushtrisë Demokratike Greke.
– të vazhdohej të ndihmohej Ushtria Demokratike Greke me furnizime armatimesh të ndryshme dhe të krijoheshin mundësira për ndihma ekonomike me ushqime, veshje, etj.
Pala shqiptare, lidhur me kërkesën e palës greke, për rekrutimin e refugjatëve çamë, për momentin e konsideroi të pa arritshme mbasi:
● Refugjatët çamë të dëbuar nga Çamëria, nuk pranonin të shkonin në luftë përkrah forcave komuniste greke (¹).
● Argument tjetër në mos rekrutimin e tyre, ishte dyshimi që kishin udhëheqësit shqiptarë se edhe po të pranonin, rekrutët (refugjatët) çamë do të binin nën ndikimin amerikan.
Në atë kohë dhe në ato rrethana, pala shqiptare i dha përgjigjen palës greke se: “Tash për tash, kjo nuk është e mundur, duke marrë parasysh interesat e Ushtrisë Demokratike Greke, por do të bënin ç’të mundeshin të ndihmonin në kohën e duhur me ato që kishin mundësi…”.
Më pas, në muajin mars 1949, pala shqiptare e mori në shqyrtim dhe u përpoq ta realizonte kërkesën greke.
Ngjarjet e mësipërme, krahas rëndësisë historike, siç u tha më sipër, marrin rëndësi të veçantë edhe për faktin se politikanët grekë të asaj periudhe, e kanë pranuar të vërtetën se shqiptarët e Çamërisë ishin përzënë nga shtëpitë e tyre në Greqi nga forcat raciste të Napoleon Zervës.
● Klauzolat intriguese në hartimin dhe miratimin e ligjeve, lidhur me të drejtat e minoriteteve dhe pakicave në shtetin Grek, vihen re qartësisht edhe në ligjet e nxjerra prej tij në vitet 1972 –1982. Gjatë këtyre viteve, qeveritë greke nxorën ligje ku lejonin që çdo shtetas grek i përzënë të rikthehej dhe të merrte pasurinë ose dëmshpërblimin. Për realizimin e rikthimit, në ligj ishte vendosur kushti se të falurit për tu rikthyer, duhej të kishin kombësinë greke (kombësia greke përcaktohet mbi bazën e besimit ortodoks) si dhe gjatë kohës së mërgimit duhej të kishin mbajtur qëndrim grek.
Këto klauzola në ligj, përjashtuan shqiptarët çamë dhe sllavo-maqedonasit e Egjeut. Shqiptarët çamë myslimanë, me qëndrim në Shqipëri, siç dihet, ishin bërë shtetas shqiptarë në bllok në vitin 1953 dhe u ishte hequr shtetësia greke.
● Dhënia e shtetësisë shqiptare në bllok, të gjithë çamëve në vitin 1953, ishte rezultat i marrëveshjeve të fshehta me dy qeverive, si kërkesë e qeverisë Greke në prag të amnistisë së shtetit Grek, ku do të faleshin të gjithë ish shtetasit grekë të dëbuar. Shteti Grek nuk donte që çamët e dëbuar të riktheheshin dhe për të mos përfituar nga amnistia greke, kërkuan nga qeveria shqiptare e kohës, që t’u jepej shtetësia shqiptare. Ashtu u veprua. Me atë akt, çamët u përjashtuan nga amnistia dhe nuk u kthyen në vatrat e tyre amëtare.
Vijon
Shënim:(²). Marko Vafiadhis, ishte një politikan me emër i cili pasi jetoj rreth 23 vite në Bashkimin Sovjetik, u kthye në Greqi në vitin 1983. Më 1989-1990 ishte deputet i partisë PASOK-ut në Kuvendin e Greqisë.
Itali, më 09/prill/ 2019.- Fahri Dahri
_____


Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...