2011-01-12

Arkitektura artistike e një romani me frymëzim atdhetar

*Rifat Kukaj (25 tetor 1939 - 11 shtator 2005) lindi në Tërstenik të Drenicës, studioi në Normalen e Prishtinës.

Rifat Kukaj është prozator, poet, dramaturg, përkthyes dhe skenarist i letërsisë për fëmijë dhe të rritur. Shkrimtari Kukaj po ashtu ka udhëhequr programet për fëmijë të Radio Prishtinës dhe ka redaktuar librat për fëmijë të Shtëpisë Botuese "Rilindja". Përktheu letërsi për fëmijë nga autor slloven, kroat, serb, e hungarez por edhe botoi shkrime vetanake në shumë nga këto gjuhë. Emrin e tij e mbajnë rreth 100 vëllime librash dhe 30 radio-drama. Kontribuoi në afirmimin e krijimtarisë letrare sidomos asaj për fëmijë në rrjedhat ndërkombëtare dhe se ndihmoi autorë të shumtë të rinj.
Vdiq në Ulqin, u varros në vendlindje.

Tituj të veprave

Xhuxhi nga Taxhuxhi - dramë humorisitike
Lepuri me pesë këmbë - skenarë filmi artistik
Bardhi e Mirushja (1986)- roman
Kokërmeli e Pilivesa (1971) - roman
Dita e xhufkave (1972)- roman
Shkrepi i Diellit (1972)- roman
Minaku i përhimtë (1973)- roman
Vjollca magjike (1974)- roman
Rrasa e Zogut (1975)- roman
Droja (1978)- roman
Dreri me një bri (1986)- roman
Xhuxhi nga Xhuxhishta (1998)- roman
Gogozheli i Gogozhinës (1999)- roman
Shkurtabiqi më i madh në botë {2000} - roman (botoi: URA)
Fshehtësia e breshkës (2002)- roman
Majmuni me kurorë mbretërore (2003)- roman


Vështrim letrar për krijimtarinë artistike 


dhe romanin për fëmijë “Gogozheli i 


Gogozhinës” të shkrimtarit Rifat Kukaj

Milaim NELAJ

        TIRANË


Kur marr të shkruaj për jetën dhe veprimtarinë letrare të Rifat Kukajt, natyrshëm më kaplon një ndjenjë trishtimi e dhimbjeje, që buron nga njohja dhe respekti i thellë që kisha krijuar për atë burrë të mençur e fisnik. E pata takuar për herë të parë në Prishtinë, pikërisht në hotel “Iliria”, aty ku mblidhen shpesh e debatojnë shkrimtarët kosovarë, jo shumë kohë para se të ndahej nga jeta, dhe më pati lënë mbresa e përshtypjet më të mira që mund të krijojë një njeri. Në takimin me të, në një rreth shokësh e miqsh të tij, menjëherë pata pikasur tek ai disa cilësi të veçanta. Së pari, kisha vënë re që e njihte aq mirë shtetin amë, saqë mund të mendoje se kishte jetuar për një kohë të gjatë në Shqipëri; së dyti, zotëronte një njohje të shkëlqyer për letërsinë tonë e veçanërisht atë për fëmijë, saqë të fliste me kompetencë e në detaje dhe kishte bërë miq apo, siç i quante, “vllazën”, një pjesë të madhe të lëvruesve të saj; së treti, kishte një humor të këndshëm e nuk mungonte të të fliste buzagaz edhe për një “çiflig” të tij dhe të të ftonte me gjithë zemër për një vizitë aty, çka dëshmonte bujarinë e tij të sinqertë; së katërti, të befasonte me atë pirje të veçantë të rakisë, që ia mbante gjithnjë esëll mendjen e ndritur, e cila dinte të prodhonte vetëm urtësi, dituri, dashuri njerëzore dhe thjeshtësi në komunikimin me të.
    Rifat Kukaj, me krijimtarinë e hershme dhe të pasur artistike, në poezi e në prozë, që mishëron më së miri talentin e tij të spikatur, mund të themi se është një nga simbolet e letërsisë për fëmijë në Kosovë, një nga autorët më në zë e më të dashur për fëmijët. Ai, siç shprehet edhe poeti Agim Deva në një poezi-homazh kushtuar atij, me veprat e pavdekshme që shkroi e që do të mbeten një thesar i çmuar në panteonin e letërsisë për fëmijë, “ua mbushte zemrat plot me cicërima, buzët me buzëqeshje, sytë me poezi”. Ai ishte dhe mbeti në ndërgjegjen e popullit një poet e prozator brilant, një edukator i madh i fëmijëve, një predikues i lirisë dhe paqes njerëzore, një mjeshtër i përkryer i fjalës artistike, një ligjërues dhe shkrues i lavdërueshëm i gjuhës letrare shqipe. 
    Janë të shumta e të larmishme përmbledhjet letrare të shkrimtarit Rifat Kukaj, duke filluar nga viti 1965, kur boton librin e parë me tregime “Rrëfejza”, e në vazhdim, të cilat së bashku përbëjnë “ngrehinën” e rreth 50 titujve me vjersha, tregime e romane, shumica për fëmijë, që lexuesi shqiptar, i madh e i vogël, tashmë i ka bërë pjesë të kujtesës së tij.. Në to gjallojnë e ndërthuren bukur artistikisht një mori idesh, motivesh, subjektesh, episodesh, ngjarjesh, personazhesh, përshkrimesh, të veshura nga një “mantel” i pasur figurativ, nëpërmjet të cilave përcillen mesazhe të shumta, që lartësojnë traditat e virtytet më të mira të popullit tonë dhe njëherazi edukojnë lexuesin me ndjenjat atdhetare e liridashëse.                   
Rifat Kukaj ishte ndër krijuesit e mirënjohur e më popullorë në Kosovë. Kjo, falë jo vetëm talentit e përkushtimit tërë jetën ndaj letërsisë, por edhe natyrës së tij babaxhane, mënyrës së sjelljes dhe shpirtit poetik e bujar. E veçanta e krijimtarisë së tij qëndron në faktin se ajo ka qenë e suksesshme, qoftë në poezi, ashtu edhe në prozë. Kësisoj, poezia me titull “Kosova”, e përzgjedhur si nga më të mirat e letërsisë për fëmijë dhe e përfshirë edhe në tekstin mësimor të klasës IV, për nga performanca artistike dhe mesazhi që përçon te fëmijët, është një perlë e vërtetë, një himn i gjallë për Kosovën. Ajo mbyllet me vargjet e ndjeshme: “Asgjë nën këtë diell/ i dashur fëmijë/ pa emrin Kosovë/ s’do të kish bukuri!” Po ashtu, romani “Droja”, botuar më 1978, për subjektin mjaft prekës e të zhdërvjellët që shtjellon dhe për nivelin artistik që bart, është nga më të spikaturit e më të lexuarit në prozën e tij. Për këtë arsye, ai është dramatizuar e transmetuar për fëmijët nga Radio-Tirana vite më parë, duke u bërë kësisoj një nga veprat më të njohura e të dashura për lexuesin.
Por, në vështrimin tonë letrar kushtuar këtij autori, do të ndalemi kryesisht te njëra nga këto vepra, për të cilën mendojmë se meriton të shkruhet diçka, nisur dhe nga fakti që është vlerësuar edhe me çmim në një nga konkurset letrare në Kosovë. Është fjala pikërisht për romanin “Gogozheli i Gogozhinës”, një titull paksa kakofonik e jo shumë poetik, por, gjithsesi, figurativ e simbolik, i gjetur nga autori për ta vendosur në funksion të temës dhe mesazhit që përçon vepra: ndihmesa e fëmijëve në luftën për liri e pavarësi, e të ideve që dëshiron të zbulojë nëpërmjet tij, ide të cilat mishërojnë zgjimin e ndjenjave atdhetare e liridashëse te fëmijët. Por, ndryshe nga ndonjë vepër tjetër letrare që përçon temën historike, risia në këtë roman është se subjekti paraqitet në një dritë dhe performancë të re, përmes ndërthurjes së elementeve reale me ato fantastike dhe të përrallës, siç është, për shembull, fluturimi i personazhit kryesor, Mirashit, mbi shqiponjën me dy krerë, duke kapërcyer shtatë male të larta, për të shkuar te vendi ku ndodhet kampi turk e ku jeton dhe vepron një nga trimat e Skënderbeut, Pal Palushi, duke e bërë në këtë mënyrë veprën mjaft interesante e tërheqëse për fëmijët.         
Ngjarjet e romanit vendosen në një nga kohët më të lavdishme të historisë së popullit tonë, siç është ajo e Skënderbeut, duke evokuar në këtë mënyrë luftën heroike të kryengritësve shqiptarë, nën udhëheqjen e Kryetrimit, për lirinë dhe pavarësinë e atdheut. Subjekti është i thjeshtë, zhvillohet në një mjedis të caktuar malor, pothuajse në një plan, me episode, skena e personazhe interesante. Duke u gërshetuar me përshkrime të natyrës, me tablo plot ngjyra e peizazhe të shumta, të realizuara me mjeshtri nga autori, me “penelin” e një piktori të vërtetë, veshur me një figuracion të thjeshtë e të larmishëm artistik, si dhe shprehur me një gjuhë letrare të pasur, vepra shpaloset brilante dhe tërheqëse për fëmijët. Nuk është e rastit që lexuesi ndeshet që në rreshtat e parë me një peizazh të tillë: “Drita e bardhë e agut po ledhatonte lehtë, si në ëndërr, majat e pishave. Qielli nisi të bëhej më i qeshur, më i bukur, si i derdhur në argjend. Zogjtë, me cicërimat e tyre të ëmbla e joshëse, gudulisnin në pyll ajrin e pastër e të tejdukshëm.” Tablo, përshkrime e peizazhe të tilla frymëzuese, fëmijët i ndeshin gjatë gjithë leximit të romanit, nga hyrja deri në aktin final të tij.                                              
Personazhi kryesor i romanit, Mirashi, është portretizuar me ngrohtësi  e dashuri nga autori. Bir i një luftëtari të rënë në betejën e Fushës së Domosdovës, dëshiron të ndjekë rrugën e të atit dhe të bashkohet me kryengritësit. Ky është dhe lajtmotivi kryesor i veprës letrare. Në faqet e librit ndeshim një djalosh të guximshëm, trim e të vendosur, për ta çuar deri në fund porosinë e Skënderbeut. I armatosur me shpatë në brez, me mburojë e harkun plot me shigjeta mbi supe, me një fizik të hijshëm e të fortë, “me sy të çiltër e të mençur, me shkëlqim të butë e melankolik, që shkëndijonin veç sinqeritet”, duke bërë për vete, me guximin dhe trimërinë e tij edhe shumë fëmijë të tjerë, ai rritet e kalitet mes luftëtarëve të lirisë, duke u bërë një kalorës i vërtetë i Kryetrimit. Skena e maskimit të Mirashit me gogozhelin, e ndërtuar me aq fantazi e imagjinatë nga autori,  për të vepruar gjatë netëve pa hënë, pa u diktuar nga askush, kundër njerëzve të këqij, spiunëve, tradhtarëve dhe shërbëtorëve të armikut, është nga më të bukurat në roman.         
Me mjeshtri janë skalitur nga autori edhe personazhet e tjerë që depërtojnë, me intuitën e një psikologu, në psikikën, temperamentin dhe botën e tyre, si: Mrika, vajza e ndrojtur dhe e mençur, që me duart e saj të shkathëta bën gogozhelë (dordolecë) të shëmtuar prej druri, veshur me lecka, për të trembur zogjtë nga arat e mbjella, në kokat e të cilëve vë çallmën si të Sulltanit, “me mjekër si një kaçube e nxirë në muzg”, një veprim ky tepër i guximshëm, që për pak sa i kushton edhe jetën nga irritimi i ushtarëve turq, që nuk mungojnë edhe ta ndëshkojnë fizikisht. Po kështu, Sokol Dedushi, i ati i Mrikës, është një tjetër personazh simpatik, i realizuar me mjeshtri nga autori, i shquar për ndjenjat e atdhedashurisë dhe urrejtjen ndaj pushtuesve, një nga përkrahësit më të flaktë të kryengritësve dhe një shembull frymëzimi e kushtrimi për tërë banorët e Gogozhinës, duke përfshirë edhe gratë, të cilët armatosen dhe bashkohen me luftëtarët e lirisë, për të goditur rrufeshëm dhe shporrur një herë e përgjithmonë armiqtë nga fshati. 
Po aq bukur e me vërtetësi na është dhënë figura e Pal Palushit: trim mbi trimat, “i rrahur në vaj e në uthull”, një ushtar veteran dhe besnik i Skënderbeut. Me një trup të gjatë e të lidhur, veshur me parzmore e tirq të bardhë, me shpatë të madhe ngjeshur pas brezit, ai na paraqitet jo si një 60-vjeçar, por si një djalë i ri, plot forcë e energji. “Në sytë e tij, shkruan autori, sikur ndriste një lumë i kthjellët dhe përkëdhelës.” Lexuesi, gjatë tërë rrjedhës së ngjarjeve, është kureshtar e në ankth të mësojë të vërtetën e misionit të tij, të ngarkuar prej Skënderbeut, siç është përgatitja moralisht e materialisht e kryengritjes e më pas e komandimit të saj, për të sulmuar e shkatërruar përfundimisht kampin turk në Gogozhinë. Gjithashtu, në roman ndeshim edhe personazhe të tjera, që mund t’i quajmë “dytësorë”, siç janë: Luzi ose mbreti i lumit, “një djalë i zeshkët, me trup të fuqishëm, me sy të zinj e kërcënues”, pa lejen e të cilit asnjë fëmijë nuk guxon të lahet në lumë; Ndoci i vogël, që dalngadalë, mes shokësh, kalitet e bëhet një djalë i guximshëm e trim; bariu plak, që, me urtësinë dhe bujarinë e tij, ndihmon pa u kursyer kryengritësit; fallxhorja e zgjuar Nazë, Hundëçari, komandanti i kampit turk, spiuni Ndrekë Ndrekuci e të tjerë.                   
Vend të veçantë në roman zënë edhe kafshët apo shpendët, aq të dashur për fëmijët, me të cilët autori pasuron galerinë e personazheve. Të tllë janë: shqiponja me dy krerë, me krahët e saj të fuqishëm dhe sytë pishë; Vraçi (kali), me krifën e tij të bukur, qimja e pastër e të cilit “shkëlqente tërë shëndet dhe sytë i shkëndijonin gjallëri”; Baloshi, qeni i madh sa një arushë, si një babaxhan. Këto e shoqërojnë Mirashin gjatë tërë rrugës së vështirë për kryerjen e misionit të ngarkuar, duke u bërë në disa raste edhe mbrojtësit dhe shpëtimtarët e tij. Kemi mendimin se ndërthurja e personazheve njerëzorë me kafshët e shpendët, sikundër edhe me elementet e natyrës, ia rritin mjaft librit vlerat njohëse, edukuese dhe artistike. Autori ka aftësinë që çdo situatë, aksion, lëvizje a veprim të personazhit ta shoqërojë me një përshkrim ose peizazh. Duke u shprehur në mënyrë figurative, do të thoshim që romani i ngjasan një ngrehine të bukur, me një arkitekturë artistike, ku çdo gjë është vënë, në mënyrë të përsosur, në vendin e duhur. Kjo, sigurisht, falë talentit, përvojës, fantazisë dhe imagjinatës krijuese të tij dhe, siç e pohon edhe studiuesi Xhevat Syla, aftësisë për të vrojtuar e depërtuar në botën e florës e të faunës, si dhe në njohjen e jetës në thellësinë më të madhe të saj. Kështu romani bëhet edhe piktoresk, shëmbëllen me një tablo të bukur, me plot kolorit, dhe dëshmon se autori është sa epik e realist, aq dhe romantik. E tillë është, për shembull, tabloja që rrezaton çastin e takimit të Mirashit me Skënderbeun: “Tani qielli dukej si i derdhur në flori. Kënga e zogjve bënte që degët e pishave të buzëqeshnin blertë. Puhia e mëngjesit ua dridhte buzët e freskëta. Sipër Shkëmbit të Magjive, luleshqiponjat sikur po hiqnin një valle magjepëse. Lëvizja e tyre shëmbëllente në derdhjen e prajshme të lifqerëve, që me muzikën e tyre të dehnin. Po kështu, është dhënë, me mjete të goditura artistike, edhe peizazhi tjetër: “Pasdreke Mirashi vajti te lumi. Uji rridhte i qetë, i vaktë, me atë shushurimën ëndërruese. Drita lozte me hijet e buta skaleve të shavarëve. Stërkalat e imëta, që thërrmoheshin në ajrin e vaktë, shkëlqenin dhe para rrezeve të diellit, orë e çast, formomin një buqetë lulesh, që herë mblidhej, herë derdhej para syve të tij.”
Rifat Kukaj posedon një fjalor të pasur: së pari, të trevës ku jeton, por edhe më gjerë, duke na u shfaqur një njohës i përkryer i saj dhe i toponimisë së mjediseve ku zhvillohen ngjarjet, i fjalorit sinonomik e frazeologjik të gjuhës shqipe. Vërejmë me kënaqësi që ai operon lavdërueshëm me gjuhën letrare shqipe, me standardet e saj. Gjithsesi, nga pikëpamja e formës, nëse dialogjet, aq të shumta e të ndërtuara bukur artistikisht nga autori, do të ishin jo në thonjëza, por me vizë përpara dhe të futura paksa brenda tekstit, si çdo kryeradhë tjetër, siç e kërkon dhe norma letrare, do të krijonin një hapësirë e frymëmarrje më të madhe për lexuesin dhe njëherësh do ta bënin veprën më fine nga ana estetike.
 Është pozitiv fakti që në strukturat gramatikore e sintaksore të romanit, të thurura bukur, me zhdërvjelltësi e rrjedhshmëri, autori na shfaqet edhe si një fjalëformues i zellshëm. Me idenë për ta pasuruar fjalorin e veprës e për ta bërë sa më të larmishëm, nuk ka munguar të përfshijë në të edhe fjalë të krijuara vetë, siç janë fjalët me ngarkesë emocionale: hapëroi, zëzëllima, leshatuk, ngucakeq, ardhacukë, kreshpërim, katrrithet, lëvarur, i pensionuar, lodronte, kruspulloset, shpatimi, kalurimi, rreziteshin, hoveshin, purtekeshin e të tjera. Njëkohësisht, ai ka meritën që gjuhën e personazheve e individualizon nga gjuha e autorit dhe secili na paraqitet me të folurën e tij karakteristike, me ngjyrimet përkatëse. Shembull tipik për këtë është e folura e fallxhores Nazë në fallin që i servir komandantit turk, me të cilin e lemerit, i fut frikën deri në palcë. Kjo skenë dhe ndërtimi i figurës së saj, për ta tipizuar atë, është bërë me aq vërtetësi e realizëm nga autori, saqë të krijohet ideja se ai ka jetuar mes romëve për një kohë të gjatë..                                                     
            Në përfundim, do të pohonim se romani është në vazhdën e krijimeve më të mira të autorit dhe një sukses tjetër i tij në gjininë e prozës për fëmijë; është një vepër me vlera të spikatura artistike dhe njëherësh edhe kombëtare, për tematikën dhe mesazhet që përcjell te brezi i ri, i cili gjithmonë ka e do të ketë nevojë të ushqehet e të frymëzohet nga vepra të tilla. Sikundër disa nga romanet e letërsisë shqiptare për fëmijë, shkruar nga dora e këtij mjeshtri të prozës, edhe “Gogozheli i Gogozhinës” do të mbetet në fondin e artë të krijimtarisë së kësaj letërsie, e cila, siç dihet, është mjaft e pëlqyer edhe në Kosovë.     

      *TEKSTI BIOGRAFIK PËR Z.RIFAT KUKAJ:FLORI BRUQI

I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...