2011-02-21

Dritëro Agolli – personalitet i kulturës kombëtare




Nga  Mihal Gjergji 





Dritëro Agolli është nga krijuesit më të njohur dhe më të lexuar, është ndër figurat më të spikatura të letërsisë shqiptare, një nga korifenjtë e saj. Nuk është e lehtë të shkruash për këtë autor me një prodhimtari të begatë e të shumllojshme, aq sa poet i shquar edhe prozator i një niveli të lartë, edhe përkthyes gjithashtu. Në personalitetin e Agollit gërshetohen; lirizmi i poetit, mendimi i thellë e plotë jetë i tregimtarit dhe ndjenja kombëtare që e shoqëron pandërprerë në rrugën e tij krijuese. Ai është mishërim i butësisë dhe mënçurisë popullore si njeri, i gjerë si deti nga përkushtimi shpirtëror, plot parime dhe idealizma në betejën e përparimit, vizionar në aksionin politik, me një shqiptarizëm të spikatur, që ja lartëson fisnikërinë këtij burri të bardhë. Brenda Agollit, shqiptari dhe poeti janë të pandarë, i pari i jep modelet të dytit, ndërsa ky i fundit u jep jetë shtatoreve që ngre kohë pas kohe, dhe kështu ushqejnë njeri-tjetrin. Po ku qëndron madhështia e Dritëro Agollit do pyes lexuesi, ndoshta edhe ndonjë kritik apo studiues? Shikoni me kujdes tematikën që ka trajtuar në poezinë e tij, nga fillimet e deri në rreshtat e fundit që ka shkruar, kush janë dhe nga vijnë personazhet e prozës së publikuar, shfletoni poezinë franceze, angleze dhe ruse që ka përkthyer. Lexoni poemën e mrekullueshme “Devoll-Devoll” dhe do të zbuloni përmasat e krijuesit. Ai është njeri tokësor, plotë vlagë si ajo, i vrullshëm si lumi i vendlindjes që vishet nga lajthitë, plotë halle si bashkëkohësit e tij, por edhe plotë shpresa. Mbasi e ke lexuar këtë poemë të realizuar me shumë ndjenjë nga autori, pyet veten se përse ka reaguar gati me një frymë poeti, sikur ta ketë shkruar brenda natës, apo t’i përgjigjej flakë për flakë ndonjë zyrtari të lartë a burokrati për ndonjë akuzë që mund t’i ketë bërë se qënka shkëputur nga vendlindja, nga djepi që e ka përkundur dhe njerzit që e kanë burrëruar…”Po Devoll, i tillë qënkam unë/ paskam marrë baltën tënde arave/ në një trastë leshi ndënë gunë/ për t’ia sjellë lidhjes së shkrimtarve”. Kjo poemë mjaftë intensive, s’është vetëm përgjigje rrebelimi, është edhe mesazh për krijuesit e tjerë, edhe model vjershërimi, edhe sfidë për pseudokritikët e kohës.


Poeti ynë ka ardhur nga rreshtat partizane dhe mbasi ka dorëzuar pushkën, në këmbim të saj mori penën, por vazhdon të jetë ende në betejë. Pena e tij ka qëndisur qilimë të bukur për të mbuluar plagët e Atdheut, ka shëruar shpirtrat e plagosur. Agolli është komunist, por një komunist idealist. Lexoni poemën “Komunistët” për të kuptuar botën shpirtërore të autorit dhe përmasat e saj. Me këtë idealizëm vazhdon të luftojë ende, për fjalën e lirë, për barazinë mes njerëzve, për dashurinë që sikur është venitur mes bashkëvuajtësve e bashkëkombasve. Ato për të cilat shkruan ai s’i ka iluzione. Shikoni sa shumë i referohet Naimit të madh, këtij rilindasi të shquar. Kjo është mjaft domethënëse për studiuesit. Pra, Agolli kërkon me çdo kusht të zgjojë ndjenjën e rilindjes, sepse gjithmonë gjëndet një kohë për rilindje, sigurisht jo duke pritur, por duke e sjellë atë nëpërmjet përpjekjeve të përbashkëta. Ai s’turpërohet nga e kaluara e tij, nga vetvetja. Te ky idealizëm e ka burimin poezia e tij, edhe zemërgjerësia e pakrahasueshme.

Studiuesi i mirënjohur i letërsisë, akademiku i shquar Rexhep Qose, e çmon Dritëro Agollin si lirikun më të madh, të gjallë, të letërsisë shqipe…Sterjo Spase, në ditarin e tij të muajit korrik 1988 shkruan: “ me interesimin e madh të …Fatmir Gjatës, Llazar Siliqit, Luan Qafzezit etj, dhe me ndërhyrjen e Dritëro Agollit, Ministria e Shëndetësisë më dërgoi për t’u operuar në Budapest…” Koçi Petriti në intervistën e tij të botuar në librin “Poezi të zgjedhura” shkruan se kryeredaktori i gazetës “Drita” ishte thirrur në Komitetin e Partisë së Librazhdit “për arsye se botonte poemën time, ndërsa Dritero Agolli i pat thënë të mos ua vinte aq veshin (atyre që e kritikonin për zbutje të luftës së klasave-M.Gj)…”. Në biseda me Xhevahir Spahiun, disa herë kam dëgjuar vlerësimet e këtij të fundit për ndihmën konkrete të Dritëroit në momente të vështira kur mund ta kryqëzonin si krijues rrebel, poetin nga Skrapari. Poeti Ilir Cenollari e vlerëson Dritëroin si njërin nga poetët tanë më të mëdhënj, një kulm në qiellin e poezisë shqipe, duke patur në krahë Fatos Arapin, Xhevahir Spahiun, Agim Shehun etj, (të cilët janë po aq idealistë sa Agolli). Ai s’ka vuajtur aspak nga deliri i madhështisë, edhe pse vazhdon të jetë një nga majat e letërsisë shqipe…

Janë të shumtë krijuesit (nga rrethe të ndryeshme të vendit) që me ndihmën e Dritëroit vazhduan studimet në degën e letërsisë dhe më vonë u bënë të njohur për lexuesin. Luljeta Leshanaku s’mund të vazhdonte studimet e larta pa ndihmën e Agollit, etj. Raste të tilla mund të sjellim pa fund, por këto mjaftojnë për të kuptuar shpirtin e madh të devolliut fisnik, ndërkohë që qëndrime të tilla mes kolegëve të tij ishin të rralla. Agolli s’ka kërkuar asnjëherë shpërblim për kontributet e tij, megjithëse krijuesi, falë ndjeshmërisë së lartë, ka nevojë edhe për një fjalë të mirë. Edhe në raste mosmirnjohjeje, ndoshta i detyruar, poeti ka reaguar me finesë: “Djaloshit ia mësova fshehtësitë/ të shtinte me shigjetë si fajkua/ ai mësoi aq bukur, sa një ditë/ e ngriti harkun dhe qëlloi mbi mua”. Poezia e Agollit është meditative, imponuese, ka filozofinë e jetës që flet brenda vargjeve. Ka një zgjedhje të kujdesshme të metaforave, epiteteve dhe krahasimeve në poezitë dhe kryesisht poemat e tij.

Le të bëjmë një krahasim mes poetëve tanë lirikë, bashkëkohës të poetit që po analizojmë, për krijime me të njëjtin motiv. Shikoni me kujdes lëndën gjuhësore me të cilën janë ndërtuar poezitë dhe mandej mjeshtërinë artistike të realizuar nga autorët e mëposhtëm.

Jorgo Bllaci, në një nga poezitë e tij pasqyron dhimbjen njerëzore: “Duro e tkurru e shkreta zemër/ thash’ se do më ngurosej krejt/ Po befas ti më thirre n’ emër/ dhe brofa i shastisur krejt”. Trishtuese janë fjalët e Bllacit, mes ëndrrës dhe realitetit që vret.

Koçi Petriti në poezinë “Çast”, kumton: “Dhe kështu i thamë gjithë fjalët/ heshtim me një heshtje që s’na shkon/ po dhe deti i madh , që varros valët/ nganjëherë u bëka monoton”. Si gjithmonë, të peshuara mirë fjalët e Koçit, me ngarkesë emocionale!.

Agim Shehu, në poezinë “Trishtim hënor” shkruan: -“Sikur një udhë tok të zëmë/ në një lëndinë a në një pyll!/ në s’daltë hëna – bëhu hënë/ në s’daltë ylli- bëhem yll!”. Bukur, shumë bukur!.

Le të shikojmë tani vargjet e Agollit nga poezia “Mollët”: “Ajo doli nga kopshti me mollë/ mbi supe kish hënën dhe degët me kokrra/ në këmbë kish barin e hollë/ Unë rrija te porta”. Çfarë muzike! Me fjalë kaq të thjeshta ka ndërtuar këtë pikturë si te Rembrandi. Një monument për dashurinë e shpirtit që trazohet nga pritja. Është e çuditshme, por e vërtetë, gjërat madhështore rrezatojnë thjeshtësi.

Poeti për të cilin flasim, edhe gjërat e zakonshme që na kalojnë gati pa i vënë re, apo që na vjen turp të merremi me to, i trajton mjeshtërisht. Kur i lexon thua: me këtë material fare të thjeshtë ka krijuar këtë mozaik të bukur?! Është interesant fakti që, prurjet e reja të Agollit të pas viteve 92, janë po aq të freskëta dhe me mendim të fuqishëm, motive krejtësisht të reja. Poeti ynë është fatlum, poezia jo vetëm s’e ka lënë, por do ta shoqërojë deri në ditët e fundit të jetës. Sigurisht që ndryshimet ekonomike dhe kryesisht ato politiko-shoqërore, e kanë shtuar zhgënjimin e krijuesit më shumë se gjysëm shekullor: “Po ku ta gjesh një shteg për dalje/ dhe si t’i lutesh Jezu Krishtit/ ky inflacion s’ka kryq për falje/ është inflacion i madh i shpirtit”. Koha i trazoi keq kujtimet, i përbalti disa emra të nderuar luftëtarësh të vrarë. Tradhëtarë të djeshëm dekorohen si heronj, ndërsa shëmbet edhe ndonjë lapidar dëshmori i luftës nacional-çlirimtare. E poeti s’mund të heshtë për ata me të cilët ecte pritave nën dritën e hënës a terrin e natës, për ata tek të cilët mbështeste supet e tij të njomë në vitet e rënda të luftës, s’mund të harrojë plagët e shokëve që kullonin gjak nga plumbat e armikut:

“ Vëllezër, lapidarët tuaj

tani nuk janë atje ku ratë

njeriu i zi me gjak të huaj

u vuri kazmën për një natë

i shembi lapidarët tuaj

një shpirt i vockël dhe i ngratë”.

Agolli gjen shumë mënyra për ta thënë të vërtetën, njërën më interesante se tjetra, dhe asnjëherë s’përpiqet për ta fshehur atë. Si poet dhe si romancier i nivelit të lartë, ai s’ka rreshtur së zbuluari këtë të vërtetë politike dhe sociale, më mirë se publicistët e shumtë që mbushin faqet e gazetave dhe moralistët e dështuar të politikës, të cilët i ka patur në krahë edhe në tribunat e larta të institucionit ligjvënës shqiptar.

S’besoj se guxoj më shumë nga ç’duhet të bëj një paralelizëm: Viktor Hygoi në poemën e tij “Ultima Verba”, midis të tjerash shkruan:” Një mijë në qëndrofshin, do të qëndroj dhe vetë/ Po dhe njëqind në mbetshin, nuk tundem kurrsesi/ I dhjeti do të jem po qe se mbeten dhjetë/ E në mbetë veç një-unë do të jem Ai”. Ndërsa Dritëro Agolli, në poezinë e titulluat “Në luftë”( në vëllimin poetik”Lypësi i kohës”) shkruan: “Unë jam gjithmonë mes luftës mizore/ Dhe them: sikur dhe luftë mos ketë/ Për dhimbjen e madhe njerëzore/ Do ndizja luftën me retë”. Sigurisht që kohët janë të ndryeshme, edhe vendet, por thelbi është i njëjtë, edhe qëndrimi idealist i poetëve që ushqehet nga atdhetaria. Hygoi e ka shkruar poezinë e mësipërme në vitin 1852, në ishullin Xhersi, në arkipelagun e Manshit ku bënte jetën e mërgimtarit, ndërkohë që Lui Bonoparti kishte realizuar me sukses grushtin e shtetit dhe vendosi diktaturën në Francë, ndërsa Agolli e shkruan poezinë në kohën që në Shqipëri luftohet për të vendosur demokracinë, mirëpo në çdo hap ajo merr një pamje që i ngjan diktaturës, e cila është rrënjosur thellë në këtë vend dhe vazhdon ta mbajë kokën mbrapa. Ja që shtypësit nuk mbajnë të njëjtën maskë…

Profili i Agollit qëndron mes Nolit dhe Poradecit, statura e tij është formësuar mes realitetit dhe larg aventurave. Baladat e tij të fundit, sidomos ato të botuara te “Fletorka e mesnatës” të kujtojnë vargjet e Fan Nolit në të cilat përshkruan situatën politike të vitit 1924. Herë tërthorazi e hërë drejpërdrejtë, Agolli mbështetet fort pas flamurit të Ismail Qemalit dhe godet atje ku duhet, me tërsëllimë, pa mëdyshje e pendesë për të nesërmen:

“Ismail Qemalin, vetmitarin

s’e zë gjumi, zgjuar pret nën Vlorë

se dëgjon nga lart si hedhin hapin

veshur me skafandra tre taborrë”

Bëhet fjalë për vitin 1997, kur shumë qytete, por veçanrisht Vlora, u gjakosën dhe u veshën me të zeza. U rrënua shteti, u provokua gjakderdhja dhe arriti pragu i luftës civile të cilën, e shmangu vetëm mënçuria dhe tradita shqiptare. Kundërshtarë të drejtueve të shtetit të asaj kohe, u rrahën barbarisht, u dhunua inteligjenca, u përbuzën krijuesit, u tallën poetët, siç ishte rasti i shqiptarit dhe poetit të shquar Xhevahir Spahiu, për të cilin Agolli reagoi menjëherë:

“Ah, s’mbetet bota krejt pa shik-as

e ndrydhin botën me pahir

dhe vrasin bardët dhe poetët

vëlla i dashur Xhevahir”

Me zërin e tij të fuqishëm Agolli deklaron se letërsia s’mund të vritet nga diktaturat. E përsëri vazhdon të shkruaj. Ai është vazhdimisht në lëvizje, si një pelegrin. Pas çdo kthimi përgatit një nisje të re: “Kur nisem për udhë/ më ndrit çdo gjë e kam shpresë/ kur kthehem, kam gjumë/ diçka fillon nga vetja ime të vdesë…”. Ai është i lidhur me fije të padukshme me jetën dhe njerëzit, është gjithmonë mes tyre, ekziston një bashkëbisedim i pandërprerë mes poetit dhe njeriut, shpirti që drithërohet është gati të flasë me trishtimin që ua lexon atyre në rrudhat e ballit, me shamizezat që thonë aq shumë me lotët e dhimbjes, me qeshjen e ngirë në buzë të vogëlushëve, me kujtimin e të rënëve, me mallin… që poetët i mundon aq shumë. -Krijuesi është në dialog edhe me lulet, edhe me drurët, edhe me zogjtë – më tha në një bisedë Dritëroi –ndërsa flisnim për poezinë, prandaj poezia duhet të dalë nga shpirti, pastaj të kalojë në filtrin e llogjikës…

Mirëpo Dritëro Agolli s’është vetëm poet i shquar, ai është edhe një prozator shumë i sukseshëm. Duke ngjallur martirët, autori përjetëson lavdinë e trimave që atdheu i mban në altarin e vet. E cili krijues s’do ta bënte një gjë të tillë ? Në vlerësimin e shumë kritikëve; “Arka e djallit” dhe kryesisht “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, janë bashkëkohore dhe të denja për t’u përballur në konkurimin për çmimin “Nobel”. Mirëpo shpresat e Agollit s’janë përkëdhelur asnjëherë nga pritshmëria prej tribunave të padukshme. Veprat e tij, gjersa jetojnë në kujtesën e lexuesit, e kanë fituar edhe vlerësimin maksimal, përjetësinë.

Autori s’merret me trillogji, s’krijon ferrin dhe parajsën imagjinare, ai qëmton me durim çdo gjurmë njerëzore, është një vëzhgues tepër i kujdesshëm, ndrydhet nga dhimbja dhe dëshpërohet bashkë me të tjerët, ndaj vlerësohet aq shumë. Unë i shikoj “Zylot” e djeshëm të Dritëroit, tek mbushin zyrat e shtetit, janë të gjallë, mirëpo janë më të shumëfishuar, më të përbindshëm e të pashpirt, edhe pse të dukshëm, të mbrojtur nga çdo e keqe. Shokët e Demkës janë zvëndësuar nga sekretaret bukuroshe, injoranca është po ajo, por me një pamje të re, “bashkëkohore”.

Ka edhe ndonjë pseudokritik apo krijues që, te kjo vepër e Agollit çmojnë si mangësi atë që, autori e zhvillon luftën brenda parimeve të asaj kohe, ecën në shinat e realizmit. Sa dritëshkurtër që janë! Si mund të qëndrojë krijuesi jashtë kohës !? I dëgjoj shpesh në tavolinat ku mblidhen krijuesit, te kafe “Europa” apo rreth Pallatit të Kulturës. Janë ata që s’lexojnë asnjë libër, veçse nën avujt e alkolit mendojnë se si mund të ndryshohet kjo botë. Më nxjerrin mallin e personazheve të Agollit: ”…të mos harrojmë se Zaim Avazi dhe Mitro Karapataqi ishin edhe polemistë të shkathët. Asnjeri nuk do të dëshironte të ndodhej në zjarrin e përqindruar të penave të mprehta të tyre”.

Në qoftë se shkrimtari për të cilin flasim do ishte pajtuar me realitetin e kohës, athere përse do stigmatizonte “Zylon”, tipikun e zyrtarit të asaj kohe, dhe mandej përse do ti shpallte luftë të hapur, me shpotitë dhe humorin e tij të hollë e të papërsëritshëm?. Ndiqni me kujdes polemikën mes Zylos dhe ndihmësit të tij, Demkës: “…Çështjen e tragjikes studioje thellësisht. Koncepti i tragjikes në jetën e sotme nën prizmin e filozofisë socialiste aktuale nuk duhet të ekzistojë në ndërgjegjien e inteligjencës së fshatit. Tragjikja mbetet vetëm si kategori. Gëzimi i jetës-ky të jetë koncepti bazë –tha ai (Zylua-M.Gj)”. Si thoni, s’e njihte Dritëroi kulturën fashatare, për ç’inteligjencë bën fjalë ai, kur e dinte shumë mirë se fshatit i mungonte inteligjenca, nëmos i mungon edhe sotë, dhe për ç’gëzim, kur poezitë e tij janë të mbushura edhe me dhimbjen njerëzore, për luftëtarët, për njerzit e punës, për kolegët krijues etj. Ai kërkonte vazhdimisht një realitet ndryshe.

Agolli po të mos besonte te doktrina për të cilën kishte luftuar, s’mund të shkruante dot asnjë rresht, e për rrjedhojë, lufta pa principe është si e Don Kishotit me mullinjtë e erës. Pa këtë parimësi, njeriu lëkundet gjithë jetën mes mëdyshjeve dhe mbetet në vend. Si mund t’i përshkruaj krijuesi ndjenjat e heronjve të tij, kur ata janë të huaj për të ? Si mund ta shkruante Agolli “Komisari Memo” pa njohur të vërtetat e hidhura të luftës dhe sakrificat e bashkëluftëtarëve ?

E përse kritika të mos shikojë artin e krijimit, mrekullinë e fjalës, mjeshtërinë që sjell me vete ujvarën poetike apo romanin brilant, por të bëjë objekt bindjet politike të cilat s’meritojnë të trajtohen në këto analiza dhe s’ka arsye për të qënë të njëjta te të gjithë njerzit, aq më pak te krijuesit ?! Kritikën e shëndoshë, Agolli s’e konsideron si ndërhyrje të padëshiruar në vetminë e artistit krijues, sepse ai e nxit vetë kritikën, prandaj e mirëpret atë. Vepra e tij mban brënda prushin e vëndlindjes, ndërsa jashtë shkëlqimin kryeqytetas. Agolli prozator është po aq i fuqishëm sa Agolli-poet. Edhe proza e tij e shkurtër është brilante.

Pena e Agollit vizaton mjeshtërisht jetën në lëvizje, njerzit, botën shpirtërore të tyre, dhe të duket sikur je mes atij ambjenti për të cilin shkruan. Depërtimi në psikologjinë e personazheve, pesha e varfërisë që thyen krenarinë e njeriut dhe lartësimi që i bën paraja, e përballë tyre përfaqësuesit e shtetit, të shpien te proza e thellë e Dostojevskit; përshkrimi me detaje dhe ngjyrime poetike, inventarizimi i kujdeshëm gati edhe i buzëqeshjeve, i dosjeve sipër tavolinave apo shënimet e zyrtarve injorantë në kapakët e tyre ( esetë e Zylos), te kujtojnë romanet e mrekullueshëm të Balzakut; pasqyrimi i shtresave të larta të shoqërisë, sjelljes së tyre, lluksi nga jashtë dhe zbrazëtia nga brenda, bollëkun e veseve dhe virtytet që pothuajse kanë vdekur, pasqyrim ky shumë i ngjajshëm me prozën e Drajzerit, tregojnë formimin e shëndoshë dhe kulturën që zotron Dritëro Agolli në artin e të shkruarit.

Mirëpo ndodh një fenomen shumë i çuditshëm. Ashtu si shumë poetë që figurat i kërkojnë sipër reve e jo mes njerzve dhe jetës së gjallë, kritikët preferojnë të parapëlqejnë vetëm artin që prodhojnë emra të letërsisë botërore. Është sëmundje e vjetër kjo e ksenomanisë. Populli e thotë ndryshe:- i botës të duket më i mirë…Ja që toka jonë s’qënka shterpë dhe as e mallkuar gjersa ka rritur lisa kaq të lartë si Agolli, Qosja, Arapi, Kadareja, Spahiu, Kongoli, Zeqo etj. Kur kritika botërore dhe studiues të mirënjohur flasin për Samiun, Naimin, Nolin, Konicën, Fishtën, De Radën etj, atherë kujtohen edhe kritikët tanë e shkruajn.

Mendimin e Agollit do ta kërkojnë tribunat e larta të inteligjencës shqiptare, edhe humanizmin e tij, patjetër edhe guximin qytetar. Mirëpo “…dashurinë që ta kursejnë në jetë ta shtojnë në vdekje”- shkruan poeti i mirënjohur Agim Shehu për njerzit e tij të vendlindjes (“Ylberi i fëminisë”). Atherë do kujtohen për poetin tonë. Mbase kështu ndodh gjithmonë, njerzit çmojnë atë që u duhet dhe jo atë që e kanë. Arti dhe prodhuesit e tij, pothuajse janë të pambrojtur para politikës, prandaj krijuesit duhet të promovojnë vlerat e vërteta të njëri-tjetrit. Vitet në të cilat jetojmë janë të vështirë. Nuk e di kush ka më shumë dëshpërim: koha apo njerzit ?! Mbase kjo e shqetëson edhe poetin i cili shkruan:” Mund të bëhen të dyja, edhe të shkruash, edhe të jetosh. Kjo arrihet kur poezia bëhet mënyrë jetese, kur çmitizohet, kur nuk ndjehet e shkruara, por e kënduara”. Agolli i ka sjellë lexuesit shqiptar edhe përkthime shumë cilësore si: “Poezi” të francezit Pol Elyar, “Kënga e gëzimeve dhe brengave” të Robert Bërrnsit, poezi të lirikëve më të mëdhenj të letërsisë ruse te “Shekulli i argjendtë” si: A.A.Bllok; A.A.Ahmatova; V.I.Ivanov; S.A.Esenin; V.V.Majakovski etj. Po me se merret aktualisht Agolli! Rallë e shikoj të lëvizë trotuarëve të kryeqytetit, shumë rrallë, në krahë të fisnikes Sadie, e më duket sikur rrugët e Tiranës janë të ngushta për këtë përmendore të gjallë të artit krijues. Mosha e thyer dhe zemra aq e lodhur e poetit, s’e pengojnë në vëzhgimin e tij të kujdesshëm si Sokrati i greqisë së lashtë, e pas çdo daljeje të re edhe komunikon me lexuesin si të bënte një monolog tronditës: “Ç’të gjeti ty plakushi Dritëro/ ti thuash vetes rro apo mos rro/ mos e kuptosh as kurvën kur të flet/ ke kurvën vetë a ke një deputet/ mos e kuptosh se ç’shitet në dyqan/ mashtrim a nder, ungjill apo kuran”…

Shkruan : Flori Bruqi : Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme e shqiptarëve

Kërko brenda në imazh                     Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja e turpshme                                     Haki Taha, u lind n...