Bashkëbisedim i Odhisea Elitis me Andon Fostierin dhe Thanas Niarhon )
Përktheu nga origjinali: ILIAZ BOBAJ
Në mars të vitit 1981, Odhisea Elitis dha për botim në revistën ''Leksi'' (''Fjala''), (një botim periodik me letërsi greke dhe të huaj), një anekdotë poezi të ''Ad Libitum'', e cila u botua në numrin e tretë të saj, që më vonë përfundoi në njerën nga tri poezitë e suksesshme dhe një seri mendimesh të rëndësishme poetike, me titull ''Karem për askënd''. Në të njëjtin numër u botua edhe bashkëbisedimi i tij i gjatë me Andon Fostierin dhe Thanas Niarhon në lidhje me poezinë,veprën e tij në përgjithësi dhe për marrjen e Çmimit ''Nobel'', të fituar rishtas prej tij.
Le të sjellim para lexuesit intervistën e plotë të nobelistit Elitis.
- Sido që të pritet një çmim, siç është ai ''Nobel'', një çmim me vlerën dhe historinë e tij, por edhe me famën botërore, që i jep autorit që e merr, ai është një hap tjetër në jetën dhe krijimtarinë e një poeti. Cilat janë, pra, parashikimet dhe drejtimet, që shpërfaqen në punën tuaj, pas marrjes së tij?
- Dy llojesh mund të jenë pasojat: psikologjike dhe praktike. Për fat të mirë, në rastin tim, nuk u shfaq asnjë pasojë psikologjike. Dua të them se në botën time shpirtërore, ky lajm, nuk më rëndoi aspak. Do të ishte pamendësi të ndjeja se papritur u bëra i rëndësishëm ose duhej të ndryshonte mënyra e jetesës dhe përballimi i saj. Akoma më tepër të përpiqem të përshtat artin tim ndaj kërkesave të lexuesve, i cili nga kombëtar, bëhej ndërkombëtar. NGA ARVANITËT, PARAARDHËSIT E NËNËS SIME, KAM TRASHËGUAR NJË SEDËR, QË MË KA DALË PËR MIRË.
Që nga hapat e parë, m'u dha të përvijoja linjat e përgjithshme të ngrehinës që do doja të ndërtoja. E solla deri këtu me disa suksese, por edhe me shumë avari. Sot, e vetmja gjë që më intereson, është të kem shëndet dhe kohë, për ta plotësuar atë. Gjithnjë me shumë vështirësi dhe gjithnjë duke iu përafruar përsosmërisë. Nuk e kam parë, pra, me syrin se ku mund të vlejë apo të dëmtojë ky çmin, përderisa synimet e mia janë ato që thashë. ''Prerje'' në botën time shpirtërore, e përsëris, nuk ka. Ndërsa në anën praktike, sigurisht që ka. M'u bë jeta mishmash. Këtë grumbull kërkesash, të cilat deri tani vështirësohesha t'i përballoja brenda Greqisë, pa mendoni të shumëfishohen 20 ose 30 herë. Në fillim thashë: do të vë të gjitha fuqitë e mia për t'ia dalë mbanë, derisa të jipet çmimi zyrtar. Pastaj do të qetësohem. Ku ta dija unë se e keqja më e madhe do të ndodhte më vonë... Para se të largohesha prej Stokholmit, shkova të përshëndesja Sekretarin e Akademisë, zotin Gilensten, një njeri i mrekullueshëm. ''Kijeni ndër mend'', më tha: “se dashur, padashur, dy vjet të jetës suaj do të shkojnë kot''. M'u duk pakëz e tepruar, thjesht një shprehje. Por ka kaluar një vit e gjysmë dhe nuk po gjej ende pakëz kohë për të hapur dorëshkrimet e mi. Natyrisht ka faj edhe karakteri im. Nuk e kam patur kurrë aftësinë për të vënë të tjerët për të punuar për mua. Vazhdova t'i bëja të gjitha vetë. Iu jam përgjigjur me dorën time mbi njëmijë e dyqind letrave. Kam dërguar qindra autografe. Kam bërë nëntë filma për televizionet e huaj.
Por më të vështirat nga të gjitha, ishin mospranimet. Se, nuk mjafton vetëm të mos i pranosh ftesat, dikur shumë emocionuese, por duhet edhe t'i arsyetosh dhe t'i falënderosh.Veç sfilitjes tjetër: atë të botuesve, që grinden midis tyre dhe të ngatërrojnë në lloj-lloj marrëveshjes misterioze apo të përkthyesve, të cilët të parashtrojnë njëzet-tridhjetë pyetje dhe sqarime. Këto janë gjëra jashtë poezisë, të cilat je i detyruar t'i kapërcesh sa të jetë e mundur më shpejt. Përpiqem.Veçse me mospranimet kisha krijuar shumë pakënaqësi. Por edhe kjo, mesa duket, është pjesë e çmimit, që në çastin që e pranove.
Dhe unë e pranova atë.
- Dhënia e çmimit Nobel tek ju, në cilët vende pati jehonën më të madhe?
- Në Spanjë, në Gjermani dhe në Rumani. Pas këtyre vendeve edhe në Itali, në Francë, (ku edhe më bënë doktor nderi të Sorbonës) dhe në SHBA. Jehonën më të vogël e pata në Angli.
- Sa prej librave tuaj janë përkthyer dhe qarkullojnë jashtë vendit?
- Kanë qarkulluar rreth pesëmbëdhjetë. Dhe, brenda vitit 1981 mbeten edhe pesë të tjerë. Kryesisht ''Maria Nefeli'', i cili, është e natyrshme që të kuptohet më lehtë. Por të gjitha këto nuk më japin as kënaqësinë më të vogël. Ç'mund të japin përkthyesit në gjithë ato gjuhë, ku nuk mund të bëhet asnjë lloj kontrolli?
Dhe, kur bëhen me kaq nxitim, për të t'i paraprirë aktualitetit? Parapëlqej më mirë të mos e mendoj fare.
- Ju janë bërë oferta për të vizituar vende të ndryshme dhe si i kini pritur ato?
- Disa prej tyre do të më interesonin shumë, pasi bëhet fjalë për vende, (si Meksika, Kina, Koreja, India), në të cilët vetë nuk mund të shkoja kurrsesi. Por edhe shtatëmbëdhjetë apo njëzetekatër orë në avion, nuk mund t'i përballoj. Qytete të ndryshme të Amerikës dhe të Europës Qendrore, nuk më interesojnë më. Kështuqë deri më sot kam pranuar vetëm atë të Qipros, me të cilën më bashkojnë lidhje të ngushta. Edhe Spanjën, e cila tregoi se u gëzua me përzgjedhjen time, sikur të isha spanjoll. E pata lexuar në gazetat e tyre. Dhe e vërtetova kur shkova aty në tetorin e kaluar. Nuk desha ta rrëfeja, për të mos menduar se dua të dukem. Problemi nuk isha unë, por Greqia. Gjatë gjithë kohës prej shtatëmbëdhjetë ditësh të turneut tim, gazetat dhe revistat nuk pushuan për asnjë ditë të vetme së shkruari për Greqinë. Është mëkat që një popull të na dojë kaq shumë dhe ne të mos e dimë.
- Meqë flasim për Spanjën, cila është ajo gjë, që ju emocionoi më shumë tek ky vend?
- Vizita në Toledo. Më prisnin dy surpriza. Shpallja ime Qytetar Nderi. Dhe, binjakëzimi i qytetit të Toledos me vendlindjen e Theotokopullos, (EL GREKO, 1541-1614 - shënimi im): Iraklio i Kretës me Fodele. Mandej ishte Fuendevaqero, fshati i Lorkës. Të gjithë njerzit kishin dalë për të më pritur. Kryetari i bashkisë kishte përgatitur një pllakë përkujtimore argjendi. Më shpunë në shtëpinë e poetit, më ulën në pianon e tij, më dhanë dhurata. Kurse në mbrëmje, Kryebashkiaku i Granadës, ndriçoi Alambrën, (kështjellë dhe pallat i mbretërve mauritanezë të Granadës, shek XIII - shënimi im). E ndjej për detyrë ta ritheksoj. Nuk bëhet fjalë për mua. Bëhet fjalë thjesht për një grek. Atë donin të nderonin dhe kjo ka rëndësi.
- Ka poetë, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë, të cilët kanë ndikuar, (nëse jo për mënyrën e të shkruarit, pasi ajo u shpërfaq në letrat greke dhe në poezinë greke së bashku me ju), si vizion dhe simënyrë jetese? Dhe, cilët janë poetët, të cilët, tej çdo ngjashmërie dhe vizioni tuaj, që ju mund t'i njihnit, e ndjeni se jini të afërt me ta?
- Duhet të besoni të kundërtën e asaj që thoni. Në mënyrën e të shprehurit, pata ndikime, veçanërisht në hapat e mi të parë. P.sh. paraqitja dhe sintaksa krahasuese e Eluarit, më dhanë mbështetje. Ashtu si edhe forma mungesore e Ungaretit dhe pastërtia dhe intelekti i Jorgo Sarandarit. Më vonë Lorka dhe fabulizmi i tij popullor. Por si paraqitje dhe si mënyrë jetese nuk kopjoj askend, të paktën midis bashkëkohësve të mi, grekë dhe të huaj. Në këtë kuptim, realisht, jam jetim. Prandaj edhe kur më paraqesin si përfaqësues tipik të brezit të viteve 1930, habitem se ku e mbështetin këtë mendim. Fatkeqësisht nuk kam, (po të përjashtoj në njëfarë mënyre Andrea Embirikon), asgjë të përbashkët me kolegët e mi. Dhe, them: ''fatkeqësisht'', se është vështirë ta durosh vetminë. Natyrisht, nëse dikush shkon larg, ai gjen të dhëna të caktuara. P.sh. ndjesinë e natyrës, të cilën e ndesh tek Siqelianoi, guximin e të njohurit si tek Kalvo, kulturën gjuhësore si tek Solomo, të cilat u mundova t'i marr prej tyre, pa e ditur nëse ia arrita. Ndoshta këta poetë, nëse do të njihnin veprën time, mund ta hidhnin poshtë, secili për arsyet e veta. Personalisht, mësuesit e mi të mëdhenj, (por besoj për të gjithë ata që punojnë rregullisht në mjeshtërinë poetike), mbeten Helderlin, Malarme, Rembo dhe Solomos. Madhështia e Solomos më shpërfaqet përherë e më tepër dhe nuk dobësohet kurrë. Sikur të jetoj edhe njëqind vjet të tjerë, besoj se diçka do të studioj, diçka do të zbuloj nga gjenialiteti i tij. Është fatkeqësi që të huajt nuk mund ta lexojnë greqisht. Jo më kot thoshte Zisis Lorenxatos: ''Duhet të kesh lindur brenda gjuhës greke, që ta kuptosh Solomonë''.
- Në çfarë periudhash të mëdha do të mundnit ta ndanit sot ju vetë veprën tuaj, cilat janë
të dhënat kryesore, të cilat karakterizojnë këto periudha?
-Këto ndarje mund të jenë të dobishme kur bëhen prej historianëve të letërsisë sonë, për arsye studimi. Ndërsa për ne, ç'kuptim kanë? Mund të kem kaluar prej provash, peripecive të të shprehurit dhe transformimeve, pasi i takoj një brezi që nuk arriti të plakej me idealet që ushqyen rininë e tij. Do të parapëlqeja më mirë të heshtja, se sa të shndërrohesha në një makinë kopjuese të vetvetes. Besoj se ka një njësim më të thellë në gjithë rrugëtimin e përpjekjes sime poetike. Se ''jam edhe nga ana tjetër'', siç them tek ''Maria Nefeli''.
Veçse ajo që ndoshta i ngatërron kritikët e mi, është zhvillimi ''brenda të njëjtit çast'' i të dyja shtysave, që mbizotërojnë tek unë. Me këtë nënkuptoj komunikimin tim të pandërprerë dhe të vazhdueshëm me lëndën, nga njera anë dhe nga ana tjetër prirjen time të vazhdueshme drejt ekzagjerimit, dy gjëra, të cilat jemi mësuar t'i nënkuptojmë të ndara nga njera-tjetra. Mos vallë pikërisht kjo përbën edhe shenjat e gishtrinjve të mi? Poeti është i fundit që ka të drejtë të gjykojë veprën e vet. Përjashtoj faktin se një intervistë është vendi më i përshtatshëm për të guxuar për një përpjekje të tillë. Sinqerisht, nuk mund t'u them asgjë tjetër. Mund t'ju flas vetëm për veprat e mia të reja. Është ''Tri poezi me flamur të rastit'', të cilat shpresoj të qarkullojnë brenda këtij viti. Veç kësaj është edhe ''Lundërtari i vogël'', pjesë të të cilit janë botuar para disa kohësh në revistë. Është edhe ''Elegjia e Oksopetras'', një seri poezish, të cilat i kam ende në mes dhe lutem të më jipet forca e nevojshme për t'i përfunduar. ''Oksopetra'' është një vend gjeografik, një gadishull në ishullin e Astipaleas. Për mua është pjesa e tokës që hyn më thellë në det, pjesa më e skajshme e epokës sonë brenda një epoke tjetër dhe pjesa më e skajshme e jetës sime brenda vdekjes. Të shohim.
- Si ndjehet në personalitetin tuaj poetik, puna dhe kontributi juaj në një art si kolazhi? (teknikë vizatimi, në të cilën, përveç ngjyrave, përdoren edhe materiale të ndryshme, si fotografi, pulla poste, basma etj. Këtu ka kuptimin e strukurës artistike - shënimi im).
- Në poezi përherë mundohem që pamjet e mia të kenë një përballje konkrete me realitetin. Të shoh jashtë vetes sime, në një mjedis objektiv vizionet që përvijojnë mitologjinë time individuale. E meqë nuk jam piktor, nuk di të projektoj, i mora të gatëshme të dhënat që i kisha të nevojshme dhe përparova në strukturën time tej kufirit të logjikës. Më pëlqente që kjo të sillte një pështjellim midis njerëzve të kultururës dhe hutim tek specialistët.
Më mbetet të kërkoj se sa thellë fajtojnë shtysat tona dhe sa vet padituria. Kolazhi është një metodë konkrete. U shpik nga Maks Ernst, i cili fillimisht mendoi të ngjiste copra të vjetra zinkografie, për të na dhënë mishin dhe kockat në vizionet e tij tej realitetit. Atëherë ishin të shumtë ata që e imituan atë dhe, mesa di, në Greqi, Nanos Ballaoritis dhe Dhimitër Kalloqiris, me shumë sukses. Veçse ngjitja në ujvarën e vjetër, besoj se pasqyronte thjesht psikizmin e Ernst. Për mua kjo nuk kishte asnjë rëndësi. Përkundrazi, më ofronin shumë gjëra fotografitë bashkëkohore, bardhezi dhe me ngjyra, të cilat u jipnin gjallëri gjërave të parëlindura dhe veçantinë e të dhënave natyrore të vendit tim. Mbajta metodën dhe ndryshova lëndën.
Kjo ishte gjithshka. Por, meqë kjo nuk ishte bërë herë tjetër, as në Greqi, as në Europë dhe nuk kishte term krahasimi dhe pikë referimi, u krijua një mëdyshje dhe ngatërresë. U drejtuan për ndihmë tek Pikaso dhe Matis për të mësuar. Por ata veçse pikturonin. Por edhe Pikasso, në periudhën e tij kubiste, mendoi thjesht nga reagimi në shkrirjen e objektit, që kishte më parë, të shtonte p.sh një copëz gazete ose një etiketë në pikturën e vet. Matis, në periudhën e tij të fundit, bëri një kompozim të mrekullueshëm prej letrash të ngjyrosura, të cilat i ngjyroste vetë. Gjendemi gjithnjë në caqet e pikturës, të cilën do të ishte paturpësi të më shkonte qoftë edhe ndër mend kontakti me të. Porse u gjykua se do ta përvetësoja, edhe pse nuk kishte asnjë penelatë në kalazhin tim. E vetmja gjë, të cilën mundën të vërejnë kritikët e mi, është se ndërmjet kolazhit të tejrealistëve dhe të miave, përveç ndryshimit të lëndës, ka edhe një ndryshim tjetër: ndërsa ata parashikonin të materializonin një paradoks, unë u mundova të të vë nën pushtetin tim një vizion me mëtime plastike. Synova që në arritjen përfundimtare të arrija diçka të përafërt me atë do të synonte një piktor. Kjo më kushtoi orë të tëra pune dhe mund të madh, disa soditës të përciptë, jo vetëm që nuk e kuptuan atë, por edhe më akuzuan për improvizim dhe naivitet. M'u desh të bëja qindra prova kombinimi për çdo vepër, pa aspak të kuqe, p.sh. në një detaj të kompozimit të kishte përkatësen e vet tek me një tjetër, ose të gjitha të dhënat e takimeve të shrregullt, që kompozohen, të jenë të ndriçuara nga e njëjta anë. Deri në atë pikë sa edhe gjerësia dhe stili prej shiritave anësorë, të cilat m'u desh t'i shtoja dikur, për të realizuar një ''ekulibër'' sa më të plotë, janë të studiuara deri në hollësi. Këtu detyrohem të shtoj se të vetmit që i vërejtën ato, ishin të huajt. Unë mund t'i fajësoj për shumë gjëra, por jo për mungesë serioziteti. Para shumë vjetësh, Universiteti i Oklahomës në SHBA, përdori një kolazh timin për kartën e Krishtlindjeve të vet.
Atëherë mora shumë letra prej njerëzve të panjohur, të cilët kërkonin të mësonin nëse kisha bërë edhe vepra të tjera. Desha të them se mora guxim, por nuk e pata menduar akoma ta shpërfaqja këtë anë të punës sime. Ndërkohë erdhi Çmimi Nobel dhe atëherë akademikët suedezë, të cilët, pavarësisht prej hezitimit tim, këmbëngulën për t'i shpurë në Stokholm, për t'i ekspozuar në sallën e madhe të akademisë. Gjë që edhe u bë. Atëhere salla e madhe ''Tielska'' e Stokholmit, më kërkoi t'ia besoja një muaj, me përgjegjësinë e tyre, të cilën e pranova. Në vijim kisha kërkesa të tilla prej galerisë së Zyrihut dhe e Milanos. Veçse ishte e natyrshme, që para një gatishmërie të tillë, mendova se do të ishte më e udhës të filloja nga vendi im. Dhe, vendosa t'i ekspozoja, pa asnjë ambicje tjetër. Ky ishte edhe mëkati im i madh, të cilin nuk duhet ta përsëris më. Këtu, ndoshta, mund të më kundërshtoni: përse i shite? Do t'ju përgjigjem: për të njëjtën arsye që shes edhe poezitë e mia. Për të nxjerrë shpenzimet e qerasë së galerisë dhe ato të riprodhimeve. Dola aty për aty. Ju pyes: në vend që të merren me këtë thashetheme, përse nuk më bënë një kritikë të fuqishme estetike, për të më treguar se ato ishin vepra të dobëta? Nëse do ta bënin dhe do të më bindnin, do t'ju hiqja kapelen. U shkruan edhe tri kritika serioze-ç'përkim- , edhe ato jashtë Greqisë. Në Zvicër, Rumani dhe Indi. Mos vallë duhet të shtoj edhe diçka tjetër?
2011-03-07
I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...