Jepini Podrimjes Odisenë e poetikës së vet
Nga më vjen tronditja e rrallë
Ka shumë kohë që nuk më tronditin më librat e rinj, poezitë e reja. Duhet shumë mund që një libër të më magjepsë. Dhe unë të hutohem para asaj që është shkruar brenda tij. Nëse ka njeriu një detyrë, nëse ndjen një qëllim të lartë, të kapërcejë përmes figurës, përmes harkut të vargjeve dhe thikë-presave poetike që vijnë si ushtri gjeneralësh në letërsinë shqipe, Ali Podrimja e ka kryer tashmë. Duke ballafaquar identitetin e dy kohëve, të dy ngjarjeve, të dy personazheve, të dy pamjeve të një populli, atij të vuajtur dhe atij të cilit i rrezëllit drita e lirisë dhe e paqes, autori kalon përmes këtyre gjendjeve si një lumë i ftohtë, cinik, therës, lumë gjithë dredha e me shpejtësi marramendëse. Dhe ia ka dalë. Delta e krijimtarisë së tij është e plotfuqishme, është e thellë, është e mbartur me shumë mesazhe, me dhimbje, me gëzim dhe me fill të hollë drite që duket edhe më e bardhë, sa më e madhe është errësira.
Një libër është më shumë se një libër
Derisa më mbërriti në dorë "Libri mbi të qenit" i Ali Podrimjes, u desh një aventurë e mbushur me gabime vendndodhjeje, orari dhe pikash takimi. Dukej si një shenjë jashtëtokësore, e cila do sillte një rrëmujë metaforash, aliteracionesh, shkëputjesh pothuaj stelare në botëkuptimin për librin, në reflekset e shfaqura në poezi dhe qëndrimin tim të skajshëm ku do përzija patjetër indiferencën dhe shpërfilljen. Libri është i kryer, misioni i tij përcillet fjalë më fjalë, filozofi më filozofi dhe derisa gjen grykat ku kërkon derdhjen e tij pothuaj të dukshme në mendimet, në gjykimet, në gjithë dhomëzat e subkoshiencës sonë, aty ku fshehim si thesaret, gjerat e rralla. Të gjithë kemi një pikë kur mendojmë mbi identitetin e identitetit tonë. Atë që e duam vetëm për vete, por që e kemi krijuar mbi rrënjë të forta të ngulura në të shkuarën, në të sotmen dhe që e duam fort të ardhmen pas këtij shërbimi kulturor. Eksplorimi i pozicioneve të kultivuesve të letërsisë midis tensioneve konservatore dhe novatore, midis humbjes dhe tregut në brendësi të situatave, të ndarjes dhe të grupimeve të lidhura në botën e shtypit është tani një detyrë, më shumë se aventura e leximit të një vëllimi poetik. Është domosdoshmëri, e cila sjell jo vetëm debat, por edhe përvojë, sepse e tillë është mënyra si t’u largohesh dhe, njëkohësisht, si të sillesh në grupimin e madh të atyre që bëjnë letërsi.
Letërsi përmes letërsisë
Njëlloj me ndjesinë sikur të isha një udhëtare që kur zbres me miqtë e mi nga anija në bregun gjithë kripë të detit, e tërheq bashkë me ta, këtë lloj anije poetike drejt shijes sime sublime, ulem poshtë pemës, në degët e së cilës vendos velën e anijes së zezë dhe hesht gjatë, shumë gjatë, derisa kërkoj të kuptoj fillimin. Kur ishte? Deri ku do shkojë? Është filli i vet ekzistencës sonë. E kam tërhequr librin - anije nga bregu i kripur ku qëndroi dhe filloj qëmtoj fletë më fletë, duke parë konfrontin e autorit me vdekjen, varësinë e tij të domosdoshme prej rrënjëve të atdheut, gjithë refleksionet mbi antropologjinë e mitit, në thellësinë e poezisë klasike dhe përballjen e saj me letërsinë e perëndimit, duke provokuar një grumbull të filologjisë dhe autobiografisë simbolike që e bën poetin kaq tërheqës për mua. Që e bën kaq të parëndësishme Europën përballë syve të poezisë në një pellg të madh dashurie ballkanike. Diku, diku, ndihet hija e kësaj muraneje, poshtë së cilës vriten historitë e Kosovës, poshtë së cilës digjen varret e shqiptarëve. Aty është e gjithë simbolika e filozofisë madhore të këtij libri- shikojeni këtë bark është i trupit tënd, figura hipokrite, Europë! Këtë kuptoj nga leximi i këtij libri. Dhe jo vetëm.
A duhet që librin t’ia lëmë vetëm profesoratit?
Shpesh herë për studiuesit poezia e Podrimjes është një lloj rrobe akademike. Edhe nëse është ky lloj verifikimi, atëherë a duhet tua lëmë librin në dorë vetëm profesorëve? E keqja është se profesorëve të nominuar me tituj nuk iu bëhet fort vonë për poezinë shqipe, kanë harruar pothuaj ta rishikojnë hera herës dhe të guxojnë të mendojnë se është një kthim Odieseje i ndonjërit prej tyre, në këtë rast, i Ali Podrimjes, i cili ndoshta do të jetë popullor, por shënon gjithmonë një botë simbolesh të brendshme. Por jo të gjitha janë thënë për poezinë. Ndërsa ajo vazhdon dhe shprehet. Podrimja në botimet e tjera ka dhënë shenja të një poezie jo shumë diellore, apo me shumë dritë, kurse këtë herë megjithëse ka shumë errësi brenda librit, ai është një vëllim "notturno", një vëllim që e njeh mirë obligimin politik dhe pak poetë janë si Podrimja që interpretojnë ndërgjegjen civile në Kosovë, gjatë gjithë tragjedisë së këtij vendi.
Ali Podrimja është një personalitet letrar
Por është edhe një personalitet letrar i përqendruar në depresion dhe i tërhequr në një mulli të plotë energjish psikike, të dhunshme, të errëta, të hidhura, ai ka bërë rrugë të vështirë si gjeografikisht me poezinë e tij, edhe estetikisht. Duhet të duash të fortën e humbur, të kërkosh magjinë e shpërfillur, duhet të ndjesh në shtresat e sheshuara nga gjykimi i vendit që rrezikon të humbë, i kombit që rrezikojnë ta zhdukin përballë syve. Doni të kuptoni Podrimjen, mos iu ndani poezisë që i shëtit personazhet mbi Drin, e fut në guaskë lashtësie, e mbart në anijen e bardhë si një pikë nate, e ngre si shtizë ilire ndonjëherë. Autori vuan refleksin e mitit, të sjelljes primitive, të arkaizmit dhe traditës fshatare të mendimit në vendin e vet. Është një shenjë e padukshme kjo që i ka siguruar autorit lexuesin e shekullit që do të vijë. Një emërtim i denjë si klasik modern, bën shpejt të mendosh se poezia e tij është një kodër me diell që pret të ikë errësira. Është klasik modern sepse është dëshmitar i dramës së kohës së tij, ka mësuar të flasë edhe kategorive universale, njeriut, natyrës, vdekjes. Dikur mortja i harroi zonjë/ se koha u shndërrua në gur/ të më harronte dhe mua.../ /...Në sy të shkruar ia pashë lotin /Në pasqyrë kur pa gjarprin e viteve si/ i lëvizte fytyrës/ Fyellin ma kish rrëmbyer vala e Drinit. Poeti ka dy pista për të cilat vet ai shkruan në tentativën për të bashkuar realitetin e rrudhur, realizmi, mënyra direkt e thënies është si rrjedhojë e lodhjes së brendshme të realitetit të simboleve. Dhe pika e gjakut vizaton diellin/ katrori magjik/ fatal është/ po qe se bie brenda tij/ Kosova në cilën anë do të zgjohet. Tentativa e matur e tij është ajo e realizimit të atyre sintezave që i quaj realiteti simbolik. Nga realja ai kërkon të arrijë në një realitet simbolik. Për të realizuar këtë ai ka eksperiencën e madhe reale dhe thellësinë e sensit të simbolizmit. Hera herës të krijohet përshtypja se është një autor antirealist, i dashuruar pas evokacionit dhe simbolizmit. Një gjykim i kufizuar? Urime te shumta për librin dhe poezinë e mëparshme poeti i ka të shënuara në faqen e fundit. Nuk i lexova. I kalova me shikim pingul. Nuk ngushtoj gjykimin tim dhe përsiatjet e mia me mendimet e të tjerëve. Duhet edhe pak kohë. Kur t’i rikthehem një ditë librit, do peshoj ku është refleksi i fjalës së poetit përballë nesh, lexuesve. Mendimi i parë ishte tronditës. Aty, në vëllimin poetik ishte një anatomi e atdheut, një biografi e dashurisë dhe e asaj marrëdhënie të ngushtë që ka njeriu me vendin e tij, një marrëdhënie që fillon si metafizikë dhe përcillet si një forcë e madhe ekzistenciale duke krijuar një kronologji filozofish dhe një pikë-prerje konvencionesh që duket sikur përplasen me njëra tjetrën, por secila i rrëshqet të mëparshmes duke e pritur më pas në një pozicion tjetër lloj, sërish e gatshme për një marrëdhënie të re figurash. Ajo që deri tani nuk është vënë re, bashkimi mes realizmit dhe simbolizmit është dominuese në librin mbi të qenit. Pas këtij lokalizmi është kërkimi drejt shpirtit popullor krijues, tentativa për të bërë një letërsi të gjallë. Ky kërkim i ftohtë në origjinal të krijimit të poetit ka një substancë kulturore shumë të fortë. Nga një anë është miti, klasikja, hidhësira, origjina nga vijmë dhe kontakti biografik me botën që kemi ndërtuar vet, nga ana tjetër është pikëmbështetja e një kulture të fortë.
Podrimja i pabotuar deri në fund
Janë shumë vepra të Homerit të pabotuara akoma te ne. Nuk është ndonjë gjë e madhe, por është motivuar nga studimet klasike dhe etnologjike. Është kërkimi popullor i autencitetit por nën një pikëvështrim kulture enorme që akoma sot nuk jemi në gjendje ta stabilizojmë në nivelin e saj. Të pabotuarat do tregojnë më shumë. Por është një tjetër pikë kërkimi. Kërkimi stilistik i autorit ka një tension të fortë moral dhe i parë në kohët që nxitojnë sot, kjo prezanton një motiv shumë tërheqës. Emblema e globalizimit dhe kompleksit postmodern, fton të braktisen "fortesat" e së kaluarës, por në të shumtën e herës propozon në vend të tyre një thithje të sfungjerit të kaotizmit të lëndës gjuhësore postmoderne, habitat i çastit për elitën e intelektualëve, duke pranuar vendin që ajo zë në letërsi , në merkaton e fituar perandorake. Kësaj autori i kalon anash, i pavëmendshëm. Por nuk është indiferent. Ndonjëherë duke lexuar poezinë e Podrimjes krijohet mendimi se autori ka ndjesinë e fajit që nuk ishte në vijën e parë, nuk qe pjesë e forcës direkt që luftoi për lirinë e Kosovës, duket sikur përcillet në revoltën e mbushur me ndjesi të thellë faji. Por është mendimi se deri ku vlen dhe sa bëhet libri motiv për të ndryshuar? Ky është thelbi i gjithë qenies së autorit në këtë libër.
Është e vështirë, por ia vlen ta lexosh librin mbi të qenit
Është e vështirë, por ia vlen, duke evituar gropat psikike, të ringjitesh nga thellësitë e injorancës, snobizmit e përçmimit, në sipërfaqet objektive të gjërave dhe të mendosh për efektet negative e pozitive të prodhuara nga shoqëria. Shkrimtari do të jetë në krah apo vetëm brenda lëvizjes së punës intelektuale i ndjeshëm, pasiv dhe do të gjendet shpesh i rrezikuar apo i përjashtuar. Kjo formë e përkohshme e krijimtarisë së shumicës duket se i ngjan asaj të samizdat-it. Jemi në një vend të rrëmujshëm dhe të zhurmshëm që në fund të llogarive prodhon një qetësi të zhurmshme. Por brenda këtij konfuzioni është kaq e pamundur të rigjesh lidhje të qarta, fjalë të qarta, pamje të qarta dhe të tentosh si në bashkëpunimin me të tjerë si të kthesh e të gërmosh në vetminë me krijimtarinë, për të prodhuar në atë vet një individualitet.
Që të mos vdesë lexuesi, sipas Podrimjes
I kthehem atij përfytyrimi të parë, kur në krye të këtyre shënimeve kuptoja se duke kaluar këtë libër ishte si të zbrisja me një anije në bregun gjithë kripë. Tani jam gati të ngjesh fytyrën në tokë, në hije të malit, të dëgjoj zërat paganë të të parëve, kur lodhen së shkruari mbi lëkurë druri. Do rri kështu e ngujuar që të mos vijnë ujqërit dhe minjtë të pushtojnë fletët dhe letrat ku shkruajnë poetët. Ata të vërtetët.
I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...