Ali Podrimja: “Libri mbi të qenit” (poezi), botoi PEN Qendra e Kosovës, Prishtinë, 2009
Nga Ahmet Selmani
a) Nocioni i angazhimit
Vetë titulli i vëllimit poetik “Libri mbi të qenit” i Ali Podrimjes krijon kontekstin e dëshmisë ekzistenciale në kuptimin e një angazhimi të veçantë krijues. Si i tillë ai shfaq nevojën e brendshme për të reaguar ndaj ngjarjeve dhe dukurive që janë zhvilluar përpara syve të tij në një kohë të caktuar. Sado që në rrafshin formal ky titull duket paksa sfidues, ditor, ngaqë a priori nuk të lë shumë mundësi për përjetime të drejtpërdrejta poetike, siç ndodh zakonisht, në thelbin e vet ai ndryshon krejtësisht, sepse materia krijuese e mëtejme mbarështrohet në një strukturë shumë të ndërlikuar. Siç mund të kuptohet, brenda vetes ajo ngërthen gjithçka që është nevojshme dhe funksionale për një poezi në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Pra, gjithë ecurinë e tij autori qëllimisht e paralajmëron si libër dhe si dëshmi, jo për ta dhunuar konceptin e poezisë, por për ta harmonizuar në një trajtë më të afërt për lexuesin. Duket qartazi se e gjithë kjo pastaj transformohet natyrshëm, kalon pothuajse pa u hetuar nga kuptimi real-jetësor në atë imagjiantiv-poetik. Kështu, logjikisht del se dëshmia reale e Ali Podrimjes modifikohet në dëshmi poetike, duke kapërcyer çdo kufij ngushtues dhe duke arritur te një metaforë e vërtetë krijuese, e cila të fut në brendësinë e vet dhe të ofron atë që përputhet me realitetin që na rrethon, por edhe me ndjeshmërinë që na ngjallet për të gjitha ndodhitë kolektive. Prandaj koncepti i angazhimit të tij sado që të jetë njerëzor, moral, kolektiv, patriotik, prapëseprapë sublimohet brenda kuptimit themelor të tij, domethënë atij krijues e artistik. Qysh në fillim autori thotë:
Librin mbi të qenit e shkruaj
në shkretëtirën gllabëruese
ku guri pikon gjak dhe e uroj
për fuqinë që ma fal
Kjo ndodh për shkak se dëshmia e tij është truallsore, e drejtpërdrejtë, e përjetuar, e gjallë. Dhe si rezultat i kësaj ajo identifikohet vetvetishëm, për arsye se shfaqet me kontekstin e vet gjeografik dhe historik, por edhe mishërohet thellë me kohën dhe hapësirën gjegjëse. E gjithë kjo bëhet në emër të lirisë ekzistenciale dhe jetësore, si një synim legjitim për të mbetur dëshmi e pakontestueshme dhe për ta thënë të vërtetën jashtëzakonisht tragjike. Prandaj autori shprehet zëshëm dhe fare prerazi:
Dëshmoj se kam të drejtë të jetoj
Përfytyrimi i këtillë na shpie përpara gjyqit të historisë, ku gjërat fillojnë të vihen në vendin e tyre të merituar. Duke u mbështetur në këtë të drejtë themelore të patjetërsueshme, autori bëhet metaforë e gjallë e realitetit paradoksal, bart kuptimin e dhimbshëm dhe tragjik të tij, duke krijuar ndjeshmërinë e theksuar njerëzore ndaj asaj që është jetë personale dhe etnike njëkohësisht.
b) Toposi etnik
Gjithçka që trajtohet në “Librin mbi të qenit” të Ali Podrimjes kryekëput sillet brenda toposit etnik, si rrafsh i parapëlqyer dhe i zgjedhur i tij, sepse thjesht është një tokësi e përshtatshme për të rendur me intuitën dhe imagjinatën e tij krijuese, është një marrëdhënie e natyrshme ontologjike, një kryefrymëzim dhe kryeangazhim, ose një fillim dhe mbarim, një e kaluar dhe e tashme, një zhgënjim dhe shpresë, një ëndërr dhe realitet. Kërkimi ngulmues i vetvetes si subjekt vëzhgues ose si bartës i drejtpërdrejtë nëpër kohë dhe hapësirë, është njëherësh edhe kërkim i etnisë së nëpërkëmbur, zbulim dhe rizbulim i përmasave tragjike të saj, për shkak se është i ndërgjegjshëm përpara situatës në të cilën ndodhet. Rendja e tij nuk është thjesht vetëm një përshkim drejt vijës horizontale për t’i kapur disa dëshmi që e karakterizojnë atë brenda një periudhe kohore të caktuar, por aq më tepër është edhe një rendje drejt vijës vertikale, e cila shpie pingulthi nga thellësitë shpirtërore si një dëshmi e paluhatshme dhe më e besueshme e dramës tronditëse që ka ndodhur brenda realitetit shqiptar. Në radhë të parë kjo është ballafaqim me të keqen, luftë e vazhdueshme për ta përkufizuar sipas këndvështrimit artistik, është vetëflijim i pashoq para të vërtetës së shtrembëruar, synim largpamës për t’i dhënë kuptimin e duhur asaj që ekziston brenda qenies sonë. Gjersa i lexojmë këto poezi, fitohet përshtypja sikur në këtë fatalitet tragjik që parakalon në mënyrë të hapur para syve të poetit dëshmitar, liria dhe qetësia janë ëndrra krejtësisht të kota, për të mos thënë edhe absurde. Kjo për shkak se anekënd gjejmë vetëm atmosferë vdekjeprurëse, terror kërcënues e tronditës, përballë të cilit gjithçka duket e pafuqishme dhe e pavlerë. Por prapëseprapë ai nuk i humb fijet e njëmendta, ato i gjen midis plojës rrëqethëse, sepse pikërisht ato e çojnë drejt shpresës aq të nevojshme. Prandaj, teksa e sheh atë dëshpërim e katandisje, nuk i harron pjesëtarët e përvuajtur të kolektivitetit të tij. Sado që me fat të keq, lidhur me ta ai mbledh forcë dhe thotë:
Zoti nuk u kishte falur as barë
vetëm gjarpërinj
e gurë
Por ata kishin diçka
që kurrë s’mundi t’ua zbulojë i Madhi
jetonin gjatë
Veçse kjo jetëgjatësi është e pazakontë, ka domethënie mbijetuese, karakterizohet me ngritje dhe rënie të dhimbshme, të cilat shfaqen me gjithë peshën e tyre psikologjike dhe fizike. Kjo është pamja reale dhe poetike njëkohësisht, pleksja e së cilës bëhet me një ndjenjë të fortë dhe me një vizion shumë të qartë përpara lexuesit. Duke mbrojtur qenien e vet individuale dhe kolektive, ai mbron të vërtetën e përgjithshme, përcjell një kumt hyjnor para lexuesit, duke i bërë me dije se ligjet e absurdit tragjik, të zhbërjes kolektive të një populli, përbuzjes primitive të tij etj., nuk i ka krijuar asnjë forcë e mbinatyrshme, por pikërisht njeriu në kuptimin hobsian. Ndaj poezia e A. Podrimjes duke u shfaqur si dëshmi artistike, ajo bëhet edhe çmistifikuese e realitetit të gënjeshtërt, fakt shpirtëror dhe fizik, sepse realiteti i përjetuar nga shqiptarët ende është i freskët dhe kullon gjak. Dhe, kush mund t’i ngushëllojë më mirë përjetuesit e saj, përveç poezisë së këtij autori i cili është i mishëruar aq thellë? Pra, pikërisht kjo poezi është klithmë burimore dhe e çiltër, që shkundullon vetëdijen dhe ndërgjegjen e lexuesve, të cilët s’kanë si të mos e përjetojnë me ndjeshmëri artistike.
c) Dinamika figurative
Teksa e lexojmë këtë vëllim poetik të A. Podrimjes, gjithsesi na bën përshtypje edhe struktura figurative që krijon autori për ta ngritur ligjërimin e tij si një mjet i domosdoshëm komunikues. Sido që ta shikojmë, fare lehtë mund të thuhet se nëpërmjet tekstit ai e krijon edhe kontekstin, pra brendësinë dhe jashtësinë, të dukshem dhe të padukshmen, ku figurat poetike gjithnjë shfaqen me një dinamikë të veçantë, inkorporohen në mënyrë të natyrshme brenda poezive, bashkërenditen si një tërësi domethënëse, herë qëndrojnë në mënyrë vetanake e mbizotëruese, e herë kombinohen me figura të tjera, për t’i dhënë tekstit poetik fuqi më të madhe në aspektin e perceptimit të tij. Realisht, në këtë brumë figurativ gjejmë simbole të shumta, metafora të ndryshme, alegori specifike etj., të cilat vetvetiu sintetizohen në suaza të strukturës ligjëruese dhe rrezatojnë kuptime të rrokshme. Prandaj, është shumë e qartë se A. Podrimja kështu ndërton një bashkëbisedim jashtëzakonisht të ngjeshur figurativ, të latuar e të kontrolluar me kujdes, vetëm e vetëm që teksti poetik të dalë sa më i kursyer dhe sa më lakonik.
ç) Fizionomia poetike
Gjithsesi, në fund vlen të theksohet fakti se Ali Podrimja edhe me përmbledhjen poetike “Libri mbi të qenit” komunikon në mënyrë fare të natyrshme jo vetëm me realitetin tonë tragjik, por edhe me lexuesin i cili tashmë është mësuar me gjuhën artistike të tij. Me këtë ai niset nga dëshmia, por arrin te poezia. Ky është synimi dhe vizioni artistik i tij. Ai i ka dhënë një fizionomi të qartë poezisë bashkëkohore shqiptare, duke e ngritur atë në nivele të larta jo vetëm ballkanike, por edhe më gjerë. Me lëndën e saj tepër burimore, gjuhën shumë të ngjeshur, figuracionin e përsosur, frymën bashkëbiseduese etj., kjo poezi del shumë e perceptueshme dhe e rrokshme.
I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist
Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...