FLAKË NË KOSOVË
Mbytur në djersë
mu si në front
ditën - argatë
netëve – kontë.
Me kokat lart
ndarë nëpër botë,
ndër gjunjë bien
veç në një odë.
Veç dy herë japin
besën e burrit:
për ndër të nënës
dhe të flamurit!!!
* * *
"Ç' janë këta lot,
o mixha plak,
që m'i lëshon
këtu në prag?!
Unë do të shes
shtëpi e dhe
vizë e biletë
me 'to do blej.
Do bredh, do bredh
rreth botës mbanë,
nëpër Evropë,
tej oqeanit.
Të mos e shoh,
sa të jem gjallë
këtë Shqipëri,
si kalë gërdallë."
Plaku veç hesht
e qanë, e qanë
me sytë e kaltër
si oqeani:
"Njëherë kur qava
i gjithë katundi
ma uroi babën:
"Ty ta vraftë plumbi!"
Tash qaj rininë
si fukara,
e lash n' Detroit
në Ankara.
Kam pasur para
sa një sulltan,
por njerëzit thonin:
"ky ësht’ jaban!!"
Bëheshin tripe
nëpër pranverë,
"ta marrim", thonin,
këtë "stranjerin".
Shtyja vagonin
si ka i egër,
"gud, gud" e thonin
"dhe është forejnër".
Me dilte gjumi...
Oh, s'isha dhëndër
në Gjermani,
por një "auslandër"
Isha i bukur
e dorën - darë!!!
"Ella", më thonin
"more mallagaro"!!
Janë lot gëzimi...
Për Shqipëri,
sot do të bëhem
prapë djalë i ri".
"I ri? Po si?"
"Paratë që pata
i kam shpërndarë
ndër jetimore
fëmijëve shqiptarë.
S'jam rob i tyre,
- i lirë si hëna,
i pastër si
kur më tundte nëna"
"Por jo i ri!!!"
"Bëhem tani!!!
Këtu në gjoks
kam një flamur
do shkoj "atje"
ta ngul mbi gur.
Një palë pancirë
Një "kallashnik"
t'i hidhem shkjaut
përmbi çelik.
Do thërres:"Kosovë,
të erdha prapë,
kështu, qe besa
vdes mixha plak".
I ri, i fortë,
mu si kreshnik
do vdes në Junik
me "kallashnik".
Dhe përmbi varr
në qofsh shqiptar
këto dy fjalë
me gdhend me ar:
"Mallkuar qofsh
proverb latin:
"ATJE KU HA
- ATDHEU IM"!!
* * *
Nëna ime, moj, ku po shkojmë kështu?
Nata është pus, mu si pusi ynë
Lemë të pi dhe një ujë, nëna ime moj,
S'ka në botë askund si ky pusi ynë.
Do ta mbushin serbët me kufoma, nënë,
pusin tonë të ëmbël do ta mbushin cyt
me pleq, të sëmurë qe s'i mbanin këmbët
edhe me ferishte të prerë në fyt.
Aman, pusi im, laji si i lanë hoxha
laji edhe qaji me ujët si lot...
Lemë të pi te pusi për të fundit herë
nënë, te pusi ynë, si nuk ka në botë...
* * *
Planet, me dete
me shtete ndarë
ngado - veç plisa
të bardh' kosovarësh.
Oj Kosova ime
a ka burra, vallë,
të të pushkatojnë
sa jam unë gjallë?
Oj, Kosova ime
kush është ai burrë
që me grykë pushke
të mbështet për mur?
Nuk jam sua skllavi,
jam mal e çinar,
e rrëmbej bajrakun
dhe shtatë pash nën varr.
Dhe shtatë palë zinxhira
në paça në qeli,
zemra m' del prej hekurash
dhe me çifteli.
do këndoj për liri:
Mos m'i lidhni sytë
mos, more me shami
se jam zog shqiptari
jam kosovarli!!!
* * *
Fehmi, të kam ndjekur nga plumbi te plumbi
Në Kroaci, Bosnjë, ngado në ato vende.
Sot është dita e jonë, dita e dasmës sonë
të vdesim të dy, ti me dadën tënde.
Mu largoni shokë, m'i lini bombat mua!
Më lini me Fehmiun, plumba kam unë plot
Largohuni që të gjithë!!! Unë jam komandantja!!!
Nuk e bëmë dot dasmën, dasma jonë është sot!
ShËNIME PËR AUTORIN
Riza Lahi ka lind në qytetin e Shkodrës me 16 .10. 1950.
Në tetor të vitit 1970 është diplomuar pilot ushtarak, si që vazhdon edhe sot. Jeton dhe vepron në Tiranë.
Ka botuar këto libra:
“ Legjenda e Zardelisë” 1985
“Kosovë e fejuara ime” 1994
“Golgota shqiptare” 1995
“Trëndofil” 1996
“ Fluturime mbi qilimin Persian” 1997
“Ikje massive” 1997
“Ledia në një natë me hën” 1995
Të shtundën në mesnatë në një pyll” roman për fëmijë 1997
“Drenica –qeleshja Kosovare” poezii 1998
“ Ëngjëlli I Monstarit”(S. Bejkër)2000
“Aventurat e rosës Monda””
Ylli që sheh mbi sheshin Skënderbej” 2001
“ Nën Hënën e Ulqinit” 2001
Vorri i Ashikut
“Trëndafila nga Tirana” 2009
Etj.
“Qënga podiumi , ende pa mbaruar ceremonia e marrjes
së dekoratës, shqiptari shtatshkurtër , si plumb pistolete,
është sulur te vëndi ku derdheshin lotë…pa e çarë kokën
se ç’bëhej përqark …”
- Kujt ia kam... nanën? Kujt… po iu tham? Kujt!?
Faruk Kalleshi mbante në dorë një disk pesë kilogramësh dhe i kishte sytë si të një gladiatori në mes të arenës që kërkon gjithandej vdekje. I fliste grupit të ekspertëve që do të përçaktonin ekipin shqiptar në Kampionatin Evropian të Spanjës.
Të gjith po shihnin njëritjetrin. Ata sapo e kishin parë mjeshtrin Kalleshi të shkonte tër siguri te shtanga, ku kishte kërkuar të ishin 117,5 kilogramë. Ata kishin parë edhe sforcon krejt të jashtëzakonëshme që përjetonte ngadhnjimtari Kalleshi duke vënë shtangën fillimisht në gjoks e më pas duke e ngritur përmbi shpatulla dhe fiksuar atje ; fiksuar me një anim të tmerrshëm...
Megjithse nuk kishte dëgjua asnjëherë kësi historie, Kalleshi, i hekurt dhe gjith furi , kontrolloi vendosjen e peshave të hekurta. Nuk kishin qënë aq kilogramë sa kishte kërkuar, por 120; dhe të vendosur jo në mënyrë të barazvleftëshme...Në krye të dy ditëve…
"Po më kërkote një burr i moshuem dhe nji fëmijë e unë i pyeta se ç’ka dojshin.Gadi më ka ra pika, kur plaku tha:" Çuni jem ta ka ba nji faj, por falja".
Faruk Kalleshi nuk e zgjati më tej investigimin e tij për këtë hjeksi të bërë pa dashje apo me dashje. Ai po përgatitej për në Spanjë dhe, siç mendon edhe tani, skandali që dhamë në krye të tregimit, ka koinçiduar me dëshirën këmbëngulëse të disa organizatorëve që Kalleshi, tanimë 39 vjeçar, të mos shkonte në grupin përfaqësues të shqiptarve.
Në Spanjë, Faruk Kalleshi nga Shqipëria, ka zënë vëndin e pestë në Evropë dhe ka qënë sportisti më i vjetër nga të gjith pjesmarrësit. Që andej, trajneri Ferit Berberi do të njoftonte në Shqipëri me entuziazëm për figurën spektakolare të veteranit;edhe këtë herë.
Pas një muaji e gjysëm u organizua spartakiada kombëtare. Kalleshi , si mori pesë medalje të arta edhe këtë radhë, njoftoi se do ta linte sportin.Vendimin e kishte të patundur, megjith kërkesat për të mos nxituar , për të mos e lënë tani, deri edhe nga titullarët e Shkodrës së asaj kohe.
Përpara se të merrte pjesë në mbrëmjen e tij të lamtumirës, Faruku kishte përgatitur atë që do ta zëvëndësonte. Duke e treguar Genc Barkiçin nga kolegu i tij i ekstremit të peshës, Asim Belinovi, i ka thërritur: " Asim! E kam gjetë xevendsin tem, po ti, a e ke gjetë tandin? Kqyr ku e kam unë temin!"
Kalleshi, i paduruar nga zvarritjet burokratike, e kishte zgjidhur fët e fët problemin e trajtimit me ushqim special të "...xevendsit tem... xevendsit të Faruk Kalleshit". Djaloshi "i tij " nuk duhej të ndalonte asnjë sekond për sulmin drejt majave dhe për këtë duhej ushqim. " Ushqimin e Faruk Kalleshit ka me e hangër ky qi ka me ia msye famës së Faruk Kalleshit!", bërtiti ai në një mëngjes në mencën e klubit, ku ai ishte në forcë deri në fundin e vitit. Bërtiti me të madhe, qeshi me të madhe, sajoi një bejte gazmore duke e deklamuar me të madhe,dhe nuk u pa më kurr ulur në ndonjë prej tavolinave në pritje të kamarjeres.. " Bile, a e din ça kam ba? Kam shkue e kam marrë listen e bordorosë së KSVllaznia. Të tanë emnave qi kanë kenë në listë - guzhinjera, kamarrjera, karrocjeri, roja, arkatarja...Të tanve, pra, nj ky Faruk Kalleshi; nji ky qi po të çan kryet tuj të diftue jeten e vet, iu ka dhanë ka ‘i peshqesh të thejshtë: dikujt një stilolaps, dikujt nji paketë cingare të jashtme...dikujt..."
Kështu - në vitin 1984, në moshën 39 vjeçare, fituesi i 116 medaljeve, shtangisti që e ka nisur karrjerën dhe e ka mbyllur duke qënë kampion i Shqipërisë për të 21 vitet - e ka lënë sportin e betejave në shtangë Mjeshtri i Madh i Punës Faruk Kalleshi.
SULMI PËR TË THYER REKORDIN E RRUZULLIT
Me dt 8 korrik të viti 1970 Pallati i Sportit në Shkodër - më parë një kishë hijerëndë - në vënd të kapacitetit të tij maksimal prej 2500 vendesh, kishte rreth 5000 spektatorë.
Ishte një ngjarje e pazakontë, jo vetëm për qytetin, por për krejt atdheun…
“ Në palestrën e Shkodrës, një ditë unë u thashë të më vejshin 115 kile .M'i vunë e i çova. Rekordi botnor mbahej prej nji rusit qi e kishte emnin Genatov. Ai kishte mbërritë deri te 112.5 kilet. I provova edhe nja dy herë të tjera 115 kilet. S’ kishte kenë rastësi. Drejtuesit e "Vllaznisë" e të tanë qytetit fluturojshin. Nami mori dhenë. U njoftue urgjntisht Federata Botërore e Peshngritjes se në Shqipni ishte një pretendent për thyemje të kampionit të botës. Nuk pushojshin shkoepejat ( vajtjeardhjet ) te vetë; te nji ky Faruk njitu. Ma plotsojshin çfardo dëshiret që të thojshe. Po më mbajshin si edhin në dërrasë. Vetë Sekretari i K.P. Shkodrës Muho Asllani vite përditë në palestër e më thote se unë isha tuj i ba nji nder të madh Atdhuet e qytetit. Më thote se ky nder i vinte Shqipërisë nga qyteti i saj i vjetër i traditës. Mirëpo…”
Ditën e përpjekjes për sulmin mbi rekordin e botës, kanë qënë dy njerëz që kanë qënë të shokuar; dy njerëz të shokuar, kur të gjith valavitnin entuziazmin në kupën e qiellit. Që të gjith Shkodranët, që të gjith sportistët, që të gjith shqiptarët...Por, vetëm dy prej kësaj rrokopuje gazmore popullore ishin të shokuar...Po kush?...
Faruk Kalleshi i ditlindjes 6.12.1945 ishte vëllai i tretë i të katër vëllezërve, Shabanit, Fuatit dhe Astritit dhe, me trup e me forcë sikur i kishte këputur kokën të atit të tyre, Xhemalit. " Unë i kam gja babës shumë. I shkurtë , si aj, nevrik e shumë i ndershëm, si aj, por aj ka kenë edhe ma i fortë se vetë".
Shoferi Xhemal Kalleshi, edhe nga fakti që rrinte tër kohës në timon - në atë kohë edhe ca më vonë, përgjithsisht në kohën e komunizmit, klasa e shoferëve shqiptarë ka punuar jashtëzakonisht shumë dhe në kushte nga më të rrezikshmet - edhe se nuk ishte traditë për t'i përkëdhelur shumë fëmijët, ja që nuk u kishte treguar fëmijëve një të fshehtë. Që edhe ai qe marrë me shtangë…
…Njeriu që sulmonte kurorën e botës në moshën njëzetepesë vjeç, e kishte filluar sportin qysh kërthinjë dhe jo pak në dëm të librave.
" Dëgjoni , nanë! Djali juaj, Faruku - jam mësuesi i tij i letërsisë në klasën e pestë - asht shumë inteligjent, por nuk kap libra me dorë" - i tha një ditë nënës së Kalleshit, Adiles, mësuesi Gjush Darragiati, që ishte edhe titullar në simfoninë muzikore të qytetit.
Nëna, sigurisht që i foli djalit, por nuk i tregoi të shoqit krejt shqetësimin e saj, se mos ai nxehej dhe ia jepte harrakatiti të dy veshët në dorë. Mirëpo..."Harrakati " papritur bëhet i njohur jo vetëm në gjith qytetin, por më tej. Ai caktohet në skuadrën përfaqësuese të pionierëve Shkodranë në spartakiadën kombëtare futbollistike të fëmijëve të vëndit. Madje - në sulm. Madje në krahun tjetër nga sulmonte “as” i ardhshëm Medin Zhega.
Kalleshi, kur ka qënë në kulmin e karrjerës shtangastike, ka provuar të bëjë një garë fort të çuditëshme. Duke vënë bast, madje, me të qerasur. Gara ka qënë: Të bënin një duel basketbolli, ai, njeri më i shkurtër i KS Vllaznia, me njeriun më të gjatë të atij klubi që, kuptohet, ishte basketbollist. " Ka kenë lezet i madh. Ndeshjen e e organizuen Paulin Ndoja me Zef Gjonin. Ia kena nisë prej "personalave"....
...SULM TE REKORDI I BOTËS…DY NJERËZ TË SHOKUAR NË MASIVIN E SHQIPTARËVE QË BUÇASIN
Harrakatin e Xhemal Efendisë nisi ta tërhiqte cirku. Kaq bukur ishte atje - spektatorë plot, duartrokitje - plot, por...edhe 150 lekë për çdo ndeshje...nuk ishte aspak keq. Mirëpo Faruk Kalleshi u largua që andej nga grishjet e trajnerit i peshngritës Niazi Bushati…
“…"Po ti e ke pasë edhe babën peshngritës. Bile kampion të vëndit; popo, në vitin 1951, në peshën e parë”"Unë nuk po u besoshe veshëve dhe, sa u ktheva në shtëpi, pyeta nanën e më tha se, po".
Në moshën 19 vjeçare, vetëm një muaj e gjysëm si kishte nisur stërvitjen, i rreshtuar pakthyeshmërisht në barrikadën e shtagës, në kampionatin kombëtar të të rriturve në Berat, Kalleshi theu befasisht, katër rekorde kombëtare, duke i treguar nënës në shtëpi 6000 lekët e fituara si shpërblim ...
Tani, pas gjashtë viteve, kur kishte fituar rregullisht vënde të para gjithmonë dhe kishte thyer sa e sa rekorde, po vinte puna të thyente rekordin e botës në pesë kilogram për stilin e "forcës". Pesha e lehtë e shtangës Kalleshi, do të ngrinte pesë kilogram më tepër se kampioni aktual botëror dhe shteti kishte marrë që të gjitha masat që gjithçka të filmohej dhe të ishte saktësisht e dokumentuar.
" Vetë Muho Asllani, vite me më pa në stërvitje dhe unë e kisha çue peshen në fjalë disa herë edhe përpara syve të tij…Kur erdhi dita…ajo ditë kishte pa kenë dita e qahmetit për mue. Pallati i sportit – dëng. Juria ndërkombëtare atje. Muho Asllani më shtërngoi dorën për herë të fundit para ndeshjes. Hyna tanë emocione. Si rezultat i mobilizimit të tepërt, unë dështova. Mujta me çue vetëm 107 kilogram. ... Që të trija përpjekjet - pa sukses. “Uuuu" – më bucisnin veshët prej keqardhjes së tifozave. Ika në shtëpi në kulmin e dishpërimit. Kishe pësue nji kolpo psikologjike...E kam marrë vedin mbas nja gjashtë muejsh…Ajo datë, 8 korriku 1970, përban ditën ma të randë sportive në jetën teme… “
Ka njerëz që humbasin pikë nga mobilizimi i tepërt. Dikush duhej të kishte bërë një punë "extra" me djaloshin 25 vjeçar; një përgatitje psikologjike ndaj atij karakteri aq sensibël prej fjalës dhe prej "shoqnisë". Sikur të kish qënë paksa më shumë “moskokcarës” atë dite, kalleshi do të kish arritur e arritur pa asnjë dyshim rezultatin që e kishin parë kushedi se sa njerëz gjatë provave. Kish patur një ngarkesë të tmerrshme psikologjike. Kjo, edhe nga vëmëndja e entuziazmi i drejtuesve të shtetit të izoluar komunist që valaviste flamurin e fanarit të botës. Ja tek ishte një shëmbull konkret i këtij "fanari" - një thyers i rekordit në shkallë rruzulli.
Po...Kush ka qënë personi tjetër i shokuar i asaj dite korriku?
Ka qënë njeriu që e kishte Faruk Kalleshin qënien më të dashur në botë. Ky njeri atë ditë i lutej zotit - se ishte edhe fetare - që Faruku i saj të mos e thyente rekordin e botës. Atëherë ai nuk do të ishte më i saji; vetëm i saji, siç kish qënë deri tani. Do t'i largohej nga gjiri siç largohet një gardalinë pylli për të mos u kthyer më.
Kur salla uturinte "Faruku - Faruku" ajo qante. Kur salla bëri herën e parë "Uuuuu" ajo pushoi së qari. Salla nisi të buçiste sërish. Ishte prova e dytë. Faruku i saj do të sulej sërish drejt ëndërrrës së tij të kaq e kaq kohëve. Në emër të kësaj ëndërre, askush nuk e dinte se Faruk Kalleshi, një natë më përë, kishte bërë gjumë të trazuar. Tani ai po bënte provën e dytë dhe ajo pushoi së luturi. Fundja, le të realizohej dëshira e tij . Ishte treguar vërtetë egoiste. Ani. Ajo do ta pranonte...Ja, a nuk ishte duke e pranuar? këtë, pra, sakrificën e saj të dashurisë? Le t'i ikte pullumbi nga pylli i shpirtit të saj, nga supi i saj ku qëndronte si melek mbrojtës, e le të bëhej i të gjithve. Le të fluturonte gjithandej. Ai do të vinte sërish te ajo; nuk ishte si gardalina e pyllit.
Kur dështoi edhe përpjekja e tretë, njeriu në fjalë mori frymë thellë dhe , atë natë, nisi ta përkëdhelte si rrallë ndonjëherë. E përkëdhelte dhe qeshte ndërsa ai përpiqej ta largonte duke dështuar në të gjitha herët për të qeshur qoftë vetëm një herë për hatër të saj.
Ky njeri ishte e shoqja...Liliana.
LILIANA
I dashuruar me akrobaten e njohur shumë, Liliana Paci, dy herë laurante e çmimit të Republikës, Kalleshi vazhdon t'ia hedhë sytë edhe sot e kësaj dite asaj, siç ia hedhë sytë strehës së tij dhe intime një luftëtar profesionist pasi është kthyer nga përleshja e fundit. Strehës ku rri shqipja e tij besnike dhe pak e sertë, së cilës i bindet si një vogëlush, përjashtuar "nji pesë minutshit qi ma dijnë të tanë e më hapin rrugë". Kalleshi , duke u marrë "nga pak me tregëti", ka mundur të sigurojë paisjet e një qëndre estetike e të dobësimit, ku vetë shkon nganjëherë , si “macja te komshinjtë”. Atje punojnë ish akrobatja, e shoqja, Liliana, para, dhe e bija. Por shkojnë vetëm gra. Dhe Faruk Kalleshi i sporteve luftëtare, ende vazhdon të qëndrojë larg botës femërore, nga e cila e adhuron të shoqen edhe sot, si në muajt pranverorë të fejesës.
Kush ka dëshirë - veçse një herë në javë - të hajë krap shkodre jahni që e gatuan më mirë se askush në Tiranë Liliana, nusja e Farukut, e ka krejt të thjeshtë. Mjafton të shkojë ditë të premteve pasdreke në Lundër… ku zhvillohen ndeshje futbolli amatorësh, dhe … atje, Faruku, do të ketë marrë me vete patjetër tavën me krap. E ka enkas vetëm për miq e mysafirë. Kështu…ju, amatorët e peshkut special dhe të sportit… Me këtë rast do të kënaqeni , përveçse me atë peshk që lë thonjtë në të, por , patjetër, edhe me historitë e bukura dhe të pafundëta që tregon i zoti i tavës Shkodrane të krapit e që rri në krye të vëndit; të gjitha historitë - vetëm me sportin. Për të paguar? Për të paguar , the? Oho, i dashur mik. Ty, të lumshin këmbët që ke marrë mundimin e ke ardhur gjer në Lundër në këtë orë të vonë të pasdrekes, kurse, për një kurm krap jahni shkodre e për një gotë birrë a "venë", çka të don ty “njaj zog qefit”, ka menduar tjera kush. Xhepi i Faruk Kalleshit nuk shterron kurr…
Në një kafene të Tiranës, mëngjeseve mblidhen një grup Shkodranësh e kënaqen duke pirë kafe e duke treguar qyfyre para se të nisin punën. Në krye të kësaj tavoline qëndron gjithmonë "Babushi", apo Fetah Laçej dhe, kur nuk vjen ai, asnjeri nuk ulet te karrigia e tij. Kur ka ndonjë arritje spektakolare - tanimë si trajner, Kalleshi, nuk e shijon si duhet harenë e fitores, ashtu si edhe nuk hahet vetëm tava e krapit. Ai shkon dhe paraqitet te tavolina e Shkodranëve, ku mbretëron parimi i rreptë fort i qytetarëve Shkodranë - ai i barazisë absolute në tavolinë - pret sa të vijë edhe "babushi", poqese nuk ka ardhur ende, dhe u tregon për fitoren e radhës apo për ndonjë emision të ardhshëm televiziv. Dhe...kuptohet që kafetë, atë ditë, ndrysh nga të përditshmet , sigurisht që i ka Kalleshi, duke porositë që të "mos na e nxej kryet kush, se du me i pague vetë!"
Edhe ngacmimin e parë për të shkruar këtë libër, e kemi marrë nga ky dashnor i medias, me të cili unë jam konsultuar në shumicën e rasteve.
…Në vitin 2000, Faruk Kalleshi u dekorua nga Presidenti i vëndit me urdhërin "Mjeshtri i Madh i Punës", urdhër të cilin e mban, nga të gjith sportistët shqiptar , vetëm një tjetër sportist - Mjeshtri i shahut , dursaku Fatos Muça.Ishte propozim i përbashkët i KS Vllaznia dhe atij "Partizani".Faruk Kalleshi atë ditë mbushi 55 vjet. Është një kasetë ku është inçizuar gjithçka nga ajo festë buçitëse që u organizua në Tiranë. Kalleshi e ruan atë si një hajmali. Ai, megjithatë, pra, megjith kundërshtimet tona që të mos e nxirrte nga shtëpia, atë gjë aq të shtrenjtë na e dha për ta dëgjuar dy netë. Këtë - në emër të librit që e kemi, ja, përpara. Kalleshi është njeri shumë i ndjeshëm ndaj medias, ku ai ka mjaft miq.
Nëpër atë vëpë kishin ardhur shumë njerëz nga Shkodra në Tiranë. Mes tyre, edhe mjeshtri - xhongler i basketbollit - Renato Radoja, trajneri i boksierëve Shkodranë Zef Gjoni apo deri edhe bejtexhiu i njohur Isa Teli që improvizoi edhe këtë varg kushtuar të zotit të ziafetit:
"Qumshti i nanës të qoftë hallall
Se ke mbetë në histori
Njëzetënji vjet me rradhë
S'ke lanë gjel me këndue n'Shqipni".
Nga kaseta që na besoi Kalleshi, kemi shkëputur disa thënie për të dhe…
Edhe një zë të përlotur. Zef Gjoni : " Faruku a niri i parë i sporteve sporteve tona qi ka çue flamurin shqiptar jashtë Shqipnisë".
Besnik Dizdari, gazetari më i njohur sportiv i vëndit : " Faruk Kalleshi asht themeluesi i peshngritjes moderne shqiptare...Kalleshi, me mjeshtrin tjetër, Ymer Pampuri i thanë Evropës se Shqipnia e vogël dhe e vorfën ka shtangista të niveleve botnore"
Zyhdi Mazrreku, ish trajneri i ekipit kombëtar: " Sa pikë na nepte Faruk Kalleshi, njaqe pikë merrte tanë ekipi kombtar".
Osman Mula, kompozitor, instrumentist dhe regjisor i njohur :" Jam i lumtun sot. Faruk Kalleshi mbeti të tanë jetën shoku i ngushtë i Fatosit tem ( Fatos Mula, gjimnast me perspektivë, por që u aksidentua keq qysh në rininë e tij të parë - RL)
Hysen Sharra, mjeshtër i madh i boksimit e qejfli i madh këngësh :" Rrallë gjen një njeri kaq të shoqrueshëm, që hidhet në flakë për shokët dhe kaq zemërbardhë".
Muhamet Pata, mjeshtër i madh i basketbollit shqiptar, ashik i njohur vallesh : " Faruku është shumë i madh. Ai po na ngrë të gjithve me një gisht"
Renato Radoja :" Kam udhëtu prej Shkodret në tanë këtë vapë vetëm për nji këtë ditë të shtrenjtë të Faruk Kalleshit"
Hysen Cenaj, mjeshtër i shtangës, vlonjati i ri që ka konkuruar në të njëjtën peshë me Kalleshin në "evropianin" e Spanjës, ku Faruku i ka dhënë një ndihmë shëndetësore shumë të çmuar atje:" Kur unë kam thyer rekordin në Shkodër, të vetmit njerëz që më kanë uruar të parët atje, kanë qënë Faruku me të shoqen. Faruk Kalleshi ka qënë për mua shok, mik, vëlla dhe unë, pa ndihmën e tij, nuk do të isha bërë sportist. Shtangist si Faruk Kalleshi i vjen Shqipërisë një herë në shekull".
Shaban Kalleshi, vëllai i Farukut:" Askush nuk ia di sa unë përpjekjet, vullnetin, regjimin, punën egërsisht lodhëse për me mbërritë majat që ai ka arritë".
Mentor Nazarko, përfaqësuesi i presidencës: " Faruk Kalleshi është një sportist që e ka vendosur Shqipërinë tonë në podiumet e nderit".
Anita Kalleshi, vajza e Farukut, ekonomiste dhe linguiste: " Nana jeme ka kenë hysmeqare e vërtetë e babës tem. Baba jem ka pasë shumë fat që ka pasë për bashkëshorte një grua si nana jeme".
Po Liliana Kalleshi?...Ja se ç'kishte të inçizuar kaseta:
" Unë kam kenë ndër duart e Farukut qysh nandë vjeçe. Sot asht dita ma e lumtun e jetës teme"…Dhe… të qara me ngashërim.
MES PILOTËVE GJUAJTËS
Rasti e solli që të shkonte për ca kohë , që nga KSPartizani, në repartin ushtarak, ku figuronte prej kohësh emri i rekrutit "Faruk Kalleshi"…
… Me 6 maj 1967 në vëndin tonë ka ndodhur një skandal sportiv që nuk u pa më kurr, as në komunizëm e as në demokraci. Plasi grushti në stadium gjatë një ndeshjeje futbolli mes "Partizanit" dhe "17 Nëntorit". Petrit Dume, Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë dhe gjeneral, që bënte ligjin dhe në klubin e ushtrisë, dhe urdhër që të gjith rekrutët të shkonin atje ku i kishin emrat e muajve të stërvitjes vetmore. Pas një viti e gjysëm - Kalleshi u ndodh në Qytetin Stalin, Kuçovën e sotme, ku ishte njëra nga dy bazat më të forta të flotës luftarake ajrore të vëndit. Njeriu – legjendë, që do të thyente se s'bën në çdo ndeshje rekorde kombëtare Faruk Kalleshi, ja tek kishte ardhur në repart; oficeri Shkodran Esat Rrjolli e futi menjëherë në forcë te menca e pilotëve.
Pak si me turp, tanimë i veshur ushtar shërbimi pasi kishte kaluar një vit e gjysëm të artë në KSPartizani, Kalleshi gjuante të futej në mencë pasi të kishin ngrënë bukë pilotët; kjo dy ditët e para. Më pas, e pa veten duke e tërhequr plot hare dy gjujatës të shkurtër , si ai, të qeshur, si ai, dhe sportistë të mrekullueshëm, siç duhej të ishin të gjithë pilotët. Ishin gjuajtësit Agim Vodopi dhe Allaman Isaku.; njëri Shkodran e tjetri Dibran. Ja , edhe një tjetër,ca buçko e pak tureçkan por që qeshte, edhe ai, menjëherë, që quhej Bardhyl Taçi.
Pilotët tani kërkonin secili kush ta kishte në tavolinën e tij Kalleshin, që tregonte historira sporti, barsoleta dhe bënte bejta.
Komandanti i regjimentit ishte një burr i gjatë e i javashtë, plot pyetje kureshtare dhe që nuk kishte pikë dëshire të fliste për veten e tij. Quhej Fari Bubsi. Ai kënaqej me ngjarjet që i tregonte ushtari i palodhur po që kishte thyer tër ata rekorde kombëtare ( Që nga viti 1965 deri në 1968, Kalleshi ka thyer 38 rekorde kombëtare të peshngritjes dhe kishte ardhur ushtar me 19 rekorde kombëtare të thyera me fanelën e "Vllaznisë" - RL).
Një ditë prej ditësh Kalleshi u ndodh ngushtë. Ndërsa po hanin mëngjes, befas, u dha "alarm" dhe pilotët lanë bukën përgjysëm e u sulen nga menca për dere e jashtë ; drejt te aeroplanët e në ajër…
Faruku, që ishte mësuar të ishte ngado i pari, këtë radhë kishte vetëm një mundësi kontributi - të mos bënte asgjë. Vetëm të shikonte se si shokët e tij të rinj morën qiellin.
Njëri prej tyre po vinte pingul mbi aerodrom. Kalleshi trim u frikësua keq nga tmerri i vdekjes së lemeritëshme të dikujt. Por, piloti, në momentin fundit të takimit me tokën, si iu duk atij, mori vrik përpjetë dhe u kthey përsëri, i pangopur, drejt pistës sërish.
"Është komandant Fariu", i pëshëpriti dikush.
Vërtetë kish qënë Fari Bubsi. Ai, si mbaroi stërvitja, e thirri të vinte në zyrë. Atje e pyeti nëse ia kishin plotësuar kushtet që ta mos binte assesi nga forma sportive....
Pas dhjetë ditëve, Kalleshi mori kurajon të vente vetë te "Komandant Fariu" në zyrë.
" Komandant Fariu! Ka gara. Po më dhatë ju leje, unë marr pjesë; po s'më dhatë, jo!"
" Po, mirë, o Faruk, a ta merr mëndja të thyesh ndonjë rekord?", buzëqeshi Fari Bubsi.
" Jo nji, por katër rrekorde t’i thyen nji ky Faruk!"
"Ashtuuuu? Mirë, atëherë. Po të jap makinën time të shkosh sa më parë...Dale të marr në telefon...Alo? Eja menjëherë!...Po vjen tani. Ik e merr fletlejen te Shefi i Shtabit...Nisu!"
Pas një muaj leje, ndërkohë, gjeneral Dumja e kish kthyer urdhërin e çuditshëm që kish dhënë pa përjashtim për të gjith efektivin.. Megjithatë, heroi i tregimit tonë, aq kujtime të pashlyeshme kishte prej repartit të pilotëve, saqë, kur ishte puna pas nja tre muajsh që ishte spartakiada e ushtrisë, ai u kthye në repartin në fjalë për të ndihmuar ekipin e herojve të qiellit, të cilët e kishin pritur dhe përcjellur atë si hero.
Bëhej spartakiada e ushtrisë dhe "ushtari" i repartit N, Kalleshi, do të konkuronte për Mbrojtjen Kundërajrore. Jo vetëm kaq. Ai do të merrej edhe me stërvitjen e ekipit të ushtarve konkurues, gjë që Shkodrani e kishte me fort qejf. Ndërkohë, në mencën e pilotëve, jo rrallë, "Kolonel Fari Bubsi" e ftonte të ulej në tavolinë. Bubsi kënaqej duke dëgjuar historitë sportive të Kalleshit që aq - e bukur i tregonte ; nuk ishin asgjë para tyre historitë me fluturime që Fariun nuk e çudisnin më…
Kur...Një fonogram urgjent. Në Tiranë do të bëhej takimi i "më të mirëve". Fari Bubsi i mirë e pyeti Kalleshin e shkurtër sa gjysma e trupit të tij dhe që me siguri se do ta mbante fjalën për ta nxjerrë kampion repartin, se, mund të nisej edhe me “xhipsin” e tij. Kalleshi refuzoi me fisnikëri dhe , i përcjellë nga sytë e pilotëve të regjimentit, si një rrakel peri që rrokolliset, me vrap, u gjënd te "Ura Vajgurore" për ndonjë makinë për Tiranë.
Eh!...Sikur ta kish ditur Bubsi zemërbardhë se sa do të hiqte për të shkuar në atë ndeshje Faruk Kalleshi që iu kishte fituar zemrën pilotëve!
" Kur mërrita në Durrës, shoferi më tha se njaty do t'u ndalte; unë ia thera në pikë të vrapit për te stacioni i trenit për në Tiranë. Mirpo treni kishte ikë, qe errë krejt dhe nuk kishte pasha nji dritë makine qi me u ndalë e me më marrë mu... Afër stacionit të trenit më xuni syni nji makinë me targë shkodret; ishte me rimorkio. Kishte shkue nja dhetë e kusur sahati e po më vite për gjumë. Gjeta nji dyqan hapë e bleva me hangër e hangra sa u zhdema. Mandej pashë me kujdes në kabinën e makinës. Atje ishte shoferi qi po flete. Me siguri asht ndonji shoku i babës, thashë edhe, fiu, nji t'i hypë rimorkios përsipër, nji t'u strukë dikund njaty te cepi e ..vetëm kur më dul gjumi tuj u dridhë prej të ftoftit. Ndejta njashtu ...veçse kur më ka kapë dikush lehtë prej krahut. Kur çila sytë - tuj qeshë, ishte shoferi. Qesha edhe vetë e diftova se dojshe me shkue në Tiranë e se njatë ditë kishe me ba gara. Shoferi kishte kenë Met Xhaferi, lagjeli i joni e shoku i babës. Më bani për pesë lekë pse nuk kishe shkue me fjetë edhe unë në kabinë "Po ty Allahu ty marroftë, po pse more nuk më the se je i biri i Xhemal Kalleshit? Si, more, ke fjetë mbramë nëpër dru , jashtë"? - dhe futi dorën në xhep me më dhanë pare, por unë pare kishe...Me trenin e nadjes mbërrita në Tiranë e drejt te Ali Kastrati. Ama, ishe i lodhun e i pjerdhun krejt. Alia më tha me ba shpejteshpjet nji dush të xetë, më bani mesazh vetë, më vuni me fjetë e më tha mos me lujtë prej atje derisa të vite me më çue aj vetë. Ehhh, kur më ka çue prej gjumit - unë ishe gjeth. Atë mbasdite theva katër rekorde"…
Gazeta "Sporti Shqiptar"`10.05
Këtu gjënden rezultatet e një ankete të veçantë, të bërë vetëm një herë. Për një periudhë gjashtë mujore, u bë një diskutim popullor mbarkombëtar, se cilët kanë qënë sportistët më të mirë shqiptar nga viti 1957 deri 1997. Cilët ishin dhjetë më të mirët e konsideruar "të shekullit"? Ja disa nga ç'rezultoi prej anketës:
Agim Fagu 457 pikë
Ela Tase 421 pikë
Panajot Pano 410 pikë
F.Kalleshi 243 pikë
Ja pikët që kanë marrë disa prej sportistëve aq shumë të njohur në publik gjatë asaj ankete popullore: Pirro Dhima 126
Sabah Bizi 76 pikë
Ymer Pampuri 52 pikë
Luan Shabani ( që u bë kampion bote veshur ndër uniformat greke) 16 pikë
Ylvi Pustina 8 pikë
Perlat Musta 8 pikë
KRYEMINISTRI KOMUNIST PRET SPORTISTIN QË BËRI TË KËNDOHEJ HYMNI KOMBËTAR I SHQIPËRISË SË IZOLUAR
Turqia festonte 100 vjetorin e lindjes së themeluesit të Turqisë moderne dhe të fiksuarin si "reformatorin më të madh të të gjitha kohrave", Mustafa Qemal Ataturkut, fotografia e të cilit ndodhet, në krah të presidentit aktualë, në cilëndo zyrë shtetrore turke.
Në kuadrin e kësaj ceremonie mbarkombëtare turke, ishte edhe një aktivitet sportiv mbarevropian. "Arnautistani" kishte nisur edhe një ekip, mes të cilëve edhe heroi ynë, emrin e të cilit e shqiptonin fare lehtë,me hare dhe brohori tër spektatorët. "Faruku - Faruku " ia nisën të parët kosovarët spektatorë, të pasuar nga koralja me gjak turk.Pas tri medaljeve të florinjta të Kalleshit, në atë maj të vitit 1981 dhe kur të gjitha njuzet e rruzullit flisnin për demonstratat e fuqishme në Prishtinë dhe shtypjen e tyre me tankse nga pushteti i dhunshëm i Beogradit, përmes altoporlanteve të Ankarasë shpërtheu hymni ynë kombëtar. Kjo, për nder të fituesit të tri medaljeve i cili vinte nga "Arnautistani".
Duke qeshur me nostalgji, Kalleshi kujton se kushedi se sa kosovari e kërkonin për ta takuar te hoteli; shumica prej tyre me dhurata në duar , por që ai i refuzoi të gjitha. Me siguri që, po të mos i kishte refuzuar, ai, si të kishte mbajtur ndonjë suvenir për vete dhe familjen, të tjerat do t'ua kishte dhuruar shokëve të tij të panumurt që e vënë kurdoherë në krye të tavolinës dhe kënaqen duke dëgjuar historitë e tija të bukura e që kanë lidhje vetëm me sportin dhe, zakonisht, kuptohet, vetëm me një kryeprotogonist...
Faruk Kalleshi kishte fituar deri në atë kohë jo pak medalje ari. Për shëmbëll, katër copë në Spartakiadën tonë kombëtare të 1969 ; në vitin 1974 - tri copë; në vitin 1979 - një ari e dy argjenti; tri medalje ari të tjera do t'i fitonte në vitin 1984, por si shija e atyre të trijave për 'të, është e papërsëritshme.
Sapo u kthye në atdhe, e njofutuan se e kërkonte kryeministri në një takim të posaçëm. Ai e shikonte veten me modesti para pasqyrës, ndërsa Liliana po përcaktonte veshjen e veçantë që duhej të kishte fitimtari shqiptar në folenë e "Portës së Lartë" të dikurshme.
Veç kryeministrit Çarçani, zv. kryeministrit Myftiu dhe ministres së kulturës Cami, me Kalleshin ndodhej edhe kryeredaktori i gazetës sportive , Agim Korbi.Këtë radhë Kalleshi iu përgjigj pyetjeve shkurt dhe me emocione, ndrysh nga Korbi që bilbilonte. Gjithsesi, shtangistit iu zgjidh goja kur nisi të fliste për entuziazmin e kosovarëve dhe për lumturinë e papërshkruar të personelit të ambasadës sonë atje. " Ambasadori Gjylani Shehu, më ka respektue shumë, shoku kryeministër. Ai më ka shëtitë gjithandej me makinën e tij".
Në vitin 1984, është bërë spartakiada e pestë kombëtare me rastin e 40 vjetorit të çlirimit. Një kuadrat i madh dhe i vetëm miks, nga të gjitha llojet e sporteve, parakaloi përpara tribunës qëndrore, ku kishte ardhur për të parë dhe drejtuesi absolut i shtetit komunist. I habitur, Enver Hoxha ka pyetur njerëzit në krah:" More, po kush është ai shtatshkurtër që prin në krye të sportistëve? Të tëra ato medalje, të tijat janë?"
NË VËND TË HEKURAVE SHTËRNGON ZEMRËN E TIJ
Një poet i yni shkruan se, me një eshtër nga gjoksi i vet, do të sulej si me bajonetë.
Pasionant dhe i rrëmbyer, Kalleshi është sulur tër jetës rekordeve, si me armën që përmënd poeti. Në një rast, në vitin 1976, ai ka zënë të njëjtin vënd në Evropë, si në vitin 1972 - të katërtin.
Faruk Kalleshi kënaqet me rezultatet e shokëve njësoj si me të tijat.Të gjith e kanë provuar ndihmën e tij si prej vëllai dhe, normal, atij i bëhet qejfi fort kur ia kujtojnë këtë ndihmë. Për një periudhë tetë vjeçare, ai ka drejtuar inspektimin e sporteve të rënda në Shkodër duke u bërë copash për të mos humbur talentet. Në qytetin tonë gjenë me shumicë nga ajo kategori njerëzish që shtyhen për të tjerët me të tëra potencialet e veta e duke rrezikuar gjithçka. Edhe në Labëri, po ashtu. Në të vërtetë, ky përbën një prej tipareve të bukura të popullit tonë.
Kalleshin e pritnin dhe e përcillnin personalitete nga më të lartët e vëndit, por ai nuk mund ta ulte veten t'u kërkonte asnjërit prej tyre ndonjë privilegj personal. Gjith kredinë e fituar - vetëm për dashurinë e tij - shtangën. Me kërkesën time, sigurisht, pa e përsëritur dy herë atë, ai më tregoi disa raste se si ka ndihmuar asisoj.
" Tefë Thaçi ka kenë alamet shtangistit, por e kishte biografinë e keqe. Unë ndërhyna e aj e bani nji rrugë jashtë - shkoi në Rumani me ekipin kombtar e konkuroi në 67 kile. Sa u kthey Tefa, ia nisen letrat anonime e, njaq e pat puna. Tefa s'dul ma jashtë, por mue nuk më bate kush gja se e dijshin qi nuk kam gja të mshehun në shpirt...Ishte nji shtangist, peshë e lehtë, Pllumb Alia. U bana copash derisa ia rregullova ushqimin atij...Ose...Pooo, Rrok Bardeli të shkyete katërsh në tapet si me kenë harushë, por, ilaqim, dote me hangër aj. Unë kam shkue disa herë te KSVllaznia e iu thojshe atyne të mbrapavijës e të guzhinës: "Njati Rrokut m'i nepni me hangër derisa të thonë vetë "a, nuk mundem ma".
Fetije Kasaj u kthye me të vëllain nga Greqia, ku kishte tentuar të bëhej shtangiste. Trajneri i parë të cilit iu afrua ajo, e refuzoi. Por jo Faruk Kalleshi. Aq i sigurtë qe ai për vajzën që dikush kishte menduar përpara tij që ajo deri "njatje e kishte", saqë, vetëm pas pesë ditëve , kur Kasa nisi t'i nënshtrohej stërvitjeve me Kalleshin, ky I fundit deklaroi në një TV, në TV "Telesport": " Kam një vajzë. Me 'të, do të dal e të çudis sportin shqiptar".
Ai ia përsëriti edhe një herë këtë deklarim gazetares së shtangur përapa kamerave.
Fetije Kasa sot është me rezultare planetare. Aq e re dhe ajo po çudit gjithnjë e më shumë tifozërinë shqiptare dhe specialistët e huaj të peshngritjes. Kasaj, në buletinin botëror të vitit 2004 rezulton të jetë në vëndin e 15 të sportisteve të femrave të të gjitha moshave.
"Profesor Faruku" që, me shpenzimet e veta, ka ndjekur, shoqëruar dhe është bërë copë për të ndihmuar peshngritës të ndryshëm, me vajzën që po sulmonte edhe majat që kish mësymur dhe vetë dikur, kujdese për të aq, sa ajo nuk bënt asnjë hap pa ‘të. Në një aktivitet botërori, për shëmbëll, në kampionatin e Koresë, ajo i është drejtuar trajnerit shoqërues, Genç Barkiçit: "Profesor! Më lejon që, vetëm sot që kemi gara, të të drejtohem me "profesor Faruku"? ( Në atë kohë, Kalleshi, për arsye të një ngatërrese konkurrence mjaft shqetësuese për të ,, nuk kish mundur të shkonte në atë botëror. RL)
Buzëqeshjen e Barkiçit të furishëm e pasoi rezultati 107 kg "shkëputje", që donte të thoshte vëndi i dytë në botë, pas 108 kg të një vajze aziatike.
Se me ç'imtësira punon Kalleshi me ekipin e peshngritjes së vajzave, nuk përbën një objekt qëndror të tregimit tonë; një tjetër vëmëndje do kjo temë . Gjithsesi...kujdesjet e Kalleshit për ekipin e tij të vajzave nuk çuditit njeri, nga ata që e njohin nga afër karakterin e heroit të tregimit tonë.. Veç Fetije Kasës, ai ka në horizont një tjetër yll, që quhet Romela; Romela Bega.
Tani, ja edhe njëra nga ngjarjet e panumurta të jetës sportive të heroit tonë. Vetëm njëra... Ishte viti 1976 dhe po zhvillohej kampionati evropian në Berlinin Lindor. Si kish mbaruar ngritjen e shtangës për të tretën herë, Shkodrani shtatshkurtër e fytyrërreptë i bëri me shënjë trajnerit të tij t'i sillte pak komposto. Zyhdi Mazrreku ia solli dhe ai e piu.
Mirëpo … Tani…Tani e kish mbërthyer përkrahu trajneri jugosllav, siç kishin mbërthyer përkrahësh edhe dy rivalët e tij. Asnjëri të mos lëvizte. Që të tre kishin vetëm një rrugë për të shkuar si të arrestuar – te peshorja.
Vëndi i peshores ndodhej rreth 50 metro larg dhe Faruku ,këtë radhë, me të uluritur, i kërkoi në gjuhën shqipe trajnerit të tij që t'i sillte menjëherë një palë tuta Tjetri bëri ashtu , pa i shkuar në mëndje se përse i duheshin tutat Farukut.
“ Menjëherë bana shurrën nëpër tuta , pak metro e pak minuta para peshimit. Shurra më hoqi gramët e tepërta nga kompostoja , bile edhe pak ma shumë, aq sa , unë dola para dy rivalëve të mi, njëri prej të cilëve ishte spanjoll, tjetri, s'më kujtohet. Më vonë, edhe juria, sigurisht që edhe Zyhdia e morën vesh hilen teme dhe, nuk kishin ça me ba tjetër , përveçse me u shkri gazit. Kurse unë erdha në Shqipni me një alamet trofejet.”
Kështu është kthyer përherë të dytë në atdhe Kalleshi, për t'u treguar pastaj plot hare shokëve këtë histori gazmore, sigurisht duke i dhënë me mjeshtri kolorin e duhur .
Mbase Gorki, kur shkroi tregimin e mrekullueshëm "Legjenda e zemrës së zjarrtë", sigurisht që duhej të ketë takuar ndonjë njeri si Faruk Kalleshi nga Shkodra.
Nga qyteti që prodhon njerëz që dashurojnë me furi të verbër. Që urrejnë me të njejtën furi . Dhe që dorëzohen menjëherë para një zemre që hesht në pëllëmbën e dorës....
IMPRESSION
Më së fundi qe bërë e mundur që të shkonte jashtë shtetit me sportistët edhe ai, Fari Fani,. Ishte inspektori i sporteve të rënda të Shkodrës dhe nuk kishte dalë asnjëherë jashtë shtetit.Ishte viti 1978 dhe garat zhvillloheshin në Selanik.
Faruk Kalleshi shpallet nënkampion I Ballkanit dhe, me kampionin, një bullgar si edhe me fituesin e vëdit të tretë, që të tre, zënë vënd në podium. Përplot njerëz. Në kohën kur po i vinin medaljen, Faruk Kalleshi ka parë nga Fari Fanin. Ai …
Ai …po qante." Qate si me kenë lotë kur të vdes nji njeri i afërt; vetëm në Shkodër dijnë me u gëzu për gëzimin tand njashtu o Riza Lahi, ndigjoje Farukun . Alamet Fari Fanit po qate për gëzimin tem, si i prishun nervash. Ka kenë tanë aj tension. Qate me za e pa i fshi as pa i mshehë lotët ".
Në shpirtin e Faruk Kalleshit shpërtheu e njëjta furi, si atëherë kur u sul me pesëkilogramshen në dorë duke uluritur me sy të çakërdisur " Kujt ia kam...nanen?".
Veçse, këtë radhë në sensin e ekstremit tjetër. Që nga podiumi, ende pa mbaruar ceremonia e marrjes së dekoratës dhe pa e çarë aq shumë kokën për ‘të , shqiptari shtatshkurtër, si plumb pistolete, është sulur te vëndi ku po derdheshin lotë.
Ai i është hedhur në qafë Fari Fanit dhe e ka përqafuar pa e çarë kokën se çfar bëhej përqark. E ka përqafuar, sikur të përqafonte Shkodtën që ishte aq larg nga ai vënd i Greqisë me emrin Thesaloniki.
( Mbaruar në të gdhirë të dt 2 shtator 2005)