Historiani prof.dr.Paskal Milo, pas një pune disavjecare, ka publikuar një libër që jep një version të ri mbi incidentin e Korfuzit, për të cilin Shqipëria është penalizuar nga gjykata ndërkombëtare...
Sipas Milos, në atë ngjarje kanë qenë njësoj përgjegjëse si Shqipëria, ashtu edhe Britania e Madhe.
“Është e pamundur që një libër të ketë të vërtetën absolute. Me këtë libër unë s’kam dashur të fyej njeri, por të ushtroj profesionin tim. Kam dashur t’i shkoj deri në fund të vërtetës”, ka deklaruar Milo.
Hipoteza e tij mbështetet edhe nga studiuesit e tjerë. “Nuk ishte edhe aq i thjeshtë përceptimi ynë, e patën fajin britanikët, e patën shqiptarët. Jo, faji ishte i të dyja palëve”, është shprehur Nevila Nika.
Të njëjtën gjë ka theksuar edhe historiani Arben Puto, sipas të cilit nëndetësja s’mund të kalojë fshehurazi në ujëra territoriale.
“Ka një kufizim, është e drejta e kalimit paqësor të anijeve tregtare dhe atyre luftarake. Ndërsa nëndetëset duhet të lundrojnë në sipërfaqe”.
Paskal Milo Paskal Milo ka lindur në Palasë, Himarë, më 22 shkurt 1949.Është diplomuar për Histori dhe Gjeografi në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, Universiteti i Tiranës. Ka kryer studime pasuniversitare në Suedi. Ka gradën shkencore “Doktor” në histori dhe titullin “Profesor”.
Ka kryer detyra shtetërore: sekretar shteti për arsimin (1991); ministër i Punëve të Jashtme (1997-2001); ministër për Integrimin Evropian (2001-2002). Është deputet në disa legjislatura të Kuvendit të Shqipërisë që nga viti 1992 dhe ka kryer funksionet e kryetarit të Komisionit të Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Shëndetësisë (1992-1996) dhe të sekretarit të Komisionit të Politikës së Jashtme e Marrëdhënieve Ndërkombëtare (2003-2005).
Ka ushtruar detyra profesionale e shkencore: përgjegjës i Katedrës së Historisë Botërore (1988-1995); dekan i Fakultetit të Historisë e të Filologjisë (1991-1992); anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit të Historisë e të Filologjisë (1988-2002); anëtar i Këshillit Shkencor të Universitetit të Tiranës (1991-1992); anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit të Historisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1985-1991); anëtar i Bordit të Drejtorëve të “Shoqërisë së Hapur për Shqipërinë” (Fondacioni Soros) Tiranë (1993-1997); anëtar i Komisionit të Historisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Milano Itali (1991-2001); anëtar i Këshillit Argjentinas të Marrëdhënieve Ndërkombëtare (2000); anëtar korrespondent i “Shoqatës Kiliane të Historisë e Gjeografisë” (2000).
Është ligjërues në Universitetin e Tiranës dhe në universitete të tjera jopublike në Tiranë e Prishtinë. Ka ligjëruar në universitete të ndryshme në SHBA, Kanada, Suedi, Itali, Spanjë, Greqi etj. Ka referuar në institute e këshille për politikë të jashtme e marrëdhënie ndërkombëtare, si në SHBA, Kanada, Argjentinë, Kili, Britani e Madhe, Suedi, Norvegji, Danimarkë etj. Ka kryer kërkime shkencore në arkivat historikë të: Departamentit të Shtetit në SHBA (1996 dhe 1997), të Forin Ofisit në Londër (1994), të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë (1994), të K’e d’Orsej-Paris (1997), si dhe në Greqi, Egjipt etj.
Pas vitit 1990 ka një veprimtari aktive shoqërore e politike. Ka qenë kryetar i Komitetit Kombëtar Shqiptar të Asamblesë së Qytetarëve të Helsinkit (1993-1997), anëtar në disa borde e komisione rajonale për paqe e mirëkuptim ballkanik. Është kryetar i Partisë Demokracia Sociale e Shqipërisë. Është dekoruar me urdhra, medalje e çmime të ndryshme brenda e jashtë vendit. Është autor i disa librave politikë dhe historikë, i monografive, i botimeve shkollore dhe universitare, i shumë artikujve shkencorë të botuar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Është pjesëmarrës me referate e kumtesa në kongrese, konferenca, simpoziume e seminare kombëtare e ndërkombëtare.
Flori Bruqi