NJË “MEMORIA IN AETERNA”
Nga Rexhep Meidani
Më kujtohet se diku nga vitet ‘90-të një profesor i Harvard-it (Joseph Nye) deklaronte se: “Koncepti bazë i fuqisë është aftësia për të ndikuar mbi të tjerët për të bërë atë që ju dëshironi. Ekzistojnë tri mënyra bazë për ta arritur këtë: për t’i kërcënuar ata me shkop, për t’i afruar ...duke përdorur karotën dhe për të ndërvepruar me synimin që edhe ata të duan atë, të cilën ju dëshironi. Nëse mund të tërhiqen dhe të tjerët që të duan atë që ju doni, një gjë është shumë më pak e kushtueshme se metoda e karotës dhe e shkopit”. Kjo është dhe rruga e tretë e arritjes së tjerëve atje ku dhe ju doni të arrini; prandaj një fuqi e tillë është dhe e ashtuquajtura “fuqi e butë”, në kontrast me “fuqinë e fortë” apo thjesht me “koercitivitetin” e fuqisë. Deri diku, çelësi real që përcakton diferencën midis fuqisë së butë dhe asaj të fortë është diplomacia, metodat e saj. Pikërisht kjo diplomaci, e një vendi sado të vogël, mori vlera qenësore gjatë krizës së Kosovës. Pozicionimet e saj, edhe pse në shumë raste ishin të përafërta apo të njëjta me ato të disa vendeve të fuqishme demokratike, ishin bazike e mbështetëse, rrezatuese e ushqyese. Deklarimet e saj jo vetëm regjistroheshin e konsideroheshin me kujdes apo analizoheshin në detaje, por dhe prodhonin reagimet e veprimet e duhura politike e diplomatike në skenën ndërkombëtare. Këtë kohë të veçantë të politikës e diplomacisë shqiptare, të papërsëritshme nga përmasa e rëndësia e saj për popullin shqiptar në aspiratën e tij historike për liri e pavarësi, pasqyron dhe libri i fundit i Paskal Milos, me titull: “Ditari i një Ministri të Jashtëm”. “Konflikti i Kosovës 1997-2001” (Botimet Toena, Tiranë 2009).
Botuesi Fatmir Toçi
* * *
Siç e deklaron autori që në hyrje, botimi i këtij libri realizohet në prag përvjetorësh të shënuar për Kosovën, të tillë si: 17 shkurti apo përvjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, 23 shkurti i 10-vjetorit të “PO”-së historike të delegacionit shqiptar në Konferencën e Rambujesë dhe 9 qershori çlirimi i Kosovës nga sundimi kolonialist gati njëshekullor i Serbisë. Janë tri ngjarje jubilare shumë të rëndësishme për popullin shqiptar të Kosovës, por dhe mbarë kombin shqiptar, që janë të lidhura me njëra-tjetrën. Sidomos, me dy ngjarjet e fundit dhe arritjen e tyre përfshihen në libër vëzhgime e shënime të asaj periudhe, pozicionime e qëndrime të autorit si ministër i Jashtëm i Shqipërisë të asaj kohe. Dhe, mbi të gjitha, angazhimin tërësor të institucioneve kryesore të shtetit shqiptar, të vetë diplomacisë shqiptare, të mbarë shoqërisë e popullit shqiptar, me kulmin shfaqjen e një solidariteti historik, krejtësisht të paimagjinueshëm në ditët tona. Prandaj, që në fillim të ditarit të tij, autori i ditarit shpreh me të drejtë dhe disa shqetësime të vetat që, në thelb, sa sintetizojnë “harresë miqsh”, po aq dhe “shndërresë kujtese e vlerësimi”. Ja ç’ shkruan ai, konkretisht: “Kështu ka ndodhur në shumicën e rasteve edhe me Rambujenë e konfliktin në përgjithësi në Kosovë, ku kontributi i Shqipërisë e i popullit të saj ose është mohuar, ose është anashkaluar. Kjo është e padrejtë sepse Shqipëria i dha të gjitha çfarë kishte për të dhënë: ndau vuajtjet, dhimbjet, sakrificat e sfidat me shqiptarët e Kosovës, u dha strehë mbi 500 mijë shqiptarëve në mos më tepër, vuri në shërbim të aleatëve të NATO-s të gjithë territorin e saj, hapësirën ajrore e atë detare, priti e përcolli forca aleate, ushtarë e gjeneralë, liderë botërorë e diplomatë të së gjitha niveleve. Ajo u bë baza dhe prapavija kryesore e luftës, jo vetëm e shqiptarëve, por i të gjithë atyre që kërkonin që regjimi i Millosheviçit të ndëshkohej jo për hatër të popullit të Kosovës, por edhe për paqen e stabilitetin e Ballkanit, por edhe të Evropës”...
Prof. Rexhep Meidani
* * *
Nën një këndvështrim politiko-diplomatik, por dhe ndjesi thellësisht njerëzore ai u rikthehet shënimeve të veta për të lexuar ngjarjen dhe të vërtetat rreth saj. Jo thjesht për të pasqyruar një humanizëm, kontribut e solidaritet të madh e të gjithanshëm shqiptar, apo sakrificën sublime të atyre djemve dhe vajzave të UÇK-së, as për të rifreskuar një pjesë të memories kombëtare, politike e diplomatike, në Shqipëri dhe në Kosovë, apo për të korrigjuar shformimet e saj, të qëllimshme apo të paqëllimshme, as për të rikujtuar mizoritë tronditëse të formacioneve paramilitare, policore e ushtarake serbe mu në zemër të Evropës, por për t’i dorëzuar lexuesit detaje të atyre ngjarjeve, angazhimet e ndjesitë personale, ashtu siç kanë qenë të shkruara në ato radhë shënimesh, edhe pse shumë gjëra sot mund të lexohen në mënyrë shumë më të qetë, pa emocionet e mëdha të atyre ditëve historike. Bile, duke iu rikthyer atyre radhëve të radhitura në këtë libër, në hyrjen e vet ai ngul këmbë:
Z. Pandeli Majko
“Ndaj e kam quajtur një obligim që të dëshmojë historinë që e kam përjetuar dhe që duke u përpjekur të mos përsëris “uni”-n, egocentrizmin e të tjerëve, të tregoj atë çfarë ka ndodhur, çfarë kam dëgjuar e çfarë kemi thënë e çfarë kemi bërë tetë ose dhjetë vjet më parë....kur Shqipëria, kombi shqiptar, Kosova u përfshi në një ngjarje me përmasa historike jo vetëm kombëtare, rajonale, por dhe evropiane e ndërkombëtare. Duheshin gati njëqind vjet që të vinte kjo ditë. Ajo më gjeti në një detyrë kyçe qeveritare. Do të varej nga shteti shqiptar, nga qeveria, nga kolegët e nga unë nëse do të dinim ta përballonim atë. Ne ia dolëm”...
* * *
Duke e parë tashmë ditarin të radhitur në trajtë libri nuk mund të lihen mënjanë edhe konsiderata të tjera që lidhen me përkujdesjen gjuhësore të autorit, me thjeshtësinë e saktësinë e komentimit apo stilin e depërtimit dhe këndshmërinë e leximit të tij. Parë në tërësi, ai “është ditari i një Ministri të Jashtëm në krye të një diplomacie aktive e energjike, të përgjegjshme dhe të mirë-peshuar, në një periudhë historike, intensive e delikate, emocionale dhe të madhërishme, për fatin e Kosovës dhe të kombit shqiptar”, por është po ashtu dhe ditari i një historiani e pedagogu të talentuar, që lufton për të pasqyruar vërtetën dhe shtrirjen e saj...
Z. Paskal Milo
Sidoqoftë, pavarësisht të ndonjë saktësimi më të vonshëm, autori me këtë “shkrirje në të nxehtë” shënimesh, diku më të hollësishme e diku më të shpejta, merr përsipër, siç pretendon dhe vetë, që “të dëshmojë historinë e përjetuar, pa përsëritur “uni-n”, egocentrizmin e të tjerëve”. Dhe, mbi të gjitha, të tregojë e dokumentojë atë çfarë ka ndodhur, çfarë është thënë e bërë, mirë ose keq, gati një dhjetëvjeçar më parë. Aq më tepër, që në pozicionimet e ndryshme institucionale mund të shfaqeshin aty-këtu dhe llojshmëri më specifike, që e pasuronin dhe e zhdërvjelltësonin reagimin shqiptar, e fuqizonin atë në fushën e lojës apo e mençuronin dinamikën e tij brenda skenës politiko-diplomatike rajonale e ndërkombëtare. Pavarësisht, se me gjithë prirjen pozitive që “t’i jepet Cezarit, ajo që i takon Cezarit”, si pjesëtar e protagonist, spektator e aktor i ngjarjeve të mëdha, ai e ka pasur në ndonjë rast jo aq të lehtë t’i shmanget leximit të ndonjë reagimi e sjelljeje me ndonjë notë subjektive apo qoftë dhe perceptimit të vetë ngjarjes. Sepse, me gjithë merakun e historianit, nuk është gjithmonë e thjeshtë që të mos shmanget dhe ndonjë vëzhgim, përfytyrim apo lexim për një ngjarje të dhënë; aq më tepër, siç thotë autori, që “duke e vënë veten në qendër të saj, çka rrezikon që edhe pa dashje të harrojë se ka pasur edhe aktorë të tjerë qendrorë të dramës ose kontribuues të rëndësishëm në realizimin e saj”. Por, kjo është sa njerëzore, aq dhe e kuptueshme, kur bëhet fjalë për ngjarje të përmasave të tilla rrallë të përjetuara në historinë e një populli e kombi...
NJE DITAR MBI NGJARJE HISTORIKE
Nga Rexhep Qosja
Ditari i një ministri të Jashtëm... Konflikti i Kosovës 1997-2001... Është një vepër gjithsesi e rrallë në kulturën tonë. E quaj të rrallë për disa arsye: e para, e rrallë për nga rëndësia e saj dokumentare në historiografinë tonë të re; e dyta, sepse është e frymëzuar prej ngjarjesh të mëdha në historinë e Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi; dhe, e treta, sepse është e rrallë edhe si trajtë shkrimi në letërsinë tonë. Si ditarët, herët më të shpeshta, që në letërsinë evropiane shkruhen shpesh e çmohen shumë, ashtu edhe ditari i Paskal Milos ka rëndësi të trefishtë: historike dokumentare, kulturore dhe letrare artistike, por rëndësia e tij historike dokumentare është më e madhja.
Botuesi Fatmir Toçi
Historian dhe diplomat
Ditari është një histori e ngjeshur e çështjes së Kosovës në politikën shtetërore të Shqipërisë, në politikën e vendeve të Ballkanit, në politikën e shtetit pushtues - Serbisë, në politikën e vendeve më të mëdha të Bashkimit Evropian, në politikën e Rusisë, në politikën e OKB-së dhe, më në fund, në politikën e shtetit që do të luajë rol historik në fatin e Kosovës - në politikën e SHBA-ve: një histori e ngjeshur e politikës së këtyre vendeve dhe e disa institucioneve botërore gjatë viteve të mbuluara me këtë ditar. Në të janë përfshirë vitet 1997, 1998, 1999, 2000 dhe gjysma e parë e vitit 2001. Janë këto vitet kur Milo kishte fatin të ishte ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Përpos ditarit për vitet e theksuara, në këtë vepër janë përfshirë edhe letrat që ai u ka dërguar disa diplomatëve dhe shtetarëve si: kryetarit të KS të OKB-së, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana, ministrit të Jashtëm të Francës, Iber Vedrin, atij italian, Lamberto Dini, Sekretares së Shtetit të SHBA-ve, Medlin Ollbrajt, përfaqësuesit të veçantë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Bernard Kushner, Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Kolin Pauell, si dhe letrat që ka marrë prej diplomatëve dhe shtetarëve të ndryshëm - prej ministrit të Jashtëm italian, Dini, prej ministrit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, Robin Kuk, prej ministrit të Jashtëm rus, Igor Ivanov, prej ministrit të Jashtëm grek, Theodoros Pangallos, prej Sekretares së Shtetit të SHBA-ve, Ollbrajt, prej ministrit të Jashtëm turk, Ismail Çem, dhe, më në fund, prej Sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Pauell.
Përpos për arsyen e sipërthënë, ditari është vepër me rëndësi të veçantë historike dokumentare edhe për arsyen se është ditar i historianit dhe i diplomatit, i shkencëtarit dhe i politikanit njëkohësisht. Milo është historian i dëshmuar në historiografinë tonë kombëtare, është njohës i veçantë. Në Shqipërinë shtetërore mund të jetë njohësi më i mirë i marrëdhënieve shqiptaro-serbe, kurse vepra e tij, Shqipëria dhe Jugosllavia (1918-1927) është vepra më e plotë dhe më e mirë deri sot për këto marrëdhënie pak a shumë të trajtuara, por ende shkencërisht të pastudiuara sa duhet në historiografinë tonë.
Nuk ka dyshim se autoriteti i pranuar diplomatik i Milos, gjykimet dhe vlerësimet e tij të matura, objektive, përkushtimet e tij të dëshmuara ndaj së vërtetës, përkushtimi i tij atdhetar ndaj Kosovës, e bëjnë ditarin e tij për Kosovën vepër aq më të çmuar, prej së cilës mësojmë të dhëna e të vërteta të reja mbi luftën politike për pavarësinë e Kosovës.
Çka mund të mësohet?
Prej ditarit do të kuptojmë se Shqipëria, me politikën dhe diplomacinë e saj, ka bërë shumë për pavarësinë e Kosovës - shumë më tepër së ç‘është menduar në disa qarqe politike dhe intelektuale këtu, në Prishtinë, dhe se ç‘është shkruar a folur prej tyre në mediat. Lejohem të them, ndërkaq, se Shqipëria ka bërë për pavarësinë e Kosovës më shumë se ç‘e quajnë të nevojshme politikisht ta theksojnë zyrtarët në Tiranë. Po, pa Shqipërinë, lufta çlirimtare në Kosovë ndoshta nuk do mund të bëhej dhe, as UÇK-ja të armatosej e të mbahej.
Kjo nuk e mohon faktin se politika shtetërore e Shqipërisë ndaj Kosovës nuk ishte, gjithnjë, çfarë dëshirohej dhe, ndoshta, çfarë mund të ishte. Arsyet që mund të jepen pse ndodhte kështu janë vetëm pjesërisht të pranueshme. Shqipëria, mësojmë në ditarin e Paskal Milos, pashmangshmërisht duhej të mendonte jo vetëm për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por edhe për interesat e veta. Dhe, kjo ishte arsye e kuptueshme, e ligjshme. Nuk ishte arsye e kuptueshme pse në udhëheqjen shtetërore në Tiranë mendohej se me qëndrimet e saj ndaj çështjes së Kosovës ishte e lidhur edhe siguria e Shqipërisë. Ideja e pavarësisë së Kosovës, kurrë, pas Luftës së Dytë Botërore, nuk e kishte rrezikuar sigurinë e Shqipërisë dhe aq më pak do të mund të rrezikonte pas përmbysjes së komunizmit. Shqipëria nuk është shtet që u ka borxhe historike, territoriale dhe njerëzore fqinjëve të saj. Përkundrazi, fqinjët e saj, Serbia, Greqia, Mali i Zi dhe Maqedonia i kanë borxhe të mëdha historike Shqipërisë.
Akademiku Rexhep Qosja
Prej këtij ditari ne do të mësojmë se gjykimet tona për takimin e shumëpërfolur midis Kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano, dhe kryetarit të Jugosllavisë së mbetur, Sllobodan Mollosheviç, në Kretë, ishin më shumë fryt i paragjykimeve partiake, se sa njohës të së vërtetës. Në këtë ditar do të shohim se në tekstin e përgatitur prej Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, për bisedimet e Fatos Nanos me kryetarin e Jugosllavisë së mbetur rreth Kosovës, theksohen qëndrime të njëjta me qëndrimet që mbroheshin prej subjekteve politike në Kosovë. Më në fund nuk kishte të dhëna të mbështetura në logjikë e zakonësi që takimi midis Fatos Nanos dhe Millosheviçit në Kretë të gjykohej me pezm mosdurues, kurse të pranoheshin dhe të çmoheshin si pjekuri politike takimet e vetjeve politike kosovare me Millosheviçin në Beograd. Edhe për takimin e Kretës, si për të Beogradit, ishte marrë këshilla e Uashingtonit.
Prej këtij ditari ne do të mësojmë, për herë të parë prej një politikani dhe diplomati shqiptar, se politika amerikane ndaj Kosovës në thelb ishte, deri vonë, politikë e qëllimeve afatshkurtra e jo e zgjidhjes së përhershme. SHBA-të, e thotë autori: "Më tepër e vënë theksin në arritjet e synimeve afatshkurtra e afatmesme në Kosovë dhe jo në objektivat strategjike si duan shqiptarët". Gjatë dhe vendosmërisht faktorët ndërkombëtarë, SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, do të jenë kundër idesë së pavarësisë së Kosovës. Në të vërtetë, edhe SHBA-të, edhe Bashkimi Evropian, qoftë edhe pas fushatës së bombardimeve dhe vendosjes së KFOR-it dhe të UNMIK-ut në Kosovë, do të jenë për zgjidhje të çështjes së Kosovës në kuadrin e Jugosllavisë së mbetur. Dhe, këtë politikanët dhe diplomatët e tyre do të na e thonë edhe këtu, në Prishtinë, por do të na e thonë, ndoshta, me gjuhë më pak dëshpëruese se në Tiranë. Prej udhëheqjes shqiptare ata do të kërkojnë përkrahje që synimet e tyre afatshkurtra për zgjidhjen e çështjes së Kosovës në kuadrin e Jugosllavisë së mbetur t‘i bëjnë njëmendësi! Sikur të mos ishte kështu, sikur udhëheqjes shqiptare të mos i bëhej trysni politike e diplomatike për pajtim të plotë me politikën e tyre ndaj çështjes së Kosovës, mund të besojmë se nuk do të ngjante që Kuvendi i Shqipërisë të përkrahte zgjedhjet e ashtuquajtura "të lira e demokratike" më 22 mars 1998 në Kosovë. Kurrë nuk kam arritur, as nuk do të arrij, ta mirëkuptoj përkrahjen që shteti amë do t‘u japë këtyre zgjedhjeve në Kosovë. Nuk kam dyshim se këto zgjedhje, të quajtura "të lira e demokratike", nga shtypi ynë partiak, që do të mbahen në kohën kur Kosova ishte përfshirë tashmë prej luftës çlirimtare që bënte UÇK-ja, në njërën anë dhe prej masakrave, djegieve dhe shkatërrimeve që bënin forcat policore e paraushtarake serbe, në anën tjetër, ishin hiç më pak se legjitimim politik i pushtimit gjakatar serb dhe mohim i së drejtës, i qëllimit dhe i kuptimit të luftës sonë çlirimtare. Nuk është e nevojshme, ndoshta, të shpjegohet veçmas se të gjithë popujt historikë evropianë, madje të gjithë popujt historikë në botë, kanë nocionin me të cilin i dënojnë historikisht përgjithmonë zgjedhjet e tilla, që mbahen prej një pjese të forcave politike në kohën kur pjesa tjetër bën luftën çlirimtare. Dhe, këtë nocion e dimë të gjithë: quhet tradhti.
Dhe, më tej.
Prej këtij ditari ne do të mësojmë se SHBA-të dhe Bashkimi Evropian do ta përkrahin në vazhdimësi udhëheqjen e LDK-së, qoftë, madje, edhe kur, si e thoshin edhe vetë disa prej diplomatëve e zyrtarëve të tjerë të tyre, kishte rënë prestigji i saj, sepse ishin të bindura se vetëm me të mund ta arrinin atë që në atë kohë e synonin: zgjidhjen e ashtuquajtur paqësore të çështjes së Kosovës në kuadrin e Jugosllavisë së mbetur! Në këtë ditar, në një varg datash të tij, ne do të gjejmë të dhëna që na tregojnë pse dhe si sendërtohej kjo përkrahje.
Për më tepër, udhëheqjen e LDK-së faktorët ndërkombëtarë do të vazhdojnë ta përkrahin edhe mbasi do të binden se, si do ta thonë edhe vetë, në vitin 1997, politika që bënte ajo ishte politikë e pashpresë, me të cilën nuk mund të bëhet asgjë për Kosovën!
Prej këtij ditari ne do të mësojmë se paraqitja e UÇK-së, në fund të vitit 1997, e bën Perëndimin, para së gjithash i bën SHBA-të, të krijojnë qëndrim të ri ndaj Kosovës, që do të paraqitet kështu: kriza kosovare ka përmasa ndërkombëtare, prandaj edhe nuk mund të jetë më çështje e Jugosllavisë së mbetur. Ajo është çështje botërore.
Prej këtij ditari ne do të mësojmë se në verën e vitit 1998 zgjidhja dhe dështimi, fitorja dhe disfata ishin shumë afër. Është ky viti kur ambasadori Kristofer Hill harton, njëra pas tjetrës, katër projektmarrëveshje për marrëveshje midis Kosovës e Serbisë, të cilat do t‘i pranojë udhëheqja e LDK-së, por nuk i pranojnë UÇK-ja dhe LBD-ja. Në verën e këtij viti, faktorët ndërkombëtarë do ta lënë Serbinë të lirë që të bëjë çka të dojë në Kosovë dhe do ta lënë të lirë që të përshtrijë dhe të përthellojë dhunën dhe terrorin e saj me shpresë se do ta shkatërrojë UÇK-në njëherë e përgjithmonë. Në atë kohë, prej këtyre faktorëve do të bëhej trysni edhe mbi forcat politike që përkrahnin UÇK-në, të cilat, në të vërtetë, luanin rolin e krahut të saj politik. Sot mund të thuhet se po të ishin ngritur edhe këto forca kundër UÇK-së, siç kërkohej prej disa politikanëve e diplomatëve që në atë kohë do ta vizitojnë Prishtinën, ndoshta Konferenca e Rambujesë nuk do të ishte organizuar, kurse historia e Kosovës nuk do të ishte kjo që është sot.
Prej këtij ditari ne do të mësojmë se si Rusia dhe Italia do të kenë gjatë qëndrim pothuaj të njëjtë ndaj çështjes së Kosovës. Italia ishte bërë anëtare e Grupit të Kontaktit jo pse i takonte për shkak të rëndësisë që mund të kishte në politikën botërore, por për shkak se Rusia kishte ngulur këmbë që ajo të futej në atë Grup, që do të vendoste për punë të Kosovës. Shpresonte se Italia do të solidarizohej me të në Grupin e Kontaktit, çka Italia do ta bëjë gjatë, madje edhe në Konferencën e Rambujesë.
Dhe, më tej.
Prej këtij ditari ne do të mësojmë se faktorët ndërkombëtarë do të jenë kundër idesë së takimit të të gjithë liderëve politikë shqiptarë të Kosovës në Tiranë, nismën për të cilën e kishte dhënë qeveria shqiptare, sepse, siç thuhet në ditar, "i druheshin solidaritetit mbarëshqiptar".
Prej këtij ditari ne do të mësojmë si do të zhvillohen punët në Konferencën e Rambujesë dhe të Parisit, me çfarë vështirësish do të ballafaqohet ajo, çfarë roli do të luajë diplomacia shqiptare për nënshkrimin e marrëveshjes me të cilën do të përfundojë konferenca e për çështje, veprime e sjellje të tjera lidhur me të.
Prej këtij ditari ne do të mësojmë se cilat forca politike të Kosovës ishin kundër bashkëveprimit të forcave politike kosovare; cilat forca politike dhe përse ishin kundër formimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare; cilat forca politike dhe përse ishin kundër qeverisë së përkohshme të Kosovës; cilat forca politike dhe përse do ta pengojnë punën e kësaj qeverie pas formimit të saj. E të tjera.
Prej këtij ditari ne do të mësojmë edhe për qëndrime, gjykime, veprime politike e diplomatike të tjera ndaj Kosovës. Por, këtu në këtë përurim nuk mund të flitet për krejt ç‘mund të mësojmë prej këtij ditari.
Z. Paskal Milo
Përfundimi
Konflikti i Kosovës 1997-2001 është një vepër dokumentare-historike shumë e rëndësishme, e para, për të parë dhe për të kuptuar edhe prej një ane si është bërë lufta politike e diplomatike për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në çfarë vështirësish dhe me çfarë pengesash është ballafaquar ajo këtu, në Ballkan dhe në botë dhe e dyta, për të shkruar objektivisht, siç është në të vërtetë, historinë e asaj lufte, sidomos, gjatë viteve që mbulohen me shënime në këtë ditar.
As dhjetë vjet pas çlirimit të Kosovës prej pushtimit serb ne nuk mund të themi se e kemi shkruar apo se po e shkruajmë shkencërisht, objektivisht, historinë e lëvizjes për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, qoftë madje as të katër viteve vendimtare për të. Po botohen artikuj, fejtone, kujtime, tekste shkollore, po bëhen filma dokumentarë, por në shumicën e tyre shpjegimet dhe vlerësimet në masë të madhe janë të përcaktuara prej përkatësive partiake a përkatësive të tjera të ngushta të autorëve të tyre.
Ditari i sjell të dhëna dhe gjykime të mbështetura në ato të dhëna, që ndriçojnë një varg ngjarjesh, qëndrimesh, veprimesh dhe subjektesh politike në kohën e trajtuar në të. Si të dhëna të dorës së parë, si gjykime e përfundime të mbështetura në vrojtimet e një dëshmitari të rendit të parë, ato pashmangshëm do të ndikojnë shumë që lëvizja jonë të trajtohet historikisht më saktë, më drejt, më gjithanshëm se deri tani. Ato do të bëjnë që të thyhen iluzione, të mënjanohen gabime dhe, të shpresojmë, të parandalohen gjykime e vlerësime të anshme, të partishme, që vetëm sa e shfytyrojmë të vërtetën mbi lëvizjen tonë çlirimtare.
Rëndësia e këtillë e të dhënave, e vrojtimeve, e gjykimeve dhe e përfundimeve që sjell ditari, është e vetëkuptueshme. Milo është para së gjithash intelektual, i cili pas rënies së komunizmit i është kushtuar edhe politikës. Ditari i tij, prandaj, është ditar i atdhetarit, i cili vendin e vet, e vendi i tij është edhe Kosova, i cili popullin e vet, e populli i tij janë edhe kosovarët, e do jo duke krijuar iluzione me të pavërteta, po duke ia shpjeguar saktë njëmendësinë e trajtuar. Vrojtimet e tij mbi atë njëmendësi ai i paraqet ashtu siç i paraqesin, zakonisht, krijuesit e vërtetë: gjithnjë në mënyrë mbresëlënëse edhe për shkak të qartësisë e të bukurisë së gjuhës me të cilën thuhen, edhe për shkak të patosit moral që është i përmbajtur në atë gjuhë.
Nga rektori i Universitetit të Evropës Juglindore Demush Bajrami
“Këto dy libra memorialë mbartin edhe rëndësinë e ngjarjeve. Autori, historiani, politikani Paskal Milo në kohën e konflikteve të Kosovës sjell fakte, sjell ngjarjet që pati përjetuar nga afër. Ai reflekton për ngjarje ku ka qenë i pranishëm ose që i ka marrë nga burime diplomatike.”
Nga akademiku Ali Aliu
Teksti i këtij ditari kap një hark kohor 4-vjeçar 1997-2001.
Sgurisht më të rëndësishme janë ngjarjet e vitit 1999... Lexohet si një ditar romanor.
Në të lexuesi do të hasë mjaft të dhëna që nuk ka mundur t’i hasë apo t’i gjejë në mënyra të tjera.
Ky libër do të nxisë diskutime sepse në të kapen çështje. Midis tyre ato që do të veçoja:
Sgurisht më të rëndësishme janë ngjarjet e vitit 1999... Lexohet si një ditar romanor.
Në të lexuesi do të hasë mjaft të dhëna që nuk ka mundur t’i hasë apo t’i gjejë në mënyra të tjera.
Ky libër do të nxisë diskutime sepse në të kapen çështje. Midis tyre ato që do të veçoja:
- raporti Shqipëri (shteti shqiptar) – Kosovë.
- çka bërë, çka mundur të bëjë Shqipëria për Kosovën?
- Çfarë mundësish dhe hapësirash ka pasur Shqipëria në lidhje me Kosovën?
...“Ditari” do të shërbejë me siguri si një tekst ndihmës për shkencën e historisë.
Në të del i qartë presioni ndërkombëtar mbi Shqipërinë për të mbajtur duart larg nga Kosova. Një pjesë e mirë e faktorëve ndërkombëtarë e ka bërë këtë me gjuhën e Beogradit.
Del qartë se qëndrimi dhe vendimet e SHBA-së kanë ndikuar dhe ndryshuar qëndrimin e Evropës.
Presione të tilla i kemi akoma edhe sot. Mund të përmend këtu se në ceremoninë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka pasur presione që pjesëmarrja nga Shqipëria të ishte e reduktuar.
Në këtë Ditar ka shumë personazhe, shumë prej tyre i njoh personalisht edhe përtej këtij harku kohor (1997-2001).
...
Bëhet fjalë për një vepër komplekse, që do na bëjë të përsiasim dhe reflektojmë.
- çka bërë, çka mundur të bëjë Shqipëria për Kosovën?
- Çfarë mundësish dhe hapësirash ka pasur Shqipëria në lidhje me Kosovën?
...“Ditari” do të shërbejë me siguri si një tekst ndihmës për shkencën e historisë.
Në të del i qartë presioni ndërkombëtar mbi Shqipërinë për të mbajtur duart larg nga Kosova. Një pjesë e mirë e faktorëve ndërkombëtarë e ka bërë këtë me gjuhën e Beogradit.
Del qartë se qëndrimi dhe vendimet e SHBA-së kanë ndikuar dhe ndryshuar qëndrimin e Evropës.
Presione të tilla i kemi akoma edhe sot. Mund të përmend këtu se në ceremoninë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ka pasur presione që pjesëmarrja nga Shqipëria të ishte e reduktuar.
Në këtë Ditar ka shumë personazhe, shumë prej tyre i njoh personalisht edhe përtej këtij harku kohor (1997-2001).
...
Bëhet fjalë për një vepër komplekse, që do na bëjë të përsiasim dhe reflektojmë.