2011-03-09

Poezia e një njeriu të vetëm


... Poezia e Demir Gjergjit, si e çdo poeti tjetër, ka hyrë në poezinë shqipe në një kohë dhe në një hapësirë të caktuar, si pjesë e dramës njerëzore. Ajo përthyhet që nga fundi i viteve ’70, deri në ditët e sotme.

Demir Gjergji Vetëm (V)era vjen


Ajo është konsideruar gjithmonë një poezi e hapur dhe e natyrshme, me një sinqeritet të rrallë për botën e sofistikuar. Ky sinqeritet prodhon frikën e njeriut që ndodhet gjithmonë brenda katrahurës. Por kjo nuk është katrahurë e përgjithshme. Ajo është katrahura e një njeriu të vetëm. Kështu kemi hyrë qenësisht në poezinë e sotme moderne, që pranon botën e çdo njeriu. Demir Gjergjit i duhet të shtojë pjesë të një pohimi...
Poezia e Demir Gjergjit u shfaq së pari brenda mitit letrar, të krijuar nga një poezi e madhe shqipe, duke shpallur besnikërisht prejardhjen e vet. Me Demir Gjergjin jemi dhe nuk jemi brenda poezisë klasike, të organizuar, të matur dhe të rregullt. Kështu Demir Gjergji fillon ta përkthejë dhe ta transmetojë veten e tij së brendshmi, derisa gjendet në një botë pa masë dhe pa kufij, ku rrethanat personale bëhen gjithnjë e më dramatike, mes pohimit dhe mohimit. Demir Gjergji është një poet që flet gjithnjë për veten.
Poezia e tij kthehet dalëngadalë dhe qetësisht në një poezi të lojës dhe dramacitetit mes vuajtjes dhe fajit, ku nuk dihet se kush është pohimi dhe kush është mohimi. Njeriu kështu është gati të humbasë dhe të alienohet, po të mos gjejë shpëtimin. Dhe shpëtimi është dashuria, me të gjithë variacionet e veta. Që të hysh dhe të penetrosh thellë në botën njerëzore, është e nevojshme të vësh maskat. Në të kundërt, në përpjekjen e njeriut për të gjetur dashuri, të gjithë maskat bien. Ja pse i duhet poetit dashuria, për të pohuar deri në fund sinqeritetin e tij mashkullor.
Dashuria është trualli i vetëm i Demir Gjergjit, ku përputhet sinqeriteti i tij poetik me atë njerëzor. Dhe ky sinqeritet përputhet, gjithashtu, me kohën që jetojmë dhe që e zmbraps vazhdimisht artikulimin e përgjithshëm të mirëbërësisë, humanizmit, organizimit, filantropisë e të tjera e të tjera gjasa që bota ka prodhuar deri sot. Por poeti nuk ka nevojë të gjendet krahas artikulimeve të tjera. Poezia mbetet vetëm me veten, në një botë që nuk mund ta shohësh dhe nuk mund ta vësh re, po të mos çelësh dritën poetike. Kjo është vetmia e tij sublime, që nuk përmban brenda as artikulimin e drejtësisë, as artikulimin e mashtrimit, as artikulimin e të tjerëve. Ai kthehet në një qenie më vete, në qenie poetike. Mbetemi kështu brenda një universi, ku poeti endet pothuaj i pastrehë nga gjithçka dhe nga e gjithë çatia njerëzore, si shprehje e plotë e njeriut të vetmuar.
Kthehemi kështu në një botë pothuajse natyrale, ku fjala shërben si një armë për t’u mbrojtur me një mekanizëm, që bëhet gjithnjë e më i sofistikuar.
Demir Gjergji i kthehet dhe i rikthehet të vetmit fabrikim njerëzor, atij të fjalës, sa duke e respektuar, sa duke e pasuruar rregullin e gjallë metrik, që poezia shqipe vazhdon ta trashëgojë gati si një rikthim të vazhdueshëm. Në poezitë e shumta metrike dhe muzikore të vëllimit, përtërihet sa mjeshtëria e Demir Gjergjit, aq edhe mjeshtëria e poezisë popullore që e ka mëkuar. Disa prej tyre janë poezitë më të ngrohta të të gjithë vëllimit, pasi i vënë fjalët shumë pranë, gati të puqura me njëra-tjetrën...
Do të mjaftonte një poezi e vetme e Demir Gjergjit, për të shpalosur të gjithë lëndën e tij të nderur poetike.
Dashuri e thellë, që s’di të thuhet dot, krahu ballkanik, myshku i zhgënjimit, ku myken apostujt, shpirti i shkrehur në vaj, ku do të dijë zemra ta shpërthejë gjithmonë dhe, më në fund, në një skaj krahët si shandanë, ku gajaset një trëndafil i bardhë, që gjithsesi, është trëndafil i tjetërkujt (Dhuratë e kthyer)...
Në fillim Demir Gjergji ka krijuar burimin, pastaj lumin dhe pastaj ka hyrë në detin e pafund. Herë pas here si rrufe të shpejta vijnë mesazhet e SMS-ve të ditës...
Demir Gjergji kërkon të gjejë se si arrin njeriu të përbëhet prej natyrës, si del trupi i tij prej reve dhe valëve dhe ku kthehet përsëri.
Por më e rëndësishme është se çfarë marrin njerëzit nga njëri-tjetri.
Demir Gjergji ndjek rrugën e poezisë popullore shqiptare, e cila brilantet e veta i shfaq në poezinë e dashurisë. Kjo poezi është prova e vetëpranimit dhe zbulimit të vazhdueshëm të vetvetes. Dashuria jep legjitimitetin e parë të njeriut. Po a arrin njeriu të legjitimohet nëpërmjet dashurisë, kësaj force të fshehtë dhe të magjishme? Rrugëzgjidhjet dhe përpjekjet janë të shumta dhe të të gjithë jetës, derisa të shkosh deri te Shën Mëria. Ky është një stërmundim që e tejkalon dënimin e Sizifit.
Këto janë vuajtje burri. Vuajtje të një burri të vetëm dhe të askujt tjetër, të një njeriu që krijon universin e tij, ku nuk hyn dot një tjetër. Kjo vetmi i krijon poetit-njeri dhe njeriut-poet një gjendje ankthi dhe një ndarje të përtejme, deri përtej jetës, ku trupat janë si dy qirinj përpara varrit...
Në këtë vetmi të pashoqe, ku çdo gjë kthehet në thërrmijëza rëre, poetit i mbetet shoqëria e poetëve shqiptarë, shiu që po vjen, dhe përsëri, dhe përsëri aromat e mrekullueshme të gruas.
Ky është triniteti i poetit Demir Gjergji. Njeriu si një qenie mes përmbytjes dhe ujit, ku vetmia e tij bëhet më e pakapërcyeshme se katrahura dhe kaosi, poezia shqipe që ka ngritur ngrehinën e vet madhështore, të vetmen, ku strehohet poeti dhe fjala e tij dhe, sigurisht, femra. Ky trinitet sa vjen e bëhet më i hapur. Çdo hemisferë ka metamorfozën e vet të vazhdueshme. Kështu ndryshon edhe poezia që strehon brenda edhe poetin vetë, kështu pëson metamorfozë edhe stuhia e thellë, që nuk i shpreh dot zhurmat e veta, kështu pëson metamorfozë edhe trupi i gruas që shfaqet me të gjithë emrat e saj.
Në riciklimin e tij poetik, poezitë për poetët e tjerë shqiptarë si Poradeci, Fishta apo edhe Rreshpja, zënë një vend që e kapërcen mitin letrar dhe i aviten magjisë së vetë jetës. Poezia mbetet po aq riprodhuese sa edhe njeriu. Në këtë botë, ku dora mbetet gjithnjë pezull dhe shtangur mbetet fjala dhe mbajtur fryma, mund të thuhet pa frikë se njeriu gjithnjë është një njeri e gjysmë, por asnjëherë një gjysmë njeriu.
A e arrin ai kështu plotërinë e tij? Ndoshta...
Demir Gjergji në krijimtarinë poetike ka bërë edhe sprova të matematikës poetike.
Mall + mall = dashuri.
Vetmi + vetmi = miqësi.
Ndoshta kjo është përgjigjja më e madhe për vetminë njerëzore.
Është një botë, ku detet u fshihen lumenjve. Është një botë, ku gjithnjë kapërcehen edhe limitet e metaforave, ku fjala përplaset me veten, e gërryen ose e ha.
Rregulli i shenjave kapet nga miti, që shndërrohet në një domethënie të zbrazët dhe të përdorshme, si në një treg të vazhdueshëm. Poezia nuk e pranon një treg të tillë, të hapur natë e ditë, si në një rrugë turistike, ku shpresojmë të na hyjnë për të blerë.
Kush të dojë, le të hyjë në poezinë e Demir Gjergjit, kjo është bukuria e shfaqjes së tij në letërsinë shqipe. Ai nuk imponon. Ai është i pranishëm. Ai është njeriu i zakonshëm, që pothuaj nuk vihet re dhe pikërisht për këtë krijon shtegun e tij, pa të cilin ne nuk do të ishim këta që jemi.
Është e vërtetë që edhe ne kemi mitin letrar, si një formë që mbushet gjithnjë me mendim dhe që merr prej konceptit të letërsisë një domethënie të re. Demir Gjergji e mbush poezinë me elemente të natyrës, pasi edhe njeriu vetë është natyrë. Dhe si bir i natyrës, është lindur nga të tjerë dhe do të lindë të tjerë, në një përplasje pa cak.
Ashtu si njeriu edhe çdo gjë tjetër merr një kualitet gati natyror. Dhe si kualitet natyror, ai ndryshon vazhdimisht, kësaj here me poezinë e Demir Gjergjit. Poezia bashkëkohore është pranuar si një sistem regresiv, që ndahet nga gjithçka tjetër, duke konkurruar vetëm me domethënien e vetë jetës dhe jo me modelet e saj...
Në poezinë e Demir Gjergjit, nuk mbetesh dot fare dhe fare vetëm.
Kjo është një meritë e vetmisë së tij dhe e vetmisë sonë si besimtarë të poezisë.

Natasha Lako

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...