Kujt t’i besojnga Faslli Haliti Poezi të zgjedhura Shtëpia Botuese: Toena Numri i faqeve: 248 Çmimi: 600 lekë |
Faslli Haliti është një poet që nuk ndikohet drejtpërdrejt nga tradita popullore, madje synon drejt lirikës moderne të mendimit në dukje të ftohtë që fsheh zjarrin në brendësi...
Faslli Haliti është një poet që e ka shfaqur veten me një individualitet të spikatur që në librin e parë. Detajet befasuese në poezinë e tij nuk u ngjanin detajeve në poezinë e krijuesve të tjerë,kishin një aromë dhe një vlagë të caktuar,figuracioni i tij ishte i freskët, jo i koduar sipas traditës së re të krijuar në vitet ‘60.Figuracioni i tij është i freskët dhe jetësor, pikon lëng jete.
Poeti i ri sjell përshtypje nga realiteti që njeh, është konciz dhe befasues, konkret dhe me një perceptim prej piktori, një poet realist,po që më tepër mund të përkufizohej i realizmit kritik. Ai ka që tani një figurë të tijën, sinestezinë. Përmes kësaj figure do të shkrijë poezinë me pikturën: Si e çarë shalqiri/ vetëtima/ vetëtin.Më vonë ai e thelloi realizmin dhe përmasën sociale të poezisë së tij aq sa “kapërceu vijat e bardha„ dhe ra në të ashtuquajturën “nxirje të realitetit”,mëkat mortor për një poet të realizmit socialist, provë trimërie për një poet në kuptimin e plotë të fjalës. Dëshmi për këtë ishte poema Dielli dhe rrëkerat, një poemë ku e bardha ish e bardhë dhe e zeza e zezë, larg dritës së trëndafiltë të idealizimit karakteristik të realizmit socialist, një poemë sociale dhe kritike.
Një poezi tepër origjinale dhe sfiduese ishte Njeriu me kobure që portretizonte me detaje konkrete dhe me forcë shprehëse një karakter tipik të diktaturës. Pastaj do të priste për pesëmbëdhjetë vjet për të shfaqur sërish me një vëllim Mesazhe fushe, do të botonte gjithashtu dhe dy vëllime për fëmijë, por lulëzimin e vërtetë poeti do ta njihte pas viteve ‘90.Pas vitit ‘90 poeti Faslli Haliti përjetoi një shpërthim të vërtetë krijues: nxori në dritë 24 vëllime, nga të cilët 14 vëllime me poezi dhe 2 me poezi për fëmijë; 10 vëllime me përkthime dhe dy vëllime si bashkautor. Të gjitha këto zbulojnë një aspekt të ri të individualitetit të tij krijues Ai është në radhë të parë një poet i njëmendtë dhe kjo ka rëndësi. Poezia e tij është një poezi e paradokseve dhe aforizmave, një poezi mendimi, po ku nuk mungon ndjenja (mund të thuhet se i ngjan barit që mbin në mes të gurëve), një poezi e figuracionit befasues dhe konkretësisë së detajeve, një poezi e pikëzuar nga gjetjet që të befasojnë, po s’janë qëllim në vetvete,përçojnë mesazh.
Që në fillimet e tij ai ka qenë një poet realist që e ka thelluar gjithnjë realizmin e vet. Poezia e tij, ndonëse paradoksalisht e kanë quajtur të errët, është e qartë, po jo e thjeshtë dhe aq më pak e thjeshtëzuar.Poezia e tij ka pasur gjithnjë një përmasë sociale, ka qenë antenë që kapte vibracionet e kohës së vet.Në vitet ‘90 dhe në vitet e para të shekullit të ri poeti e ka mprehur tehun social të poezisë së vet dhe është futur thellë në zonën e poezisë me problematikë ekzistenciale që ka në qendër binomin e dashur për shumë poetë Dashuri - Vdekje që shihet nga poeti përmes një optike origjinale. Dashurinë poeti e koncepton si forcë jetësore, si një mishërim të bukurisë së jetës, kurse ndaj vdekjes mban një qëndrim ambivalent, madje polivalent.
Vdekja për të është herë kundërshtare, herë poli i kundërt i jetës, herë liman prehjeje. Poezia e vëllimit të fundit, Kaq, të Faslli Halitit është poezi realiste, poezi e një realiteti dramatik, po jo poezi nihilizmi a pesimizmi të skajshëm. Përveç “ikjes„ në botën e poetit ka dhe “kthim„ dhe përtëritje. Forma e vëllimit i përshtatet mesazhit të tij. Poeti parapëlqen një varg të thyer, të cilit nuk i mungon ritmi, një varg plot hove, vrulle, zig-zage, ngjitje-rënie, një varg që ecën, ngjitet, zbret kështu me mendimin. Poezia e Faslli Halitit është një poezi bashkëkohore ku poeti zbulon lakuriq plagët e realitetit të sotëm dhe kërkon shërim për to. Ai nuk ndruhet së qeni një poet “i angazhuar”, jo ndaj një partie, po ndaj problemeve bashkëkohore që i gjykon me rreptësi prej njeriu dhe prej poeti.
Një temë e parapëlqyer e poetit është ajo e dyfaqësisë, hipokrizisë. Ai stigmatizon me kamxhikun e poezisë mikun e pabesë,njeriun që ka dy masa morali,kameleonët politikë. Ironia është tretur në poezinë e tij. Faslli Haliti s’është vetëm poet me prirje sociale, është njëkohësisht një poet mendimtar që i bën vetes pyetjet e përjetshme të njerëzimit për jetën, për vdekjen, për dashurinë. Ai lidh në një formë të veçantë dy temat e kundërta, po që çuditërisht formojnë një binom te shumë poetë. Poetin vitet dhe një sëmundje e rëndë e kanë afruar me armiken e pavdekshme, vdekjen. Ai e sheh në sy me kthjelltësi, nuk shfren në mallkime kundër saj, as e minimizon si dekadent.
Lirika erotike e Faslli Halitit është një lirikë impresioniste, po plot freski, moderne, po me një nënshtresë filozofie popullore. Në poezinë Liceistes, përmes kontrastesh dhe me një humor të dhimbshëm pasqyrohet dukuria e dashurisë pa përgjigje. Në poezinë Besniku tema e dashurisë trajtohet në mënyrë origjinale me personazhin e kafshës, qenit që antropomorfizohet dhe duket se e kupton dashurinë. Tema e vazhdimësisë së brezave, që mishërohet te nipat a mbesat, jeton përmes lirikash të shkurtra, koncize, të ndërtuara mbi një gjetje kuptimplote. Në poezinë me humor, po që fsheh ndjenjën pas humorit Askush s’më bindet heroi lirik pranon me gëzim “sundimin,, e nipërve, pikërisht dhe çuditërisht ai, “rebeli i përhershëm,,. Faslli Haliti jep më të mirën e individualitetit të vet pikërisht përmes lirikash të shkurtra që ngjajnë herë si fabula, herë si apologë filozofikë. Sa kuptimplote është, bie fjala, poezia Tufa e zogjve që ngjan si fabul dhe shpreh në mënyrë të gjallë përmes qeniesh të antropomorfizuara dukurinë negative të mosmirënjohjes, që merr fytyrën e kafshës, siç thotë Shekspiri. Tema e mallit, e mungesës është një temë e re që ka zënë vend në krijimtarinë e poetit.
Në një mënyrë origjinale zbulohet kjo temë në poezinë Braktisja ku drama individuale e poetit, i cili s’gjen më miqtë e dikurshëm, që ia ka rrëmbyer vdekja apo emigracioni, ndërthuret me dramën e përgjithshme të “braktisjes” jo të një fshati, po të atdheut, me dukurinë dramatike të emigracionit. Poezia shtjellohet përmes pyetjesh retorike dhe eksklamacionesh që i japin një ritëm dinamik, një dinamikë zbulimesh të dhimbshme.
Tepër i goditur është detaji që mbyll poezinë, ai përqafim i heshtur me pemët, kumbullën, plepin, shelgun, qershinë në lulëzim që zëvendësojnë njerëzit, miqtë që mungojnë. Kemi të bëjmë me një ndjenjë e gjest krejtësisht njerëzor, aspak hipokondrik. Faslli Haliti është poet social, po aq sa filozof. Ai nuk ndruhet nga poezia e qartësisë në një kohë kur parapëlqehet poezia e errët.
Poezia e tij shpreh mundësitë e pakufishme që ka akoma realizmi. Është, si thamë një poet i paradoksit, por paradoksi tek ai pasqyron dialektikën e jetës. Faslli Haliti është një poet që nuk ndikohet drejtpërdrejt nga tradita popullore, madje synon drejt lirikës moderne të mendimit, në dukje të ftohtë, që fsheh zjarrin në brendësi, megjithatë ai ka thithur filozofinë e shëndetshme të popullit dhe si i tillë ai di të jetojë në kuptimin e plotë të fjalës, di të dashurojë me dinjitet dhe di të presë vdekjen me atë sfidë të zakonshme të poetëve që duan jetën, po edhe me stoicizëm. Faslli Haliti ka lëvruar me sukses poezinë e shkurtër, por ai ka lëvruar edhe poemën, sidomos, llojin e vështirë dhe të rrallë të poemës filozofike.
Në poemën “Thellësi” poeti trajton luftën e përjetshme midis sociales dhe individuales, midis pjesës dhe së tërës, universales. poeti i pranon të dyja; socialen dhe individualen, pjesën dhe të tërën, por mbështet universalen të tërën: Poeti e do të mirën për shumicën e njerëzve, po megjithatë s’është për uniformitet, por për një shprehje të lirë të individualitetit, për një lulëzim të individualitetit njerëzor.
Poema “Çartje” është një udhëtim nëpër veset dhe virtytet e njeriut, një udhëtim nëpër zonat e ndritura dhe të errëta të tij, duke stigmatizuar në shtegtim e sipër veset e duke goditur të metat, por edhe duke u entuziazmuar për cilësitë e tij njerëzore. Poema Xhelozi qiellore” ka një subjekt të pazakonshëm: toka humb gravitetin dhe i ikën gjithçka në qiej, në kozmos; njerëzit, sendet, gjallesat. Atje ato bëhen të përjetshme, perëndira. Po kur në qiell, në kozmos, shkon edhe Djalli, Satanai, qielli ndotet, atëherë Perëndia zbret që të mbretërojë në tokën e pastruar, tashmë, nga djalli. Përmes këtij subjekti fantastik poeti shpreh besimin në një të ardhme kur do të triumfojë e do të mbretërojë e mira. Te poema “Mbrapsht” vihet re një përbuzje e dukurive dhe mbrapshtive. Ajo pasqyron një katrahurë, një kaos. Përmes kësaj gjetjeje gjithashtu origjinale poeti shpreh dëshpërimin e vet për mbrapshtinë e gjërave në shoqërinë shqiptare të kohës.
Faslli Haliti është, pra, një poet që e ka gjetur rrugën e vet dhe prapë si e thotë vetë në një poezi “ecën„. Lumi ecën, por edhe përtërihet. Lumi i poezisë së tij ka një zë të veçantë të valëve kur derdhet në detin e poezisë shqiptare.
KLARA KODRA