2011-03-09

Heronjtë e Pambrojtur te Diana Çulit


“Engjëjt e armatosur” të Diana Çulit nuk janë abstraktë, ata lindën realisht nga një histori e vërtetë e ardhur prej dëshmisë së vetë personazheve, nga ku të gjithë duket se kanë një peshë të barabartë në të gjithë linjën e romanit.

 

Engjëj të armatosur

Diana Çuli

Roman

Shtëpia Botuese: Besa

Numri i faqeve: 240

Çmimi: 690 lekë


Një gjetje krejt unike, mënyra se si autorja ka zgjedhur ta transmetojë veprën e saj përmes rrëfimeve të tyre me copëza të jetuara nga një kohë lufte, prej së cilës mbërrin një ditar që dëshmon fort, edhe sot. Një ndërtim i pandeshur më parë krijon një konstrukt krejt origjinal përmes heronjve realë, që duket sikur thërrasin me zë të lartë… Pas një prologu racional që të zhyt në një labirinth ankthi dhe padurimi për t’i shkuar menjëherë në fund, protagonistët, krejt natyrshëm, shfaqen me radhë me të gjitha fytyrat e dhembjes dhe vuajtjes njerëzore, me të gjitha dilemat dhe pasiguritë e vazhdimësisë… Jetojnë në kohë lufte dhe gjithë bota duket sikur sillet rreth dëshirës për t’u çliruar jo vetëm prej saj, por edhe prej pengjeve shpesh të vetëngritura në pavetëdijen e tyre, si në një luftë për ekzistencë.

E tillë ndjesi të krijohet ngadalë, edhe kur personazhet të çudisin me lëvizjet shpesh të pamotivuara drejt vetëmohimit dhe sakrificës. Dy janë protagonistët kryesorë: Dorothe Gjika dhe Aleks Lazari, por e gjithë historia e tyre rrëfehet nga të tjerë personazhe, që shfaqen e zhduken si në funksion të një misioni. E gjithë kjo krijon një ndërthurje të veçantë mes stilit, mënyrës së rrëfimit, kompozicionit dhe forcës së mesazhit, të përcjellë prej secilit syresh. Kështu, nis udha e një fabule jete të shkëputur diku në një copëz realiteti të hidhur e të ftohtë në një fshat të Himarës. Një udhë e nisur nga një vendim i qëllimshëm i “komandës” së ushtrisë nacionalçlirimtare shqiptare, një nga ato vendime që nuk diskutohen: “se për ta është mirë të mos mendohet, por vetëm të zbatohet…”.

Të tillë ndjesi ka Demir Hasani, i pari që e përcjell “duke e mbytur ndjenjën e triumfit në të njëjtën sekondë kur lind”. Të duket sikur ke përballë një personazh të gjallë që friket prej vetë mendimeve të tij, i mbetur mes vetëdijes dhe pavetëdijes, krejt kundër arsyes, pa mundur të krijojë një qëndrim të vetin përkatës... Qysh këtu nis përqasja e një zbërthimi psikologjik te personazhet. Autorja nuk ndalet thjesht të përshkruajë një gjendje të zakonshme njeriu, por të eksplorojë në zanafillën e kësaj gjendjeje, duke tentuar të kalojë në të gjitha metamorfozat e dukshme dhe të padukshme të qenies njerëzore: “Askush nuk duhet ta njollosë moralin e ushtrisë nacional-çlirimtare. Askush nuk mund të dalë kundër rregullave dhe disiplinës së saj”. Janë, pikërisht, të tilla mekanizma që personazhet i përdorin si armë për t’u mbrojtur prej ndërgjegjes, asaj që bluhet çuditshëm te heronjtë e Çulit. Teksa ankthi i tyre rritet, egoja sfilitëse orvatet të mbrojë vetveten. Të gjithë elementët e këtyre mekanizmave janë përdorur për të ndërtuar portrete reale të qenësishme, si një nevojë për t’i ikur atij kërcënimitë brendshëm. Ata mohojnë pa mundur të pranojnë në subkoshiencë përvojat dhe përjetimet e tyre kontradiktore.

Është një mbrojtje primitive, e rrezikshme në fakt, që autorja nuk duket se e ka pasur aspak qëllim, por në mënyrë krejt të natyrshme ka hyrë kaq thellë skutave të tyre të errëta sa nuk lë t’i shpëtojë asnjë burim instinkti njerëzor. Ndeshet kjo në vetë përjetimet e tyre teksa përballen me: ndrydhjen, asketizmin, izolimin, zhvendosjen, kthimin kundër vetes, projeksionin, asgjësimin, regresionin dhe sublimimin. Të gjitha këto në emër të luftës. Dhe në emër të luftës ngrihene rrëzohen me radhë heronjtë e kësaj vepre. Por një orbitë e tërë ngjarjesh sillet rreth dy personazheve-viktima, jo aq të luftës, sesa të pjellës së mendjes njerëzore. Dorothea, heroina e mitizuar e maleve të Malasit është qendra e vëmendjes e të gjithë batalionit. Ajo është e fejuara e Leon Nastës, një njeriu tepër të fuqishëm, por me një identitet të sajin tashmë, që nuk friket t’i fshehë ndjenjat e dashurisë për Aleks Lazarin, komandantin trim me të cilin ajo ishte rritur luftërave. Një model i spikatur i asaj kohe, një vajzë e shkolluar, e re, e bukur dhe e pathyeshme në udhën e saj të luftës. Çfarë ndodh me një personazh që gjithnjë e ka sfiduar jetën siç ka dashur, pavarësisht kohës dhe rrethanave? Kjo sfidë mbetet një pasthirrmë e mbytur në pamundësinë e saj drejt idealit të lirisë. Në këtë frymë, ajo si shumë të tjerë është produkt i qenësishëm i një kohe dhe realiteti që shtyp çdo lloj force drejt kundërvënies së disa normave, qofshin këto edhe irracionale. Në mal, askush nuk duhej të mundej nga pasionet, emocionet e forta, ndjesitë e vërteta për të cilat njeriu ka nevojë… (pasi me kohë ishte hedhur teza se: “Partizanët nuk kanë dalë në mal për të luftuar pushtuesin, por për të bërë dashuri”).

Kështu, nuk do të kurseheshin aspak të rinjtë, as ata që formuan çetën e Bregut dhe mblodhën partizanë trima rreth vetes, duke u bërë tejet të besueshëm në sytë e gjithsecilit. Nuk i kursejnë shokët, edhe pse bashkë kanë luftuar e ndarë çaste të amshueshme mes jetës dhe vdekjes. Ata, pra, vetë miqtë e tyre, i kryqëzojnë për t’i flijuar në emër të një morali: “Zot, unë nuk kuptoj se si një qenie që Ti ke sjellë në botë me frymën Tënde t’i bëjë keq një tjetre”, - thotë mendueshëm murgesha Mari Terezë me një zë të brendshëm që lëngon për gjithë çfarë ngjizej marrëzishëm asaj kohe. Të tillë marrëzi e kultivon vetë i pari Mark Zaharia, i cili “kishte kuptuar marrosjen” e dy të rinjve; Dorothe Gjikës dhe Aleks Lazarit: “Fama e komandant Aleksit i kishte kaluar kufijtë e normales dhe kjo kishte filluar të bezdiste edhe shefat e mëdhenj… E kishte parë se edhe Dorothea, nga një vajzë e zakonshme fshati po kapërcente ylberin dhe në vend të shndërrohej në djalë po shndërrohej në një yll të ngjashëm me Afërditën, gjë që jo gjithmonë shkaktonte simpati e admirim”. Engjëjt e dashuruar të Malasit ishin të paarmatosur në fakt. Të mbërthyer nën armët e luftës ata nuk kishin kohë të kujtoheshin për veten dhe për atë çfarë po ndodhte qorrazi rrotull tyre. Të zhveshur prej realitetit, ata shfaqen si dy heronj që nuk dinë të mbrohen prej vetes, apo hamendësimeve që u ngriheshin çdo ditë nga pak kundër, në pabesi... Ata nuk dinë të friken dhe as të dyshojnë në betejat që i shpallin vetë njerëzit, shokët e tyre, të cilët pashpjegueshmërisht ngrenë kurthe për ta. Ja pse asnjëherë nuk mundën ta ëndërrojnë çastin e pasluftës. Ndërkohë që personazhe të tjerë, si Niqifori, kalonin nëpërmjet vetes prej tutës dhe pasigurisë…: “ai trembej prej parashikimeve të veta dhe ngjashmërive mes ngjarjeve e sjelljeve të të tjerëve, edhe nëse kohët ishin të ndryshme”.

Të tillë frikë duket se e ndiejnë të gjithë, përveç tyre. Edhe Elena, nëna dhe gruaja e përvuajtur, e cila herë pas here nuk di ta fshehë parandjenjën e keqe për bijën e saj Dorothean, ndihet shpeshherë në faj për të tilla shtysa: “Perëndia po e ndëshkonte me tmerrin e vdekjes. Kishte mëkatuar kur kishte mallkuar Dorothean, mishin e mishit të saj dhe gjakun e gjakut të saj”. I tillë supersticion e ndjek rishtazi këtë rrëfim, por të gjitha ngjarjet në njëfarë mënyre krijojnë një harmoni të pashkëputshme në tërë romanin. Kështu sillen të gjithë personazhet te të cilët mbeten të paktat kujtime të bukura, teksa presin ankthshëm asgjënë. Nuk mungojnë në këtë copëz jete të përshkuar turravrap as udha e togerit të huaj apo e murgeshës zemërbutë Mari Terezë, të cilët krijojnë efekte të jashtëzakonshme me qëndrimet e tyre, jo vetëm nga gjetja e personazheve tejet funksionale në roman, por edhe nga forca e madhe e mendimit të tyre ndaj gjërave që ndodhin në një copëz realiteti shqiptar. Por përkrah tyre krejt të shpërfytyruar ndërhyjnë personazhe të tjetërsuar si Agimja, Luiza, Demir Hasani, apo të tjerë… Ndërsa si një kundërvënie motivuese ndërthuret bukur figura e Leon Nastës, të fejuarit të Dorotheas, që me gjithë brengën e madhe të turpit, shkaktuar nga historia e saj me Aleksin, ai vrapon për ta shpëtuar atë: Le të mos bëhej kurrë e tij, mjaft që ajo të jetonte. Monologët e tij tepër njerëzore janë përjetime krejt të kundërta nga ato të shokëve të tij egoistë, atyre që në interes kryesor kthejnë vetveten dhe jo luftën siç pretendojnë.

Ndërsa dy viktimat rendin qorrazi duke i drejtuar lëvizjet e brendshme si parime të vetë shpirtit. Ndërsa jashtë tyre shpirtrat e shokëve tjetërsohen. Duket si një çarje e krijuar papritmas në mendjen e tyre, dhe qëndrimet vazhdojnë të veprojnë si pengesa për ta edhe kur heronjtë e paarmatosur janë lidhur para tyre për t’u ndëshkuar me vdekje: “Ti je e pagabueshme apo jo Luizë? Të kanë zgjedhur mirë në përbërje të trupit gjykues. Para teje të gjithë e ndiejnë veten mëkatarë. Por ndoshta përsosmëria jote është mëkati yt”.

Kështu fillojnë të rrëzohen urat e njeriut të shëndetshëm, si drejt një çmendurie të vetëdijshme, të vetëkërkuar për të rrëzuar një përkohësi, për të zhdukur një gjurmë kërcënuese… në emër të luftës, e cila sipas tyre nuk fitohet pa rregulla dhe disiplinë. E gjitha duket si një kurth i përgatitur me shumë kujdes, edhe largimi i Leon Nastës pikërisht ato ditë, edhe transferimi i Nestor Gjikës. Por atyre duket se kërkon t’u kundërvihet edhe vetë fati; gjithë fshati ishte shpërngulur prej kërcënimit të gjermanëve ato ditë. Ndërsa ata, partizanët, shokët e tyre nuk i shqetësonte aq shumë lufta që ndizej matanë tyre, sa frika se mos dy heronjtë e malit do t’i shpëtonin gjykimit: “Lufta nuk ishte një periudhë normale, ku njerëzit të silleshin si në kohë normale”, - ndërhyn diku autorja.

Mos ndoshta këtu nis të tirret edhe përpjekja për të shpjeguar gjithë dalldinë e njeriut në raste të tilla? Asgjë nuk e ndal këtë dalldi, as kur ata i sjellin si dy njerëz të shpërfytyruar, të drobitur dhe të rrënuar, të rënë nga shkëlqimi dhe rinia tashmë; asgjë nuk i ndal, as vetë klithma e komandantit të rrënuar shpirtërisht: “të gjithë mund të më tradhtojnë dhe zhbëjnë, por jo ju!”. Por, “shpirti njerëzor është i pakuptueshëm…”, - shprehet diku toger Lisenti, teksa i shkruan të dashurës së tij, për t’i treguar se çfarë sheh në këtë cep të botës ku shqiptarin e ka zhbërë lufta…

Kështu fiket edhe historia e tyre e bujshme, edhe pse vite me radhë vijon të përcillet gojëdhënave si një legjendë e një kohe të frikshme. Por, “njerëzit zakonisht e kanë kujtesën të shkurtër. Pas pak kohe ata i harrojnë të zezat që u kanë parë sytë ose i vendosin në nënshtresa të ndërgjegjes…”, - ndërhyn qëllimshëm autorja si për të dashur të justifikojë dalldinë e personazheve të saj.

Tepër tronditëse deklarata e Niqiforit, njeriut të mirë të fisit të Gjikajve: “Unë xhaxhai i saj e kam rritur dhe i kam mësuar shumë gjëra, por nuk e mësova dot se si të mbrohej nga burrat”, - duket sikur përpiqet ta kërkojë fajin brenda vetes. Dhe fundi është pranë, të mbijetuarit gjejnë shtigje për të ripërtërirë qelizat e infektuara prej sëmundjes së luftës dhe për të përmbushur qëllimet e tyre, por harrojnë se mallkimi i një nëne arrin t’i prekë pikërisht në një ditë kur kujtesa e tyre ka rënë në paqe. Njeriu është gjithnjë një qenie e paarmatosur dhe që kërkon të mbrohet, por engjëjt e Dianës i kishin flakur vetë armët, si një nevojë për t’u ndier të shpëtuar…

MIRELA SULA

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...