2011-03-26

Intervistë me shkrimtarin dhe studiuesin Behar Gjoka


nga BLERINA GOCE

Deri tani ka botuar tekste letrare, vëllimin me tregime “Udhëkryq”, romanet “Shitësi i gurëve të varrit”, “Orët e Ringjalljes” (në Shqipëri dhe Kosovë) dhe “Mashtrim i bukur”. Në lëmin e studimeve: “Poetika e Budit”, “Proza e Kutelit”, “Trebeshina-ajsbergu i letrave shqipe” (në Shqipëri dhe Maqedoni, “Sistemi Letrar Piramidal” (Kosovë), “Kadare i Rilexuar”, “Kuteli dhe Letrarja”, “Martin Camaj-shkrimtarja e tij”, si dhe “Shkrimtari i të dy anëve të kufirit” (Kosovë).

          Shkrimtari Behar Gjoka

Çdo të thotë për ju të merreni me studimin e letërsisë? Në çnivel i gjykoni studimet e sotme letrare?

Letrarja, pra vetëm tekstet që bartin vlera dhe jo gjithçka që shkruhet, sipas idesë time, ka tre momente, thelbësore të ekzistimit të vetë, shkrimin e tekstit, leximin për kënaqësi, si dhe studimin e thelluar, tashmë si një qasje më e thellë, me lartsynimin për të depërtuar në hapësirat e tekstit dhe të formësimit letrar, të shtresëzimeve dhe rrafsheve të pranishëm. Në këtë kuptim, marrja me studimet letrare është kënaqësi e parrëfyeshme, por njëherit është edhe detyrim për të prekur dhe zbuluar vazhdueshëm shenjat letrare, të përzëna dhe të pavëna re, në pjesën dërrmuese të shekullit të kaluar, por edhe në këtë fillim të shekullit të ri. Në letrat shqipe, gjithëkohore dhe gjithëhapësinore, kemi letërsi në dritë dhe letërsi në hije, të cilat më në fund duhen parë në dhënie-marrje të pashkëputshme. Të shkruash letërsi, pra poezi ose prozë, kërkon disa rrethana të caktuara, që lidhen ngushtësisht me frymëzimin, pra me atë gjendjen e pezullisë së pavetëdijshme, ndërsa studimet edhe mundet të organizohen, si një situatë që kërkon një kohë më të gjatë dhe sistematike, por që në të gjitha rastet, qasja ndaj letrares, do të vijë vetëm me mjete shkencore, por përngjiturazi me të edhe si një shtjellim letrar, sipas çdo autori dhe teksti të caktuar. Ndërsa të japësh një mendim për studimet e sotme është si ti hysh detit në këmbë, sepse formalisht mund të thuhet se është rritur numri i akademikëve, profesorëve dhe doktorëve, madje në një progresion gjeometrik të frikshëm, saqë me këtë ritëm gradimi rrezikon tia kalojmë edhe kontinentit evropian, porse njëkohshëm është pakësuar numri i teksteve shqyrtues dhe shkencor. Po ashtu, studimet letrare zyrtare, pra të QSA, Akademisë dhe të fakulteteve të ndryshme, sa vjen dhe po shpalosin një tipologji të studimeve me parathënie, një praktikë që e kemi parë në paraqitjen e disa autorëve jo pak të njohur. Pra, vështirë të flitet për studime të sotme, sepse edhe në këtë kohë, profesorët e djeshëm dhe të sotëm, kanë hallin që të nxjerrin të larë realizmin socialist, e sidomos të shpëtojnë nderin e humbur të korifenjve të tij. Studimet letrare kanë dy pamje, ato zyrtare që përfaqësohet më së shumti nga titujt dhe detyrat shtetërore dhe akademike, e cila të kujton edhe figurën e prozës popullore, tre pëllëmbë shtat e shtatë pëllëmbë mjekër, që në fakt bart edhe fjalën e pushtetit politik, akademik dhe mediatik, si dhe një situatë të teksteve të caktuara, që kanë në dorë vetëm pushtetin e fjalës si lexim dhe rilexim, si verifikim dhe shqyrtimi i përplotësuar i teksteve dhe natyrave të ndryshme, madje është krijuar situata absurde që vetëm pse je titullar i QSA ose shef i një katedre, automatikisht ke në dorë gjithë dijen përmbi letërsinë, botimet dhe vlerësimet, ndarjet dhe marrjen e çmimeve, organizimin e konferencave dhe të gjithë veprimtarive në fushën e studimeve letrare, si dhe pse jo ndalim të të tjerëve për ta thënë mendimin e tyre, sidomos në rastet kur nuk venë pas berihajt të tyre.

Një formë “gjykimi letrar” janë edhe çmimet që jepen për letërsinë. Ju vetë keni qenë pjesëmarrës në këto konkurse (për shembull konkursi i organizuar nga Ministria e Kulturës). Mendoni se këto konkurse organizohen dhe vijnë në formën e duhur?

Përgjigje: Sa vjen dhe po lulëzon letërsia e çmimeve letrare, madje në çastin që po flasim, po të nisemi nga ndarjet e çmimeve me shumicë dhe pa asnjë doganë, duket sikur jemi qendra e botës në lëmin e shkrimit letrar, që më tepër hyn nën vellon e shkarrashkrimit, aq sa menjëherë të shkon mendja tek libri Letërsia në rrezik, i studiuesit T. Todorov. Puna është se kësaj periudhe, gjithnjë nisur nga çmimet e shumta, janë shtuar gjenitë që marrin çmime pafund, në çdo skaj të Shqipërisë etnike dhe madje edhe në diasporë, por njëherit sa vjen dhe rrallohen shenjat e pranishme letrare, sidomos në titujt e përcaktuar si fitues. Letërsia, në përgjithësi nuk është vetëm tek çmimet, por realisht shumë më përtej tyre, sepse kjo puna e çmimeve e ka bërë letërsinë një zeje pupuliste, që të jesh në faqe të parë, në lajmin e parë, në çdo ditë të javës, dhe prandaj sa vjen dhe letërsia gjallon të jetë e rrethuar nga një mori rreziqesh dhe gërryerjes së vetvetes, pa grimën e mëshirës. Unë personalisht, prej një rrethane rastësore, kam marrë pjesë në konkursin e MTKRTS, në vitin 2003 me librin e parë studimor Poetika e Budit, atëherë kur ishte konkurrim i hapur. Pas vitit 2005 konkursi kombëtar, përpos ndryshimesh të tjera absurde, nuk realizon më konkurrim nominal, pra me dëshirën e autorit, por rregullorja absurde dhe e plasaritur, bën njëfarë përzgjedhje, sipas kriteresh klanore dhe miqësore, partiake dhe krahinore dhe vetëm sa emëron fituesit e radhës. Qysh asokohe, disa herë me radhë, në shtypin e shkruar dhe viziv, kam deklaruar refuzimin tim për të marrë pjesë në një konkurrim fiktiv dhe mbi të gjitha që cenon në thelb të drejtën e autorit. Përpos të tjerash ky konkurrim formal buron edhe prej faktit se në këtë kohë si titullarë të dikasterit të kulturës kanë qenë njerëz që nuk kanë lidhje me artin dhe kulturën, së paku po të nisesh nga profesionet e tyre, si llogaritar, doganier, sociolog dhe mekanik etj. Jo se kam ndonjë gjë me këto profesione, porse kultura është shumë e prekshme për një njeri që ka lidhje për kulturën. Andaj, më çduket erdhi edhe rrëmbimi i shtëpisë së shkrimtarëve dhe artistëve, andaj punët e kulturës dhe të librit tashmë kanë rënë në duart e hienave të kulturës, që parësor kanë menaxhimin e fondeve dhe jo zhvillimin e vërtetë të kulturës dhe të librit në veçanti, e mbi të gjitha bëjnë plojë mbi artin e fjalës, si sundimtar të shpifur. Mendoj se MTKRS duhet të lirohet prej kësaj barre të panevojshme, nëse nuk do ta bëjë më si një veprimtari fiktive, së paku të organizojë konkurrim serioz dhe normal, ta shkëpus veten nga juritë totalisht të varur, madje të një grupimi të caktuar të filologjikut, që ose marrin çmimet, ose janë vetë juria e konkursit. Në këtë formë që është konkursi kombëtar i letërsisë, por edhe konkurrime të hallkave të tjera që merren me librin, kanë dështuar në të gjithë treguesit e vetë, pavarësisht propagandës së dalë boje që bëhet poshtë-e-lartë.

Mendoni se letërsia në hulli me zhvillimet e tjera artistike ose jo, ka përparuar vitet e fundit? Si e shihni letërsinë që krijohet nga autorët e rinj?

Përgjigje: Letërsia nuk ndjekë hullinë e ndryshimeve ekonomike, sociale dhe politike, porse në njëfarë mënyre i reflekton ato, e megjithatë ndryshimet e thella, në fakt nuk sollën atë çfarë u shpresua, sepse me gjithë rrekjet sizifiane për të ndryshuar dhe realizuar një letërsi tjetër, kinse të tjetërfarshme, më së shumti jemi në një reminishencë të çuditshme, ku shkrimtarët e demokracisë, nëse mund ti emërtojmë kështu, në fakt e kanë nisur lëvrimin letrar, si dhe po zhvillohen në hijen e korifenjve të realizmit socialist. Më tepër mundet të flitet për një përpjekje për të përvijuar një realizëm social-demokratik, pra jemi ende në një pikturim grotesk të kundërvënies ideologjike dhe sociologjike, e ku ndryshimi midis modeleve është pothuajse i papërfillshëm. Nëse ka një prurje që do të duhet hipotekuar në panteonin e letrave shqipe, është rikthimi në hapësirat e letrares të veprës letrare të Camajt, Pipës, Trebeshinës, Xhaferrit, Pashkut, si dhe i shumë penave të tjera të munguar për shumë kohë në hartografinë letrare. Hëm, vetë ndarja e shkrimtarëve në të rinj apo të një moshe tjetër, riafirmon faktin se nuk kemi dalë nga tuneli i ndarjeve absurde, që e kanë zanafillën tek parimi i luftës së klasave, që i pati shtrirë metastazat e veta edhe brenda qenies. Megjithatë, hapësirat e lirisë në art nuk mbyllen as në diktaturë, e jo më në demokraci, porse mëtuesit e rinj do të duhet të shprangosen nga e djeshmja, jo shumë e largët, të mos rreken të vijojnë me filozofinë e pushtetit, e të fjalës që bart vulën e pushtetit, që sado i gjatë të jetë, është i përkohshëm, sepse përndryshe mandej do të mbërrijnë shpejt e shpejt në zgripin ekzistencial, a më mirë pushtet i fjalës apo fjala e pushtetit. Lirinë e krijimit askush nuk ta dhuron, porse edhe nuk ta ndalon dot, sepse shkrimi i letrares mbetet vlerë edhe kur jeton në sirtar. Ka autor të kësaj kohe, të cilët le të themi se bartin një mentalitet tjetër, që kanë sjellë vlera, si Kujtim M. Shala në studime dhe poezi, Kim Mehmeti në prozë, Luljeta Leshanaku, Ledia Dushi, Agron Tufa, Ervin Hatibi në poezi, që në përgjithësi dhe veçmas kanë realizuar tekste që premtojnë shkëputjen përfundimtare nga letërsia e mëparshme.

Mendoni se autorëve shqiptarë u është dhënë vendi që u takon në letrat shqipe, sipas rëndësisë që kanë, pavarësisht kohës kur kanë shkruar dhe rrethanave?

Përgjigje: Është një problem shumë i mprehtë dhe me shumë të panjohura. Mjafton të mendosh faktin që akademikët shqiptarë të të gjithë hapësirave, vijojnë të shprehen ende, në punimet e tyre, të shpallura si shkencore, se letërsia e mirëfilltë zë fill me De Radën dhe Naim Frashërin. Me një të rënë të lapsit, për arsye të leximit antifetar, fetar dhe me kufizime ideore, vijon që periudha e parë e letrave shqipe, të mos konsiderohet me vlera letrare, por të kundrohet dhe trajtohet vetëm si dëshmi gjuhësore dhe historike. Nga ana tjetër në një sipërmarrje të sistemit monist, të krijimit të hierarkisë së vlerave, duke përjashtuar vlerat e letërsisë së kaluar, por edhe ato të bashkëkohësisë që nuk u përfshinë në hullinë e socrealizmit, vepra e korifenjve të socrealzimit, ku nuk ka gjasa të mos përfshihet edhe Kadare, Agolli, Qosja, Arapi etj., po vijojnë që të ruhen piketat e atij modeli, pavarësisht se bëhet sikur po iket. Ka edhe shpikje të tilla, që as vetë deklamuesit e tyre nuk i besojnë se gjoja kjo periudhë nuk është trajtuar dhe interpretuar, që në fakt lë pa mend edhe vetë studimet rakitike të kohës së lulëzimit të realizmit socialist. Kanë kaluar kaq vite dhe nuk po rifuten, me seriozitetin që meritojnë, në skenë autorët e përzënë si Fishta, Konica, Skiroi etj., nuk po duken shenjat e pranimit (pa i paragjykuar) të letrares së shkruar nga Camaj, Pipa, Trebeshina, Pashku, Zorba, Reshpja etj. Shkolla shqiptare dhe akademizmi i saj, që ka buruar dhe vijon mbijetesën e vetë duke u përshtatur, nuk jep shumë shpresë se do të hartohet ndonjëherë historia e vlerave letrare, e të hiqet dorë njëherë e përgjithmonë nga hartimi i historisë së mungesave letrare, siç ka ngjarë në motet e shekullit të njëzet.

Çfarë duhet të ndryshojë në këtë sistem “rrëfimi vlerash”? Jeni kundër gjithçkaje të shkruar në periudhën e socrealizmit?

Përgjigje: Duhet të ndryshohet shumëçka, por mbi të gjitha të hiqet dorë nga leximi ideologjik, biografik, krahinor, historik dhe antihistorik, sociologjik, i famës dhe fotografisë. Veçse, me ruajtjen e piketave të socrealizmit dhe të infrastrukturës studimore të atij modeli, druaj se edhe për shumë kohë pak gjëra do të ndryshojnë. Në fakt në tekstin studimor Sistemi Letrar Piramidal, që e kam botuar në Prishtinë në vitin 2007, sepse nuk e pa dritën e botimit në Shqipëri, që për mua ka qenë libri që ka hapur hapësirat e teksteve të tjera, të serisë studimore letrare, për Budin, Kutelin, Trebeshinën, Kadarenë, Camajn etj., që më ka dhënë dorë, për të kërkuar në rruginat e tjera të studimit letrar. Teksti studimor, teorik dhe me shqyrtime tekstesh, Sistemi Letrar Piramidal, ka dhënë një përgjigje, personale dhe studimore, se çfarë ishte socrealizmi dhe ku janë gjurmët e tij, sesi do të duhet ikur prej tij. Ikja duke ruajtur piketat e socrealzimit është udha më e ngushtë e mundshme, por edhe vijim i lënies jashtë të vlerave të krijuar në alternativat e tjera letrare. Haraçi i botimi të shumicës së veprave në atë kohë, nuk ka gjasa ta shpëtojë nga përfshirja në këtë modelim as Kadarenë, madje kjo nuk ka pse të shihet me frikë se do të humbas vlera. Për mua si lexues-studiues, ka më tepër vlerë që të mos i shmangim kontekstet, sepse siç e kam shprehur dhe shpjeguar në tekstin Kadare i rilexuar, me disa vepra Kadare ka bërë atë që realizoi Molieri me klasicizmin, pra nga brenda modelit zyrtar është gjetur hapësira e ligjërimit që i kundërvihen estetikisht, e kjo mund të zbulohet vetëm se nga rileximi, me qëllim ndarjen e letrares nga joletrarja. Pra, në shtjellimet e ndryshme të letrares, mendoj se leximi me kritere estetike, bën që të spastrohen mungesat letrare, dhe të shpëtohen vlerat, dhe pastaj të vijohet vetëm me leximin dhe shqyrtimin e pranisë së vlerave e jo me mungesat e shumta.

Së fundmi ju keni sjellë para lexuesit disa studime. Ndërkohë keni ndër duar një studim për Anton Pashkun. Çmund të thoni për këtë të fundit dhe çfarë sillni “ndryshe” me këtë botim që pritet të qarkullojë së shpejti?

Përgjigje: Metodika e leximit të teksteve, si dhe të formësimit letrar, është optika verifikues edhe për Pashkun. Ky shkrimtar i letërsisë bashkëkohore ka vendin e vetë si tregimtar, që me tregimet fantastike eci dhe përsosi rruginat e çelura nga dy mjeshtrat e shkrimit të saj, Kuteli dhe Koliqi. Në krijimtarinë e tij bëjnë pjesë edhe tekstet dramatike, Sinkopa dhe Gos, të emërtuara jo rastësisht me emrin, tragjedi moderne, të cilat çelin hullinë e lëvrimit të teatrit absurd në letrat shqipe. Po kaq, shkrimi i romanit “Oh”, një tekst i larmishëm si thënie dhe artthënie, hodhi themelet e realizmit modern të prozës së gjatë. Pashku është i ndryshëm nga të tjerët, e për ta ilustruar këtë ide, mund të them se sipas shijes time, është nga të paktët autorë të letrave shqipe, që ka sendërtuar vetëm vlera letrare të njëmendta.


Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...