të Fan S. Nolit, Lazër Shantojës, Mitrush Kutelit, Gjon Shllakut, Petro Zhejit, Pashko Gjeçit, Robert Shvarcit, Vedat Kokonës, Aurel Plasarit, Petraq Kolevicës, Ardian Klosit, Mira Meksit, Piro Mishës u shtohet edhe emri i Dritan Çelës
Rudolf Marku
Thuhet me të drejtë se letërsia nuk ekziston brenda një gjuhe, por dhe brenda një kulture. Dhe kështu përkthyesit e letërsisë del se nuk janë thjesht përkthyes gjuhësore, por dhe prurësit e kulturës, përçuesit e saj.
Kjo e vërtetë e madhe qe kuptuar më së miri sidomos në vendet totalitare si Shqipëria dhe Rusia, vende ku sistemi stalinist pati jetuar më gjatë dhe më suksesshëm. Lexuesi i vëmendshëm dhe i etshëm i këtyre vendeve i ka rezervuar një status të veçantë përkthyesit të letërsisë. Përkthyesit më të mirë në vendin tonë njiheshin dhe respektoheshin po aq sa dhe shkrimtarët më të mirë, madje disa herë më tepër se këta të fundit. Kjo dhe përkonte me përkufizimin mitik të përkthyesit si një kasnec mes Zotave dhe vdekatarëve apo me atë përkufizimin tjetër të përkthyesit si kontrabandist kulturash, si një smuggler vlerash në një shoqëri ku vlerat konsideroheshin jo vetëm të papëlqyeshme, por edhe të rrezikshme. Përkthyesit e letërsisë në vendet totalitare e kishin kuptuar më së miri misionin e tyre të veçantë. Paradoksi i përkthyesit shqiptar, një përkthyes i izoluar nga kultura dhe gjuha nga e cila përkthente, ishte se ky izolim tragjik e bënte që të ishte disa herë më profesionist se kolegët e tij perëndimorë, të cilët kishin privilegjin që të kishin dhe burimet filologjike, dhe kontaktet e drejtpërdrejta me autorët (kur ata ishin gjallë) që përkthenin.
Emrave të Fan S. Nolit, Lazër Shantojës, Mitrush Kutelit, Gjon Shllakut, Petro Zhejit, Pashko Gjeçit, Robert Shvarcit, Vedat Kokonës, Aurel Plasarit, Petraq Kolevicës, Ardian Klosit, Mira Meksit, Piro Mishës u shtohet dhe emri i Dritan Çelës. Më i riu mes tyre, të cilit vdekja e parakohshme i ka dhënë privilegjin që të qëndrojnë edhe pas 100 vjetësh më i riu i përkthyesve shqiptarë.
2.
Dritan Çela, ashtu si mjeshtrit e tjerë të kulturës shqiptare, kishte vetëdijen e prurësit të kulturës botërore. Dhe çfarë më ka befasuar gjithnjë në përkthimet e tij, është se ndihet që mosha fare e re nuk i pati krijuar asnjë ndjesi inferioriteti teksa gjendej mes emrave të shquar të letërsisë botërore- në shoqërinë e Dino Buzzati-t, Luigi Pirandello-s, Italo Calvino-s, Carmine Abates- po përmendim veç ca prej tyre. Në njëfarë kuptimi, përkthyesi i mirë identifikohet me autorin që përkthen dhe me veprën që përkthen. Identifikohet shpirtërisht, intelektualist. Fraza e autorit bëhet fraza e përkthyesit. Dhe fraza e përkthyesit bëhet fraza e autorit. Dhe kur autori është i vdekur, përkthyesi e sjell në botën e të gjallëve. Kështu këmbëngulte Ezra Paund tek u shpjegonte akademikëve latinistë që ankoheshin për përkthimin e tij të Sextus Propertius në Homade to Sextus Propertius: Ju doni një të vdekur, kurse unë doja ta ringjallja autorin vdekur!
Dritan i dashur, tek i ringjallje me aq bujari autorët e vdekur, a të pati shkuar ndër mend se çdo ringjallje e tyre të përket edhe ty vetë?
3.
Nuk është e nevojshme ta kesh njohur personalisht Dritan Çelën që të kuptosh se ai përkthente veç ata autorë që pëlqente. Kjo është një tjetër veti e përkthyesit mjeshtër e përkthyesit autor. Dino Buzzati duket se është ndër më të preferuarit e tij. Ai trishtim i mrekullueshëm i Dritanit, një trishtim që paradoksalisht i jepte fytyrës së tij butësi dhe ndriçim, gjendet në çdo faqe të Buzzati-t. Dhe është ai trishtimi i natyrshëm krijues, pa të cilin dhe engjëjt nuk do të mundnin të sfidonin ligjin e gravitacionit. Ai trishtim që i mban engjëjt në ajër, paksa të distancuar nga banaliteti tokësor. Ai trishtim që do t’i bënte poetët francezë të thonë: Trishtim, fytyrë e bukur!
Dritan i dashur, e di si ti më kupton më tepër se çdo njeri i gjallë i kësaj bote teksa këlthas në heshtje: O Zot, sa të shëmtuar që janë poetet e lumtur!