2011-03-26

Entela Kasi “Urat” e shkrimtarëve

BLERINA GOCE


Të gjesh balancat dhe të flasësh përtej moskuptimeve, duhet të jetë një më shumë se një dëshirë e thjeshtë për shkrimtarin.

Të paktën, në një mjedis si Shqipëria, kur ende mosmarrëveshjet janë të dukshme dhe njerëzit gjenden nën hijen e të shkuarës, mjedisi e kërkon më nevojshmërisht një format tej mohimit. Edhe pse të shkruash është veprimi “më i vetmuar” në botë, shkrimtarët kur bëhen bashkë mund të marrin përsipër misione dhe ti kthejnë identitetin një vendi që ende përkundet në kërkim të tij. Të paktën kësaj linje duket se i përmbahet edhe organizatat botërore për njerëzit e letrave PEN, me degë të saj edhe në Shqipëri. Ku ndodhet sot letërsia shqipe dhe cilat janë mënyrat më të mira që shkrimtarët dhe përkthyesit të ndërtojnë urat mes tyre? Çrëndësi ka të shkruash në një mjedis të vështirë dhe të bëhesh përçues i zërave dhe vlerave? Të tilla pyetjeve u përgjigjet kryetarja e “PEN” Qendrës në Shqipëri, shkrimtarja dhe përkthyesja Entela Kasi…

Çdo të thotë të shkruash për ty? Mendon se fakti i të qenit grua të bën të përjetosh dhe përcjellësh ndjesi “ndryshe”? Si e sheh krijimin në këtë raport “gjinish” apo “pozicionesh të paracaktuar”, të paktën nga jashtë?

Të shkruash do të thotë të jetosh ndryshe, të jesh brenda një bote gati ideale si gjendje dhe të mbërrish në pikëtakim me sublimen duke zbuluar thellësinë e qenies njerëzore. Do të thotë sikur je në një planet ku ti dallon anët më të errëta dhe më të ndritura, dhe në këtë mënyrë arrin të kuptosh botën përmes një qetësie të thellë, të cilën e ke përfituar prej tronditjes më të madhe, sepse je pjesë e planetit, si njeri, si grua, si shkrimtare.

Të jesh grua është fat, ashtu sikur është fat të jesh burrë. Asgjë nuk do të kishte kuptim pa përsosmërinë harmonike midis burrit dhe gruas. Gruaja është dashuria e madhe, burimi i jetës, pasi ajo lind burrat dhe gratë, njerëzimi është ushqyer me gjakun e saj dhe ka frymuar me frymën e saj, e është rritur në trupin e saj. Ndjenjat e gruas janë, përmbajtja e formës e lëndës, e dashurisë. Edhe në tronditjen më të madhe një grua gjen balancat, vetëpërmbajtjen, ajo është paqësore, për një grua lufta është e fundit, është fundi. Unë jam rritur me modele grash të forta, të cilat kanë triumfuar mbi vdekjen dhe kanë ditur të jenë me zemër të madhe dhe universale.

Nëna ime është një model i tillë, edhe nëna e saj, edhe motra e gjyshes time, të cilën unë e kam quajtur nëna e madhe. Ajo ishte grua e bukur deri në fund të jetës, ishte grua tipike e Mesdheut, të cilës koha dhe diktatura i rrëmbyen të atin, vëllezërit, burrin, nipat edhe mbesat, shtëpinë, bibliotekën, librat, i ofruan burgun politik, dhunimin, por kurrë nuk mundën ti rrëmbejnë fisnikërinë, bukurinë, forcën e shpirtit dhe mendjes, e as jetën. Ajo mbetet gruaja model, udhëheqësja ime shpirtërore. Nëna ime, gjyshja ime, dhe nëna e madhe, janë modeli i jetës time. Jam si ato.

Penelopa e Homerit në antikitet është modeli letrar i përsosmërisë, Margaret Thecer në kohët moderne është modeli femëror në arenën e burrave, princesha e Wellsit, Diana, është modeli i bukurisë shpirtërore dhe fizike, e Nëna Terezë mbetet për mua modeli i dashurisë sublime.

Gratë që ju përmenda më kanë iluminuar si njeri, si grua, si nënë, si shkrimtare.

Nëse ambienti mashkullor është agresiv dhe mbisundues, kjo ndodh pasi ne gratë nuk kemi bërë mirë rolin tonë si nëna, si edukatore, si femra, nuk kemi ditur të edukojmë meshkujt, të cilët i kemi lindur dhe rritur ne në evoluimin tonë historik, përgjatë qytetërimeve botërore.

Kjo është edhe më e theksuar në mjedisin shqiptar dhe sidomos në shoqëritë e mbyllura dhe posdiktatoriale.

Gruas në këtë mjedis i duhet të përballet me agresivitetin, konfliktualitetin, moskuptimin dhe mbisundimin mashkullor. Ky mjedis është i tronditur, i janë përmbysur vlerat njerëzore dhe morale. Përpiqem të ndjek faret në këtë det të trazuar për të mos u përmbytur apo asimiluar nga mjedisi. Jam e lumtur në të gjithë këtë, pavarësisht mjedisit jam plot.

Shpesh pohohet se të shkruarit për një shkrimtar është akti më i vetmuar në botë. Mendoni se vetmia është parakusht për tu futur brenda vetes?

Entela Kasi: Po, të shkruarit është akti i vetmisë të përsosur, që shndërrohet në akt sublim pasi në këtë vetmi e gjithë bota vjen tek ti, me gjithë tronditjen e saj, anët e saj të errëta e të ndritura, e ky është një proces, një alkimi fantastike. Në këtë mënyrë hyn në thellësitë më të fundme, ndodh shkrimi i librit, të cilin ti ia kthen botës, e cila të dhuroi bashkimin me të. Shkrimtari është një i vetmuar i madh që koha dhe shkrimi e takon me të tjerët. Por, shkrimtari është një i mërguar i madh i shoqërive reale, pasi është përgjithmonë në kërkim të përsosmërisë, është idealist dhe iluminist i përsosur, dhe njëkohësisht i trondituri më i madh i kohërave. A ishin Homeri, Dante, Servantes, Shekpsiri, Hygoi, Dosotjevski, Kafka të tillë? Unë mendoj se po.

Sa i rëndësishëm është me gjithë këtë komunikimi?

Entela Kasi: Njeriu e keqpërdor fjalën, ndërsa fjala ishte e para. Më lejoni ti referohem filozofit të lashtësisë, Ezopit, simbolit të mungesës së lirisë, të cilën e fitoi prej fjalës. Fuqia e fjalës është e madhe, e drejta e lirisë së fjalës, shprehjes, mbrohet me ligj. Të komunikosh do të thotë të dish të dëgjosh, të dish të kuptosh, e pastaj të flasësh. Komunikimi është mungesa më e madhe e shoqërisë shqiptare, më së shumti kjo i mungon intelektualëve. Ne kemi një deformim të madh, nuk duam ose nuk dimë të bashkëbisedojmë, e kjo ka ndodhur në historinë tonë të mbijetesës si komb, si qytetërim. Në mjedisin tonë të gjithë kanë rrëmbyer mikrofonat e një monologu agresiv konfliktual moskuptimi dhe mosmarrëveshjeje. Ndërkohë që ne shqiptarët në Shqipërinë tonë dhe pjesët tona jashtë nesh duhet të dimë të bisedojmë e të merremi vesh me njëri- tjetrin. Nëse ky komunikim humbet atëherë ne rrezikohemi të mbetemi një moskuptim i madh fatal për të tjerët.



Si e shihni sot letërsinë shqiptare, mes “ishullit të saj” dhe “urave të komunikimit”?

Entela Kasi: Letërsia në gjuhën shqipe ka nxjerrë vepra universale. Vepra e shkrimtarit tonë Ismail Kadare, mbetet e papërsëritshme dhe e jashtëzakonshme. Nëse i referohemi fjalës ishull, unë do të thosha që nga ky pozicion gjeografik në zemër të Evropës, Ismail Kadare ka arritur ti japë letërsisë botërore një pasuri letrare të mrekullueshme që e ka origjinën në gjuhën shqipe. Dhe jo vetëm kaq, por ai sot ka arritur ti artikulojë botës me gjenialitetin e tij, mendimin intelektual evropian, duke zbuluar rrënjët dhe përkatësinë evropiane të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Nëse i kthehemi mjedisit shqiptar, sot në kohën e lirisë, unë kam frikë se në mjedisin tonë nuk duam ose nuk dimë të ndërtojmë ura, ndoshta ndaj dhe baladat tona për ura dhe kështjella që prishen në mes të ditës dhe natës janë kaq të forta dhe të dhimbshme.

Ne vijmë nga diktatura me pengje të mëdha historike, kemi kryer krime në kulturë, kemi zëvendësuar historinë me një surrogat, kemi deformuar ndërgjegjen tonë, kemi vrarë poetë, artistë muzikantë, dhe një pjesë e jona ka mbetur peng tek veprat kriminale që i ka kryer në diktaturë, dhe po ti shtosh kësaj edhe mentalitetin komunist që mbisundon në sjelljet e intelektualëve kupton se ky është ende një tranzicion social, kulturor dhe politik.

Më lejoni të them se disa nga këta i kanë ndërtuar karrierat e tyre duke kryer krime, mbeten njerëz me të shkuar të zezë, e kështu sot në apati eklipsojnë mjedisin kulturor duke krijuar banda edhe në kulturë, të cilat edhe pse të përkohshme janë të frikshme dhe të turpshme për një shoqëri, e cila duhet të ketë për destinacion lirinë dhe integrimin.

Mund të formatosh bestsellera dhe marketing, por jo shkrimtarë, arti nuk emërohet, pasi letërsia ka një marrëdhënie me tejkohësinë.

Ne sot ende lexojmë, dhe nga letërsia e gjuhës shqipe ne lexojmë Kadarenë, ashtu si Borgesin dhe Kafkën. Po të tjerët që na u servirën si të mëdhenj në diktaturë dhe tranzicion ku janë?

Kjo është ë trishtueshme, por edhe qesharake.

Çfarë duhet të “vijë ndryshe” në letrat shqipe? Si kryetare e “PEN” Qendrës së Shqipërisë, si e shihni letërsinë shqipe përballë asaj të huaj, duke pasur parasysh që shqiptarët më së shumti lexojnë këtë të fundit. Si duhet të funksionojë marrëdhënia me librin, botime, promovimin dhe si duhet të ngrihet një politikë e qartë në këtë drejtim?

Entela Kasi: Duhet të vijë ndryshimi i shumëpritur, shkëputja nga mentaliteti komunist dhe i tribusë. Shkëputja nga të qenurit mohues. Duhet të vijë vizioni, duhet kuptuar rëndësia e momentit në të cilin ndodhemi. Duhet të dimë të ulemi e të flasim, duhet të kuptojmë që ky shekull është një kapërcim i madh, që era ideologjike dhe postideologjike kanë përfunduar. Intelektualët shqiptarë kudo që janë duhet të kujdesen për probleme madhore si ai i identitetit kulturor dhe gjuhësor të shqiptarëve si komb. Duhet të integrohemi me vetveten dhe pastaj me botën.

Në botë, PEN qendrat janë institucione të rëndësishme për çdo identitet, shkrimtarët që e kanë udhëhequr dhe e drejtojnë sot janë dhe mbeten mendimtarë dhe intelektualë të mëdhenj, si Gollsworthi, Moravia, Umberto Eko, Herta Myller, Liu Xia Obo, apo Mario Varga Lljosa.

PEN në Shqipëri ka emra të njohur, shkrimtarë, poetë, botues përkthyes, gjuhëtarë, gazetarë dhe intelektualë me reputacion dhe integritet, por mjedisi shqiptar është i vështirë, është mjedis postkomunist me probleme dhe pengje të thella në historinë tonë si komb dhe është pikërisht misioni i PEN ta ndryshojë këtë mjedis duke e sfiduar duke ndërtuar një mjedis me integritet. Ky është vizioni i PEN. Shqipëria nuk është një ishull në çati të botës, Shqipëria është evropiane nga identiteti dhe përkatësia dhe ka një destinacion të shkëlqyer evropian. Kultura dhe identiteti ynë janë pasuri për njerëzimin dhe kulturat dhe identitetet e globit.

Përtej “PEN”, çmund të thoni për projektet tuaja personale? Prisni të sillni së afërmi diçka nga krijimtaria para lexuesit?

Entela Kasi: Përveç familjes dhe PEN, të cilat janë përditshmëria ime, me axhenda pune, konferencash, takimesh, raportesh njerëzore dhe institucionale, brenda dhe jashtë vendit, besoj se do ti ofroj lexuesit, ribotimin e librave të mi në 15 vite, por edhe dy romane të rinj, “Hanna K.”dhe “Iliriada”.

Krahas këtyre kam menduar që në këtë vit të botoj një libër krejt të veçantë me letërkëmbime me shkrimtarë të rëndësishëm të huaj, ese dhe raporte në këtë udhëtim dhjetëvjeçar me PEN International, duke pasur parasysh fillimin, pra vitin 2001.

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...