Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë shtet i gjithë shqiptarëve
Bajrush Morina
Përshëndetja: Mirëserdhët në vendin e shqiponjave!”
Që në hapat e parë që hyn në Shqipëri të vjen një mesazh në telefon nga një kompani private e telefonave mobil “Eagle Mobile” në të cilin shkruan: “Mirëserdhët në vendin e shqiponjave!”. Në fakt megjithëse mbi qiellin e Shqipërisë gjithnjë e më pak fluturojnë shqiponjat, ndjenja se je në vendin e shqipeve është e pashmangshme për çdo shqiptar, aq më tepër për ata shqiptarë që jo shpesh kanë rastin të vizitojnë Shqipërinë.
Në mëngjesin e ditës së parë të kësaj jave kolona e gjatë e eskortës presidenciale po gjarpëronte Rrugës së Kombit nën përcjelljen e organizuar të policisë shqiptare gjatë gjithë rrugëtimit. Ajo që bie në sy për të mirë te ky organizim i policisë shqiptare ishte përshëndetja zyrtare që çdo pjesëtar i policisë shqiptare në çdo udhëkryq ose parakalim rruge i bënin eskortës së Presidentit të Republikës së Kosovës. Për keqardhje, diçka të tillë nuk e di se bëjnë policët e Kosovës, madje edhe gjatë vizitave që i kanë bërë shtetit tonë burrështetasit e lartë të Shqipërisë.
Tirana: Pse është kaq i bukur kryeqyteti shqiptar?
Më pak se sa ndjenja e inferioritetit është ndjenja e nostalgjisë që të mbërthen kur sheh simbolet e shtetit shqiptar me dy ngjyrat shqipe, të kuqen dhe të zezën. Nuk ka pse të mos thuhet se pranë flamurit kuq e zi, flamuri i Kosovës dukej si një “copë arne” pa asnjë pamje dekorative, ndërkaq uniforma e Gardës Kombëtare ishte rreshtuar për të pritur presidentin e Kosovës Behgjet Pacollin.
Tirana është e bukur. Ky epitet është diçka që shihet dhe që ndihet. Edhe bulevardi kryesor ishte “prishur” jo nga demonstruesit e 21 janarit, por nga meremetimi që po i bëhej këtij sheshi të madh, janë rrugët e tjera kryesore të Tiranës sa të gjëra e aq të gjata e të drejta. Dikush do të thotë se janë që nga koha e Mbretërisë së Ahmet Zogut ose të sundimit italian. Le t’u takojnë edhe periudhave të tjera kohore, por ato kanë mbetur ashtu të gjëra e të gjata, të mëdha e të drejta. Pra rrugë që nuk i ka Prishtina.
Bile ata që e mbajnë mend Tiranën e viteve të 90-ta do të kënaqen me ndryshimet e mëdha infrastrukturore të kryeqytetit shqiptar.
Në qoftë se në mars të vitit 1990 në “pesëmbëdhjetëkatësh” “Tirana” nuk ke mundur të shijosh as edhe një birrë të ftohtë, në hotelin “Sheraton” ofrohet komoditeti i një hoteli perëndimor.
Tirana është e bukur edhe natën. Është e gjallë! Një rrugëtim skaj lumit Lana apo edhe një shëtitje bulevardit prej sheshit “Skënderbeu” deri të Universiteti, diku pas orës 22.00 apo edhe më vonë, është një “ushqim” jo vetëm shpirtëror por një veprim i mirëseardhur shëndetësor.
Një kafe tek Naltmadhnia e tij Mbreti Leka Zogu
Në qendër të Tiranës gjendet rezidenca e Mbretit Zog. Aty është ende gjallë e i fortë trashëgimtari i Fronit Mbretëror Leka Zogu. Megjithëse i shtyrë në moshë, ai edhe më tutje rri ulur në Fron të Selisë Mbretërore ose në ballë të oxhakut. Pret e përcjellë mysafirë që e vizitojnë. Aty shërbehet kafeja me filxhanë e me xhezve si në kohën e Mbretit.
Presidenti Pacolli i sjell Mbretit Leka përshëndetjet e gjithë shqiptarëve të Kosovës. Ka dëshirë që ai një ditë të jetë mysafir i tij në Kosovë. Naltmadhnia e tij e pranon me kënaqësi ftesën. Presidenti i dhuron Mbretit një libër dhe e falënderon për pritjen vëllazërore. Princi Leka e shoqëron presidentin deri te sheshi.
Një pritje e ngrohtë i ofrohet Presidentit edhe në Kryegjyshatën Bektashiane. Është festa e Natës së Sulltan Nevruzit që festohet nga gjithë besimtarët e këtij sekti fetar.
Në Krujën e Skënderbeut!
Të gjithë ata që vizitojnë Shqipërinë nuk kanë parë asgjë shqiptare po nuk u ngjitën në Kalanë e Krujës dhe po nuk u “takuan” me kryetrimin e shqiptarëve Gjergj Kastriotin - Skënderbeun.
Kruja është ndër qytetet e lashta shqiptare i cili përmendet që në vitin 879 si qendër peshkopate dhe e garnizoneve bizantine deri në fund të shek XII. Ciceroni shqiptar i shpjegonte presidentit Behgjet Pacolli dhe gjithë të tjerëve gjithë historinë e lavdishme të heroit tonë kombëtar. Në Kalanë e Krujës është e ekspozuar e gjithë lufta dhe qëndresa historike e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut dhe e bashkëluftëtarëve të tij. Mungojnë vetëm dy eksponate origjinale të Skënderbeut - përkrenarja dhe shpata e tij. Ato ende ruhen në Muzeun e Vjenës, ndërsa ciceroni flet me nostalgji për këto eksponate të heroit tonë kombëtar.
“I kemi kërkuar Muzeut të Vjenës që përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut të na i kthejnë dhe t’i ekspozojmë këtu në Muzeun tonë në Krujë, sepse ato ishin përdorur nga Skënderbeu në betejat e tij në Krujë, por ata nuk po na i kthejnë. Madje po na thonë se ne duhet t’i falënderojmë ata që na i kanë ruajtur. Ne u kemi thënë: “Po mirë, po ju falënderojmë publikisht edhe si shtet, po ju japim falënderime dhe dekorime të larta shtetërore, vetëm na i ktheni!”, por ata nuk po ndryshojnë mendje, thotë me nostalgji ciceroni shqiptar.
Për të shkuar në Kalanë e Krujës duhet të kalosh përmes Pazarit të Vjetër. E në këtë Pazar, pos që ruhet e paprekur gjithë arkitektura e lashtë, shiten dhe ekspozohen kryesisht eksponate të lashta shqiptare që lidhen me kohën e Skënderbeut. Rastësisht më ranë në sy edhe dy gota uji në të cilat ishin gravuar edhe dy personalitete politike - Enver Hoxha dhe Sali Berisha.
Te varri i Skënderbeut
I shpallur disa muaj më parë qytetar nderi i Lezhës, presidenti Behgjet Pacolli nuk mund të largohej nga Shqipëria pa vizituar edhe Lezhën. Aty e pret kryebashkiaku e përveç tij e presin me valle e muzikë me tupanë edhe qytetarët e Lezhës. E presin qytetarin e tyre që tash është edhe president i Republikës së Kosovës. Presidenti shpreh kënaqësi për këtë pritje dhe fton të gjithë vogëlushët e Lezhës që ishin veshur me kostume kombëtare ta vizitojnë Kosovën.
Rikthimi në Kosovë shënon fundin e një vizite shumë të rëndësishme në Shqipëri.
Xhevati më thotë se në Tiranë na është ngrohur shpirti e madje edhe eshtrat e trupit nga rrezet e diellit.
Po, kjo është e vërtetë, në Shqipëri të ngrohet edhe shpirti edhe trupi.