Demaçi tha se është shumë i lumtur që në këtë ditë kur është edhe përvjetori i demonstratave të studentëve në Kosovë, ndodhet në Shkup në një manifestim të tillë kulturor
Në Institutin për Trashëgimi kulturore të shqiptarëve kohë më parë u bë ndarja e kompletit të librave të shkrimtarit Ismail Kadare për bibliotekat e institucioneve kulturore dhe shkollave shqiptare në Maqedoni, si donacion i fondacionit HI CLASICC në bashkëpunim me Sekretariatin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Në ceremoninë e ndarjes së librave morën pjesë politikani Adem Demaçi, ambasadori i Kosovës në Maqedoni Skënder Durmishi, deputetë, ministra dhe përfaqësuesë të institucioneve të ndryshme arsimore dhe kulturore.
Me këtë rast, Demaçi tha se është shumë i lumtur që në këtë ditë kur është edhe përvjetori i demonstratave të studentëve në Kosovë, ndodhet në Shkup në një manifestim të tillë kulturor.
"Jam shumë i lumtur dhe i kënaqur që ndodhem në Shkupin tonë historik, në një manifestim të tillë kulturor dhe në një përvjetor të rëndësishëm kur shqiptarët dhanë shenja se nuk do të pajtohen me diktaturën komuniste dhe filluan lëvizjet e mëdha të cilat pas asaj dite të 11 marsit të vitit 1981 filluan lëvizjet e gjera ku u ngrit rinia e shkolluar, u ngrit vetëdija kombëtare. Kjo është një datë, në të cilën morën pjesë të gjithë studentët edhe nga Maqedonia, Mali i Zi, si dhe nga viset e tjera shqiptare, ishte fillim i veprimit të organizuar i veprimeve masive, të cilat nuk mund të fshiheshin që ta demaskojnë fytyrën e Jugosllavisë dhe bota filloi ta shihte Jugosllavinë pikërisht ashtu siç ishte një burg i popujve", theksoi Demaçi.
Ai mes tjerash shtoi se fondacioni i tij e ka parë të arsyshme që kompleti i Kadaresë të shpërndahet në të gjitha institucionet shqiptare, si dhe ju bëri thirrje intelegjencës shqiptare në Maqedoni që të punojnë në ngritjen e vetëdijes kombëtare. Ademi, ndërkaq tha se Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit me kënaqësi e ka pranuar ofertën që të jetë partner i këtij fondacioni për shpërndarjen e librave dhe njëkohësisht ka përkujtuar demonstratat e 11 marsit të vitit 1981 në Prishtinë.
"Më vjen mirë që sot jam pjesë e kësaj ngjarje të rëndësishme në shpërndarjen e titujve të shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare në të gjitha institucionet kulturore dhe bibliotekat në Maqedoni. Sot para tridhjetë viteve në Prishtinë filluan demonstratat studentore, që ishin pika e fillimit të një orteku të madh, i cili vazhdimisht po rritej në drejtim të realizimit të aspiratave kombëtare. Para momenteve të këtilla gjithmonë shtrohet pyetja sa janë realizuar ato aspirata. Ajo që është e rëndësishme për të realizuar aspiratat tona kombëtare edhe amanetin e dëshmorëve nga të dy luftërat tona, është që ne të punojmë dhe të realizojmë pjesën e obligimeve tona, që i kemi ndërmarrë dhe sigurisht që këto aspirata dhe amanete duhet realizohen", tha Ademi, duke bërë apel që çdo shqiptar pavarësisht se ku ndodhet dhe ku vepron, të kryejë punën e tij në vijën kombëtare. Vëllimi i librave të Kadaresë iu nda Bibliotekës së Institutit për Trashëgimi kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë, Bibliotekës së katedrës së Albanologjisë në kuadër të UCM-së, Bibliotekës së Muzeut të Alfabetit Manastir, Bibliotekës së Muzeut të Lirisë, Bibliotekës së USHT-së, Bibliotekës së UEJL-së, Bibliotekës së Tetovës, Bibliotekës së shkollës Cvetan Dimov, Bibliotekës së gjimnazit Zef Lush Marku, shkollës së mesme ekonomike në Shkup, Bibliotekës së gjimnazit në Kumanovë, Bibliotekës Skupi, Medresesë Isa Beu Shkup, Fakultetit të Shkencave Islame, Bibliotekës së Dibrës, etj.